28.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Sulmuesit nga brenda të Europës

 

Joschka Fischer

Europa më së fundmi duket se e ka lënë pas krizën e vet ekonomike shumëvjeçare, por ajo mbetet e pazgjidhur. Për çdo arsye për optimizëm, duket se ka gjithnjë një shkak për shqetësim.
Në qershor 2016, një shumicë e ngushtë votuesish britanikë zgjodhën nostalgjinë për të shkuarën e shekullit 19 ndaj çfarëdo premtimi që mund të ketë shekulli 21. Ndaj ata vendosën të hidhen nga një humnerë në emër të “sovranitetit”. Ka shumë prova që sugjerojnë se Mbretërinë e Bashkuar e pret një largim i vështirë. Një cinik do të theksonte se do të duhej një “sovranitet” që funksionon siç duhet për të pakësuar impaktin.
Në Spanjë, qeveria e rajonit autonom Katalunjës po kërkon gjithashtu sovranitet. Por qeveria aktuale spanjolle nuk po persekuton, burgos, torturon dhe ekzekuton popullin e Katalunjës, siç bëri dikur diktatura e gjeneralit Françisko Franko. Spanja është një demokraci e qëndrueshme dhe një anëtare e Bashkimit Europian, eurozonës dhe NATO-s. Prej dekadash, ka ruajtur sundimin e ligjit sipas një kushtetute demokratike që është negociuar nga të gjitha partitë dhe rajonet, përfshirë Katalunjën.
Më 1 tetor, qeveria katalane mbajti një referendum pavarësie ku më pak se gjysma – disa vlerësime thonë një e treta – e popullatës së rajonit mori pjesë. Nga standardet e BE-së dhe OSBE-së, votimi nuk mund të pranohej kurrë si “i lirë dhe i ndershëm”. Përveçse është ilegal nga kushtetuta spanjolle, referendumi nuk kishte as një regjistër votimi për të përcaktuar se kush mund të merrte pjesë.
Referendumi ‘alternativë’ i Katalunjës tërhoqi një goditje nga qeveria e kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy, i cili ndërhyri për të mbyllur qendrat e votimit dhe për të penguar votuesit. Kjo rezultoi të ishte një marrëzi e nivelit të lartë, sepse imazhet e policisë duke u përballur me protestues të paarmatosur i dhanë një legjitimitet separatistëve. Asnjë demokraci nuk mund të fitojë në këtë lloj konflikti. Dhe në rastin e Spanjës, mësymja krijoi imazhe që i ngjanin luftës civile 1936-1939 të vendit – traumës më të madhe historike sot e kësaj dite për Spanjën.
Që Katalunja të arrijë pavarësi, duhet të gjejë një mënyrë që nuk përfshin Spanjën apo BE-në. Spanja, me mbështetjen e shumë shteteve të tjera anëtare që shqetësohen për lëvizjet pasuese brenda tyre, do të bllokojë çdo përpjekje katalane për anëtarësi në BE apo eurozonë. Pa anëtarësi në tregun e përbashkët europian, Katalunja do të përballej me perspektivë të errët të transformimit nga një ekonomi në lëvizje në një vend të varfër dhe të izoluar.
Por pavarësia për Katalunjën do të ofronte një problem fundamental për Europën gjithashtu. Si fillim, askush nuk do të përsëritet një ndarje e Jugosllavisë, për arsye të qarta. Por, më tepër, BE-ja nuk mund të tolerojë shpërbërjen e shteteve anëtare, sepse këto shtete përbëjnë thelbin e saj.
BE-ja është një lidhje e shteteve, jo rajoneve. Megjithëse rajonet mund të luajnë një rol të rëndësishëm në BE, ato nuk mund të jenë një alternativë për shtetet anëtare. Nëse Katalunja do të vinte një precedent të ndarjes, duke inkurajuar rajone të tjera të pasojnë këtë, BE-ja do të hynte në një krizë të thellë ekzistenciale. Në fakt, dikush mund të argumentojë se asgjë më pak se e ardhmja e BE-së nuk vihet në rrezik në Katalunjë sot.
Për më tepër, synimi origjinal i BE-së ishte të tejkaloheshin problemet e shteteve duke integruar – e kundërta e ndarjes. Ajo supozohej të kalonte sistemin e shtetit që kishte rezultuar aq shkatërrimtar në gjysmën e dytë të shekullit 20.
Për shembull, Irlanda e Veriut, që rezultoi të ishte një shembull perfekt se si integrimi mund të tejkalojë kufijtë kombëtarë të BE-së, të ndërtojë ura mbi përçarjet historike dhe të sigurojë paqe dhe stabilitet. E njëjta gjë mund të thuhet për Katalunjën, që në fund të fundit ia ka borxh të gjithë suksesin ekonomik pranimit të Spanjës në BE në vitin 1986.
Do të ishte historikisht absurde që shtetet anëtare të BE-së të hynë në një fazë përçarje dhe disintegrimi në shekullin 21. Përmasat e mëdha të aktorëve të tjerë globalë – Kina, India dhe Shtetet e Bashkuara – e kanë bërë më të nevojshme integrimin më të thellë europian dhe atë të marrëdhënieve ndërkomunitare.
Shpresojmë që arsyetimi të prevalojë, veçanërisht në Barcelonë, por edhe në Madrid. Një Spanjë demokratike e paprekur është shumë e rëndësishme për t’u vënë në rrezik nga mosmarrëveshjet për alokimin e të ardhurave nga taksat mes rajoneve të vendit. Nuk ka alternativë përveç që dy anët të negociojë dhe të gjejnë një zgjidhje të kënaqshme për të dyja që i përshtatet kushtetutës spanjolle, parimeve demokratike dhe sundimit të ligjit.
Eksperiencat e miqve dhe aleatëve të Spanjës mund të jenë ndihmuese këtu. Gjermania, ashtu si Spanja është e organizuar si federatë. Megjithatë edhe në Gjermani, asgjë nuk është aq e vështirë sa negociatat për transfertat fiskale brenda qeverisë federale dhe shteteve individuale – mes rajoneve më të pasura dhe më të varfra. Por një marrëveshje mund të arrihet gjithnjë me kalimin e kohës dhe qëndron derisa të ngrihen të tjera mosmarrëveshje që sjellin negociata të reja.
Sigurisht, paraja është e rëndësishme. Por nuk është aq e rëndësishme sa angazhimi i përbashkët i europianëve ndaj lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Begatia e Europës varet nga paqja dhe stabiliteti, dhe paqja dhe stabiliteti në Europë varen së pari dhe më e rëndësishmja nga fakti nëse europianët do të luftojnë për këto vlera.

Habilajt i blenë Tahirit syze 5 mijë euro

Habilajt i kanë blerë Tahirit syze 5 mijë euro me paratë e trafikut të drogës. Syzet optike që posedon Tahiri janë të firmës së njohur “Maybach”, lloji hedonist, e cila cilësohet si firma më e shtrenjtë në botë dhe ku syzet optike kapin shifra marramendëse nga 5 mijë euro e sipër. Lind pyetja, a mundet një ish-ministër dhe një deputet pa asnjë të ardhur shtesë përveç rrogës të posedojë syze të tilla. Këto syze janë dhuratë e Habilajve për Tahirin.

Habilaj, byzylykë 9 mijë euro nënës dhe gruas së Tahirit

Në disa përgjime të tjera të Habilajt nga Prokuroria italiane, njëri prej të përgjuarve thotë se, i ka blerë një byzylyk gruas së Saimirit dhe një nënës së tij nga 4.500 euro secili. “Moisiu futet në makinë dhe i tregon Sabit se kishte marrë dy byzylykë, njërin për nusen e Saimirit dhe tjetrin për nënën e tij. Sabi e pyet nëse kishin kushtuar shumë, ai thotë nga 4.500 euro. Moisi Habilaj thotë në përgjime se Tahiri nuk ka më shumë lekë se ata. Ai përllogarit se, në një muaj Tahiri, ka bërë rreth 5 milionë euro. Ndërsa Sabi thotë se, ato para shkojnë për fushatë elektorale për të cilën, në fakt sipas tyre, Tahirit i duhen 20 milionë euro.
Tahiri u vu në qendër të akuzave në vitin 2015, pas dëshmive të shefit të Policisë Kufitare të Vlorës, Dritan Zagani, i cili e akuzoi publikisht si bashkëpunëtor me krimin e organizuar lokal të përfshirë në eksportin e marijuanës në Ballkan.
Sipas pohimeve të ish-shefit të Antidrogës, më pas i detyruar të kërkonte strehim në Zvicër për shkak se kërkohej nga policia shqiptare që dyshonte se ai kishte njoftuar autoritetet italiane-kushërinjtë e ministrit kishin transportuar drogë, duke shfrytëzuar edhe makinën private të ministrit. Një “Audi” A8 është vënë re shpesh herë, duke kaluar kufirin grek, por edhe të vendeve të tjera. Nga ana e tij, personi i akuzuar, ministri Tahiri, ka përgënjeshtruar gjithmonë duke shpjeguar se në vitin 2013, ai ua kishte shitur makinën kushërinjve, por në të zezë.

Agaçi tenton të korruptojë një ish-eksponenti italin për të lehtësuar Tahirin

Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi po tenton t’i mbushë mendjen një ish-eksponenti të drejtësisë italiane për të lëshuar një deklaratë lehtësuese për Saimir Tahirin, i cili po hetohet për bashkëpunim në trafikun e drogës me Habilajt. Denoncimi është bërë nga një shtetas shqiptar që jeton në Itali, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha.
“Sekretari i Përgjithshëm i mafies qeveritare, don Agaçio në tratativë me një eksponent të lartë të drejtësisë italiane për deklarata lehtësuese për Tahirin!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Përshëndetje doktor. Don Agaçio, siç e quan ti, me të drejtë, Engjëll Agaçin, ishte në një udhëtim sekret në Itali, për të cilin unë dhe ju njoftova tre ditë më parë. Burimi që më informoi për udhëtimin ka marrë vesh se detyra e tij ka qenë për të blerë ndonjë deklaratë nga një ish-prokuror i njohur i Italisë, emrin e të cilit sapo ta marr vesh do t’jua nis. Personi që më i informoi ka si burim vetë Agaçin, cherche la femme, e kupton vet ti, doktor! me respekt për ju”, shkruan qytetari.
Ish-kryeministri Berisha publikoi para tre ditësh një ljam se, Edi Rama kishte dërguar drejt Italisë Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi për të prishur provat që e implikojnë në çështjen Tahiri. “Noriega nis me urgjencë në Itali Sekretarin e Përgjithshëm të mafies shtetërore, Don Agaçion për negociata për të shpëtuar lëkurën e tij!”, shkruante Berisha.

Banda e Arben Ndokës plagosi me armë dy të rinj, policia i merr në mbrojtje

Dy të rinj u plagosën me armë në Shëngjin nga nipërit e Arben Ndokës, por policia nuk i arreston. Florian Dushku dhe Samet Berçaj morën plumba në gjymtyrë ishin duke ecur në trotuar kur një makinë u ndaloi te këmbët. Njëri nga autorët që ndodhej në vendin e pasagjerit nisi të qëllojë me pistoletë. Dushku dhe Bercaj vrapuan për t’u fshehur, por autori zbriti dhe ndoqi njërin prej tyre për 50 m me armë në dorë. Për fat si Dushku dhe Bercaj i mbijetuan këtij sulmi me armë dhe ndodhen në spital.
Autorët njihen nga policia, pasi ngjarja ka lidhje me ditën e zgjedhjeve, në 25 qershor ku Dushku u qëllua me pistoletë nga nipërit e Ndokës në afërsi të qendrës së votimit. Dushku njihet si mbështetës i LSI-së. Për ngjarjen e 25 qershorit, policia tha se, shpalli në kërkim tre persona: Samuel Ndokën, Damian Ndokën dhe Gentian Markun. Këta persona edhe pse të shpallur në kërkim lëvizin lirisht në qytet pa asnjë problem për policinë.
Plagosja e dy të rinjve nga nipërit e Ndokës u denoncua edhe nga ish-Kryeministri Berisha, i cili publikoi mesazhet e dy qytetarëve. “Lezha në terror! Banda e Arben Ndokës së PS përgjak Lezhën. Nipat e tij në kërkim derdhin breshëri kallashnikovi mbi dy të rinj. Çunat e krimit i ndihmojnë! Lexoni mesazhet e qytetarëve dixhital!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Mirëmbrëma zoti Berisha! Në Shëngjin ndodhi një ngjarje ku u plagosën dy djem të mrekullueshëm nga dora e familjes kriminele. Familja e Arben dhe Sandër Ndokës që çdo ditë po terrorizojnë Lezhën dje deri sa arritën sot në plagosjen e rëndë të Florian Dushkut dhe një shoku të tij. Policia e Lezhës për mbi një orë pas vrasjes as që ngriti postblloqe e as që u vu në ndjekje të autorëve edhe pse dihej se ishin Nokaj (nipat e Arben Ndokës). Si i vetmi njeri tek i cili kemi shpresë dhe denoncon kriminelët ju lutem që të bëni publike këtë mesazh. Ju faleminderit!”, shkruan qytetari.
“Zoti Berisha, jam një qytetar nga Lezha. Banda e nipave të Ben Ndokës, djemtë e vëllait të tij, sapo kanë gjuajtur dy persona qysh me konfliktin e zgjedhjeve, nipat e tij janë në kërkim nga policia, pasi kanë bërë një sërë veprash penale e policia del me konkludimin që nuk gjenden po ato përditë janë në Lezhë e dalin lirshëm, pasi Arben Ndoka e njerëzit e tij shoqërohen për dreka e darka me drejtorin e Policisë, të lutem anonim”, shkruan një qytetar tjetër.

Biznesmeni i grabitur sfidon policinë: Shpërblim për atë që na tregon hajdutët

Familja e biznesmenit Ylli Salla, banesa e të cilit u grabit dje në mëngjes, nuk ka besim tek policia, ndaj ka nisur vetë hetimet për gjetjen e autorëve. Vajza e biznesmenit ka vënë në dispozicion një shumë të konsiderueshme parash për të gjithë ata që japin informacion për identifikimin e autorëve si dy numra telefoni celular për të dhënë informacione rreth identitetit të autorëve.
Vajza e biznesmenit: Unë Suzana Salla, e bija e biznesmenit Y. Salla, në emër të familjes sime deklaroj se vëmë në dispozicion të personave që kontribuojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e menjëhershme të vjedhjes së banesës së familjes sonë një shumë të konsiderueshme parash.
Ky shpërblim vlen për çdo informacion që mund të na jepni në numrat e celularit 0692083170 dhe 0696012332 dhe kushdo që ka parë vjedhësit duke qarkulluar mëngjesin e sotëm me makinat me targa AA 393 PV dhe HP 565 J”.
Dy persona kanë grabitur mëngjesin e sotëm banesën e biznesmenit në fshatin Mengel, duke marrë prej andej dy makina si dhe një shumë të konsiderueshme parash.
Paraprakisht dyshohet se grabitja ka qenë e mirëorganizuar, pasi familjarët pavarësisht se ishin në banesë, nuk kanë kuptuar asgjë dhe vetëm në mëngjes kanë konstatuar mungesën e makinave dhe kasafortës me një shumë të konsiderueshme parash.
Burimet thonë se në kohën e ngjarjes në banesë kanë qenë të pranishëm anëtarët e familjes, por askush nuk ka dëgjuar asgjë.
Ata denoncuan grabitjen në Policinë e Elbasanit, e cila thekson se po punon për zbulimin dhe arrestimin e autorëve. Biznesmeni Ylli Salla është dhunuar barbarisht në fillim të këtij viti.
Banesa e një biznesmeni të njohur në Qarkun e Elbasanit, Ylli Salla është grabitur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Nga të dhënat e para dyshohet se, grabitja ka qenë e mirëorganizuar, pasi autorët të cilët mësohet se kanë arritur të marrin dy makina dhe një kasafortë, ku sipas burimeve ndodhej një shumë e konsiderueshme parash. Burimet thonë se, në kohën e ngjarjes në banesë kanë qenë të pranishëm anëtarët e familjes, por askush nuk ka dëgjuar asgjë.
Orë më vonë, pasi kanë evidentuar ngjarjen, anëtarët e familjes Salla kanë njoftuar policinë, e cila nga ana e saj thekson se po punon për zbulimin dhe arrestimin e autorëve. Ndërkohë, rezulton se biznesmeni është dhunuar barbarisht në fillim të këtij viti.

Sërish trafik droge, policia italiane gjen pakot me kanabis në det

Autoritetet italiane kanë sekuestruar të tjera pako me drogë të hedhura në mes të detit. Kësaj radhe, në Otranto janë gjetur 17 pako me drogë. Policia italiane thotë se, bëhet fjalë për 30 kilogramë marijuanë dhe dyshohet se burimi është nga Shqipëria. Hetuesit thonë se trafikantët duhet të kenë hedhur drogën në det, ndërsa destinacioni i lëndës narkotike ishte tregu italian. Sasia e drogës mund të ketë mbërritur në bregdetin puliez vetëm pak orë më parë.
Asnjë person nuk është identifikuar si posedues i marijuanës, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar këtë rast të trafikut. Gjatë javës së fundit, autoritetet italiane kanë goditur disa raste të trafikut të drogës nga brigjet shqiptare drejt Italisë. Në të njëjtin vend, para më shumë se një viti, policia sekuestroi rreth 40 kilogramë marijuanë.
Nga janari i 2017 e deri më sot në rajonin e Puglias, Policia Financiare ka sekuestruar mbi 32 tonë marijuanë e trafikuar përmes detit. Janë arrestuar 47 skafistë dhe janë sekuestruar 24 mjete lundruese të përdorura për trafikimin e drogës.

Italia: Habilajt trafikuan 30 tonë drogë, xhiruan 300 milionë euro

Grupi kriminal i drejtuar dhe i organizuar nga vëllezërit Habilaj kanë trafikuar nga brigjet shqiptare drejt atyre italiane rreth 30 tonë kanabis sativa dhe kanë xhiruar në treg 300 milionë euro në 4 vjet. Në këtë konkluzion kanë dalë hetuesit italianë, ku ky aktivitet kriminal ishte kryer në harkun kohor 2013-2017. Gjatë bisedave të përgjuara dhe të bëra publike tashmë nga Gjykata e Katanias, anëtarë të këtij grupi kriminal shqetësohen për të siguruar mjete të shpejta lundruese me tre motorë, të cilët konsiderohen edhe si gomone oqeanike.
Habilajt kanë arritur që të trafikojnë tonelatat e drogës drejt Italisë duke bashkëpunuar me ish-ministrin e Brendshëem, Saimir Tahiri, të cilin e kanë kushëri. Në dosjen e Prokurorisë italiane rezulton se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është filmuar në prani të pjesëtarëve të grupit Habilaj. Nga vëzhgimi ka rezultuar se, Tahiri në vitin 2014 ka udhëtuar 4 herë me Habilajt jashtë vendit, pikërisht me makinën “Audi” AA 003 GB, makinë që tha se, në vitin 2013 ua shiti kushërinjve Habilaj. Gjithashtu Tahiri shfaqet në prani të Habilajve në zonën e Vlorës në vitin 2016. Të dyja këto dokumente i janë vënë në dispozicion Prokurorisë për Krimeve të Rënda nga autoritetet italiane.
Nga hetimet e Prokurorisë ka rezulutuar se vëllezërit Habilaj trafikonin drogë drejt Greqisë me makinën e Tahirit dhe më pas, bashkë me ta në makinë udhëtonte edhe vetë ministri drejt Shqipërisë. Kjo skemë përdorej nga Habilajt për ta patur të lehtë të kalonin në pikat doganore me makinën e ministrit, pasi ishte makinë diplomatike dhe duke e parë se në të udhëtonte edhe Tahiri, nuk mund të kontrollohej.

Dy dëshmitarë kundër Tahirit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dy dëshmitarë që dëshmojnë për lidhjet e ish-ministrit Tahiri me vëllezërit Habilaj në trafikun e drogës drejt Italisë. Dëshmitari i parë është një i penduar italin, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë italiane për trafikun e drogës nga Shqipëria. Ai quhet Sebastiano Sardo dhe konsiderohej në Itali si një nga njerëzit më të fuqishëm në trafikun e drogës me shumicë. Sardo ka pranuar të flasë edhe për lidhjet e Habilajt me ish-ministrin e Brendshëm të Shqipërisë.
Një tjetër dëshmitar që ka dëshmuar para organit të akuzës për lidhjet e Tahirit me Habilajt është një punonjës policie. Emri është bërë i ditur nga Prokurorët e çështjes në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, por që u dekonspirua nga deputetët socialistë për mediat pranë qeverisë.

Hetimet e Antimafias italiane

Nga ana e autoriteteve italiane të drejtësisë është arrestuar Moisi Habilaj, kushëriri i ish-ministrit Saimir Tahiri dhe disa persona të tjerë, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të trafikimit të narkotikëve, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal. Nga hetimet rezulton se, shtetasi Moisi Habilaj në bashkëpunim me shtetasin Nezar Seiti dhe disa persona të tjerë, kanë arritur të bëjnë të mundur kultivimin e sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike dhe trafikimin e saj në mënyrë të organizuar nga Shqipëria në Itali, duke vepruar në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Hetimet e këtij operacioni kanë qenë mjaft të ndërlikuara, duke kërkuar përdorimin e teknikave të ndryshme të përgjimeve si telefonike ashtu dhe ambientale. Gjatë viteve të fundit, kjo bandë kishte vënë në kontroll importimin e marijuanës dhe armëve nga Shqipëria drejt Italisë, duke zotëruar tregjet e trafikimit të drogës në provincën e Raguzës, Katanias e Sirakuzës.
Vetëm në dy aksionet e fundit të kryera në Itali e në Shqipëri, grupi që udhëhiqej nga Moisi Habilaj e Florian Habilaj dhe anëtarë të tjerë si, Nezar Seiti, Meriadian Sulaj e Armando Sulaj, iu sekuestruan në total rreth 8 tonë drogë.
Fillimisht, në zonën e Brindisit u kapën rreth 3.5 tonë kanabis dhe ishte dërguar nga banda e Habilaj me mjete lundruese gjatë muajit shtator. Por vijimi i aksionit edhe në territorin shqiptar çoi në zbulimin edhe të 4 tonëve të tjera drogë të magazinuar dhe e gatshme për transport detar, në zonën e Babicës së Vogël në qytetin e Vlorës. Por ky aksion diskret, solli edhe përplasjen ndërmjet Policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku deri në momentin e kryerjes së operacionit, uniformat blu u mbajtën larg nga frika e dekonspirimit.
Gjithashtu, në dosjen e cila mbahet sekret nga organi qendror i akuzës se, gjatë vitit 2014-2015, grupi kriminal i Habilajve ka dërguar në Itali ngarkesa me drogë edhe në rrugë ajrore, konkretisht në zonën e Akërnisë, po në Vlorë. Për këtë aktivitet kriminal, Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me homologët e Katanias, të cilët kanë kryer përgjimet edhe në territorin shqiptar kërkojnë prangosjen e deputetit Saimir Tahiri. Emri i ish-ministrit të Brendshëm ka dalë gjatë bisedës me anëtarët e grupit si edhe i ka ndihmuar këta të fundit të jenë të paprekshëm në Qarkun e Vlorës. Aktualisht, fati i deputetit Tahiri mbetet në dorën e ligjvënësve nëse do t’ia heqin apo jo mandatin e deputetit. Prokuroria kërkon burgosjen e Tahirit, pasi ai akuzohet për “trafik të narkotikëve e kryer në grupin e strukturuar kriminal” dhe “korrupsioni pasiv i zyrtarëve të lartë”.
Moisi Habilaj u arrestua para dhjetë ditësh në Itali, si kreu i një bande që trafikonte drogë nga Shqipëria. Në përgjimet e Antimafias italiane të bandës së drejtuar nga Moisi Habilaj përmendet edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas gjykatësve dhe prokurorëve italianë, Habilaj përmend Tahirin si kushëririn e tij, si mbështetës të veprimtarisë në shkëmbim edhe të parave për fushatë. Sipas përgjimeve të hetuesve italianë, të dy flasin për një person me pushtet me emrin “Saimir Tahiri” (deputet i Shqipërisë) njeri i politikës.

R.POLISI

Noka: Tahiri i premtoi Ramës se sdo fliste nëse ai e mbronte nga arrestimi

Flamur Noka deklaron se kryeministri Edi Rama po mbron ish-ministrin Saimir Tahiri pas garancisë që mori nga ky i fundit me kushtin se nuk do e fundoste edhe atë. Në një mesazh në faqen e tij të “Facebook”-ut se Rama u shfaq publikisht, pasi ishte fshehur për 4 ditë. Ja postimi i Nokës: “4 ditë u fsheh, nuk e pa njeri ku kishte futur kokën, jepte e merrte me Tahirin, i çonte emisarë e ndërmjetës, dhe pasi nënshkroi paktin me të, paktin ku ish-ministri nën akuzë ndërkombëtare për trafik droge nuk do e marrë me vete në pusin e thellë të drogës e parave të pista ku janë zhytur bashkë, e bashkë me të dhe shumë ministra e familjarë të tij, vetëm pasi u sigurua që Tahiri s’do flasë, dhe pasi Tahiri mori mbrojtje prej tij, duke mos lejuar Prokurorinë të bëjë punën e saj, Edi Rama u shfaq në publik.
4 ditë në errësirë, në ethe, merr e jep mes kupolës mafioze të vendit, këto 4 ditët e fundit kanë treguar për çdo shqiptar, për të madh e të vogël, se cili është narko-shteti që kishim në 4 vite. Dhe kush ishte në krye të këtij narko shteti? Ai u denoncua vetë faqe gjithë botës. Ishte ai që u zhduk në këto 4 ditët e fundit, ku të palarat dolën në shesh. Që nuk ia pa askush fytyrën. Mori garanci nga Tahiri që sdo flasë për përfshirjen e tij direkte, që sdo përdorë prova, filmime e fakte që ai i ka për të, për ministra e për Olsa, dhe pas kësaj u shfaq me predikimin e zakonshëm, dhe sulmin ndaj opozitës. Edi Rama është i vetmi që i merr shqiptarët për budallenj, sikur nuk e kuptojnë çfarë ndodhi.
Pse u zhduke këto 4 ditë? Ku ishe futur? Çfarë ka Tahiri për ty, që të bëri të fshihesh në skuta të errëta? Por nga ana tjetër, për shqiptarët u bë e qartë gjithçka. Ti zgjodhe Tahirin, përpara drejtësisë italiane, përpara partnerëve ndërkombëtarë, përpara drejtësisë shqiptare. Ti zgjodhe Tahirin përpara qytetarëve shqiptarë, edhe pse i faktuar me mijëra faqe nga drejtësia italiane si i përfshirë direkt në trafik droge. Ti zgjodhe kupolën mafioze, paktin me krimin, dhe jo të ardhmen e vendit. Pse e bëre këtë zgjedhje??? Shumë e thjeshtë, sepse zgjodhe për të mbajtur edhe ca kohë pushtetin. Rruga tjetër, lëshimi i Tahirit, lënia e drejtësisë të funksionojë, ishte tatëpjeta jote, fundi më i keq, më dramatik se çdo ankth që ke përjetuar këto 4 ditë. Kjo që zgjodhe, është rruga më e shkurtër, por jo më e sigurta. Edi Rama ka fituar vetëm pak kohë. Por fundi është i afërt….Tashmë nuk ka zgjidhje tjetër veç rrëzimit të tij”, shkruan Noka në reagimin e tij.

Frika që ka Rama është arsyeja që Tahiri ka ende imunitet

Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj deklaron se Saimir Tahirit nuk iu hoq imuniteti me urdhër të dhënë nga Edi Rama. Sipas Alibeajt, anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, nëse Tahiri do të dënohej, do të merrte me vete edhe Edi Ramën, falë provave të rënda që ka për të. Sipas PD-së, Rama i dha kohë Tahirit të zhdukte provat në shtëpi dhe ministri. “Provat e paraqitura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për arrestimin e Tahirit janë jo vetëm bindëse, por tronditëse. PS në Komisionin e Mandateve me urdhër të Edi Ramës nuk e la drejtësinë të funksionojë. I dha kohë Tahirit të zhdukë çdo provë, në shtëpi dhe ministri. Pakti është që Tahiri t’ia hedhë pa u lagur që të shpëtojë Rama dhe të tijtë. Tahiri në rënien e tij do të merrte me vete edhe Edi Ramën, për shkak të dëshmive dhe fakteve të rënda që ka për të. Edhe pse drejtësia italiane solli mijëra faqe, ai u mor sërish në mbrojtje nga Edi Rama. Historia është e thjeshtë, Parlamenti gjykon vetëm legjitimitetin dhe ligjshmërinë e kërkesës, nuk pranon dhe gjykon prova, sepse nuk është gjykatës. Në asnjë ligj nuk është thënë që duhet të paraqiten prova. Parlamenti gjykon politikisht dhe jo si gjykatë. E vërteta e Saimir Tahirit është se në dijeninë e plotë të tij me bekimin e Edi Ramës ishte kapiteni i narkoshtetit. Ai u bë ministër i Brendshëm nga Rama si garanci për kriminelët. Rama ka dy standarde për drejtësinë, një për Tahirin dhe një për qytetarët e thjeshtë. Rama nuk e lëshon Tahirin se janë bashkëpërfitues. Rama ka rënë, është në fuqi vetëm kupola mafioze. Shqiptarët nuk kanë çfarë të presin më për të marrë në dorë fatet e tyre”.