28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Ançeloti te Juventusi

Pas shkarkimit nga Bayerni i Mynihut, Karlo Ançeloti ka deklaruar se do të qëndrojë pushim të paktën deri në fund të sezonit. Sigurisht që për një trajner kaq të madh është e pamundur të shmangen hipotezat përsa i përket skuadrës së radhës që do të drejtojë. Nga Anglia sugjerojnë se, Ançeloti nuk do të kthehet te Milani, sikurse është raportuar kohët e fundit nga mediat italiane, por tek Juventusi. Më konkretisht, tabloidi “Sun”, shkruan se në fund të sezonit Massimiliano Alegri do të largohet nga Juventusi, nëse nuk e fiton Championsin, për të marrë drejtimin e një tjetër klubi të madh, siç është Chelsea, ndërsa në vendin e tij do të emërohet Ançeloti, i cili i ka drejtuar bardhezinjtë për dy sezone e gjysmë në periudhën 1999-2001.
Disfata në “Parc de Prince” përballë PSG rezultoi fatale për teknikun italian Karlo Ançeloti, pasi klubi gjerman vendosi shkarkimin e tij për ta zëvendësuar me Jupp Heynckens. Nëse në Itali për trajnerët ekziston shprehja “nuk do të hajë dot panettonen e Krishtlindjes”, në Gjermani, sikurse, në vendin tonë, shtrohet pyetja “a do të arrijë ta shijojë gjelin e detit?”. Ironia këtu qëndron pikërisht në faktin se shkarkimi i Ançelotit ishte aq i befasishëm sa ka kapur të papërgatitur edhe vetë klubin gjerman, që në kalendarin e përvitshëm zyrtar ka harruar të heqë Ançelotin dhe e ka nxjerrë në shitje pikërisht me të. Ndaj, deshën s’deshën tifozët bavarezë, do t’i festojnë bashkë me Ançelotin festat e fundvitit!
Përpara ndeshjes në Ligën e Kampioneve ndaj Sportingut të Lisbonës, trajneri juventin Masimiliano Alegri, shprehet se situata në ekip është e mirë, dhe se shpreson në kthimin e kësaj situate. “Atmosfera është e mirë. Thjeshtë na duhet të rifitojmë pak balancën. Nuk duhet të futemi në depresion vetëm, sepse patëm disa rezultate jo të mira, futbolli i njeh këto periudha”, deklaroi Alegri.
I pyetur për Dibalën, dhe për kritikat që mori pas dy penalltive të humbura, tekniku tha se tashmë argjentinasi është bërë më i fortë nga kjo situatë. “Dibala është i ri dhe i jashtëzakonshëm si lojtar. Këto gjëra e kanë forcuar më shumë. Pas ndeshjeve të para ku shënoi shumë gola, të gjithë e krahasonin me Mesin, tashmë pas dy penalltive të humbura të gjithë e harruan”.

Andersson: S’kam shumë informacion për Italinë

Përplasja që spikat në fazën play off të Botërorit “Rusi 2018” është pa dyshim Suedi–Itali. Jo vetëm për cilësinë e këtyre dy skuadrave, por edhe për faktin se në Shqipëri janë të shumtë ata që përkrahin ekipin e Venturës. Trajneri italian deklaroi se, “as që e mendon skuadrën e tij jashtë botërorit”, por po me kaq besim u shpreh edhe homologu i tij suedez, Janne Andersson.
“Italia është e fortë, por po kaq e fortë është edhe Suedia. Gjithçka do të varet nga mënyra sesi do ta përgatitim përballjen. Jemi të vetëdijshëm për sfidën që na pret”, u shpreh Trajneri i Suedisë.
Por sa njohuri ka trajneri i Suedisë për kundërshtarët italianë? “Do ta studioj me shumë vëmendje, sepse deri tani nuk kam patur shumë informacion për Italinë. Lojtarët italianë që spikatin? Zakonisht, nuk flas për individë të veçantë, por sigurisht që do të përqendrohem për t’i njohur më mirë. Po kështu me duhet të mësoj diçka edhe për Venturën, sepse edhe për të nuk kam shumë informacion”, përfundoi Andersson.

Prandelli, alternativë për stolin e Skocisë

VALENCIA, SPAIN - OCTOBER 22: Head coach Cesare Prandelli of Valencia CF looks on prior to the La Liga match between Valencia CF and FC Barcelona at Mestalla stadium on October 22, 2016 in Valencia, Spain. (Photo by David Ramos/Getty Images)

Mund të marrë një tjetër kthesë e ardhmja e Cesare Prandelli-t. Trajneri italian, i cili prej pak kohësh është në krye të skuadrës së Al-Nasr, mund të nisë një aventurë të re larg nga Dubai. Sipas “Daily Record”, Federata Skoceze e Futbollit e ka përfshirë në listën për trajnerin e ri të Kombëtarës. Përkohësisht përfaqësuesja skoceze drejtohet nga Malky Mackay, por 45-vjeçari nuk do të qëndrojë gjatë në këtë post. Ish-trajneri i Italisë konsiderohet një alternativë e mirë për drejtuesit e Federatës Skoceze

Rrugaç, Pollo i përmend Habilajt, Bushati ikën nga Komisioni i Integrimit

Debati për drogën dhe lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar ka tensionuar situatën në Komisionin e Integrimit. Përmendja e emrit të Habilajve të arrestuar në Itali ka bërë që ministri i Europës të largohet nga salla e Komisionit të Integrimit, ndërsa Pollo e ka konsideruar rrugaç.

Ditmir Bushati: Kaq shumë e keni përmendur krimin e organizuar, kanabisin sa që kam frikë se do vij Hollivudi për të bërë një film për mafian shqiptare…
Genc Pollo: Po kushëriri famshëm, Moisi Habilaj duhet të ketë një rol në këtë film që do xhirohet??
Ditmir Bushati: Agjentë të specializuar do vijnë në Shqipëri për të kontribuar për fazën e re të luftës ndaj krimit të organizuar..
Ditmir Bushati: Komisioni drejtohej më mirë nga Majlinda Bregu. Ti nuk je simboli i ndershmërisë këtu.
Genc Pollo: Lëri këto komente prej rrugaçi.
Ditmir Bushati: Më nderon shumë kur ma thua emrin dhe mbiemrin që kam. Nuk lejoj as ty, as Saliun tënd të më thonë mua rrugaç. Unë nuk e vazhdoj këtë mbledhje pa kërkuar falje. Mua nuk më fyen dot. Kafen, drekën dhe darkën, di unë se me kë e ha. Mua këtu më trajton vetëm si ministër të Jashtëm. Për sa kohë nuk e ke kriterin elementar të edukatës nuk mund ta vazhdoj këtë seancë. Mos u ndje i provokuar nga ajo që unë thashë për Bregun, me të cilën unë kam pasur debate shumë të ashpra, por nuk e kemi kaluar kurrë cakun.
Genc Pollo: Në mënyrë të paprecendentë në eksperiëncën time parlamentare… Ka mundësi të mbyllësh gojën dhe mikrofonin.
Ditmir Bushati: Kërko ndjesë të madhe për ndotjen që shkaktove.
Genc Pollo: Që të mos kemi nevojë për shërbimet e Gardës.
Ditmir Bushati: Po lëri shërbimet e Gardës. Salliun kuq nuk e bën dot me mua. Erdha këtu për t’i dhënë përgjigje secilit prej jush. Por fjalor rrugaç, vagabond që u përdor këtu dhe nuk e pranoj dot. Kjo i shkon vetëm Saliut. Salikuq unë nuk kam njohur, po shoh sot. Nëse nuk kërkon ndjesë për fjalorin, unë nuk jam i gatshëm për ta vazhduar më këtë mbledhje.

Masë disiplinore ndaj Bushatit

Deputetët e PD dhe LSI në Komisionin e Integrimit do të kërkojnë masë disiplinore ndaj ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Përmes një reagimi pas debatit mes Bushatit dhe Pollos që shkoi deri në fyerje personale, anëtarët e opozitës në Komisionin e Integrimit Europian thonë se janë “të skandalizuar nga sjellja dhe gjuha rrugaçërore e zotit Ditmir Bushati, ministër për EPJ gjatë dëgjesës së tij para Komisionit, sot, e martë, 17 tetor 2017”. Sipas tyre, pas një fjalimi tërësisht të politizuar dhe në mënyrë të paprovokuar, Bushati në mungesë të argumenteve dhe si pasojë e dështimit të axhendës integruese, në mbrojtje të vetvetes zgjodhi të ofendojë personalisht kryetarin e komisionit, Genc Pollo dhe vijoi të përgojonte dhe deputetë të tjerë të opozitës. “Ne, anëtarët e Komisionit të Integrimit Europian, të skandalizuar nga sjellja dhe gjuha rrugaçërore e zotit Ditmir Bushati, ministër për EPJ gjatë dëgjesës së tij para Komisionit, sot, e martë, 17 tetor 2017, shprehemi si më poshtë vijon: Pas një fjalimi tërësisht të politizuar dhe në mënyrë të paprovokuar, Bushati në mungesë të argumenteve dhe si pasojë e dështimit të axhendës integruese, në mbrojtje të vetvetes zgjodhi të ofendojë personalisht kryetarin e komisionit, z.Genc Pollo, dhe vijoi të përgojonte dhe deputetë të tjerë të opozitës. Ne, anëtarët e Komisionit për Integrimin Europian, e dënojmë këtë akt jo vetëm si shprehje të sjelljes personale, por edhe institucionale të Ditmir Bushatit. Ky akt është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Ne, anëtarët e Komisionit refuzojmë të pranojmë nga Bushati apo çdo person tjetër i thirrur në dëgjesë, përfshi dhe anëtarët e qeverisë një sjellje të tillë, e cila nuk do të tolerohet më në Komisionin tonë. Ne do ndjekim procedurat e Rregullores së Kuvendit që të merret masë disiplinore ndaj deputetit Bushati. Deputetët: Kejdi Mehmetaj, Aldo Bumçi, Grida Duma, Vangjel Dule, Jorida Tabaku, Viktor Tushaj, Genc Pollo”, thuhet në deklaratë.

Juventus kërkon Weigl

Julian Weigl talenti gjerman i Dortmundit, i cili prej 2 sezonesh është një titullar fiks në mesfushën e “verdhezinjve”, është objektivi i parë i Juventusit për të forcuar mesfushën. Megjithatë, për t’i rrëmbyer Dortmundit një nga lojtarët më të spikatur që ka në skuadër, bardhezinjtë duhet të fitojnë garën me Barcelonën. Blaugranat shohin te Weigl një Busquets të ri dhe janë gjithashtu të interesuar për lojtarin.

Cagliari shkarkon Rastellin, Oddo favorit për stolin

Humbja me Genoan dhe vetëm 6 pikë të grumbulluara në 8 javët e para kanë rezultuar fatale për Massimo Rastellin, i cili është shkarkuar nga detyra si trajner i Cagliarit. Presidenti i klubit Sard Giulini ka vendosur paraditen e kësaj të marte për t’i dhënë fund bashkëpunimit me Rastellin që zgjati më shumë se 2 vite, për shkak të rezultateve të dobëta në 8 javët e para të Serisë A. Për të marrë drejtimin e Cagliari-it, favorit është ish-tekniku i Pescarës, Massimo Oddo, i cili e luan këtë post me Giussepe Iachinin. Më pak shanse kanë Zenga dhe Mazzarri.

Në Angli kampionati më i fortë

360 gradë. I prerë, ashtu si stili i tij. Antonio Konte është një personazh unik dhe fitues. Gjatë një interviste të gjatë për “GQ”, trajneri i Çelsit zbulon sekretet deri në nivelin intim. “Në fushë lëviz, ulëras dhe vrapoj. Ky është personazhi im. Gjatë ndeshjes, rrahjet e zemrës i kam të shpejtuara. Por e bëj mbi të gjithë për lojtarët, për t’i mbajtur të karikuar”.
“Futbolli ka ndryshuar shumë nga koha kur unë isha futbollist. Sot, nuk mjafton vetëm talenti: duhet të jesh i shpejtë, i fortë dhe rezistent. Më parë nuk ishin të gjithë këto presione. Për këtë arsye, stërvitjet janë shumë të rëndësishme dhe unë i jetoj kaq intensivisht”.
“Gjëja që më ka pëlqyer më shumë nga Anglia është atmosfera. Mund të nuhasësh në çdo moment. Këtu i sheh tifozët e skuadrave të ndryshme t’i ndjekin ndeshjet në sintoni të plotë. Sezonin e shkuar, kur fituam ndaj Midësllsbrout dhe i rrëzuam, tifozët e tyre na duartrokitën. Edhe ata të Sandërlendit që kishin rënë me kohë. Në Itali është shumë ndryshe.
Këto gjëra i sheh rrallë dhe ka shumë më tepër polici. Ky është kampionati më i vështirë, intensiv, më i forti pa dyshim. Në Spanjë është vetëm Reali dhe Barcelona, ndonjëherë edhe Atletiko. Në Itali është vetëm Juventusi. Në Gjermani vetëm Bajerni, veç ish-Borusias së Klopit. Në Francë vetëm PSG. Në Angli ka 6 skuadra: Siti, Junajtid, Liverpuli, Arsenali, Totenhemi dhe Çelsi”.
“Të fitosh në këtë kampionat është shumë e vështirë, kështu që duhet të bëjmë punën më të mirë të mundshme. Jemi krenar që kemi kaq shumë trajnerë italianë në kampionatet europiane”.
“Në Itali ka 3 gazeta që flasin për futbollin, kjo sjell shumë presion. Disa mendojnë se e njohin më mirë punën tënde dhe të thonë çfarë dhe si duhet të luash”.
“Ky do të jetë një vit më i mirë për mua, sepse familja u transferua në Angli. Por në çdo moment nuk është e lehtë, sepse mendja ime mendon gjithnjë për futbollin. Nëse do të jesh një trajner i mirë, duhet të sakrifikosh jetën dhe prandaj ndonjëherë e urrej futbollin. Mbi të gjitha, sepse duhet të punoj 18 orë në ditë. E dua dhe e urrej”.

Mijëra kallashnikovë të trafikuar në duart e terrorizmit?

Operacioni i djeshëm i “Guardia Di Financa” ka përfshirë struktura të shumta të sigurisë të shtetit italian, duke nisur nga Guardia Di Financa, duke vazhduar me marinën italiane, pjesë e ushtrisë dhe pjesa që duket më e fortë në këto hetime është ajo e përfshirjes së Antiterrorit italian. Po përse duhej të përfshihej Antiterrori? Përfshirja e kësaj strukture ka ardhur pas evidentimit se banda ka trafikuar me mijëra kallashnikovë në drejtim të Italisë. Antiterrori po heton se në duart e kujt ka rënë një sasi kaq e madhe e këtyre armëve. Dyshimet e para janë se armët kanë shkuar në duart e terroristëve. Nuk duhet harruar se Italia ka nisur hetimet prej dy vitesh për këtë bandë me mbështetje qeveritare. Gjatë kësaj kohe në Europë ka pasur disa zhvillime mjaft të rënda dhe goditje të grupeve terroriste. Sulmi i parë për të cilën u përmend emri i krimit shqiptar ishte ai ndaj gazetës franceze “Charlie Hebdo”. Në raportimet e atyre të shërbimeve sekrete si dhe të mediave u tha se, sulmi ishte kryer me automatikë kallashnikovë dhe dyshimet ishin se këto automatikë kishin ardhur nga krimi i organizuar shqiptar.
Ky detaj kaloi në heshtje në shtypin shqiptar ashtu sikurse të gjitha raportimet e tjera të shërbimeve partnere që dyshonin se lidhjet e krimit të organizuar mund të shërbenin si sponsor për terrorizmin. Prokurori i Antiamafias italiane që mbërriti në Shqipëri pak muaj më parë, në një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeprokurorin Llala u shpreh se po hetohej për lidhjet e krimit të organizuar me terrorizmin. Këto dy indikacione të shtrira në kohë dëshmojnë se nuk kanë qenë të rastësishme. Ato kanë qenë pjesë e strukturave të specializuara italiane, të cilat kishin në vëzhgim krimin shqiptar me mbështetje politike në qeveri. Rasti i djeshëm është mjaft domethënës në këtë drejtim. Antiterrorri italian është pjesë e hetimeve dhe është përgjuar në aksion dhe u duhet të hetojë lidhjet e bandës pikërisht me terrorizimin.
Kjo do të jetë një nga pikat më të forta të hetimit dhe nëse provohet pista e përfshirjes së saj në terrorizëm atëherë është e kuptueshme se shumë shpejt do të nisë një valë spastrimi dhe mbushje të burgjeve italiane me politikanë.

Provat italiane për “Audin” e ministrit me targa AA 003 GB dhe përgjimet

 

“Audi” AA 003 GB që përdornin vëllezërit Habilaj ishte në fakt e regjistruar në emër të ministrit Tahiri. Ky fakt u pranua nga Tahiri, i cili ngriti alibinë për të shpëtuar nga përgjegjësia se ja kishte shitur Habiljave edhe pse nuk kishte ndërruar pronësinë. Faktet janë shumë herë më të forta për këtë lidhje kriminale dhe duket se strukturat italiane të hetimit kanë avancuar shumë në këtë pikë. “Audi” i Tahirit është parë dhe dokumentuar nga strukturat italiane në zonat me ndikim të fortë të mafies italiane. “Audi” AA 003 GB është dokumentuar edhe në zonën e Siçilisë nga pala italiane në takime me elementë të inkriminuar pjesë të mafies italiane. Këto janë prova të hetimeve dhe që pritet të bëhen publike gjatë procesit të gjykimit. Eshtë e kuptueshme se çfarë mund të bëjë kjo bandë me mafiozët, por ajo që ka qenë e paimagjinueshme për italianët deri në momentin e provave se makina ishte në pronësi të ministrit të Brendshëm shqiptar.
Hetimet italiane janë mjaft të thelluara dhe provat do të shkojnë deri tek zyrtarë të lartë të policisë dhe qeverisë Rama. Por sipas burimeve italiane të përfshirë në këtë organizatë mafioze nuk janë vetëm shqiptarët, por edhe italianët.
Duket se nga hetimet kanë dalë edhe emrat e italianëve të përfshirë në këtë bandë dhe që po ashtu janë me pozita. Goditja e djeshme ndaj bandës së Habilajve për nga vetë angazhimi italian duke përfshirë jo vetëm policinë dhe shërbimet sekrete, por edhe ushtrinë dhe Antiterrorin janë një dëshmi e një interesi mjaft të madh të palës italiane për të goditur jo vetëm degët e krimit të organizuar, por qendrën operacionale dhe mbështetëse politike të kësaj bande në Tiranë. Nuk duhet harruar një fakt, se banda ka qenë nën hetim dhe vëzhgim prej të paktën dy vitesh dhe gjatë këtyre dy viteve banda ka qenë nën përgjim. Se çfarë do të dalë nga këto përgjime pritet që të provohet gjatë ditëve të ardhshme vetëm se ato do të jenë mjaft interesante.

 

Artistët ngrihen në protestë kundër HEC-eve mbi Vjosë

 

Koncerti me moton “Mos ma prek Vjosën” u mbajt dje në orën 19:00 në Sheshin Skënderbej dhe kishte për qëllim të ndërgjegjësojë publikun e gjerë dhe vendimmarrësit mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë natyrore të vendit tonë, si dhe mbrojtjen e lumit Vjosa nga planet për ndërtimin e hidrocentraleve.
“Arti nuk është shpëtimtar i botës, gjithashtu jo domosdoshmërisht mund të përmirësojë mëkatet e vendimmarrësve kundrejt shoqërisë, tokës, natyrës, ujit apo çfarëdo situate të pasigurtë jetësore! Arti, fal vetëm zërin paqësor, për të sensibilizuar, ndërgjegjësuar ndaj pasojave të pariparueshme kolektive, për të cilat gjithkush duhet të luftojë, në momentin dhe kohën e duhur”, shprehen artistët në mesazhin e tyre.
“Ne jemi këtu për të bashkuar njerëzit në kauzën për mbrojtjen e Vjosës dhe ftojmë të gjithë të mblidhemi tok dhe përtej 1001 halleve që ka shoqëria e vendi ynë t’i japim zë kësaj kauze”, shtuan ata nëpërmjet një njoftimi për shtyp të martën.
Koncerti përfshin këngëtaret dhe muzikantët Elina Duni, Eda Zari, Gent Rushi, Rob Luft, Vlashent Sata, Marsela Çibukaj, Linda Rukaj, Charles Lamouroux, Ermal Rodi, Florian Garcin, Emiljan Dhimo, Grupi Polifonik Lunxhëria, Blerat & Besfort Këpuska, Dj. ODA. Ky koncert mbahet një vit pas koncerteve protestë me temë mjedisore, “Mos ma prek Valbonën” dhe “Jo, importit të mbetjeve në Shqipëri”.
Sipas shkencëtarëve, lugina e Vjosës përbën një habitat për shumë lloje kafshësh dhe bimësh që janë shumë të rralla ose janë zhdukur fare nga lumenjtë e tjerë të Evropës. Megjithatë, shumë prej këtyre gjallesave tashmë kërcënohen të zhduken nga ndërtimi i planifikuar i hidrocentralit të Poçemit dhe ai i Kalivaçit. Pavarësisht premtimit elektoral të kryeministrit Rama për shpalljen e Vjosës park kombëtar dhe ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve, në korrik 2015, Këshilli i Ministrave i hapi rrugën procedurës për dhënien me koncesion të hidrocentralit të Poçemit, megjithë kundërshtinë e aktivistëve mjedisorë dhe atë të banorëve që jetojnë përgjatë rrjedhës së lumit.
Në nëntor 2016, Ministria e Energjisë njoftoi dhënien e lejes për ndërtimin e hidrocentralit dhe nënshkrimin e kontratës me kompaninë turke “Kovlu Energji”. Një muaj më vonë, tri organizata mjedisore – EcoAlbania nga Shqipëria, Riverwatch nga Austria dhe EuroNatur nga Gjermania – ngritën një padi gjyqësore kundër projektit të Poçemit.
Në një vendim të paprecedentë më 2 maj 2017, Gjykata Administrative në Tiranë pranoi padinë e banorëve dhe të aktivistëve, duke gjetur se procedurat e ndjekura në dhënien e kontratës koncesionare, përfshirë procesin e konsultimit publik, qenë bërë në shkelje të ligjeve shqiptare, si dhe legjislacionit të Bashkimit Europian për mbrojtjen e mjedisit. Pavarësisht fitores së arritur nga aktivistët dhe banorët e Vjosës, tre javë pas vendimit të Gjykatës Administrative, qeveria hapi një tender të ri për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit mbi lumin Vjosë.

BIRN