25.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

U pikëllova kur i dorëzova çmimin Ronaldos

Legjenda e futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona ka pranuar se “i është pikëlluar shpirti”, kur pa t’i dorëzohej Cristiano Ronaldos trofeu i “Lojtarit më të mirë të vitit” nga FIFA, në vend që t’i jepej bashkëkombasit të tij Lionel Mesi.
Ylli i Realit të Madridit, Ronaldo e fitoi për të dytin vit radhazi këtë trofe, mbrëmjen e së hënës, duke mposhtur rivalitetin e “pleshtit” të Barcelonës, Lionel Mesi dhe brazilianit të PSG-së, Neymar.
Maradona dhe ish-sulmuesi i Brazilit, “Fenomeni” i vërtetë Ronaldo, ishin ata që ia dorëzuan trofeun portugezit Ronaldo, në ceremoninë e zhvilluar mbrëmë në Londër. “Fakti që më duhej t’ia jepja këtë çmim Ronaldos, në pamundësi për t’ia dorëzuar Mesit, më vrau shpirtërisht”, tha Maradona për “TyC Sports”.
Maradona, i cili e kishte nën urdhrat e tij yllin argjentinas teksa drejtoi Kombëtaren “albiceleste” në vitet 2008-2010, mohoi më pas raportimet se marrëdhëniet e tij me yllin katalanas ishin përkeqësuar.
Mesi është kritikuar në të kaluarën nga shumë opinionistë apo edhe ish-futbollistë, përfshi Maradonën, se i mungonte “personaliteti për të qenë një udhëheqës” në momentin që mbi shpinën e tij mbante veshur fanellën e Argjentinës.
Argjentina, nën epokën e Mesit ka humbur 3 finale radhazi në kompeticionet më të rëndësishme në po kaq vite: finalen e Botërorit 2014 me Gjermaninë, finalen e Kupës së Amerikës 2015 me Kilin, si dhe finalen e Kupës së Amerikës me rastin e 100-vjetorit (në vitin 2016), gjithashtu ndaj Kilit.
Maradona, i cili udhëhoqi Argjentinën si kapiten në fitimin e Botërorit të vitit 1986, ishte zhgënjyer që Mesi nuk e kishte ftuar në dasmën e tij gjatë verës, duke shtuar spekulimet se mes tyre gjërat nuk shkonin mirë. Megjithatë, ish-heroi i Napolit gjithashtu, u pa tejet i afërt me Mesin gjatë ceremonisë së të hënës mbrëma.
“Takimi me Mesin ishte i shkëlqyer, tha Maradona. Fola me të, e besoj se të gjithë e patë që ishte e njëjta miqësi dhe afeksion si kurdoherë më parë”, përfundoi Maradona.

Të largohet Konte

Antonio Conte dhe Chelsea, një dashuri që duket se po merr fund. Sipas tabloidit britanik “The Sun”, lojtarët e ekipit londinez janë lodhur me ushtrimet e Antonio Contes. Lojtarët e Chelseas duan një trajner të ri. Dhe sipas tyre, trajneri ideal për ta zëvendësuar Conten është trajneri anglez, Steve Holland. Holland ka qenë asistent në Chelsea mes viteve 2011-2017 dhe ka raporte shumë të mira me lojtarët. Kurse, tani është asistent i selektorit të Anglisë, Gareth Southgate.
Everton, Lille dhe Milan po vuajnë. Gëzimi i verës i formuar nga blerjet multi-milionëshe dhe projektet faranike është venitur nga rezultatet e dobëta të treguara në fushën e lojës. Tre klubet janë në telashe. Everton dhe Lille janë në vendet e fundit të Premier League dhe Ligue 1, ndërsa Milan është në mesin e Serisë A (vendi i 11-të).
“Ka ardhur momenti që skuadra të qëndrojë e bashkuar. Merituam fitoren, por nuk ishim me fat”, shprehet trajneri Montella pas barazimit 0-0 ndaj Genoa-s katër ditë më parë. Kuqezinjtë tani kanë pesë ndeshje që nuk fitojnë në të gjitha kompeticionet. Për momentin ndodhen në vend të 11-të, katër pikë larg Europa League dhe nëntë pikë larg Champions League.
Pas shpenzoi 214 mln euro gjatë verës duke blerë Bonucci (40 mln), Andre Silva (38 mln), Kessie (28 mln), Conti (25 mln), Calhanoglu (22 mln)…por skuadra italiane nuk punon.
Milan pushtoi merkaton, mbushën tifozët me shpresë, por nuk po paraqiten siç duhet në fushë. Montella rrezikon shkarkimin, dy ndeshjet e radhës me Chievo dhe Juventus do të jenë vendimtare.
E njëjta gjë vlen edhe për Everton. “Mendoj se mund ta përmbysim situatën, por të gjithë e dinë si funksionon bota e futbollit”, është shprehur Koeman pas humbjes 5-2 ndaj Arsenal. Por trajneri u shkarkua një ditë më pas.
Everton ka pesë ndeshje pa fitore dhe ndodhet në vendin e 18-të të renditjes së Premier League, pasi ka shpenzuar 158 mln euro për të blerë Sigurdsson (50 mln), Keane (28,5 mln), Pickford (28,5), Klaassen (27 mln), Vlasic (11 mln), Sandro (6 mln), Rooney…
Everton është klubi i katërt që ka shpenzuar më shumë në Premier League pas City, Chelsea dhe United. Një vit më përpara, Everton ishte në vend të gjashtë falë udhëheqjes së Romelu Lukaku-t, i cili ka shkuar te Djajtë.
Më pas është edhe Lille që trajnohet nga Bielsa. “Nuk do të largohem nga Lille”, shprehet trajneri argjentinas. Bulldogët kanë grumbulluar vetëm gjashtë pikë në nëntë javë. Probleme në sulm për klubin që ishte i dyti që shpenzoi më shumë gjatë merkatos pas PSG, duke transferuar Maia (14 mln), Araujo (10.5), Pepe (10 mln), Mendes (9 mln). Revolucioni i Bielsa-s, i cili ka larguar 11 lojtarë gjatë verës, nuk ka lulëzuar akoma.

Ançeloti, gati zyrtarizimi te Guanzhou Evergrande

Karlo Ançeloti është gati për një aventurë të re pas shkarkimit nga Bayerni i Mynihut në fund të muajit shtator. Nga Azia e Largët, më konkretisht nga shtypi kinez, raportohet se tekniku italian është shumë pranë nënshkrimit me Guangzhou Evergrande, për t’u bërë trajneri i tretë italian që e drejton këtë skuadër, pas Marcelo Lipit dhe Fabio Cannavaros. Mësohet se Guanzhou për çështje orësh do të njoftojë marrëveshjen me Ançelotin. Futbollistët do të jenë vetëm një javë pushim me përfundimin e sezonit, për të nisur menjëherë punën me trajnerin e ri.
Ançeloti do të trashëgojë një punë të shkëlqyer të brazilianit Luiz Felipe Scolari, i cili dha dorëheqjen dy javë para fundit, pasi siguroi titullin e tretë radhazi në kampionatin kinez.
Për ish-drejtorin sportiv të Bayernit, Matthias Sammer, është e qartë se Karlo Ançeloti i ka prishur punë mesfushorit Thomas Müller. Deklarata e tij e fundit është sulm i hapur ndaj ish-trajnerit të bavarezëve, i cili u shkarkua pas humbjes 3-0 me PSG-në në Champions League.
“Müller është dobësuar gjatë drejtimit të tij. Ky ishte një gabim i madh”, ka thënë eksperti i futbollit gjerman. Për sa i përket dëmtimit të tij (rreth 3 javë mungesë), Sammer ka theksuar se mungesa e kampionit të botës sjell probleme. “Mungesa e tij është ekstreme. Kjo ka të bëjë me themelin e skuadrës. Nuk duhet të harrojmë se nga tre liderët e vjetshëm, Philipp Lahm, Manuel Neuer dhe Müller, tani po mungojnë dy. Nëse ai do të mungojë gjatë, kjo nuk është shenjë e mirë për skuadrën”.
Në fund, i pyetur për mesfushorin Arjen Robben, aktualisht 33 vjeç, ish-trajneri i Dortmundit ka bërë shaka duke thënë se holandezi mund të luajë edhe 15 vite të tjera, ngaqë është shumë mirë është fizikisht.

Kili i fiksuar me argjentinasit

Pasi nuk ia doli të siguronte kualifikimin për në Botërorin “Rusi 2018”, Federata Kiliane e Futbollit u detyrua të pranojë dorëheqjen e trajnerit Juan Antonio Pizzi. Në këtë mënyrë, drejtuesit janë vendosur në kërkim të pasuesit të 49-vjeçarit. Kandidati më i mundshëm, profili i të cilit pëlqehet shumë nga Federata, është ai i Tata Martino, trajnerit aktual të Atlantës në MLS. Ai është një trajner me shumë eksperiencë në krye të përfaqësueseve të ndryshme në Amerikën e Jugut dhe ajo që është më e rëndësishme për drejtuesit e Federatës Kiliane të Futbollit, lidhet me disiplinën e hekurt që kërkon 54-vjeçari te futbollistët e tij.

Nasri “godet” Balotelin: Ç’futbollist i mbivlerësuar!

Nice's Italian forward Mario Balotelli (C) celebrates his team's victory at the end of the French L1 football match OGC Nice (OGCN) vs Olympique de Marseille (OM) on September 11, 2016 at the "Allianz Riviera" stadium in Nice, southeastern France.VALERY HACHE/AFP/Getty Images

Samir Nasri sulmon Mario Balotelin, duke e konsideruar futbollistin më të mbivlerësuar ndër ata me të cilët ka luajtur. Mesfushori aktual Antalyasporit në kampionat turk, e ka patur shok skuadre sulmuesin italian në periudhën 2011-2013 te Manchester City, madje kanë fituar edhe një titull të Premier League-s nën drejtimin e Roberto Mançinit.
“Për mendimin tim, është futbollisti më i mbivlerësuar”, u shpreh ish-lojtari i Kombëtares Franceze për “Canal+”, duke shigjetuar madje edhe Didier Deschamp, i cili e la jashtë përfaqësueses. Tashmë pritet reagimi i sulmuesit aktual të Nisës, që në këto raste e ka të vështirë të bëjë prapakthehu.

CR7, lojtari më i mirë i vitit

Cristiano Ranaldo dhe Lionel Mesi prej një dekade po dominojnë skenën e futbollit botëror, duke rrëmbyer çdo vit trofetë individuale më të rëndësishëm. “Ylli” portugez i Realit e mposhti për të dytin vit radhazi rivalin e tij të Barcelonës për çmimin e lojtarit më të mirë të vitit, por është interesant fakti që asnjëherë nuk e kanë votuar njëri-tjetrin. Si kapiten i Portugalisë, Ronaldo këtë radhë ka votuar për tre shokët e tij të skuadrës te Reali i Madridit, Luka Modriç, Sergio Ramos dhe Marcelo, ndërsa Lionel Mesi, Luiz Suaresin, Andres Iniestën dhe Neymarin, edhe pse braziliani u largua nga Barcelona drejt PSG për shumën rekord 222 milionë euro.
Në fakt, janë disa trajnerë apo kapitenë përfaqësuesesh që nuk kanë përfshirë as Ronaldon dhe as Mesin në votim, duke preferuar të tjerë emra.
I tillë ishte rasti i kapitenit të Barbadosit, Mario Harte, që preferoi treshen Pierre-Emerick Aubameyang – Antoine Griezmann – Mannuel Neuer. Madje edhe për Neuerin nuk kishte vend për Ronaldon dhe Mesin te tre më të mirët. Ai preferoi emra të tillë si Kross, Lewandowski dhe Vidal.
Sulmuesi portugez i Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo u zgjodh për të tretën herë me radhë, futbollisti i vitit, nga FIFA. Në fjalën e tij, Ronaldo shprehu të gjithë gëzimin për fitoren, ndërsa nuk harroi të falënderojë edhe dy rivalët e tij, Mesi e Neymar, por edhe klubin e Realit të Madridit.
“Faleminderit. Faleminderit që më votuat. Dua të përmend Lionelin dhe Neymarin, fansat e Realit, shokët e skuadrës, trajnerin, drejtuesit e klubit dhe t’ju them të gjithëve faleminderit! Jam shumë i lumtur që jam këtu, mes shumë futbollistëve të mëdhenj, por edhe më i lumtur për çmimin, që përfaqëson një mundësi mjaft të madhe për mua”, tha Ronaldo në fjalën përshëndetëse, pasi mori çmimin si futbollisti më i mirë i vitit nga FIFA.

BB: Mijëra shqiptarë jetojnë me më pak se 2 mijë lekë në ditë

Bukë me kripë. Kaq është mbijetesa e mijëra shqiptarëve sot, të cilët në rastin më të keq i garantojnë vetes këto produkte minimale jetese e në rastin më të mirë për pjesën e mijëra shqiptarëve të tjerë kanë mundësi të blejnë edhe një produkt tjetër shtesë. Pa dyshim minimalist e në kufijtë e varfërisë ekstreme. Ky është realiteti sot, i konfirmuar me shifra ekzakte nga Banka Botërore. Shifra, të cilat sjellin një imazh dëshpërues të Shqipërisë, e cila nga ana shtetërore përkufizohet me fuqinë e krimit dhe drogës dhe nga ana tjetër nga pikëpamja e popullit përkufizohet me luftën për mbijetesë.
Varfëria, skamja dhe papunësia po përball familjet shqiptare me vështirësi të shumta ekonomike, ku pjesa më e madhe e tyre ka degraduar në luftë për mbijetesë. Në kushte tejet të rënda pamundësie e vetmja shpresë e tyre për të siguruar të paktën bukën e përditshme mbeten borxhet me lista në dyqanet ushqimore. Ndërsa varfëria e moderuar, një matje e nivelit të jetesës me 5.5 dollarë në ditë është mjaft e përhapur në vendin tonë. Institucioni Financiar Ndërkombëtar përllogarit se 32.8% e popullsisë ose rreth 1 milion persona i financojnë nevojat e tyre të jetesës me rreth 5 dollarë në ditë.
Pavarësisht se në nivele më të larta se rajoni, varfëria në Shqipëri është një fenomen në ulje. Mirëpo teksa rënia ka qenë më e shpejtë në shtresën e popullsisë që jeton me 5 dollarë në ditë në grupin që jeton në varfëri ekstreme, rënia ka qenë më e ngurtë. Në krahasim me rajonin, Shqipëria edhe më 2017 është pozicionuar mjaft dobët në treguesit e varfërisë.
Përqindja e popullsisë që jeton me rreth 5 USD në ditë është shumë më e ulët në Serbi, Maqedoni, Bosnjë. Madje edhe në Kosovë, përqindja e popullsisë që jeton në varfëri ekstreme është më e ulët se në Shqipëri me vetëm 0.2% të totalit të popullsisë. Banka thotë se rritja ekonomike e Shqipërisë u forcua në 3.4% më 2016 dhe parashikohet të jetë mesatarisht 3.5% gjatë vitit 2017-19. Rritja ekonomike ka përmirësuar tregun e punës, duke forcuar shanset për uljen e mëtejshme të varfërisë.
BB në të ardhmen sheh me risk eksportet e Shqipërisë dhe flukset e investimeve të huaja, duke i përkthyer më tej në të ardhura më të ulëta tatimore, më pak investime publike dhe për rrjedhojë me një rritje më të ulët ekonomike. Për të siguruar stabilitetin makroekonomik, vendit i nevojitet më shumë reforma strukturore dhe përmirësimi i klimës së biznesit.

Lista të gjata të borxheve në dyqanet ushqimore

Shumë nga familjet që deri para katër vitesh merrnin asistencë ekonomike, sot nuk e marrin më atë. Mijëra familje shqiptare marrin bukë dhe ushqime me listë në dyqanet e lagjeve ku banojnë, ndërsa e kanë të vështirë t’i shlyejnë huatë e marra në kohë të shkurtra. Gjendja e vështirë ekonomike i ka detyruar kryefamiljarët të marrin veresie, duke hyrë në borxh përditë e më shumë. Huamarrja është një fenomen i përhapur në ekonominë shqiptare, më shumë se gjysma e familjeve shqiptare kanë aktualisht një borxh për të shlyer, ose 62 për qind e tyre, e kanë marrë atë prej burimeve informale jashtë sistemit bankar dhe kryesisht tek persona të tjerë fizikë, që mund të jenë të afërm apo të njohur. Familjet shqiptare marrin borxhe tek të afërmit për blerje ushqimesh. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë në 6 muajt e parë të këtij viti, kjo formë e huamarrjes zë 40% të rasteve. Në 38% të rasteve të huamarrjes, familjet i janë drejtuar burimeve formale banka dhe institucione jobankare në formën e produkteve të kredisë dhe në 62% të rasteve i janë drejtuar burimeve joformale, kryesisht në cash që i marrin tek të afërmit ose tek miqtë. Krahasuar me një 6-mujor më parë, vihet re një tendencë drejt formalizimit të borxhit. Në raportin e stabilitetit financiar konstatohet se familjet shqiptare fitojnë më pak sesa shpenzojnë.

Nga pasuria, tek makinat dhe cigaret, taksat që do paguajmë pas 1 janarit

Ministria e Financave ka hartuar Paketën Fiskale që do të shoqërojë buxhetin e vitit 2018 dhe pritet t’i dorëzohet Parlamentit këto ditë. Janë bërë disa ndryshime ligjore për të jetësuar këtë paketë, e cila do të ketë jo pak ndikim në xhepat e qytetarëve. Kështu në vitin 2018 do të rritet taksa e pronave, cilado qoftë ajo shtëpi, dyqan, etj. Do të rritet akciza e cigareve, do të ndryshojë taksa për automjetet luksoze, etj. Lehtësira do të kenë bizneset e mëdha, sidomos ato që investojnë në turizëm. Ndryshimi i mënyrës së taksimit të ndërtesave, duke ndryshuar metodologjinë e llogaritjes së kësaj takse nga taksa fikse që bazohet në sipërfaqen e ndërtesës, e shprehur në metër katror, në taksë në përqindje e cila aplikohet mbi vlerën e tregut të ndërtesës; Ngritja e Kadastrës Fiskale (regjistrit të të dhënave të pasurive të paluajtshme) e cila do të mbështesë dhe do të rrisë eficencën e mbledhjes së taksës së ndërtesës; Riklasifikim i taksës së tabelës, për të pasur një vendosje më të drejtë të taksës referuar llojit të tabelës (e thjeshtë, me ndriçim, elektronike); Përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e investimeve të kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese me 4 yje ose 5 yje “status special” sipas përcaktimit në legjislacionin përkatës për fushën e turizmit.
Taksa mbi pasurinë e paluajtshme përbëhet nga tre lloje taksash:
a) Taksa mbi ndërtesën;
b) Taksa mbi tokën bujqësore;
c) Taksa mbi truallin.
d) Ky projektligj pritet të sjellë një efekt pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit me përafërsi 2.4 miliardë lekë.
2-Ndryshime në projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”
ü -Incentivimin për sektorin e turizmit duke ulur normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale, për Strukturat akomoduese “Hotelet me 4&5 yje, status special”, sipas përcaktimeve të ligjit të fushës së turizmit.
ü -Incentivimin në fushën e prodhimit të software-ve duke reduktuar normën tatimore nga 15% në 5%, si një instrument i rëndësishme për të incentivuar mbajtjen e kapaciteteve intelektuale brenda vendit si një faktor kyç për zhvillimin teknologjik dhe atë ekonomik.
ü -Efekti negativ në buxhetin e shtetit parashikohet të jetë rreth 93 milionë lekë.
3-Ndryshime në ligjin “Për miratimin e tarifës doganore”, nëpërmjet të cilit synohet reduktimi i disa tarifave doganore të aplikuara në import, të cilat kanë të bëjnë me produktet që përdoren në fushën e teknologjisë së informacionit. Ky projektligj shoqërohet me efekte financiare negative në buxhetin e shtetit në masën rreth 59 milionë lekë.
4- Ndryshime në ligjin për akcizat, i cili synon të ndryshojë nivelin e akcizës së cigareve që përmbajnë duhan, për vitin 2018.
Konkretisht, në kalendarin aktual akciza për cigaret që përmbajnë duhan, për vitin 2018 është parashikuar të jetë në nivelin 5 750 lekë/1 000 copë. Me këtë projektligj propozohet që akciza për cigaret që përmbajnë duhan për vitin 2018 të jetë në nivelin 5 850 lekë/1 000 copë.
Rritja e akcizës për cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata si produkt me efekte negative në shëndet, duke rritur çmimin e shitjes së tyre.
Efekti në të ardhurat e buxhetit e shtetit parashikohet të jetë + 1,097 milionë lekë.
5-Ndryshime në ligjin për TVSH, ku propozohet aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së për furnizimet e ofruara në strukturat akomoduese hotele me 5 yje me status të veçantë, të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, konkretisht në masën 6%.
Projektligji përbëhet nga 5 nene. Konkretisht shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6 për qind, aplikohet për çdo furnizim-shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese të çertifikuara “Hotel me pesë yje, status special” sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit. Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave”.
6-Ndryshime në ligjin “Për taksat kombëtare” lidhur me aplikimin e taksës së regjistrimit fillestar dhe taksës së përvitshme për automjetet luksoze. Ky projektligj synon të ndryshojë kriterin e kapacitetit fizik të automjeteve që konsiderohen automjete luksi për qëllime të këtij ligji. Aktualisht me ligjin në fuqi, konsiderohen automjete luksi, autoveturat deri në 4+1, të cilat plotësojnë të paktën një nga kriteret:
a) cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3000 cm3; ose
b) vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë se 5 000 000 lekë.
Me ndryshimet e propozuara në këtë ligj, synohet që kriteri “4+1” të zëvendësohet me kriterin “6+1”.
Ky propozim ka ardhur nga DPTSHRR në cilësinë e agjentit që mbledh taksën e regjistrimi fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze. Projektligji parashikon efekte pozitive në masën 19 milionë lekë.

TV SCAN

Ekspertët: Rruga e “Arbrit” në Maqedoni, opsion jo i mirë

Ekspertët rekomandojnë që qeveria të ndërtojë me shpejtësi akset rrugore Gostivar–Kërçovë dhe Kërçovë–Ohër për shkak se pikërisht këto rrugë do të mundësojnë lëvizjen e shpejtë të mallrave dhe shërbimeve, dhe kështu do t’i jepet energji e re ekonomisë. Sipas profesorit Vullnet Palloshi, qeveria duhet të vazhdojë me lidhje infrastrukturore të Maqedonisë me fqinjët e saj, por ajo duhet të ketë akse prioritare rrugore. Palloshi tha derisa Shqipëria e ndërton me shpejtësi autostradën Rruga e “Arbrit” nga ana jonë nuk ka nevojë të bëhet autostradë. Drejtori i Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore, Zoran Kitanov thotë se, kjo pjesë nga pala maqedonase nuk do të jetë autostradë, sepse kjo rrugë në bazë të analizave ekonomikisht është e pa-leverdisshme, sepse gjatë ditës kalojnë më pak se pesë mijë automjete. Por nga Ndërmarrja Publike thanë se, ky aks rrugor rehabilitohet. “Aktualisht rehabilitohet rruga ekzistuese nga Dibra deri në pikën kufitare Bllatë. Në shtator e nënshkruam kontratën, kontraktori është përzgjedhur për rehabilitimin e kësaj rruge”, thanë nga NP “Rrugët shtetërore”. Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e konfirmojnë informacionin dhe shtojnë se faza e parë e rehabilitimit ka mbaruar. Tani punohet në rindërtimin e rrugës nga Ura e Boshkut deri në Dibër, pas së cilës vijon faza e tretë, apo kalimi kufitar me Shqipërinë. Aksin e ri rrugor “Rruga e Arbrit” në “Samitin 100” në Shkup, e njoftoi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Rama disa vite më parë në faqen e tij në facebook shkroi se Projekti i parë, që do të hapë një epokë të re të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kinës do të jetë Rruga e “Arbrit”. Financimi për këtë rrugë do të mbështetet nga Banka Popullore kineze, dhe projekti i ri do ta shkurtojë udhëtimin nga Tirana drejt kalimit kufitar Bllatë.

ALSAT MK

Rritja e akcizës, paketat e cigareve do të kushtojnë më shumë

Duhanpirësit do të duhet të paguajnë më shumë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Qeveria ka rritur sërish akcizën për cigaret, madje më shumë nga sa ishte parashikuar. Në paketën e re fiskale, qeveria ka vendosur që akciza e cigareve të bëhet nga 110 lekë për paketë, që është aktualisht në 117 lekë për paketë.
Por efekti në çmimin final do të jetë edhe më i lartë se sa 7 lekë për paketë. Kjo, pasi mbi akcizën aplikohet edhe tatimi mbi vlerën e shtuar, i cili është në masën 20 për qind. Rrjedhimisht nga 1 janari i vitit të ardhshëm, paketat do të kushtojnë të paktën edhe 10 lekë të reja më shumë ose 100 lekë të vjetra.
Përmes kësaj mase qeveria e rrit barrën e taksave në treg me mbi 1 miliard lekë ose 10 milionë dollarë në vit. Këto para do të paguhen nga duhanpirësit në çmimin e shtrenjtuar të paketave. Sipas qeverisë aktualisht, Shqipëria ka një nivel akcizë mbi cigaret më të ulët se vendet fqinje dhe përmes rritjes së re, kjo taksë shkon në nivele të njëjta me ato që zbatojnë vendet e tjera të rajonit.