8.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Dy anët e medaljes të zgjedhjeve gjermane

A do të ndikojnë zgjedhjet e fundit në Gjermani në përmirësimin e këtij vendi apo në përkeqësimin e tij? Nuk duhet që të hamendësoni fare, por të vendosni nëse jeni pjesë e grupit të optimistëve apo pjesë e grupit tjetër, atij të pesimistëve

Gjermania e pesimistëve

Të djathtët e Gjermanisë, një parti kryesisht e përbërë nga neonazistë të vërtetë, është në rrugën e duhur për të zënë 93 vende në Parlament, madje në shtetin e Saksonisë, ajo doli e para në renditje, me kandidatin e saj, i cili lobon fort dhe me bindje kundër “popujve të përzier” dhe “kultit të fajit” të Gjermanisë për Holokaustin. Edhe mesazhet politike të këtij grupi pritet që të përhapen edhe më tej sesa godinës së Parlamentit gjerman, ku ata kanë një numër të madh anëtarësh. Dhe është vetëm një çështje kohe derisa ajo të bashkohet me një koalicion në nivel shtetëror. Diskutimi i fundit televiziv pas zgjedhjeve midis Christian Lindner, liderit të Partisë së Demokratëve të Lirë dhe Angela Merkel, ishte edhe fillimi i një periudhe të re të mosmarrëveshjeve politike në një vend që dikur cilësohej si më harmoniku në këtë drejtim.
Pas përjashtimit nga ana e social-demokratëve për një koalicion të mundshëm, Angela Merkel nuk i mbetet gjë tjetër veçse të formojë një koalicion me partinë FDP, të liberalëve të djathtë dhe me ambientalistët e Partisë së Gjelbër, të cilët gjatë javëve të fundit nuk kanë bërë gjë tjetër përveçse të sulmojnë njëri-tjetrin. Bashkimi Social Kristian, partia simotër bavareze e CDU, duket se i ka dhënë fund armëpushimit të saj parazgjedhor dhe tani duket më i guximshëm se kurrë. Ndërkohë me FDP-në euroskeptike në Ministrinë e Financave, bisedave optimiste të boshtit të ri franko-gjerman mund t’i vijë shumë shpejt fundi. Gjermania është duke hyrë në një periudhë paqëndrueshmërie politike, dhe sikur të mos mjaftonte një gjë e tillë, në këtë shtet po rriten edhe probleme të fushave të tjera. P.sh, industria e fuqishme e makinave është në krizë.
Gjenerata “baby boomer” është në prag të daljes në pension. Infrastruktura sa vjen e po përkeqësohet. Kërkesat që Gjermania të rrisë nivelin e saj të sigurisë ndërkombëtare po rriten gjithnjë e më shumë. Integrimi i mbi 1 milion emigrantëve që hynë në këtë shtet gjatë periudhës që znj. Merkel në mënyrë të vetëdijshme i mbajti hapur dyer e vendit, ka nevojë për zgjidhje më efikase edhe pse është akoma në fazat e tij të para. Retë e errëta që po mbulojnë këtë vend po shtohen gjithnjë e më shumë.

Gjermania e optimistëve

Gjermania ka mirëpritur më shumë se 1 milion njerëz në dy vitet e fundit. Në këtë drejtim, duhej të kishte pasur një reagim, sidomos duke marrë parasysh mënyrën se si znj. Merkel e trajtoi vendimin, duke e miratuar ligjin për emigrantët në minutën e fundit, pa shumë konsultime dhe pa marrë aspak parasysh opinionin e popullit të saj. Ndërkohë gjatë fushatës, ajo bëri edhe disa gabime shumë të rëndësishme, një ndër të cilat është etiketimi i saj si intelektualisht dembele, në vend që të angazhohej dhe të ishte pjesë e debateve të ashpra politike. Ajo i nënvlerësoi votuesit e saj dhe prandaj edhe pagoi çmimin përkatës për një gabim të tillë, duke marrë si trofe rezultatin më të dobët të arritur ndonjëherë, në krahasim edhe me ato të vitit 2005 dhe ato të vitit 2009. Risia e këtyre zgjedhjeve është fuqia që morën partitë e vogla, pas gati 12 viteve gjatë të cilave Merkel ka qeverisur me koalicione të mëdha, të tilla si ai i SPD-së. Në shumë aspekte, ky copëzim është edhe një përgjigje e duhur ndaj kësaj politike të lodhur. Rezultati mund të risigurojë edhe demokracinë gjermane.
Partia Socialdemokrate po kthehet në opozitë, ku z. Schulz së bashku me energjinë dhe idetë e tij moderniste dhe me mbështetjen e anëtarëve të tij, ku mund të përmendim edhe nënkryetaren e saj, Manuela Schëesig, mund t’i krijojnë mundësinë partisë së tyre për të fituar zgjedhjet e ardhshme në vitin 2021. Kjo mund të nxjerrë në dritë edhe partinë populiste euroskeptike të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, e cila do të detyrohet që si pasojë e rreptësisë së legjislaturës, të tjetërsojë pjesët e koalicionit të saj zgjedhor (“marrëdhënia midis Alternativës për Gjermaninë dhe votuesve të saj të dobët”), vë në dukje Cas Mudde. Ndërkohë që koalicioni i ashtuquajtur “Xhamajka”, që znj. Merkel duhet ta ndërtojë tani, mund të shkaktojë tronditje në konsensusin e përgjumur të Gjermanisë, me Partinë e Gjelbër të ambientalistëve në përkrahje të makinave elektrike dhe energjisë së rinovueshme dhe me FDP-në që do të mundohet të reduktojë sa të mundet burokracitë e shumta dhe të zhvillojë më tej dixhitalizimin. Shumë prej diferencave ndërmjet Partisë së Gjelbër të Ambientalistëve dhe FDP-së ishin thjesht ekzagjerime gjatë fushatës zgjedhore.
Gjithsesi e gjithë kjo situatë zgjedhore në Gjermani ka të bëjë me të vërtetën që qëndron midis pesimizmit dhe optimizmit. Por pyetja më e rëndësishme në këtë drejtim është, ndaj cilës ajo afrohet më shumë, kahut të pesimistëve apo atij të optimistëve? Përgjigjja e kësaj pyetje nuk është e lehtë për t’u dhënë, sepse rezultati i zgjedhjeve është shqetësues në disa aspekte, sidomos në lidhje me Partinë Alternativa për Gjermaninë. Edhe qetësia parazgjedhore në Gjermani ishte thjesht një iluzion shumë i bukur, sepse zemërimi prej vitesh ishte i pranishëm në popull dhe suksesi i fundit i partisë “Alternativa për Gjermaninë” e nxori atë në dritë.

Përpjekja e Ramës për të zhbërë shtetin vazhdon!

 

Jorida Tabaku

Qeveria e sotme në pranverën e vitit 2013 votoi Ligjin e Nëpunësit Civil, iu desh shumë kohë për të bindur kryetarin e djeshëm të opozitës që të votonte një nga kushtet e BE-së, shumëkush nga të majtët mendoi se Rama nuk dëshironte t’i jepte suksesin që i takonte qeverisë Berisha. Por, historia provoi diçka edhe më të hidhur. Kryeministri Rama nuk e ka pasur synim integrimin e vendit në BE dhe për vite me radhë u ka shitur shqiptarëve dokrra hiri për përpjekjen e tij mbi integrimin.
E nisi ofensivën e tij ndaj integrimit, duke ndryshuar që ditët e para në pushtet ligjin që po vetë kish urdhëruar ta votonin. Vazhdoi sulmet, duke shkatërruar administratën publike dhe duke zhdukur memorien institucionale, ngarkoi buxhetin e shtetit me miliona dollarë detyrime karshi nëpunësve që i përzuri nga detyra në mënyrë antiligjore.
Pastaj, kur gjithçka dukej se qe e përfunduar kërkoi tepsinë e plotë të qeverisë për të bërë siç ia do qejfi me administratën dhe integrimin e vendit. Sot, thikën për të ndarë pushtetin ia ka dhënë partisë. Punësimet në kundërshtim me ligjin u vërejtën që tek emërimet pa konkurs të sekretarëve të përgjithshëm të ministrive. Sipas ligjit të votuar edhe nga PS, këto pozicione janë niveli më i lartë i administratës publike dhe duhet të ndjekin hapat e përshkruara nga ligji për t’i punësuar. Por ligji nuk ekziston!
Prandaj, ndërsa dëgjoni kryeministrin që të ligjërojë në publik se, shqiptarët nuk duhet të kërkojnë punë në shtet, duhet të kini parasysh se ai po ju thotë se “puna në shtet vjen nëse ke teserën e PS-së dhe nëse udhëheqësit e partisë të përzgjedhin për të hyrë”. Për qeverinë, nuk ka rëndësi aftësitë e individit apo dhe meritokracia, qëllimi i qeverisë është ta mbushë administratën me shërbëtorë partie qoftë edhe të nivelit mediokër. Për kryeministrin, kushti i BE-së për një administratë të depolitizuar është një çarje koke, sikundër edhe vetë integrimi në Europë është shndërruar kohët e fundit për të.
Ndërkohë që shpresat e të rinjve dhe qëllimit të një politike mbi 17-vjeçare për të ndërtuar një administratë dinjitoze që jo vetëm të merret me procesin integrues, por edhe të hedhë themelet për një shtet edhe pas shumë vitesh; ato kanë marrë goditjen e rëndë. Përpjekja për të zhbërë shtetin vazhdon!

PD akuzon Nikollën: Punësohet në arsim kush dorëzon zarfin

Opozita në Komisionin e Edukimit ngritën përpara ministres Nikolla një sërë shqetësimesh që lidhen me emërimet dhe largimet politike të mësuesve, klasat kolektive dhe braktisja e shkollës nga 22 mijë nxënës. Vali Duka: Mësueset të cilat punojnë në shkollat e Korçës, kanë pasur frikë të takojnë deputetët e opozitës. Emërimet janë politike. Emërimet e drejtorëve janë superpolitike. “Ulja e numrit të nxënësve na qenka për shkak të uljes së lindjeve. Nuk e keni pranuar fenomenin e azilimit, por ka zona të tëra që juve i keni shpopulluar. Është një akuzë që ne do të vazhdojmë ta bëjmë” është shprehur deputetja demokrate Albana Vokshi. Ministrja Nikolla mohoi emërimet dhe shkarkimet politike nga shkolla duke thënë se 3500 mësues janë emërtuar nga portali Mësues për Shqipërinë.

Mashtrimi i qeverisë me rimbursimin e librave

Jo vetëm që rriti çmimet e teksteve shkollore, por qeveria nuk po rimburson familjet me ndihmë ekonomike në blerjen e librave për fëmijët e tyre. Denoncimet vijnë nga vetë prindërit sipas të cilëve ata po mashtrohen nga strukturat përkatëse që duhet të bëjnë rimbursimin e pagesës së librave shkollorë. “I Nderuar Zoti Berisha jam nga Vlora. Çupa ime është në klasën e 6 me rezultate të shkëlqyera, jetojmë me një ndihmë ekonomike 40 lekë në muaj. Unë jam kryefamiljare dhe pasi brodhëm nëpër Vlorë se mezi i gjetëm dyqanet e librave se ishin mbyllur që të mos paguanin taksat, edhe kuponat mezi na i jepnin, jo hajde sot, nesër jo ta jap, jo nuk më punon kasa etj., na detyronin të merrnim edhe libra që fëmijëve nuk ju duheshin, sot drejtoresha e shkollës jua kishte thënë fëmijëve me të drejtë që pse i blen vetë, lekët ne që jemi me ndihmë ekonomike nuk na i kthejnë psh., Librat kushtuan 76 mijë lekë na japin 20. Tjetra, shkolla ka 15 ditë që ka filluar, fëmijëve u kanë filluar tu grisen librat, me një fjalë arsimi është për tokë”, thuhet në denoncimin e publikuar nga ish-kryeministri Berisha. Krahas këtij denoncimi, prindër të tjerë kanë denoncuar rritjen e çmimit të teksteve shkollore, paçka se nga ana e Ministrisë së Arsimit u deklarua se çmimet do vijonin të ishin po të njëjtat. Këtë vit, pavarësisht deklaratave të Ministrisë së Arsimit se çmimet do të jenë po të njëjtat, ndihet një rritje e ndjeshme e tyre. Ndryshe nga sa ishte lajmëruar nga Ministria e Arsimit, shitja e librave për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme nis ditën e hënë. Ndërkohë, shkollat kanë afishuar listat me librat që prindërit duhet t’u blejnë fëmijëve dhe çmimin përkatës që varion nga 1,825 lekë për klasat e para në 4.295 lekë për klasat e 9. Por edhe pse çmimi i shitjes nuk ka ndryshuar për shumë prej librave krahasuar me vitin e kaluar, të afërmit e nxënësve shprehen për mediat se çmimet aktuale janë të larta dhe të papërballueshme.

Qeveria rrezikon të drejtën e studimit 8 mijë të rinjve

Rreth 8 mijë studentë shqiptarë që kërkojnë dhe përmbushin kushtet për të studiuar jashtë shtetit po penalizohen nga qeveria, duke mos përfituar dot të drejtën e studimit. E gjithë kjo amulli e krijuar ndodh për mungesën e vetëm një vule, rast ky që dëshmon me mungesën akute të seriozitetit të shtetit shqiptar sidomos kur bëhet fjalë për studimin e të rinjve. Aktualisht nuk ka asnjë lëvizje dhe reagim për dhënien e një zgjidhjeje ndaj situatës së krijuar, ndërkohë që studentët në pritje për t’u larguar nuk kanë ku të drejtohen.
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka akuzuar dje qeverinë teksa ngre alarmin se rreth 8000 studentë shqiptarë rrezikojnë studimet e tyre me dhe pa bursë jashtë vendit, për shkak të mungesës së vulës apostile në dokumentet e tyre. Pengesë për këtë sipas Boçit është bërë mosmarrja përsipër e asnjërës nga ministritë aktuale, të përgjegjësisë për të lëshuar këtë vulë. Kjo vjen si pasojë e riorganizimit total të ministrive të mëparshme dhe reduktimit e shkrirjes së tyre.
“Gati 8000 studentë shqiptarë që kërkojnë të studiojnë jashtë vendit si dhe ata që kanë fituar një bursë, por dhe qytetarë të tjerë, rrezikojnë gjithçka vetëm për një vulë.
Bëhet fjalë për vulën apostille që lëshonte ish-Ministria e Punës e Çështjeve Sociale. Pa këtë vulë bëhet e pamundur legalizimi i dokumentave në Ministrinë e Jashtme (desh harrova…) dhe të Europës.
Thënë ndryshe shtetin tonë “vulëhumbur”, nuk i gjendet vula apostile. Me çorganizimin e organizuar të kabinetit të ri qeveritar, qytetarët nuk kanë derë ku të shkojnë për hallin e tyre. Ndërkohë, asnjë nga ministritë e mundshme nuk e merr përsipër një detyrim të tillë, megjithëse na paskan biseduar për këtë disa orë rresht “me dyer të mbyllura”. Hajde e thuaj po deshe pastaj që këta po qeverisin pa qytetarët?!” shprehet Boçi.
Është hera e parë që ndodh, që mijëra studentë të penalizohen në mënyrë skandaloze për mungesën e një vule, ndërkohë që një situatë e tillë skandaloze rrezikon t’u bllokojë të rinjve mundësinë për të nisur studimet e tyre jashtë vendit. Nga ana e Ministrisë së Arsimit ende nuk ka asnjë reagim dhe asnjë veprim për mundësimin e vulës çka do t’i hapte rrugë të rinjve vijimin e ëndrrës për të studiuar.

PD, paketë amendamentesh për organikën e Vetingut

Deputeti i PD Enkelejd Alibeaj, duke folur gjate nje mbledhje te Komisionit hetimor, per nisjen e procedurave te shkarkimit nga detyra te nenkryetarit te KLD Kreshnik Spahiu.

Nënkryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka zbuluar se çfarë përmban paketa e propozimeve të PD-së për Reformën Zgjedhore si dhe hapat për procesin e vettingut. Gjatë një interviste mediatike, Alibeaj ka theksuar se, opozita nuk ka kushte për këtë reformë, por ka kërkuar një Kod Zgjedhor, i cili të garantojë zgjedhjet e ardhshme, duke e vënë theksin te votimi dhe numërimi elektronik, si dhe te rritja e peshës së votuesve. “Angazhimi ynë është i sinqertë, real. Ato që Rama i quan tre kushte, ne i quajmë premisa. Aty janë çështje, të cilat do duhet të adresohen nga kjo reformë. Një sinjal mund të jetë edhe ai që vjen prej marrëveshjes së 18 majit. Unë besë Ramës nuk i kam, pasi është nga ata që shohin se ku i dalin llogaritë e veta”, tha deputeti demokrat. Gjithashtu, ai komentoi edhe për shkurtimin e strukturës së organeve të Vettingut nga Kuvendi. Ai tha se PD do depozitojë në seancën e Kuvendit një paketë amendamentesh, të cilat parashohin rikthimin e organikës së propozuar nga organet e Vettingut. “Mbi 95% e shqiptarëve duan drejtësi të pavarur. PS pati shënuar vetë në Kushtetutë pagën e këtyre komisionerëve 6 milionë e më lart. Sigurisht, që kjo krijon mundësi për gjyqtarë të pakorruptueshëm. Organeve të Vettingut u duhet dhënë e gjithë mbështetja e nevojshme. Ne do të ofrojmë amendamente edhe në seancën parlamentare që të propozohet e miratohet nga Kuvendi e njëjta strukturë dhe nivel page siç kanë propozuar organet e vetingut. Dhe mesazhi është, ne japim shpërblimin, ju popullit i jepni shërbimin. Sinjale të verbërisë së Ramës janë ende të forta”, tha Alibeaj.
-Zoti Alibeaj, çfarë përmban paketa e PD për Reformën Zgjedhore? Mazhoranca i ka quajtur kushte…
Eshtë kërkesë për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Historikisht, kohë më parë, ka pasur ndryshime të Kodit dhe është e natyrshme që të update-ohet me zhvillimet elektorale të vendit. Pas zgjedhjeve, rezultati i të cilave nuk ishte i shëndetshëm për ne, që në momentet e para të legjislaturës së re kemi kërkuar ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Nuk janë kushte ato që ka propozuar Lulzim Basha. Kusht që ne kërkojmë një iniciativë ligjore, që ne synojmë që ta çojmë votën afër individit që të përcaktojë zgjedhjen e përfaqësuesit të vet. S’është të thuash që vota e shqiptarëve të jetë e barabartë, që ne kërkojmë një sistem zgjedhor, i cili të bazohet te votimi dhe numërimi elektronik. Këto janë premisa bazë të një shoqërie, e cila në vitin 2017 duhet t’i kishte kaluar këto probleme. Ne duam që të ketë sistem zgjedhor, mekanizëm zgjedhor që t’i japë peshën e duhur votuesit shqiptar. Në PD po punon një grup pune për këtë çështje.
-Do kemi një produkt konkret që do qetësojë “gjakrat”?
E pse të mos e kemi? Angazhimi ynë është i sinqertë, real. Ato që Rama i quan tre kushte, ne i quajmë premisa. Aty janë çështje të cilat do duhet të adresohen nga kjo reformë. Një sinjal mund të jetë edhe ai që vjen prej marrëveshjes së 18 majit. Unë besë Ramës nuk i kam, pasi është nga ata që shohin se ku i dalin llogaritë e veta. Shpresojmë që edhe ai, në një moment të maturimit politik për çështje madhore të këtij vendi apo fatin e vet politik, do duhet që herët ose vonë të qaset dhe të bëjë punë të paqta për këtë vend.

Rama paralizon Vettingun, i shkurton me 40% kërkesat

 

“Rama po saboton që në hapin e parë vettingun dhe kjo për një arsye fare të thjeshtë. Edi Rama duhet të ndajë mendjen, nuk mund të jetë edhe me bandat edhe me drejtësinë”
Me vetëm votat e mazhorancës, Komisioni i Ligjeve kufizoi dje burimet njerëzore dhe financiare në dispozicion të institucioneve të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke gjymtuar rëndë organikën e vettingut. Partia Demokratike kundërshtoi fort këtë vendim në Komisionin e Ligjeve, ndërsa kërkoi reflektimin e mazhorancës.
“Mosvënia në dispozicion e stafit të mjaftueshëm për organet e Vettingut përbën kërcënim ndaj veprimtarisë tepër të rëndësishme të tyre. I bëjmë thirrje mazhorancës që të reflektojë deri ditën e enjte”, tha Halimi. Kryetarët e institucioneve të vettingut shprehën shqetësimin për shkurtimin e numrit të punonjësve, pasi parashikimet janë që volumi i punës në muajt në vazhdim do të jetë i lartë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri thirrje dje Ramës të mos sabotojë punën e instucioneve të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Dje, kemi patur një mbledhje të gjatë të Grupit parlamentar, ku kemi diskutuar për rendin e ditës në seancë plenare. Por çështja më e rëndësishme e diskutuar ka qenë ajo që ka të bëjë me mbështetjen e organeve të vettingut. Organet e vetingut kanë bërë një kërkesë për t’i mbështetur sipas ligjit, me personelin, i cili do t’i ndihmojë në procesin e shqyrtimit të integritetit, të profesionalizmit dhe ndershmërisë së gjyqtarëve, pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim që procesi i vettingut të nisë pa vonesë dhe shqiptarët të kenë sa më shpejt rezultatin e dëshiruar; pastrimi i sistemit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe një drejtësi, e cila të mos mbrojë, por të ndëshkojë krimin dhe korrupsionin. Edi Rama ka vendosur që ta sabotojë që në hapin e parë zbatimin e vettingut.
Me urdhër të Edi Ramës, mazhoranca ka shkurtuar në komision parlamentar me pothuajse 40% kërkesat e Komisioneve të Vettingut. Edhe sot e dëgjuam Edi Ramën të justifikonte këtë si një akt gjoja për të mbrojtur paranë e taksapaguesit. Në fakt, është i njëjti Edi Ramë që e ka zgjidhur qesen dhe paguan më shumë personel në Kryeministri se ç’paguan Donald Trumpi në Shtëpinë e Bardhë, gjysmën e ka sharës me pagesë të kundërshtarëve politikë, të opozitës, të mediave, të çdokujt që del kundër praktikave të korruptuara apo vendimeve të qeverisë të tij. Para për sharës me pagesë ka plot”, tha Basha.

Kreu i PD, Basha paralajmëroi se me këtë akt Rama ka si synim vënien nën kontroll të procesit të vettingut dhe kontrollin ndaj këtij procesi. “Qindra-mijëra euro, miliona lekë të taksapaguesve shqiptarë hidhen ditë për ditë për të paguar njerëz, që nuk i sjellin asnjë shërbim qytetarit. Ndërsa, për procesin më të rëndësishëm, që është procesi i reformimit të drejtësisë, procesi i vettingut, nuk gjenden para për të mbështetur me këshilltarë organet e vettingut. Ky është një akt djallëzor sabotimi i Reformës në Drejtësi. Bëhet me një qëllim të caktuar: Pa ndihmën e duhur, pa këshilltarët që do të bëjnë të mundur një proces transparent, profesional dhe të shpejtë, vettingu do të kalojë në kalendat greke dhe do të mbetet në dorë të ekzekutivit, do të mbetet në dorë të Edi Ramës, do të mbetet në dorë të drejtorëve të Edi Ramës që ka qenë prej fillimit plani i tij”, u shpreh kreu i PD.

-Zoti Basha, sa qëndron ky argument kur ju ishit ata që bllokuat vettingun, ndërsa Partia Socialiste bëri edhe fushatë elektorale për vettingun. Si mund ta akuzoni tani?
Eshtë fare e qartë që ne nuk bllokuam vettingun. Ne bllokuam një përpjekje për ta kapur vettingun. Vettingu u votua në Kushtetutë nga Partia Demokratike. Pra, kjo që thoni ju është një keqinterpretim apo një dezinformim i suksesshëm i Edi Ramës. Ne votuam vettingun më 22 korrik të vitit të kaluar. Ky është fakt.

-Dhe pastaj ngritjen e komisioneve e bllokuat?
Komisionet u votuan në qershor. Komisionet janë ngritur me votën e Partisë Demokratike. Eshtë kështu apo jo?! T’ia kujtojmë qytetarëve; ne kemi votuar për komisionet e vetingut dhe ne votuam dje në Komision të Ligjeve, që këto komisione të vetingut të kenë mbështetjen e duhur financiare dhe mbështetjen e duhur me personel që të nisin sa më shpejt dhe të përfundojnë pa vonesë procesin e vettingut. Shapin nga sheqeri e ndajnë faktet dhe jo fjalët. Me fjalë, Edi Rama ka dalë si kampion i vettingut, me fakte del kundër vettingut. Po saboton që në hapin e parë vettingun dhe kjo për një arsye fare të thjeshtë. Edi Rama duhet të ndajë mendjen, nuk mund të jetë edhe me bandat edhe me drejtësinë. Nuk mund të jetë edhe mbrojtësi dhe përfituesi i bandës së Elbasanit, bandave të Durrësit, bandave të Vlorës, bandave të Shkodrës dhe të Lezhes, dhe nga ana tjetër, të na dalë si kampioni i drejtësisë. Të dyja nuk rrinë në një vend. Kaq e kupton çdo shqiptar, i djathtë, apo i majtë, demokrat apo socialist, me shkollë, apo pa shkollë. O me bandat, o me drejtësinë. Ne kemi zgjedhur të qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të reformimit të drejtësisë. Ndaj, të enjten, Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, do të propozojë në seancë plenare amandamentet, për të rivendosur atë që kanë kërkuar organet e pavarura të Vettingut. Ne do të jemi në krah të organeve të pavarura të vettiungut, që të kenë mbështetjen e plotë financiare dhe me personel dhe të mos jenë në mëshirën e një njeriu, i cili deri më sot me fakte ka zgjedhur bandat dhe jo drejtësinë.

-Zoti Basha, për Reformën Zgjedhore kryeministri ju kujtoi sërish marrëveshjen e 18 majit dhe tha që nuk pranon kushte nga ana e opozitës.
Ne do të kemi projektin tonë, ne do të kemi propozimet tona që do të vijnë pas një procesi konsultimi me aleatët tanë politikë dhe me faktorët e tjerë shoqërorë. Me një konsultim me qytetarët që t’i japim Shqipërisë një sistem zgjedhor, i cili vë në qendër qytetarin, jo bandat, jo kriminelët dhe jo oligarkët.

-A do të pranoni të uleni në një tryezë me Edi Ramën për Reformën Zgjedhore?
Unë jam ulur e me siguri do të ulem edhe me pasardhësin e Edi Ramës. Nuk është ky problemi. Problemi është, a do të zgjidhim diçka dhe kjo varet tërësisht nga qendrimi që Edi Rama do të mbajë ndaj procesit deformues të 25 qershorit. Nëse zgjedh, si ka zgjedhur deri më sot, të mbyllë sytë para faktit që ka një mazhorancë fiktive, e cila nuk ka dalë nga vullneti i shqiptarëve, nga vota e ndershme e shqiptarëve, atëherë kursi tjetër është kursi i përballjes, dhe për këtë Partia Demokratike dhe aleatët, janë më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë.

-Zoti Basha, keni folur për reformim të Partisë Demokratike. Kur do të futen strukturat e Partisë Demokratike në zgjedhje?
Procesi i parë do të jetë një proces konsultimi me anëtarësinë e Partisë Demokratike, nga i cili ne do të dalim me konkluzionet tona, sa i përket organizimit, ashtu edhe sa i përket ndryshimeve të mundshme statutore dhe hapave të tjerë që do ta bëjnë Partinë Demokratike më të fortë, më demokratike, më të bashkuar.

Bilanci i Buxhetit dhe Borxhi i Jashtëm në vendet e Ballkanit

Edhe pse vendet e Ballkanit ndryshojnë nga njëra-tjetra në aspektin e nivelit të mirëqenies, ato tregojnë disa ngjashmëri në anën e pabarazive makroekonomike. Sidomos çështjet që kanë të bëjnë me bilancin e llogarive rrjedhëse (bilancin e pagesave), bilancin e buxhetit dhe borxhin e jashtëm renditen në mesin e problemeve të përbashkëta që kanë ekonomitë e Ballkanit. Në gjysmën e parë të viteve 1990, të gjitha vendet e Ballkanit, me përjashtim të Greqisë, kaluan përvojën e hiperinflacionit. Kurse në periudhën 1999-2016, vlerat vjetore të inflacionit mesatar në dhjetë vendet e Ballkanit ishin gjithnjë numra njëshifrorë. Nga vendet e Ballkanit vetëm Greqia nuk e përjetoi problemin e hiperinflacionit dhe që nga fillimi i viteve 1990, ajo ka pasur norma më të moderuara inflacioni. Megjithatë, shifrat negative të inflacionit në Greqi gjatë periudhës 2013-2016 flasin për recesion në aktivitetin ekonomik dhe kërkesë në rënie për shkak të krizës.
Përkundër inflacionit, vendet e Ballkanit nuk kanë shpëtuar dot as nga problemi i deficiteve të tregtisë së jashtme, të cilat arrijnë deri në nivele problematike. Për shkak të deficitit në llogaritë rrjedhëse, në vitet e kaluara vendet e rajonit kanë përjetuar kriza të ndryshme të kursit të këmbimit valutor. Midis viteve 2009 dhe 2016, bilanci i llogarive rrjedhëse (bilanci i pagesave) në vendet e Ballkanit hyri në trendin e rënies graduale. Megjithatë, kjo rënie ndodh kryesisht për faktin se në Greqi veçanërisht kemi tkurrje të importit, për arsye kjo të rënies së kërkesës së brendshme si pasojë e krizës ekonomike. Trendi i bilancit të pagesave (ose të llogarive rrjedhëse) në Greqi në periudhën 1998-2016 ishte i ngjashëm me mesataren e vendeve të tjera të Ballkanit. Ndërsa në aspektin e bilancit të buxhetit publik, duke filluar që nga viti 2004, Greqia filloi të jetë në një gjendje më të keqe se sa mesatarja e vendeve të tjera të Ballkanit. Në të vërtetë, kjo është edhe një nga arsyet kryesore të krizës ekonomike që u shfaq në këtë vend pas vitit 2008.
Sipas kritereve të Mastrihtit, të cilat janë përllogaritur duke marrë parasysh vendet e zhvilluara të BE-së, raporti i buxhetit publik ndaj PBB-së nuk duhet të kalojë -3%. Mes viteve 1997 dhe 2016, bilanci mesatar i buxhetit publik në nëntë vendet e Ballkanit përveç Greqisë ka qenë midis 0,5 dhe -4,1 për qind, gjë që nuk ka qenë një problem i përmasave serioze. Kurse në Greqi, midis viteve 1997 dhe 2002 bilanci publik ka qenë gjithnjë pozitiv. Më pas, deri në vitin 2007 ky bilanc u realizua në vlera negative jo-kritike, kurse midis viteve 2009 dhe 2011 në deficitin buxhetor të Greqisë ka pasur një rritje të madhe. Këto rritje të papritura në deficitin buxhetor të Greqisë mund të shpjegohen pjesërisht me efektet negative të krizës ekonomike globale. Megjithëkëtë duhet theksuar se në vitet e kaluara institucionet e BE-së e kanë kritikuar Greqinë për mos-dërgimin e të dhënave të sakta në lidhje me deficitin e madh që ka pasur në borxhin publik dhe borxhet e larta qeveritare, gjë kjo që pas vitit 2008 doli edhe hapur.
Gjatë periudhës 2011-2016, Greqia shënoi një përparim që vlen të lëvdohet në përmbushjen e objektivave financiare dhe përmirësimin e politikës fiskale. Sipas marrëveshjes së arritur me kreditorët ndërkombëtarë, në periudhën afatmesme Greqia do të duhet të synojë një bilanc pozitiv publik mesatarisht prej 3,5%. Gjatë vlerësimit të deficitit buxhetor, është e rëndësishme të përcaktohet nëse ai është i qëndrueshëm apo jo. Sipas llogarive të bëra, për një bilanc të qëndrueshëm buxhetor prej -3% duhet që norma e inflacionit të jetë e prirur për të rënë nën 10%, ndërkohë që borxhi publik nuk duhet të tejkalojë 60% të PBB-së. Deri në vitin 2016, vendi i Ballkanit me raportin më të lartë të borxhit publik ndaj PBB-së ka qenë Greqia me 179%. Kjo shifër në Kroaci ishte 83,7%, në Serbi 74%, në Shqipëri 72,4% dhe në Mal të Zi 63,7%. Kurse në Kosovë, Bullgari, Rumani, Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoni borxhet publike ishin në kufij relativisht më të shëndetshëm. Megjithatë, krahasuar me vitin 2009, duhet të theksohet se përveç Kosovës, problemi i deficitit buxhetor është përkeqësuar ndjeshëm në të gjitha vendet e Ballkanit.
Një nga mënyrat që përdoret shpesh për të evituar deficitet buxhetore publike është huamarrja e jashtme. Deri në vitin 2016, totali i borxhit të jashtëm të vendeve të Ballkanit, duke lënë jashtë Greqinë, ishte rreth 243,7 miliardë dollarë. Kurse vetëm Greqia me një stok të borxhit të jashtëm prej 506,6 miliardë dollarësh ishte edhe vendi më debitor në Ballkan. Kurse Rumania ishte e dyta, me 101,4 miliardë dollarë stok të borxhit të jashtëm. Vendi me borxhin e jashtëm më të ulët në rajon në vitin 2016 ishte Kosova me 1,4 miliardë dollarë. Megjithatë, kur vlerësojmë borxhin e jashtëm të një vendi nuk mjafton të shohim vetëm stokun e borxhit të jashtëm. Banka Botërore ka zhvilluar disa raporte mbi qëndrueshmërinë e borxhit të jashtëm, duke u bazuar në përvojën e fituar nga praktika. Një prej tyre është raporti i stokut të borxhit të jashtëm ndaj PBB-së. Sipas kësaj, që një vend ta ketë të qëndrueshëm borxhin e jashtëm duhet që raporti i stokut të borxhit të jashtëm ndaj PBB-së të mos e tejkalojë 80%. Në Greqi dhe Kroaci në vitin 2016 raporti i borxhit të jashtëm ndaj PBB-së e tejkaloi këtë nivel kritik. Kurse vendet e tjera të rajonit si: Serbia, Maqedonia, Shqipëria dhe Bullgaria iu afruan në masë të rëndësishme këtij kufiri të sipërm të përcaktuar nga Banka Botërore.

Tkurren sërish lindjet, shtesa natyrore e popullsisë bie me 32.6%

Gjatë tremujorit të dytë 2017, numri i lindjeve tejkaloi me 1.563 numrin e vdekjeve. Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e dytë 2017, pasqyron një rënie me 32,6%, në krahasim me tremujorin e dytë 2016.
Në tremujorin e dytë 2017, shtesa natyrore e popullsisë për 12 qarqet e Shqipërisë, regjistron normën më të lartë në Qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 936 numrin e vdekjeve.
Me shtesë natyrore të lartë paraqitet Qarku i Durrësit me 216 lindje më shumë se vdekje, pasuar nga Qarku i Dibërs me 199 lindje më shumë se vdekje. Në tremujorin e dytë 2017, shtesa natyrore regjistron vlerë negative vetëm në tre qarqe (Gjirokastër, Vlorë dhe Korçë). Vlera më e ulët është regjistruar në Qarkun e Gjirokastrës dhe Vlorës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 110 numrin e lindjeve.

Lindjet

Numri i lindjeve për tremujorin e dytë 2017, është 6.234, duke shënuar një rënie me 15,4%, në krahasim me tremujorin e dytë 2016, raporton INSTAT. Numri më i ulët i lindjeve regjistrohet në Qarkun e Gjirokastrës, 83 lindje, me një rënie prej 36,6%, në krahasim me tremujorin e dytë 2016. Numri më i madh i lindjeve regjistrohet në Qarkun e Tiranës me 2.013 lindje, të cilat shënojnë rënie me 8,8% në krahasim me tremujorin e dytë 2016.
Të gjitha qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e dytë 2017, krahasuar me tremujorin e dytë 2016. Rënien më të madhe të numrit të lindjeve gjatë kësaj periudhe e paraqet Qarku i Gjirokastrës me 36,6% dhe Qarku i Vlorës me 30,3%.

Vdekjet

Numri i vdekjeve për tremujorin e dytë 2017 rezulton 4.671, duke shënuar një rënie prej 7,4%, krahasuar me tremujorin e dytë 2016. Numri më i madh i vdekjeve regjistrohet në Qarkun e Tiranës, me 1.077 vdekje, me një rënie prej 8,7%, në krahasim me tremujorin e dytë 2016. Numri i vdekjeve është ulur pothuajse në çdo qark gjatë kësaj periudhe, në krahasim me tremujorin e dytë 2016. Përjashtim bën Qarku i Fierit ku numri i vdekjeve është rritur me 3,8%, në krahasim me tremujorin e dytë 2016. Rënia më e madhe është regjistruar në Qarkun e Lezhës me 25,5%. Në tremujorin e dytë 2017, gjithashtu, me rënie më të madhe se 10,0 % të numrit të vdekjeve, paraqitet Qarku i Dibrës me 13,2% dhe Qarku i Shkodrës me 12,8%, krahasuar me tremujorin e dytë 2016.

Konkurrenca: Qytetarët paguajnë rritjen e tarifave

Lëvizja e njëkohshme e tri kompanive më të mëdha celulare në vend për të njehsuar kohëzgjatjen paketave bazë të komunikimit në katër javë, mund të shtrihet në tregje të tjera si internet, telefonia fikse, paketat televizive, etj., gjë e cila do të ishte në dëm të konsumatorëve.
Ky është një nga përfundimet e raportit hetimor të hartuar nga Komisioni i Konkurrencës i ngritur nga Autoriteti i Konkurrencës për hetimin paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
Raporti i publikuar më datë 21.09.2017 është rezultat i hetimeve të nisura në maj 2017, pasi tri kompanitë celulare që zotërojnë 95% të tregut në Shqipëri, njehsuan kohëzgjatjen dhe çmimin e paketave bazë të komunikimit.
Një lëvizje e tillë e Vodafone, Telekom dhe Albtelecom, u cilësua si një lëvizje e pastër oligopoli, prandaj gjatë periudhës hetimore janë realizuar inspektime, me qëllim gjetjen e provave direkte dhe indirekte të një marrëveshjeje të mundshme ose të një praktike të bashkërenduar mes ndërmarrjeve.

Si ndryshoi tregu?

Në mars të vitit 2016, tre prej kompanive celulare kanë ndryshuar vlefshmërinë e paketave kryesore standarde në harkun kohor të tetë ditëve, përkatësisht Albtelecom më 15 mars 2016, Telekom më 21 mars 2016 dhe Vodafone më 23 mars 2016. Ndryshimi i bërë në këtë periudhë, konsiston në ndryshimin e periudhës së mbulimit të paketave nga 30 ditë në 28 ditë.
Gjithashtu referuar analizës së sjelljes së ndërmarrjeve anëtarët e komisionit kanë vënë re se, “në periudhën mars–prill 2017, 3 ndërmarrje përkatësisht Vodafone, Telekom dhe Albtelecom, për një periudhë 2 javore, duke ndjekur njëra-tjetrën kanë ndryshuar paketat standarde, duke shkuar në të njëjtat tarifa dhe numër njësish për disa prej tyre”.
Në raportin e Komisionit të Konkurrencës thuhet se, “sjellja e mësipërme mund të shpjegohet nga ndërlidhja oligopolistike ku ndërmarrjet përshtatin strategjinë e tyre në lidhje me kombinimin e shërbimeve brenda paketave standarde”.
Por referuar inspektimeve të Komisionit nuk janë gjetur prova direkte apo indirekte që të provojnë që këto ndryshime kanë ardhur si pasojë e një marrëveshjeje të ndaluar apo sjelljeje të bashkërenduar midis tyre.
Ofrimi i paketave me tarifë të përcaktuar për të gjithë njësitë e paketës dhe jo me çmim të detajuar për çdo element të saj (lekë/min., lekë/sms, lekë/MB, etj.) krijon konfuzion për konsumatorët.
Sipas raportit, kjo sjellje e kompanive “mund të shpjegohet nga ndërlidhja oligopolistike, ku ndërmarrjet përshtatin strategjinë e tyre në kuadër të informacionit të plotë ndaj konkurrentëve të tjerë dhe efekteve të tyre në njësi dhe tarifa”.
Sipas OECD, kur konsumatorët nuk kanë informacion të mjaftueshëm ose cilësia e tij është keqinformuese ata mund të krijojnë konfuzion nga ofertat dhe të paguajnë më tepër ose mund të blejnë shërbime, të cilat nuk i nevojiten. Fuqia e konsumatorëve dhe mbrojtja e tyre është shumë e rëndësishme nga aspekti ekonomik dhe social.

Efektet

Në raportin hetimor thuhet se, “ndryshimi i kohëzgjatjes së paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë bën që konsumatori të faturohet rreth 13 muaj në vit në vend të 12 muajve, duke çuar në një rritje vjetore prej rreth 6.5% të buxhetit të shpenzuar nga konsumatori për këtë shërbim”.
Komisioni i Konkurrencës i trembet se kjo praktikë mund të ndiqet nga tregje të tjera. “Për ndryshimin e kohëzgjatjes së paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë vlerësojmë se kjo praktikë mund të prekë dhe tregje të tjera në fushën e telekomunikacionit si për shembull, interneti, telefonia fikse, paketat televizive, etj., gjë e cila do të shkaktonte probleme në terma të transparencës dhe krahasueshmërisë së informacionit për pajtimtarët e tyre në lidhje me tarifat e aplikuara për shërbimet e ofruara nga operatorët në sektorin e telekomunikacionit”.
Prandaj Komisioni ka vlerësuar që AKEP-i, si organ rregullator i tregut të komunikimeve elektronike në kuadër të kompetencave të tij për mbrojtjen dhe garantimin e mirinformimit të konsumatorit duhet të kryejë vlerësimin e paketave 28 ditore dhe 30 ditore për të parë nëse ka efekte negative për konsumatorin.
Sipas raportit hetimor lëvizja e njëkohshme e tri kompanive celulare është në shkelje të Ligjit të “Për Mbrojtjen e Konsumatorit”. “Referuar paketave standarde të ofruara nga operatorët e telefonisë celulare rezulton se nga ana e tyre nuk jepet asnjë informacion për konsumatorin lidhur me çmimin për njësi për elementët që paketat përmbajnë, e cila do t’u jepte mundësi atyre të zgjidhnin në mënyrë objektive paketën që ju përshtatet nevojave të tyre. Kjo praktikë tregtare dobëson ndjeshëm aftësinë e konsumatorit për marrjen e një vendimi lidhur me zgjedhjen e paketës që i përshtatet më mirë nevojave të tij”, thuhet në raportin e Komisionit të Konkurrencës.
Prandaj është rekomanduar ndërhyrja e Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit, për të detyruar operatorët e telefonisë celulare bërjen transparent të çmimit për njësi për çdo shërbim të përfshirë në paketat e hedhura në treg.

Vendimet

Komisioni i Konkurrencës në bazë të gjetjeve të mësipërme i ka kërkuar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) që brenda 90 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi “të bëjë vlerësimin e paketave 28 ditore dhe 30 ditore për të vlerësuar nëse ka efekte negative për konsumatorin”.
Gjithashtu i ka kërkuar AKEP-it të ndryshojë rregulloren ku thuhet se kompanitë mund të njoftojnë, pasi ndryshimet e tarifave të jenë bërë efektive.
AKEP ngarkohet nga Komisioni të njoftojë operatorët e shërbimit celular për detyrimin që përveç çmimit të paketës standarde nga ana e ndërmarrjeve, të publikohet dhe çmimi për njësi për çdo shërbim (lekë/min., lekë/sms, lekë/MB, etj.), që këto paketa përmbajnë.
Raporti detyron gjithashtu kompanitë që brenda 90 ditëve të marrin masa për aplikimin dhe publikimin e çmimit për njësi për çdo shërbim (lekë/min., lekë/sms, lekë/MB, etj.) që përmbajnë paketat standarde, duke informuar Autoritetin e Konkurrencës.
Duke u nisur nga kjo gjendje, Autoriteti i Konkurrencës do të monitorojë tregun me pakicë të shërbimeve celulare për një periudhë njëvjeçare, e cila fillon nga data 1 tetor 2017.

Amarildo Topi