Nuk ka mur që e ndal Realin e Madridit në Champions. Me një dygolësh të Cristiano Ronaldos dhe finalizimin e Gareth Bale, që zhbllokoi sfidën, Los Blancos e pushtuan 1-3 “Signal Iduna Park”, në sfidën më të rëndësishme të raundit të dytë në Grupin H të Championsit.
Bale i shërbyer nga Carvajal, goditi fluturimthi në të 18-ën, me topin që u ndal në rrjetë, ndërsa në fillim të pjesës së dytë uellsiani asistoi Ronaldon për golin e 2-0. Aubamyenag ngjalli shpresat për një rezultat pozitiv vetëm 3 minuta më pas, por Ronaldo në të 80-ën u dha goditjen përfundimtare verdhezinjve.
Pas ndeshjes, Zinedine Zidane e ka lavdëruar Balen, i cili nuk ka kaluar momente të mira në ndeshjet e fundit. “Gareth tani është në formë shumë të mirë. Ai nuk e ka pasur të lehtë dhe unë jam i kënaqur për të. Të shënosh një gol të bukur është fantastik për të”, ka theksuar Zidane. Trajneri francez ka thënë se nëse Bale-t i jepet hapësirë, nga kundërshtari në fushë, është vdekjeprurës.
Në takimin tjetër të Grupit H, Tottenhami iu fal këmbëve të Harry Kane që realizoi tre golat e sfidës. Në fund të pjesës së parë sulmuesi i kombëtares angleze në pozicion të rregullt, shënoi golin e parë, ndërsa në të 63-ën i çoi shifrat në 2-0.
Vetëm pak minuta më pas gjeti rrjetën me një goditje me kokë thuajse nga pika e bardhë e penalltisë.
Tjetër barazim i Livepulit në Grupin E, këtë radhë 1-1 në transfertë me Spartakun e Moskës. Fernando i dha avantazhin e përkohshëm skuadrës ruse, pasi në të 31-tën barazoi Coutinho. Në takimin tjetër të këtij grupi Sevilla shkatërroi 3-0 Mariborin e Valon Ahmedit, që u aktivizua titullar. Ben Yeder ishte heroi i andaluzianëve me një tregolësh, dy prej të cilëve i realizoi në pjesën e parë, për të mbyllur llogaritë me sllovenët me 11-metërsh 7 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.
Në Grupin F, Manchester City arriti të fitonte 2-0 ndaj Shakhtar Donetsk. Pjesa e parë përfundoi me rrjeta të paprekura, ndërkohë fraksioni i dytë i gjeti vendasit në avantazh të dy golave. I pari u realizua në minutën e 48, falë Kevin de Bryne, ndërsa në minutën e 90, Raheem Sterling solli dhe golin e sigurisë. Falë këtij rezultati Citizens pozicionohet në vendin e parë me 6 pikë.
Ndërkohë po tek ky grup, Napoli kaloi pa probleme Feynoord, me këta të fundit që u mposhtën me rezultatin 3-1. Napoli gjeti shpejt rrugën e rrjetës, pasi në minutën e 7 Lorenzo Insigne i jep epërsinë skuadrës së tij. Fillimi i pjesës së dytë sheh sërish vendasit në festë, këtë herë autor i golit ishte Dries Mertens, ndërkohë në të 70 Jose Callejon, trefishon rezultatin. Goli i vetëm për Feynoord u realizua nga Sofyan Amrabat.
Lorenzo Insigne pas shënimit të golit u afrua pranë stolit dhe kërkoi një bluzë të Milik, për t’ia dedikuar pikërisht polakut golin, por ndodhi e papritura. Në stolin napolitan ngatërrohen dhe i japin një bluzë të mesfushorit Zeilinski, të cilën pasi Insigne e vë re, e hedh i nervozuar nga stoli dhe kërkon bluzën e duhur. Më në fund, sulmuesit anësor të Napolit i vjen në dorë bluza e Milik me numrin 99. Kjo skenë shkakton shumë të qeshura në radhët e tifozëve dhe futbollistëve. Milik u dëmtua të shtunën dhe iu nënshtrua një operacioni që do ta mbajë jashtë fushave përreth katër muaj.
Në Grupin G, Besiktas mposhti 2-0 gjermanët e Leipzig. Një fitore e siguruar që në pjesën e parë, me autorë Ryan Babel në minutën e 11 dhe në të 43 Anderson Talisca. Në përballjen tjetër të këtij grupi, Monaco pësoi një disfatë të thellë përballë Portos. Ekipi nga principata u mposht me rezultatin 3-0. Dygolëshi i Vincent Aboubakar dhe rrjeta e Miguel Layun i dhanë Portos 3 pikët e para në fazën e grupeve të Champions League.
“Thyhet” muri i Dortmundit
UEFA zgjedh trajnerët e Ligës së Kampioneve
UEFA ka bërë një përzgjedhje interesante duke formuar formacionin më të mirë të përbërë nga trajnerët e skuadrave të Ligës së Kampioneve me pozicionet e tyre kur ishin futbollistë. Sipas përzgjedhjes, skuadra e formuar nga ata do të luante me një formacion 3-5-1-1 dhe do të kishte emra mjaft të njohur brenda saj.
Formacioni 3-5-1-1
Portier: Shenol Gynesh (Trajneri i Beshiktashit).
Mbrojtësit e qendrës: Masimo Karrera (Trajneri i Spartakut të Moskës), Mauricio Poketino (Trajneri i Totehnhemit), Darko Milaniç (Trajneri i Mariborit).
Lojtarët e krahut: Serxhio Konseiçao (Trajneri i Portos), Xhovani van Bronkhorst (Trajneri i Fejenordit).
Mesfushorët e qendrës: Josep Guardiola (Trajneri i Mançester Sitit), Antonio Konte (Trajneri i Çelsit), Diego Simeone (Trajneri i Atletiko Madridit).
Mesfushor i avancuar: Zinedine Zidane (Trajneri i Real Madridit).
Sulmues: Ernesto Valverde (Trajneri i Barcelonës).
Irritohet Wenger!
Për Arsene Wenger kalendari i ngjeshur i ndeshjeve të Topçinjve mund të quhet i “pashpirt” për grupin e tij, duke qënë se vetëm ditën e hënë ata luajtën në Premier League e tashmë duhet të përballen me Bate Borisov në Europa League. Superblerja e Arsenalit, Alexander Lacazette i siguroi fitoren 2-0 ekipit të Wenger përballë West Bromit, por koha e shkurtër nga takimi i fundit i lë shumë pak hapësirë Arsenalit për t’u rikuperuar, përgatitur dhe udhëtojë drejt Bjellorusisë ditën e enjte.
“Duhet të vendos formacionin për ndeshjen e radhës, por e kam të vështirë pasi axhenda jonë është mjaft e ngjeshur. Luajtëm ditën e hënë në kampionat, luajmë të enjten në Europa League dhe do të luajmë të dielën sërish në kampionat në orën 12 të drekës përballë Brightonit. Mund të ishte organizuar ndryshe e gjitha kjo, por gjithsesi, na duhet ta pranojmë. Dua një ekip të mirë për në Bjellorusi. Do të shkoj me lojtarët që kanë më shumë eksperiencë në fushë, të rinjtë në stol. Koha që kemi në dispozicion për t’u përgatitur është shumë e shkurtër, por për këtë vendos televizoni me të drejtat e transmetimit”, u shpreh Wenger.
Arsenali u rendit në vendin e pestë të klasifikimit sezonin e shkuar, ndërkohë që këtë edicion e ka nisur me këmbë të mbarë kompeticionin e Europa League me fitoren 3-1 ndaj Këlnit, ndërkohë që në Premier League aktualisht renditet në vendin e shtatë, me tre fitore, një barazim dhe dy humbje nga totali i gjashtë ndeshjeve që ka zhvilluar deri më tani.
Arsenali nuk e humbi mundësinë për të fituar terren në javën e 6 të Premier League. E hëna e futbollit anglez dhuroi një ndeshje të luftuar në “Fly Emirates” ku skuadra e Arsene Wenger djersiti shumë për të dalë me një fitore të pastër 2-0 edhe pse WBA nuk ia bëri aspak të lehtë misionin. Trajneri francez hodhi në fushë armatën e rëndë duke mos hequr dorë nga yjet e tij dhe blerja e verës, Alexandre Lacazette ia shpërbleu me një gol që në minutën e 20.
Pavarësisht përpjekjeve të skuadrës së Tony Pulis, Arsenali arriti ta ruante të paprekur portën dhe në pjesën e dytë e rriti ritmin në kërkim të golit të dytë që e gjeti me 11-metërsh. Ish-sulmuesi i Lyonit mori përsipër ekzekutimin duke e ndalur sërish topin në rrjetë. Një sukses që e ngjit Arsenalin në vendin e 7 me 10 pikë, 1 më pak se Tottenham i vendit të katërt.
E tregoj ndeshje pas ndeshje kush jam
Cristiano Ronaldo i përgjigjet kritikëve. Sulmuesi i Realit të Madridit ka vendosur t’i japë fund heshtjes dhe t’i përgjigjet zërave kundër. Ylli i klubit “Los Blancos” në një intervistë është shprehur se e surprizion fakti që opinioni publik për të është jo shumë pozitiv, por pavarësisht kësaj, katër herë fituesi i “Topit të Artë” deklaron se, kjo është një pjesë që nuk e shqetëson aspak atë. Sipas Ronaldos shifrat flasin qartë për të, 411 gola në 400 paraqitje me fanellën e Realit.
“Mesa duket duhet të tregoj ndeshje pas ndeshje se kush jam. Më surprizion opinoni që kanë njerëzit mbi mua edhe pse shifrat flasin në favorin tim. Personalisht kjo pjesë nuk më shqetëson aspak, pasi jam një futbollist profesionist. Ndihem i kënaqur që kam arritur kuotën e 411 golave në 400 paraqitje me fanellën e Realit dhe sigurisht që do të vazhdoj të shënoj.
Gjatë këtyre muajve në radhët e klubit merenges kanë rinovuar kontratën shumë futbollistë, ndërkohë që për sulmuesin ende nuk ka ardhur ky moment. I pyetur në lidhje me këtë çështje, Ronaldo u shpreh se ai që mund të japë një përgjijge për këtë temë është Presidenti Florentiono Perez.
“Më vjen mirë për shokët e mi të skuadrës që do të vazhdojnë aventurën e tyre tek Reali. Kontributi i tyre është vlerësuar. Përsa i përket kontratës time, për këtë mund të pyesni Presidentin”.
Gjatë verës qarkulluan zëra se ylli portugez nuk ndihej komod në Madrid dhe se dëshironte të largohej. Përgjigjja e 32-vjeçarit është e shkurtër dhe e prerë.
“Rreth meje qarkullojnë shumë spekulime. Nuk është hera e parë që del lajmi se unë do të largohem nga Reali. Kur je një emër me peshë në botën e futbollit është mëse normale që të ndodhë një gjë e tillë. Personalisht kurrë nuk e kam shprehur dëshirën për t’u larguar”.
Si Drejtori i Hipotekave takohej me Shullazin për çështja ‘Vollga’
Ish-drejtori i Hipotekave, Ilirjan Muho ka dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit. Muho ka dëshmuar në lidhje me regjistrimin e ish-hotel “Vollgës” në Hipotekën e Durrësit. Muho deklaroi para Gjykatës se është takuar me Emiljano Shullazin dhe Ylvi Beqjan, të cilët i janë prezantuar si bashkëpronarë të ish-hotel “Vollgës”. Në takim është diskutuar për pronësinë e objektit, pasi Hipoteka kishte vendosur për ta pezulluar procedurën për 30 ditë, me argumentin se një palë tjetër kishte shfaqur pretendime në Gjykatën e Lartë.
Ish-Kryeregjistruesi sqaroi para togave të zeza se ka pirë një kafe me ta në një lokal në zonën e “Parkut të Autobusëve”. Më pas, Ylvi Beqja ka shkuar në zyrën e tij, së bashku me dokumentet dhe ka qenë zyra juridike, ajo që është marrë me dosjen. Gjatë seancës, ai është shprehur se kjo pronë ishte regjistruar në Hipotekë në kohën kur ai kishte qenë me pushime dhe nuk kishte ndonjë informacion në lidhje me të. Siç dihet, Shullazi i mori 30% të pronësisë së ish-hotel “Vollgës” nga biznesmeni Ylvi Beqja me anë të kërcënimeve.
“Regjistrimi i Vollgës është bërë gjatë kohës që unë kam qenë me pushime. Pasi jam kthyer, kam kërkuar takim me zv/drejtorin e Hipotekave, Besnik Hysenbelliu dhe drejtorin e Hipotekës së Durrësit, Jurgis Çyrbja. Kam mësuar se, Hysenbelliu kishte firmosur një shkresë që i jepte “ok” Hipotekës së Durrësit për të vijuar veprimet për të hipotekuar “Vollgën”. Pasi jam njohur me rastin, kam vendosur që edhe pse ishte regjistruar “Vollga” në Hipotekë të pezulloheshin veprimet, duke mos lejuar tjetërsimin e pronës, pavarësisht se ajo ishte regjistruar në emër të Ylvi Beqajt.
Muho pranoi para Gjykatës se ishte takuar me Shullazin. “Jam telefonuar nga Ylvi Beqaj dhe Emiljano Shullazi, të cilët më kanë kërkuar një takim. Fillimisht, më kanë thënë do vish për kafe. Kam shkuar te qendra “Globe” në një lokal aty pranë dhe aty i kam vënë në dijeni që janë pezulluar veprimet dhe se nuk lejohej tjetërsimi i pronës. Pas tri ditësh, ka ardhur Ylvi Beqaj në zyrë bashkë me një avokat dhe ka sjellë dokumentacionin. Pasi jam njohur me dokumentet ia kam lënë zyrës juridike. Ndërkohë jam telefonuar edhe nga Alban Dabulla, të cilin e kam pritur në zyrë në prani të drejtoreshës juridike dhe drejtorit të Hipotekës së Durrësit, dhe zv/drejtorit të Hipotekës, Hysenbelliu. Gjatë diskutimit, Dabulla ka dalë jashtë kontrollit, duke sharë dhe ofenduar drejtorin e Hipotekës së Durrësit, Jurgisin. Situata u përkeqësua dhe në këtë moment kam kërkuar që Dabulla të nxirrej jashtë”, deklaroi Muho.
Ish-kryeregjistruesi i Durrësit, Jurgis Çyrbja ka deklaruar më herët se kishte diskutuar disa herë me Muhon për këtë çështje. Sipas tij, shkresa për të kryer regjistrimin e pronës kishte ardhur nga zyra qendrore, e cila më vonë kishte sjellë një tjetër shkresë për kufizim të regjistrimit. “Jam takuar me Shullazin dhe Ilvi Beqajn për regjistrimin e ish-hotel Vollgës. Shullazi më ka thënë nëse të vjen me shkresë nga Zyra Qendrore e regjistron pronën. Kam diskutuar me ish-kryeregjistruesin Ilirjan Muho për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës”. Më ka ardhur urdhri nga Hipoteka për ta regjistruar”, deklaroi para Gjykatës, Çyrbja.
Në seancën e djeshme dëshmoi edhe truproja i Ylvi Beqajt, babai i Jani Zakës dhe Fatmir Sinanaj. I ati i biznesmenit Jani Zaka ndryshoi dëshminë e tij. Gjatë hetimeve kishte thënë se është kërcënuar nga Shullazi për çështjen e pronësisë së një parkingu, por dje u shpreh se nuk e njeh fare as Shullazin, as Danin. Ai tha se problemin e ka me Fatmir Sinanajn, i cili sipas tij, nuk i jep hipotekën e parkingut. Prokurori kundërshtoi dëshminë e tij, pasi në hetimet paraprake, Fehmi Zaka ka deklaruar se djali i tij është kërcënuar nga Emiljano Shullazi, i cili i ka kërkuar ta kalojë pronësinë e parkimit në emër të të pandehurit Blerim Shullazi. Emiljano Shullazi nuk ishte i pranishëm në seancën e djeshme gjyqësore.
Godina e korruptuar e vetingut, sërish “Atelier 4”
Nga Natan Haasnoot
Ndonëse ekspertët ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) kanë mbërritur në Tiranë dhe procesi i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve mund të fillojë në çdo moment, ndërtesa ku do të punojnë institucionet e vetingut- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), Kolegji i Apelimit (KA), dy Komisionerët Publikë dhe personeli i tyre -është ende larg të qenit gati.
Ish-selia e Lidhjes komuniste të Shkrimtarëve- një monument kulture që deri para pak vitesh i shërbente Ministrisë së Kulturës -po shndërrohet në ndërtesën e vetingut.
Më 23 qershor 2017, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin 478, duke vënë në dispozicion rreth 770 mijë euro për rinovimin e godinës, para që do të paguhen nga fondi i rezervuar për zërin “Arte dhe Kulturë” të buxhetit të Ministrisë së Kulturës.
Ju lutem, mos lexoni një çast dhe shijoni ironinë e hidhur të faktit që fondet e paracaktuara për kulturën shkojnë për godinën ku do të strehohet personeli i reformës në drejtësi. Ndoshta, ky fakt mund të na bëjë ta shikojmë vetingun si një “kryevepër arti” të kryezhgarravitësit tonë.
Por një fakt tjetër është akoma më problematik: vendimi i Këshillit të Ministrave për ndërtesën e vetingut është marrë në të njëjtën ditë kur kanë filluar punimet për rinovimin e ndërtesës.
Asnjë planifikim, asnjë konsultim publik, asnjë prokurim publik!
Në vend të zbatimit të ligjit, paratë qeveritare të planifikuara për projekte kulturore u dhanë me “procedurë emergjente”, e njohur si “negocim, pa njoftim”- metoda më e përdorur nga qeveria. Thënë ndryshe, para të menjëhershme dhe të lehta për këdo që i ra fati të ishte në këtë kontratë qeveritare.
E cila kompani mund të ishte përfituesja fatlume e këtij projekti 6-mujor për rinovimin e ndërtesës?
“KAEXh” shpk është kompania që do të kryejë punimet. Hera e fundit që kjo kompani fitoi një kontratë publike ishte në vitin 2013, për punime në ujësjellësin e Rrëshenit. Me fjalë të tjera, është kompani plotësisht e aftë për të ndërmarrë punime rinovuese të një monumenti kulture. (Me gjasa kompania nuk ka as licencën e veçantë të nevojshme për t’u lejuar të kryejë punime të tilla).
Mbikëqyrësi i punimeve është, natyrisht, “Atelier 4”, kompania e përkëdhelur e Kryeministrit Edi Rama. “Exit.al” ka raportuar shumë herë si kjo firmë arkitekture është e përfshirë në pothuajse të gjitha projektet e qeverisë Rama, në fushën e ndërtimeve apo rindërtimeve, që nga projekti i stadiumit kombëtar tek kulla pas Hotel Tiranës, Teatri i Operas dhe Baletit, Parku i Liqenit, bypasi shkatërrues i Gjirokastrës, Pazari i Ri e kështu me radhë.
Në shumë nga këto raste, procedurat e tenderimit kanë qenë të dyshimta, për të thënë më të paktën, ndërsa projektet që përfshinin “Atelier 4” janë karakterizuar nga shkelje të kushteve kontraktuale, shkatërrim të trashëgimisë kulturore dhe mungesë transparence.
E cila kompani mund të ishte më e përshtatshme për të mbikëqyrur punimet e ndërtesës së vetingut se sa “Atelier 4”?
E cila kompani mund të ishte më e përshtatshme për të garantuar që ky pallat i ri i drejtësisë, ky gur themeli i rendit të ri gjyqësor shqiptar, do të ketë frymën dhe staturën e duhur?
E cila kompani tjetër do të ishte më e përshtatshme për t’i treguar mbarë botës se shkaku i korrupsionit në Shqipëri është sistemi i drejtësisë se sa kompania simbol e qarkut të klientëve dhe oligarkëve që mban rreth vetes Kryeministri Rama?
Festoi pas fitores së Skënderbeut ndaj Partizanit, Gëllçi pushon gazetaren
Drejtori i TVSH, Thoma Gellçi ka pezulluar nga puna gazetaren Pejana Elezi sepse festoi pas fitores së Skënderbeut ndaj Partizanit!”. Pas këtij skandali ka reaguar edhe ish-kryeministri Berisha. Në një status në “Facebook”, Berisha shkruan se, Thoma Gellçi pezulloi nga puna në RTSH gazetaren vetëm se u zemërua Noriega (Rama) dhe vëllai i tij, Olsi.
“Ndodh dhe kjo në narkoshtetin e Noriegës? Gëllçi i drogës pezullon gazetaren Elezi, sepse po kërcente me shoqërinë e vet pas fitores së Skënderbeut ndaj Partizanit!”, shkruan Berisha në Facebook.
Të dashur miq, ish xhelati i fjalës së lirë në diktaturën hoxhiste, narkodrejtori i RTVSH, Gëllçi me lidhje të shumëllojta me Olsin dhe vëllain e tij Noriegën, ka pezulluar nga puna me urdhër nga lart gazetaren e TVSH, Pejana Elezi, sepse ajo është parë e filmuar në një lokal, duke dansuar me shoqe të veta pas fitores së ekipit të Skënderbeut ndaj ekipit të Partizanit dhe kjo gjë ka zemëruar shumë Noriegën dhe vëllaçko Olsin.
Ky është një akt jashtëzakonisht i rëndë, që nuk mund të ndodhë kurrë në një vend të lirë, por ndodh në narkoshtetin e Noriegës.
I bëj thirrje gazetarëve të RTSH, por dhe të gjitha mediave të solidarizohen me kolegen e tyre dhe të dënojnë aktin hakmarrës primitiv të narkodrejtorit Gëllçi, Noriegës dhe Olsit të tij!”, shkruan Berisham duke publikuar edhe lajmin e mediave.
Gazetarja e sportit në “RTSH”, Pejana Elezi, ka reaguar lidhur me pezullimin e saj nga puna për videon e shpërndarë ku ajo së bashku me dy kolege shfaqeshin duke kërcyer me disa lojtarë të Skënderbeut pas fitores kundër Partizanit.
Sa i përket videos që qarkullon në portale, po ju them se ne nuk kishim asnjë lidhje me festën e Skënderbeut pas fitores me Partizanin. Kam qenë aty me miqtë e mi dhe kolegë, por nuk kam asnjë lidhje me Skënderbeun.
Rastisi që në të njëjtin ambient të ishin edhe pjesëtarë të klubit të Skënderbeut, por kjo nuk do të thotë aspak se kemi qenë së bashku me ta. Gjithnjë e kam bërë detyrën time me profesionalizëm dhe nuk lejoj askënd që të më cenojë në këtë pikë”, deklaroi Elezi për “Panorama Sport”.
Prokuroria sekuestron 285 mijë metra tokë në bregdetin “Rana e Hedhun”
Prokuroria e Lezhës ka sekuestruar një sipërfaqe totale prej 285 mijë metra katrorë tokë në zonën bregdetare “Rana e Hedhun”, në Shëngjin, e dyshuar se është përfituar në bazë të dokumentave të falsifikuar. Sipërfaqja e sekuestruar është e ndarë në 5 parcela dhe aktualisht gjendet në pronësi të disa persona të ndryshëm. Prokuroria e Lezhës nisi hetimin, në bazë të kallëzimit të një shtetasi, i cili posedon dokumenta zyrtarë për pronësinë mbi këtë tokë, por që në fakt rezulton se është regjistruar në emër të personave të tjerë.
Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria e Lezhës ka krijuar dyshimet e arsyeshme se 5 parcelave iu është ndryshuar në mënyrë të kundërligjshme zëri kadastral nga zonë pyjore, në zonë në pemëtore e tokë arë. Dhe, më pas, këto prona janë tjetërsuar në bazë të dokumentave të falsifikuar.
Konkretisht, shtetasi Gj.C., është njohur si trashëgimtar i një sipërfaqeje në zonën e “Ranës së Hedhun”, me vendim Gjykate të vitit 2006. Në shtator të vitit 2017, kallëzuesi konstaton se toka, për të cilën ai është njohur si trashëgimtar i ligjshëm, është regjistruar në emër të personave të tjerë dhe për këtë arsye i drejtohet Prokurorisë së Lezhës me kallëzim penal.
Në bazë të akteve proceduriale të deritanishme, Prokuroria ka konstatuar problematika të theksuara në mënyrën e regjistrimit të këtyre pronave në emër të shtetasve të ndryshëm.
Personat, në emër të të cilëve është regjistruar prona, nuk janë banorë të zonës së Mali të Rencit “Rana e Hedhun”, por janë banorë të një njësie tjetër të Qarkut Lezhë. E, megjithatë, ata kanë regjistruar këto prona me vërtetime të aktit të marrjes së tokës në pronësi, në bazë të Ligjit nr.7501/1991 “Për Tokën”.
Në bazë të Ligjit nr. 7501, përfitonin tokë vetëm banorët e zonave ku gjendeshin tokat dhe zërat kadastralë pyje dhe ranore ishin të përjashtuar nga procesi i ndarjes së tokave. Pra, Prokuroria e Lezhës konstatoi fillimisht se, parcelat janë regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë, si edhe, për më tepër, sipërfaqja e ndarë në bazë të ligjit “Për Tokën”, ka qenë e përjashtuar nga ky proces, pasi ishte zonë pyjore dhe ranore.
Mungojnë librat, nxënësit në Çermë nuk pajisen me tekste
11 shtatori ishte dita e parë e shkollës dhe tashmë të gjithë nxënësit duhet të ishin pajisur me libra. Nuk ka ndodhur kështu në Shkollën e Mesme të Bashkuar në Çermë, ku rreth 600 nxënës kanë mungesa të theksuara në tekste shkollore. Çdo klasë ka mungesa deri në katër pesë libra, të cilët duhet të ishin marrë që pa nisur sezoni arsimor. Nxënësit shprehen se shitësi i librit ka qenë vetëm një herë për të dhënë tekste dhe kur nxënësit shkojnë në Lushnjë për të marrë libra në magazinën e shpërndarësit ky i fundit u thotë se nuk ka tekste. “Për librat na thonë që duhet të shkoni t’i merrni në Lushnjë dhe kur shkojmë atje, na thonë kanë mbaruar, ose duhet t’i gjeni të vjetra ose fotokopjoini”, shprehen nxënësit. Nxënësit thonë se shpërndarësja e librit ka shkuar, por nuk i kishte të gjithë librat. “Po erdhi kur ishte duke filluar shkolla dhe u shpërndanë librat e klasës së nëntë dhe pastaj s’kishte më. Na mungojnë disa libra nuk ka më”, thonë ata.
Nga ana e tij, drejtori i shkollës jashtë kamerave tha se e njeh problematikën që shkakton mungesa e librave, por kjo vjen si pasojë e shpërndarësit të librit, i cili nuk ka sjellë tekstet që mungojnë. Monopoli i një shpërndarësi të vetëm në rrethin e Lushnjës ndër vite ka sjellë mungesa në libra. Shkolla e Çermës nuk është e vetmja që vuan këtë gjendje, por aty mungesat janë masive edhe dy javë pas nisjes së shkollës.
Vdes foshnja në spital, babait i bie të fikët, policia e arreston
Një foshnjë ka ndërruar jetë në Pediatrinë e QSUT-së në kryeqytet. Burime zyrtare bënë me dije se foshnja që ndërroi jetë ishte 4 muajshe. Por lajmi i rëndë ka tronditur familjarët, ndërsa babai, shtetasi me inicialet V.Z. 36 vjeç, në kushte të vështirë psikologjike është rrezuar dhe ka dëmtuar monitorin kardiak të Reanimacionit.
Sipas të dhënave zyrtare që jep policia, V.Z., te urgjenca e Pediatrisë, duke qenë në gjendje të rënduar psikologjike, për shkak të vdekjes së fëmijës 4 muajsh, aksidentalisht është rrëzuar. Megjithatë, sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo dramë, policia ka menduar t’ia shtojë hallet, duke nisur procedimin penal ndaj 36-vjeçarit.
Në njoftimi zyrtar, thuhet se ndaj V.Z. ka nisur hetimi në gjendje të lirë, pasi teksa është rrëzuar, ai ka dëmtuar monitorin kardiak të Reanimacionit. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.