29.5 C
Tirana
E martë, 17 Qershor, 2025

Ronaldo dhuron trofeun e “Topit të Artë” për bamirësi

Cristiano Ronaldo nuk është nga ata që të falin në fushën e futbollit, por jashtë saj duket të jetë mjaft bujar. Ylli i Realit të Madridit ka dhuruar jo pak, por një trofe me një vlerë të lartë sentimentale dhe monetare. Kopja e trofeut të tij të Topit të Artë, e fituar në ceremoninë e Londrës në vitin 2013 është nxjerrë në ankand dhe është blerë pikërisht nga manjati izraelit Idan Ofer për shifrën e 600 mijë eurove. Fondet kanë shkuar për organizatën britanike të bamirësisë Make A Wish e orientuar për fëmijët që vuajnë nga sëmundje të rënda ose që janë në stadin final të saj dhe që ka si qëllim të bëjë reale edhe dëshirat më të çmendura që mund të projektohen nga mendja plot fantazi e një fëmije.
Pep Guardiola dhe Jose Mourinho menaxherët e City-t dhe United gjithashtu kanë qenë kontribues të këtij eventi. Të dy teknikët mësohet të kenë paguar respektivisht nga 30 mijë euro për të parë një ndeshje boksi në Manchester, fondet e të cilës gjithashu do të shkojnë për këtë qëllim. Trofeu i Topit të Artë është trofeu më prestigjioz që shkon për arritjet më të larta individuale të një futbollisti. Triumfi i Ronaldos në vitin 2013 vijoi serinë e sukseve të tij për katër vite ndaj rivalit Lionel Messi, me portugezin që në palmarrësin tij reshton edhe trofetë e vitit 2008, 2014 dhe 2016.

Fyen sistemin VAR, dënohet Dr. Sportiv i Juves për dy javë

Mban ngjyrat bardhezi dënimi i parë i shkaktuar nga sistemi i ri i VAR-it, i shoqëruar me shumë polemika. Drejtuesi i parë në futbollin italian që skualifikohet me motivacionin e deklaratave të rënda fyese ndaj sistemit, është pikërisht Fabio Paratici. Sintonia mes Juventusit dhe sistemit VAR nuk ishte optimale që në fillim dhe tashmë falë risisë “Video assistant referee” është pikërisht Fabio Paratici, drejtori sportiv i Juventusit që dënohet për reagimin e tij të pas ndeshjes me Atalantën në Bergamo.
Gjykatësi sportiv, Gerardo Mastrandrea e ka ndëshkuar Paraticin, sepse në përfundim të ndeshjes në tunelin që të çon drejt dhomave të zhveshjes ai ka fyer dhe sharë shumë rëndë sistemin e ri. Dënimi i tij konsiston në ndalimin e kryerjes së çdo lloj aktiviteti që lidhet dhe përfaqëson shoqërinë bardhezi deri në datën 15 tetor 2017, si dhe në një gjobë prej 20 mijë eurosh. Falë pauzës në kampionat Patucit i takon të mos shkelë në dhomat e zhveshjes dhe në fushë vetëm për takimin ndaj Lazios në datë 14 tetor. Asnjë reagim ndërkohë nga klubi juventin, për dënimin që duket mjaft i lehtë, por i bujshëm duke qenë se shton polemikat për sistemin VAR.

 

Heynckess kërkon zëvendësin

 

Të enjten duhej të ishte dita e tij e parë si trajner i Bayernit të Mynihut, por Jupp Heynckess nuk u shfaq përpara mediave. Stërvitja e parë me skuadrën pas rikthimit në ekip është planifikuar të hënën, por mesa duket në rrugën mes trajnerit dhe klubit ka dalë një pengesë. Heynckess do të ulet në pankinën bavareze për të katërtën herë në karrierën e tij pas atij suksesi historik në vitin 2013, por kjo nuk do të ndodhë nëse Bayerni dhe ai vetë nuk do të gjejnë një zgjidhje për çështjen e zv/trajnerit.
Momentalisht mungon zyrtarizimi dhe shkak është pikërisht kjo çështje. Heynckess ka kërkuar të ketë në krah zëvendësin Peter Hermann me të cilin ka një histori të gjatë bashkëpunimi, por ky i fundit ka ende një kontratë që e lidh me Fortuna Dusseldorf. Për ta liruar nga detyrimet që ka me klubin aktual, Bayerni duhet të paguajë rreth 1 milionë euro dhe për Hoeness ky është një problem edhe pse paratë tek klubi bavarez nuk mungojnë. Gjithsesi, gjatë ditëve të ardhshme kjo çështje mund të zgjidhet pasi koha nuk pret dhe Bayerni ka nevojë për një trajner.

 

Siria vazhdon të ëndërrojë

Siria nuk dorëzohet dhe vazhdon të ëndërrojë pjesëmarrjen në Botërorin 2018. Ndeshja e parë play off përballë Australisë, e luajtur në stadiumin neutral “Malaça” të Malajzisë përfundoi në barazim 1-1. Australianët kaluan në avantazh me golin e sulmuesit të Bochum, Kurse, në fundin e pjesës së parë të ndeshjes.
Siria riktheu baraspeshën 5 minuta përpara fundit të ndeshjes, me 11-metërshin e realizuar nga Al Somah. Sulmuesi i Al-Ahli ishte kthyer në hero kombëtar edhe në ndeshjet e fundit kualifikuese, ku realizoi golin e barazimit 2-2 në fushën e kryesuesve të Iranit, duke i dhënë ekipit të tij shansin të luante në play off.
Një histori si në përralla ajo e Al Somah, që pavarësisht se në tre sezonet e fundit ka qenë golashënuesi më i mirë në kampionatin saudit, u kthye në përfaqësuesen siriane vetëm një javë më parë, pas përjashtimit për shkak të pikëpamjeve kundër presidentit Bashar al-Assad.
Siria ka shpresë edhe për 90 minuta të tjera, për ndeshjen e kthimit që do të luhet të martën e ardhshme në Sidnei. Fituesja e duelit do të ndeshet më pas me ekipin e klasifikuar në vendin e katërt në grupin amerikanoverior.

Xhaka: Do ta mposhtim Portugalinë

Granit Xhaka beson se Zvicra ka potencial ta mposhtë Portugalinë e Cristiano Ronaldos. Zvicra e shqiptarëve do të zhvillojë dy ndeshje të rëndësishme ndaj Hungarisë më 7 tetor dhe ndaj Portugalisë më 10 tetor. Ndeshja ndërmjet kampiones në fuqi të Evropës, Portugalisë dhe Zvicrës, që luhet në Lisbonë, është e fundit e ciklit eliminator për Rusia 2018 dhe pritet të vendosë për lideren e grupit, e cila siguron direkt pjesëmarrjen në Botëror.
Zvicra aktualisht mban vendin e parë me 24 pikë, ka fituar të gjitha ndeshjet, kurse Portugalia është e dyta me 21 pikë në Grupin B. “Pse duhet të fitojë Zvicra? Sepse ne kemi mjaft klas dhe vetëbesim në ekip. Ne kemi respekt, natyrisht, por nuk kemi frikë nga kampioni i Evropës”, ka deklaruar Xhaka për “Blick”.
Në ndeshjen e parë Zvicra e kishte mposhtur Portugalinë, e cila ishte pa yllin e saj, Cristiano Ronaldon. “Do të jetë një lojë e ndryshme sesa në ndeshjen e parë. Nëse e humbisni ndeshjen tuaj të parë si kampion evropian, ju e dini se çfarë do të ndodhë me ju. Cristiano Ronaldo nuk ishte në takimin e parë. Portugalia me Ronaldon është ndryshe”, ka theksuar ylli i Arsenalit.

Argjentina rrezikon

Botërori 2018 rrezikon të humbasë një nga emrat më të mëdhenj të futbollit, Lionel Messin. “Mallkimi” i 5 herë fituesit të Topit të Artë me kombëtaren e Argjentinës vazhdon, pasi skuadra “Albiceleste” rrezikon të prekë fundin sepse tashmë skenari që e shikon jashtë Kupës së Botës është shumë pranë. Barazimi 0-0 në “Bombonera” kundër Perusë në 90 minutëshin më vendimtar të eliminatoreve të Amerikës së Jugut e rrezikon seriozisht skuadrën e Jorge Sampaolit që e shikon veten në vendin e gjashtë me 25 pikë, po aq sa Peruja e vendit të pestë që aktualisht mban pozicionin e zonës play off. Një natë dramatike në Buenos Aires ku skuadrës së Sampaolit nuk i bëri punë as mbështetja e stadiumit mitik të Boca Juniors.
Messi dhe skuadra e Argjentinës zhvilluan një pjesë të dytë pothuajse perfekte ku mungoi vetëm goli, ndërsa në pjesën e parë frika e pësimit të golit i rëndoi këmbët e skuadrës bardhekaltër në një ndeshje ku portieri Gallese priti gjithçka mundi për të ruajtur të paprekur portën e tij, ndërsa shtylla i mohoi kënaqësinë e golit Lionel Messit që vazhdon të vuajë me Argjentinën, duke reflektuar një sindromë të vjetër sepse kombëtarja duket se transformon numrin 10, i cili nuk arrin të bëhet lider i vërtetë në këtë skuadër. Gjithsesi, në mbrëmjen e errët të Argjentinës vjen edhe një sinjal shprese pas suksesit të pabesueshëm të Paraguajit 2-1 në Kolumbi.
Në këtë mënyrë, të martën në Quito të Ekuadorit, Argjentinës do t’i mjaftonte një fitore për të siguruar biletën e kualifikimit direkt në Rusi 2018 ose në rastin më të keq për të arritur zonën play off që jep mundësinë e dy përballjeve direkte me Zelandën e Re. Në përballjet e tjera, Brazili u ndal nga një barazim pa gola në Bolivi, ndërsa Uruguaji regjistroi të njëjtin rezultat në transfertën venezueliane. Kili kaloi 2-1 Ekuadorin, por duhet minimalisht të marrë pikë në ndeshjen e fundit në Brazil për të mos rrezikuar pjesëmarrjen në Kupën e Botës.
Sidoqoftë përtej situatës aspak të këndshme ai që kujdeset për t’i dhënë skuadrës kurajo dhe frymë optimiste është tekniku Jorge Sampaoli, i cili beson se në ndeshjen e fundit, atë ndaj Ekuadorit ekipi do të arrijë të fitojë. “Na mungoi goli. Sidoqoftë jam besimplotë që do t’ia dalim të fitojmë përballë Ekuadorit. Nëse do ta luajmë ndeshjen e fundit ashtu siç dimë ne, atëherë do të jetë dhe Argjentina pjesë e botërori. Sigurisht që situata nuk është e qetë, por kualifikimi varet vetëm nga ne, duhet të japim më të mirën tonë. Në skuadër ka një frymë optimiste. Jam i bindur se do t’ia dalim”, u shpreh Sampaoli.
Argjentina do të luajë takimin e fundit ndaj Ekuadorit më datë 11 tetor. Shansi i fundit për Albicelestët ku fitorja është i vetmi rezultat që do t’i garantonte një biletë për në botëror.
Arlind RAMA

Bolivi, kombëtarja braziliane për spital

Që pozicioni gjeografik i Bolivisë ka një lartësi prej 3,637 mijë metrash mbi nivelin e detit është një fakt që mësohet që në vegjëli në lëndën e gjeografisë, por përjetimi fizik është gjithmonë shumë ndryshe nga shfletimi në letra. Ekuacioni i kombëtares braziliane të futbollit kishte të panjohur vetëm rezultatin e takimit, faktori lartësi nuk ishte i tillë gjithsesi, rezultoi sfilitës për Selecaon. Pas barazimit pa gola 0-0 që mbylli këtë ndeshje të vlefshme për kualifikimin në Botërorin e Rusi 2018, futbollistët brazilianë mund të thuhet me plot gojën se dukeshin të ezauruar në dhomën e zhveshjes dhe si në një panoramë spitali të gjithëve pa përjashtim iu nevojitën bombolat e oksigjenit për t’u kthjelluar e ardhur në vete.
Edhe lojtari më i shtrenjtë në botë Neymar në fund të fundit është njerëzor dhe sigurisht që nuk ishte aspak i lumtur për këtë situatë, nga e cila nuk bëri përjashtim. Sulmuesi 25-vjeçar ka treguar disa nga këto momente duke publikuar foto nga dhomat e zhvedhjes, me kuotën: –Nuk është njerëzore të luash në kushte, fushë, lartësi të tillë, asgjë të mirë! Sidoqoftë edhe pse në lartësinë e gati 4 mijë metrave mbi nivelin e detit yjet e Sambas u dukën sikur ishin në Copacabana, kur u përballën me Bolivinë, shpresat e të cilës për një kualifikim në Botëror kishin marrë fund, ndërkohë që brazilianët premtojnë spektakël në Botërorin e Rusisë!

Gjermania dhe Anglia, në Rusi

Gjermania dhe Anglia i bashkohen Belgjikës, duke e ngjitur kështu në tre numrin e përfaqësueseve të kualifikuara nga kontinenti i vjetër, për në botërorin e ardhshëm. Pak a shumë pritej nga të gjithë dhe çështja e kualifikimit për këto dy vende për në fazën finale të Rusi 2018 thjesht sa u shty për një muaj. Joachim Low i ka transformuar kampionët në fuqi deri në atë pikë sa pavarësisht se “die mannschaft” u prezantuan në Belfast me një formacion krejtësisht të transformuar Gjermania e zhbllokoi rezultatin në “Windsor Park” pas vetëm 77″, falë silurit të lëshuar nga mesfushori i Bajernit Sebastian Rudy. Ai realizoi në këtë mënyrë golin më të shpejtë për “panzer”-at, që nga viti 1985, kur Andreas Brehme shënonte që në minutën e parë për RFGJ ndaj Çekosllovakisë.
19 minuta më vonë Sandro Wagner gjeti golin e katërt në po kaq ndeshje me përfaqësuesen, ndërsa në 86′ Kimmich e çoi në tre numrin e golave. Gjermania është e vetmja skuadër që grumbullon 27 pikë pas 9 ndeshjeve të para, në këto eliminatore, ndërkaq për Irlandën e Veriut ngushtoi diferencën Magennis në sekondat e fundit të shtesës duke vulosur përfundimisht rezultatin 3-1. Bardhjeshilët janë të sigurtë në vendin e dytë të Grupit C, por në takimin përmbyllës të ditës së dielë ekipit të Michael O’Neill i nevojitet minimalisht një pikë për të garantuar pjesëmarrjen në fazën play off.
Biletën për në Rusi e prenotoi gjithashtu edhe skuadra e Gareth Southgate, me përfaqësuesen e Anglisë që siguroi kualifikimin e gjashtë radhazi për në finalet e një Kupe Bote. Pas rasteve të shumta të humbura dhe pritjeve të Jan Oblak goli përcaktues u shënua në 94′, kur Harry Kane u hap në maksimum për të devijuar drejt rrjetës krosimin e shkëlqyer të ish-shokut të tij te Tottenham Hotspur, Kyle Walker.
Një ndër ndeshjet më të forta u luajt në “Hampden Park”, në Grupin F, ku Skocia mundi minimalisht përfaqësuesen e Sllovakisë. Ndjeshëm influencoi dalja me kartonin e dytë të verdhë e lojtarit të PAOK-ut Robert Mak, që u nxor nga fusha nga gjyqtari serb Milorad Maziç për një simulim në zonën kundërshtare. Pas dy traversave në harkun e pesë minutave nga dyshja Martin-Griffiths ekipi i Gordon Strachan ia doli mbanë për të marrë 3 pikët, falë një autogoli në 89′ nga Martin Skrtel. Skocia për momentin pozicionohet në vendin e dytë me 17 pikë, 2 më tepër sesa Sllovakia, gjithsesi ditën e dielë Sllovakia pret Maltën, ndërsa ekipi i Strachan duhet patjetër të fitojë në Slloveni, pasi kombëtarja e Jan Kozak ka një bilanc më të mirë nga përballjet ndërmjet tyre.
Po për këtë grup Lituania e privoi Maltën nga fitorja e parë në shtëpi, në të gjithë historinë, përsa i përket ndeshjeve eliminatore të një kupe bote, kur Slivka barazoi golin e realizuar në pjesën e parë nga Agius. Në Grupin C u luajtën thjesht për statistika dy ndeshjet e tjera, ku Norvegjia e Lars Lagerback mundi thellë 8-0 modestët e San Marinos, takim ku tre gola u realizuan nga Elyounoussi dhe dy nga Joshua King, rezultat që e çon në plot 46 numrin e golave të pësuar nga përfaqësuesja sanmarineze, ndërsa në takimin tjetër Republika Çeke fitoi 3 pikë pa shumë vlerë brenda në Azerbajxhan.
Kopic zhbllokoi ndeshjen në pjesën e parë, Izmailov barazoi nga pika e bardhë në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa Barak i dha fitoren ekipit të tij 24′ para fundit. Në Grupin E Polonia shpartalloi 6-1 në Yerevan Armeninë, sidoqoftë “bardhekuqtë” duhet të presin edhe përballjen e ditës së dielë me Malin e Zi në shtëpi, ku iu mjafton një pikë, për të garantuar pjesëmarrjen në botërorin e ardhshëm. Robert Lewandowski u ngjit në kuotën 15 të golave, ndërsa në total ai arriti në 50 gola duke u bërë goleadori më i mirë në historinë e Polonisë.

Kryemadhi: Rama, koka e krimit të organizuar në vend

-Më thuaj tre arsye pse vendi po rrëshket në diktaturë?

Duke filluar nga mediat. Ka emisione që blihen dhe ndërpriten. Ka portale që blihen. E dyta, fjala e lirë në Parlament sot. Nuk i kushtonte asgjë kryetarit të Kuvendit që të mblidhte Konferencën e Kryetarëve dhe ta diskutonim sërish. Pavarësisht se Rregullorja e thotë se bëhet pa debat. Çfarë fitoi Gramoz Ruçi pse e përzuri Bashën? Ne jemi shumë të qartë në lëvizjet tona. Kushdo që të shkojë le të shkojë. Çështja e opozitës është çështje morali. Edhe militatizmi i hapur ose i egër njerëzve pranë kryeministrit për të eliminuar çdo lajm të keq, apo çdo mungesë informacioni, është një sinjal. Mos harroni para një jave iu hoq sinjali i TVSH-së. Më e tmerrshmja. Flet kryeministri në emër të drejtorit të TVSH-së. A është i pavarur? Asnjëri nuk shikon si u përdorën bandat dhe krimi i organizuar për të blerë votat.

-Si e shikoni gjendjen e shqiptarëve sot?
Shqiptarët janë gjithmonë e më keq. Mendo se çfarë do të ndodhë me vendosjen e TVSH-së për biznesin e vogël. Vetëm në qytetin e Tiranës 34 mijë biznese rrezikojnë të mbyllen. Dhe sikur nga një person të kenë të punësuar do të thotë 34 mijë njerëz që dalin në rrugë

-Cili është komenti yt për deklaratat e ambasadorit amerikan Donald Lu për krimin e organizuar dhe mafian?
Nuk dua t’i heq asnjë pikë dhe asnjë presje, dhe as të shtoj asnjë fjali asaj që tha Ambasadori Lu, edhe pse është pak e vonë, sepse ne, këtë deklaratë që thotë ambasadori, e kemi artikuluar prej gati dy vite më parë, përsa i përket ndërhyrjes ose lëvizjes së instrumenteve të Policisë nëpërmjet duarve të krimit. Pra, tashmë na janë kthyer kriminelët në policë dhe policët në kriminelë. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi pasur media, të cilat i kanë bërë reklamë policisë, për rripin e sigurimit në makinë, uniformave të policisë, qarkullimit rrugor, që është gjithashtu e rëndësishme, por e gjithë mbulonte dhe kamuflonte çdo kapje të strukturave të Policisë së Shtetit. Shpërthimi i tyre i jashtëzakonshëm ndodhi gjatë zgjedhjeve, ku kriminelët ushtronin presion në shtëpitë e njerëzve do të marrësh paratë apo plumbin dhe dy metra më tej, ishte makina e policisë që bënte presion psikologjik që mos merr guximin të denoncosh për këtë person që kërcënon. Nuk mund të them se me deklarata mund të luftosh krimin. Ambasadori tha se, paratë e krimit do të blejnë prokurorin dhe gjyqtarin, por unë them se edhe do ta vrasi prokurorin dhe gjyqtarin.

-Ti thua se ofensiva e krimit mund të shkojë deri në vrasjen e gjyqtarit dhe prokurorit?
Pse pak kanë vrarë. Pak janë vrarë njerëz. Nuk mund të marrim gjithë listën, por shumë njerëz janë vrarë dhe nuk gjendet arsye ose vrasësi. Unë shpresoj që Policia e Shtetit duhet të bëjë një ringritje, apo rilindje në qoftë se do të ketë dëshirën për ta bërë. Është skeptike si ide, por shpresa vdes e fundit. Duke pasur parasysh edhe ambasadorët kanë filluar të zgjohen, sepse krimi i organizuar shqiptar nuk diskuton më për të kontrolluar territoret e Shqipërisë, por diskuton për të kontrolluar territoret jashtë Shqipërisë, gjë që i ka bërë edhe ndërkombëtarët të zgjohen. Deri dje kur LSI e artikulonte çështjen e krimit, ndërkombëtarët nënqeshnin.

-Ju keni informacione se ka vullnet për të lëvizur drejtorin e Përgjithshëm të policisë?
Nuk mund të them se kam informacion, por them që atë vullnet pozitiv që kam parë se ai do të bëjë diçka, them se edhe mosreagimi i tij për deklaratat e ambasadorit, them se ai e pranon për mua situatën që është e tillë. Në momentin që nuk do të lëvizë kupola e policisë… Para ca ditësh pamë një drejtor policie që kishte një vit e gjysmë që kërkohej nga Interpoli dhe letra ishte fshehur dhe qëndronte në zyrat e policisë. Vetëm kjo mjafton për ta shkarkuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Nuk bëhet asnjë reagim.

-A do të arrini ju në opozitë ta ndërprisni këtë situatë?
Bien telefonat nga qelitë e burgjeve. Gjëra nga më monstruozet. Sot flasim për kanabis, nesër për droga të forta dhe pasnesër për terrorizëm. Pra është një situatë që do të vështirësohet çdo ditë e më shumë. Dhe nuk do të vështirësohet vetëm për qytetarët, por edhe për Ramën vetë, edhe për socialistët. Jam e bindur që këtë gjë do të bëjë, do të iki. Duhet të kemi një zgjim të ndërgjegjes kombëtare. Shqiptarët nëse zgjohen do ta rrëzojnë Ramën shumë shpejt.

-Ju besoni tek z. Basha apo i qëndroni deklaratave të z. Meta se ai gënjen edhe për orën?
Unë besoj tek z. Basha. Besoj tek ambicia që ka ai për të ardhur në pushtet. Nuk do të dëshiroja ta besoja kurrë se ai ia ka me hile vetes së tij. Pavarësisht se mungesa e eksperiencës në politikë në marrëveshjen me Edi Ramën e bëri që të krijonte probleme për veten e tij në zgjedhjet që kaluan. Unë mendoj se ai është në të njëjtin pozicion siç ishte Ilir Meta në vitin 2007, kur Edi Rama e përdori LSI-në për të marrë mandatin dhe pastaj bëri ato ndryshimet kushtetuese.

-Ju keni një bashkëpunim me pushtetin lokal, ju nuk jeni opozitë totale jeni opozitë e pjesshme…
Po mirë do leme njerëzit pa bukë, pa ujë, pa rrugë neve? Ky është ndryshimi mes opozitës së vërtetë, sepse ti nuk mund t’i thuash jo çdo gjëjë që bën Edi Rama, se Edi Rama mund të bëjë edhe ndonjë gjë të mirë.

-Atëhere thuajani shqiptarëve që do bëni një opozitë tjetër
Po e kemi thënë, opozitë ndryshe nga ajo ça ka parë. Shqiptarët kanë parë një opozitë që shan, rrihet, vriten me njëri-tjetrin dhe nuk shikojnë asnjë alternativë. Kemi parë që shahen për buxhetin e shtetit, por nuk kemi parë buxhet alternative.
Situata është shumë e vështirë. Çështja është tek ne. Çfarë do të prodhojmë ne. Nuk mund të merremi me cicmice me njëri-tjetrin. Ka vetëm një zgjidhje: Front opozitar kundër krimit të organizuar.

-Edhe Ramën e keni në këtë front?
Edi Rama është koka e krimit në Shqipëri. Donald Lu vetëm një gabim bëri. Nuk tha emrin e kryemafiozit shqiptar që është Edi Rama.

Tabaku: Sot çdo ditë mbyllen 40 biznese. Po nesër ç’do ndodhë?

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar dje në lidhje me vendimin e qeverisë për rritjen e taksave ndaj biznesit të vogël. Tabaku paralajmëron rëndimin e situatës për bizneset e vogla, e cila sipas saj do të çojë në mbylljen dhe falimentin e tyre. “‘Fuqia për të taksuar është fuqia për të shkatërruar’ kush më mirë se sa qeveria Rama 1 dhe Rama 2 mund ta zbatonin këtë aforizëm të John Marshall? Mbasi rritën me 1,5 mld USD taksat në ekonomi, mbasi rritën me 10 herë tarifat lokale për biznesin e vogël, këtë vit po planifikojnë të vendosin TVSH për biznesin e vogël. Si rezultat i kësaj 98% e bizneseve në vend do të kenë produkte më të shtrenjta dhe më pak fitime. 100 000 biznese nga janari do të detyrohen të mbijetojnë. Sot çdo ditë mbyllen 40 biznese. Po nesër ç’do të ndodhë? Po shkatërrojnë çdo të ardhur të qytetarëve dhe çdo biznes duke i ngarkuar me taksa të rënda që duhet të shlyejnë borxhet e qeverisë për koncesionet e miqve! Kush e ka radhën pas biznesit të vogël?”, shprehet Tabaku. Biznesi i vogël do të taksohet dhe do të paguajë 20% të TVSH-së. Ky është vendimi i fundit i Ramës, i cili paralajmëron një rritje të fortë taksash vitin e ardhshëm, duke nisur nga taksa për biznesin e vogël. Një tjetër taksë që do të nisë eksperimentimin për shqiptarët është ajo për pronën. Taksa do të nisë të eksperimentohet në Tiranë dhe më pas në të gjithë Shqipërinë. Barra e taksave do të vijë duke u rritur për shkak të borxheve të larta që qeveria Rama ka marrë në katër vitet e para të qeverisjes. Shlyerja e këtyre taksave do të rëndojë mbi qytetarët, të cilët duhet të paguajnë për shpenzimet e luksit të Ramës dhe për koncesionet e klientelës së tij. Shqiptarët duhet të paguajnë shtrenjtë haremin politik të Ramës, ku paratë nuk shkojnë për investime publike, por për koncesione për Vilmat e qeverisë dhe tenderat për klientelën e Ramës, pas të cilës fshihen edhe banda ndër më të rrezikshmet në vend.