32.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

City e Arsenal kalojnë me vështirësi

Mesjava e kupave është edhe në Angli, ku sot u luajtën 6 ndeshje të vlefshme për Carabao Cup. Manchester United kaloi pa vështirësi, teksa mposhti 0-2 Swansean, me dy gola të shënuar nga Lingard, ndërsa kualifikimin e siguroi edhe Leicester, falë fitores 3-1 ndaj Leedsit.
Arsenali vuajti në shtëpi ndaj Norwichit, pasi 90 minutat e kohës së rregullt përfunduan në barazim 1-1 dhe londinezët u kualifikuan vetëm falë golit të shënuar në shtesë, nga futbollisti i ri Nketiah.
Manchester City vuajti dhe u kualifikua vetëm falë penalltive ndaj Ëolvesit, ndërsa 90-minutëshi përfundoi në barazim pa gola. Po në barazim përfundoi edhe koha shtesë, ndërsa me penallti skuadra e Guardiolës fitoi 4-1. Në dy takimet e tjera, arritën të sigurojnë kualifikimin Bournemouth dhe Bristol City, përballë kundërshtarëve respektivë, Middlesbrough dhe Crystal Palace.

Derbi anglez për Marco Reus!

Ka një derbi britanik mes Manchester United dhe Arsenalit për Marco Reus, kontrata e të cilit me Borussian e Dortmundit skadon në vitin 2019. Sipas mediave gjermane, dy klubet e mëdha angleze po e monitorojnë me shumë vëmendje situatën e mesfushorit gjerman, i cili është duke u riaftësuar nga dëmtimi e ligamentit të gjurit, për t’u kthyer në fushën e blertë vetëm në fillim të vitit të ardhshëm. Është vetë 28-vjeçari i cili e pranon se po e merr në konsideratë largimin nga verdhezinjtë për të ndryshuar ambient, duke e pranuar se janë 4-5 klube të mëdha që interesohen për të. “Jam afër të 30-ve, kështu që do të kem mundësinë e fundit për një kontratë të madhe dhe për të bërë diçka ndryshe”, u shpreh Reus.
Në Gjermani këmbëngulin se “Djajtë e Kuq” dhe “Topçinjtë” kanë marrë një sinjal të qartë nga Reus dhe po duelojnë mes tyre për të siguruar shërbimet e futbollistit. Arsenali pritet të humbasë verën e ardhshme Alexis Sanchez me parametër zero, ndaj e konsideron lojtarin e kombëtares gjermane pasuesin ideal të kilianit, por edhe Jose Mourinho po e ndjek me shumë kujdes, për të përpiluar më pas një ofertë zyrtare te Borussia e Dortmundit.
Rikthimi i tij në fushë do të vonojë akoma, pasi Marco Reus parashikohet të jetë i gatshëm për Borussian e Dortmundit jo më herët se muaji mars. Dëmtimet janë bërë një pengesë e madhe për Reus në këto vite, por pavarësisht gjithçkaje 29-vjeçari gjerman nuk e ka humbur asnjëherë shkëlqimin. Tifozët e skuadrës verdhezi ëndërrojnë që Reus ta mbyllë karrierën në Signal Iduna Park, por vetë lojtari në një intervistë ka trembuar jo pak fansat e Dortmundit. Reus-it i skadon kontrata aktuale në verën e vitit 2019 dhe gjasat më të mëdha janë që ai të mos rinovojë me verdhezinjtë, pasi dëshiron ta provojë veten në një tjetër skuadër. Në 2019-tën, Reus do të ketë shansin e fundit për të firmosur një tjetër kontratë të majme dhe futbollisti i kombëtares së pançerave dëshiron të provojë diçka ndryshe.

Gianni, Shqipëria nuk është e zhytur por e mbytur!

Nga Arian Galdini

Nëqoftëse Europa do të kishte një emër emblematik si dëshmi e gjallë e jetës, dijes dhe përvojës me drejtësi, ky do të ishte pa asnjë mëdyshje vetë Presidenti i Komisionit të Venecias z. Gianni Buquicchio.
E shkruaj me bindje këtë gjë, sepse kam lexuar, kërkuar e pyetur shumë.
Në ditët e sotme, vetë BE dhe vendet anëtare të BE, kanë një fuqizim të modeleve politike dhe korporative, më shumë sesa personaliteteve të doktrinave, bindjeve dhe përvojës së drejtpërdrejtë në Drejtësi. Gjykatës dhe Prokurorë të niveleve të epërme, po zgjidhen gjithnjë e më tepër ‘lojtarët e preferuar të korporatave, grupeve të interesit dhe politikanëve’.
Mund të lexojmë pafund artikuj, debate dhe studime mbi këtë fenomen. Pafund. Gianni është një nga të paktët e mbijetuar si zotërues, ushtrues dhe besimtar doktrine dhe bindjesh të qarta. Për këtë, them se është një fat i madh për Shqipërinë që ka një mik kaq të nderuar e kaq të dashuruar me vendin tonë.
Prej shumë e shumë vitesh, Giannin e kanë ndërlidhur punët me Shqipërinë, por edhe shumë miq që ai ka bërë këtu.
Së fundmi, ai ishte përsëri në Tiranë ku edhe bëri një deklaratë të fortë e të drejtpërdrejtë, në të cilën pak a shumë shprehej se Shqipëria është e zhytur në korupsion dhe krim…
Nuk e di pse, por ndërsa lexoja deklaratën e tij, m’u krijua përshtypja se sado e fortë të duket ajo, ka gjithsesi romantikën e qytetit ku punon e ndoshta frymëzohet Gianni.
Venecia është e zhytur. Venezia ka madhështinë e tmerrit të ndërtesave që ngadhnjejnë e ngrihen mbi ujin e detit, e që madje janë aq të bukura sa të magjepsin. Shqipëria, ta vret imagjinatën. Asgjë nuk qëndron përmbi, këtu. Kur dikush e sheh këtë vend të zhytur bën 2 gabime bazë, por të fanepsura prej dëshirës së mirë.
Së pari, me zhytje, lënë të kuptohet se ose ka një vullnet nga vetë vendi për t’u kredhur, ose forcat madhore e kanë ndëshkuar.
Së dyti, me zhytje nënkuptojnë edhe daljen përmbi. Nuk ka zhytje pa kredhje, e nuk ka kredhje pa dalje përmbi. Këtë mund ta klasifikojmë edhe si inkurajim.
Por jo. Askush që flet për zhytje, madje as vetë Gianni, nuk kanë të drejtë. Shqipëria është e mbytur nga krimi dhe korupsioni. Kjo është e vërteta e hidhur dhe dëshpëruese.
E kanë mbytur pa pikën e mëshirës ata që e kanë qeverisur në 105 vjet shtet shqiptar.
Ata që kanë qenë në krye të punëve të këtij vendi, kanë patur gjithmonë vesin, mendjengushtësinë dhe shpirtligësinë e bërjes plaçkë dhe grumbullimit të sa më shumë pushteteve pranë e rreth vetes.
Kur nuk u ka mjaftuar shteti, janë shitur tek të huajt, kur nuk u kanë mjaftuar as të huajt, janë shitur tek krimi dhe mafia.
S’kanë lënë gjë pa bërë për të qenë në pushtet a me pushtete.
Shteti për ta ka qenë pllaja a shpella e çetës së komitëve, prej ngaku bënin planet e plaçkitjes, e ku fshiheshin që të mos kapeshin.
Shteti nuk ka qenë kurrë për këta, një ide e madhe, një vizion, një pasion e ideal për të cilin mund të sakrifikohet e mira personale e madje edhe vetja.
Jo. Shtetin dhe pushtetet i kanë parë si hapësira dhe vegla perversitetesh dhe nginjesh personale.
Prandaj edhe e kanë mbytur këtë vend. Sepse i mbytur u vlen si relike, si ekzotikë, si strehë piraterie moderne.
Janë aty si varkëtarët që edhe për ta çuar vendin e tyre në Hades, i kërkojnë dy monedhat në sytë e mbyllur dhe fytyrën e pafrymë.
E kanë mbytur këtë vend këta, i dashur Gianni.
E kanë mbytur dhe janë kujdesur t’ia lidhin trupin me tonelata kanabis që të mos ketë kurrë fuqi e mundësi të dalë mbi ujë.
Janë kujdesur që gjymtyrët t’ia lidhin me gurë të rëndë krimi dhe hajnie, ndërsa si kostum përcjellje i kanë veshur një tufë me kaqola, kokëboshë, trutharë, trushplarë e batakçinj, të cilët i kanë bërë deputetë e ofiqarë.
Të merituarve u kanë lënë si shans ose heshtjen e dorëzimin, ose sikterisjen nga ky vend.
Të zotëve, të talentuarve, të ndershmëve, njerëzve me integritet u kanë lënë si shpresë vetëm muajin tetor të çdo viti, kur vjen koha e aplikimit për llotarinë amerikane.
Nuk ka vetting e Reformë në Drejtësi që e nxjerr mbi ujë këtë vend të mbytur në krim, hajni e batërdi.
Vetëm një mrekulli nga Qiejt ose një rijetësim i trupit të vendit nga një revolucion i ndritur, nga një Zgjim i Madh Kombëtar, mund të na nxjerrë përmbi.
Përndryshe, vendin e mbytur do ta braktisim të gjithë.
Me keqardhje mik por kështu e mendoj.

“Milan” që po bën të lumtur tifozët e Interit

I pakalueshëm, i pakapshëm dhe vendimtar me ndërhyrjet e tij, ky është Milan Skrinar, të cilit iu deshën vetëm 10 ndeshje për të hyrë në zemrën e çdo tifozi të Interit falë paraqitjeve të tij. Një mur i vërtetë në prapavijë dhe një ndihmës i madh në sulm. Në harkun kohor të 100 ditëve Skrinar është një gur themeli në projektin e teknikut të zikaltërve, Luçiano Spaleti.
Në qershor kur drejtuesit e Interit zyrtarizuan transferimin e tij, pati skepticizëm, madje pati dhe nga ata që nuk ishin të bindur për emrin e tij se do të ishte në lartësinë e duhur për të përfaqësuar ngjyrat zikaltër. Kalimi i Bonuccit drejt Milanit u konsiderua si një super goditje në merkato nga ana e kuqezinjve, por në fakt deri më tani, situata flet ndryshe, flet në favor të Interit. 23 milionë euro të investuara për Skriniar dhe është vetëm 22 vjeç, por të jep përshtypjen e një lojtari me shumë vite eksperiencë mbi supe.
Nëse ndonjëri ka menduar se sllovaku nuk do ta përballonte dot presionin e “San Siros”, tanimë do të jetë bërë shumë pishman. Asnjë gabim nga ana e Skriniar, asnjë karton i verdhë, i ashpër në ndërhyrje, por i saktë. Pozicional dhe ka shpejtësinë e duhur për të ndërhyrë në kohë. Nuk do të ishte e ekzagjeruar nëse do të themi që 22-vjeçari po kthehet në makth për sulmuesit e ekipeve kundërshtare.
Fjalë pak e shumë duele të fituara prej tij, kështu Skriniar ka fituar vendin e titullarit, zemrat e tifozëve dhe besimin e Spaletit. Mbrojtësi me ambicie, i cili përmes deklaratave të tij kërkon t’i japë kurajo të gjithë shokëve të skuadrës, duke vënë në dukje një objektiv të qartë dhe të vetëm, duam të qëndrojmë në majën e tabelës së klasifikimit. Një vit më parë Interi në javën e 10 notonte në vendin e 10, ndërkohë momentalisht me Luciano Spaletin situata paraqitet ndryshe. Në skuadër ka optimizëm, grintë dhe dëshirë të madhe për të fituar. Mbrojtja ofron garanci, mesfusha dhe sulmi ecin në sinkron. Me të drejtë zikaltërit këtë sezon mund të ëndërrojnë më shumë sesa një biletë për kupat e Europës.

Inter “i çmendur”!

Inter ka arritur të mposhtë Sampdorian mes drithërimash, me rezultatin 3-2. Zikaltërit zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer për 60 minuta, duke krijuar avantazh të 3-fishtë, por rrezikuan të “hedhin në erë” gjithçka në minutat e mbetura, duke i lënë shumë hapësira Sampit, e cila për pak sa nuk doli me një pikë nga “San Siro”.
Dy gola, dy shtylla dhe të paktën 4 pritje spektakolare të portierit të Sampdorias, Puggioni. Ky ishte bilanci i pjesës së parë, që pas minutës së 4-t, pa në fushë vetëm një skuadër, Interin e Spallettit. Zikaltërit dominuan totalisht dhe po të mos ishte për fatin dhe portierin Puggioni, do të kishin shënuar shumë më tepër. Gjithsesi, në fund të 45 minutave, mjaftojnë golat e dy ish-futbollistëve të Sampdorias, Milan Skriniar dhe Mauro Icardi, që zikaltërit të pushojnë të qetë.
Në pjesën e dytë zikaltërit shënojnë sërish me Icardin dhe duket sikur “hipotekuan” fitoren, por ky gol zgjoi Sampdorian. Miqtë shënuan dy herë me anë të Kownackit dhe Quagliarelës, duke rihapur takimin dhe duke bërë që minutat e fundit të takimit të jenë vërtet emocionuese dhe dramatike. Edhe në këtë pjesë, traversa dhe Puggioni i mohuan zikaltërve gola të sigurtë, në dy raste me Icardin dhe Perisiçin.
Gjithsesi, Inter fiton dhe merr përkohësisht kreun e renditjes, me 26 pikë, në 10 javë, 1 më tepër se Napoli, që do të luajë ndaj Genoas.
85’ – 3-2. Quagliarela shënon dhe rihap takimin. Minuta dramatike në “San Siro”.
63’ – 3-1. Sampdoria shkurton diferencën me anë të polakut Kownacki. Vetëm një minutë më herët, traversa i mohoi Perisiçit golin e 4-t për zikaltërit.
55’ – 3-0. Sërish Mauro Icardi, ndëshkon Sampdorian pas një pasimi të Perisiç. Zikaltërit e vazhdojnë aty ku e lanë në pjesën e parë.
Dy gola, dy shtylla dhe të paktën 4 pritje spektakolare të portierit të Sampdorias, Puggioni. Ky ishte bilanci i pjesës së parë, që pas minutës së 4-t, pa në fushë vetëm një skuadër, Interin e Spallettit. Zikaltërit dominuan totalisht dhe po të mos ishte për fatin dhe portierin Puggioni, do të kishin shënuar shumë më tepër. Gjithsesi, në fund të 45 minutave, mjaftojnë golat e dy ish-futbollistëve të Sampdorias, Milan Skriniar dhe Mauro Icardi, që zikaltërit të pushojnë të qetë.
32’ – 2-0. Një tjetër ish ndëshkon Sampdorian, këtë herë është kapiteni dhe goleadori i Interit, Mauro Icardi. Argjentinasi shënon me një goditje të bukur, pas një topi të larguar nga mbrojtja e Sampit.
18′ – Inter kalon në avantazh. Zikaltërit kishin disa minuta radhazi që kërcënonin rrezikshëm portën e Puggionit, por topin në rrjetë e dërgoi një ish-futbollist i Sampdorias, Milan Skriniar. Sllovaku shënoi pas një goditjeje nga këndi, por nuk festoi në respekt të ish-skuadrës dhe tifozëve të Sampdorias.
Arlind RAMA

Dani Alves “shpërblen” Juven me 9.5 milionë euro

Lamtumira e Dani Alves ka shkaktuar më shumë debate edhe se transferimi i papritur i Leonardo Bonucci-t te Milan. Një largim që ka krijuar një boshllëk të madh në krahun e djathtë të mbrojtjes bardhezi, edhe për shkak të dëmtimeve të De Sciglio dhe Howedes. Ka qenë një ndarje që është shoqëruar nga shumë polemika të krijuara nga fjalët aspak të ëmbla të vetë brazilianit para se të largohej drejt PSG-së.
Një operacion që ka bërë bujë edhe për faktin se Parisi e ka marrë atë me kosto zero, ashtu siç kishte bërë një vit më parë Juventus, pavarësisht se kontrata e tij skadonte më 2018-ën. Drejtuesit bardhezinj kanë vendosur ta lënë të largohet me kosto zero pas disa mbledhjesh të zhvilluara me përfaqësuesit e futbollistit. Por nëse i hidhet një sy bilancit të publikuar nga asambleja e aksionerëve, kuptohet se edhe operacioni Dani Alves mund të futet te kategoria e sukseseve të arritura nga Beppe Marotta.
Është e vërtetë se torinezët nuk kanë përfituar asnjë euro nga ky operacion, por në të njëjtën kohë, largimi i tij ka gjeneruar një sufiçit prej pothuajse 10 milionë euro. Në dokumentacionin e publikuar nga Juventus lexohet se: “Në qershorin e 2017-ës është prishur në mirëkuptim mes palëve kontrata e Alves që skadonte më 30 qershor të 2018-ës. Ky operacion gjeneron një efekt ekonomik pozitiv në bilancin 2017/18 me 9.5 milionë euro”. Sigurisht, në krahun e djathtë mungon diçka akoma, por edhe pse me disa muaj vonesë, edhe operacioni Dani Alves ka rezultuar një sukses për arkat bardhezi.

Dëmtohet sërish James Rodriguez

Bayern Munich ka marrë një tjetër lajm të keq nga infermieria, pasi James Rodriguez dëmtoi shpinën në stërvitje dhe nuk do të luajë në Kupën e Gjermanisë, të mërkurën kundër Leipzig. 18 herë fituesit e Kupës së Gjermanisë konfirmuan në Twitter se lojtari nga Kolumbia qëndroi në Mynih dhe nuk udhëtoi me ekipin. 26-vjeçari James luajti atë që ishte ndeshja e tij në Bundesligë, gjatë fundjavës së kaluar, që kur u huazua nga Real Madrid, por tani nuk dihet se për sa kohë do të vazhdojë të mungojë. Gjithsesi, me ndeshjen që ishte në barazim pa gola ndaj Hamburg, James zëvendësoi Thomas Muller në pushim. Pasi ndërtoi golin vendimtar, në minutën e 52-të, duke i dhënë asistin e duhur për Corentin Tolisso, James mendohej se do të rikthehej si titullar pas dy muajsh me probleme fizike, por nuk qe e thënë, futbollisti është ndalur sërish.

Guardiola: Kemi luajtur me një top “të papranueshëm”

Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola është ankuar për topin me të cilin u luajt në Carabao Cup, duke e cilësuar si “të papranueshëm”. Pas 120 minutash lojë pa gola ndaj Wolverhampton Wanderers, “Qytetarët” u kualifikuan në çerekfinale të kompeticionit nga pika e bardhë e penalltive, ku shkëlqeu Claudio Bravo me dy pritje vendimtare. 4-1 për City-n, falë pritjeve të Bravo-s ndaj Alfred N’Diaye dhe Conor Coady. Pas ndeshjes Guardiola tha se topi i kompanisë “Mitre Sports International” nuk ishte i përshtatshëm.
“Ishte i papranueshëm. Topi ishte i papërshtatshëm për një kompeticion të një niveli të tillë. Është shumë i lehtë dhe lëviz lehtësisht gjithandej. Është e pamundur të shënosh me një top të tillë dhe mund ta them këtë sepse ne fituam, ndaj nuk ka se si të jetë një justifikim. Të gjithë lojtarët e mi thanë ‘Çfarë është ky?’ Më vjen keq, por Carabao Cup është një kompeticion serioz dhe ky nuk është një top serioz. Bëhet për marketing, OK, por është i papranueshëm, nuk ka peshë, asgjë”, u shpreh trajneri spanjoll.

Kutinjo kushton 150 milionë euro!

Barcelona ka mësuar çmimin që duhet të paguajë për të siguruar në janar shërbimet e Filipe Kutinjos. Sipas “Mirror”, Liverpooli është i gatshëm të privohet nga mesfushori brazilian vetëm për 135 milionë stërlina, që konvertohen afërsisht me 150 milionë euro. “Blaugranat” po vazhojnë të këmbëngulin për 25-vjeçarin, të cilin e konsiderojnë pasuesin ideal të Andres Iniestës, që është drejt fundit të karrierës. Gjatë verës, drejtuesit e Liverpool refuzuan tri oferta të Barcelonës, e fundit 119 stërlina. Interesi i katalanasve për ish-futbollistin e Interit ka mbetur i njëjtë, por edhe dëshira e lojtarit është që të transferohet në “Camp Nou”. Kjo është arsyeja që mes përfaqësuesve të skuadrës spanjolle dhe menaxherit të Kutinjos, Kia Joorabchian, janë zhvilluar bisedime në fillim të javës. Si ndërmjetës mes dy klubeve, përfaqësuesi ligjor i brazilianit ua ka bëtë të qartë të dërguarve të Barcelonës se Liverpooli është gati të nënshkruajë marrëveshjen në janar, për 135 milionë stërlina.
Ashtu si ka shkruar një numër i konsiderueshëm gazetash në Britani dhe Francë, Liverpool do të lëvizë për të marrë lojtarin e Paris Saint-Germain, Julian Draxler, nëse Filipe Kutinjo vendos të shkojë te Barcelona. Katalanasit kanë kërkuar vazhdimisht Kutinjon dhe kjo do të jetë çështja kryesore e verës së ardhshme. Të gjitha gjasat tregojnë se për rreth 130 milionë euro, numri 10 do të transferohet në “Camp Nou”. Në këto kushte, klubi i kuq ka nisur të punojë për të gjetur zëvendësuesin.
Fillimisht, Liverpool mendoi për blerjen e Thomas Lemar, i cili zgjodhi të qëndrojë edhe për një sezon te Monaco, përpara se të zgjedhë mes skuadrës së Klopp dhe Arsenal. Gjithsesi, kohët e fundit, gjermani Julian Draxler është emri favorit për t’iu bashkuar Sane, Salah dhe Firmino në sulmin e ekipit të drejtuar nga Klopp. Trajneri gjerman e sheh bashkatdhetarin e tij si idealin për të investuar 60 milionë euro, ndryshe nga Lemar që kushton 90 milionë. Draxler, që ka përfunduar në stolin e PSG, do të ishte gati për transferimin në “Anfiel Road”.

Rama në panik, SHBA i kërkon Prokurorisë burgosjen e zyrtarëve të lartë

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, në një intervistë për “Zëri i Amerikës” duke folur për zhvillimet në Shqipëri, tha se ligji duhet zbatuar njësoj për të gjithë, se askush nuk mund të ketë imunitet, dhe se individët nuk duhet të vihen në shënjestër pse i përkasin një partie a një tjetre, por qeveria shtoi ai, duhet të japë shembullin se është seriozisht e angazhuar për të luftuar korrupsionin.

 

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, një ish ministër i brendshëm, akuzohet për lidhje me një grup trafiku droge. Cila është pikëpamja juaj për mënyrën se si po trajtohet çështja e tij?

Hoyt Brian Yee: Më lejoni të them për Shqipërinë, se jemi shumë të kënaqur me përparimin që Shqipëria ka arritur dhe jemi të kënaqur që Shtetet e Bashkuara kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në reformat, përfshirë këtu edhe reformat në drejtësi. Bashkërisht me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Shqipërinë të miratojë legjislacionin, të miratojë ndryshimet kushtetuese, me synimin që të forcojë sistemin e drejtësisë.

Dhe kjo për faktin se një gjë e tillë nuk është e rëndësishme vetëm për sundimin e ligjit në Shqipëri dhe për kushtet në të cilat jetojnë qytetarët e saj, por edhe për faktin se [reformat] janë një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe pikërisht në këtë frymë, ne kemi vazhduar të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të zbatuar reformat në sundimin e ligjit, dhe po ashtu edhe në luftën kundër krimit, kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit…Të gjitha këto shërbejnë për të ngritur standardin jetësor për qytetarët e Shqipërisë, por edhe për ta ndihmuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Së këndejmi, jemi duke ofruar drejtpërdrejtë ndihmën tonë, ekspertizën teknike, ndihmën financiare, në ndërtimin e strukturave, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve, për t’u ndihmuar që të kryejnë punën e tyre. Sinqerisht, nuk mund të flas dot mbi rastet individuale, por gjithsesi besojmë në disa parime.

I pari është se ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji. Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës. Nuk besojmë se individët duhet të shënjestrohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi themelor është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

Së dyti, ne mbështesim qeverinë, që jep shembullin. Qeveria është ajo e cila duhet të japë shembullin dhe të demonstrojë para qytetarëve se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin, qofshin ata qytetarë, zyrtarë qeveritarë, të huaj, shqiptarë…dhe se Shqipëria është serioze në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin.