Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha sot se kufizimi i kërcënimeve ushtarake nga Koreja e Veriut do të jetë prioritet në agjendën e turneut të tij aziatik këtë javë.
Mattis, që do të vizitojë Filipinen, për bisedimet e sigurisë me ministrat e Mbrojtjes së Azisë Juglindore, ndër të tjera tha se do të diskutonte “krizën rajonale të sigurisë, të shkaktuar nga pamaturia “.
“Ne do të diskutojmë … se si ta ruajmë paqen duke qenë të gatshëm ushtarakisht, ndërsa diplomatët tanë japonezë, të Koresë së Jugut dhe nga SHBA-ja, të punojnë me të gjitha vendet për të denuklearizuar gadishullin korean”, u tha Mattis gazetarëve.
Tensionet kanë qenë të larta në gadishullin korean, ndërsa Pyongyang ka organizuar testin e gjashtë bërthamor.
Në anën tjetër, Trump dhe lideri veri-korean, Kim Jong-Un, kërcënuan për luftë, ndërsa kanë shkëmbyer fyerje personale.
James Mattis viziton vendet aziatike
Bonucci do të mungojë ndaj Juventus
Dy ndeshje pezullim për Leonardo Bonucci, për pasojë të atij brryli në dëm të Rosit, gjatë ndeshjes Milan-Genoa, kur la ekipin kuqezi në inferioritet numerik që në pjesën e parë. Vendimi është marrë nga Gjykata Sportive. Kapiteni kuqezi do të humbasë kështu transfertën e të mërkurës në Verona kundër Chievo dhe mbi të gjitha do të mungojë në supersfidën e të shtunës në “San Siro” kundër ish-ekipit të tij, Juventus. Ndërkohë, të dënuar me vetëm një ndeshje janë shapllur: Cassata (Sassuolo), Mandzukiç (Juventus), Bruno Zucolini (Hellas Verona) dhe Gonzalez (Bologna). Gjobat ndaj klubeve: 15.000 euro ndaj Napolit për hedhje të flakadanëve ndaj sektorit mik, 12 000 euro ndaj Inter për kore diskriminuese me bazë territorial dhe baner ofensiv, që i shtohen edhe 4 000 euro për vonesë në fillimin e ndeshjes me 6 minuta.
Sampdoria në një nivel me Inter
Luciano Spalletti insiston se Sampdoria është në një nivel me Inter në prag të ndeshjes së radhës së Serisë A midis dy skuadrave të martën në “San Siro”. Samp ka mundur 5-0 Crotone-n gjatë fundjavës, duke shkuar vetëm gjashtë pikë larg Inter që barazoi me Napolin, duke bërë që Spalletti të paralajmërojë lojtarët e tij. “Nuk duhet humbim fokusin”, e nis trajneri zikaltër konferencën për shtyp.
“Napoli? Gjëja që më pëlqeu më shumë ishte se u munduam të luanim, por isha me siklet të madh kur zbrisnim shumë poshtë në zonën tonë, pasi është shumë e rrezikshme. “Kur luan ndaj skuadrave me atë lloj entuziazmi, trajneri dhe forme, është gjithmonë e vështirë. Sampdoria është e ndërtuar mirë. Giampaolo është një trajner që përmirëson skuadrat që trajnon. Duhet të jemi mirë nga minuta e parë e deri tek e fundit. Nuk kemi frikë nga askush, duam të krijojmë një ambient, ku mund të japim gjithmonë diçka më shumë për të ecur përpara”, tha Spaleti.
“Rotacion? Nuk e di, duhet të shoh gjendjen e lojtarëve. Kam parë disa lojtarë të lodhur, por duhet të presim, pasi kanë edhe një ditë kohë të rikuperohen. “Për formacionin do të vendosim nesër. Sampdoria është një skuadër e fortë që luan futboll të bukur. Sampdoria është në të njëjtin nivel me ne, dhe e përfunduan sezonin e kaluar sipër nesh”, tha ai.
Kreu i Antimafias: Objektivi i shtetit është të luftojë krimin jo të bashkëjetojë me ta

Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane, Franko Roberti në një dalje publike është shprehur sot ndaj situatës së trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë. I ftuar në kongresin vjetor të Organizatës Kombëtare të Gjyqtarëve italianë, Franko Roberti tha se “drogat e lehta kanë pushtuar vendin, duke shkaktuar viktima siç ndodhi në San Marco in Lamis, në provincën e Foxhias, e rrjedhë e trafikut të drogave të lehta nga Shqipëria”.
“Për këtë, tha ai, i kemi kërkuar qeverisë e Parlamentit italian një zgjidhje të pashmangshme; Ose të bashkojmë të gjitha forcat për të luftuar trafikun e drogave të lehta, ose t’i japim shtetit monopolin e prodhimit e shitjes së drogave të lehta, duke njohur mungesën e vlerës morale të përdoruesit të saj. Objektivi i shtetit të së drejtës është të luftojë fuqitë kriminale e jo të bashkëjetojë me ta”.
Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias ka shpjeguar se, “impenjmi i forcave të rendit ka reduktuar trafikun e sasisë së drogave të rënda në vend, ndërsa trafiku i drogave të lehta është shtuar në mënyrë të dukshme me gjithë impenjimin e të gjithëve”. “Legalizimi i drogave të lehta do të ishte një goditje e rëndë e klaneve kriminale”, tha ai. “Shteti duhet të prodhojë e shesë droga të lehta të cilësisë më të mirë e me çmime më konkuruese se ato të trafikuara nga klanet kriminale”.
Shpërthen Hazard
Eden Hazard mendon se Manchester City dhe Manchester United kanë fituar më shumë këtë sezon, por ai shtoi se Chelsea nuk ka hequr dorë nga fitorja e Premier League. Barazimi 3-3 i Chelsea kundër Romës në Ligën e Kampionëve e bëri atë tri ndeshje pa fitore, por Hazard mendon se triumfi, pasi kishin një epërsi 2-0. “Blues” kishin humbur me Manchester City dhe Crystal Palace, përpara ndeshjes së të mërkurës mbrëma, por Hazard mendon se skuadra e tij nuk dorëzohet kollaj: “Nuk pajtohem me atë se titulli është zhdukur. Unë mendoj që ndryshimi është se Manchester City dhe Manchester United janë më të fortë se vitin e kaluar, por edhe ne jemi të gatshëm. E dimë se Premier League është e gjatë, kështu që do të duhet kohë për t’u kthyer. Ndaj Romës duhet ta kishim fituar ndeshjen, sepse kemi pasur avantazhin 2-0 për gjysmë ore, por të paktën kemi barazimin, që nuk është një rezultat i keq.
Do të bëjmë më mirë kundër Romës në Itali, herën tjetër. Është vetëm një barazim, nuk jemi aq të lumtur, por jemi gjithashtu të gëzuar që nuk kemi pranuar humbjen e tretë rresht. Unë mendoj se kemi shumë lojtarë, të gjithë mund të luajnë. Ndonjëherë është e rëndësishme të pushoni dhe të jeni në stol, ndërkohë që për mua, si person, thjesht dua të luaj. Kam humbur tre muaj të futbollit dhe dua të jem në fushë, por trajneri i merr vendimet e tij, kështu që ne jemi të kënaqur me këtë. Ne duhet t’i përshtatemi situatës, të japim gjithçka, por mendoj se jemi në të njëjtin nivel me sezonin e kaluar. Sezonin e kaluar kishim një javë të tërë për të qenë gati, kështu që është pak më ndryshe, por shpresojmë që të përshtatemi shpejt”.
Kevin De Bruyne beson se, gara e Premier League është tashmë midis Manchester City dhe Manchester United, por paralajmëroi se gjërat mund të ndryshonin shpejt. De Bruyne dhe City kanë bërë një fillim të shkëlqyeshëm të kampionatit, duke fituar shtatë dhe barazuar një nga tetë ndeshjet e para, duke qenë dy pikë të qarta në krye. Manchester United dhe Jose Mourinho janë e vetmja skuadër e pamposhtur, duke mbajtur distancën prej tri pikësh nga Tottenhami i vendit të tretë. De Bruyne thotë se u shfaq beteja titullare për titull midis City dhe United, që tani. “Për momentin unë mendoj kështu, por gjithkush është ende atje, duke luajtur dhe duke shpresuar, tha ndërkombëtari i Belgjikës për “ESPN FC”. Është kaq herët, sa, nëse humbisni dy, ose tri ndeshje, ju ktheheni në një pozitë më të ulët. Ne duhet ta mbajmë këtë ritëm”, tha ai.
Barazoi me Luganon, Sioni largon Tramexanin
Paolo Tramezzani nuk do të jetë më trajner i Sionit. Ish-zëvendës trajneri i Kombëtares shqiptare u shkarkua nga detyra pas barazimit 2-2 përballë Luganos, në javën e 12-të të Superligës zvicerane.
“Klubi largon trajnerin nga drejtimi i skuadrës”, lexohej në deklaratën për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të Sionit. Aventura e Tramezzanit me skuadrën zgjati vetëm 16 ndeshje, duke përfshirë edhe dy përballje në Europa League dhe dy në Kupën e Zvicrës, aktivitete nga të cilat bardhezinjtë u eliminuan përpara kohe.
Fatal për ish-numrin 2 të stolit kuqezi ishte barazimi në shtëpi me ish-skuadrën e tij Luganon e vendit të fundit në renditje, me miqtë që kaluan në avantazh me Carlinhos në minutat e para.
Sioni barazoi menjëherë me Ucan në harkun e pak sekondave, ndërsa me kundërshtarët në inferioritet numerik prej fundit të pjesës së parë, vendasit shënuan golin e avantazhit me Cunha në të 71-ën.
Por, Lugano barazoi me Marianin 4 minuta përpara fundit, ndërsa Sioni mbetet në vendin e shtatë në renditje, me vetëm 13 pikë të grumbulluara në 12 javë.
Kryemadhi: Kryeministri iu dorëzua pa kushte krimit dhe trafikantëve
Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka dalë në një prononcim për mediat nga selia e partisë, ku ka reaguar për deklaratat e kryeministrit Rama në mbledhjen e Grupit parlamentar të PS-së. Sipas Kryemadhit, me atë që tha sot Rama dëshmoi pazarin ndërmjet kriminelëve që ndajnë pazaret mes tyre dhe kërkojnë ta kthejnë drejtësinë në një zgjatim të kriminelëve dhe jo në shërbim të qytetarëve. “Kryeministri shqiptar iu hoqi çdo mëdyshje shqiptarëve për lidhjen me krimin dhe trafikantët. Po, ai është një prej tyre, mbështetësi, inspiruesi dhe përdoruesi i tyre. Drejtësia po përballet sot me një pengesë të madhe që nuk janë më vetëm kriminelët, por edhe kryesuesi i falangës politike që i mbështet dhe sakrifikohet për ta. Kryetari i Kuvendit dhe mazhoranca e kthyen Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve në një gjykatë politike. Ata dhunuan Kushtetutën dhe nga garante e kthyen në mbështetëse të krimit. Dhunuan edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, i cili shprehet qartë në raportin e 2014 se: “Ky komision nuk duhet në asnjë rrethanë të japë qëndrimin e tij për pafajësi ose jo të deputetit përkatës”. Komisioni i Këshillit të Mandateve, e patë dhe vetë, që u kthye në një gjykatë politike dhe teatrale”, u shpreh Kryemadhi. Ajo tha se të gjithë shqiptarët prisnin më të paktin veprim që kryeministri i tyre duhet të bënte: Të lejonte drejtësinë të zbardhte të vërtetat. “E prisnin të gjithë shqiptarët që janë burgosur për kalimin e semaforit të kuq, e prisnin me qindra dhe mijëra shqiptarë që janë burgosur për mos pagimin e energjisë elektrike, për shkak të varfërisë së tyre. E prisnin me qindra dhe mijëra shqiptarë që janë ndaluar dhe janë gjobitur për mosvendosjen e një rripi sigurimi apo për një parkim të gabuar. Ata panë sot kryeministrin që shndërrohej në një mburojë të krimit. Shqiptarët sot panë një kryeministër që shantazhon hapur Drejtësinë dhe e kërcënon atë, duke dashur t’i lërë shqiptarët në duart e trafikantëve që po helmojnë brezin e ri dhe po dëmtojnë shpresën dhe të ardhmen e shqiptarëve. Edi Rama po lë shqiptarët në duart e kriminelëve gjobëvënës, të vrasësve me pagesë dhe profesionist dhe po u hap trafikantëve autostrada të reja të trafikut të drogës, të armëve e shumë trafiqeve të tjera të rrezikshme. Fjala e tij sot ishte dëshmi publike jo e qëndrimit të një kryeministri, por e një pazari mes kriminelëve që ndajnë rolet dhe hesapet midis tyre. Fjala e tij ishte sot një dëshmi publike e strategjisë së tij për ta kthyer drejtësinë shqiptare në një zgjatim të kriminelëve dhe jo në një institucion në luftën ballore kundër krimit, korrupsionit dhe në një drejtësi që të jetë në shërbim të qytetarëve. Kryeministri edhe para pak minutash i përfshirë nga frika dhe paniku kërkoi t’i mbyllte gojën Prokurorisë, pasi ai do që të jetë edhe kryeprokuror, edhe kryegjykatës edhe kreu i organizatave kriminale. I bëj thirrje Prokurorisë të mos intimidohet, por t’ju shkojë të vërtetave deri në fund, sepse kjo është ajo që presin të gjithë shqiptarët, të cilët nuk duan të qeverisen nga krimi dhe kriminelët”, tha Kryemadhit.
Ditë barazimesh në Gjermani
Dy barazime në 2 ndeshjet e para të së dielës në Bundesliga. Në javën e 9-t të kampionatit gjerman Koln dhe Werder Bremen barazuan 0-0 mes tyre, duke u konfirmuar si dy skuadrat më të dobëta të këtij fillimi sezoni, pasi nuk kanë provuar ende shijen e fitores dhe pozicionohen në 2 vendet e fundit.
Pa Amir Abrashin të dëmtuar, Freiburgu barazoi 1-1 në shtëpi ndaj Herthës së Berlinit. Të dy golat u realizuan nga pika e bardhë e penalltisë. Fillimisht shënoi Haberer për vendasit, ndërsa më pas barazoi për kryqytetasit Salomon Kalou, i cili përpara se të shënonte nga pika e bardhë kishte shpërdoruar një tjetër 11-metërsh. Ishte dita e barazimeve në Bundesligë, pasi përfundoi me shifrat 1-1 edhe sfida që mbylli javën e 9-të mes Wolfsburgut dhe Hoffenheim.
LSI: Ka një grup të strukturuar kriminal në përbërje të qeverisë
Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama ka dalë në një konferencë për shtyp për mediat nga selia e partisë ku ka deklaruar se deputetët e kësaj force politike do votonin të mërkurën pro kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit, Tahiri. ‘Grupi i LSI rithekson edhe një herë qëndrimin parimor të saj, ligjor, e në përputhje jo vetëm me moralin tonë politik, por edhe me aspiratën e qytetarëve që presin nga Kuvendi qasje, që respekton ndarjen e pushteteve, ndaj ne do votojmë pro miratimit të kërkesës së Prokurorisë për t’i çelur rrugën çdo veprimi procedurial, që organi i akuzës e çmon se i shërben çdo hetimi të paanshëm dhe zbardhjen e të vërtetës në lidhje me një deputet të mazhorancës”.
Më tej, në deklaratën e tij Rama theksoi se nuk bëhej fjalë thjesht për një individ, por përballë një grupi të strukturuar kriminal që ka shtrirë tentakulat e tij edhe në përbërje të qeverisë. ‘S’jemi përpara një individi, por përballë veprimit të organizuar të një grupi të strukturuar kriminal, që fatkeqësisht gjen tentakulat e veta edhe në përbërje të qeverisë. Kjo është arsyeja e sulmeve të ndërmarra ditët e fundit dhe të artikuluara më drejtpërdrejt sot nga kryeministri në mbledhjen e grupit parlamentar. LSI jo vetëm distancohet, por e dënon qartë e prerë sulmin mbi organet e drejtësisë si përpjekje për ta devijuar fokusin e sistemit të drejtësisë, te qëndrimet e kompromentuara të shumicës parlamentare, e cila po dëshmon se ka zgjedhur që në sfidën mes shtetit dhe grupeve të organizuara kriminale të mbajë anën e krimit’. Në fund, ai theksoi se LSI mbështet qëndrimin e PD-së, për të bojkotuar komisionet parlamentare, me përjashtim të mbledhjes së Komisionit të Shëndetësisë, për shkak të rëndësisë së saj.
Po dje, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, ka fajësuar kryeministrin Rama, për situatën e rëndë kriminale në vend. Ai analogon, gjendjen e trazuar politike, me një poemë të hershme, ku shprehet se “Ec e ec e s’kanë të sosur kriminelët e Rilindjes…”. “Kryeministri, edhe sot në mbledhjen e deputetëve të Rilindjes, i përfshirë prej panikut e frikës, na dëshmoi të gjithëve që ai është përgjegjësi kryesor për situatën e rëndë kriminale në vend! ‘Ec e ec e s’ka të sosur ky kanali i Myzeqesë’ – thuhet në një poemë të viteve të para të epokës socialiste! Fare mirë sot nën qeverisjes e kriminelorilindjes, ato vargje mund të përshtaten: “Ec e ec e s’kanë të sosur kriminelët e Rilindjes…”, shkruan Rama.
Ndërkohë po dje, Kryetari i Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka cilësuar sjelljen e kryeministrit Rama, si atë të një shërbëtori të trafikantëve të drogës. Sipas tij, këto janë ditë të zeza për vendin, pasi kryeministri i është dorëzuar totalisht krimit. “Kryeministri njësh me krimin. Ditë shumë e keqe për vendin. Kryeministri i dorëzuar, peng dhe shërbëtor i trafikantëve dhe kriminelëve sot e pranoi publikisht përpara gjithë shqiptarëve këtë. Reforma në Drejtësi e këtij të inkriminuari në krye të qeverisë sot ka rënë”. “Kryeministri donte Reformë në Drejtësi që të mbronte trafikantët dhe kriminelët që i mbështeste dhe i përdorte dhe një drejtësi tjetër që godet pa mëshirë njerëzit e zakonshëm, të pambrojturit dhe të varfërit”, shkruan Vasili.
Parashikimi i zymtë i Bankës Botërore për Shqipërinë
Ndryshe nga të gjitha institucionet e tjera ndërkombëtare, Banka Botërore duket se ka një qëndrim krejt të kundërt sa i përket rritjes ekonomike të rajonit. Projeksionet e fundit, të publikuara nga institucioni me bazë në Washington në një raport të veçantë tregojnë se, Shqipëria nuk do të jetë aspak vendi me rritjen më të shpejtë në rajon, as këtë vit, as atë të ardhshëm e as në vitin 2019. Pra, Banka Botërore ka një qëndrim krejt tjetër me atë të Komisionit Europian, Fondit Monetar Ndërkombëtar e institucioneve të tjera në këtë drejtim. Të dhënat për vitin aktual tregojnë se, vendi ynë është i treti në listë, pas Malit të Zi dhe Kosovës, me një normë rritje të ekonomisë të projektuar në 3.6%. Sa i përket vitit të ardhshëm, Shqipëria është e dyta në listë. Pas Kosovës. Sa i përket vitit 2019 ndërkohë, Shqipëria e ndan vendin e tretë së bashku me dy shtete të tjera; Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën. Kosova dhe Maqedonia ndërkohë, projektohen me një rritje ekonomike në 4 dhe 3.9% respektivisht. Dy vitet e ardhshme, Kosova projektohet si ekonomia me rritjen më të shpejtë në rajon. Gjithsesi, duke bërë një mesatare të të treja viteve, rezulton se vendi ynë ka ecurinë më të qëndrueshme dhe është i dyti pas Kosovës në terma rritje ekonomike. Ndërkohë, Banka Botërore ka përditësuar së fundmi indikatorët botërorë të qeverisjes. Këta indikatorë janë gjashtë në total: përgjegjësia, stabiliteti politik dhe mungesa e dhunës, efektshmëria e qeverisjes, cilësia e rregullatorëve, sundimi i ligjit dhe kontrolli mbi korrupsionin. Të gjashtë këta indikatorë vlerësohen me përqindje, ku përqindja sa më e lartë të jetë, aq më mirë performon një vend. Të dhënat e fundit i referohen vitit 2016, dhe bëhet një krahasim me të gjitha vitet e kaluara, ndërkohë që ne po i referohemi 2015-ës. Në krahasim me 2015-ën, katër ndër 6 indikatorët në vendin tonë kanë pësuar përkeqësim, ndërkohë që progres shënon vetëm indikatori i kontrollit të korrupsionit dhe ai i cilësisë së rregullatorëve. Siç duket qartë nga ky grafik, Shqipëria së bashku me Kosovën janë të fundit në rajon në indikatorin e sundimit të ligjit për vitin 2016. Sa i përket kontrollit të korrupsionit, ndërkohë, me një përqindje në 41, Shqipëria vjen pas Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Ekzaktësisht e njëjta gjë vlen për indikatorin që i referohet efektshmërisë së qeverisë, ku Shqipëria arrin të lërë pas vetëm Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën. Kur bëhet fjalë për stabilitetin politik dhe mungesën e dhunës, Shqipëria regjistron performancën më të mirë në rajon, paçka se, është përkeqësuar në krahasim me vitin 2015. Ndërkohë, për përgjegjësinë e qeverisë, Shqipëria është në vend të dytë, shumë pranë Serbisë së vendit të parë.