26.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

“Politikanët e korruptuar të vihen përpara drejtësisë”

Pas reagimit të fortë të Popullorëve Europianë, një tjetër deklaratë vjen edhe nga Fondacioni Konrad Adenauer, i cili shpreh shqetësimin serioz për situatën e rëndë që po kalon Shqipëria ku krimi, droga dhe lidhjet e tij me pushtetin janë tema e ditës, ndërkohë që zhvillimi i vendit ka stopuar në çdo sektor. Zhvillimet e fundit në Shqipëri janë ndjekur me interes edhe nga ekspertët gjermanë në fushën e drejtësisë. Shefi i zyrës së fondacionit Konrad Adenuaer, Walter Glos tha se politikanët e korruptuar duhet t’i drejtohen gjykatës për të provuar pafajësinë e tyre. Deklaratat u bënë në një tyrezë për ecurinë e reformës në drejtësi ku ekspertë gjermanë të drejtësisë thonë se reformimi i drejtësisë në Shqipëri po vonohet dhe se progresi nuk është bindës.
Ndërkohë që në Parlament mazhoranca rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, jo shumë larg këtij institucioni shefi i zyrës së fondacionit gjerman Konrad Adenaur adresoi një mesazh të fortë për politikanët e korruptuar. Sipas Walter Glos, ekspert për reformën në drejtësi tha se vendi për të provuar fajësinë apo pafajësinë e një politikani është gjykata dhe se ai nuk duhet të mbrohet përmes imunitetit.
“Populli e do më shumë reformën në drejtësi sesa politika, vendimmarrësit duhet të mos e pengojnë këtë proces, por ta nxisin atë. Kur të shohim sukses të reformës do të hapim dritën jeshile për çeljen e negociatave. Ndërkohë mirëpresim konsensus mes partive. Nisur me zhvillimet e fundit duhet të them se po ndërmerren dy standarde për politikanët dhe qytetarët. Nëse ka politikanë të korruptuar, vendi për të provuar pafajësinë apo fajësinë është në gjykatë”, u shpreh Glos.
Ish-drejtuesi i Misionit Euralius, Rainer Deville tha se ka vonesë në implementimin e reformës dhe tha se progresi i bërë nuk është bindës.
“Në vitin 2017, progresi i reformës nuk ka qenë aq i madh dhe bindës sa në vitin 2016. Vëmendja ka humbur dhe ngjarje të tjera kanë tërhequr vëmendjen e publikut. Procesi ka një vit vonesë dhe nuk ka filluar ende si duhet, edhe pse tani duhet të ishte drejt fundit. Kini parasysh se kjo reformë nuk i përket vetëm një partie, kjo i përket gjithë politikës dhe qytetarëve”, tha Deville.
Vetë njerëzit e drejtësisë shprehen besimplotë se procesi i Vettingut do të rikthejë besimin e qytetarëve te drejtësia. “Unë jam e bindur se beteja që kemi përpara është shumë e vështirë. Do të përballemi me sulme, me përbaltje që nuk do të na kursejnë as personalisht, por asgjë dhe askush nuk do të mund të ndalë këtë përballje etike për të sotmen dhe të ardhmen e një Shqipërie të drejtë dhe të ndershme”, u shpreh Natasha Mulaj.
Për politologun Afrim Krasniqi, problemet e vërejtura deri tani janë transparenca dhe cilësia. “Reforma po përdoret nga politikanët si një top, po themi kërcënimi ndaj njëri-tjetrit. Në fakt nuk është ky thelbi i reformës. Thelbi i reformës është që jo politikanët ta përdorin drejtësinë, po drejtësia të vendosë drejtësi në Shqipëri ku politikanë dhe qytetarë të jenë të barabartë dhe para përgjegjësisë së njëjtë. Pritshmëritë janë jashtëzakonisht më të mëdha dhe me kohë, dhe me cilësi dhe që do të duhet shumë më tepër transparencë”, u shpreh Krasniqi. Për ekspertët gjermanë të drejtësisë duhet të jetë politika shqiptare ajo që duhet të marrë në dorë fatin e reformën në drejtësi, pa pritur nga ndërkombëtarët.

Edi Rama është sëmurë me sindromën e stresit post traumatik

Erl KODRA

Gjendja e mjerë dhe e çoroditur mendore e Edi Ramës sot i tmerroi shqiptarët. Sindroma e stresit post traumatik që po kalon ai ndërkohë, është jo vetëm një pengesë e madhe për të qeverisur vendin, por e ka kthyer atë në një rrezik serioz për Sigurinë Kombëtare. Edi Rama padyshim është një rrezik shumëplanësh, ndaj të cilit askush nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë indiferent. Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Partitë Politike, Akademia e Shkencave, profesorë, studentë dhe pedagogë, gazetarë, media dhe shoqëri civile, duhet të organizohen në një lëvizje mbarëkombëtare, për të përmbushur detyrën e lartë, në mbrojtje të interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Në kushtet kur Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nuk parashikon në mënyrë të qartë shkarkimin e Kryeministrit për shkak të paaftësisë së tij mendore dhe fizike për të përmbushur detyrat shtetërore, ashtu siç parashikohet në rastin e Presidentit të Republikës, por Kushtetuta parashikon vetëm mocion mosbesimi ndaj tij (Neni 105 të Kushtetutës, pika 1), organizimi i gjithë faktorëve të shoqërisë tonë në mbrojtje të Këshillit të Ministrave, si institucioni kryesor përgjegjës për qeverisjen dhe Sigurinë Kombëtare, është domosdoshmëri imperative.
Sindroma e stresit post traumatik (Post Traumatic Stress Syndrome) ose shkurt PTSD, sipas Instituti Kombëtar i Shëndetit Mendor (NIMH) SHBA, “është një çrregullim që zhvillohet tek disa njerëz që kanë përjetuar një ngjarje tronditëse, të frikshme ose të rrezikshme. Frika shkakton ndryshime të dyfishta në trup, i cili reagon në mbrojtje, me të ashtuquajturin “luftë ose fluturim” (fight-or-flight), një reaksion tipik i mendjes që kërkon të mbrohet nga rreziku që perceptohet thellë nga i sëmuri. Për referencë lexoni linkun e mëposhtëm: https://www.nimh.nih.gov/…/post-traumatic-stres…/index.shtml
Edi Rama sot sulmoi hapur gazetarët. Ai u shfaq para kamerave dhe mikrofonëve të medias i shpërfytyruar dhe i rënduar nga gjendja e “luftës ose fluturimit” që po përjeton së thelli. Ai dukej qartë se e kërkonte konfliktin me çdo kusht, duke i fyer gazetarët në mënyrë të përsëritur; gjithë qenia e tij kërkonte të strehohej nën lëkurën e viktimës, ose të fluturonte larg makthit që po përjeton në këtë periudhë. Një Zot e di se çfarë lufte e pashoqe është zhvilluar mes personaliteteve të dyfishta që ndodhen brenda Kryeministrit tonë; Edi Ramës njeri dhe Edi Ramës Kryeministër i Shqipërisë. I pari, me siguri do t’i zhdëpte me grushta gazetarët, por i dyti, shyqyr zotit u mjaftua vetëm me të shara dhe ofendime ndaj tyre.
Edi Rama është i sëmurë, por nuk është i çmendur. Edi Rama po përjeton jo vetëm demontimin dhe degradimin e plotë të pushtetit politik, por edhe shkatërrimin e Organizatës Mafioze që ai ka ngritur në themel të Shtetit Shqiptar. Tashmë “qendra e frikës” në trurin e tij po përçon alarme të egra. Sëmundja specifike (Post Traumatic Stress Syndrome) nën të cilën ndodhet Edi Rama dhe agravimi i saj, janë një rrezik serioz për vendin dhe qeverisjen normale të tij. Në këto kushte të rënda, veprimi i shpejtë dhe i organizuar i krejt faktorëve politik dhe shoqëror të vendit është imediat. Fatet e Shqipërisë nuk mund të lihen më tej në dorë të një njeriu të frikësuar dhe të marrë peng nga frikërat më të errta të tij, por edhe të Mafies shqiptare dhe ndërkombëtare.

Ipeshkvi Gjergj Meta: Nuk mjafton më të flasësh. Tani duhet veprim

Kriza e thellë që ka përfshirë vendin është shndërruar në një shqetësim serioz për të gjitha hallkat e shoqërisë. Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, në një prononcim për “Politiko.al”, bie dakord me Fatos Lubonjën, i cili tha në një intervistë se intelektualët që heshtin janë pjesë e bandave. “Heshtja është bashkëpunim”, miraton kleriku i lartë i Kishës Katolike. Por, jo të gjithë intelektualët heshtin, thekson ai, duke shtuar se forumet e debatit janë në çdo orë të kapura nga politika dhe ka pak vend për zërat e tjerë. “Politika e ka humbur besueshmërinë e seriozitetin”, është përfundimi i klerikut. “Në një intervistë në media, Fatos Lubonja thotë se intelektualët që heshtin janë pjesë e bandave. Në fakt, heshtja është bashkëpunim. Por, ama pjesa më e madhe e intelektualëve të këtij vendi flasin që çke me të. Jo të gjithëve u jepet mundësia e pjesëmarrjes në mediume që janë të zëna nga politika 24/24 orë dhe prej analistëve elitarë. Intelektualët flasin, njerëzit flasin, unë kam folur e kam ngritur zërin, njësoj si Lubonja në shumë raste. Por, nuk është më koha e konstatimeve dhe e fjalëve. Nuk mjafton më të flasësh. Tani duhet veprim. Për fat të keq, politika ka humbur besueshmërinë e seriozitetin. Një ndërgjegjësim veprues duhet të ndodhë jashtë gardhit partiak dhe politik. Më shumë se kurrë nevojitet, në mënyrë paradoksale, një aleancë në të cilën të ulen armët e retorikës së dhunshme partiake e të ngrihen armët e bashkëpunimit dhe partneritetit. Duhet një logjikë vepruese urgjente në luftën kundër korrupsionit, kriminalitetit të organizuar dhe atij spontan, kundër trafiqeve të ndryshme e kundër informalitetit. Të ulen armët e retorikës denigruese dhe të dhunshme e të krijohet një partneritet me të gjithë faktorët, përfshi komunitete fetare. Është humbur besimi, jo vetëm te partitë, por edhe te intelektualët që ngrenë zërin nëpër mediume. Nuk dëgjon më askush dhe nuk do të dëgjojë më. Por, sigurisht, të gjithë, sidomos të rinjtë do të donin të vepronin në ndërtimin e shoqërisë. Ndërgjegjësim veprues, reagim veprues duhet në Shqipëri”.

Mafia ka shumicën në Parlament duhet rrëzuar

Mafia në Parlament për të parën herë në histori ka shumicën dhe ka votuar kundër kërkesës së Prokurorisë që kërkonte arrestimin e Tahirit për lidhjet me organizatën kriminale të Habilajve, duke rrëzuar edhe hetimet e Antimafias italiane. Me 75 vota kundër Prokurorisë nuk lejohet arrestimi i Tahirit. Kreu i shumicës mafioze në Parlament e ka shpallur kështu veten nga sot edhe kryeprokuror edhe kryegjykatës që nuk lejon që krimit të organizuar t’i arrestohen gjeneralët që kanë vepruar me urdhrat e tij. Ashtu siç pritej, Rama ia doli dje me fuqinë e votës të mbrojë veten dhe lidhjet e tij me krimin, duke shpëtuar nyjen kryesore lidhëse të tij me bandat, Saimir Tahirin duke rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të Tahirit dhe vënien e tij para drejtësisë.
Që me publikimin e dosjes italiane, Rama ndoqi një skenar të mirëfilltë duke bashkëpunuar me Tahirin për shpëtimin e këtij të fundit e për rrjedhojë veten e tij. Me qëllim nxjerrjen e Saimir Tahirit të pastër, Rama dhunoi ligjet dhe Kushtetutën e vendit teksa qëllimisht zvarriti përmes veglës së tij në krye të Kuvendit, Gramoz Ruçit vendimin e Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të Tahirit, teksa i dha kohë ish-ministrit të tij të Brendshëm që të pastronte me shpejtësi të gjitha provat e mundshme që lidhnin si Ramën dhe Tahirin me bandën e Habilajve dhe bandat e tjera kriminale në vend. Si Saimir Tahiri ashtu edhe Rama u shfaqën të tensionuar dje në Parlament, teksa në Grupin parlamentar socialist ishte shpërndarë me ultimatum urdhri për rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë, çka do t’i hapte rrugë arrestimit të Tahirit dhe vënies së tij para drejtësisë. Mburoja fanatike që Rama ngriti ndaj Tahirit në fakt ishte krejt për të shpëtuar lëkurën e tij, sepse ai i trembej futjes së Tahirit në burg dhe vijimit të hetimeve që do të çonin në emrin e Ramës si lidhja kryesore e bandave të krimit dhe drogës në vend. Sali Berisha kërkoi fjalën nga vendi, direkt pasi Enkelejd Alibeaj lexoi një raport të gjatë me argumente se pse Parlamenti duhet t’i hiqte imunitetin Saimir Tahirit dhe të autorizonte Prokurorinë për arrestimin e tij. Berisha nga vendi u shpreh: “Njeriu që ka shitur dëshmitaren e mbrojtur është Edvin Kristaq Habili, i cili pasi mori foton nga Bledi (Çuçi) Habili shkoi me vrap në zyrën e Fatmir Xhafës. Aty tradhtuan sekretin më të madh shtetëror”. Berisha e cilësoi seancën e djeshme si ditën e turpit kombëtar të Parlamentit. Në një prononcim për median jashtë Kuvendit, Berisha deklaroi: “Parlamenti sot është i pushtuar fund e krye nga Habilajt. Një bandë që ka trafikuar me makinën e ministrit të Brendshëm dhe mjete të tjera 30 tonë drogë në Itali ka nënshtruar totalisht dhe shndërruar në narkomazhorancë Ramën e deputetët e PS. Nuk ka në historinë e këtij Parlamenti ditë më të turpshme. Kjo është dita e turpit kombëtar të këtij Parlamenti”. Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj tha se vendimi i djeshëm për mosarrestimin e deputetit Saimir Tahiri ishte një test moral, për Tahirin, Ramën dhe deputetët. “Kush humbi dhe kush fitoi? Nga votimi ka fituar përkohësisht Saimir Tahiri. Po në fakt kjo seancë e sotme nuk kishte të bënte nëse do të fitonte apo jo një kufomë politike siç është Saimir Tahiri. Sot kjo seancë është një test që s’ka të bëjë me heqjen e imunitetit, është një test minimalisht i trefishtë. Ishte një test moral për deputetin Tahiri, për flamurtarin e tij, fytyrë vrerosur të moralit, të transparencës me publikun, të luftës ndaj krimit kishte mundësinë ta bënte sot, e humbi përfundimisht dhe bashkë me të karrierën politikë dhe bashkë me të edhe 4-5 vjet eksperiencë politike që pati në këtë Parlament. Mbi të gjitha ishte test moral për Ramën, i cili që kur e mori nën sqetull Tahirin, vuri moralin e politikës së vet në test. A do ta kalonte apo jo? Pyetja që duhet të ngrenë të gjithë shqiptarët sot është kush fitoi dhe kush humbi? E sigurt që humbi Rama. Ishte test moral për secilin nga deputetët, ishte test moral për ne dhe për ju. Sot ju të gjithë që ishit kundër heqjes së imunitetit keni vendosur njollën më të errët të karrierës tuaj politike”, tha Alibeaj. Deputetët e opozitës në Parlament bënë thirrje për revolucion popullor me qëllim rrëzimin e kësaj qeverie.

Skandali i Ramës me mediat për të tërhequr vëmendjen nga skandali me Tahirin

Edi PALOKA

Rama u përpoq të tërheqë vëmendjen sot nga skandali i vërtetë, duke sajuar me vetëdije një skandal tjetër me gazetarët. Duke sulmuar e fyer gazetarët (jo për herë të parë) Rama tregoi se nuk është aspak ndryshe gërxhove që dërgoi dhe ndërseu kundër gazetarëve përpara Kryesisë së Kuvendit. Po ky nuk ishte qëllimi në vetvete i aktit të tij.
Qëllimi i skandalit me gazetarët ishte mbulimi apo lënia në hije e skandalit të vërtetë; faktit që sot Parlamenti, mazhoranca e Ramës, votoi për imunitetin e krimit dhe mafies në Shqipëri.
Ne, opozita, shpesh kemi akuzuar se Rama e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbi. Në fakt në Kolumbi vërtet krimi u fuqizua aq shumë sa narkotrafikantët i hapën luftë shtetit, por shteti u përball me krimin dhe për këtë Presidenti i Kolumbisë u nderua dhe me çmimin Nobel.
Ndërsa në Shqipërinë e Ramës dhe Tahirit, në Shqipërinë që ata duan, është ndryshe.
Sot Rama ju tregoi jo vetëm shqiptarëve, por gjithë botës se në Shqipëri krimi jo vetëm nuk luftohet nga shteti, por ka imunitet, se në Shqipëri krimi është vetë shteti.
Do të doja të thoja që ky është fundi, fundi i tmerrshëm, po për fat të keq nuk është kështu.
Nëse shqiptarët nuk reagojnë tmerri do të vazhdojë.
Unë e di që disa do të thonë: “Çfarë bëni ju? Ç’bën opozita?” Po nëse mendojnë se dyzet apo gjashtëdhjetë deputetë të opozitës do të bëjnë gjithçka, kjo është gabim. Sigurisht ne na takon të jemi në krye të reagimit, në krye të protestës, në krye të revoltës. Por asnjë qytetar në këtë përballje nuk mund të bëjë sehir. Kjo është një betejë e egër dhe jo e lehtë, prandaj kërkon të bëhemi të gjithë bashkë. Vetëm ashtu do ta mundim këtë të keqe e do t’i japim fund.

Revolucion popullor për të shporrur organizatën kriminale

Deputetët e Partisë Demokratike zgjodhën një formë ironike për të protestuar dje në sallën e Kuvendit, ku pritej të votohej kërkesa e Prokurorisë për arrestimin ose jo të ish-ministrit Tahiri. Në momentin kur deputeti i PS, Saimir Tahiri ka dalë dhe ka mbajtur një fjalë të shkurtër, ata kanë ngritur disa parulla ku shkruhej, “Qeveri e krimit”, “Qeveri mafioze”. Deputetët e PD, Edi Paloka dhe Flamur Noka kanë shfrytëzuar mosprezencën e kryeministrit Edi Rama në tavolinën e tij për të vendosur një pankartë me mbishkrimin “Qeveri mafioze”, i pari ishte Paloka, më pas edhe deputeti Noka, i cili vendosi foton “Qeveria e drogës”, por një roje i sigurisë hoqi foton dhe më pas u ul kryeministri Rama. Flamur Noka tha se Parlamenti demonstroi se është Parlamenti i turpit dhe i drogës. “Revolucion popullor për ta shkulur dhe shporrur këtë organizatë kriminale”, tha Noka.

Xhafaj takon ministrin e Brendshëm italian për Tahirin apo të vëllanë?

Fatmir Xhafa është takuar dje me ministrin e Brendshëm italian Minniti. Në një njoftimin zyrtar të takimit thuhet se është biseduar për luftën ndaj krimit, ndërsa dyshimet janë se Xhafa ka mbërritur me urgjencë në Itali për të ndërhyrë në hetimet e Antimafias italiane, e cila ka në duar disa dosje të forta të lidhjeve të krimit të organizuar me politikën në Shqipëri.
Vizita urgjente në Itali e Xhafës ka ndodhur vetëm pak orë pas shpërthimit të dosjes së Tahirit dhe pak ditë pas arrestimit të Habilajve. Burimet të forta diplomatike shprehen se Rama po lobon fuqishëm pranë njerëzve të ish-Kryeministrit Renzi për të shpëtuar bandën me të cilën ai qeveris sot. Dyshimet janë se Xhafa ka mbërritur në Itali, kryesisht për dosjen Tahiri, si dhe dosjen e të vëllait që po ashtu është në kërkim për trafik droge.

Deputeti që ndan gruan me Ramën shiti dëshmitarin e Tahirit

Blendi Çuçi është deputeti që ka shitur dëshmitarin kryesor të lidhjeve kriminale mes Tahirit dhe Habilajt. Një ish-oficer policie që i kishte besuar dëshminë sekrete prokurorëve është bërë publik nga deputeti që ndan gruan me Ramën. Sot dëshmitarit i rrezikohet jeta dhe ai është larguar nga Shqipëria dhe është marrë në mbrojtje nga Prokuroria. Ky është një skandal i padëgjuar më parë në një vend ku dëshmitari i një krimi shitet nga deputetët e lidhur me krimin. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Deputeti ka fotografuar emrin e dëshmitarit dhe ia ka nisur atë burrit të parë të gruas së tij, sot Kryeministër. Më pas ky i fundit ia ka dorëzuar Fatmir Xhafës. Prokuroria ka deklaruar se ka nisur një hetim për këtë skandal dhe emri i deputetit tani është i identifikuar. Sipas ligjit ai do të duhet të arrestohet. Kjo mbetet për t’u parë gjatë ditëve të ardhshme vetëm se zhvillimet mund të precipitojnë me shpejtësi.

Gabimi i VOA që u korrigjua në intervistën e Yee, i dha qeverisë “mbështetje pa prova”

Mediat e Ramës kanë vrapuar ta paraqesin si mbështetje ndaj Ramës deklaratën e Yee në Prishtinë, kjo edhe për faktin që “VOA” ka bërë një “gabim” në përkthimin e parë të intervistës së Yee.
“VOA” në variantin e parë shkruante se Yee në emër të qeverisë amerikane mbështet qeverinë që ka dhënë prova që lufton krimin dhe korrupsionin, por më pas e korrigjoi duke thënë se: “Qeveria amerikane mbështet qeverinë, që jep prova”.
Pra, në asnjë rast Yee nuk ka thënë se qeveria Rama ka dhënë prova. Rëndësi ka qe ky “gabim” “pa dashje” i seksionit shqip në “VOA” u korrigjua. Tani edhe “VOA” për Ramën është kazan.
Ja varianti i saktë:
Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, një ish ministër i brendshëm, akuzohet për lidhje me një grup trafiku droge. Cila është pikëpamja juaj për mënyrën se si po trajtohet çështja e tij?
Hoyt Brian Yee: Më lejoni të them për Shqipërinë, se jemi shumë të kënaqur me përparimin që Shqipëria ka arritur dhe jemi të kënaqur që Shtetet e Bashkuara kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në reformat, përfshirë këtu edhe reformat në drejtësi. Bashkërisht me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Shqipërinë të miratojë legjislacionin, të miratojë ndryshimet kushtetuese, me synimin që të forcojë sistemin e drejtësisë.
Dhe kjo për faktin se një gjë e tillë nuk është e rëndësishme vetëm për sundimin e ligjit në Shqipëri dhe për kushtet në të cilat jetojnë qytetarët e saj, por edhe për faktin se [reformat] janë një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe pikërisht në këtë frymë, ne kemi vazhduar të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të zbatuar reformat në sundimin e ligjit, dhe po ashtu edhe në luftën kundër krimit, kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit…Të gjitha këto shërbejnë për të ngritur standardin jetësor për qytetarët e Shqipërisë, por edhe për ta ndihmuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Së këndejmi, jemi duke ofruar drejtpërdrejtë ndihmën tonë, ekspertizën teknike, ndihmën financiare, në ndërtimin e strukturave, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve, për t’u ndihmuar që të kryejnë punën e tyre. Sinqerisht, nuk mund të flas dot mbi rastet individuale, por gjithsesi besojmë në disa parime.
I pari është se ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji. Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës. Nuk besojmë se individët duhet të shënjestrohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi themelor është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Së dyti, ne mbështesim qeverinë, që jep shembullin. Qeveria është ajo e cila duhet të japë shembullin dhe të demonstrojë para qytetarëve se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin, qofshin ata qytetarë, zyrtarë qeveritarë, të huaj, shqiptarë…dhe se Shqipëria është serioze në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin.

Pa vizë por me formular, në zonën Shengen

“Sistemi Evropian i Informacioneve të Udhëtimit dhe Autorizimit” (ETIAS) do të jetë një hap i ri masash për shtetasit e më shumë se 60 vendeve që kanë hequr regjimin e vizave me BE. ETIAS nuk është izolim thotë Brukseli.
“Sistemi Evropian i Informacioneve të Udhëtimit dhe Autorizimit” (ETIAS) nuk do të thotë rikthim i vizave”, ishte mesazhi i komisionerit të BE për Çështje të Brendshme, Ditris Avramopoulos, për shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një deklaratë për “Deutsche Wellen”. Në Komisionin Evropian janë të vetëdijshëm se shtetasit e këtyre vendeve janë të interesuar shumë për masat e reja rreth futjes në zonën Shengen, sepse është paralajmëruar një dokument i ri i domosdoshëm për futjen në zonën Shengen.

Vetëm kontrolle shtesë
Në BE thonë se lëvizja e lirë dhe liberalizimi i vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor (shtetasit e Kosovës ende nuk e gëzojnë këtë të drejtë) janë “hapa historikë”, të cilat nuk kontestohen me masat e paralajmëruara për kontrolle shtesë. “Ballkani Perëndimor është një rajon shumë i rëndësishëm dhe partner i afërt me Bashkimin Evropian. Qëllimi ynë është që të ruajmë këtë afërsi dhe të gjitha masat kanë për synim lëvizjen më të lehtë dhe kontaktet më të shpejta mes shtetasve të vendeve të BE dhe Ballkanit Perëndimor”, thotë komisioneri Avramopulos, në deklaratën për DW.
Avramopoulos shpjegon se sistemi i ri ETIAS është propozuar para një viti si pasojë e ardhjes më masive të personave pa viza në BE. Qëllimi i këtyre masave është, siç thotë komisioneri Avramopoulos, që të forcohet sistemi evropian i administrimit të kufijve dhe migrimit – që është në të mirën e BE dhe vendeve që nuk kanë nevojë për viza.
Avramopoulos: “ETIAS nuk do të thotë rikthim i vizave, por është një mekanizëm që duhet ta përdorin të gjitha vendet prej nga udhëtohet pa viza në hapësirën Shengen, duke përfshirë edhe Kanadanë dhe SHBA. Qytetarët që gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza edhe më tej do të udhëtojnë në hapësirën Shengen, por do të kenë një leje, një dokument, para se të futen në këtë hapësirë. Në pyetje është një procedurë që në të shumtën e rasteve lehtëson lëvizjen në BE, forcon sigurinë e përbashkët dhe eviton burokracinë dhe vonesat e panevojshme me rastin e udhëtimit në BE”, pohon Avramopoulos në deklaratën e tij për DW.

Procedurat
Shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë reaguar me zemërim pas paralajmërimeve për rivendosjen e masave të reja për futjen në zonën Shengen. Ata kujtojnë tani vitet e pritjeve para ambasadave, procedurat e gjata dhe pritjet e vizave, ndjenjën e të qenit qytetar i rangut të dytë. Në vitin 2009 është festuar me të madhe heqja e vizave për shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, ndërsa në vitin 2010 edhe për ata të Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Në komentet në këto vende thuhet se po kthehen vizat, por me një emër tjetër. Nuk ndihmojnë shumë as pohimet në Bruksel se këto masa do vlejnë për shtetasit e 60 vendeve nga mbarë bota. “Po na kthejnë mbrapa, në vend që të afrohemi me BE”, thonë në Ballkan.
Alexandra Stiglmayer, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI) përpiqet të bindë se “vizat janë një sistem krejt tjetër, sepse është dashur një dokumentacion shumë i madh, të dhënat për rrogat, sigurimet, biletat kthyese… ndërsa tani futesh në internet, plotëson një formular dhe nuk ke shpenzime të tjera”.

Stiglmayer: Dallim mes vizës dhe formularit
ESI është angazhuar dikur për heqjen sa më të shpejtë të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Alexandra Stiglmayer thotë tani se BE është detyruar të fusë këto masa, për shkaqe sigurie nga sulmet terroriste, por edhe për shkak të valës së fundit të refugjatëve. Me forcimin e masave në kufijtë e jashtëm forcohet edhe siguria e brendshme në BE dhe liria e lëvizjes në zonën Shengen, pohon Alexandra Stiglmayer.
“Udhëtarët duhet të plotësojnë formularin në internet, ku duhet të shënojnë të dhënat personale, kontaktet, vendin ku udhëtojnë, të dhënat për sëmundjet, të dhënat për ndjekjen penale, të dhënat nëse janë refuzuar në ndonjë vend apo janë dëbuar…. Të gjitha kryhen në internet, pa pagesën e ndonjë takse shtesë. Ndërsa përgjigja duhet të kthehet më së largu pas 72 orësh”, shpjegon Alexandra Stiglmayer.

Rregullat të njëjta për të gjithë
Komisioni Evropian në nëntor të vitit 2016 ka hartuar një guidë të saktë për udhëtime. KE pohon se për plotësimin e këtij formulari duhen vetëm 10 minuta kohë, ndërsa taksat paguhen në mënyrë elektronike. KE propozoi që të paguhen 5 euro për një kërkesë, ndërsa viza të vlejë pesë vite (apo deri në skadimin e pasaportës aktuale) dhe që personi të futet në zonën Shengen pa kufizime.
Këshilli për Të Drejtat e Qytetarë në Parlamentin Evropian (LIBE) ka vendosur që në emër të taksave të paguhen 10 euro dhe që kërkesa të vlejë 3 vite. “LIBE ka propozuar rritjen e taksave dhe shkurtimin e kohëzgjatjes, por kjo mund të ndryshojë, pasi që vendimi duhet të miratohet në PE. Ndërkohë që fjalën përfundimtare e kanë vendet anëtare”, shpjegon Alexandra Stiglmayer.
Nga taksat janë të liruar personat më të rinj se 18 vjeç dhe më të moshuar se 60 vjeç, sikur edhe studentët, shkencëtarët dhe anëtarët e familjeve me nënshtetësi të ndonjë vendi të BE-së. Në BE thonë se në rast se dikush nuk ka qasje në internet, kërkesën mund ta plotësojë edhe ndonjë person i tretë. Në BE presin që rreth 95% e kërkesave të lejohen automatikisht, pra brenda 72 orësh, leja duhet të kthehet në adresën e personit që ka kërkuar. Në rastet më të komplikuara, kërkesa duhet të përpunohet me dorë dhe përgjigja mund të vonohet deri dy javë. Personat që marrin përgjigje negative, kanë të drejtë ankese.
KE por edhe Alexandra Stiglmayer pohojnë se ky sistem nuk ka të bëjë vetëm me vendet e Ballkanit Perëndimor. “Ka 60 vende të ndryshme që gëzojnë lëvizjen e lirë pa viza në BE. Kjo masë përfshin të gjitha këto vende. BE nuk do të ndryshojë vendimin për këto masa vetëm për shkak të ankesave të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, pohon Alexandra Stiglmayer, në bisedë me DW.