25.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Grabiten 18500 euro në dy banesa në Vlorë

18 mijë e 500 euro janë grabitur në dy banesa në Vlorë. Bëhet e ditur se banesat janë grabitur ditën e djeshme, ndërsa policia nuk ka arritur të zbulojë autorët. Policia e Vlorës bëri të ditur se, rasti i parë është konstatuar në fshatin Mavrovë-Kotë, ku shtetasit A.D., i kanë vjedhur në banesën e tij një shumë vlerash monetare prej 17.000 euro. Shtetasi A.D., sëbashku me familjarët e tij nuk kanë qenë prezent në banesë në momentin, kur i janë marrë (vjedhur) prej shtetasit/ve ende të paidentifikuar shumat monetare.
Rasti tjetër është konstatuar në lagjen “24 Maji”, në banesën e shtetasit Ll.B., të cilit i kanë vjedhur, një shumë monetare prej 1500 euro”. Policia Vlorë po vazhdon punën intesivisht për zbardhjen e plotë të të gjitha rasteve të vjedhjeve, të cilat janë konstauar si edhe po vijon punën për identifikimin e kapjen e shtetasve kryerës të kësaj vepre.
Para pak ditësh, persona të maskuar dhe të armatosur grabitën një pikë karburanti në Vlorë. Roja i karburantit u lidh dhe u fut në një dhomë nga grabitësit, duke mos mundur të reagonte. Persona të panjohur lidhën rojen dhe më pas grabitën nga karburanti një shumë prej rreth 350 mijë lekësh. Punonjësi i karburantit, u gjet në mëngjes nga punonjësit e një kompanie që ndërton rrugën në këtë zonë. Lelaj, iu tha hetuesve se agresorët kishin qenë dy persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët, pasi e lidhën e mbyllën në një nga dhomat e objektit, për të kryer të qetë grabitjen. Në vetëm dy muaj, në Vlorë numërohen plot katër pika karburantesh të grabitur nga persona të armatosur të maskuar. Për asnjë prej këtyre ngjarjeve, policia nuk ka identifikuar apo arrestuar ndonjë person.

Shtyhet gjyqi për Shullazin, mungojnë prokurorët

Ka zgjatur vetëm pak minuta këtë të martë seanca e radhës ndaj Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të tjerë të grupit të akuzuar për disa vepra të rënda penale. Shkak i shtyrjes ka qenë mungesa e dy prokurorëve të çështjes, Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, që i kishin paraqitur një shkresë Gjykatës, ku e kishin justifikuar mungesën për arsye objektive. Në këto kushte, trupi gjykues vendosi të ndërpresë procesin, pasi vazhdimi i saj nuk ishte i mundur.
Ky vendim ka ngjallur reagimin e mbrojtësve të Shullazit. Avokati Vladimir Meçe e ka cilësuar si të paprecedentë sjelljen e tyre dhe ka kërkuar pushimin e çështjes, pasi sipas tij, Prokuroria me këtë veprim tregon se nuk ka forcë për të mbrojtur akuzën.
Sipas mbrojtësve, veprimi i prokurorëve nuk mund të justifikohet, pasi po të kishin qenë ata avokatë që do të kishin munguar Gjykata do të merrte masa dhe madje do t’i gjobiste. Seanca e radhës do të zhvillohet në 31 tetor, kur pritet të pyeten 4 dëshmitarë të akuzës, të cilët nuk ishin paraqitur këtë herë.

Përgjegjësja e zyrës postare i vjedh pensionet të moshuarve

Një përgjegjëse e zyrës postare në Pirg të Maliqit, ka përvetësuar një shumë parash nga tarifat e shërbimit të pensioneve të pensionistëve. “Specialistët e Seksionit kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetases A.S, 35 vjeçe, banuese në fshatin Velitërnë-Maliq, (me detyrë përgjegjëse e Zyrës Postare Pirg-Maliq).
Procedimi ndaj saj filloi pasi, dyshohet se kjo shtetase ka kryer veprime në kundërdshtim me ligjin, duke përvetësuar një sasi të konsiderueshme lekësh, nga tarifat e shërbimit të pensioneve të pensionistëve”, sqaron policia. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Vjedhja e kryer, duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Një i vdekur dhe dy të plagosur në tre aksidente

Një person ka vdekur dhe dy të tjera janë plagosur në tre aksidente rrrugore që ndodhën ditën e djeshme në Tiranë dhe Elbasan. Një aksident rrugor ka ndodhur paraditen e djeshme në rrugën “Hoxha Tahsim” në kryeqytet. Një automjet tip “Seat” me targë AA796RC ka përplasur për vdekje një 74-vjeçar. Mësohet se i moshuari po lëvizte me biçikletë në momentin, kur është goditur nga makina. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe kanë shoqëruar drejtuesin e mjetit.
Po ashtu, një person mbeti i plagosur gjatë pasdites së djeshme në autostradën Durrës-Tiranë. Ngjarja u regjistrua rreth orës 14:15, në afërsi të “Mbikalimit të Fllakës”, ku shtetasi E.B. 21 vjeç duke drejtuar mjetin tip “Benz” ka aksidentuar shtetasin këmbësor R.K. 29 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve. Drejtuesi i mjetit ndodhet në vendin e ngjarjes dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Një tjetër aksident rrugor ka ndodhur në aksin e rrugës kombëtare Elbasan-Tiranë. Dy automjetet janë përplasur pranë tunelit të Qafë-Krrabës. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të lënduar drejtuesit e automjeteve, një tip “Mercedes” dhe një BMW.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur nxjerrjen e personave të mbetur brenda njërës prej tyre. Si pasojë e përplasjes, njëri nga mjetet ka pësuar dëmtime të mëdha. Shkak i aksidentit dyshohet se ka qenë një parakalim i gabuar nga njëri nga mjetet, rreth 150 metra në afërsi të tunelit të Krrabës.

Ferma e kafshëve të Shqipërisë

Namir LAPARDHAJA

Libri “Ferma e kafshëve” i shkruar nga G. Orwell në vitin 1945 është alegoria më e mirë dhe më e jashtëzakonshme në letërsinë e shek. XX që përshkruan lindjen dhe rritjen e regjimeve diktatoriale.
Orwell e shkroi librin si mishërim të revolucionit bolshevik të vitit 1917 në Rusi, mirëpo, ashtu si veprat e mëdha letrare, alegoria është gjithëpërfshirëse dhe synon të shndërrohet në universale, për të gjithë regjimet dhe për të gjitha kohërat.
Kush e ka lexuar veprën, e ka të qartë subjektin e saj, ku kafshët e fermës “Menër” pasi kanë hequr qafe pronarin e tyre njeri, kanë marrë në dorë fatet e fermës së tyre, e drejtuar prej derrave (edhe ata në grindje me njëri-tjetrin për forcimin e pozitave dhe për marrjen e drejtimit të fermës) me parimin e famshëm se “të gjithë janë të barabartë, por disa janë edhe më të barabartë se të tjerët”.
Nuk do të ndalem gjatë tek subjekti i kësaj vepre modeste përsa i përket volumit, por që mishëron një mësim dhe mendësi universale të përpjekjes së njerëzve për liri dhe barazi, por, ashtu siç ndodh në regjimet diktatoriale, fjalëve të bukura dhe premtimeve boshe, ia zenë vendin metodat e vjetra, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse e thellojnë të keqen edhe më shumë.
Kanë një sektor propagande edhe kafshët e fermës, i cili i ushqen ato përditë me ideologjinë, mësimet, urdhëresat dhe me atë se si e se çfarë duhet të mendojnë e të besojnë.
Në përpjekjen e derrave për t’i mbajtur të nënshtruar kafshët e tjera, për të mos ngritur krye e për të mos menduar me mendjen e tyre, qëndron frikësimi i propagandës së drejtuesve të fermës për kthimin e Xhonsit, ish-pronarit njeri, i cili, pasi i kishte keqtrajtuar kafshët, një ditë nën organizimin e tyre revolucionar kishte marrë arratine për të mos u kthyer më.
Edhe pse Xhonsi, krahasur me drejtuesit e rinj dythundrak të fermës, ishte shumë herë më mirë, më i sjellshëm e më i drejtë në raport me të drejtat e kafshëve, serish propaganda e derrave shërbente për ta paraqitur atë si e keqja më e madhe dhe si rrezikun më të madh, që qëndronte tek koka e kafshëve si shpata e Demokleut, dhe që mund të rikthehej nga momenti në moment, gjë që qartazi shërbente për t’i mbajtur kafshët e tjera të nënshtruara dhe për të legjitimuar padrejtësitë e tyre në kurriz të të tjerëve.
Ka një pasazh në faqen 32 te “Ferma e kafshëve”, i cili e mishëron më së miri atë që po them:
“Shokë, thirri ai, s’besoj t’ju shkojë ndër mend se mos ne, derrat, po e bëjmë këtë duke u nisur nga interesi personal për t’i krijuar vetes privilegje. Ç’është e vërteta, një pjesë e mirë e jona nuk i venë në gojë as qumështin as mollët. Por jemi të detyruar t’i marrim me zor me të vetmin synim: ruajtjen e shëndetit. Siç e ka vërtetuar edhe Shkenca bashkëkohore, shokë, qumështi dhe mollët përmbajnë substanca absolutisht të domosdoshme për mirëqenien e derrave. Mbi supet tona ka rënë barra e drejtimit dhe udhëheqjes së jetës së fermës. As gjumi natës nuk na zë nga meraku që kemi për mbarëvajtjen tuaj. Për ju, edhe vetëm për ju, jemi të detyruar të pimë atë farë qumështi dhe të hamë ato palo mollë. Po a e dini se ç’rrezik na kanoset po të mos na krijohet ne, derrave, lehtësira për të kryer si duhet detyrën? Do të kthehet Xhonsi. Po, po! Do të kthehet Xhonsi. Pa diskutim, shokë! – klithte Skuileri, duke u tundur andej-këndej e duke spërdredhur bishtin. Nuk ma do mendja të ketë midis jush ndonjë që ka qejf t’i kthehet Xhonsi këtu, apo jo?
E pra, nëse kish gjë në botë që kafshët e lakmonin më tepër, kjo ishte dëshira që Xhonsi të mos kthehej më në asnjë mënyrë.
Po t’ua shtrojë kështu çështjen, mbeteshin pa asnjë argument kundërshtimi.
Tani dilte fare e qartë se sa e rëndësishme ishte mirëmbajtja e derrave dhe ruajtja e shëndetit të tyre. Ndaj, pa i zgjatur shumë debatet, u ra në një mendje që qumështin dhe mollët e rrëzuara (por edhe pjesën më të madhe të mollëve të tjera, pasi të vileshin) t’ua rezervonin derrave”.
Skuileri, si një ndër shefat e propagandës së fermës së kafshëve, di mjaft mirë se çelësi i sekretit të manipulimit është të tremburit me rikthimin e Xhonsit, rrezik që vjen nëse derrave nuk i krijohen lehtësi dhe privilegj në ushtrimin si duhet të detyrës.
Kush e ndjek diskurin e propagandës së pushtetit në Shqipëri mjafton të lexoje këtë fragment të romanit për të kuptuar më së miri manipulimin e regjimeve diktatoriale nëpërmjet frikësimit të rikthimit të atyre që kanë qenë më parë, duke mos u ndalur e jetuar më të tashmen dhe të vërtetën, por me të shkuarën dhe të shërbyerit të saj si gogol për të trembur masat e popullit.
Në debatin e ditëve të fundit për rastin e ish-ministrit të Brendshëm, “Xhonsi” një herë janë prokurorët e çështjes, të cilët identifikohen si tropojanë dhe kushërinj të ish-Kryeministrit Berisha (edhe ky një tjetër “Xhons”), gjë krejtësisht e pavërtetë dhe mashtrim. Por si “Xhonsi” shërbejnë edhe Gërdeci, 21 Janari, Rruga e “Kombit” etj. Askush nuk merret me çështjen dhe thelbin e saj, por, sipas parimit të dythundrakëve të “Fermës së kafshëve, nxitojnë të gjejnë gogolin, një “Xhons” modern dhe bashkëkohor, i cili shërben për të legjitimuar çdo poshtërsi dhe padrejtësi aktuale.

Pse Rama nuk ja “dorëzon” Tahirin drejtësisë!

Belind KELLIÇI

Sot përkrahësi i zjarrtë i drejtësisë së pavarur Edi Rama, ka rastin e parë dhe të fundit të tregojë se sa e do drejtësinë duke miratuar kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Tahirit.
Fjalia e famshme e Edi Ramës “s’keni parë asgjë akoma” që u përdor si kërcënim nga Tahiri menjëherë, pasi Edi Rama e quajti “dru të shtrembër”, ndryshoi gjithçka në qëndrimin e socialistëve dhe solli një mobilizim për ta mbrojtur atë duke kërcënuar, prokurorët, mediat, opozitën e këdo tjetër që kërkonte drejtësi.
Ajo fjali ndryshoi gjithçka në qendrimet dhe veprimet e Edi Ramës, i cili refuzon t’ia dorëzojë Tahirin drejtësisë, refuzon të lerë drejtësinë të zbardhë të vërtetën deri në fund. Dhe gjithçka është e qartë. Edi Rama është udhëheqësi dhe përfituesi më i madh i trafikut të armëve dhe drogës prandaj nuk e “dorëzon” dot Tahirin, se ai merr automatikisht me vete dhe Ramën.
Edi Rama nuk e dorëzon Tahirin, sepse ai më mirë se kushdo i di lidhjet dhe përfitimet e Ramës dhe familjarëve të tij në trafiqet e drogës, në shumat e parave që mbushin xhepat e tyre dhe përdoren për të blerë vota.
Edi Rama kërcënon drejtësinë, sepse e di që Tahiri është veç i pari në listën e gjatë të ministrave dhe funksionarëve të lartë të shtetit të Ramës, të përfshirë në trafik droge e aktivitete të tjera kriminale.
Sot është dita për ta kuptuar pse nuk e donte Edi Rama drejtësinë e pavarur!
Edi Ramës i dhemb drejtësia e pavarur, sepse si askush tjetër në historinë e botës demokratike, ai është i zhytur në krim dhe korrupsion. Si askush tjetër, Edi Rama bën jetën e një sheiku me paratë që u merr të sëmurëve me shëndetësinë e tij “falas”, me taksat e rritura dhe që po i rrit sërisht, me çmimin e rritur të energjisë dhe karburantit, me koncesionet dhe me të ardhurat prej miliona eurosh nga kanabisi, kokaina, heroina dhe armët që trafikohen me bekimin e tij.
Një drejtësi e pavarur do ta kishte vënë me kohë pas hekurave Edi Ramën. Prandaj nuk i duhej një drejtësi e pavarur Edi Ramës. Prandaj bëri gjithçka që ta verë atë nën kontrollin qeveritar. Mund të ketë shumë arsye për të kritikuar PD sot, por ama s’ka shqiptar që nuk i është mirënjohës për qendresën e saj kundër kapjes së drejtësisë, për pastrimin e politikës nga krimi, për betejën kundër drogës dhe korrupsionit.
Edi Rama doli lakuriq me përbetimet e tij për ta lënë drejtësinë të flasë, sepse ai duhet të ishte edhe para Tahirit prapa hekurave. Edi Rama do bëjë gjithçka për të mos lejuar zbardhjen e të vërtetës për përfshirjen e Tahirit në trafik, sepse ky do të jetë fundi i tij dhe qeverisë së tij. Prandaj ka nisur misionarët e tij në Itali e kudo për të mbrojtur Tahirin, por a do t’ia dalë dot?!
Pafajësia mbrohet në gjykatë, jo me letra “bakalli”
Dalja e Tahirit dje para medias të kujtonte daljen e Elvis Roshit. Si për Tahirin dhe për Roshin në letrat e servirura medias, dilte se ishin të pastër. Të gjithë e dinë se si vetëm pak muaj më pas letrat treguan të kundërtën. Jo vetëm Roshi kishte disa emra, por ishte dhe i dënuar për përdhunim në grup. Dje të njëjtën gjë bëri Tahiri. Në asnjë rresht letra e Tahirit nuk thoshte që ai nuk i kishte ndihmuar kushërinjtë Habilaj në trafik droge, për të cilën dhe akuzohet, nuk thoshte se makina e tij AA003GB nuk është përdorur për trafik droge ndërsa ishte e regjistruar në emrin e tij, nuk thoshte që Tahiri nuk ka përfituar deri në 5 mln euro në muaj nga trafiku i drogës, nuk thoshte që Tahiri nuk ka marrë dhurata të çmuara nga kushërinjte Habilaj. Letra e djeshme pas së cilës Tahiri u mundua të shfajësohej, nuk ishte as më shumë e as më pak se letra me të cilën Elvis Roshin mundohej të na mbushte mendjen se ishte i pafajshëm.
E dorëzoi apo jo Tahirin para drejtësisë, sot s’ka shqiptar apo partner ndërkombëtar që nuk e ka të qartë se si i fitoi zgjedhjet Edi Rama, se si vetëm njërit prej drejtuesve të qarqeve të fushatës elektorale të PS, i duheshin 20 milionë euro për fushatë, e po t’i shumëzojmë këto me 12 qarqe janë plot 240 milionë euro të hedhura në fushatën elektorale për të blerë vota, para që vijnë nga krimi dhe korrupsioni.
Kjo është një ditë e zezë për organizatën mafioze që drejton Edi Rama.
Tahiri është vetëm maja e ajsbergut që ka nisur të zbulohet, e krimit ku është zhytur qeveria e Edi Ramës dhe që nuk fshihet dot pas mandateve parlamentare.
E vërteta shpejt do dalë në pah.
O sot o kurrë, Shqipëria duhet çliruar nga krimi dhe droga.

“Patjetër që e kam një vijë të kuqe”

-Zoti Kurz, ju jeni 31 vjeç dhe në pritje për t’u bërë Kancelari më i ri austriak. E “pickoni” nganjëherë veten?
Jo aspak. Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë që po marr. Gjërat janë zhvilluar shumë shpejt për mua gjatë viteve të fundit, por nuk kanë ndodhur sot për nesër. Kam më shumë se 6 vite përvojë në qeveri. E mora shumë seriozisht vendimin për të kandiduar. Në maj, vendosa ta ndryshoj Partinë Popullore dhe të nis një lëvizje me bazë të gjerë që synonte në ndryshimin për mirë të këtij vendi.

-A mund të kuptoni se disa njerëz janë paksa të “ngecur” që shikojnë një të ri në krye të vendit?
Sikur ky të ishte mendimi publik austriak, nuk do të kishin votuar për mua. Austriakët kanë pasur kohë që ta provojnë se kush jam unë. Kandidatët tanë kanë qenë në skenën politike për periudha shumë më të pakta kohe sesa unë. Votuesit ndoshta qenë shumë më pak familjarë me disa prej kandidatëve në zgjedhjet gjermane, që më parë qenë në Bruksel.

-Do të donit nganjëherë të kishin më shumë përvojë jetësore për ta sjellë në postin e ri?
Jemi ata që jemi. Nuk mund të bëhesh 30 vjet më i vjetër sa hap e mbyll sytë. Njerëzit që janë më të moshuar kanë avantazhin e një përvoje më të madhe, por nuk duhet të dëshpëroheni pse jeni i ri. Nëqoftëse mosha e re është problem, atëherë mund të ngushëlloheni me faktin se bëhet më mirë me çdo ditë që kalon.

-Për pamjen tuaj është shkruar dhe komentuar në mënyrë konstante. Ju bezdis një gjë e tillë?
Nuk mund të them se e kam vënë re. Gjatë fushatës elektorale fokusi ishte në shumë gjëra të tjera, në çështjet, në stilin e të bërit fushatë, në “fushatën e pistë” dhe metodat që nuk i duam këtu në Austri. Mënyra sesi dukeshin kandidatët realisht nuk ishte në fokus.

-Javën e kaluar një gazetë në Vjenë indirekt ju krahasoi me Jörg Haider, politikanin kontradiktor austriak të së djathtës ekstreme që humbi jetën në një aksident me makinë në 2008.
Jam krahasuar me Haider dhe me Viktor Orbán, gjithashtu jam përshkruar edhe si koneja e Angela Merkel. Asnjëri nuk i korrespondon të vërtetës, por jam i vetëdijshëm se njerëzit goditen në politikë dhe në media. Përpiqem që ta luftoj atë me idetë që paraqes.

-Në zgjedhjet e 15 tetorit, Partia Popullore Austriake e qendrës së djathtë (ÖVP) dhe Partia e Lirisë së Austrisë e ekstremit të djathtë (FPÖ) morën sëbashku 60% të votave, duke shënuar numrin më të madh të qendrës së djathtë qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Si e shpjegoni këtë rrëshkitje nga e djathta?
ÖVP-ja dhe Partia Socialdemokrate (SPÖ) kanë gjithashtu një mbështetje të përbashkët prej 60%. Por qartazi FPÖ-ja e rriti mbështetjen e saj. Kjo duket se tregon që më shumë votues u tërhoqën nga platforma e partisë. Si një parti e hapur, ne e morëm momentumin nga shoqëria mbizotëruese. Kur mora lidershipin e partisë në maj, ne morëm vendim të lançonim një lëvizje me bazë të gjerë. Gjatë muajve të fundit siguruam 200 000 mbështetës të rinj dhe kjo në një vend të vogël me një popullsi prej 9 milionë banorësh.

-Po përpiqeni të thoni se pikëpamja se ka pasur një rrëshkitje nga e djathta është nonsens?
Rezultati i votimeve nuk lë vend për dyshime. Partia Popullore fitoi. Parti të tjera, si ajo Socialdemokrate, kanë fituar vetëm dy herë në 50 vjet. E dimë që kemi marrë shumë vota nga njerëz që më parë votonin për Alternativën e Gjelbër.

-A nuk është axhenda juaj më e spostuar nga e djathta?
Është gjithnjë e më shumë e vështirë për austriakët punëshumë që të krijojnë asete. Ne paguajmë taksa shumë të larta. Diferenca midis pagës bruto dhe të ardhurave neto është më e lartë, këtu se në çdo vend tjetër në botë. Koeficenti i taksës dhe kontributeve është dukshëm më i madh këtu sesa në Gjermani, edhe pse keni spitale dhe shkolla të mira. Ne duam që të shkëputemi nga strukturat e kalcifikuara dhe të krijojmë një shtet të hajthëm të orientuar nga shërbimet. Shpenzimet në sektorin e shëndetësisë janë trefishuar qysh nga 1990, por cilësia e tij, sidomos në Vjenë, është përkeqësuar. Jemi afër së pasuri një sistem të kujdesit shëndetësor me dy nivele.

-A mundet një njeri ta rimodelojë seriozisht një parti, bile edhe një vend të tërë?
Askush nuk mund ta bëjë vetë. Por gjatë gjithë karrierës time politike nuk kam bërë kurrë gjithçka vetëm. Përkundrazi, kemi ndërtuar lëvizjen me bazën më të gjerë që ekziston në Austri dhe kemi numrin më të lartë të parlamentarëve, të cilët sjellin me vete përvojat e tyre në fusha të ndryshme, qoftë kjo ekonomia apo shkenca.

-Cilin do të preferonit, një koalicion me FPÖ-në e ekstremit të djathtë, që nuk do të përcillej mirë në skenën ndërkombëtare, apo me SPÖ-në e qendrës së majtë, që nuk do të përcillej mirë në Austri?
Objektivi im është të formoj një qeveri të qëndrueshme që është e fortë mjaftueshëm sa për të sjellë ndryshim. Një qeveri minorance është gjithashtu një opsion nëqoftëse dështojmë të gjejmë një partner koalicioni, por ky nuk është objektivi im. Shumë vendime në Austri kërkojnë një mazhorancë prej 2/3. Kjo do të ishte e mundur, për shembull, në dakordësimin me NEOS-in, një lëvizje liberale qytetarësh.

-Me kë do të pëlqenit të qeverisnit?
Do të bisedoj me të gjitha partitë. Më duhet të pres dhe të shoh se çfarë do të thonë.

-A do të ishte alternativë për FPÖ-në një koalicion me SPÖ-në e drejtuar nga Hans Peter Doskozil, që aktualisht është ministër Mbrojtjeje dhe në anën konservatore të partisë së tij?
Doskozil dhe unë kemi punuar mirë sëbashku. Kam respekt për të.

-Emigracioni qe një prej çështjeve kryesore të fushatës tuaj. A tregon fitorja juaj se është e mundur që të përfitosh nga partitë e ekstremit të djathtë nëpërmjet adoptimit të platformave të tyre?
Politikanët duhet të bëjnë atë çka besojnë se është e drejtë më shumë sesa të ndjekin strategji që mendojnë se do t’u sjellin vota. Qysh nga fillimi i krizës së refugjatëve, unë kam adoptuar një linjë të qartë, të qëndrueshme dhe, po deshët, të ashpër ndaj emigracionit ilegal. Nëqoftëse dështojmë të kontrollojmë emigracionin në vende si Austria, atëhere rrezikojmë të vëmë në pikëpyetje rendin dhe sigurinë publike. Nuk është vetëm për njerëz nga Siria dhe Iraku, por për milionat e njerëzve nga Afrika që janë të përgatitur të vijnë në Europë, nëqoftëse mendojnë se dera është e hapur.

-Heinz – Christian Strache, lideri i FPÖ-së, thotë se rreth 60% e austriakëve votuan për platformën e FPÖ-së në këto zgjedhje, në thelb një akuzë se propozimet tuaja politike janë njëlloj si të tijat?
Strache ka të drejtë kur thotë se ka disa mbivendosje dhe ngjashmëri në aspekte të caktuara të platformave tona, por në çështje të tjera ne mbivendosemi në partitë e tjera. Kjo është gjë e mirë. Si do të ishim në gjendje ndryshe të punonin sëbashku në politikë? Do të më pëlqente të shikoja më shumë mbivendosje në nivel europian.

-Nganjëherë jeni krahasuar me Presidentin francez Emmanuel Macron në raport me moshën. Megjithatë, ai ju kundërvu fuqishëm Frontit Kombëtar, ekuivalentit francez të FPÖ-së. Ndërkohë, ju po konsideroni një koalicion me një parti të ekstremit të djathtë. Cila strategji është e duhura?
Macron ka vullnetin që ta ndryshojë për mirë Europën, gjë për të cilën, si qytetar i Europës dhe politikan austriak, jam shumë i lumtur. Do të bëj gjithçka mundet për ta mbështetur atë dhe të tjerë që janë të vendosur ta ndryshojnë dhe fuqizojnë Bashkimin Europian. Për sa i përket qëndrimit të tij ndaj Marine Le Pen, sistemet tona politike nuk mund të krahasohen. Në Austri, partia më e fuqishme ka një mandat dhe i duhet të gjejë partner koalicioni. Për mua, ka dy partnerë të mundshëm. Gjithashtu është e mundur që SPÖ-ja do të qëndronte në pushtet po të bënte koalicion me FPÖ-në kundër fituesit të zgjedhjeve.

-E shikoni FPÖ-në si një parti krejtësisht normale, edhe me një lider si Heinz-Christian Strache, një njeri të cilin edhe Jörg Haider e shikonte si shumë agresiv?
Partitë janë ndryshe. Unë jam aktiv në politikë qysh 17 vjeç. Pozicionet dhe idealet e mia janë të qarta, por në një demokraci nuk janë vetëm opinionet e tua që kanë vlerë. Janë 5 parti të përfaqësuara në Parlamentin austriak. Të gjitha janë të zgjedhura demokratikisht dhe të tëra kanë legjitimitet.

-Duhet t’i keni parë fotografitë e Strache me uniformë të plotë ushtarake që bën manovra në pyll. Përfshirja e tij me skenën e së djathtës ekstreme shkon thellë në vite. Nuk keni frikë ta emëroni një njeri të tillë si zëvendëskancelar?
I kam parë fotot. Mendoj se janë bërë përpara se të lindja unë.

-Kjo nuk ndryshon asgjë.
Votuesit kanë të drejtë të vendosin. Nuk ka asnjë vendim të gabuar. Si një parti kryesore proeuropiane, ne qartazi që i fituam këto zgjedhje dhe partitë në vendin e dytë e të tretë janë njëlloj të forta.

-Sigurisht, votuesit mund të zgjedhin kë të duan, por ama nuk keni nevojë të formoni koalicion me një parti që është haptazi ksenofobike?
Është vendimi im se me cilin formoj koalicion. Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë. Do të zhvilloj bisedime dhe do të bëj çka mundem për të formuar një qeveri të qëndrueshme që është në interesin më të mirë të vendit.

-Në Gjermani Jens Spahn, një anëtar konservator i komitetit ekzekutiv të Unionit Kristian Demokrat (CDU) të Kancelares Angela Merkel, është një prej mbështetësve tuaj më të mëdhenj. Bile ka qenë i pranishëm në festën e zgjedhjes tuaj. Pse jeni kaq aleatë?
Qesh shumë i gëzuar që ai mori pjesë në të si përfaqësues i partisë tonë simotër në Gjermani. E vlerësoj që ai ka një pozicion të qartë për çështjet dhe e deklaron atë në mënyrë të paekuivok. Shpesh politikanët nuk janë aq të qartë sa duhet të jenë, nga frika e reperkusioneve negative. Në mënyrë të veçantë, ministrat e Jashtëm duhet të jenë mjaft diplomatikë. E shikoj atë si vizionar, por jam në marrëdhënie të mira me të tjerë në CDU dhe CSU, përfshi Wolfgang Schäuble dhe Ursula von der Leyen. U ndjeva i lumtur që Angela Merkel qe e para që më telefonoi dhe më përgëzoi natën e zgjedhjeve. Po pres që të bashkëpunoj me të.

-Do t’ju pëlqente ta shikonit Jens Spahn të bëhej Kancelar gjerman kur Merkel do të vendoste të tërhiqej?
Si kancelare gjermane, Angela Merkel është një prej politikanëve më me përvojë në Europë dhe ka arritur që të fitojë 4 zgjedhje radhazi. Ajo ka një ekip të shkëlqyer që përfshin politikane të tillë si Jens Spahn dhe të tjerë që mund të arrijnë lartësi të mëdha në jetët e tyre.

-Keni qenë në kontakt me politikanët e CDU-së në 2016 kur po përgatiteshit që të mbyllnin rrugën ballkaniko – perëndimore të refugjatëve, deri-diku prapa kurrizit të Merkel?
Ka pasur gjithmonë një shkëmbim midis Austrisë dhe Gjermanisë, edhe kur kemi pasur opinione të ndryshme, si ai lidhur me çështjen e emigracionit.

-Ju jeni një figurë përçarëse brenda CDU-së. Krahu i djathtë i partisë bën kujdes që të bëhet aleat me ju, ndërsa shumë mendojnë se partia duhet të ndjekë shembullin tuaj.
Unë kam një pozicion të qartë lidhur me çështjen e emigracionit. Ama kjo nuk është çështja e vetme dhe në të tjera jam dakord me të tjerët në CDU. Kështu funksionon në politikë.

-Angela Merkel dhe CDU-ja fituan zgjedhjet, por humbën më shumë se 8 pikë përqindjeje krahasuar me zgjedhjet e 2013. Si e shpjegoni këtë?
CDU-ja mori 33% të votave në këto zgjedhje. Unë mora 31.5%. Për ne ky qe një rezultat realisht i mirë. Nëqoftëse konservatorët gjermanë kanë nevojë për këshilla, këto sigurisht që nuk mund të vijnë nga parti që kanë marrë më pak vota se ata.

-Në mendimin tuaj, cila qe më rezultativja në dhënien fund të krizës së refugjatëve në 2016: mbyllja e rrugës ballkanike, një lëvizje që u avancua nga ju, apo marrëveshja e Bashkimit Europian me Turqinë, që e mbështeste Merkel?
Të dyja qenë efikase, të dyja kishin kuptim. Çfarëdo mase që përdorim për ta ndaluar emigracionin ilegal dhe për të dhënë ndihmë në vendet e origjinës është masë e mirë. Muajve të fundit, falë Zotit, gjërat po lëvizin në drejtim të mirë në nivel europian. Italia e ka ndryshuar krejtësisht politikën e saj, por do të ishte gabim fatal të mendohej se problemi i emigracionit është zgjidhur dhe bënim pushim. Numrat janë më të ulëta ndaj sa kanë qenë në vitet e fundit, por ende janë shumë të larta dhe presioni që e shtyn emigracionin nuk ka gjasa që të ulet.

-Çfarë do të donit të ndodhte?
Në një nivel europian ne duhet të luftojmë fort për t’i dhënë fund emigracionit. Frontex ka nevojë për një mandat krejtësisht të ri, kemi nevojë të krijojmë një politikë të përbashkët mbrojtjeje për kufijtë tanë të jashtëm që nuk e lënë Italinë dhe Greqinë të përballen vetë me problemin. Ne në Austri jemi të përgatitur që të bëjmë pjesën tonë me polici dhe forca ushtarake.

-Gjatë fushatës elektorale, ju keni folur rreth mbylljes së rrugës mesdhetare. Si do të funksiononte kjo gjë?
Ne duhet të bëjmë të qartë se çdo njeriu që përpiqet të futet ilegalisht në Europë nuk do t’i jepet azil. Duhet t’i ndihmojmë njerëzit në kufijtë e jashtëm e Bashkimit Europian, të kujdesemi për ta, por më pas duhet t’i kthejmë mbrapsht në vendet e tranzitit apo vendet e tyre të origjinës. Ne duhet të marrim njerëz vetëm nëpërmjet programeve të riatdhesimit dhe rritjes së asistencës në vendet e origjinës.

-Si do të funksiononte kjo? Do t’i ndaloni varkat dhe pasagjerët do t’i ktheni mbrapsht në Libi?
Sa për fillim, ne kemi nevojë të bashkëpunojmë më shumë me rojen bregdetare libiane në mënyrë që njerëzit as të mos e nisin udhëtimin dhe anijet as të mos lëvizin. Me t’u kapur, ata nuk duhet të dërgohen në territorin italian dhe, në qoftëse nuk është e mundur të kthehen nga kanë ardhur, duhet të dërgohen në qendra të sigurta ku mund të ketë përkujdesje për ta. Por nuk duhet t’u premtohet një jetë më e mirë në Europë. Nëqoftëse e bëjmë këtë premtim, atëhere më shumë njerëz do të orvaten që të vijnë këtu.

-Në kulmin e krizës së refugjatëve në 2015, cili qe gabimi më i madh i Kancelares gjermane?
Gabimet e saj nuk janë në thirrje këtu. Shumë në Europë po mëshonin për një politikë, e cila ishte e gabuar – një politikë kufijsh të hapur. Ata mendonin se kushdo që arrinte të vinte në Europë duhet të kishte të drejtën për të aplikuar për azil këtu. Kështu që numra të mëdhenj njerëzish e kapën rastin. Rezultati qe që ne nuk qemë në gjendje të përballemi dhe shumë njerëz humbën jetët e tyre në Mesdhe. Gjithmonë e kam refuzuar këtë politikë dhe, falë Zotit, jo shumë politikanë kanë vazhduar ta ndjekin atë.

-Do t’i bashkonit forcat me vendet europianolindore lidhur me çështjen e emigracionit?
Jam shumë i lumtur për çdo vend në Bashkimin Europian që ka të njëjtin pozicion si i yni lidhur me emigracionin. Në këtë moment janë shumë dhe po bashkohemi nga të tjerë çdo muaj. Nuk do ta zgjidhim problemin e emigracionit nëpërmjet shpërndarjes së emigrantëve anembanë Europës.

-Si e shikoni rolin tuaj në marrëdhëniet me Hungarinë dhe Republikën Çeke, vende me të cilat Austria ka lidhje të ngushta?
Austria mund të ishte një lloj ure lidhëse midis Europës Lindore dhe Perëndimore. Ekonomikisht, kjo ka qenë gjithmonë mjaft e dobishme dhe besoj se ky është gjithashtu roli ynë politikisht.

-Ju e përshkruani veten si një proeuropian i fuqishëm, por po konsideroni koalicionin me një parti euroskeptike. Çfarë shpresoni të arrini kur Austria do të marrë Presidencën e radhën e Këshillit Europian vitin e ardhshëm?
Unë përfaqësoj një parti kryesore tradicionale dhe votuesit më kanë dhënë një mandat si një agjent proeuropian ndryshimi. Do të donim Bashkimin Europian më subvencionues e më bashkëpunues dhe të tërhiqej disi në plan të dytë lidhur me çështje ku shtetet kombe mund të marrin vendime më të mira.

-Çfarë nënkupton saktësisht kjo?
Ne kemi nevojë për bashkëpunim më të ngushtë lidhur me politikën e jashtme dhe të mbrojtjes. Në mënyrë të veçantë shtetet më të mëdha anëtare nuk janë gjithmonë të interesuara, por ne jemi. Nuk kemi nevojë për një bashkim social. Si supozohet të funksionojë ky? Standardet austriake duhet të bien në nivelet e atyre rumune? Rroga më e ulët e Austrisë prej 850 eurosh duhet të vendoset në Rumani, ku do të ishte shumë më e lartë se e ardhura mesatare? Nuk kemi nevojë gjithmonë për më shumë rregulla në Europë, por duhet të shikojmë sesi po respektohen ato ekzistuese, nga Maastricht në Dublin.

-Do t’u kundërviheshit në Bruksel reformave të propozuara nga Emmanuel Macron?
Më pëlqejnë shumë prej ideve të tij. Sidomos ato çka thotë lidhur me emigracionin dhe sigurinë. Përsa i përket politikës së buxhetit, ne jemi më afër me Gjermaninë. Jam dakord me Wolfgang Schäuble. Ka disa çështje të tjera ku nuk jam dakord me Francën apo Gjermaninë dhe nuk ka asgjë të gabuar lidhur me këtë.

-Çfarë do të bënit nëqoftëse SPÖ-ja dhe FPÖ-ja do të formonin një koalicion për t’ju mbajtur jashtë?
Presidenti austriak e ka fjalën pas zgjedhjeve. Është një problem me të cilin nuk po ndeshemi aktualisht.

-Ju u bërë ministër i Jashtëm në moshën 27-vjeçare dhe përgatiteni të bëheni Kancelar në atë 31-vjeçare. Çfarë do të jeni duke bërë kur të jeni 45? Keni ambicie të tjera?
Mund të bëhem entuziast për shumë gjëra dhe kam gëzuar gjithçka kam bërë në jetën time deri tani. E kam ditur gjithmonë se nuk do ta shpenzoj të gjithë karrierën time në politikë. Do të jem politikan për aq kohë sa do të ndjej se kam diçka për të kontribuar. Por, për të qenë të ndershëm, nuk jam aspak i frikësuar se ka gjithashtu gjëra të bukura në jetë jashtë politikës.

 

Përgatiti
ARMIN TIRANA

1800 faqe të antimafias italiane rrëzojnë Tahirin

Parlamenti shqiptar sot ka provën, nëse do të zgjedhë drejtësinë dhe barazinë para ligjit apo do të zyrtarizojë dy standardet e Ramës e do të marrë në mbrojtje krimin. Partia Demokratike dhe opozita qëndrojnë në anën e drejtësisë dhe barazisë para ligjit
Partia Demokratike ka zhvlerësuar dje pretendimin e Saimir Tahirit dhe dokumentin e tij “të pafajësisë” të paraqitur para medias për akuzat e ngritura ndaj tij nga Prokuroria shqiptare. Saimir Tahiri doli dje në një konferencë për shtyp, ndërsa publikoi një dokument që sipas tij konfirmonte se ai nuk është në kërkim nga Prokuroria e Katanias. Në një deklaratë për mediat, Enkelejd Alibeaj nga selia e PD deklaroi se, Prokuroria e Katanias ka arrestuar Moisi Habilajn dhe kërkon anëtarët e tjerë të bandës, në krye të së cilës është Saimir Tahiri. Ai deklaroi se Parlamenti shqiptar sot ka provën, nëse do të zgjedhë drejtësinë dhe barazinë para ligjit apo do të zyrtarizojë dy standardet e Ramës e do të marrë në mbrojtje krimin. Partia Demokratike dhe opozita qëndrojnë në anën e drejtësisë dhe barazisë para ligjit. “Letra që nxori sot Saimir Tahiri mund të tundet për militantët e oborrit, por për askënd tjetër. Prokuroria e Katanias ka arrestuar Moisi Habilajn dhe kërkon anëtarët e tjerë të bandës, sepse ata janë kapur duke e kryer aktivitetin kriminal në territorin e tyre, në Itali. Prokuroria e Katanias nuk mund dhe nuk e ka për detyrë të procedojë ministrin në Tiranë, që mbështet, lehtëson dhe i hap rrugën bandës në trafikun e drogës. Kjo është detyrë e Prokurorisë shqiptare. Pikërisht, këtë detyrë të Prokurorisë dhe drejtësisë shqiptare, Edi Rama dhe Saimir Tahiri po e pengojnë, duke mos pranuar kërkesën e saj. Aktakuza e antimafias italiane për Tahirin janë 1800 faqe prova, dëshmi dhe fakte të drejtësisë italiane tregojnë përfshirjen direkte të Tahirit dhe përfitimet e tij në miliona euro nga trafiku i tonelatave me drogë. Çdo qytetar shqiptar do të ishte në burg me këto prova. Por Saimir Tahiri jo, sepse ka imunitet dhe sepse e mbron Edi Rama”, tha Alibeaj. Alibeaj tha se, “Arsyet pse e mbron Edi Rama tashmë janë të qarta për këdo. Sepse është i kapur, sepse Tahiri nuk do të rrinte duarkryq, por siç ia ka bërë të ditur, do të nxirrte provat dhe materialet që ka për përfshirjen direkt të Edi Ramës, të familjarëve të tij, të ministrave të tij, në afera të rënda kriminale. Ndaj, Edi Rama jo vetëm nuk miratoi kërkesën, çka pritet ta finalizojë nesër në Parlament me votën kundër, por edhe më shumë, ka nisur një sulm të paprecedentë ndaj Prokurorisë. Një sulm frontal, të paprinciptë dhe shantazhe të njëpasnjëshme, ku dallon këtu kërcënimi ndaj dëshmitarit që ka Prokuroria e Krimeve të Rënda, për lidhjen e Tahirit me Habilajt. Ndërkohë që ndaloi drejtësinë të bënte punën e saj, Edi Rama i dha kohën e duhur Tahirit të pastronte shtëpinë dhe të zhdukte provat që e lidhin me bandën e trafikut të drogës. Parlamenti shqiptar nesër ka provën, nëse do të zgjedhë drejtësinë dhe barazinë para ligjit apo do të zyrtarizojë dy standardet e Ramës e do të marrë në mbrojtje krimin. Partia Demokratike dhe opozita qëndrojnë në anën e drejtësisë dhe barazisë para ligjit”.

Raporti i opozitës: Provat që kapin Ramën pas Tahirit

Raporti i plotë prej 22 faqësh që Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të paraqesin sot në Kuvend për të mbështetur kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda argumenton se pse Kuvendi duhet të pranojë kërkesën e Prokurorisë për hetimin dhe arrestimin e deputetit Saimir Tahiri. Pas shqyrtimit të akteve dhe diskutimit të çështjes, thuhet në draftin që do të kërkohet të votohet të mërkurën, anëtarë të Këshillit për Imunitetin, konkluduan se në seancën plenare Kuvendit duhet t’i rekomandohet miratimi i dhënies së autorizimit për “Arrestimin ose heqjen e lirisë, si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesave të deputetit Saimir Tahiri”. Opozita pasqyron të gjitha zhvillimet e tetorit 2017, kur në Itali është arrestuar Moisi Habilaj dhe disa shtetas të tjerë, të dyshuar për veprën penale të trafikimit të narkotikëve. Sipas opozitës, faktet e grumbulluara nga autoritetet italiane u bënë publike nga mediat italiane dhe patën jehonë të gjerë edhe në opinionin publik në Shqipëri me raportin 150 faqesh të përgjimeve ku të akuzuarit përmendnin dhe emrin e Saimir Tahirit.
“4 vjet kishin zhvilluar qetësisht trafikun ndërkombëtar të drogës, për bisedat midis familjarëve Habilaj dhe anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal, që dëshmonin për kontakte të shpeshta me deputetin Saimir Tahiri dhe për lidhje të ngushta me të, gjer tek dhënia e dhuratave dhe e shpërblimeve të paligjshme, për veten, familjarët dhe partinë politike të tij që t’i përdorte për zgjedhje, si pasojë e krijimit prej tij të mbështetjes dhe lehtësimit për trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve.
Po ashtu në raportin e PD- LSI thuhet se: Vëllezërit Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë patur lidhje të ngushta me deputetin Saimir Tahiri dhe duke përfituar nga këto lidhje të ngushta dhe përmes shpërblimeve, kanë arritur të bëjnë të mundur, krijimin e kushteve për kultivimin në sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike në Shqipëri, transportimin e tyre në mënyrë të organizuar me destinacion jashtë shtetit, me skafe, peshkarexha dhe automjete, ndër të tjera makina “Audi” me targë AA003GB.
Gjithashtu opozita shprehet se, deputeti Saimir Tahiri ka siguruar paprekshmërinë e grupit të strukturuar kriminal.
“E gjithë veprimtaria kriminale mbështetej në bashkëpunimin e grupit të strukturuar kriminal, me strukturat e Policisë së Shtetit, kryesisht ato të Drejtorisë së Qarkut Vlorë, por jo vetëm. Ky bashkëpunim është realizuar, nisur nga fakti se deputeti Saimir Tahiri, kontrollonte dhe drejtonte shërbimet e Policisë së Shtetit, për shkak të funksionit që ushtronte në atë kohë, pikërisht atë të ministrit të Brendshëm. Edhe një herë në vëmendje sillet shitja e makinës së Tahirit te Habilajt, që për PD tregon favorizimin e grupit kriminal. Sa i përket qëndrimeve të mazhorancës opozitarët shtojnë se, ligji nuk kërkon që Kuvendi në procedurën e dhënies së autorizimit të vlerësojë cilësinë e provave apo shkallën e besueshmërisë së tyre. Kuvendi, në cilësinë e pushtetit legjislativ, në këtë lloj procedure ka vetëm një detyrë: të sigurojë që deputeti në procedurë të mos jetë peng i përdorimit abuziv politiko-partik për shkak të veprimtarisë së tij parlamentare”.

Tahiri vendosi në shërbim të organizatës strukturat e shtetit

Në konkluzionet e raportit të deputetëve të PD-LSI thuhet se, Tahiri dyshohet se i ka vendosur në shërbim organizatës kriminale të gjitha strukturat e shtetit. Gjithashtu, sipas deputetëve, lëvizja e lirë e Tahirit në krah të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dekurajon dëshmitarët kundër tij që ndodhen brenda dhe jashtë vendit. Në raport shprehet shqetësimi mbi një rrezik real që bëhet me qëllim për t’i shërbyer Tahirit dhe bandës kriminale që është në hetim në Shqipëri dhe Itali. Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të bëhet kurrë strehë e krimit apo mbështetësve direkt të tij.

Konkluzionet:

Përfundimisht, 5 deputetët e Këshillit për Imunitetin, i rekomandojnë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqiperisë të votojë, për miratimin e dhënies së autorizimit, të kërkuar me kërkesën nr. 9906 prot., datë 19.10.2017 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda “Për dhënien e autorizimit për arrestimin, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës së deputetit Saimir Tahiri”, me qëllim për t’i hapur rrugë hetimit të plotë dhe të gjithanshëm në kuadër të procedimit penal nr. 313, të vitit 2017 për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe të korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë të parashikuara nga nenet 283/a/2, 333/a dhe 260 të Kodit Penal. Tahiri nuk është një ish-ministër apo deputet i opozitës. Ai është ish-ministër i qeverisë, deputet i Edi Ramës, mik i ngushtë i kryeministrit. Ai si ish-ministër jo vetëm që dyshohet se ka ndihmuar organizatën kriminale dhe ka marrë shpërblime personale, por duke i vënë strukturën e shtetit në shërbim të organizatës kriminale ai ka siguruar para për zgjedhjet. Arsyeja pse duhet arresti nuk është vetëm analiza e nenit 288 të KPP, siç për një qytetar të zakonshëm, por se bëhet fjalë për mikun e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm aktual. Këta dy të fundit kanë nën mbikëqyrje provat dhe duke mbajtur Tahirin jashtë dhe duke e mbajtur nën mbrojtje, provat mund të dëmtohen, radarët, dëshmitarët që shohin Ramën në krah të Tahirit heshtin, bashkëpunëtorët e drejtësisë, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pra, ka një rrezik real që bëhet me qëllim për t’i shërbyer Tahirit dhe bandës kriminale që është në hetim në Shqipëri dhe Itali. Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të bëhet kurrë strehë e krimit apo mbështetësve direkt të tij.

Përgjimet e Antimafias, vjen reagimi i Popullorëve Europianë: Pavarësi drejtësisë për drogën

Popullorët Europianë kanë përcjellë një mesazh të prerë dje ndaj qeverisë Rama, ndërsa e kanë paralajmëruar se pa luftën kundër krimit dhe drogës Bashkimi Europian do t’i mbyllë dyert për Shqipërinë. Reagimi i fortë erdhi dje nga presidenti i PPE, Joseph Daul, i cili në një postim në Tëitter shkruan se, krimi dhe droga mbeten problematikat më të mëdha në Shqipëri, që pengojnë rrugën e saj në BE.
“Krimet e drogës janë një problem madhor që pengon rrugëtimin e Shqipërisë në BE. Përpjekjet të vërteta duhet të bëhen për të luftuar këto krime me transparencë të plotë. Aspirata e Shqipërisë për në Bashkimin Europian do të merret seriozisht vetëm kur të zbatohen sundimi i ligjit, pavarësia e drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit”, thotë ai në një postim në twitter.
Kriza e thellë politike që ka përfshirë Shqipërinë pas çështjes Tahiri-Habilaj ka shokuar partnerët ndërkombëtarë. Megjithëse ende nuk kanë reaguar në deklarata zyrtare, tensioni që ka shkaktuar çështja Tahiri si dëshmi e të gjitha akuzave të ngritura nga opozita për lidhjet e forta të pushtetit me krimin dhe drogën ka ngritur një shqetësim ndërkombëtar.
Dje, edhe politikania e njohur gjermane, Doris Pack ka goditur me anë të një statusi në Tëitter kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për mbrojtjen që ai bëri ndaj ish-ministrit Tahiri, i cili akuzohet nga Prokuroria për dy vepra të rënda penale, trafikimi i lëndëve narkotike dhe korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë.
Pasi ka dëgjuar deklaratat e kryeministrit Rama ditën e djeshme, ish-eurodeputetja teksa ka përdorur ironinë ngre pyetjen: “Shqipëria shtet i së drejtës”?, si edhe shprehet se kryeministri po pengon drejtësinë dhe sulmon prokurorët për të mbrojtur Tahirin.
Statusi i plotë: “Shqipëria shtet i së drejtës? – Kandidate për në BE? Kryeministri Rama po e pengon drejtësinë dhe sulmon prokurorët për të mbrojtur mikun e tij, Tahiri”.

 

Mbappe: Krahasimi me Henry është një nder

Ylli i PSG-së, Kylian Mbappe, nderohet nga krahasimet që i bëhen me francezin e madh, Thierry Henry, por u kërkoi njerëzve që të mos e shohin atë si një “kopje” të legjendës së Arsenalit. Mbappe e evidentoi më së miri veten e tij në botë me Monaco, sezonin e kaluar, duke luajtur një rol kryesor, pasi lojtarët e Leonardo Jardim fituan Ligue 1 dhe arritën në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. “Pishina” e talenteve të Monaco u bastis nga një numër klubesh kryesore të Europës përpara sezonit 2017-2018 dhe Mbappe ishte emri më i madh për t’u nisur, duke u bashkuar me PSG-në në një marrëveshje huazimi, që do të bëhet e përhershme për 160 milionë euro (plus bonuse) vitin e ardhshëm. Stili i tij i lojës dhe aftësia e dukshme e kanë parë atë të krahasohet me ish-superstarin e Arsenalit, Tierry Henry. Megjithëse është mirënjohës për një vlerësim të tillë, fituesi i “Golden Boy 2017” është i bindur se ka shumë për t’u përmirësuar.
“Është një nder për mua, i tha ai “Tuttosport”, që të krahasohem me Henry, por kjo nuk ka ndikim tek unë. Dua të jem i njohur si unë, jo si “kopja” e dikujt tjetër. Unë e di që njerëzit presin shumë nga unë, por nuk jam ai lojtari, që lë shenjë në çdo lojë. Unë duhet të punoj kaq shumë, ndërsa mosha ime e re kurrë nuk do të jetë një justifikim”. Mbappe tashmë ka bërë një përshtypje serioze në skenën ndërkombëtare me Francën dhe, duke përjashtuar një lëndim serioz, ose një rënie të madhe në formë, ai me siguri do të jetë një siguri për “gjelat” në Kupën e Botës, vitin e ardhshëm. Franca do të jetë ndër favoritët për të fituar trofeun e famshëm, megjithëse Mbappe e di se kjo do të ndodhë vetëm me maturim. “Për Francën, talenti nuk mungon, shtoi ai. Por, ju duhet të mendoni për kiminë e ekipit. Ne jemi një grup i ri dhe kjo mund të na lejojë të rritemi dhe të piqemi në të njëjtën kohë me një turne kaq të rëndësishëm”.