23.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Zhgënjimi i Evertonit, ruajti numrin 19 për Diego Costën

Në fund të sezonit të kaluar, menjëherë sapo Chelsea përfundoi festën e titullit, Antonio Conte i komunikoi sulmuesit kryesor të tij, Diego Costës se nuk ka vend më për të në ekip dhe se duhet të gjejë një “strehë” tjetër. Menjëherë ndaj brazilianit, që përfaqëson Spanjën në aktivitetet ndërkombëtare, vërshuan ofertat, por Costa e kishte ndarë mendjen, të rikthehej te Atletico Madrid. Ky vendim i brazilianit bëri që të shpresonte shumë edhe klubi i Evertonit, që kishte planifikuar të mbante Diego Costën në Angli, të paktën deri në muajin janar.
Madje Everton shkoi edhe më tej, duke lënë të lirë numrin 19, aq shumë i preferuar nga braziliani, por vendimi final i Diego Costës zhgënjeu klubin anglez, që shikonte te ish-sulmuesi i Chelsea, zëvendësuesin ideal të Romelu Lukakut.
Përfundimisht, Diego Costa vendosi të transferohet në Madrid, ku do të stërvitet deri në muajin janar dhe më pas të bëhet zyrtarisht futbollist i Atleticos së Simeones.

Milan vendos të ndryshojë sponsor

Lajmi ka qarkulluar prej ditësh, por dje është konfirmuar: Milan ka ndërprerë bashkëpunimin me sponsorin Adidas. Tani, shtypi italian është vënë në kërkim të konfirmimeve për emrin e sponsorit të ri të kuqezinjve. Siç është shkruar dje nga “La Gazzetta dello Sport”, nga korriku i ardhshëm sponsori i ri do të jetë Puma. Për zyrtarizimin e partneritetit të ri duhet pritur akoma, por duket se nuk ka më dyshime.
Lajmi për ndërprerjen e bashkëpunimit me Adidas është dhënë nga vetë klubi kuqezi në një komunikatë për shtyp: “Milan do të ndërpresë marrëdhëniet me Adidas në fundin e sezonit 2017-18. Ky partneritet, i filluar më 1 korrik të 1998-ës, është përbërë nga shumë suksese: 2 Kupa të Kampionëve, 1 Botëror për Klube, 2 Superkupa Europiane, 3 Serie A, 3 Superkupa të Italisë dhe 1 Kupë të Italisë”.
“Milan, lexohet më tej në komunikatë, ka nënshkruar një kontratë të re globale sponsorizimi me një kompani sportive ndërkombëtare që do të hyjë në fuqi nga 1 korriku i 2018-ës. Identiteti i sponsorit të ri teknik dhe detajet e marrëveshjes do të zbulohen në muajt e ardhshëm”.

Strakosha sërish në formacionin më të mirë të javës

Thomas Strakosha abonohet me formacionin e javës në Serie A. Pas përfshirjes në 11-shen më të mirë të javëve 8 dhe 9, ku numri 1 i Lazios zhvilloi dy ndeshje spektakolare në “Juventus Stadium” dhe në “Olimpico” kundër Cagliarit, tashmë nuk përbën më risi fakti që talenti shqiptar përfshihet në formacionin ideal, duke lënë pas emra me peshë si Buffon apo Donnarumma. Fitorja e Lazios në transfertën e vështirë të Bologna-s dhe disa ndërhyrje vendimtare të Strakoshës në “Dall Ara”, e ndihmuan 22-vjeçarin të fitonte sërish një vend në formacionin më të mirë të javës së 10-të. Goli i pësuar në Bologna nuk e bën aspak me faj portierin “kuqezi”, i cili u kap në kundërkohë pas devijimit të topit nga ana e Lulicit në portën e tij, ndërsa në pjesën e parë ishte sërish Lulic që në mënyrë të pakujdesshme ktheu një top me kokë drejt kuadratit, me Strakoshën që arriti të evitonte një gol, që dukej i sigurt. Gjithashtu, gjatë pjesës së dytë ai kreu disa ndërhyrje vendimtare, por mori pjesë edhe në aksionet e iniciuara nga këmbët e tij, duke bashkëpunuar disa herë me repartin mbrojtës. Moment fantastik për portierin shqiptar, që tashmë ka arritur të eklipsojë edhe një prej emrave më premtues të portës italiane, gardianin e Milanit, Gianluigi Donnarumma.

Çfarë skuadre ka ndërtuar Inzagi!

Në dhjetë ndeshje të luajtura deri më tani në kampionat, Lazio regjistron vetëm një humbje (4-1 ndaj Napolit). Fitorja e fundit erdhi të mërkurën mbrëma në transfertën e Bologna-s 2-1, duke e çuar në 25 numrin e pikëve të grumbulluara pas tetë suksesesh dhe një barazimi. 25 pikë po aq sa kampioni në fuqi Juventusi dhe vendi i katërt për klubin ku drejtor sportiv është një nga ikonat e kombëtares shqiptare, Igli Tare. Për sa i takon golave të shënuar, lacialët kanë ndëshkuar kundërshtarët plot 26 herë (13 herë Immobile që kryeson klasifikimin e golashënuesve të Serie A), ndërsa kanë pësuar 11 dhe diferenca është +15.
Statistika optimiste për skuadrën e Simone Inzagit për të cilën gazetari i “Tuttomercatoweb” Fabrizio Poncirolli pranon: “Kam gabuar në gjykimin tim ndaj dyshes Lotito-Tare. Nuk janë ‘të bukur për t’u parë’, por e shikoni çfarë skuadre kanë ndërtuar? Lamtumirat e Keita dhe Biglia nuk janë ndjerë kurrë, përkundrazi Inzagi (Simone) është një mjeshtër, por edhe dyshja Lotito-Tare funksionon për mrekulli. Lazio për titull? Po, me kusht që askush të mos rrëmbehet nga euforia dhe të nisë të fluturojë me fantazi, në vend që të vrapojë në fushë. Pra, nëse Leicester fitoi Premier League-n, pse të mos e fitojë Lazio Scudetto-n?”.
Përveç kampionatit bardhekaltrit janë paraqitur mjaft mirë edhe në Europa League ku kryesojnë renditjen në Grupin K me 9 pikë.

Shkeljet financiare arrijnë 13 mln euro, 1.3 mln euro për Check-up

Sipas raportit të tremujorit të tretë të 2017 të Auditimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në shkeljet e disiplinës financiare me ndikim negativ në fushën e shpenzimeve, FSDKSH zë një peshë kryesore. Sipas raportit, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ka “shpërdoruar “ 1,819,750 mijë lekë, nga të cilat:
533,162 mijë lekë, nuk janë njoftuar organet tatimore dhe nuk janë ndërprerë marrëdhëniet kontraktore për 46 farmaci që kanë rezultuar me diferenca plus dhe minus në barnat e rimbursueshme.
490,791 mijë lekë, si pasojë e rimbursimeve të drejtpërdrejta jashtë kompetencave të caktuara me dispozita ligjore.
232,485 mijë lekë, si pasojë e pagesës në favor të koncesionarit TVSH në masën 20% për paketën e kontrollit mjekësor (Check-up).
205,709 mijë lekë, si pasojë e mos ndërprerjes së kontratave për 20 farmaci të gjetura me shkelje nga DAB e Fondit.
178,073 mijë lekë, si pasojë e përfitimit të rimbursimeve për tre subjekte farmaceutike edhe pse janë të proceduara penalisht.
61,410 mijë lekë, si pasojë e rimbursimit në kundërshtim me përcaktimet ligjore për katër shtesa ushqimore esenciale të përgjithshme jo barna, nga të cilat tre janë alternativa të para dhe një është zëvendësuese.
26,907 mijë lekë, janë paguar nga buxheti për largime të padrejta nga puna për 32 punonjës dhe për asnjë rast nuk është nxjerrë përgjegjësi.
19,400 mijë lekë, si pasojë e mbajtjes së pajustifikuar në punë e 58 punonjësve të përkohshëm për plotësimin e kartave të shëndetit.
8,115 mijë lekë, rimbursime të padrejta të disa produkteve farmaceutike (suplemente) jo barna.
5,522 mijë lekë, si pasojë e miratimit të tre alternativave të para për barin Epoetinë, pa marrë parasysh përcaktimin ligjor.

TVSH tek bizneset e vogla, do paguajnë 18 milionë dollarë

Qeveria ka vendosur që të shtrijë regjimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për biznesin që qarkullon deri në 2 milionë lekë. Ky hap, edhe pse me tërheqje në raport me deklaratat e para të qeverisë kur TVSH-ja do shtrihej nga qarkullimi zero, nuk duket të jetë pa një efekt financiar. Madje në raport me atë që sot realisht paguan biznesi jashtë pragut që përfshin taksat e bashkisë, është një vlerë jo dhe aq modeste.
Qeveria në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm ka deklaruar se efekti nga kjo masë do të jetë deri në 1.5 miliardë lekë, ose rreth 13 dollarë.
“Rishikimi në ulje i kufirit të regjistrimit në T.V.SH. do të ketë një efekt shtesë në të ardhura me rreth 1-1.5 miliard lekë në vit. Në fakt qëllimi i rishikimit të këtij pragu nuk është sigurimi i të ardhurave shtesë, pasi shuma e parashikuar e tyre, krahasuar me numrin e bizneseve të vogla është e vogël.
Qëllimi madhor i kësaj nisme ka të bëjë kryesisht me formalizimin e tregut dhe verifikimin e zinxhirit të transaksioneve deri tek konsumatori final” thuhet në relacion.
Të ardhurat nga TVSH-ja në 2018
Për vitin 2018, sipas projektbuxhetit, të ardhurat nga T.V.SH.-ja parashikohet të jenë në masën 150.7 miliard lekë, 11.4 miliard lekë më shumë se pritshmëria për vitin 2017 ose 8.2 % .
“Krahas TVSH-së që do të gjenerohet si rezultat i rritjes ekonomike, rritjes së volumit të importeve dhe konjukturës së çmimeve ndërkombëtare, burimi kryesor i të ardhurave shtesë nga TVSH-ja për vitin 2017, do te jetë përmirësimi i administrimit të këtij tatimi, lufta ndaj informalitetit si dhe kontrolli i zinxhirit të transaksioneve të subjekteve në TVSH” thuhet në relacion.

Zgjidhje politike, çmontim i narkoshtetit, Tahiri nuk do të shpëtojë, lufta sapo ka filluar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi betejë të fortë të opozitës në vënien e Saimir Tahirit përpara drejtësisë, ndërsa bëri të ditur se dosjet e lidhjeve të qeverisë Rama me bandat e krimit të organizuar dhe trafikut do të shkojnë në çdo kancelari të partnerëve ndërkombëtarë.
Ambasadori i SHBA, Donald Lu dhe ambasadorë të Bashkimit Europian takuan Kryetarin e PD, Lulzim Basha dje për t’u informuar mbi qëndrimin e opozitës për çështjen Tahiri, informacionet që ka opozita si dhe aksionin që do të ndërmarrë ajo në vijim mbi këtë çështje.
“Ky është një alarm i madh i kuq i ndezur në çdo kancelari dhe në çdo qendër të partnerëve tanë, të cilët janë krah shqiptarëve dhe me të cilët në krah ne do të vazhdojmë deri në fund betejën, që sapo ka nisur për çmontimin e narkoshtetit dhe kupolës mafioze në pushtet”, u shpreh Basha.
Pas takimit me përfaqësusesit e diplomacisë amerikane dhe europiane, në një prononcim të gjatë për mediat, Basha zbardhi disa nga pikat kryesore të këtij takimi bëri të ditur mbështetjen e fuqishme të partnerëve ndërkombëtarë ndaj drejtësisë shqiptare përsa i përket hetimeve të dosjes Tahiri.
“Kam patur një takim me ambasadorin Lu. Ambasadorët e Bashkimit Europian kanë qenë në një takim tjetër po në të njëjtën godinë. Keqkuptime që kanë ndodhur dhe më parë me atë godinë. Qëndrimi i qeverisë amerikane është i qartë dhe nuk ka nevojë për komentin tim. Ata mbështesin pa rezerva prokurorët dhe gjyqtarët në një hetim të plotë dhe të paanshëm për të zbardhur dhe për të vënë para përgjegjësisë penale të gjithë ata politikanë të përfshirë në krimin e organizuar dhe në trafikun e drogës si dhe dënojnë çdo përpjekje që politikanët të jenë mbi ligjin dhe jashtë ligjit. Pra, që imuniteti parlamentar të përdoret për të mbrojtur politikanët e lidhur me krimin dhe drogën”, u shpreh Basha.
Kreu i PD paralajmëroi në mënyrë të prerë se, pavarësisht përpjekjeve të Ramës dhe manovrave të tij përmes numrave në Parlament, Saimir Tahiri nuk ka për t’i shëptuar drejtësisë.
Ai ngriti shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë mbi shndërrimin e Shqipërisë në prodhuesen dhe trafikuesen kryesore të drogës në Europë.
“Sajmir Tahiri nuk do t’i shpëtojë drejtësisë. Pavarësisht prej mbrojtjes politike që i bëri dje mazhoranca, faktet e dala publikisht dhe faktet e tjera, të cilët disponohen nga organet shqiptare të hetimit, nga Prokuroria shqiptare, por dhe nga partnerët, do të bëjnë të mundur që ai të marrë përgjegjësitë e tij penale para ligjit shqiptar për mbrojtjen dhe ndihmën që i ka dhënë, jo thjesht një bande kriminale, por përpjekjes për ta kthyer Shqipërinë vetëm në katër vite në një bazë të sigurt të krimit të organizuar, në prodhuesin më të madh të kanabisit në Europë dhe eksportuesin e drogave të lehta dhe të forta drejt Europës. Këto janë konstatime të institucioneve perëndimore nuk janë thjesht dhe vetëm konstatime të opozitës, e cila padyshim kanë qenë në ballë të kësaj beteje”, tha kreu i PD.

Bashkëpunim me SHBA dhe BE për çmontimin e krimit në qeveri

Duke e cilësuar çështjen Tahiri si vetëm majën e ajsbergut të zbardhjes së lidhjeve të Ramës me botën e krimit dhe trafikut, Basha tha se opozita dhe PD do të luajë rolin e saj në mbështetje të fortë të zbardhjes së çdo fijeje të krimit të lidhur me Ramën dhe bandën e tij në qeveri.
Ai deklaroi se aksioni opozitar nuk do të ndalet deri në çlirimin e vendit nga krimi dhe droga dhe kthimin e pushtetit në duart e qytetarëve. Me rëndësi, Basha vuri theksin tek bashkëpunimi i PD me partnerët ndërkombëtarë në shkëputjen e lidhjeve të krimit nga pushteti.
“Saimir Tahiri nuk është fundi, por është fillimi i një procesi të çmontimit të narkoshtetit, të çmontimit të mafias së narkotikës, që ka kapur shtetin. Kjo luftë, e cila sapo ka filluar, nuk do të jetë as e lehtë dhe as e shkurtër. Por Partia Demokratike do të ketë rolin e saj jashtëzakonisht të rëndësisshëm në këtë luftë, në planin e mbështetjes totale ndaj organeve të zbatimit të ligjit, në veçanti ndaj Prokurorisë dhe gjykatave të vendit. Në planin legjislativ për të rrëzuar dhe zhveshur narkoshtetin dhe përfaqësuesit e mafies në nivelin politik nga çdo alibi, me anë të së cilës mbrohen nga ligji siç është imuniteti parlamentar. Dhe po kështu, në planin politik me qëllim që Shqipëria të çlirohet nga krimi, të çlirohet nga droga, të çlirohet nga narkoshteti që ka depërtuar në çdo qelizë. Kjo është një përpjekje, të cilën ne e bëjmë në bashkëpunim me partnerët strategjikë të Shqipërisë, me BE dhe SHBA dhe jemi krah për krah me ta”, tha Basha.
Pas mbështetjes së marrë nga partnerët ndërkombëtarë mbi aksionin opozitar me qëllim luftën ndaj krimit e drogës dhe lidhjeve të tyre me kupolën e qeverisë, Basha tha se beteja do të vijojë derisa sa vendit t’i garantohet një qeverisje e pastër nga krimi dhe lidhjet e tij. “Beteja sapo ka nisur dhe jemi shumë të inkurajuar nga mbështetja që i është dhënë dhe do t’i jipet në ditët dhe javët në vazhdim, kësaj beteje jetike për të ardhmen e Shqipërisë dhe për integrimin europian të Shqipërisë, që kalon vetëm përmes çmontimit të narkoshtetit.
Çmontimit në kuptimin ligjor, pra vënien para përgjegjësisë të çdo politikani që ka mbrojtur apo i ka shërbyer trafikut të drogës dhe organizatave kriminale, dhe në kuptimin politik për t’i dhënë Shqipërisë një qeveri dhe një qeverisje të pastër nga krimi i organizuar dhe nga lidhjet e krimit me narkotrafiqet dhe me mafien, e cila ka diktuar dhe dikton vendimmarrje të turpshme politike, siç ishte ajo e djeshmja e Edi Ramës për të mbrojtur Saimir Tahirin me imunitet parlamentar nga akuzat ligjore të Prokurorisë të bazuara në përgjimet e Antimafias”, tha kreu i PD.

Rama i dëshpëruar, si i mbyturi pas fijes së kashtës

I dëshpëruar si i mbyturi që kapet pas fijes së kashtës. E cilësoi dje reagimin e Ramës pas deklaratave të forta të zv/ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Yee në lidhje me hetimin e Saimir Tahirit.
Basha tha se, mbrojtja e Ramës ndaj Tahirit është dëshmi e lidhjeve të tij me krimin e organizuar si dhe e faktit se Rama sot po shndërrohet në pengesë të hetimeve dhe nuk po i shërben qëllimisht zgjidhjes së krizës së krijuar, por po e thellon atë.
“Ky është një qëndrim i dëshpëruar i Edi Ramës. Qeveria e SHBA ka folur fare qartë. Unë nuk jam këtu për të interpretuar qëndrimet e tyre. Po ju mund të shikoni mbështetjen e plotë që i është dhënë hetimit, gjykatësve, Prokurorisë dhe dënimit të çdo qëndrimi që mbron përmes imunitetit parlamentar, politikanët e akuzuar për lidhje me krimin.
Qëndrimi i sotëm i Ramës nuk është vetëm një qendrim i dëshpëruar i të mbyturit që kapet pas fijes së kashtës, por po kështu evidenton para shqiptarëve dhe para partnerëve se Rama vazhdon të jetë, siç ka qenë prej fillimit, pjesë e problemit dhe refuzon të bëhet pjesë e zgjidhjes”, tha Basha.
Kreu i PD risolli në vëmendje inkriminimin e pushtetit nga Rama në katër vitet e qeverisjes së tij dhe në vijim, duke përmendur të inkriminuarit në Parlament si ish-deputetët Ndoka, Prenga, kryetarin e Bashkisë, Elvis Rroshi apo Dako etj.
Ai gjithashtu denoncoi lidhjet e shtabeve të Partisë Socialiste me bandat kriminale dhe funksionimin e tyre zinxhir si një rrjet i mirëfilltë kriminal dhe mafioz.
“Është pjesë e problemit, sepse pa lejen e tij, pa miratimin e tij, pa dijeninë e tij, Shqipëria nuk do të mund të shndërrohej në një hambar të drogës në këto katër vjet vetëm përmes Saimir Tahirit. Saimir Tahiri është vetëm një hallkë. Saimir Tahiri, Arben Ndoka, Armando Prenga, Elvis Rroshi, Vangjush Dako, prania e bandave kriminale dhe afërsia e tyre me të gjitha shtabet elektorale të Partisë Socialiste, janë tregues të një projekti politik, nuk janë rastësi. Edi Rama e di fare mirë se është ai përgjegjës para opinionit publik dhe para partnerëve ndërkombëtarë, që në katër vite të shkurtër e ktheu Shqipërinë nga një vend anëtar i NATO-s, qytetarët e të cilit lëviznin lirshëm pa viza në Bashkimin Europian, në një vend që tregohet si strehë e krimit të organizuar, si baza kryesore e prodhimit dhe trafikimit të kanabisit, dhe si një nga bazat kryesore të eksportit të drogave të forta drejt Europës Perëndimore. Përgjegjësitë e tij janë të qarta në kuptimin politik dhe Partia Demokratike do të bëjë gjithçka që këto përgjegjësi ai t’i mbajë politikisht, por edhe ligjërisht para drejtësisë”, u shpreh kreu i PD.

Ndryshime ligjore që do çojnë në çmontimin e narko shtetit

PD do të ndërmarrë nisma konkrete edhe ligjore me qëllim vënien në zbatim të një plani konkret që do të çmontojë narko shtetin. Nga ana tjetër, ai iu përgjigj pyetjes së gazetarëve në lidhje me projektin për heqjen e imunitetit të të gjithë deputetëve, ndërsa tha se kjo ka qenë një nismë e propozuar prej kohësh nga Partia Demokratike.
“Këto janë qendrime që Partia Demokratike ka 8 vite që i mban në mënyrë të përsëritur dhe në këtë kuptim ne jemi në një rol aktiv. Përveç mbështetjes totale ndaj Prokurorisë, ndaj Gjykatave në hetimin e rastit Tahiri dhe çdo rasti tjetër që pritet të dalë të politikanëve të lartë që i kanë dhënë mbështetje dhe mbrojtje trafikut të drogës, kërkojmë një zgjidhje politike përmes një qeverie antimafia, një qeverie jo të kapur nga mafia dhe interesat mafioze, por edhe përmes ndryshimeve legjislative që do të ndihmojnë çmontimin e narko shtetit dhe kupolës mafioze që ka zaptuar shtetin”, tha Basha.
Në lidhje me marrëdhëniet e PD me jetën parlamentare, Basha deklaroi se nuk mund të jetë normalitet në jetën parlamentare për aq kohë sa vendi të qeveriset dhe të drejtohet nga krimi i veshur me pushtet. Megjithatë, Basha bëri të ditur se opozita do të vijojë fuqishëm betejën e saj në Parlament me të gjitha mjetet, derisa ajo bashkë me qytetarët të marrin një vendim mbi aksionin e mëtejshëm.
“Jetë normale parlamentare, siç e keni parë, nuk ka. Prej ditës së parë të këtij Parlamenti të dalë nga një votë e shtrembëruar përmes milionave të drogës siç evidentohet edhe nga përgjimet e Antimafias italiane, ne kemi shtruar dhe shtrojmë domosdoshmërinë e një zgjidhje politike.
Çfarë ndodh në një vend ku mazhoranca është fiktive, ku Parlamenti është ilegjitim dhe për rrjedhojë edhe qeveria është ilegjitime?! Kjo qeveri nuk është përgjegjëse para shqiptarëve. Kjo qeveri është përgjegjëse para atyre që me paratë e drogës e sollën në pushtet. Pa zgjidhur këtë problem të jashtëzakonshëm politik vendi nuk mund të ecë përpara. Lufta kundër krimit nuk mund të ecë përpara”.
Ndaj paralelisht me mbështetjen që u japim organeve të drejtësië, Prokurorisë, për të çuar deri në fund hetimin dhe për ta vënë Saimir Tahirin para përgjegjësisë penale, të cilës nuk do t’i shpëtojë, detyra jonë është që së bashku me të gjithë faktorët e tjerë shoqërore, me qytetarët e ndershëm të këtij vendi, me median – një pjesë të së cilës dua ta përgëzoj nga zemra për kurajon e jashtëzakonshme në veçanti dua të përgëzoj nga zemra, gazetarët që janë në vijën e parë të frontit, që nuk kanë asnjë privilegj dhe asnjë joshje nga narkoshteti dhe nga mafia, por kanë vetëm kërcënime të turpshme si ato të djeshmet, pra të gjithë së bashku ne do të mundësojmë që vendi t’i kthehet normalitetit.
Për momentin nuk ka normalitet dhe nuk mund të ketë normalitet as në Parlamentin shqiptar. Por ne do ta vazhdojmë këtë betejë brenda Parlamentit me të gjitha instrumentat e opozitës parlamentare derisa së bashku me qytetarët shqiptarë të marrim një vendim tjetër.

Informacione për politikanë të tjerë të implikuar

PD bashkë me partnerët ndërkombëtarë kanë informacione të mjaftueshme për politikanë të tjerë të veshur me imunitet, të cilët janë pjesë e bandës së krimit në pushtet. Basha tha se, opozita në rakordim me partnerët ndërkombëtarë do të bëjë çdo gjë që Prokuroria të mos bjerë pre e presionve politike dhe të vijojë deri në fund hetimin ndaj Tahirit dhe bandës në pushtet.
“Partia Demokratike dhe unë jemi në një kontakt të vazhdueshëm me partnerët tanë. Edhe opozita, edhe partnerët kanë informacione të besueshme dhe të shumta për rolin e individëve, politikanëve me pushtet në kthimin e Shqipërisë në një bazë të sigurt të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
Është detyra jonë si opozitë që në bashkëpunim dhe në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë të bëjmë jo thjeshtë dhe vetëm denoncimin publik të këtyre fakteve, por të sigurohemi që Prokuroria shqiptare dhe gjyqësori shqiptar, këta individë sado të pushtetshëm qofshin, anëtarë të kabinetit, drejtues të lartë të pushtetit, të trajtohen njësoj para ligjit si çdo qytetar shqiptar dhe të marrin para drejtësisë atë që meritojnë.
Asnjë politikan që ka mbrojtur dhe ka përfituar nga ndihma e drejtëpërdrjetë dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës nuk duhet t’i shpëtojë drejtësisë. Kjo është beteja jonë sot që nis me rastin Tahiri, por ky nuk është fundi, por vetëm fillimi i çmontimit të narko-shtetit”, tha Basha.
I pyetur mbi shqetësimet e ndërkombëtarëve, Basha tha:
“Lejomëni t’ju them që Partia Demokratike mbështet fuqimisht zbatimin sa më shpejt të Reformës në Drejtësi, zbatimin e vetingut, ngritjen e strukturës së posaçme antikorrupsion, SPAK dhe ka besim të plotë që ky proces do të ndihmojë në çmontimin e mafies dhe narkoshtetit. Natyrisht, mafia dhe narkoshteti kanë interesa të tjera, të zvarritjes dhe mundësisht të kapjes së procesit të Reformës në Drejtësi. Kam besim se në bashkëpunim me partnerët tanë, me SHBA dhe BE, opozita dhe Partia Demokratike do t’ia dalin që institucionet e reja të drejtësisë të jenë një vlerë e shtuar në luftën kundër mafies, në luftën kundër krimit të organizuar, në luftën kundër trafikut të drogës dhe në çmontimin e narkoshtetit”, tha Basha.

Asnjë mbrojtje çdo politikani që hetohet për krimin dhe drogën, përmes imunitetit

PD dënon me forcë mbrojtjen e çdo politikani që i fshihet drejtësisë përmes imunitetit dhe pengon hetimet mbi lidhjet e tij me krimin e drogën pavarësish provave që disponon organi i akuzës. Basha e cilësoi çështjen Tahiri si rekordin historik të 27 viteve pluralizëm, ku një zyrtar i lartë në postin e ministrit akuzohet me prova se ka lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.
“Unë jam këtu për të dhënë qëndrimet e opozitës. Unë e di që gazetaria ka kohë të vështira, ju ftoj edhe ju që të bëheni pjesë e zbulimit të kësaj të vërtete, që ishte edhe një nga thirrjet e bëra sot nga ambasadori Lu dhe dua t’i përsëris mesazhin çdo shqiptari që të lexojë qartë mesazhet e partnerëve tanë, qëndrimet e partnerëve tanë.
Si dhe t’i bëjë thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga përpjekjet e dëshpëruara si i mbyturi pas fijes së kashtës, për të keqinterpretuar qëndrimet që janë të qarta. Mbështetje totale për hetimet, mbështetje totale për Prokurorinë, dënim të mbrojtjes së çdo politikani që hetohet për krimin dhe drogën, përmes imunitetit parlamentar. Siç ndodhi dje nga Parlamenti shqiptar, nga mazhoranca shqiptare me një votë të turpshme. Dhe ky është rekordi historik: në 24 vite që prej vitit 1994m ky është rasti i parëm kur një politikan mbrohet nga mazhoranca e tij, ndërkohë që drejtësia ka kërkuar arrestimin për akuzën e bashkëpunimit për trafikun e drogës në një grup të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv”, tha Basha.
Nga ana tjetër, Basha edhe njëherë jep mbështetjen totale ndaj Prokurorisë në lidhje me rastin Tahiri, ndërsa tha se ky duhet të jetë shembulli i parë i rrugës së funksionimit të drejtësisë shqiptare.
“Unë nuk marr përsipër të komentoj deklaratat dhe qëndrimet. Mund t’ju them vetëm që këto qëndrime janë fare të qarta: Mbështetje totale të hetimit, mbështetje totale prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe një paralajmërim i fortë për mbrojtjen që iu bë në rastin “Tahiri”, duke mos i hequr imunitetin, duke lejuar Saimir Tahirin, të ruajë privilegjet imunitare, duke refuzuar kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e tij si një hap i domosdoshëm për procedimin me sukses të kësaj çështje.
Megjithatë, shpreh bindjen time më të thellë se, bazuar mbi fakte dhe prova ligjore, Prokuroria me mbështetje parimore, publike nga opozita dhe nga partnerët ndërkombëatrë do ta finalizojë misionin e saj dhe se, gjyqësori do të bëjë drejtësi në rastin “Tahiri” duke dhënë shembullin e parë dhe jo të fundit, që politikanët e lidhur me krimin e organizuar dhe me trafikun e drogës nuk do të mund t’i shpëtojnë drejtësisë”, tha kreu i PD.

SHBA dhe BE në kontakte të vazhdueshme me Bashën për krizën

Pas reagimit të ambasadorit amerikan, Donald Lu në lidhje me arrestimin apo jo të Saimir Tahirit, ai pati një takim me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën.
Në takimin, ku ka qenë e pranishme edhe kryetarja e delegacionit të Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, mësohet se Basha ka folur për provat dhe faktet që disponon Partia Demokratike në procesin Tahiri.
Opozita i është bashkuar qëndrimit të prokurorisë se ministrat e qeverisë Rama i dhanë mbështetje bandës së Habilajve për trafikun e drogës. Përveç atyre që kanë dalë në media, mendohet se opozita ka fakte dhe prova të tjera që përfshijnë ministra të tjerë veç Saimir Tahirit në kontakt me Habilajt.

Anëtari i bandës së Habilajve kërkon ekstradimin në Itali

Një prej të akuzuarve si pjesë e bandës “Habilaj”, kërkoi përmes avokatit që të ekstradohej në Itali, ku kërkohet për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Nazer Seiti, i cili sipas prokurorisë së Katanias, Itali, është anëtar i bandës së drejtuar nga Moisi Habilaj, kërkoi të përballet me akuzat e trafikimit të drogës para drejtësisë Italiane.

Seanca e djeshme kishte të bënte me shqyrtimin gjyqësor të kërkesës së autoriteteve Italiane, për ekstradimin e Seitit në Itali, ndërkohë që ky i fundit është në hetim edhe prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila nisi një çështje menjëherë pas publikimit të përgjimeve të Prokurorisë së Katanias që u bën publike javën e kaluar.

Nezar Seiti listohej në këto përgjime si një prej anëtarëve të  grupit Habilaj që kujdesej për infrastrukturën e trafikut të hashashit drejt Siçilisë. Menjëherë pas hapjes së dosjes për këtë grup, bazuar në përgjimet italiane, prokuroria dhe policia qenë në gjendje të arrestonin dhe ndalonin disa persona në Babicë të Vlorës, përfshi Seitin, ndërsa u sekuestruan më shumë se katër ton drogë.

Dosja “Habilaj” u kthye në çështje dite të politikës në Shqipëri, pasi në përgjimet e anëtarëve të dyshuar të bandës përmendet disa herë emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Prokurori i çështjes Shahin Pasha, i  depozitoi gjykatës një kopje të urdhër-arrestit të lëshuar nga Italia për këtë person dhe disa shkresa të tjera për dobi të këtij procesi. Në fund të fjalës së tij, prokurori Shahini kërkoi masë sigurie “arrest me burg” për qëllim ekstradimi.

Ndërkohë katër ditë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi për Seitin masën e arrestit “20 ditë në burg”, për llogari të një procedimi penal të nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri, i cili filloi menjëherë pas arrestimit të të dyshuarve të tjerë të grupit në Itali.

I kontaktuar në telefon nga “BIRN” avokati i të arrestuarit, Nazer Seiti pohoi se klienti i tij ka shfaqur vetë vullnetin të ekstradohet në drejtim të Italisë. “Klienti im ka vetë vullnetin të shkojë në Itali dhe të përballet me akuzat e ngritura nga ky shtet”, deklaroi avokati Detar Hysi.  Ky i fundit shton se ka shfaqur habi me kërkesën e përfaqësusit të prokurorisë së Tiranës, i cili në një seancë të tillë gjyqësore me objekt ekstradimin e Seitit në Itali, kërkoi caktimin e masës  ekstreme sipas tij  të “arrestit me burg”.

I kontaktuar po ashtu përmes telefonit prokurori i çështjes i tha “BIRN”, se “vetë i pandehuri ka kërkuar vullnetin e tij për t’u ekstraduar në Itali”. I pyetur nga “BIRN” se si mund të zgjidhet ekstradimi i Nazer Seitit drejt Italisë, në një kohë që paralelisht dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur një procedim penal kundër këtij personi si i dyshuar për trafik droge, prokurori tha se nuk mund të komentonte këtë pjesë.

 

Kreu i organizatës kriminale falenderon ambasadorin Lu për deklaratën

Kreu i organizatës krimiale në qeveri falenderoi ambasadorin Lu vetëm pak sekonda pas deklaratës së tij për çështjen “Tahiri”, ku ai kërkonkte që Tahiri të dilte para drejtësisë. Rama tha se e falenderonte ambasadorin, pasi sipas tij ai kishte dalë kundër gjyqeve të tipit komunist, kur e kundërta është e vërtetë. Rama po kërkon të manipulojë opinionin me keqinterpretimin e deklaratave të Shteteve të Bashkuara. Ai po kërkon të marrë si mbështetje për veten e tij dhe mafian në qeveri deklaratat amerikane, të cilat janë të qarta dhe hapur kundër Ramës dhe bandës së drogës dhe në mbështetje të Prokurorisë.
Ndërsa ka falenderuar ambasadorin Lu për deklaratën Rama ka heshtur dhe nuk ka reaguar ndaj deklaratës së fortë të zv.Ndihmëssekretaarit amerikan të Shtetit, Yee, i cili hapur kërkoi nga Rama që t’i nënshtrohet drejtësisë dhe mbështeti punën e prokurorëve. Përse Rama nuk falenderon edhe zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit? Arsyeja është e thjeshtë, ai është sot pranë gijotinës së drejtësisë dhe më i vetmuar se kurrë dhe kërkon të kapet vetëm përmes manipulimeve të deklaratave amerikane. SHBA nuk mund të ketë dy qëndrime të ndryshme për çështjen “Tahiri”.