28.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Prokuroria dhe policia në kërkim të Habilajve

Operacioni për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës, të njohur si pjestarë të grupit të Habilajve po vijon nga Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Vlorë. Burimet thonë se, bëhet fjalë për Florian Habilajn e persona të tjerë, për të cilët ka urdhër arrestim nga Prokuroria italiane. Burimet thonë se për këtë qëllim janë thirrur për t’u marrë në pyetje njerëz që mund të kenë dijeni mbi lëvizjet, apo vendndodhjen e personave të dyshuar, për të cilët ka urdhër arreste.
Po kështu policia është duke mbledhur informacione mbi vendndodhjen e mundshme të të kërkuarve. Kjo, pasi Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se personat ndaj të cilëve ka urdhër arreste nga Prokuroria italiane ndodhen ende në Babicë, apo zona të tjera të Vlorës.
Operacioni ka tashmë si objektiv arrestimin e Florian Habilajt, vëllait të vogël të Moisi Habilajt, të i njohur në përgjimet italiane si “Loloja”. 37-vjeçari konsiderohet si një nga personat kyç në dosjen e Habilaj, dëshmia e të cilit mund të zbardhë shumë pikëpyetje. Por policia nuk ka arritur ende ta vërë në pranga, edhe pse sipas burimeve ka pasur informacion mbi zonën ku ai fshihej.
Gjatë aksionit ra në pranga një tjetër person në kërkim dhe i dyshuar si i përfshirë direkt në Dosjen Habilaj. Ai është Nazer Seiti, krahu i djathtë i Moisi Habilajt, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Katanias për trafik të lëndëve narkotike.
Po kështu më 19 tetor, u arrestua në Babicë, Armand Koçerri. Në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan 4 tonë kanabis. Kjo sasi lënde narkotike, e sekuestruar sipas Prokurorisë, i përket grupit të Habilajve. Operacioni nisi në Vlorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas sekuestrimit nga policia italiane në Katania të një sasie të konsiderueshme lënde narkotike, ndërsa u arrestuan tre shqiptarë mes të cilëve Moisi Habilaj, i cilësuar si koka e grupit.

E kujt ishte droga e djegur dy netë më parë, pse Ruçi po mbron Tahirin

Një sasi e madhe droge, posedues i të cilës është edhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi, është djegur natën e të enjtes në një kullë në Salari. Denoncimi është bërë nga një banor nga Salaria, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, kjo ishte arsyeja pse Ruçi i dha afat Tahirit, duke shtyrë vendimin e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, pasi Tahiri ka qenë në dijeni se kryeparlamentari ka qenë i përfshirë në trafik droge.
“Ja pse don Gramozi shkeli Kushtetuten dhe rregulloren në mbrojtje të Saje qorrit! Digjet në Salari kulla e madhe e “barit” e Qerem Braçit! Lexoni mesazhin e salariotit dixhital!”, shkruan Berisha.
“Doktor përshëndetje. Nuk paske marrë vesh djegien e kullës së madhe të “barit” në Salari pronë e Qerem Braçit mbrëmë natën, para se të venin ca “Iveko” të Policisë? Aq bar sa krejt Vlora s’e kishte me gjithë Habilajt. T’fala shokut Gramoz, humbje e madhe për të.
Nëna e këtij trafikantit është kushërira e parë e Gramozit, personi ka qenë problematik në Komunën Frakull, ka përvetësuar disa toka të të tjerëve së bashku me kryetarin e komunës Viktor Çervanaku. Qeremi ka afera të përbashkëta me Gramozin, kanë mbjellë së bashku sipërfaqe të mëdha me kanabis në vendin e quajtur “Qafa e Kreshës” për tre vjet rresht. Me ndihmën e tij ai ka arritur drejtor i Ujësjellësit të Tiranës, emëruar nga Lal Fiku dhe i hequr pas pak ditëve dhe u fut në burg për vepra të tjera??!! Bëri plagosje ai së bashku me djemtë e tij në Levan të disa personave dhe asnjë ditë burg…”, shkruan banori nga Salaria.
Kryetari i Kuvendit, njëkohësisht kreu i Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, Gramoz Ruçi, shtyu mbledhjen për heqjen e mandatit të Tahirit, pasi ky i fundit dispononte provat e tonelatave të drogës së njerëzve të Ruçit, ku është i përfshirë edhe vetë ai. Pas kërcënimeve dhe shantazheve të Tahirit pritet që Kuvendi të mos e miratojë kërkesën e Prokurorisë për heqjen e mandatit të Tahirit.
Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj e cilësoi të jashtëligjshme shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, ku do shqyrtohej kërkesa e Prokurorisë për heqjen e mandatit të deputetit Saimir Tahiri. Alibeaj tha se, Rama është në aleancë me Tahirin dhe po pengon drejtësinë.
“Ne ishim të gatshëm të qëndronim deri në mesnatë, por seanca duhet të përfundonte sot. Ne u deklaruam se duhet të vazhdojmë se është e ngutshme. Shtyrja e mbledhjes nuk u hodh në votim. Rama është në aleancë me Tahirin për t’u bërë pengesë për drejtësinë. Sot, nuk u bë gjë tjetër veçse i dhanë privilegjin Tahirit për t’u mbrojtur. Në lojë është fati i gjithë shqiptarëve dhe jo fati Tahirit”, tha Alibeaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në “Neës24”.
Ndërkohë i pyetur se çfarë ndodhi gjatë seancës me dyer të mbyllura, Alibeaj u shpreh se Prokuroria ka paraqitur prova dhe fakte që përbëjnë sekret hetimor.
“Janë paraqitur prova sekrete nga ana e Prokurorisë. Sot i është dhënë privilegj Tahirit për t’u mbrojtur. Mazhoranca bllokoi vijimin e procedimit, ndërsa pyetjet e Tahirit ishin në shkelje të rregullores. Sipas rregullores pyetjet ndaj Prokurorisë duhet të bëhen me shkrim”, tha Alibeaj.
Enkelejd Alibeaj tha se batutat e Saimir Tahirit “nuk keni parë gjë akoma” nuk i interesojnë opozitës dhe qytetarëve.
“Unë nuk merakosem shumë për batuat apo për shantazhet reciproke që ka Rama me Tahirin apo me të tjerët. Sot, ka një gjë që është themelore, pra fati i shqiptarëve. Ata mund të kenë dhe thikat me njëri-tjetrin, por kjo sot nuk ka rëndësi. Zgjedhja e vetme është që drejtësia të bëjë punën e saj. Rama mbron Tahirin”, tha ai.

R.POLISI

Habilajt në Greqi me “Audi”-n 003 GB, Tahiri u kthye me të nga Greqia

Prokuroria e Krimeve të Rënda argumentoi dje në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit kërkesën e heqjes së mandatit dhe arrestimin e deputetit të PS, Saimir Tahiri. Sipas kërkesës së depozituar nga Prokuroria në Kuvend dhe vetë deklaratave të prokurorëve në mbledhjen e këtij Këshilli, ka dyshime të arsyeshme se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka kryer veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal”, si dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Prokurorët Besim Hajdarmataj, Gentian Osmani dhe Elizabeta Imeraj nga Krimet e Rënda fillimisht kërkuan zhvillimin e mbledhjes me dyer të mbyllura, për të ruajtur sekretin hetimor. Por për Këshillin, kjo mund të vinte vetëm në një fazë të dytë, pas parashtrimit të kërkesës nga ana e organit të akuzës përpara anëtarëve të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, brenda kufizimeve ligjore të sekretit hetimor.
Për sa kohë media ishte e pranishme në sallë, kërkesa e Prokurorisë u bazua mbi pretendimin e ngritur nga materiali i referuar, fillimisht nga mediat dhe më pas nga partnerët italianë, që implikojnë ministrin Tahiri në trafik droge. Prokuroria referoi gjithashtu regjistrat e TIMS të cilat, sipas tyre, tregojnë se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi ka shitur makinën tek Artan Habilaj, e ka ripërdorur këtë makinë disa herë për të udhëtuar jashtë kufijve. Madje, në njërin prej rasteve, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ishte vetë Artan Habilaj, ai që udhëtoi me makinën në fjalë drejt Greqisë, për t’u kthyer me të njëjtën makinë vetë ministri i Brendshëm, Tahiri.
Sipas Prokurorisë, nga viti 2013 deri në vitin 2016, këtij institucioni nuk i janë referuar asnjëherë materiale lidhur me grupin e strukturuar kriminal të Habilajve, të cilët funksiononin prej 4 vitesh në Shqipëri. Sipas prokurorëve, nën hetim vazhdojnë të jenë ende persona të implikuar dhe si rezultat i lidhjeve të ish-ministrit, për ta ekziston mundësia e prishjes së provave dhe largimit të të dyshuarit. “Duke qenë se ai ka qenë ministër i Brendshëm dhe duke qenë se janë nën hetim edhe persona të tjerë, siç u shpreh prokurorja Elisabeta Imeraj, që mund të vazhdojnë të jenë në detyrë apo janë aktualisht në detyrë, ekziston rreziku i dëmtimit të provave, që t’i bëjë të pavlefshme të përdoren më pas”, u shpreh prokurori Besim Hajdarmataj.
Prokurori deklaroi se, kanë në dispozicion edhe një material që ka ardhur në gjuhën italiane, ku përmendet emri i Saimir Tahirit dhe disa personave të tjerë. “Kemi një material që na ka ardhur në gjuhën italiane në rrugë zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme. Kemi përkthyer pjesën vetëm ku përmendet Tahiri, por aty ka edhe emra të tjerë që përmenden”, tha prokurori.
Deputetët socialiste anëtarë të Këshillit, i kërkuan përfaqësuesve të Prokurorisë të parashtrojnë provat mbi të cilat bazojnë kërkesën, sipas tyre të tepruar, të arrestimit të deputetit Tahiri. Prokurori Besim Hajdarmataj u shpreh se ata kanë kryer verifikime që autoritetet italiane dhe ato greke nuk i kanë, por në mënyrë specifike nuk i parashtruan ato publikisht për deputetët.
Vetë ish-ministri Tahiri, që ishte në këtë mbledhje të Këshillit i shoqëruar nga përfaqësuesi ligjor, Artan Hajdari u drejtoi disa pyetje përfaqësuesve të Prokurorisë. Por ata deklaruan se nuk janë aty për t’u përgjigjur, por për të marrë vendimin e këshillit për kërkesën e tyre.
Kreu i Këshillit Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, Gramoz Ruçi, në përfundim të pyetjeve të ish-ministrit Tahiri, lajmëroi 15 minuta pushim për vijimin e mbledhjes me dyer të mbyllura. Më pas, Ruçi shtyu për ditën e nesërme mbledhjen për heqjen e mandatit të Tahirit.

R.POLISI

Llalla: Para Drejtësisë senatorët e krimit

Kryetari i ILDKP Adriatik Llalla, gjate nje takimi mes krereve te Ministrise se Brendshme dhe drejtuesve te misionit PAMECA, ne hotel Sheraton.

Kryerpokurori i është përgjigjur direkt ministrit të Brendshëm në lidhje me hetimet për Tahirin, duke deklaruar se “po vihen para përgjegjësisë senatorët e krimit”.
Teksa Këshilli i Rregullores së Mandatit dhe Imunitetit të deputetëve pritej të niste paraditen e djeshme në orën 11:00 në prani të ish-ministrit Tahiri dhe Kryeprokurorit Llalla, ministri i Brendshëm Xhafaj sulmoi publikisht Prokurorinë, duke deklaruar se “po përdoret politikisht”:
“Mesa shoh thjesht po duan ta përdorin. Nëse do më pyesin nga pikëpamja ligjore, ajo çfarë është shkruar nga prokurorët e Krimeve të Rënda dhe për aq sa unë kam lexuar nuk është një gjë që shpreh vullnetin e ligjit, që do të thotë se jemi në rastin kur segmente apo individë të Prokurorisë po vetëpërdoren politikisht në një çështje të nxehtë.
Flas për sa unë kam parë. Nëse Prokuroria ka çështje të tjera le t’i shohim. Do të shihni prova dhe vullnete konkrete shumë shpejt.
Para se të jem ministër, unë jam një ligjvënës dhe avokat, dhe nga kjo perspektivë unë jap opinionin tim. Precedentë të tillë janë të rrezikshëm për drejtësinë dhe jetën parlamentare”.
Pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, reagoi Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili tha se “nëse ministri Xhafaj nuk i ka të qarta ndryshimet ligjore, është problem i tij”.
“Po ndjekim me vëmendje çështjet e kriminalitetit të shpërndara në shumë qytete. Detyra jonë është që të hetojmë të gjitha rastet e kriminalitetit”, shtoi kryeprokurori Llalla.
Ministri Xhafaj, i cili ka qenë hetues dhe prokuror gjatë diktaturës komuniste, gjë për të cilën ai kurrë nuk kërkoi falje viktimave të regjimit, është vetë në rrezik politik, pasi vëllai i tij Agron Xhafaj është në kërkim nga policia italiane për trafik ndërkombëtar kokaine. Për më tepër, zoti Xhafaj është politikisht përgjegjës për Policinë e Shtetit, që po ashtu është përfshirë në skandalin Habilaj-Tahiri.
Një ditë më parë, ministri Xhafaj deklaroi se kjo çështje nuk i përkiste drejtësisë shqiptare dhe refuzoi të bënte deklarata.
Sipas dosjes së dërguar nga Prokuroria në Parlament, ish-ministri Tahiri, “[…] në bashkëpunim me persona të tjerë që ushtrojnë një funksion publik në Republikën e Shqipërisë, ka arritur të qarkullojë jashtë vendit me destinacion Italinë sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotikëve. […] Të gjitha aktivitetet kriminale u mbështetën në bashkëpunim të grupit kriminal me strukturat e Policisë së Shtetit, ku fitimet direkte monetare shkuan drejtpërsëdrejti për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri”.

 

Rama gëlltiti çorbën e prishur deri në lugën e fundit

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, në një deklaratë për shtyp pas vendimit të Ruçit për shtyrjen e mbledhjes së Komisionit të Mandateve, duke i dhënë kohë Tahirit deri të shtunën për të përgatitur mbrojtjen, tha se, “Rama gëlltiti çorbën e prishur deri në lugën e fundit”. Çdo ditë që Rama e Çako janë në detyrë është një ditë e bardhë për trafikantët, deklaroi kryetarja e LSI-së, e cila i bëri thirrje Ramës të heqë dorë nga sulmet e shantazhet që ushtron ndaj drejtësisë. “Kryeministri dhe mazhoranca sot tregoi përfundimisht qartë shkallën e inkriminimit pa kthim të përfshirjes dhe mbështetjes së tragjedisë së drogës që po përjeton populli shqiptar. Kryeministri dhe mazhoranca humbi sot mundësinë e fundit për të treguar vullnet që drejtësia të bëjë punën e saj. Cilido qoftë votimi i saj nesër kjo nuk ka rëndësi. Të gjithë shqiptarët u bënë dëshmitarë të qëndrimit të paprecedent duke penguar zbardhjen e një veprimtarie kriminale edhe me dimension ndërkombëtar. Mbledhja e sotme, e cila kishte në shqyrtim imunitetin e mandatin që lidhej me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe të armëve duhet të ishte mbledhja më e shkurtër në historinë e parlamentarizmit, pasi lidhet me veprimtarinë më të rëndë kriminale që ky komision ka marrë në shqyrtim. Është fare e qartë nga sot që ky kryeministër e mazhoranca e tij e kanë gëlltitur kusinë e çorbës së prishur deri në lugën e fundit. Ky kryeministër dhe Haki Çako vazhdojnë akoma të jenë në detyrë si garantë të trafikut të drogës pasi nga dje dhe sot janë kapur 3.5 tonë drogë me vlerën që kalon 35 milionë euro. Çdo ditë e vazhdimit të tyre në krye të qeverisë e policisë është një ditë e bardhë për trafikantët dhe ditë e zezë për shqiptarët. Ju bëj thirrje mazhorancës dhe kryeministrit të heqin dorë nga sulmet, presionet dhe shantazhet politike ndaj drejtësisë”, u shpreh Kryemadhi.

14 pyetje për Tahirin

Numrat e telefonit të organizatës “Habilaj” që u dërguan nga dy herë për përgjim nga informacionet e Antidrogës Fier, përse fikeshin kaq magjisht kur shkresa mbërrinte në Tiranë? Përse A. Dalipi nuk përgjohej, nuk kontrollohej në banesë e në skafe, ndonëse kishte të dhëna të bollshme për aktivitetin e tij kriminal të trafikut të drogës dhe armëve?

Basir ÇOLLAKU

Fevziu tha mbrëmë në emisionin e tij “Opinion” se ka kontaktuar gazetarë për të pyetur Saimir Tahirin në studio, por ata kanë refuzuar…
Ne duhet dhe i njohim këto gazetarë që kanë refuzuar, janë të gjitha ata që nuk kanë refuzuar dhe e kanë mbrojtur rregullisht. Disa prej tyre i kam pasur unë përballë kur e mbronin me shpirt ndër dhëmbë, e pasion ndër xhepa, gjatë denoncimit në nëntor në vitin 2015.
Sigurisht moderatori vendos vetë kë të kontaktojë. Por në emision mbrëmë, shumë pyetje interesante munguan në adresë të ish-ministrit..
Dhe jo se nuk diheshin, por nuk duheshin bërë, për të mos e rënduar të ftuarin..
Disa nga pyetjet..

1-Zoti ish-ministër përveç kushërinjve Habilaj të gradës 10 ke pasur kushërinj të gradës 1 pranë drejtorit të Policisë Fier më pas drejtor në Tiranë?

2-20 numrat e telefonit të organizatës “Habilaj” që u dërguan nga dy herë për përgjim nga informacionet e Antidrogës Fier, përse fikeshin kaq magjisht kur shkresa mbërrinte në Tiranë?

3-Përse A. Dalipi nuk përgjohej, nuk kontrollohej në banesë e në skafe, ndonëse kishte të dhëna të bollshme për aktivitetin e tij kriminal të trafikut të drogës dhe armëve?

4-Përse skafi i trafikantëve qëndronte i ankoruar në molin ku ishin 20 cm ngjitur skafet e policisë (foton e kam publikuar unë në 2015) ?

5-A e dini se SHÇB, vartësit tuaj kanë kërcënuar oficerët e Antidrogës dhe ju kanë kërkuar para?

6-A keni pasur dijeni dhe a keni qenë ndikues në kanosjen nëpër burgje të oficerëve të Antidrogës, kur u dërgohej në qeli disa trafikantë??

7-Përse Prokuroria nuk e jep vendimin e pushimit për të cilin ju zoti ish-ministër u krenuat si i pafaj, ndonëse në të thuhet se makina “Audi” ende ishte nën emrin tuaj?

8-Keni deklaruar publikisht se nëse Habilajt janë trafikantë droge do të kërkonit falje publike se u keni shitur makinën tuaj trafikantëve të drogës, përse nuk e bëtë??

9-Përse Ana Pogi dhe Michele Grillo dy ish-drejtues të misionit italian Interforca ikën me emergjencë e të dyshuar në shumë implikime në çështje të trafiqeve e përgjimeve? Madje, djali i Grillos erdhi dhe u punësua tek Deloit në Tiranë!!!??

10-A keni ndikuar me ish-kolegun tuaj në Itali që të mos vijë të dëshmojë në gjyq në Shqipëri oficeri italian, të cilin e pengonin ta bënte këtë dëshmi ndonëse ai ishte i gatshëm?

11-A kishte të dhëna se dikush apo disa nga këta miq italianë e shqiptarë vinte dorë dhe hiqte emra të kërkuarish nga lista e Interpolit dhe më pas shpërblehej me prona e para?

12-Përse policia që ishte e plot informuar nuk kontrollonte pronat e disa zyrtarëve të lartë italianë në Shqiperi dhurata të trafikantëve?

13-A diheshin së paku katër organizata të forta kriminale në Fier dhe Vlorë që bënin e bëjnë kërdinë në trafikun e kokainës dhe heroinës dhe kanë mbështetje politike të thekur?

14-Se mos do përmendej dhe një arrestim tjetër këto ditë në Greqi A. SH, një trafikanti të madh droge prej 20 vitesh..?

Mbase u bënë shumë pyetje…se ka dhe plot të tjera….

A do të ekstradohet Tahiri?

Menjëherë sa të kryhet arrestimi i Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm, mund të ekstradohet për në Itali. Të dhënat e një kërkese të tillë të palës italiane thuajse po shfaqen qartë. Dje, ambasadori i Republikës italiane në Tiranë, Alberto Cutillo, deklaroi publikisht se Italia është akoma e invaduar nga sasi të mëdha lëndësh narkotike nga Shqipëria. Deklarata u bë në valën e verimeve parlamentare për arrestimin e ish-ministrit, tani i vënë nën hetim si bashkëpunëtor në bandat kriminale që trafikojnë drogë nga Shqipëria në Itali.
Zgjedhja e këtij çasti për të deklaruar kërcënimin nga droga shqiptare, dëshmon se përfaqësuesi diplomatik i Italisë ka indicie nga shteti i vet se krerët e bandave kriminale të Shqipërisë duhet të gjykohen në duar të drejtësisë italiane.
Edhe fakti që informacioni dhe provat për arrestimin e Tahirit erdhën nga zbulimet italiane, dëshmon botërisht se institucioni i të drejtës në Shqipëri nuk është në gjendje të gjykojë këtë vepër kriminale që ka lidhje me kupolën e shtetit. Edhe pse Drejtësia këtu po hyn në një proces reformimi (për forza) përsëri është nën thundrën e politikës. Një ‘bandit’ droge që ndodhet në kupolën e shtetit nuk mund ta gjykojë drejtësia e dobët e Shqipërisë.
Informacionet se Italia ka gati dosjen prej më shumë se 400 faqe mbi veprimtarinë kriminale të ministrit Tahiri, i kishte në dorë vetë Kryeministri Rama. Kjo e shtyu që papritur të vizitojë kryeministrin italian Paolo Gentiloni para dhjetë ditësh. Me siguri, qëllimi i vizitës-siç edhe po analizohet-ka qenë që ‘të mbyllë grykën’ e akuzës dhe të provave që në Itali. Këtë akt nuk mund ta realizonte përmes kryeministrit italian, i cili është edhe ‘sakat’ politikisht, pasi ka qeveri, por nuk ka Parlament.
Ka të dhëna se zoti Rama ka tentuar të angazhojë edhe zonjën Mogherini të BE, si italiane që është.
Por sido qoftë, me sa po del, kryeministri Rama nuk erdhi duarbosh nga Italia. Atje ai ka marrë njëlloj garancie për ‘mos- ekstradimin’ e ministrit të tij, Tahiri, për në gjykatat italiane.
Sidoqoftë, minuta e fundit po vjen.
Menjëherë pas arrestimit atij i kërkohet ekstradimi nga Gjykata italiane ku do të gjykohen, për të njëjtën vepër edhe anëtarët e tjerë të bandës dhe kushërinj të Tahirit. Vepra penale është e përbashkët, edhe gjykimi do të kryhet i përbashkët.
Sipas informacioneve nga media dhe nga ish-kryeministri Berisha, sot në mëngjes është nisur me urgjencë për në Itali, Engjëll Agasi-sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri. Zoti Agasi njihet si një negociator i aftë në punët ‘e ulëta’ të qeverisë. Misioni i tij në Itali, me siguri ka të bëjë me përpjekjet që të ndalohet ekstradimi i Tahirit për t’u bashkuar me bandën shqiptare atje.
Ekstradimi i ministrit në Itali i kushton shumë qeverisë shqiptare; sepse ministri di shumë afera, shumë krime dhe intriga brenda qeverisë së një shteti anëtar i NATO si Shqipëria.

Veritas.com.al

Parlamenti po provokon popullin

Antonio Grizhda

Rasti më i rrallë, ose i vetëm në Botë: Kuvendi, organi ligjvënës i dalë nga populli, kthehet në provokues të popullit. Kjo po ndodh me Kuvendin e Shqipërisë
Që në mëngjes sot ka nisur një mbledhje e Këshillit Parlamentar të Mandateve dhe Imuniteteve mbi një kërkesë të Prokurorisë për lirimin e deputetit Tahiri nga imuniteti Parlamentar dhe arrestimin e tij. Në vend që mbledhja të zgjaste vetëm pak minuta, po merr gjithë ditën. Pjesa socialiste e Këshillit po krijon të gjitha pengesat e mundshme dhe të pamundshme për të bërë ‘nul’ kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri.
Në një veprim të paprecedent, socialistët që kryesojnë Kuvendin kudo, aplikuan metodën që deputeti i vënë nën akuzë të vërë nën breshëri pyetjesh Prokurorinë.
Me sa duket gjatë gjithë natës, që nga momenti kur deputeti Tahiri u shfaq në një emision televiziv me lot në sy dhe duke përsëritur se “po shkoj në burg”, socialistët kanë përpunuar strategjinë që të “shpëtojnë” Tahirin nga burgu. Sot në mbledhjen e këshillit, ai ishte agresiv kundër akuzave dhe organit të akuzës, në vend të një Tahiri të mbytur në lot që u pa një natë më parë.
Saimir Tahiri, gjatë periudhës që ishte ministër i Brendshëm ka instaluar në vend një regjim droge dhe krimi. Shqipëria u kthye në një vend prodhues lëndësh narkotike, dhe pastaj në një plasdarm për trafikun e lëndës narkotike drejt vendeve të Europës. Zyrtarët e Policisë italiane, gjatë gjithë kohës, në përpjekje për të mbrojtur vendin e tyre nga sulmi i drogës shqiptare, ka përgjuar bandat dhe anëtarët e tyre që kryenin aktin kriminal nga Shqipëria në Itali.
Siç del nga përgjimet, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ishte pjesë e bandave kriminale, përfitoi shuma të mëdha nga trafikimi i drogës dhe krijoi paprekshmëri për bandën ku bënte pjesë.
Ky është akti i regjistruar. Prokuroria kërkoi nga Kuvendi lejen për arrestimin e Saimir Tahirit si të akuzuar për pjesëmarrje në banda. Por, Kuvendi socialist gjatë gjithë ditës u drodh sa andej këndej, duke tentuar të prishë akuzën dhe provat e krimit.
Kuvendi nisi sfidën kundër popullit që e ka zgjedhur. Si për ironi të fatit, shefat socialistë të Kuvendit, në mënyrë pa precedent, e lanë mbledhjen e këshillit të lirë për mediat. Gjithë arroganca e anëtarëve socialiste dhe e vetë deputetit nën akuzë kundër Prokurorisë, u shfaq hapur, duke “i hedhur dorashkat” popullit.
Populli ka pritur Reformën në Drejtësi me një shpresë se këtu mund të vihet drejtësia dhe njerëzit të mos marrin rrugët e botës ose të mos vriten me njëri-tjetrin. Në qoftë se nuk arrestohet ministri Tahiri, atëherë gjithë shpresa popullor bie në lumë.
Edhe drejtësia mbytet. Edhe aleatët tanë strategjik të kombit që nga Europa dhe Amerika marrin goditje. Edhe shpresa për një jetë pa kriminelë në shtet dhe në pushtet, venitet…
Populli po sfidohet nga Kuvendi i tij.
Çfarë duhet të bëjë populli? Nëse do të kishte prijës dhe opozitë, atëherë do të ishte kudo në sheshet e Shqipërisë në protestë kundër krimit në kupolën e shtetit.

Bomba e Kimit nuk është bllof

Eric Terzuolo

“A riddle wrapped in a mystery inside an enigma”. Me këto fjalë, në tetorin e vitit 1939, Winston Churchill përshkruante Rusinë staliniane. Ka që do ta riciklonin për bukuri këtë metaforë për Korenë e Veriut të ditëve tona. Paralel ndoshta i justifikueshëm kur flitet për synimet e regjimit të Phenianit. Kurse për sa i përket arsenalit bërthamor e raketor të Kim Jong-un, mund të bëjmë një kuadër mjaftueshmërisht konkret për të vlerësuar në mënyrë më të urtë opsionet politike dhe ushtarake që «bashkësia ndërkombëtare» ka në dispozicion. Me pak fjalë, duhet të sillemi «sikur Kim t’i kishte mundësitë» që të godiste, me një forcë shpërthyese të krahasueshme me bombën atomike të Hiroshimës, objektiva apo qendra popullsie në Korenë e Jugut, në Japoni, në territorin amerikan të Guam (që ka baza të rëndësishme ushtarake), në një pjesë të madhe të Shteteve të Bashkuara kontinentale dhe, në rast se do të ndërmerrte një politikë më të fortë kundër Koresë së Veriut, edhe Kinën, që në ëndërrat uashingtoniane duhet ta zgjidhë në mënyrë të sjellshme problemin koreanoveriorë për llogari të të gjithë neve. Veç kësaj, duket se mendojmë se, në mos sot, të paktën brenda një periudhe afatshkurtër, Kim do të disponojë armë termobërthamore të përdorshme, të fuqishme ndoshta 10–20 herë bomba e Hiroshimës. Jo rastësisht, testi bërthamor koreanoverior i 3 shtatorit ka ngjallur vëmendje të veçantë. Një hop i vërtetë cilësor, sigurisht për sa u përket kapaciteteve teknike të Koresë së Veriut.
Comprehensive Test Ban Treaty Organization (CTBTO), ent ndërkombëtar me 183 vende anëtare dhe pothuajse 300 stacione monitorimi sizimik në dispozicion, konfirmon se testi i fundit ka shkaktuar një tërmet me magnitudë 6.1. Testi i mëparshëm atomik koreanoverior, në shtatorin e 2016, kishte regjistruar një magnitudë 5.1. Mund të mos duket diferencë e madhe, por nëse kësaj shkalle i shtohen 1.0 pikë magnitude nënkupton një lëshim energjie rreth 32 herë më të madh. Sigurisht, ka elementë paqartësie. Do të ishte e dobishme të diheshin, por nuk do t’ia arrinim kurrë, nëse dy bombat do të vendoseshin në tunel me të njëjtën thellësi nëntokësore. Një bombë e vendosur 600 metra nëntokë prodhon një efekt sizmik më të madh sesa një bombë e ngjashme e vendosur në 900 metra. Prandaj është oportune që të mos ekzagjerohen vlerësimet e fuqisë së arritur në testet e veçanta. Por duket qartë se, nuk po flasim më për një bombë të krahasueshme vetëm me ato të Hiroshimës e Nagasakit, të vlerësuara në 15 – 20 kiloton – 1 kiloton përfaqëson një forcë shpërthyese prej 1000 ton tritol. Është e arsyeshme të mendohet se bomba e re ka një fuqi midis 100 dhe 300 kilotonëve, domethënë nga 5 deri në 20 herë më shumë se ato të hedhura në Japoni. Kurse testet koreanoveriore të 2016 kishin në fakt fuqi të vlerësuara midis 7 dhe 25 kilotonëve. Një rritje dramatike gjatë një viti është e shpjegueshme vetëm me një kalim nga armët atomike «tradicionale» në ndonjë formë arme termobërthamore apo me fizion të shtuar (boosted fission). Pheniani nuk ka shumë testate atomike sa të mund të lejojë luksin që të shpërdorojë një dyzinë syresh për të zhvilluar një test jashtëzakonisht mbresëlënës.
Kujtojmë se armët atomike «tradicionale» shfrytëzojnë fizionin e bërthamave atomike, ndërsa ato termobërthamore – po mendojmë për Bombën Bomba H – bazohen mbi fizionin e bërthamave të hidrogjenit, siç ndodh në Diell. Një reaksion i tillë çliron një sasi energjie shumë më të madhe sesa fizioni. Por sfidat teknologjike janë edhe më të mëdha. Armët termobërthamore në arsenalet e fuqive kryesore bërthamore, të quajtura shpesh two-stage fission-fusion weapons, duke përdorur një shpërthyes atomik (domethënë me fizion) për të krijuar temperaturë jashtëzakonisht të larta që favorizojnë fizionin e bërthamave. Pheniani do të na bëjë të besojmë se i posedon tashmë armë të këtij lloji, me fuqi të llogaritshme në mijëra kiloton (të quajtur megaton). Por kjo nuk duket se qëndron në kapacitetet teknologjike koreanoveriore. Por bëhet fjalë për teknologji të kolauduara, që teknikët e Phenianit mund të vijë një ditë që t’i posedojnë.
Bomba e re koreanoveriore ka mundësi që t’i përkasë kategorisë së armëve single-stage. Për shembull, mund të injektojë triter dhe deuter, izotopë (variante) të hidrogjenit me neutrone «ekstra» në qendër të një bombe me fizion për ta rritur fuqinë e shpërthimit. Dimë edhe se qysh në vitet ’50 si Bashkimi Sovjetik, ashtu edhe Mbretëria e Bashkuar kanë shpërthyer bomba të ndërtuar me shtresa, me bërthama plutoniumi të rrethuara nga kapsula alternuese uranium të pasuruar dhe përzierje me litium e deuter apo triter. (Koreja e Veriut i disponon materiale të tilla). Testi sovjetik ka gjeneruar një shpërthim prej 400 kilotonësh, ai britanik edhe disa qindra kilotn. Me pak fjalë, e krahasueshme me atë që prodhoi testi i fundit koreanoveriore. Sa për të krijuar një ide, duke përdorur një simulator të efekteve të shpërthimeve bërthamore lehtësisht të gjetshëm në internet, një bombë 250 kilotonëshe e shpërthyer sipër Los Angeles do të shkaktonte rreth 350 000 të vdekur dhe 850 000 të plagosur nga shpërthimi, nga vala goditëse, nga nxehtësia dhe nga rrezatimet rezultuese. Mbresëlënëse.
Por, ndershmërisht, nuk ka rëndësi shumë nëse Koreja e Veriut disponon apo jo një armë termobërthamore efikase dhe ushtarakisht të përdorshme. Padyshim që do të ishte një xhevahir i Kim Jong-un, por duhet nënvizuar se bombat atomike «banale», me 15 – 20 kilotonët e tyre, janë pothuajse të mjaftueshme si armë frikësuese. Një shpërthim 20 kilotonësh sipër qendrës së Los Angeles do të shkaktonte rreth 100 000 të vdekur dhe 200 000 të plagosur, sipas simulatorit të sipërpërmendur. Për cilin President amerikan, edhe për Donald Trump, kjo mund të përfaqësonte një rrezik në një farë mënyre të pranueshëm? Siç na mësonte i madhi Thomas Schelling, që ka ndërruar jetë vitin e kaluar në moshën 95-vjeçare, nuk hyn në punë të mund të fitosh një luftë bërthamore për të ushtruar frikësimin. Mjafton ta vësh kundërshtarin përpara rrezikut të humbjeve të papranueshme për të. Në këtë optikë, qysh sot, Kim Jong-un disponon një frikësues bërthamor efikas. Në fakt është e arsyeshme të mendohet se, për fundin e 2017, Pheniani do të disponojë 15–35 armë atomike me fizion dhe se mund të shkojë në 25 – 5- brenda vitit 2020.
Faktori kryesor që kufizon prodhimin e armëve të tilla është gjetshmëria e materialit fizibël, domethënë e plutonoiumit dhe e uraniumit të pasuruar, lëndët e para për shpërthimet bërthamore. Plutoniumi prodhohet në reaktorin e vetëm bërthamor koreanoverior (prej 5 megavatësh), karakteristikat teknike e të cilit janë të njohura. Domethënë, dimë sesa plutonium mund të prodhojë në një vit. Me atë reaktor, në kompleksin e Yõngbyõn ka edhe një impiant për pasurimin e uraniumit. Së bashku prodhojnë materialin e mjaftueshëm fizibël për ndoshta 3 bomba në vit. Inspektorë ndërkombëtarë kanë mund ta vizitojnë kompleksin Yõngbyõn në të kaluarën, megjithëse jo në kushte të transparencës së plotë. Ky vend mbetet edhe nën vëzhgim me mjete teknike edhe kur koreanoveriorët, siç bëjnë aktualisht, ua mohojnë aksesin inspektorëve. Pastaj, ka shumë të ngjarë që të jetë në funksionim një impiant i dytë pasurimi «sekret», me karakteristika të ngjashme me impiantin e Yõngbyõn. Në këtë rast, prodhimi i armëve mund të afrohet në 5 për vit dhe, për pasojë, mund të arrihet në 50 bomba brenda vitit 2020. Potencialisht edhe në 60, në rast se koreanoveriorët do të arrinin të vinin në funksionim Experimental Light Water Reactor, edhe ai i ndodhur në Yõngbyõn, që do të ishte në gjendje të prodhonte plutonium të mëtejshëm.
Për të qenë të qartë: nuk e njohim me përpikmëri dhe ka mundësi nuk do të jemi në gjendje asnjëherë ta njohim siç duhet entitetin dhe karakteristikat e arsenalit bërthamor koreanoverior. Ama është e mundshme të bëhet një vlerësim sesa material fizibël Pheniani ka mundur të prodhojë në të kaluarën dhe sesa mund të prodhojë në të ardhmen. Pastaj, e dimë me saktësi të lartë sesa material fizibël është i nevojshëm për të realizuar reaksionin zinxhir që shkakton shpërthimin bërthamor. (Në linjë të përgjithshme, duhen 3 – 4 kilogram plutonium apo 15 – 20 kilogram uranium të pasuruar). Me këto të dhëna, mund të bëjmë atë që në anglisht quhet educated guess, një vlerësim i arsyeshëm. I mirëarsyetuar, sigurisht, por me limitet e tij. Nëse pranojmë, siç do të duhet, që Pheniani disponon një arsenal bërthamor, ky sigurisht që është më i vogli i arsenaleve të fuqive të tjera faktike, domethënë jo të njohura zyrtarisht nga Traktati i Mosproliferimit, që ka hyrë në fuqi në 1970. Sipas Arms Control Association, OJQ historike amerikane, India duket se ka aktualisht 130 armë bërthamore, kundrejt 140 të Pakistanit dhe 80 të Izraelit. Por do të ishte e arsyeshme të konsiderohej Koreja e Veriut një fuqi bërthamore faktike e barabartë me këto të tjerat, bile edhe me ndonjë avantazh me rëndësi të konsiderueshme. Testet raketore koreanoveriore të 2017 kanë qenë ndoshta më domethënëset në nivel strategjik se suksesi megjithatë i konsiderueshëm me armën termobërthamore. Qysh në 2016 ishte parë një rritje e madhe e aktivitetit koreanoverior. Përveç dy testeve bërthamore, janë regjistruar lëshime prove raketash balistike me rreze të shkurtër (rreze jo më shumë se 1000 kilometra), me rreze të mesme (rreze midis 1000 e 3500 kilometrave, për t’u lëshuar si nga toka, ashtu edhe nga nëndetëset) dhe me rreze të ndërmjetme (rreze 3000 – 5000 kilometra), përveç lëshimit në orbitë të një sateliti, duke përdorur një vektor me rreze ndërkontinentale, i përshtatur për qëllime ushtarake.
Në 2017, Pheniani ka privilegjuar teste vektorësh me rreze mesatarisht më të mëdha. Janë për t’u nënvizuar dy risi kryesore: Hwasõng-12 (rreze 4500 kilometra) dhe Hwasõng-14 (rreze e supozuar mbi 10000 kilometra). Rasti Hwasõng-12 është jashtëzakonisht interesant. Midis 5 prillit dhe 15 shtatorit janë kryer 6 lëshime provë. Fakti që kanë vazhduar pas 3 dështimesh fillestare të bën të mendosh se ky vektor përfaqëson një investim shumë të rëndësishëm për regjimin e Kim Jong-un. Pastaj, interesante është se për testin e fundit, kur raketa ka fluturuar me 3700 kilometra në orë, duke arritur lartësinë 770 kilometra në apogjeun e harkut balistik, duke rënë në det 2200 kilometra në lindje të Japonisë, është përdorur jo me rampë lëshimi fikse, por me mjetin e quajtur Transporter Erector Launcher (TEL), që është mobil dhe mund të udhëtojë mjaft mirë në rrugë. Kjo të bën të mendosh se autoritetet e Phenianit e konsiderojnë tashmë të besueshëm sistemin e drejtimit të Hwasõng-12, anipse raketa duhet konsideruar ende në fazë prove. Rrezja duket se shtrihet deri në ishujt e Alaskës dhe qetësisht deri në Guam.
Edhe dy testet e Hwasõng-14, padyshim raketë kontinentale, kanë dalë mirë, sidomos i dyti, i bërë me 28 korrik. Teknikët koreanoveriorë dukshëm që kanë përmirësime të konsiderueshme pas testit të 4 korrikut (festa kombëtare amerikane….!!!), Hwasõng-14 versioni i fundit, duke përdorur një trajektore relativisht të «sheshtë» për të maksimalizuar rrezen, do të ishte në gjendje të godiste pjesën më të madhe e Shteteve të Bashkuara kontnentale, sigurisht Bregun Perëndimor e populluar, por edhe Chicago e, potencialisht, New York. Mund të konsiderohet akoma në fazë zhvillimi, por duket një hap i rëndësishëm përpara për Korenë e Veriut.
Në 2017 janë regjistruar edhe rezultate të tjera të rëndësishme në fushën raketore, përfshi dy teste të përfunduara mirë të Kn-15 (Pukku˘ksõng-2), tjetër raketë mobile e lëshuar nga TEL-i me rreze të vlerësueshme midis 1200 e 2000 kilometrave. Bëhet fjalë për një version eksplicit «tokësor» të KN-11 (Pukku˘ksõng-1), vektor i projektuar për t’u lëshuar nga nëndetëse, test me një farë suksesi në 2016, që mund të futet në shërbim në 2020. Të gjithë vektorët e sipërpërmendur janë projektuar për të mbajtur testate bërthamore. Kurse për sa u përket raketave balistike aktualisht në shërbim, arsenali koreanoverior përfshin:
• KN-02, version koreanoverior i SS-21 Scarab rus, i siguruar ka mundësi nga Siria në vitet ’90. Rrezja 120 – 170 kilometra. Versioni rus mund të mbajë testata bërthamore me fuqi 100 kiloton.
• Hwasõng-5, variant i Scud B rus të blerë nga Egjipti dhe i nënshtruar inxhinierisë inverse. Rrezja 300 kilometra. Në gjendje që të mbajë testata kimike dhe biologjike.
• Hwasõng-6, variant i Scud C rus me rreze të përmirësuar krahasuar me Hwasõng-5 (500 kilometra).
• Hwasõng-9, i quajtur edhe Scud–Extended Range, version i përmirësuar i Hwasõng-6 (rrezja 800 – 1000 kilometra).
• Rodong-1, tjetër version i përmirësuar i Hwasõng-6, ndoshta falë bashkëpunimit me teknikët rusë e kinezë. Rrezja 1200 – 1500 kilometra. Në gjendje që të mbajë testata bërthamore.
• Taepodong-2, vektor ndërkontinental (rrezja 4 – 15000 kilometra), i konsideruar në gjendje të mbajë testate bërthamore. Version ushtarak i Unha-3, i zhvilluar nga Koreja e Veriut duke shfrytëzuar pjesërisht teknologji tashmë në posedim të saj. Vektor me 3 module, i përdorur me sukses qysh në 2012 për të lëshuar një satelit orbital dhe për lëshimin e sipërpërmendur satelitor në 2016.
Domethënë, Pheniani disponon tashmë vektorë me karakteristika për të goditur me armë bërthamore të ndryshme objektivë të rëndësishëm të ndryshëm. Përveç atyre të përmendura më shpesh sot, si Seulin, Tokion dhe bazat ushtarake në Japoni dhe në Guam, duhet të përfshijmë në listë edhe ishujt Havai, Alaskën dhe ndoshta 2 apo 3 shtete të Shteteve të Bashkuara kontinentale. Dhe nuk duhet të harrojmë Kinën dhe (ka pak të ngjarë) Rusinë, përveçse Europën, duke qenë se Roma, sa për të dhënë vetëm një shembull, është më pak se 9000 kilometra në vijë ajrore nga Pheniani, shumë brenda rrezes së hipotezuar të Taepodong-2. Është jashtëzakonisht e vështirë të dihet sesa raketa me këto tipologji të ndryshme ka konkretisht në dispozicion Pheniani. Nga ana tjetër, numri i bombave bërthamore është mjaft i reduktuar. Për të ushtruar një frikësim efikas, mund të mjaftojë një numër modest vektorësh me testate bërthamore. E rëndësishme është që të jenë efikase e të besueshme dhe mundësisht të mos jenë të lehta për t’u shkatërruar me një aksion paraprak. Vektorë të caktuar koreanoveriorë nuk kërkojnë rampa fikse lëshimi. Transportohen dhe lëshohen duke përdorur automjete speciale. Një mobilitet i tillë do t’i bënte të vështirë tentativa të tilla për t’i neutralizuar paraprakisht. Natyrisht që kjo vlen edhe për raketat e lëshuara nga nëndetëset.
Jemi plotësisht të sigurtë se në këtë moment Pheniani disponon raketa me testata bërthamore, të gatshme për t’u lëshuar? Sinqerisht, jo. Hans Kristensen dhe Robert Norris, ndër ekspertët më të mëdhenj të fushës, megjithëse duke hipotezuar se një arsenal bërthamor koreanoverior me 20 bomba në mesin e vitit 2017, nënvizojnë se mbetet e paqartë deri në çfarë pike Koreja e Veriut i ka transformuar eksplozivët e saj bërthamorë në armë konkretisht të përdorshme në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe nëse armë të tilla janë apo jo faktikisht të dislokuara (deployed). Faktikisht, në analizën e tyre, Koreja e Veriut nuk klasifikohet akoma si shtet me një forcë ushtarake bërthamore të vetën. David Albright i Institute for Science and International Security, i njohur për analizat teknike të tij, në fakt shtyhet akoma më tej. Pikërisht, me 13 shtator, përpara një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve, Albright theksoi se «Koreja e Veriut duket se ka një familje armësh me fuzion bërthamor relativisht të besueshme, me një forcë shkatërruese të barabartë me atë të bombës së Hiroshimës, ku është përdorur si plutonium, ashtu edhe uranium i pasuruar. Armë të tilla janë miniaturizuar dhe mund të vendosen në raketa të ndryshme balistike».
Në kërkim të ndonjë ngushëllimi, ekspertët na kujtojnë shpesh se miniaturizimi, domethënë krijimi i bombave bërthamore aq të vogla sa të futen nëpër testatat e raketave, përfaqëson një sfidë të konsiderueshme teknike. Veç kësaj, rifutja në atmosferë pasi kanë arritur apogjeun e harkut balistik i vendos testatat në stres mekanik dhe termik të jashtëzakonshëm, sa që mund t’i dëmtojnë eksplozivët bërthamorë. Irani e ka mësuar sesa mund të jetë e vështirë «mbijetesa» e testatave bërthamore, po të gjykosh nga një raport mbi kërkimet iraniane të botuar në 2011 nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), që ishte vënë në posedim dokumentash të brendshme iraniane. Nuk e dimë se deri në çfarë pike teknikët e Phenianit i kanë zgjidhur probleme të tilla. Për sa u përket raketave, mund të njohim shumë detaje nga lëshimet provë, falë mjeteve teknike të rilevimit dhe vëzhgimit. Por nuk dimë se çfarë përmbajnë testatat. Pesha është e krahasueshme me atë të testatave që përmbajnë bomba bërthamore? Apo janë bosh? Kjo padyshim që u vendos limite tentativave të llogaritjes së rrezes të vektorëve të tillë në rast të një përdorimi eventual ushtarak.
Por, ndershmërisht, këto diskutime, siç thuhet në Amerikë, duken down in the weeds, domethënë të rrethuar nga barishte që nuk lejojnë të shikohen qartë gjëra thelbësore. Koreanoveriorët kanë arritur vitet të fundit të zgjidhin shumë probleme. Kapacitetet teknike dhe ato të të mësuarit nuk mungojnë. Dhe sigurisht që nuk mungojnë as motivacionet. Për shembull, të mbrosh regjimin e Kim Jong-un me një forcë bërthamore frikësuese. Ose të shesës raketa jashtë vendit për të grumbulluar valutë. Nuk është oportune t’i besohet siguria jonë shpresës, ka mundësi e pabazuar, se koreanoveriorët nuk e kanë zgjidhur dhe se nuk do t’ia arrijnë në të ardhmen që të zgjidhin problemet teknike që vende të tjera tashmë i kanë zgjidhur. Është me kuptim, bile e urtë, të pranosh si të dhënë faktike që Koreja e Veriut ka hyrë në klubin e fuqive ushtarake bërthamore. Sipas shumë gjasave, eksplozivët bërthamore, të krahasueshëm me fuqinë e bombës së hedhur në Hiroshimë, janë në sasi të caktuara. Ka shumë probabilitet që Pheniani të disponojë edhe vektorë në gjendje që të godasin, me testata bërthamore, objektiva me vlerë për vendet më të rëndësishme kundërshtare. Bomba termobërthamore e shpërthyer kohët e fundit përfaqëson më shumë se çdo gjë tjetër qershinë mbi tortë. Për momentin, ka pak rëndësi që nuk bëhet fjalë për një bombë të krahasueshme me atë të arsenaleve të Shteteve të Bashkuara dhe të fuqive të tjera bërthamore të njohura zyrtarisht. Duhet supozuar se Koreja e Veriut është në gjendje t’i zgjidhë problemet kryesore teknike që ndoshta ende nuk i ka zgjidhur. Domethënë, të mos i hahet haku Kim Jong-un, sigurisht diktator eksentrik, ndoshta edhe i prekshëm nga pikëpamja emotive, por edhe smart and strategic.

Eric Terzuolo është një diplomat amerikan në pension, që nga viti 2010 drejton Kursin për Europën Perëndimore pranë Foreign Service Institute në Washington

Përgatiti
ARMIN TIRANA

 

Si e vrau Facebook-u gazetarinë

Realiteti i hidhur është që media tashmë është kthyer në skllave të rrjeteve sociale, lehtësisht e manipulueshme dhe e ndikueshme nga aktiviteti i përdoruesve në rrjetet si Facebook apo Twitter. Qytete dhe shtete të tëra mund të vihen në shënjestër për t’i bombarduar me reklama propagandistike. Kjo arrihet përmes përdorimit të sistemit të reklamimit të Facebook, një algoritëm i ushqyer nga një sasi e pafund të dhënash që gjenerohet dhe pasurohet çdo ditë nga aktiviteti i miliona e miliona përdoruesve në të gjithë botën.
Veprimet si klikimi mbi faqe të ndryshme, pëlqimi i postimeve apo shpërndarja e një artikulli, e ndihmojnë Facebook-un të ndërtojë informacione të detajuara mbi preferencat e një përdoruesi. Kompania më pas e shfrytëzon financiarisht këtë informacion, duke i kategorizuar përdoruesit që të mos të vihen më lehtë nën shënjestër nga reklamuesit. Thjesht, duke përzgjedhur demografinë që kërkon të influencojë – për shembull “amerikanë”, “konservatorë” apo “europian” – një entitet mund të sigurohet që reklamat e tij të shihen më shumë nga audienca me të cilën kërkon të ndërveprojë.
Kjo eficencë nuk ka kaluar pa u vënë re nga komuniteti i biznesit dhe kompanitë e mëdha e të vogla e shfrytëzojnë këtë mjet për të promovuar produktet dhe shërbimet e tyre. Teksa pushteti dhe sofistikimi i algoritmit e ka çuar Facebook-un drejt dominimit të fushës reklamuese në rrjetet sociale, gjiganti i teknologjisë qëndron përsëri i dyti në renditje, pasi Google ka një shtrirje akoma më të gjerë. Të dy kompanitë priten të përfitojnë mbi 60 për qind të tregut të reklamave dixhitale prej 83 miliardë dollarësh të këtij viti, përfshirë edhe 99 për qind të të gjithë rritjes së reklamimit dixhital.
Ndërkohë që kjo dominancë ka ofruar pa dyshim përfitime të majme financiare për Facebook dhe Google, fenomeni i reklamave dixhitale ka pasur pasoja të errëta për industrinë mediatike. Të uritur për të kapur një copë të tortës gjithnjë e më të vogël të të ardhurave nga reklamat, publikuesit online, të cilët dita-ditës humbasin edhe të abonuarit me pagesë, po detyrohen të bëjnë kompromis me bindjet e tyre editoriale për të qenë brenda trafikut të internetit. Në fund të fundit, numri i klikimeve dhe shikimeve janë gjithçka vlen sot në ekonominë e drejtuar nga reklamat.
Kjo dinamikë mund të ilustrohet më qartë nga përvoja e kryeredaktorit Franklin Foer të “Neë Republic”. E ngritur në krye të listës së revistave, pasi bashkë-themeluesi i Facebook, Chris Hughes, e bleu atë në vitin 2012, kjo ishte një revistë për të cilën Foer, idealist për qëllimin e punës së tij, mezi priste të drejtonte.
Fatkeqësisht, ai zbuloi shumë shpejt se vizioni i tij nuk përputhej me modelin e biznesit që Hughes kërkonte të implementonte. Duke devijuar tërësisht nga karakteri kritikues i revistës, “New Republic”, nën vëzhgimin e ngushtë të Hughes, iu nënshtrua kërkesave të tregut dhe filloi të publikonte dozën ditore të “lajmeve sensacionale” në përpjekje për të rritur numrin e klikimeve dhe për të tërhequr vëmendjen e reklamuesve. Foer, i cili tashmë shkruan për “The Atlantic” thotë: “Shefi im i vërtetë ishte Chartbeat, një faqe që i tregon gazetarëve dhe redaktorëve rezultatet në kohë reale të trafikut të internetit, duke evidentuar lexueshmërinë për çdo artikull. Chartbeat dhe faqe të tjera si kjo, kanë marrë peng virtualisht çdo revistë, gazetë apo blog. Me njësitë matëse të tyre, asnjë artikull nuk kap trafikun e mjaftueshëm të internetit dhe mund të përmirësohet gjithmonë me një titull më të mirë, një qasje më të mirë ndaj rrjeteve sociale, subjekt më të mirë apo argumentim më të mirë. Si një menaxher që të qëndron mbi kokë me kronometër, Chartbeat qëndron tashmë mbi kokën e çdo newsroom-i”.
Foer zbuloi se kërkesa në internet favorizonte lajmet sensacionale, jo ato kritike, lajmet bombastike, jo analizat dhe komentet. Me një shikim të shpjetë në newsfeed-in e çdokujt në Facebook mund të kuptohet se ky është realiteti i medias në ditët e sotme dhe ideologjive politike. Ndërkohë që mediat janë gjunjëzuar përballë incentivit ekonomik në përpjekje për të zgjidhur problemin e përhershëm të paaftësisë paguese, pa pasur mundësinë për të rritur numrin e lexuesve, mediat lokale dhe rajonale nuk arrijnë dot të gjenerojnë të ardhurat e mjaftueshme që të mbijetuar.
Gazetari Jack Shafer, duke shfrytëzuar të dhënat e mbledhura nga kolegu i tij Tucker Doherty, eksploroi këtë dinamikë në një artikull të Politico dhe deklaroi se forcat që shtyjnë tregun mediatik kanë krijuar një “fluskën e medias”. Ashtu siç pritet, në një botë që e përdor letrën gjithmonë e më pak, gazetaria e shkruar duket e destinuar të zhduket. Punësimi në gazetat e përditshme dhe të përjavshme ka rënë me më shumë se 60 për qind në janar të vitit 2017. Rritja e jashtëzakonshme e punësimit në gazetarinë dixhitale e ka eklipsuar plotësisht këtë rënie, por vetë gazetaria dixhitale është duke përjetuar një tjetër lloj vdekjeje, atë të substancës dhe etikës së gazetarisë. Lufta për klikime po i kthen dalëngadalë gazetarët në “tregtarë” të lajmit.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI