26.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Prokuroria e Krimeve të Rënda paralajmëron kapjen e drejtësisë dhe i kujton Ramës një Kryeministër të burgosur

Deklarata e plotë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda

Prokuroria për Krime të Rënda rithekson qëndrimin e saj se deklaratat politike nuk e kanë intimiduar dhe nuk mund ta intimidojnë aktivitetin e saj hetimor.

Prokuroria për Krime të Rënda e ka të qartë se, që në fillimet e këtij hetimi, do të përballej me goditje frontale politike, për shkak se person nën hetim është ish-ministri i Brendshëm dhe aktualisht deputet i Parlamentit të Shqipërisë.

Por, kjo nuk e pengoi aspak që t’i drejtohej Kuvendit të Shqipërisë me kërkesë për autorizimin për arrestimin e personit nën hetim. Pasi, në vlerësimin e prokurorëve të çështjes, ekzistojnë kushtet dhe rrethanat ligjore, për të cilat është e nevojshme të merren masat që parashikon Kodi i Procedurës Penale për rastet e veprave të rënda, si ato të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si edhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë….”.

Gjithçka çfarë u deklarua publikisht nga Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, paraditen e së Hënës (dt. 23.10.2017) shkon në të kundërt të asaj që është deklaruar për dy vite me radhë-Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

Në fjalën e tij, kryeministri, në cilësinë e Kryetarit të subjektit politik që ai drejton, shprehu opinionin dhe vlerësimin mbi provat e paraqitura në mënyrë sekrete nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda në Këshillin e Mandave dhe Imuniteteve në Parlamentin e Shqipërisë.

Pra, në mënyrë publike, Kryeministri mori rolin e gjykatës, një atribut që nuk i takon as me Kushtetutë dhe as me ligj.

Në vlerësimin tonë, ky qëndrim publik i Kryeministrit është sinjal i qartë që lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, qëllimi i të cilës ishte edhe miratimi i Reformës në Drejtësi, do të kontrollohet nga politika.

Prokuroria për Krime të Rënda ka pasur kënaqësinë, disa kohë më parë, të dëgjojë përvojën e homologëve të saj në Kroaci, hetimet e të cilëve, të nisura për një orë dore, përfunduan me arrestimin e, më tej, me dënimin e ish-kryeministrit të atij vendi. Gjithashtu, përvoja të ngjashme të suksesshme ka pasur edhe në vende, si Rumania e të tjerë.

Prokuroria për Krime të Rënda është e bindur se i gjithë faktori politik shqiptar, i mbështetur edhe nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, hartuan Reformën në Drejtësi, duke pasur si guidë të suksesshme përvojën kroate e rumune, të cilat i ndihmuan për t’u integruar në Bashkimin Europian.

Nëse hetimet e Prokurorisë do të shoqërohen me ndërhyrje flagrante të politikës, atëherë qëllimi i Reformës në Drejtësi për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në nivele të larta, do të jetë një sfidë e cila nuk do të përballohet me sukses.

Gjithësesi, Prokuroria për Krime të Rënda po vijon hetimet e saj, si për rastin konkret, ashtu edhe për çështje të tjera të krimit të organizuar dhe grupeve të strukturuara kriminale.

Deklaratat politike dhe, sidomos presionet indirekte me procesin e Vetingut, nuk mund dhe nuk do të mund të cënojnë proceset hetimore.

Si u filmua Gjiknuri duke i dhënë para Habilajve për të blerë votat

Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri është filmuar duke i dhënë para Habilajve në fushatë për të blerë votat. Denoncimi është bërë nga një qytetar nga Vlora, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Gjiknuri ka qënë drejtues politik i Partisë Socialiste në Vlorë dhe ka drejtuar fushatën.

“Gjiknuri ne tepsi! I filmuar duke i dhene para Habilajt ne fushate per te blere votat!

Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital!”, shkruan Berisha.

“Pershendetje Doktor! Gjate fushates elektorale te fundit, Habilajt uleshin per dreka dhe darka me Damian Gjiknurin ne Vlore. Madje Habilajt kane edhe regjistrime duke i ofruar para ne dore D.Gjiknurit. Kane pasur mardhenie te regullt interesash Gjiknurin. Ju uroj shendet. Anonim Ju lutem!”, shkruan qytetari nga Vlora.

Dorëzo mafian! Rama, mes një fundi të tmerrshëm dhe një tmerri pa fund

Arben SHAHINI

Nga të qarat në intervistën e fundit televizive ku paralajmëronte arrestimin dhe burgun, drejtuesi i Habilajve ishte më i qetë dje në mbledhjen e Komisionit të Mandateve. Ish–ministri i Brendshëm, ndonëse në gjendje tensioni dukej disi më i qetë krahasuar me pamjen e një nate më parë, ku i duhej të përmendte shpesh edhe fatin e djalit të tij si një amanet që mafiozët e shqiptojnë për të fundit herë.
Kryetari i opozitës Basha deklaroi se Rama dhe Tahiri kanë arritur pakt mes tyre për të qenë në anën e mafies dhe jo në anën e drejtësisë, ndërsa një ditë më parë kishte paralajmëruar se Tahiri ka filmime dhe përgjime përmes të cilave Tahiri e mban peng Ramën.
Brenda pak orësh deklaratat e Ramës kanë ndryshuar krejtësisht. Nga një njeri i “tronditur” nga biseda e kriminelëve ku përmendet emri i Tahirit për shumat e parave që kishte përfituar nga trafiku i drogës dhe që kërkonte që drejtësia të jepte një vendim, dje ai ndryshoi tërësisht qëndrim dhe i quajti akuzat ndaj ish-ministrit të tij si ato të një kazani mediatik.
Bllokoi vendimin e Komisionit të Mandateve dhe kërkoi edhe më shumë kohë për ish-ministrin e vet. Bedelët e tij në Komision filluan të ngrinin zërin dhe deklaronin se provat e Antimafies italiane nuk i bindnin për përgjegjësinë që kishte ortaku i Habiljave në organizatën kriminale. Po ashtu e konsideruan të kotë edhe faktin se ish-ministri i Brendshëm përdorte të njëjtën makinë me trafikantët e drogës. Habilaj udhëtonte për në Greqi me “Audin” me targë 003GB, ndërsa në kthim makinën e merrte ministri i Brendshëm i asaj kohe. Edhe ky nuk përbënte një fakt për lidhjet mes tyre të anëtarëve të organizatës kriminale.
Në fakt vetë qeveria dhe kreu i saj funksionon si organizatë kriminale dhe është e kotë që një organizate të tillë t’i kërkosh të pranojë vërtetësinë e provave të Drejtësisë. Për të kuptuar deri ku ka arritur arroganca e kësaj organizate kriminale në politikë mjafton të dëshifrosh deklaratat e Tahirit të së enjtes në “Opinion”. Një shantazh i pastër ndaj ambasadorëve të Perëndimit që ndonëse nuk përmendeshin me emër ishte lehtësisht e kuptueshme se bëhej fjalë për ambasadorët e vendeve partnere më të rëndësishme që ka sot Shqipëria. “…i kam njohur ndryshe, secili me të vetat, njerëz janë edhe ata… S’ka nevojë Shqipëria për ambasadorë që tregojnë se sa familje apo klane mafioze ka, ia kam thënë ambasadorëve që atëherë s’më duhet mua fare kritika publike e një ambasadori”, u shpreh Tahiri.
Sipas Ramës dhe Tahirit të gjithë gënjejnë. Gënjen Antiamfia italiane, gënjen Prokuroria, gënjejnë shërbimet partnere dhe të vetmit që i duhet besuar është Rama dhe Tahiri. Hetimi 4-vjeçar të shërbimeve parnere italiane që në emisionet e tyre kanë shpenzuar me miliona euro në kapjen e krerëve të organizatës terroriste nuk i duhet besuar. Urdhëruan mediat e kapura që përmes frazash pa lidhje që ta bënin hetimin qesharak të palës italiane.

Shantazhi ka funksionuar

Tahiri e ka shantazhuar Ramën përgjatë ditës së enjte kur edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda firmosi urdhërin e arrestit ndaj Tahirit. Rama u dëgjua tek fliste me telefon në ambjet publik me Tahirin, duke i deklaruar atij se nuk mund ta shpëtonte, pasi nga Italia kishin ardhur prova të reja. Më pas, Tahiri doli nga shtëpia e tij dhe para se të hipë në makinë deklaroi se “nuk kishin parë gjë akoma”. Dy orë pas kësaj dalje të Tahirit në shtëpinë e ish-ministrit mbërrin Gaz Demi, një mik i besuar i Ramës dhe i vetë Tahirit. Demo qëndroi në shtëpinë e Tahirit për afro dy orë. Askush nuk mund të di se çfarë është biseduar në ato kohë, ishte e qartë për të kuptuar se misioni i Demit ishte ai i një negociatori mes Ramës dhe Tahirit. Rama fillimisht ka kërkuar nga Tahiri që ai të pranojë vendimin e Drejtësisë ku t’i hapej rruga arrestimit të tij. Më pas, Rama ashtu sikurse ka vepruar edhe me kriminelë të tjerë në politikë dhe jashtë saj, por që janë në shërbim të kësaj organizate politike kriminale i premtoi Tahirit se ai nuk do të qëndronte shumë në burg, pasi do të lirohej nga vetë, ai. Kujtoi këtu edhe bisedën e përgjuar mes Ramës dhe Delijorgjit ku i thoshte të njëjtën gjë se do të qëndronte për pak kohë në burg dhe do të lirohej me ndihmën e tij.
Tahiri e ka përmendur edhe vetë diku se ai mund të përfundojë për “pak kohë në burg” dhe më pas do të ishte i lirë. Mirëpo bashkë me mesazhin e Ramës, negociatori në shtëpinë e ish-ministrit mori edhe përgjigjen e Tahirit. Ky i fundit i ka dhënë disa mesazhe të qarta. Së pari, Tahiri nuk ka pranuar që të burgoset. Ai ka paralajmëruar se nëse do të “tradhëtohej” nga Rama atëhere ai do të priste edhe faturën në këmbim. Në media dje dolën disa përgjime sipas të cilave gjenden në duart e Tahirit dhe kanë lidhje me vëllanë e Ramës, Olsin për lidhjet me laboratorin e drogës në Xibrakë, ku ai është i përfshirë. Kjo mund të jetë një nga pistat, por pista që është më e besueshme është ajo e ndarjes së parave të drogës për të cilën flet Habilaj. Në përgjigjen Habilaj thotë se Tahirit nuk i mjaftojnë as 200 milionë euro në një muaj fushatë. Kjo frazë duket përkthyer politikisht. Tahiri nuk i ka marrë për vetë këto 200 milionë euro. Ai i ka dhënë ato shefit të tij në qeveri për blerjen e votave në të gjithë Shqipërinë. Ky fakt nga hetimet italiane e kompromenton jo vetëm Tahirin, por edhe vetë Ramën.
Pasi ka marrë mesazhet e Tahirit përmes negociatorit të vet, Rama ka nisur të reflektojë dhe të ndryshojë qëndrim nga qëndrimet që kishte mbajtur paraditen e së enjtes. Kjo u pa në sjelljen e anëtarëve të mazhorancës në Komisionin e Mandateve, të cilët ishin të prerë për të mos lejuar kurrsesi drejtësinë të ushtrojë hetim ndaj Tahirit.

Rama i pasigurtë

Megjithëse ka mundur të zvarrisë mbledhjen e Komisionit të Mandateve, Rama ka lënë të kuptohet se ai është i pasigurtë në vendimin që do të marrë për fatin e Tahirit. Nëse do ta kishte këtë siguri të plotë, atëherë në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Mandateve ai mund ta refuzonte kërkesën e Prokurorisë. E ka shtyrë për sot në pritje edhe të një tjetër negociatori që e ka nisur në drejtim të Italisë. Bëhet fjalë për Sekretarin e tij, që ish-Kryeministri e quan avokat të Mafies, pra, Agaçin. Prej disa ditësh, ai gjendet në Itali për të shpëtuar shefin e tij dhe ortakun e Habilajve në krim. Për Bashën është e qartë se koha që ka marrë Rama përmes shtyrjes së vendimit bëhet për të blerë lirinë e organizatës kriminale.

Dilema e Ramës

Rama është sot mes dilemës së një fundi të tmerrshëm dhe një fundi pa tmerre. Një portal i pavarur citonte një ambasadë të rëndësishme që të kishte paralajmëruar Ramën direkt se “Ne besojmë se kryeministri do ta mbajë premtimin që na ka dhënë prej kohësh dhe nuk do ta pengojë drejtësinë, në të kundërt ai do të gjendet përpara të papriturave të pakëndshme”. Kjo nuk është një gjuhë diplomatike nga ajo që përdorin zakonisht ambasadorët. Ky është një paralajmërim për atë që e pret Ramën. Nga njëra anë, ai ka frikë nga fundi i tmerrshëm që i është bërë i qartë, nga ana tjetër ka frikë nga hakmarrja e mafies që vetë ai ka ndërtuar me duart e veta. I gjendur në këtë dilemë, Rama në të gjitha rastet nuk e pret fat i mirë. Tmerri i pafund që mund të jetë zgjidhja tjetër e tij do të ishte fillimi i një procesi çmontimi të plotë të organizatës kriminale në qeveri që kurrsesi nuk mund ta lërë atë të paprekur.

Provat e reja që fundosin Tahirin

Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë mbërritur të tjera dosje për çështjen “Habilaj–Tahiri”. Burime të Lapsi.al thanë se ato janë administruar nga prokurorët e çështjes. Të njëjtat burime thanë se bëhet fjalë për një material rreth 400 faqe si përgjigje e italianëve pas letër-porosisë së nisur nga prokurorët shqiptarë në adresë të homologëve të tyre.
Sipas burimeve aty gjenden më të detajuara bisedat e përgjuara të grupit të Habilajve, por nuk përjashtohet mundësia edhe e materialeve shtesë. Besohet se një pjesë e dosjes mund të përdoret në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve.
Sipas Prokurorisë rëndohet gjendja e Tahirit. Tani pasi socialistët po mundohen të luftojnë për mos dhënien e lejes për arrestim të ish-ministrit të Rendit, prokurorët flasin për prova të reja. Jo më dosja me 400 faqe e ardhur nga Siçilia, por tani flitet për një dosje me 150 faqe të ardhur nga Prokuroria e Leçes. Gazetarja Klodiana Lala deklaroi se ka prova të tjera që janë në dorë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që lidhin Saimir Tahirin me trafikun e drogës. Sipas burimit të saj flitet për foto dhe përgjime të tjera që vërtetojnë lidhjet e Tahirit me Habilajt. “Unë se di sa janë të vërteta, por këto janë pretendimet e prokurorëve”, deklaroi gazetarja Klodiana Lala në emisionin “Studio e Hapur”.

Mbërrijnë nga Italia 2 dosje me prova të tjera për Tahirin

Prokuroria italiane ka sjellë mbrëmjen e djeshme edhe dy dosje me rreth 400 faqe, të mbushura me fashikujt, prova dhe fakte për çështjen për të cilën Prokuroria për Krimet e Rënda kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë heqjen e imunitetit dhe më pas arrestimin e Saimir Tahirit për dy akuza.
Burime nga institucioni i akuzës, kanë bërë të ditur mbrëmjen e djeshme se nga Prokuroria e Katanias kanë ardhur disa fashikuj të tjerë me prova dhe fakte për ‘dosjen Habilaj’, në të cilën është i përfshirë në hetime edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Dosjet kanë mbërritur në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga Italia, pas letër-porosive që ka dërguar në Katania, Prokuroria e Përgjithshme.
Burimet thanë se bëhet fjalë për fashikuj të tjerë të çështjes në fjalë, pasi një pjesë janë administruar deri më tani. Dosjet e mbërritura mbrëmjen e djeshme janë dokumente të tjera për çështjen në fjalë.

Rama dërgon të besuarin e tij në Itali për të prishur provat

Ish-kryeministri Berisha u shpreh dje se, Edi Rama ka dërguar drejt Italisë Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi për të prishur provat që e implikojnë në çështjen Tahiri.
“Noriega nis me urgjencë në Itali Sekretarin e Përgjithshëm të mafies shtetërore, Don Agaçion për negociata për të shpëtuar lëkurën e tij!”, shkruan Berisha.
Po ashtu në një reagim tjetër, ish-Kryeministri Berisha shkruan se, Noriega urdhëron deputetët mafiozë të tij të mbrojnë Saje qorrin dhe të hedhin poshtë me vota kërkesën e Prokurorisë!
“Të dashur miq, pas kërcënimeve të banditit Saje qorri ndaj Ramës, me dosjen e Xibrakës për vëlla Olsin, që e kanë dhe shërbimet partnere, dhe aferave të tjera të tij dhe kërcënimeve të Fatmir Xhafës me dosjen e Agron Xhafës, e cila nxinë kokë e këmbë Fatmirin, Noriega në panik vendosi mbrojtjen me çdo çmim të Saje qorrit, në fakt të vehtes së tij dhe vëllaçko Olsit, Xhafës dhe Agronit të tij, pasi dosjet e tyre në shërbimet partnere janë shumë më të rënda se sa dosja e Saje qorrit!
Deputetët e mazhorancës së krimit janë urdhëruar të mbrojnë krimin dhe të kryejnë krimin e rëndë antikushtetues të bllokimit të drejtësisë!”, shkruan Berisha.

Ushtarë të mafias rrethojnë Parlamentin në mbrojtje të Tahirit

Dhjetëra ushtarë të mafias kishin rrethuar dje Kryesinë e Kuvendit për t’i dalë në mbrojtje ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ky i fundit rreth orës 10:40 është shfaqur para Kryesisë së Kuvendit, ndërsa mbështetësit e tij, trafikantë droge dhe kriminelë që kanë patur mbrojtjen e Tahirit ulërinin duke kërkuar mos arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm. Ushtarët e mafias para Kryesisë së Kuvendit brohorisnin në mbrojtje të Tahirit, duke iu drejtuar: “Mos ki frikë, o trim”!
Mes ushtarëve të mafias kishte edhe socialistë që mbronin Kryetarin e degës së PS Tiranë, Saimir Tahiri i akuzuar për trafik droge dhe për korrupsion pasiv. Tahiri akuzohet se ka bashkëpunuar, ka mbrojtur dhe ka marrë para nga banda e Habilajve, njëkohësisht kushërinj të tij, tashmë të arrestuar në Itali për trafik droge.
Pasi ka dalë nga Komisioni i Hetimit të imunitetit ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është pritur sërish nga dhjetëra simpatizantë. Menjëherë, pasi Tahiri doli nga Kryesia e Kuvendit, një e moshuar shkoi dhe me entuziazëm duke përqafuar Tahirin, ndërsa nuk i ka kursyer atij fjalë të ndjera; ‘Të keqen nëna jote, o flori’.

 

Berisha: Saje qorri bën prokurorin

Pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve ka reaguar edhe ish-Kryeministri Sali Berisha. Me anë të një statusi në “Facebook” Berisha e ka cilësuar komisionin një turp! Berisha shkruan se, është e turpshme që Tahiri t’u drejtojë pyetje prokurorëve, falë ndihmës së Gramoz Ruçit.
“Turp komision!!
Në Këshillin që drejton Gramoz Ruçi, banditi Saje qorri, me ndihmën e Don Gramozit bën prokurorin e prokurorëve, kjo është fytyra e krimit në Parlament. Turp Komision!”, shkruan Berisha.

Bisedat e përgjuara, Tahiri pjesë e trafikut të drogës

Prokurori Besim Hajdarmataj u shpreh në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit se, në bisedat e përgjuara ambientale deputeti Saimir Tahiri rezulton pjesë e trafikut të narkotikëve. “Kemi hetuar prej kohësh vëllezërit Habilaj dhe kemi kuptuar, që me ta bashkëpunonin edhe punonjës të Policisë Vlorë, të cilët janë ende nën hetim. Pas ndalimit të Moisi Habilajt ne kemi nisur një tjetër hetim, për personat që ishin të përfshirë në hetimin e policisë italiane, mes të cilëve edhe deputeti i Republikës së Shqipërisë, Saimir Tahiri.
Nga të dhënat e bëra publike, rezultonte se kishte biseda komprometuese, lidhur me deputetin Tahiri. Qoftë për pjesëmarrjen në grup kriminal, por edhe për faktin që aty flitej për dhënie dhe marrje mite, që bën pjesë në korrupsionin pasiv”, u shpreh prokurori Hajdarmataj.
Ai tha më tej se, Prokuroria ka vijuar hetimet në fshehtësi, por pas publikimit të dosjes së palës italiane në media, Prokuroria u detyrua që të ndërhyjë në operacionin e Babicës ku u sekuestruan 4 ton drogë të Habilajve. “Ne do vazhdonim hetimin në fshehtësi të plotë, por duke qenë se faktet u bënë publike, u detyruam të ndërhyjmë në fshatin Babicë. Duke qenë se këta persona e ushtronin aktivitetin në fshehtësi të plotë, ne krijuam dyshimin, referuar edhe nga bisedat e përgjuara, që në rastin konkret krijohet lidhja dhe dyshimi i arsyeshëm që në këtë aktivitet është i përfshirë edhe deputeti Tahiri.
Kemi bërë verifikime, që jam i bindur që as autoritetet italiane e shqiptare nuk i kanë, kemi verifikuar të dhëna që përforcojnë dyshimin që realisht ato biseda janë bërë. Duke bërë verifikime në sistemin TIMS kemi verifikuar që deputeti Tahiri gjatë vitit 2013, ka patur në pronësi një automjet të tij, e ja kishte shitur njërit nga vëllezërit Habilaj. Ky automjet është përdorur nga Tahiri gjatë viteve 2013-2014. Deputeti ka udhëtuar kryesisht në Greqi dhe gjatë kësaj kohe automjeti i është dërguar nga njëri prej vëllezërve Habilaj në Greqi dhe me këtë automjet është kthyer Tahiri”, u shpreh prokurori Hajdarmataj.

Sërish drogë nga Shqipëria në Itali, sekuestrohen 1.5 ton në Bari

1.5 ton drogë nga Shqipëria u sekuestrua nga Guardia di Finanza pranë Portit të Barit mëngjesin e djeshëm. Mjeti lundrues 10 metër i gjatë dhe me dy motorë të fuqishëm u pikas nga policia italiane teksa po i afrohej brigjeve. Lënda narkotike ishte paketuar në 64 thasë të madhësive të ndryshme me peshë totale 1 ton e 500 kg. Në prangat e policisë kanë rënë dy shqiptarë, të dy të moshës 26-vjeçare. Vlera e drogës në treg arrin deri në 15 milionë euro.
Mediat italiane raportojnë se që nga muaji janar i këtij viti janë konfiskuar më shumë se 32 ton marihuanë dhe janë arrestuar 47 kontrabandistë si dhe 24 skafe e gomone që përdoreshin nga bandat kriminale për trafikun e drogës. Ndërsa gjatë gjithë vitit 2016 u sekuestruan rreth 22 ton, sasi kjo e kapur e gjitha në rajonin e Puljas.
Sipas njoftimit të Guardia Di Finanza të Barit operacioni është zhvilluar, kur kanë pikasur një mjet lundrues që po ecte me shpejtësi. Policia është vënë në ndjekje të skafit dhe në pranga u vunë dy skafisët shqiptarë V.L 31 vjeç dhe T.N 26 vjeç, të cilët akuzohen për trafik të lëndëve narkotike.
Marijuana ishte e ndarë në 64 pako me peshë totale 1505.30 kg, e cila nëse do të hidhej në tregun e pakicës do të kapte vlerën e 15 milionë eurove. Ndërkohë në Ferara u sekuestruan rreth 2 tonë marijuana në bordin e dy furgonave në afërsi të zonës bregdetare Lido di Spina në provincën e Ferraras. Gjatë operacionit u arrestua dhe korrieri i drogës shqiptari R.R 19 vjeç nga Vlora.
Në bordin e fugonave policia italiane sekuestroi rreth 2041 kg marijuanë, 10 kg hashash të konfeksionuara në 90 thasë të mëdhenj. Vlera e shitjes do t’i sillte trafikantëve një përfitim që do të kapërcente 20 milionë euro. Dy furgonat rezultojë të marrë me qira në Itali.
Sipas Guardia Di Finanza që nga fillimi 2017 janë sekuestruar më shmë se 32 ton marijuanë e transportuar nga deti, janë arrestuar 47 kontrabandistë dhe janë sekuestruar 24 mjete lundruese.
Nga fillimi i këtij viti, sekuestrimet e bëra në plazhet e Brindisit dhe të tjera direkt në det, përballë brigjeve brindizine dhe në veri të Lecces, kanë bllokuar tre tonë e gjysmë drogë, me vlerë rreth 35 milionë euro. Në një rast është gjetur edhe një kallashnikov e 119 fishekë.
Sipas dinamikës së evidentuar nga hetuesit puljezë, ish-kontrabandistëve puljezë u ishte caktuar detyra e drejtimit të varkave të vogla e të shpejta që përshkojnë Adriatikun dhe detyra vëzhgimi. Italianët duhej edhe të ruanin drogën, duke e fshehur në gropa pranë plazheve të zbarkimit, për t’ua dorëzuar më pas shqiptarëve që kryenin funksionin e korrierit dhe të shpërndarësve. Sekuestrimet janë shoqëruar shpesh edhe me pranga. Në fund të korrikut, në Lecce ishin arrestuar 14 persona.
Organizatat i drejtohen veriut? Në Silvi, provinca e Teramo, sërish në korrik, stuhia nxori në plazh një ngarkesë marijuane të ngjashme me atë të sekuestruar në Ferrara. Dhjetëra pako marijuane u shtynë nga rrymat në bregun e Porto Recanati, pranë Perugias.