20.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

OSBE kërkon zgjidhjen e shitblerjes së votës përmes reformës zgjedhore

Shitblerja e votës, deformimi i vullnetit të lirë të qytetarëve dhe cenimi i rezultatit të zgjedhjeve ka shtyrë misionin e OSBE/ODIHR të kërkojë me urgjencë nisjen pa humbur kohë të reformës zgjedhore. Pas rreth 3 muajsh OSBE/ODIHR publikoi raportin final për zgjedhjet e 25 qershorit. OSBE i bën thirrje qeverisë dhe politikanëve të refuzojnë mbështetjen financiare nga individë me një të kaluar kriminale. Misioni kërkon gjithashtu luftën kundër abuzimit të burimeve shtetërore dhe presionet lidhur me punësimin për votuesit. Ndër të tjera në këtë raport thuhet se, në bazë të marrëveshjes mazhorancë-opozitë u zhvillua një fushatë e lirë, ku u respektuan liritë themelore. Marrëveshja politike e 18 majit krijoi sfida për administratën zgjedhore, e cila rezultoi me një aplikim selektiv dhe të papajtueshëm me ligjin. Sipas raportit politizimi i vazhdueshëm i organeve dhe institucioneve të lidhura me zgjedhjet, si dhe akuzat e gjera për blerjen e votave dhe presionin ndaj votuesve, hoqën besimin e publikut në procesin zgjedhor. Ndërsa vlerëson se dita e zgjedhjeve ka qenë e rregullt, raporti vë në dukje edhe moszbatimin e plotë të disa procedurave në disa prej qendrave të votimit, ku theksohet se ka pasur vonesa në fillimin e procesit. OSBE ka ngritur shqetësimin se, “shtyrja me një orë e votimit nuk ka pasur bazë ligjore, ndërsa ka shkaktuar pështjellim te votuesit”. Në raport thuhet se, “ditën e zgjedhjeve janë vërejtur parregullsi e mosveprime procedurale”. “Janë vërejtur votime në grup dhe ndërhyrje nga aktivistë partiakë”. Të ndryshojë ligji për grupet e numërimit, nuk duhet të jenë politike. Shqetësim i OSBE, i theksuar edhe në raportin final të zgjedhjeve është edhe shitblerja e votës. OSBE rekomandon zgjidhjen e këtij fenomeni përmes mekanizmave ligjorë. Në rekomandimet kryesore të OSBE është edhe hartimi i një reforme të re zgjedhore gjithëpërfshirëse. “Të thellohet depolitizimi i administratës publike”, thuhet gjithashtu në raportin e OSBE. OSBE rekomandon “të ndryshojë ligji për grupet e numërimit, të cilat nuk duhet të jenë politike, por trupa të pavarura”. Në raportin e OSBE vlerësohet se marrëveshja politike e 18 majit krijoi sfida për administratën zgjedhore, e cila rezultoi me një aplikim selektiv dhe të papajtueshëm me ligjin. Në rekomandimet kryesore të OSBE është edhe hartimi i një reforme të re zgjedhore gjithëpërfshirëse. “Të thellohet depolitizimi i administratës publike”, thuhet gjithashtu në raportin e OSBE.

Opozita braktis Konferencën e Kryetarëve

Deputetët e Partisë Demokratike dhe LSI-së kanë braktisur dje mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku do të diskutohej për projektbuxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2018. Deputetët e opozitës thanë se qeveria Rama është e lidhur me krimin, ka rënë moralisht, ndaj ata nuk mund të jenë pjesë e mbledhjes. Deputeti Edmond Spaho deklaroi: “Ne si opozitë nuk mund të sillemi sikur jemi në kushte normale. Gjendja në vend është e rëndë. Si rrjedhojë e ngjarjeve të fundit është vërtetuar lidhja e kësaj mazhorance me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Për opozitën kjo qeveri moralisht ka rënë. Puna më e mirë që mund të bëjë është të japë dorëheqjen, t’i hapë rrugën një qeverie antimafie, si dhe të krijojë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jo vetëm ka rënë moralisht, por nuk është edhe një qeveri legjitime sepse është një mazhorancë e ardhur nga zgjedhje të blera. Për rrjedhojë ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj fasade dhe nuk do të marrin pjesë në Konferencën e Kryetarëve për shqyrtimin e projektbuxhetit 2018”. Nga ana e saj LSI përmes Petrit Vasilit deklaroi: “Në mënyrë normale të gjitha ligjet e tjera kanë rëndësinë e tyre, po fytyrën e qeverisjes, interesimin e saj për qytetarët, merakun e saj për të treguar se cilat janë orientimet e politikave kur këto politika janë të vërteta sigurisht këtë e sintetizon pikërisht ky ligj. Në mënyrë normale dhe në mënyrë korrekte opozita nuk mund të vazhdonte të ishte pjesë në këtë shqyrtim përveç arsyeve politike madhore të një shteti, i cili është tërësisht i kapur me një konfirmim mbarë kombëtar, por dhe ndërkombëtar tashmë. Për arsye të bërjes njësh të qeverisë me trafikun e drogës dhe gjithë trafiqet e tjera. Por dhe për arsyen themelore që kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk kanë asgjë të bëjnë me interesat dhe merakun e qytetarëve. Dikush nga kolegët e Rilindjes, sigurisht një i komanduar nga telekomanda e ndërtesës përballë foli dhe për bojkot të opozitës. Sigurisht nuk i kam parë kurrë më parë më qesharakë kolegët e Rilindjes se kaq dhe kanë folur për bojkot. Dhe po ju jap tashti publikisht se kush bojkoton. Ne sigurisht kemi një bojkotues të papërgjegjshëm, sigurisht që i ka interesat e shqiptarëve në fund, sigurisht trafiku i drogës ato ndiqen me merak se ato kanë rëndësi të funksionojnë, se ato kanë miliarda kurse buxheti i shtetit s’ka asnjë rëndësi për ta. Ja dokumenti kryesor që kryeministri firmos në një vend. Dhe këtë dokument kryeministri i vendit as ka begenisur ta firmosë. Kush mund ta ndjekë me kamerat tuaja e shikon që edhe ky dokument më i rëndësishmi i politikës qeveritare, i demonstrimit të politikave qeveritare s’është firmosur nga Edi Rama. Ky është bojkotues i madh. Ne nuk jemi këtu që të akomodojmë papërgjegjshmërinë, por edhe neverinë që ka kryeministri për popullin e tij”.

Katër qarqet që u varfëruan më 2016, kryeson Gjirokastra

Teksa familjet shqiptare në tërësi në vitin 2016 kanë rritur shpenzimet për konsum në një mesatare me 3.2 për qind, qarqet e Lezhës, Kukësit, Beratit dhe Korçës janë varfëruar edhe më shumë.
Sipas publikimit të INSTAT për shpenzimet mesatare mujore për konsum të njësive familjare në qarqe shihet se rënia më e madhe e konsumit ka ndodhur në Gjirokastër me rreth 24 për qind. Nga 75,9 mijë lekë që ishte konsumi mesatar i një familjeje në qarkun jugor në vitin 2015 ai ra në 57 mijë lekë më 2016.
Pas Gjirokastrës ulja më e madhe e konsumit të familjeve ishte për Qarkun e Kukësit. Nga 68,989 lekë konsum në muaj në vitin 2015, familjet në Qarkun e Lezhës shpenzuan 5 për qind më pak në vitin 2016. Gjithashtu ritme më të ulëta konsumi kishin edhe familjet në qarqet e Beratit dhe Kukësit respektivisht -2 % dhe -1% më pak.
Në vitin 2016, Qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum.
Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum pas Qarkut të Tiranës, janë Durrësi dhe Shkodra me shpenzime mesatare mujore për konsum përkatësisht 77.933 dhe 75.503 lekë në muaj për njësi ekonomike familjare (NjEF).
Rritjen më të madhe të shpenzimeve e paraqet Qarku i Vlorës me 15,0%, ndjekur nga Qarku i Dibrës me 12,4%. Qarku që ka pësuar uljen më të madhe të shpenzimeve për konsum është Gjirokastra me 23,9%.
Gjithashtu shihet se madhësia e familjeve është në rënie. Në vitin 2016, numri mesatar i anëtarëve të NjEF është 3,7 nga 3,8 që ishte më 2015.
Qarku që ka numër më të madh të anëtarëve të NjEF është Kukësi, 5,2 anëtarë, ndërsa Vlora dhe Gjirokastra kanë numrin më të vogël të anëtarëve në përbërjen e NjEF, 3,4 anëtarë.
Nga publikimet e fundit të INSTAT shihet se qarqet e varfra po varfërohen edhe më shumë. PBB e Kukësit nga viti 2011 ka rënë me 13 për qind. Qarku më i varfër në vend po varfërohet me ritme shumë të shpejta.

 

By Pass Fier-Vlorë dhe dëmi 13 milionë euro

Jorida TABAKU

Këto ditë qeveria rihapi tenderin për By Pass Fier-Vlorë. Mbasi për dy vite dështoi të bëjë mbi 10 për qind të punimeve e rifilloi përsëri nga fillimi projektin prej 60 milionë euro.
Për të kuptuar më mirë raportin mes qeverisë socialiste dhe investimeve në rrugë shkolla dhe çerdhe, kjo shkelje u faktua dhe nga institucioni i KLSH.
Sipas saj, projekti By Pass Fier-Vlorë ka qenë një nga subjektet që ka sjellë dëmin ekonomik më të madh në buxhetin 2016. Plot 13 milione euro të taksapaguesve janë llogaritur si dëm ekonomik, ndërsa rruga është shtuar me vetëm 500 metra nga pika e lënë në 2013.
Këto ditë, ministria përkatëse ka rinisur tenderin për një segment rruge që duhet të kishte përfunduar me kohë. Ka katër vjet që rruga ka mbetur si pëlhura e Penelopës, tirret ditën dhe prishet natën, si simbol i vërtetë i qeverisjes socialiste; Rrëmbe ç’të mundesh dhe gënje për gjithçka!

R.I.P “moratoriumin” e pyjeve, në Parqet Kombëtare vazhdon sëpata

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përmbyllur së fundmi një raport për ekosistemin dhe situatën në Parkun Kombëtar të Prespës. Të dhënat e siguruara nga terreni kanë treguar se prerja e pyjeve në këtë park ka vijuar pa marrë parasysh se tashmë ka një moratorium mbi pyjet.
“Grupi i auditimit gjatë vizitave në terren ka evidentuar grupe dhe individë të ndryshëm, banorë të fshatrave brenda Parkut të Prespës, por edhe të fshatit Tren apo fshatrave të tjera, të cilët janë gjetur duke transportuar dru të sapoprerë.
Të gjithë këta banorë janë pyetur nëse janë kontrolluar nga administrata e parkut, duke u përcaktuar vendin apo nëse ua kanë regjistruar sasinë e prerë të druve dhe kohën në të cilën janë prerë. Të gjitha përgjigjet e tyre kanë dëshmuar qartë se mbi ata nuk është ushtruar asnjë lloj kontrolli”, nënvizon KLSH.

Pyetësorët me banorët

Administrata që kujdeset për Parkun Kombëtar të Prespës duket se nuk ka numrat e mjaftueshëm të punonjësve për të mbikëqyrur terrenin. Banorët e zonës, të cilët janë pyetur rreth prezencës së kësaj administrate në terren në shumë raste janë shprehur se nuk ka asnjë kontroll në zonë.
“Duke marrë parasysh përgjigjet e pyetësorëve drejtuar banorëve të parkut në lidhje me kontrollin që administrata kryen gjatë prerjeve të druve të zjarrit 46% e të anketuarave thotë se nuk kryhet asnjë kontroll, 40% janë përgjigjur se kryhet kontroll në nivel mesatar dhe 14% janë shprehur se kontrolli është shumë i lartë”, thuhet në raport.

Moratoriumi në letër

Gjatë vitit 2016 dhe deri në shkurt 2017 një nga nismat ligjore më të lakuara ishte ajo e moratoriumit të pyjeve për një afat 10 vjeçar. Por pavarësisht pasqyrimit në media të kësaj nisme ligjore duket se ka lindur nevoja edhe për një fushatë të gjerë informimi, e cila ka munguar. Të paktën këtë reflektojnë përgjigjet e banorëve që theksojnë se nuk janë në dijeni.
“Sa i përket pyetjes nëse banorët kanë informacione për prerje të paligjshme dhe tregtim të druve të zjarrit 44% e të anketuarve janë përgjigjur se nuk kanë asnjë informacion të tillë, 44% janë përgjigjur se kanë informacione të mjaftueshme për një gjë të tillë dhe 12% janë shprehur se kanë shumë dijeni për ngjarje të tilla”, vlerëson KLSH.

Parku Kombëtar i Prespës

Parku Kombëtar i Prespës ka marrë statusin si zonë e mbrojtur në vitin 1999. Ai shtrihet në një hapësirë mbi 27 mijë hektarë në Qarkun e Korçës. Pasuria në florë dhe faunë është e lartë. Në pjesë e tij janë disa monumente natyre si: venjat e Kallamasitrit, zgavra e Zaverit, dushqet e Manastirit Djellas, ishulli i Maligradit, guret e Mumjes, shpella e Tren.
Po kështu, pjesë e tij janë edhe disa objekte kulturore, fetare, historike brenda zonës si Kisha e Shën Marenes, Kallamas, Kisha e Shën Gjergjit Gollomboc, Kisha e Shën Pjetrit Zaroshkë, Kisha e Shën Mërisë.

Monitor

Ullinjtë shekullorë të rrezikuar prej ndërtimeve dhe erozionit

Studiuesit thonë se në Shqipëri ka 136 mijë rrënjë ulliri që mund të datohen deri në 3 mijë vjeçarë, duke qenë një “muze i gjallë”, ndërsa bëjnë apel për t’i mbrojtur pemët, pasi mjaft prej tyre rrezikohen prej ndërtimeve të reja dhe mungesës së kujdesit e erozionit
Këto pemë ulliri janë këtu ndoshta që para kohës kur Çezari ndoqi Pompein në këto anë, gjatë luftës civile romake në vitet 49-45 para erës sonë, por tani pas 3 mijë vjetësh ato rrezikohen prej erozionit, ndërtimeve të reja apo tentativës së fshatarëve për t’i transportuar.
“Dikush e përdor për truall dhe e shkul një ulli shekullor pa e pyetur fare, dikush tjetër e bën refugjat dhjetë ullinj i merr këtu dhe i çon në qytet, nuk ndodh kjo në ndonjë vend tjetër… duhen ligje të forta që kjo pemë ulliri të mbrohet me ligj”, thotë Prof. Enver Isufi, drejtor i Institutit të Bujqësisë Biologjike në Universitetin e Kamzës.
Isufi thotë se ullinjtë e vjetër të lënë pas dore rrezikohen edhe prej erozionit dhe thotë se fshatarët që i zotërojnë plantacionet me këto ullinj, duhen ndihmuar të ndërtojnë vetulloret (një mur i vogël gurësh rreth rrënjëve të ullinjve) që do frenonte fenomenin.
Një studim i katër pedagogëve të Universitetit Bujqësor të Kamzës, i vitit 2014, thotë se në Shqipëri gjenden 1.7 milionë pemë ulliri të vjetra (mbi 500-vjeçare) dhe llogaritet se 136 mijë janë me vjetërsi nga 1 deri në 3 mijë vjet.
Pjesa më e madhe e ullinjve të vjetër ndodhen rreth e rrotull rrënojave të kalave të vjetra, prej Shkodrës në Sarandë, por të përqendruar në plantacione i gjen në fshatrat e zonës së Krujës, Tiranës, Peqinit dhe ato të Vlorës.
Por Prof. Enver Isufi, drejtor i Institutit të Bujqësisë Biologjike thotë për BIRN, se ende te ne nuk njihet me saktësi mosha e vërtetë e pemëve të ullirit, cila kërkon analizë specifike. Ai shpjegon se mosha e ullinjve nuk matet me perimetrin e trungut si te shumë pemë të tjera dhe se për këtë duhet një analizë karboni. Megjithatë, ai dhe studiues të tjerë janë të bindur se pemë me perimetër deri 30 metra mund të jenë edhe 3 mijë vjeçare.
“Ky është një muze i gjallë, dhe tregon edhe kulturën tonë që i kemi ruajtur, edukatën tonë ekologjike, pra shumë gjëra mund të komentohen rreth ullirit shekullor. Se nuk ndodh kjo për një mollë, për një pjeshkë, për një hardhi, kjo ndodh vetëm te ulliri. Nuk gjen ndërtesë këtu në Tiranë me vjetërsinë e ullinjve”, thotë ai.
Pemët e hershme janë pjesë e legjendave popullore. “Ne e kemi me të dëgjuar, gjysh pas gjyshi, brez pas brezi, se pema më e shenjtë është ulliri dhe deri sa kanë mbajtur mend ata dhe sa mbajmë mend ne, as rrufeja nuk bie në pemën e shenjtë të ullirit”, thotë Rexhep Troci, banor i fshatit Surrel.
Po ashtu ato janë të çmuara edhe për shkak të vlerave ekonomike. Ullinjtë e vjetër pranë Tiranës vazhdojnë të prodhojnë dhe vaji i përftuar prej tyre është vlerësuar me çmime ndërkombëtare. Troci thotë se pemët e ullirit të vjetër që ai zotëron prodhojnë deri tre herë më shumë se ato të varieteteve të reja, ndërsa shton se po ashtu edhe frutet e tyre janë më të mira për nga cilësia. Ai thotë se përveç ruajtjes së ullinjve të vjetër, do duhej që të punohej edhe për të mbajtur gjallë varietetin që përshtatet më shumë me klimën dhe me natyrën e tokës.

Shqipëria humb shtatë vende në klimën e biznesit

Shqipëria ka humbur 7 vende në raportin e Bankës Botërore “Doing Business 2018”, duke u renditur e 65-ta, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 58 mes 190 ekonomive të marra në vlerësim. Kjo tregon se të bërit biznes në vendin tonë ose është vështirësuar, ose vendet e tjera janë përmirësuar me ritme më të shpejta, duke na lënë pas. Në raport me veten, bilanci është pozitiv me një përmirësim prej 0.96% krahasuar me të njëjtin raport të një viti më parë.
Shqipëria ka shënuar përmirësim në dy aspekte. Sigurimi i financimit, pra është përmirësuar aksesi në financim përmes disa nismave ligjore që lidhen me amendimet në Kodin Civil, si dhe disa aspekte të falimentit. Aspekti i dytë me përmirësimin është pjesa e rregullimit të tregut të punës, ku Shqipëria ka amenduar ligjin për orarin e punës që lejohet në një javë, si dhe faktin që burrat dhe gratë të trajtohej njëlloj në rastet e shpërblimeve.
Marrja e energjisë elektrike vazhdon të jetë sfidë për biznesin në vend, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 157 nga 190 ekonomi, por treguesi i pikëve është përmirësuar me 0.01% krahasuar me atë ku ishim një vit më parë.
Në vendin e dytë renditet pagesa e taksave, ku Shqipëria ka regjistruar vendin e 125 me një përkeqësim prej 0.54% në raport me një vit më parë.
Lejet e ndërtimit edhe pse duket se kanë shënuar përmirësim kohëve të fundit nuk kanë mundur të sigurojnë një renditje më të mirë sesa vendi i 106, por në raport me veten jemi përmirësuar në mënyrë modeste me 0.03%.
Më pas vjen regjistrimi i pronave, ku Shqipëria renditet në vendin e 103.
Më mirë nga të gjithë procedurat e marra në vlerësim është ajo e mbrojtjes së investitorëve në minorancë, ku jemi të 20-ët dhe më pas tregtia, pra ulja e barrierave tregtare ku Shqipëria renditet në vendin e 24. Fillimi i një biznesi na rendit të 45-ët, kurse aksesi në financim të 42-ët.

Paralajmërim për largimin e mëtejshëm të investitorëve

Banka Botërore lajmëron një ulje të konsiderueshme të Investimeve të Huaja në vendin tonë në vitet në vijim. Në një projeksion të fundit për Shqipërisë, Investimet e Huaja Direkte do të përfshihen në një trajektore rënëse që këtë vit dhe për të vijuar kështu të paktën deri në vitin 2019. Banka thotë se IHD këtë vit do të arrijnë në 8.3% të PBB nga 8.7% që ishin vitin e kaluar. Por vitin e ardhshëm, ato nuk pritet të jenë më shumë se 7% e PBB dhe më 2019 do të jenë 5.6% e PBB-së.
Në vlerë absolute investimet e huaja pritet të bien me 22%. Banka thotë se vitet e fundit, Investimet e Huaja Direkte kanë qenë motori kryesor i rritjes ekonomike në Shqipëri ndaj dhe rënia e tyre do të gjenerojë një hendek. Ekonomia e Shqipërisë u rrit 3,4% më 2016 dhe kjo rritje u nxit më së shumti nga investimet private në dy projektet kryesore, gazsjellësi TAP dhe HEC-et në lumin Devoll.
Banka thotë se remitancat dhe investimet e huaja financojnë pjesën dërrmuese të importeve. Sipas BB, tani, më shumë se kurrë thekson urgjencën e reformave strukturore për të përforcuar ribalancimin e saponisur nga burimet e brendshme të rritjes ekonomike, në ato të jashtme me mbështetje më të madhe tek investimet.
Përfitimet e rritjes ekonomike me krijimin e vendeve të reja të punës duhet të konsolidohen dhe zgjerohen, në mënyrë që të thyhet zinxhiri i emigracionit, reformave të cekëta, si dhe rritjes së ngadaltë ekonomike. BB rekomandon eliminimin e faktorëve dekurajues dhe barrierave për punësimin formal, për të mundësuar ritme më të shpejta të rritjes ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe reduktimin e varfërisë. Përmirësimi i klimës së biznesit dhe qeverisjes për të mundësuar kompanitë që të krijojnë më shumë vende pune, të zgjerohen dhe të rrisin produktivitetin është një rekomandim tjetër. Rritja e barazisë, cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve publike dhe sistemeve të mbrojtjes sociale, duke reduktuar në të njëjtën kohë rolin e qeverisë rekomandohen për t’u bërë.

Raporti, rritet barra e taksave, bizneset paguajnë 37.3% të fitimit

Pagesa e taksave është një nga treguesit që ka shënuar përkeqësim në raportin Doing Bussines 2018 krahasuar me një vit më parë. Ajo që vihet re është një rritje e përqindjes së fitimit që shkon për taksa dhe kontribute në arkën e shtetit si dhe rritje e numrit të procedurave.
Në raportin e këtij viti, 37.3% e këtij fitimi shkon për taksa dhe kontribute kurse një vit më parë i njëjti raport llogariste 36.5% të këtij fitimi si taksa dhe kontribute.
Numri i pagesave, që është një nënkomponent, llogaritet të jetë 35 në vit, ndërkohë që orët e shpenzuara për këto procedura llogariten në 261 në vit. Një vit më parë, numri i pagesave ishte në 34 kurse orët mbeten të njëjta.
Një nga problematikat që nxjerr në pah Doing Business 2018 është rimbursimi i TVSH-së.
“Në Shqipëri për shembull, duhen 37 javë për të marrë një rimbursim TVSH-je. Kërkesa për rimbursim pasohet nga një kontroll i autoriteteve tatimore. Duhen të paktën katër javë që kontrolli i autoritetit tatimor të fillojë. Taksapaguesit shpenzojnë 8.6 javë me kontrollin tatimor dhe presin edhe katër janë të tjera deri në vlerësimin final. Taksapaguesit mund të marrin këtë rimbursim vetëm pasi është mbyllur kontrolli. Gjithashtu, ata duhet të presin pesë javë për pagesën e rimbursimit të TVSH-së”, thuhet në raport. Ai nënvizon se procedura vijon edhe me një seri javësh të tjera pritje dhe kushtesh që duhen plotësuar.

Kriza politike ndikim tek investitorët e huaj

Në Shqipëri evidentohet fakti se, mes biznesit të madh dhe pjesës tjetër të sipërmarrjes në vend ka një hendek të madh. Banka Botërore sapo ka publikuar edhe raportin global të konkurrueshmërisë së investimeve 2017-2018, ku fokusi vihet pikërisht te ekonomitë në zhvillim, mes të cilave edhe Shqipëria. Raporti i Bankës Botërore vjen pjesërisht në formën e një ankete dhe evidenton elementët kyç që çojnë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte në tregjet në zhvillim.
Banka Botërore arrin në përfundimin se, për investitorët e huaj, kriteret kyç që ata vlerësojnë janë: stabiliteti politik, kushtet makroekonomike, klima e biznesit dhe rregullatorët. Të gjitha këto elemente janë jo pak të lakuar edhe në vendin tonë, sidomos klima politike dhe rregullatorët. Me rregullatorë, Banka Botërore i referohet jo vetëm autoriteteve mbikëqyrëse, por edhe legjislacionit në tërësi që përfshin edhe ndryshimet e shpeshta fiskale. Ndryshimet e shpeshta në skemën dhe normat e taksimit janë një ndër elementët që vlerësohet më së shumti nga investitorët e huaj.
“Raporti global i konkurrueshmërisë së investimeve shkon përtej vlerësimit të trendeve, por eksploron në thellësi investimet e huaja direkte dhe motorët e tyre. Për më tepër, ofron rekomandime praktike dhe të arsyeshme për vendet në zhvillim që të sigurojnë eficencën maksimale nga investitorët e huaj”, deklaroi një prej hartuesve të këtij raporti. Praktikisht, Banka Botërore evidenton se, dy faktorët kyç që ndikojnë në vendimet e investitorëve janë: stabiliteti politik dhe ambienti ligjor së bashku me rregullatorët. Raporti flet edhe për mënyrën sesi impaktohet biznesi vendas nga investimet e huaja.

Investitorët e huaj të pasigurtë në Shqipëri

Shqipëria duhet të ofrojë më shumë siguri për investitorët, t’i japë fund burokracive dhe për më tepër ka nevojë për promovim. Janë këto sugjerimet e Presidentit të Dhomës amerikane të Tregtisë, Mark Crawford. Në një intervistë për “TV Scan”, Crawford theksoi se barra fiskale është e rëndësishme për ta bërë vendin atraktiv krahasuar me rajonin, por jo problemi kryesor sa i përket investitorëve të huaj. Këta të fundit po largohen për shkak të konflikteve të vazhdueshme tregtare, përfshirë edhe presionet që vijnë sidomos nga problemi i ndarjes së pronave. Crawford evidenton se sipërmarrësit amerikanë kanë tërhequr investimet në energjetikë, ndërkohë një sektor premtues dhe me interes rezulton ai financiar. Teksa ndalet në perceptimin që investitorët e huaj kanë për Shqipërinë, Presidenti i Dhomës amerikane të Tregtisë, thotë se është mjaft e rëndësishme që Shqipëria të promovojë sektorët ku ka potencial për të investuar. Dhoma amerikane e Tregtisë i ka paraqitur Ministrisë së Financave, një listë propozimesh prej 25 pikash lidhur me paketën fiskale të vitit 2018, duke vënë theksin tek tatimi mbi dividendin dhe ulja e kufirit të regjistrimit të TVSH apo aftësitë menaxhuese të administratës tatimore lidhur me to. Ndërkohë, që disa ditë më parë Dhoma amerikane e Tregtisë ngriti shqetësimin se investitorët e huaj ankohen se inspektorët që u paraqitet në kontrolle janë të pakualifikuar, madje dhe qëndrojnë në zyra në një afat të gjatë, duke penguar aktivitetin. Vetëm disa ditë pas nisjes së fazës së tretë të aksionit antiinformalitet përfaqësuesit e investitorëve të huaj shprehin ankesa mbi kontrollet nga inspektorët tatimorë. Ky problem është prezent nga bizneset amerikane që operojnë në Shqipëri gjatë një takimi të zhvilluar me Drejtorinë e Tatimeve. Alketa Uruçi, anëtare e Bordit të Dhomës Amerikane të Tregtisë u shpreh se ndodh shpesh që, inspektorët që vijnë për kontrolle nuk kanë kualifikimin e duhur. “Fatkeqësisht deri tani edhe nga Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj që sigurisht ka inspektorët më të trajnuar dhe më cilësorë profesionalisht shohim inspektorë që vijnë në kontroll dhe rrinë 2 muaj, 3 muaj duan të shohin çdo gjë, por nuk dinë çfarë të kontrollojnë”, u shpreh ajo. Dhoma Amerikane kërkoi ndër të tjera që lufta ndaj informalitetit të jetë e vazhdueshme dhe jo me faza. “Do të doja që të shihja një luftë kundër informalitetit konstante, jo me aksione, jo me kontrolle të dhunshme”, tha më tej.

Republika Kryeministrore me ligje personale

Dhoma Amerikane e Tregtisë është një grupim lobues biznesi që në përgjithësi nuk flet kundër qeverisë, por synon të bisedojë me të. Megjithatë, përballë gjashtë propozimeve për ndryshime në ligjet e taksave, të dorëzuara së fundmi për miratim nga qeveria në Kuvendin e Shqipërisë, edhe ky grupim nuk e mbajti dot veten dhe bëri një deklaratë ku foli mes të tjerash për, shkelje të Kushtetutës, fuqizimin me tepri të rolit të kryeministrit në politikën fiskale dhe për politikë jo shumë të logjikshme në lidhje me pragun e regjistrimit në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar të biznesit të vogël.
“Anëtarët e Dhomës janë të mendimit që këto projektligje përcaktojnë vetëm disa parashikime të përgjithshme dhe lënë një hapësirë të madhe për plotësim nga ana e Këshillit të Ministrave”, shkruhet në opinionin që Dhoma i ka dërguar Ministrisë së Financave mbi projektligjet e propozuara.
Qeveria shqiptare ka dërguar në Parlament propozime për ndryshimin e gjashtë ligjeve fiskale, pjesë e një pakete të njohur si “paketa fiskale 2018”. Do të ndryshohen ligjet për tatimin mbi pasurinë e paluajtëshme, mbi tatimin mbi fitimin, mbi TVSH-në etj.
Dy gjëra dallohen në këtë paketë: E para, Këshilli i Ministrave merr përsipër të përcaktojë “kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin” e dispozitës ligjore në shumë raste. E tillë p.sh., është i shumëdebatuari “pragu i TVSH-së”, i cili, sipas propozimit për ndryshimin e ligjit të TVSH-së, do të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave. Kjo ka gjasa bie ndesh me nenin 155 të Kushtetutës, i cili thotë se tatimet dhe taksat mund të miratohen vetëm me ligj, por jo me vendim qeverie. Duke qenë se bizneset nën një nivel të caktuar xhiroje përjashtohen nga TVSH, përcaktimi i pragut nga ana e Këshillit të Ministrave efektivisht ia heq të drejtën kushtetuese për taksat Parlamentit dhe ia vë në dorë kryeministrit.
“Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në, rastet e përjashtimit apo kufiri minimal i regjistrimit për kategori të veçanta, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në projektligjin për TVSH-në. Ndryshe nga sa përcakton ky ligj, Kushtetuta në nenin 155 thotë: Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese”. Dukshëm, Këshilli i Ministrave, duke i dhënë të drejtë vetes të përcaktojë “nivelin e përjashtimit” nga TVSH në tërësi apo në kategori të veçanta, merr kompetenca, të cilat Kushtetuta ia ka ngarkuar Kuvendit të Shqipërisë. Por ky nuk është problemi i vetëm. Në dokumentin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, i cili u publikua nga revista ekonomike “Monitor”, ka gjithashtu vërejtje se Administrata Tatimore mund të jetë e papërgatitur për të zbatuar TVSH-në mbi një numër më të lartë biznesesh dhe sugjeron që përpjekjet e qeverisë për të mbledhur taksa duhet të përqendrohen te biznesi i madh, mes të cilit, evazioni fiskal është më i lartë.
E dyta, projektligjet e propozuara në katër raste mbartin klauzola nga të cilat do të përfitojnë një numër aq i vogël biznesesh sa ngjajnë me ligje personale. Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar ka një klauzolë që thotë: “shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6% aplikohet për çdo furnizim shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese “Hotel me pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit”. Sektori i turizmit ka aktualisht TVSH të reduktuar vetëm për “shërbimin e akomodimit” në masën 6 për qind që nga prilli i këtij viti. Por propozimi i ri i qeverisë sanksionon që për “hotelet me 4 dhe 5 yje”, shkalla 6 për qind do të zbatohet për të gjitha shërbimet e ofruara “brenda strukturave akomoduese”, përfshirë ushqim e kafene apo dyqane të mundshme. E thënë ndryshe, nëse ha drekë në një hotel pa yje, atëherë paguan TVSH 20 për qind, ndërsa dreka në një hotel me 4 apo 5 yje tatohet me 6 për qind.
Ulja e pragut të përjashtimit nga TVSH është kritikuar në veçanti si një luftë e qeverisë kundër të varfërve. Qeveria rreket të argumentojë se me këtë masë synon të “luftojë informalitetin”.

Nuk mbaron këtu!

Në projektligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, projektligji që taton të ardhurat neto të bizneseve si dhe të ardhurat bruto të individëve, hotelet “me katër dhe pesë yje” marrin përjashtim nga Tatimi mbi Fitimin për një periudhë dhjetëvjeçare. Qeveria i jep të drejtë vetes me këtë projektligj që të përcaktojë se cila nga hotelet përfitojnë apo jo nga kjo falje.
Në projektligjin tjetër, atë për sistemin e taksave vendore, qeveria ka marrë përsipër të ndryshojë mënyrën e taksimit të pronave të patundshme në Shqipëri, duke instaluar për herë të parë taksimin si përqindje ndaj vlerës. Shumë ekspertë, përfshirë edhe ata të Dhomës Amerikane të Tregtisë, mendojnë se një ligj i tillë mbart rreziqe të mëdha sociale. Një familjeje pensionistësh p.sh, të cilët banojnë në një apartament të kohës së komunizmit në qendër të Tiranës, mund t’i kërkohet të paguajnë gjysmë pensioni deri në një pension mujor taksë prone në vit. Kjo është paksa e palogjikshme në kushtet aktuale të Shqipërisë, ku pasja e një shtëpie në qendër të qytetit nuk nënkupton doemos pasjen e një niveli të lartë të ardhurash. Por ky është një problem më vete. Problemi me ligjin në fjalë është që edhe këtu, qeveria ka vendosur të ndihmojë hotelet e luksit. Projektligji përjashton nga taksa e pronës “strukturat akomoduese “Hotel me katër dhe pesë yje, status special”.
Shtete të ndryshme kryejnë politika fiskale të ndryshme për sektorë të caktuar që i shohin si me prioritet për ekonomitë e veta. Por të treja përjashtimet, në rastin konkret, nuk i përkasin një “sektori” i përkasin një, dy, tre apo katër subjekteve që në Shqipëri kanë ndërtuar hotele të cilat, pavarësisht standardeve ndërkombëtare, sipas ligjit shqiptar arrijnë të përfitojnë statusin e hotelit me katër apo pesë yje.
Po në të njëjtin ligj, qeveria ka propozuar që, në ndihmë të hoteleve me 4 dhe 5 yje, taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa që ndërtesat e reja e paguajnë te bashkitë në shkëmbim të shërbimeve publike bazë, përfshirë furnizimin me ujë dhe heqjen e ujërave të zeza, nuk do të paguhet nga këto biznese.
Relacioni i projektligjit në fjalë nuk jep shumë shpjegime se pse qeveria ndërmerr një nismë të tillë. Ai thotë thjeshtë se, këto masa do të “nxisin investimet e huaja”, do të hapin vende pune dhe do të nxisin “turizmin elitar”. Asnjë analizë se sa do të jenë të ardhurat e munguara të qeverisë nga këto përjashtime, as se fjala vjen, sa milionë turistë elitarë pritet të vijnë nga këto lehtësira.
Thënë ndryshe, qeveria ka propozuar katër ndryshime ligjore në përfitim të pak subjekteve, duke bërë efektivisht ligje të karakterit personal. Në kushte teorike kjo lloj praktike ngre shqetësime të mëdha. Vendi nuk mund të qeveriset me dy palë ligje, një për shumicën, dhe një tjetër, për tre apo katër biznese.

“BIRN”

Bomba e mbeturinave të Porto-Romanos

“Problemi më urgjent mjedisor në Bashkinë e Durrësit është depozitimi dhe trajtimi i mbetjeve të ngurta. Depozita e Porto Romanos është kthyer në një bombë me sahat. Në këtë kontekst zgjidhja e depozitës së re të mbetjeve të ngurta është urgjente dhe strategjike”, ishte ky konkluzioni që nxorri në muajin shkurt 2016, Bashkia Durrës dhe Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, në “Analizën dhe Vlerësimin e Territorit”.
“Bomba me sahat” është vendosur rreth 3-4 kilometra në veri të qytetit të Durrësit. Ajo zë një sipërfaqe prej 80.000 m2 me mbeturina urbane, inerte, mbetje të rrezikshme dhe kafshë të ngordhura. Çdo ditë për ta “pasuruar” strukturën e kësaj ‘bombe’ kontribuojnë tri bashki: ajo e Durrësit, Shijakut dhe e Kavajës. Kamuflimi i saj është arritur duke lejuar ndërtimin e banesave aty pranë, në fushën e Porto-Romanos.
Sipas Planit Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve për Bashkinë e Durrësit 2010-2025, qyteti i depoziton mbetjet e tij në të vetmen fushë plehrash në Porto-Romano, që është vendhedhje për nga standardet, e cila është hapur që në fillim të viteve ‘90 dhe është parashikuar të ketë jetëgjatësi për 25 vjet (deri në vitin 2015).

Ndotja e ajrit dhe nëntokës

Nga monitorimet e gjashtë mujorit të parë të vitit 2012, cilësia e ajrit në Bashkinë Durrës paraqitej problematike, si pasojë e rritjes së grimcave PM 2.5 dhe PM 10. Sipas “Analizës dhe Vlerësimit të Territorit”, tek faktorët që kontribuojnë në këtë situatë renditej edhe djegia e mbeturinave në zonën e vendgrumbullimit të mbetjeve.
Ndërsa lidhur me ndotjen e ujërave, renditej edhe “vendet e pasigurta të hedhjes së mbeturinave si Porto-Romano, përsa i përket ujërave nëntokësore dhe zonave akuifere (shtresë nëntokësore toke e përshkueshme nga uji dhe që mban ujë). Po ashtu, depozita e Porto-Romanos dhe depozitat e deritanishme të njësive administrative, rrezikojnë të ndosin napat freatike (zona e ngopjes, një “rezervuar”, në të cilin relativisht të gjitha poret janë të ngopura me ujë) për arsye të cektësisë së tyre.
Ndërsa sipas Planit Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve, performanca mjedisore e vendhedhjes është katastrofike, për shkak të çdo aspekti të emetimeve potenciale. Vendhedhja vuan nga ndotja e mbetjeve, lëngjet që rrjedhin nga vendhedhja përfundojnë në ujërat nëntokësore dhe në det, emetimet e pakontrolluara të biogazrave, e gjithashtu vendi merr flakë rregullisht në kohë të thatë, duke shkarkuar përqendrime të larta të dioksinave dhe furaneve.
Por nga vëzhgimi disamujor i “Citizens Channel”, rezulton se mbeturinat digjen pa ndërprerje përgjatë 24 orëve, në çdo stinë.
“Vendgrumbullimi i mbeturinave në Porto-Romano është një depo helmi me dyer të hapura”, shprehet për “Citizens Channel”, Xhemal Mato, ekspert i mbetjeve të ngurta.
Më tej, Mato shton se vendgrumbullimi është jashtë çdo standardi, pa rrethim, kafshët përdorin ujin e ndotur për të pirë, e më tej ato derdhen në det, duke ndikuar edhe tek bota ujore, për të cilën gjithashtu nuk ka studime për nivelin e ndotjes.
Ndërsa Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale në Bashkinë Durrës, na bën me dije se nuk ka kapacitet për të kryer studime mbi nivelin e ndotjes.
Ujërat e gjeneruar në vendhedhjen e mbeturinave derdhen të papërpunuara në Adriatik.

Njerëzit dhe kafshët jetojnë me mbeturinat

Nëse shkon në orët e para të mëngjesit në vendgrumbullimin e mbeturinave, mund të mendosh se ajo është një minierë. Me një dritë të vendosur në kokë, të rriturit punojnë edhe përgjatë natës për të grumbulluar bidona plastikë, kartona, kanaçe dhe hekura. Nga ky aktivitet ata shprehen për “Citizens Channel” se fitojnë rreth 10 mijë lekë të vjetra në ditë.
Ndërsa fëmijët i gjen kryesisht përgjatë gjithë ditës. Disa pasi mbarojnë shkollën, e të tjerë “mësimet” i marrin duke gërmuar midis mbeturinave të tri qyteteve. Makinat që sjellin mbeturinat janë “transporti i tyre urban”.
“Kjo është makina e plehrave të Kavajës, do ta ndaloj që të hipi dhe të shkoj tek vendgrumbullimi”, shprehet një i mitur që ka dërguar për të shitur kanaçet dhe hekurat.
Fëmijët përdorin automjetet e mbeturinave si mjete transporti. Foto: Geri Emiri / Citizens Channel
Këtu punojnë mbi 50 persona në ditë, të cilët kryesisht banojnë në zonën e Porto-Romanos ose Shën Vlashit, e që origjinën e kanë nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Banorët aty pranë, përgjatë rrugës “Kuvendi Françeskan”, vendgrumbullimin e mbeturinave e kanë parë si mundësinë e vetme të punësimit dhe sot shprehen se kasollet i zëvendësuan me shtëpi me tulla, duke punuar tek mbeturinat. Kjo megjithë koston e lartë shëndetësore, si sëmundje të ndryshme infektive dhe thyerje gjymtyrësh.
Ndërsa banorët e Porto-Romanos nuk kursehen të tregojnë se djegia e mbeturinave po i helmon çdo ditë. Shkolla 9-vjeçare “Met Hasa”, gjendet vetëm pak minuta larg këtij vendgrumbullimi.
Kafshët hyjnë dhe dalin lirisht në këtë vatër sëmundjesh, duke ngrënë mbeturina dhe pirë ujërat e ndotur. Lopë, qen, e kryesisht derra, gjenden kudo. Për ta ka mjaftueshëm ushqim! Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale na bën me dije se vetëm për vitin 2015 janë depozituar gjithsej rreth 67.000 ton mbeturina.
Sipas Ligjit për Shërbimin Veterinar, në nenin 54 shkruhet; se strukturat veterinare në njësitë e qeverisjes vendore duhet: c) të përcaktojnë kullotat dhe vendet e pirjes së ujit, në varësi të situatës epidemiologjike dhe, nëse është e nevojshme, të ndalojnë përdorimin e tyre; ç) Të mbajë nën kontroll dhe të zbatojë legjislacionin në fuqi për eliminimin e qenve dhe maceve të rrugës; e) të marrin masa për rrethimin dhe ruajtjen e pikave të grumbullimit të ujërave të zeza dhe të ndalojnë hyrjen e kafshëve atje.
Nga vëzhgimi i “Citizens Channel”, rezulton se këto pika nuk janë zbatuar, ku kullota për këto kafshë është vendgrumbullimi i mbeturinave dhe vendi i pirjes së ujit, është kanali i ujërave të ndotura dhe të zeza.
Tek vendgrumbullimi i mbeturinave dhe tek kanali i ujërave të zeza nuk ka asnjë rrethim dhe kafshët lëvizin lirisht në to, si dhe nuk ka asnjë tabelë që e ndalon këtë.
Bashkia Durrës na bën me dije se, “nga inspektimet e shpeshta të kryera nga inspektoriati veterinar i Bashkisë Durrës, është vërtetuar që në këtë zonë ka kafshë (kryesisht derra) që kullosin në vendgrumbullimin e Porto-Romanos. Kjo zonë nuk është e përshtatshme për kullosjen e tyre, por këto kafshë nuk dërgohen në thertoren e qytetit… Këto kafshë i përdorin banorët për konsum personal dhe nga ana e inspektoriatit veterinar kjo është e pakontrollueshme”.
Por ngritja e “stallave” jashtë standardeve higjeno-sanitare pranë vendgrumbullimit dhe dëshmitë e banorëve se kopetë e kafshëve shkojnë për shitje, nuk e justifikojnë përdorimin për konsum vetiak.

Vendgrumbullimi jashtë çdo standardi!

Në Bashkinë e re të Durrësit për momentin mbledhja dhe depozitimi i mbeturinave urbane bëhet nga një mori institucionesh: dy ndërmarrje publike pastrimi (Bashkia Durrës), dy kompani private dhe tre drejtori shërbimesh në nivel njësie administrative. Bashkia e Durrësit është autoriteti kryesor përgjegjës për shërbimet e menaxhimit të mbetjeve në qytetin e Durrësit. Të dyja ndërmarrjet drejtohen nga Këshilli Bashkiak dhe financohen nga buxheti i Bashkisë.
Sipas “Analizës dhe Vlerësimit të Territorit”, përgatitur nga Bashkia Durrës dhe Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, me ndarjen e re administrative territoriale, ka lindur nevoja që këto dy ndërmarrje të riorganizohen dhe të mbulojnë të gjithë territorin e bashkisë së re.
Siç duket edhe nga vëzhgimi i “Citizens-Channel” dhe bazuar në konstatimin tek Plani Lokal i Menaxhimit të Mbetjeve, vendgrumbullimi i mbeturinave në Porto-Romano nuk ka: shtresë mbrojtëse për ujin, për të shmangur penetrimin nëntokësor të lëngjeve që rrjedhin në vendgrumbullim; barriera kufitare; sistem grumbullimi për infiltrimin e mbetjeve; impiant të grumbullimit të ujërave sipërfaqësorë (për ujin nga shiu); rrjet për të mbledhur biogazrat; mbulim ditor të mbetjeve për të shmangur erërat dhe djegien e mbetjeve; rrjet rrugësh të brendshme; zyra në vendhedhje dhe impiant për ndarjen manuale të mbetjeve.
Gërmuesit e mbetjeve qëndrojnë në majë të mbetjeve për të ndarë rrymat e mbetjeve që ju interesojnë; rrethim me gardh të fushës nuk ka; si dhe mungon sistemi i peshimit dhe një lavazh për mjetet që dalin nga aty.

Landfilli i Manzës si zgjidhje?

Një studim i mbështetur nga Banka Botërore (IFC–“International Finance Corporation”), ka përcaktuar ndërtimin e një landfilli bashkëkohor rajonal për Qarkun e Durrësit, në fshatin Radë, Njësia Administrative Manzë. Me datë 18.11.2014, Ministria e Mjedisit së bashku me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës kanë publikuar në portalin e Agjencisë së Prokurimit Publik hapjen e thirrjes për oferta për dhënien me koncesion të “Landfillit për Qarkun e Durrësit”, referuar nenit 48 të Ligjit 125/2013 “Për koncesionin dhe Partneritetin Publik Privat”. Sipas informacioneve të “Citizens Channel”, ky proces ka ndaluar.
“Një proces i ri ka filluar për ndërtimin e landfillit të ri sanitar, në një sipërfaqe prej 15 ha. Ky shërbim do të mbulojë të gjithë territorin e Bashkisë Durrës dhe do të krijojë mundësinë e hapjes së 1500 vendeve të reja të punës, kostoja e tij është parashikuar 6.5 milionë euro”, shkruhet në “Analizën dhe Vlerësimin e Territorit”.

Robben: “Mund të luaj në majën e sulmit

Çështja për një numër 9 zëvendësues për këtë dimër vijon të shfaqet rregullisht në tavolinën e Bayern Munich-ut. Për transfertën e Glasgow-t ndaj Celtic-ut, në kuadër të javës së katërt të fazës me grupe të Champions-it, kampionët e Gjermanisë duhet të bëjnë pa shërbimet e Robert Lewandowski-t i dëmtuar në sfidën me Leipzig. Problemi është se polaku nuk ka zëvendësues të aftë të dërgojnë në rrjetë ndonjë top. Një situatë që e ka detyruar ish-sulmuesin e Borussia Dortmund-it të luajë 20 takime në të gjitha kompeticionet këtë sezon, mes klubit dhe kombëtares.
Për t’i dhënë pak frymëmarrje për ndonjë ndeshje, Arjen Robben ka thënë për “Bild” se është i gatshëm të luajë si numër 9 për njëfarë kohe: “Pse jo? Kam luajtur shpesh në këtë rol. Fillimet e mia si profesionit kanë qenë në atë pozicion. Nuk e di se çfarë do të bëj trajneri. Ne nuk kemi shumë opsione që mund të luajnë përpara. Të presim dhe të shohim”.