14.5 C
Tirana
E enjte, 1 Maj, 2025

Vetëm Dybala!

Me një fillim sezoni të shkëlqyer, me 12 gola në 8 takimet e para zyrtare të luajtura dhe me vetëbesimin se tashmë është një prej yjeve të futbollit europian, Paulo Dybala vazhdon të krijojë jehonë rreth tij duke rritur gjithnjë e më shumë interesin e klubeve më të mira të kontinentit që kërkojnë shërbimet e 23-vjeçarit. Mesa duket Reali i Madridit është ndër më të interesuarit për sulmuesin argjentinas, pasi klubi i Florentino Perez mësohet t’i ketë thënë jo opsioneve si Cavani dhe Lewandowski vetëm për të arritur yllin e Juventusit.
Oferta zyrtare e Los Blancos pritet që të mbërrijë verën e ardhshme tek bardhezinjtë që nuk do të pranojnë të nisin tratativat me asnjë klub që ofron më pak se sa shifra prej 150 milionë eurosh. I vetmi problem për klubin mbretëror do të ishte bollëku që do të krijohej në repartin e avancuar me mbërritjen hipotetike të La Joyas, e në një rast të tillë i pari që do të shihej t’i jepte lamtumirën “Bernabeut” do të ishte pikërisht Gareth Bale.
Real Madrid gjatë kësaj vere nuk ka transferuar asnjë lojtar të madh, pasi këtë e kishte kërkuar trajneri Zinedine Zidane. Por, fjala e francezit nuk do të vlejë edhe verën e ardhshme, pasi vetë presidenti i Real Madridit, Florentino Perez do të përfshihet në bisedime me Juventusin për sulmuesin Paulo Dybala.
Perez është një fans i madh i argjentinasit dhe beson se është lojtari më ideal për sulmin e tij. Presidenti i Realit gjatë kësaj vere i kishte ofruar trajnerit Zidane lojtarët si Cavani, Hazard, Mbappe, Aubameyang dhe Griezmann, por të gjithë ishin refuzuar nga trajneri francez, i cili ishte i kënaqur me skuadrën e tij. Sipas “Mundo Deportivo”, Perez për verën e ardhshme e dëshiron Dybala-në dhe do të bëjë gjithçka për transferimin e tij.
Cristiano Ronaldo ka statistika të jashtëzakonshme ndaj skuadrave gjermane në Gjermani. Portugezi ndaj skuadrave gjermane në udhëtim ka luajtur 20 ndeshje, duke shënuar 23 gola. Ndërsa, në total Ronaldo ka luajtur 141 ndeshje në Ligën e Kampionëve duke shënuar 107 gola, rekord në këtë garë.

Zidane kërkon mesfushorin e PSG

Trajneri i Real Madrid, Zinedine Zidane dëshiron të firmosë me sulmuesin e Paris Saint-Germain, Julian Draxler, sipas asaj që shkruajnë mediat spanjolle. Lojtari gjerman nuk ka hapësirën e dëshiruar te parisienët, që pas ardhjes së Neymar dhe Mbappe. Për këtë arsye, tekniku francez, duke parë edhe largimin e Alvaro Moratës dhe James Rodriguez, do të vihet në lëvizje për ta marrë që në janar 24-vjeçarin.
Te Juventus-i duket se e dinë se cili do të jetë pasuesi i Gigi Buffon. Prej kohësh përflitet për një interes ndaj portierit të Atletico Madrid, Jan Oblak, por klubi bardhezi nuk mendon të paguajë 100 milionë euro, aq sa është klauzola e 24-vjeçarit. Kështu plani të çon te Wojciech Szczesny, që u mor nga Arsenali në muajin gusht, me polakun që duket se i përshtatet ambicieve të “Zonjës së Vjetër”.
Manchester United po përgatit rinovimin e kontratave të Marcus Rashford dhe Marouane Fellaini, para se të nisë merkatoja e janarit. Rashford zgjati marrëveshjen për 4 vjet me “Djajtë e Kuq” vetëm sezonin e kaluar, ndërsa Fellaini e rinovoi vetëm me një sezon. Megjithatë trajneri Jose Mourinho i konsideron lojtarë të rëndësishëm dhe për këtë dëshiron t’i blindojë sa më parë. Siç raporton “Sunday Mirror”, trajneri i Everton, Ronald Koeman është në kërkim të përforcimeve në repartin e avancuar. Emri i parë në listën e teknikut holandez është ai i sulmuesit të Arsenal-it, Olivier Giroud.
Pavarësisht se ka pak ditë që u shkarkua nga Crystal Palace, Frank de Boer mund të rikthehet shumë shpejt në drejtimin e një skuadre. Sipas asaj që shkruan tabloidi anglez, “The Sun”, trajneri holandez është në “radarin” e Deportivo la Coruna, që nuk i ka bërë një start të mirë kampionatit, pasi renditet në vendin e 18. Për momentin ekipi spanjoll drejtohet nga Pepe Mel.
Andre Gomes mund të mbyllë para kohe aventurën e tij me Barcelonën. “Don Balon” raporton se mesfushori portugez ka kërkuar largimin nga klubi katalanas që në merkaton e janarit. Lojtari është i pakënaqur me minutat e pakta të aktivizimit dhe për këtë po mendon të gjejë një skuadër ku mund të luajë rregullisht. Juventus dhe Manchester United janë në gjurmët e 24-vjeçarit.

Skandali me masakrën Veliera përfundon në UNESCO

Shtatë muaj nga marrja e vendimit për bllokimin e punimeve të projektit “Veliera” në Durrës në zonën arkeologjike A, Gjykata Administrative ende nuk ka dhënë asnjë vendim mbi fatin e këtij investimi. Zvarritja e vendimit nga ana e kësaj gjykate bëhet me qëllim për t’i dhënë më shumë kohë autoritetit të Bashkisë së Durrësit në projektin e saj të “Velierës”, por shoqëria civile nuk do të lejojë këtë gjë!”
Me këtë denoncim ka dalë para medieve ambientalisti Sazan Guri, që së bashku me pesë persona të tjerë nga Durrësi dhe Tirana, thanë se nuk do të lejojnë që zbulimet arkeologjike të varrosen poshtë ndërtimit. Sazan Guri i bëri thirrje Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Durrës, të zhbllokojë procesin gjyqësor që sipas tyre mbahet i bllokuar qëllimisht. Gjykata Administrative u krijua që të merrte nën shqyrtim çështjet administrative me urgjencë, por kjo gjykatë po i vonon proceset me muaj të tërë.
Për bllokimin e punimeve të fazës së dytë të projektit “Veliera” ka edhe një vendim nga Gjykata e Apelit në Durrës, ndërsa Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ende nuk ka dhënë një vendim përfundimtar se çfarë do të bëhet me projektin në zonën arkeologjike. Sazan Guri tha se çështjen e ka dërguar edhe në UNESKO. Një dosje e veçantë i është dërguar autoritetit më të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë Botërore të Kulturës. Sipas Sazan Gurit, pritet që ditën e nesërme, gjykatësi Petraq Curri të japë një vendim në lidhje me këtë projekt, dhe sipas tij, dyshohet që mund të ketë manipulime.
Ashtu si në rastin e Gjirokastrës, projekti i rikualifikimit urban kërcënon trashëgiminë kulturore dhe sitet arkeologjike të rëndësishme. Në një pjesë të rëndësishme: Projekti “Veliera” do të prekë zonën e mbrojtur arkeologjike, ku nuk mund të ndërhyhet, e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 237, më datë 23 mars 2011. Edhe pse VKM-ja lejon rindërtimin e infrastrukturës në këtë zonë të mbrojtur, neni 2, pika 3 parashikon qartësisht se lejohen vetëm ndërtime të lehta me një lartësi maksimale deri në 3 metra. Këto ndërtime duhet të jenë të lëvizshme dhe nuk duhet të dëmtojnë themelet nëntokësore dhe peizazhin. Zona ngjyrë rosë është Zona e mbrojtur A. Ngjyra e gjelbër është Zona B, në të cilën ndërtimet lejohen pas një “mbikëqyrjeje të vazhdueshme” nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, me anë të “zhurmave arkeologjike ose forma të tjera testimi në varësi të potencialeve të ofruara nga zona dhe me miratimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë”.

Hapet thesi, tender 3 miliardë lekë për Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile

Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka hapur garën për mirëmbajtjen dhe për zhvillimin e mëtejshëm të Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. 8 vjet pas ngritjes së sistemit kompjuterik të këtij Regjistri, nën pretendimin se tashmë ai do të zhvillohet më tej, duke arritur standardet europiane. Tenderi, i cili do të qëndrojë i hapur deri më 9 nëntor, ka një fond limit prej 3 miliardë lekësh dhe ka për synim të realizojë një shërbim cilësor dhe bashkëkohor të gjendjes civile në Shqipëri, me disponueshmëri në masën 99,9%.
Shërbimi i ofruar do të zgjasë tre vite dhe do të përfshijë: Këshillim teknik dhe konsulencë, Monitorimi i Hardware/Software, Lokalizim dhe Azhornimi i Software të Sistemit, Shërbime të tjera përmirësimi apo modifikimi infrastrukture, Trajnime për stafin e DPGJC. Në preventivin e hartuar nga MPB, përfshihet edhe një listë e gjatë me pajisje Hardware dhe programe që duhen për të zhvilluar më tej sistemin. Me shumë gjasa oferta fituese do të vijë nga një kompani e huaj, për shkak të specifikimeve të tenderit, që përcaktojnë se operatori duhet të paraqesë referenca për të paktën dy projekte të ngjashme me një institucion të sektorit publik ose privat në një nga shtetet anëtare të BE-së ose kandidat potencial ose vend kandidat, brenda tre viteve të fundit.
Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile është dokumenti shtetëror unik, ku pasqyrohen përbërësit e Gjendjes Civile të çdo shtetasi shqiptar, shtetasi të huaj dhe çdo personi pa shtetësi, me banim të përkohshëm/të përhershëm në Republikën e Shqipërisë. Regjistri është i lidhur me të gjitha zyrat e Gjendjes Civile në Shqipëri, ndërsa është përdorur edhe si bazë për hartimin e listave zgjedhore.

Çfarë fsheh megatenderi 50 milionë USD për naftën

Duket se ari i zi, i zbardh faqen dikujt. Kompania “Albpetrol”, pas mbarimit të zgjedhjeve ka nisur punën, duke mos u kujdesur për procedurat konform ligjeve. Një aferë me vlerë afro 50 milionë dollarë për të cilat janë shkelur procedurat hapur, duke marrë në konsideratë njoftimet zyrtare. Të paktën 11 ditë nxitim konfirmojnë shkeljen e dukshme.
“Albpetrol” sha, me datë 14.08.2017, ka publikuar në faqen e saj zyrtare njoftimin e ankandit publik. Shitje naftë bruto, sasia 200 000 ton, e cila do të evadohej për një periudhë prej 365 ditësh nga data e nënshkrimit të kontratës. Njoftimi i ankandit, së bashku me Dokumentet Standarde të Ankandit, (DAS,) parashikonin se procedura e përzgjedhjes për zhvillimin e këtij ankandi, sipas pikës tre të njoftimit, është “Procedurë e hapur” dhe afati kohor për hapjen e ofertave është data 22.08.2017, gjithnjë sipas njoftimit në pikën dy të tij. Një sipërmarrje e tillë në tregun e naftës, duket se Albpetrol nuk ju ka lënë kohën e duhur kompanive të shumta vendase dhe të huaja të interesuara për të qenë pjesë e këtij ankandi. Për komanitë e huaja nuk ka pasur aspak kohë as ta marrin vesh e jo më të plotësojnë dosjen e kërkuar sipas ligjit. Burimet konfirmojnë se kompana e deklaruar fituese është kompania “Izvor 99 shpk”, kompani që operon në transport dhe tregtim të bitumit, karburanteve, lubrifikantëve të ndryshëm e fraksioneve të tjera të naftës dhe që operon në zonën e Fierit.

Procedurë e hapur, apo shkelje ligjore e hapur?

Shkelje e hapur për të cilën mund të ketë interes shitësi, blerësi, apo dyshime të tjera, të cilat duhet të merren në konsideratë nga hetimi i akuzës!
Në përputhje me DSA dhe njoftimin e ankandit, nga Albpetrol, afati për dorëzimin e ofertave është 9 ditë kalendarike, duke përfshirë dhe datën e publikimit të njoftimit. Ndërkohë neni 28 pika 2 e Ligjit për Ankandin Publik, e parashikon qartë se në Procedurat e hapura, të ankandit publik, afati për paraqitjen e ofertave të ankandit, është jo më pak se 20 ditë, nga data në të cilën është botuar njoftimi i ankandit. Albpetrol, ndonëse ka theksuar në njoftimin e saj zyrtar Procedurë e hapur, u ka lënë në dispozicion ofertuesve, nëntë ditë dhe jo së paku 20, siç parashikon ligji. Shkelja për këtë aferë 50 milionë dollarëshe, mundet të zbulojë sikletet e hapura të “Albpetrol”, të Ministrisë së Energjetikës, të qeverisë.

Dokumentacioni

Agjencia e Prokurimit Publik teksa sqaron Dokumentat Standarde të Ankandit Publik, thekson kur liston kriteret e veçanta, se “Në ankandin publik lejohen të marrin pjesë ofertues/kandidatë, që i kanë tërhequr dokumentet drejtperdrejt nga autoriteti shitës, si dhe ata që i kanë tërhequr këto dokumente në rrugë elektronike, të cilët duhet të jenë të pajisur dhe të paraqesin dokumentet e mëposhtme:
Licencë koncensioni, për përpunimin e produktit hidrokarbur naftë bruto në tregun e brendshëm ose licencën përkatëse, për tregtimin e këtij produkti hidrokarbur, të marrë në Shqipëri, sipas dispozitave të Ligjit nr. 8450 datë 24.02.1999…”. Ky dokumentacion është një episod për t’u verifikuar saktësisht, nëse është përmbushur nga të përzgjedhurit e Albpetrol.
Si do procedohet
Tërheqja e sasisë prej 200 mijë tonë naftë do të bëhet nga tetë stacione të Albpetrol dhe konkretisht nga stacioni Marinëz (Bankers/HUB Fier), stacioni Usojë, 16/1 (ARMO) Ballsh, stacioni Zharrëz, stacioni Sheqishtë, stacioni Gorisht, stacioni Visoke dhe në fund stacioni Kuçovë.
Tërheqja e gjithë sasisë do të bëhet në harkun e një viti nga ana e kompanisë që u shpall fituese e këtij ankandi.

Ligji për Ankandin Publik thotë në nenet 2 dhe 3

Neni 28
Pika 2
Në procedurat e hapura, të ankandit publik, afati për paraqitjen e ofertave të ankandit, është jo më pak se 20 ditë, nga data në të cilën është botuar njoftimi i ankandit
Pika 3
Në procedurën e kufizuar, afati minimal kohor, për dorëzimin e kërkesës, për pjesëmarrje është 10 ditë nga data, në të cilën është botuar njoftimi i ankandit, dhe afati minimal kohor për dorëzimin e ofertës është 10 ditë nga data në të cilën është dërguar ftesa për ofertë te kandidatët.

NJOFTIMI I ANKANDIT

1. Autoriteti shitës: Albpetrol sha Patos, Rruga Fier – Patos km 7
2. Data e zhvillimit të ankandit: 22/08/2017
3. Lloji i Procedurës standarde të ankandit: Procedurë e hapur
4. Objekti i Shitjes: Shitje nafte bruto, sasia 200 000 ton
5. Afati i evadimit: 365 ditë nga data e nënshkrimit të kontratës
6. Përshkrim i shkurtër i objektit të shitjes: Shitje e naftës bruto, sasia 200 000 ton, në pikat e lëvrimit CTF Marinez (Bankers/HUB Fier), Stacioni Usoje, 16/1 (ARMO) Ballsh, Stacioni Zharrëz, Stacioni Sheqishtë, Stacioni Gorisht, Stacioni Visokë, Stacioni Kuçovë.
Dokumentacionet
– Njoftim i Ankandit
– DSA Shitje naftë bruto, sasia 200 000 ton

SHBA bëhet gati, Koreja tjetër bombë me hidrogjen

Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong Ho tha se Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur luftë vendit të tij dhe se Pheniani do të kundërveprojë, nëse kërcënohet, duke përfshirë edhe rrëzimin e avionëve luftarakë amerikanë në rajon.
Ministri Ri e lidhi kërcënimin drejtpërsëdrejt me komentet e Presidentit të SHBA, Donald Trump të shtunën në Twitter. Duke iu përgjigjur fjalimit të zotit Ri në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Presidenti Trump shkruante: “Sapo dëgjova ministrin e Jashtëm të Koresë së Veriut të fliste në OKB. Nëse ai u bën jehonë mendimeve të Njeriut Raketë, ata nuk do ta kenë shumë të gjatë”.
Të hënën, ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut u përgjigj. “Duke pasur parasysh faktin se komenti vjen nga dikush që aktualisht mban presidencën e Shteteve të Bashkuara, kjo është qartazi një deklaratë lufte”, u tha Ri gazetarëve jashtë hotelit të tij në Nju Jork. “Të gjitha vendet anëtare që marrin pjesë në Kombet e Bashkuara dhe bota e tërë duhet të kujtojnë qartë se ishte SHBA që i shpalli e para luftë vendit tonë”.
Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut shtoi se, “ne do të kemi çdo të drejtë për kundërmasa, duke përfshirë të drejtën për të rrëzuar bombarduesit strategjikë të Shteteve të Bashkuara, edhe kur ata nuk janë ende brenda hapësirës ajrore të vendit tonë”.
Në Pentagon, zëdhënësi Robert Manning u tha gazetarëve: “Nëse Koreja e Veriut nuk i ndal veprimet provokuese, ne (ushtria) do t’i japim presidentit alternativa që të zgjidhë çështjen e Koresë së Veriut. Ne kemi të drejtën për të fluturuar, lundruar dhe vepruar aty ku ligjërisht është e lejueshme kudo në glob”.
Të shtunën, bombardues amerikanë B-1B u nisën nga Guami nën shoqërimin e avionëve luftarakë F-16 nga një bazë amerikane në Japoni dhe fluturuan në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi ujërat në lindje të Koresë së Veriut.
Manning tha se demonstrimi i forcës, që synonte të vinte në dukje disa nga opsionet ushtarake në dispozicion të Presidentit Trump, ishte skaji më verior i zonës së çmilitarizuar, ku ka fluturuar ndonjëherë ndonjë bombardues amerikan jashtë brigjeve të Koresë së Veriut në shekullin e 21”.
“Ne jemi të vendosur. Jemi të gatshëm të luftojmë qysh sonte”, tha zëdhënësi i Pentagonit, por nuk pranoi të fliste për ndonjë lëvizje të mundshme trupash në rajon në klimën e tensioneve në rritje.
Retorika midis udhëheqësve të Koresë së Veriut dhe Presidentit Trump është shkallëzuar gjatë javës së kaluar, si gjatë ashtu edhe në periferi të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Duke e përshkruar udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un si “Njeriu raketë” në një mision vetëvrasës, zoti Trump e përdori fjalimin e tij të parë në OKB të martën e kaluar për të paralajmëruar regjimin e Phenianit se kursi i tanishëm i Koresë së Veriut mund të çonte në “shkatërrim total”.
Ministri Ri kërcënoi të shtunën se vendi i tij mund të kryejë një provë bombe me hidrogjen në atmosferë mbi Oqeanin Paqësor.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Jim Mattis u përgjigj të hënën se nëse Koreja e Veriut e vë në jetë kërcënimin e saj, “ky do të ishte një demonstrim tronditës i papërgjegjshmërisë ndaj shëndetit global, stabilitetit dhe mospërhapjes së armëve”.

Shtëpia e Bardhë: Pohimet për luftë janë “absurde”

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë pohimet e ministrit të Jashtëm të Koresë së Veriut se SHBA-ja i ka shpallur luftë Koresë së Veriut, këto pretendime u quajtën “absurde”.
Kjo deklaratë erdhi nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, disa orë pasi diplomati verikorean tha se Pheniani ka të drejtë të mbrojë veten dhe të sulmojë bombarduesit strategjikë të SHBA-së.
“Ne nuk i kemi deklaruar luftë Koresë së Veriut. Sinqerisht, ky sugjerim është absurd”, ka thënë Sanders.
Ri Yong Ho, duke folur në Nju Jork, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si përgjigje ndaj SHBA-së, ai u ka thënë gazetarëve se “të gjitha opsionet janë në tryezë” për Korenë e Veriut.
“Bota duhet të kujtojë se SHBA-ja ishte e para që i shpalli luftë vendit tonë”, ka thënë Ri.
Ri ka paralajmëruar se Phenjiani ka të drejtën të sulmojë bombarduesit strategjikë të SHBA-së, edhe nëse janë jashtë zonës ajrore të Koresë së Veriut.
Javën e kaluar, presidenti i SHBA-së Donald Trump e quajti liderin verikorean, Kim Jong Un-in “të çmendur”, vetëm një ditë pasi Kim e quajti presidentin Trump “matuf i çmendur amerikan”.

 

Kina: Lufta nuk do të ketë fitues

Kina ka thënë të martën se lufta në gadishullin korean nuk do të ketë fitues.
Kjo deklaratë erdhi pasi ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut tha se presidenti amerikan, Donald Trump, i ka deklaruar luftë Koresë së Veriut dhe se Pheniani ka rezervuar të drejtën për të marrë masa.
Zëdhënësi i ministrit të Jashtëm kinez, Lu Kang, ka thënë në Pekin se politikanët e SHBA-së dhe Koresë së Veriut mund ta kuptojnë se përdorimi i mjeteve ushtarake, kurrë nuk do të jetë një rrugë e qëndrueshme.
Kina po ashtu nuk ka miratuar eskalimin e luftës me fjalë në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, ka thënë Lu në një takim informues në Pekin.

Politika e jashtme e Merkel

Qendra Kërkimore Pew me bazë në Uashington, anketoi para ca kohësh njerëz në më shumë se 30 vende rreth mendimeve të tyre mbi udhëheqësit e botës.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel kryesonte. Të anketuarit shprehnin më shumë besim tek ajo sesa te çdo udhëheqës tjetër.
Me Shtetet e Bashkuara që po bëhen më izolacioniste, Britaninë që është zhytur në grindje rreth Brexit dhe Francën e udhëhequr nga një president i ri i paprovuar, popullariteti i të cilit tashmë po bie, shumë njerëz e shohin zonjën Merkel, e cila të dielën siguroi një mandat të katërt – ndonëse partia e saj Bashkimi Kristian Demokrat fitoi më pak vende në Parlament sesa në mandatin e kaluar – si udhëheqësen më të besueshme të Perëndimit.
Gazetat amerikane dhe evropiane e kanë quajtur atë “udhëheqësen e botës së lirë” për pjesën më të madhe të vitit 2017.
Por mbeten pyetje rreth asaj se si Kancelarja Merkel do të jetë aktive kur vjen puna te politika e jashtme në mandatin e saj të katërt – dhe se si ajo mund t’i përqaset sfidave të mëdha me të cilat përballet Gjermania dhe Evropa, duke përfshirë terrorin, luftën, krizat financiare dhe trazirat politike. Instinkti i shkencëtares së kthyer në politikane, është të kërkojë konsensus – por kjo është një gjë e vështirë për t’u bërë kur ballafaqohet me udhëheqës si Donald Trump i SHBA-së dhe Recep Tayyip Erdogan i Turqisë, të cilët e shohin diplomacinë si një lojë pa vlerë.
Më parë këtë vit, pas njoftimit të zotit Trump se ai do të tërhiqte SHBA-në nga pakti i ndryshimeve klimatike të Parisit, zonja Merkel këshilloi evropianët e tjerë se ata duhet të marrin fatin në duart e tyre. “Kohët në të cilat mund të mbështetemi plotësisht te të tjerët pothuajse kanë mbaruar”, u shpreh ajo.

Mianmari akuzohet për krime kundër njerëzimit

Human Rights Watch ka thënë se Mianmari po kryen krime kundër njerëzimit në fushatën e tyre kundër myslimanëve në shtetin Rakhine.
HRW i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që t’i vendosë sanksione shtesë dhe embargo armësh Mianmarit.
Një zëdhënës i qeverisë së Mianmarit ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se nuk ka ende dëshmi për këtë dhe se qeveria është e përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut.
Mianmari, po ashtu ka hedhur poshtë akuzat e Kombeve të Bashkuara se forcat e tyre janë të përfshira në spastrim etnik kundër myslimanëve Rohingya.
Ata thanë se forcat e tyre po luftojnë terroristët që po sulmojnë policinë dhe ushtrinë, duke vrarë civilë dhe duke shkatërruar fshatra.
Fushata ushtarake ka zhvendosur 440 mijë refugjatë në Bangladesh, shumica nga ata janë Rohingya.

Vriten tre izraelitë nga një sulm me armë zjarri

epa04749846 Palestinian stone throwers from the West Bank village of Bitonya, near Ramallah, run for cover as tear gas cylinders are shot at their direction during clashes with Israeli Border police next to the Ofer Military prison, 15 May 2015. Palestinians the same day marked the 67th anniversary of 'Nakba Day' (or 'Day of the Catastrophe') to commemorate their displacement after the Israeli Declaration of Independence in 1948. EPA/ATEF SAFADI

Një palestinez ka hapur zjarr në drejtim të paramilitarëve izraelitë, duke vrarë tri persona dhe plagosur një tjetër, ka thënë policia.
Zëdhënësja e policisë, Luba Samri, ka thënë se sulmuesi ishte palestinez 37-vjeçar që kishte sulmuar në hyrje të derës së pasme të West Bankës, duke u fshehur në mesin e punëtorëve palestinezë.
Kur ai ishte urdhëruar të ndalonte, personi ka nxjerrë armën dhe ka hapur zjarr, ka thënë Samri.
Sulmuesi, i cili mbante leje punë në Izrael, ishte vrarë nga forcat policore.
Shërbimi spitalor, ka thënë se edhe ndihmë mjekësore ka marrë edhe një person, i cili është në gjendje kritike.
Incidenti ka ndodhur në veriperëndim të Jerusalemit, zonë ku ka shërthyer dhuna në muajt e fundit.

 

Kosovë, ende nuk është mbyllur fiskalizimi i pikave të karburanteve

Në Kosovë ende nuk ka përfunduar procesi i montimit të pajisjeve specifike fiskale në aparatet e pikave të shitjes nëpër pikat e karburanteve, proces ky që ka filluar në vitin 2014. Këtë informacion e konfirmojnë vet zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK). Sipas të dhënave të ATK-së, janë 349 biznese që merren me shitjen e derivateve të naftës, me 559 njësi në gjithë territorin e Kosovës. Por, numri i bizneseve të fiskalizuara me sisteme fiskale është 262, kurse 560 aparate janë pajisur me arka të veçanta fiskale, thotë Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës. Ajo tha për Radion “Evropa e Lirë” se nga “ky numër, të gjithë operatorët e mëdhenj janë fiskalizuar, kurse një numër tjetër kanë paguar pajiset dhe janë në pritje për instalim. Ndërkaq, ato të cilat nuk kanë bërë pagesën, ATK-ja ka marrë masa ligjore për mbylljen e tyre deri tek finalizimi final”.
Por, ndryshe nga të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës, Shoqata e Naftëtarëve vlerëson se në Kosovë veprojnë mbi 700 operatorë të naftës. Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani tha për Radion “Evropa e Lirë” se, nga koha e uljes së çmimit të pajisjeve, pa u fiskalizuar kanë mbetur vetëm pikat e karburanteve që operojnë në vise rurale dhe që kanë qarkullim të ulët financiar. “Nuk ka arsye, që asnjë pikë e karburantit të mos fiskalizohet. Sepse ne të gjithë e kemi pranuar këtë proces. Çmimi është ulur në rreth 4.000 euro, që konsiderohet i arsyeshëm”. “Sa i përket 10 për qind të pikave të shitjes që kanë mbetur të pafiskalizuara, janë ato që nuk e kanë qarkullimin mjaftueshëm që mund t’i nënshtrohen këtij procesi. Kemi pika karburanti në vendet rurale, ku qarkullimi është shumë i dobët dhe ndoshta mendojnë të largohen nga kjo veprimtari”, tha Berjani.
Pikat e karburanteve të naftës edhe në vitin 2010 ishin pajisur me arka fiskale, por autoritetet kompetente kishin kërkuar që të pajisen edhe me arka të tjera speciale fiskale, që duhet të montohet në çdo dispanser (aparat ku shitet qoftë nafta, qoftë benzina). Ndryshe, udhëheqës të Shoqatës së Operatorëve të Licencuar për Pajisje Elektronike Fiskale, thonë se janë të gatshëm për t’i pajisur pikat e karburanteve me sisteme fiskale. Kestrin Kumnova, përfaqësues i Shoqatës së Operatorëve të Licencuar për Pajisje Fiskale, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se mospërfundimi i këtij procesi po ndodh për shkak të neglizhencës së ATK-së. “Çmimet e pajisjeve të aparateve fiskale janë më të lirat në rajon me vetëm 3400 euro. Mirëpo, dinamika e ATK-së nuk është e shpejtë dhe ende shumë pika të karburanteve të naftës kanë mbetur të pafiskalizuara”. “Shqetësuese po ashtu mbetet edhe mosfiskalizimi i kompanive të taksive që kanë rreth gjashtë milionë euro qarkullim vjetor si dhe i kompanive të sigurimeve”, ka thënë Kumnova. Ndryshe, nëpërmjet këtij projekti, Administrata Tatimore e Kosovës pritet të ketë një kontroll më të madh të parave në qarkullim, pasi potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe daljet në çdo pikë të shitjes.