10.5 C
Tirana
E enjte, 1 Maj, 2025

Januzaj: Zgjodha Belgjikën sepse ndihem belg!

 

Tabloidi britanik “Daily Mail” i kushton faqen e parë sulmuesit me origjinë shqiptare, Adnan Januzaj, karriera e të cilit vazhdon të jetë në dishezë pas eksperiencave të dështuara te Man. United dhe Borussia Dortmund. Tashmë, Januzaj i lënë jashtë edhe nga kombëtarja e Belgjikës, ka nisur një rrugë të re në Spanjë me Real Sociedad, aty ku kërkon të ringrihet pasi vitet kalojnë dhe ish-talenti i “Djajve të Kuq” nuk ka më kohë për të humbur. Një hapësirë të madhe, “Daily Mail” i kushton edhe çështjes së kombëtares pasi Januzaj edhe pse me gjak shqiptar, zgjodhi të përfaqësonte Belgjikën duke refuzuar fanellën kuqezi.
Tabloidi britanik thekson se, Januzaj kishte në tryezë 5 alternativa, por zgjodhi Belgjikën dhe për këtë vendim e ka një përgjigje. “Kam lindur në Belgjikë, jam rritur atje dhe kjo është arsyeja pse zgjodha atë kombëtare. Unë jam pjesë e komunitetit belg. Me kombëtaren shkoi gjithçka mirë vitin e parë, por me kalimin e muajve gjithçka u bë më e vështirë”, thekson 22-vjeçari i lindur në Bruksel që e nisi karrierën me të rinjtë e Anderlechtit. Në vijim të intervistës, ai thekson se një nga periudhat më të errëta të karrierës së tij ishte edhe ajo kur Man. United e drejtonte Van Gaal. Sipas sulmuesit, trajneri holandez kishte metoda të pazakonta trajnimi dhe ky fakt e pengoi shumë në rritjen e tij profesionale.

Bekim Balaj kthehet në fushë

Merr fund odiseja e gjatë e problemeve fizike për sulmuesin e kombëtares shqiptare, Bekim Balaj. Bomberi shqiptar u rikthye në fushën e blertë pas një mungese të gjatë. Ai u aktivizua rreth 10 minuta në sfidën Akhmat Grozny-Rubin Kazan ku skuadra nga Çeçenia triumfoi me rezultatin 1-0. 26-vjeçari i lindur në Shkodër qëndronte jashtë fushave të lojës që prej muajit gusht duke humbur edhe dy ndeshjet e kombëtares shqiptare kundër Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë.
Pas rikuperimit të plotë, Balaj u rikthye të luajë në kampionatin rus duke zëvendësuar në minutën e 80 një tjetër shqiptar, sulmuesin Bernard Berisha. Vetëm pak minuta pas hyrjes së tij në fushë, Akhmat shënoi edhe golin e fitores duke u ngjitur në vendin e pestë të klasifikimit. Ndërkohë, sulmuesi tjetër shqiptar i skuadrës çeçene, Odise Roshi e ndoqi këtë 90 minutësh nga stoli. Rikthimi i Bekim Balajt është një lajm pozitiv edhe për trajnerin e kombëtares, Christian Panucci, i cili do të ketë më shumë mundësi zgjedhjeje në repartin e sulmit për dy sfidat e fundit eliminatore kundër Italisë dhe Spanjës.

 

Anjeli mbetet President i Juves

Dënimi me 12 muaj i Andrea Anjelit për raportet me disa grupe ultras, do ta privojë biznesmenin italian në disa çështje dhe pjesëmarrje të rëndësishme te kampionët e Italisë, por ai sërish do të mbetet President. Sanksionet ndaj numrit 1 juventin do t’i imponojnë Anjelit mungesën në të gjitha aktivitetet e Federatës italiane të Futbollit, nuk do t’i lejojnë takime me agjentë të FIFA-s dhe nuk do të mund të përfshihet në diskutimet gjatë ndeshjeve para apo gjatë tyre.
Por Andrea Anjeli do të ruajë poltronën e tij në Shoqatën europiane të Klubeve të Futbollit, si dhe në ekzekutivin e qeverisë së futbollit botëror, kjo përmes hapësirave të ngushta ligjore. Juventus ka njoftuar zyrtarisht se do të apelojë dënimin e Presidentit në çështjen e shumëdiskutueshme me tifozët ultras duke e cilësuar inkurajuese lehtësimin e akuzave, por jo të mjaftueshme në këtë padrejtësi. Si për ironi të fatit edhe organi i akuzës do të kërkojë apelimin e çështjes, duke e quajtur të pamjaftueshëm dënimin e Andrea Anjelit. Prokuroria kishte kërkuar dy vjet e gjysmë dënim për numrin 1 të kampionëve, si dhe dy ndeshje pa tifozë, diçka që u hodh poshtë.
Veç Andrea Anjelit, që personalisht është gjobitur edhe me 20 mijë euro, të dënuar nga gjykata janë edhe Francesco Calvo dhe Stefano Merulla me të njëjtin verdikt si presidenti, por edhe Alessandro Nicola D’Angelo me 3 muaj më shumë pezullim dhe 20 mijë euro gjobë.
Në procesin e zhvilluar me dyer të mbyllura, i nisur nga hetimi penal “Alto Piemonte”, kreu i Prokurorisë së FIGC-së, Giuseppe Pecoraro kishte kërkuar në gjykatë dënimin e presidentit të Juventusit me 2 vite e gjysmë pezullim, si dhe një gjobë prej 50 mijë eurosh.
Prokuroria kishte kërkuar në pretencën e saj edhe dënimin e Juventusit me zhvillimin e dy ndeshjeve me dyer të mbyllura, një tjetër ndeshje me mbylljen vetëm të sektorit “Curva Sud” të ultrasve, si dhe 300 mijë euro gjobë për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të klubit bardhezi sa i përket procesit së shitjes së biletave për ultrasit bardhezi.

Suso rinovon me Milanin

Pas një fundjave dëshpëruese që solli humbja ndaj Sampdorias, e hëna ka nisur me një lajm të mirë për klubin dhe tifozët e Milanit. Talenti spanjoll Suso ka vendosur të rinovojë kontratën që e mban të lidhur me kuqezinjtë, duke e zgjatur atë deri në vitin 2022. Me kontratën e re që lidh spanjollin me Milanin, Suso do të përfitojë rreth 3 milionë euro në sezon, ndërsa konfirmohet se kuqezinjtë kanë vendosur edhe një klauzolë të majme, për klubet e interesuara për shërbimet e tij.
Suso u bë pjesë e Milanit, në vitin 2015, pasi erdhi nga Liverpool, ndërsa më 2016-ën kaloi një aventurë fantastike te Genoa, në huazim. Ai ka luajtur 46 ndeshje për kuqezinjtë, ka shënuar 9 gola dhe shikohet si një nga futbollistët më të rëndësishëm për të çuar para projektin e Milanit. “Jam shumë i lumtur. Gjithmonë kam thënë se dua të qëndroj këtu”, deklaroi Suso, pasi firmosi kontratën e re me kuqezinjtë.

 

Villarreal shkarkon trajnerin Escriba

 

E pagoi shtrenjtë trajneri Fran Escriba disfatën 4-0 ndaj Getafes, me Villarealin që mori menjëherë masat për shkarkimin e tij edhe pse 52-vjeçari qëndroi vetëm një vit në stolin e spanjollëve. Escriba u ul në stolin e Villarealit në gusht të vitit 2016 dhe në muajin maj rinovoi kontratën e tij deri në fund të këtij sezoni. Por tashmë me ekipin që renditet në vendin e 14 në tabelën e klasifikimit të La Ligas pas vetëm 6 takimeve të luajtura, bashkëpunimi nuk ishte më një opsion. Nëndetësja e verdhë e mbylli sezonin e shkuar në vendin e pestë, por fushata e dobët e këtij fillim sezoni i kushtoi vendin e punës trajnerit. Për koinçidencë Escriba pësoi të njëtin fat tek Getafe në prill të vitit 2016 pas disfatës ndaj Villarealit.

“Bayerni nuk duhet ta largojë Ançelotin”

Bayern Munich's Italian head coach Carlo Ancelotti stands on the sideline during the UEFA Champions League quarter-final second leg football match Real Madrid vs FC Bayern Munich at the Santiago Bernabeu stadium in Madrid in Madrid on April 18, 2017. / AFP PHOTO / GERARD JULIEN (Photo credit should read GERARD JULIEN/AFP/Getty Images)

Ottmar Hitzfeld, ish-strategu gjerman, mendon se Bayern Munich nuk duhet ta largojë Karlo Ançelotin. Bayern Munich nuk e ka nisur si duhet sezonin e ri në Bundesligë. Kampioni i Gjermanisë, pas gjashtë xhirove në Bundesligë, ndodhet në vendin e tretë me 13 pikë të tubuara.
Strategu italian ka marrë kritika nga analistët në Gjermani për paraqitjet e deritanishme. Por, Ottmar Hitzfeld, ish-strategu gjerman, mendon se Bayern nuk duhet ta largojë Karlo Ançelotin. “Ançeloti ka qëndruar i qetë, kjo tregon përvojën që e ka. Ai e di se ne nuk mund të jemi në formë të lartë në ndeshjen e parë, të dytë dhe të tretë, që nuk do të ishte mirë, sepse kur ata vijnë në ndeshjet e rëndësishme në Ligën e Kampionëve pas tetë javësh ose vitin e ardhshëm, atëherë nuk është ideale të jesh në formë të mirë herët”, ka deklaruar ai.
“Ançeloti ka gjasa të jetë përsëri kampion gjerman këtë vit. Dhe në Ligën e Kampionëve shpresa është e madhe, natyrisht, për të arritur më shumë se çerekfinalet. Dhe unë do të thosha, që të jem në gjysmëfinale me Bayernin, në mesin e katër ekipeve më të mira në Ligën e Kampionëve ose në Evropë, atëherë detyra është përmbushur”, ka theksuar ai.
Trajneri i Bayern Munichut, Karlo Ançeloti ka mbajtur një konferencë për media, ku ka folur për ndeshjen ndaj PSG-së në Ligën e Kampionëve. “Ne duhet të luajmë një ndeshje të kompletuar në mbrojtje dhe sulm. Ne duhet të kemi balancë dhe të kemi kujdes nga kundërsulmet e PSG-së”, tha Ançeloti. Ai po ashtu e pranoi se ndeshja ndaj PSG-së është shumë e rëndësishme, por insiston se nuk vendoset asgjë në këtë takim.

Vetëm Dybala!

Me një fillim sezoni të shkëlqyer, me 12 gola në 8 takimet e para zyrtare të luajtura dhe me vetëbesimin se tashmë është një prej yjeve të futbollit europian, Paulo Dybala vazhdon të krijojë jehonë rreth tij duke rritur gjithnjë e më shumë interesin e klubeve më të mira të kontinentit që kërkojnë shërbimet e 23-vjeçarit. Mesa duket Reali i Madridit është ndër më të interesuarit për sulmuesin argjentinas, pasi klubi i Florentino Perez mësohet t’i ketë thënë jo opsioneve si Cavani dhe Lewandowski vetëm për të arritur yllin e Juventusit.
Oferta zyrtare e Los Blancos pritet që të mbërrijë verën e ardhshme tek bardhezinjtë që nuk do të pranojnë të nisin tratativat me asnjë klub që ofron më pak se sa shifra prej 150 milionë eurosh. I vetmi problem për klubin mbretëror do të ishte bollëku që do të krijohej në repartin e avancuar me mbërritjen hipotetike të La Joyas, e në një rast të tillë i pari që do të shihej t’i jepte lamtumirën “Bernabeut” do të ishte pikërisht Gareth Bale.
Real Madrid gjatë kësaj vere nuk ka transferuar asnjë lojtar të madh, pasi këtë e kishte kërkuar trajneri Zinedine Zidane. Por, fjala e francezit nuk do të vlejë edhe verën e ardhshme, pasi vetë presidenti i Real Madridit, Florentino Perez do të përfshihet në bisedime me Juventusin për sulmuesin Paulo Dybala.
Perez është një fans i madh i argjentinasit dhe beson se është lojtari më ideal për sulmin e tij. Presidenti i Realit gjatë kësaj vere i kishte ofruar trajnerit Zidane lojtarët si Cavani, Hazard, Mbappe, Aubameyang dhe Griezmann, por të gjithë ishin refuzuar nga trajneri francez, i cili ishte i kënaqur me skuadrën e tij. Sipas “Mundo Deportivo”, Perez për verën e ardhshme e dëshiron Dybala-në dhe do të bëjë gjithçka për transferimin e tij.
Cristiano Ronaldo ka statistika të jashtëzakonshme ndaj skuadrave gjermane në Gjermani. Portugezi ndaj skuadrave gjermane në udhëtim ka luajtur 20 ndeshje, duke shënuar 23 gola. Ndërsa, në total Ronaldo ka luajtur 141 ndeshje në Ligën e Kampionëve duke shënuar 107 gola, rekord në këtë garë.

Zidane kërkon mesfushorin e PSG

Trajneri i Real Madrid, Zinedine Zidane dëshiron të firmosë me sulmuesin e Paris Saint-Germain, Julian Draxler, sipas asaj që shkruajnë mediat spanjolle. Lojtari gjerman nuk ka hapësirën e dëshiruar te parisienët, që pas ardhjes së Neymar dhe Mbappe. Për këtë arsye, tekniku francez, duke parë edhe largimin e Alvaro Moratës dhe James Rodriguez, do të vihet në lëvizje për ta marrë që në janar 24-vjeçarin.
Te Juventus-i duket se e dinë se cili do të jetë pasuesi i Gigi Buffon. Prej kohësh përflitet për një interes ndaj portierit të Atletico Madrid, Jan Oblak, por klubi bardhezi nuk mendon të paguajë 100 milionë euro, aq sa është klauzola e 24-vjeçarit. Kështu plani të çon te Wojciech Szczesny, që u mor nga Arsenali në muajin gusht, me polakun që duket se i përshtatet ambicieve të “Zonjës së Vjetër”.
Manchester United po përgatit rinovimin e kontratave të Marcus Rashford dhe Marouane Fellaini, para se të nisë merkatoja e janarit. Rashford zgjati marrëveshjen për 4 vjet me “Djajtë e Kuq” vetëm sezonin e kaluar, ndërsa Fellaini e rinovoi vetëm me një sezon. Megjithatë trajneri Jose Mourinho i konsideron lojtarë të rëndësishëm dhe për këtë dëshiron t’i blindojë sa më parë. Siç raporton “Sunday Mirror”, trajneri i Everton, Ronald Koeman është në kërkim të përforcimeve në repartin e avancuar. Emri i parë në listën e teknikut holandez është ai i sulmuesit të Arsenal-it, Olivier Giroud.
Pavarësisht se ka pak ditë që u shkarkua nga Crystal Palace, Frank de Boer mund të rikthehet shumë shpejt në drejtimin e një skuadre. Sipas asaj që shkruan tabloidi anglez, “The Sun”, trajneri holandez është në “radarin” e Deportivo la Coruna, që nuk i ka bërë një start të mirë kampionatit, pasi renditet në vendin e 18. Për momentin ekipi spanjoll drejtohet nga Pepe Mel.
Andre Gomes mund të mbyllë para kohe aventurën e tij me Barcelonën. “Don Balon” raporton se mesfushori portugez ka kërkuar largimin nga klubi katalanas që në merkaton e janarit. Lojtari është i pakënaqur me minutat e pakta të aktivizimit dhe për këtë po mendon të gjejë një skuadër ku mund të luajë rregullisht. Juventus dhe Manchester United janë në gjurmët e 24-vjeçarit.

Skandali me masakrën Veliera përfundon në UNESCO

Shtatë muaj nga marrja e vendimit për bllokimin e punimeve të projektit “Veliera” në Durrës në zonën arkeologjike A, Gjykata Administrative ende nuk ka dhënë asnjë vendim mbi fatin e këtij investimi. Zvarritja e vendimit nga ana e kësaj gjykate bëhet me qëllim për t’i dhënë më shumë kohë autoritetit të Bashkisë së Durrësit në projektin e saj të “Velierës”, por shoqëria civile nuk do të lejojë këtë gjë!”
Me këtë denoncim ka dalë para medieve ambientalisti Sazan Guri, që së bashku me pesë persona të tjerë nga Durrësi dhe Tirana, thanë se nuk do të lejojnë që zbulimet arkeologjike të varrosen poshtë ndërtimit. Sazan Guri i bëri thirrje Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Durrës, të zhbllokojë procesin gjyqësor që sipas tyre mbahet i bllokuar qëllimisht. Gjykata Administrative u krijua që të merrte nën shqyrtim çështjet administrative me urgjencë, por kjo gjykatë po i vonon proceset me muaj të tërë.
Për bllokimin e punimeve të fazës së dytë të projektit “Veliera” ka edhe një vendim nga Gjykata e Apelit në Durrës, ndërsa Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ende nuk ka dhënë një vendim përfundimtar se çfarë do të bëhet me projektin në zonën arkeologjike. Sazan Guri tha se çështjen e ka dërguar edhe në UNESKO. Një dosje e veçantë i është dërguar autoritetit më të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë Botërore të Kulturës. Sipas Sazan Gurit, pritet që ditën e nesërme, gjykatësi Petraq Curri të japë një vendim në lidhje me këtë projekt, dhe sipas tij, dyshohet që mund të ketë manipulime.
Ashtu si në rastin e Gjirokastrës, projekti i rikualifikimit urban kërcënon trashëgiminë kulturore dhe sitet arkeologjike të rëndësishme. Në një pjesë të rëndësishme: Projekti “Veliera” do të prekë zonën e mbrojtur arkeologjike, ku nuk mund të ndërhyhet, e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 237, më datë 23 mars 2011. Edhe pse VKM-ja lejon rindërtimin e infrastrukturës në këtë zonë të mbrojtur, neni 2, pika 3 parashikon qartësisht se lejohen vetëm ndërtime të lehta me një lartësi maksimale deri në 3 metra. Këto ndërtime duhet të jenë të lëvizshme dhe nuk duhet të dëmtojnë themelet nëntokësore dhe peizazhin. Zona ngjyrë rosë është Zona e mbrojtur A. Ngjyra e gjelbër është Zona B, në të cilën ndërtimet lejohen pas një “mbikëqyrjeje të vazhdueshme” nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, me anë të “zhurmave arkeologjike ose forma të tjera testimi në varësi të potencialeve të ofruara nga zona dhe me miratimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë”.

Hapet thesi, tender 3 miliardë lekë për Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile

Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka hapur garën për mirëmbajtjen dhe për zhvillimin e mëtejshëm të Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. 8 vjet pas ngritjes së sistemit kompjuterik të këtij Regjistri, nën pretendimin se tashmë ai do të zhvillohet më tej, duke arritur standardet europiane. Tenderi, i cili do të qëndrojë i hapur deri më 9 nëntor, ka një fond limit prej 3 miliardë lekësh dhe ka për synim të realizojë një shërbim cilësor dhe bashkëkohor të gjendjes civile në Shqipëri, me disponueshmëri në masën 99,9%.
Shërbimi i ofruar do të zgjasë tre vite dhe do të përfshijë: Këshillim teknik dhe konsulencë, Monitorimi i Hardware/Software, Lokalizim dhe Azhornimi i Software të Sistemit, Shërbime të tjera përmirësimi apo modifikimi infrastrukture, Trajnime për stafin e DPGJC. Në preventivin e hartuar nga MPB, përfshihet edhe një listë e gjatë me pajisje Hardware dhe programe që duhen për të zhvilluar më tej sistemin. Me shumë gjasa oferta fituese do të vijë nga një kompani e huaj, për shkak të specifikimeve të tenderit, që përcaktojnë se operatori duhet të paraqesë referenca për të paktën dy projekte të ngjashme me një institucion të sektorit publik ose privat në një nga shtetet anëtare të BE-së ose kandidat potencial ose vend kandidat, brenda tre viteve të fundit.
Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile është dokumenti shtetëror unik, ku pasqyrohen përbërësit e Gjendjes Civile të çdo shtetasi shqiptar, shtetasi të huaj dhe çdo personi pa shtetësi, me banim të përkohshëm/të përhershëm në Republikën e Shqipërisë. Regjistri është i lidhur me të gjitha zyrat e Gjendjes Civile në Shqipëri, ndërsa është përdorur edhe si bazë për hartimin e listave zgjedhore.