18.5 C
Tirana
E enjte, 1 Maj, 2025

SHBA bëhet gati, Koreja tjetër bombë me hidrogjen

Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong Ho tha se Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur luftë vendit të tij dhe se Pheniani do të kundërveprojë, nëse kërcënohet, duke përfshirë edhe rrëzimin e avionëve luftarakë amerikanë në rajon.
Ministri Ri e lidhi kërcënimin drejtpërsëdrejt me komentet e Presidentit të SHBA, Donald Trump të shtunën në Twitter. Duke iu përgjigjur fjalimit të zotit Ri në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Presidenti Trump shkruante: “Sapo dëgjova ministrin e Jashtëm të Koresë së Veriut të fliste në OKB. Nëse ai u bën jehonë mendimeve të Njeriut Raketë, ata nuk do ta kenë shumë të gjatë”.
Të hënën, ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut u përgjigj. “Duke pasur parasysh faktin se komenti vjen nga dikush që aktualisht mban presidencën e Shteteve të Bashkuara, kjo është qartazi një deklaratë lufte”, u tha Ri gazetarëve jashtë hotelit të tij në Nju Jork. “Të gjitha vendet anëtare që marrin pjesë në Kombet e Bashkuara dhe bota e tërë duhet të kujtojnë qartë se ishte SHBA që i shpalli e para luftë vendit tonë”.
Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut shtoi se, “ne do të kemi çdo të drejtë për kundërmasa, duke përfshirë të drejtën për të rrëzuar bombarduesit strategjikë të Shteteve të Bashkuara, edhe kur ata nuk janë ende brenda hapësirës ajrore të vendit tonë”.
Në Pentagon, zëdhënësi Robert Manning u tha gazetarëve: “Nëse Koreja e Veriut nuk i ndal veprimet provokuese, ne (ushtria) do t’i japim presidentit alternativa që të zgjidhë çështjen e Koresë së Veriut. Ne kemi të drejtën për të fluturuar, lundruar dhe vepruar aty ku ligjërisht është e lejueshme kudo në glob”.
Të shtunën, bombardues amerikanë B-1B u nisën nga Guami nën shoqërimin e avionëve luftarakë F-16 nga një bazë amerikane në Japoni dhe fluturuan në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi ujërat në lindje të Koresë së Veriut.
Manning tha se demonstrimi i forcës, që synonte të vinte në dukje disa nga opsionet ushtarake në dispozicion të Presidentit Trump, ishte skaji më verior i zonës së çmilitarizuar, ku ka fluturuar ndonjëherë ndonjë bombardues amerikan jashtë brigjeve të Koresë së Veriut në shekullin e 21”.
“Ne jemi të vendosur. Jemi të gatshëm të luftojmë qysh sonte”, tha zëdhënësi i Pentagonit, por nuk pranoi të fliste për ndonjë lëvizje të mundshme trupash në rajon në klimën e tensioneve në rritje.
Retorika midis udhëheqësve të Koresë së Veriut dhe Presidentit Trump është shkallëzuar gjatë javës së kaluar, si gjatë ashtu edhe në periferi të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Duke e përshkruar udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un si “Njeriu raketë” në një mision vetëvrasës, zoti Trump e përdori fjalimin e tij të parë në OKB të martën e kaluar për të paralajmëruar regjimin e Phenianit se kursi i tanishëm i Koresë së Veriut mund të çonte në “shkatërrim total”.
Ministri Ri kërcënoi të shtunën se vendi i tij mund të kryejë një provë bombe me hidrogjen në atmosferë mbi Oqeanin Paqësor.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Jim Mattis u përgjigj të hënën se nëse Koreja e Veriut e vë në jetë kërcënimin e saj, “ky do të ishte një demonstrim tronditës i papërgjegjshmërisë ndaj shëndetit global, stabilitetit dhe mospërhapjes së armëve”.

Shtëpia e Bardhë: Pohimet për luftë janë “absurde”

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë pohimet e ministrit të Jashtëm të Koresë së Veriut se SHBA-ja i ka shpallur luftë Koresë së Veriut, këto pretendime u quajtën “absurde”.
Kjo deklaratë erdhi nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, disa orë pasi diplomati verikorean tha se Pheniani ka të drejtë të mbrojë veten dhe të sulmojë bombarduesit strategjikë të SHBA-së.
“Ne nuk i kemi deklaruar luftë Koresë së Veriut. Sinqerisht, ky sugjerim është absurd”, ka thënë Sanders.
Ri Yong Ho, duke folur në Nju Jork, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si përgjigje ndaj SHBA-së, ai u ka thënë gazetarëve se “të gjitha opsionet janë në tryezë” për Korenë e Veriut.
“Bota duhet të kujtojë se SHBA-ja ishte e para që i shpalli luftë vendit tonë”, ka thënë Ri.
Ri ka paralajmëruar se Phenjiani ka të drejtën të sulmojë bombarduesit strategjikë të SHBA-së, edhe nëse janë jashtë zonës ajrore të Koresë së Veriut.
Javën e kaluar, presidenti i SHBA-së Donald Trump e quajti liderin verikorean, Kim Jong Un-in “të çmendur”, vetëm një ditë pasi Kim e quajti presidentin Trump “matuf i çmendur amerikan”.

 

Kina: Lufta nuk do të ketë fitues

Kina ka thënë të martën se lufta në gadishullin korean nuk do të ketë fitues.
Kjo deklaratë erdhi pasi ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut tha se presidenti amerikan, Donald Trump, i ka deklaruar luftë Koresë së Veriut dhe se Pheniani ka rezervuar të drejtën për të marrë masa.
Zëdhënësi i ministrit të Jashtëm kinez, Lu Kang, ka thënë në Pekin se politikanët e SHBA-së dhe Koresë së Veriut mund ta kuptojnë se përdorimi i mjeteve ushtarake, kurrë nuk do të jetë një rrugë e qëndrueshme.
Kina po ashtu nuk ka miratuar eskalimin e luftës me fjalë në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, ka thënë Lu në një takim informues në Pekin.

Politika e jashtme e Merkel

Qendra Kërkimore Pew me bazë në Uashington, anketoi para ca kohësh njerëz në më shumë se 30 vende rreth mendimeve të tyre mbi udhëheqësit e botës.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel kryesonte. Të anketuarit shprehnin më shumë besim tek ajo sesa te çdo udhëheqës tjetër.
Me Shtetet e Bashkuara që po bëhen më izolacioniste, Britaninë që është zhytur në grindje rreth Brexit dhe Francën e udhëhequr nga një president i ri i paprovuar, popullariteti i të cilit tashmë po bie, shumë njerëz e shohin zonjën Merkel, e cila të dielën siguroi një mandat të katërt – ndonëse partia e saj Bashkimi Kristian Demokrat fitoi më pak vende në Parlament sesa në mandatin e kaluar – si udhëheqësen më të besueshme të Perëndimit.
Gazetat amerikane dhe evropiane e kanë quajtur atë “udhëheqësen e botës së lirë” për pjesën më të madhe të vitit 2017.
Por mbeten pyetje rreth asaj se si Kancelarja Merkel do të jetë aktive kur vjen puna te politika e jashtme në mandatin e saj të katërt – dhe se si ajo mund t’i përqaset sfidave të mëdha me të cilat përballet Gjermania dhe Evropa, duke përfshirë terrorin, luftën, krizat financiare dhe trazirat politike. Instinkti i shkencëtares së kthyer në politikane, është të kërkojë konsensus – por kjo është një gjë e vështirë për t’u bërë kur ballafaqohet me udhëheqës si Donald Trump i SHBA-së dhe Recep Tayyip Erdogan i Turqisë, të cilët e shohin diplomacinë si një lojë pa vlerë.
Më parë këtë vit, pas njoftimit të zotit Trump se ai do të tërhiqte SHBA-në nga pakti i ndryshimeve klimatike të Parisit, zonja Merkel këshilloi evropianët e tjerë se ata duhet të marrin fatin në duart e tyre. “Kohët në të cilat mund të mbështetemi plotësisht te të tjerët pothuajse kanë mbaruar”, u shpreh ajo.

Mianmari akuzohet për krime kundër njerëzimit

Human Rights Watch ka thënë se Mianmari po kryen krime kundër njerëzimit në fushatën e tyre kundër myslimanëve në shtetin Rakhine.
HRW i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që t’i vendosë sanksione shtesë dhe embargo armësh Mianmarit.
Një zëdhënës i qeverisë së Mianmarit ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se nuk ka ende dëshmi për këtë dhe se qeveria është e përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut.
Mianmari, po ashtu ka hedhur poshtë akuzat e Kombeve të Bashkuara se forcat e tyre janë të përfshira në spastrim etnik kundër myslimanëve Rohingya.
Ata thanë se forcat e tyre po luftojnë terroristët që po sulmojnë policinë dhe ushtrinë, duke vrarë civilë dhe duke shkatërruar fshatra.
Fushata ushtarake ka zhvendosur 440 mijë refugjatë në Bangladesh, shumica nga ata janë Rohingya.

Vriten tre izraelitë nga një sulm me armë zjarri

epa04749846 Palestinian stone throwers from the West Bank village of Bitonya, near Ramallah, run for cover as tear gas cylinders are shot at their direction during clashes with Israeli Border police next to the Ofer Military prison, 15 May 2015. Palestinians the same day marked the 67th anniversary of 'Nakba Day' (or 'Day of the Catastrophe') to commemorate their displacement after the Israeli Declaration of Independence in 1948. EPA/ATEF SAFADI

Një palestinez ka hapur zjarr në drejtim të paramilitarëve izraelitë, duke vrarë tri persona dhe plagosur një tjetër, ka thënë policia.
Zëdhënësja e policisë, Luba Samri, ka thënë se sulmuesi ishte palestinez 37-vjeçar që kishte sulmuar në hyrje të derës së pasme të West Bankës, duke u fshehur në mesin e punëtorëve palestinezë.
Kur ai ishte urdhëruar të ndalonte, personi ka nxjerrë armën dhe ka hapur zjarr, ka thënë Samri.
Sulmuesi, i cili mbante leje punë në Izrael, ishte vrarë nga forcat policore.
Shërbimi spitalor, ka thënë se edhe ndihmë mjekësore ka marrë edhe një person, i cili është në gjendje kritike.
Incidenti ka ndodhur në veriperëndim të Jerusalemit, zonë ku ka shërthyer dhuna në muajt e fundit.

 

Kosovë, ende nuk është mbyllur fiskalizimi i pikave të karburanteve

Në Kosovë ende nuk ka përfunduar procesi i montimit të pajisjeve specifike fiskale në aparatet e pikave të shitjes nëpër pikat e karburanteve, proces ky që ka filluar në vitin 2014. Këtë informacion e konfirmojnë vet zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK). Sipas të dhënave të ATK-së, janë 349 biznese që merren me shitjen e derivateve të naftës, me 559 njësi në gjithë territorin e Kosovës. Por, numri i bizneseve të fiskalizuara me sisteme fiskale është 262, kurse 560 aparate janë pajisur me arka të veçanta fiskale, thotë Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës. Ajo tha për Radion “Evropa e Lirë” se nga “ky numër, të gjithë operatorët e mëdhenj janë fiskalizuar, kurse një numër tjetër kanë paguar pajiset dhe janë në pritje për instalim. Ndërkaq, ato të cilat nuk kanë bërë pagesën, ATK-ja ka marrë masa ligjore për mbylljen e tyre deri tek finalizimi final”.
Por, ndryshe nga të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës, Shoqata e Naftëtarëve vlerëson se në Kosovë veprojnë mbi 700 operatorë të naftës. Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani tha për Radion “Evropa e Lirë” se, nga koha e uljes së çmimit të pajisjeve, pa u fiskalizuar kanë mbetur vetëm pikat e karburanteve që operojnë në vise rurale dhe që kanë qarkullim të ulët financiar. “Nuk ka arsye, që asnjë pikë e karburantit të mos fiskalizohet. Sepse ne të gjithë e kemi pranuar këtë proces. Çmimi është ulur në rreth 4.000 euro, që konsiderohet i arsyeshëm”. “Sa i përket 10 për qind të pikave të shitjes që kanë mbetur të pafiskalizuara, janë ato që nuk e kanë qarkullimin mjaftueshëm që mund t’i nënshtrohen këtij procesi. Kemi pika karburanti në vendet rurale, ku qarkullimi është shumë i dobët dhe ndoshta mendojnë të largohen nga kjo veprimtari”, tha Berjani.
Pikat e karburanteve të naftës edhe në vitin 2010 ishin pajisur me arka fiskale, por autoritetet kompetente kishin kërkuar që të pajisen edhe me arka të tjera speciale fiskale, që duhet të montohet në çdo dispanser (aparat ku shitet qoftë nafta, qoftë benzina). Ndryshe, udhëheqës të Shoqatës së Operatorëve të Licencuar për Pajisje Elektronike Fiskale, thonë se janë të gatshëm për t’i pajisur pikat e karburanteve me sisteme fiskale. Kestrin Kumnova, përfaqësues i Shoqatës së Operatorëve të Licencuar për Pajisje Fiskale, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se mospërfundimi i këtij procesi po ndodh për shkak të neglizhencës së ATK-së. “Çmimet e pajisjeve të aparateve fiskale janë më të lirat në rajon me vetëm 3400 euro. Mirëpo, dinamika e ATK-së nuk është e shpejtë dhe ende shumë pika të karburanteve të naftës kanë mbetur të pafiskalizuara”. “Shqetësuese po ashtu mbetet edhe mosfiskalizimi i kompanive të taksive që kanë rreth gjashtë milionë euro qarkullim vjetor si dhe i kompanive të sigurimeve”, ka thënë Kumnova. Ndryshe, nëpërmjet këtij projekti, Administrata Tatimore e Kosovës pritet të ketë një kontroll më të madh të parave në qarkullim, pasi potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe daljet në çdo pikë të shitjes.

 

Uria e Kuqe, lufta e Stalinit kundër Ukrainës

Në librin e saj të fundit, “Uria e Kuqe: Lufta e Stalinit kundër Ukrainës”, historiania amerikane, Anne Applebaum, fituese e çmimit Pulitzer, ka hedhur dritë në njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Ukrainës – uria vdekjeprurëse në periudhën 1932–33, të cilën ukrainasit e quajnë Holodomor.
Afro 4 milionë ukrainas janë vrarë gjatë kësaj urie, që ishte zbatuar nga diktatori i atëhershëm sovjetik, Josef Stalin, për ta eliminuar kërcënimin e perceptuar ndaj autoritetit qendror sovjetik.
“Holodomor ishte krijuar qëllimshëm nga Stalini”, thotë për Radion Evropa e Lirë, historiania, Anne Applebaum dhe shton se, “në vitin 1932, fillimi i urisë më të gjerë sovjetike ishte shkaktuar nga kolektivizimi dhe politika e konfiskimit së drithërave”.
Më tutje, Applebaum thekson se Stalini “kishte vendosur ta shfrytëzonte krizën, me qëllim që në mënyrë specifike ta kishte në shënjestër Ukrainën”.
Në atë kohë, siç shkruan në librin e saj të fundit, janë ndërmarrë disa masa që kishin ndikim në Ukrainë dhe ato janë kryer në të njëjtën kohë. Këto masa ishin: regjistrimi në një listë të zezë të fermave të veçanta, pastaj qyteteve dhe fshatrave, rrethimi i kufirit, në mënyrë që njerëzit të mos mund të largoheshin nga Ukraina, masat speciale kundër institucioneve kulturore të Ukrainës dhe ato kundër gjuhës ukrainase.
“Besoj se kjo kishte për qëllim që të vriteshin sa më shumë njerëz në Ukrainë dhe kjo ishte arritur dhe se Partia Komuniste e Ukrainës dhe Partia Komuniste Sovjetike e dinin se kjo po ndodhte… Po, kjo ishte një uri e qëllimshme”, thotë Anne Applebaum.
Për këtë uri, historiania Applebaum thotë se, “Stalini ishte personalisht përgjegjës, por shumë njerëz të tjerë ishin përgjegjës, po ashtu, pasi uria ishte kryer me ndihmën e burokratëve ukrainas, Partisë Komuniste të Ukrainës dhe liderëve rusë dhe sovjetikë, që kishin ardhur në këtë vend nga jashtë”.
Më tutje, ajo shpjegon se me qëllim që të kryhej uria, që përfshinte largimin e ushqimit e jo vetëm të drithërave, nga shtëpitë e njerëzve, pushtetit i duheshin shumë njerëz dhe rrjedhimisht “ka ekzistuar përgjegjësi e gjerë sociale”.
Lidhur me këtë çështje shpeshherë shtrohet pyetja se përse Stalini e kishte në shënjestër Ukrainën?
“Stalini ishte i frikësuar nga kundërrevolucioni dhe ai ishte veçanërisht i frikësuar nga Ukraina, pasi atij u kujtohet se gjatë periudhës së luftës civile, ka pasur kryengritje të fshatarëve në Ukrainë. Në vitin 1932, ai e dinte se atje ka pasur kryengritje të armatosur kundër kolektivizmit në Ukrainë”, thotë Applebaum.
Sipas saj, afro 4 milionë njerëz kanë vdekur në Ukrainë nga pasojat e Holodomorit.
“Ishte vështirë të llogariteshin numrat meqë sistemi sovjetik ishte përpjekur për ta fshehur urinë, menjëherë pasi ajo kishte ndodhur, bile edhe në atë masë sa që është fshehur regjistrimi, i cili ishte kryer në vitin 1937, i cili tregonte për një numër të madh të të vdekurve. Megjithatë, një ekip i demografëve të Ukrainës aktualisht ka paraqitur, besoj përfundimisht, numra shumë të saktë”, thotë Applebaum.
Megjithatë, ka pasur debat të gjerë nëse periudha e Holodomorit mund të konsiderohet gjenocid.
Por, historiania amerikane, Anne Applebaum, thotë se “jam shumë e kënaqur që ta quaj këtë gjenocid, në harmoni me defininim origjinal, që ishte zbuluar nga juristi, Raphael Lemkin dhe në esencë ishte gjenocid”.
Për çfarë arsye Holodomori është një kaptinë aq e rëndësishme në historinë e Ukrainës dhe pjesë e pandashme e identitetit kombëtar ukrainas?
“Holodomori, për të cilin kishte shtypje dhe nuk mund të flitej për këtë çështje, pjesërisht u shndërrua në një kulturë të nëntokës në Ukrainë. Njerëzit flisnin fshehtas për këtë çështje dhe tregimi transmetohej prej prindërve te fëmijët. Diaspora ukrainase filloi të fliste dhe të shkruajë për këtë çështje, veçanërisht pasi ishte mundësuar largimi masiv nga vendi në vitet e 40-ta dhe të 50-ta. Holodomori u bë një lloj i simbolit të historisë së pashkruar ukrainase”, thotë Applebaum.
Pra, sipas asaj që shkruan në librin e saj të fundit, Applebaum konsideron se Ukraina paraqiste sfidë për Stalinin. A mund të bëhet ndonjë paralele aktuale me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin?
“Mendoj se për Putinin, Ukraina paraqet sfidë pak a shumë ashtu sikur që sovraniteti i Ukrainës ishte sfidë për Stalinin. Pavarësia e Ukrainës, po ashtu, paraqet sfidë për Putinin, e veçanërisht Ukraina që është proevropiane, demokratike, që beson në lirinë e të shprehurit dhe në sundimin e ligjit. Të gjitha këto janë ideale, pjesë e vlerave dhe ideve që paraqesin kërcënim për putinizmin, pasi putinizmi është një autokraci oligarkiste, e cila do të kishte probleme sikur të ekzistonte liria e plotë e shprehjes, liria e shtypit dhe sundimi i ligjit”, thotë Anne Applebaum, në intervistën për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë pritet nga zgjedhjet lokale në Maqedoni

Gara politike në Maqedoni ka filluar. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka theksuar se kandidatët e partisë së tij kanë projekte të shumta për zhvillimin e komunave dhe se theksi kryesor gjatë fushatës do të jenë projektet e infrastrukturës, që sipas tij do të përmirësojnë jetën e qytetarëve nëpër komuna.

Ahmeti: Ndajmë një hapësirë të përbashkët
Ahmeti gjithashtu ka folur për partneritetin dhe marrëveshjen e arritur me LSDM-në. “Qëllimi është që ne të krijojmë klimë dhe të japim porosi për qytetarët se këta qytetarë ndajnë fatet dhe jetojnë nën qiell dhe hapësirë të përbashkët, andaj mendohej se duhet që edhe politikisht të afrohen mes vete, rreth një kandidati shqiptar, rreth një kandidati maqedonas. Në këtë drejtim ne kemi investuar dhe do të investojmë”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Aleanca: Rinia – aseti më i fuqishëm
Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela njëherazi edhe kandidat për kryetar në Komunën e Strugës, ka theksuar se rinia shqiptare është aseti i tij më i fuqishëm në zgjedhjet e 15 tetorit.
“Një gjë është e vërtetë, çdo gjë që e kemi bërë e kemi bërë në emrin e rinisë, në emër të perspektivës që duhet ta kenë gjeneratat e reja këtu në vendlindjen e tyre”, ka theksuar Sela në hapjen e fushatës.

Besa: Vëmendje problemeve në terren
Nga Lëvizja Besa, partia më e madhe e opozitës shqiptare, thonë se programi i tyre kryesisht ka të bëjë me nevojat e shqiptarëve në nivelin lokal, që sipas tyre, janë në gjendje të rëndë nga qeverisja e keqe e drejtuesve të tyre nga BDI-ja e Ali Ahmetit. “Lëvizja Besa programin e saj për zgjedhjet lokale e ka projektuar në pesë shtylla: shtylla e parë është që të çlirohen komunat nga borxhet, korrupsioni, mafia urbane, pika tjetër ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, stimulimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha përmes tërheqjes edhe të investitorëve të jashtëm, si dhe pika tjetër që ka bëjë me sportin dhe rekreacionin”, thotë Faton Fazliu, nga Lëvizja Besa.

PDSH: Interes që shqiptarët të fitojnë në zonat e tyre
PDSH që drejtohet nga Menduh Thaçi thotë se pala maqedonase përmes partnerëve shqiptarë në qeveri synon të ngushtojë hapësirat e banuara me shqiptarë. “Ne jemi jashtëzakonisht të interesuar që shqiptarët në këto zgjedhje së bashku me aleatët e tyre, të ngadhënjejnë në të gjitha territoret e tyre. Klani i maqedonasve punon me shumë angazhim që në këto zgjedhje në disa komuna, ku nuk janë shumicë të fitojnë kandidatët e tyre. Ata duan që ta shtrydhin territorin, ta zvogëlojnë territorin ku jetojnë shqiptarët, që territori i maqedonasve të rritet në 93 apo 94 për qind”, ka deklaruar Thaçi në konventën partiake.

LSDM dhe VMRO- synim votat e shqiptarëve
Dy partitë kryesore maqedonase LSDM dhe VMRO në këtë fushatë për zgjedhjet lokale si asnjëherë më parë synojnë votat edhe në vendbanimet shqiptare. Retorika e tyre është zbutur tejmase, ata flasin për shqiptarët dhe të drejtat e tyre elementare. Lidhja Social Demokrate që drejton qeverinë, edhe në pushtetit lokal do të vazhdojë me retorikën e zgjedhjeve të fundit parlamentare duke u angazhuar për një shoqëri për të gjithë.

LSDM: Shoqëri për të gjithë
LSDM-ja pretendon që këtë koncept ta zhvillojë në partneritet me BDI-në e Ali Ahmetit, me të cilën është në koalicion qeveritar. “Këto zgjedhje janë zgjedhje të personaliteteve dhe me të drejtë qytetarët kërkojnë kuadro me kualitet të lartë, për të cilët do të votojnë. Ne duam që konceptin tonë për jetë në Maqedoni apo një shoqëri për të gjithë, ta vazhdojmë edhe në nivelin lokal. Ne ofrojmë zgjidhjet më të mira, si me kandidatë ashtu edhe me programe. Ne si partnerë qeveritarë do ta mbështesim njëri-tjetrin në disa komuna”, ka deklaruar Zoran Zaev, kryeministër dhe kryetar i LSDM-së. Kjo parti ka nxjerrë edhe kandidatë shqiptarë në disa komuna, në të cilat shënoi rezultat të mirë në zgjedhjet e 11 qershorit.

VMRO-DMPNE: Oferta jonë kundër kaosit të LSDM
Kryetari i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski thotë se oferta e tyre, përkushtimi, përgjegjësia dhe dija do të jenë përgjigjja më e mirë për kaosin dhe pasigurinë që e ka shkaktuar LSDM-ja.
“Maqedonia do të kthehet në rrugën e suksesit dhe zhvillimit dhe atë rrugë do ta udhëheqim ne së bashku me qytetarët. Këto zgjedhje janë një mëngjes i ri për të gjithë ne”, ka deklaruar Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së opozitare.
Fushata elektorale për zgjedhjet e 15 tetorit zgjat 20 ditë. Në garë për drejtimin e 80 komunave dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit lokal marrin pjesë 19 parti politike dhe koalicione, si dhe disa lista të kandidatëve të pavarur për këshilltarë komunalë.

Ish-kryeministri pakistanez del para një gjykate antikorrupsion

Ish-kryeministri pakistanez, Nawaz Sharif, ka dalë para një gjykate antikorrupsion në Islamabad, nën akuzat për korrupsion.
Kjo ishte paraqitja e tij e parë para gjykatës, që kur ai ishte përjashtuar nga Gjykata Supreme, që pasoi një hetim se ai kishte pasuri të fshehtë financiare.
Përkrahësit e Sharif-it po brohorisnin në përkrahje të tij, brenda dhomës së gjykimit.
Gjykata ka lëshuar urdhra për dy djemtë e Sharif-it, vajzës së tij, dhëndrit dhe urdhëruan ata të dalin para tribunalit.
Sharif do të gjykohet më 2 tetor në lidhje me tri raste të korrupsionit kundër tij, të dorëzuara nga trupi antikorrupsion i Pakistanit.
Këshilltarët e tij, e akuzojnë Sharif-in dhe familjen e tij për pastrim parash, duke përdorur pasurinë e Pakistanit për të blerë prona në Londër.
Familja e tij thonë se pronat në Londër janë fituar si investim që ata e bënë me familjen mbretërore të Katarit në vitet 1980-ta.

Basha: Rama, staf më të madh se Trump në Shtëpinë e Bardhë, s’ka para për vettingun

Kryetari I PD, Basha deklaron se Rama po kërkon të bllokojë procesin e vettingut përmes bllokimit të fondeve për institucionet e vettingut. “Rama duhet të bdajë mendjen, ose me bandat ose me drejtësinë”, tha Basha. “Do të mbështesim organet e pavarura të vetingut”, tha Basha.