21.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Taksimi i pronave sipas vlerës, një fushë plot gropa

Qeveria shqiptare po kërkon aktualisht të lëvizë nga taksa minimale e pronës me një çmim fiks për metër katror që zbaton aktualisht, te një taksë prone në përqindje me vlerën e pronës në treg. Zyrtarë të ndryshëm të qeverisë thonë se do të fillojnë zbatimin e kësaj takse nga 1 janari i vitit të ardhshëm, duke nisur nga Tirana, por askush nuk ka thënë deri tani se sa do të jetë kjo taksë.
Shqetësimet për këtë taksë nisën në vitin 2014, kur qeveria kërkoi asistencë teknike nga FMN se si mund ta bëjë realitet atë. Shkaku kryesor për një nismë të tillë është që taksa ekzistuese mbi pronën pothuajse nuk mblidhet fare nga bashkitë, të cilat kanë të drejtën ta mbledhin, por kanë paaftësinë, dembelllëkun dhe neglizhencën tipike për ta mbledhur.
FMN dërgoi në vitin 2014 një grup ekspertësh të vet, të cilët vlerësuan situatën dhe hartuan një program pune se si mund të bëhet realitet krijimi i një sistemi që nga njëra anë do të përcaktonte taksim mbi pronën sipas vlerës së pronës dhe nga ana tjetër, do të lehtësonte arkëtimin e kësaj takse nga ana e bashkive. Studimi i FMN zbuloi pak a shumë gjëra që ne shqiptarët i dimë, probleme për të cilat do të flasim më vonë.

Taksa më pro-rritje nga të gjitha taksat

Studime të shumta nëpër botë kanë zbuluar se taksat mbi pronat janë zakonisht taksat që ndihmojnë më shumë rritjen ekonomike se sa çdo lloj takse tjetër. Arsyeja është e thjeshtë. Nëse pronari i një toke, një dyqani apo një apartamenti detyrohet të paguajë taksë për posedimin e pronës, atëherë ai apo ajo ka një incentivë për ta vënë këtë pronë në shfrytëzim, bashkë me kapitalin fizik që kjo pronë mbart. E thënë ndryshe, nëse një qytetar ka nën pronësi një copë tokë në fshat, të cilën nuk e përdor, sepse nuk ka interes, në çastin që mbi këtë tokë vendoset taksë, pronari do të gjejë një mënyrë që toka të vihet në shfrytëzim, në mënyrë që së paku taksa e tokës të mos rëndojë mbi xhepin e tij drejtpërsëdrejti. E njëjta gjë me dyqanet apo apartamentet. Në nivel kombëtar, nëse sistemi i taksimit të pronës funksionon, shfrytëzimi i pronës si aset prodhues përmirësohet dhe bashkë me të, rritet edhe ekonomia. Në mungesë të taksës së pronës, shtetasi mund ta gjejë me leverdi thjeshtë të mbajë tokën apo apartamentin të papërdorur në pritje të një blerësi apo qiramarrësi që nuk mbërrin kurrë. Shqipëria efektivisht mund të ketë nevojë për një taksë mbi asetet fizike të papërdorura. Aktualisht, një numër i konsiderueshëm apartamentesh dhe tokash në të gjithë vendin janë jashtë tregut për shkak se pronarët e tyre nuk kanë ndonjë ngut për t’i vënë në punë.
Ky është një tregues veçanërisht akut për tregun e apartamenteve, ku mijëra të tillë qëndrojnë të mbyllur si një kapital fizik i vdekur, nën pronësinë e firmave të ndërtimit, të bankave apo të individëve. Një taksë mbi to mund t’i nxisë pronarët që t’i nxjerrin në shitje përkundrejt çmimit që tregu është në gjendje të ofrojë. E njëjta logjikë qëndron pas taksimit më të lartë të shtëpisë së dytë në krahasim me shtëpinë e parë. Duke detyruar pronarët të paguajnë taksë më të lartë për një shtëpi të dytë, ata detyrohen të vënë në punë pronën shtesë. (Gjithsesi, ministri i Financave Arben Ahmetaj deklaroi se, taksimi më i lartë për shtëpinë e dytë nuk do të zbatohet në Shqipëri). Por kjo është teori. Realiteti shqiptar është krejt i ndryshëm.

Realiteti shqiptar është i ndryshëm

Në thelb, taksimi i pronës sipas vlerës është një koncept i drejtë. Një qytetar që ka një shtëpi të madhe duhet të paguajë një taksë pak më të lartë se sa një qytetar që ka një shtëpi të vogël. Problemi është se në Shqipëri, as madhësia dhe as pozicionimi i shtëpisë nëpër qytetet shqiptare nuk reflekton nivelin ekonomik të pronarit. Mund të qëllojë që të kesh një shtëpi në qendër të Tiranës me vlerë ekonomike të lartë dhe të jesh pensionist i varfër, ose i papunë. Ekspertët e FMN-së në raport sugjerojnë që shteti të ketë mekanizma lehtësues apo ndihmues për raste të tilla. Një mekanizëm i tillë i propozuar është që pensionistëve të mos u kërkohet pagesa e taksës, por fatura e taksës t’i bashkëngjitet pronës përkatëse dhe të bëhet e pagueshme në çastin që prona shitet. Por shteti shqiptar nuk është shumë i njohur për aftësi të tilla si identifikimi i pronarëve që kanë para për të paguar pronën nga ata që nuk kanë.
Gjithashtu, një problem tjetër jo i vogël dhe që është ngushtësisht shqiptar është që gati gjysma e popullsisë shqiptare gjendet aktualisht në emigrim dhe i përdor shtëpitë e veta në Shqipëri ose për pushime, ose i mban për t’i përdorur kur të dalë në pension. Taksimi i këtyre shtëpive (në rast se janë të regjistruara) për vite dhe vite me rradhë deri sa pronari i tyre të kthehet nga emigrimi ngjan si një shaka e hidhur. Një shtet që nuk është në gjendje të sigurojë jetesë normale për shtetasit e vet, i takson këta edhe kur shtetasit rropaten në emigrim. Ideja e eficiensës ekonomike që duhet të krijohet nga taksimi në këtë rast nuk shërben për shkak se në Shqipëri nuk ka popullsi të mjaftueshme për të marrë me qira apo për të blerë të gjitha shtëpitë e mbyllura të emigrantëve. Në censusin e fundit të zhvilluar në vitin 2011, 30 për qind e banesave në Shqipëri qenë bosh. Që nga ajo kohë, supozohet se stoku i papërdorur i banesave të jetë rritur edhe më tej. Nëse i takson këto banesa, për shkak se ato janë të tepërta në një popullsi në rënie, ato nuk do të vihen në punë dhe taksa mund të bëhet thjeshtë një faturë e kripur për emigrantin kur ky i fundit të kthehet në atdhe. Imagjinoni një emigrant që kthehet pas njëzet vjetësh dhe gjen në shtëpi 20 vjet taksë prone të papaguar. Kjo mund të ngjajë teorike, por nuk është aspak e tillë. Në vitin 2011, sipas censusit, në Shqipëri kishte mbi 1 milion njësi banimi dhe 742 mijë familje. Kuptohet që diferenca prej rreth 250-300 mijë njësish banimi janë bosh.
Problemi tjetër lidhet me numrin e lartë të shqiptarëve që përgjatë dy dekadave të fundit kanë lëvizur nga fshati në qytet. Detyrimisht këta shqiptarë do të duhet të paguajnë njëherësh taksë për shtëpinë e tyre, fjala vjen, në Tiranë dhe taksë për shtëpinë që kanë braktisur në fshat. Parimi i eficiensës ekonomike nuk vlen këtu, pasi nuk mund të thuash se shtëpia në fshat ka vlerë tregtare. Në shumicën dërrmuese të fshatrave në Shqipëri prona ka vlerë të papërfillshme.

Taksimi ekzistues i ulët, kërkohet rritje

Shqiptarët janë të detyruar me ligj të paguajnë një taksë prone. Kjo është një taksë e vogël. P.sh, për një apartament të ndërtuar pas vitit 1993 në Tiranë, me sipërfaqe 100 m2, taksa e pronës është 30 lekë për m2 ose 3 mijë lekë. Nëse i njëjti apartament gjendet në Vlorë apo Elbasan, taksa vjetore është 12 lekë për m2 ose 1200 lekë dhe nëse gjendet në Kukës apo në Ballsh, taksa është 6 lekë për m2 ose 600 lekë në vit.
Pavarësisht se taksa aktualisht është e lirë, ajo nuk prodhon të ardhura për pushtetin vendor, autoritetin që ka për detyrë ta mbledhë këtë taksë. Sipas raportit të FMN, taksat mbi pronat janë kaq të ulëta sa ka gjasa sa bashkive nuk ia leverdis që t’i mbledhin ato. Me përjashtim të apartamenteve të reja në Tiranë, në pjesën tjetër të vendit bashkive mund të mos u rezultojë me leverdi që të kërkojnë nga çdo familje rreth 500 apo 1 mijë lekë taksë prone në vit. Pra, argumentohet se bashkive mund t’i kushtojë më shtrenjtë ta mbledhë këtë taksë nga sa gjeneron të ardhura prej kësaj takse. Në këto nivele, as ideja e eficiensës ekonomike pas taksës së pronës vështirë se funksionon.
Zgjidhja që FMN propozon për këtë problem është e thjeshtë: rritja e taksës së pronës. Por nëse kjo taksë do të rritet dhe sa do të rritet, për momentin qeveria shqiptare nuk e thotë. Ajo që thotë qeveria është që taksa do të ndryshojë. Nga një taksë për metër katror në një taksë si përqindje e vlerës së pronës.
Por fakti që taksa është e ulët, nuk është arsyeja e vetme e mosmbledhjes së saj. Bashkitë shqiptare nuk marrin mundimin t’i dërgojnë faturë të taksës asnjë familjeje në të gjithë territorin e vendit, dhe këtu nuk bëjnë përjashtim bashkitë e Tiranës apo Durrësit, ku taksa është relativisht e lartë dhe leverdia ekonomike për mbledhjen e saj është.
Kadastra fiskale që qeveria po përpiqet ta zhvillojë aktualisht konsiston në një variant elektronik të kadastrës fizike. Dixhitalizimi i kadastrave ka filluar prej kohësh, por dixhitalizimi nuk mund të zgjidhë më vete mungesën e regjistrimit fillestar apo problemet e pazgjidhura me legalizimet apo pronat bujqësore.
Në tërësi, taksa e ardhshme e pronës do të mësohet vetëm, pasi qeveria të dorëzojë në Kuvendin e Shqipërisë paketën e projektligjeve fiskale që shoqëron buxhetin e shtetit, por raporti i FMN vëren se dëshira është që qeveritë e pushtetit vendor të mund të mbledhin deri në 1 për qind të PBB-së, e barazvlefshme kjo me rreth 100 milionë euro në vit. Aktualisht, taksa e pronës që paguajnë shqiptarët (ajo pjesë e vogël që paguan) është në masën 20 milionë euro në vit në vitin më të mirë.

Taksë po, shërbim shtetëror jo

Problemi i parë për vendosjen e një takse të tillë, problem që u vu re edhe nga ekspertët e FMN, është që një pjesë shumë e madhe e pronave në Shqipëri janë të paregjistruara. Shtëpi të vjetra nëpër fshatra apo nëpër qytete, në veçanti jashtë Tiranës, nuk janë regjistruar kurrë. Kur pronarët kanë interes ta shesin pronën e tyre, ata heqin të zitë e ullirit dhe shpesh paguajnë rryshfete të majme për të marrë titullin e pronësisë.
Edhe nëpër qytetet e ndërtuara me shumicë gjatë dy dekadave të fundit, si Tirana, Durrësi apo Vlora, probleme të ndryshme, nga konfliktet e pronësisë te ndërtimet jashtë lejeve të ndërtimit apo thjeshtë mungesa e vullnetit të pronarëve kanë bërë që shumë apartamente të mos jenë pajisur me çerfitikatat e pronësisë. Pronat e paregjistruara vështirë se mund të taksohen dhe në këtë pikë, logjika pas taksës së pronës si nxitëse e përdorimit të pronës dhe rritjes ekonomike dështon në thelb.
Dhe nëse qeveria vendos në ndonjë farë mënyre të taksojë edhe pronat për të cilat nuk ka prodhuar ende titullin final të pronësisë, taksimi kthehet në një barrë të palogjikshme mbi një pronë, të cilën i zoti as nuk e shet dot dhe sërish duhet të paguajë taksë.
I njëjti problem është me një sasi të konsiderueshme pronash ende të palegalizuara. Por më e rëndësishmja, taksa mbi pronën vështirë se do të zgjidhë problemin e braktisjes së tokës bujqësore, tokë e cila, për shkak se nuk ka titull pronësie, as nuk mund të taksohet dhe as të vihet në punë.

BIRN

Veneto dhe Lombardia, Katalonja e Italisë

Më shumë pavarësi prej qeverisë qendrore: për këtë votuan qytetarët e Venetos dhe të Lombardisë. A do të bëhet Italia e Veriut një Katalonjë e dytë? Jo. Por disa të përbashkëta ekzistojnë. Dhe shumë dallime.
Përpjekjet për pavarësi në Katalonjë duket se kanë vënë në lëvizje një efekt domino. Tani janë edhe rajonet e Italisë Veriore Veneto dhe Lombardi, që kërkojnë më shumë autonomi. Veriu i pasur ndihet i zhvatur nga qeveria qendrore e Romës dhe i pyeti qytetarët se a dëshirojnë pavarësi më të madhe financiare. Në të dyja rajonet mbi 90 për qind e atyre që morën pjesë në votim votuan me “po”. A do të kthehet Italia e Veriut në një Katalonjë?

Ajo që i bashkon Katalonjën, Veneton dhe Lombardinë…
Të tria rajonet janë të pasura. Në Katalonjë sigurohet rreth 20 për qind e produktit social bruto të Spanjës. Veneto dhe Lombardia përgjigjen së bashku për një të tretën e fuqisë ekonomike të Italisë.
Kërkesa për më shumë autonomi nuk është e re. Në Katalonjë, ka pasur përpjekje që në shekullin e 19-të për të themeluar një shtet të vetin brenda republikës spanjolle. Gjatë diktaturës së Frankos në vitet 1939 deri 1975, u bënë përpjekje që të mbyten që në themel lëvizjet për pavarësi. Edhe në Italinë e Veriut ideja për pavarësinë nuk është e re. Ky rajon konsiderohet zona ku u krijua më 1989 Partia Lega Nord, e cila në një kohë kërkoi edhe shkëputjen e Veriut të pasur nga Jugu më i varfër.
Pjesëmarrja në votime lë për të dëshiruar. Në Lombardi në votimin për referendumin morën pjesë vetëm rreth 40 për qind e personave me të drejtë vote. Në Katalonjë qenë 42 për qind, megjithëse këtu zgjedhësit u penguan edhe nga veprimet masive të policisë spanjolle.

…dhe nëse dallohen
Italianët e Veriut nuk duan të themelojnë një shtet të pavarur. Pavarësia që ata duan është vetëm e natyrës ekonomike. Me metropolet e tyre të turizmit, Venecia, Verona dhe Milano Veneto dhe Lombardia, janë dy prej rajoneve më të pasura të vendit. Presidentët e tyre rajonalë, Luca Zaia dhe Roberto Maroni kundërshtojnë rrethanën që janë të detyruar të dërgojnë kaq shumë para në Romë. Përmes votimit ata morën mbështetje nga populli.
Kurse katalanët duan më shumë. Pavarësinë e nënshkruar në 10 tetor, Presidenti Carles Puigdemont vërtet që e anuloi menjëherë. Por kërkesën e kryeministrit Rajoy që të heqë dorë deri në 19 tetor shprehimisht nga të gjitha tendencat për pavarësi, ai nuk e respektoi.
Në Italinë e Veriut, votimet janë në përputhje me Kushtetutën. “Këto dy referendume janë legjitime, në një kohë që ai në Katalonjë nuk ishte i tillë”, tha Presidenti italian i Parlamentit Evropian në një intervistë për gazetën “Il Messagero”. Kurse në Katalonjë, që para se njerëzit të jepnin votën, referendumi u ndalua nga Gjykata Kushtetuese dhe u shpall antikushtetues.

Përbërja e Bundestagut të ri

Politikani Hermann Otto Solms hapi seancën plenare të Bundestagut si presidenti më vjetër i Bundestagut. Procedura e parë e këtij Bundestagu është rrëzimi i kërkesës së AfD-së për hapjen e Bundestagut nga deputeti më i moshuar dhe jo ai me më shumë vite në shërbim të Bundestagut. Deputeti i AfD-së, Albrecht Glaser, as nuk ka shanse për t’u zgjedhur zëvendëspresident i Bundestagut, pasi partitë e tjera në Bundestag nuk e konsiderojnë të votueshme kandidaturën e Glaserit.

Kush futet në Bundestag, kush humb influencë
Parlamenti gjerman është në këtë legjislaturë 2017-2021 në një konstelacion të ri: Ai është më i madh se kurrë më parë me 709 deputetë, 78 më shumë se në legjislaturën e ardhshme. Me futjen e partisë Alternativa për Gjermaninë, AfD në Parlament dhe rifutjen e FDP-së liberale Parlamenti ka gjashtë grupe parlamentare. Më shumë influencë kanë humbur të dy ish-partnerët e koalicionit të madh. Unioni kristiandemokrat mbetet forca kryesore, por numri i deputetëve të tij është ulur ndjeshëm. Futja e AfD-së në Parlament dhe e FDP-së ka sjellë uljen e pjesës së deputetëve të unionit me 15%.

Më shumë deputetë me sfond migracioni
Të paktën 58 deputetë gjermanë kësaj here kanë sfond migracioni, sipas hulumtimeve të “Deutsche Welles”, ose të paktën njëri nga prindërit ka lindur pa nënshtetësinë gjermane. Kjo përbën 8% të të gjithë deputetëve. Krahasuar me këtë – 22,5% e popullsisë në Gjermani janë migrantë ose kanë një sfond migracioni.
Ndërsa për sa i përket tendencave politike, deputetët me sfond migracioni janë më të përfaqësuar në krahun e majtë të politikës. Gati 10% e deputetëve të SPd-së kanë sfond migracioni, tek Të Gjelbrit dhe E Majta janë 14,9% dhe 18.8%. Unioni ka përqindjen më të ulët të deputetëve me sfond migracioni. Ndërsa tek AfD nga 92 deputetë vetëm 8 kanë sfond migracioni. Ndër ta një deputet nga Tiroli jugor, dy politikanë të lindur në Rumani, dy ish-azilantë nga Çekosllovakia e dikurshme, dy të shpërngulurit nga Kazakistani si edhe një gjerman me baba afroamerikan. Sipas shërbimit mediatik për integrimin, shumë deputetë kanë sfond migrimi brenda BE. Pas tyre vojnë gjermano-turqit.

Shumë pak deputetë nën moshën 30-vjeçare
Me 49,4% mosha mesatare e këtij Bundestagu është vetëm pak më e re se Bundestagu i mëparshëm. Më të përfaqësuarit janë grupmoshat 45-59 vjeç. Gati gjysma e deputetëve janë brenda kësaj moshe. Ndërsa deputetët e grupmoshës 18-20 vjeç janë shumë më pak të përfaqësuar në Bundestag. Deputeti më i ri është Roman Müller-Böhm nga FDP, ndërsa nga 11 deputetë mbi moshën 70-vjeçare, tetë i përkasin AfD-së, mes tyre edhe Wilhelm von Gottberg, me 77 vjeç deputeti më i vjetër i Bundestagut.
Ndërkohë më shumë se gjysma e deputetëve gjermanë janë të rizgjedhur në këtë legjislaturë. Po të hedhësh një vështrim se ç’profesione kanë deputetët të bie në sy, se ndërkohë që 130 deputetë kanë tituj akademikë, Bundestagu gjerman ka edhe 30 zanatçinj. Më të përfaqësuarit janë juristët, 148 deputetë, pas tyre vijnë studiuesit shkencorë dhe politologët. Më shumë se 30 deputetë kanë punuar si mësues, 9 janë mjekë. Vetëm 10 deputetë janë fermerë.

SHBA: Vërejtje të reja ndaj Iranit

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, ka paraqitur vërejtje të reja për Iranin dhe militantët shiitë të lëvizjes Hezbollah në Liban.
Këto komente ai i bëri dje në Uashington, gjatë shënimit të 34-vjetorit të sulmeve me bomba kundër kompleksit të marinës së Shteteve të Bashkuara në Bejrut të Libanit, me ç’rast ishin vrarë 241 ushtarë amerikanë dhe 58 ushtarë francezë.
Për këtë sulm, Uashingtoni e fajëson Hezbollahun dhe mbështetësit iranianë të kësaj lëvizjeje.
“Para 34 vitesh, Amerika ishte tërhequr në luftë me një armik të ndryshëm nga të gjithë me të cilët ne jemi ballafaquar”, tha Pence dhe ka shtuar se, “bombardimi i kazermave në Bejrut ishte hapje e breshërisë së luftës, që ne e kemi udhëhequr prej atëherë, e kjo është lufta globale kundër terrorit”.
Mike Pence tha se administrata e Presidentit amerikan, Donald Trump, i ka dyfishuar përkushtimet për “ta shkatërruar rrjetin terrorist të Hezbollahut dhe për t’i sjellur liderët e tij para drejtësisë”.

SHBA: Sanksione kundër ushtrisë së Birmanisë

Shtetet e Bashkuara thonë se e përfundojnë ndihmën ushtarake për njësitë dhe oficerët e involvuar në dhunën kundër komunitetit mysliman Rohinxha në Birmani dhe i shqyrton masat e tjera lidhur me trajtimin e autoriteteve në këtë vend ndaj popullatës pakicë.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, tha mbrëmë se në aksionet e mëtejshme mund të përfshihen sanksione të shënjestruara sipas legjislacionit amerikan, Akti Global Magnitsky, i cili i ndëshkon zyrtarët që nga Uashingtoni vlerësohet se janë përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se në mesin e masave që tashmë janë ndërmarrë, përfshihet ndalimi i udhëtimit për zyrtarët e dikurshëm dhe ata aktualë të ushtrisë së Birmanisë, e njohur edhe si Mianmar, dhe përjashtimi i njësive dhe oficerëve në shtetin Rakhine të Birmanisë, nga ndihma amerikane.
“Ne shprehim shqetësimin tonë të madh për zhvillimet aktuale në shtetin Rakhine dhe për abuzimet e dhunshme dhe traumatike që i kanë përjetuar pjesëtarët Rohinxha dhe komuniteteve të tjera”, tha zëdhënësja Nauert dhe ka shtuar se, “është e domosdoshme që çdo individ apo entitet përgjegjës për mizoritë, përfshirë aktorët joshtetërorë dhe vullnetarët, të mbahen përgjegjës”.

Kryebashkiaku i Londrës kërcënon me referendum të dytë Brexit

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan ka sygjeruar se mund të mbahet një referendum i dytë në rast se Parlamenti refuzon marrëveshjen e Brexit ndërmjet qeverisë dhe 27 vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian. “Natyrisht, kjo është një mundësi, sepse Parlamenti që duhet të jetë sovran nuk mund të refuzojë marrëveshjen e arritur nga qeveria jonë dhe të paralizojë të gjithë”, thotë kryebashkiaku i Londrës për “Sky News”.
Sadiq Khan tha se, kompanitë e mëdha nuk po luajnë bllofin kur kërcënojnë se do t’i largojnë bizneset e tyre nga Londra për shkak të pasigurisë që ka përhapur dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian. Kur e pyetën në lidhje me postimin në Tëitter të CEO-s së Goldman Sachs, Lloyd Blankfein, ku deklaronte se do të shpenzonte më shumë kohë në Frankfurt për shkak të situatës së Brexit, Bhan tha: “Ai po deklaron publikisht atë që shumë krerë koorporatash dhe investitorë që e pëlqejnë punën në Londër janë duke e diskutuar privatisht. Në rast se nuk u ofrohet siguri për atë që do të ndodhë pas 29 marsit 2019, ata do të duhet të ndjekin planin B”.
“Ai nuk po luan bllofin. Unë flas çdo ditë me bizneset dhe nuk po luajnë bllofin”, vazhdoi Khan. “Ata nuk mund të dalin përpara aksionerëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre pas muajit mars 2019 dhe t’u thonë: Na vjen shumë keq, por harruam të bënim plane të tjera, këtë nuk e kishim parashikuar dhe do të paguajmë një çmim të madh. Kjo është arsyeja përse kryeministrja dhe qeveria duhet të deklarojnë menjëherë se çfarë planesh kemi për periudhën e tranzicionit, duke përfshirë periudhën kohore sa do të zgjasë dhe çfarë do të ndodhë ndërkohë. Në të kundërt, kam frikë se shumë biznese të tjera do të deklarojnë planet e txre për t’u larguar nga Londra. Qeveria duhet t’i ofrojë bizneseve sigurinë që i nevojitet”, tha kryebashkiaku i Londrës, Khan.

Presione nga biznesi
Nga ana tjetër, qeveria e Theresa May është duke u përballur me presione të mëdha nga bizneset, por edhe opozita sa i përket marrëveshjes tranzitore. Pesë shoqatat më të mëdha të biznesit të Britanisë së Madhe i kanë dërguar një letër sekretarit të Brexit, Davis Davies, ku kërkojnë arritjen sa më të shpejtë të marrëveshjes tranzitore me Bashkimin Europian.
Punëdhënësit në Britaninë e Madhe janë duke paralajmëruar se, nëse nuk arrihet marrëveshja sa më parë, mund të ketë pasoja të rënda mbi investimet dhe punësimin. Një numër kompanish të sektorit financiar kanë filluar që tani të blejnë zyra në Dublin, Amsterdam, Paris dhe Frankfurt, duke planifikuar një transferim të mundshëm. Paralajmërimi vjen për shkak se numri i kompanive në Mbretërinë e Bashkuar që kanë pasur të ardhura më të ulëta seç ishin projektuar, ka arritur deri në 75 për qind, duke reflektuar kështu një ngadalësim të rëndë të ekonomisë britanike, sipas raportimeve të “Reuters”. Shumë kompani tani po ndjejnë presionin e rritjes së kostove për shkak të zhvlerësimit të paundit britanik.

Presioni politik
Gjatë fjalimit të saj në Firence, Theresa May sugjeroi një periudhë tranzicioni dy-vjeçare gjatë së cilës Britania e Madhe të kontribuojë në buxhetin e Bashkimit Europian dhe të ketë akses në tregun e përbashkët. Problemi është që në këtë mënyrë Britania e Madhe do të duhet të paguajë edhe për detyrime afatgjatë që Bashkimi Europian dhe 28 vendet anëtare kanë marrë përsipër. Qeveria britanike nuk ka vendosur nëse do të marrë përsipër këtë përgjegjësi përpara arritjes së një marrëveshjeje tregtie.
Sekretari ndërkombëtar i Tregtisë, Liam Fox, tha për BBC ditën e dielë se, Britania e Madhe nuk po bie dakord në marrëveshjen përfundimtare dhe shumën totale që do të paguajë përpara se të krijohet imazhi i qartë e marrëdhënieve të ardhshme të tregtisë me BE-në. Në një letër të drejtuar “Sunday Times”, sekretari i Brexit për laburistët, Keir Starmer, i paraqiti qeverisë një ultimatum sipas të cilit qeveria britanike do të duhet të pranojë gjashtë amendimet e paraqitura nga partia laburiste, përndryshe do të mbështesin parlamentarët e tjerë për të kërkuar miratimin e marrëveshjes finale të Brexit nga Parlamenti.
Në amendimet e paraqitura prej tyre përfshihen kërkesa për garantimin e të drejtave të punonjësve dhe konsumatorëve, si edhe standardet mjedisore. Më tej, qeveria do të duhet të shfuqizojë një pjesë të kompetencave ekzekutive që Brukseli mban mbi administratat e Skocisë, Uellsit dhe Irlandës Veriore.

Koreja e Veriut në qendër të vizitës së Presidentit Trump në Azi

Presidenti amerikan Donald Trump do ta shfrytëzojë udhëtimin e tij në Azi për të konsoliduar më tej presionin ndërkombëtar ndaj Koresë së Veriut, në përpjekje për të mos e lejuar Phenianin të perfeksionojë programin e raketave balistike dhe të armëve bërthamore.
Flitet se Trump mund të ndjekë hapat e disa prej paraardhësve të tij, duke vizituar Zonën e Çmilitarizuar dhe se mund të shfaqet vetëm disa metra larg ushtarëve koreanoveriorë, në anën tjetër të kufirit më të militarizuar të botës.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se nuk është e sigurtë, nëse Presidenti Trump do të vizitojë Zonën e Çmilitarizuar.
Mundet që Presidenti të shkojë, me ftesë të Koresë së Jugut, në bazën “Camp Humphries”, 65 kilometra në jug të Seulit, baza amerikane në gadishull, që është po zgjerohet me shpejtësi të madhe.
Gjatë vizitës së tij në Pekin në nëntor, Presidenti pritet t’ia ngrejë çështjen e Koresë së Veriut Presidentit kinez Xi Jinping.
Sanksionet e OKB-së ndaj Koresë së Veriut janë fuqizuar. Një zyrtar i lartë i administratës tha se në kushtet kur Pekini e zhvillon 90 për qind të tregtisë së jashtme me Phenianin, “nëse Kina nuk i zbaton plotësisht rezolutat e OKB-së, ajo do të minonte vullnetin ndërkombëtar”.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa e vlerësojnë Kinën për presionin e papracedent që ka ushtruar ndaj Koresë së Veriut, thonë se Pekini mund të bëjë më tepër për këtë çështje.
Ish-Presidenti Jimmy Carter ka ofruar të shkojë në Phenian në emër të administratës Trump, diçka që ai e bëri në vitet 1990, pas kundërshtimeve të Presidentit Clinton.
“Deri tani nuk është planfikuar asgjë”, tha Shtëpia e Bardhë, “por ne jemi të hapur për të zhvilluar bisedime me cilindo që ka ide me vlerë për zgjidhjen e kësaj krize të tmerrshme”.

Zbatohet marrëveshja për gjykatat në Veriun e Kosovës

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dekretoi sot emërimin e 40 gjykatësve dhe 13 prokurorëve të rinj që do të punojnë në institucionet e drejtësisë në Veriun e banuar me shumicë serbe.
Të gjithë ata morën pjesë në ceremoninë e betimit para Presidentit me çka u përmbush edhe marrëveshja për drejtësinë në Veriun e Kosovës, e cila ishte arritur më 10 shkurt të vitit 2015 dhe parashihte shuarjen e gjykatave dhe prokurorive të kontrolluara nga Beogradi dhe integrimin e gjykatësve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë së Kosovës.
Më 31 gusht në takimin ndërmjet Presidentit Thaçi dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç të ndërmjetësuar nga shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ishte vendosur që 17 tetori të shënojë hyrjen në fuqi të marrëveshjes, por zbatimi i saj u shty për disa ditë me kërkesë të Beogradit.
Pas ceremonisë së sotme Presidenti Thaçi përgëzoi prokurorët dhe gjykatësit e rinj, duke nënvizuar se emërimi i tyre pasqyron plotësisht natyrën shumetnike të Kosovës.
Zbatimi i marrëveshjes u mirëprit nga Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në një komunikatë të zyrës së zonjës Federica Mogherini thuhet se, “një gjyqësor i integruar që përfaqëson të gjitha komunitetet në Kosovë, është thelbësore për të siguruar drejtësinë për të gjithë. Një gjyqësor i integruar do të mundësojë zbatimin njëlloj të ligjeve të Kosovës në të gjitha gjykatat themelore dhe nga të gjitha zyrat e Prokurorisë”, dhe kjo do të forcojë “sundimin e ligjit si një shërbim thelbësor dhe nxitës i rritjes ekonomike dhe investimeve”, thuhet në komunikatë.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. Këto bisedime, në kuadër të të cilave ishte edhe marrëveshja për drejtësinë, i siguruan asaj hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Sfida që krimi po i bën çdo vlere të shoqërisë tonë

“Monitor”

Akuza e Prokurorisë së Krimeve të Rënda se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është pjesë e një grupi kriminal që trafikon lëndë narkotike, nuk është as fillimi dhe as fundi i një historie. Fati njerëzor i zotit Tahiri, në këtë pikë ku ka arritur ngjarja, do të përcaktohet nga drejtësia, ndërsa fati i shoqërisë shqiptare do të luhet ndryshe, në hapësira më të mëdha se kufijtë e diskutimit rreth një individi.
Për këtë arsye, rasti i zotit Tahiri duhet parë në tërësinë e tij, për të na hedhur dritë që të kuptojmë përmasat dhe shtrirjen e “Shqipërisë së krimit” dhe me çfarë duhet të përballet shoqëria prej nesër, që të çlirohet prej saj.
Nga një vlerësim i bërë rreth përmasës së kësaj ekonomie “të zezë”, vetëm nga kultivimi dhe tregtimi i hashashit, gjatë vitit 2016, bota e krimit në Shqipëri qarkulloi rreth 1.2 miliardë euro. Kjo vlerë përfaqëson rreth 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në vitin 2014, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin vlerësonte se fitimi nga drogat në vendin tonë kapte 2.6 për qind të PPB.
Nisur nga këta dy tregues, ndonëse me rezervën se krahasojmë dy gjëra që ndoshta kanë metodika të ndryshme llogaritje, është e qartë që kemi një tendencë në rritje të pushtetit financiar të botës së krimit. Por ajo që konfirmohet në të dy shifrat e dhëna më sipër, është se përmasa e ekonomisë së krimit është e tillë në ekonominë kombëtare, që i lejon të diktojë me forcë rregulla apo të bëhet pjesë në vendimmarrje në mënyrë indirekte. (Të paktën këtë mund të themi tani për tani).
Por shoqëria dhe demokracia shqiptare, në veçanti, duhet t’i druhet një tjetër përmase. Asaj të sfidës që krimi po i bën çdo vlere të shoqërisë sonë dhe në kushtet e mungesës së drojës nga ndëshkimi, po kërkon rol gjithmonë e më të madh në vendimmarrje.
Në një pjesë të tabulateve të zbardhuara nga antidroga italiane gjatë bisedës, një prej dy trafikantëve shprehet: “ç’ka ai më shumë nga ne?”. Me sa duket, jemi në një situatë kur “kriminaliteti” i njeh vetes të drejtën për më shumë pushtet. Krimi ka arritur të mendojë se është i pathyeshëm, se mund të sfidojë këdo, se është superior dhe mund të fitojë mbi këdo.
Dhe kjo është pjesa më domethënëse e vlerësimit të këtij rasti, që të bën të mendosh se jemi në një moment thelbësor në udhëtimin e gjatë të tranzicionit shqiptar nga sistemi totalitar drejt një demokracie funksionale. Jemi në një udhëkryq, midis “Republikës” si model qeverisje që funksionon në bazë të votës së qytetarëve të saj dhe “Anarshisë”, ku vendi përfundon në rastin kur nuk funksionon Ligji e dominon krimi.
“Ai” me të cilin “maten” kriminelët në komunikimin e tyre të lexuar në tabulate, nuk është Saimir Tahiri, është ministri i Brendshëm, është krahu i djathtë i Kryeministrit, është një nga shtyllat e qeverisjes në një vend. Dhe krimi mendon se mund të dalë mbi të! Ky fodullëk, nuk vjen as rastësisht dhe as befasisht.
Prej vitesh, krimit në Shqipëri i është hapur rruga për të sfiduar këdo, sepse njerëzve të ndershëm të këtij vendi, jo vetëm ju është mohuar drejtësia nga një sistem gjyqësor që rezulton në të gjitha gjykimet si i korruptuar dhe i paaftë të shërojë veten, por i ka munguar edhe një klasë politike që distancohet nga krimi në të gjithë pjesët e procesit politik, që nga organizimi e administrimi i zgjedhjeve, që nga përfaqësimi politik e deri tek administrimi i pushtetit e qeverisja në çdo nivel.
Pavarësisht se çfarë ndodh me të, Saimir Tahiri, nuk përfaqëson vetëm veten. Ai është një figurë politike e lartë e një modeli qeverisje si filozofi dhe, nga ana tjetër, duke qenë ministër i Brendshëm, ai përfaqëson majën më të lartë të shtetit që mbron zbatimin e ligjit e duhet të luftojë krimin.
Gjykimi për rastin e tij, duhet të jetë moment reflektimi për gjithë aktorët politikë e grupet e interesit e të përfaqësimit në vend.
Politika shqiptare, por në radhë të parë opinioni publik shqiptar do të duhet që me këtë rast të vendosë disa parime etike të qarta për problemin e distancimit të politikës nga krimi.
Këto duhet të tejkalojnë rreshtat apo frazat standarde të ligjeve të aprovuara deri më sot për “dekriminalizimin” e Parlamentit apo të “vettingut” të gjyqtarëve sot (e ndoshta edhe të punonjësve të administratës publike nesër), për të pasur një standard që përjashton, përbuz e refuzon të diskutojë për çdo lloj “ngjyerje” të një personazhi publik të këtij niveli në çfarëdo afere kriminale apo çfarëdo krimineli!