16.5 C
Tirana
E premte, 2 Maj, 2025

Kosovë, ende nuk është mbyllur fiskalizimi i pikave të karburanteve

Në Kosovë ende nuk ka përfunduar procesi i montimit të pajisjeve specifike fiskale në aparatet e pikave të shitjes nëpër pikat e karburanteve, proces ky që ka filluar në vitin 2014. Këtë informacion e konfirmojnë vet zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK). Sipas të dhënave të ATK-së, janë 349 biznese që merren me shitjen e derivateve të naftës, me 559 njësi në gjithë territorin e Kosovës. Por, numri i bizneseve të fiskalizuara me sisteme fiskale është 262, kurse 560 aparate janë pajisur me arka të veçanta fiskale, thotë Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës. Ajo tha për Radion “Evropa e Lirë” se nga “ky numër, të gjithë operatorët e mëdhenj janë fiskalizuar, kurse një numër tjetër kanë paguar pajiset dhe janë në pritje për instalim. Ndërkaq, ato të cilat nuk kanë bërë pagesën, ATK-ja ka marrë masa ligjore për mbylljen e tyre deri tek finalizimi final”.
Por, ndryshe nga të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës, Shoqata e Naftëtarëve vlerëson se në Kosovë veprojnë mbi 700 operatorë të naftës. Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani tha për Radion “Evropa e Lirë” se, nga koha e uljes së çmimit të pajisjeve, pa u fiskalizuar kanë mbetur vetëm pikat e karburanteve që operojnë në vise rurale dhe që kanë qarkullim të ulët financiar. “Nuk ka arsye, që asnjë pikë e karburantit të mos fiskalizohet. Sepse ne të gjithë e kemi pranuar këtë proces. Çmimi është ulur në rreth 4.000 euro, që konsiderohet i arsyeshëm”. “Sa i përket 10 për qind të pikave të shitjes që kanë mbetur të pafiskalizuara, janë ato që nuk e kanë qarkullimin mjaftueshëm që mund t’i nënshtrohen këtij procesi. Kemi pika karburanti në vendet rurale, ku qarkullimi është shumë i dobët dhe ndoshta mendojnë të largohen nga kjo veprimtari”, tha Berjani.
Pikat e karburanteve të naftës edhe në vitin 2010 ishin pajisur me arka fiskale, por autoritetet kompetente kishin kërkuar që të pajisen edhe me arka të tjera speciale fiskale, që duhet të montohet në çdo dispanser (aparat ku shitet qoftë nafta, qoftë benzina). Ndryshe, udhëheqës të Shoqatës së Operatorëve të Licencuar për Pajisje Elektronike Fiskale, thonë se janë të gatshëm për t’i pajisur pikat e karburanteve me sisteme fiskale. Kestrin Kumnova, përfaqësues i Shoqatës së Operatorëve të Licencuar për Pajisje Fiskale, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se mospërfundimi i këtij procesi po ndodh për shkak të neglizhencës së ATK-së. “Çmimet e pajisjeve të aparateve fiskale janë më të lirat në rajon me vetëm 3400 euro. Mirëpo, dinamika e ATK-së nuk është e shpejtë dhe ende shumë pika të karburanteve të naftës kanë mbetur të pafiskalizuara”. “Shqetësuese po ashtu mbetet edhe mosfiskalizimi i kompanive të taksive që kanë rreth gjashtë milionë euro qarkullim vjetor si dhe i kompanive të sigurimeve”, ka thënë Kumnova. Ndryshe, nëpërmjet këtij projekti, Administrata Tatimore e Kosovës pritet të ketë një kontroll më të madh të parave në qarkullim, pasi potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe daljet në çdo pikë të shitjes.

 

Uria e Kuqe, lufta e Stalinit kundër Ukrainës

Në librin e saj të fundit, “Uria e Kuqe: Lufta e Stalinit kundër Ukrainës”, historiania amerikane, Anne Applebaum, fituese e çmimit Pulitzer, ka hedhur dritë në njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Ukrainës – uria vdekjeprurëse në periudhën 1932–33, të cilën ukrainasit e quajnë Holodomor.
Afro 4 milionë ukrainas janë vrarë gjatë kësaj urie, që ishte zbatuar nga diktatori i atëhershëm sovjetik, Josef Stalin, për ta eliminuar kërcënimin e perceptuar ndaj autoritetit qendror sovjetik.
“Holodomor ishte krijuar qëllimshëm nga Stalini”, thotë për Radion Evropa e Lirë, historiania, Anne Applebaum dhe shton se, “në vitin 1932, fillimi i urisë më të gjerë sovjetike ishte shkaktuar nga kolektivizimi dhe politika e konfiskimit së drithërave”.
Më tutje, Applebaum thekson se Stalini “kishte vendosur ta shfrytëzonte krizën, me qëllim që në mënyrë specifike ta kishte në shënjestër Ukrainën”.
Në atë kohë, siç shkruan në librin e saj të fundit, janë ndërmarrë disa masa që kishin ndikim në Ukrainë dhe ato janë kryer në të njëjtën kohë. Këto masa ishin: regjistrimi në një listë të zezë të fermave të veçanta, pastaj qyteteve dhe fshatrave, rrethimi i kufirit, në mënyrë që njerëzit të mos mund të largoheshin nga Ukraina, masat speciale kundër institucioneve kulturore të Ukrainës dhe ato kundër gjuhës ukrainase.
“Besoj se kjo kishte për qëllim që të vriteshin sa më shumë njerëz në Ukrainë dhe kjo ishte arritur dhe se Partia Komuniste e Ukrainës dhe Partia Komuniste Sovjetike e dinin se kjo po ndodhte… Po, kjo ishte një uri e qëllimshme”, thotë Anne Applebaum.
Për këtë uri, historiania Applebaum thotë se, “Stalini ishte personalisht përgjegjës, por shumë njerëz të tjerë ishin përgjegjës, po ashtu, pasi uria ishte kryer me ndihmën e burokratëve ukrainas, Partisë Komuniste të Ukrainës dhe liderëve rusë dhe sovjetikë, që kishin ardhur në këtë vend nga jashtë”.
Më tutje, ajo shpjegon se me qëllim që të kryhej uria, që përfshinte largimin e ushqimit e jo vetëm të drithërave, nga shtëpitë e njerëzve, pushtetit i duheshin shumë njerëz dhe rrjedhimisht “ka ekzistuar përgjegjësi e gjerë sociale”.
Lidhur me këtë çështje shpeshherë shtrohet pyetja se përse Stalini e kishte në shënjestër Ukrainën?
“Stalini ishte i frikësuar nga kundërrevolucioni dhe ai ishte veçanërisht i frikësuar nga Ukraina, pasi atij u kujtohet se gjatë periudhës së luftës civile, ka pasur kryengritje të fshatarëve në Ukrainë. Në vitin 1932, ai e dinte se atje ka pasur kryengritje të armatosur kundër kolektivizmit në Ukrainë”, thotë Applebaum.
Sipas saj, afro 4 milionë njerëz kanë vdekur në Ukrainë nga pasojat e Holodomorit.
“Ishte vështirë të llogariteshin numrat meqë sistemi sovjetik ishte përpjekur për ta fshehur urinë, menjëherë pasi ajo kishte ndodhur, bile edhe në atë masë sa që është fshehur regjistrimi, i cili ishte kryer në vitin 1937, i cili tregonte për një numër të madh të të vdekurve. Megjithatë, një ekip i demografëve të Ukrainës aktualisht ka paraqitur, besoj përfundimisht, numra shumë të saktë”, thotë Applebaum.
Megjithatë, ka pasur debat të gjerë nëse periudha e Holodomorit mund të konsiderohet gjenocid.
Por, historiania amerikane, Anne Applebaum, thotë se “jam shumë e kënaqur që ta quaj këtë gjenocid, në harmoni me defininim origjinal, që ishte zbuluar nga juristi, Raphael Lemkin dhe në esencë ishte gjenocid”.
Për çfarë arsye Holodomori është një kaptinë aq e rëndësishme në historinë e Ukrainës dhe pjesë e pandashme e identitetit kombëtar ukrainas?
“Holodomori, për të cilin kishte shtypje dhe nuk mund të flitej për këtë çështje, pjesërisht u shndërrua në një kulturë të nëntokës në Ukrainë. Njerëzit flisnin fshehtas për këtë çështje dhe tregimi transmetohej prej prindërve te fëmijët. Diaspora ukrainase filloi të fliste dhe të shkruajë për këtë çështje, veçanërisht pasi ishte mundësuar largimi masiv nga vendi në vitet e 40-ta dhe të 50-ta. Holodomori u bë një lloj i simbolit të historisë së pashkruar ukrainase”, thotë Applebaum.
Pra, sipas asaj që shkruan në librin e saj të fundit, Applebaum konsideron se Ukraina paraqiste sfidë për Stalinin. A mund të bëhet ndonjë paralele aktuale me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin?
“Mendoj se për Putinin, Ukraina paraqet sfidë pak a shumë ashtu sikur që sovraniteti i Ukrainës ishte sfidë për Stalinin. Pavarësia e Ukrainës, po ashtu, paraqet sfidë për Putinin, e veçanërisht Ukraina që është proevropiane, demokratike, që beson në lirinë e të shprehurit dhe në sundimin e ligjit. Të gjitha këto janë ideale, pjesë e vlerave dhe ideve që paraqesin kërcënim për putinizmin, pasi putinizmi është një autokraci oligarkiste, e cila do të kishte probleme sikur të ekzistonte liria e plotë e shprehjes, liria e shtypit dhe sundimi i ligjit”, thotë Anne Applebaum, në intervistën për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë pritet nga zgjedhjet lokale në Maqedoni

Gara politike në Maqedoni ka filluar. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka theksuar se kandidatët e partisë së tij kanë projekte të shumta për zhvillimin e komunave dhe se theksi kryesor gjatë fushatës do të jenë projektet e infrastrukturës, që sipas tij do të përmirësojnë jetën e qytetarëve nëpër komuna.

Ahmeti: Ndajmë një hapësirë të përbashkët
Ahmeti gjithashtu ka folur për partneritetin dhe marrëveshjen e arritur me LSDM-në. “Qëllimi është që ne të krijojmë klimë dhe të japim porosi për qytetarët se këta qytetarë ndajnë fatet dhe jetojnë nën qiell dhe hapësirë të përbashkët, andaj mendohej se duhet që edhe politikisht të afrohen mes vete, rreth një kandidati shqiptar, rreth një kandidati maqedonas. Në këtë drejtim ne kemi investuar dhe do të investojmë”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Aleanca: Rinia – aseti më i fuqishëm
Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela njëherazi edhe kandidat për kryetar në Komunën e Strugës, ka theksuar se rinia shqiptare është aseti i tij më i fuqishëm në zgjedhjet e 15 tetorit.
“Një gjë është e vërtetë, çdo gjë që e kemi bërë e kemi bërë në emrin e rinisë, në emër të perspektivës që duhet ta kenë gjeneratat e reja këtu në vendlindjen e tyre”, ka theksuar Sela në hapjen e fushatës.

Besa: Vëmendje problemeve në terren
Nga Lëvizja Besa, partia më e madhe e opozitës shqiptare, thonë se programi i tyre kryesisht ka të bëjë me nevojat e shqiptarëve në nivelin lokal, që sipas tyre, janë në gjendje të rëndë nga qeverisja e keqe e drejtuesve të tyre nga BDI-ja e Ali Ahmetit. “Lëvizja Besa programin e saj për zgjedhjet lokale e ka projektuar në pesë shtylla: shtylla e parë është që të çlirohen komunat nga borxhet, korrupsioni, mafia urbane, pika tjetër ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, stimulimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha përmes tërheqjes edhe të investitorëve të jashtëm, si dhe pika tjetër që ka bëjë me sportin dhe rekreacionin”, thotë Faton Fazliu, nga Lëvizja Besa.

PDSH: Interes që shqiptarët të fitojnë në zonat e tyre
PDSH që drejtohet nga Menduh Thaçi thotë se pala maqedonase përmes partnerëve shqiptarë në qeveri synon të ngushtojë hapësirat e banuara me shqiptarë. “Ne jemi jashtëzakonisht të interesuar që shqiptarët në këto zgjedhje së bashku me aleatët e tyre, të ngadhënjejnë në të gjitha territoret e tyre. Klani i maqedonasve punon me shumë angazhim që në këto zgjedhje në disa komuna, ku nuk janë shumicë të fitojnë kandidatët e tyre. Ata duan që ta shtrydhin territorin, ta zvogëlojnë territorin ku jetojnë shqiptarët, që territori i maqedonasve të rritet në 93 apo 94 për qind”, ka deklaruar Thaçi në konventën partiake.

LSDM dhe VMRO- synim votat e shqiptarëve
Dy partitë kryesore maqedonase LSDM dhe VMRO në këtë fushatë për zgjedhjet lokale si asnjëherë më parë synojnë votat edhe në vendbanimet shqiptare. Retorika e tyre është zbutur tejmase, ata flasin për shqiptarët dhe të drejtat e tyre elementare. Lidhja Social Demokrate që drejton qeverinë, edhe në pushtetit lokal do të vazhdojë me retorikën e zgjedhjeve të fundit parlamentare duke u angazhuar për një shoqëri për të gjithë.

LSDM: Shoqëri për të gjithë
LSDM-ja pretendon që këtë koncept ta zhvillojë në partneritet me BDI-në e Ali Ahmetit, me të cilën është në koalicion qeveritar. “Këto zgjedhje janë zgjedhje të personaliteteve dhe me të drejtë qytetarët kërkojnë kuadro me kualitet të lartë, për të cilët do të votojnë. Ne duam që konceptin tonë për jetë në Maqedoni apo një shoqëri për të gjithë, ta vazhdojmë edhe në nivelin lokal. Ne ofrojmë zgjidhjet më të mira, si me kandidatë ashtu edhe me programe. Ne si partnerë qeveritarë do ta mbështesim njëri-tjetrin në disa komuna”, ka deklaruar Zoran Zaev, kryeministër dhe kryetar i LSDM-së. Kjo parti ka nxjerrë edhe kandidatë shqiptarë në disa komuna, në të cilat shënoi rezultat të mirë në zgjedhjet e 11 qershorit.

VMRO-DMPNE: Oferta jonë kundër kaosit të LSDM
Kryetari i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski thotë se oferta e tyre, përkushtimi, përgjegjësia dhe dija do të jenë përgjigjja më e mirë për kaosin dhe pasigurinë që e ka shkaktuar LSDM-ja.
“Maqedonia do të kthehet në rrugën e suksesit dhe zhvillimit dhe atë rrugë do ta udhëheqim ne së bashku me qytetarët. Këto zgjedhje janë një mëngjes i ri për të gjithë ne”, ka deklaruar Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së opozitare.
Fushata elektorale për zgjedhjet e 15 tetorit zgjat 20 ditë. Në garë për drejtimin e 80 komunave dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit lokal marrin pjesë 19 parti politike dhe koalicione, si dhe disa lista të kandidatëve të pavarur për këshilltarë komunalë.

Ish-kryeministri pakistanez del para një gjykate antikorrupsion

Ish-kryeministri pakistanez, Nawaz Sharif, ka dalë para një gjykate antikorrupsion në Islamabad, nën akuzat për korrupsion.
Kjo ishte paraqitja e tij e parë para gjykatës, që kur ai ishte përjashtuar nga Gjykata Supreme, që pasoi një hetim se ai kishte pasuri të fshehtë financiare.
Përkrahësit e Sharif-it po brohorisnin në përkrahje të tij, brenda dhomës së gjykimit.
Gjykata ka lëshuar urdhra për dy djemtë e Sharif-it, vajzës së tij, dhëndrit dhe urdhëruan ata të dalin para tribunalit.
Sharif do të gjykohet më 2 tetor në lidhje me tri raste të korrupsionit kundër tij, të dorëzuara nga trupi antikorrupsion i Pakistanit.
Këshilltarët e tij, e akuzojnë Sharif-in dhe familjen e tij për pastrim parash, duke përdorur pasurinë e Pakistanit për të blerë prona në Londër.
Familja e tij thonë se pronat në Londër janë fituar si investim që ata e bënë me familjen mbretërore të Katarit në vitet 1980-ta.

Basha: Rama, staf më të madh se Trump në Shtëpinë e Bardhë, s’ka para për vettingun

Kryetari I PD, Basha deklaron se Rama po kërkon të bllokojë procesin e vettingut përmes bllokimit të fondeve për institucionet e vettingut. “Rama duhet të bdajë mendjen, ose me bandat ose me drejtësinë”, tha Basha. “Do të mbështesim organet e pavarura të vetingut”, tha Basha.

Përplasje nëse PS nuk pranon reformën zgjedhore

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka paralajmëruar përplasje nëse qeveria nuk pranon të bëjë një reformë zgjedhore të vërtetë, por pa e specifikuar se çfarë lloji. Në “Studio e Hapur” në Neës24, duke folur për sistemin zgjedhor, Basha artikuloi fjalët ‘kryengritje e armatosur’ apo paramilitarë, por tha se PD ka zgjedhur rrugën politike.
“Nëse doni t’i bëjmë thirrje njerëzve për kryengritje të armatosur apo organizime paramilitare… Kryengritja nuk kërkohet vetëm kur ti ke bindjen që të kanë marrë fitoren, por kur çdo e drejtë dhe liri kushtesuese dhunohet.

-Ju vazhdoni të mendoni se PD mund të fitonte zgjedhjet, pra i është hequr fitorja? Ju po i thoni shqiptarëve ju u bletë…
Pati disa faktorë, nuk ishte vetëm lista. Pati disa faktorë që kontribuuan në rreshtimin elektoral të shqiptarëve. Faktori përmbysës ishte shitblerja e votës.

-Njohja e zgjedhjeve të pandershme i shërben vendit?
Ne e konsiderojmë, PD, unë e kam shprehur në fjalën e parë në Parlament për ne kjo është një mazhorancë fiktive, ky është parlament ilegjitim.

-E legjitimon duke shkuar ti, opozita?
Cila është këshilla jote? Të mos shkoj në Parlament.

-Unë jam gazetar, nuk kam asnjë këshillë.
Po është shumë e thjeshtë të thuash pse e bën këtë dhe të mos ofrosh asnjë alternativë. Dy alternativa ka. Alternativa e parë është alternativa politike. PD vazhdon të funksionojë si një parti politike. Me këtë proces që kemi do jemi edhe më demokratikë, edhe më modernë, edhe më të reformuar.

-Këshilla ime do ishte, do pranoja humbjen dhe gabimet që kam bërë. Do bëja një program tjetër, jo atë program që ishte dhe atë listë që ishte.
Ti thua do i njohësh zgjedhjet, unë po të them që ne e konsiderojmë një Parlament ilegjitim dhe një mazhorancë fiktive. Unë i kam bërë thirrje që të dorëzojë menjëherë sendin e vjedhur. Sendi i vjedhur është vullneti i shqiptarëve. Si ta dorëzojë? Me reformën elektorale, duke bërë të mundur që ne, së pari, përmes votimit dhe numërimit elektronik të asgjësojmë disa prej instrumenteve me të cilat shndërrohet, tjetërsohet apo blehet vota e shqiptarit dhe kjo në vetvete është e pamjaftueshme dhe natyrisht duhen dhe hapa të tjerë, të cilët nëse ka vullnet politik ndërmerren dhe i jepet fund turpit të Europës, që është shitblerja e votës në Shqipëri.
Ka dy rrugë për ta bërë këtë betejë: njëra rrugë është rruga politike, rruga tjetër është rruga parapolitike, se ku na çon, mund të na çojë edhe në majë të malit, por kjo nuk është për parti politike pastaj. Nuk është më roli i një partie politike. Nëse doni t’i bëjmë thirrje njerëzve për kryengritje të armatosur apo organizime paramilitare…

-Jo, jo nuk jam për këtë. PD nuk provoi që ishte shumicë në këto zgjedhje, nuk pati mobilizim dhe s’ka të drejtë të kërkojë kryengritje.
Kryengritja nuk kërkohet vetëm kur ti ke bindjen që të kanë marrë fitoren, por kur çdo e drejtë dhe liri kushtetuese dhunohet.

-Por duhet të mobilizosh një shumicë.
Po flasim parimisht. Ne kemi zgjedhur rrugën politike, kemi vënë të parën reformimin e sistemit politik sistem që ka denigruar me qeverisjen e një grushti kriminelësh. Jemi në një kurs të paevitueshëm përplasjeje. Zgjidhja e saj vjen përmes dy mënyrave:
Ose të pranojë një reformë zgjedhore të vërtetë dhe vetëm atëherë do kemi qeveri që i përgjigjet qytetarit. Rruga e dytë një përplasje e paevitueshme mes atyre njerëzve që besojnë tek liria e demokracia dhe uzurpatorëve.

Basha, hapa për bashkimin, Rama korruptoi edhe të huaj

Kryetari i PD, Basha deklaroi dje se PD është e hapur për këdo që mund të kontribuojë dhe ndaj mendimit ndryshe, por synimi sipas tij është që vendimmarrja të shkojë tek anëtarësia. Basha dha garanci se është i hapur që ketë edhe ndryshime statutore që të garantojë këtë liri të mendimit ndryshe në PD.
“Mbaj mënd që jam përgjigjur për fraksionet në PS në vitin 2005. Unë kam thënë se ka fraksione bananesh, çeliku. Pra çfarë janë fraksionet? Nëse bëhet fjalë për të mbrojtur interesat e grupimeve të ndryshme jemi të hapur për këdo që të kontribuojë, por ky nuk është fraksion. Vendimet në PD merren sipas normave statuore. Partia ka norma dhe gjithkush gjen veten.
Synimi im është që vendimmarrja të shkojë tek anëtarësia dhe ky është modeli më i mirë që ka edhe perëndimi. Mendim ndryshe do ketë dhe ka pasur vend në PD. Stili i Berishës ka qenë ndryshe dhe nuk duhet të ngatërrohet qëllimi ndryshe me synimet. Pasi ka edhe njerëz që i shërbejnë kundërshtarit dhe jo partisë që përfaqëson. Ne jemi të hapur ndaj mendimit ndryshe dhe mendimit kritik. Të qenit demokrat nuk lidhet me kolltukun e deputetit”- tha Basha.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur në emisionin ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili në ‘Neës24’ për listën e kandidatëve për deputetë.
“Rezultati i zgjedhjeve nuk ka shumë të bëjë me listën e kandidatëve. Përpjekja për të lidhur listën me rezultatin e zgjedhjeve është një përpjekje e sforcuar. Nga prania e krimit dhe drogës, Shqipëria është refuzuar dhe në Evropë. Përpjekja jonë ishte të largonim Edi Ramën”, tha Basha. Ndër të tjera, Basha u pyet edhe për çadrën e ngritur në Bulevard dhe nëse ajo ishte një dështim. Kreu i PD u shpreh se çadra nuk ishte dështim, ndërsa sipas tij, Rama ka korruptuar edhe ndërkombëtarët.
“Jo nuk e quaj dështim çadrën, pasi ne ndërgjegjësuam shoqërinë shqiptare. Rama ja doli falë krimit të mbijetonte. Ai ka korruptuar edhe ndërkombëtarët nuk ka rëndësi këtu apo në Bruksel. Rama ka diplomacinë e drogës. Nëse do kishim të njëjtin standard ndërkombëtar si në Maqedoni apo këtu, Rama nuk do të ishte kryeministër. Të gjitha këto propaganda dhe lobingje kontribuuan që lëvizja jonë mos kulmonte me qëllimin që ne kishim. Rama nuk ka një mazhorancë legjitime. Unë mendoj se angazhimi i bandave të drogës ndihmuan Ramën.
Pse thotë Rama jemi konkurrentë, unë them nuk jemi, sepse të jesh konkurrentë do të thotë të ndash edhe ngastrat e drogës. Unë s’mund të jem konkurrent i tij kurrë, unë konkurroj për një Shqipëri europiane, ku policia mos të jetë nën terrorin e bandave, por anasjelltas. Dy mundësi kishim: Edi Ramën nuk e largonim dot, kishte dy standarde, Gruevskit i thanë jo, këtij me ngastra droge po. Kur nuk ndodhi kjo, PD o do ngelej jashtë procesit zgjedhor, dhe e dyta duke përdorur zemërgjerësinë maksimale nga aleatët amerikanë duke pranuar paketën dhe nuk arritëm pak. Pyetja shtrohet çfarë mundësish kishte PD-ja”, tha Basha.
Basha tha se nuk e di çfarë ka ndodhur, pasi nëse do të kishte identifikuar personat që votuan në favor të Gramoz Ruçit do të ishin përjashtuar. “Nuk e di çfarë ka ndodhur. Ishte një investim i hapur kundër opozitës, pasi mazhorana i kishte votat. Nuk kemi prova nëse janë manipuluar apo shitur votat. Nuk i kam identifikuar kush janë personat që votuan pro Gramoz Ruçit se ndryshe do i kisha përjashtuar. Thelbi nuk është ky, por një makinacion i tillë ka marrë vëmendjen. PS nuk kishte nevojë për dy vota më shumë për të zgjedhur Ruçin, por ishte një skenar tipik i Sigurimit të Shtetit për të dëmtuar PD. ”, tha Basha.

Listat, ka patur edhe të lënduar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur sot për të gjithë demokratët e vjetër që u lanë jashtë listës për zgjedhjet e 25 qershorit. Basha u mundua të tregohej i rezervuar, ndërsa u shpreh se ndoshta nga ky proces pati edhe të lënduar. Ai pohoi se nga PD kanë ikur dhe kanë ardhur figura të saj që kanë dhënë kontribut.
“Njerëz që janë spikatur për 20 vjet, PD ka nevojë për ata. Nuk ka nevojë për ftesë, ata e kanë pasur. S’ka asnjë pengesë të qenit apo jo deputet. Të qenit apo jo është një pengesë artificiale. Avantazhi i çdokujt me përvojë politike, dhe nuk është hera e parë që PD ka pasur persona që nuk kanë qenë deputetë që s’kanë pushuar asnjë çast të vetëm. Përgjigja ime ishte e plotë dhe shteruese: bashkimi nuk mund të jetë fizik, por shpirtrash, moral dhe politik. Të jesh në një sallë, nuk është ky bashkimi. Unë e kuptoj se ka njerëz të lënduar në këtë proces. Unë besoj se PD nuk lindi dje. Në PD kanë ikur dhe kanë ardhur figura të saj që kanë dhënë kontribut. Përcaktues për bashkim janë vlerat që na bëjnë demokrat. Unë reflektoj gjithçka. Në këtë proces kam dëgjuar publikisht dhe privatisht vendimi”, tha ai.
Ai tha se vendimi për hartimin e listave për deputetë ka qenë më i vështiri për të, duke shtuar faktin se kjo do të jetë hera e fundit që kryetari merret me emrat. Sipas Bashës, kjo detyrë do t’i takojë anëtarësisë së PD-së. “Vendimet në të vështira ka qenë ai për grupin parlamentar. Ka nisur një proces reflektimi brenda vetes. Reflektimi im për këtë listë është një çështje e imja, lista është kjo, ky është grupi parlamentar. Për PD është hera e fundit që kryetari bën listën e deputetëve, këtë kam thënë edhe herën e parë. Lista ka dalë nga anëtarësia e PD. Kjo është përgjigja për ata që ndoshta janë të lënduar nga kjo listë”, theksoi Basha.

‘Xibraka’, si ruhej Genci Xhixha nga përgjimet, fliste me kode

Genci Xhixha, i pandehuri kryesor i dosjes së kartelit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit ka qenë personi, i cili më shumë nga të gjithë anëtarët e kartelit ka respektuar kodin e heshtjes. ABC News ka zbardhur disa biseda të përgjuara të Xhixhos, i vetmi nga grupi që është dënuar në mungesë. Në dosjen gjyqësore “Xibraka” theksohet se Xhixha ka patur kontakte të pakta telefonike me anëtarët e grupit. Ai ka folur me gjuhë të koduar, nuk ka bërë vizita të shpeshta në laborator dhe nuk ka mbajtur kontakte telefonike direkte me dy kolumbianët e angazhuar në prodhimin e kokainës. Por kujdesi i Xhixhës rezultoi i pasuksesshëm përsa i përket përgjimeve, por ai mundi t’i shpëtojë operacionit të arrestimit të zhvilluar më 15 janar 2015.
Xhixha u citua si Elefanti në bisedat telefonike të grupit u dënua me 13 vjet burg në mungesë nga Krimet e Rënda. Ai iu fsheh drejtësisë gjatë hetimit dhe gjykimit dhe vijon të jetë person në kërkim. Në një komunikim me të pandehurin Ermal Hoxha, nipin e ish-dikatorit Enver Hoxha më 13 janar 2015, Genci Xhixha shpreh shqetësim për një zhurmë që dëgjon gjatë telefonatës. “Shih, shih si bon telefoni”, i ka thënë ai bashkëbiseduesit. Menjëherë ai është qetësuar nga bashkëbiseduesi Hoxha i cili i thotë se ka dëgjuar komandën e dëgjimit ambiental “Viva voche”. Në një telefonatë të së njëjtës ditë, Xhixha i konfirmon Hoxhës se ka lënë takim me një person, të cilit i referohen me nofkën “Vezë”. Përmes një përgjimi të datës 14 janar 2015, Gjykata konstaton se i pandehuri Genci Xhixha kujdeset që të mos identifikohet lidhja e tij kriminale, duke mos përdorur numrin, apo numrat telefonikë të regjistruar në emër të tij në këtë telefonatë, duke mos mbajtur kontakte me shtetasit kolumbianë dhe duke mos shkuar shpesh personalisht në laboratorin e prodhimit nëpërmjet përpunimit të lëndës narkotike.
Pak minuta më vonë i pandehuri Xhixha (+949) telefonon Nipin e ish-diktatorit (+575), të cilit i kërkon të njoftojë ata të dy se për gjysëm ore vjen ai shoku për t’i marrë. I pandehuri Hoxha konfirmon kontaktet me dy shtetasit kolumbianë, të pandehur në këtë dosje të prodhimit të kokainës në laboratorin e Xibrakës.
Genci Xhixha, i konsideruar si financues dhe sigurues i lëndës së kokainës në Kolumbi, e cila vinte dhe përpunohej në Elbasan, është njoftuar se po ndiqej. Në dosjen e dorëzuar në Gjykatë ndodhen 12 raporte vëzhgimi të Policisë së Shtetit me autorizim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të kryera gjatë periudhës dhjetor 2014 -janar 2015.
Në të gjitha këto vëzhgime të kryera në qytetet Tiranë, Elbasan dhe në Xibrakë dhe në rrugën që lidh këto dy qytete, gjithçka ka ecur normalisht deri në datën 14 janar 2015. Atë ditë Genci Xhixha ka qenë në Shqipëri dhe paradite është nisur në drejtim të Elbasanit. Linja logjike e ngjarjeve ishte që ai të shkonte në laboratorin e Xibrakës ku ndodheshin në atë moment disa nga bashkëpunëtorët e tij. Por ai ndryshoi drejtim.
Prokurorët e çështjes, krahas përgjimeve telefonike dhe renditjes së detajeve të rrjetit të trafikut të drogës, kanë pyetur 24 persona për dosjen e Xibrakës. Në mesin e dëshmitarëve janë familjarë të të arrestuarve, të njohur apo edhe banorë të ndryshëm, të Elbasanit dhe Tiranës, që kanë pasur kontakt me dy kolumbianët e arrestuar. Në dosjen e Prokurorisë ndodhen 12 raporte vëzhgimi të shoqëruara me pamjet filmike të regjistruara në distancë. Ky vëzhgim ka nisur më 19 dhjetor të vitit 2014 dhe ka vazhduar për disa ditë, me ndërprerje deri më datë 14 janar, kur edhe është ndërhyrë për arrestimin e tyre.
Aksioni për arrestimin e trafikantëve të kartelit të kokainës në Xibrakë është realizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas raportimit të autoriteteve të drejtësisë gjermane. Por operacioni është dekonspiruar pak minuta para arrestimit të tyre. Sipas raportit të vëzhgimit të datës 14 janar 2015 të mbajtur nga dy agjentë të policisë, përshkruajnë momentin kur Genc Xhixha ishte nisur drejt Elbasanit. Por një mesazh telefonik i dërguar në telefonin e tij, në ora 10:35 minuta, ka bërë që ai të rrotullohet dy herë te rrethrrotullimi i “TEG”-ut dhe më pas është larguar me shpejtësi drejt Tiranës.
Ai moment ka qenë i fundit kur është parë Xhixha nga agjentët e policisë, pasi ka arritur të largohet i pashqetësuar. Vetëm pak orë më pas, në raportin e vëzhgimit në laboratorin e Xibrakës, agjentët kanë konstatuar se tre nga të dyshuarit po derdhnin fuçitë e mbushura me një solucion ngjyrë blu nga mbrapa magazinës. Në këtë kohë është ndërhyrë, duke i arrestuar, ku edhe është konstatuar se ata po derdhnin solucionet ku brenda kishte tretësira kokaine.

Denoncimi: Terror policor nga çunat e krimit në Tiranë

Një qytetar nga Tirana denoncon terrorin e policisë mbi njerëz të thjeshtë në Tiranë. Qytetari i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku shkruan me ironi se Policia e Tiranës po arreston ‘superkriminelë’. Sipas tij, shefi i Komisariatit nr.1 në Tiranë futi në rajon 2 roje në moshë të thyer dhe një kamerier.
“Terror policor nga çunat e krimit në Tiranë! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Përshëndetje zoti Berisha. Doja t’ju njoftoja për bandat e Edvin Ramës që po terrorizojnë gjithë qytetin. Jo më larg se para 25 minutash shefi i Komisariatit nr.1 në Tirane futi në burg 3 superkriminelët më të kërkuar. 2 roje me moshë të thyer edhe 1 kamerier që nxirrte bukën e gojës me atë pak bakshish. Mirë që i shoqëroi drejt komisariatit, por zotëria na kishte lënë makinën edhe skiç në mënyrë që të mos kalonte asnjë makinë tjetër edhe duke iu drejtuar njerëzve që s’keni për të kaluar këtu se kështu më do mua qefi… Kur erdhën edhe vetë efektivët e “Shqiponjave” ju drejtua duke ju thënë; nuk e lëviz makinën që këtu, dhe as ata nuk bënë asnjë gjë”, shkruan qytetari.