16.5 C
Tirana
E mërkurë, 7 Maj, 2025

Pse policia mbajti të fshehtë sulmin me antitank në 6 gusht

Ngjarje e datës 18 shtator në tregun Agro-Ushqimor të qytetit të Elbasanit, ku u godit nga një automjet i blinduar makina e nëndrejtorit të Policisë së këtij rrethi, e ka zanafillën më herët. “ABC News”, ka siguruar në mënyrë ekskluzive, foton e një makine të djegur në qytetin e Elbasanit, e cila sipas policisë dyshohet se u përdor mbrëmjen e 6 gushtit për të qëlluar me antitank, drejt banesës së familjes Çapja. Siç duket edhe nga fotoja, makina nuk është shkrumbuar plotësisht, duke lënë gjurmë brenda në kabinë, të cilat janë të vlefshme për ekspertët e Policisë Shkencore.
Automjeti luksoz, një BMW X3, sipas efektivëve blu, ishte vjedhur në qytetin e Durrësit në fillim të gushtit, teksa rezulton pronë e një drejtuesi lokal të atij qytetit. Fillimisht, automjetit iu ndryshohen targat në unazën lindore të qytetit dhe më pas atentatorët përshkojnë të gjithë gjatësinë e saj, deri kur mbërrijnë tek objektivi.
Fatmirësisht, predha e antitankut, një armatim i rëndë lufte nuk ka shpërthyer. Ai u gjet nga Policia në oborrin e shtëpisë dhe u çmontua nga forcat xheniere. Vetëm pak çaste pas ngjarjes, automjeti i vjedhur në Durrës u gjet i djegur afër Spitalit Psikiatrit “Sadik Dinçi”, rreth 500 metra larg vendit të ngjarjes.
E gjithë kjo histori e denjë për filmat hollivudian u mbajt e fshehtë nga organet e rendit. Blutë e Elbasanit nuk dhënë asnjë njoftim në komunikatën e përditshme, siç ndodh rëndom për ngjarje me arrestime të drejtuesve të automjeteve në gjendje të dehur, apo motoçikletë pa dokumenta.
Menjëherë për këtë ngjarje të rëndë, Prokuroria urdhëroi që nga data 11 deri më 26 gusht të mbaheshin nën përgjim, ambiental, fotografik, filmik dhe me audio, Sokol Sanxhaktari, Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri. Ky i fundit u prangos në tregun Agro-Ushqimor, pasi lëvizte gjatë gjithë kohës me eskortë, ndërsa për dy të tjerët Policia nuk jep asnjë të dhënë. Në momentin e prangosjes, Xhaferri kishte në përdorim një automjet tip “Range Rover”, ndërsa pas tij qëndronte një “Audi A8” i blinduar.
Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë së Elbasanit për të mbajtur nën mbikëqyrje personat e lartpërmendur, Policia e Shtetit ka kthyer këtë përgjigje në organin e akuzës. “Nga ana e Sektorit të Forcës së Posaçme, nisur nga dinamika e madhe me shërbime në funksion të procedimeve penale në ndjekje dhe numrit të limituar të ndihmës së specialistëve si pasojë e ndjekjes së grafikut të pushimeve vjetore, është e pamundur kryerja e veprimeve të vëzhgimit të fshehtë të personave dhe mjediseve në këtë periudhë kohore”.
Aktualisht, pas hekurave për ngjarjen e 18 shtatorit qëndroi, Ledio Zabeli dhe roja i objektit të tregut, Valmir Dedja. Ndërsa ndaj Kelmend Xhaferri, Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi qëndrim me arrest shtëpie. Pritet që dosja të delegohet në vazhdim Prokurorisë së Elbasanit, pasi nuk ka elementë që të gjykohet nga Krimet e Rënda.

Haradinaj: Kosova s’është gati t’a miratojë demarkacionin

“Tema e demarkacionit është një fazë ku Kosova procedon me rregullativën e vet politike. Ne do t’i drejtohemi vendit fqinj kur të kemi një qëndrim më të qartë të të gjeturave tona”, ka thënë Haradinaj në Tiranë. “Kosova ka një traditë të mirë të bashkëpunimit me popullin e Malit të Zi, por edhe Kosova ka qenë shumë e kujdesshme në momente kyçe të këtij shteti”, ka thënë ndër të tjera shefi i ekzekutivit kosovar, shkruan Gazeta “Express”. Ndryshe, Ramush Haradinaj në ditën e parë të punës ka shkarkuar Komisionin Shtetëror për Demarkacion, për të emëruar një komision të ri që të nxjerrë raportin për shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Haradinaj ka siguruar se do të ruhen marrëdhëniet e mira fqinjësore me popullin e Malit të Zi. “Kosova ka një traditë të mirë të bashkëpunimit dhe ndjenja të mira me popullin e Malit të Zi. Këto 20 vitet e fundit, populli i Malit të Zi nuk është korit me Kosovën, me shqiptarët edhe në kohërat e vështira të krizës, por edhe Kosova ka qenë shumë e kujdesshme nëpër momentet kyçe të Malit të Zi, përfshirë edhe pavarësimin dhe momentet e tjera dhe i gëzohemi sukseseve të Malit të Zi. Tema e shënjimit të kufirit Kosovë-Mal i Zi, është në një situatë ku Kosova po procedon në përputhje me rregullativën e vet, në përputhje me obligimet politike që ka. Kur kemi një situatë të re, me siguri që do t’i drejtohemi vendit fqinjë, pra kur kemi një situatë më të qartë të të gjeturave tona. Deri atëherë, besoj që të gjithë mund ta çojmë një porosi, se interesimi ynë është që këto marrëdhënie të mira me Malin e Zi t’i forcojmë”, ka thënë Kryeministri Haradinaj. Agjencia e lajmeve AP ka shkruar dje se, Kryeminisrti i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ende nuk ka caktuar një afat të qartë kohor për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit me vendin fqinj. Këtë lajm e kanë publikuar edhe mediat prestigjioze botërore si “Washingon Post” dhe “ABC News”, transmeton Gazeta “Express”. “Kryeministri Ramush Haradinaj tha të mërkurën në Shqipëri, në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit, se qeveria e tij po punon për ta zgjidhur demarkacionin dhe se do të fillojë të bisedojë me Malin e Zi ‘kur të kemi të gjetura më të qarta për këtë çështje’”, shkruan agjencia e lajmeve AP, lajm ky i publikuar edhe në gazetën “Washington Post”. Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi ishte nënshkruar më 2015. Brukseli ka vendosur këtë marrëveshje si kusht për t’i listuar qytetarët e Kosovës në vendet që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në zonën Shengen. Ndërsa, media amerikane “ABC News”, ka cituar ministrin e ri të Jashtëm të vendit, Behgjet Pacolli, i cili ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi “është i pamundur për momentin”. “Ministri Behgjet Pacolli tha të martën në Mal të Zi se ‘ne kemi vështirësi…përbërja në Parlamentin tonë është mjaft e komplikuar dhe ratifikimi i marrëveshjes është i pamundur për momentin’”, shkruan “ABC News”, transmeton “Express”.

Kushtet e vështira në maternitetin e Lezhës rrezik për shëndetin e nënave dhe të porsalindurve

“Kam kaluar një situatë shumë të keqe në këtë maternitet, sepse si pasojë e mungesave të shumta në mjekë dhe medikamente, para 1 viti unë humba fëmijën tim”, tregon Anita, 23-vjeçarja nga fshati Blinisht, të cilën e gjejmë në oborrin e maternitetit të Lezhës, në pritje të vizitës së radhës. Ajo pret sërish një fëmijë, këtë radhë një vajzë.
Materniteti i qytetit të Lezhës është institucioni shëndetësor kryesor sa i përket shëndetit të gruas, jo thjesht për faktin se Lezha është qendër qarku, por gjithashtu edhe si pasojë e mungesave të theksuara në mjekë specialistë në spitalet e nivelit bashkiak që përbëjnë këtë qark (Mirditë dhe Kurbin).
Nga ana tjetër sipas një urdhërese të Ministrisë së Shëndetësisë prej afro 1 viti materniteti i Lezhës përballon edhe urgjencat dhe konsultat e rrethit Mat si rrjedhojë e mungesës së mjekut obstetër-gjinekolog në rrethin në fjalë. Në këtë mënyrë, materniteti i shërben një komuniteti prej afro 200 mijë banorësh.
Mungesat janë të shumëanshme, duke filluar nga aparati i ekografisë, e domosdoshme për kujdesin e paralindjes, inkubatorët si dhe aparatura të tjera të nevojshme për kujdesin e fëmijëve të lindur parakohe.
Laboratori funksionon në mënyrë të cunguar, duke kryer vetëm një set analizash bazë. Nga ana tjetër godina është tejet e amortizuar dhe paraqet problematika në rrjetin hidraulik dhe elektrik. Bëhet fjalë për një institucion me afro 1500 lindje/vit dhe rreth 500-600 ndërhyrje kirurgjikale të llojeve të ndryshme.
“Në maternitetin tonë ka shumë vite që nuk janë bërë investime serioze gjë që krijon vështirësi në ofrimin me cilësi të kujdesit shëndetësor. Praktikisht, punojmë në një godinë të amortizuar, me mungesa të mëdha në aparatura mjekësore, punojmë në tejkalim të mundësive dhe në kufijtë e cënimit të niveleve të sigurisë”, thotë Leon Kaza, drejtori i Spitalit Obstetër-Gjinekologjik.
Shpesh herë është folur për mundësinë e ndërhyrjes me investime në këtë maternitet, por deri më sot nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Megjithëse kushtet diktojnë qartazi se ndërhyrja për përmirësimin e kushteve të punës në maternitetin e Lezhës duhet të kthehet në një prioritet të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Në spitalin tonë kryhet e gjithë gama e ndërhyrjeve obstetrike-gjinekologjike, përjashtuar ndërhyrjet endoskopike, duke qenë se mungojnë aparaturat e nevojshme. Prandaj, e kam të vështirë të them se në cilin repart duhet ndërhyrë më parë, pasi mendoj se ka ardhur koha për një rikonstruksion të plotë, të thellë të maternitetit për ta rindërtuar sipas kërkesave të kohës”, vijon drejtori Kaza.
Pacientët dhe të porsalindurit përballen me kushtet e papranueshme, madje kur koha është e keqe në shumë prej dhomave çfarë bie jashtë, hyn edhe brenda. Kova dhe mjete të tjera rrethanore përdoren nga stafi i maternitetit për të mbledhur ujin që pikon nga tarraca.
“Unë vij nga Mirdita, kam lindur vetë nuk kam pasur komplikacione dhe gjithçka ka shkuar mirë, është lindja e tretë që realizoj në këtë maternitet. Kushtet janë të vështira, por nuk e kam mundësinë për të shkuar dhe lindur në privat, kushton shumë”, tregon një nënë lehonë, e cila ka vetëm disa orë që ka dalë nga salla e lindjes.
Nëse do iu referoheshim statistikave, gjatë viteve të fundit ka një rënie të numrit të lindjeve. Por ky është një tregues relativ, pasi në të vërtetë do të duhej të kishim një rritje të numrit të lindjeve lidhur kjo me zgjerimin e komunitetit që ky maternitet i shërben.

Spitali rajonal

Materniteti nuk mbetet i vetmi institucion shëndetësor problematik, në qytetin e Lezhës, spitalit rajonal gjithashtu i mungojnë disa mjekë, ndërkohë që ka një fluks të madh pacientësh.
Vetëm gjatë vitit 2016, ky spital ka pasur në total 152 000 pacientë për të gjitha shërbimet, kjo për të gjithë zonat që përfshin brenda spitalit rajonal të Lezhës.
Sipas drejtorit të spitalit, Pashko Smaçi, mungesa e gjashtë mjekëve paraqet një problem mjaft të madh. Një mungesë e tillë thekson ai krijon shumë probleme me pacientët si dhe sorollatje të tyre.
“Mungon një kardiolog dhe reanimatori, si dhe një neonat, një neurolog dhe një mjek në urgjencën e spitalit. Ky spital përballon me fluks edhe pacientët e Laçit dhe Mirditës, ndaj mungesa e mjekëve është një problem i madh që kërkon zgjidhje të menjëhershme”, përfundon drejtori Smaçi.

Sërish drogë nga Shqipëria drejt Greqisë, kapen 190 kg

Policia greke sekuestroi dje 190 kg kanabis të futur nga Shqipëria. Bëhet e ditur se dy shtetas shqiptarë janë arrestuar, duke u gdhirë e mërkurë, ndërsa po ruanin një sasi të konsiderueshme droge. Sipas policisë, ata u arrestuan në një zonë me terren të thyer në afërsi të fshatit Kefalovrisi, pranë pikës kufitare të Tri Urave.
Në të njëjtin vend, patrulla e policisë gjeti tetë çanta udhëtimi, me 67 paketa kanabis që kishin një peshë të përgjithshme prej 189.8 kilogramë. Policia sekuestroi drogën, dhe dy telefona celularë. Dy të arrestuarit, me moshë 34 dhe 33 vjeç, u dërguan në Prokurorinë e Janinës, të akuzuar për importim, transport dhe posedim droge me qëllim trafikimin, si dhe hyrje të paligjshme në Greqi.
Po ashtu policia financiare e Portit të Venecias ka arrestuar 2 shtetas shqiptarë të moshës 34 e 42 vjeç me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndës narkotike tip marijuanë, Në makinën me të cilën ata udhëtonin janë gjetur fshehur rreth 7 kg e gjysëm marijuanë e konfeksionuar në 10 pako.
Dy shqiptarët kanë udhëtuar nga porti grek i Igumenicës drejt Venecias me tragetin e linjës. Gjatë kontrollit doganor në Portin e Venecias, në makinë e tyre policia italiane ka gjetur fshehur lëndën narkotike, e cila ishte e spërkatur me substancë me aromë të specit djegës e të kuq për t’i shpëtuar nuhatjes së qenve policorë. Ndaj dy shqiptarëve është lëshuar urdhëri i arrestimit e autoritetet italiane kanë nisur hetimet për gjetjen e bashkëpunëtorëve dhe destinacionit final të dorëzimit të lëndës narkotike.

Plagoset me armë pronari i një lokali në Elbasan

Pronari i një pike llotosh në Elbasan është plagosur me armë zjarri mesnatën e të martës. Ngjarja ndodhi në lagjen “Luigj Gurakuqi” në Rrugën “Rinia” në ambientet e brendshme të lokalit pas një konflikti për motive të dobëta. Sipas versionit të policisë, në grindje e sipër autori që dyshohet të ketë qenë në gjendje të dehur, ka dalë në rrugë dhe ka qëlluar me armë zjarri.
Si pasojë është plagosur me armë zjarri shtetasi Marvis P., 34 vjeç, banues në Elbasan, i cili ndodhet në Spitalin Kirurgjik Elbasan nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja, armë zjarri pistoletë.

Nën hetim një zyrtar, kapet me vulën e institucionit në makinë

Administratori i një njësie administrative është vënë nën hetim, pasi vula e institucionit është gjetur në makinën e mikut të tij. Sipas burimeve zyrtare, efektivët e Seksionit për Krimin Ekonomik dhe Financiar kanë referuar dje materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor në Tiranë për shtetasin V.M 46 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një njësie administrative, duke mos respektuar rregulloren e mbajtjes dhe administrimit të dokumentacionit zyrtar.
Gjatë kontrollit të mjetit tip “Benz“, në pronësi të N.O, 56 vjeç, banues në Tiranë, është gjetur vula e njësisë administrative. Sipas njoftimit të policisë, ai e kishte nxjerrë vulën jashtë ambienteve të zyrës, duke mos respektuar rregulloren e mbajtjes dhe administrimit të dokumentacionit zyrtar.
Madje sipas policisë, dyshohet se vula mund të jetë përdorur për të vulosur vërtetime të falsifikuara prej tij. Ai është proceduar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Nis me shtyrje procesi i grupit të “Xibrakës”

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda shtyn seancën e parë gjyqësore në ngarkim të 9 të pandehurve të dosjes “Xibraka”. Shkak i shtyrjes mungesa e disa avokatëve, mes të cilëve edhe ai i Ermal Hoxhës e Genci Xhixhës. Asnjë nga të pandehurit nuk ishte sot i pranishëm në sallën e gjyqit, ndërkohë që seanca e radhës është caktuar më datë 12 tetor. Në korrik të këtij viti Gjykata e Krimeve të Rënda dha 104 vjet burg në total për 9 të pandehurit e dosjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë. Hetimi për grupin e Xibrakës ka nisur në dhjetor të 2014, pasi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda erdhi një informacion nga ana e autoriteteve gjermane mbi organizimin e këtij aktiviteti të paligjshëm.

Kapet me 2 kg kokainë dhe 11 mijë euro shqiptari në Itali

Policia italiane kapi një shqiptar me 2 kg kokainë dhe 11 mijë euro në Milano. Bëhet fjalë për G.C., 34 vjeç, V.R., 27 vjeç dhe E.N., 37 vjeç. Çifti është gjetur me 11.7 kg marijuanë dhe 19.900 euro, ndërsa shqiptari me 2 kg kokainë dhe 11 mijë euro, një pistoletë të vjedhur me më shumë se 50 plumba dhe material për paketimin e dozave të drogës.
Ndërhyrja e policisë nisi në zonën e Corvettos ku u pikas një “Nissan” i zi i dyshimtë me në bord shqiptarin. Duke ndjekur automjetin, agjentët kanë parë shoferin të takonte një bashkëkombës të tij dhe më pas të vijonte rrugën drejt Mignete, ku do të takonte çiftin e italianëve.
Shqiptari ndaloi pranë një vile, u takua me 34-vjeçarin, ndërsa gruaja priste me makinë jashtë dhe më pas të gjithë u larguan duke u shpërndarë. Agjentët kanë ndjekur si çiftin italian ashtu edhe 37-vjeçarin shqiptar. 27-vjeçarja italiane e padënuar më parë dhe 34-vjeçari italian me precedentë për grabitje dhe shpërndarje droge u ndaluan nga policia, e cila ushtroi kontroll në vilën ku u bë takimi me shqiptarin.
Shtëpia, ashtu si edhe makina “BMW” ishte në emër të gruas dhe në brendësi agjentët gjetën në një dhomë 7 pako me marijuanë, më shumë se 1 kg drogë secila si dhe 9 pako të tjera me 9 zarfa sërish me marijuanë, në total 11.7 kg. Në një dollap, të futura në një bluzë u gjetën 19.900 euro para CASH në prerje 100 dhe 50 euro. Shqiptari u ndalua dhe u arrestua, ndërsa ishte duke u drejtuar për në San Giuliano Milanese pas takimit me çiftin. Ai kishte 2000 euro si dhe 3 celularë.
Nga kontrolli i banesës së tij, u gjetën 2 kg kokainë të fshehur në një vrimë në muret e dhomës së gjumit të ndarë në dy pako, një armë e vjedhur tre vjet më parë në Brescia, 54 fishekë të kalibrit 9.21 dhe një i kalibrit 7.65, si dhe 9000 euro në para CASH. Në shtëpi, ai gjithashtu kishte pajisje të plotë për dozimin dhe një makinë për numërimin e parave. Shqiptari ka rezultuar me precedentë të shumtë edhe për shpërndarje, një për rrëmbim personi në vitin 1999, dhe një për vrasje.

Avokati i Ramës tek banda e Lalës padit policinë

Banda e Elbasanit që sulmoi policinë më 18 shtator është marrë në mbrojtje nga avokati i kryeministrit Rama. Avokati i Ramës, Eno Bushi, në emër të biznesmenit Petrit Çela, ka kallëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 6 efektivë policie, ndër ta dhe nëndrejtorin e Policisë, Gjergj Oshafi, makina e të cilit u godit nga makina e blinduar e biznesmenit Çela mbrëmjen e 18 shtatorit. Biznesmeni Petrit Çela është i njohur për miqësinë që ka me kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun e Elbasanit, Qazim Sejdini. Avokati i Ramës ka paditur të gjithë zinxhirin e policisë që ndodheshin në operacion mbrëmjen e 18 shtatorit për dëshmi të rreme.
Marrja në mbrojtje e bandës së Elbasanit nga avokati i Ramës dëshmon se kjo bandë që bën ligjin atje ka mbështetjen e kryeministrit. Me këtë veprim vërtetohet se autorët që sulmuan policinë dhe mbajnë nën terror të gjithë qytetin nuk do të arrestohen, pasi ata kanë mbrojtjen e vetë kryeministrit. Mjaft qytetarë të Elbasanit shprehen se, banda ka përkrahjen e Ramës dhe kryebashkiakut Sejdini, sepse kur vijnë fushatat ato dalin dhe mbledhin votat me dhunë.
Shteti ka angazhuar të gjitha strukturat dhe njerëzit më të besuar për të marrë në mbrojtje bandën e Elbasanit. Dy ditë pas ngjarjes së rëndë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hako Çako shkoi në Elbasan dhe darkoi me peshqit e mëdhenj. Ky veprim i Çakos indinjoi dhe irritoi qytetarët e Elbasanit, por jo organet e shtetit. Prokuroria e Krimeve të Rënda u tërhoq nga hetimet e bandës së Elbasanit. Pas darkës së Çakos, Prokuroria e Krimeve të Rënda u tërhoq nga hetimet e Elbasanit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli moskompetencë për ngjarjen e Elbasanit, ku makina e blinduar goditi makinën e nëndrejtorit të Policisë. Fillimisht nga Prokuroria, kjo vepër kriminale u kualifikua si “vrasje e mbetur në tentativë ndaj punonjësit të policisë”, por më pas u rrëzua poshtë.
Nga pamjet filmike të publikuara në televizon dukej qartë se, makina tip “Audi” e blinduar në pronësi të biznesmenit Petrit Çela goditi makinën e nëndrejtorit të Policisë para portës së biznesit të Çelës. Pasi ka parë pamjet filmike, Prokuroria ka bërë një këqyrje të hollësishme të tyre. Bazuar në to, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shpallur moskompetencë, duke e dërguar për hetim në organin e akuzës së Elbasanit.
Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë të shfaqura në Televizionin “Klan”, Prokuroria ka krijuar bindje se, nuk ka pasur sulm të drejtpërdrejt të forcave blu, ku makina e zv/drejtorit të Policisë së këtij Qarku, Gjergji Oshafi u godit nga një “Audi A8” e blinduar. Pavarësisht se vepra fillimisht u kualifikua si “vrasje e mbetur në tentativë ndaj punonjësit të policisë”, kjo gjë u rrëzua poshtë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
E gjithë skena zhvillohet përpara Tregut Ushqimor në Elbasan, pronë e biznesmenit Petrit Çela. Për Prokurorinë, në momentin që nisen makinat e policisë për të çuar në komisariat Klement Xhaferrin, “Audi” vjen me forcë për të hyrë në Tregun Ushqimor. Siç shihet në pamje, ky automjet godet makinën e policisë. Nga ky incident, efektivëve nuk ju është kërcënuar jeta, pohojnë burime nga organi i akuzës, pasi ata ndodheshin në distancë nga vendi i ngjarjes dhe një pjesë e tyre ishin brenda në furgonin e Forcave Speciale “Shqiponja”.
Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, një ndër akuzat që mund të kualifikohet kjo vepër është, mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë dhe largimi nga vendi i ngjarjes, kompetencë kjo që e hetojnë prokuroritë e rretheve dhe jo ajo e Krimeve të Rënda.

Kush është avokati i Ramës, Eno Bushi

Eno Bushi njihet si avokati mbrojtës i dhe PS-së dhe Edi Ramës, por edhe i familjes së tij në disa raste të rëndësishme për zgjedhjet dhe mbrojtjen e figurës së Ramës. Po përmendim disa nga rastet kur Eno Bushi është vënë në mbrojtje të Ramës, familjes së tij dhe PS-së.
Më 30 qershor të vitit 2009 ka paditur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në emër të PS për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Më 22 dhjetor 2009, avokatët e kryetarit të PS, Edi Rama, Arian Salati dhe Eno Bushi, kanë paditur Kryeministrin Sali Berisha duke iu referuar batutave të tij në Kuvend dhe Kryeministri ndaj Ramës. Më 27 maj 2011, avokati i Partisë Socialiste, Eno Bushi ka bërë një padi në Kolegjin Zgjedhor, për pavlefshmërinë e vendimit për numërimin e fletëve në kutitë e gabuara.
Në maj të viti 2014, avokat Arjan Salati dhe Eno Bushi paditën ish-Kryeministrin Berisha për “fyerje” ndaj Aneta Ramës, nënës së Edi Ramës.

Çfarë deklaroi biznesmeni Çela pas ngjarjes

Avokati i Ramës që ka paditur punonjësit e policisë në emër të biznesmenit Petrit Çela pretendon në padinë e tij se nga policia janë shtrembëruar faktet dhe dinamika e ngjarjes, pasi sipas tij, nga filmimet rezulton se veprimet e policisë janë të kundërta nga ato që kanë deklaruar kur janë marrë në pyetje. Biznesmeni Çela, një ditë pas ngjarjes kur në media doli lajmi se ai ishte shpallur në kërkim, në një lidhje telefonike me “News 24” ai deklaronte se nuk dinte asgjë për ngjarjen.
“Nuk di asgjë se çfarë ka ndodhur. Mjeti im ka qenë në treg. Unë e kam një makinë të blinduar. E kam në emër të firmës, konform të gjitha rregullave dhe nuk kam qenë pranë tregut. Nuk di asnjë lloj gjëje. Asnjë tjetër nuk e përdor mjetin tim. Mjeti im ka qenë brenda në treg”, tha Çela në bisedën telefonike në “News 24”. Por pamjet filmike të publikuara në Televizionin “Klan” hedhin poshtë deklaratën e tij një ditë pas ngjarjes. “Audi” i blinduar, që sipas policisë është në pronësi të biznesmenit, duket në video se godet policinë.
Për ditë me rradhë është thënë se për sulmin ndaj policisë është shpallur në kërkim Suel Çela, i biri i Petrit Çelës, që sipas policisë dyshohet se ishte në drejtim të “Audit” që sulmoi policinë. Por, dje, avokati i babait të tij deklaroi se, kjo nuk është e vërtetë. Suel Çela është akuzuar shpesh herë si eksponent kryesor i një prej bandave më të fuqishme të narko-trafikut të Elbasanit.

Avokati i Ramës edhe tek grabitja e Bankës

Eno Bushi ka qenë avokat i Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për disa vite dhe një nga juristët e kësaj force politike në Gjykatë. Pikërisht ky person është aksioner në kompaninë që fajëson Ministria e Brendshme për grabitjen e parave në Rinas. ICTS Albania është përgjegjëse sipas policisë për vjedhjen e parave që do të ngarkoheshin në avion. Kompania fajësohet për sigurinë e dobët në aeroport, pavarësisht raporteve të vazhdueshme për të rritur masat e sigurisë. Nga kërkimet në QKR, rezulton se 25% të aksioneve i ka në zotërim Eno Bushi, ndërsa 75% i përkasin ICTS Europe. Eno Bushi njihet si jurist i Partisë Socialiste dhe person i afërt me kryeministrin Edi Rama. Kryeministri nuk është prononcuar në asnjë rast për skandalin e grabitjes në Rinas, pavarësisht se ky është konsideruar një cënim i sigurisë kombëtare.

 

Rama duhet t’i shpjegojë Kosovës taksën 10 euro të lëvizjes së lirë

Rama foli dje në takimin me kreun e qeverisë së Kosovës, Haradinaj për heqje doganash mes dy vendeve. Kjo është për t’u përshëndetur, por nga ana tjetër Rama nuk foli për taksën e re të lëvzijes së lirë mes dy vendeve dhe se sa ajo do t’u kushtojë shqiptarëve. Bëhet fjalë për taksën 10 euro që shqiptarët duhet t’i paguajnë koncesionarit të Rrugës së “Kombit” që Rama e vendosi në kundërshtim me të gjitha ligjet, kjo pasi Rruga e “Kombit” nuk është ndërtuar me koncesion, por me paratë e shqiptarëve, dhe tani ata që e kanë paguar një herë këtë rrugë duhet ta paguajnë për së dyti për klientët e Ramës. Kjo taksë nuk i shërben lehtësimit të barrierave mes dy vendeve, por vetëm i shton ato dhe redukton lëvizjen mes dy vendeve. Çfarë do të ndodhë sikur këtë taksë 10 euro për dy kalime në këtë rrugë do të mund ta vendosë edhe Kosova? Ky ka qenë një projekt i qeverisë së mëparshmne Thaçi, por për të nuk u fol më. Nëse edhe Kosova do të vendosë një taksë të tillë, atëherë lëvizja e lirë mes dy vendeve do të vështirësohej akoma dhe më shumë. Rama duhet t’i japë një shpjegim shqiptarëve të Kosovës se përse u ka vendosur një taksë 10 euro për hyrjen në Shqipëri.

Takimi

Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës deklaruan se kanë rënë dakort të përshpejtojnë hapat që do të mundësonin një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë mes dy vendeve. Kreu i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Tiranë gjatë së cilës, ai dhe Kryeministri Edi Rama u ndalën në tema konkrete. “Në mbledhjen e katërt mes dy qeverive, e cila do të mbahet më 27 nëntor në Korçë, fokusi do të jetë te fitimi i kohës së humbur”, deklaroi zoti Rama, duke shpjeguar më pas se vitin e ardhshëm “do të nisë shembja e murit absurd”, që hasin qytetarët e dy vendeve në kalimin e kufirit të përbashkët. Kryeministri Rama foli për “një kufi simetrik në ngjashmëri me kufijtë mes vendeve të BE, ku kontrollet nuk do të hiqen për fare, por do të jenë aq të rralla sa dikujt mund t’i bjerë të mos kontrollohet”.
Çështja e dytë e dakortësuar mes kryeministrave është ajo e unifikimit të tregut, e cila sipas zotit Rama “duhet t’i paraprijë si model unifikimit të tregut rajonal”, për të cilin vendet e Ballkanit ranë dakort në takimin e Triestes korrikun e shkuar. E në këtë kuadër përfshihet dhe konkretizimi i “një procesi të mirëstudiuar e programuar të bashkimit doganor në Portin e Durrësit, i cili nuk është vetëm porti i Shqipërisë, por dhe shqiptarëve të Kosovës dhe është porti që duhet të kthehet në doganë të njehsuar mes dy vendeve”, shpjegoi zoti Rama. Vendimi për këtë pritet të finalizohet në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive.
Të dy kryeministrat ranë dakort gjithashtu për koordinim të përpjekjeve për të përfituar nga financimet e Procesit të Berlinit dhe Fondet IPA të Bashkimit Europian, ndërkohë që do të nisë konkretizimi për të patur seli të përbashkëta diplomatike e konsullore. “Kemi folur për një plan të përbashkët veprimi në funksion të ndërtimit të një fondi imobiliar shqiptar në Europë, duke nisur nga kryeqendra e diplomacisë për t’u shtrirë më tej. Do të jetë një aset i përbashkët i të dy shteteve, që do t’u japin shqiptarëve një adresë”, theksoi zoti Rama.
Nga ana e tij, Kryeministri Haradinaj ritheksoi angazhimin e Kosovës për realizimin e të gjitha nismave të përbashkëta, duke nënvizuar se, “kemi pritur shumë vjet për t’u hapur me njëri-tjetrin. Tani është koha të mos presim më tutje”.
Një çështje e diskutuar mes palëve ka qenë dhe ajo e përcaktimit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kryeministri Rama u shpreh se, “e shohim me shqetësim çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ku është e domosdohme të gjendet rruga për zgjidhjen përfundimtare të një ngërçi që po krijon jo pak probleme me bashkësinë ndërkombëtare, e cila mbetet garanti kryesor i Kosovës dhe një procesi ku Kosova duhet të ketë gjithnjë e më shumë miq, e nuk ka arsye të humbasë qoftë dhe një të vetëm”. Zoti Rama u duk se e nxiti homologun e tij kosovar të rishikonte pozicionin e mbajtur prej tij, kur në opozitë ishte kundërshtar i marrëveshjes. “Ka një proces të natyrshëm fiziologjik, kalimi nga opozita në qeveri dhe kryeministri kërkon dhe pak kohë besoj që të ndahet nga pozicioni i opozitarit ndaj këtij problemi”, u shpreh zoti Rama në konferencën e përbashkët me kryeministrin Haradinaj.

Pritje edhe në Familjen Mbretërore

Ramush Haradinaj ka takuar dje në Tiranë edhe princin shqiptar Leka, në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri si kryeministër i Kosovës. Princi Leka e ka vlerësuar lart Haradinajn, duke thënë se kreu i ekzekutivit kosovar është “një atdhetar që e do Kosovën”. “Jemi krenar që kemi një kryeministër që po i shërben Kosovës me dinjitet dhe po punon për çështjen kombëtare”, ka thënë princi shqiptar. Ai i ka uruar Haradinajt sukses në detyrën e tij të re, duke i thënë se mund të llogarisë gjithmonë në mbështetjen e tij.