Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis vlerësoi të mërkurën ushtrinë e Filipineve për garantimin e të drejtave të njeriut gjatë një beteje pesë mujore kundër militantëve islamikë në qytetin e Marawit.
“Kjo është një ushtri të cilës iu desh të shkonte në një luftë të përgjakshme dhe nuk pati asnjë pretendim të besueshëm për shkelje të të drejtave të njeriut kundër tyre”, u tha zoti Mattis gazetarëve në fund të takimit dy ditor të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të ASEAN-it (Shoqata e vendeve të Azisë Juglindore).
Zoti Mattis i bëri komentet një ditë pas takimit me Presidentin e Filipineve, Rodrigo Duterte, në atë që shefi i Pentagonit e cilësoi si një takim “shumë të ngrohtë”. Presidenti Duterte është kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar për shkeljet e të drejtave të njeriut, veçanërisht në lidhje me fushatën e tij kundër drogës.
Të hënën, zoti Duterte deklaroi se beteja pesë mujore mes trupave të tij dhe grupit të rebelëve myslimanë “Maute” kishte përfunduar. Në luftime u vranë të paktën 700 vetë dhe shumë të tjerë u detyruan të shpërngulen nga qyteti i Marawit.
Mattis vlerëson ushtrinë e Filipineve
“Eureporter”: “Kryeministri i Shqipërisë mbron të akuzuarin për trafik droge”
Faqja Eureporter, e fokusuar kryesisht në aktivitetin e Bashkimit Europian, ka publikuar një artikull lidhur me çështjen Tahiri në Shqipëri. “Kryeministri i Shqipërisë hidhet në mbrojtje të ish-ministrit të Brendshëm i vendosur në qendër të akuzave për trafik droge”, ky është titulli i artikullit, ku ndër të tjera flitet për lidhjet e Saimir Tahirit me bandën e Habilajve, ndonëse ky i fundit mohon të jetë i përfshirë.
Votimi në Kuvend i mazhorancës, ku u refuzua arrestimi i Tahirit raportohet gjithashtu nga Eureporter, ndërkohë që kjo faqje e konsideron të rëndësishme çështjen për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, pasi ngjarjet po zhvillohen në një kohë, kur po nis procesi i zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Çështjes Tahiri i ka kushtuar vëmendje edhe platforma investigative ‘Organized Crime and Corruption Reporting Project’ (OCCRP), e cila ka publikuar një artikull me titull: “Albania nuk lejon Prokurorinë të arrestojë ish-ministrin”.
Si fitohet në Hollywood?
“Hollywood Reporter”
“Njerëzit në këtë sektor e kalojnë kohën duke vëzhguar dhe duke u konfrontuar me të tjerët”, rrëfen një avokat i njohur i Hollywood. “Shpesh klientët e mi më telefonojnë dhe më thonë: “Po më paguajnë sa duhet? Do të duhej të paguhesha më shumë?””.
Për fat, është edicioni i dytë i raportit të “The Hollywood Reporter”, i titulluar “What Hollywood Earns” (Sa fiton Hollywood). Për të gjetur rrogat e të gjithëve, nga kryemakinisti tek ylli, revista amerikane është konsultuar me drejtues, producentë, shërbime menaxhimi rrogash, korporata të sektorit dhe burime të tjera që posedojnë informacione të privilegjuara mbi atë se si dhe ku ka lëvizur para në vitin 2015. Këtë vit, falë kriminelëve informatikë të Koresë së Veriut dhe sulmit haker ndaj Sony, kanë mbërritur lajme të tjera akoma, mijëra email dhe kontrata pune që kanë përhapur në të gjithë rrjetin sekretet e rrogave të Hollywood.
Morali? Taksat e prodhimit të televizionit janë shumë të larta (deri në 75000 dollarë për një episod), Meryl Streep pasurohet edhe me një film flop (5 milionë dollarë për “Ricky and the Flash”) dhe figurantët ekzaltohen kur bie shi.
Guidë turistike e Studios
Bredhja vërdallë me turistët të bën të fitosh 26 dollarë në orë, por vetëm pas një periudhe formimi, gjatë së cilës shpërblimi është 20 dollarë ora.
Aktori televiziv
Të sapoardhurit mund të presin deri 15 000, 20 000 dollarë për një episod të një serie rrjeti apo kabllore. Aktorët me përvojë mund të çojnë në shtëpi deri 75 000 apo 100 000 dollarë për episod dhe yjet më të famshme mund të fitojnë edhe 150 000 dollarë për të bërë shfaqjen e tyre në një serial. Një rritje (zakonisht rreth 4 për qind) vjen çdo sezon pas të parit (për shembull, aktori James Spader ka marrë 160 000 dollarë për episod për sezonin e dytë të serialit “The Blacklist”). Por paratë e vërteta vijnë pas sezonit të tretë dhe, në rast të një bumi suksesi, yjet mund të arrijnë të marrin për një episod deri në 1 milion dollarë (si aktorët Johnny Galecki e Jim Parsons tek “The Big Bang Theory”).
Skenaristi kinematografik
Mund të marrin edhe 1 milion dollarë për skenar, plus një bonus nëqoftëse arrijnë kredit final. Shitja e një skenari specifik mund të variojë, nga disa qindramijë deri në 3 milionë dollarë (sa mori James Vanderbilt për “White House Down”) ose edhe më shumë. Por puna më fitimprurëse është ajo e rishkrimit apo e rregullimeve, ku këta “mjekë të skenarëve” mund të fitojnë 500000 dollarë për pak javë përpjekje.
Shërbimi restorant
Kateringu për kastin dhe trupën fiton rreth 1200 dollarë në javë.
Tekniku i dritave
Fitojnë rreth 45 dollarë në orë dhe punojnë nga 10 deri në 15 javë për film.
Producenti kinematografik
Ata më me përvojë mund të marrin nga 1.5 milionë deri në 2 milionë dollarë në fillim të prodhimit dhe, zakonisht, shumë më tepër në fund. Will Smith dhe James Lassiter kanë marrë 2 milionë dollarë për prodhimin e “Annie”.
Publicisti
Një njësi publicistësh e huazuar nga një studio merr rreth 2750 dollarë në javë, duke arritur të marrë deri 400 000 apo edhe më shumë në vit.
Krijuesi i shout televiziv
Fitojnë pjesën më të madhe e parave të tyre në kostot e prodhimit, me një rritje në sezonet e mëtejshme. Vince Gilligan ka marrë 50 000 dollarë për episod për “Better Call Saul”, Jon Bokenkamp 37 500 dollarë për sezonin e dytë të “The Blacklist” dhe Adam Goldberg ka marrë 50 000 dollarë për episod për sezonin e dytë të serialit “The Goldberg”.
Aktori kinematografik
Yjet e klasit të parë mund të fitojnë nga 5 milionë dollarë (paga e Meryl Streep për “Ricky and the Flash”) në 20 milionë dollarë (sa ka marrë parapagim Denzel Washington për “The Equalizer”) dhe akoma më shumë (Robert Downey Jr. dhe 50 milionë dollarët e tij për “The Avengers”).
Asistent regjisori
Asistentë regjisorët paguhen rreth 8000 dollarë në javë dhe përgjithësisht punojnë nga 15 deri në 20 javë, për një total prej 120 000 – 160 000 dollarësh për film.
Komikë që nxehin publikun
Këta karikaturistë të gjallë që argëtojnë publikun përpara një programi televiziv, paguhen nga 3000 deri në 5000 dollarë për spektakël.
Drejtori i një shtëpie prodhuese
Rroga bazë shkon nga 3 milionë në 5 milionë dollarë (shifra që merr Jeff Robinov tek Warner Bros), por bonuset mund ta rrisin shumën deri në 8 shifra.
Drejtori i fotografisë
Drejtori i fotografisë merr nga 10 000 deri në 20 000 dollarë në javë për rreth 15 javë xhirime. Disa, si puna e Roger Deakins, marrin shumë më tepër (30 000 dollarë ose më shumë).
Regjisori
Të drejtosh një set kinematografik mund të të bëjë të kapësh shifra të ndryshueshme, nga 500 000 dollarë për një debutues deri në 3 milionë dollarë, si në rastin e Danny Boyle për “Steve Jobs”, deri në shumë më tepër (Michael Bay thotë se ka marrë deri në 80 milionë dollarë për serinë e filmit “Transformers”).
Trukuesi
Fiton rreth 60 dollarë në orë dhe punon mesatarisht 14 javë për film.
Përgjegjësi i shpërndarjes
Paga bazë tipike është pothuajse 1 milion dollarë në vit (plus ekstrat).
Drejtori financiar
Numëruesit më të mirë të fasuleve fitojnë një thes me fasule: kreu financiar i Sony merr 900 000 dollarë në vit, plus ekstrat.
Drejtori i prodhimit
Ai ose ajo zakonisht fiton rreth 1 milion dollarë në vit.
Përgjegjësi ligjor
Avokati i një studioje të Hollywood mund të shpresojë të fitojë me qetësi shuma gjashtëshifrore. Avokati i Sony merr një rrogë bazë prej 800 000 dollarësh.
Përgjegjësi i marketingut
Merr një rrogë prej 1 milion dollarësh në vit.
Kaskadori
Pjesa më e madhe e kaskadorëve paguhen rreth 889 dollarë në ditë ose rreth 50 000 dollarë për një film, në rast se punojnë të gjitha ditët për 12 javë (dhe nuk thyejnë ndonjë këmbë).
Figurantë
Këta aktorë të panjohur paguhen rreth 150 dollarë në ditë ose 200 dollarë në ditë nëqoftëse punojnë në raste shiu apo zjarri.
Parukieri
Parukieri që transformoi kokat e Bruce Willis e Nicolas Cage në koka plot me flokë paguhet rreth 1500 dollarë në javë.
Shoferi
Vozitja e një makine tip StarWagon të vendos midis 30 dhe 60 dollarëve në orë.
Kostumisti
Tarifat shkojnë nga 3000 dollarë në ditë deri në 12000 dollarë në ditë, sipas përmasave të filmit dhe përvojës së profesionistit. Renee Kalfus ka fituar 6500 dollarë në javë për filmin “Annie”, ndërsa David Robinson ka siguruar 4500 dollarë në javë për “The Equalizer”.
Cana, ambasador i projektit “Grassroots”
Presidenti i Federatës shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një konferencë për shtyp të organizuar në ambientet e institucionit që drejton prezantoi ish-kapitenin e kombëtares shqiptare, Lorik Cana, si ambasador i “Grassroots” për vendin tonë. Në fjalën e tij, Duka tha se figura e Lorikut do të ndihmojë në çuarjen përpara të këtij projekti, që ka synim masivizimin dhe zhvillimin e futbollit te moshat e reja.
“Jemi me ish-kapitenin për një event shumë të rëndësishëm, për ta emëruar ambasador të projektit ‘Grassroots’. Pas ceremonisë së organizuar në Shkodër, për të gjithë kontributin e tij, ne do të vazhdonim bashkëpunimin. Është prioritet absolut për FSHF-në futbolli i fëmijëve, një projekt që do të vazhdojë. Sot duhet të mendojmë për të ardhmen dhe besoj se çdo fëmijë e ka ëndërr të bëhet i suksesshëm si Lorik Cana. E shfrytëzojmë këtë shembull pozitiv. FSHF do ta mbështesë Lorikun në çdo hap që do të ndërmarrë”.
Për legjendën e futbollit shqiptar, angazhimi në projekte të tilla është mënyra më e mira për të dhënë kontribut në zhvillimin e futbollit.
“Është kënaqësi të jem i pranishëm në ambientet e federatës. E konsideroj veten pjesë të kësaj familjeje për të promovuar futbollin në vendin tonë. Duke qenë një njeri i lidhur me futbollin, është normale që dashuria për futbollin të vazhdojë me implementimin e projekteve, që e zhvillojnë këtë sport. Duke qenë njeri i sportit, dëshiroj të kontribuoj në zhvillimin e futbollit. Këto vitet e fundit, kemi mësuar se me punë dhe përpjekje mund të jemi të suksesshëm. Jemi një vend në zhvillim e sipër, edhe futbolli apo sporti në përgjithësi futet te kjo pjesë.
Kur kemi diskutuar për projektin e ‘Grassroots’, jam bindur se mund t’i shtyj njerëzit të merren me sport. Është një program që nxit dëshirën te fëmijët për të luajtur futboll, pse jo edhe të shkëlqejnë. Ne vendin tonë ka shumë gjëra të mira që mund të bëhen. Si ambasador i ‘Grassroots’ shpresoj të ndikoj që fëmijët të rriten me frymën e sportit. Është një detyrë që kërkon projekte të mëdha, por mund të marrim rezulate shumë të mira në të ardhmen”.
Terrori i Tatimeve ndaj biznesit
Tatimet kanë nisur së fundmi një kontroll të imtësishëm të faturave të shitjeve dhe blerjeve të lëshuara nga bizneset.
Kontrolli po bëhet përmes të ashtuquajturit “kryqëzim” të faturave, sipas të cilit çdo faturë blerjeje për një biznes është faturë shitjeje për tjetrin dhe anasjelltas. Sistemi i deklarimit online u mundëson tatimeve që të bëjnë automatikisht kontrollin e faturave.
Bizneset raportojnë se së fundmi kanë marrë shkresa nga tatimet ku njoftohen se nga verifikimi i librave të shitblerjeve rezulton se ata nuk kanë deklaruar shitjet ose blerjes. Shkresa të tjera u kanë shkuar subjekteve ku njoftohen se po në bazë të verifikimit të faturave të shitblerjes rezulton se subjekti ka realizuar shitje apo blerje nga bizneset që janë me status pasiv.
Bizneseve u është kërkuar që deri në fund të tetorit të dorëzojnë të gjitha dokumentacionet lidhur me shitjet dhe blerjet e kryera (të noterizuara). Në rast të mosdhënies së informacionit në bazë të ligjit të procedurave tatimore nga ana e tatimeve do të bëhen rivlerësimet përkatëse.
Ligji për procedurat tatimore sanksionon se në rast se konstatohet mosdokumentim i mallit kryhet rivlerësim i shitjeve në të njëjtën vlerë me vlerën e tregut të mallit të padokumentuar dhe aplikohet dënim. Neni 124 i procedurave thotë se, “Moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH dënohet me gjobë të barabartë me 100 për qind të tatimit të padeklaruar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç tatimit dhe kamatëvonesave që llogariten dhe paguhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji apo të ligjeve specifike tatimore”.
Ligji për procedurat tatimore parashikon edhe që në rastin e refuzimit për dhënien e informacionit të kërkuar nga Administrata Tatimore, subjekti dënohet me gjobë me 10 000-50 000 lekë për çdo shkelje.
Që nga 1 tetori, tatimet kanë nisur një aksion të gjerë antiinformalitet. Sipas të dhënave të fundit nga tatimet në tre javët e para të aksionit janë verifikuar në terren 7720 tatimpagues, nga të cilët 1720 tatimpagues janë penalizuar, ndërsa për 250 subjekte është marrë masa e mbylljes së aktivitetit.
Në skemën e kontributeve kanë hyrë 547 punonjës të padeklaruar. 971 tatimpagues kanë paguar detyrimet e prapambetura. 2563 tatimpagues kanë përfituar nga kompensimi i detyrimeve debitorë me gjendje kreditore dhe tepricën kreditore të TVSH-së në vlerën e 81,663,834 lekë.
BB: Investimet e huaja në Shqipëri do të bien me 22%
Banka Botërore lajmëron një ulje të konsiderueshme të Investimeve të Huaja në vendin tonë në vitet në vijim. Në një projeksion të fundit për Shqipërisë, Investimet e Huaja Direkte do të përfshihen në një trajektore rënëse që këtë vit dhe për të vijuar kështu të paktën deri në vitin 2019. Banka thotë se IHD këtë vit do të arrijnë në 8.3% të PBB nga 8.7% që ishin vitin e kaluar. Por vitin e ardhshëm, ato nuk pritet të jenë më shumë se 7% e PBB dhe më 2019 do të jenë 5.6% e PBB-së.
Në vlerë absolute investimet e huaja pritet të bien me 22%. Banka thotë se vitet e fundit, Investimet e Huaja Direkte kanë qenë motori kryesor i rritjes ekonomike në Shqipëri ndaj dhe rënia e tyre do të gjenerojë një hendek. Ekonomia e Shqipërisë u rrit 3,4% më 2016 dhe kjo rritje u nxit më së shumti nga investimet private në dy projektet kryesore, gazsjellësi TAP dhe HEC-et në lumin Devoll. Banka thotë se remitancat dhe investimet e huaja financojnë pjesën dërrmuese të importeve.
Sipas BB, tani, më shumë se kurrë thekson urgjencën e reformave strukturore për të përforcuar ribalancimin e saponisur nga burimet e brendshme të rritjes ekonomike, në ato të jashtme me mbështetje më të madhe tek investimet. Përfitimet e rritjes ekonomike me krijimin e vendeve të reja të punës duhet të konsolidohen dhe zgjerohen, në mënyrë që të thyhet zinxhiri i emigracionit, reformave të cekëta, si dhe rritjes së ngadaltë ekonomike. BB rekomandon eliminimin e faktorëve dekurajues dhe barrierave për punësimin formal, për të mundësuar ritme më të shpejta të rritjes ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe reduktimin e varfërisë.
Përmirësimi i klimës së biznesit dhe qeverisjes për të mundësuar kompanitë që të krijojnë më shumë vende pune, të zgjerohen dhe të rrisin produktivitetin është një rekomandim tjetër. Rritja e barazisë, cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve publike dhe sistemeve të mbrojtjes sociale, duke reduktuar në të njëjtën kohë rolin e qeverisë rekomandohen për t’u bërë.
Juve nuk ndalet
Massimiliano Allegri dërgon një sinjal të qartë: fitorja 4-1 ndaj Spal e shqetëson atë në Milano: “Ne nuk i nënvlerësojmë aspak kuqezinjtë, por në qoftë se ne do të bëjnë një performancë si sonte, të shtunën mund edhe të dalim me kocka të thyera. Ne patëm marrë një hap prapa në Udine, por jemi ende në ritëm. Deri kur rezultati shkoi 2-0 ishim shumë të mirë, më pas në vend të trajtimit të topit kemi filluar për të ndërtuar sistem vertikal, pa shumë frymëmarrje. Po angazhohemi shumë në gabime teknike nga cilësitë e mëdha që kemi.
Nuk jemi dhe aq keq, por unë jam i sigurt se të shtunën në “San Siro” do të bëjmë një ndeshje të madhe. Nëse duam të arrijmë në fund të parët dhe të luftojmë për të fituar kampionatin, duhet të balancojmë lojën mes reparteve, jo në kurriz të fazës ofensive. Djemtë kanë për ta kuptuar atë. Një gjë është vetëdija e të qenit i fortë, arroganca është një tjetër. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë. Bernardeschi bëri mirë, madje edhe Bentancur, edhe pse ky i fundit duhet të jetë i qetë në lojë. Ne kemi respekt për Napolin, Interin dhe të gjitha ekipet që luftojnë për titull, por gjithçka do të vendoset në javën e fundit”, tha Allegri.
Napoli është rikthyer në krye të Serie A, pasi ka fituar me përmbysje, 3-2 në Genoa. Taarabt shënoi për vendasit pas vetëm katër minutash lojë, por që në pjesën e parë napolitanët përmbysën gjithçka me golat e Dries Mertens. Sulmuesi belg barazoi rezultatin në minutën e 14-të, ndërsa kur u mbush gjysmë ore lojë realizoi një gol të mrekullueshëm, që i dha mundësinë skuadrës së Sarrit të pushonte e qetë. Kur nisi pjesa e dytë, Mertes u konfirmua njeriu i ndeshjes, duke realizuar edhe golin e tretë. Ai është ngjitur në kuotën e 10 golave të shënuar pas 10 javëve të para. Izzo futi në lojë Genoa, me golin e dytë, çerek ore para fundit, por pa prishur festën e Napolit.
Napoli ka 28 pikë, pas 10 javësh, dy më shumë se Inter i vendit të dytë dhe tre pikë më shumë se Juventus, kampion i Italisë në fuqi. Juvja mposhti lehtësisht Spal. Bernardeschi dhe Dybala shënuan në pjesën e parë të suksesit 5-1 dhe Paloschi ngushtoi diferencën për miqtë e ardhur nga kategoria e dytë. Në fraksionin e dytë të lojës, Juventus shënoi dy herë në harkun e pesë minutave, me Higuain dhe Cuadrado, duke mbyllur llogaritë. Juventus ka 25 pikë, aq sa Lazio që fitoi 2-1 në Bologna dhe katër pikë më shumë se Roma e vendit të katërt, që fitoi 1-0 ndaj Crotone.
Shoqata e Bashkive kundër qeverisë për taksën e pronës
Shoqata e Bashkive ka kundërshtuar vendosjen e taksës së pronës në bazë të vlerës. Kreu i shoqatës, Agron Haxhimali, argumenton se qytetarët tashmë do të paguajnë trefish më shumë, ndërsa ngre si shqetësim faktin se të dhënat e bashkive nuk korrespondojnë me ato të hipotekave. Haxhimali bën me dije se kjo taksë do të aplikohet në të gjithë njësitë vendore. Mbledhja e taksave në bazë të vlerës së shtëpive do të rëndojë më shumë xhepat e qytetarëve dhe kjo do të vështirësojë mbledhjen. Ky ka qenë argumentimi i kreut të Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali. “Database e pronave në bashki ka nevojë të harmonizohet me të dhëna që ka zyra e regjistrimit të pronave pranë secilës bashki, marrëdhëniet e të cilave nuk janë shumë të mira. Ka probleme me mbivendosjen e pronave me pronarët e rinj apo pronarët e vjetër dhe të gjithë këto elementë e vështirësojnë punën e bashkisë”, thotë Haxhimali.
Ai thotë se pushteti vendor nuk është i përgatitur për të vjelë këtë taksë. Ndërsa pritet që më 2018 kjo taksë do të aplikohet në të gjitha bashkitë. “Do të paguajë dyfishin, trefishin apo katërfishin e kësaj shume që paguan tani. Do të thotë, një shtëpi në Tiranë që ka vlerën 100 mijë euro, një qytetar sot ka paguar 10-15 euro në vit, në vitin 2018 do të paguajë 50, 70-100 euro në vit”.
Qytetarët shqiptarë do të paguajnë 0,05% të vlerës së banesave taksë në buxhetin e shtetit. Ky nivel është përcaktuar në draftin e paketës fiskale për vitin 2018 dhe vlera e banesave do të përcaktohet në bazë të çmimeve të referencës që miratohen nga qeveria. Sipas kësaj takse një banesë me vlerë 100 milionë do të paguajë 5 mijë lekë në vit. Ndërkohë për godinat që përdoren për aktivitete ekonomike kjo taksë është parashikuar 0.15% e vlerës. Qeveria ka vendosur që mbledhjen e kësaj takse do ta bëjë nëpërmjet agjentit tatimor, i cili do të marrë 2% të totalit të të ardhurave. Por ende nuk është përcaktuar se nëpërmjet cilit institucion do të realizohet arkëtimi, ndërsa është përfolur se kjo mund të bëhet nëpërmjet faturës së energjisë elektrike. Aktualisht taksa e banesës mblidhet në faturën e ujit dhe është fikse. Por ndryshon në bazë të vitit të ndërtimit para dhe pas ‘93, si dhe në bazë të qyteteve. Shqipëria është një ndër vendet me nivelin me të ulët të mbledhjes së taksës së pronës dhe mendohet që projekti i ri do të zbatohet fillimisht në Tiranë për të vijuar më pas edhe në qytetet e tjera të vendit.
Ngritja e kadastrës fiskale, fillimisht për 2018 pritet të bëhet funksionale kadastra për katër bashki vetëm mbi taksimin e ndërtesave. Ky plan përcaktohet në projektbuxhetin e vitit 2018. Bashkitë që do të aplikojnë taksimin e ndërtesave sipas projektit të ri janë Tirana, Durrësi, Fieri dhe Korça.
Në vitin 2019 synohet realizimi i një databaze kombëtare të centralizuar për të gjitha pronat dhe mbulim tërësisht të territorit të Shqipërisë. “Synimi i këtij plani është ngritja e një sistemi të integruar të të dhënave mbi pasuritë e paluajtshme. Ky sistem do të shërbejë për të përmirësuar administrimin dhe performancën e taksimit të pasurisë, si dhe krijimin e bazës së nevojshme për të kaluar në një metodologji moderne llogaritjeje të taksës kalimin në sistemin e taksimit ku baza e taksës të jetë vlera e pronës”, shkruhet në relacionin e projektbuxhetit 2018.
Rëndohet fatura e koncesioneve, 70 milionë USD do paguani në 2018
Koncesionet me Partneritet Publik Privat po rëndojnë gjithnjë e më shumë faturën, që duhet të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë. Për vitin 2018, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave do të bëhen 9.4 miliardë lekë pagesa për koncesionet ose 70 milionë euro. Kjo shumë është 30 për qind më e lartë se e vitit të kaluar, ku fatura e koncesioneve në shpenzimet buxhetore të këtij viti u përllogarit me 7.1 miliardë lekë.
Këtë vit, financohen 12 koncesione nga 8 koncesione që ishin llogaritur për financim këtë vit.
Koncesionet e reja, janë ndërtimi i rrugës së “Arbrit”, koncesioni i mirëmbajtjes në rrugën e “Kombit”, ndërtimi i inceneratorit të Tiranës dhe ndërtimi i shkollave në Bashkinë e Tiranës.
Vlera më e madhe e financimeve do të shkojë për koncesionet në sektorin e shëndetësinë me 3.9 miliardë lekë ose 42 për qind e krejt vlerës totale të financimit për koncesionet më 2018.
Nga koncesionet e shëndetësisë vlera më e madhe e financimit për vitin 2018 shkon për koncesionin e sterilizimit me rreth 1.5 miliardë lekë. Më tej, financimet më të mëdha i merr koncesioni i shërbimeve laboratorike me mbi 880 milionë lekë dhe ai Check-Up me mbi 876 milionë lekë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë vlerëson dhe miraton paraprakisht të gjitha projektet koncesionare dhe të partneritetit publik privat (PPP), si edhe çdo ndryshim të tyre, nga pikëpamja e implikimeve individuale apo në grup, për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale.
Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.
Aktualisht, janë në fuqi 8 kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2018 të startojnë dhe 3 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë/Bashkisë Tiranë (bashkëfinancim) sipas detajeve të dhëna në Tabelën 12 të mëposhtme:
Pagesat vjetore neto për kontratat koncesionare apo PPP për vitin 2018, përbëjnë rreth 2.4% të totalit të të ardhurave tatimore faktike për vitin 2017.
“Monitor”
Thellohet kriza, 15 kompani italiane largohen nga Shqipëria
Largimi masiv i investitorëve të huaj nga Shqipëria nuk ndalet. Ata janë duke deklaruar mbylljen e aktiviteve të tyre, ndërsa kanë caktuar nga një administrator për të përfunduar likuidimet finale. Nga kompani konsulence, firma tregtare, fasonë, te lojërat e fatit apo call center-at. Janë të paktën 15 kompani italiane që kanë mbyllur aktivitetin gjatë vitit 2017. “Scan” ka zbardhur kërkesat e bëra nga vetë subjektet për likuidimin apo prishjen e kompanive, ku njëherësh ftojnë kreditorët e mundshëm të paraqesin pretendimet.
Numri më i madh i kompanive italiane që kanë mbyllur aktivitetin operojnë në fushën e konsulencës dhe të tregtisë. Disa prej kompanive operojnë në fushën e teknologjisë mjekësore dhe atë të mbrojtjes nga zjarri. Disa të tjera operojnë në tregun e pasurive të paluajtshme dhe atë të fasonëve. Ndërkohë që mes tyre gjendet edhe një kompani lojërash fati. Nuk mungojnë as kompanitë call center, të cilat, nga fundi i vitit të shkuar, gjenden në pozitë të vështirë për shkak të ashpërsimit të legjislacionit italian për këtë sektor.
Secilës prej shoqërive i është caktuar një administrator për të mbikëqyrur procedurat e likuidimit, me qëllim shqyrtimin e çdo pretendimi të mundshëm nga ana e kreditorëve. Ndërkohë që, pronarët apo ortakët e disa prej tyre, kanë zgjedhur të zbatojnë vetë procedurat e mbylljes së aktivitetit. Italia është shteti me numrin më të madh të kompanive që operojnë në vendin tonë. Sipas INSTAT, aktualisht Shqipëria numëron mbi 2.660 biznese me kapital italian, pjesa më e madhe e të cilave operon në fushën e shërbimeve.
Banka Botërore sapo ka publikuar raportin global të konkurrueshmërisë së investimeve 2017-2018, ku fokusi vihet pikërisht te ekonomitë në zhvillim, mes të cilave edhe Shqipëria. Raporti i Bankës Botërore vjen pjesërisht në formën e një ankete dhe evidenton elementët kyç që çojnë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte në tregjet në zhvillim.
Banka Botërore arrin në përfundimin se, për investitorët e huaj, kriteret kyç që ata vlerësojnë janë: stabiliteti politik, kushtet makroekonomike, klima e biznesit dhe rregullatorët. Të gjitha këto elemente janë jo pak të lakuar edhe në vendin tonë, sidomos klima politike dhe rregullatorët. Me rregullatorë, Banka Botërore i referohet jo vetëm autoriteteve mbikëqyrëse, por edhe legjislacionit në tërësi që përfshin edhe ndryshimet e shpeshta fiskale. Ndryshimet e shpeshta në skemën dhe normat e taksimit janë një ndër elementët që vlerësohet më së shumti nga investitorët e huaj.
“Raporti global i konkurrueshmërisë së investimeve shkon përtej vlerësimit të trendeve, por eksploron në thellësi investimet e huaja direkte dhe motorët e tyre. Për më tepër, ofron rekomandime praktike dhe të arsyeshme për vendet në zhvillim që të sigurojnë eficencën maksimale nga investitorët e huaj”, deklaroi një prej hartuesve të këtij raporti. Praktikisht, Banka Botërore evidenton se, dy faktorët kyç që ndikojnë në vendimet e investitorëve janë: stabiliteti politik dhe ambienti ligjor së bashku me rregullatorët. Raporti flet edhe për mënyrën sesi impaktohet biznesi vendas nga investimet e huaja. Në Shqipëri evidentohet fakti se, mes biznesit të madh dhe pjesës tjetër të sipërmarrjes në vend ka një hendek të madh.