21.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Afera ruse e uraniumit që prek Obamën dhe Hillarin

John Solomon, Alison Spann

Administrata Obama është përfshirë në një marrëveshje të debatueshme në vitin 2010, duke i dhënë Moskës kontrollin mbi një sasi të madhe të uraniumit amerikan, madje FBI-ja ka mbledhur prova të shumta që tregojnë për zyrtarë të industrisë bërthamore të Rusisë të implikuar në afera korruptimi, rryshfetesh, zhvatjesh dhe pastrimit të parave në përpjekje për të rritur biznesin e energjisë bërthamore të Vladimir Putnit brenda Shteteve të Bashkuara, sipas dokumenteve qeveritare dhe intervistave me zyrtarë të lartë.
Sipas dokumenteve të FBI-së dhe gjykatës, agjentët federalë kanë përdorur dëshmitarë konfidencialë amerikanë që punonin brenda industrisë bërthamore ruse për të mbledhur të dhëna të shumta financiare, për të bërë regjistrime të fshehta dhe për të interceptuar e-maile të hershme që tregonin se, Moska kishte kompromentuar kompanitë amerikane të uraniumit me rryshfete në shkelje të Aktit të Praktikave Korruptive të Jashtme.
Ata kanë arritur të përftojnë edhe dëshminë e një dëshmitari okular – të mbështetur edhe nga dokumentat – që tregon se zyrtarët rusw të energjisë bërthamore kanë sjellë miliona e miliona dollarë në Shtetet e Bashkuara të kanalizuara përmes fondacionit të bamirësisë së ish-presidentit Bill Clinton, gjatë kohës kur Hillary Clinton shërbente në administratën qeveritare si Sekretare e Shtetit për t’u siguruar që të merreshin vendime që favorizonin Moskën. Natyrisht, skema korruptive është zhvilluar me miratimin e nivelit më të lartë të qeverisjes në Rusi, sipas dëshmisë nën betim të një agjenti vite më pas.
Në vend që të lëshonte akuza konkrete për aferën e vitit 2010, Departamenti i Drejtësisë ka vazhduar hetimin për më shumë se katër vite të tjerë, praktikisht duke mos informuar kongresin dhe publikun amerikan për aktivitetin korruptiv të Rusisë në territorin e Shteteve të Bashkuara gjatë një periudhe kur administrata Obama ka marrë dy vendime të mëdha që kanë favorizuar ambicjet komercionale bërthamore të Putinit.
Vendimi i parë është marrë në tetor të vitit 2010, kur Departamenti i Shtetit dhe agjencitë qeveritare në Komitetin e Investimeve të Huaja në Shtetet e Bashkuara kanë miratuar me votë unanime shitjen e pjesshme të kompanisë kanadeze të minierave “Uranium One” tek gjiganti i energjisë bërthamore të Rusisë “Rosatom”, duke i dhënë kështu Moskës kontrollin e mbi 20 për qind të uraniumit amerikan. Kur kjo shitje u bë publike nga fushata e Presidentit Trump përpara zgjedhjeve presidenciale, zëdhënësi i Hillary Clinton tha se ajo nuk ishte e përfshirë në shqyrtimin e komitetit dhe pretendoi se një zyrtar i Departamentit të Shtetit kishte deklaruar se ish-Sekretarja e Shtetit nuk ka ndërhyrë në çështjet e investimeve të huaja të komitetit.
Në vitin 2011, administrata Obama i dha miratimin nënkontraktuesit të Rosatom, Tenex, që të shiste uranium komercial tek centralet bërthamore të Shteteve të Bashkuara në partneritet me “United States Enrichment Corp”. Më parë, Tenex, i kishte shitur centraleve amerikane vetë, uranium të ripërpunuar, i cili përftohej nga shpërbërja e armëve bërthamre sovjetike sipas programit të paqes në viteve 1990 Megatonë në Megavatë.
“Rusët janë duke korruptuar kontraktorët amerikanë në industrinë bërthamore me rryshfete dhe kërcënime për zhvatje, gjë që ka ngritur shumë shqetësime legjitime lidhur me sigurinë kombëtare. Asnjë prej këtyre provave që janë marrë vesh përpara aferës së vitit 2010, nuk janë bërë publike përpara se administrata Obama të merrte vendimet që favorizonin biznesin rus”, deklaron një agjent që ka punuar me këtë çështje, i cili flet në kushtet e anonimatit nga frika e zyrtarëve amerikanë dhe rusë. Vendimi i administratës Obama për të miratuar blerjen e Uranium One nga Rosatom ka qenë në qendër të debateve politike që në vitin 2015.
Kjo ka qenë edhe koha kur Peter Schëeitzer, reporter i “New York Times” ka dokumentuar se si Bill Clinton ka mbledhur qindra mijëra dollarë nga gjobat ruse dhe fondacioni i tij i bamirësisë ka mbledhur miliona e miliona nga donacionet e palëve të interesuara për këtë marrëveshje kryenin gjatë kohës që Hillary Clinton ishte në krye të Komitetit të Invetimeve të Huaja në Shtetet e Bashkuara. Administrata Obama dhe çifti Clinton i mbronin veprimet e tyre në atë kohë, duke pretenduar se nuk kishte asnjë provë që rusët apo donatorët e ndryshëm kishin bërë ndonjë shkelje dhe se nuk ekzistonte asnjë arsye që burton nga siguria kombëtare që të pengojë marrëveshjen e Uranium One në komitet.
Por dokumentet e FBI-së, Departamentit të Energjisë dhe të Gjykatës tregojnë se FBI-ja ka mbledhur prova të mjaftueshme shumë kohë përpara vendimit të komitetit se Vadim Mikerin, rusi që qëndron në krye të fushatës së Putinit për ekspansionin bërthamor brenda Shteteve të Bashkuara – kishte kohë që kryente shkelje nga më të ndryshmet në territorin amerikan.
Eric Holder, Prokurori i Përgjithshëm në atë kohë, ka qenë një nga zyrtarët e administratës Obama që iu bashkua Hillary Clintonit në Komitetin e Investimeve të Huaja në kohën kur është miratuar marrëveshja e Uranium One. Shumë zyrtarë aktualë dhe të tjerë të asaj kohe kanë raportuar se nuk e dinin nëse FBI-ja apo Departamnenti i Drejtësisë kishin paralajmëruar anëtarët e komitetit për aktivitetin kriminal që ishte zbuluar. Në lidhje me këtë çështje, zëdhënësi i Holder dhe Clinton nuk i është përgjigjur telefonatave për të komentuar. As Departamenti i Drejtësisë nuk ka dashur të komentojë për momentin.
Mikerin ka qenë drejtuesi i Tenex të Rosatomit në Moskë që në fillim të viteve 2000, ku ka mbikëqyrur bashkëpunimin bërthamor me Shtetet e Bashkuara sipas programit Megatonë në Megavatë dhe shitjes së uraniumit komercial tek shtetet e tjera. Në vitin 2010, Mikerin u transferua në Shtetet e Bashkuara me vizë punë të miratuar nga administrata Obama për të hapur degën e re amerikane të Rosatom të quajtur Tenam.
Ndërmjet viteve 2009 dhe janarit të vitit 2012, Mikerin “…është angazhuar me qëllim dhe aktivisht në aktivitete konspiracioni dhe ka rënë dakord me persona të tjerë për të penguar, vonuar dhe influencuar tregtinë dhe lëvizjen e lirë të uraniumit të pasuruar në tregti përmes zhvatjes”, thuhet në një padi kundër tij në nëntor të vitit 2014.
Sjellja e tij e paligjshme është evidentuar falë një dëshmitari konfidencial, një biznesmen amerikan, i cili filloi të jepte rryshfete nën udhrin e Mikerinit dhe me leje nga FBI-ja, si agjent i infiltruar. Pagesa e parë korruptive e regjistruar nga FBI mban datën 27 nëntor 2009.
Në dëshmitë e firmosura në vitin 2014 dhe 2015, një agjent i Departamentit të Energjisë i emëruar për të asistuar FBI-në në çështje, dëshmoi se Mikerini ishte mbikëqyrësi i “skemës mashtruese” që përfshinte zhvatje, korrupsion, pastrim parash dhe rryshfete që miratoheshin dhe ofronin përfitime të shumta për zyrtarë të lartë të Rusisë. “Si pjesë e kësaj skeme, Mikerin, me miratimin e zyrtarëve të lartë në Tenex dhe Rosatom (të dy entitete shtetërore ruse), ofronte kontrata pa tender për bizneset amerikane në shkëmbim të ryshfeteve që paguheshin në llogari bankare përetj detit”, dëshmoi agjenti David Gadren. “Në atë kohë, mendohet se Mikerin i ndante përfitimet me bashkëpunëtorë të tjerë në Rusi”, vazhdon agjenti.
Ndërkohë, çështja e industrisë bërthamore ruse rezultoi një minierë ari e vërtetë, pasi zbuloi aparatin e pastrimit të parave që kanalizonte rryshfete përmes instrumenteve financiare në Qipro, Letoni dhe ishujt Seychelles. Një financiar rus në New Jersey ishte ndër të arrestuarit për pastrim parash, sipas të dhënave të Gjykatës. Rasti nxorri në pah edhe rrezikun e sigurisë kombëtare që administrata Obama mohonte: Mikeri i kishte ofruar një kontratë transporti një kompanie të quajtur Transport Logistics International, e cila kishte punën e rrezikshme të transportimit të uraniumit rus nëpër territorin amerikan. Kontrata është ofruar në këmbim të një rryshfeti prej më shumë se 2 milionw dollarësh nga ekzekutivët e kompanisë. Një nga ish-punonjësit e Mikerinit ka thënë për FBI-në se zyrtarët e Tenex në Rusi kërkon specifikisht që të kryhej kjo skemë dhe të aplikoheshin çmime të fryra për të përfshirë edhe rryshfetet, dëshmuan agjentët në Gjykatë.
Zbërthimi i nje skeme të tillë korrupsioni që buronte nga nivelet më të larta të qeverisë ruse dhe që përfshinte asetet e transportit të materialit të rrezikshëm të uraniumit në Shtetet e Bashkuara, duke lehtësuar gjithashtu edhe pastrimin ndërkombëtar të parave, do të ishte një arritje e jashtëzakonshme për çdo agjenci të zbatimit të ligjit. Megjithatë, Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-ja vendosën të mos merrnin asnjë meritë në vitin 2014 kur Mikerin, financiari rus dhe ekzekutivët e kompanisë së transportit u arrestuan dhe dënuan.
E vetmja deklaratë publike u bë vetëm një vit më pas kur Departamenti i Drejtësisë lëshoi një deklarartë për shtyp në gusht të vitit 2015. Deklarata theksonte se disa të pandehur kishin rënë dakord për marrëveshje. Në atë kohë, çështja kriminale kundër Mikerinit ishte ngushtuar në një akuzë të vetme, atë të pastrimit të parave, për një skemë që zyrtarët pranuan se ishte zhvilluar gjatë viteve 2004-2014. Edhe pse agjentët kishin prova të shkeljeve të mbledhura të paktën që në vitin 2009, prokurorët federalë vendosën të mos i përmendnin dhe të mos bëhej lidhja me vendimet e rëndësishme qeveritare.
Vendimi i Gjykatës nuk përmendi as lidhjen me bisedat që FBI-ja kishte zbuluar nga informatorët që kishin dëshmuar për zyrtarët bërthamorë rusë, të cilët përpiqeshin përmes rryshfeteve të afroheshin me çiftin Clinton edhe pse agjentët kishin mbledhur dokumente që tregonin transferimin e miliona dollarëve nga industria bërthamore ruse drejt enitetit amerikan që kishte ofruar asistencë për fondacionin e Bill Clinton. Mungesa e publikimit të fakteve ka lënë në errësirë jo vetëm publikun amerikan, por edhe disa prej aktorëve kryesorë të kongresit.
Ish-republikani Mike Rogers, i cili drejtonte Komitetin e Inteligjencës gjatë kohës që FBI-ja zhvillonte hetimet tha se nuk i është thënë asgjë për rastin e aferës korruptive me Rusinë edhe pse shumë politikanë të tjerë kishin shqetësime serioze për vendimin e administratës Obama në lidhje me marrëveshjen e Uranium One.
“Fakti që informacione të tilla të rëndësishme nuk ofrohen përpara se të merren vendime të tilla, tregon se interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara janë shkelur nga vetë personat që janë përgjegjës për t’i mbrojtur ato”, tha ai. “Përpjekjet e Rusisë për të manipuluar politikën amerikane janë më tepër nga sa imagjinonim”.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Po përfundon hegjemonia gjermane?

“Në Gjermani nuk po kthehen nazistët, nuk ka asnjë nostalgji ndaj atyre kohërave, askush nuk e vë në dyshim ekzistencën e holokaustit, nuk janë antisemitë. Ndoshta mund të ketë ndonjë element që jeton forma individuale nostalgjie, por problemi është më i vështirë dhe më i thellë. Ata thonë: “Mjaft më me kulturën e fajit!”. Ai që flet kështu është Gian Enrico Rusconi, një prej njohësve më të mëdhenj të sistemit politik të Gjermanisë dhe i zhvillimeve që po përjeton identiteti gjerman. Historian, sociolog dhe filozof, ka qenë Drejtor i Institutit të Historisë italo–gjerman në Trento. Sot është Profesor i Merituar në Universitetin e Torinos, Visiting Profesor pranë Freie Universitaet të Berlinit dhe editorialist në të përditshmen “La Stampa”

-Profesor Rusconi, thuajse një muaj pas zgjedhjeve, Gjermania nuk ka arritur akoma të formojë një koalicion qeverisës. Drejt cilëve skenarë po shkojmë të ndeshemi?
Në ditët e sotme nuk ka siguri, është i mundur formimi i koalicioneve të ndryshme. Dhe kjo, në vetvete, është një element risie. SPD-ja ka dalë jashtë Grosse Koalition, duke bërë të mungojë aksi i rëndësishëm mbi të cilin mbështetej stabiliteti gjerman që i mundësonte Merkel të perceptohej si hegjemone në Europë dhe në gjithë skakierën ndërkombëtare. Duke u cunguar Grosse Koalition, mungon nyja qendrore që i garantonte stabilitet dhe vijueshmëri sistemit gjerman. Alternativa më e mundshme ndaj tij duket se është një qeveri ku CDU–CSU të bëhen aleatë me të Gjelbërit dhe Liberalët, dy parti të vogla, që papritmas do të gjendeshin në pozitën që mund të ndikojnë thellësisht në politikën gjermane dhe europiane. Kjo do të gjeneronte një çekuilibër me rezultate të paparashikueshme. Merkel do të ishte e shantazhueshme nga dy realitete të vogla dhe me perspektiva të ndryshme midis tyre. Do të arrijë Kancelarja të pajtojë rreptësinë ekonomike që duan liberalët me fleksibilitetin e dëshiruar nga të Gjeblërit? Si të sintetizohej pastaj vullneti i bavarezëve të CSU-së për të mbyllur kufijtë me idetë e mikpritjes së të Gjelbërve? Me pak fjalë, zgjedhjet kanë konfirmuar tashmë se është në zhvillim një ndryshim i thellë pavarësisht se çfarë qeverie do të formohet. Merkel dhe në përgjithësi i gjithë sistemi gjerman i stabilitetit dalin të dobësuar. Dhe ekzistojnë të gjitha premisat që hegjemonia gjermane të pushojë së qeni e tillë.

-Prej kohësh tashmë ju flisni për hegjemoninë gjermane si një hegjemoni të cënueshme. Nëse kjo hegjemoni do të mungonte apo të reduktohej ndjeshëm, sigurisht që nuk do të ishte për shkak të këtyre zgjedhjeve, por që në të vërtetë do ishte simptoma…
Të flisje për hegjemoni gjermane do të thoshte të flisje për stabilitetin e Gjermanisë në brendësi të një skakierë ndërkombëtare shpesh jo e qëndrueshme. Stabiliteti i brendshëm, që Merkel është treguar shumë e aftë ta administrojë, i jepte Berlinit respektin dhe vëmendjen e të gjithë partnerëve të mëdhenj të botës. Në fakt, ishte Merkel ajo që bënte traktativa në emër të Europës në rastin e Marrëveshjes së Minskut. Ishte Gjermania që konsiderohej nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia si element stabiliteti në Europë. Ideja e hegjemonisë gjermane i mundësonte Gjermanisë, megjithëse ngurruese për të qenë e identifikueshme si guidë për shkak të raporteve delikate me historinë e vet, të ishte vendi referues dhe që të mund të ndikonte thellësisht në të gjitha vendimet që i përkisnin në nivel ndërkombëtar. Zgjedhjet i kanë dhënë një goditje këtij koncepti. Nëse një vit më parë, flisja për dobësi gjermane, sot do ta shkruaja me gërma të mëdha. Çfarë hegjemonie mund të garantohet prej një koalicioni i shantazhueshëm nga dy parti të vogla dhe të paparashikueshme? Çfarë ekuilibri do të mund të garantojë një Merkel jo e zënë më nga moderimi midis Weidmann dhe Schaeuble, por nga ai midis pakicave që propozojnë vizione ekzistenciale antietike? Çfarë stabiliteti do të mund të ketë pas SPD-më, e cila ka qenë gjithmonë aleati kryesor dhe luajal i qeverisë së Kancelares? Pastaj, largimi i socialdemokracisë nga Grosse Koalition sjell një element të ri të mëtejshëm risie dhe jostabiliteti potencial: për herë partia e dytë dhe e tretë kombëtare gjenden në opozitë, nga e majta SPD-ja dhe nga e djathta Alternativa fuer Deutschland. Një opozitë rigoroze nga ana e këtyre dy subjekteve politike mund ta vinte Merkelin në vështirësi të vërtetë dhe ta transformonte atë që më parë ishte dobësi në një përfundim në kuptimin e vërtetë të fjalës të hegjemonisë së saj. Qysh në këtë stad mund të themi se me dy opozita të kualifikuara si këto, Merkeli nuk do të mund të promovonte më politikën e saj të ekuilibrit, prandaj merkelizmi për ashtu siç e kemi njohur deri më sot ka marrë fund.

-Në terma numerikë, SPD-ja ka qenë humbësja e madhe e zgjedhjeve të fundit. Bëhet fjalë për një krizë specifikisht gjermane apo është e inkuadrueshme në vështirësitë e përgjithshme e socialdemokracive në botën perëndimore?
Të dyja gjërat. Shekulli i socialdemokracisë ka mbaruar dhe cikli i madh europian i tij ka përfunduar. Por në këtë moment krize të thellë të SPD-së, Martin Schulz në mënyrë krejt paradoksale ka mundësinë që të bëjë partinë realitetin e vetëm socialdemokrat që do të mbijetojë në Europë. Duke dalë jashtë nga Grosse Koalition dhe duke u paraqitur si antagonistja më e fortë ndaj mazhorancës, SPD-ja është në gjendje ta vërë në vështirësi Merkelin, të minojë hegjemoninë e saj dhe të rivendikojë kështu centralitetin e saj politik. Kalimi i saj në opozitë ka shërbyer për të shpëtuar identitetin e partisë, nëse do të ketë kurajën për t’u mos u tërhequr më nga Kancelarja dhe të kalojë të jetë përfundimisht një opozitë rigoroze, i ka të gjitha kartërat për t’u bërë spiranca e shpëtimit e të gjithë të Majtës europiane. Me socialistët francezë në krizë siç janë tani dhe paaftësinë italiane për të ndikuar, SPD-ja është e vetmja që mund të bëjë diferencën.

-Veçantia e së Majtës gjermane është e lidhur edhe me trashëgiminë e RDGJ-së. Gjermania është vendi i vetëm në Europë që ka parë të rritet në gjirin e tij një e Majtë me dy shpirtëra: një Perëndimore dhe Liberale në Perëndim, një sovjetike komunitariste në Lindje. Sot feude të shumë të kuqe të pjesës Lindore të vendit votojnë masivisht për të djathtën e Alternative fuer Deutschland. Paradoksalisht, vështirësinë e së Majtës duket se i detyrohen trashëgimisë sovjetike…
Që shtresa të konsiderueshme të elektoratit në ish territoret e RDGJ-së kanë nisur të votojnë djathtas është një fakt tashmë i provuar. Por në ato zona SPD-ja nuk ka qenë kurrë kushedi se çfarë e rëndësishsme për shumë arsye: në radhë të parë se arkitekti i ribashkimit që Helmut Kohl i CDU-së, për të cilën shumë gjermanë të Lindjes ndjejnë një formë mirënjohjeje; në radhë të dytë, socialdemokracia duhet të ndeshet në territor me konkurrentë të rëndësishëm me të cilën konteston elektoratin referues: të majtën radikale të Lindje, promovon tematika të dashura për të dikur identifikohej në RDGJ, dhe të djathtën e Alternative fuer Deutschland. Mbështetja ndaj këtyre forcave dëshmon nostalgjinë identitare e përhapur në këto zona, e ushqyer nga emergjenca migratore, që kufizon afirmimin e SPD-së si një alternativë të besueshme.

-Rritja e Alternative fuer Deutschland është një tjetër element i madh risie dhe me jostabilitet potencial për sistemin gjerman. Shumë i akuzojnë parti të tilla se janë neonaziste, por në të vërtetë realiteti është shumë më i brishtë. Asnjëra prej tyre nuk propozon të rivlerësohet nacionalsocializmi, por të tejkalohet ndjenja e fajit për krimet e kryera nga nazistët. Një ndjenjë faji, siç keni shkruar shumë ju, mbi të cilin të ngrihet identiteti i Gjermanisë bashkëkohore.
Kjo është saktësisht pika kryesore. Nuk po kthehen nazistët, partia nuk promovon kurrfarë forme nostalgjie ndaj atyre kohërave, askush nuk e vë në dyshim ekzistencën e holokaustit, nuk janë antisemitë. Ndoshta mund të ketë ndonjë element në parti që përjeton forma individuale nostalgjie, por çështja është më e vështirë dhe më e thellë. Ata thonë: “Mjaft me kulturën e fajit! Kemi gabuar, e kemi paguar, tani duhet të pushojmë së ndjeri në borxh me njerëzimin për atë që është kryer më shumë se 70 vite më parë. Një tezë kjo që ishte përhapur nga historiani Eernst Nolte në vitet ’80 dhe që tejkalon vizionin klasik e së djathtës moderne, duke propozuar një normalizim të raporteve me të kaluarën e vet siç është bërë nga popuj të tjerë. Fjala kyçe për të kuptuar atë që po ndodh është “Volk”, popull. Gjatë manifestimeve kundër Merkelit, pjesëmarrësit thërrisnin “Wir sind das Volk”, Ne jemi populli, i njëjti slogan me atë që në 1989 marshonte kundër RDGJ-së. Merkeli akuzohet se është një “Volksverraeterin”, një tradhtare e këtij populli. Referimi i vazhdueshëm ndaj konceptit të popullit na çon në një botë që i paraprin nacionalsocializmit: është një rikthim në tematikën etno–kulturore dhe voelkisch që shprehet në romanticizmin e vonshëm të tetëqindës dhe mbi të cilin më pas marshoi nacionalsocializmi. Elementi i madh i risisë nuk është afirmimi i neonazistëve, gjë jo e vërtetë, por prania brenda Bundestagut e njerëzve që vënë në diskutim përpunimin e ndjenjës së fajit për holokaustin dhe, për pasojë, rrënjët e vetë identitetit të sotëm gjerman.

-Mendojnë se këtyre tematikave mund t’u shpëtojnë dimensioni i partisë dhe zgjerimi në të gjithë shoqërinë? Besoni se Alternative fuer Deutschland do të vazhdojë t’i bjerë tastës identitare edhe tani që është në Parlament?
Mendoj se nuk mund të shkojnë shumë përtej asaj që tashmë nuk po e bëjnë. Dhe kjo për çështje politike shumë praktike. Rimendimi i së kaluarës gjermane i ka sjellë shumë konsensuse, duke dëshmuar sesi një temë e tillë ndjehet nga pjesë të rëndësishme të popullsisë dhe ka mbetur e fshehur për një kohë të gjatë. Por tani duhet të ndeshen me realitetin ndërkombëtar. Nëqoftëse do të vazhdonin ta vinin në dyshim çështjen e fajit gjerman edhe në planin europian, do të armiqësonin të djathtat e vendeve të Europës Lindore, sidomos atë të polakëve. Duke rihapur çështje të lidhura me të kaluarën rrezikohet që të rihapen edhe kontestimet territoriale midis Gjermanisë dhe Polonisë. Alternative fuer Deutschland është e lidhur me të djathtat e Europës Lindore, për sa u përket kritikës ndaj euros dhe refuzimit të emigracionit masiv, kështu që u duhet të bëjnë një zgjedhje anësie: të privilegjojnë ose çështjen e raporteve me të kaluarën, ose çështjet politike dhe gjeopolitike aktuale, por unë mendoj se do të zgjedhin të dytën. Një rivlerësim i nazizmit është i pamendueshëm, pasi do të mobilizonte amerikanët. Nazizmi mbetet i paparaqitshëm dhe Hitleri e Keqja Absolute. Çështja e identitetit gjerman është përdorur për qëllime politike, por unë nuk kam parë ndonjë intelektual me peshë që t’i kanalizonte këto tema jashtë këtij konteksti. Të kuptohemi, nuk shikoj ndonjë Ernest Nolte të ri.

-Shumë vende të Europës Lindore, që ju i keni cituar, po çlirohen nga Europa me drejtim gjerman dhe po i shkelin syrin Rusisë së Putinit. Fundi i hegjemonisë gjermane do të ndryshonte edhe raportet me Moskën?
Sigurisht që po. Deri më sot, Gjermania ka qenë vendi referues për Rusinë. Kur Putini shikon nga Europa, shikon nga Berlini dhe nga ai stabilitet që garantonte. Pa stabilitet, kjo do të ndryshonte. Merkel nuk do të kishte më lirinë e lëvizjes që ka pasur deri më tani, nuk do të mund të ishte më protagoniste e traktativave europiane me Rusinë, me Francën që do të shërbente vetëm si shpatull. Në këto terma varet shumë edhe si do të sillet Macron. Në çdo rast dobësia gjermane Franca mund të rivendikonte një formë të re protagonizmi në Europë. Nga ana e tij, Putini ka në duar karta fituese. Në radhë të parë vullnetin e vendeve të Europës Lindore për t’u afruar me të, gjë që mund ta shtynte për t’i futur në sferën e tij të influencës; por pastaj janë sidomos interesat materiale ato që lidhin Gjermaninë me Rusinë, sidomos për sa u përket gazsjellësve. Le të kujtojmë se Gjermania është ndërmjetësi i shpërndarjes së gazit natyror rus në Europë, një largim i saj nga Moska mund të ketë efekte të rënda në ekonominë gjermane. Në këtë kontekst do të ishte interesante sesi do të lëvizte SPD-ja, e cila është historikisht e lidhur me Rusinë. Humbja e hegjemonisë së Merkelit mund ta shtyjë Gerhard Schroeder të rivendikojë trashëgiminë e Ostpolitike të Willy Brandt dhe të intensifikojë bashkëpunimin me Kremlinin, duke u paraqitur kështu si një partner i ri i domosdoshëm për Putinin dhe një konkurrent i denjë i Merkelit. Duke i dhënë pastaj një kurs të ri të Majtës europiane.

Intervistoi: Luca Steinmann për “Huffington Post”

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Ka zgjim politik, qytetet në lëvizje

Ognjan Georgiev

Në vitin 2006 matematikani rumun Nicușor Dan është kthyer në Bukuresht, pasi ka studiuar me vite jashtë vendit dhe ka mbetur i goditur negativisht nga pamja e qytetit të tij të lindjes. Kështu që ka vendosur të impenjohet për ruajtjen e ndërtesave të vjetra të qytetit dhe ka themeluar një lëvizje të vogël, që me kalimin e kohës ka marrë emrin “Salvaţi Bucureştiul” (Shpëtoni Bukureshtin). Gjashtë vite më pas, kandidat për kryebashkiak, Dan ka dalë i treti dhe në 2016 lëvizja e tij është transformuar në parti, Uniunea Salvaţi Romania (Bashkimi Shpëtimi Rumaninë), që ka siguruar disa vende në Parlamentin rumun. Në 2007, 1700 kilometra largësi, në qytetin polak Poznań, një grup banorësh të lagjes “Rataje”, të lodhur nga shfaqjet vazhdimisht të ndërtesave të reja rreth banesave të tyre, ka nisur një betejë për të siguruar krijimin e një parku publik në zonë. Tri vite më pas, aktivistët janë bashkuar në një parti që ka siguruar 10% të votave në zgjedhjet vendore. Në 2014, ndërkohë e shndërruar në “Aleanca e Lëvizjeve Civile”, kjo lëvizje ka arritur të zgjedhë këshilltarë bashkiakë të ndryshëm në shumë qytete të ndryshme polake dhe deri edhe një kryebashkiak. Në qytetet e së ashtuquajturës Europë e re, lëvizjet civile janë në rritje konstante dhe kërkojnë që të imponojnë bonsensin e qytetarëve në kontekste politike gjithnjë e më konfuzë. Fenomeni ka të bëjë edhe me Bullgarinë: në muajt e fundit mobilizimet e popullsisë kanë siguruar disa suksese të rëndësishme. Referendum që në qytetin Tran, ka penguar hapjen e një miniere floriri, konsultimi popullor me të cilin banorët e Stara Zagora kanë kërkuar krijimin e një parku publik dhe protestat kundër ndërtesave të larta që duhet të ngrihen në lagjen Mladost në Sofje ndoshta nuk janë ngjarje me përmasa të mëdha, por sigurisht që janë pjesë e një tendence më të gjerë: zgjimit politik të qytetarëve, bashkuar me pakënaqësinë për mjedisin ku jetojnë.
Këto iniciativa, fillimisht të damkosura si “veprime të çorganizuara” apo “beteja lokalësh me interes të pakët”, demonstrojnë në fakt se shoqëria civile është gjithnjë e më e vendosur dhe e vetëdijshme. Gjatë viteve ’90, iniciativat civile frymëzoheshin nga modeli i OJQ-ve, i importuar nga jashtë. Ky lloj aktivizmi ka arritur rezultate të rëndësishme, por nuk ka arritur të lindë mobilizime lokale në mbështetje të kauzave të përbashkëta. Frustrimi që ka pasuar ka qenë aq i madh se që deri në artikujt akademikë ka zënë vend bindja se në vendet e Europës Lindore aktivizmi i qytetarëve është pashmangshmërisht një fenomen i parëndësishëm.
Megjithatë, me kalimin e kohës është parë se, iniciativat civile mund të mbijnë edhe në vende të pamundura, falë mundësive të ofruara nga rrjetet sociale dhe në valën e një pakënaqësie gjithnjë e më të përhapur. Kur në një vend të caktuar shfaqet një problem apo kur autoritetet vendore refuzojnë që të zgjidhin një çështje që vazhdon prej kohësh, për të ndezur shkëndijën mjafton impenjimi i një grupi të vogël qytetarësh apo një udhëheqës i aftë që të mobilizojë njerëzit. Në pamje të parë, këto iniciativa mund të duken reagime të improvizuara, që vështirë se do të çojnë në rezultate afatgjata, por faktet demonstrojnë të kundërtën: kur qytetarët mobilizohen për një kauzë konkrete, ata zbulojnë se duke bashkuar forcat mund t’i ndryshojnë vërtet gjërat. Megjithatë, aktivizimi civil natyrisht që nuk është ilaçi universal në gjendje të shërojë të gjitha sëmundjet sociale. Shumë prej lëvizjeve të shfaqura kohët e fundit nuk kanë as vullnetin, as mundësojnë që të shkojnë përtej objektivave konkrete që kanë vënë. Vetëm rrallë kalojnë duke u marrë me politikë në kuptimin më të gjerë. Veç kësaj, edhe kur veprojnë në mënyrë efikase, jo gjithmonë aktivistët arrijnë të gjejnë një përgjigje apo një zgjidhje të problemit që i ka shtyrë të bashkohen. Ama fakti që lëvizje të ngjashme ekzistojnë është në vetëvete një lajm i mirë. Në fakt, demonstron se në vendet e Europës Qendrolindore energjia kolektive nuk është ezauruar dhe se kërkesat për një nivel jetese më të mirë dhe për ndryshime politike nuk do të ndalen shpejt.

Paradigma e përmbysur
Ato që tërheqin mobilizimet janë çështje të lidhura me mjedisin urban dhe kjo për motive të ndryshme. Në kohën e komunizmit, pjesa më e madhe e vendeve të Europës Qendrolindore ka përjetuar një urbanizim të shpejtë prej shtytjes së industrializimit të promovuar nga ekonomia e planifikuar. Lagje me ndërtesa parafabrikat nisën që të shfaqeshin e të përhapeshin në të gjitha qytetet. 15 vitet e para pas rënies së komunizmit u shënuan nga një rritje e çrregullt e nga hapja e tregut të lirë dhe gjeneruan ndryshime të mëdha në pamjen e të gjitha qyteteve të zonës që shkon nga Deti Balltik në Detin e Zi. Rezultati është që sot problemet e qyteteve polake janë të ngjashme me ato të qyteteve bullgare. Siç ka shkruar urbanisti dhe arkitekti Kiril Stanilov në librin “The post-socialist city” (shtëpia botuese Springer 2007), qytetet e mëdha të Europës Lindore “kanë të njëjtën gjallëri kulturore të metropoleve të Europës Perëndimore, një nivel privatizimi të resurseve qytetare të barabartë me atë të qyteteve amerikanoveriore (pse jo edhe të njëjtin entuziazëm për qendrat tregtare, shtëpitë monofamiljare dhe makinat private), shërbime publike të krahasueshëm me ato të Botës së Tretë dhe një ekonomi në fermentim si ajo e qyteteve të Azisë Lindore në vitet ’70 e ‘80”. Herët a vonë një amalgam e ngjashme gjeneron pashmangshmërisht një shpërthim. Hulumtuesja suedeze Kirsten Jacobson, e cila ka studiuar lëvizjet urbane në rajon, ka individualizuar disa tendenca themelore në menaxhimin e qyteteve: liberalizim të politikës së banimit dhe urbanistike me një hapje të plotë ndaj ligjeve të tregut, planifikim të papërshtatshëm, konflikte të gjeneruara nga privatizimet, rënie e cilësisë së pasurisë banesore, lindje kompleksesh të mbrojtura banimi, bashkëjetesë personash shumë të pasur dhe shumë të varfër, privatizim hapësirash publike. Ky proces i fundit, na ka shpjeguar Jacobson, ka marrë përmasa ekstreme, duke krijuar vështirësi të mëdha në cilësinë e jetesës së njerëzve. Të bashkuara me mosbesimin e madh ndaj shtresës politike, këta faktorë e shtyjnë klasën e mesme qytetare të mobilizohet. Problemi qëndron se është përmbysur paradigma që ishte afirmuar pas fundit të komunizmit.
Të asimiluar në retorikën e një komuniteti socialist të krijuar nga hiçi, pas 1989 koncepte të tilla si e “mira e përbashkët” apo e “mira bashkiake” kanë mbetur tabu për një kohë të gjatë. Dhe në kaotikët vitet ’90 shumë qytete janë zhvilluar pa kurrfarë planifikimi. Për shembull, Sofja e ka pasur planin rregullues të saj vetëm në 2008, në fund të bumit të saj të parë imobiliar. Ky “shkatërrim i të mirave të përbashkëta”, domethënë degradimi konstant i resurseve publike për shkak të shfrytëzimit jo të rregulluar të tyre nga ana e interesave të ndryshme private ka bërë që të shfaqen format e para e kundërshtimit civil. Faktori tjetër që ka lehtësuar shfaqjen e këtyre lëvizjeve ka qenë rritja e standardeve të jetesës, që është shoqëruar nga lindja e një shtrese të mesme në qytetet kryesore: një gjeneratë e re qytetarësh urbanë që udhëtojnë, kanë një ide të qartë sesi duan të jetojnë dhe janë në gjendje të formojnë grupe presioni. “Banorët e qyteteve të mëdha i kanë plotësuar nevojat e tyre parësore dhe ato të konsumit, por tani fillojnë të interesohen për tema si mjedisi dhe cilësia e jetesës”, vëren Michał Wenzel, Profesor në Universitetin e Shkencave Sociale dhe Humane të Varshavës dhe studiues i shoqërisë civile në Poloninë paskomuniste.

Shembulli polak
Shembulli më i rëndësishëm dhe më i strukturuar i këtij lloj aktivizmi vjen pikërisht nga Polonia, ku lëvizjet civile në nivel lokal kanë fituar një forcë të cilës politikë i duhet ta mbajë parasysh. Për shembull, në Sopot 11% e bilancit të komunës shpenzohet mbi bazën e udhëzimeve të qytetarëve. Kurse kryebashkiaku i Łodź është larguar nga posti i tij me një referendum, pasi kishte marrë vendime jopopullore. Në Krakovi është afirmuar një lëvizje influente kundër ndotjes atmosferike dhe qyteti, me një referendum, ka refuzuar prerazi kandidaturën për të pritur olimpiadën dimërore të 2022. “Në të kaluarën politika bashkiake e Varshavës ishte vetëm një refleksion i asaj kombëtare, por në vitet e fundit disa grupe lokale kanë arritur të hyjnë në Këshillin Bashkiak dhe të prodhojnë ndryshime reale”, shpjegon Wenzel. “Kjo ka pasur efekte edhe mbi partitë e mëdha e pranishme në këshill, që papritmas kanë nisur t’i kushtojnë vëmendje shoqërisë civile dhe të kërkojnë të formojnë aleanca me lëvizjet civile”. Një prej pasojave më të rëndësishme të këtyre ndryshimeve është se tashmë autoritetet bashkiake marrin parasysh nevojën e dialogimit me qytetarët. “Në qytetet e mëdha rritet vetëdija për faktin se, për të zgjidhur problemet, Bashkia duhet të bashkëpunojë përditë me njerëzit”, pohon Wenzel, duke cituar si shembull bilancin pjesëmarrës, një modalitet menaxhimi fondesh publike në bazë të të cilit qytetarët mund të vendosin drejtpërsëdrejti sesi të shpenzojnë një pjesë të resurseve të buxhetit bashkiak.
Shembulli i Polonisë ka infektuar vende të tjera. Hulumtimi i Jacobson dhe shumë reportazhe gazetareske shikojnë elementë të përbashkët midis mobilizimeve polake dhe shfaqjes së lëvizjeve urbane në Çeki, Sllovaki, Lituani dhe Rumani. Për shembull, Nicușor Dan është transformuar nga mbrojtës i pasurisë urbanistike të Bukureshtit në lider politik dhe ka arritur që ta fusë partinë e tij në Parlamentin rumun. Prova më e qartë e origjinës së përbashkët të këtij fermentimi politik është fakti se vala e aktivizmit ka prekur edhe vende të Europës ish-komuniste që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian. Në Serbi, lëvizja e madhe që lufton kundër projektit gjigantesk ndërtimor të quajtur “Beogradi mbi ujë” po përgatitet të marrë pjesë në zgjedhjet vendore. Edhe në Maqedoni, protestat antiqeveritare të 2016 kanë filluar me manifestimet kundër kompleksit të frikshëm dhe të kushtueshëm të ndërtesave dhe monumenteve kitsch të ndërtuar në qendër të kryeqytetit, në kuadër të projektit urbanistik “Shkupi 2014”. Diferenca e vetme midis këtyre lëvizjeve dhe atyre të lindura në vendet që janë pjesë e Bashkimit Europian është konteksti politik. Udhëheqësit e Serbisë e Maqedonisë kanë kërkuar që t’ua mbyllin gojën mobilizimeve me represion, duke kontribuar kështu në daljen e tyre nga aspekti i ngushtë i çështjeve urbanistike dhe t’u japin një dimension më politik.
Duke pasur parasysh atë që ndodh në pjesën tjetër të Europës Lindore, Bullgaria duket pothuajse e palëvizsshme. Por edhe këtu nën sipërfaqe gëlon një energji e re civile. Pas protestave ambientaliste të 2012 – që formalisht synon të shpëtonin parkun natyror në masivin e Pirinit, por në realitet qenë një ulërimë zemërimi për vitet e gjata e palëvizshmërisë së institucioneve – në periudhën e fundit ka pasur mobilizime në zona të ndryshme të vendit. Tri në veçanti kanë pasur rezonancë kombëtare. Në të parin, qytetarët e Sofjes kanë arritur të shkarkojnë Tsveta Avxhievnan, kryetaren e komunës Mladost, dhe të zgjidhnin një lidere të protestës, Desislava Ivançevën. Zemërimi ishte ushqyer nga një seri spekulimesh imobiliare dhe nga afera jo pak të qarta të Avxhievës. Kurse në qytezën Tran komuniteti lokal është mobilizuar për të refuzuar planet e investimit të një shumëkombësheje që donte të hapte një minierë floriri. Projekti është hedhur poshtë nga 93 për qind e votuesve në një referendum që është mbajtur me 11 qershor. Rasti i tretë është ai i qytetit Stara Zagora, ku po në qershor, me një konsultim popullor banorët janë shprehur në favor të ndërtimit të një parku në vend të një kompleksi ndërtimor. Të tri këto mobilizime kanë ndjekur modelin e lëvizjeve të tjera civile të rajonit: qytetarë që bashkohen për t’ju kundërvënë iniciativave të imponuara nga tregu apo nga institucionet.
Sipas Parvan Simeonov, një politolog që ka marrë pjesë aktivisht në iniciativën referendare e Stara Zagora, 20000 votat në favor të parkut “kanë qenë një sukses i jashtëzakonshëm. Faktikisht, në qytet mungon një shtresë e mesme e ngjashme me atë të Sofjes dhe nuk ka shumë të rinj. Bëhet fjalë për një komunitet relativisht të vogël, rreth 130000 banorë, i dominuar nga konformizmi dhe nga censura. Teorikisht në një vend të kësaj natyre është shumë e vështirë t’i mobilizosh njerëzit rreth një kauze të përbashkët”. Sipas Simeonov, referendum ka qenë “triumfi i politikës që krijon rrjete” dhe u jep jetë dinamikave të reja sociale: “Rashmë është e mundur që të bësh të dëgjohet zëri yt përtej partive tradicionale, që gjithnjë e më shumë pësojnë rrethimin e formave të reja të konkurrencës: nga bota e biznesit tek populistët dhe deri tek lëvizjet civile”.
Analiza e Simeonov pranohet nga aktivistët e shoqatës “Shpëto Sofjen”, e impenjuar që të përmirësojë cilësinë e mjedisit urban të kryeqytetit bullgar. Ajo ka lindur në vijim të vendimit të Bashkisë për të anulluar një linjë tramvaji. Në ndryshim nga kolegët e “Shpëtoni Bukureshtin”, militantët bullgarë nuk kanë ndërmend të hyjnë në politike. “Këtu politika është një lojë e pisët dhe ne jemi njerëz parimorë për të krijuar një parti që do gjithmonë kohë, struktura dhe para. Ne nuk kemi asnjë prej tyre”, shpjegojnë ata. Megjithatë, ajo që ka ndodhur në Poloni demonstron se është e pamundur të përjashtohen zhvillime të caktuara. Në vitin 2016, grupi “Shpëto Sofjen” i ka dhënë jetës organizatës “Shpëto Bullgarinë” për t’i koordinuar më mirë aktivitetet me shoqatat e tjera civile aktive në vend.

Të bashkuar fitohet
Natyrisht që është shumë shpejt për të pohuar se, këto lëvizje kanë gjeneruar ndryshime të thella. Siç shpjegon Michał Wenzel, “aspekti pozitiv është që janë spontanë; ai negative është që nuk janë të profesionalizuara dhe shpesh nuk e kanë as idenë më të vogël sesi qeveriset një qytet”. Megjithatë, prania e tyre po ndryshon dinamikat politike lokale dhe, për pasojë, jetën e përditshme të qytetarëve. Për shembull, në Bullgari, ku 80% e njerëzve pohon se nuk i përket asnjë organizate kolektive – qoftë kjo një rreth sportiv, një shoqatë vullnetarizmi apo një parti – mobilizime të ngjashme përfaqësojnë një mrekulli të vogël. Sipas Kirsten Jacobson, këto zhvillime i hedhin poshtë kategorikisht tezat, të mbështetura gjatë nga sociologë dhe historian, sipas të cilave në vendet e Lindjes, shoqëria civile është në thelb apatike. “Është e vërtetë se shumë prej këtyre iniciativave janë të tipit reargues, domethënë të provokuara nga kërcënime pakashumë të drejtpërdrejta ndaj kontekstit në të cilin jetohet, por kjo nuk do të thotë se duhen damkosur si reagime të thjeshta të tipit “jo në oborrin e shtëpisë time”. Luftërat që kanë të bëjnë me çështje të lidhura me përditshmërinë jo vetëm që janë krejtësisht legjitime, por shërbejnë edhe si katalizator për një proces më të gjerë politizimi. Përvojat e përbashkëta krijojnë atë bazë solidariteti dhe shpirti kolektiv që u mungojnë qytetarëve të privuar nga përvoja politike. Tejkalimi i kufijve midis kufijve të sferës së brendshme, asaj civile dhe asaj politike mundëson të promovohen veprime politike dhe përfaqëson një sfidë të vërtetë për shoqëri të mbetura deri më tani të mbyllura në dimensionin privat dhe të dominuara nga dorëzimi dhe nga mosbesimi ndaj vetë konceptit të së mirës së përbashkët”, shpjegon Jacobson. Lëvizjet që janë imponuar në hapësirën urbane e vendeve të Lindjes europiane kanë shërbyer si valvul shfryrjeje. I japin zë dëshirës së qytetarëve për të pasur një jetë më të mirë dhe u mundësojnë që t’i venë autoritetet përpara përgjegjësive të tyre. Por aspekti më i rëndësishëm është një tjetër: sapo njerëzit kanë kuptuar se bashkimi i forcave çon në rezultate konkrete, gjejnë gjithmonë motive të tjera për t’u kthyer e për t’u mobilizuar.

“Kapital”

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Sot jemi më të vendosur se kurrë

Sali BERISHA

Jemi mbledhur këtu së bashku për të nderuar djalin, burrin, birin e kësaj treve, që na dha nder ne më shumë se kushdo tjetër, që na dha dinjitet ne më shumë se kushdo tjetër, që u dha shqiptarëve nder dhe dinjitet kudo që ndodhen, më shumë se çdo burrë tjetër, çdo djalë tjetër, çdo bir tjetër, për të nderuar legjendën e lirisë së kombit tonë, Azem Hajdarin.
23 vjet më parë biri i shquar i Tropojës dhe mbarë kombit shqiptar, një student i thjeshtë, që përjetonte të gjitha mundimet e kohës, do të kthehej, do të shndërrohej në një kreshnik të vërtetë të maleve tona, do të shndërrohej në legjendën e vërtetë të guximit tuaj, të guximit të malësorëve të Tropojës dhe mbarë shqiptarëve, do të ngrihej si luan mbi supet e bashkëmoshatarëve të tij dhe përballë mitralozëve, përballë autoblindave, përballë dhëmbëve të diktaturës më të egër të Europës, do të brohoriste “Liri Demokraci”, do të shkallmonte dyert e mbyllura të lirisë për shqiptarët, do të shkallmonte dyert e mbyllura të dinjitetit për shqiptarët dhe do të bënte që shqiptarët në Tropojë, në Gjirokastër, shqiptarët kudo të ngrihen fuqishëm si njerëz të lirë, si njerëz krenarë, si njerëz me besime të mëdha te vetja, Zoti dhe Shqipëria.
Azem Hajdari përbën në historinë e këtij kombi personalitetin më të jashtëzakonshëm të tij sepse ai, me një grup studentësh, me një grup prej 1000 studentësh do të ndante epokat dhe historinë, do të ndante shqiptarët nga diktatura, do t’u printe në rrugën e lirisë me parullën, me motivin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”! Ai vuri për ne jetën e tij, vuri për ne ëndrrën e tij, guximin e madh, triumfin e liderit liberator.
Azem Hajdari është personalitet i jashtëzakonshëm i historisë tonë, sepse është i vetmi që jetoi si legjendë për trimërinë e tij dhe legjendë mbeti në përjetësinë e tij. Jetoi si tribun në jetën e tij, tribun mbeti në përjetësinë e tij. Sot pra, ne kemi Azemin e këngëve, Azemin e historisë, Azemin e shtatoreve, Azemin e portreteve, Azemi që e njohëm dhe që mbush me krenari zemrat tona. Por kemi dhe Azemin e ëndrrës së pavdekshme të shqiptarëve, frymëzues në çdo moment, në çdo rrethanë për guximin që ata duhet të dëshmojnë.
Azem Hajdari me studentët liberatorë, në dhjetor të vitit ’90 bëri që çështja kombëtare, nga një çështje e tradhtuar, nga një çështje e shkelmuar, nga një çështje e harruar të shndërrohet në yllin polar të shqiptarëve. Dhe sot, falë përpjekjeve mbinjerëzore të presidentit Rugova, luftëtarëve të lirisë, që skuqën Kosovën me gjakun e tyre, kombi është i lirë, më i lirë se kurrë, më i sigurtë se kurrë në të ardhmen e tij.
Azem Hajdari jeton dhe do të jetojë përjetë në idealin e lirisë, në ëndrrën më të bukur të çdo qytetari, të çdo vajze, çdo djali, çdo të riu, çdo burri, çdo gruaje të kësaj toke, që do të ndjehet i barabartë, i lirë, me dinjitet, kokëlartë.
Ndaj dhe sot ai është një apel, një frymëzim, sepse pas 27 vitesh, nuk mund të mos mohojmë se një vello e zezë ka mbuluar Shqipërinë dhe kjo vello e zezë është velloja e narkotikëve, e cila bën shqiptarët të mos marrin dot vendimet e tyre, bën votën e shqiptarëve të mos vendosë për fatin e tyre, bën emrin e tyre të mos shkëlqejë midis kombeve të tjera. Por sot ne jemi këtu, më të vendosur se kurrë, të frymëzuar nga Azem Hajdari për t’u ndarë dhe nga kjo e keqe, për t’u ndarë nga çdo e keqe që nuk meritojmë, për të ecur të sigurtë drejt hapësirave europiane që ne meritojmë.
“Shqipëria europiane” ishte ëndrra e Azem Hajdarit, “Shqipëria europiane” është ëndrra e fëmijëve tanë, është ëndrra jonë, të luftojmë së bashku për ta bërë atë realitet sa më shpejt!
Miqtë e mi, edhe një herë dua të përulem me nderim të madh para secilit prej jush për mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni dhënë dhe i jepni lirisë, demokracisë, për birin e shquar që i dhatë kombit, tribunin legjendar Azem Hajdari. I përjetshëm kujtimi i tij.
Më lejoni të falënderoj nga zemra të gjithë ata që sponsorizuan, që bënë të mundur derdhjen, ajo në fakt është në bronz, por duket si në shkëmb. Falënderoj skulptorin Isa Baliaj, i cili na ka prurë Azemin si të gdhendur nga thellësitë e Alpeve për ta vendosur këtu në qytetin e tij, të prehet përjetësisht në zemrat e qytetarëve shqiptarë, të prehet përjetësisht në këtë shesh, në këtë qytet. Edhe një herë nder përjetë kujtimit të heroi tonë legjendar Azem Hajdari!

Rudina Hajdari: E vendosur për të çuar në fund idealet e Azemit

Rudina Hajdari nuk e kishte të lehtë t’i drejtohej dje babait të saj, Azem Hajdari 19 vjet pas vdekjes nga qyteti i tij i lindjes. Në ceremoninë e inaugurimit të bustit të Azem Hajdarit në qytetin e Tropojës, përmes një fjalimi sa prekës aq edhe të fortë Rudina Hajdari shprehu zotimin e saj, ndërsa e kërkoi këtë nga të gjithë të pranishmit për të çuar deri në fund idealet e Azem Hajdarit e për të ndërtuar Shqipërinë si gjithë Europa. “Prandaj ne duhet të punojmë sa më fort dhe sa sa më ngushtë me njëri-tjetrin për t’i çuar këto ideale të Azemit deri në fund. Ne duhet të kontribuojmë realisht dhe më me zemër, për shtetin e së drejtës, për zhvillimin dhe prosperitetin europian të shqiptarëve, në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi apo Luginë të Preshevës. Projeksioni ynë për integrim euroatlantik, ka të njëjtën mbështetje si në Tiranë, në Prishtinë, në Podgoricë, në Shkup apo në Preshevë. Ky bashkim idealesh dhe perspektive europiane na bën më të fortë dhe roli ynë në rajon do të jetë gjithnjë e më i madh! E frymëzuar nga idealet demokratike për të cilat luftoi dhe ja përkushtoi jetën Azem Hajdari dhe e mbështetur nga të gjithë shqiptarët e mi që më zgjodhën deputete për t’u ulur në karrigen ku ishte ulur babai im, zotohem se do të qëndroj gjithmonë në ballë të përpjekjeve për të mbrojtur dhe mbështetur interesin e kombit tim dhe shqiptarëve kudo”, tha Rudina Hajdari.
“I dashur babai im, Azem Hajdari, mirëseerdhe në vendlindjen tënde, për të qenë këtu përgjithmonë i gjallë mes populli të Tropojës, si një pishtar lirie që nuk shuhesh kurrë! Nuk është rastësi që ky vend ty, të rriti, të brumosi me vlerat dhe cilësitë më të mira e të guxim dhe të dha zemër të luftoje komunizmin. Vështirësitë e relievit, por krenaria e këtyre majave nga njëra anë dhe mjerimi ekonomik i asaj kohe kur ti u rrite e u përballe me një varfëri dhe përpjekje të përditshme për një të ardhme më të mirë, s’të lëshuan kurrë besimin në Zot. Ky vend ty të dha forcën të luftoje dhe të rrëzoje muret e diktaturës më të egër të Europës. Unë qëndroj sot para shtatores tënde, jo thjesht si e bija para babait, por së bashku me ju, jemi për të nderuar heroin e demokracisë, tribunin e lirisë dhe të pavdekshmin, Azem Hajdarin”, u shpreh Rudina Hajdari.
Ajo tha se Azemi ishte dhe mbetet frymëzim për çdo gjeneratë, kudo që ka shqiptarë. Një idhull për çdo të ri dhe të re, për çdo njeri të majtë apo të djathtë, përtej politikës, shqiptaria dhe shqiptarët dhe kushdo në botë të vlerëson si heroin që luftoi me shpirt për Shqipëri të lirë dhe demokratike. “Azemi dhe studentët e dhjetorit, nuk e kishin mësuar demokracinë në shkolla apo universitete. Por, historia e Tropojës, historia e Kosovës, historia e kombit shqiptar ishte baza mbi të cilën ata ngritën idealet e dhjetorit për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të integruar. Në përpjekjet e tij për të realizuar këto ideale, Azemi, për vite me radhë ndeshi shumë pengesa dhe vështirësi, por ai kurrë nuk u përkul, kurrë nuk u ndal në rrugën e tij për demokracinë e Shqipërisë. Demokracia, integrimi i Shqipërisë dhe pavarësia e Kosovës, ishin kryefjala e ligjërimit të tij politik. Tashmë që Kosova është e lirë, e pavarur dhe pavarësisht vështirësive, ajo nuk ndalet në forcimin e institucioneve të veta dhe në konsolidimin e demokracisë. Sfidat që janë sot para Shqipërisë dhe Kosovës mbeten të mëdha”, u shpreh Hajdari.

 

Kryemadhi: Politikani guximtar që nuk hoqi kurrë dorë nga betejat e tij

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka marrë pjesë dje në përurimin e shtatores së udhëheqësit të Lëvizjes Studentore shqiptare të Dhjetorit 1991, Heroit të Demokracisë dhe ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Azem Hajdari në Tropojë. Përmes një statusi në Facebook, Kryemadhi shkruan se Azem Hajdari nuk u tremb kurrë nga pengesat dhe nuk hoqi kurrë dorë nga betejat. “Rruga drejt demokracisë ka pengesat e veta dhe Azemi ishte një nga ata që i kapërcente ato. Herë me lehtësi, herë me vështirësi. Por ai nuk u tremb kurrë nga pengesat. Dhe prandaj sot pas kaq shumë vitesh kujtohet ende si politikani guximtar që nuk hoqi kurrë dorë nga betejat e tij”, shkruan Kryemadhi.

“Rinia e dytë” e Salihit

Katër gola vetëm në ndeshjen e fundit. Në total 13 gola në 15 javë të luajtura në Ligën e Parë austriake, ku është edhe golashënuesi i kampionatit. Hamdi Salihi po përjeton rininë e dytë në Austri, duke bërë atë që di më mirë: Të shënojë! Bomberi po shijon momentin, pa menduar më tepër se ç’duhet për të ardhmen. “Po shkon pak ndoshta edhe jashtë parashikimeve, por ndihem mirë, sepse gjatë gjithë kësaj kohe kam punuar shumë dhe gjithçka po funksionon perfekt. Pastaj pak rëndësi ka sa vite do të luaj, sepse këtë nuk e llogaris sa herë që bëj gol. E rëndësishme është që për sa kohë të luaj të mos bie poshtë këtyre niveleve dhe të mos bëhëm qesharak”, u shpreh Salihi.
Me shkodranin në formë të jashtëzakonshme, edhe skuadra e tij Wiener Neustadt ëndërron rikthimin në elitën e futbollit austriak. “Mundësitë janë shumë të mëdha për t’u kthyer prej këtij viti në Bundesligë, pasi dy skuadra ngjiten direkt, ndërsa i treti shkon në play-off. Po të mbajmë këtë rritëm besoj që do t’ia arrijmë. Është pak e vështirë, sepse Riedi dhe Insbruku janë ekipe më të organizuar dhe me më tepër traditë, por do të ishte e bukur ta arrinim këtë objektiv”, tha ai.
Në këtë moment, Salihi është ndër sulmuesit shqiptarë më në formë. Por, kur flitet për rikthimin e mundshëm në Kombëtare, 33-vjeçari është i vetëdijshëm për realitetin, megjithatë për “SuperSport.al” shprehet gjithmonë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij.
“Kam treguar se nuk jam kursyer asnjëherë për të qenë pjesë e Kombëtares edhe kur luaja në Amerikë apo në Kinë. Kam ardhur gjithmonë me dëshirë. Çdo gjë në shërbim të ekipit Kombëtar, do të kisha qenë i gatshëm për t’u afruar apo për ta ndihmuar. Por, duhet të jemi pak realistë: vitet ecin dhe normalisht që trajneri besoj që ka plane të tjera. Përtej gjendjes dhe formës momentale të lojtarëve, i duhet të bëjë edhe vlerësime afatgjata. Por, kur do të jetë nevoja unë jam gjithmonë gati për të ndihmuar ekipin Kombëtar”, u shpreh Salihi.
Sulmuesi shkodran vazhdon ta ndjekë kampionatin shqiptar, ku vlerëson se Skënderbeu do të jetë shkëputur nga rivalët për titullin prej muajit dhjetor, ndërsa nuk ka asnjë peng që këtë vit nuk është pjesë e korçarëve për të luajtur sërish në grupet e Europa League.
“Kam parë disa ndeshje të Skënderbeut dhe të Vllaznisë. Skënderbeu është 100% ashtu si e kisha menduar. Edhe pse njerëzit mund të mendojnë se ritmi në Europë të lodh, por është e kundërta. Ritmin që mban gjatë Europa Leagues e mban edhe në kampionat dhe bën diferencë me ekipet e tjera. Besoj se deri në dhjetor, Skënderbeu do të jetë shkëputur nga rivalët dhe do të bëjë atë për të cilën është ndërtuar: Që të shpallet kampion. Që në fushë atë ditë (ndeshja me Kukësin) e mora vendimin se koha ime në kampionatin shqiptar kishte mbaruar. Ishte e mjaftueshme, ajo që kisha kaluar. Më vjen keq për gjestin dhe gjithçka, por ato janë gjëra që i takojnë së kaluarës dhe mund t’i ndodhin kujtdo. Më vjen mirë, që Skënderbeu është kthyer shumë shpejt dhe ka ditur të kalojë situatat e vështira të atij fund-kampionati”, deklaroi për “SuperSport.al”, Hamdi Salihi.

Rikthimi i Ibrahimoviç

Zlatan Ibrahimoviç po e afron një kthim në veprim me Manchester United. Suedezi është i vendosur të fitojë Premier League, duke deklaruar: “Unë kam ardhur përsëri për të përfunduar atë që kam filluar”. Ibrahimoviç ndihmoi në mbrojtjen e “Community Shield”, në Ligën e Europës dhe në “Kupën EFL” në sezonin e tij të parë në Mançester, por një lëndim serioz i ligamentit të gjurit e shkurtoi fushatën mbresëlënëse, para se 36-vjeçari të bëhet një lojtar i lirë. Pas trajnerit bindës Jose Mourinho dhe hierarkisë së Manchester United, të aftësisë së tij për t’u kthyer në stërvitje të plotë, Ibrahimoviç është kthyer për një marrëveshje njëvjeçare.
Dhe sulmuesi suedez ka vetëm një gjë në mendjen e tij. “Unë thashë se kam ardhur për të përfunduar atë që kam filluar, tha Ibrahimoviç për “Sky Sports”, teksa informoi për një rikthim në dhjetor, ndërsa skuadra e tij renditet për momentin në vendin e dytë, pesë pikë larg kryesuesve të Manchester City. Gjithçka që kam ndërtuar në sezonin e parë, kur kemi fituar tre trofe, fundi për mua nuk ishte ai që dëshirova, që askush nuk e donte. Objektivi është Premier League. Ky është synimi im për të përfunduar pas rikthimit. Gjithçka që fillova në sezonin e parë, ne do ta përfundojmë në të dytin”, tha Ibra. Ish-lojtari i PSG, Milan, Barcelona etj., Ibrahimoviç, shënoi 28 gola në të gjitha garat e sezonit 2016-2017, por dëmi i pësuar ndaj Anderlehtit, në prill, i kushtoi atij mospërfshirjen në finale të “Europa League” dhe, gjithashtu, ngriti dyshime për të ardhmen e tij në futboll.
“Në atë moment kur ndodhi, ishte më e lehtë për mua të thosha se do të kthehesha, sepse atëherë kisha një sfidë, shtoi Ibrahimoviç. Sfida ishte se kurrë nuk kam pasur një dëmtim të madh. Të gjithë ata njerëz, që ishin duke folur se “rikuperimi është i gjatë”, apo se “ai është shumë i vjetër”, më shtynë drejt sfidës më sublime profesionale të karrierës sime. Po sfidoj atë që jam në gjendje ta bëj, sa larg mund të shkojë trupi im. Në vitet e fundit, kur mendoja se sa shumë vite do të luaja, kisha një hezitim, por lëndimi më ka bërë më të lehtë. Kam pasur një objektiv dhe ky është rikthimi për të luajtur. Unë do të largohem ashtu siç hyra në këtë sport, nuk do të largohem si çalamanët. Do të largohem nga rruga që unë dua, edhe nëse duhet të ec me ujë, do ta bëj edhe këtë”.
Manchester United ka të ngjarë të sakrifikojë dy mesfushorët spanjollë Ander Herrera dhe Juan Mata, për të marrë futbollistin e Atletico Madrid, Saul Niguez. Lajmin e interesimit të “djajve” për futbollistin 22-vjeçar e bën të ditur “Don Balon” dhe e konfirmon media në Angli. Gazeta spanjolle ka bërë me dije se vetë trajneri i United, Jose Mourinho, është ideatori i këtij shkëmbimi që mund të realizohet në verën e ardhshme.
Gjithsesi, mbetet ende për t’u parë përgjigja e Atletico dhe trajnerit Diego Simeone, të cilët ndihen të fortë nga fakti që Saul sapo ka firmosur një kontratë të re dhe klauzola për prishjen e saj është 150 milionë euro. “Mourinho ka folur personalisht me Simeone për këtë temë, por argjentinasi ende nuk ka kthyer përgjigje”, konfirmonte gazeta angleze “Daily Star”. Gjithsesi nuk përgënjeshtrohet fakti që, Simeone të pëlqejnë dyshen Mata-Herrera, nëse Saul kërkon largimin.

 

I rilinduri Kondogbia mbush arkat e Interit

Goeffrey Kondogbia nuk arriti dot të shkëlqejë në fushë me skuadrën e Interit, por është gati të japë një kontribut shumë të madh ekonomik për arkat e klubit. Francezi u transferua në verë të Valencia, sipas formulës, huazim me të drejtë blerjeje, për vlerën e 25 milionë eurove dhe pas javëve të para, duket se i ka bindur spanjollët të blejnë përfundimisht kartonin e tij në verë.
25 milionë eurot e arkëtuara nga Interi, do të çonin bilancin nga -18 milionë euro, në +7, para merkatos së ardhshme, por nuk mbaron me kaq. Valencia dhe Kondogbia po negociojnë edhe një kontratë të re, për 4 vitet e ardhshme dhe me një klauzolë prej 80 milionë eurosh.
Këtu Interi do të përfitonte sërish, sepse sipas kontratës, 30% e të ardhurave nga rishitja e Kondogbiasë, do të kalojnë në arkat e zikaltërve. Pra, nëse Kondogbia vijon me paraqitjet e mira dhe klubet e mëdha vendosin të paguajnë klauzolën e tij, në arkat e Interit do të përfundojnë edhe 24 milionë euro të tjera.
Në këtë mënyrë, operacioni për blerjen e mesfushorit francez do të shndërrohej nga dështim, në sukses të madh për njerëzit e merkatos te klubi zikaltër. Kondogbia e ka nisur sezonin në mënyrë të shkëlqyer te Valencia, ku ka arritur të shënojë edhe 2 gola në 6 javët e para, aq sa te Interi iu deshën 50 ndeshje për t’i shënuar.

Ballotta elozhe Strakoshës: Sillet si veteran

ROME, ITALY - JANUARY 18: SS Lazio Thomas Strakosha in action during the TIM Cup match between SS Lazio and Genoa CFC at Olimpico Stadium on January 18, 2017 in Rome, Italy. (Photo by Paolo Bruno/Getty Images)

Thomas Strakosha vijon të marrë vëmendjen sportive në Itali, me paraqitjet e mira që po e shoqërojnë, nga një ndeshje në tjetrën. Portieri i kombëtares shqiptare u zgjodh për të 3-ën herë radhazi, portieri më i mirë i javës në Serinë A, nga ‘WhoScored.com’.
Së fundi, Strakosha ka marrë elozhe edhe nga ish-portieri i Lazios dhe Interit, Marco Ballotta. Ky i fundit është shprehur se, Strakosha ka sjellje prej veterani dhe do të jetë portieri i Lazios për 10 vitet e ardhshme.
“E kam thënë edhe herë të tjera. Strakosha ka sjellje prej veterani, nëse shikon se si vendoset në portë dhe si drejton repartin e mbrojtjes. Është ende i ri dhe ndoshta do të bëjë edhe ndonjë gabim, por mund t’ju them se me të, Lazio ka gjetur portierin e duhur, për të paktën 10 vitet e ardhshme”, tha Ballotta.