19.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Mësuesi dhunon nxënësin në orën e mësimit në Vlorë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare “24 Maji’ në qytetin e Vlorës. Një mësues qëllon një nxënës në orën e mësimit, denoncimi është bërë nga vetë nxënësit. Ndërkohë, pas denoncimit në Tv “Klan.al”, Policia e Vlorës ka nisur procedimin penal ndaj mësuesit të shkollës 9-vjeçare “24 Maji” në Vlorë. Policia bën me dije se ndaj mësuesit 64-vjeçar me iniciale L.H ka nisur hetimi në gjendje të lirë për “keqtrajtim të të miturve”.
Mësuesi i Gjeografisë shfaqet në video duke ushtruar dhunë fizike gjatë orës së mësimit ndaj nxënësit me iniciale M.N. Pas lajmit të publikuar në Tv “Klan.al”, Policia e Vlorës kontaktoi me të miturin. Ky i fundit nuk kishte bërë denoncim ndaj mësuesit deri dje, ndërsa sot ai kallëzoi para uniformave blu se më datë 17 tetor mësuesi e kishte qëlluar me shpullë. Pamjet skandaloze u denoncuan sot nga Tv “Klan.al” ku mësuesi i Gjeografisë ushtroi dhunë ndaj të miturit gjatë orës së mësimit.
Lidhur me një video e publikuar në media, ku shfaqet një mësues, duke goditur një nxënës, njoftojmë se: Policia e Vlorës ka kryer menjëherë verifikimet, duke marrë kontakt me nxënësin M.N., (ky i fundit nuk ka bërë kallzim më parë lidhur me këtë situatë në strukturat policore).
Pas kontaktit nga Policia, ai ka kallzuar se në datë 17.10.2017 gjatë orës së mësimit në shkollën “24 Maji”, mësuesi L.H., e ka goditur me shpullë.
Në përfundim të hetimit, Policia ka filluar procedimin penal, për veprën penale “Keqtrajtim i të miturve”, ndaj shtetasit L.H., 64 vjeç. Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.

Gjen vdekjen minatori në Bulqizë, e zë poshtë masivi i gurëve

Një minator humbi jetën gjatë punës në minierën e Bulqizës. Eris Keta, 30 vjeç po punonte në galeritë e zonës D të minierës në kohën kur një masiv gurësh është shembur dhe e ka zënë poshtë. Ai është nxjerrë në sipërfaqe nga minatorët e tjerë që ndodheshin në të njëjtën galeri dhe fatmirësisht nuk morën lëndime.
Në gjendje të rëndë, minatori Eris Keta është nisur me urgjencë drejt spitalit të Bulqizës, nga ku mësohet se mbërriti i pajetë. Burimet nga spitali thanë se, ai kishte marrë fraktura të rënda në trup, të cilave nuk ka arritur t’u mbijetojë. Ndërkohë pranë minierës mbërritën forcat e policisë që nisën veprimet hetimore për të zbardhur shkakun e incidentit në galeri.
Situata në minierë u inspektua nga specialistët e RISHM-it dhe ata të Inspektoriatit të Punës. Në 6 muajt e fundit, në galeritë e Bulqizës janë shënuar katër aksidente me viktima. Minatori Eris Keta mësohet se ishte i siguruar nga subjekti privat që administron minierën.

Zjarr në banesë, vdes tragjikisht i moshuari

Një 85-vjeçar humbi jetën në Lezhë, pasi banesa e familjes u përfshi nga flakët. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme rreth orës 11:30 në fshatin Rrilë, ndërsa viktimë mbeti Gjet Deda 85 vjeç. Burimet thanë se, viktima ka qenë duke pirë duhan në dhomë dhe cigarja i ka rënë në dyshekun e krevatit, i cili ka marrë flakë shumë shpejt dhe pas zjarri përfshiu të gjithë dhomën. Për shkak të moshës së thyer, i moshuari nuk ka mundur të largohet dhe është shkrumbuar brenda në dhomë.
Kanë qenë fqinjët e viktimës, të cilët sapo kanë parë tymin kanë ndërhyrë me mjete rrethanore për të shuar flakët, por pa mundur që ta shpëtojnë 85-vjeçarin. “Dy sekonda kemi bërë. Kemi hapur portën. Kur kemi hapur derën e madhe, ka plasur xhami nga jashtë. Pastaj ndërhyjnë me kova me ujë, dritë nuk kishte. 100 kova me ujë ja kemi plasur në dhomë. Punë 10 minutash. Dyshimet janë, dritë nuk ka pasur, furnelë nuk ka pasur. Ndiz e fik duhan. Gotën e rakisë e pati në tavolinë. Ndiz e fik duhan i ka rënë në batanije, ka marrë dysheku”, u shpreh Fran Mici..
Në vendngjarje shkuan forcat zjarrfikëse, të cilat vunë nën kontroll flakët dhe evituan përhapjen e zjarrit në të gjithë banesën, brenda të cilës ka shkaktuar dëme të mëdha materiale krahas viktimës. 85-vjeçari banonte me të birin, i cili mësohet se ishte në punë në kohën kur banesa e familjes u dogj! Policia zyrtarisht tha se po heton për dokumentimin e ngjarjes.

 

Si u shpërblye Tahiri me diamante

Detaji tjetër i fortë nga përgjimet italiane, si Habilajt shpërblyen me diamante Tahirin? Sa herë ka ndodhur kjo dhe përse? Pse Tahiri e përdori automjetin Audi 003 GB, 10 muaj pasi pretendonte se ja kishte shitur Habilajve?

Nesër në versionin print të gazetës

Replikat e plota të Ramës me gazetarët

-Zoti Rama, a jeni i bindur se keni marrë vendimin e duhur?
Së pari, turp për ju dhe për të gjithë ata si ju që ende nuk keni kuptuar se për çfarë bëhet fjalë dhe vazhdoni torollisni miletin me këto pyetje pa pikë sensi, se keni kuptuar akoma se jemi sot në kushte thjeshtë të qarta për këdo që merr mundimin të lexojë 5 rreshta para se të kuturiset t’u tregojë të tjerëve se për çfarë bëhet fjalë. Ju akoma nuk keni marrë vesh se imuniteti i deputetit ka rënë prej kohësh.
-Drejtësia mbrohet duke u kthyer Këshilli i Mandateve dhe mazhoranca në gjyqtarë, pra duke vlerësuar provat?
(Përqesh gazetarin për dialektin) Jo në xhyqtarë (gjyqtarë) nuk kthehet as ministri, as Kuvendi dhe as Komisioni i Mandateve, por përpara se të bësh një pyetje kaq pa vend, shko lexo dhe shko kupto cili është roli i Kuvendit dhe cili është roli i Komisionit të Mandateve, përse duhet të vihet në këtë kërkesë në Kuvend? Nëse do ishte kështu si thua ti, kërkesa s’duhej të vinte fare këtu, duhej të shkonte drejt në Gjykatë, për çfarë arsye vjen këtu dhe për çfarë arsye në të gjithë përshkrimin e punës, Këshillit, Komisionit të Mandateve, thuhet që është aty për të vlerësuar relacionin dhe provat. Për çfarë është aty, për të dëgjuar dhe të ngrejë dorën? Përgjigju, përgjigju, pse? E kuptoni që pyetjet tuaja burojnë nga padituria, jeni kaq të paditur, dhe mbi të gjitha nuk është ndonjë problem të jesh i paditur, sepse mbi të gjitha nuk keni detyrën ju të dini gjëra që nuk janë pjesë e formimit tuaj, por ju jeni të detyruar që të mësoni gjëra që merrni përsipër të bëni ndërmjetësin e publikut, pra të lexoni, sepse nuk është shkencë kjo.
-A jeni ju ai që u shprehët i shokuar dhe folët për drutë të shtrembër, përse nuk kërkuat prova që në fillim përpara se të mbanit një qëndrim?
E para njëherë, përsëri flisni përçart, sepse unë kam bërë ekzaktësisht gjënë që bën çdokush dhe që duhet të bënit edhe ju, duke parë atë çorbë llumi që doli. Dhe natyrisht, si të mos isha i neveritur dhe i shokuar, dhe çfarë kam thënë. Kam thënë atë që duhet të thotë gjithkush dhe mbi të gjitha, ai që drejton qeverinë dhe shumicën, nëse e ka seriozisht drejtësinë: që dua të vërtetën dhe vetëm të vërtetën dhe sa më parë që të jetë e mundur dhe e dua këtë nga drejtësia, këtë kam thënë unë. Sa i përket drurëve të shtrembër, unë kam thënë një shprehje shumë të thjeshtë, nuk ka familje politike dhe ka dhe familje normale, që kanë një dru të shtrembër, por nuk kam thënë as cili është druri i shtrembër, e as nuk iu kam dhënë juve arsye profesionale që të bëni këto shtrembërime. Këto abuzime janë pjesë e problemit.
Ju jeni për të qarë hallin… tha ai, po ti si.. dhe ku jeni ju në këtë mes? Ju që paguheni? Është detyra ime t’ju përgjigjem juve si ma do e bardha ime e zemrës, Ju nuk keni të drejtë të më kufizoni…
-Edhe ne kemi të drejtën të bëjmë pyetje, ju s’keni pse të komentoni te pyetjet tona…
Patjetër, ju keni të drejtë të bëni çfarëdolloj pyetje dhe unë po i përgjigjem të gjitha pyetjeve siç dua”.
-A ka ende drurë të shtrembër në Partinë Socialiste? Janë artikuluar emra të tjerë z. Rama si Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj…. janë artikuluar nga ana tjetër e politikës?
“Ja urdhëroni, po ju ku jeni… Juve bëni ndonjë gjë për atë që është detyra juaj, që ju të kërkoni të hetoni, të mësoni, të informoheni, të hetoni lidhur me çfarë thuhet… ‘Tha ai që ishin dy veta atje, po ju çfarë thoni?’, kjo është një idiotësi, për të cilën unë nuk kam pse them asgjë, mirëpo në këtë pozitë idiote më ve ti me pyetjen tënde, sepse këto janë çështje shumë të thjeshta. Prandaj është mirë që ju të kuptoni se roli juaj nuk është që të amplifikoni thashetheme. Jeni një amplifikator thashethemesh i paparë”.
-Pse zgjodhët të flisnit këtu atëherë?
“Pse ku të flisja?”
-Kishit edhe 4 minuta në sallë të Kuvendit z. Rama, pse zgjodhët të flisni këtu dhe të ofendoni mediat?
“Unë nuk po ofendoj askënd, ju mos u ofendoni fare, sepse juve e ulni dhe e ngrini këdo, si ju teket, i vini pas të gjitha gjërat, si ju teket dhe kujtoni se askush nuk ka të drejtë t’ju thotë se jeni pjesë e kazanit, e një kazani të madh që është problem më vete dhe është pjesë e problemit për Shqipërinë”.
-Zoti Rama a jeni gati ta zhvishni nenin 73 të Kushtetutës nga ajo pjesë e pakët që i ka mbetur imunitetit të deputetëve, duke qenë se këtij neni iu referuan të dyja palët në seancën e sotme në Parlament, edhe gjatë Këshillit të Mandateve…
“Moj zonjë edhe njëherë po them, nuk bën vaki në asnjë vend të planetit, nëse bën vaki diku shkoni gjejeni dhe thoni ‘ja si bën vaki’, që Prokuroria të arrestojë një deputet pa kaluar nga Parlamenti ose nga Gjykata. Edhe njëherë po ju them ne kemi Kushtetutën tonë, e kanë shumë vende siç e kemi ne dhe ne zbatojmë Kushtetutën tonë”.
-A ekziston mundësia për ta reformuar Kushtetutën, meqenëse ju keni folur për reformat kushtetuese… që edhe publiku të kuptojë që si mazhoranca si opozita veprojnë në mënyrë politike korrekte?
“Publiku ju siguroj që kupton gjithçka dhe shumë mirë dhe unë nuk jam këtu të merrem me çështjen, sepse për këtë unë e kam mbyllur punën time dhe i kam thënë fjalët e mia. Unë jam këtu për t’u marrë me ju, ekzaktësisht me ju dhe për t’ju thënë që duhet t’i thërrisni mendjes dhe të lexoni dhe të kuptoni. Ju këtu dhe ata që janë atje që ju paguajnë juve dhe që janë më shumë pjesë e problemit…”
-S’jemi me fondet e tua…
“Domethënë ti thua me fonde private, unë mund ta bëj rolin e budallait sa dua, është e drejta jote, unë nuk po them që t’i të pushosh së bëri budallain. Në këto kushte ku jemi, kur ka një të vërtetë shumë të thjeshtë sa është e kotë ta diskutosh dhe një torolisje shumë të madhe, për shkak se akoma nuk i thoni publikut që këtu nuk bëhet fjalë për imunitetin, që hetimi ka filluar, që Prokuroria i ka të gjitha mundësitë me pranimin e kërkesës nga ana jonë për të çuar hetimin deri në fund”.
… Ajo që ju keni kundërshtuar që në vitin 2012, të hiqet apo të mos hiqet fare? Në Kushtetutë ka mbetur autorizimi për arrestimin. Ta mbani apo të hiqet fare?
“Kaq, kaq ka Kushtetuta, imunitet deputeti për t’u hetuar nuk ka. Pyetja a jeni dakord që deputetit t’i hiqet imuniteti është një pyetje idiote. Dhe kësaj pyetje idiote unë i përgjigjem shumë thjeshtë: Nuk ka!”
Faleminderit, nuk dua më fyerje.

Berisha: Media duhet të dënojë banditizmin e Ramës

“Kryekumbar Edvini humbet kontrollin dhe sillet si ordiner me gazetarët. Duke dënuar këtë akt dhune të egër verbale ndaj gazetarëve, ju ftoj miq të ndiqni dhe dënoni qendrimin e tij banditesk ndaj tyre”. Edhe deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka dënuar dje sjelljen shtazarake të Ramës ndaj gazetarëve, ndërsa ka shprehur respektin për këta të fundit. “Respekt për gazetarët e terrenit (shumica zonja në fakt) që përveçse përballen me sulme militantësh, sot përjetuan dhe logorene e kryeministrit. Ato janë aty në vapë e në të ftohtë sa herë ne kemi nevojë të komunikojmë diçka e shumë pak herë i kam dëgjuar të mbajnë qendrime personale para kamerave, gjithmone profesionistë”.

Kryemadhi: Kjo klikë kriminale që nuk kursen askënd

Edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe debateve të tij me gazetarët. Për Kryemadhin, Rama është i frikësuar dhe nën efektin e lëndëve narkotike. Ajo e quan arrogant dhe sjelljen e tij rrugaçërore, ndërsa i bën thirrje mediave, organizatave të të drejtave të njeriut dhe ambasadorëve të reagojnë. Kryemadhi thotë se, sot është një ditë e zezë për demokracinë në vend. “I frikësuari i madh Edi Rama, pasi akuzoi dhe sulmoi për tre ditë me radhë akuzat e Prokurorisë dhe prokurorët, sot në mënyrë të paprecedentë sulmoi gazetarët, duke sharë dhe fyer në mënyrë të turpshme. Një kryeministër arrogant që fuqinë e gjen tek mandatet e blera me paratë e krimit, sot shpalli si armiq dhe ata që për detyrë kanë t’i drejtojnë pyetje. Nuk e kuptoj ku e gjen këtë guxim një kryeministër në largim, që ndoshta nën efektin e lëndëve narkotike shfryu dufin dhe frikën para punonjësve të medias. Ai që u përpoq për ditë me radhë të intimidonte punën e Prokurorisë, sot bëri të njëjtën gjë me gazetarët dhe median që nuk i shërbejnë atij. I bëj thirrje medias, organizatave në mbrojtje të të drejtave të njeriut, Trupit Diplomatik në Tiranë të reagojnë për këtë sjellje rrugaçërore të një kryeministri që nuk ndalet për të patur pushtet mbi drejtësinë dhe median. Të vetmet pushtete që siç duket i ka ende jashtë kontrollit. Sot është një ditë e zezë për demokracinë në Shqipëri dhe si e tillë na takon të gjithëve përgjegjësia për të shkulur nga rrënjët këtë klikë kriminale që nuk kursen askënd”, shprehet Kryemadhi.

Basha reagon për qëndrimin e SHBA: Tani gjithçka është e qartë

Kryetari i PD, Basha ka reguar pas deklaratës së qeverisë amerikane për çështjen “Tahiri” duke deklaruar se tahsmë gjithçka është e qartë dhe se hetimeve i duhet shkuar deri në fund.
“Deklarata e qeverisë amerikane është e qartë: askush nuk është mbi ligjin, askush nuk duhet të gëzojë imunitet nga ligji, prokurorët dhe gjyqtarët duhet t’i shkojnë deri në fund çështjes, është përgjegjësi e qeverisë të tregojë me vepra se është kundër krimit dhe korrupsionit.
Duke përshëndetur deklaratën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Hoyt Brian Yee, i inkurajoj fuqimisht prokurorët, gjyqtarët dhe të gjithë punonjësit e drejtësisë që të mos ndikohen e mos tremben nga asnjë presion politik dhe të mos ndalen as të shkurajohen por të punojnë me kurajo profesionale dhe përkushtim atdhetar deri sa të nxjerrin të vërtetën dhe të bëjnë drejtësi në çështjen Tahiri.
Është momenti që Rama dhe shumica në pushtet të ndalin sulmet dhe kërcënimet ndaj prokurorëve, gjyqtarëve, dhe dëshmitarëve, të cilat kanë dëmtuar bërjen e drejtësisë në rastin Tahiri, dhe besueshmërinë e popullit se politikanët nuk janë mbi ligjin. Pandëshkueshmëria e politikanëve duhet të marrë fund.
Propagandën dhe llomotitjet në hava për drejtësinë nuk i beson më askush. Sot qytetarët presin të shohin me vepra se politikanët përgjigjen para ligjit dhe dënohen kur shkelin ligjin”, shprehet Basha.

Rama nuk ndalon, plan për të kapur edhe FSHF-në me Bashkim Finon

Pas një viti janë zgjedhjet për drejtuesin më të lartë të futbollit në Shqipëri, Presidentin e Federatës shqiptare të Futbollit, post që mbahet prej disa vitesh nga Armando Duka. Gjatë kësaj kohe Shqipëria ka arritur të paimagjinueshmen, duke marrë pjesë në “Francë 2016”. Por njerëz afër Edi Ramës dhe vëllait të tij Olsi Rama kanë vendosur të fusin në lojë Bashkim Finon për postin e Dukës. Kjo edhe për faktin se drejtuesit e bashkive kanë të drejtë vote dhe Fino është investim i drejtpërdrejtë i Presidentit të Partizanit dhe mikut të Olsi Ramës, Gaz Demit. “Rama ka filluar të kontaktojë edhe bashkiakët jo socialistë për t’i joshur me investime në këmbim të Finos President të FSHF-së”, thanë për SYRI.net burime nga klubi i sportit “Partizani”. Duket se Edi Rama kërkon çdo gjë dhe me çdo kusht.

Ekonomia në duart e krimit, investimet e huaja direkte drejt rënies

Forcimi i pushtetit të bandave kriminale në vend dhe dominimi i prezencës së oligarkëve në çdo sektor të ekonomisë po largon masivisht nga vendi investimet e huaja. Rreziku se duke filluar nga viti 2018, investimet e huaja direkte do të bien ndjeshëm është mjaft i madh. Përfundimi në vitin 2018 i projekteve që zënë pothuaj gjithë pjesën më të madhe të stokut të Investimeve të Huaja Direkte (IHD), projektit të gazsjellësit TAP dhe hidrocentralit të Devollit e bën urgjente për qeverinë Rama tërheqjen e investimeve të reja të huaja. Në dy vitet e fundit, 2017-2018 në kuadër të projekti të gazsjellësit Trans Adriatik, një shumë prej 800 milionë eurosh do të investohet në Shqipëri. Kjo shumë përfaqëson kontributin më të madh në gjithë grupin e Investimeve të Huaja Direkte të Shqipërisë, aktualisht stoku total i IHD-ve është rreth 1,5 miliardë euro. Po ashtu, ndërtimi i hidrocentralit të Devollit nga kompani norvegjeze “Statkraft” ka investuar rreth 130 milionë euro në vit për ndërtimin e tri hidrocentraleve në kaskadën e lumit Devoll. Alarmin për nevojën urgjente për tërheqjen e investimeve të huaja direkte e kanë ngritur dhe Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar apo dhe agjencia ndërkombëtare vlerësuese Standard and Poor’s. Këto institucione, ndër të tjera rekomandojnë dhe zbatimin e reformave, luftën ndaj korrupsionit, respektimin e të drejtës së pronës dhe forcimin e institucioneve si faktorë që do të përmirësojnë ndjeshëm klimin e biznesit, do të tërhiqnin investime të reja dhe do të rrisnin perspektivën e rritjes ekonomike të vendit.