26.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Ambasadori Lu reagon për çështjen “Tahiri”: Askush mbi ligjin, të dalë para drejtësisë

Ambasadori amerikan përsëriti deklaratën e bërë një ditë më parë nga zëvendësndihmësekretari amerikan i Shtetit, Yee, duke deklaruar se askush nuk duhet të dalë mbi ligjin. Shtetet e Bashkuara po lëshojnë mesazhe të qarta të brakstisjes së qeverisë Rama e lidhur me krimin e organiziuar veçanërisht pas votimit të së mërkurës, kur PS refuzoi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e Saimir Tahirit.
“Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them, nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj, ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën. E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”, tha Ambasadori Lu.

Shtetet e Bashkuara, thirrje qytetarëve

Shtetet e Bashkuara tani po i bëjnë thirrje direkte qytetarëve për të kërkuar të vërtetën mbi lidhjet e Tahirit me krimin dhe bandën e Habilajve. “Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them, nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj dhe ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën. E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë”. Deklaroi sot, Ambasadori amerikan Donald Lu për çështjen Tahiri”. Po çfarë fshihet pas thirrjes që po bëjnë amerikanët drejtuar shoqërisë. Ata nuk po i drejtohen më thjesht dhe vetëm politikës. As nuk po i drejtohen thjesht dhe vetëm Drejtësisë, ata tani po i drejtohen shoqërisë që të kërkojë të vërtetën e lidhjeve të krimit me Tahirin.
Instrumentat që shoqëria ka për të kërkuar të vërtetën mbi lidhjet e qeverisë me krimin nuk janë institucionale. Shoqëria reagon përmes protestave dhe kjo është ajo çfarë pritet të ndodhë gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme. Beteja për çmontimin e krimit nuk do të jetë e lehtë, por do të ndodhë me çdo kusht. Ky është mesazhi që po përsërisin partenrët e Shqipërisë, të cilët kësaj here duken të vendosur për të shkuar deri në fund këputjes së hallkave të krimit të organizuar me politikën.
Seanca e së mërkurës ishte prova e parë e kapjes së të gjithë mazhorancës dhe kriminalizimit të forcës politike në qeverisje përmes vendimmarrjes së saj. Tani në terrenin e politikës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare janë skenarë të tjerë për çmontimin politik të krimit të organizuar të njehsuar me partinë në pushtet.

Cili është kuptimi i shprehjes “askush mbi ligjin”

Shtetet e Bashkuara përmes dy deklaratave radhazi kanë përsëritur të njëjtën shprehje; “Askush mbi ligjin”. Cila është domethënia e kësaj fjalie dhe kujt i drejtohet. Deklarata bëhet vetëm pak orë pas votimit, ku Rama dhe PS nuk lejuan Prokurorinë të arrestojë Tahirin. Atëherë është i qartë konteksti i deklaratës amerikane. Mbi ligjin është sot PS dhe ish-ministri i saj i Brendshëm, Tahiri të cilët e kanë vendosur veten pas votimit të së mërkurës mbi shtetin ligjor dhe mbi drjetësinë, Prokurorinë dhe Gjykatat. PS ka bërë gabimin fatal me votimin e së mërkurës, duke vendosur partinë dhe lidhjet e krerëve të saj me krimin e organizuar mbi ligjin. Ndaj dhe reagimet amerikane kanë qenë mjaft të ashpra, brenda 48 orëve dhe pritet që të ashpërsohen në ditë dhe javët e ardhshme. Shtetet e Bashkuara ashtu si dhe BE nuk do të mund të lejojnë një forcë politike të dalë mbi ligjet pasi ky do të ishte fundi i kapitullit të një shteti të së drejtës dhe instalimi dhe pranimi zyrtar i diktaturës së krimit.

Reagimi i plotë i ambasadorit

Dua t’ju përgëzoj për punën e jashtëzakonshme që keni bërë për të luftuar korrupsionin në sistemin arsimor. Por së pari, më lejoni të them dy fjalë në lidhje me polemikat aktuale rreth ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Të gjithë ju jeni duke parë të shkruhet historia në këtë vend. Ajo që dini është se në komunizëm, Shqipëria kishte problemin e turpshëm të udhëheqësve komunistë që dërgonin njerëz të pafajshëm në burgjet më të tmerrshme: në Spaç, në Burrel dhe në Qafë Bar.
Në 27 vitet e fundit, ky vend është përballur me problemin tjetër, me problemin e turpshëm të politikanëve të fuqishëm, nga e djathta dhe nga e majta, që kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë, pa pushim.
Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them, nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj, ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën. E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Ju nuk jeni gjyqtarë apo prokurorë, por jeni njerëz që votoni. Ju i dhatë besimin tuaj këtij personi si anëtar i Kuvendit dhe si ministër i lartë i kabinetit. Është përgjegjësia juaj të kërkoni që publiku të dijë të vërtetën për këtë çështje. Nëse është i pafajshëm, njerëzit duhet ta dinë këtë. Nëse është fajtor, ai duhet të përballet me drejtësinë.
Tani, më lejoni të flas për arsyen pse jemi këtu sot – korrupsioni në sistemin arsimor.
Unë besoj që brezi juaj do të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes së problemit të rritjes së korrupsionit në shkolla dhe universitete. Më pëlqejnë shumë idetë që po vini në praktikë. Për shembull, më pëlqen idea juaj për të identifikuar profesorët më të mirë dhe për t’iu treguar të gjithëve, se cilët profesorë i rezistojnë korrupsionit dhe vendosin edukimin e studentëve të tyre përpara interesave vetiake.
Ndërsa brezi juaj lufton korrupsionin, ju lutem dijeni se keni mbështetjen tonë të plotë. Ne po punojmë çdo ditë për të mbështetur vetingun në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe dekriminalizimin e politikës. Aty ku brezat e kaluar kanë dështuar në luftën kundër korrupsionit, unë jam besimplotë se ju do të keni sukses.
Më lejoni ta përfundoj duke falenderuar të gjithë anëtarët e Këshillit Rinor, Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare dhe veçanërisht profesorët e dekanët që e kanë mbështetur me guxim këtë nismë.
Korrupsioni nuk do të mposhtet në një ditë të vetme, por mund të mposhtet nga një brez. Do të mposhtet nga brezi juaj.

Arben SHAHINI

Prokuroria: Tani nuk ka vlerë kontrolli në banesat e Tahirit

Krimet e Rënda e kërkuan kontrollin e banesës, pasi synonin të gjenin aty sendet e çmuara që grupi i Habilajve thoshte në bisedat e përgjuara, se i kishte bërë dhuratë Tahirit për nënën dhe bashkëshorten.
Prokuroria e Krimeve të Rënda e konsideron të pavlerë vendimin e mazhorancës parlamentare për të lejuar vetëm kontrollin e banesave të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe për të ushtruar kontroll personal ndaj tij. “Pas kaq kohe është e pakuptimtë të ushtrosh kontroll banese”, tha për lapsi.al një burim nga Prokuroria. Prokurorët nuk do të shkojnë as në Gjykatë për të marrë mandat për të kontrolluar apartametet e deputetit Tahiri. “Kjo nuk do të thotë se hetimet nuk do të vazhdojnë”, sqaroi i njëjti burim.
Krimet e Rënda e kërkuan kontrollin e banesës, pasi synonin të gjenin aty sendet e çmuara që grupi i Habilajve thoshte në bisedat e përgjuara, se i kishte bërë dhuratë Tahirit për nënën dhe bashkëshorten. “Ka kaluar 1 javë. Kontrolli duhet të kishte qenë i menjëhershëm”, vijon burimi nga Prokuroria.
Hetimi do të përfshijë edhe disa fashikuj të tjerë që kanë mbërritur nga Italia një ditë më parë. Priten edhe disa materiale të tjera shtesë jo vetëm nga Prokuroria e Katanias, por edhe nga Antimafia e Leçes.
Në dritën e provave të reja, Prokuroria mund të rikthehet në Kuvend me të njëjtën kërkesë si më parë: Autorizimin për ta arrestuar ish-ministrin e Brendshëm, nën akuzën për trafik droge, korrupsion pasiv dhe pjesëmarrje në një grup të strukuruar kriminal të narkotrafikut.

Si u zhdukën provat që inkriminojnë Tahirin

Pas kërkesë së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për heqjen e mandatit të deputetit Saimir Tahiri, ky i fundit nis të zhdukë provat që e inkriminojnë. Prokurorët kërkuan heqjen e mandatit që të ushtronin kontroll në banesën e Tahirit për të verifikuar dy byzylykë që Habilajt i kishin blerë me nga 4.5 mijë euro bashkëshortes dhe nënës së tij. Po ashtu do të ushtrohej kontroll për para dhe dhurata të çmuara që Habilajt i kanë bërë familjes Tahiri me paratë e drogës. Por këto prova u zhdukën nga Tahiri që në momentin që kërkesa e Prokurorisë po diskutohej në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit. Prokurorët në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit paraqitën prova të mjaftueshme për çështjen Tahiri, por atij nuk iu hoq imuniteti me urdhër të Ramës.
Pas publikimit të përgjimeve të bandës së Habilajt ku Tahiri përmendej për marrjen e miliona eurove dhe dhuratave të çmuara nga Habilajt, prej disa netësh në darkë tek shtëpia e Tahirit janë mbledhur shumë njerëz që kanë ardhur me makina luksoze për të zhdukur çdo gjurmë që inkriminonte Tahirin. Trafikantë droge dhe kriminelë që kanë patur mbështetjen e Tahirit në aktivitetin e tyre kriminal janë futur në orët e vona të mbrëmjes në banesën e Tahirit dhe kanë dalë prej andej të ngarkuar me thasë. Është zhdukur edhe laptopi dhe celulari sekret që Tahiri mbante në shtëpi.
Një ditë pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, Policia me urdhër të Ramës u zhduk nga Porti i Vlorës skafi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Trafikantët e drogës vijojnë të shkojnë për çdo natë tek banesa e Tahirit me makinat e tyre luksoze, duke krijuar edhe problem për trafikun. Mjaft banorë të lagjes së Tahirit janë shprehur se kanë patur shqetësime për shkak të grumbullit të makinave të mafias pranë shtëpisë së Tahirit.

Arrestohet nipi i ish-deputetit të PS, plagosi me armë në zgjedhje

Me kërkesë të Prokurorisë, forcat RENEA arrestuan dje nipin e ish-deputetit të PS të Lezhës, Arben Ndoka. Bëhet e ditur se, Damian Ndoka është arrestuar pas kërkesës së Prokurorisë për plagosjen e një aktivisti të LSI në zgjedhjet e 25 qershorit. Në njoftimin e Policisë së Lezhës thuhet se, një operacion i ndërmarrë nga Policia Vendore e Lezhës në bashkëpunim me forcat RENEA bëri të mundur arrestimin e disa personave, mes tyre edhe Damian Ndoka, 20 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë.
Nipi i ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, akuzohet se gjatë ditës së zgjedhjeve në 25 qershor, plagosi me armë tek qendra e votimit Florian Dushkun, aktivist të LSI-së. Në momentin e ndalimit nga forcat policore, shtetasit Damian Ndoka iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë e markës “Smith Wesson” me mulli me 6 fishekë.
Para tre ditësh ish-Kryeministri Berisha denoncoi plagosjen e dy të rinjve në Shëngjin nga nipërit e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka. Florian Dushku dhe Samet Berçaj ishin duke ecur në trotuar kur një makinë u ndaloi te këmbët dhe dy nipërit e Ndokës i qëlluan me plumba, duke marrë plagë nga plumbat në gjymtyrë. Njëri nga autorët që ndodhej në vendin e pasagjerit nisi të qëllojë me pistoletë. Dushku dhe Berçaj vrapuan për t’u fshehur, por autori zbriti dhe ndoqi njërin prej tyre për 50 m me armë në dorë. Për fat si Dushku dhe Berçaj i mbijetuan këtij sulmi me armë dhe ndodhen në spital.
Autorët njihen nga policia, pasi ngjarja ka lidhje me ditën e zgjedhjeve, në 25 qershor ku Dushku u qëllua me pistoletë nga nipërit e Ndokës në afërsi të qendrës së votimit. Dushku njihet si mbështetës i LSI-së. Për ngjarjen e 25 qershorit, policia tha se, shpalli në kërkim tre persona: Samuel Ndokën, Damian Ndokën dhe Gentian Markun. Këta persona edhe pse të shpallur në kërkim lëvizin lirisht në qytet pa asnjë problem për policinë. Vetëm pas ndërhyrjes së Prokurorisë, u bë i mundur arrestimi i njërit prej vëllezërve Ndoka.
4 krimet e nipit të Ndokës
– Ndaj Damian Ndokës, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me Vendimin Penal datë 20.10.2014, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Vrasje me dashje kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë”,”Plagosje e rëndë me dashje”,”Armëmbajtje pa leje”, parashikuar nga nenet 76, 22, 25, 278/2 të Kodit Penal.
Kjo masë sigurie e vendosur, shtoi Bledar Çeliku, pasi më datë 16.09.2014, në afërsi të Katedrales së qytetit të Lezhës, në bashkëpunim me persona të tjerë ka tentuar të vrasë shtetasin F.N.
– Po ndaj shtetasit Damian Ndoka, me Vendimin Penal datë 28.06.2017, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit” dhe “Plagosje e lehtë me dashje” parashikuar nga nenet 89, 278/1 dhe 329 të Kodit Penal.
Kjo masë sigurie e vendosur pasi, më datë 25.06.2017, në qytetin e Shëngjinit, përpara lokal “Detarit”, ka kanosur dhe dhunuar shtetasin F. D.
– Gjithashtu, ky shtetas është i dyshuar edhe për ngjarjen e datës 22.05.2017, ku pas një konflikti për motive të dobëta me një shtetas ka qëlluar me arme zjarri në drejtim të gomave të mjetit tip fuoristradë “Range Rover”, me drejtues shtetasin B.L.
Po ashtu, ai akuzohet se më datë 21 tetor 2017 bashkë me një person tjetër plagosën me armë dy shtetasit Florian Dushku dhe Samet Berçaj në Shëngjin.

Tritoli trondit Burrelin, hidhet në erë një makinë

Një shpërthim i fuqishëm tritoli ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Burrel. Sipas burimeve, si pasojë e shpërthimit të fuqishëm janë thyer edhe xhamat e banesave pranë objektit si dhe janë dëmtuar 2 automjete. Pas ngjarjes policia e Burrelit ka dhënë informacionet paraprake lidhur me shpërthimin. Policia bëri të ditur se tritoli i është vendosur një makine që ndodhej në hyrje të qytetit të Burrelit.
“Rreth orës 21:00, Policia e Komisariatit Mat, ka marrë njoftim se në hyrje të qytetit të Burrelit, pranë një mjeti është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi lëndë plasëse. Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se në oborrin pranë një mobilerie, ka qenë i parkuar një automjet tip “Land Rover”, ku pranë këtij automjeti dyshohet se është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke u dëmtuar pjesërisht.
Automjeti është në pronësi të shtetasit F.B, rreth 50 vjeç, banues në Burrel. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes ku po vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Afera CEZ-DIA, dënohet me 11 vite burg Kastriot Ismailaj

11 vite burg është dënuar nga Gjykata e Tiranës, Kastriot Ismailaj. Biznesmeni akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda në aferën CEZ-DIA, ku Ismailaj u akuzua se i vodhi buxhetit të shtetit rreth 5 milionë dollarë.
Në seancën me dyer të mbyllura, e cila zgjati rreth 3 orë u lexuan konkluzionet e mbrojtjes nga një avokat kryesisht. Kjo u kundërshtua nga biznesmeni, pasi dy mbrojtësit e tij ligjorë nuk ishin paraqitur dhe për këtë arsye kërkoi shtyrjen e seancës, por kërkesa u refuzua nga Gjykata.
Gjithashtu Gjykata vendosi të sekuestrojë 4 milionë dollarë të Kastriot Ismailaj dhe kalimin e tyre në favor të shtetit. Prokuroria pati kërkuar 15 vite burg për të pandehurin, i cili kishte ngritur një skemë mashtrimi me mbledhjen e borxheve të kompanisë CEZ.
Kompania e tij DIA kryente mbledhje fiktive të borxheve, ndërsa nga buxheti i shtetit rimbursoheshin paratë e presepuzuara si të arkëtuara. Këto veprime Ismailaj i kryente me ish-drejtuesin e CEZ, Josef Hajsek në Shqipëri për të cilin ka nisur një proces gjyqësor në mungesë në vendin tonë.

Ish-nëdrejtori mbetet në burg, Gjykata rrëzon kërkesën për lirim

Gjykata e Lartë ka lënë në burg ish-kreun e Burgjeve Artur Zoto, duke mos pranuar kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë. Zoto qëndron në qeli prej më shumë se 7 muaj, pasi u vu në hetim nga Prokuroria për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në lidhje me disa tendera që janë bërë në këtë institucion gjatë kohës që drejtohej prej tij.
Aktualisht Zoto po gjykohet tek Krimet e Rënda dhe në procesin ndaj tij janë ftuar të dëshmojë dhe ish-vartësi i Zotos, Iliaz Labi, i cili është po ashtu i pandehur, por në gjendje të lirë.
Labi ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë në këtë proces, ndërsa pas deklarimeve të tij për korrupsion në tenderat e ushqimeve u prangos më pas dhe eprori i tij në atë kohë Artur Zoto. Por ndërkohë çështja e tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda vazhdon të shtyhet për mungesë të përfaqësuesve të akuzës dhe të mbrojtjes.
Vetë Zoto gjatë dëshmive të dhëna në Prokurori ka deklaruar se nuk ka lidhje me akuzën që i bëhej, madje ai ka thëne se nuk ka pasur asnjë marrëdhënie me ish-vartësin e tij me të cilin madje nuk komunikonte që prej tre vjetësh.

 

“Shqipërinë e braktisa pse nuk isha i sigurt”

Një i ri shqiptar ka treguar jetën dhe përvojën e tij në Francë si dhe largimin nga Shqipëria, pasi nuk ndjehej i sigurtë në vendin e tij. Emigranti shqiptar i quajtur Adnan Sada 20 vjeç, i cili jeton në Brécey ka rrëfyer për median franceze peripecitë që ka kaluar për të mbërritur në Francë.
Ai tregon se ka arritur në Avranches më 6 shtator 2014, ndërsa ishte larguar nga Shqipëria, pasi i kishte vdekur babai dhe nuk ishte i sigurtë në Shqipëri. I mbetur vetëm me gjyshërit e tij, ai ka punuar që në moshën 8-vjeçare.
“Nuk isha i sigurt në Shqipëri. Ne erdhëm nga Milano në Paris, dhe pastaj në Avranches”, tregon 20-vjeçari. Atij i është dhënë mundësia që të punojë në një restorant të mirë të njohur si L’As Gourmand.
Gjithashtu prej 26 shtatorit të vitit 2016, ai është në shërbimin e CAP, në vitin e dytë të mësimit alternativ për mësimin e gjuhës franceze. Vitin e kaluar, ai mori mësime franceze në qendrën sociale të Brécey dhe e mësoi shumë mirë.
Adnan Sada thotë se, Franca është një vend i bukur, ndërsa Normandia sipas tij është një rajon shumë i qetë. I riu rrëfen se ka futur dokumentet dhe se shpreson që leja e qëndrimit të tij të rinovohet.

Qyteti i Gjirokastrës u trondit mëngjesin e djeshëm nga një vrasje e dyfishtë. Ishte ora 07:25 minuta, kur dy bashkëshortët, Afërdita dhe Aleko Kosta, përkatësisht 49 vjeç dhe 66 vjeç u ekzekutuan me armë në banesën e tyre. Krimi makabër ndodhi në shtëpinë e tyre, në lagjen “Palorto”. Burrë e grua u vranë me arme zjarri nga fqinji i tyre, Apostol Kosta, i cili më pas tentoi të vriste veten. Autori ka hyrë në banesën e çiftit dhe ka hapur zjarr në drejtim të tyre, ndërsa pasi është siguruar që i ka vrarë ka qëlluar edhe veten, duke marrë plagë të rënda. Ai qëlloi mbi çiftin me breshëri kallashnikovi në sytë e djalit 19-vjeçar të viktimave. Menjëherë pas ngjarjes, policia njoftoi se vrasja ndodhi në lagjen “Palorto”. Zyrtarisht policia dyshon se konflikti ka ndodhur për shkaqe pronësie.. Shkak për të ndërmarrë këtë akt të rëndë është bërë një gjyq i fituar nga çifti Kosta për një konflikt pronësie që kishin pasur me Apostolin, i cili rezulton të jetë edhe kushëri me viktimën. Pra bëhet fjalë për murin rrethues që ndante dy banesat e kushërinjve që ishin edhe fqinj. Një mur afro 4 metra i gjatë që çifi që u ekzekutua dje e kishte fituar me gjyq të hënën e kësaj jave. Në qytet, Afërdita njihej si një mësuese e nderuar, ndërsa Aleko, ishte më i njohur, për shkak edhe të profesionit si saksofonist. 49-vjeçarja ishte mësuese filloreje, nënë e një djali 19-vjeçar, i cili ndodhej në shtëpi kur ndodhi ngjarja e rëndë. Djalin, ajo e kishte nga një martesë e mëparshme. 19-vjeçari është student infermierie në qytetin e Gjirokastrës. Dhimbjen dhe traumatizimin e kanë ndjerë më së shumti nxënësit e klasës së katërt të shkollës ‘Koto Hoxhi’, të cilët mësuese Afërdita Kosta i kishte marrë që prej klasës së parë. Pak pas ngjarjes nxënësit janë shoqëruar për në shtëpi nga prindërit duke mos zhvilluar mësim për ditën e sotme pasi mësuesja e tyre prej katër vitesh ishte viktimë e një ngjarje të rëndë. Me 61-vjeçarin Aleko, mësuese Afërdita kishte rreth 5 vjet martesë. Ata kishin një marrëdhënie të veçantë, të cilën do ta rrëfenin edhe në emisionin “Ka një mesazh për ty”, tek “E Diela Shqiptare” një vit më parë. Vetë Aleko ndante një pasion dhe talent të veçantë për saksofonin. Sa i përket autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë, Apostol Kosta, ai është djali i xhaxhit të Alekos dhe punonte si shofer në spitalin e Gjirokastrës. Ai ndodhet momentalisht në Reanimacion, jashtë rrezikut për jetën. Vrasja e çiftit Kosta erdhi për shkak të një muri rrethues që ndodhej në shtëpinë e tyre.

 

Qyteti i Gjirokastrës u trondit mëngjesin e djeshëm nga një vrasje e dyfishtë. Ishte ora 07:25 minuta, kur dy bashkëshortët, Afërdita dhe Aleko Kosta, përkatësisht 49 vjeç dhe 66 vjeç u ekzekutuan me armë në banesën e tyre. Krimi makabër ndodhi në shtëpinë e tyre, në lagjen “Palorto”. Burrë e grua u vranë me arme zjarri nga fqinji i tyre, Apostol Kosta, i cili më pas tentoi të vriste veten.
Autori ka hyrë në banesën e çiftit dhe ka hapur zjarr në drejtim të tyre, ndërsa pasi është siguruar që i ka vrarë ka qëlluar edhe veten, duke marrë plagë të rënda. Ai qëlloi mbi çiftin me breshëri kallashnikovi në sytë e djalit 19-vjeçar të viktimave. Menjëherë pas ngjarjes, policia njoftoi se vrasja ndodhi në lagjen “Palorto”. Zyrtarisht policia dyshon se konflikti ka ndodhur për shkaqe pronësie..
Shkak për të ndërmarrë këtë akt të rëndë është bërë një gjyq i fituar nga çifti Kosta për një konflikt pronësie që kishin pasur me Apostolin, i cili rezulton të jetë edhe kushëri me viktimën. Pra bëhet fjalë për murin rrethues që ndante dy banesat e kushërinjve që ishin edhe fqinj. Një mur afro 4 metra i gjatë që çifi që u ekzekutua dje e kishte fituar me gjyq të hënën e kësaj jave.
Në qytet, Afërdita njihej si një mësuese e nderuar, ndërsa Aleko, ishte më i njohur, për shkak edhe të profesionit si saksofonist.
49-vjeçarja ishte mësuese filloreje, nënë e një djali 19-vjeçar, i cili ndodhej në shtëpi kur ndodhi ngjarja e rëndë. Djalin, ajo e kishte nga një martesë e mëparshme. 19-vjeçari është student infermierie në qytetin e Gjirokastrës.
Dhimbjen dhe traumatizimin e kanë ndjerë më së shumti nxënësit e klasës së katërt të shkollës ‘Koto Hoxhi’, të cilët mësuese Afërdita Kosta i kishte marrë që prej klasës së parë. Pak pas ngjarjes nxënësit janë shoqëruar për në shtëpi nga prindërit duke mos zhvilluar mësim për ditën e sotme pasi mësuesja e tyre prej katër vitesh ishte viktimë e një ngjarje të rëndë.
Me 61-vjeçarin Aleko, mësuese Afërdita kishte rreth 5 vjet martesë. Ata kishin një marrëdhënie të veçantë, të cilën do ta rrëfenin edhe në emisionin “Ka një mesazh për ty”, tek “E Diela Shqiptare” një vit më parë. Vetë Aleko ndante një pasion dhe talent të veçantë për saksofonin.
Sa i përket autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë, Apostol Kosta, ai është djali i xhaxhit të Alekos dhe punonte si shofer në spitalin e Gjirokastrës. Ai ndodhet momentalisht në Reanimacion, jashtë rrezikut për jetën. Vrasja e çiftit Kosta erdhi për shkak të një muri rrethues që ndodhej në shtëpinë e tyre.

Aksident i rëndë në Tiranë, furgoni përplas fëmijën

Një aksident i rëndë ka ndodhur dje pasdite në Tiranë. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:30 tek Rruga e “Qelqit” në Kombinat, teksa një furgon mallrash ka përplasur një fëmijë rreth 5-7 vjeç, por identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.
Fëmija është transportuar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, por jashtë rrezikut për jetën. Forcat e policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Bëhet e ditur se, policia ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e mjetit.
Një tjetër aksident ka ndodhur pak minuta më vonë, tek diga e Liqenit Artificial në Tiranë. Bëhet e ditur se dy makina janë përplasur dhe nuk dihet ende nëse ka persona të plagosur. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, ndërsa nuk dihet ende nëse ka persona të plagosur.
Ndërkohë, është identifikuar viktima e aksidentit të ndodhur një ditë më parë në kryeqytet, në zonën e Porçelanit. Sipas Policisë, viktima është XH.SH., 63 vjeç, banues në kryeqytet.
Ai ishte duke lëvizur me biçikletë, kur është përplasur nga një makinë tip “Seat” që drejtohej nga J.D., 28 vjeç. Përplasja e ndodhur në mesditë në rrugën “Hoxha Tahsim”, ka rezultuar fatale për 63-vjeçarin, i cili ka humbur jetën. Ndërkohë, 28-vjeçari është arrestuar nën akuzën e veprës penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.