21.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Pesë dosjet me të cilat Tahiri kërcënoi Ramën

Ish-Kryeministri Berisha paralajmëroi mbrëmë në një intervistë televizive se në rast se Drejtëisa do të pengohet të hetojë mafien e lidhur me drogën, atëhere vendi do të shkojë drejt destabilizimit dhe një konflikti civil. Berisha iu referua votimit të sotëm në Parlament ku PS ka deklaruar votën në mbrojtje të ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri ndaj hetimeve të Antimafias italiane. Berisha deklaroi gjithashtu se pas “narkomafies do të vijë narkoterrorizmi, një kërcënim ky që është deklaruar në Tiranë edhe nga Prokurorët italianë.
Ish-Kryeministri deklaroi se janë 5 dosje me të cilat Rama kërcënoi Ramën dhe më pas e gjunjëzoi atë, nga ajo e Shullazit, tek telefonatat me kriminelë dhe deri tek dosja e vëllait të ministrit të Brendshëm, Xhafa.
I ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ Berisha deklaroi dje se roli i Tahirit ishte që të dilte garant për mbrojtjen dhe mbajtjen larg të policisë nga plantacionet e drogës. “Vlera e paçmuar e makinës ishte targa 003 dhe pronësia e ministrit. Katër vite me radhë, kjo nuk u ndryshua. Ajo kishte të hapur çdo postbllok”, tha Berisha.
Kur nesër pritet që Kuvendi të marrë vendimin lidhur me imunitetin e deputetit për Saimir Tahirin, i cili akuzohet për përfshirje në trafik droge, ish-kryeministri Sali Berisha kujtoi një episod që e ka përjetuar edhe vet.
Përballë moderatores së emisionit ‘Studio e Hapur’ si dhe gazetarëve Robert Rakipllari dhe Arion Sulos, Berisha tregoi se ishte Kuvendi që vendosi në 18 shtator të ‘98-ës t’i hiqte atij imunitetin dhe ta çonte për ndjekje penale. Ish-lideri i PD-së tha se, pas kësaj fshihej Gramoz Ruçi.
“A e dini ju që ky Parlament në 18 shtator të ‘98-ën i ka hequr imunitetin dhe dha vendim për ndjekje penale pa e thirrur fare Sali Berishën. Ky Parlament i dha vendim grupit. Gramoz Ruçi ka qenë. Nuk ka ndodhur kurrë kjo. Imagjinoni ju që në vend të atyre prokurorëve, të cilët janë bazuar në një dosje të institucionit më të specializuar kundër mafias, vendosin të bëjnë diçka që nuk ishte bërë më parë, dhe u përballën me sulm”, tha Berisha.

-Rama e konsideroi përpjekjen e Prokurorisë për arrestimin e Tahirit si ajo e Fatos Nanos, si e komentoni këtë?
Ka një ngjashmëri në kuptimin që dosjen e Fatos Nanos e përgatiti PS e deklaroj këtu me përgjegjësi absolute pa i shtuar qoftë edhe një presje nga qeveria ime. Dosjen e Saimir Tahirit e përgatiti me një kompetencë të jashtëzakonshme institucioni më i specializuar në Europë për luftën kundër trafiqeve, Antimafia italiane, por e bëri publike Edvin Kristaq Rama. Dosjen të këtij.

-Italianët e përgatitën dosjen kundër Nanos apo PS?
Do që t’i them me emra. Ish-ministri Shane Korbeci. Pse u bë kjo? Në atë kohë Ramiz Alia krijoi një rivalitet absurd. Ministria e Jashtme e ndoqi problemin dhe e konstatoi këtë problem. PD nuk ka asnjë rol shtesë në atë dosje.

-Po italianet?
Jo s’mund të them. Dosjen e përgatiti Shane Korbeci.

-Përballë kësaj teme të kanabizimit dhe drogës ne si gazetarë kemi një farë problemi në raport me personin që kemi përballë. Me gjithë skepticizmin tonë me gjithë akuzat, nga pikëpamja politike, Shqipëria u mbush me kanabis. Kjo është bërë me lejimin e policisë, ose me implikimin e policisë. Përtej kësaj, çfarë faktesh ka që e implikojnë penalisht Tahirin.
Prokuroria nuk i ka këto fakte. Mos u nxitua Prokuroria?
Unë mendoj se faktet ishin absolute.

-Penale?
Penale dhe të pakontestueshme. Makina për ta kuptuar qytetarët, është një lloj si një njeri t’i japë armën e vet një tjetri për të vrarë dikë dhe përpiqet që këtë ta maskojë me dokumente të shtira. Iu dha makinën, 03-shin për të çarë çdo tra, çdo postbllok, çdo doganë. E dyta, Saimir Tahiri është përfitues direkt në euro. Ju duhet të dini një gjë. Nuk ka njerëz më të saktë, më dixhital dhe më elektronikë, më precizë se sa kriminelët për krimet që kryejnë.

-Kjo duhet faktuar zoti Berisha?
Kriminologjia këtë mësim ka. Ata kanë një memorie absolute për detaje dhe çdo gjë. Mos mendoni ju se ai tha që kam blerë varëse, se ai shpiku varëse. Pse nuk tha kam blerë orë? Pse nuk tha vëthë? Këto janë fakte të pakontestueshme. Ka kërkuar diamante ky. Pse? Sepse në botën e krimit, ka më rrezik nga paratë se nga diamanti. Transferta është transfertë, sepse lë gjurmë. Ky ka kërkuar diamante, ose është maniak.
Këto janë fakte për mua dhe për çdo njeri. A janë këto prova? Kjo është tjetër gjë. As unë, as një politikan nuk ka të drejtë para një gjykatësi. Është në diskrecionin e këtij procesi.

-Ju ka shitur targën, jo makinën
Po targën dhe dokumentin. Ai ka vendosur postin e tij si transportues droge. Po kështu ka qenë skafi. Ai gënjen. Janë dokumentet në doganë, që ai ka shitur skafin. E kanë marrë Habiljat. Po si ka mundësi që t’i shitet çdo gjë Habilajve. Zagani ka të drejtë, në atë kohë, ata e kanë pasur në përdorim. Më vonë, kur ne e ngritëm në Parlament, ai i shiti në emër të Bashkim Tahirit. Ai që njeh bandën, banda është e ndarë me detyra. Ai që merr një detyrë, nuk mund të dijë asgjë për segmentin tjetër. Saimiri kishte detyrë që të mos cenoheshin plantacionet e drogës së Habilajve, apo ju jepej vilat qeveritare. Pse s’u arrestua Balili? Ishte i fuqishëm, por jo si Habiljat. Ata kishin pikën e lokalit dhe trafikut në Borsh.

-Edi Rama i ka ditur ato 5 dosje që sipas jush Saimiri e ka shantazhuar, por si ka mundësi që pas një dite mbrojti Tahirin. Kemi një non-sens?
Rregulli i heshtjes funksionon për aq kohë sa respektohet nga të gjitha palët. Po u shkel është plumbi pas koke. Nëse e shkeli Rama, Tahiri nuk kishte asnjë detyrim në kodin e mafias që t’i qëndronte besnik. Ky ishte problemi. Në rast se i rikthehemi intervistës së tij ai thoshte; ‘unë jam vetëm. S’kam njeri’.

-Në kodet e mafias janë kapot që kanë fuqi mbi ushtarët..
Ramën nuk ia preu mendja se Tahiri do t’i thoshte ti je ti e unë jam unë. E bëri atë, para të gjithë shqiptarëve. S’mund t’ja mohoi njeri.

-Cilat janë 5 dosjet?
Dosja e Xibrakës, dosja Shullazit, dosje me biseda dhe trafikantë, të tjera që u thotë gjëra të pa imagjinuara. Po ashtu dhe dosje me klientelën e Ramës me biznesin si dhe dosja e Fatmir Xhafës, të cilën me fashikuj nisi ta shpërndante Saimiri. I dini ca gjëra ju, kot prisni ti them unë.

-Operacioni në Babicë, ju publikuat i pari videon. Ka një akuzë se videon ua ka dhënë prokurori?
Absolutisht jo, nuk ma ka dhënë prokurori. Burimi tjetër krejtësisht dhe jo prokuror. Është hera e parë që dëgjoj për atë prokuror. Vladimir a si. Asnjëherë, asnjë prokuror. Ajo ishte rezervati i Habilajve dhe u kapën 4 ton, 20 mln euro. U shemb toka aty dhe tani na pengoi ky, na prishi operacionin.

-A e dekonspiruat operacionin?
Aksioni atyre, u plasi bomba në dorë. Ai ishte një operacion i organizuar nga Shërbimi i fshehtë që s’ka fuqi zbatuese, por Prokuroria ka grupin e vet dhe mori dhe policinë.

-I kishte denoncuar Xhafaj?
Emri i Xhafajt nuk ka si të mos ishte. Ça ishte ky njoftimi, që thotë ky loloja, po vrapoj në Tiranë. Ishte koha e operacionit të “Fundi i marrëzisë”, Apex i Xhafajt kundër të llotos së Habilajve. Ata erdhën tek Tahiri që Apex i Gon Xhafës po na asgjëson. Tahiri hyri dhe bëri zbutjen.

50 mijë euro një ngarkesë, krahu i djathtë i Habilajt mund të lirohet

Gjykata e Tiranës caktoi dje masën e sigurisë 20 ditë burg për Nezar Seitin, krahu i djathtë i Moisi Habilajt, për qëllim ekstradimi drejt Italisë, ku është lëshuar urdhër arresti. Prokuroria kërkoi “burg pa afat” për 40-vjeçarin Nezar Seiti, por trupa gjyqësore vendosi ta lërë Seitin vetëm për 20 ditë në qeli. Gjatë kësaj kohe duhet të vijë dosja dhe kërkesa e ekstradimit nga Italia. Në rast se dosja nuk vjen nga vendi fqinj, pas më pak se 3 javësh Nezar Seiti mund të jetë sërish i lirë. Të dielën edhe Gjykata e Krimeve të Rënda e la në masën e sigurisë 20 ditë heqje lirie Nezar Seitin, emri i të cilit del jo pak herë në 416 faqet e përgjimet e bëra nga autoritetet italiane.
Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Armand Koçerrin dhe Nezar Seitin, të dyshuar për trafik droge të kryer në bashkëpunim. Koçerri dhe Seiti janë arrestuar lidhur me hetimet e Prokurorisë për grupin “Habilaj”. Koçerri u arrestua në flagrancë, pasi në shtëpinë e tij në Babicë të Vlorës u gjetën rreth 4 ton kanabis, në gjendje të tharë dhe gati për trafikim.
Ndërsa Seiti u ndalua me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda. Ndërkohë, provat e mjaftueshme për të siguruar ndalimin e tij u siguruan në bashkëpunim me autoritetet italiane, të cilat organizuan disa ditë më parë, në Itali, një operacion kundër disa anëtarëve të tjerë të këtij grupi kriminal.
Nezar Seiti u ndalua disa ditë më parë gjatë operacionit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Vlorë, për dosjen Habilaj. Për arrestimin e tij janë angazhuar rreth 100 forca policie nga Tirana kryesisht nga Delta Force, ndërsa Policia e Vlorës është shmangur totalisht nga aksioni. Operacioni për sekuestrimin e tonelatave të drogës së Habilajve në Babicë të Vlorës është kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me SHISH dhe autoritetet e huaja. Prokuroria bëri të ditur se ka përjashtuar nga aksioni Policinë e Shtetit për shkak se i druhej dekonspirimit të operacionit. Prokuroria bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, për kapjen e drogës në Babicë është kryer një hetim prej rreth një viti me Shërbimin Informativ dhe partnerët ndërkombëtarë.

Përgjimet: “Nuk i kemi punët mirë me ata të shtetit”

Emri i Nezar Seitit, renditet i katërti në listën e fletë-arresteve të prera nga Gjykata e Katanias. Nga të dhënat e hetimit, të firmosura nga gjyqtarja Loredana Pezzino, Nezari ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të kokës së organizatës kriminale, Moisi Habilaj. “Ata merrnin ngarkesat në Itali me automjete në emër të shtetasve italianë”, shkruhet në dosjen hetimore.
Nezar Seiti takohej personalisht me porositësit e drogës. Në janar 2017, efektivët e GDF italiane e kanë ndjekur teksa ai ndodhej në lagjen San Giovanni Galermo (Katania), dhe në një rast, Seiti ka marrë 50 mijë euro për një sasi droge të shkëmbyer. Para që më pas u transportuan në Shqipëri, të fshehura në një ngarkesë me detergjente.
Po në janar 2017, në një bisedë me një anëtarin tjetër të grupit, Meridian Sulaj, Seiti thotë se bashkëpunimi me policinë nuk po shkon mirë: “Nuk i kemi punët mirë me ata të shtetit”, e kam telefononin në shtëpi… dhe nuk na telefonojnë më ato të Degës së Brendshme, se unë kështu i quaj ata, Dega e Brendshme,… kur kalojnë këta të policisë, “po kalon Sigurimi i Shtetit”, thuhet në përgjimet e Prokurorisë së Katanias.

OBC: Shteti shqiptar ka kapitulluar

‘Think Tank’-u i specializuar për zhvillimet politike në Evropën Juglindore dhe rajonin e Kaukazit, “OBC Transeuropa”, ka publikuar një artikull për situatën e rënduar ku ndodhet Shqipëria pas skandalit të çështjes Tahiri.
Me titull: “Shqipëria: shteti është vetë organizatë kriminale”, ky artikull paraqet një situatë tragjike për vendin tonë, duke nisur nga lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, me bandën e Habilajve, deri te mbrojtja që Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama i dhanë në Këshillin e Rregullores.
OBC thekson se, qëndrimi i Ramës për Tahirin ndryshoi në më pak se 24 orë, ndërkohë që seanca e Këshillit në Kuvend u kthye në seancë gjyqësore kundër Prokurorisë. Në artikull pasqyrohen edhe protestat pro-Tahirit para ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, si një mjet presioni për të mos bërë drejtësi për këtë çështje, dhe fyerjet ndaj gazetarëve që i drejtonin pyetje deputetit socialist.
Në fund, në artikullin që mban emrin e autorit Tsai Mali, thuhet se dosja me 400 faqe e Prokurorisë italiane konfirmon kapitullimin e shtetit shqiptar.

Dosja Tahiri-Habilaj, 2 oficerë të Guardia di Finanza në Shqipëri

Dy oficerë të Guardia di Finanza kanë ardhur nga Cattania në Tiranë për dosjen Tahiri-Habilaj. Bëhet e ditur se dy oficerët e Guardia di Finanza kanë pasur në fokus të misionit të tyre grumbullimin e informacioneve shtesë kryesisht të pronave që lidhen me Habilajt të përftuara nga aktiviteti kriminal. Gjithashtu, pjesë e misionit të tyre disa ditor në Shqipëri ka qenë interesimi se çfarë rezultatesh kanë dhënë kërkimet në terren për kapjen e Florian dhe Artan Habilajt.
“Report TV” raporton se, burimet nuk japin detaje të tjera se me kë janë takuar dhe çfarë kanë kërkuar nga pala shqiptare dy oficerët e ardhur nga Katania. Ndërkohë që dy oficerët e Guardia di Finanza të Katanias ndodheshin në Shqipëri, policia shqiptare në terren ka sekuestruar të gjitha pronat e identifikuara si të Habiljave.
Burimet sqarojnë se janë sekuestruar vila, shtëpi, makina dhe toka të identifikuara nën pronësinë e Moisi, Artan dhe Florian Habilaj, raporton “Report Tv”. Sakaq mësohet se nën hetim janë vendosur edhe persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë përdorur nga Habilajt për të kamufluar pronat që i përkisnin atyre. Disa prona dhe llogari bankare janë në proces verifikimi nga ekspertët e Antidrogës dhe Drejtorisë së Pastrimit të Parave. Kryesisht bëhet fjalë për prona që janë blerë nga Habilajt në bregdet si në Himarë, Dhërmi dhe Vlorë.
Oficerëve italianë të Guardia di Finanza i është thënë nga autoritet shqiptare se vijon kërkimi për kapjen e Florian dhe Artan Habilajt. Për Florian Habilajn ka dyshime se fshihet në fshatrat e Vlorës, ndërsa i vëllai, Artani, mund të ketë dalë jashtë territorit të Shqipërisë.

Mbërrijnë nga Italia 4 fashikuj me prova të reja për Tahirin

Vijnë prova të reja nga Italia për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar mbrëmë në “Opinion” në Tv “Klan” se, policia italiane ka dërguar katër fashikuj voluminoz për dosjen “Habilaj”, ku është i përfshirë edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ajo tha se nuk janë materiale të grumbulluara vetëm nga Prokuroria e Katanias, por edhe prokurori të tjera. “Vetëm dje kanë mbërritur nga Guardia Di Financa italiane plot 4 fashikuj voluminoz për këtë çështje. Bëhet fjalë për material në gjuhën italiane që kanë mbërritur pranë organit të akuzës edhe me CD edhe të printuara”, u shpreh ajo.

Paloka: Pse e përjashtoi nga Grupi parlamentar?

Deputeti demokrat Edi Paloka ka reaguar dje në lidhje me akuzat e hedhura ndaj tij, ku ndër të tjera si mbrojtje përdori edhe një dokument të Prokurorisë së Katanias që sipas tij vërtetonte faktin se ai nuk po procedohej në shtetin italian. Po ashtu sikundër e thamë edhe më parë për vepra penale që janë kryer në vendin tonë kompetencën për hetime e ka Prokuroria shqiptare. Për deputetin demokrat Edi Paloka vlen një pyetje për Tahirin: Pse Rama të hoqi si ministër dhe pse të përjashtoi nga grupi parlamentar. “Nga këto letrat që po tund Tahiri, morën dhe Roshi i Kavajës dhe një pjesë e të inkriminuarve të tjerë të Ramës, madje edhe kur kishin qenë të dënuar e jo thjesht të hetuar… Ky, Tahir Habilaj, duhet të pyesi Ramën (se kështu sqarohet dhe publiku); Pse e largoi nga ministër? Pse me gjithë se ishte “ministri më i suksesshëm” dhe me gjithë “suksesin” në zgjedhje, nuk e vuri më në listën e ministrave? Pse e përjashtoi nga Grupi parlamentar? Rama di ndonjë gjë më shumë apo nuk di asgjë për këtë çështje? Shumë shpejt shqiptarët do marrin më shumë se këto përgjigje, pavarësisht ka apo jo vullnet Rama ta bëjë një gjë të tillë: shprehet Paloka.

Debatet në Komisionin e Ligjeve: Të hiqet imuniteti i Saimir Tahirit

Përkundër vendimit për bojkot të Komisioneve parlamentare deri në votimin në Kuvend për imunitetin e Saimit Tahirit, deputetët demokratë shkuan dhe ngritën sërish çështjen e ish-ministrit tek Komisioni i Ligjeve. Demokratët bënë thirrje për të hequr imunitetin e deputetit Saimir Tahiri, si propozim për çdo nen të ligjit për tarifat gjyqësore që po diskutohej edhe pse këto propozime nuk kishin lidhje me ligjin.
Alibeaj: Ne shprehemi kundër ligjit për shpenzimet buxhetore, njësoj si për mosarrestimin e Tahirit
Fino: Asnjë vend nuk është pa pagesa gjyqësore
Alibeaj: Jo më drejtësi për qytetarët. Ky është vullneti i këtij Kuvendi. Çfarë u kuptua nga rasti Tahiri?
Manja: Keni një sallë poshtë për deklarata.
Alibeaj: Mazhoranca po pengon Reformën në Drejtësi si me rastin Tahiri. Ju nuk doni të bëni drejtësi. Ja mohuat drejtësisë të drejtën për të gjykuar Tahirin dhe qeverinë.
Manja: Lëreni se e ka porosi. Ta mbarojë e të iki.
Fino: Ligji është teknik. Nuk ka të bëjë me atë që thotë PD. Orientojeni mbledhjen sipas ligjit. S’mund të bëjmë politikë me këtë ligj.
Alibeaj: Propozoj heqjen e imunitetit të Tahirit.
Oerd Bylykbashi: Shqiptarëve u thoni 200 milionë lekë t’i mbajë gjobë ty për atë që ti kërkon aksesin në drejtësi, kurse Saimir Tahirit ia dhatë falas mbrojtjen nga drejtësia.
Alibeaj: Hapini dyert drejtësisë. Keni mundësi deri të mërkurën ta rregulloni. Ju kanë ngelur pantallonat tek gardhi i imunitetit kushtetues.
Strazimiri: Ju sot këtu nuk lejoni të përmendni emrin e Tahirit, në qoftë se kjo është porosia që keni marrë që të padyshuarin ekselent të mos e përmendni, e hoqët dhe nga grupi. Fshijini fotot të gjitha që ka me Ramën. Na e thoni të paktën. Në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari. Këtu sot nuk lejohet të përmendet emri i Saimir Tahirit. Vetëm diçka, merreni dhe nxirreni dhe publikisht atje që para se të hyjmë këtu.
Ulsi Manja: Është çështje e jona.
Gent Strazimiri: Jo është çështje e të gjithëve, jo vetëm e juaja.
Eduard Halimi: Po bëni një krim për të mbrojtur Tahirin, ju po bëni krime të tjera. Vazhdoni. 25 herë rritet tarifa gjyqësore për shqiptarët. Ligji ka vetëm një qëllim. Të rrisë maksimalisht tarifat gjyqësore. Ligji ka të bëjë me Reformën në Drejtësi.
Ulsi Manja: Drejtësia fillon tek raporti mjekësor dhe shkelja e drejtësisë me procedurë.
Oerd Bylykbashi: Drejtësinë falas për Saimir Tahirin (i rrah shpatullat Manjas gjatë largimit nga Komisioni).
Në fund, pasi deputetët demokratë e braktisën mbledhjen, socialistët miratuan të gjitha nenet e ligjit për tarifat gjyqësore.

Kush ishte militantja e Tahirit që sulmoi gazetaren

Sali Berisha zbuloi emrin e simpatizantes së Saimir Tahirit që sulmoi gazetaren Klodiana Lala tre ditë më parë. Sipas qytetarit që i shkruan Berishës në Facebook, gratë janë të grupseksionit të PS në Kombinat dhe njëra prej tyre është drejtoreshë e Spitalit të Fëmijëve. “Qytetari dixhital denoncon drejtoreshën që sulmoi si bandite gazetaren. Lexoni mesazhin dhe shikoni foton e tij. Doktor Përshëndetje sërish! Ato gratë që sulmuan gazetaret me fjalët më të ndyra janë të grupseksionit të PS në Kombinat. Njëra është drejtoreshë tek Spitali i kalamajve në QSUT. Djora Shino e ka emrin. Është ajo me rreth të kuq. Kanë nxjerrë zagaret e partive rrugëve”.

Llalla: Antimafia zbuloi se droga u trafikua me ndihmën e zyrtarëve

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla deklaroi dje se, për çështjen Tahiri, Prokuroria do të vijojë të ndjekë rrugën ligjore. Në përfundim të një aktiviteti të organizuar nga ambasada franceze që kishte në fokus pikërisht luftën kundër trafikut të drogës, Llalla tha se, trafikantët kanë mbështetje nga zyrtarë të lartë. Kryeprokurori u shpreh se, Prokuroria nuk do të tërhiqet nga çështja “Tahiri” ndërsa prokurorët kanë mbështetjen e tij. “Prokuroria do të ndjekë rrugën ligjore, siç është përcaktuar në Kodin e Procedurës, në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm ka detyrimin moral, institucional që të mbështesë veprimet e të gjithë prokurorëve”, u shpreh Llalla.
Më tej, Llalla është shprehur hapur për ndikimin që po tenton të ushtrojë qeveria për çështjen “Tahiri”. “Në Shqipëri së fundmi është miratuar Reforma në Drejtësi. Një prej risive kryesore të saj është krijimi i kushteve për një pavarësi të plotë të prokurorëve gjatë hetimeve të tyre. Pra, ata janë zotër të çështjes. Por, kjo pavarësi e plotë e tyre nuk duhet dhe nuk mund të shërbejë si një mundësi për këdo faktor, të anatemojnë dhe godasin hetimet e prokurorëve. Është shumë e rëndësishme që prokurori, në çdo rast, të zhvillojë hetimet i pandikuar dhe i pa frikësuar, edhe në ato raste kur subjekte të hetimit janë zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë publikë”, deklaroi Kryeprokurori.
Më herët në aktivitetin e ambasadës franceze, Llalla përmendi deklaratën e kreut të Antimafias italiane, Franco Roberti legalizimin e hashashit dhe shqetësimin për sasitë e mëdha të drogës me prejardhje nga Shqipëria. Kreu i Prokurorisë drejtoi gishtin nga segmente të policisë, që sipas tij kanë favorizuar trafikun.
“Në fakt, shqetësimi i tij nuk është i ri për Prokurorinë shqiptare. Zoti Roberti e ka prezantuar atë edhe gjatë takimeve tona zyrtare. Hetimet e Antimafias italiane, së fundmi, kanë siguruar të dhëna se grupe kriminale shqiptare kanë trafikuar drejt Italisë tonelata lënde narkotike kanabis në shumë raste kjo është realizuar dhe me mbështetjen e individëve që kanë për detyrë goditjen e këtij krimi. Faktet tregojne se, këto institucione më së paku nuk kanë përmbushur detyrën e tyre”, tha Llalla.
Sipas Kryeprokurorit, është e një rëndësie të veçantë që të kontrollohet vija bregdetare, pasi rastet e fundit kanë treguar se institucionet nuk e kanë bërë si duhet këtë detyrë, që lidhet me monitorimin e hapësirës detare nga sistemi i radarëve.

Trafiku i drogës me mbështetjen e atyre që duhet ta luftojnë

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla duke iu referuar hetimeve të Antimafias italiane tha se, trafiku i drogës drejt Italisë është bërë me mbështetjen e individëve që kanë për detyrë goditjen e këtij krimi të rëndë. “Hetimet e Antimafies italiane së fundmi kanë siguruar të dhëna se, grupe kriminale shqiptare kanë trafikuar drejt Italisë, tonelata lëndë narkotike kanabis dhe në shumë raste, kjo është realizuar me mbështetjen e individëve që kanë për detyrë goditjen e këtij krimi të rëndë”, deklaroi Kryeprokurori.
Llalla tha gjithashtu se, institucionet duhet të jenë më efikase në punën e tyre, pasi sipas tij faktet tregojnë se, këto institucione më së paku nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre. “Kjo është gjendja aktuale dhe situata nuk është më e mira e mundshme. Institucionet shqiptare sipas detyrave të përcaktuara nga kompetenca e tyre ligjore duhet të jenë më efikas në veprimet në terren. Këtu e kam fjalën edhe për ato institucione që e kanë për detyrë parandalimin, mbledhjen e informacionit, identifikimin dhe referimin e tyre në organin e procedurës të çdo rasti, si të individëve edhe të grupeve kriminale që kultivojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike. Gjithashtu është e rëndësishme të sigurohet një kontroll më i rreptë i vijës kufitare me mjete që ka në përdorim me qëllim zbulimin në kohë të rasteve të trafikut të lëndëve narkotike. Faktet tregojnë se, këto institucione më së paku nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre”, u shpreh Llalla.
Kryeprokurori Llalla ka bërë thirrje për heqje dorë ndaj intimidimit të prokurorëve edhe kur këta të fundit hetojnë zyrtarë të lartë. Sipas Kryeprokurorit është me rëndësi që çdo prokuror të hetojë i pavarur dhe i pafrikësuar. “Është shumë e rëndësishme që prokurori në çdo rast të zhvillojë hetimet i pandikuar dhe i pafrikësuar edhe në ato raste, kur subjekte të hetimit janë zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë. Në fund të fundit, ky është standardi ndërkombëtar që Shqipëria synon t’i përafrohet dhe ne besojmë se të gjithë bashkë të punojmë që këto standarde të arrihen në një kohë sa më të shpejtë”, u shpreh Llalla.

R.POLISI

Kapet në Itali kamioni me drogë me vlerë 1 milion euro

Policia italiane ka sekuestruar 120 kilogram kanabis në Ferrara dhe ka arrestuar pesë persona, të cilët janë shqiptarë, marokenë dhe spanjollë. Sipas hetuesve, vlera e drogës do të kapte vlerën e 1 milion euro nëse do të shitej me pakicë. Sipas mediave italiane, shqiptarët e arrestuar janë Vital Meço 43 vjeç, Tonin Bibaj 33 vjeç dhe Alfred Gjoka 36 vjeç, ndërsa dy të tjerët Joaquin Martinez 37 vjeç dhe Nour Eddine Benazzi 43 vjeç.
Droga u gjet e fshehur nga policia në një kamion mallrash që transportonte mandarina, portokall dhe shegë. Nga hetimet e deritanishme, rezulton se marijuana ishte transportuar nga Spanja dhe destinacion ishte tregu italian.
Në momentin e arrestimit, kamioni drejtohej nga spanjolli, ndërsa marokeni ishte pasagjer, kurse tre shqiptarët ishin persona që po prisnin ngarkesën. Hetimet janë duke vazhduar për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në këtë rast të trafikut të drogës.
Policia italiane ka qenë në pritje të një kamioni, ku sipas informacioneve paraprake brenda kishte lëndë narkotike. Në drejtimin e mjetit ka qenë një spanjoll dhe e shoqëronte një maroken.
Në pritje të tyre në një depo në Ferrara ishin tre shqiptarë. Pasi kanë ndaluar dhe biseduar për disa minuta, ata kanë filluar të shkarkojnë drogën e mbështjellë mirë, që ishte fshehur midis arkave të mbushura me mandarina dhe shegë.
Policët ndërhynë dhe arrestuan pesë personat menjëherë, pasi përfunduan shkarkimin e drogës. Sipas mediave, shoferi është munduar të shfajësohet menjëherë duke thënë: “Nuk dija gjë për drogën, transportoj vetëm fruta”.
Pas një kontrolli në shtëpinë e një prej shqiptarëve, policia arriti të bllokonte gjithashtu edhe disa gramë kokainë të pastër. Automjeti i mbushur me marijuanë ishte nisur nga Spanja dhe duhej të ndalonte në Ferrara. Pastaj do të ndalonte edhe në disa qytete të tjera italiane, midis tyre edhe në Milano.