31.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Turqi: Fillon procesi kundër aktivistit gjerman, Steudtner

Në Stamboll fillon këtë të mërkurë procesi kundër aktivistit gjerman për të drejtat e njeriut, Peter Steudtner dhe 10 të akuzuarve të tjerë. Mes tyre edhe drejtoresha e Amnesty International për Turqinë, Idil Eser dhe kryetari i organizatës, Taner Kilic. Dhjetë vetë akuzohen për “mbështetje të një organizate terroriste”. Ndërsa Kilic duhet të përgjigjet për akuzën e anëtarësisë. Të akuzuarit rrezikohen nga 15 vite burg.
Kilic u arrestua në fillim të qershorit në Izmir, të tjerët në fillim të korrikut në një seminar të Stamboll. Arrestimi i aktivistëve të Amnesty International ndeshi në reagime të forta kritike ndërkombëtare. Qeveria gjermane e cilësoi arrestimin e Steudtner të pakuptueshëm dhe kërkon lirimin e tij. Pas këtij arrestimi ajo bëri të ditur orientimin e ri të politikës gjermane. Amnesty i hedh poshtë akuzat në aktpadi si të padrejta dhe poshtëruese.

Merkel takon bashkëshorten e Deniz Yücel
Peter Steudtner është njëri nga të paktën 11 gjermanët që ndërkohë qëndrojnë në burgjet turke për arsye politike. Këtu bën pjesë edhe korrespondenti i gazetës gjerman “Die Welt”, Deniz Yücel. Kancelarja gjermane, Angela Merkel u takua të martën me bashkëshorten e tij. Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert u shpreh, se Merkel ka folur me Dilek Mayatürk Yücel për gjendjen e Deniz Yücel në burg. Takimi u zhvillua në zyrën e Merkelit në Parlamentin gjerman. Yücel qëndron në paraburgim, kundër tij ende nuk është ngritur padia. Avokati i tij, Veysel Ok kritikoi faktin, se dosjet e Yücel mbahen të mbyllura dhe “për këtë arsye nuk e dimë ende, se çfarë hetimesh zhvillohen për të”.

Qeveria kurde ka ofruar “pezullimin” e rezultateve të referendumit

Qeveria rajonale kurde e Irakut, ka ofruar “pezullimin” e rezultateve të referendumit për pavarësi nga Iraku, për të parandaluar dhunën dhe për të mbështetur dialogun me Bagdadin.
“Luftimet e vazhdueshme, nuk çojnë në fitoren e asnjërës palë, por do ta drejtojnë vendin në rrëmujë dhe kaos, që ndikon në të gjitha aspektet e jetës së qytetarëve”, ka thënë qeveria kurde përmes një deklarate.
Qeveria ka ofruar “armëpushim të menjëhershëm” në rajonin kurd, pezullim të rezultateve të referendumit dhe “dialog të hapur” me qeverinë federale në Bagdad. Kurdët kanë mbështetur pavarësinë nga Iraku, në referendumin e mbajtur më 25 shtator, votë kjo që është cilësuar si jo ligjore nga Bagdadi.

SHBA: Serbia të zgjedhë ndërmjet Moskës dhe BE

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, tha në Beograd se vendet që duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian duhet ta dëshmojnë qartazi një gjë të tillë.
Duke folur në një forum mbi ekonominë në Serbi, ai komentoi politikën zyrtare serbe që angazhohet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe ruajtjen e lidhjeve me Moskën, aleaten e Serbisë.
“Nuk mund të qëndroni ulur në dy karrige, posaçërisht nëse ato janë larg njëra-tjetrës”, tha ai, duke nënvizuar se kjo nuk është normë në bashkësinë ndërkombëtare.
Ai tha se, synim i Shteteve të Bashkuara është që Serbia të jetë e përparuar, e qëndrueshme, e sigurt dhe e integruar në Bashkimin Evropian, prandaj ajo duhet të punojë me nismat që e afrojnë me BE-në.
“U propozoj partnerëve tanë në Serbi që të pyesin Rusinë se çfarë bën ajo që ta ndihmojë në rrugën drejtë BE-së. Nuk besoj se dhënia e imunitetit diplomatik për personelin e qendrës (humanitare ruse) do të ndihmonte Serbinë që të përmbushë synimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha diplomati amerikan.
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për një qendër të emergjencave që Rusia menaxhon në qytetin e Nishit në Serbinë jugore. Disa grupe perëndimore dhe analistë ushtarakë e shohin si një bazë ushtarake të kamufluar që Kremlini e ka ngritur për të mbikëqyrur interesat amerikane në Ballkan.
Qendra ruse që u hap fillimisht në vitin 2012, gjendet relativisht pranë forcës paqeruajtëse prej 4 mijë trupash në Kosovë. Pjesë e forcave ndërkombëtare në Kosovë janë edhe 600 ushtarë amerikanë.
Moska kërkon që personelit të saj t’i jepet imunitet diplomatik, ndërsa mohon çfarëdo veprimtarie të saj përveç trajtimit të emergjencave.
Moska vazhdon të mbështesë pretendimet serbe mbi Kosovën dhe refuzon sikurse edhe Serbia të njohë pavarësinë e saj të shpallur në shkurt të vitit 2008. Ajo i dorëzoi javën që lamë pas gjashtë avionë ushtarakë MiG-29 Serbisë, ndërsa pritet që të dërgojë në Beograd edhe 30 tanke T-72 dhe 30 automjete të blinduara.
Megjithatë Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit me strukturat evropiane. Zoti Hoyt Yee tha se Shtetet e Bashkuara janë të përfshira që nga fillimi në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që drejtohen nga Bashkimi Evropian.
Pjesëtarë të shoqërisë civile, por edhe diplomatë perëndimorë janë shprehur të shqetësuar se Serbia po zhvillon një proces të ngadalshëm për ripajtimin në rajon, që është një prej kritereve për integrimet evropiane.
Javën e kaluar ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, tha se gjenerali i pensionuar serb, Vladimir Lazareviç, i dënuar nga Gjykata e Hagës me 14 vjet heqje lirie për krime lufte në Kosovë mund të jap mësim në Akademinë Ushtarake në Serbi.
Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, tha se ideja që “dikush i cili është dënuar për krime lufte mund të jetë ligjërues në Akademinë Ushtarake, nuk është shenjë e mirë e orientimit të qeverisë që të dënohen krimet e luftës. E kanë vuajtur apo jo dënimin, ata janë përgjegjës”, u tha ai gazetarëve në Beograd.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara duan që vendet e Ballkanit perëndimorë të jenë të qëndrueshme. “Ende ka rrezik nga konfliktet kudo ku ka probleme të pazgjidhura. Megjithatë, rrjedha e përgjithshme sa i përket paqes e qëndrueshmërisë është pozitive”.

Presidenti i Gjermanisë vizitë në Rusi

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier udhëtoi dje drejt Moskës. Me këtë ai vazhdon një traditë që u ndërpre nga paraardhësi i tij. Të gjithë presidentët e Gjermanisë e konsideronin detyrim të tyre që të bënin një vizitë mirësjelljeje në Rusi. Përjashtim bëri Joachim Gauck, i cili ishte President prej viteve 2012 deri 2017. Gauck-u, një ish-aktivist i të drejtave të njeriut të RDGJ dhe prift protestant ndjente një antipati të madhe ndaj shefit të Kremlinit, Vladimir Putin, një ish-punonjës i KGB. Këtë Gauck-u nuk e fshihte. Të dy u takuan vetëm një herë. Kjo ndodhi në verë 2012, kur Putini ndaloi në Berlin në udhëtimin e tij për në Paris.

Përpjekjet e shërbimeve të protokollit të të dyja vendeve, që të organizonin një vizitë të Gauck-ut në Moskë qenë të vogla. Në Berlin flisnin për vështirësi për të gjetur një datë të lirë. Por qarkullonte edhe fjala se pas pritjes së ftohtë në Berlin, Putini nuk kishte ndonjë dëshirë të zjarrtë që të takohej me Gauck-un në Berlin.

 

Udhëtim në kontekst të konfliktit të Ukrainës

 

Frank-Walter Steinmeier ushqen ndjenja miqësore për Rusinë. Edhe më tepër, njerëz që e njohin mirë, thonë se ai bën pjesë te ata gjermanë, të cilët e trajtojnë herë pas here Rusinë me respekt të thellë dhe që kanë simpati të madhe për të. Nuk është rastësi që kur ishte ministër i Jashtëm, Steinmeieri udhëtonte çdo vit në Jekaterinenburg ku mbante leksione në universitetin e Uralit dhe gëzohej sinqerisht për bisedën me studentët.

Njëkohësisht, Steinmeieri ka qëndrim kritik ndaj Presidentit rus, Vladimir Putin. Ai nuk fsheh as zhgënjimin e tij për Sergej Lavrovin, me të cilin ka kaluar shumë orë diskutimi në negociatat në “formatin e Normandisë” në nivelin e ministrave të jashtëm dhe me të cilin u përpoq të gjente një zgjidhje politike për konfliktin në Ukrainën Lindore.

Në kontekstin e këtij konflikti duhet parë edhe vizita e tij e tanishme në Moskë. Zyra presidenciale thekson edhe shprehimisht se nuk bëhet fjalë për një vizitë shtetërore, por për një vizitë pune. Në përputhje me këtë është konceptuar edhe programi.

Pas vendosjes së një kurore në varrin monumental të Ushtarit të Panjohur, Steinmeier do të takohet me përfaqësues të organizatës ruse të të drejtave të njeriut “Memorial”. Pastaj ai do të takohet në rezidencën e ambasadorit gjerman me Michail Gorbaçovin.

Qëndrimin e tij shumë kritik ndaj mënyrës së veprimit të Rusisë në Krime dhe në Lindje të Ukrainës, Presidenti gjerman nuk e ka braktisur. Nuk është rastësi që më parë ai udhëtoi në Shtetet Baltike, ku e quajti sërish në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia. Veç kësaj, ai u premtoi Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë mbështetje gjermane në garantimin e sigurisë nacionale dhe në bashkëpunimin në NATO.

 

Pasaporta e Kosovës në vendin e 85-të në botë

Pasaporta e Kosovës është radhitur në vendin e 85-të në botë, në raportin e përvjetshëm “Global Passport Index”.
Kategorizimi është bërë në bazë të numrit të vendeve, në të cilat një shtetas i caktuar mund të udhëtojë pa pasur nevojë për vizë.
Vendin e 85-të Kosova e ndan me Mianmarin [Birmaninë]. Pasaporta më e “fuqishme” është cilësuar ajo e Singaporit, e pasuar nga ajo e Gjermanisë dhe Suedisë. Vendin e fundit, të 94-të, e ka zënë pasaporta e Afganistanit.
Pasaporta e Kroacisë është renditur në vendin e 14-të, ajo e Serbisë ka zënë vendin e 38-të, e Maqedonisë është në vendin e 41-të, pasaporta e Mali të Zi gjendet në vendin e 43-të, e Bosnjë dhe Hercegovinës në vendin e 46-të dhe pasaporta e Shqipërisë është renditur në vendin e 48-të.

Presidenti Trump diskuton me senatorët për taksat

Presidenti i SHBA Donald Trump u takua me republikanët në Senat, duke shpresuar t’i bindë ata të miratojnë planet e tij për të ulur taksat për korporatat dhe klasën e mesme, ndërkohë që ka shkëmbyer deklarata thumbuese me një senator të njohur, Bob Corker nga shteti Tenësi.
Presidenti Trump priti në një drekë pune ligjvënësit, përfshirë zotin Corker, ndërsa është intensifikuar debati për reformën e tij në sistemin e taksave.
Javën e kaluar senati miratoi një buxhet që me gjasë do të çojë në 1.5 trilionë dollarë shkurtime në taksa gjatë dekadës së ardhshme dhe që do t’i shtonte të njëjtën sasi borxhit kombëtar të vendit prej 20 trilionë dollarësh. Presidenti Trump ka bërë thirrje për miratimin e projekt-ligjit të taksave deri në fund të vitit.
Por, Kongresi i kontrolluar nga republikanët ende nuk është pajtuar me disa ndryshime në sistemin e taksave rreth dispozitave që duhen mbajtur apo shfuqizuar, për të cilat po diskutohet në mënyrë intensive prapa dyerve të mbyllura. Presidenti Trump ka thënë se ligjet për pensionet qeveritare për amerikanët e moshuar dhe ato për llogaritë e kursimit për pension nuk do të ndryshojnë.
Senatori Corker, i cili do të tërhiqet nga Kongresi pas zgjedhjeve të vitit 2018 dhe është bërë një kritik i vazhdueshëm i presidentit, tha për rrjetin ABC Neës se zoti Trump duhet t’ia lërë në dorë ndryshimet në ligjin e taksave komisioneve të kongresit dhe jo “të përjashtojë kategori të ndryshme” që ia kufizojnë mundësinë ligjvënësve për të rënë dakord mbi një plan.
Zoti Corker tha se nuk ka parë vullnetin, aftësinë dhe angazhimin e presidentit Trump për të miratuar një reformë të sistemit të taksave.
Përmes postimeve në Twitter, duke iu kundërvënë senatorit, presidenti Trump tha se “senatori Corker ndihmoi në përgatitjen e marrëveshjes së keqe me Iranin”, “nuk arriti të zgjidhej për një post politik në Tenësi”, “u tërhoq nga gara kur unë nuk e mbështeta më” dhe “tani po lufton kundër shkurtimit të taksave”.
Senatori Corker iu përgjigj po në Twitter duke thënë “Të njëjtat të pavërteta, nga një president që nuk thotë asnjëherë të vërtetën”.
Më pas ai i tha rrjetit CNN se “presidenti ka problem të madh me të vërtetën”.

Djali i Ronaldos theu “tabunë”

Nominees for the Best FIFA football player, Barcelona and Argentina forward Lionel Messi (R) and Real Madrid and Portugal forward Cristiano Ronaldo (L) chat before thaking their seats for The Best FIFA Football Awards ceremony, on October 23, 2017 in London. / AFP PHOTO / Ben STANSALL

Një yll i ri ka lindur në botën e futbollit. Deri tani, jashtë fushe. Ai është djali i sulmuesit Cristiano Ronaldo, Cristiano Jr. Që në emër të krijon përshtypjen se do të jetë një klon i të atit. Ky djalosh simpatik gati sa nuk u qorrua nga blicet në mbrëmjen gala të FIFA-s për çmimet futbollistike të vitit që po lëmë pas. Të hënën, ai bëri atë që nuk e mendonte askush si të mundur: bashkimin në një miqësi të bukur të 32-vjeçarit Ronaldo me rivalin e tij më të madh, Lionel Messi.
Diçka e tillë kishte ndodhur edhe në vitin 2015, por jo kaq hapur, jo kaq dukshëm dhe jo kaq gjatë. Cristiano Jr. nuk u ftua nga askush kësaj here. Ai iu afrua argjentinasit dhe ia shprehu admirimin ashtu siç dinte. Messi vetëm qeshte dhe pranë tij ishin ulur Neymar me të atin, gjithashtu duke mbajtur gazin.
A ka gjë më të bukur se kjo? Ronaldo gjithashtu iu afrua “armikut” të tij dhe biseduan me njëri-tjetrin. Vit pas viti, portugezi gjithnjë deklaronte se nuk e kishte mik Leon, por se i pëlqente ta quante thjesht rival. Epo, ja që akullin e theu djali i tij. Me një veprim naiv, ai bashkoi dy lojtarët më të mirë në botë të viteve të fundit. Ronaldo shënoi dopietën e radhës: fitoi çmimin “Lojtari i vitit” dhe një mik, Leon.
Duhet theksuar se edhe marrëdhënia ndërmjet klubeve, Real Madrid dhe Barcelona, ka ndryshuar. Pavarësisht përpjekjeve për të shpallur Pavarësinë e vendlindjes së tyre, katalanasit e futbollit ndryshojnë disi nga ata të politikës. Barcelona, ndryshe nga vitet e tjera, pranoi që yjet e saj të ishin të pranishëm në ceremoninë e FIFA-s. “Rregulli” ka qenë ndryshe: kur e dije që FIFA s’do të të jepte çmim, nuk do të paraqiteshe.
Me pak fjalë, dueli epik Ronaldo-Messi ka maturuar jo vetëm ata, por edhe klubet respektive. Që kur kjo dyshe doli në skenën e futbollit kanë ndryshuar shumë gjëra. Madje, edhe tifozët janë më të pjekur dhe kanë nisur të pranojnë madhështinë e tjetrit.
Çfarë fuqie ka futbolli, ë? Sport që bashkon njerëzit. Misioni u krye! Faleminderit, Ronaldo! Faleminderit, Messi! Me ju u rritëm, me ju mësuam. Jeni të përjetshëm!

Atmosferë e rëndë

Qendra stërvitore e Manchester United është si një morg me atmosferën që është më e rënda që pas ardhjes së Mourinho-s. Djajtë e Kuq humbën ndeshjen e parë të sezonit të Premier League, duke pësuar një disfatë 2-1 ndaj Huddersfield. Edhe paraqitjet e United këtë sezon kanë qenë nën mesatare, duke barazuar me Liverpool dhe duke fituar “me zor” ndaj Benfica-s. Një i brendshëm në Carrington Complex ka zbuluar se si yjet e ekipit po kalojnë një periudhë të vështirë.
Gjithashtu, kuptohet se një numër i madh i lojtarëve të ekipit të parë janë të mërzitur me komentet e Mourinho-s rreth PSG. “Atmosfera e qendrës stërvitore është më e rënda që kur ka mbërritur Jose”, shprehet një burim i afërt me klubin. “Ka diçka që nuk shkon. Mbase komentet rreth PSG, dhe se nuk do të qëndronte për një kohë të gjatë kanë ndikuar. Lojtarët kanë qenë shumë të heshtur që nga ndeshja ndaj Liverpool. Gjendja është përkeqësuar pas humbjes ndaj Huddersfield. Pa prezencën e Pogba gjërat nuk priten të ndryshojnë. Kantina duket si një morg dhe ka një ndjesi që trajneri është gati të marrë masa”, u shpreh ai.
Jose Mourinho ishte shumë i inatosur pas humbjes së Manchester United ndaj Huddersfield, dhe këtë ia bëri të qartë edhe lojtarëve për të parën herë. Unitet u mund nga skuadra e porsa futur në Premier League të shtunën dhe tani është pesë pikë larg kryesuesve të Manchester City. Mourinho ishte aq i zemëruar nga paraqitja sa që ka hedhur xhupin në tokë gjatë momentit të furishëm në dhomat e zhveshjes.
Ishte hera e parë pas 65 viteve që Huddersfield mundi United, duke i dhënë fund ecurisë pozitive të Djajve. Pas ndeshjes, Mourinho ia bëri të qartë lojtarëve se si ndihej, në mënyrën më të ashpër të mundshme, për të parën herë që kur është ulur në stolin e United në maj të 2016.
Sipas shtypit anglez, Mourinho ka sulmuar lojtarët e prapavijës, megjithëse, si për çudi, Lindelof i ka shpëtuar furisë së trajnerit. Lindelof zëvendësoi të dëmtuarin Jones në minutën e 23-të, por ishte gabimi i tij që çoi te goli i dytë i kundërshtarëve. Por Mourinho e kishte me veteranët e ekipit. Trajneri e tregoi inatin e tij edhe publikisht në konferencën për shtyp.
Performanca e dobët e Manchester United në stërvitjen e fundit, kishte lënë të shqetësuar trajnerin Jose Mourinho, përpara humbjes 3-1 ndaj Huddersfield. Mourinho shprehu shqetësimet dhe dyshimet e tij gjatë konferencës për shtyp të dhënë të premten, teksa kishte deklaruar: “Ne do të humbasim ndeshje dhe unë e imagjinoj tani se do të marrim edhe më shumë kritika se sa kemi marrë deri tani, por sinqerisht ska problem”. Mungesa e kthjelltësisë në stërvitje rezultoi me Mourinho që paralajmëroi ekipin e tij për një hap fals potencial.

ISIS kërcënon Botërorin e Rusisë, Mesi i gjakosur

Shteti Islamik ka kërcënuar sërish, e këtë herë gishti nuk është drejtuar nga qeveritë e vendeve që po luftojnë militantët e tij, por nga Botërori “Rusi 2018” që do të zhvillohet verën e ardhshme, duke nisur nga 14 qershori.
Përmes një prej organeve mediatike të propagandës së tij, “Wafa Media Foundation”, ISIS ka publikuar në rrjet një fotomontazh të Lionel Messit që derdh lotë gjaku pas hekurave. Nuk mjafton vetëm kjo, pasi përbri fytyrës së gjakosur të sulmuesit të Barcelonës dhe kombëtares argjentinase të futbollit, ka edhe një mesazh të shkruar në anglisht: Ju po luftoni një shtet, i cili nuk e njeh fjalën ‘dështim’ në fjalorin e tij.
Ky nuk është kërcënimi i parë i këtij lloji. Në “Telegram”, aplikacionin e mesazheve të përdorur shpesh nga militantët xhihadistë të Shtetit Islamik, qarkullon prej kohësh një imazh i një luftëtari të ISIS, të armatosur me kallashnikov dhe me një bombë gati për të shpërthyer, ndërkohë që në sfod shihet qartësisht profili i “Volgograd Arena”, njëri prej stadiumeve që do të presë fazën finale të Botërorit të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, përtej dhënies së lajmit për një logo të “Rusi 2018” që po qarkullon në rrjete sociale me një xhihadist të armatosur dhe fjalët “Na prisni!” në arabisht, britanikja “The Sun” shkruan edhe për një poster të dytë propagandistik të një terroristi të armatosur që mbikëqyr “Luzhniki Stadium” të Moskës, aty ku më 15 korrik të vitit të ardhshëm do të luhet edhe finalja e Botërorit.

Kupa e Gjermanisë, të mëdhatë nuk zhgënjejnë

Janë zhvilluar 4 ndeshjet e para të Kupës së Gjermanisë, të cilat nuk prodhuan asnjë surprizë. Të 3 skuadrat e Bundesligës nuk zhgënjyen në paraqitjen e sotme, duke arritur të marrin fitore.
Kështu Bayer Leverkusen mposhti 4-1 Unionin e Berlinit, Borusia Munchengladbah fitoi 0-1 në Dusseldorf dhe Schalke 04 mposhti Wehenin me rezultatin 1-3. Të 3 këto skuadra, por edhe Paderborni që mposhti 1-0 Bochumin, arritën të sigurojnë kualifikimin për në raundin tjetër të DFB Pokal. Edhe Borusia Dortmund siguron kualifikimin në Kupërn e Gjermanisë, pas fitores së thellë 0-5, ndaj Magdeburgut. Eintrachti i Frankfurtit arriti të kualifikohet gjithashtu, pas fitores 0-4 ndaj Schweinfurt, ndërsa Mainz dhe Holstein Keil iu drejtuan shtesës, pas rezultatit 2-2, në 90 minutëshin e rregullt.