Një 19-vjeçar është marrë peng nga një bandë në Fier para tre ditësh dhe është torturuar, ndërsa ngjarja është mbajtur e fshehtë nga policia. Denoncimi është bërë nga një qytetar nga Fieri, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Qytetari i shkruan Berishës se, banda ka lidhje me drejtorin e Policisë së Fierit, nëndrejtorin dhe kryetarin e Bashkisë, Armando Subashi. “Narko-bandat e Fierit të lidhura me pushtetin marrin peng dhe torturojnë 19-vjeçarin, ndërsa çunat e krimit me uniformë mbulojnë krimin! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Zoti Berisha po denoncoj një ngjarje shumë herë më të rëndë nga ajo e Elbasanit. Në Fier, 3 ditë më parë është marrë peng një djalë i ri, 19 vjeç, është torturuar 24 orë nga një bandë kriminale me lidhje të drejtpërdrejta me drejtorin e Policisë Fier, nëndrejtorin dhe kryetarin e Bashkisë, Armando Subashi. Policia po mundohet të fshehë ngjarjen. Ju lutem verifikojeni. Djali është i shtruar në spital me inicialet F.L.
E kanë masakruar me thikë nga këmbët. Policia ju tha familjarëve; shkoni dhe e gjeni vetë se do jetë i fshehur. Mbas 30 minutave peng, pasi e kanë torturuar e kanë liruar të riun.
Banda që ka lidhje me drejtorin e policisë merr peng 19-vjeçarin
Betonizohet Gryka e Këlcyrës për të çuar ujin tek fabrika
Në vendin më piktoresk të Grykës së Këlcyrës, atje ku rrjedhja e Vjosës bëhet fantastike, prej disa ditësh po hidhet beton. Megjithëse Bashkia e Këlcyrës pohon që nuk ka dhënë leje pronari i fabrikës që prodhon ujin Trebeshina, vazhdon punimet duke ndërtuar një kullë betoni që mbledh ujërat e ujëvarës dhe një urë që kalon mbi Vjosë për të çuar ujin në fabrikë.
Organet e rendit kanë mbetur të paralizuara, pasi siç thuhet në zonë, për këtë ndërtim, janë futur në sherr drejtuesit socialistë të pushtetit lokal me pronarin e firmës ndërtuese që pohon se ka marrë lejen nga kryeministri për këtë investim. Dhe situata është aq absurde sa askush nuk ndërhyn, ndërkohë që betoni shkatërron rrjedhën e Vjosës.
Ndërkohë, fshati Mursi në Sarandë, prej disa ditësh është në protestë për mbrojtjen e shkollës 9-vjeçare, e cila daton prej 176 vjetësh. Shkak u bë një njoftim që kjo shkollë, e cila është në territorin e Bashkisë Konispol do të mbyllet. Banorët kërkojnë ta ndalojnë këtë akt si e vetmja mundësi për të parandaluar analfabetizmin ne fshat. Komuniteti i Mursisë, fajëson bashkinë Konipol se favorizon ndërtimin e një shkolle në një fshat tjetër dhe mbylljen qëllimisht të shkollës së Mursisë. Por Kryetari i bashkisë Konispol, Shuaip Beqiri u tha atyre se do ndikojë që shkolla të mos mbyllet. Ky fshat ngelet ndër më të populluarit në jug të Shqipërisë e favorizuar kjo nga industria e agrumeve dhe bujqësisë.
Lirohet anëtari i bandës së Lul Berishës që u pajis me armë nga Çako
Gjykata e Durrësit ka dhënë dje masën e sigurisë “burg” për Mariel Fierzën, të njohur si besnikun e Lul Berishës, ish-kreut të bandës së njohur kriminale dhe ka urdhëruar masën “detyrim paraqitjeje” për mikun e tij Genti Ndërjakun. Fierza dhe Ndërjaku janë të dy me precedentë penalë të mëparshëm. Ata u arrestuan të martën gjatë operacionit të koduar “Vjeshtë 2017” dhe në mjetin me të cilin udhëtonin iu gjetën dy armë zjarri. Marjel Fierza në dëshminë e tij para Gjykatës ka thënë se armën e kishte gjetur rastësisht dhe ishte nisur për ta dorëzuar në polici. “E gjeta tek disa depozita uji dhe do e dorëzoja në polici, por më kapi policia, kur isha nisur ta dorëzoja”, ka thënë ai.
I arrestuari tjetër, Genti Ndërjaku ishte i pajisur me një armë pistoletë me leje të drejtorit të Përgjitshshëm të Policisë, Haki Çako.
Marjel Fierza njihet për lidhjet me kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, ndërsa një raport i Ministrisë së Brendshme e cilëson atë si “ushtar” të këtij të fundit. “Po drekonim te lokali në “Vollga”. Kur po dilnim, gjeta në parkim pistoletën. E mora dhe u nisëm që ta dorëzoja në komisariatin e policisë. Por policia na ndaloi dhe gjatë kontrollit më gjeti këtë armën që unë e kisha gjetur dhe do shkoja ta dorëzoja. Dhe më arrestuan”, tha ai.
Prokurori tha se, në kohën e ndalimit, ai kishte tentuar të hidhte nga dritarja e makinës çantën, ku kishte futur pistoletën. Ndërsa Genti Ndrëjaku, e kishte me leje armën e dytë që u gjet në makinë, ndaj u la në detyrim paraqitje.
Një raport i Ministrisë së Brendshme, i publikuar në prill të vitit 2016 tregon se, një nga të arrestuarit në Durrës, 30-vjeçari Marjel Fierza është “ushtar” i Lul Berishës, njeriu që e drejtoi për 10 vjet me radhë “Bandën e Durrësit” mes vrasjesh, trafiqesh drogës dhe armëve.
Raporti fliste për bashkim të Berishës me Emiljano Shullazin. Në të jepeshin të dhëna se, aktiviteti i dy kapobandave ishte ai i gjobitjes së disa personave, biznesmenë të njohur në fushën e basteve sportive, tregtisë së kafesë dhe tregtisë së naftës.
Dokumenti sekret saktësonte se Lul Berisha e drejtonte bandën e tij nga burgu dhe i delegonte urdhërat tek njerëz të besuar si Julian Meçaj e Marjel Fierza, Mond Çekiçi, e Plarent Dervishaj, për të cilin në prill të 2015 Apeli i Krimeve të Rënda i ka pushuar të gjitha akuzat.
Nuk ka marrëveshje për Himarën, banorët: Tokën do e mbrojmë me gjak
Banorët e Himarës janë hedhur në protestë sërish ditën e djeshme për pronat e tyre, të cilat do të preken nga plani urbanistik. Qindra banorë kanë pritur me revoltë ministrat Damjan Gjiknuri dhe Mirela Kumbaro, të cilët kanë shkuar për të zhvilluar një takim me ta. Emrat e banorëve pjesëmarrës në këtë takim janë të përcaktuar në një listë, dhe askush që nuk preket nga ky projekt nuk do të jetë i pranishëm. Shmangia nga dëgjesa publike i ka revoltuar banorët, të cilët kanë kërkuar të jenë prezentë. Si pasojë e revoltës së banorëve në vendin e takimit kanë shkuar forca të shumta policie.
Takimi i dy ministrave të Ramës me përfaqësinë e banorëve ka nisur me vonesë për shkak të tensionit të krijuar nga forcat e policisë dhe banorëve. Nën masa të rrepta sigurie, dy ministrat e qeverisë dhe banorët e Himarës qëndruan për orë të tëra në takim, por nuk kanë arritur të bien dakord. Por as dëgjesa e dytë me banorët e Himarës për planin urbanistik nuk u finalizua me një marrëveshje.
Ministri Gjiknuri pas takimit tha se, qeveria do të çojë përpara projektin dhe se do të dëmshpërblehen banorët në bazë të ligjeve shqiptare. Por banorët vetë e kundërshtuan atë, duke thënë se duan të gjithë të pajisen me çertifikatë pronësie. Ndërsa banorët janë shprehur të revoltuar se do t’i mbrojnë me gjak pronat e tyre. “Nuk do lemë asnjë të vazhdojë rrugën, do derdhim gjak atje. Atje do të rrimë ditë e natë. Nuk do lejojmë asnjë, nuk e duam projektin”, u shpreh një nga banorët.
“Objektet janë përfshirë të gjitha në skemën e shpronësimit. Nga ana tjetër, ka persona që kanë pretendimin lidhur me trojet ku kalon projekti. Ne kemi marrë angazhimin për të sjellë një grup që do të bëjë matjet e duhura, identifikimin dhe për të ndihmuar që këta njerëz të marrin çertifikatat, kur i takojnë në përputhje me ligjin. Qeveria është e vendosur që projekti të vazhdojë, por të gjithë banorët do të kompensohen sipas ligjit”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Por banorët e zonës kanë kundërshtuar me forcë, duke deklaruar se nuk janë dëmshpërblyer. “Mua në 500 metra nuk më ka mbetur 1 metër, m’i ka marrë për rrugë, m’i ka marrë për çdo gjë dhe nuk jam shpronësuar”, u shpreh një banor. “Ne kërkuam diçka, që të na njohin si pronarë”, tha një banor tjetër i Himarës.
“Konstatuam dy gjëra që asnjë nga banorët nuk ishte dakord me projektin dhe të gjithë duan çertifikatat e pronësisë. Të gjithë banorët që folën dhe që preken nga projekti janë himariotë autoktonë, janë me kombësi dhe shtetësi greke, pikërisht këtu ndodh edhe diskriminimi etnik dhe fetar”, u shpreh përfaqësuesi i OMONIA-s. Projekti i planit urbanistik përfshin 22 banesa që duhet të prishen, por banorët e kanë kundërshtuar me tensione gjatë punimeve.
Manjani, dëshmitar në gjyqin për ish-drejtorin e Burgjeve
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani do të thirret si dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto në Gjykatën për Krimet e Rënda. Ish-zyrtari i lartë i burgjeve po gjykohet për akuzën e “korrupsionit pasiv” në një nga procedurat e tenderimit për furnizimin me ushqimet të institucioneve në varësi të tij.
Përveç ish-ministrit, në seancën e së premtes, Gjykata ka pranuar kërkesën e avokatëve, për thirrjen si dëshmitar në proces të ish-zv/drejtorit të Burgjeve, Iliaz Labi, i pandehur në një proces tjetër tek Krimet, si edhe të ish-zv/drejtorit Bledar Skënderi.
Vetë i pandehuri Zoto ka lexuar një qëndrim para trupit gjykues, në thelb të të cilit ka qenë mohimi i akuzës së ngritur ndaj tij. “Jam i pafajshëm”, është shprehur ai.
Në seancën e radhës, e caktuar në 18 tetor, pritet të niset me pyetjen e dëshmitarit Labi, aktualisht në “arrest shtëpiak” për llogari të një gjykimi ku akuzohet për “korrupsion”.
Prokuroria për Krimet e Rënda pretendon se, Artur Zoto ka konsumuar elementë të veprës penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendore”, kryer në bashkëpunim. Ish-zyrtari ka mbajtur qëndrim mohues duke pretenduar se Prokuroria është bazuar në deklarimet e ish-vartësit të tij, Iliaz Labi, i cili e ka akuzuar për të shmangur përgjegjësinë penale nga vetja.
Shtatë holandezë dëshmi për vrasjen e trefishtë te “Zogu I”
Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të marrë dëshminë e 7 qytetarë holandezë për vrasjen e trefishtë të dy viteve më parë në Bulevardin “Zogu i Parë”. Ngjarja ka ndodhur me 27 maj 2015. Të akuzuarit janë dy shqiptarë dhe një italian. Konkretisht vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi, si edhe italiani Salvatore Letizia, të cilët akuzohen nga Prokuroria për Krime të Rënda se kanë kryer veprime aktive në konfliktin e armatosur, ku mbetën të vdekur shtetasit Mentor Lufi (Doçi), Gerti Goxhaj dhe Besnik Sulku.
Gjatë seancës së të premtes tek Krimet e Rënda, të pandehurit Klejvi e Markelian nuk pranuan të pyeten para gjykatës, duke lejuar administrimin e deklarimeve të dhëna në fazën e hetimit.
Në përgjigjet e tij para prokurorëve, në dhjetor të vitit të kaluar, Klejvi Doçi përjashtonte veten nga masakra, duke u vetëkonsideruar si dëshmitar i pjesshëm në ngjarje.
Ai mohonte kategorikisht të kishte lidhje me vrasjen e Durim Sulkut në Holandë. “Unë i pata thënë xhaxhait tim Mentor Lufi, që nëse procedohej, do ta merrja unë përsipër vrasjen e Durim Sulkut në Holandë. Ditën e arrestimit nuk e dija që xhaxhai kishte vdekur”, kishte pohuar ai. I pandehuri tjetër Markelian Doçi mbante qëndrim pohues për vrasjen e Sulkut në bulevard.
Në lidhje me vrasjen në Holandë, ai pretendoi se do të shprehet në një moment të mëvonshëm.
Në seancën e radhës së procesit, Gjykata do të thërrasë si dëshmitarë në proces shtatë shtetas holandezë. Ata do të pyeten në lidhje me vrasjen e Durim Suklut në një parking mjetesh në Roterdam. Çdo seancë e këtij procesi gjyqësor ndiqet nga Gjysere Sulku, nëna e dy të vrarëve Besnik e Durim Sulku. Ajo shpreson në dënimin e të pandehurve.
Në masakrën e majit 2015, përveç Mentor Lufit u vra edhe Gerti Goxhaj dhe atentatori Besnik Sulku. I pandehur në të njëjtin proces është edhe Salvatore Leticia, i dyshuar si anëtar i “CAMORRA”-s.
E pranishme në seancën gjyqësore, e ëma e dy vëllezërve të vrarë Sulku apeloi për drejtësi. “Drejtësia të japë dënimin maksimal për autorët. E vështirë t’i shoh vrasësit e djemve në Gjykatë. Drejtësia mos korruptohet e t’i dënojë autorët. Nuk e di çdo bëj nëse drejtësia s’dënon autorët”, u shpreh Gysleren Sulku.
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda është arritur në përfundimin se ngjarja e ndodhur në muajin maj 2015 në Tiranë është vijim i një konflikti të nisur më parë po në kryeqytet, në dhjetor 2014 dhe që ka vazhduar në Holandë, në prill 2015 e më tej është shoqëruar me ngjarjen për të cilën akuzohen tre të pandehurit.
Plagoset me thikë një person në Peqin, autori në arrati
Një person në Peqin ka mbetur i plagosur rëndë, pasi është goditur disa herë me thikë. Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se i plagosur ka mbetur E.Sh., ndërsa në kërkim është shpallur K.C., 41 vjeç. Ndaj 41-vjeçarit, banues në Peqin, specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan bënë referimin e materialeve në Prokurori dhe po punojnë për kapjen e tij.
K.C., në Lagjen “Xhami”, gjatë një konflikti për motive të dobëta dyshohet të ketë goditur disa herë me thikë shtetasin 61-vjeçarin banues në Peqin, shtojnë të njëjtat burime. E.Sh., pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Kirurgjik Elbasan, u dërgua për mjekim më të specializuar në Tiranë. Materialet për rastin i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Ekonomistët kundër TVSH ndaj biznesit të vogël
Sipas specialistëve, bizneseve me xhiro nga 0-25 mijë dollarë në vit, kostoja e përmbushjes tatimore u merr 10-18 për qind të xhiros vjetore. Për bizneset me xhiro mbi 100 mijë dollarë në vit e njëjta kosto u merr vetëm 1 për qind të xhiros. (Burimi, FMN).
Pikërisht natyra regresive e kostos së vetëpërmbushjes nënkupton se pragu më i mirë i tvsh-së nuk është zero. Por ku duhet vënë ky prag? Sa duhet të jetë kufiri i xhiros, nën të cilin bizneset duhen përjashtuar nga skema e TVSH-së?
“Nuk ka një kufi të përcaktuar one size fits all, sepse kjo varet nga tre faktorë. Niveli i administratës, kostoja e përmbushjes dhe përfitimi social neto nga të ardhurat që mblidhen nga taksa. (Burimi FMN, The modern VAT, Ebrill and others 2001)
Këto janë kostot nga krahu i biznesit. Por përfshirja e të gjitha bizneseve në tvsh ka kosto edhe për administratën.
Ka një rregull të pashkruar në sistemet fiskale, që mban thuajse në çdo vend. Statistikisht, 70 për qind e të ardhurave tatimore që mbledh një shtet në buxhetin e tij, vijnë nga vetëm 1 për qind e bizneseve.
Këto janë korporatat e mëdha. Bizneset e vogla, ndonëse zenë 80-90 për qind të numrit total të bizneseve, japin vetëm 10 për qind të të ardhurave tatimore. (Burimi Micheal Keen, FMN fiscal department)
Pra administratës do i duhet të kontrollojë 90 për qind të bizneseve për të mbledhur 10 për qind të të ardhurave.
Dhe sigurisht, përtej këtyre dy argumentave shumë të fortë, është dhe një tjetër jo më pak. Dimensioni social. Ne sakrifikojmë disa të ardhura nga taksat, për të marrë ca vende pune më shumë, që zbusin varfërinë.
Ka një arsye se pse shumica e vendeve, përfshirë ato më të zhvilluarat me administratë tatimore shumë eficente, nuk i përfshijnë të gjitha bizneset në skemën e tvsh. Përjashto disa shtete, të cilat nuk janë model i mirë i administrimit fiskal, si Greqia apo Spanja, të gjithë vendet e tjera fillojnë e zbatojnë tvsh-në nga mbi një prag xhiroje që luhatet nga 20 deri në 100 mijë euro.
Megjithatë ky është një debat i gjatë me argumenta dhe kundërargumenta. Por sërish, shkencërisht ekuilibri optimal i pragut të tvsh-se nuk është zero.
Pikiata e bizneseve të vogla nga vendosja e TVSH-së
Teksa Kryeministri Rama ka njoftuar se pragu i pagimit të TVSH-së do të ulet në 2 milionë lekë, kanë nisur debatet se cili do të jetë efekti i kësaj lëvizjeje në fitimet e biznesit të vogël. Kontabilistët paralajmërojnë se, ndonëse teorikisht futja e TVSH-së te bizneset e vogla nuk do të kishte efekt në fitime, në rast se ajo do të transferohej në çmim (në këtë rast do ta paguante vetëm konsumatori), praktikisht në një ekonomi me konkurrencë të lartë, është e pamundur që kosto të transferohet te çmimet. Kontabilistët llogarisin që fitimet e bizneseve do të bien mesatarisht me 25-40%, ku më të goditurit do të jenë bizneset e shërbimeve, që nuk do të kenë se ku ta shkarkojnë TVSH-në.
Kontabilisti Armand Mala ka bërë për “Monitor” një analizë të thjeshtë të këtij efekti tek bizneset që preken nga ky ndryshim:
Në shqyrtim do të merret i njëjti biznes, një herë sipas skemës aktuale, pra pa TVSH dhe një herë me skemën e propozuar, futjen në TVSH.
Tabela më sipër është rasti tipik i një biznesi tregtie me një marzh bruto 34% (4 mln-2.64 mln)/4mln) e me një normë fitimi neto prej 15% (600,000/4,000,000).
Edhe pse me një qarkullim 4 mln lekë të reja, ky biznes përfundon në gjenerimin e një fitimi sa një pagë po themi mesatare mujore.
Le të supozojmë tani kur ky biznes të futet në skemën e TVSH. Normalisht, ajo çka na shkon e para në mendje është se ky do shtrenjtojë çmimet për të mos prekur fitimin e tij, pra do kemi këtë situatë:
E parë kështu, fitimi i këtij biznesi nuk u prek. Por bazuar në atë që ne na mëson ekonomia nuk është aspak kështu. Nëse do ishte kaq e thjeshtë shtrenjtimi i çmimeve me 20% ky biznes do ta kishte bërë me kohë për të rritur fitimet e veta, pra e ka të pamundur të rrisë çmimet, duke ruajtur të njëjtin nivel xhiroje. Praktika na tregon që ky duhet të vazhdojë të shesë me të njëjtat çmime në mënyrë që të ruajë pozicionin e tij në treg. Megjithatë, më poshtë unë po supozoj që qarkullimi total i këtij biznesi, përfshirë TVSH-në, shkon nga 4,000,000 lekë në 4,300,000 lekë, megjithëse edhe për këtë +300,0000 kam rezervat e mia. Në këtë situatë, do kishim si më poshtë.
Nga tabela vëmë re që fitimi neto pësoi një rënie prej 23.6%, nga 50,000 lekë/muaj që ishte me skemën aktuale në 38194 lekë/muaj me skemën e propozuar.
Situata është edhe më e rëndë për bizneset e shërbimit (pavarësisht se shumica e tyre tashmë janë në skemën e TVSH-së, kujtojmë ligjin për profesionet e lira). Nëse do marrim për ilustrim një biznes shërbimi me xhiro të njëjtë do kishim si më poshtë:
Skema aktuale:
Blerjet me TVSH janë supozuar zero, pasi në biznesin e shërbimeve ndryshe nga tregtia, nuk kemi blerje të inventarëve, normalisht ka disa blerje të ndryshme që i vijnë në ndihmë aktivitetit, por nuk është se kanë ndonjë ndikim domethënës. Nga tabela më sipër vëmë re që ky biznes ka një fitim neto prej 25%, me një vlerë prej 83333 lekë/muaj.
Ndërsa me futjen në skemën e TVSH-së, duke ruajtur logjikën e shembullit të parë do të kishim:
Siç edhe vihet re nga tabela, fitimi pësoi një rënie prej 41.67%, nga 83333 lekë/muaj ra në 48611 lekë/muaj.
“Monitor”
Kullë 35 katëshe tek hotel “Tirana” dhe 10 kulla të tjera 81 metra në qendër
Kulla 35 katëshe pas hotel “Tiranës”, punimet e së cilës do të fillojnë së shpejti, do të shërbejë si hotel dhe qendër tregtare.
Në dokumentat e tenderit në fillim thuhej se qëllimi i godinës ishte zgjerimi i hapësirave të hotel “Tiranës”. Ky justifikim dukej aspak bindës, pasi godina që do të ndërtohet është katër herë më e lartë se hotel “Tirana”. Tashmë është e qartë se një pjesë e konsiderueshme e ndërtesës do të jetë qendër tregtare. Sipas projektit, kulla do të ketë 5 kate parkim nëntokësor dhe 30 kate mbi tokë. Nuk dihet ende se sa nga këto kate do të shërbejnë si qendër tregtare.
Leja për ndërtimin e saj, nga e njëjta kompani që ka nën pronësi dhe hotel “Tirana International”, u dha në mungesë të plotë transparence në prill të vitit 2017 nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Aplikimi për leje ndërtimi është bërë nga studio Atelier 4, studioja kryesore me të cilën punon Kryeministri Rama, dje si kryebashkiak dhe sot si kryeministër.
Tashmë, me nisjen e punimeve për kullën “Sytë e Tiranës”, po në qendër, dhe me zbulimin e destinacionit të kullës pas hotel “Tiranës”, është mëse e qartë se Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj kanë nisur zbatimin e planin e qendrës së Tiranës të hartuar nga firma franceze “Achitechture Studio”, i njohur si plani francez.
Plani francez parashikon ndërtimin e 10 kullave të larta-mbi 81 metra secila, afërsisht 20-25 katëshe-të cilat do të vendosen përqark Sheshit “Skënderbej” dhe anash aksit të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.