Një kazino është tentuar të vidhet në qytetin e Bulqizës. Sipas policisë, “ngjarja ka ndodhur mëngjesin e 30 tetorit, ku persona të paidentifikuar nëpërmjet portës së pasme kanë hapur derën pa dëmtime (me çelës), dhe janë futur brenda sallës së lojërave të fatit, në pronësi të shtetasit R.K, 43 vjeç, ku kanë kontrolluar për vlera monetare, por nuk kanë mundur të marrin asgjë”, sqaron policia.
Ndërkohë policia thotë se, ka marrë informacion, se në aksin rrugor Maqellarë-Shupenzë, në anë të rrugës është konstatuar një automjet i djegur, e cila dyshohet se i përket autorëve që tentuan të grabisnin kazinonë.
“Grupi hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku në vendin e quajtur “Maranicë”, aksi rrugor Maqellarë-Shupenzë, rreth 200 metra në anën e majtë të rrugës është konstatuar një mjet tip “Mercedez-Benz”, me targa TR 8692 F, i djegur plotësisht, në pronësi të shtetasit S.P, banues në Tiranë. Ky automjet dyshohet të jetë përdorur nga autorët që tentuan të vidhnin kazinon në qytetin e Bulqizës”, tha policia. Specialistët e policisë po punojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Tentojnë të vjedhin kazinonë, maskat i vënë flakën makinës
Trump rifillon luftën kundër establishmentit

Nga fundi i korrikut, Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka lënë përshtypjen se është një gafaxhi që vë në rrezik paqen botërore me deklarimet e tij të pamenduara. Prapa kësaj dukjeje, Donald Trump vazhdon qetësisht në politikën e tij të jashtme, pavarësisht opozitës pothuajse unanime të Kongresit. Kështu që bëhet fjalë për atë që sot e quajmë “arteficë komunikimi” dhe dikur “lojë dyfishe”. Veç kësaj, Presidenti po kërkon të bindë miqtë e tij që të marrin kontrollin e Partisë Republikane, gjë që do t’i mundësonte të racionalizonte komunikimin e tij dhe ta zbatonte më me shpejtësi politikën e tij. Donald Trump ka menduar që të futet në politikë vetëm pas ngjarjeve të 11 shtatorit, të cilave u konteston versionin zyrtar. Vetëm pasi ka takuar Steve Bannon, ka vendosur që të garojë për presidencën e Shteteve të Bashkuara. E ka bërë atë drejtorin e fushatës së tij dhe, pasi është zgjedhur, këshilltar special. I detyruar që ta shkarkojë nga anëtarët e Kongresit, e mbështet në mënyrë të nëndheshme për të marrë kontrollin e Partisë Republikane. Të dy burrat kanë ndërmend t’i ribëjnë Shtetet e Bashkuara një republikë.
Trump përballë establishmentit
Gjatë 3 muajve të fundit, kriza që e kundërvë Donald Trump me klasën drejtuese amerikane ka vazhduar të intensifikohet. Duke e tradhtuar pa kurrfarë vrasje ndërgjegjeje Presidentin e dalë nga radhët e saj, Partia Republikane është bërë aleate me kundërshtaren e saj, Partinë Demokrate, kundër Shtëpisë së Bardhë. Të dy grupet kanë miratuar në Kongres, me 27–28 korrik, Countering America’s Adversaries Through Sanctions Act. As më pak e as më shumë, bëhet fjalë për ta zhveshur Presidentin nga tagrat e tij në fushën e politikës së jashtme. Nuk do të pozicionohemi në këtë konflikt, por do ta analizojmë për të kuptuar kontradiktat permanente midis fjalëve dhe veprave, përveçse mospërputhjeve të politikës së jashtme amerikane.
Barack Obama mbështetej nga administrata e tij. Përdorte kështu komunikimin e tij për të bërë të pranoheshin vendimet nga populli dhe nga bota. Kështu, ka zhvilluar arsenalin bërthamor, ndërkohë që theksonte se po e çinstalonte. Ka vënë në zjarr e hekur Lindjen e Mesme të zgjeruar, ndërkohë që shpallte një fillim të ri (reset) me botën myslimane e kështu me radhë. Përkundrazi, Donald Trump kërkon që t’ia kthejë institucionet e vendit klasës drejtuese të tij dhe t’i vendosë në shërbim të popullit të tij. Prandaj komunikon, duke ndryshuar ide siç ndërrohet këmisha, duke mbjellë çrregullim dhe konfuzion. I mban të zënë kundërshtarët e me gjestikulacionet e tij të çorganizuara, teksa e avancon politikën e tij me durim jashtë vështrimit të tyre.
Pothuajse e kemi harruar, por me ardhjen e tij në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump kishte manifestuar pozicione në kontradiktë me disa prej diskutimeve elektorale të tij. Është akuzuar se po çmarkohet sistematikisht nga politika e paraardhësit të tij dhe se është në praktikë, shumë në favor të Koresë së Veriut, Iranit, Rusisë dhe Venezuelës. Komentatorët e kishin akuzuar se nuk është i aftë të përdorë forcën dhe, në analizë të fundit, se është izolacionist prej dobësisë; një interpretim i braktisur më 7 prill gjatë bombardimit të bazës së Shayrat (Siri) me 59 raketa Tomahawks. Në kthimin pak më vonë në detyrë, të njëjtit komentatorë i ripërsërisnin akuzat e tyre për dobësi, ama kësaj radhe duke nënvizuar relativizmin e tij moral që e pengonte të shikonte rrezikshmërinë e armiqve të Shteteve të Bashkuara.
Duke parë thuajse unanimitetin e votës kongresuale kundër tij, Presidenti dukej i mundur. Është ndarë brutalisht nga Këshilltari Special, Steve Bannon dhe, duke u dukur i gatshëm që të pajtohej me establishmentin, është impenjuar më tej kundër Koresë së Veriut, Venezuelës, Rusisë dhe Iranit. Më 8 gusht ka lëshuar një diatribë kundër Phenianit, duke shpallur se “kërcënimet” e tij do të ndesheshin me një “zjarr, furi dhe forcë që bota nuk e kishte parë ndonjëherë”. Ishte një eskalim verbal nga të dyja palët, që linte të besohej për një luftë bërthamore të mundshme të afërt, ndërsa japonezët zbrisnin në strehimet antiatomike dhe banorët e Guam linin ishullin. Më 11 gusht, Presidenti Trump deklaronte se nuk e përjashtonte më «opsionin ushtarak» kundër «diktaturës» së Presidentit venezuelian Nicolas Maduro.
Karakasi i është përgjigjur me një njoftim plot një faqe në “New York Times” që e akuzonte se po përgatiste një ndryshim regjimi në Venezuelë sipas modaliteteve të grushtit të shtetit të kryer ndaj Salvador Allende dhe kërkonte ndihmë, duke ju apeluar qytetarëve të Shteteve të Bashkuara. Më 31 gusht, Departamenti i Shtetit ka hapur një krizë diplomatike me Rusinë, duke urdhëruar mbylljen e shumë zyrave diplomatike dhe reduktimin e personelit të saj në Shtetet e Bashkuara. Duke bërë një veprim reciprok, Ministria e Jashtme ruse ka mbyllur zyra diplomatike amerikane dhe ka përzënë shumë diplomatë. Më 13 tetor, Donald Trump ka mbajtur një diskutim që e akuzonte Iranin se ishte sponsori global i terrorizmit dhe vinte në diskutim marrëveshjen bërthamore të negociuar nga paraardhësi i tij Barack Obama. Ky diskutim ishte paraprirë nga akuza të të njëjtës natyrë të bëra nga Departamenti i Shtetit në ngarkim të Hezbollahut.
Për komentatorët, Donald Trump është më së fundi në rrugë të mbarë, por po bën shumë dhe po e bën keq. Disa e konsiderojnë si të sëmurë mendor dhe të tjerë shpresojnë që të replikojë strategjinë e “qenit të çmendur” të vënë në zbatim nga Richard Nixon: të frikësojë armikun duke e bërë të besojë se është i aftë për gjithçka. Megjithatë, në fakte, asgjë nuk ka ndryshuar. Asgjë ndaj Koresë së Veriut. Asgjë ndaj Venezuelës. Asgjë ndaj Rusisë. Asgjë edhe ndaj Iranit. Përkundrazi, politika e Trump kundër krijimit të shteteve xhihadiste vazhdon për sa është e mundur. Vendet e Gjirit kanë reshtur së mbështeturi Daesh-in, i mundur në Mosul dhe Raqqa. Xhihadizmi po rizbret në nivel nënshtetëror.
Harta e Steve Bannon
Mbledhja e Values Voter është mbajtur nga 13 deri më 15 tetor pranë Omni Shoreham Hotel në Washington DC. Kjo mbledhje vjetore organizohet nga një konsorcium shoqatash familjare kristiane të përshkruara si raciste dhe homofobe nga shtypi dominues. Shumë oratorë kanë parakaluar përpara Presidentit të Shteteve të Bashkuara përpara një publiku antiestablishment.
Steve Bannon figuronte në program me kërkesë të Presidentit Trump, pavarësisht protestave të disa organizatorëve realisht homofobë. Në fakt, Bannon ka popullarizuar oratorin Milo Yiannopoulos, një i ri homoseksual që lufton kundër instrumentalizimit të geive nga ana e demokratëve. Pasi ka marrë fjalën, ish-Këshilltari Special i Shtëpisë së Bardhë ka ndërmarrë një sulm të ashpër kundër interesave të miliarderëve të globalizuar.
Është e njohur që Bannon, megjithëse përshkruhet si njeri i së djathtës ekstreme nga shtypi mbizotërues, militon në favor të barrës fiskale ndaj super të pasurve në masën 44% të të ardhurave të tyre. Ka mbajtur një filipikë të furishme kundër elitave të “korruptuara dhe të paafta”, i të cilave Hillary Clinton është muza; njerëz që, sipas mendimit të tij, kanë gjetur një interes personal në shkatërrimin e vendeve të punës në Amerikë dhe në delokalizimin e tyre në Kinë. I ka akuzuar se kanë tentuar të shkatërrojnë Presidentin Trump, familjen dhe miqtë e tij. Ka akuzuar Senatorin Bob Corker pse është tallur me Komandantin e Përgjithshëm kur ka theksuar se është i paaftë që ta menaxhojë vendin pa provokuar një Luftë të Tretë Botërore dhe Mithc McConnell, drejtuesin e mazhorancës republikane në Senat, pse e ka organizuar këtë sabotim.
Ka kujtuar vizionin e tij të nacionalizmit ekonomik në shërbim të republikës amerikane, egalitare pavarësisht nga raca, nga besimi fetar dhe nga preferencat seksuale. Ka përfunduar se, nga momenti që Partia Republikane i kishte shpallur luftë popullit amerikan, do t’ia kthente si bumerang. Miqtë e Bannon kanë firmosur menjëherë kundër “kokave” të Partisë Republikane për të siguruar mbështetjen e partisë në vendin e tyre në të gjitha zgjedhjet lokale. Pasi kjo situatë nuk ishte paraqitur kurrë më parë, askush nuk e di nëse do të kenë sukses apo jo, por natyrisht që suksesi i Bannon në rastin e kësaj konference tingëllon si një ogur i mirë në favorin e tij.
Loja dyfishe e Shtëpisë së Bardhë
Në rastin e një mbledhjeje të kabinetit, Presidenti Trump ka deklaruar se i ka kuptuar frustrimet e ish-këshilltarit të tij, Bannon pse «Kongresi nuk bën punën e tij», ndërkohë që është i dominuar nga republikanët. Pastaj i është drejtuar Senatorit McConnell, duke e siguruar se do ta qetësonte Bannon… në disa pika. Presidenti vazhdon deklarimet ekstravagante për të kënaqur Kongresin, ndërkohë që armatos krahun e ish-këshilltarit të tij për t’u çliruar nga liderët e Partisë Republikane. Po asistojmë në një luftë, që nuk është më politike, por kulturore. I kundërvë mendimit puritan atë të republikës (domethënë të mirën e përbashkët). Nga një perspektivë e jashtme, zbulojmë se prapa pohimeve të tij plot kolorit dhe impulsive, Donald Trump ndjek qetësisht aksionin e tij kundër Daesh-it. Ka tharë Shtetin Islamik duke i marrë kapitalet. E ka transformuar NATO-n për ta bërë një organizatë antixhihadiste. Për momentin nuk e dimë nëse, pas shkatërrimit të Daesh-it, do të vazhdojë apo jo lufta kundër grupeve të tjera xhihadiste dhe sesi do të reagojnë ndaj iniciativave të Pentagonit për të shkatërruar strukturat shtetërore të Amerikës Latine veriperëndimore dhe të Juglindjes aziatike. Ka akoma shumë rrugë për t’u bërë që të ribëhen një republikë siç duhet Shtetet e Bashkuara aktuale.
Përgatiti
ARMIN TIRANA
Vuçiç tregon si e kërcënoi Yee
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të hënën se Perëndimi nuk do të heqë dorë nga Kosova, ndërsa Beogradi duhet të gjejë një zgjidhje për marrëdhëniet me shqiptarët.
Ai i bëri këto komente në një intervistë të paralajmëruar me televizionin serb “Pink” në të cilën foli më hollësisht për takimin e një jave më parë me zyrtarin e lartë amerikan Hoyt Brian Yee, i cili nxiti shumë reagime me qëndrimin se Serbia “nuk mund të ulet në dy karrige”, duke ju referuar politikës serbe të ecjes në vijën e ngushtë ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë.
Presidenti serb tha se takimi me zyrtarin amerikan “nuk ishte i këndshëm, por nuk pati fjalë të rënda”.
Ai tha se temat kryesore ishin Kosova dhe Rusia.
“Ai (Hoyt Brian Yee) më tha se nuk mund të prekni tërësinë tokësore të Kosovës, ndërsa unë i thashë, ju keni mundur të prekni tërësinë e Serbisë nëntë vjet më parë. Atëherë vlenin rregulla të tjera. Këtë ia thashë në fytyrë. Ai më bëri të ditur se më përcolli mesazhin e Amerikës. Duhet ta respektosh, nëse nuk e bën… dihen pasojat…”, tha Presidenti serb.
Ai tha një nga temat ishte edhe Rusia. “Ajo çfarë po ndodh në Amerikë ka sjellë probleme të reja. Pa faj ne mund të pësojmë. Të gjithë ata që kanë çfarëdo marrëdhëniesh me Rusinë do të pësojnë”, tha Presidenti serb, duke nënvizuar se nuk do të jetë e lehtë të “përballen trysnitë”.
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për një qendër të emergjencave që Rusia menaxhon në qytetin e Nishit në Serbinë Jugore. Disa grupe perëndimore dhe analistë ushtarakë e shohin si një bazë ushtarake të kamufluar që Kremlini e ka ngritur për të mbikëqyrur interesat amerikane në Ballkan.
Qendra ruse që u hap fillimisht në vitin 2012, gjendet relativisht pranë forcës paqeruajtëse prej 4 mijë trupash në Kosovë. Pjesë e forcave ndërkombëtare në Kosovë janë edhe 600 ushtarë amerikanë.
Moska kërkon që personelit të saj t’i jepet imunitet diplomatik, ndërsa mohon çfarëdo veprimtarie të saj përveç trajtimit të emergjencave.
Moska vazhdon të mbështesë pretendimet serbe mbi Kosovën dhe refuzon sikurse edhe Serbia të njohë pavarësinë e saj të shpallur në shkurt të vitit 2008. Ajo i dorëzoi ditë më parë gjashtë avionë ushtarakë MiG-29 Serbisë, ndërsa pritet që të dërgojë në Beograd edhe 30 tanke T-72 dhe 30 automjete të blinduara.
Megjithatë, Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit me strukturat evropiane.
Presidenti serb tha të hënën se, Serbia duhet të provojë të gjejë “një marrëveshje historike me shqiptarët për hir të së ardhmes së fëmijëve”.
Të hënën, Serbia edhe zyrtarisht hapi dialogun e brendshëm për çështjen e Kosovës me takimin e parë të grupit punues për këtë çështje që duhet të bashkërendojë debatet. Në fund të muajit korrik, Presidenti serb Alexandër Vuçiç, paralajmëroi hapjen e një dialogu të brendshëm në Serbi për, siç tha, zgjidhje të qëndrueshme e afatgjatë të çështjes së Kosovës.
Gjatë fundjavës ai tha se Serbia duhet të lirohet nga mitet dhe “gënjeshtrat se gjithçka në Kosovë është serbe, sikurse edhe nga gënjeshtrat se në Kosovë nuk ka më asgjë serbe”.
Vangjel Dule: Rama, sjellje prej pushtuesi
Pas ndërhyrjes së IKMT për prishjen e banesave në Himarë, ka reaguar edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Dule e krahason sjelljen e Ramës ndaj banorëve të Himarës me sjelljen e një pushtuesi. Në një prononcim për median ai thotë se, Himara u ka rezistuar shekujve dhe nuk do të mund të mposhtet nga perversitetet ligjore dhe institucionale aventureske të Ramës. “Sjellja e kryeministrit Rama ndaj Himarës dhe himariotëve mund të krahasohet me sjelljen e një pushtuesi. Po cenohen të drejta stërgjyshore pronësore. Cenohen parime elementare të shtetit të së drejtës. Nëpërkëmben në mes të ditës, demokracia funksionale dhe respektimi i të drejtave të pjesëtarëve të minoritetit. Himara që u ka rezistuar shekujve me identitetin dhe idealet e veta, që u ka rezistuar stuhive shumë më të vështira se këto të sotmet, nuk do të mund të mposhtet nga perversitetet ligjore dhe institucionale aventureske të zotit Rama”, tha Dule. Ndërkohë në Himarë banorët kundërshtojnë prishjen dhe janë përplasur ashpër me policinë. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur sot shembjen e 19 banesave shtëpive në qendër të Himarës, në kuadër të ndërtimit të bulevardit të ri. Prishja e banesava po shoqërohet me tension dhe protestë nga ana e qytetarëve. Forcat e shumta të policisë kanë formuar barrikadë mes banorëve dhe IKMT-së, për t’i lejuar fadromave të vijojnë punën. Prishja e këtyre banesave është kundërshtuar jo vetëm nga banorët e zonës, por dhe nga qeveria greke, e cila e konsideron miratimin e projektit për qendrën e Himarës dhe prishjen e banesave të minoritetit grek si shkelje të hapur të të drejtave të pakicës kombëtare greke. Plani urbanistik i Himarës, pjesë e së cilit ishte dhe ndërtimi i bulevardit të ri, u miratua në gusht 2017, mes shumë protestash nga banorët, si dhe nga përfaqësues të pakicës kombëtare minoritare në Himarë.
Meta rrëfen takimin e një jave më parë me Visho Ajazin
Presidenti Meta ka reaguar për herë të parë në lidhje me dorëheqjen e kreut të Shërbimit Informativ, Visho Ajazi. Ai ka rrëfyer, për gazetarin Peka në Syri.net, një takim që ka zhvilluar me kreun e Shërbimit Informativ një javë më parë në zyrën e tij. “E garantova drejtorin e SHIK për mbështetjen e plotë që do të gjente tek unë si President në luftën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar”, është shprehur Meta, në një intervistë të dhënë për gazetarin Peka në Syri.net. Meta ka thënë se e kishte garantuar gjithashtu se, mbështetja do të jepej edhe publike, duke e inkurajuar publikisht Shërbimin për punën e bërë.
Korrieri mes “Kodrës së Diellit” dhe Kryeministrisë
Saimir Tahiri ka kërcënuar Ramën me publikimin e 5 dosjeve që dëshmojnë për lidhjet e tij dhe të pesë anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar me bandat e drogës dhe krimit të organizuar.
Ish-Kryeministri Berisha publikoi dje denoncimin e një punonjësi të Kryeministrisë sipas të cilit Gaz Demi i njohur si mik i Tahirit dhe Ramës e së fundmi si ndërmjetës i Tahirit tek Rama vijon takimet midis të dyve, duke negociuar mbi kërkesa me sa duket që Tahiri bën ndaj Ramës.
Sipas Berishës në denoncimin e publikuar, Tahiri ka pesë dosje të reja të pushtetarëve të Ramës që faktojnë lidhjet e tij me bandat e drogës. Janë këto pesë dosje me të cilat Tahiri mban peng Ramën dhe e detyroi atë që ta shpëtojë nga arrestimi dhe vënia para drejtësisë.
“Gaz Demi vazhdon ndërmjetësimin midis Saimir Tahirit dhe Edvinit! Punonjësi dixhital informon se sot në zyrën e tij, Edvini pati një takim me Gaz Demin, ndërmjetësin famoz, me të cilin Saimir Tahiri kërcënoi natën e “Opinionit” Ramën për publikimim, në rast se do ta lëshonte, të 5 dosjeve kundër tij dhe narko-pushtetarëve të tjerë. Por, në rast se dihet se Gazi sot ishte përsëri i dërguari i Saimirit, biseda e zgjatur e tij me Ramën mbetet e errët”, thuhet në postimin e Berishës.
Deri në fund betejën për arrestimin e Saimir Tahirit
Kryetari i PD, Lulzim Basha paralajmëroi dje se PD dhe opozita do të çojë deri në fund betejën e saj për vënien e Saimir Tahirit para drejtësisë. Me shifra e fakte konkrete, Basha tregoi përmes një reagimi për mediat se si qeveria Rama dhe lidhjet e saj me krimin e drogën kanë varfëruar shqiptarët, kanë çuar drejt falimentit rreth 30 mijë biznese e ndërkohë vendi po vuan papunësinë e varfërinë ekstreme.
“Politika e Edi Ramës është krimi dhe droga. Eshtë politika e tij që ka çuar 30 mijë biznese drejt falimentimit, mbylljes së mijëra vendeve të punës, rritjen e çmimeve dhe zhytjen e shqiptarëve në varfëri. Politika e Ramës bëri që 30% e familjeve shqiptare nuk sigurojnë dot bukën e fëmijëve, 39% e shqiptarëve nuk paguajnë dot faturën e dritave dhe ujit, 43% e familjeve nuk sigurojnë dot ngrohjen për fëmijët.
Beteja jonë për dekriminalizimin e shtetit, për vënien para drejtësisë të Sajmir Tahirit si mbështetësi dhe përfituesi i trafikut të drogës është sot beteja më jetike për shqiptarët. Sepse krimi ka kapur shtetin, varfëria dhe mjerimi ka pushtuar anembanë vendin, papunësia dhe pamundësia po shtyn drejt emigrimit mijëra të rinj e intelektualë.
Opozita është në krahun e njerëzve. Rama dhe qeveria e tij janë të zhytur në krim dhe të kapur nga krimi; janë problemi dhe jo zgjidhja”, shprehet Basha në reagimin e tij.
Popull Pinok
Edison YPI
Miku, armiku, shoku, kolegu, komshiu, i dashuri, e dashura, gruaja, burri, fëmija, të gjithë gënjejnë. Oqeani i gënjeshtrave ka mbështjellë gjithçka si eteri materien. Nuk i thua dot tjetrit asgjë. Sa të hapësh gojën, tjetri nis e lodh mendjen çfarë gënjeshtre po i thua, dhe me cilën gënjeshtër duhet të përgjigjet.
Çfarë deliri. Çfarë llahtari. Vishen me rraqe gabi, dhe hiqen sikur ndjekin modën. I ngrijnë flokët me xhel, dhe u duket vetja i bukur. Gjezdisin me “Benz”-in e tjetrit, dhe ushqehen me marmalatë të skaduar. Merimanga e gënjeshtrave ka hyrë në çdo skutë. Hajdutin e bëjnë të ndershëm. Rekomandojnë drogën. Kurvën e shpallin model për t’u imituar.
Rrugaçin e bëjnë hero. Budallain e quajnë mendimtar. Hajvanin patriot. Injorantin shkrimtar. Të çmendurin poet. Llafazanin opinionbërës. Dërdëllitësin këngëtar. Gënjeshtra këtu nuk është e pjesshme, e përkohshme, relative, që përmes komunikimeve të mundohesh ta korrektosh. Gënjeshtra e këtushme është gjithpërfshirëse, finale, definitive, totale.
Kapilarizimi i gënjeshtrës nga fëmija te buzëvarri, nga më i dituri te më injoranti, nga më mëndjelehti te më mëndjemadhi, dhe gjithë të tjerët, ta kall tmerrin, ta ftoh trurin, t’i mpin gjymtyrët, ta fut dëshpërimin, ta nxin ditën, ta helmon jetën. Nuk gënjejnë një herë që t’i falësh, apo tre herë që pasi të fjalosesh të mirkuptohesh.
Gënjejnë pafundësisht herë. Gënjejnë kur flasin. Gënjejnë kur pyesin. Gënjejnë kur përgjigjen. Gënjejnë kur rrinë. Gënjejnë kur lëvizin. Gënjejnë kur hanë. Gënjejnë kur flenë. Gënjejnë kur ëndërrojnë. Gënjejnë kur dashurojnë. Gënjejnë kur urrejnë. Nuk gënjejnë më të rrallë, pa të keq, se ashtu e kanë tipin, të atillë e kanë vesin. Gënjejnë gjithë kohën.
Gënjenin dje, gënjejnë sot, do gënjejnë nesër, do gënjejnë deri ditën e fundit, deri frymën e fundit. Nuk gënjejnë bukur, nuk gënjejnë këndshëm, që të mendosh se gënjejnë për humor apo për të alternuar bisedën që të largojnë monotoninë, mërzitjen.
Gënjejnë dosido. Gënjejnë si u vjen dorësh. Gënjejnë pa u menduar. Nuk gënjejnë me arsye apo pa arsye, me shkak apo pa shkak. Gënjejnë kot. Gënjejnë me instinkt. Gënjejnë pa e ditur pse gënjejnë. Gënjejnë, sepse u duket se duhet të gënjejnë.
Gënjeshtarët më të qelbët përsërisin vazhdimisht se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtëra, se gënjeshtra ka bisht, etj., etj., sikur demek gënjeshtra është gjë e gjallë, sikur brenda të vërtetës mbisunduese gënjeshtra është e përkohshme, janë pohime moralistike rrenacake për të mundësuar të tjera e të tjera gënjeshtra të pafundme.
Gënjeshtra e këtyre nuk ka këmbë, duar, bisht, nuk është gjë e gjallë. Gënjeshtra e këtyre është një makineri e skëterrshme që vigjëlon të vërtetën ta gjejë ku e ka nxjerrë kokën t’ja shtypi. Gënjejnë të gjithë pa i lëvizur qerpiku. Pa turp, pa edukatë, pa vetpërmbajtje. Gënjen muhabetçiu, gënjen dyqanxhiu, gënjen nëpunësi, gënjen eprori, gënjen inferiori, gënjen politikani, gënjen deputeti, gënjen ministri, gënjen kryetari, gënjen sekretari, gënjejnë statistikat, gënjejnë deklaratat, gënjejnë konferencat, kongreset gjithashtu gënjejnë, mbledhjet gënjejnë, të gjitha dhe të gjithë veçse gënjejnë dhe gënjehen.
Facebooc-u dhe Instagrami që u duk se ishin shpikur për ta kufizuar gënjeshtrën, u dorëzuan para zulmës së pandalshme gënjeshtare shqiptareske. U bënë vetë ata gënjeshtarët më të mëdhenj që gënjejnë e vetëm gënjejnë, e asgjë tjetër s’bëjnë. Gënjejnë edhe ata që për t’i përcjellë me besnikëri gënjeshtrat paguhen, gënjejnë spiunat.
Ndoshta kanë të drejtë. Se të spiunosh vetëm gënjeshtra, zor të vejë mendja se mund të ekzistojë e vërteta. Gënjejnë dhe i gënjen inxhinieri. Gënjejnë dhe i gënjen ustai. Gënjen i sëmuri mjekun. Si pasojë gënjen mjeku të sëmurin. Thotë për mikun e kafenesë, është poet, është shkrimtar, ka kaq e aq vepra, kaq e aq përkthime. Ja pret miku-mikut; është studiues, shkencëtar, historian. Të dy gënjejnë. Të dy janë mbijetuesa grafomanë, pa asnjë talent, pa asnjë ideal.
Gënjen kafeneja, gënjen televizori, gënjejnë tabelat që njoftojnë datën e fillimit dhe mbarimit dhe koston e punimeve në rrugë. Gënjejnë opinionistat, analistat, kazanistat, që për fakte konsiderojnë çfarë shohin nëpër ëndërra. Rretheqark, vetëm gënjeshtra.
Bërtit sa ta tundësh dheun. Ulurit sa të ngresh dallgët e oqeaneve. Grise qiellin duke klithur me turi nga Hëna ose nga halja. Gjurmën, hijen, shijen e të vërtetës nuk e gjen dot kurrën e kurrës. As këtu, as atje, as në horizont, as kurrkund. Mund të kuturisësh në një mijë mënyra për ta parë a për ta prekur të paktën një grimcë të së vërtetës, për t’ju lutur asaj grimce të të thotë ku është e tëra, pse largohet, pse fshihet, pse rrëshqet.
E kotë. Sapo nis, ndjen se i je futur një aventure. Rrethohesh menjëherë nga gënjeshtra të tjera. Njerëz që gënjejnë nuk mund të dashurojnë, nuk mund të ndërtojnë, nuk mund të përparojnë. Milet rrenacak. Turmë e drunjtë. Popull Pinok.
Kush janë Paul Manafort dhe Rick Gates
Paul Manafort, biznesmen dhe operativ i Partisë Republikane të Shteteve të Bashkuara, i është dorëzuar të hënën FBI-së për t’u përballur me akuzat e një këshilltari të posaçëm, i cili po heton ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e kaluar.
Manafort dhe bashkëpunëtori i tij, Rick Gates, janë akuzuar nga një juri federale. Aktakuza prej 12 pikash përfshin konspiracionin kundër SHBA-së, konspiracionin për shpëlarje parash, të qenët agjentë të paregjistruar të një aktori të huaj, të bërit deklarata të rreme dhe mashtruese dhe shtatë akuza për dështim në paraqitjen e llogarive bankare dhe financiare.
Kremlini e ka mohuar ndëhyrjen në fushatën zgjedhore në SHBA për të kthyer votën në favor të Presidentit aktual Donald Trump. Trump ka mohuar çdo bashkëpunim të fushatës së tij me zyrtarët rusë.
Kush është Manafort?
Manafort, veteran republikan, ka punuar si lobist në Uashington dhe konsulent politik ndërkombëtar. Klientët e tij përfshijnë udhëheqës autoritarë, si Ferdinand Marcosin e Filipineve dhe biznesmenë dhe politikanë rusë dhe ukrainas. Manafort ka qenë udhëheqës i fushatës së Trumpit në verën e vitit 2016.
Aktakuza kundër Manafortit dhe Gatesit thotë se të dy ata kanë gjeneruar dhjetëra miliona dollarë në të ardhura nga puna në Ukrainë dhe kanë shpëlarë para përmes burimeve në SHBA dhe entiteteve të huaja, me qëllim fshehjen e pagesave nga autoritetet amerikane, nga viti 2006 deri së paku në vitin 2016.
Aktakuza thotë se, ata kanë fshehur nga SHBA-ja punën dhe të ardhurat si agjentë të partive politike të Ukrainës. Ata nuk kanë paguar tatime në të ardhura, thanë prokurorët. Sipas aktakuzës, mbi 75 milionë dollarë kanë rrjedhur në llogaritë e Manafortit dhe Gatesit në vende të huaja. Manafort, sipas aktakuzës, ka shpëlarë mbi 18 milionë dollarë.
Aktakuza po ashtu e ngarkon Manafortin dhe Gatesin, së bashku me të tjerë, për konspiracion për të mashtruar SHBA-në duke “penguar, dëmtuar dhe sfiduar” funksionet e ligjshme qeveritare të Departamentit të Drejtësisë dhe të Departamentit të Thesarit në periudhën 2006-2017.
Cilat janë lidhjet e Manafortit me Trumpin?
Manafort i është bashkuar fushatës presidenciale të Trumpit në mars të vitit 2016, ndërsa më vonë është bërë udhëheqës i fushatës, por është detyruar të hapë dorëheqje në muajin gusht, kur edhe kanë nisur dyshimet për punën e tij të mëparshme për partinë politike të ish-presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovich.
Business Insider ka raportuar se, Manafort dhe Trump kanë qenë të lidhur qysh në vitet 1980, kur Trump e ka angazhuar firmën lobuese të Manafortit për të ndihmuar Organizatën Trump.
Në vitin 2006, Manafort dhe gruaja e tij kanë blerë një apartament në Trump Tower në Nju Jork, të cilin Manafort e posedon ende, ka raportuar Business Insider.
Si lidhen akuzat me Trumpin?
“Ato nuk kanë të bëjnë me fushatën apo akuzat për bashkëpunim me Rusinë”, ka thënë avokati John Dowd, i cili e prezanton Trumpin në hetimet e çështjes ruse.
Por, aktakuza e këshilltarit të posaçëm thotë se Manafort dhe Gates kanë shpëlarë para përmes “burimeve në SHBA dhe korporatave të huaja, partneriteteve dhe llogarive bankare”, përafërsisht nga viti 2006 deri së paku në vitin 2016.
ush është Rick Gates?
Rick Gates ka qenë zëvendës i Manafortit dhe bashkëpunëtor i biznesit. Sipas dy ish-anëtarëve të stafit të Trumpit, ai ka funksionuar si menaxher i fushatës së Trumpit për më shumë se dy muaj, por nuk ka marrë pagë.
“The New York Times” ka raportuar në muajin qershor se ekipi i tranzicionit i Trumpit është urdhëruar të ruajë materialet e lidhura me hetimet e ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet më 2016. Sipas “Times”, memorandumi nga zyra e këshilltarit të posaçëm për ish-ekipin e tranzicionit ka kërkuar informacione specifike edhe për pesë njerëz, përfshirë Manafortin dhe Gatesin.
Kryemadhi me ODIHR: Vota u deformua nga eksponentët e krimit
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi priti në një takim kreun e misionit të ODIHR për zgjedhjet, Peter Tejler, i cili prezantoi raportin e ODIHR për zgjedhjet parlamentare. Duke marrë fjalën në këtë takim, kryetarja e LSI vlerësoi sensin përgjithësisht realist të raportit, ku konfirmohet një pjesë e problemeve që janë ngritur para zgjedhjeve siç janë shitblerja e votës, përfshirja e policisë në zgjedhje, ndikimi i eksponentëve kriminalë në votime dhe cenimi i të drejtës së qytetarëve për një proces zgjedhor ku garantohet vullneti i tyre për të mbështetur lirisht partinë politike që përfaqëson më mirë pikëpamjet e tyre. Gjatë bashkëbisedimit u diskutua dhe për rekomandimet e OSBE-ODIHR për reformën zgjedhore, ku konsensusi e transparenca u cilësuan si kushte të domosdoshme për të krijuar besimin e qytetarëve te procesi zgjedhor. Për sa i përket sistemit zgjedhor, kryetarja e LSI është shprehur se duhet të nisemi nga rekomandimet e ODIHR për të zgjidhur problemet e sistemit në të kaluarën, si dhe marrjen e shembujve më të mirë nga vendet e tjera ku garantohet liria e barazia e votës së qytetarëve.