13.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Prill, 2025

PD, paketë amendamentesh për organikën e Vetingut

Deputeti i PD Enkelejd Alibeaj, duke folur gjate nje mbledhje te Komisionit hetimor, per nisjen e procedurave te shkarkimit nga detyra te nenkryetarit te KLD Kreshnik Spahiu.

Nënkryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka zbuluar se çfarë përmban paketa e propozimeve të PD-së për Reformën Zgjedhore si dhe hapat për procesin e vettingut. Gjatë një interviste mediatike, Alibeaj ka theksuar se, opozita nuk ka kushte për këtë reformë, por ka kërkuar një Kod Zgjedhor, i cili të garantojë zgjedhjet e ardhshme, duke e vënë theksin te votimi dhe numërimi elektronik, si dhe te rritja e peshës së votuesve. “Angazhimi ynë është i sinqertë, real. Ato që Rama i quan tre kushte, ne i quajmë premisa. Aty janë çështje, të cilat do duhet të adresohen nga kjo reformë. Një sinjal mund të jetë edhe ai që vjen prej marrëveshjes së 18 majit. Unë besë Ramës nuk i kam, pasi është nga ata që shohin se ku i dalin llogaritë e veta”, tha deputeti demokrat. Gjithashtu, ai komentoi edhe për shkurtimin e strukturës së organeve të Vettingut nga Kuvendi. Ai tha se PD do depozitojë në seancën e Kuvendit një paketë amendamentesh, të cilat parashohin rikthimin e organikës së propozuar nga organet e Vettingut. “Mbi 95% e shqiptarëve duan drejtësi të pavarur. PS pati shënuar vetë në Kushtetutë pagën e këtyre komisionerëve 6 milionë e më lart. Sigurisht, që kjo krijon mundësi për gjyqtarë të pakorruptueshëm. Organeve të Vettingut u duhet dhënë e gjithë mbështetja e nevojshme. Ne do të ofrojmë amendamente edhe në seancën parlamentare që të propozohet e miratohet nga Kuvendi e njëjta strukturë dhe nivel page siç kanë propozuar organet e vetingut. Dhe mesazhi është, ne japim shpërblimin, ju popullit i jepni shërbimin. Sinjale të verbërisë së Ramës janë ende të forta”, tha Alibeaj.
-Zoti Alibeaj, çfarë përmban paketa e PD për Reformën Zgjedhore? Mazhoranca i ka quajtur kushte…
Eshtë kërkesë për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Historikisht, kohë më parë, ka pasur ndryshime të Kodit dhe është e natyrshme që të update-ohet me zhvillimet elektorale të vendit. Pas zgjedhjeve, rezultati i të cilave nuk ishte i shëndetshëm për ne, që në momentet e para të legjislaturës së re kemi kërkuar ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Nuk janë kushte ato që ka propozuar Lulzim Basha. Kusht që ne kërkojmë një iniciativë ligjore, që ne synojmë që ta çojmë votën afër individit që të përcaktojë zgjedhjen e përfaqësuesit të vet. S’është të thuash që vota e shqiptarëve të jetë e barabartë, që ne kërkojmë një sistem zgjedhor, i cili të bazohet te votimi dhe numërimi elektronik. Këto janë premisa bazë të një shoqërie, e cila në vitin 2017 duhet t’i kishte kaluar këto probleme. Ne duam që të ketë sistem zgjedhor, mekanizëm zgjedhor që t’i japë peshën e duhur votuesit shqiptar. Në PD po punon një grup pune për këtë çështje.
-Do kemi një produkt konkret që do qetësojë “gjakrat”?
E pse të mos e kemi? Angazhimi ynë është i sinqertë, real. Ato që Rama i quan tre kushte, ne i quajmë premisa. Aty janë çështje të cilat do duhet të adresohen nga kjo reformë. Një sinjal mund të jetë edhe ai që vjen prej marrëveshjes së 18 majit. Unë besë Ramës nuk i kam, pasi është nga ata që shohin se ku i dalin llogaritë e veta. Shpresojmë që edhe ai, në një moment të maturimit politik për çështje madhore të këtij vendi apo fatin e vet politik, do duhet që herët ose vonë të qaset dhe të bëjë punë të paqta për këtë vend.

Rama paralizon Vettingun, i shkurton me 40% kërkesat

 

“Rama po saboton që në hapin e parë vettingun dhe kjo për një arsye fare të thjeshtë. Edi Rama duhet të ndajë mendjen, nuk mund të jetë edhe me bandat edhe me drejtësinë”
Me vetëm votat e mazhorancës, Komisioni i Ligjeve kufizoi dje burimet njerëzore dhe financiare në dispozicion të institucioneve të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke gjymtuar rëndë organikën e vettingut. Partia Demokratike kundërshtoi fort këtë vendim në Komisionin e Ligjeve, ndërsa kërkoi reflektimin e mazhorancës.
“Mosvënia në dispozicion e stafit të mjaftueshëm për organet e Vettingut përbën kërcënim ndaj veprimtarisë tepër të rëndësishme të tyre. I bëjmë thirrje mazhorancës që të reflektojë deri ditën e enjte”, tha Halimi. Kryetarët e institucioneve të vettingut shprehën shqetësimin për shkurtimin e numrit të punonjësve, pasi parashikimet janë që volumi i punës në muajt në vazhdim do të jetë i lartë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri thirrje dje Ramës të mos sabotojë punën e instucioneve të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Dje, kemi patur një mbledhje të gjatë të Grupit parlamentar, ku kemi diskutuar për rendin e ditës në seancë plenare. Por çështja më e rëndësishme e diskutuar ka qenë ajo që ka të bëjë me mbështetjen e organeve të vettingut. Organet e vetingut kanë bërë një kërkesë për t’i mbështetur sipas ligjit, me personelin, i cili do t’i ndihmojë në procesin e shqyrtimit të integritetit, të profesionalizmit dhe ndershmërisë së gjyqtarëve, pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim që procesi i vettingut të nisë pa vonesë dhe shqiptarët të kenë sa më shpejt rezultatin e dëshiruar; pastrimi i sistemit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe një drejtësi, e cila të mos mbrojë, por të ndëshkojë krimin dhe korrupsionin. Edi Rama ka vendosur që ta sabotojë që në hapin e parë zbatimin e vettingut.
Me urdhër të Edi Ramës, mazhoranca ka shkurtuar në komision parlamentar me pothuajse 40% kërkesat e Komisioneve të Vettingut. Edhe sot e dëgjuam Edi Ramën të justifikonte këtë si një akt gjoja për të mbrojtur paranë e taksapaguesit. Në fakt, është i njëjti Edi Ramë që e ka zgjidhur qesen dhe paguan më shumë personel në Kryeministri se ç’paguan Donald Trumpi në Shtëpinë e Bardhë, gjysmën e ka sharës me pagesë të kundërshtarëve politikë, të opozitës, të mediave, të çdokujt që del kundër praktikave të korruptuara apo vendimeve të qeverisë të tij. Para për sharës me pagesë ka plot”, tha Basha.

Kreu i PD, Basha paralajmëroi se me këtë akt Rama ka si synim vënien nën kontroll të procesit të vettingut dhe kontrollin ndaj këtij procesi. “Qindra-mijëra euro, miliona lekë të taksapaguesve shqiptarë hidhen ditë për ditë për të paguar njerëz, që nuk i sjellin asnjë shërbim qytetarit. Ndërsa, për procesin më të rëndësishëm, që është procesi i reformimit të drejtësisë, procesi i vettingut, nuk gjenden para për të mbështetur me këshilltarë organet e vettingut. Ky është një akt djallëzor sabotimi i Reformës në Drejtësi. Bëhet me një qëllim të caktuar: Pa ndihmën e duhur, pa këshilltarët që do të bëjnë të mundur një proces transparent, profesional dhe të shpejtë, vettingu do të kalojë në kalendat greke dhe do të mbetet në dorë të ekzekutivit, do të mbetet në dorë të Edi Ramës, do të mbetet në dorë të drejtorëve të Edi Ramës që ka qenë prej fillimit plani i tij”, u shpreh kreu i PD.

-Zoti Basha, sa qëndron ky argument kur ju ishit ata që bllokuat vettingun, ndërsa Partia Socialiste bëri edhe fushatë elektorale për vettingun. Si mund ta akuzoni tani?
Eshtë fare e qartë që ne nuk bllokuam vettingun. Ne bllokuam një përpjekje për ta kapur vettingun. Vettingu u votua në Kushtetutë nga Partia Demokratike. Pra, kjo që thoni ju është një keqinterpretim apo një dezinformim i suksesshëm i Edi Ramës. Ne votuam vettingun më 22 korrik të vitit të kaluar. Ky është fakt.

-Dhe pastaj ngritjen e komisioneve e bllokuat?
Komisionet u votuan në qershor. Komisionet janë ngritur me votën e Partisë Demokratike. Eshtë kështu apo jo?! T’ia kujtojmë qytetarëve; ne kemi votuar për komisionet e vetingut dhe ne votuam dje në Komision të Ligjeve, që këto komisione të vetingut të kenë mbështetjen e duhur financiare dhe mbështetjen e duhur me personel që të nisin sa më shpejt dhe të përfundojnë pa vonesë procesin e vettingut. Shapin nga sheqeri e ndajnë faktet dhe jo fjalët. Me fjalë, Edi Rama ka dalë si kampion i vettingut, me fakte del kundër vettingut. Po saboton që në hapin e parë vettingun dhe kjo për një arsye fare të thjeshtë. Edi Rama duhet të ndajë mendjen, nuk mund të jetë edhe me bandat edhe me drejtësinë. Nuk mund të jetë edhe mbrojtësi dhe përfituesi i bandës së Elbasanit, bandave të Durrësit, bandave të Vlorës, bandave të Shkodrës dhe të Lezhes, dhe nga ana tjetër, të na dalë si kampioni i drejtësisë. Të dyja nuk rrinë në një vend. Kaq e kupton çdo shqiptar, i djathtë, apo i majtë, demokrat apo socialist, me shkollë, apo pa shkollë. O me bandat, o me drejtësinë. Ne kemi zgjedhur të qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të reformimit të drejtësisë. Ndaj, të enjten, Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, do të propozojë në seancë plenare amandamentet, për të rivendosur atë që kanë kërkuar organet e pavarura të Vettingut. Ne do të jemi në krah të organeve të pavarura të vettiungut, që të kenë mbështetjen e plotë financiare dhe me personel dhe të mos jenë në mëshirën e një njeriu, i cili deri më sot me fakte ka zgjedhur bandat dhe jo drejtësinë.

-Zoti Basha, për Reformën Zgjedhore kryeministri ju kujtoi sërish marrëveshjen e 18 majit dhe tha që nuk pranon kushte nga ana e opozitës.
Ne do të kemi projektin tonë, ne do të kemi propozimet tona që do të vijnë pas një procesi konsultimi me aleatët tanë politikë dhe me faktorët e tjerë shoqërorë. Me një konsultim me qytetarët që t’i japim Shqipërisë një sistem zgjedhor, i cili vë në qendër qytetarin, jo bandat, jo kriminelët dhe jo oligarkët.

-A do të pranoni të uleni në një tryezë me Edi Ramën për Reformën Zgjedhore?
Unë jam ulur e me siguri do të ulem edhe me pasardhësin e Edi Ramës. Nuk është ky problemi. Problemi është, a do të zgjidhim diçka dhe kjo varet tërësisht nga qendrimi që Edi Rama do të mbajë ndaj procesit deformues të 25 qershorit. Nëse zgjedh, si ka zgjedhur deri më sot, të mbyllë sytë para faktit që ka një mazhorancë fiktive, e cila nuk ka dalë nga vullneti i shqiptarëve, nga vota e ndershme e shqiptarëve, atëherë kursi tjetër është kursi i përballjes, dhe për këtë Partia Demokratike dhe aleatët, janë më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë.

-Zoti Basha, keni folur për reformim të Partisë Demokratike. Kur do të futen strukturat e Partisë Demokratike në zgjedhje?
Procesi i parë do të jetë një proces konsultimi me anëtarësinë e Partisë Demokratike, nga i cili ne do të dalim me konkluzionet tona, sa i përket organizimit, ashtu edhe sa i përket ndryshimeve të mundshme statutore dhe hapave të tjerë që do ta bëjnë Partinë Demokratike më të fortë, më demokratike, më të bashkuar.

Bilanci i Buxhetit dhe Borxhi i Jashtëm në vendet e Ballkanit

Edhe pse vendet e Ballkanit ndryshojnë nga njëra-tjetra në aspektin e nivelit të mirëqenies, ato tregojnë disa ngjashmëri në anën e pabarazive makroekonomike. Sidomos çështjet që kanë të bëjnë me bilancin e llogarive rrjedhëse (bilancin e pagesave), bilancin e buxhetit dhe borxhin e jashtëm renditen në mesin e problemeve të përbashkëta që kanë ekonomitë e Ballkanit. Në gjysmën e parë të viteve 1990, të gjitha vendet e Ballkanit, me përjashtim të Greqisë, kaluan përvojën e hiperinflacionit. Kurse në periudhën 1999-2016, vlerat vjetore të inflacionit mesatar në dhjetë vendet e Ballkanit ishin gjithnjë numra njëshifrorë. Nga vendet e Ballkanit vetëm Greqia nuk e përjetoi problemin e hiperinflacionit dhe që nga fillimi i viteve 1990, ajo ka pasur norma më të moderuara inflacioni. Megjithatë, shifrat negative të inflacionit në Greqi gjatë periudhës 2013-2016 flasin për recesion në aktivitetin ekonomik dhe kërkesë në rënie për shkak të krizës.
Përkundër inflacionit, vendet e Ballkanit nuk kanë shpëtuar dot as nga problemi i deficiteve të tregtisë së jashtme, të cilat arrijnë deri në nivele problematike. Për shkak të deficitit në llogaritë rrjedhëse, në vitet e kaluara vendet e rajonit kanë përjetuar kriza të ndryshme të kursit të këmbimit valutor. Midis viteve 2009 dhe 2016, bilanci i llogarive rrjedhëse (bilanci i pagesave) në vendet e Ballkanit hyri në trendin e rënies graduale. Megjithatë, kjo rënie ndodh kryesisht për faktin se në Greqi veçanërisht kemi tkurrje të importit, për arsye kjo të rënies së kërkesës së brendshme si pasojë e krizës ekonomike. Trendi i bilancit të pagesave (ose të llogarive rrjedhëse) në Greqi në periudhën 1998-2016 ishte i ngjashëm me mesataren e vendeve të tjera të Ballkanit. Ndërsa në aspektin e bilancit të buxhetit publik, duke filluar që nga viti 2004, Greqia filloi të jetë në një gjendje më të keqe se sa mesatarja e vendeve të tjera të Ballkanit. Në të vërtetë, kjo është edhe një nga arsyet kryesore të krizës ekonomike që u shfaq në këtë vend pas vitit 2008.
Sipas kritereve të Mastrihtit, të cilat janë përllogaritur duke marrë parasysh vendet e zhvilluara të BE-së, raporti i buxhetit publik ndaj PBB-së nuk duhet të kalojë -3%. Mes viteve 1997 dhe 2016, bilanci mesatar i buxhetit publik në nëntë vendet e Ballkanit përveç Greqisë ka qenë midis 0,5 dhe -4,1 për qind, gjë që nuk ka qenë një problem i përmasave serioze. Kurse në Greqi, midis viteve 1997 dhe 2002 bilanci publik ka qenë gjithnjë pozitiv. Më pas, deri në vitin 2007 ky bilanc u realizua në vlera negative jo-kritike, kurse midis viteve 2009 dhe 2011 në deficitin buxhetor të Greqisë ka pasur një rritje të madhe. Këto rritje të papritura në deficitin buxhetor të Greqisë mund të shpjegohen pjesërisht me efektet negative të krizës ekonomike globale. Megjithëkëtë duhet theksuar se në vitet e kaluara institucionet e BE-së e kanë kritikuar Greqinë për mos-dërgimin e të dhënave të sakta në lidhje me deficitin e madh që ka pasur në borxhin publik dhe borxhet e larta qeveritare, gjë kjo që pas vitit 2008 doli edhe hapur.
Gjatë periudhës 2011-2016, Greqia shënoi një përparim që vlen të lëvdohet në përmbushjen e objektivave financiare dhe përmirësimin e politikës fiskale. Sipas marrëveshjes së arritur me kreditorët ndërkombëtarë, në periudhën afatmesme Greqia do të duhet të synojë një bilanc pozitiv publik mesatarisht prej 3,5%. Gjatë vlerësimit të deficitit buxhetor, është e rëndësishme të përcaktohet nëse ai është i qëndrueshëm apo jo. Sipas llogarive të bëra, për një bilanc të qëndrueshëm buxhetor prej -3% duhet që norma e inflacionit të jetë e prirur për të rënë nën 10%, ndërkohë që borxhi publik nuk duhet të tejkalojë 60% të PBB-së. Deri në vitin 2016, vendi i Ballkanit me raportin më të lartë të borxhit publik ndaj PBB-së ka qenë Greqia me 179%. Kjo shifër në Kroaci ishte 83,7%, në Serbi 74%, në Shqipëri 72,4% dhe në Mal të Zi 63,7%. Kurse në Kosovë, Bullgari, Rumani, Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoni borxhet publike ishin në kufij relativisht më të shëndetshëm. Megjithatë, krahasuar me vitin 2009, duhet të theksohet se përveç Kosovës, problemi i deficitit buxhetor është përkeqësuar ndjeshëm në të gjitha vendet e Ballkanit.
Një nga mënyrat që përdoret shpesh për të evituar deficitet buxhetore publike është huamarrja e jashtme. Deri në vitin 2016, totali i borxhit të jashtëm të vendeve të Ballkanit, duke lënë jashtë Greqinë, ishte rreth 243,7 miliardë dollarë. Kurse vetëm Greqia me një stok të borxhit të jashtëm prej 506,6 miliardë dollarësh ishte edhe vendi më debitor në Ballkan. Kurse Rumania ishte e dyta, me 101,4 miliardë dollarë stok të borxhit të jashtëm. Vendi me borxhin e jashtëm më të ulët në rajon në vitin 2016 ishte Kosova me 1,4 miliardë dollarë. Megjithatë, kur vlerësojmë borxhin e jashtëm të një vendi nuk mjafton të shohim vetëm stokun e borxhit të jashtëm. Banka Botërore ka zhvilluar disa raporte mbi qëndrueshmërinë e borxhit të jashtëm, duke u bazuar në përvojën e fituar nga praktika. Një prej tyre është raporti i stokut të borxhit të jashtëm ndaj PBB-së. Sipas kësaj, që një vend ta ketë të qëndrueshëm borxhin e jashtëm duhet që raporti i stokut të borxhit të jashtëm ndaj PBB-së të mos e tejkalojë 80%. Në Greqi dhe Kroaci në vitin 2016 raporti i borxhit të jashtëm ndaj PBB-së e tejkaloi këtë nivel kritik. Kurse vendet e tjera të rajonit si: Serbia, Maqedonia, Shqipëria dhe Bullgaria iu afruan në masë të rëndësishme këtij kufiri të sipërm të përcaktuar nga Banka Botërore.

Tkurren sërish lindjet, shtesa natyrore e popullsisë bie me 32.6%

Gjatë tremujorit të dytë 2017, numri i lindjeve tejkaloi me 1.563 numrin e vdekjeve. Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e dytë 2017, pasqyron një rënie me 32,6%, në krahasim me tremujorin e dytë 2016.
Në tremujorin e dytë 2017, shtesa natyrore e popullsisë për 12 qarqet e Shqipërisë, regjistron normën më të lartë në Qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 936 numrin e vdekjeve.
Me shtesë natyrore të lartë paraqitet Qarku i Durrësit me 216 lindje më shumë se vdekje, pasuar nga Qarku i Dibërs me 199 lindje më shumë se vdekje. Në tremujorin e dytë 2017, shtesa natyrore regjistron vlerë negative vetëm në tre qarqe (Gjirokastër, Vlorë dhe Korçë). Vlera më e ulët është regjistruar në Qarkun e Gjirokastrës dhe Vlorës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 110 numrin e lindjeve.

Lindjet

Numri i lindjeve për tremujorin e dytë 2017, është 6.234, duke shënuar një rënie me 15,4%, në krahasim me tremujorin e dytë 2016, raporton INSTAT. Numri më i ulët i lindjeve regjistrohet në Qarkun e Gjirokastrës, 83 lindje, me një rënie prej 36,6%, në krahasim me tremujorin e dytë 2016. Numri më i madh i lindjeve regjistrohet në Qarkun e Tiranës me 2.013 lindje, të cilat shënojnë rënie me 8,8% në krahasim me tremujorin e dytë 2016.
Të gjitha qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e dytë 2017, krahasuar me tremujorin e dytë 2016. Rënien më të madhe të numrit të lindjeve gjatë kësaj periudhe e paraqet Qarku i Gjirokastrës me 36,6% dhe Qarku i Vlorës me 30,3%.

Vdekjet

Numri i vdekjeve për tremujorin e dytë 2017 rezulton 4.671, duke shënuar një rënie prej 7,4%, krahasuar me tremujorin e dytë 2016. Numri më i madh i vdekjeve regjistrohet në Qarkun e Tiranës, me 1.077 vdekje, me një rënie prej 8,7%, në krahasim me tremujorin e dytë 2016. Numri i vdekjeve është ulur pothuajse në çdo qark gjatë kësaj periudhe, në krahasim me tremujorin e dytë 2016. Përjashtim bën Qarku i Fierit ku numri i vdekjeve është rritur me 3,8%, në krahasim me tremujorin e dytë 2016. Rënia më e madhe është regjistruar në Qarkun e Lezhës me 25,5%. Në tremujorin e dytë 2017, gjithashtu, me rënie më të madhe se 10,0 % të numrit të vdekjeve, paraqitet Qarku i Dibrës me 13,2% dhe Qarku i Shkodrës me 12,8%, krahasuar me tremujorin e dytë 2016.

Konkurrenca: Qytetarët paguajnë rritjen e tarifave

Lëvizja e njëkohshme e tri kompanive më të mëdha celulare në vend për të njehsuar kohëzgjatjen paketave bazë të komunikimit në katër javë, mund të shtrihet në tregje të tjera si internet, telefonia fikse, paketat televizive, etj., gjë e cila do të ishte në dëm të konsumatorëve.
Ky është një nga përfundimet e raportit hetimor të hartuar nga Komisioni i Konkurrencës i ngritur nga Autoriteti i Konkurrencës për hetimin paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
Raporti i publikuar më datë 21.09.2017 është rezultat i hetimeve të nisura në maj 2017, pasi tri kompanitë celulare që zotërojnë 95% të tregut në Shqipëri, njehsuan kohëzgjatjen dhe çmimin e paketave bazë të komunikimit.
Një lëvizje e tillë e Vodafone, Telekom dhe Albtelecom, u cilësua si një lëvizje e pastër oligopoli, prandaj gjatë periudhës hetimore janë realizuar inspektime, me qëllim gjetjen e provave direkte dhe indirekte të një marrëveshjeje të mundshme ose të një praktike të bashkërenduar mes ndërmarrjeve.

Si ndryshoi tregu?

Në mars të vitit 2016, tre prej kompanive celulare kanë ndryshuar vlefshmërinë e paketave kryesore standarde në harkun kohor të tetë ditëve, përkatësisht Albtelecom më 15 mars 2016, Telekom më 21 mars 2016 dhe Vodafone më 23 mars 2016. Ndryshimi i bërë në këtë periudhë, konsiston në ndryshimin e periudhës së mbulimit të paketave nga 30 ditë në 28 ditë.
Gjithashtu referuar analizës së sjelljes së ndërmarrjeve anëtarët e komisionit kanë vënë re se, “në periudhën mars–prill 2017, 3 ndërmarrje përkatësisht Vodafone, Telekom dhe Albtelecom, për një periudhë 2 javore, duke ndjekur njëra-tjetrën kanë ndryshuar paketat standarde, duke shkuar në të njëjtat tarifa dhe numër njësish për disa prej tyre”.
Në raportin e Komisionit të Konkurrencës thuhet se, “sjellja e mësipërme mund të shpjegohet nga ndërlidhja oligopolistike ku ndërmarrjet përshtatin strategjinë e tyre në lidhje me kombinimin e shërbimeve brenda paketave standarde”.
Por referuar inspektimeve të Komisionit nuk janë gjetur prova direkte apo indirekte që të provojnë që këto ndryshime kanë ardhur si pasojë e një marrëveshjeje të ndaluar apo sjelljeje të bashkërenduar midis tyre.
Ofrimi i paketave me tarifë të përcaktuar për të gjithë njësitë e paketës dhe jo me çmim të detajuar për çdo element të saj (lekë/min., lekë/sms, lekë/MB, etj.) krijon konfuzion për konsumatorët.
Sipas raportit, kjo sjellje e kompanive “mund të shpjegohet nga ndërlidhja oligopolistike, ku ndërmarrjet përshtatin strategjinë e tyre në kuadër të informacionit të plotë ndaj konkurrentëve të tjerë dhe efekteve të tyre në njësi dhe tarifa”.
Sipas OECD, kur konsumatorët nuk kanë informacion të mjaftueshëm ose cilësia e tij është keqinformuese ata mund të krijojnë konfuzion nga ofertat dhe të paguajnë më tepër ose mund të blejnë shërbime, të cilat nuk i nevojiten. Fuqia e konsumatorëve dhe mbrojtja e tyre është shumë e rëndësishme nga aspekti ekonomik dhe social.

Efektet

Në raportin hetimor thuhet se, “ndryshimi i kohëzgjatjes së paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë bën që konsumatori të faturohet rreth 13 muaj në vit në vend të 12 muajve, duke çuar në një rritje vjetore prej rreth 6.5% të buxhetit të shpenzuar nga konsumatori për këtë shërbim”.
Komisioni i Konkurrencës i trembet se kjo praktikë mund të ndiqet nga tregje të tjera. “Për ndryshimin e kohëzgjatjes së paketave standarde nga 30 ditë në 28 ditë vlerësojmë se kjo praktikë mund të prekë dhe tregje të tjera në fushën e telekomunikacionit si për shembull, interneti, telefonia fikse, paketat televizive, etj., gjë e cila do të shkaktonte probleme në terma të transparencës dhe krahasueshmërisë së informacionit për pajtimtarët e tyre në lidhje me tarifat e aplikuara për shërbimet e ofruara nga operatorët në sektorin e telekomunikacionit”.
Prandaj Komisioni ka vlerësuar që AKEP-i, si organ rregullator i tregut të komunikimeve elektronike në kuadër të kompetencave të tij për mbrojtjen dhe garantimin e mirinformimit të konsumatorit duhet të kryejë vlerësimin e paketave 28 ditore dhe 30 ditore për të parë nëse ka efekte negative për konsumatorin.
Sipas raportit hetimor lëvizja e njëkohshme e tri kompanive celulare është në shkelje të Ligjit të “Për Mbrojtjen e Konsumatorit”. “Referuar paketave standarde të ofruara nga operatorët e telefonisë celulare rezulton se nga ana e tyre nuk jepet asnjë informacion për konsumatorin lidhur me çmimin për njësi për elementët që paketat përmbajnë, e cila do t’u jepte mundësi atyre të zgjidhnin në mënyrë objektive paketën që ju përshtatet nevojave të tyre. Kjo praktikë tregtare dobëson ndjeshëm aftësinë e konsumatorit për marrjen e një vendimi lidhur me zgjedhjen e paketës që i përshtatet më mirë nevojave të tij”, thuhet në raportin e Komisionit të Konkurrencës.
Prandaj është rekomanduar ndërhyrja e Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit, për të detyruar operatorët e telefonisë celulare bërjen transparent të çmimit për njësi për çdo shërbim të përfshirë në paketat e hedhura në treg.

Vendimet

Komisioni i Konkurrencës në bazë të gjetjeve të mësipërme i ka kërkuar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) që brenda 90 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi “të bëjë vlerësimin e paketave 28 ditore dhe 30 ditore për të vlerësuar nëse ka efekte negative për konsumatorin”.
Gjithashtu i ka kërkuar AKEP-it të ndryshojë rregulloren ku thuhet se kompanitë mund të njoftojnë, pasi ndryshimet e tarifave të jenë bërë efektive.
AKEP ngarkohet nga Komisioni të njoftojë operatorët e shërbimit celular për detyrimin që përveç çmimit të paketës standarde nga ana e ndërmarrjeve, të publikohet dhe çmimi për njësi për çdo shërbim (lekë/min., lekë/sms, lekë/MB, etj.), që këto paketa përmbajnë.
Raporti detyron gjithashtu kompanitë që brenda 90 ditëve të marrin masa për aplikimin dhe publikimin e çmimit për njësi për çdo shërbim (lekë/min., lekë/sms, lekë/MB, etj.) që përmbajnë paketat standarde, duke informuar Autoritetin e Konkurrencës.
Duke u nisur nga kjo gjendje, Autoriteti i Konkurrencës do të monitorojë tregun me pakicë të shërbimeve celulare për një periudhë njëvjeçare, e cila fillon nga data 1 tetor 2017.

Amarildo Topi

Brukseli pas tërmetit politik gjerman

Në samitet e ardhshme të Bashkimit Europian në muajt e ardhshëm nga karrigja gjermane do të dëgjohen vetëm përgjigje të përmbajtura. Sigurisht që kryetarja e unionit konservator, Angela Merkel do të jetë sërish e ulur në tavolinën e Brukselit, po në shtëpinë e saj, ajo duhet të formësojë një koalicion me liberalët dhe Të Gjelbrit. Kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker megjithatë nuk pret që Gjermania të ndryshojë kursin. “Për shkak se Gjermania ka qenë është dhe do të mbetet spiranca e stabilitetit në BE nën zonjën Merkel, tani duhet që të krijohet sa më shpejt një qeveri stabël”.

“Rruga është e gjatë”
FDP, Partia Liberale është për një kurs kursimi në eurozonë dhe një politikë më rigoroze kundrejt refugjatëve. Të Gjelbrit mund të përfytyrojnë reforma në eurozonë, por në çështjen e klimës ata do të paraqesin kërkesa më të ashpra se sa qeveria e tanishme. Eurodeputeti i Gjelbër, Sven Giegold beson, se rruga e koalicionit kosnservator-liberal-Të Gjelbrit do të jetë e gjatë. “Qeverisje e gjelbër do të thotë më shumë mbrojtje të klimës. Por edhe tek tema e pabarazisë sociale, Europës, politikës së tregtisë dhe refugjatëve, një marrëveshje koalicioni duhet të mbante qartë nënshkrimin e gjelbër. Si do të bëhet kjo me CSU, FDP dhe CDU, kjo nuk është e qartë për mua”.
Ministri i Jashtëm belg, Didier Reynders, nuk pret ndonjë ndryshim dramatik të kursit. Ai pret që “pas zgjedhjeve në Gjermani të vazhdohet më me hov në Europë. Tani kërkohet që Franca, Gjermania, Holanda dhe të tjera të ecin përpara në reformat praktike në eurozonë, edhe në temën e migracionit, mbrojtjes, sigurisë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili uroi kancelaren gjermane në telefon, shkroi në Twitter se, “do të vazhdojmë me vendosmëri punën e pazëvendësueshme për Europën dhe vendet tona”.

E djathta e Orbanit
Ndërsa nga Hungaria u dëgjua edhe zëri i kryeministrit të djathtë, Viktor Orban, i cili e refuzon politikën europiane të refugjatëve. “Budapesti uron!” Përkrahësit e tij e shohin këtë si mbështetje për partinë populiste të djathtë, AfD, që u fut furishëm në parlamentin gjerman. Ndërsa ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, u shpreh se nuk është i habitur me rezultatin. Për të politika e refugjatëve ishte thembra e Akilit për Merkelin. Kriza e refugjatëve nuk u mor seriozisht nga partitë në Europë. Kurz kërkon ta ndryshojë këtë.

Jo suflerë të djathtistëve
Kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker është “i shqetësuar” për futjen e partive populiste në parlamentin gjerman. Por sipas tij “kush mendon se tani në Europë, sidomos në Gjermani, ka ardhur momenti që të themi ato që thotë e djathta ekstreme, ai gabon thellësisht, dhe e vë Europën në rrezik të madh”, ka thënë Juncker për DW. Ndërsa për socialistin francez, Pierre Moscovici, përgjegjës për euron në KE, futja e AfD-së në Bundestag është një “shok” i vërtetë.
Por Europa sërish e vendos besimin e saj tek Merkeli, siç u shpreh edhe kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker. Gjithsesi pas 12 vitesh në pushtet, ajo ia ka dalë të zgjidhet sërish, këtë duhet ta arrijë njëherë një burrë tjetër shteti në Europë. Sipas tij, ajo nuk është e dobësuar, megjithëse ka humbur vota. “Ndikimi i Gjermanisë në botë ka të bëjë mjaft me rolin që luan Gjermania në BE. Nuk besoj se, ata që do ta çojnë anijen e qeverisë gjermane në detërat e trazuar do të braktisin atë që është baza e politikës gjermane, një politikë gjithmonë proeuropiane”.

Loja jo transparente e muskujve të Rusisë

Kai Küstner

Kur Kremlini ankohet për gjoja lojën tepër agresive të NATO-s në kufirin rus, atëherë fjalët rrallë zgjidhen me kujdes: veçanërisht të preferuara janë krahasimet me “Rajhun e Tretë” ose edhe “Operacioni Barbarosa”, pra sulmi i Wehrmachtit (ushtrisë naziste) kundër Bashkimit Sovjetik në vitin 1941. Mega-manovrën vetjake të quajtur “Zapad”, të përkthyer “Perëndimi”- nga ana tjetër e quajnë thjesht “defensive” dhe vetëkuptohet krejtësisht “paqësore”. Loja vetjake e muskujve-që nuk është gjë tjetër veçse marshim i trupave në afërsi të shteteve të BE-thuhet se nuk është gjë tjetër veçse një kontribut për paqen botërore, të cilën fqinjët evropianë gjoja e rrezikojnë vazhdimisht: kjo është krejtësisht në përputhje me strategjinë e vrazhdë të komunikimit të Kremlinit.
Po tani palës perëndimore i rekomandohet që të mos mbireagojë dhe që t’i rezistojë çdo krize paniku: nuk ekziston as e dhëna më e vogël, që Moska mund të përgatiste një ofensivë kundër, për shembull, Shteteve Baltike të NATO-s, nën mantelin e manovrës. Rrezik i vërtetë Evropën e kërcënon vetëm indirekt: dhe pikërisht sepse kjo manovër do të ushqejë mosbesimin reciprok.
Shembulli më i mirë për këtë është grindja për shifrat, e cila u bë para manovrës: nëse një manovër e kalon shifrën magjike të 13.000 ushtarëve, rregullat ndërkombëtare parashikojnë që të lejohen një numër i madh vëzhguesish dhe të lejohen fluturime zbulimi. Për ta shmangur këtë, Rusia e raporton numrin e ushtarëve me 12.700, në Evropën Perëndimore besojnë se bëhet fjalë për 100.000 vetë. Në mënyrë që NATO-ja të mos mundet t’a shohë se ç’bën Moska, shifrat manipulohen, kjo është kritika që bëhet.
Problemi për Kremlinin: ky debat nuk zhvillohet në një hapësirë boshe. Rusia i ka shkëputur Ukrainës një copë tokë dhe e quan këtë si të ligjshme. Rusia nxiti një luftë në Ukrainën Lindore dhe e mohon këtë. Ajo financon populistë të djathtë në Evropë dhe e kundërshton këtë. E mbulon BE me fushata Fake News dhe pohon të kundërtën. Përballë kësaj Presidenti Putin nuk duhet të çuditet, kur Zapati – në të cilin në të shkuarën u simulua njëherë një sulm bërthamor kundër Varshavës – i nervozon pak fqinjët.
Mbase ky është synimi i sundimtarit të Kremlinit, i cili nuk do gjë tjetër më shumë, se që Perëndimi të mos e paraqesë më si të parëndësishëm atë dhe besimin në vetvete të Rusisë.
Ai merr parasysh që për këtë arsye në të ardhmen do ta ketë më të vështirë, që të ankohet në mënyrë të besueshme për gjoja lojëra lufte të NATO-s në kufirin rus. Por para së gjithash me Zapatin ai bën vetëm një efekt: që te evropianët të rritet mosbesimi. Dhe kjo është e rrezikshme për të dyja palët.

Edhe më tej kështu…

Christoph Strack

Ndodhesh i ulur në ndonjë kafene në një nga taracat e çative në kryeqytet – dhe nga qendra e pushtetit para teje ngrihet një helikopter. Kjo tani thuajse ndodh përditë: Angela Merkeli rrugës për në Gjermaninë Jugore, Perëndimore dhe Veriore, shumë shpesh në Lindje. Merkeli në udhëtim në fushatën elektorale.
Më shumë se 50 paraqitje në fushatën elektorale ka kryer kryetarja e CDU deri në 24 shtator. Gjithmonë janë disa mijëra dëgjues, para të cilëve flet ajo. Nganjëherë janë disa, në raste të tjera pak qindra prishës të qetësisë nga skena populiste e djathtë ose ekstreme e djathtë.
63-vjeçarja ishte në qendër të çdo aktiviteti elektoral të CDU-së dhe në qendër të të gjithë fushatës elektorale. Dhe gjithmonë, ajo që ka rëndësi-si në 2013 dhe në 2009 dhe më fort se në 2005-ën është Merkeli vetë. Fushata elektorale e partisë në pushtet është gjithmonë fushatë elektorale e kancelarit.

Temë vendimtare kriza e refugjatëve
Qendra e pushtetit e Republikës së Berlinit është Zyra Kancelarore. Në këtë mënyrë, Merkeli nganjëherë duket si presidente e Gjermanisë. Nga pikëpamja tematike për të ka rëndësi e gjitha. Gjermania. Siguria, roli i Gjermanisë në botë, integrimi i qytetarëve të rinj – e thënë në mënyrë të përgjithësuar – për të ka rëndësi sa mirë ndihen gjermanët në vendin e tyre. Temën e “refugjatëve”, ajo nuk e përmend gjithmonë, kur e përmend më tepër në kuadër të perspektivës evropiane.
2015-a fjala “merkel” ishte një ndër “fjalët e preferuara të rinisë”. Ajo kishte kuptimin “të mos bësh asgjë, të mos marrësh asnjë vendim”. Pastaj erdhi vendimi i fuqishëm i Merkelit për pranimin e refugjatëve. Dhe “merkel” u harrua – me të drejtë. Sepse me emrin e saj janë të lidhura vendosje piketash në çështje bazë dhe të debatueshme të shoqërisë: eliminimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, për shembull, braktisja e energjisë atomike, së fundi vendimi parlamentar i martesës për të gjithë. Këtë javë, ajo tha se “ka krijuar përshtypjen se kjo më tepër ndikoi në paqtimin e diskutimit shoqëror”.

Tabloja e përgjithshme
Duke pasur parasysh partinë ajo thotë se, “vlerat bazë të CDU”-së kanë mbetur të pandryshuara, “këto janë rrënjët, prej të cilave ne ushqejmë politikën tonë”. Kjo përputhet me vështrimin e saj ndaj tablosë së përgjithshme.
Kancelarja lejoi që në vitin 2015 dhe sërish në 2017 ta intervistojnë yje të rinj në skenës së youtube-t. Takimet me kulturën e të rinjve janë të detyrueshme. CDU-ja, partia e saj me një moshë mesatare 60 vjeç, e inskenon veten me një “program përmes të cilit mund të kalosh” në një ambjent të të rinjve.
Duke u moshuar, Merkeli fiton padyshim një seriozitet të ri, krejt të çlirët, ndaj adoleshentëve. Ajo i nxit ata që të tregohen kureshtarë, të kërkojnë dhe për inovacione. “Tani prapë mendoni: Gjyshja po na tregon për luftën”, bën shaka ajo me të rinjtë. Por te ish-shkencëtarja vihet re gëzimi në përcjelljen e ideve dhe në pasjen e një qëndrimi personal. Me to, ajo ia doli të sigurojë mandatin e saj të katërt si kancelare e Gjermanisë.

Koncesioni i ri me barnat dhe ryshfeti 32.6 milionë dollarë

Koncesioni i pullave të ilaçeve merr përmasat e një skandali të rëndë korruptiv, teksa qeveria shqiptare po bën biznes me një kompani të përfshirë në afera të mëdha korrupsioni në disa shtete të botës. SYRI.net zbardh dokumente që faktojnë se SICPA është dënuar për korrupsion dhe kërcënim të sigurisë kombëtare në Brazil dhe Kenia, ku ka paguar dhjetëra miliona dollarë ryshfete tek qeveritarët për të fituar koncesionin e pullave fiskale. Skandali shpërtheu në 1 korrik të vitit 2015, kur policia braziliane mësyu në zyrat e kompanisë zvicerane. Sipas agjencisë prestigjioze “Reuters”, SICPA kishte paguar 32.6 milionë dollarë ryshfete për zyrtarët e Ministrisë së Financave të Brazilit, për të fituar koncesionin e pullave fiskale të birrës dhe pijeve alkoolike.
Pas hetimit, Marcelo Fisch, njëri prej zyrtarëve të lartë të Ministrisë braziliane të Financave që kishte përfituar ryshfet u dënua me burg, ndërsa kontrata e koncesionit me SICPO u prish. Por Brazili nuk është rasti i vetëm, ku kompania zviceriane është përfshirë në korrupsion. Në Kenia, ku kompania ka marrë menaxhimin e gjurmimit të mallrave të akcizës, ajo është akuzuar për kërcënim të sigurisë kombëtare dhe vjedhje në shuma të mëdha.

Koncesioni i ilaçeve

Qeveria shqiptare ka dërguar një projektligj në Parlament, i cili i jep kompanisë SICPA koncesionin monopol të vendosjes së pullave fiskale mbi ilaçet. Por çfarë parashikon ky koncesion. Sipas projektit, kompania do të vendosë pullat mbi çdo ilaç që qarkullon në territorin e Shqipërisë. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, aktualisht në Shqipëri konsumohen 40 milionë copë barna në vit. Çmimi aktual që paguhet për pullën fiskale është 0.3 lekë për copë dhe këto të ardhura i shkojnë buxhetit të shtetit. Por me miratimin e koncesionit, çmimi do të rritet me mbi 30 herë, duke arritur 70 euro për 1 mijë copë, ose 9.3 lekë për copë.
Projeksionet e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se, konsumi i pritshëm i barnave pritet të arrijë shumë shpejt në 60 milionë copë në vit. Kjo do të thotë se, përmes koncesionit qeveria po i jep kompanisë SICPA një biznes prej 560 milionë lekë ose mbi 5 milionë dollarë në vit. Por përveç tarifës së pullës, kompania do të arkëtojë miliona lekë të tjera edhe nga shitja e lexuesve të bar-kodeve. Tre mijë farmacitë që ekzistojnë aktualisht në Shqipëri do të jenë të detyruara me ligj të blejnë nga kompania aparatet e posaçme, të cilët do të lexojnë bar-kodet e pullave fiskale të vendosura mbi ilaçet.
Bëhet fjalë për një koncesion me vlerë qindra milionë euro, para që do të paguhen nga qytetarët e sëmurë shqiptarë, të cilat qeveria po ja jep me ligj një kompanie të përfshirë në afera të rënda korruptive gjithandej nëpër botë.
Aktualisht çmimi i pullës fiskale është 6 lekë për pullë, qeveria ka vendosur ta ndryshojë çmimin në 2,4 për qind të çmimit. Kjo do të thotë se do të rritet çmimi i pullës fiskale për çdo bar më të shtrenjtë se 240 lekë. Për barnat e shtrenjta, çmimi i pullës do të rritet në mënyrë të ndjeshme deri në dhjetëra herë. Kjo rritje do të çojë patjetër në rritjen e çmimit të barnave dhe nëse kemi parasysh përvojën e mëparshme, rritja do të jetë më e madhe se rritja e çmimit të pullës, raporton “Exit”.
Ndikimi më i madh do të jetë për pensionistët, të cilët jo vetëm harxhojnë më shumë barna se të tjerët, por janë gjithashtu shtresa me të ardhura më të pakta. Qeveria e justifikon ndryshimin e çmimit me ndryshimin e llojit të pullës që do të përdoret-pullës do t’i rritet sistemi i sigurisë. Por, pas këtij justifikimi, fshihen shkelje flagrante të ligjit që përbëjnë një skandal të pastër.
Tani qeveria po ndërmerr një hap krejtësisht të paligjshëm, duke ndryshuar një kontratë koncesionare në mënyrë të paligjshme. Ndryshimi i çmimit të pullës cënon krejtësisht konkurrencën, legjitimitetin dhe ligjshmërinë e konkurrimit për dhënien e koncesionit: është skandal që fituesi të përzgjidhet në bazë të çmimit më të ulët dhe pas përzgjedhjes, fituesit të lejohet të aplikojë një çmim më të lartë.
Skandali është më i vjetër sesa ndryshimet e fundit: në vitin 2011 koncesionari e fitoi konçesionin, duke ofruar çmimin 2,4 lekë për pullë; por në vitin 2013 qeveria, në mënyrë të pashpjegueshme dhe me gjasa korruptive, e rriti çmimin në 6 lekë, gati tre herë më të lartë. Kjo është një rritje skandaloze në më pak se dy vjet, pasi konçesionari kishte marrë përsipër ta ofronte pullën me çmimin prej 2,4 lekë.

Nga 200 mijë euro në vit, me formulën e re koncesionari do përfitojë 5.3 milionë euro

Nëse qeveria justifikohet se do të ndryshojë llojin e pullës fiskale të barnave që do përdoret ç’ka është e paqartë dhe shumë e dyshimtë, nëse është e vërtetë–ajo duhet të zhvillojë një procedurë të re koncesionare, pasi bëhet fjalë për një produkt tjetër nga ai i koncesionit fillestar dhe jo të ndryshojë kontratën ekzistuese.
Por skandali më i madh është vendosja e çmimit të pullës si përqindje dhe jo me vlerë fikse. Edhe pse kostoja e pullës dhe e shërbimit të monitorimit të saj është fikse, çmimi i pullës do të ndryshojë në varësi të çmimit të barit. Aktualisht të ardhurat e kompanisë nga pulla fiskale për barnat janë rreth 200 mijë euro në vit. Ndërsa me formulën e re koncesionari do të marrë rreth 5, 3 milionë euro.
Skandali thellohet, pasi me ndryshimet e reja të bëra nga qeveria, koncesionarit i garantohet kjo shumë edhe nëse vlera e tregut farmaceutik në vend bie nën vlerën aktuale prej 128 milionë euro në vit. Ndryshe nga më parë, kur pagesën e pullës fiskale e bënin vetë importuesit apo prodhuesit e barnave, kontrata e re e propozuar nga qeveria parashikon që pagesa e koncesionarit do t’i bëhet nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Kontrollit të Pajisjeve. Koncesionarit kontrata e re i jep të drejtën të ndërpresë furnizimin me pulla fiskale për barnat, nëse Agjencia Kombëtare e Barnave nuk i paguan atij të gjitha faturat. Koncesionari nuk mban asnjë përgjegjësi për pasojat e këtij bllokimi. Kontrata, madje nuk i njeh koncesionarit asnjë përgjegjësi për vonesa apo probleme të shkaktuara prej vetë tij në përmbushjen e detyrimeve të kontratës, të cilat, në fakt, ndikojnë në ecurinë e tregut të barnave në vend.
Çfarëdo që të ndodhë, sido që të punojë, koncesionari ka të garantuar pagesën e tij dhe nuk ka asnjë detyrim tjetër. Në të vërtetë, të gjitha të dhënat të bëjnë të besosh se ndryshimi i kontratës, i lënë qëllimisht për ditën e fundit të sesionit të Kuvendit për vitin 2016, është bërë për përfitime klienteliste dhe korruptive.

Të karikuar për eliminatoret

19-vjeçarët kuqezi janë gati për eliminatoret e Euro 2018 që do të zhvillohen në Finlandë. Skuadra e drejtuar nga Erjon Bogdani ka nisur përgatitjet në Durrës për tri ndeshje të rëndësishme, fillimisht me Ukrainën dhe më pas me Norvegjinë dhe Malin e Zi. Rama dhe Berisha zbresin në fushë, sigurisht jo ata të politikës, por të futbollit sepse në konferencën e shtypit, Bogdani preferoi të përzgjidhte dy nga lojtarët simbol të kësaj skuadre.
Kapiteni Rezart Rama shprehet i gatshëm për të përballuar me sukses këto tri sfida. Ai është optimist dhe shton se miqësoret me Gjeorgjinë e kanë ndihmuar skuadrën të konsolidohet edhe më shumë. Shqipëria sfidon Ukrainën në “Selman Stermasi” dhe kapiteni kërkon mbështetjen e tifozëve. “Duhet të vijnë të gjithë tifozët të na mbështesin sepse janë lojtari i 12 në fushën e lojës”, tha Rezart Rama.
Në vijim të konferencës së shtypit, mbrojtësi përqendrohet te aventura e tij te Olympiacos, duke e pranuar se ish-trajneri i bardhekuqve, Besnik Hasi i ka dhënë një ndihmë të madhe. “Firmosa me Olympiacos, jam shumë i gëzuar dhe duhet ta tregoj në fushën e lojës sepse kontrata nuk do të thotë shumë nëse nuk shprehem në fushë. Hasi na ka ndihmuar, ishte trajner shumë i mirë”.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe mesfushori Elvi Berisha, sipas të cilit, grupi i bashkuar kuqezi mund t’ia dalë mbanë në këto tri ndeshje.
Berisha: “Mendoj se janë tri ndeshje shumë të vështira, por kjo nuk do të thotë se kundërshtarët janë më të mirë. Kemi një grup të mirë lojtarësh dhe do të japim maksimumin. Nuk na intereson cila skuadër është në fushë, për ne janë të gjithë të barabartë dhe duhet të marrim maksimumin nga çdo ndeshje”.
Gjatë merkatos së verës, ish-lojtari i Tiranës ka nisur një aventurë të re në Spanjë me Leganes dhe ai e pranon se kjo është një sfidë personale që duhet fituar për t’u rritur si lojtar. “Leganes është një aventurë e fortë, atje ndjehem mirë sepse është ekip i madh dhe shpresoj të jem sa më shpejt pjesë e ekipit të parë. Kur luan në Spanjë është shumë pozitive”, tha ai.