31.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Shpenzimet e shqiptarëve të varur nga ushqimet

Shqipëria u rendit e katërta në mesin e vende të BE dhe atyre kandidate për ritmet e larta të rritjes së çmimeve në muajin shtator. Sipas metodologjisë së Eurostat, inflacioni në Shqipëri për muajin shtator arriti në 2.7 për qind, ndërsa sipas treguesit kombëtar rritja e çmimeve ka qenë vetëm 1.6 për qind.
Sipas variantit të Eurostat rritja më e madhe e çmimeve prej 6,7% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,0%, “Shërbimi arsimor” me 1,5%, “Pije alkolike dhe duhan” me 1,0%, etj.
Ndërsa çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Mobilje shtëpie dhe mirëmbajtje” u ulën përkatësisht me nga 1,7%. Në muajin shtator 2017, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,5%.
Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve prej 0,8% e grupit “Ushqime dhe pije jo alkolike” krahasuar me muajin paraardhës.
Në fillim të këtij viti për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.
Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta–perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).
Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.
Në përfundim, nëngrupi “Fruta-perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).
Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë llogaritë kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.

 

Zaza bind Venturën për kombëtaren

Simone Zaza bind trajnerin e Kombëtares së Italisë, Gian Piero Ventura, për ta grumbulluar për përballjen e dyfishtë me Suedinë në play off-in e “Rusi 2018”. Sulmuesi i Valencias po konfirmohet protagonist absolut në La Liga, duke e udhëhequr skuadrën e tij në vendin e dytë pas Barcelonës. Ka realizuar 8 gola në 9 javët e para të kampionatit, i fundit në fitoren e thellë 4-0 ndaj Sevilla-s. Për me tepër, ka barazuar rekordin e argjentinasit Mario Kempes, që rezultonte i huaji i vetëm që kishte shënuar në 5 ndeshje radhazi për Valencian. Fiton më shumë pikë kandidatura e tij për një vend në përfaqësuese ndaj Balotelit, që duhet të rikuperojë shumë nga marrëdheniet e krisura me pjesën më të madhe të futbollistëve në dhomat e zhveshjes.

Po plas flluska e ndërtimeve, banka konfirmon uljen e çmimeve

Ndërtuesit presin që çmimet e banesave të thellojnë rënien edhe në tremujorin e tretë të vitit. Në një anketim që Banka e Shqipërisë bëri me bizneset e sektorit gjeti se çmimet kishin pësuar rënie me 7% në tremujorin e tretë.
Por ndërkohë indeksi i çmimit të shitjes dhe të qirasë së banesave në gjashtëmujorin e parë kishte pësuar rënie me -11.5%, shumë më tepër se sa parashikimet e ndërtuesve për këtë periudhë, të cilët prisnin që ulja të ishte më e lehtë, rreth 1.2%.
Në Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, Banka e Shqipërisë e vlerësoi tregun e banesave me vlerën më të lartë të rrezikut për gjendjen financiare të individëve.
Në një sqarim të posaçëm për “Monitor”, BSH sqaroi se në fund të qershorit 2017, në krahasim me një vit më parë, është vërejtur rënie e çmimit të pasurive të paluajtshme kundrejt trendit të saj afatgjatë. Kjo, sipas ekspertëve të bankës nënkupton që “pasuria” e individëve është disi më e ulët dhe kjo vlerësohet si rrezik i shtuar në metodologjinë që përdor banka për të matur gjendjen financiare të individëve.
Nga ana tjetër, edhe pritshmëritë e individëve për 12 muajt e ardhshëm (për çmimet, punësimin) dhe sipas vrojtimit përkatës të konsumatorit, kanë qenë disi më të ulëta.
“Të dy këta faktorë, nuk kanë qenë në përmasa të tilla sa të ndryshojnë klasifikimin e përgjithshëm të rrezikut si ‘i moderuar’, por kanë ndikuar në rritjen e tij brenda kategorisë”, vlerëson BSH. Në deklaratën e stabilitetit, tregu i banesave për individët mori notën më të lartë të rrezikut në krahasim me një vit më parë.
Në tregun e pasurive të paluajtshme, të dhënat dhe vrojtimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë për një rënie të çmimit të banesave, kryesisht në vijim të rritjes së kapaciteteve të strehimit.
Ndërtuesit perceptojnë se rritja e ofertës për banesa, për shkak të riorientimit të investimeve në ndërtim, mund të çojë çmimet në ulje.

1/5 e parave jashtë bankave, tregues i ekonomisë kriminale

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Teksa vendet e zhvilluara po shkojnë drejt “zhdukjes” së cash-it nga qarkullimi, në Shqipëri paraja që qarkullon jashtë kanaleve bankare vijon të jetë e lartë, si një tregues i nivelit të ulët të zhvillimit të tregjeve financiare, normave të pafavorshme të interesave të depozitave në banka, i informalitetit, por edhe i ekonomisë kriminale, që duket se po vjen në rritje.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja jashtë bankave në fund të muajit gusht ishte 255.5 miliardë lekë (rreth 1.9 miliardë euro), që është e barabartë me 20.4% të totalit të parasë që qarkullon në vend. Ky është niveli më i lartë që nga gushti i vitit 2010. Pasi zbriti në shkurt 2013 në 16.5% të totalit të parasë gjithsej, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se niveli i parasë jashtë bankave filloi të rritej sërish, duke arritur në 20.2% në qershor 2017. Kjo kohë përkon me zgjedhjet e përgjithshme, ku tradicionalisht ka një rritje të parasë cash në qarkullim. Rritja ka vijuar dhe në muajt në vijim, për të arritur në 20.44% e totalit në fund të muajit gusht. Rënia e vazhdueshme e interesave të depozitave në lekë gjatë viteve të fundit (për kursimet 1-vjeçare është më pak se 1%), ka bërë që individët të tërheqin kursimet nga bankat. Alternativat e investimeve të tjera janë të pakta, në mungesë të tregjeve të tjera financiare, duke nxitur mbajtjen e parave cash.
Në kahun tjetër, rritja e parasë gjithsej në ekonomi është ngadalësuar dy vitet e fundit, madje ka pasur muaj kur ajo ka qenë me ulje, çka ka bërë që raporti i parasë jashtë banke ndaj totalit të vijë duke u zgjeruar.
Banka e Shqipërisë në statistikat e saj nuk arrin të masë paranë që gjenerohet nga aktiviteti kriminal, por një pjesë e kësaj paraje, e shtuar së fundmi nga rritja e kultivimit të hashashit, tenton të pastrohet përmes sektorëve si ndërtimi apo lojërat e fatit, duke hyrë më pas në ekonomi si e ligjshme.
Në krahasim me vendet e eurozonës apo edhe të rajonit, Shqipëria ka një nivel tepër të lartë të parasë që qarkullon jashtë kanaleve bankare. Në eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, në shtator 2017, niveli i parasë jashtë bankave ishte sa 9.2% e totalit.

Grezda i shënon edhe Rijekës

Eros Grezda ka shënuar golin e tretë në Kroaci. Një javë më parë i kishte shënuar Dinamo Zagreb, ndërsa sot u ka shënuar kampionëve kroatë të Rijekës. Mesfushori i Kombëtares shqiptare vazhdon të shkëlqejë, teksa ka shënuar një gol spektakolar në minutën e 62-të, duke barazuar përkohësisht ndeshjen dhe më pas skuadra e tij Osijek e ka fituar 1-2 në transfertë. Ai mori një top në zonë, bëri një rrotullim të bukur dhe më pas godet me të majtën për ta dërguar në rrjetë. Këtë sezon, Grezda ka shënuar 3 gola në kampionat me ekipin e Osijek, ndërkohë që edhe në Kombëtare ka zhvilluar ndeshje shumë të mira, ku vlen të përmendet ndeshje me Italinë në Shkodër, ku Buffon ndali 3 herë gjuajtjet e tij.

Lazio ‘blindon’ Strakoshën

ROME, ITALY - JANUARY 18: SS Lazio Thomas Strakosha in action during the TIM Cup match between SS Lazio and Genoa CFC at Olimpico Stadium on January 18, 2017 in Rome, Italy. (Photo by Paolo Bruno/Getty Images)

Tani është zyrtare, Lazio blindon Thomas Strakoshën deri në vitin 2022. Lojtari shqiptar, që këtë sezon e ka nisur si titullar, tashmë ka hedhur të zezën mbi të bardhë, duke zgjatur kontratën me klubin bardhekaltër. Pas shumë muajve bisedime, palët janë ulur duke gjetur gjuhën e përbashkët për ta zgjatur edhe më shumë kontratën aktuale. Në komunikatën zyrtare, nuk bëhen të ditura shifrat e kontratës që do të skadojë më 30 qershor të vitit 2022, por theksohet se termat ekonomikë me numrin 1 të portës bardhekaltër, janë përmirësuar ndjeshëm dhe ai do të përfitojë një shumë të konsiderueshme për të vazhduar rrugën me projektin e klubit bardhekaltër, ku këtë sezon është transformuar në një hero të vërtetë me pritjet vendimtare.
Strakohsha është portieri me mesataren më të lartë të pritjeve për ndeshje, madje në shumë raste ai ka rezultuar vendimtar në rezultatet e këtij sezoni. Bashkë me portierin shqiptar, Lazio komunikon edhe rinovimin me qendërsulmuesin Ciro Immobile për të njëjtin afat. Lojtari italian do të përfitojë 2.5 milionë plus bonuset e lidhura me paraqitjet e tij.
Strakosha nuk ngurroi të shprehë gjithë kënaqësinë e tij në rrjetin social Facebook. “Ky rinovim më mbush me kënaqësi. Bashkë deri më 2022-in, Go Lazio”, shkruante Strakosha në llogarinë e tij në Facebook. Portieri i kombëtares shqiptare do të jetë i lidhur me Lazion deri në vitin 2022, me një kontratë shumë më të majme sesa aktualja. Strakosha po bën paraqitje të shkëlqyera me fanelën e bardhekaltërve, duke u bërë shpeshherë edhe protagonist i fitoreve të arritura.

Raiola: Ibra do të punojë për mua!

Mino Raiola-Zlatan Ibrahimoviç, një marrëdhënie e qëndrueshme prej shumë vitesh, nga e cila kanë përfituar shumë të dy. Kushedi së çfarë do të ketë menduar gjiganti suedez i Mancheser United nga batutat e menaxherit të tij italian, që, mes shakasë dhe seriozes, u shpreh: “Duhet të luajë akoma për 5 ose 6 vjet. Nuk do ta lë të heqë dorë kaq shpejt, kam punuar me të për shumë vjet tani është radha e tij të punojë për mua. Fëmijët e mi janë rritur dhe kanë nevojë për para. Kemi rëndë dakord që për 5 vitet e ardhshme të punojë vetëm për mua”.
Por çfarë do të ndodhë me Zlatanin kur të heqë dorë nga futbolli? “Do të jetë gjithmonë në jetën time, si futbollist, sipërmarrës, drejtues sportiv ose trajner, nuk ka rëndësi. Shpresoj që një ditë të bëhet trajner, sepse jam kurioz të shoh futbollistët tek i thonë Zlatanit që nuk e kuptojnë se për çfarë po flet. Do të doja të kisha një telekamera të fshehtë për të parë reagimin e tij, kur ndonjë lojtar t’i thotë se është më i mirë se ai”, u shpreh Raiola. Raiola theksoi edhe një herë se futbolli italian mbetet 50 vite, pas sidomos për shkak të diskriminimit të lojtarëve me ngjyrë.

Benzema?! Kane shënoi sërish

Real Madrid's Karim Benzema celebrates after scoring against Xerez during their Spanish first division match at the Santiago Bernabeu stadium in Madrid September 20, 2009. REUTERS/Paul Hanna (SPAIN SPORT SOCCER)

Vazhdojnë replikat mes Gary Lineker dhe Zinedine Zidane në Twitter. Ish-ndërkombëtari anglez kishte vënë në diskutim cilësitë reale të Karim Benzema, ndërsa trajneri i Real Madrid-it i është përgjigjur duke mbrojtur lojtarin e tij. Deri në këtë pikë të sezonit Karim Benzema ka shënuar vetëm një gol në La Liga kundër Getafe-s. I futur në lojë në pjesën e dytë, ndërkombëtari francez nuk shënoi, por shërbeu një asist për Marcelo-n që realizoi golin e tretë të fitores 3-0 të “Los Blancos” ndaj Eibar-it.
Por këshilltari i BBC-së nuk ka ndalur dhe ka përfituar nga performanca e Harry Kane për të vijuar replikat. Me dy golat e shënuar Harry Kane ishte protagonist i fitores së Tottenham-it 4-1 ndaj Liverpool-it në javën e 9 të Premier League-s:“Harry Kane shënoi sërish. Fatmirësisht, Zidane mendon se, Benzema është më i miri, pra, ata nuk do të tentojnë të na e marrin”, shkroi në Twitter Lineker. Real Madrid është përfolur si një nga klubet që interesohet për ndërkombëtarin anglez.

 

Kapelo, jo Milanit

Fabio Capello, në mënyrë të qartë e përjashton një rikthim në stolin e Milanit: “Unë kam dhënë tashmë kontribut si trajner për kuqezinjtë. Italia është gjithmonë në zemrën time, por kam pasur fatin e mirë për të punuar në Spanjë, Angli, Rusi dhe tani në Kinë. Vetëm duke udhëtuar kështu jemi pasuruar profesionalisht. Jiangsu Suning është përvoja ime e fundit. Kam kërkuar për t’u kthyer trajner i një klubi dhe e kam bërë. Unë ende kam një vit kontratë dhe pastaj do të shkoj me pushime”. Asnjë udhë “romantike”, pra, në rastin e një shkarkimi të Montellës dhe zëvendësimit të tij, siç është përfolur së fundi.
Refuzimi – Don Fabio, i intervistuar nga “Radio Anch’io Sport”, kundërshton projektin e rindërtimit të kuqezinjve, por shpëton trajnerin e tyre: “Kur ju bëni revolucione, me kaq shumë lojtarë, duhet t’i jepni kohë trajnerit. Ndoshta gabimi është një tjetër: ekipi u forcua shumë në pikat e dobëta, duke blerë kaq shumë lojtarë. E mira do të ishte për të marrë tre lojtarë të rëndësishëm, që me të vërtetë të bënin diferencën”.
Napoli dhe Interi – Me pak fjalë, Milani i ri nuk e ka bindur Capellon, që gjykon së jashtmi: “Në Kinë flasim më shumë për Interin. Është për të ardhur keq që Milani është në këtë situatë”. Ndërsa Napoli dhe Interi e kanë goditur trajnerin aktual të Jiangsu: “Unë pashë një futboll të madh në ndeshjen mes tyre, çka nuk ma zinte syri prej një kohe të gjatë në Itali. Arbitri ndërhyri shumë pak, sepse topi ishte duke udhëtuar me njëmijë në orë. Napoli dhe Interi kanë dy stile loje shumë të ndryshme, por ia vlejnë të zgjohesh në 02:30”.
Teknologjia, VAR – “Unë kam qenë gjithmonë në favor të VAR, kjo të ndihmon shumë, thotë
Capello. “E kam paguar në Angli gabimin e arbitrave për një gol me vlerë një metër e gjysmë”, tha ai.
Botërori – Don Fabio i “kalon gishtat” edhe në funksion të “play-off”-it të Italisë kundër Suedisë, për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, “Rusia 2018”: “E tërë Italia duhet ta mbështesë ekipin kombëtar. Unë dua ta shoh të mbushur plot “San Siro”, sepse tifozët të shtyjnë shumë drejt Kupës së Botës. Natyrisht, nuk mund të bëj parashikime, por Botërori pa axurrët është i mangët”.
Arlind RAMA

Fabregas: Më mungon familja dhe miqtë e mi në Barcelonë

LONDON, ENGLAND - AUGUST 23: Cesc Fabregas of Chelsea during the EFL Cup match between Chelsea and Bristol Rovers at Stamford Bridge on August 23, 2016 in London, England. (Photo by Catherine Ivill - AMA/Getty Images)

Cesc Fabregas thotë se është shumë i lumtur te Chelsea për të kërkuar një transferim, por pranon se i mungojnë miqtë dhe familja e tij në Barcelonë. Fabregas u kthye në Premier League me Chelsea në vitin 2014, për një kontratë prej 27 milionë paundësh, duke bërë 151 paraqitje për klubin katalanas. 30-vjeçari e filloi karrierën e tij në Barcelonë, para se të bashkohej me Arsenalin si një 16-vjeçar. Tani ai ka pranuar se ndien mungesën e më të afërmve dhe më të dashurve, pavarësisht lumturisë së tij të padiskutueshme në “Stamford Bridge”. “Kam gjetur lumturinë absolute te Chelsea, tha ai për “Vanity Fair”. Familja ime është e kënaqur, ajo është përshtatur tërësisht me jetën në Londër. Unë jam shumë i lumtur”, tha ai.
Në një intervistë të gjerë, Fabregas, një nga lojtarët më të dekoruar të brezit të tij, gjithashtu lëshoi një fjali-këshille për lojtarët e rinj, që kërkonin të bënin rrugën e tyre në futboll: “Mos shikoni vetëm llogarinë tuaj bankare. Mos u hutoni nga fama dhe paratë, mos u udhëhiqni nga lloji i gabuar i njerëzve. Unë kam parë të rinj me talent të jashtëzakonshëm, që kanë dështuar. Dhe, përkundrazi, kam parë lojtarë më pak të talentuar, që triumfojnë në bazë të qëndrimit dhe angazhimit të tyre. Të jesh i rrethuar nga njerëz që me të vërtetë të duan, është shumë e rëndësishme”, tha ai.