24.5 C
Tirana
E martë, 17 Qershor, 2025

Pikiata e bizneseve të vogla nga vendosja e TVSH-së

Teksa Kryeministri Rama ka njoftuar se pragu i pagimit të TVSH-së do të ulet në 2 milionë lekë, kanë nisur debatet se cili do të jetë efekti i kësaj lëvizjeje në fitimet e biznesit të vogël. Kontabilistët paralajmërojnë se, ndonëse teorikisht futja e TVSH-së te bizneset e vogla nuk do të kishte efekt në fitime, në rast se ajo do të transferohej në çmim (në këtë rast do ta paguante vetëm konsumatori), praktikisht në një ekonomi me konkurrencë të lartë, është e pamundur që kosto të transferohet te çmimet. Kontabilistët llogarisin që fitimet e bizneseve do të bien mesatarisht me 25-40%, ku më të goditurit do të jenë bizneset e shërbimeve, që nuk do të kenë se ku ta shkarkojnë TVSH-në.
Kontabilisti Armand Mala ka bërë për “Monitor” një analizë të thjeshtë të këtij efekti tek bizneset që preken nga ky ndryshim:
Në shqyrtim do të merret i njëjti biznes, një herë sipas skemës aktuale, pra pa TVSH dhe një herë me skemën e propozuar, futjen në TVSH.
Tabela më sipër është rasti tipik i një biznesi tregtie me një marzh bruto 34% (4 mln-2.64 mln)/4mln) e me një normë fitimi neto prej 15% (600,000/4,000,000).
Edhe pse me një qarkullim 4 mln lekë të reja, ky biznes përfundon në gjenerimin e një fitimi sa një pagë po themi mesatare mujore.
Le të supozojmë tani kur ky biznes të futet në skemën e TVSH. Normalisht, ajo çka na shkon e para në mendje është se ky do shtrenjtojë çmimet për të mos prekur fitimin e tij, pra do kemi këtë situatë:
E parë kështu, fitimi i këtij biznesi nuk u prek. Por bazuar në atë që ne na mëson ekonomia nuk është aspak kështu. Nëse do ishte kaq e thjeshtë shtrenjtimi i çmimeve me 20% ky biznes do ta kishte bërë me kohë për të rritur fitimet e veta, pra e ka të pamundur të rrisë çmimet, duke ruajtur të njëjtin nivel xhiroje. Praktika na tregon që ky duhet të vazhdojë të shesë me të njëjtat çmime në mënyrë që të ruajë pozicionin e tij në treg. Megjithatë, më poshtë unë po supozoj që qarkullimi total i këtij biznesi, përfshirë TVSH-në, shkon nga 4,000,000 lekë në 4,300,000 lekë, megjithëse edhe për këtë +300,0000 kam rezervat e mia. Në këtë situatë, do kishim si më poshtë.
Nga tabela vëmë re që fitimi neto pësoi një rënie prej 23.6%, nga 50,000 lekë/muaj që ishte me skemën aktuale në 38194 lekë/muaj me skemën e propozuar.
Situata është edhe më e rëndë për bizneset e shërbimit (pavarësisht se shumica e tyre tashmë janë në skemën e TVSH-së, kujtojmë ligjin për profesionet e lira). Nëse do marrim për ilustrim një biznes shërbimi me xhiro të njëjtë do kishim si më poshtë:
Skema aktuale:
Blerjet me TVSH janë supozuar zero, pasi në biznesin e shërbimeve ndryshe nga tregtia, nuk kemi blerje të inventarëve, normalisht ka disa blerje të ndryshme që i vijnë në ndihmë aktivitetit, por nuk është se kanë ndonjë ndikim domethënës. Nga tabela më sipër vëmë re që ky biznes ka një fitim neto prej 25%, me një vlerë prej 83333 lekë/muaj.
Ndërsa me futjen në skemën e TVSH-së, duke ruajtur logjikën e shembullit të parë do të kishim:
Siç edhe vihet re nga tabela, fitimi pësoi një rënie prej 41.67%, nga 83333 lekë/muaj ra në 48611 lekë/muaj.

“Monitor”

Kullë 35 katëshe tek hotel “Tirana” dhe 10 kulla të tjera 81 metra në qendër

Kulla 35 katëshe pas hotel “Tiranës”, punimet e së cilës do të fillojnë së shpejti, do të shërbejë si hotel dhe qendër tregtare.
Në dokumentat e tenderit në fillim thuhej se qëllimi i godinës ishte zgjerimi i hapësirave të hotel “Tiranës”. Ky justifikim dukej aspak bindës, pasi godina që do të ndërtohet është katër herë më e lartë se hotel “Tirana”. Tashmë është e qartë se një pjesë e konsiderueshme e ndërtesës do të jetë qendër tregtare. Sipas projektit, kulla do të ketë 5 kate parkim nëntokësor dhe 30 kate mbi tokë. Nuk dihet ende se sa nga këto kate do të shërbejnë si qendër tregtare.
Leja për ndërtimin e saj, nga e njëjta kompani që ka nën pronësi dhe hotel “Tirana International”, u dha në mungesë të plotë transparence në prill të vitit 2017 nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Aplikimi për leje ndërtimi është bërë nga studio Atelier 4, studioja kryesore me të cilën punon Kryeministri Rama, dje si kryebashkiak dhe sot si kryeministër.
Tashmë, me nisjen e punimeve për kullën “Sytë e Tiranës”, po në qendër, dhe me zbulimin e destinacionit të kullës pas hotel “Tiranës”, është mëse e qartë se Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj kanë nisur zbatimin e planin e qendrës së Tiranës të hartuar nga firma franceze “Achitechture Studio”, i njohur si plani francez.
Plani francez parashikon ndërtimin e 10 kullave të larta-mbi 81 metra secila, afërsisht 20-25 katëshe-të cilat do të vendosen përqark Sheshit “Skënderbej” dhe anash aksit të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

80 mijë familje jetojnë në mjerim

????

Aurora Sulçe

Ulja e varfërisë konsiderohet një ndër sfidat kryesore, me të cilat përballet njerëzimi në të gjithë botën, një problem pothuajse për të gjitha qeveritë. E padyshim, një emergjencë për Shqipërinë, që edhe pse ka të çertifikuar një rritje ekonomike mbi 3.4%, ende nuk ka të përcaktuar minimumin jetik. E thënë ndryshe, sa para i duhen një njeriu për të plotësuar nevojat bazë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në të gjithë vendin janë rreth 80 mijë familje që përfitojnë ndihmë ekonomike të pjesshme ose të plotë, me një shumë që varion nga 4.500-8 000 lekë të reja në muaj. Gati dyfish më e ulët se minimumi jetik prej 16 000 lekë, i përcaktuar nga Avokati i Popullit, një shifër domethënëse, por që nuk pranohet si zyrtare.
Përballë pamundësisë për të rritur më tej ndihmën ekonomike, në kushtet e një buxheti të vogël prej rreth 5 miliardë euro, qeveria ndërron kurs, duke ndjekur një tjetër filozofi për të trajtuar varfërinë. “Të varfërit do të integrohen në tregun e punës”. Kjo ishte një ndër pikat që ngjalli jo pak kureshtje gjatë prezantimit të programit nga kryeministri dhe ministrat e tij në Parlament, për mënyrën sesi do të realizohet.
Një objektiv ambicioz, veçanërisht në kushtet, kur me reformën e institucioneve dhe ristrukturimin, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale nuk ekziston më, por funksionet e saj i kanë kaluar Ministrisë së Financave për punësimin dhe Ministrisë së Shëndetësisë për ndihmën ekonomike.
“Programi i ndihmës ekonomike do të zëvendësohet nga programi ‘Mbështetje për riintegrim’, i cili do të kushtëzojë e plotësojë ndihmën financiare për familjet e varfra me përfshirjen e tyre në programe e shërbime të personalizuara arsimore, shëndetësore, formimi, punësimi.
Deri në vitin 2021, një në dy familje përfituese të mbështetjes për riintegrim do të përfshihen në programin ‘Shqipëria punon’, duke mundësuar që deri në vitin 2025 në këtë program të përfshihen tre në katër familje”, deklaroi në sallën e Parlamentit Ogerta Manastriliu, ministrja e re e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Skema e re e ndihmës ekonomike

Një grup pune është ngritur për të gjetur rrugët dhe mënyrat se si do të bëhet integrimi i të varfërve në tregun e punës.
“Do të shtohet shpërblimi. Por paralel me të, për çdo familje përfituese do të ketë një paketë shërbimesh të personalizuara. Për shembull, formim profesional, ndihmë për arsimimin e fëmijëve, pjesëmarrje në punë në komunitet, akses në shërbimet shëndetësore pa pagesë dhe një afat kohor, kur personat madhorë të familjes përfituese do të rikthehen në tregun e punës. Mbështetja për riintegrim do të jetë e shoqëruar me shërbime plotësuese, por e kufizuar në kohë”, shpjegon Kosta Bajraba, një ndër bashkëhartuesit e programit të qeverisë për mbrojtjen sociale.
Kjo paketë do të përfitohet nga familjet në nevojë në më pak se 5 vjet, që është aktualisht periudha që trajtohen me ndihmë ekonomike. Një tjetër element që ende i mungon vizionit të qeverisë për të luftuar varfërinë është fatura financiare, që do të shoqërojë këtë proces dhe që nga vlerësimet e para sipërfaqësore, duket se do të jetë ndjeshëm më “e kripur” se ajo e paguar deri më tani për këtë kategori.

Kritikat

Politikat sociale që qeveria Rama ndoqi në mandatin e parë, si dhe ato që prezantohen në këtë mandat të dytë shihen me skepticizëm nga një pjesë e ekspertëve.
Kastriot Sulka, drejtor i Institutit për Studime Ekonomike dhe Sociale e sheh të vështirë integrimin e të varfërve në tregun e punës. Kjo nisur edhe nga fakti se qeveria shkriu ministrinë e të varfërve.
“Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale është në njëfarë mënyre edhe simbol i ndryshimit të qeverive, pasi mbart në vetvete trajtimin institucional dhe jo ideologjik të problemeve sociale dhe ato të tregut të punës. Me shkrirjen e saj, humbet edhe ky simbolizim, që është edhe e keqja më e vogël. Më e rëndësishmja qëndron pas faktit, që duke e ndarë në disa ministri të tjera, si ajo e Financave dhe e Shëndetësisë, jo vetëm që humbasin unitetin e politikave sociale dhe të punësimit, por ato iu janë bashkëngjitur ministrive, që janë super të mëdha dhe për rrjedhojë, do të kenë funksione terciare”, argumenton Sulka.
Sipas tij, në një formë të tillë të copëzuar vetëm për integrim në tregun e punës nuk mund të flitet. “Nëse të papunët që do të marrin pagesë paaftësie apo ndihme ekonomike do të trajtohen nga Ministria e Shëndetësisë, do të jetë Ministria e Financave, që do të duhet që t’i integrojë këto kategori në tregun e punës, nëpërmjet kualifikimit profesional apo ndërmjetësimit/këshillimit për punë”, shpjegon Sulka.

Ndihma ekonomike në vite

Fondet dedikuar ndihmës ekonomike nga viti në vit kanë pësuar luhatje të mëdha, si pasojë e ekspozimit të skemës ndaj manipulimeve, mundësive të kufizuara buxhetore dhe reformave të qeverive.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, fondet e ndihmës shënuan rritje me 13 për qind në vitin 2016, pas një rënie me 22 për qind më 2015-ën. Por po vitin e kaluar dhe saktësisht, më 7 dhjetor 2016 nëpërmjet një vendimi, qeveria kufizoi dhënien e ndihmës ekonomike në vetëm 5 vite. Sipas VKM-së, tavani i ndihmës ekonomike, bëhet sipas strukturës së familjes, por nuk mund të jetë më e lartë se 8 mijë lekë në muaj.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, gjatë viteve 2014 dhe 2015, rreth 25 mijë familje kanë dalë nga trajtimi me ndihmë ekonomike. Numri i tyre ka ardhur në ulje edhe për 2016, duke arritur në një total prej rreth 80 mijë familje në të gjithë vendin. Ndërsa fondet e vëna në dispozicion, sipas Ministrisë së Financave, deri në korrik të këtij viti vlerësohen në 11.3 miliardë lekë.

Qeveria Rama e katërta në botë për nxitjen e varfërisë

Oxfam, një nga institutet më prestigjioze në botë për kërkimet ekonomike, e ka renditur qeverinë shqiptare si qeverinë e katërt më të keqe të botës në luftën kundër pabarazisë. Në raportin e këtij viti Oxfam krahason qeveritë e 154 vendeve të botës sipas angazhimit të tyre për të luftuar pabarazinë.
Qeveria shqiptare renditet në zonën e turpit, krahas vendeve si Nigeria, Bahreini dhe Mianmari. Këto janë vende, pasuria e të cilave zotërohet nga një grusht i vogël njerëzish dhe ku qeveritë, jo vetëm që nuk bëjnë asgjë për të luftuar pabarazinë, por me politikat e tyre favorizojnë oligarkët. Sipas raportit, në vendin e parë si qeveria më e angazhuar dhe më e suksesshme në luftën kundër pabarazisë renditet ajo e Suedisë. Në dhjetë vendet e para figurojnë vetëm vendet e Europës Perëndimore, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Austrinë. Ndërsa në 10-tëshen e fundit të tabelës, përveç qeverisë shqiptare qëndrojnë ajo e Nigerisë, Tongës, Buthanit, Panamasë etj.

Banka konfirmon krizën e bizneseve të vogla

Në gjysmën e parë të këtij viti, ecuria e shitjeve ka vijuar rritjen për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha, ndërsa ka shënuar rënie për bizneset e vogla, – raportoi Banka e Shqipërisë në një vrojtim rutinë me qëllim verifikimin e gjendjes financiare të bizneseve.
Rënia e shitjeve në bizneset e vogla është vënë në trend vitet e fundit, për shkak të përqendrimit të tregtisë me pakicë në qendrat tregtare dhe në supermarkete.
Në gjashtëmujorin e parë 2017, thuajse gjysma e totalit të ndërmarrjeve të marra në anketim kanë financuar veprimtarinë e tyre përmes shitjeve. Huamarrja si burim më vete apo i kombinuar është përdorur nga 29.9% e ndërmarrjeve të mëdha, 25.8% e ndërmarrjeve të mesme dhe 22.9% e ndërmarrjeve të vogla.
Në vrojtim, u përfshi një kampion i zgjeruar prej rreth 1,238 ndërmarrjesh të të gjitha përmasave, të shtrira gjeografikisht në të gjithë vendin dhe që kryejnë aktivitetin e tyre në sektorët kryesorë të ekonomisë. Në fillim të vitit, ky kampion është rifreskuar për 10% të tij.
Rreth 40% e totalit të ndërmarrjeve (438 ndërmarrje gjithsej) pohojnë që kanë një hua për të paguar. Kjo peshë ka rënë krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2016, e ardhur nga të tre grupet e ndërmarrjeve, por disi më e theksuar te ndërmarrjet e mesme.
Rreth 89.3% e totalit të ndërmarrjeve huamarrëse deklarojnë se u janë drejtuar bankave për të siguruar hua. Kjo peshë arrin në 92.1% për totalin e burimeve formale (banka dhe institucione financiare jobanka).
Burimet informale kanë zënë 7.9% të totalit të huamarrjes, ku peshë më të madhe ka huamarrja nga persona fizikë (2.8%). Vrojtimi i BSH tregoi se qëllimet kryesore të huamarrjes janë përballimi i shpenzimeve korrente dhe kryerja e investimeve afatgjata. Krahasuar me vrojtimin e kaluar, rezulton se pesha e ndërmarrjeve që kanë marrë hua për të kryer investime afatgjata, është rritur në rastin e ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha, ndërkohë që ka rënë lehtësisht për ndërmarrjet e vogla.
Rreth 78% e ndërmarrjeve huamarrëse të vogla, 78.6% e atyre të mesme dhe 77.3% e atyre të mëdha, e konsiderojnë të përshtatshëm nivelin e tyre të huamarrjes për financimin e veprimtarisë. Krahasuar me gjashtëmujorin e dytë 2016, kjo peshë rezulton në rritje për ndërmarrjet e vogla dhe ato të mëdha, por në rënie për ndërmarrjet e mesme.

A mund të qëndrojë Spanja e bashkuar?

Federiga Bindi

A mund të qëndrojë Spanja e Bashkuar? Fatkeqësisht jo. Kriza e Katalonias do të jetë sfida më e madhe me të cilën do të përballet Europa që pas luftërave të Ballkanit dhe mund të shkaktojë fundin e Spanjës si shteti që njohim sot. Katalonia është e përçarë. Spanja është e përçarë. Fjalimi i mbretit Felipe VI ishte i papërshtatshëm. Ai duhet të kishte folur me të dyja gjuhët, pasi në fund të fundit di ta flasë rrjeshëm gjuhën katalane dhe është Princi i Barcelonës. Ai duhet të kishte bërë thirrje për dialog dhe negociata mes palëve, por vendosi të qendronte në anën e Pallatit Moncloa.
Edhe pse presidenti katalanas Carles Puigdemont është kryesisht përgjegjës për krizën, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy e ka shndërruar atë që në fillim ishte një referendum i padobishëm, i paligjshëm dhe antikushtetues, në fitore madhore të separatistëve. Pasi kanë parë fotografitë e të moshuarve katalanas të gjakosur, qytetarët që dikur e kundërshtonin idenë e përçarjes, tani e mbështesin atë.
Bashkimi Europian dhe vendet anëtare duhet t’i shtyjnë të dy palët drejt zgjidhjes së negociuar – ndoshta duke rënë dakord për një Katalonia më të decetralizuar që qëndron brenda shtetit spanjoll. Separatistët duhet të kuptojnë se Katalonia e pavarur nuk do të jetë kurrë pjesë e Bashkimit Europian dhe do të humbasë pasurinë e saj. Qeveria e Madridit duhet të përballet me faktin se Spanja pa Katalonian do të humbasë peshën formale dhe informale në Bruksel. Puigdemont dhe Rajoy duhet të japin të dy dorëheqjen dhe t’ia lënë vendin një Task Force negociuese. Nëse të dy liderët qëndrojnë në pushtet, rreziku i përballjeve të dhunshme mund të përshkallëzohet. Një vdekje e vetme aksidentale mund të shkaktojë luftë.

Francisco de Borja Lasheras, kreu i zyrës së Madridit në Këshillin e Europës për Marrëdhëniet e Jashtme
Çështja nuk është vetëm tek vetqeverisja, që si bask, e mbështes. Së pari, është çështje e mazhorancës parlamentare mbi demokracitë pluraliste. Ligjet e ndarjes së rajonit nga shteti u muratuan nga blloku pro-pavarësisë në Parlamentin Katalan në një mënyrë aspak demokratike. Ky referendum, pa një fushatë pro përgjigjes “JO” ishte një plebeshit kryesisht për separatistët.
Së dyti, populizmi i ngjashëm me atë që pamë në fushatën e Brexit është përpjekur ta bëjë arsyen të heshtë dhe i ka shtypur të moderuarit, ka pasur kontroll mbi pushtetin katalanas dhe ka gjeneruar një diskurs politik urrejtjeje të ngjashëm me atë të partisë italiane të Ligës së Veriut. Së treti, është një ultimatum që do të mohonte automatikisht të drejtat e katalanasve të tjerë, për të mos përmendur ato të spanjollëve, që asnjë demokraci serioze nuk mund ta pranojë.
Autoritetet në Madrid duhet të ofrojnë një vizion real për Katalonian. Reformat kushtetuese janë mundësia më e mirë dhe rritja e autonomisë së rajonit mund të arrihet lehtë. Megjithatë, në mes të kësaj lufte informacioni, vetëm njëra palë po përpiqet të zbatojë ligjin e përbashkët. Nëse qeveria aktuale katalanase nuk tërhiqet, do të dëmtojnë shumë qëllimin e vet-qeverisjes dhe do të shkatërrojnë stabilitetin politik, veçanërisht pas dhunës së përjetuar.

Jonas Parello-Plesner, Hudson Institute
“El sueño de la razon produce monstruos,” (Kur arsyeja fle, prodhohen monstra), ka shkruar artisti i famshëm spanjoll, Goya. Sot, Spanja ka një arsyetim të fjetur dhe ecën sonambul në makthin që ka krijuar vetë. 1 tetori ishte një ditë e trishtë që e përçau shoqërinë. Megjithatë, Spanja mund të qëndrojë e bashkuar. Është një demokraci moderne, e ndriçuar dhe europiane.
Gjyshërit e mi katalanas kanë vuajtur shtypjen e diktaturës gjatë viteve 1940 përpara se të largoheshin bga Barcelona. Megjithatë Spanja e Frankons ka mbetur në të shkuarën. Katalonia ka respekt të plotë për gjuhën e saj dhe arrin t’i menaxhojë vetë të gjitha çështjet financiare që i përkasin. Megjithatë, nëse Katalonia do të shkëputej nga Spanja, do të largohej edhe nga Bashkimi Europian për të nisur një proces rianëtarësimi shumë të vështirë dhe të gjatë.
Gjërat që duhen mbajtur mend janë që referendumi katalan nuk ishte kushtetues për shkak se nuk është miratuar nga Madridi. Grupet pro-pavarësisë e miratuan referendumin përmes Parlamentit katalan, duke e injoruar opozitën. Nëse Katalonia është duke ecur vërtetë drejt pavarësisë, ky do të ishte një fillim i papërshtatshëm për një vend me traditë aq të thellë demokratike.
Për më tepër, vetëm katalanasit janë të përçarë. Rezultati i referendumit ishte kryesisht në favor të pavarësisë, por kryesisht separatistët e organizuar kanë marrë pjesë në votime. Më shumë se gjysma e katalanasve nuk morën pjesë në votime – përfshirë edhe pjesën e mbetur të familjes time. Ata janë pjesë e një mazhorance të heshtur që nuk duan detyrimisht të largohen nga Spanja, por mund të duan të largohen nga Katalonia për shkak të mungesës së opsioneve të ofruara nga politikanët lokalë.
Përdorimi i forcës kundër votuesve të pabindur ishte tërësisht i gabuar dhe i panevojshëm. Madridi duhet të kishte ruajtur moralin dhe ligjin pa shfaqur forcën. Po kështu, shpallja e pavarësisë në këtë moment do të ishte e nxituar. Si spanjollët, ashtu edhe katalanët duhet të gjejnë një rrugë të përbashkët që të vazhdojnë të ecin përpara së bashku. Le të shpresojmë që arsyeja të rizgjohet në Spanjë.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

 

Profecia e gabuar e “komunitetit global”

Niall Ferguson

Është fakt se bota sot është më e ndërlidhur se kurrë më parë në histori. Një herë e një kohë mendohej se ekzistonin gjashtë shkallë ndarjeje ndërmjet një individi dhe çdo personi tjetër në planet. Për përdoruesit e Facebook-ut sot, shkalla mesatare e ndarjes është 3,57. Por ndoshta kjo nuk është detyrimisht diçka e mirë. Evan Williams, një nga bashkëthemeluesit e Twitter-it, ka thënë për “New York Times” në maj të vitit 2017: “Dikur mendoja se kur çdo njeri të mund të fliste lirisht dhe të shkëmbente ide e informacion, bota do të ishte automatikisht një vend më i mirë. Ndoshta gabohesha”.
Teksa fliste përpara universitetit të Harvardit në të njëjtin muaj, kreu i Facebook, Mark Zuckerberg, kujtoni ambiciet e tij të dikurshme kur ende nuk ishte diplomuar për “të lidhur të gjithë botën”. “Ideja ishte e qartë për ne”, kujtoi ai, “të gjithë njerëzit duan të jenë të lidhur. Nuk shpresoja kurrë të ndërtoja një kompani gjigante, por të krijoja impakt në botë”. Zuckerberg pa dyshim ia ka arritur ta bëjë, por me siguri nuk është impakti që ai ka ëndërruar nga dhoma e tij e konviktit.
Në fjalimin e tij, Zuckerberg identifikoi një sërë sfidash me të cilat përballet brezi i tij, ndër të tjera: “dhjetëra miliona vende pune të zëvendësuara nga automatizimi, pabarazia, pasi ka diçka që nuk shkon kur unë mund të jetoj në këtë vend dhe të fitoj miliarda dollarë brenda dhjetë vitesh në një kohë kur miliona studentë të tjerë nuk paguajnë dot kredinë e studimit, si dhe forcat e autoritarizmit, izolacionizmit dhe nacionalizmit që kundërshtojnë rrjedhën e njohurisë, tregtisë dhe emigracionit”. Ajo që nuk përmendi ishte kontributi domethënës që kompania e tij dhe kolegët e tjerë në Silicon Valley kanë bërë për t’i agravuar këto tre probleme.
Nuk ka asnjë biznes në botë që punon më shumë për të eliminuar vendet elemetare të punës si drejtimi i një kamioni, se sa gjigantët e teknologjisë në Kaliforni. Asnjë individ tjetër nuk mund të personifikojë më mirë 0,01 përqindëshin e popullsisë më të pasur se sa mjeshtrat e Silicon Valley dhe asnjë kompani tjetër në botë nuk ka ndihmuar, edhe pse jo qëllimisht, për të përhapur frymën populiste.
Zuckerberg nuk është në asnjë mënyrë i vetmi besimtar i devotshëm i botës së ndërlidhur, apo i “komunitetit global” siç e quan ai. “Teknologjia aktuale e ndërlidhjes është në favor të qytetarëve”, shkruanin Eric Schmidt dhe Jared Cohen në vitin 2013. “Kurrë më parë në histori nuk kanë qenë kaq të lidhur përmes një rrjeti me përgjigje të menjëhershme në kohë reale”. Kjo, thonin ata, do të sillte pasoja transformuese për politikën globale. Faza e parë e Pranverës Arabe duket se po vërtetonte më së miri parashikimin e tyre, por zhytja e mëpasshme e Sirisë dhe Libisë në luftë civile vërtetoi të kundërtën.
Njëlloj si vizionet utopike të John Lennonmit në këngën e tij “Imagine”, edhe vizionet e botës së ndërlidhur janë tërheqëse. Gjatë fjalimit të tij në Harvard, për shembull, Zuckerberg theksoi se, “harku i madh i historisë njerëzore përkulet përpara afrimit të numrit gjithnjë e më të madh të njerëzve me njëri-tjetrin, që nga tributë e deri tek shtetet – për të arritur sëbashku, gjëra që nuk mund t’i arrinin dot vetëm”. Megjithatë, ky vizion i një komuniteti të përbashkët global si qypi me flori në fund të harkut të historisë, bie në kundërshtim me mënyrën se si funksionojnë rrjetet sociale.
Rrjetet e ndërlidhjes kanë qenë gjithmonë të kudogjendur në botën natyrore dhe në jetën sociale të njerëzve. I vetmi ndryshim është që rrjetet sociale të sotme janë shumë herë më të mëdha dhe të shpejta, duke lidhur miliarda njerëz brenda pak sekondash. Shumë kohë përpara themelimit të Facebook-ut kishin kryer studime të shumta për mënyrën se si operonin disa rrjete sociale më të vogla dhe më të ngadalta. Zbulimet e tyre nuk lënë shumë vend për optimizëm për mënyrën se si mund të funksionojë një botë tërësisht e ndërlidhur në rrjet.

Atëherë dhe tani
Impakti global i internetit në ditët e sotme, mund të themi si ka një analogji të ngjashme me impaktin që pati printi në shekullin 16 në Europë. Kompjuteri personal, laptop dhe telefonët smartë kanë fuqizuar individin po aq sa pamfletat dhe librat në kohën e Luterit. Megjithatë, trajektoret për prodhimin dhe çmimi i librave në Shtetet e Bashkuara ndërmjet viteve 1977 dhe 2004 duket tepër të ngjashme me trajektoren e prodhimit dhe çmimit të librave në Anglinë e viteve 1490 dhe 1630.
Por ka disa ndryshime të mëdha ndërmjet botës së sotme të ndërlidhur dhe epokës që ndoqi zhvilimin e madh të printit në Europë. Ndryshimi i parë dhe më i dukshëm është që revolucioni i rrjeteve të ditëve të sotme është më i shpejtë dhe gjeografikisht më i zgjeruar se vala e revolucioneve që shpërthyen pas shtypit të printuar gjerman.
Së dyti, pasojat distribucionale të revolucionit aktual janë të ndryshme. Europa e hershme moderne nuk ishte vendi ideal për të imponuar të drejtat intelektuale, të cilat në ato kohë ekzistonin vetëm kur teknologjitë mund të monopolizoheshin në mënyrë të fshehtë. Shtypi i printuar nuk krijoi asnjëherë miliarderë: Johannes Gutenberg nuk ishte aspak si Bill Gates, madje deri në vitin 1456 Gutenbarg kishte falimentuar plotësisht.
Më tej, vetëm një grup i vogël mediash të shkruara – gazetat dhe revistat – synonin të fitonin para nga puna e tyre, ndërkohë që platformat e rrjeteve sociale sot kanë të gjitha qëllim përfitimin që interneti mund ta lehtësojë shumë. Pikërisht nga interneti burojnë edhe miliardat e dollarëve. Në ditët e sotme, ndryshe nga e shkuara, ekzistojnë dy lloj njerëzish në botë: ata që posedojnë e drejtojnë rrjetet sociale dhe ata që i përdorin çdo ditë.
Së treti, shtypi i printuar kishte efektin që të trazonte ndjeshëm jetën fetare në kristianizmin perëndimor përpara se të trazonte çdo gjë tjetër. Në të kundërt, interneti filloi menjëherë të trazonte tregtitë, shumë kohë më pas filloi të trazonte politikën dhe deri më sot ka trazuar vetëm një besim fetar, Islamin, duke fuqizuar versionin më ekstrem të fundamentalizmit sunni.
Megjithatë, ekzistojnë edhe shumë ngjashmëri të dukshme ndërmjet kohës tonë dhe periudhës revolucionare që pasoi zhvillimin e menjëhershëm të printit. Si fillim, ashtu siç bëri media e shkruar, teknologjia moderne e informacionit është duke transformuar jo vetëm tregu – për shembull, duke lehtësuar qiradhëniet afatshkurtër të apartamenteve – por edhe sferën publike. Nuk ka pasur kurrë ndonjë kohë tjetër në histori, kur njerëzit kanë qenë kaq shumë të lidhur me njëri-tjetrin në një rrjet kaq gjigant dhe të shpejtë, ku një postim mund të përhapet më shpejt se si një sëmundje epidemike.
Megjithatë, nocioni i komunitetit të madh global dhe të një bote të integruar plotësisht online, do të krijonte një botë utopike të “qytetarëve të internetit”, ku të gjithë do të ishin tërësisht të barabartë në hapësirën kibernetike. Natyrisht kjo është një fantazi, njëlloj si vizioni delirant i Luterit që fliste për “priftërinjtë e të gjitha besimeve fetare”. Realiteti i një rrjeti global është kthyer në një mekanizëm shpërndarjeje për të gjithë llojet e manive dhe panikut, njëlloj si kombinimi i dikurshëm i printit dhe literaturës shkaktoi përkohësisht shpërthimin e sekteve të kreshterë dhe gjuetisë së shtrigave.
Ligësitë çnjerëzore të Shtetit Islamik, ose ISIS-it, duken më pak ideosinkretike nëse i krahasojmë me disa qeveri ose sekte të shekujve 16 dhe 17. Ndotja e informacionit të shpërndarë në internet për publikun e gjërë me fake news, mund të duket më pak e agravuar nëse e krahasojmë me kohën kur media e shkruar shpërndante libra rreth magjisë po aq sa libra shkencorë.
Më tej, njëlloj si në periudhën gjatë dhe pas Reformimit, epoka aktuale është duke përjetuar gërryerjen e sovranitetit territorial. Gjatë shekujve 16 dhe 17, Europa u gjend në mes të një sërë luftërash fetare për shkak se principi i formuluiar nga Paqja e Augsburgut të vitit 1555 – cuius regio, eius religio (për çdo sferë nevojitet një udhëheqës fetar). Në shekullin 21 ekziston fenomeni i ngjashëm i ndërhyrjes së forcave të ndryshme në çështjet e brendshme të një shteti, kryesisht përmes rrjeteve sociale. Për shembull, hakerat rusë përbëjnë vazhdimisht kërcënim për demokracinë, ashtu sikurse priftërinjtë jezuitë përbënin rrezik për Reformimin anglez.
Pavarësisht të gjitha rreziqeve dh kërcënimeve, për dijetaren Anne-Marie Slaughter “bota e ndërlidhur kibernetike” është relativisht një vend i parrezikshëm dhe beninj. Shtetet e Bashkuara do të gjejnë gradualisht balancën ideale ndërmjet pushtetit të rrjeteve sociale”, shkroi ajo më pas, në rast se liderët do të mësojnë të operojnë jo vetëm në “fushën tradicionale të shahut” të diplomacisë ndërshtetërore, por edhe në rrjetin e ri, duke shfrytëzuar në maksimum të gjitha avantazhet e këtij të fundit si transparenca, përshtatshmëria dhe shkallëzueshmëria.
Të tjerë janë më dyshues. Tek “Sensi i shtatëmbëdhjetë”, Joshua Cooper Ramo argumenton lidhur me ngritjen e “gardheve” reale dhe virtuale për të mbajtur lart kriminelët virtualë, vandalët adoleshentë të internetit dhe keqbërësit e tjerë. Megjithatë, Ramo thekson edhe tre rregullat kryesore të sigurisë kompjuterike të kriptografit të Agjensisë së Sigurisë Kombëtare, Robert Morris: Rregulli 1: Mos bli një kompjuter; Rregulli 2: Mos e ndiz; Rregulli 3: Mos e përdor”. Nëse të gjithë vazhdojnë të injorojnë këto rregulla bazike, të cilat në epokën tonë janë tërësisht të pamundura të zbatohen, edhe liderët politikë që ndoshta përdorin rrjete më të sigurta të lundrimit e kanë vështirë të mbrohen. Në të tilla raste, edhe “gardhet” më të sofistikuara bëhen tërësisht të padobishëm.
Ata që duan të kuptojnë implikimet gjeopolitike dhe politke të ndërlidhjes globale të kohëve tona, duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje teorive të kohëve të fundit të publikuara në lidhjet me sigurinë brenda komunitetit global. Rrjetet nuk janë aq të sigurt sa reklamohen. Utopianët e teknologjisë që shpalosin ëndrrat e një komuniteti global gjithëpërfshirës kanë arsye të forta për të reklamuar këtë ëndërr tek përdoruesit, të dhënat e të cilëve shfrytëzohen për arsye nga më të ndryshmet. Oligopoli i Silicon Valley ka përfituar shumë nga ndërlidhja e botës së sotme. Pjesa tjetër e jona – përdoruesit e thjeshtë e rrjeteve të tyre – duhet t’i shohin vizionet e tyre utopike me skepticizmin që meritojnë.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Përse ekziston lufta valutore

“Geopoliticus”

Lufta valutore është vazhdimi i proteksionizmit me mjete të tjera. Vendi që ul koeficentin e këmbimit, çmimin e valutës së tij në raport me të tjerat, fiton një avantazh konkurrues të përkohshëm, sepse redukton sa hap e mbyll sytë çmimet e prodhimeve të tij dhe ngre atë të vendeve importuese. Është sikur këtyre të fundit t’u vendoset një taksë doganore transversale dhe jodiskriminuese. Karakteristika e një lufte valutore, si në proteksionizmin e vjetër, është hakmarrja. Vendet e prekura reagojnë me kundërzhvlerësime dhe lufta e të gjithë kundër të gjithëve përfundon në një lojë me shumatore zero.
Termi “luftë valutore” është përdorur për herë të parë në 2010 nga Guido Mantega, ministri i Financave të Brazilit që ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se e zhlerësojnë dollarin nëpërmjet një politike monetare ekspansioniste dhe eksportojnë inflacion në vendet emergjente. Jens Weidmann, Guvernatori i Bundesbank, ka kritikuar kohët e fundit eskalimin e “politizimit” të koeficentëve të këmbimit me vendimin e para pak kohëve të Japonisë për të zhvlerësuar jenin. Kryeministri Shinzo Abe e ka nisur ofensivën e tij me këtë deklaratë: “Manovrat e vendeve, në vend të parë Shtetet e Bashkuara, për ta zhvlerësuar këmbimin do ta forcojnë pashmangshmërisht jenin. Për ne është jetike që ta kundërshtojmë këtë politikë”. Praktivisht, nga viti 2008 e këtej bankat qendrore kryesore kanë pompuar në sistem 10 trilionë dollarë (për ta bërë të kuptueshme këtë shifër absurde, boll të mendohet se është e barabartë me PPB-në e Kinës dhe të Italisë) me efektin e rritjes së tensionit në tregun e këmbimeve.
Luftërat valutore nuk janë risi në histori: zhvlerësimi monetar është rruga e shkurtër për ta rritur kuotën e eksportit ndaj PPB-së dhe akumuluar rezerva në valuta të huaja për të paguar borxhet. Por lufta aktuale paraqet disa karakteristika të reja. Ai që zbulon më pak të natyrshmen ka qenë, në mënyrë jo të vetëdijshme, pikërisht Shinzo Abe: “Një këmbim prej 90 jenësh ndaj dollarit (ishte 84.26), ka pohuar, do t’i ndihmonte eksportuesit japonezë. Nëse dollari është mbi 85, atëhere bizneset që deri më tani nuk kanë paguar taksat, [pasi duke mos qenë konkurruese nuk nxjerrin fitime], tani do t’i paguanin taksat”. Përkthimi: për një qeveri super të debituar, një sektor eksportimi i lulëzuar përfaqëson burim të ardhurash të taksueshëm. Pasi politikat monetare dhe fiskale deri më tani nuk kanë pasur efekte, nuk mbetet veç të përdorin politikë të këmbimit në funksion grabitqar brenda dhe jashtë. Zhvlerësimi kompetitiv është bërë një teknikë për të siguruar të ardhurën e vendeve importuese dhe shkarkuar mbi shpatullat e tyre shërbimin e borxheve në rritje. Veç kësaj, pasi me zhvlerësimin shkaktohet inflacion, zhduket deflacioni dhe reduktohet vlera e borxhit të brendshëm.
Në realitetin e kësaj lufte të ftohtë, nuk është gjë tjetër përveçse një mjet për të shmangur zbatimin e masave jopopullore të rreptësisë financiare, si për shembull shkurtimet e shpenzimeve publike. Dinamika e luftës valutore dhe pasojat e saj mund të kuptohen vetëm duke zbritur në shkakun fillestar të tyre: deficitin këmbëngulës të bilancit tregtar amerikan.

Trilemë
Gjatë periudhës së Bretton Woods (1944 deri në 1971) të bazuar mbi gold exchange standard (valuta të konvertueshme në dollarë dhe dollarë të konvertueshëm në ar), zhvlerësimet qenë sporadike, pasi bota gëzonte një zhvillim ekonomik të caktuar dhe sistemi i arit, megjithëse i manipuluar, e kufizonte inflacionin monetar që i paraprin zhvlerësimit. Kur në vitin 1971, Shtetet e Bashkuara e shpallën dollarin jo të konvertueshëm, duke imponuar dollar standard, filloi era e deficitit të dyfishtë amerikan, atij të bilancit dhe atij tregtar. Deri në atë kohë, Shtetet e Bashkuara kishin qenë kreditori dhe eksportuesi më i madh, por situata u përmbys. Pasi ekonomia botërore zgjerohej dhe pagesat ndërkombëtare kryheshin me dollarë, i të cilëve Amerika ishte emetuesi i vetëm, mënyra e vetme me të cilën pjesa tjetër e botës mund t’i siguronte ato ishte eksportimi drejt saj, duke ruajtur një suficit tregtar ndaj saj. Nga ana tjetër, për të bërë të disponueshëm dollarët, domethënë për të garantuar likuiditetin ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara duhej të eksportonin dollarë drejt pjesës tjetër të botës dhe kjo ishte e mundshme me një deficit tregtar permanent. Privilegji i emetimit të valutës globale u mundësoi Shteteve të Bashkuara që të financonin hendekun tregtar thjesht, duke prerë valutën, krejt kundër nga pjesa tjetër e botës që, për të importuar, duhej të eksportonte. Qe kështu që Shtetet e Bashkuara u bënë importuesi dhe debitori më i madh, ndërsa pjesa tjetër e botës eksportuesi dhe kreditori neto, duke akumuluar një tepri rezervash në dollarë.
Qysh nga fillimet e viteve ‘60 ekonomisti belg Robert Triffin, kishte paralajmëruar kontradiktat implicite në përdorimin e një valute unike rezervë, duke formuluar trilemën e famshme. Sipas Triffin, për një vend të pajisur me valutë rezervë ishte e pamundur të plotësoheshin njëkohësisht tri objektiva: sigurimi i likuiditetit botëror, pasja e deficitit tregtar permanent dhe ruajtja e stabilitetit valutor. Në terma më teknikë, trilema është e pamundësi për të kombinuar bashkë një politikë monetare të pavarur, një lëvizje të lirë të kapitaleve dhe një këmbim të qëndrueshëm. Mund të zgjidhen vetëm dy opsione, duke përjashtuar të tretën, e papajtueshme me të tjerat. Në fakt, Shtetet e Bashkuara kanë adoptuar dy të parat, duke hequr dorë nga e treta, stabiliteti i dollarit. Por trilema vlen për të gjithë. Për shembull, fiksimi i barazisë së koeficientit të këmbimit, që është (PEG), që është instrument politik monetare, nuk është i pajtueshëm me lirinë e lëvizjes së kapitaleve. Është rasti i Kinës, që për të ruajtur barazinë me dollarin duhet të imponojë në brendësi të saj një kontroll të kapitaleve. Nëqoftëse nuk do të bënte flukse dhe deflukse financiare, do të destabilizonte barazinë. Për pasojë, mund të ketë qarkullim të lirë kapitalesh dhe politikë monetare autonome bashkë, ama duke hequr dorë nga kontrolli i këmbimit, i cili duhet të fluktuojë lirisht. Është rasti i stërlinës angleze. Së fundi, nëse vendoset për qarkullimin e lirë të kapitaleve dhe këmbimin e qëndrueshëm, duhet hequr dorë nga një politikë monetare autonome. Është edhe rasti i vendeve të eurozonës, por është bërë edhe rasti i Zvicrës. Pasi nga 2008 në 2011 franga zvicerane ishte rivlerësuar ndjeshëm ndaj euros, duke e vënë në rrezik kompetivitetin zviceran, Sëiss National Bank i është dashur që të impenjohet në shitjen e frangave kundër eurove për të penguar rivlerësimin e frangës. Me fjalë të tjera, është sikur Zvicra të kishte adoptuar euron, duke hequr dorë, në konformitet me trilemën, nga një politikë monetare e pavarur.
Deficiti konstant tregtar amerikan që detyron pjesën tjetër të votës që të akumulojë rezerva në dollarë e tërheq për poshtë platformën valutore botërore. Pjesa tjetër e botës duhet të përshtatet me zbritjen, duke i zhvlerësuar valutat (ose duke ju penguar vlerësimin) nëpërmjet zgjerimit të bazës monetare. Shkalla e zhvlerësimit të një valute ndaj një tjetre varet nga shpejtësia e krijimit monetar në vendet respektive, si trilema të implikojë një këmbim fluktuant, ashtu edhe një barazi fikse. Për shembull, për të zhvlerësuar stërlinën, është e mjaftueshme që Banka e Anglisë të rrisë ofertën dhe të lërë të fluktuojë këmbimin, që duke u zhvlerësuar ndaj valutave të tjera, do të mundësojë që të shiten më shumë produkte angleze. Anasjelltas, për t’i bërë produkte zvicerane më shumë joshëse sesa ato europiane është e nevojshme që të fiksohet këmbimi me euron dhe të rritet qarkullimi i frangave me qëllim që më pak euro të blejnë më shumë franga. Kur Kina rrit eksportet drejt Shteteve të Bashkuara, dollarët që merr do ta rivlerësonin juanin, duke e destabilizuar barazinë me dollarin sikur Banka Qendrore kineze të mos ndërhynte, duke prodhuar juanë për të blerë teprinë e dollarëve. Përmbledhtazi, kur një vend hap rubinetin e valutës së vet, pjesa tjetër e botës duhet të bëjë të njëjtën gjë, por kjo nënkupton edhe të rritet inflacioni botëror, duke krijuar flluska financiare dhe dizekuilibra tregtarë (global imbalances). Por ka edhe tjetër. Pjesa më e madhe e rezervave në dollarë nuk mbesin të vdekura në arkat e vendeve eksportuese, por kthehen në Shtetet e Bashkuara për t’u investuar sidomos në Bono Thesari. Prandaj pjesa tjetër e botës duhet ta financojë borxhin e tyre. Sikur të mos ndodhte kjo, dollari do të binte pikiatë dhe rezervat e bankave qëndrore do të zeroheshin me humbje të jashtëzakonshme. Paradoksalisht, ndërsa të gjithë janë të interesuar statukuoja ndaj dollarit, nxitojnë që ta zhvlerësojnë. Trilema me të cilën çdo vend konformohet krijon në sistemin monetar një rreth vicioz dhe një paqëndrueshmëri eksplozive që e bën çdo investim sporadik dhe të ardhmen gjithnjë e më të paqartë.

Fitimtarë dhe të mundur
Ajo që ka kaluar pa u vënë re është shpronësimi i madh i resurseve që u shkakton vendeve eksportuese një valutë jo e qëndrueshme rezervë. Për një kohë të gjatë, pjesa tjetër e botës nuk e ka kuptuar faktin që suficiti që akumulohej ishte proporcional me humbjet që pësonte, pasi arsyet e saj të këmbimit përkeqësoheshin në favor të dollarit. Jo vetëm financonte borxhin amerikan, por ulte vlerën e kreditit të saj ndaj Shteteve të Bashkuara. Japonia ka qenë viktima më e goditur nga ky fenomen. Bartëse e rezervave më të mëdha në dollarë për pothuajse një 30-vjeçar, domethënë midis viteve 1974 e 2000, ka injoruar që mbi 2/3 e vlerës së tyre të shkonte kot prej reduktimit korrespondues të vlerës së dollarit. Fatkeqësisht, Tokio ndoqi qorrazi kurën e mjekëve keynesianë amerikanë të Thesarit dhe të Federal Reservë, që e bindën pacientin se rezervat valutore nuk qenë të nevojshme për të paguar borxhet, nga momenti që mund të bëhej, duke ju drejtuar deficitit të bilancit!!! Borxhi i madh që Japonia ka akumuluar gjatë kësaj periudhe dhe shkatërrimi i saj shpjegohen vetëm në këtë mënyrë. Sot vendimi për të zhvlerësuar jenin që sjell një stimul (1.2 trilionë në bono) baraz me dyfishin e atij amerikan, për një ekonomi që vlen sa 1/3 është ekuivalent me vrasjen e pacientit. Dora dorës që jeni do të zhvlerësohet, investitorët do ta heqin qafe borxhin japonez për të blerë atë të Shteteve të Bashkuara dhe të Europës, duke ua forcuar valutat, duke intensifikuar me këtë luftën valutore. Në fakt, me një papunësi në nivele rekord, sigurisht që eurozona nuk do të qëndrojë duarkryq, pasi një euro e fortë do t’i thante të ardhurat nga eksportet, burimi i vetëm i zhvillimit i mbetur.
Sot bartësi më i madh i rezervave në dollarë (3 trilionë) është Kina dhe e di mirë sesa i paqëndrueshëm është pozicioni i saj. Por pasi është bërë platforma produktive amerikane dhe një nyje industriale që prodhon mbi 20% të prodhimit botëror, ka krijuar premisat për ta kandiduar juan/renminbin si valutë rezervë të konvertueshme. Duke parashikuar krizën valutore, po i diversifikon rezervat e saj, sidomos në ar, i të cilit është bërë edhe prodhuesi më i madh botëror dhe përdorimi i të cilit inkurajohet në vend. Në fund, mund të jetë pikërisht metali i verdhë fituesi i vetëm i kësaj lufte absurde.
Është domethënës fakti që, rezervat botërore të dollarit nga një pikë prej 71.5 përqindësh në 2001 kanë zbritur në 62 për qind në 2012. Kjo do të thotë se bota po shkon drejt një sistemi rezervash të shumëfishta në konkurrencë midis tyre. Dollari kanadez dhe australian janë klasifikuar tashmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si valuta rezervë. Por cilido qoftë rendi i ri botëror monetar, do të jetë Kina ajo që do të diktojë kushtet. Marrëveshjet e fundit e shkëmbimeve tregtare të saj me Arabinë Saudite dhe vendet e tjera arabe për disa miliarda juan dhe fakti që midis vendeve të BRICS-it transaksionet nuk bëhen më në dollarë, janë simptomatikë të dekadencës së kartmonedhës së gjelbërt që mund të katandiset në valutë të thjeshtë lokale. Me pasojën që, nëse Londra ka qenë kryeqyteti financiar i shekullit të XIX-të dhe New York i shekullit të XX-të, Shanghai mund të bëhet ai i shekullit të XXI-të. Por një evolucion i tillë, nëse do të ndodhë, do të duhet të kalojë një turbulencë të paparë ndonjëherë në historinë botërore. Lufta aktuale valutore nuk është një rrugëdalje nga kriza pas asnjeri. Është ekuivalent me një reaksion bërthamor të pakontrolluar e të pandalshëm që do ta bëjë botën gjithnjë e më shumë jomikpritëse për kë dëshiron të prodhojë, kursejë duke krijuar pasuri e punë. Në fund sistemi monetar do të shpërthejë, sepse pa valuta të qëndrueshme dhe të besueshme ekonomia botërore nuk mund të funksionojë. Gjithsesi, pjesa më e madhe e qeverive vazhdon ta injorojë realitetin. Ama nuk mund t’i injorojë pasojat.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

De Laurentis: Sarri edhe 10 vjet me ne

Foto LaPresse - Massimo Paolone 23/08/2015 Reggio Emilia ( Italia) Sport Calcio Sassuolo - Napoli Campionato di Calcio Serie A TIM 2015 2016 - Stadio "Mapei-Cittˆ del Tricolore" Nella foto: Cristiano Giuntli, Aurelio De Laurentiis, Maurizio Sarri Photo LaPresse - Massimo Paolone 23 August 2015 Reggio Emilia ( Italy) Sport Soccer Sassuolo - Napoli Italian Football Championship League A TIM 2015 2016 - "Mapei-Cittˆ del Tricolore" Stadium In the pic: Cristiano Giuntli, Aurelio De Laurentiis, Maurizio Sarri

Nga maja e klasifikimit, që e bën skuadrën e Napolit edhe më atraktive për tifozët e saj, Presidenti Aurelio de Laurentis deklaron se këtë herë mundësitë e suksesit për titullin e Serisë A janë konkrete. Me shumë bindje dhe jo vetëm shpresë shfaqet 68-vjeçari, duke u mbështetur edhe tek projekti që ka nisur tri vite më parë, kohë në të cilën i besoi drejtimin teknik të skuadrës Maurizio Sarri dhe Cristiano Giuntoli:
“Vendi i parë nuk më çudit aspak, por edhe nuk më ekzalton, sepse besoj që të vërtetën do të fillojmë ta njohim në fund të muajit mars. Në majën e këtij suksesi qëndron Sarri, të cilin e mbështeta unë duke marrë përsipër edhe kritikat e sulmet e herëpashershme. E desha shumë që në fillim e tani e do e gjithë tifozëria dhe skuadra. Sarri ka një avantazh shumë të madh, nuk është një njeri i bezdisshëm, me të mund të flasësh me qetësi për çdo gjë, është i përgatitur, ai është i duhuri, dhe shpresoj ta kemi mes nesh edhe për 10 vite të tjerë”, u shpreh De Laurentis.
Përshtypjet pas ndeshjeve të para të zhvilluara në kampionat e bëjnë këtë Napoli të flasë shumë më bindshëm se sa sezonin e shkuar dhe për këtë De Laurentis, shton se vitin e shkuar iu desh të verifikonin se si do të zëvendësonin Higuain. “Me Milik dukej sikur ishim përshtatur mirë më pas u dëmtua. I superuam të gjitha vështirësitë në momentin që Sarri pati intuitën që të spostonte Mertens në mesfushë. Por ato pikë që kishim humbur ndërkohë na ndaluan të merrnim fitoren”, tha ai.
Ndërkohë, Thomas Meunier gjatë një interviste foli për të ardhmen e tij. Mbrojtësi, i cili është pjesë e Paris Saint-Germain që nga që nga korriku i 2016 tha se është i lumtur te francezët dhe se për momentin nuk e mendon largimin. I pyetur për rinovimin e kontratës, 26-vjeçari deklaroi se kjo temë nuk është diskutuar pasi kontrata e tij aktuale skadon më 2020, por nëse klubi do t’i ofronte rinovimin ai do ta vlerësonte me kënaqësi.

“Kritikat qëndrojnë”

Vincenzo Montela mbetet optimist pavarësisht problemeve me të cilat përballet Milani i tij. “Humbja ndaj Romës ishte e pamerituar dhe është një plagë, të cilën do të tentojmë ta shërojmë shpejt duke insistuar tek puna dhe duke qenë të motivuar për të arritur rezultate më të mira. Rruga për ne është kthyer në një malore, por edhe kjo është normale sepse duhet kohë edhe pse në mënyrë kontradiktore jemi vetë ne të parët që besojmë se koha nuk premton”, u shpreh Montela.
Sa i takon kritikave që vërshojnë drejt tij, Montela nuk duket i shqetësuar as tani që ato janë shtuar pas rezultateve të fundit negative. “Mendoj se këto kritika qëndrojnë, janë të bazuara duke qenë se pritshmëritë ishin shumë të larta. Por ne e njohim realitetin në të gjitha dimesionet e tij. Rrugëtimi ynë duhet të ketë si finale rritjen tonë dhe arritjen e objektivit për të qenë ndër katër skuadrat e para të klasifikimit. Distancë që nuk është aq e madhe. Këtë punë e bëj tashmë prej disa vitesh dhe i njoh shumë mirë risqet që ai mbart. Duke trajnuar një skuadër si Milani risku është gjithnmonë shumë më i madh sikundër edhe spekulimet, kritikat apo thashethemet. Nga ana tjetër pozitive tek ky profesion është se të duhet menjëherë të përgatitesh për ndeshjen e radhës dhe shpresa është bashkudhëtare e jotja. Idetë i kam të qarta, objektivi tashmë projekton një sukses në derbi”, tha trajneri i Milanit.
Edhe pse presioni është i madh nga ana mediatike, trajneri kërkon që të mos kushtëzohen aq sa si pasojë ekipi i tij të bllokohet fare. Por edhe pse Montela nuk dorëzohet është pikërisht derbi me Interin ku ai shpreson, që mund të rrezikojë e trondisë pozitat e 43-vjeçarit në stolin e kuqezinjve në rast të një rezultati negativ.
Ndërkohë, Interi po bën gati strategjinë për ndërhyrje në merkaton e janarit, aty ku synohet të afrohen lojtarë që të ndihmojnë skuadrën në fazën sulmuese. Zikaltërit i kanë bërë një nisje të jashtëzakonshme sezonit me 19 pikë të grumbulluara në 7 javët e para, aq sa Juventusi kampion dhe dy pikë më pak se Napoli që kryeson me pikë të plota. Çelësi i suksesit në formacionin e Spaletit është mbrojtja, e cila rezulton më e mira e kampionatit me 3 gola të pësuar, ndërkohë që sulmi i zikaltërve është larg rivalëve.
Me 14 golat e shënuar Interi renditet në të njëjtën pozitë me Romën dhe pas Napolit me 25 gola, Juventusit me 20 dhe Lazios me 19. Nisur nga kjo merkatoja e janarit duket e përqendruar pikërisht për të përforcuar repartin e sulmit. Arturo Vidal është preferenca kryesore, një futbollist me peshë për të ringritur Interin jo vetëm në Itali, por edhe në Europë.

Strakosha në shënjestër të tifozëve të Romës

Thoma Strakosha tashmë është një prej personazheve kryesorë të futbollit italian. Pasi është konfirmuar si një nga të rinjtë më premtues të Serie A, tashmë 21-vjeçari shqiptar është vënë në shënjestër të tifozëve të Romës për shkak të rivalitetit historik mes dy skuadrave të kryeqytetit italian. I frikësohen paraqitjeve të tij vendimtare dhe këtu nuk ka asnjë dyshim, por Strakosha e merr situatën me sportivitet, madje nuk ngurron të shfaqet si një profesionist i vërtetë duke vlerësuar aftësitë e kolegut të tij verdhekuq, Allison.
Derbi po troket sepse pas një muaji dy skuadrat do të përplasen në përballjen e parë sezonale, por Strakosha përpiqet të tregojë se bëhet fjalë thjesht për një ndeshje futbolli dhe të gjithë duhet ta përjetojnë këtë sfidë me sportivitet. Braziliani Allison postoi në rrjetet sociale një foto gjatë seancës stërvitore me Selecaon, ndërsa Strakosha i shkruan: “Alisson airlines”. Dy portierët kanë respekt për njëri-tjetrin sepse në Instagram janë miq dhe në pritje të derbit nuk e kanë aspak problem të tregojnë se janë dy njerëz profesionistë që e konsiderojnë futbollin një sport dhe jo një mjet për të krijuar armiqësi. Komentet pozitive dhe falënderimet nga ana e tifozëve të Romës nuk kanë munguar. Një pjesë e madhe e tyre kanë falënderuar Strakoshën për sportivitetin dhe sigurisht që i kanë lënë takim në derbin më të nxehtë të futbollit italian.