Joao Mario paralajmëron Milan. Mesfushori i zikaltërve në prag të derbit të Madoninës shfaqet entuziast dhe i karikuar. Në një intervistë, portugezi deklaron se skuadra në krahasim me sezonin e kaluar është më e organizuar dhe se ndaj Milanit misioni i tyre i vetëm është të fitojnë. Gjatë intervistës Joao Mario nuk harron të komplimentojë dhe teknikun Luciano Spalletti që sipas portugezit deri më tani, ai ka arritur të bëjë një punë shumë të mirë.
“Po kalojmë një moment të mirë dhe duam të fitojmë përballë Milanit. Shpresoj që dhe tifozët të na ndihmojnë në arritjen e këtij objektivi. Në krahasim me sezonin e kaluar, Inter ka ndryshuar shumë jemi më të organizuar. Spalletti i ka dhënë një tjetër imazh ekipit dhe puna e tij është forcë për ne. Kam biseduar me të dhe sigurisht që dhe dëshira e tij është që të fitojmë në derbi”, u shpreh Joao Mario.
Më pas, mesfushori tregoi se ka patur dhe një bisedë me shokun e tij të skuadrës në Kombëtaren portugeze, që njëkohësisht është dhe sulmuesi i Milanit, Andre Silva, me të cilin në derbi do të jenë rivalë. Joa Mario u shpreh se dhe dëshira e 21-vjeçarit është të fitojë në derbi, por momentalisht fokusi i tyre është kombëtarja.
Parqitjet e Geoffrey Kondogbia kanë bindur drejtuesit e Valencias, ku është i huazuar nga skuadra e Interit, ta blejnë përfundimisht kartonin e futbollistit. Spanjollët do të derdhin në arkat e zikaltërve shumën e 25 milionë eurove, ndërsa lojtarit do t’i ofrojnë një kontratë 4-vjeçare. Gjithsesi nëse ky operacion nuk shkon në mënyrën e duhur, Liverpool e Tottenham janë gati të futen në garë për të siguruar shërbimet e 24-vjeçarit.
Joao Mario: Ndaj Milanit duam fitore
Danny Rosse sërish në “lupën” e Mourinhos

Man.United nuk i ndahet Danny Rosse. Gjatë merkatos që lamë pas, emri i mbrojtësit të skuadrës së Tottenham ishte një ndër më të kërkuarit nga ana e teknikut portugez. Bisedimet ishin konkrete, por palët nuk arritën të gjenin gjuhën e përbashkët. Sidoqoftë drejtuesit e “Djajve të Kuq” nuk janë dorëzuar, pasi ashtu edhe siç raportojnë mediat britanike gjatë merkatos dimërore, United do të hidhet sërish në sulm për të siguruar shërbimet e 27-vjeçarit. Gara nuk duket edhe aq e thjeshtë, pasi në ndjekje të Rosse është edhe Chelsea. Mes dy klubeve do të jetë një garë se cili prej tyre do të ofrojë më shumë dhe se cili prej tyre do të arrij të bindi drejtuesit e Tottenham për ta lënë të lirë Rosse, ndërkohë që nga ana e tjetër duhet marrë në konsideratë dhe dëshira e mbrojtësit, i cili në disa raste e ka lënë të hapur mundësinë për t’u larguar nga skuadra. Në janar Chelsea dhe Man.United do të jenë përballë njëri-tjetrit në një tjetër betejë, jashtë fushës së blertë.
Douglas Costa, asi nën mëngë i Juves
Douglas Costa asi nën mëng i Juventusit. Tetë paraqitje në 10 takime, nga ku vetëm katër prej tyre si titullar. Ky është bilanci i sulmuesit brazilian që prej momentit kur është transferuar në radhët e bardhezinjve. Gradualisht Douglas Costa po arrin të fitojë terren, mjafton të thuash se në Champions League ka qenë në fushë që prej minutës së parë. Iu desh pak kohë për t’u ambjentuar me futbollin italian dhe tashmë nuk është e largët dita kur 27-vjeçari do të jetë titullarë absolut në pjesën më të madhe të takimeve. Zhgënjimi i vetëm për të është mos grumbullimi me kombëtaren e Brazilit dhe tashmë e gjithë vëmendja e tij do të jetë tek Juventus në sfidat midis kampionatit dhe atyre europiane. Nuk ka arritur dot të lerë shumë gjurmë, zero gola si dhe zero asist, por pvarësisht kësaj shpejtësia e tij në krahët e sulmit, driblimet dhe goditjet potente janë detaje që e bënë teknikun Alegri të kërkonte me çdo kusht transferimin e tij dhe sigurisht nuk është e largët dita ku të gjithë këto elementë do të vijnë.
Juve, 8 mungesa ndaj Lazio
Juventus në gjendje alarmi. Situatë aspak e favorshme paraqitet në kampin e bardhezinjve, një pjesë e mirë e lojtarëve pritet të mos jenë të gatshëm për sfidën e së shtunës së ardhshme ndaj Lazios. Mario Mandzukiç dhe Andrea Barzagli janë dy emrat e fundit që i bashkohen listës së të dëmtuarve. Sulmuesi kroat pësoi një dëmtim në takimin ndaj Finlandës edhe pse nuk kishte asgjë serioze, gjasat janë që ndaj Lazios, ai të mos jetë në gjendje për të luajtur.
Situata paraqitet kritike edhe në repartin e mesfushës. Marchisio pas operacionit është duke u stërvitur i veçuar, por faza e rikuperimit për të pritet të zgjasë. Khedira gjithashtu vazhdon të ndjejë shqetësime në pjesën e gjurit, ndërkohë i sapoardhuri Howedes ka nisur të vrapojë, por fizikisht mbetet prapa me përgatitjet. Pjanic dhe Barzagli me shumë mundësi do të jenë të aftë për të luajtur vetëm në ndeshjen e Champions League ndaj Sporting Lisbona. Në “boxe” do të qëndrojë dhe De Sciglio, ndërsa rikthimi i kroatit Pjaca do të jetë i mundur në nëntor. Trajneri i Juventusit, Massimiliano Alegri ndodhet në pozita të vështira. Tetë emra të formacionit bazë të dëmtuar me kampionatin që rifillon fundjavën e ardhshme. Deri atëherë numrit një të bardhezinjve nuk i ngelet gjë tjetër veçse të shpresojë që të paktën disa prej këtyre emrave të jenë të gatshëm për sfidën ndaj Lazios.
Pirlo: Në dhjetor mbyll karrierën
Andrea Pirlo i jep fund karrierës si futbollist. Një prej mesfushorë më të mirë që ka njohur bota e futbollit. Fitues i shumë titujve kampion me fanellën e Milanit dhe atë të Juventusit. Kampion bote me Kombëtaren e Italisë, gjithçka e mundshme për t’u fituar Andrea Pirlo i ka arritur. Ashtu siç ndodh edhe në shumë sporte të tjera, mosha nuk të lejon të luash përgjithmon. Sot, 38 vjeç, Andrea Pirlo është gati të varë këpucët në gozhdë. Është vetë italiani ai që e ka dhënë lajmin, duke deklaruar se në dhjetor ai do të tërhiqet nga futbolli.
“E kupton vetë që ka ardhur momenti për t’u tërhequr. Çdo ditë t’i ke probleme fizike dhe nuk arrin dot të stërvitesh siç t’i do doje, sepse ka gjithmonë diçka që të pengon. Në moshën që jam unë është mirë të thuash stop. Nuk mund të luash futboll deri në moshën 50-vjeçare. Do të merrem me diçka tjetër. Kam dhënë kontributin tim maksimal, është momenti për të dhënë hapësirë moshave të reja. Në dhjetor skadon dhe kontrata ime me New York deri në atë muaj do të jem duke luajtur, më pas do të nisë diçka të re”, u shpreh Pirlo.
Shumë futbollistë në momentin kur tërhiqen nga futbolli i luajtur, nisin karrierën e tyre si trajnerë, në rastin e Andrea Pirlo ky opsion nuk vlen. “A mendoj të bëhem trajner? Nuk është e thënë që të jesh një lojtar i mirë detyrimisht mund të jesh dhe një trajner i zoti. Aq më tepër që duhet të kesh dhe një lloj shkëndije për t’u bërë pjesë e këtij profesioni dhe një gjë e tillë tek unë nuk ka ndodhur”, tha ai.
Në total në karrierën e tij, Andrea Pirlo regjistron 755 ndeshje të luajtura dhe 75 gola të realizuar. Fitues i dy titujve kampion me Milanin si dhe dy Champions League po me fanellën e kuqezinjve, ndërsa Juventusin arriti të fitonte katër kampionate radhazi. Në vitin 2006 kampion bote me kombëtaren e Italisë.
PSG nuk ndalet!
Lufta midis Barcelonës dhe Neymar e PSG vijon ende, por kësaj radhe në merkato. Katalanët shohin tek miliarderët francezë pengesën më të madhe për të arritur tek mesfushori brazilian Coutinho, dëshira më e madhe e tyre gjatë merkatos që sapo lamë pas. Liverpool fiksoi një çmim shumë të lartë për yllin 25-vjeçar gjatë verës dhe për këtë arsye blaugranat u stepën disi për të arritur këtë marrëveshje.
Megjithatë, mediat spanjolle dhe në veçanti e përditshmja “Sport” bën të ditur se tashmë në garë për fantazistin është edhe PSG, një konkurent për t’u patur frikë në garën e merkatos. Mendohet që afrimi i Coutinhos të jetë një kërkesë ekskluzive e Neymar, që dëshiron një futbollist të kombëtares të zbarkojë nën kullën Eifel. Madje mendohet që drejtuesit e parizienëve të kenë nisur kontaktet direkte me kolegët e Liverpool për të mbyllur sa më shpejt këtë marrëveshje, në mënyrë që të shmangin garën me Barcelonën për afrimin e Coutinhos.
Në kryeqytetin francez paratë nuk duket të jenë problem, edhe pse gjithçka mund të mbulohet me largimet e verës së ardhshme, ku emrat në qarkullim janë të shumtë, duke nisur me uruguajanin Edinson Cavanin. Goleadori i PSG nuk gëzon më simpatinë e Neymar që tashmë ka ndikim shumë të madh tek presidenti Al Kelaifi, që është gati t’i plotësojë një tjetër dëshirë brazilianit, atë të afrimit të Coutinhos, që më shumë sesa një nevojë për skuadrën duket si një hakmarrje ndaj Barcelonës nga ana e numrit 10.
Ndërkohë, Barcelona është duke monitoruar Andre Silvan. Sipas asaj që raporton “Mundo Deportivo”, Barcelona është duke monitoruar sulmuesin e Milanit dhe Portugalisë, Andre Silvan për ta transferuar në të ardhmen. 21-vjeçari kontribuoi me një gol dhe një asist për Cristiano Ronaldon në fitoren 2:0 të Portugalisë kundër Andorrës.
Në tribuna ishte drejtori sportiv, Robert Fernandez, duke rritur edhe më shumë spekulimet. E përditshmja katalanase raportoi se ai ishte atje për të shikuar nga afër Andre Silvan dhe talentin e Sporting Lisbonës, Gelson Martins. Milani transferoi Silvan nga Porto verën e kaluar për 38 milionë euro plus bonuse.
Edhe De Gea ka rënë në radarin e PSG-së. Portieri i Manchester Unitedit, David De Gea, që kërkohet tash e një kohë nga Real Madridi, ka rënë edhe në radarin e Paris Saint-Germain, raporton e përditshmja sportive franceze, “Le10 Sport”. PSG e ka prioritet portierin spanjoll, pasi hoqi dorë nga ai i Atletico Madridit, Jan Oblak, për shkak të çmimit të lartë, 100 milionë funte.
Arlind RAMA
Egjipti në festë, pas 28 vitesh në Kupën e Botës
Kupa e Botës ishte kthyer në mallkim gjatë dekadave të fundit për një nga ekipet më të titulluara të Afrikës. 28 vjet mungesë në një Botëror, por më në fund, Egjipti ia doli të rikthehet mes më të mirëve të planetit dhe do të jetë një prej 32 finalisteve që do të udhëtojnë drejt Rusisë gjatë verës së ardhshme. Njeriu i finaleve të mallkuara Hector Cuper, por edhe sulmuesi i Liverpoolit, Mouhamed Salah, janë heronjtë e Egjiptit në mbrëmjen tragjike të Aleksandrisë në praninë e 85 mijë spektatorëve, ku brenda pak minutave “Faraonët” kaluan nga Ferri në Parajsë, pasi mundën vetëm në kohën shtesë Kombëtaren e Kongos 2-1.
Në “Borg el-Arab Stadium”, Egjipti duhej të arrinte një fitore për të siguruar matematikisht kualifikimin, pasi kryesojnë me 12 pikë, 4 më shumë se Uganda e vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe 90 minuta nga fundi i eliminatoreve. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 63, pasi Salah u tregua i saktë përpara portës, duke ndezur festën, por Moutou 3 minuta nga fundi bëri që në stadium të pllakoste heshtja.
Gjithsesi, Egjipti nuk u dorëzua dhe në minutat shtesë gjeti një tjetër gol me Salah që nga pika e bardhë e 11-metërshit nuk fali, duke çelur zyrtarisht festën për rikthimin e “Faraonëve” në Kupën e Botës. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, rrugët e qyteteve kryesore u mbushën me njerëz që festuan gjatë orëve të natës këtë arritje të skuadrës kombëtare. Një rezultat historik dhe shumë i vyer për një vend që gjatë viteve të fundit ka qenë në prag të luftës civile. Për një natë të vetme, futbolli bëri atë që politika nuk arriti ta realizonte për shumë vjet, bashkimin e një populli të përçarë.
Polonia shkon në botëror
Polonia bëhet skuadra e 14 që kualifikohet në Botërorin Rusi 2018, ndërsa Danimarka dhe Irlanda e Veriut shkojnë në fazën Play Off. Në orën 18:00 u luajtën sfidat e grupeve E dhe F, aty ku u zgjidhën edhe dilemat përfundimtare.
Në Grupin E ashtu siç pritej Polonia eviton surprizat, pasi triumfon ndaj Malit të Zi, duke vendosur emrin në turneun e vitit të ardhshëm. Ashtu siç pritej Lewandowski mbetet lideri i vendasve edhe pse golat e avantazhit të dyfishtë u realizuan nga mesfushorët Maczinki në minutën e 6 dhe Grosicki 10 minuta më vonë. Dy goditje të shpejta për Malin e Zi që arrin të marrë veten në pjesën e dytë, duke barazuar rezultatin me një supergol në minutën e 78 nga Mogusa dhe 5 minuta më vonë me Vukçeviç. Por polakët ndezin motorrët, duke u rikthyer në epërsi me anë të Lewandowskit 5 minuta përpara fundit, me rezultatin që vuloset nga një autogol i Stojkoviç në minutën e 87.
Në Kazakistan vendasit ndajnë një pikë me armenët në barazimin 1-1. Henri Mkhitarian, kaloi në epërsi miqtë e 26, ndërsa në pjesën e dytë në minutën e 61, Turisbek është ai që vulos rezultatin.
Në Kopenhagen, Danimarka nuk arrin të mposhtë Rumaninë, në një sfidë të zhbllokuar me penallti në minutën e 59 nga Eriksen, pas faullit të shkaktuar ndaj Bendtner. Me 10 futbollistë në fushë që nga minuta e 63, rumunët barazojnë me anë të Deac dy minuta përpara fundit.
Në Grupin F, llogaritë për kreun ishin të mbyllura me Anglinë që udhëtoi drejt Lituanisë si fituese e grupit. Me shumë ndryshime në formacion 3 luanët zhbllokuan sifdën me anë të penalltisë së kthyer në gol nga Hery Kane në minutën e 27, gol që i dha fitoren e 8 në grup Anglisë.
Ashtu siç pritej, Sllovakia bën detyrën ndaj Maltës në shtëpi, me një triumf të pastër 3-0. Me nga një gol për çdo pjesë Nemec bëhet heroi i vendasve, ndërkohë që Duda shënon golin e 3 të mbrëmjes në minutën e 70.
Emocione në Ljubjanë, ku Sllovenia ndal në barazim 2-2 Skocinë. Grifith në minutën e 32 kaloi në avantazh britanikët, por dy ndryshimet në pushim nga Katanec rezultuan decizive me Bezjak, që i ardhur nga stoli shënon dy herë në minutat 52 dhe 72. Dy minuta përpara fundit, Snodgrass i ardhur nga stoli vulos barazimin që nuk i vlen Skocisë për të shkuar në Play Of.
Në Grupin C, Gjermania tashmë e kualifikuar arriti një sukses të lehtë ndaj Azerbajxhanit me rezultatin 5-1. Leon Goretzka hapi serinë e golave që në minutën e 7, por Azerët barazuan me Sheyedaev, duke shkuar në dhomat e zhveshjes pas një pjese të parë pozitive. Gjithsesi, skuadra e Low nuk toleroi në pjesën e dytë, ku fillimisht teknologjia i akordoi një gol Sandro Wagner dhe më pas Antonio Ruediger dhe sërish Leon Goretzka, por edhe Emre Can vulosën suksesin e 10 në po kaq ndeshje për Gjermaninë që nuk la asnjë pikë në këto kualifikuese. Në duelin tjetër, Norvegjia u imponua 1-0 ndaj Irlandës së Veriut, që gjithsesi e ka siguruar fazën Play Off. Në minutën e 71, autogoli i Chris Brunt vendosi fatin e këtij takimi. Republika Çeke bëri detyrën në Pragë ku shkatërroi San Marinon me rezultatin 5-0. Michael Krmencik shënoi dy gola të menjëhershëm që u pasuan edhe nga realizimet e Jan Kopiç, Filip Novak dhe Vaclav Kadlec që mbylli serinë e golave.
Trump: Jo, shtypjes socialiste do të rivendosim demokracinë
Gjatë një eventi të datës 6 tetor në Shtëpinë e Bardhë ku festohej Muaji i Trashëgimisë Hispanike, Presidenti Donald Trump tha se administrata e tij është duke punuar për prosperitet dhe liri dhe qëndron në krah të popullit të Kubës dhe Venezuelës kundër sistemeve autoritare të komunizmit dhe socializmit.
“E njëjta ideologji e dështuar që ka sjellë shtypje në Kubë, nuk ka sjellë gjë tjetër veçse vuajtje dhe mjerim kudo, në çdo vend të botës ku ka ekzistuar ndonjëherë”, tha Trump. “Komunizmi është e shkuara, liria është e ardhmja”, vazhdoi ai i ndjekur me duartrokitje dhe brohoritje nga turma.
Regjimet komuniste kanë vrarë mbi 100 milionë njerëz gjatë shekullit të kaluar, sipas “Librit të zi të komunizmit” të publikuar nga Universiteti i Harvardit në vitin 1999. Të tjerë vlerësojnë se numri i viktimave të komunizmit afrohet më shumë me 150 milionët.
Aleksandr Solzhenitsyn, nivelist dhe historian i mirënjohur rus, ka vlerësuar se ish-diktatori komunist, Joseph Stalin ka vrarë mbi 60 milionë njerëz dhe në librin “Mao: Historia e Panjohur” historianët June Chang dhe Jon Halliday tregojnë se, Partia Komuniste kineze me liderin e Mao Zedong është përgjegjëse për vrasjen e 70 milionë njerëzve.
Ideologjia shtypëse e komunizmit bazohet në ateizëm dhe luftë. Funksionon duke shkatërruar traditën dhe besimin, duke i kthyer njerëzit kundër njëri-tjetrit dhe duke fabrikuar armiq me të cilët njerëzit të përballen. Trump tha se: “Jemi duke punuar çdo ditë për të siguruar një të ardhme të sigurt paqeje, prosperiteti dhe sovraniteti për çdo amerikan dhe shpresojmë për një të ardhme në liri dhe prosperitet për të gjithë hemisferën perëndimore. Për këtë arsye, administrata ime ka marrë vendimin deçiziv për të qëndruar në krah të popullit të mirë të Kubës dhe Venezuelës”.
Ai theksoi se, siç kishte deklaruar më parë në Havanën e vogël në fillim të vitit, asnjë sanksion nuk do t’i hiqet regjimit të Kubës derisa të ofrojë lirinë politike për popullin e Kubës. Trump denoncoi gjithashtu ideologjinë autoritare të socializmit. “Ne qëndrojmë edhe përkrah popullit të Venezuelës që vuajnë nga socializmi i pamëshirshëm i regjimit të Maduros. Ne e kundërshtojmë shtypjen socialiste dhe kërkojmë rivendosjen e demokracisë dhe lirisë për qytetarët e Venezuelës”, tha ai.
Shkrimtari komunist, Karl Marx i referohej komunizmit si një nënndarje të socializmit dhe ish-lideri sovjetik Vladimir Lenin i referohej si një “monopol i shtetit kapitalist”. Adolf Hitleri ka përdorur një tjetër formë socializmi, “socializmin nacional” dhe platforma me 25 pika e partisë së tij naziste i përngjan shumë politikave të regjimeve socialiste të ditëve të sotme.
Në një fjalim të vitit 1927, Hitleri deklaroi: “Ne jemi socialistë. Ne jemi armiq të sistemit kapitalist të shfrytëzimit”. Regjimi i socializmit nacionalist të Hitlerit ka vrarë rreth 11 milionë njerëz dhe kjo shifër nuk përfshin ata që janë vrarë në luftë.
Trump theksoi se administrata e tij qëndron kundër regjimeve autoritare të komunizmit dhe socializmit gjithashtu. “Shumë amerikanë hispanikë e kuptojmë personalisht përse është kaq e rëndësishme për ne që të mbrojmë vendin tonë dhe lirinë që na ka dhënë Zoti bashkë me rregullin e ligjit”.
“Përkushtimi ynë për këto vlera ka qenë burimi i prosperitetit amerikan, themeli i sigurisë tonë dhe këto vlera na kanë bërë vendin pararojë të botës”.
Basha: Rama kompromisin e ka me krimin, me opozitën ka vetëm përballje
Kryetari i PD, Lulzim Basha i drejtoi një mesazh të prerë Edi Ramës dje, ndërsa deklaroi se me Partinë Demokratike, ai dhe qeveria që ai drejton do të ketë vetëm përballje dhe asnjë kompromis. Basha tha se tashmë është e qartë, të vetmin kompromis që Rama ka dhe që me të cilin po qeveris edhe vendin është krimi i organizuar. Deklaratat, Basha i bëri pas mbledhjes së Grupit parlamentar demokrat, ndërsa paralajmëroi forcimin e qëndresës opozitare në Parlament.
“Mbledhja sot ka zgjatur, pasi kemi marrë disa vendime sa i përket qendrimeve të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike në seancë plenare dhe në aktivitetin parlamentar, kjo në vijim të ngjarjes të shëmtuar të javës së kaluar, dhe të dy javëve më parë, ku Edi Rama përmes Gramoz Ruçit u mundua të dhunojë rregulloren, duke i mbyllur gojën opozitës. Kjo nuk ka për t’u pranuar kurrë dhe nuk do të ndodhë. E kundërta do të ndodhë; ne do të intensifikojmë aktivitetin tonë parlamentar, duke rikthyer një praktikë konform rregullores që është praktika e pyetjeve, seancës së pyetjeve për të vendosur Edi Ramën dhe ministrat e tij para përgjegjësisë, diçka prej të cilës po mundohet të largohet çdo ditë, duke dalë një ditë si bahçevan, një ditë si kopshtar. Tani paska hapur edhe Pallatin e Brigadave, pallatin mbretëror. Këtej rrit taksat, këtej më shumë bar për qytetarët. Sigurisht që, nuk është as bahçevan, as kopshtar është përgjegjësi për një Shqipëri të fundosur nga krimi; të vetmit vend që nuk i hapen negociatat, ndërkohë që Serbia dhe Mali i Zi ecin përpara.
Në këto kushte, ta harrojë që me opozitën dhe me Partinë Demokratike do të ketë diçka tjetër përveç përballjes totale. Ai e ka zgjedhur kompromisin, kompromisin e ka me krimin e organizuar, e ka me sejdinët jo vetëm në Elbasan, por anembanë Shqipërisë, me sejdinët e krimit. Dhe në këtë rreshtim është e qartë Edi Rama ka vënë Partinë Socialiste dhe qeverinë në funksion të aleancës me krimin. Ne jemi në funksion të aleancave të vlerave me qytetarët shqiptarë e kjo do të shpaloset në çdo aspekt të përballjes parlamentare”, tha Basha në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Grupit demokrat.
Basha bëri të ditur se Reforma Zgjedhore do të jetë kryefjala e kësaj jave. Basha tha se rivendosja e institucionit të zgjedhjeve, ku në qeveri vjen ajo forcë që votohet me vullnet të lirë, vendi nuk do të mund të çlirohet dot kurrë nga keqqeverisja, korrupsioni, oligarkia etj.
“Theksi këtë javë mbetet tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Duket si një përsëritje, por në fakt pa “rivendosur institucionin e zgjedhjeve, shqiptarët kurrë nuk do të kenë një qeveri që të mendojë për ta, por do mendojnë për ata që i sollën në pushtet. Edi Ramën e sollën në pushtet bandat, e solli në pushtet krimi, e sollën në pushtet droga dhe paratë e drogës. Dhe ky është haraçi që paguan çdo shqiptar nga mëngjesi deri në darkë sot, qoftë sa i përket përkeqësimit të qeverisjes, rritjes së taksave, mungesës totale të shërbimeve nga shëndetësia tek arsimi, qoftë përsa i përket gjendjes së përgjithshme ekonomike të vendit, të cilat nuk janë gjë tjetër. veçse efektet e një qeverie që bashkëqeveris me krimin dhe që është robe, i një kryeministri, që është rob i marrëdhënies korruptive me oligarkët. Në Shqipëri ka një paradoks, një grusht njerëzish pasurohen dhe vazhdojnë të pasurohen edhe në këtë moment që flasim, ndërkohë që shumica e shqiptarëve duan të largohen nga ky vend.
Dhe themeli i kësaj të keqeje është një qeveri që nuk i njeh zgjedhjet. Pa rregulluar këtë themel, asgjë tjetër nuk do të shkojë mirë në vendin tonë të dashur që është Shqipëria”.