Gianluigi Buffon ka deklaruar se ai do të dalë në pension në fund të sezonit, me përjashtimin nëse fiton Champions League me Juventus. “Jam një njeri i qetë dhe nuk merakosem për të ardhmen. Por nëse fitojmë Champions League, atëherë po, do të qëndroj për të fituar Kupën e Botës për Klube. Mbase Szczesny mund të luajë një ndeshje, dhe unë tjetrën, nuk e di”.
“Por mendoj se me një portier si ai pas meje, është normale që unë do të largohem në fund të sezonit”.
Portieri legjendar ka në plan të pensionohet në fund të Kupës së Botës, por mund të luajë si një rezervë për një vit tjetër dhe t’i shtojë kabinetit të tij të trofeve Kupën e Botës për Klube, nëse Juve triumfon në Europë.
Buffon: Ky është sezoni im i fundit
Mashtrimi i Ramës me rrugën turistike në Velipojë
Kryeministri Edi Rama e nisi ditën e djeshme duke bërë të ditur se në muajin maj përfundon rruga turistike në Velipojë. Por ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari shkodran, i cili i shkruan atij se janë shtruar veç 500 metra rrugë, duke e lënë të nënkuptohet se rruga nuk përfundon në maj. Gjithashtu, ai ka dhe një mesazh për kryeministrin, pasi ky i fundit i ka hequr të drejtën për të komentuar në faqen e tij.
“Mos gënje shkodranët që në mëngjes. Por Edi legeni ma ka hjek të drejtën e komentit në fb. Të lutem thuj mos na gënje se nuk të besojnë shkodranët”, shkruan ndër të tjera qytetari. “Nadja e mirë zoti Berisha. Të uroj shëndet. Me qenë se Edi Eskobari publikoi një foto me rrugën e Velipojës, ku citoi se në maj përfundon në një kohë që ka 7 muaj që ka filluar edhe akoma nuk janë shtruar veç 500 metër rrugë. Ai thotë që në maj përfundon.? Unë desha t’i thoja mos gënje shkodranët që në mëngjes. Por Edi legeni ma ka hjek të drejtën e komentit në fb. Të lutem thuaj mos na gënje se nuk të besojnë shkodranët”, thuhet në denoncimin e Berishës.
Nuk kanë të ndalur tenderat e KESH për blerje energjie
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hapur procedurën për blerjen e energjisë elektrike për muajin nëntor. Sipas njoftimit të shpallur, në total parashikohet blerja e 129.600 Mwh, ndërkohë që afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga kompanitë e interesuara është data 26 tetor. Sasia e kërkuar nga KESH është e njëjtë me një muaj më parë, pavarësisht se pas mbylljes së procedurës në total u blenë 111.750 Mwh energji.
Kërkesa për blerje vjen në kushtet kur asetet gjeneruese nuk po prodhojnë mjaftueshëm energji, në kushtet e mungesës së reshjeve të shiut, ndërkohë që për blerjen e muajit nëntor do të përdoret sërish huaja e Bankës Botërore. Me qëllim përmirësimin e situatës financiare të kompanisë, gjatë këtij muaji KESH realizoi edhe procedurën e shitblerjes së energjisë, e cila i siguroi një fitim prej rreth 243 mijë euro.
Procedura e optimizimit u bë për një sasi të vogël prej 17,800 Mwh, ndërkohë që synonte pikërisht përfitimin nga diferenca e çmimit të shitjes me atë të blerjes. Në kushtet e thatësirës, një ditë më parë edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike hapi procedurën për blerjen e energjisë për 5 ditët e mbetura të muajit tetor, duke kërkuar 29. 600 Mwh energji. Hapja e kësaj procedure erdhi pas blerjes së 119.040 Mwh, që OSHEE realizoi në fund të muajit shtator.
Edhe Islanda në panik nga trafiku i drogës nga mafia shqiptare
Jo vetëm Italia, por duket se edhe Islanda është në panik nga trafikimi i drogës nga mafia shqiptare. Kështu, Zyra e Komisionerit Kombëtar të Policisë Islandeze beson se konsumi i drogave të forta në Islandë do të rritet në vitet e ardhshme. Konsumi i lëndëve narkotike është rritur në mënyrë të konsiderueshme dhe ka marrë jetën e dhjetëra njerëzve në tre vitet e fundit. Sipas asaj që shkruan a icelandmonitor.mbl.is. Kjo thuhet në një raport të ri nga departamenti i tyre i hulumtimit dhe analizës. Gjithashtu në raport thuhet se bandat kriminale ndërkombëtare, veçanërisht nga vendet Baltike janë të gjera në tregun nordik të drogës. Mafia shqiptare, për shembull, kontrollon tregun e heroines dhe se është mjaft aktive në tregjet e vendeve fqinje. “Heroina ende nuk është shfaqur në tregun islandez, por po të futet kjo do të jetë një pike kthese”, thuhet në raport. “Heroina ende nuk është shfaqur në tregun islandez, por nëse shfaqet dhe kur kjo gjë të ndodhë do të konsiderohet një pikë kthese. Në Islandë kristalizohet metamfetamina në treg si dhe shumë dhimbje të forta që përmbajnë opiate”, thuhet në raport. Konsumimi i barnave të forta pritet të rritet në vend, pasi doganat konfiskojnë rregullisht nga këto barna që po tentohet të futen në vend. Kjo është një arsye për t’u shqetësuar se heroina do të fitojë një terren në Islandë”, thuhet në raport.
Berluskoni i zhgënjyer
Pas një heshtjeje të gjatë, Silvio Berlusconi është rikthyer të flasë për Milanin dhe ka ngrirë të gjithë tifozët kuqezi. “E kam ditur që ka disa probleme financiare. Më shqetëson shumë heshtja e z. Li nëse gjërat vijojnë të shkojnë kaq keq, është e vërtetë që në pranverë skuadrën mund ta marrë përsipër Fondi ‘Elliot’, por problemet financiare nuk zhduken”, tha Berlusconi.
Ish-presidenti i kuqezinjve thekson se, nëse kuqezinjtë nuk do t’ia dalin të kualifikohen në Champions League, atëherë situata ekonomike do të jetë shumë alarmante. “Nëse gjërat do të shkojnë keq dhe nuk do të kualifikohemi në Champions, atëherë e ardhmja do të jetë e zymtë. Edhe pse skuadrën mund ta marrë Fondi ‘Elliot’, sërish bilancit do t’i shtohet një humbje prej më tepër se 100 milionë eurosh dhe kjo gropë do të kërkojë vite që të mbyllet”, tha Berlusconi. Rezultatet negative dhe vendi i 11 në renditjen e serisë A ishin një skenar i paparashikuar për drejtuesit e Milanit, që pas merkatos emocionuese të verës dhe shumë lojtarëve të rinj, mendonin se në 9 javët e para do të ishin më lart në hierarki.
Pesha kryesore tashmë ka rënë mbi supet e trajnerit Montella që dëgjon orë pas ore kandidatë të panumërt për ta zëvendësuar. Atmosfera është e tensionuar në kampin e kuqezinjve dhe si për ta shtuar këtë gjendje, menduan dhe polemikat për shiritin e kapitenit të Bonuccit.
“Nga verifikimet e mia më rezulton që Bonucci asnjëherë nuk ka braktisur rolin e kapitenit, asnjëherë nuk ka bërë një hap pas dhe pjesa tjetër janë vetëm lajme shqetësuese. Është e kuptueshme që dëgjoj edhe për emra trajnerësh të rinj, por unë jam i motivuar dhe e ndjej që skuadra është gati për të shpërthyer”, tha trajneri Montella.
Fusha e lojës në këtë lloj situate është si një frymëmarrje e shtuar për futbollistët dhe trajnerët. Përballë këtë mesjavë do të jetë Chievo, të cilën Milani do ta përballojë me skemën 4-3-3.
“Moduli statik i pëlqen të gjithëve, por duhet të përqendrohemi tek ndeshja. Chievo nuk humbet që prej 9 shtatorit, është një skuadër tipike italiane dhe do të na japë pak hapësira”, tha trajneri i Milan. Kuqezinjtë do të luajnë të mërkurën në orën 20:45 në Verona kundër Chievos.
Arlind RAMA
Shteti braktis moshën e tretë
Institucionet publike të Kosovës që nga themelimi i tyre pas përfundimit të luftës kanë shpërfillur dhe vazhdojnë të shpërfillin një kategori shumë të ndjeshme të shoqërisë – të moshuarit. Gjatë gjithë këtyre viteve institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të krijojnë infrastrukturë të përshtatshme, e madje as që kanë plane e vizion se si do të mund t’u ofrohej në të ardhmen trajtim dinjitoz të moshuarve që mbesin pa përkujdesje familjare. Ofrimi i shërbimeve sociale dhe familjare për të gjithë personat në nevojë në Kosovë, përfshirë edhe personat e moshuar, me ligj parashihet qysh në vitin 2005. Por ky ligj nuk është zbatuar as për së afërmi, as nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) e as nga komunat e Kosovës, shkruan “Koha Ditore”. Për shkak të moshartimit të akteve nënligjore ofrimi i këtyre shërbimeve i është pamundësuar edhe sektorit privat. Kapacitetet aktuale shtetërore nuk plotësojnë as minimumin e kërkesave për strehim të personave të moshuar, ndërkohë që sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve të Kosovës, ekzistojnë vetëm 7 biznese që ofrojnë shërbime të tilla. Ato funksionojnë pa licencë të MPMS-së, pasi kjo e fundit ende nuk ka hartuar legjislacionin sekondar për procedurën e pajisjes me leje për biznese që ofrojnë shërbime të tilla.
Qeveria shqiptare e dobët përballë arbitrazhit ndërkombëtar
Të paktën tri përplasje me kompani ndërkombëtare kanë bërë që të lindin çështje arbitrazhi ndërkombëtar dhe që vetëm për tetorin Avokatura e Shtetit të kërkojë ekipe mbrojtjeje në interes të Shqipërisë. Institucionet që duket se kanë më shumë telashe janë në një pjesë të mirë nën “ombrellën” e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
CEZ i lë peshqesh OSHEE-së borxhin me zviceranët
Telashet për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duket se nuk kanë të sosur. Pasi shleu borxhin ndaj çekëve pas arritjes së marrëveshjeve kompania duket se do të vazhdojë të shlyejë edhe borxhet e mbartura nga koha e tyre ndaj palëve të treta. Kompania zvicerane EFT aktualisht ka çështjen e arbitrazhit pranë Institutit të Arbitrazhit të Dhomës zvicerane (SCAI), për mosmarrëveshje të pretenduara si të lindura nga një kontratë për furnizim me energji elektrike e lidhur ndërmjet palëve. Çekët në fillim të 2012, kohën kur kishin nën administrim shpërndarjen, nënshkruan një kontratë për importet me afat 1-vjeçar me kompaninë zvicerane, por nuk arritën të paguajnë disa muaj e për rrjedhojë krijuan borxh që nuk u pagua asnjëherë. Më pas përplasja me CEZ dhe qeverinë arriti në nivele ekstreme dhe çekët u larguan. Gjithsesi borxhi mbeti dhe ndaj EFT llogaritet të jetë rreth 3 milionë euro. Nëse arbitrazhi vendos në favor të kompanisë zvicerane atëherë do të jetë OSHEE që do të paguajë. Aktualisht kompania e shpërndarjes dhe EFT kanë një marrëdhënie të rregullt furnizim dhe pagesash të pandikuar nga problematika e mbarur ndër vite.
MIE, AKBN dhe Albpetrol përballë koncesionarëve të hidrokarbureve
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës dhe Albpetrol janë gjithashtu në kërkim të një ekipi që do t’i mbrojë përballë koncesioneve të hidrokarbureve. Bëhet fjalë për një çështje që po trajtohet pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë. Arbitrazhi më i fundit ishte ai i kompanisë Transatlantik, ndërkohë që është në vijim edhe një tjetër më i hershëm me Bankers Petroleum.
Çështja me ANGLO ADRIATIC GROUP LTD
Çështja e tretë për të cilën Avokatura e Shtetit ka kërkuar negocim për të gjetur ekipin mbrojtës në gjykatë ka qenë ajo për një kompani britanike të njohur si ANGLO ADRIATIC GROUP LTD. Kjo e fundit operoi si fond investimesh duke mbledhur bonot e privatizimit të shqiptarëve që sipas shifrave të lakuara herë pas here mendohet se kapën një vlerë 120 milionë euro. Kompania dhe shteti shqiptar kanë shkuar para Qendrës Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID), për mosmarrëveshje të pretenduara investimesh. Çështja u regjistrua më 17 shkurt 2017 me paditës kompaninë Anglo Adriatic ndërkohë që krijimi i grupit gjykues u bë më 21 korrik 2017. Çështja është pezull dhe referuar informacioneve në faqen e gjykatës më 16 tetor është mbajtur edhe telekonferenca e parë për informimin.
Monitor
Kombet e Bashkuara: Shqipëria me përdoruesit më të lartë të përdorimit të kokainës në botë
Rritja e përdorimit të drogave më të forta lidhet me shtimin vitet e fundit të konsumit të kanabisit, që është faza primare drejt kalimit drejt narkotikëve të tjerë, si kokaina ose heroina, me çmimet e ulëta, por edhe me lehtësinë e gjetjes së këtyre produkteve
Prodhimi dhe trafiku masiv i lëndëve narkotike në Shqipëri po shkatërron shoqërinë. Zyra për Drogën dhe Krimet e Kombeve të Bashkuara (UNODC), bëri të ditur së fundmi se, Shqipëria është vendi që ka prevalencën vjetore më të lartë të përdorimit të kokainës në botë, me 2.5% të popullsisë nga mosha 15-64 vjeç. Pas Shqipërisë, përdorimin më të larë të kokainës e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një prevalencë prej 2.3%. Më pas, renditen shtetet e Mbretërisë së Bashkuar (Skocia 2.34%, Anglia dhe Uellsi 2.25%. Spanja është e treta në Europë, me prevalencë 2.2%. Nga shtetet e tjera në botë ka një përdorim të lartë të kokainës në Australi (2.1%), Uruguai (1.8%), Kili (1.73%). Interesant është që Kolumbia, një nga prodhuesit më të mëdhenj, ka një prevalencë të ulët prej 0.7%. UNODC i referohej të dhënave zyrtare që i ishin raportuar nga Instituti i Shëndetit Publik për vitin 2014. Instituti i Shëndetit Publik ka përditësuar tashmë të dhënat për vitin 2015, ku rezulton se tendenca e përdorimit të kokainës ka një rritje të ndjeshme në vetëm 1 vit, duke u shkëputur dukshëm nga shtetet pas nesh në renditje.
Prevalenca gjatë jetës e kokainës për Shqipërinë, nga të dhënat e mbledhura në “Studimin Europian mbi Përdorimin e Alkoolit dhe Drogave”, ishte 3.7% për popullsinë e grup-moshës 15-64 vjeç, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik, të bëra të ditura për “Monitor”. Në vetëm një vit, prevalenca e përdorimit është rritur me 1.2 pikë përqindje, ndërsa në krahasim me vitin 2011 është rritur me 2.1 pikë përqindjeje. Në vlerë absolute, bazuar në përqindjen e përdoruesve dhe të dhënat e popullsisë, numri i përdoruesve gjatë jetës të kokainës u rrit në 2015-ën me 48%, krahasuar me të dhënat e një viti më parë, për grupmoshën nga 15-64 vjeç.
Të dhënat e vitit 2015, të vëna në dispozicion për “Monitor” në gusht të këtij viti, nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se ka një rritje të prevalencës gjatë jetës për pothuajse të gjitha drogat ilegale. Rritje të prevalencës gjatë jetës kanë njohur edhe drogat e tjera të forta, si heroina, ku gjatë 2015-ës prevalenca ishte 1.7%, nga 0.7% në 2011-ën. Në total, sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga Instituti i Shëndetit Publik prevalenca gjatë jetës e të gjitha drogave ilegale ishte 15.3%, nga 13.3% në 2011-ën.
Pse po rritet përdorimi
Rritja e përdorimit të drogave më të forta lidhet me shtimin vitet e fundit të konsumit të kanabisit, që është faza primare drejt kalimit drejt narkotikëve të tjerë, si kokaina ose heroina, me çmimet e ulëta, por edhe me lehtësinë e gjetjes së këtyre produkteve.
Të rinjtë pjesa më e rrezikuar
Sipas të dhënave nga sondazhi i fundit i Institutit të Shëndetit Publik 11.7% e grup moshës 15 deri në 34 vjeç kanë provuar të paktën një herë në jetë kanabis dhe 4.7% kokainën.
Të dhënat janë edhe më shqetësuese për të rinjtë, që kanë raportuar përdorim të kanabisit dhe kokainës të paktën një herë në muaj. Shëndeti Publik ka raportuar se prevalenca e përdorueseve, të cilët kishin provuar kanabis në muajin e fundit është 4.1%, ndërsa e kokainës 1.4%.
Statistikat tregojnë se përqindja e madhe e personave që janë në trajtim me metadon (substancë që përdoret për trajtimin e varësisë nga heroina), drogën e parë të eksperimentit kanë pasur hashashin dhe më pas kanë kaluar në përdorimin e drogave të tjera më të rënda si kokaina dhe heroina.
Ervin Toçi, ekspert në Institutin e Shëndetit Publik dhe koordinator për Shqipërinë në Qendrën Europiane për Monitorim e Drogave dhe Varësisë nga Droga (EMCDDA) thotë se grupi më i brishtë për përdorimin e drogave të jashtëligjshme është grupmosha 15-34 vjeç.
Sqarim: Me prevalencë gjatë jetës kuptohet pjesa e popullsisë që në një pikë gjatë jetës së tyre (deri në momentin e deklarimit) kanë provuar (përjetuar) diçka. Të dhënat për prevalencën e përdorimit të drogave për të gjithë popullsinë janë mbledhur me anë të anketave, ku grupet kanë mbledhur të dhëna nga terreni. Ndërsa prevalenca e përdorimit te të rinjtë është mbledhur me anë të anketave në shkolla.
Monitor
Murinjo shpërthen në dhomat e zhveshjes pas humbjes së parë

Jose Mourinho ishte shumë i inatosur pas humbjes së Manchester United ndaj Huddersfield, dhe këtë ia bëri të qartë edhe lojtarëve për të parën herë. Unitet u mund nga skuadra e porsa futur në Premier League të shtunën dhe tani është pesë pikë larg kryesuesve të Manchester City. Mourinho ishte aq i zemëruar nga paraqitja sa që ka hedhur xhupin në tokë gjatë momentit të furishëm në dhomat e zhveshjes.
Ishte hera e parë pas 65 viteve që Huddersfield mundi United, duke i dhënë fund ecurisë pozitive të Djajve. Pas ndeshjes, Mourinho ia bëri të qartë lojtarëve se si ndihej, në mënyrën më të ashpër të mundshme, për të parën herë që kur është ulur në stolin e United në maj të 2016.
Sipas shtypit anglez, Mourinho ka sulmuar lojtarët e prapavijës, megjithëse, si për çudi, Lindelof i ka shpëtuar furisë së trajnerit. Lindelof zëvendësoi të dëmtuarin Jones në minutën e 23-të, por ishte gabimi i tij që çoi te goli i dytë i kundërshtarëve. Por Mourinho e kishte me veteranët e ekipit. Trajneri e tregoi inatin e tij edhe publikisht në konferencën për shtyp.
3 shkollat më të mira të futbollit
“Rezultati pa cilësi është i mërzitshëm. Cilësia pa rezultat nuk ka kuptim”. Janë akoma parimet e Cruijff dhe të futbollit total që udhëheqin “De Toekmost”, e ardhmja, sektori i moshave të Ajax-it. Aktualisht ka 220 të rinj që ëndërrojnë të jenë mes të paktën tre vetave që klubi do të vendosë t’i marrë në ekipin e parë. Ajax, sipas studimit të fundit të CIES, është miniera e vërtetë e arit e Europës. Atje janë rritur 71 lojtarë, të cilët tani aktivizohen në 31 kampionate të Europës.
METODA TIPS – Stërvitja shkencore dhe vëmendja ndaj detajeve bëjnë diferencën në “Amsterdam Arena”. Ushtrimet për zotërimin e topit dhe cilësinë e pasimeve janë baza e stërvitjes së fëmijëve të çdo moshe, të gjithë të mësuar me të njëjtin model: 4-3-3 sulmues, futboll krijues dhe i shpejtë, i përbërë nga vertikalizime të shumta dhe shfrytëzimin e krahëve. Sekreti i të rinjve të Ajax qëndron në katër fjalë, TIPS: Technique, Insight, Personality, Speed. Teknikë, vizion, personalitet dhe shpejtësi, katër asët që një talent premtues i Ajax duhet të tregojë se i ka. Që në moshën 8 vjeç fëmijët mësohen të përmirësojnë ekuilibrin, të zhvillojnë një ritëm të lartë loje dhe të godasin me të dyja këmbët. Mësojnë menjëherë të vrapojnë jo vetëm drejt topit, por edhe larg, të godasin edhe nga krahët dhe jo vetëm përpara. Trajnerët janë të vëmendshëm ndaj tetë aspekteve: teknika, taktika, know-how, vrapim dhe rezistencë atletike, formimi i personalitetit, marrëdhënia me trajnerët, stërvitja, rendimenti në ndeshje.
ITALIA – Italia, siç e ka konfirmuar edhe Raporti Futboll 2016 i publikuar nga FIGC, ka sektorin e moshave më pak frytdhënës mes pesë kampionateve kryesore të Europës. CIES ka zbuluar se vetëm 6,6% e lojtarëve aktualë të Serisë A kanë dalë nga ekipet e moshave të skuadrave respektive. Me pak fjalë, kemi të bëjmë me një kampionat që preferon të eksportojë më shumë se të besojë te të rinjtë më të mirë që ka në dispozicion. Kështu, nuk është një rastësi që mes 50 ekipeve të para që vlerësojnë më shumë të rinjtë është vetëm një skuadër italiane, Inter, që vitin e kaluar ka fituar të gjitha kampionatet e moshave. Por 44 të rinjtë që zikaltrit kanë në ekipet zinxhir nuk kthehen në burime të çmueshme për ekipin e parë. Gjithsesi, sipas gazetarit të Eurosport, Alberto Coriele: “Ekipet e moshave i kanë siguruar zikaltërve 160 milionë euro në 10 vitet e fundit. Ndoshta për shkak të mungesës së durimit dhe tërheqjes së madhe ndaj lojtarëve të huaj, por fakti është se numri i të rinjve është shumë i ulët”. Ndërkohë, sipas CIES skuadra italiane që ka aktivizuar më shumë të rinj mbetet Roma, që ka rritur 20 lojtarët, të cilët aktualisht luajnë në një prej 5 kampionateve kryesore të Europës. Skuadra e tretë italiane në këtë renditje të veçantë pas Inter (23) dhe Milan (22).
PERLAT E BALLKANIT – Mbrapa Ajax-it, për numrin e futbollistëve të formuar dhe të aktivizuar në Europë, nuk është “La Masia” e Barcelona-s dhe as “La Fabrica” e Real Madrid. Me 67 lojtarët që aktualisht luajnë në Europë, shkolla e dytë më e mirë e Europës është në Kroaci dhe është ajo e Dinamos së Zagrebit. 11 klasa moshash dhe 250 të rinj dalin prej aty çdo vit. Nga ty kanë dalë Alen Haliloviç, që ka qenë debutuesi më i mirë, në moshën 16 vjeç e tre muaj, në historinë e klubit, Luka Modriç, Dejan Lovren, Vedran Corluka, Mateo Kovaçiç, Niko Kranjçar, pa harruar paraardhësit e tyre Robert Prosinecki dhe Zvonomir Boban. Shkolla e Dinamos ka lindur në 1945-ën.
PARTIZANI – Kryeqyteti tjetër i futbollit për eksport në Ballkan është Beogradi. Nga ekipet zinxhir të Partizanit kanë dalë në vitet e fundit Stevan Jovetiç, Matija Nastasiç, Adem Ljajiç, Lazar Markoviç, Aleksandar Mitroviç, Milos Jojiç i Borussia Dortmund. Prej disa vitesh, shpjegonte drejtori Vukotiç për “ESPN” në 2014-ën, fëmijët futen që në moshën 8 vjeç dhe jo më 12-13. “Ishin fëmijë dhe kishin mësuar të luanin në rrugë, mes pallateve, duke zhvilluar krijimtarinë dhe lirinë e mendimit. Kjo është ajo që ne duam, të rinj që të kenë hapësirë për të gjetur zgjidhje të reja pa asnjë formë presioni”. Por, nëse në epokën e Jugosllavisë së madhe kur dilte nga ekipet e moshave qëndronte te klubi deri në moshën 28 vjeç, sot klubi ka në Europë plot 61 lojtarë. Por vetëm 4 luajnë me ekipin e parë. Suksesi i tyre, shpjegonte Vukotiç, është një kënaqësi e madhe për të gjithë. Sepse nëpërmjet historive të tyre, të rinjtë e brezave të ardhshëm mund të shohin se çfarë objektivash kanë përpara tyre. Në fund, për të gjithë vlen i njëjti leksion. Cilësia dhe rezultati duhet të ecin paralelisht.