31.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Mashtrimi me FBI, do vijë një firmë private me qëllime fitimi pa asnjë lidhje me FBI

“Po diskutojmë me një kompani hetimesh dhe auditimesh që drejtohet nga agjentë të FBI-së…. ish-agjentë të FBI-së, që do vijnë këtu”.
Këtë pohoi Kryeministri para drejtuesve të policisë dhe deputetëve të Komisionit të Sigurisë. Në fakt, Kryeministri fillimisht u shpreh për kompani që drejtohet nga “agjentë të FBI-së”, por menjëherë u vetëdijësua se ky ishte keqinformim i hapur dhe, pas një pushimi mendues, e korrigjoi veten duke thënë “ish-agjentë të FBI-së”.
Njoftimi u bë në kuadër të informimit të kryeministrit se, qeveria shqiptare po merr ndihmë nga partnerët e huaj. Për ta ilustruar këtë fakt, ai pohoi se në ditët e ardhshme do të vijë në Tiranë një agjent i FBI-së dhe një agjent i forcave të rendit të Gjermanisë, të cilët sipas tij do t’i japin ndihmë policisë në luftën kundër krimit.
Por konteksti i pohimit dhe qëllimi i pohimit është jo vetëm keqinformues, por ngre një sërë pikëpyetjesh serioze.
Firma private së cilës i referohet Kryeministri Rama dhe që pritet të kontraktohet në ditët e ardhshme është Freeh Group International Solutions, firma e themeluar dhe e drejtuar nga Louis J. Freeh, ish-drejtori i FBI-së në periudhën 1993-2001.
Firma, në të cilën Freeh ka angazhuar ish-agjentë të FBI-së dhe ish-punonjës së zbatimit të ligjit, është e specializuar në investigime private për çështje të mashtrimit dhe korrupsionit financiar në organizatat private dhe në auditimin financiar dhe ligjor të kompanive.
Lousi Freeh, është një individ me emër dhe përvojë në fushën e hetimeve dhe me akses në shumë rrethe të forcave të zbatimit të ligjit dhe të politikës në Uashington. Megjithatë, aktiviteti i tij është privat dhe për qëllime fitimi dhe i palidhur me FBI-në apo me institucionet e tjera të qeverisë amerikane.
Edi Rama ka vendosur për kontraktimin e tij para disa muajsh, dhe qëllimi kryesor duket se është më shumë ai i lobimit dhe i imazhit se sa i hetimit.
Louis Freeh e vizitoi privatisht Shqipërinë në muajin mars 2017. Gajtë kësaj vizite u bë publik takimi i tij me ministrin Fatmir Xhafaj, ditën e parë të punës së këtij të fundit, pasi ai zëvendësoi Saimir Tahirin. Ministria e Brendshme dhe mediat proqeveritare e shitën takimin si një takim zyrtar dhe si mbështetje e FBI-së për qeverinë dhe ministrin Xhafaj, por vetë Freeh u shpreh se kishte ardhur në mbështetje të 3 mijë muxhahedinëve iranianë që streohen në Shqipëri.
Exit.al në atë kohë kontaktoi me zyrën e shtypit të FBI-së, e cila në një përgjigje të shkurtër informoi se:
“Louis Freeh është qytetar privat, i cili vepron si i tillë. Ai nuk ka aktualisht asnjë lidhje formale, dhe nuk përfaqëson në asnjë lloj mënyre FBI-në apo organizatat ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara”.
Nuk dihet nëse kontrata që po diskutohet me Freeh është diskutuar që në mars, apo nëse takimi i atëhershëm me Xhafën krijoi njohjen që ka çuar në bisedat e mëvonshme për kontraktimin e shërbimeve të tij. Sidoqoftë, është e qartë se pas sigurimit të mandatit të dytë dhe veçanërisht në kushtet e trysnisë së madhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Kryeministri Rama duket se ka vendosur ta kontraktojë Freeh.
Si në çdo rast tjetër, edhe në ketë rast praktika e kontraktimit nga qeveria është krejtësisht jo-transparente. Nuk dihet se cila do të jetë fusha specifike e konsulencës apo shërbimeve që do ofrojë firma e Louis Freeh; sikurse nuk dihet se çfarë statusi mund të kenë një grup hetuesish privatë të kontraktuar nga një institucion publik i zbatimit të ligjit.
E paqartë është gjithashtu baza dhe procedura e kontraktimit të firmës nga ana ligjore, pasi ligji kërkon që qeveria të përdorë procedurë konkuruese, me shpallje ndërkombëtare, për marrjen e shërbimeve të tilla.
Një shqetësim tjetër është, natyrisht edhe mënyra se si do të harmonizojë Ministria e Brendshme ndihmën zyrtare në konsulencë dhe këshillim teknik nga FBI-kryeministri Rama ka shpallur ardhjen në Tiranë të një agjenti të FBI-së-me një grup hetuesisht privatë, me gjasa ish-agjentë të FBI-së.
Një gjë mund të hamendësohet lehtë: kontraktimi i Freeh duket se ka më shumë qëllim për të përfituar prej emrit, ndikimit dhe kontakteve të tij lobuese në fushën e zbatimit të ligjit dhe politikës së SHBA-ve, se sa produktin konkret të shërbimeve të tij teknike.
Bashkëpunimi me Freeh është në vazhdën e qasjes së zakonshme të Kryeministrit Edi Rama për të patur akses në qarqet politike ndërkombëtare përmes ish-politikanëve apo qeveritarëve që kërkojnë të bëjnë para, duke shitur emrin, lidhjet dhe ndoshta ekspertizën e tyre, pas përfundimit të karrierave publike.
Gjatë qeverisjes së tij, ai ka kontraktuar apo u ka dhënë kontrata konsulence një numri ish-funksionarësh apo figurash të njohura publike, përfshi ish-kryeministrin britanik Tony Blair; gruan e tij, Cherri Blair; ish-presidentin e EBRD-së Jacques Attali; ish-kryeministrin suedez Goran Person; profesorin Ricardo Hausman dhe Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar që ai drejton në Universitetin e Harvardit; ish-drejtorin e komunikimit të Tony Blair, Alaistair Campbell; etj.
Të gjithë këta persona janë përdorur kryesisht për arsye propagande dhe imazhi vetiak ose partiak nga Kryeministri Rama, pa dhënë ndonjë shërbim të mirëfilltë ndaj vendit.
Pas një karriere të shkëlqyer si hetues special i FBI-së dhe pastaj Gjykatës në Gjykatën e Qarkut të Nju Jorkut, Louis Freeh shërbeu si drejtori i FBI-së për 10 vjet, nga 1993 në 2003.
Pas dorëheqjes nga ky post, ai ndoqi rrugën që ndjekin shumë ish-politikanë apo zyrtarë të lartë amerikanë, kur mbyllin karrierat publike, shërbejnë në bordet e kompanive private apo krijojnë firma private, me qëllim që të sigurojnë para, duke shitur klientëve emrin, ekspertizën apo lidhjet e tyre.
Me dy kompanitë e tij, Freeh Group International Solutions dhe Freeh Sporking & Sullivan, Freeh u ka shërbyer klientëve të të gjitha llojeve, nga FIFA tek Daimler tek Universiteti Penn State në SHBA. Jo rrallë, ai ka mbrojtur klientë që akuzoheshin në fakt për korrupsion nga qeveri apo organizata të zbatimit të ligjit si Princi i Arabisë i dyshuar në korrupsion në blerje avionësh ushtarakë, një miliarder izraelit, që akuzohej për korruptimin e një qeverie afrikane për një koncesion minerar, apo, së fundmi, një biznesmen rumun të dënuar për korrupsion nga gjykatat rumune.
Freeh ka krijuar një pasuri të madhe nga praktika e tij private dhe së fundmi bëri bujë në mediat amerikane pas blerjes së një vile me vlerë gati 10 milionë dollarë.

“Exit.al”

Zagani për mediat italiane: Bashkë me Tahirin bie qeveria

Dritan Zagani, ish-oficeri i Policisë Kufitare të Vlorës, i cili ka denoncuar aktivitetin kriminal të vëllezërve Habilaj dhe lidhjet e Saimir Tahirit me ta që në vitin 2015, ka dhënë një intervistë për gazetën italiane (e para që bëri publike përgjimet e Dosjes Habilaj) Meridioneës.
Më poshtë, gjeni intervistën e plotë:
E mërkura për Shqipërinë do të jetë një nga ditët më të vështira të historisë së viteve të fundit. Kuvendi duhet, përmes një votimi të dyfishtë, të vendosë nëse do të heq imunitetin e ish-ministrit Tahiri dhe të vlerësojë nëse do t’i lërë rrugë të lirë arrestimit të tij.
Një dokument i dyfishtë vjen në sallën e Kuvendit një javë, pasi politikani i Partisë Socialiste, nga më të afërmit e kryeministrit Edi Rama, përfundoi nën akuzën për marrëdhënie të mundshme me kushurinjtë e tij Moisi dhe Dritan Habilaj, të konsideruar nga gjyqtarët katanez ndër narkotrafikantët kryesorë të Ballkanit. Dhe është pikërisht Katania vendi nga ku nisi tërmeti politik në Shqipëri. Të hënën e shkuar Guardia di Finnazia arrestoi 11 persona në vazhdën e operacionit të policisë “Rosa dei Venti”. Ditën pasardhëse, të martën, gazeta MeridioNeës publikoi ekskluzivisht përgjime dhe detaje të hetimit përfshirë edhe disa biseda, në të cilat Moisi Habilaj diskuton për para për t’ia dhënë dikujt, i ashtuquajtur “Saimir”, që hetuesit katanez thonë se është kushëriri politikan i Habilajve.
Tani, flet për gazetën tonë në një intervistë ekskluzive Dritan Zagani, polici i Antidrogës shqiptare i detyrur të largohet në Zvicër, në një vend sekret, tashmë prej shumë kohësh, sepse në Shqipëri akuzohet për shpërdorim detyre, dhe në të kaluarën, i dyshuar për kalim informacioni drejt Italisë.
Ai, ndërmjet viteve 2014 dhe 2015, ishte i pari që akuzoi ish-ministrin Tahiri si të përfshirë në narkotrafik, duke zbuluar edhe përdorimin, për të transportuar drogë, të makinës private të Tahirit nga kushërinjtë e tij, i njëjti mjet i përmendur tani nga Guardi di Financia e Katanias.

-Tani në Shqipëri të gjithë janë kthyer dhe flasin për përfshirjen e mundshme të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në narkotrafik. Ju si ndjeheni?
Hetuesit italianë më kanë bërë dhuratën më të bukur në botë, por unë sidoqoftë ndjehem keq, nuk jam i lumtur për atë që po ndodh në vendin tim. Tashmë kam ikur prej disa vitesh dhe prej katër vitesh jam i akuzuar pa u zhvilluar asnjë seancë gjyqësore. Unë jetoj me familjen time, bashkëshorten dhe tre vajzat tona. Po përpiqem të krijoj një jetë të dytë në Zvicër dhe, nëse kam vendosur të iki nga Shqipëria, e kam bërë kryesisht për familjen time.

-Keni kaluar nga pozicioni i shefit të Policisë së Antidrogës të qytetit të Fierit, afër Tiranës, në të burgosur të vetë vendit. Si është e mundur?
Në vitin 2014 hetoja një bandë trafikantësh të lidhur me kushërinjtë Habilaj. Një grup shumë i fuqishëm që trafikonte kokainë dhe armë. Kisha edhe informacion, por më pas u futa në burg. Gjatë hetimeve pashë edhe AUDI-n e famshëm që më pas zbulova se ishte i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, atëherë në detyrë. Vura re që përdorej për udhëtime të dyshimta, por denoncimet e mia nuk u dëgjuan kurrë.

-Ju përfunduat në burg. Për sa kohë qendruat në burg? Çfarë hynë këtu puna që bënte policia italiane?
Më kanë mbajtur në burg për gjashtë muaj dhe tetë ditë pa ardhur asnjë prokuror apo dikush të më dëgjonte. Askush nuk më mori në pyetje, thjeshtë më harruan. Në atë kohë, bashkëpunoja me hetues italianë, përmes kanaleve informale ashtu sikurse ndodh në të gjithë botën. Kjo gjë ngriti dhe akuzën e shitjes së informacionit.

-Gjatë këtyre punëve flisnit me policin Alessandro Giuliani, që për një periudhë kohe ishte nën përgjim. Kështu përfundoni dhe ju në telashe, sikurse jeni shprehur vetë ju për programin Le Iene, për diskutimet e juaja mbi drogën. Në shpëtimin tuaj mund të kishte ardhur shefja e Interpolit në Tiranë, Anna Poggi, por gjërat rodhën ndryshe.
Ishin vetëm thashetheme mbi mua, pa asnjë provë. Unë mund të them me siguri që do të luftoj deri në fund dhe do t’i nxjerr këto persona përpara Gjykatës të së Drejtave të Njeriut në Strasburg.

-Shqipëria mbetet kanali i privilegjuar për furnizimin e Siçilisë me marijuanë. A kanë ndryshuar, ndër vite, mënyrat e përdorura nga trafikantët?
Deri në vitin 2014 kisha shumë informacione për udhëtime me kamionë, por edhe në rrugë detare me peshkarexha. Kisha edhe shumë lajme udhëtimesh për në Kalabri. Gjatë asaj periudhe u transferova dhe shërbimet sekrete më informonin që droga merrej edhe me avionë të vegjël turistikë. Rrezikonin shumë për të transportuar 200-300 kilogramë marijuanë gjatë një udhëtimi. Kjo mund të ndodhte vetëm nëse kishin mbrojtje nga nivele të larta.

-Sa korrupsion ka në vendin tuaj? Habilaj në letrat e hetimit “Rosa dei Venti” shumë herë i referohet rolit të policisë në trafikun e drogës.
Gjithmonë kam denoncuar korrupsionin. Por problemi i vërtet është kur anëtarë të policisë kanë interesa me narkotrafikun. Edhe politikanët i kanë përdorur paratë e kriminalitetit, edhe si financime të fushatave zgjedhore. E gjithë bota e di që janë mbyllur sytë për t’i lënë rrugë të lirë kultivimit dhe shitjes së marijuanës.

-A do të ndryshojë ndonjëherë kjo gjendje?
Në Shqipëri për të ndryshuar duhet shumë kohë. Duhet një punë e fortë e Evropës ose rrezikon të përfundojë në strofull të kriminalitetit. Ndryshe ka vetëm një zgjidhje: revolucioni. Mafia është shumë e fortë dhe baza është tek droga.

-Kuvendi, sipas jush, do të marrë një qendrim kaq të prerë kundër Tahirit?
Nuk do të votojë pro, sepse Tahiri është vetëm një unazë e një rrjeti më të gjatë që nuk mund të bjerë, sepse me të do të rrëzohej edhe qeveria shqiptare.

Kylian Mbappé fiton çmimin“Golden Boy”

Gazeta italiane, Tuttosport, jep çdo vit çmimin e futbollistit më të mirë nën 21 vjeç, i ashtuquajtur “Golden Boy”. Vitin e kaluar fitues i këtij çmimi ishte Renato Sanchez (aktualisht luan i huazuar nga Bayerni të Sweansea), ndërsa këtë radhë triumfoi me diferencë të madhe votash ndaj rivalëve të tij, Kylian Mbappé. Sulmuesi aktual i PSG-së ishte një nga zbulimet e mëdha të futbollit europian sezonin e kaluar, teksa aktivizohej me Monaco-n. Talenti i futbollit francez ka marrë një numër rekord votash, 191 nga 300 gjithsej.

Garanti i mafia-s sulmon prokurorët

Mbrojtja më e mirë është sulmi. Kjo funksion me Ramën. I trembur në palcë nga hetimet për Tahirin dhe çmontimi i organizatës kriminale, Rama lëshoi dje një lumë akuzash kundrejt Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Rama deklaroi publikisht se për të nuk ka rëndësi ajo çfarë thotë Prokuroria, por e rëndësishme është që të mbrohet Tahiri me votën kundër institucionit të akuzës në Parlament.
Rama është bërë qesharak, duke deklaruar edhe se deri ku mund të lejonte që Prokuroria të hetojë Tahirin. Ai tha se pranon të qëndrojë në një vend të caktuar , por kurrsesi të arrestohet. Ky është niveli më qesharak i një Kryeministri.
“Me ca letra magazine nga Italia, por me demek për të bërë drejtësi. Kush e inskenoi pas 25 vitesh atë stafetë barbarie, mes politikës që baltos dhe drejtësisë së burgos. Nuk besoj që ata njerëz me shkollë me një farë eksperiencë që ato 4 fletë bakalli justifikojnë faturën e arrestit të një deputeti. Kaq për atë shfaqje dramatike dhe komike”, tha Rama.
Megjithëse njoftoi përjashtimin e Saimir Tahirit, nga PS-ja, forumet dhe postet në parti deri në përfundim të hetimeve, Rama tha se Prokuroria nuk ka prova.
“Ku u gjet ky zell i madh i një Prokurorie që s’ka lëvizur as fijen e flokut ndaj krimit, me një bilanc memec, me ca akuza të pabaza. Vazhdon avazi, policia kap natën dhe kriminelët vijnë në mëngjes, duke dredhur zinxhirin në dyert e gjykatave”, shtoi Kryeministri.
Ai madje bëri paralelizim mes situatës ku ndodhet sot Tahiri, me atë të ish-Kryeministrit socialist Fatos Nano.
“Arbitrariteti është i patolerueshëm. Drejtësi po, deri në fund. Ta harrojnë arbitraritetin. Ku bën vaki në cilin shtet, që t’i kurohet të akuzuarit që të provohet se nuk është fajtor. Ai që akuzon duhet të vërtetojë çdo akuzë që ngre. Akuzuesi nuk jep asnjë provë. Kjo barbari a nuk u ngjan me atë që ndodhi në fillim të viteve ’90 që drejtësia çoi pas hekurave kryetarin e partisë tonë?”
Kryeministri foli për akuza inatçore dhe komplot, megjithëse nuk solli në fjalën e tij, asnjë fakt, sepse ‘komploti’ ndaj Tahirit është i inskenuar politikisht.
“Të gjithë presin që t’i bashkohem qëndrimit të Tahirit kundër një gjyqi farsë, që i ngjan një farse të inskenuar nga inatçorë. Por jo, edhe më parë i bëhej i njëjti gjyq nga prokurorët dhe gjykatat. Gjyq politik, kopje surrogato”, sqaroi Rama.
Rama shkoi më tej, kur tha se uronte me “mish dhe me shpirt” të mos bëhej pishman për besimin që i kishte dhënë Tahirit.
“Pasi gjithçka bëmë në një punë dreqi, nuk kanë munguar gabimet, por nuk kemi gabuar me qëllim. Uroj të mos e kem pishmanin e jetës time gjithçka i kam dhënë dhe kam marrë nga Tahiri që kur hyri në PS”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë.
Fjalimi i Kryeministrit, ishte i paqartë dhe kjo u reflektua në dy momente.
Së pari, ai përjashton Tahirin nga çdo pozicion në PS, të njëjtën gjë bëri me Kokëdhimën, apo Tom Doshin.
Së dyti, sulmon Prokurorinë.
Nëse Rama është i bindur se, Prokuroria nuk ka prova, ka një bilanc memec, vepron sipas interesave politike, komploti është i ngjashëm me atë ndaj Nanos, atëherë pse duhet të përjashtojë Tahirin?….
“Tahiri do të jetë një njeri i lirë dhe një deputet i lirë, jashtë forumit të Partisë Socialiste dhe jashtë Grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Tahiri do të jetë 1 njeri i lirë deri në fund të këtij procesi”, tha Rama
Ndërkaq, dhe Prokuroria nuk qëndroi gojëkyçur përballë sulmit të Ramës.
Në një deklaratë të shpërndarë në media, organi i akuzës, ia bëri të qartë të parit të qeverisë, se nuk do intimidohet nga asnjë goditje politike, pasi kjo pritej që në momentin e parë kur ka nisur hetimet për Tahirin.
“Kryeministri Edi Rama, shpreh keqardhjen që Prokuroria e Krimeve të Rënda, është shprehur në media menjëherë pas fjalës së tij përpara grupit socialist, lidhur me kërkesën për hetim të deputetit Saimir Tahiri. Kryeministri i Shqipërisë, mbron pikëpamjen se detyra e organit të Prokurorisë nuk është as të dëgjojë politikën, as të replikojë me politikanët, as të publikojë në media opinionet e saj, për çfarë thotë një politikan a një tjetër”, deklaron Zyra e Shtypit në Kryeministri.

Verratti mbështet Neymar

Mesfushori i PSG-së, Marco Verratti, beson se ai do ta kishte humbur durimin dhe qetësinë shumë më herët se Neymar kundër Marseillës, nëse do të pësonte ndërhyrje ashtu si braziliani. Ndërkombëtari nga Brazili u nxorr jashtë me kartonin e dytë të verdhë pak minuta nga fundi i lojës, në barazimin 2-2, të dielën, pas përplasjes me Lucas Ocampos. Ky ishte kartoni i dytë i verdhë i Neymar në tre minuta, por Edinson Cavani arriti të barazojë për PSG-në me një goditje të lirë në fund. Verratti tha se shoku i tij i skuadrës bëri mirë që e kontrolloi veten për kaq shumë kohë, derisa objektet e hedhura nga tribunat dhe që i binin pranë nuk kishin të ndalur:
“Nëse do të kisha qenë në vend të Neymar, unë do ta kisha humbur kontrollin 15, apo 20 minuta para se ai ta bënte”, tha italiani ndërkombëtar. Neymar, i cili kishte anuluar më parë opsionin e Luiz Gustavo, u godit pesë herë, më shumë se çdo lojtar tjetër gjatë takimit. Ashtu si trajneri Unai Emery edhe Verratti bëri thirrje ndaj gjyqtarëve për mbrojtje më të madhe të 25-vjeçarit. “Disa lojtarë duhet të mbrohen, tha ai. Kur luaj kundër Barcelonës, faulli i dytë që mund të bëj ndaj Lionel Mesit do të jetë patjetër karton i verdhë. Kështu funksionon në Europë. Ju nuk mund t’i vrisni këta lojtarë për një ndeshje”, tha Verrati.

Fundjavë “e kuqe”

Fundjava që lamë pas ofroi emocione të shumta me përplasje të nxehta në kampionatet elitare në Europë, ku nuk munguan edhe rastet ku u tejkalua lufta e fortë sportive, duke i detyruar gjyqtarët e ndeshjeve që të mos i kursenin kartonët e kuq për lojtarët problematikë. Vetëm në Serinë A dhe në Ligën e Parë Franceze janë dhënë plot 10 kartonë të kuq, nga 5 për çdo kampionat, ndërsa në Bundesligë (1), Premier League (1) dhe La Liga (0), fundjava ka qenë më e qetë. Ndëshkimit të ashpër të gjyqtarëve nuk u kanë shpëtuar edhe emra të mëdhenj, si Neymar, Bonucci apo Mandzukiç, por në asnjë rast skuadrat e tyre, PSG, Milan apo Juventus nuk kanë pësuar disfatë.
Në sfidën “e nxehtë”, Marseille – PSG, në minutën e 87-të, teksa vendasit kryesonin 2-1, Neymar nuk i përmbajti nervat, duke goditur me kokë kundërshtarin, pas një ndërhyrjeje të rëndë. Kryesori i nxjerr të verdhën e dytë, që automatikisht përkthehet e kuqe. Edhe pse në inferioritet numerik, PSG barazoi me Cavanin në shtesë.
Në Serinë A, një mbrojtës me shumë eksperiencë si Leonardo Bonucci, i blerë pikërisht për të vënë rregull në prapavijë, la në baltë Milanin. Në momentin e ekzekutimit të një goditjeje të lirë nga Genoa, ish-mbrojtësi i Juventusit goditi me bërryl kundërshtarin. Për kryesorin, ky veprim ishte i ndëshkueshëm me karton të kuq. Milani, me 10 lojtarë për thuasje 75 minuta, nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0.
Tjetër rast për t’u veçuar i përket takimit Udinese–Juventus 2-6. Në minutën e 26-të, kur rezultati ishte 1-2, Mario Mandzukiç pati një përplasje me mbrojtësin kundërshtar Adnan. Gjyqtari Doveri i ndëshkoi të dy me karton të verdhë, por reagimi ndoshta i tepruar i kroatit e detyroi kryesorin t’i tregonte të dytin të verdhë brenda pak sekondave.

1 milion USD të tjera koncesionarit pa tender për tunelin e Elbasanit

Në fund të shtatorit të vitit të kaluar Autoriteti Rrugor Shqiptar do të nënshkruante një kontratë mirëmbajtjeje për tunelin e Krrabës që është edhe pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan. Por e gjendur në surprizë me një kontratë që mbaroi në shtator të këtij viti dhe me një tranzicion nëpër institucione si efekt i situatës post zgjedhore duket se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur që të bëjë një shtesë të kontratës deri në një moment të dytë.
Për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion duket se zgjidhja është menduar që të jetë negocimi në tryezë me kompaninë që ka pasur mirëmbajtjen e tunelit përgjatë një viti. Sipas një njoftimi të Agjencisë së Prokurimit Publik bëhen me dije vlerat që do të shkojnë për mirëmbajtjen, por jo afati i shtesës së kontratës.
Kështu vetëm për pjesën e re që fillon nga 29 shtatori 2017 e në vijim vlera e kontratës është mbi 16 milionë lekë shtuar këtu edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Në total kontrata nga fillimi e deri më sot, pra pjesa e prokuruar në vitin 2016 dhe ajo e shtuar së fundmi e çon vlerën në 118 milionë lekë apo mbi 1 milion USD.
Kostoja e mirëmbajtjes së tuneleve nëpër autostrada është relativisht e lartë për shkak të sistemeve që janë të integruara brenda tyre që lidhen me ajrimin apo sigurinë. Përveç tunelit të Krrabës, aktualisht në regjim mirëmbajtjeje është edhe tuneli i Thirrës që gjendet në Rrugën e Kombit, i cili vlerësohet të ketë një kosto më të lartë se ai në Tiranë-Elbasan.
Rama ka vendosur që ta dyfishojë koston e udhëtimit të shqiptarëve nëpër rrugët e vendit. Tiranë-Durrës, Tiranë-Kukës, Tiranë-Shkodër, Tiranë-Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Vlorë etj., s’do të jenë më falas. Qeveria e Ramës ka hartuar një projektplan, i cili pritet të marrë jetë së shpejti. Tarifimi do të jetë rreth 3.5 cent euro për kilometër, çka do të thotë se për të përshkuar 100 kilometra rrugë do të paguhen 3.5 euro ose 500 lekë të reja. Duke llogaritur dhe kthimin, atëherë kjo shifër shkon në 1 mijë lekë ose sa ¾ e konsumit që kërkon një makinë normale karburant për ta përshkuar këtë distancë.

Kostot që prekin të gjithë

Kjo masë nuk do të rëndojë vetëm në xhepat e atyre që kanë automjetet e veta, por do të sjellë dhe një rritje të menjëhershme të kostos së mallrave dhe shërbimeve. Një trajleri, që të vijë nga Kukësi për të marrë prodhimet e Lushnjës për shembull, do të ketë një kosto rreth 1 euro për ton. Një furgon që bën rrugën e Vlorës dy herë në ditë do i duhet të paguajë 20 euro çdo ditë vetëm taksë rruge. Tregtari që bën rrugë në qytetet ndërmjetëse, Fier-Lushnjë, Elbasan–Tiranë ose Lushnjë-Durrës do të ndodhet përpara dy alternativave, ose falimentimin ose ngritjen e çmimeve. Pasojat ende nuk mund të përllogariten, por reaksioni është zinxhir dhe ata që do e vuajnë në kurriz do të jenë qytetarët e këtij vendi, të cilët kanë paguar një herë për ndërtimin e rrugëve. Këto janë masa që prekin të gjithë, që nga fshatari në zonën më të thellë dhe deri tek qytetari hallexhi që me ato pak para i duhet të llogarisë tashmë dhe kostot që i vë në kurriz oligarku i Ramës.

Vendimi gjyqësor i vitit 2005 për Habilajn rrëzon pretendimet e Tahirit

I arrestuari në Itali për trafikimin e rreth 3.5 tonëve kanabis, Moisi Habilaj nuk ka qenë person i panjohur për drejtësinë shqiptare. 39-vjeçari që implikon në përgjimet e tij edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri i ka shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë në vitin 2005, periudhë kur është proceduar nga Prokuroria e Vlorës për akuzën e “mbajtjes, përpunimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim”.
BIRN disponon një vendim të nëntorit 2005 të Gjykatës së Vlorës, ku Moisi Habilaj rezulton se është proceduar dhe gjykuar së bashku me tre persona të tjerë, pasi gjatë një operacioni u gjetën 53 kg kanabis i ndarë në 54 pako e gjysmë, e cila ishte bërë gati për shitje.
Hetimet zbuluan një gjurmë gishti të Habilajt në pakot e drogës, por Gjykata e Vlorës e ka dënuar atë me 10 muaj e 20 ditë burg për akuzën e “moskallëzimit të krimit”.
Lidhjet e Habilajve me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe përmendja e tyre si kontigjentë të policisë në kultivimin e kanabisit u denoncuan për herë të parë në publik nga ish-oficeri i Antidrogës në Vlorë, Dritan Zagani në vitin 2015. Sipas Zaganit, vëllezërit Habilaj lëviznin me makinën e ministrit të Brendshëm dhe ishin të paprekshëm nga Policia e Vlorës.
Në deklaratat publike pas këtij denoncimi, Tahiri pranoi se ia kishte shitur makinën njërit prej vëllezërve Habilaj, me të cilët kishte lidhje fisnore, por u mbrojt me faktin se nuk kishte të dhëna se ata ishin implikuar në kultivimin apo trafikimin e kanabisit.
Padijeninë për implikime të mëparshme të vëllezërve Habilaj, Tahiri e përsëriti edhe intervistën e tij në emisionin “Opinion” më 19 tetor 2017, ku pranoi si gabim të tij faktin që nuk kishte kryer verifikime.
“Unë duhej të kisha kërkuar mirë kujt po ia shisja makinën. Pa paragjykuar fare dhe pa menduar se kjo makinë u ishte shitur ca njerëzve që kanë aktivitet kriminal, më shkoi mendja që të kërkoja makinën time dhe të shkoja me pushime. Kjo më ngarkon me përgjegjësi morale pa asnjë diskutim, por jo me faj”, tha Tahiri në “Opinion”.
I pyetur nga BIRN, një nga prokurorët e çështjes që po heton dosjen “Habilaj” tek Krimet e Rënda tha se, kanë pasur informacione të nevojshme dhe të sigurta se ky person dhe anëtarë të grupit të tij merreshin me aktivitet kriminal.
Sipas prokurorit, në shumë raste ka munguar vullneti i përbashkët polici-prokurori për të hetuar këtë grup, madje në disa raste hetimi për Habilajt është braktisur dhe dekonspiruar, duke mbartur çështjen për vite me radhë.
Procedimi penal që mban numrin 165 i vitit 2005 në ngarkim të të pandehurve Shpërblim Alliu, Moisi Habilaj, Flamur Zeka dhe Ylli Hoxha tregon se, lënda narkotike e ndarë në 54 pako e gjysmë, e cila peshonte 53 kilogramë u gjet në shtëpinë e shtetasit Mustafa Alliu në fshatin Panaja të rrethit të Vlorës.
Nga deklarimet e shtetasit Mustafa Alliu, ka rezultuar se kjo sasi droge i përkiste të pandehurit Shpërblim Alliu.
Nga ana e Prokurorisë është kryer përpunimi kimiko-fizik i sipërfaqeve të brendshme dhe të jashtme të pakove me lëndë narkotike dhe ka rezultuar në shiritin e dytë të natribanit, nga ana e brendshme u gjetën dy gjurmë, të cilat i përkisnin njëra të pandehurit Moisi Habilaj dhe tjetra të pandehurit Flamur Zeka. Në njërën prej sipërfaqeve të mëdha të pakove është gjetur gjurma e pëllëmbës së të pandehurit Shpërblim Alliu, ndërkohë që gjurmë gishti ka pasur edhe i pandehuri në atë kohë, Ylli Hoxha.
Sipas vendimit të Gjykatës që pasoi këtë procedim, Moisi Habilaj ka pranuar se ai kishte dijeni për sasinë prej 53 kg drogë, pasi në një vizitë në shtëpinë e Alliut, ai e kishte hapur ngjitësin. Megjithatë, Habilaj ka pretenduar se pasi e ka mbyllur sërish atë, e ka këshilluar të pandehurin Shpërblim Alliu që ta asgjësonte.
Përfaqësuesi i Prokurorisë, Dorian Tafili, ka kërkuar dënimin me 7 vite burg për Moisi Habilajn, i cili në atë kohë akuzohej për veprën penale të “mbajtjes dhe përpunimit të bimëve narkotike”, por Gjykata e ka rrëzuar këtë kërkesë, duke e dënuar përfundimisht me 10 muaj e 20 ditë burgim për “moskallëzim krimi”.
Pasi pranoi gjykimin e shkurtuar, Gjykata dënoi me 4 vjet burg Shpërblim Alliun, ndërsa Zeka dhe Hoxha u dënuan gjithashtu për moskallëzim krimi.
Avokati Eduard Veçani, i cili në atë kohë mbronte Flamur Zekën kujton për BIRN se, klienti i tij ka qenë punëtor i thjeshtë, i cili kishte pranuar të paketonte sasinë e drogës kundrejt 10 apo 15 mijë lekëve të vjetra.
Sipas avokatit Veçani, këto dënime u lanë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit Vlorë.
Dymbëdhjetë vjet pas dënimit minimal nga Gjykata e Vlorës, Moisi Habilaj akuzohet nga Prokuroria e Katanias për trafikimin e 3.5 tonëve kanabis drejt Italisë, në bashkëpunim me 6 shqiptarë dhe katër italianë gjatë viteve 2013-2017.
Në hetimet voluminoze të antidrogës italiane, Habilaj është përgjuar ndërsa përmend ryshfete apo dhurata për Tahirin dhe familjarët e tij. Këto përgjime, por edhe prova të tjera e shtynë Prokurorinë e Krimeve të Rënda që t’i kërkonin Kuvendit të Shqipërisë të autorizonte arrestimin e Tahirit, si person i dyshuar në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Por deputetët e Partisë Socialiste në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit votuan kundër kërkesës së Prokurorisë, duke paralajmëruar votën kundër arrestimit edhe në seancën e së mërkurës në Kuvendin e Shqipërisë.

“BIRN”

Kreu i Komisionit të Venecias: Shqipëria e zhytur në krim dhe korrupsion

Korrupsioni, krimi dhe droga në Shqipëri janë shndërruar në një shqetësim real për ndërkombëtarët. Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio ngriti alarmin për nivelin e korrupsionit në Shqipëri, duke e cilësuar atë në nivele rekord. Në një intervistë për mediat shqiptare, ai thekson se ky fenomen është i përhapur dhe është jetike lufta ndaj tij. “Korrupsioni është i shëmtuar në të gjitha aspektet, në gjyqësor, politikë, në administratën publike, që për fat të keq në Shqipëri ekziston. Korrupsioni për fat të keq ekziston në të gjitha vendet. Asnjë vend nuk e ka eliminuar tërësisht. Por në disa vende, si në Shqipëri, por ka edhe të tjerë në Europë, korrupsioni ka kapur nivele të mëdha në të gjitha sektorët, jo vetëm në gjyqësor. Pra, duhet luftuar kundër korrupsionit në të gjitha nivelet”, shprehet kreu i Komisionit të Venecias. Korrupsioni, sipas Gianni Buquicchios, mund të rrënohet përmes reformës në sistemin e drejtësisë shqiptare. Si njeri i angazhuar personalisht në këtë reformë, ai thekson nevojën e ecjes me hapa të shpejtë të zbatimit të saj, por në një kohë kur duket se Rama po çon drejt dështimit tërësisht reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut, kreu i Komisionit të Venecias u shpreh se e vetmja shpresë për luftën ndaj korrupsionit është pikërisht reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut. “Pra, u bë kjo reformë, një reformë shumë komplekse, ndoshta pak më shumë se komplekse, por siç duket ishte e nevojshme ky kompleksitet, duke parë situatën shqiptare, ku për fat jo të mirë mes opozitës dhe mazhorancës nuk ekziston besimi që duhet të jetë dhe për pasojë u arrit në një përfundim, Kushtetuta u ndryshua. Tani ligjet e reformës kushtetuese duhen vënë në zbatim. Procesi i Vettingut nuk ka nisur ende, por është e rëndësishme të ecet me shpejtësi. Populli shqiptar nuk mund të presë më për të pasur gjykatës të pavarur dhe të paanshëm. Është thelbësore për shoqërinë shqiptare, për demokracinë në Shqipëri dhe për zhvillimin e ekonomisë”. Përfitimet e shoqërisë shqiptare nga reforma në drejtësi janë të shumta, por Buquicchio nënvizon në mënyrë të veçantë zhvillimin ekonomik përmes investimeve të huaja në vend. “Nëse nuk keni gjykatës të paanshëm, nuk do të keni investime të huaja, pasi një sipërmarrës nuk vjen këtu për të shpenzuar paratë e tij për të zhvilluar ekonominë shqiptare, se në rast konflikti nuk do të ketë një vendim të paanshëm nga ana e drejtësisë. Kjo për ekonominë, por edhe për qytetarët e thjeshtë, është e rëndësishme që gjykatësit të jenë të paanshëm, jo të korruptuar dhe të japin vendimet ashtu siç duhet”, u shpreh Buquicchio. Komisioni i Venecias ka bashkëpunuar me qeverinë shqiptare që në hapat e para të tranzicionit politik në vendin tonë, përmes asistencës në hartimin e ligjeve themelore. Angazhimi kryesor ka qenë kur përmes opinionit të tij, Komisioni i dha dritën jeshile ligjshmërisë së ligjit të vettingut, jetik për pastrimin e drejtësisë shqiptare nga korrupsioni.

Basha: Vetingu ka marrë fund me mbrojtjen e Tahirit e krimit nga Rama

Degradimi i qeverisjes në duart e krimit dhe drogës dhe kriza e thellë e prodhuar për këtë shkak ka bërë që opozita të nisë menjëherë konsultimet me partnerët ndërkombëtarë për të diskutuar me urgjencë zgjidhjet për nxjerrjen e vendit nga kjo gjendje. Dje, kreu i PD, Lulzim Basha përmes një deklarate për mediat pas mbledhjes së Grupit parlamentar demokrat bëri të ditur se, Edi Rama sot bashkë me qeverinë ka rënë.
“Mazhoranca, moralisht është e vdekur. Edi Rama ‘de facto’ ka marrë fund si kryeministër. Ne si opozitë jemi dhe do të jemi në konsultim të vazhdueshëm me qytetarët dhe me faktorin ndërkombëtar për t’iu përgjigjur kësaj gjendjeje, kësaj krize të thellë të vendit”, tha Basha.
Kreu i PD denoncoi mbrojtjen skandaloze të Ramës ndaj Tahirit si dëshminë e lidhjeve të forta të të dyve me bandat e organizuara të trafikut të drogës. “Drejtësia shqiptare paraqiti një kërkesë të vetme pas 4 vitesh hetime të Antimafies italiane, paraqiti një kërkesë të vetme. Edi Rama e rrëzoi këtë kërkesë, gjithçka tjetër është propagandë, gjithçka tjetër është mashtrim për t’i hedhur hi syve shqiptarëve. Fakti është që Edi Rama ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin për të mbrojtur Saimir Tahirin. Parlamenti nuk ka të drejtë të rrëzojë një kërkesë të organeve të drejtësisë të bërë konform rregullave, as nuk ka të drejtë të kthehet në gjykatë dhe të gjykojë provat, kjo i takon gjykatës”, tha Basha.
Basha tha se Rama po mbron Saimir Tahirin sepse është peng i lidhjeve kriminale të Saimir Tahirit, i trafiqeve të drogës dhe sepse ka frikë nga hetimi i pavarur i drejtësisë, hetim që do të zbulojë edhe bashkëpunëtorë të tjerë në kupolën qeveritare. “Edi Rama po mbron Saimir Tahirin sepse është peng i lidhjeve kriminale të Saimir Tahirit, i trafiqeve të drogës dhe sepse ka frikë nga hetimi i pavarur i drejtësisë, hetim që do të zbulojë edhe bashkëpunëtorë të tjerë në kupolën qeveritare, të krimit të organizuar. Ndaj po bën gjithçka për ta penguar këtë hetim. Drejtësia është e nëpërkëmbur, është e kërcënuar. Vetingu është i marrë fund me këtë qëndrim të Edi Ramës që po e përdor për të kërcënuar prokurorët vetëm pse guxojnë të hetojnë Saimir Tahirin dhe vendi është në një krizë totale kushtetuese, politike dhe morale”, tha ai.
I pyetur nëse do të vijojë apo jo bojkoti i komisioneve parlamentare nga ana e deputetëve të Partisë Demokratike, Basha tha: “Sot ka vetëm një komision që është një dëgjesë për çështjen e kancerit. Kështu që në këtë çështje humanitare ne do të jemi të pranishëm në këtë komision. Natyrisht, beteja është jo vetëm kundër kancerit, por kundër kancerit më të madh të këtij vendi që është krimi i organizuar me lidhje politike”.