24.5 C
Tirana
E martë, 17 Qershor, 2025

Torturë dhe shkelje e të drejtave të njeriut në burgjet shqiptare

Komiteti Shqiptar i Helsinkit denoncoi dje publikisht rastin e abuzimit fizik të një të burgosuri në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin. Më 30 shtator, gjatë një kontrolli që synonte gjetjen e sendeve të ndaluara, rojet e burgut kishin hyrë në qelinë nr. 12, duke i kërkuar të burgosurit V.G. nëse ai mbante ndonjë send të ndaluar. Pas reagimit negativ, V.G. pretendoi se ai ishte rrahur vazhdimisht me shkopinj gome nga rojet. Sipas deklaratës së Komitetit të Helsinkit: “Eksperti mjeko-ligjor në përbërje të grupit të KSHH, pas ekzaminimit fizik të të dënuarit konstatoi katër ekimoza në shpinë dhe një në këmbën e djathtë sipër gjurit me gjatësi nga 5-15 cm, si dhe një hematomë në bark, majtas, me gjatësi rreth 10 cm, me ngjyrë mavi dhe të kuqërremtë të theksuar. Dëmtimet e mësipërme ishin lehtësisht të dukshme dhe të freskëta”. Më 3 tetor, KSHH-ja publikoi një raport tronditës lidhur me zbatimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor, konventë në të cilën Shqipëria bën pjesë. Raporti është shumë kritik ndaj standardeve ligjore në Shqipëri sa i përket hetimit dhe dënimit të torturës, si në rastin e mësipërm. Raporti vë në dukje disa mospërputhje mes Kodit Penal Shqiptar dhe legjislacionit ndërkombëtar se çfarë konsiderohet “torturë” ndaj qenieve njerëzore. Ndërsa Kodi Penal Shqiptar njeh vetëm si “torturë” dhunën e ushtruar nga një nëpunës i shtetit, dhe nuk përfshin torturën e ushtruar nga qytetarë të rregullt, edhe pse disa raste të torturës në mjedise kriminale, si për shembull burgjet, të raportuara në vitet e fundit kanë qenë mes të dënuarve. Për më tepër, neni i Kodit Penal mbi Torturën përfshin gjithashtu trajtimin çnjerëzor dhe degradues, nene që nuk zbatohen kurrë nga gjyqësori.

Korrupsioni në shëndetësi, KLSH dhe USAID do bëjnë transparencën

Në datën 3 tetor 2017, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, zoti Bujar Leskaj nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit për implementimin e projektit “Transparenca në Sistemin Shëndetësor” në Shqipëri. Ky projekt është financim i USAID-it dhe do të implementohet nga Universiteti Research CO., LLC dhe nga KLSH. Marrëveshja u nënshkrua nga zj.Darcie Nielsen, drejtuese e Projektit dhe nga zj. Catherine Johnson, drejtore e USAID-t për Shqipërinë.
Projekti i USAID-it “Transparenca në Sistemin Shëndetësor” është një projekt dyvjeçar (mars 2017 – mars 2019) dhe ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët shqiptarë me fokus luftën ndaj korrupsionit, përmirësimin e transparencës për funksionet qeveritare dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të pavarura qeveritare, organizatave të shoqërisë civile (OSHC) dhe medias për të kërkuar një qeverisje më të përgjegjshme në sektorin shëndetësor. Projekti do të punojë për të forcuar aftësitë e tre institucioneve mbikëqyrëse të pavarura shqiptare: Kontrolli i Lartë i Shtetit, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Parandalimit të Konfliktit të Interesit dhe Avokati i Popullit. Projekti synon gjithashtu të përmirësojë koordinimin ndër-institucional dhe të rrisë bashkëpunimin me Shoqërinë Civile dhe median për të rritur ndërgjegjësimin rreth shkallës së korrupsionit në sistemin shëndetësor dhe trysninë për reforma për rritjen e transparencës.
Zj.Darcie Nielsen, drejtuese e Projektit dhe zj. Catherine Johnson, drejtore e USAID-t për Shqipërinë vlerësuan maksimalisht punën e KLSH, ILDKPKI dhe të Avokatit të Popullit në drejtim të mirë-menaxhimit të parasë publike, luftës kundër korrupsionit dhe përmirësimit të kapaciteteve për të investiguar, referuar dhe zgjidhur ankesat e qytetarëve, veçanërisht për denoncimin e korrupsionit.
Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj në fjalën e tij vlerësoi bashkëpunimin me USAID-in dhe kontributin e kësaj Agjencie, në emër të popullit dhe qeverisë amerikane, për mbi një çerek shekulli aktivitet në Shqipëri, i cili ka qenë sa unikal aq edhe i rëndësishëm.
Një dimension tjetër themelor i projektit të USAID-it “Transparenca në Sistemin Shëndetësor” është lufta kundër korrupsionit në sistemin e shëndetësisë dhe mendojmë se modestisht KLSH mund të kontribuojë në këtë objektiv të Projektit.
Më tej z.Leskaj theksoi : “…KLSH do të bëjë më të mirën për suksesin e këtij Projekti të USAID-it, duke dedikuar staf të përgatitur dhe potencialet e standardet tona. Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që në kërkimin e llogarisë ndaj administratës shtetërore, krahas nesh, institucioneve të pavarura me punën dhe treguesit tanë, krahas Shoqërisë Civile të angazhuar dhe medias, të jetë një institucion prestigjioz në Shqipëri dhe kudo në botë, si USAID-i”.
Ne besojmë fort se, qeverisja e përgjegjshme në sektorin e shëndetësisë, si kudo në shërbimet publike dhe në administrimin e parave të taksapaguesve shqiptarë, mund të sigurohet vetëm nga një bashkëpunim i sinqertë i qeverisë dhe ministrisë përkatëse, duke pranuar kontributin e institucioneve të pavarura, të Shoqërisë Civile, te medias dhe të donatorëve e partnerëve tanë- përfundoi z.Leskaj.
Më pas zj. Darcie Nielsen bëri një prezantim të projektit (gjatë të cilit pati edhe diskutime dhe pyetje nga të pranishmit), të cilin e përfundoi me një thënie të zj.Margaret Chase Smith (politikane e njohur në SHBA, ndarë nga jeta në vitin 1995) “Shërbimi ndaj publikut duhet të jetë më shumë sesa të bësh një punë me ndershmëri dhe eficiencë. Duhet të jetë një përkushtim i plotë ndaj njerëzve dhe kombit”.

Pse sulmohet biznesi i vogël?

Jualian SARAÇI

Një ditë po lexoja një libër që fliste për ndikimin e fuqishëm që ka patur biznesi i vogël në zhvillimin e qytetërimeve. Biznesi i vogël, gjithmonë dhe kudo i ka dhënë shtetit dhe shteti nuk i ka dhënë aq sa duhet biznesit të vogël. Sot, duan t’i marrin akoma më tepër nëpërmjet përfshirjes së padrejtë në TVSH, pavarësisht nivelit të xhiros. Po pse bëhet e gjithë kjo? Ja u them unë pse. Dy janë arsyet: urdhëri i FMN për të rritur të ardhurat në buxhet dhe eliminimi, falimentimi i biznesit të vogël në dobi të bizneve të mëdha. E para është kusht, e dyta është alibi. As e para dhe as e dyta nuk përdoren për motiv, pasi e para nuk duhet të bëhet publike dhe e dyta nuk është një akt normal dhe ligjor. Përdoret një argument i tretë: Për të formalizuar ekonominë dhe për të vendosur konkurrencën e plotë të tregut të lirë. Le t’i analizojmë pak fjalitë më sipër.
Padyshim, Shqipëria është një vend me marrëveshje tregtare ndërkombëtare dhe që aspiron të hyj në BE, një bllok i cili ka kërkesat e veta për të pranuar anëtarë të rinj. Në aspektin e ekonomisë është ulja e korrupsionit, konkurrenca e pastër dhe rritja e të ardhurave që mbledh qeveria. Po, janë normale! Mirëpo, problemi është çfarë metodash përdoren për t’a arritur këtë. Unë nuk jam për një vend kaotik, ku mbizotëron ligji i rrumpallës dhe secili bën atë që do. Unë jam për drejtësi të plotë, me një standard dhe gjithëpërfshirësë. Çfarë dua të them me këtë ?
Problemi i ekonomisë dhe evazionit fiskal nuk nis me shitësit me pakicë, që shumica janë biznes i vogël. Evazioni fiskal lind dhe rritet nga dogana, nga bizneset të ashtuquajtura VIPA dhe nga bizneset miliarda dollarëshe, kapitale e të cilave nuk justifikohen kurrë! Biznesi i vogël formalizohet i fundit, pasi i gjithë zinxhiri ekonomik është formalizuar. Të përdorësh biznesin e vogël si alibi për të formalizuar ekonominë është vepër dashakeqe, e cila mund të zbatohet vetëm nga një mendje e sëmurë. Para se t’a them këtë, ju lutem nuk dua të keqkuptohem sikur po jam me njërën parti apo me tjetrën. Unë jam kundra politikës, pasi asnjë parti nuk ka një identitet, një filozofi që e ndjek, por janë shndërruar në biznese, ku mbizotëron ligji i interesit dhe lobimit.
Të përdorësh si alibi mbijetesën, kur mund të shkurtosh miliardat e VIPA-ve, do të thotë ose ti je i përfshirë dhe i ke bizneset e tua, ose nuk ke këllqe për t’a bërë këtë, nisur nga influencat ekonomike apo kriminale, fenomen i cili ka sjellë në pushtet shumë vemje që nuk e meritojnë të jenë në ato poste që kanë.
Dhe kush mendon që shteti nuk i di apo nuk ka mundësi të zbulojë dhe ndalojë evazion gjigant të bizneseve të mëdha që e kalojnë 8 milionshin apo “bizneseve të mëdha” që janë nën 5 milionë? Unë besoj që po mundet, mendoj që ne nuk kemi probleme te ligjet apo te praktikat shtetërore. Ne çalojmë te zbatimi në terren, pasi pronari VIP, kur i kapen shkelje, e zgjidhin ose duke marrë në telefon direkt pushtetarin me të cilën është lidhur, ose duke dhënë ryshfete inspektorëve përkatës. Kujtojmë, që nuk mund të flitet për një konkurrencë të pastër, kur informaliteti është në qiell dhe indeksi i korrupsionit është mbi 80%.
Një tjetër fenomen është përligjja e kriminelit më të rëndomtë, e injorantit më të madh si një biznesmen. Pra, pastrohen paratë me anë të politikës, duke i transformuar përdhunuesit, trafikantët e njerëzve dhe të drogës, vrasësit dhe kriminelët e çdo forme në njerëz me influencë ekonomike, një biznesmen me kollare dhe në parametra të rregullt ligjor. Një familje normale kursen dhe investon 5000-20000 euro, ndoshta edhe pak më tepër, një kriminel vret dhe trafikon miliona euro dhe investon në biznes. A nuk e deformon konkurrencën e tregut kjo? A nuk ndikon në politikëbërje dhe në kthimin e politikës në shitore, ku krimineli blen legjitimitetin e tij me para dhe politika shet moralin, ligjin dhe të drejtën, duke përfituar më shumë vota dhe disa miliona para në formë nderi dhe ryshfeti? A është normale kjo? A nuk duhet filluar sulmi kundër evazionit fiskal nga këto grupe? Po, por këto nuk munden se këto kriminelë janë këmbët e karriges së pushtetit të tyre, pa to karrigia thyhet dhe këto bien nga pushteti.
Të ardhurat publike në Shqipëri janë diku 24-27% të GDP totale, para pak vitesh që është e dhënë e verifikuar kanë qenë 366 miliardë lekë, nga të cilat 36-38% vijnë nga TVSH. Pra, është tatimi më i rëndësishëm. Pjesa tjetër plotësohet nga akciza 13-14%, TAP 8%, tatimi mbi fitimin 5-6%, të ardhura nga pushteti vendor 3-4%, kontributet 19%, dhe diferenca me të ardhura jotatimore si psh studentët apo fitimi i BSH. Nga të gjitha këto, ndikimi i biznesit të vogël i llogaritur është më pak se 5%! E kuptoni çfarë do të thotë kjo? Që duan të nxjerrin dhjam nga pleshti! Të godasësh biznesin e vogël do të thotë të luftosh bukën e përditshme në familjet e mesme dhe të nxjerrësh nga tregu 98% teorikisht jashtë loje, në favor të 2% që janë miq me deputetët dhe ministrat.
Ky kategorizim i niveleve të bizneseve 0-5-8 milionë është që nga koha e Fatos Nanos, këtu dhe para 10 vitesh. Inflacioni në Shqipëri ka qenë i moderuar në nivelin 3%, pra 30% të paktën (pa përfshirë rritjet e tjera si psh taksa) është rritur niveli i çmimeve, indirekt edhe xhiro. Kufiri nuk ka ndryshuar. A nuk është e padrejtë kjo? A është e drejtë që TEG, QTU, SPAR dhe bizneset miliarda dollarëshe të paguajnë tatim fitim dhe tvsh, njësoj si një market lagje, kafe lagje apo një biznes familjar që thjesht ushqen familjen me bukë? Pasi të dy e kalojnë 8 milionshin si kufi, i bie gati 22’000 në ditë xhiro, ose thënë ndryshe 100 kafe dhe 50 kanoçe në lokal gjatë gjithë ditës.
Një aspekt tjetër me rëndësi janë kostot shtesë për biznesin e vogël. Së paku, do paguajnë më shumë për pagën e ekonomistit që do merret me TVSH dhe do rritet kosto e mallit. Kjo gjë do reflektohet ose te çmimi i rritur me të paktën 20%, ose do mbartet si kosto në kurriz të fitimit të tyre të pakët. Nëse rrisin çmimet, do i ulen klientët dhe indirekt do kemi rritje të xhiros të biznesit që janë aktualisht skemë e tvsh, pra bizneseve të mëdha. Do kemi një riorientim të të ardhurave nga mbijetesa drejt miliardave dhe një rritje të thelluar të pabarazisë në shpërndarjen e të ardhurave. Kjo nuk është konkurrencë, as kapitalizëm, kjo është diktaturë dhe ndërhyrje e shtetit dhunshëm në dëm të një grupi të pambrojtur ekonomisht dhe në dobi të kanakarëve që lobojnë fuqishëm në politikë.
Supozojmë që ndodhi dhe kaloi në Parlament. Çfarë do ndodh? Një pjesë e bizneseve do falimentojnë, do kemi të papunë. A i ka fuqitë shteti, a i ka mekanizmat e nevojshëm për të hedhur këto të papunë në treg? Jo, nuk i ka, edhe sikur t’i ketë, pjesa më e madhe e tyre janë të vjetër dhe pa ndonjë profesion real. Nga ana tjetër, papunësia do sjellë ulje të konsumit. Në afatshkurtër, nuk do ndihet shumë, por në afatgjatë, kjo ulje e konsumit do ndikojë në shkurtimeve të biznesit në përgjithësi dhe në mungesë investimesh. Kjo përkthehet në më pak taksa dhe tatime në shtet, rrjedhimisht më pak shpenzime qeveritare. Me pak fjalë, një sakatim i ekonomisë në afatgjatë.
Për t’a mbyllur, kryeministër, unë nuk jam kundër deklaratës tuaj qesharake që thoni: “Të gjithë do bëheni subjekte të TVSH, por tatimet nuk do rriten”. Unë nuk jam kundër formalizimit apo drejtësisë, por nuk kam si të jem pro drejtësisë fragmentare apo formalizimit, duke sakatuar të varfërit dhe bosat e vipave dhe doganës të hedhin valle se u shtohen miliardat. Problemi zgjidhet nga gropa, jo nga maja, nga ato që deformojnë ekonominë, jo nga ato që thjesht hanë bukë dhe jetojnë.
Po e mbyll me një shprehje të Jean Baptiste Colbert, ekonomist në kohën e Luigjit të Francës: “Arti i taksimit ngjan me shpupulimin e vazhdueshëm të rosave për të mbledhur sa më shumë pupla, por me sa më pak fërshëllima”.
Miqtë e mi, kush më mirë sesa familjet e mesme dhe të varfëra, ato që vuajtën në tranzicion thjesht për të ngrënë bukë, ato që nuk kanë institucion që t’i mbrojë, ato që nuk kanë një sindikatë që t’i mbrojë, ato që mbijetojnë dhe ato që kanë më pak dije rreth taksimit dhe ekonomisë, kush më mirë se t’a mund të jetë pre dhe alibi për të përfituar oligarkët e mëdhenj të krimit, politikës dhe biznesit të madh?!

Krimi i organizuar dhe kërkesa e Lu për qeverinë

“Basler Zeitung”

Donald Lu është ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Por, kjo nuk është e gjitha: zotëria është gjithashtu gjahtari më i lartë i mafies në vendin ballkanik.
Një diplomat duhet që taktikisht të heshtë, kur të gjithë presin që ai të flasë me një tekst të qartë. Ata shpesh duhet të thonë, atë që nuk mendojnë. Dhe kështu me radhë. Diplomatët e shkollës së vjetër e njohin këtë rregull. Donald Lu ngre zërin. Si për shembull këtë javë. Ambasadori amerikan në Shqipëri mbajti një fjalim para gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ai foli plot energji, aspak në mënyrë diplomatike, me shumë gjeste.
Qeveria shqiptare duhet t’i shpallte qartësisht luftë kriminalitetit të organizuar, kërkon Lu. Koha ka ardhur për të arrestuar “peshqit e mëdhenj”. Vendi i tij mikpritës ndodhet i asfiksuar nga trafikantët e drogës dhe pastruesit e parave.
Atëherë duhet që diplomati të jetë më konkret. Katër klane mafioze kontrollojnë Shqipërinë sot. Lu përmendi me emër tre mbretër të botës së nëndheshme të krimit, të cilët shumë herë e kishin korruptuar drejtësinë shqiptare dhe ata janë: Emiljano Shullazi, Lul Berisha dhe Klement Balili. Çdo shqiptar i njeh emrat e tyre, mediat raportojnë karrierën e tyre si keqbërës, dhe politikanët hidhen kundër njëri-tjetrit për lidhjen me mafien. Është një spektakël pa fund për keqbërësit.

Baronët e drogës fitojnë miliarda

Shqipëria, vendi i vogël në Adriatik, është bërë gjatë viteve të fundit një nga prodhuesit më të mëdhenj botëror të kanabisit. Baronët e drogës fitojnë miliarda. Me para, ata mund të blejnë parlamentarë, prokurorë dhe policë. Kryeministri socialist, Edi Rama, tashmë i zgjedhur për një mandat të dytë, flet në mënyrë teatrale, qeveria e tij do të fitojë luftën kundër industrisë ilegale të kanabisit.
Për ambasadorin amerikan janë fraza bosh. Gjatë vitit të kaluar në Shqipëri u ndaluan 1349 persona në lidhje me tregtinë e drogës, por vetëm 100 prej tyre dolën para Gjykatës. Kështu nuk gjendet asnjë bos i mafias, kështu foli Lu gjatë fjalës së tij përpara gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj në kryeqytetin Tiranë. Ai e di se, qortimet e tij të shpeshta i trazojnë shumë politikanë në Shqipëri. Megjithatë, asnjë nuk ka guximin që, ta kundërshtojë amerikanin, edhe pse ai shpesh thotë të vërteta të pakëndshme.
Për publikun e gjerë vepron Donald Lu si një “Superalbaner” (Supershqiptar), i cili kujdeset më shumë për të ardhmen e vendit sesa frazat boshe të politikës vendase. Ai tregon me gisht zyrtarët e korruptuar, sulmon Prokurorin e Përgjithshëm, pasi ai saboton Reformën në Drejtësi, dhe ai inkurajon qytetarët, që t’i kërkojnë llogari qeveritarëve. Lu bubullin kundër vilave të shtrenjta të politikanëve, makinave të tyre luksoze dhe pushimeve jashtë shtetit. Nëse një gjykatës do që të heshtin gazetarët dhe t’u mbyllin gojën atyre, vetëm se ata, dëshirojnë të dinë, sesi është bërë pasuria e tyre, atëherë Dajë Lu është aty: “Beteja juaj është beteja jonë”, thotë diplomati – dhe reporterët e çojnë më tej punën e tyre.
Para se Lu të vinte në Tiranë në fund të vitit 2014, ai iu drejtua shqiptarëve me një videomesazh. Ai foli me një shqipe të rrjedhshme dhe fitoi zemrat e shumë njerëzve. Më në fund, dikush i mori shqetësimet e tij seriozisht, më në fund doli dikush që nuk e lë të qetë politikanët lokalë. Shumë shqiptarë mendojnë për Donald Lu, i cili pëlqen të bëhet personal në shfaqjet e tij. Si një fëmijë emigrant, ai i detyrohej shumë babait të tij. Ai kishte emigruar nga Kina dhe i kishte mundësuar familjen së tij që me punë të vështirë të përmbushte ëndrrën amerikane.

“Atëherë, ti je i korruptuar”

Tani ai po lufton, që ëndrra e tij shqiptare të bëhet e vërtetë: një shtet funksional që, një ditë të largët të bashkohet me BE. Lu ka triumfuar kundër rezistencës e shumicës së politikanëve, për të kaluar Reformën për Drejtësi në Parlament, por tani ai duhet të jetë i kujdesshëm që ajo të zbatohet. Qëllimi i reformës është që të shqyrtojë rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë për integritetin e tyre moral, kualifikimet profesionale dhe të vërtetojë kontaktet e tyre me botën e nëndheshme. Para fillimit të procedurës, disa oficerë gjyqësorë dhanë dorëheqjen. Sipas një studimi, pasuritë e 81 gjyqtarëve nga Gjykata e Apelit janë pesëfishuar që nga viti 2004.
Të tilla gjyqtarë ka Lu para sysh, kur ai tha në një takim: “Në qoftë se ju mbani një orë në dorë, e cila është më e shtrenjtë se limuzina ime zyrtare, atëherë ju jeni të korruptuar”. Për mbledhjen tjetër, zëdhënësit e drejtësisë erdhën pa aksesorët e tyre luksozë. Për Lu nuk ka arsye për t’u çlodhur. Ai sheh dekriminalizimin e drejtësisë dhe të politikës si detyrën e tij më të rëndësishme në Shqipëri.

Berisha: FMN të mos largohet, thasët me narko-euro në ekonomi

Ish-Kryeministri Berisha ka kritikuar ashpër dje vendimin skandaloz të Ramës për të larguar nga vendi misionin e FMN, ndërsa ka kërkuar nga opozita marrjen e masave konkrete në Parlament për të mos lejuar këtë akt aventuresk të Ramës. “FMN nuk duhet të largohet, opozita shpresoj të marrë masa të forta në këtë drejtim dhe Parlamenti duhet të ketë një të drejtë të flasë, sepse është ai që ka miratuar marrëveshjen dhe është Parlamenti që duhet të flasë, nëse FMN duhet apo nuk duhet të qëndrojë”, u shpreh Berisha në një prononcim për “AbcNews”.
Ish-Kryeministri shprehu shqetësimin për rritjen e shpejtë të borxhit publik, ndërsa paralajmëroi se bashkë me koncesionet që Rama parashikon niveli i tij do të arrijë deri në 85%.
“Unë gjykoj se largimi i FMN pa një marrëveshje dhe pa një vendim Parlamenti është një akt aventuresk i Edi Ramës, që, të jemi realistë, nuk ka haber nga ekonomia, por dhe atij ekipi që është po aq i dobët sa ai vetë.
FMN për mendimin tim ishte dhe është i domosdoshëm, sepse ekonomia shqiptare ka sot si shpatë demokleu borxhin publik. Edi Rama, në një akt absurd rriti borxhin nga 62.4% në 76%. Dhe e vërteta është që, me operacionet e tij, me nismat e tij të dy viteve të fundit borxhi sipas FMN me chekun 1 miliard rritet edhe 7 pikë më shumë, pra arrin në 80%. Por e vërteta është që do të shtohen këtu edhe borxhi i koncesioneve dhe në mënyrë absolute borxhi shkon në 83-85%”, tha ish-Kryeministri.
Ish-Kryeministri iu referuar pikërisht shqetësimit të ngritur nga FMN për projektin 1 miliard euro koncensione, të cilat do të krijojnë një gropë të thellë në ekonomi për shkak të rritjes së borxhit.
“Cilido që ka nocionet më elementare të ekonomisë. Le të marrë të lexojë standardin ndërkombëtar të borxhit dhe detyrimit sipas IBSA 32. IBSA 32 është standardi ndërkombëtar i llogarive të qeverisë. E qartë e pa asnjë ekuivok, që çdo garanci qeveritare është borxh dhe vetëm borxh, dhe se partneritetet publike private përdoren nga ato qeveri, të cilat kanë rritur në qiell borxhin dhe tani, për të mashtruar qytetarët, gjejnë një formë tjetër të tipit ‘merr borxh se t’i garantoj unë’.
Kaq duhet që e tërë ajo sasi borxhi të jetë borxh i qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe Fondi e saktësoi këtë problem, që vetëm 1 miliardëshi që presupozon me partneritet publik privat, rrit borxhin me 7 pikë. Por, po sipas këtyre standardeve, po kaq e rrisin edhe koncesionet nëse koncesionari është i detyruar të paguajë në vite sasi të caktuar atij që i ka dhënë koncesionin, pra qeveria. Kështu që po të llogarisim këto të dyja borxhi shkon 85%”, tha Berisha.
Ai paralajmëroi se ekonomia është në ditët më të zeza të saj ku paratë e narko-trafikut po shkatërrojnë bizneset dhe gjithë ekonominë e vendit gjithashtu.
“Një borxh 85% është një gur shumë i rëndë në qafën e ekonomisë shqiptare. Edi Rama verbërish mendon se mund të zëvendësojë kreditë e FMN me paratë e kanabisit. Krejtësish e kundërta ndodh. Kreditë e FMN jepen dhe shfrytëzohen mbi bazën e një kontrolli ligjor rigoroz, të cilat jo vetëm që nuk dëmtojnë ekonominë, por përkundrazi nxisin rritjen.
Kurse paratë e kanabisit janë para që vrasin çdo minutë, çdo orë e çdo ditë konkurrencën në tregun e lirë në këtë vend.
Kjo pra, nënkupton një shkatërrim të bizneseve të ndershme, shkatërrim të krahut solid të ekonomisë që mbahet me pagesat e taksave e me rregulla, sepse tani hynë thasët e narko-eurove dhe narko-lekëve dhe ata janë në gjendje të falimentojnë çdo biznes që i vënë vetes qëllim”, paralajmëroi Berisha.

Paratë e drogës po ndikojnë çmimet e ndërtimit

I pyetur në lidhje me deklaratat e Ramës për rritje ekonomike 4%, Berisha tha se kjo shifër është produkt i pasionit të Ramës për krijimin e realiteteve që nuk ekzistojnë. “Edi Rama karakterizohet më shumë se kushdo tjetër të krijojë realitete që nuk ekzistojnë. Ai e ka këtë, e ka jo dhunti, por si të thuash pasionin më të çmendur të tij. Asgjë s’di ai se ç’është rritja ekonomike. Ai beson dhe ka dëgjuar që do të hyjnë paratë e drogës dhe faktikish ato kanë filluar të hyjnë dhe po kërcejnë çmimet e ndërtimit, çka do të thotë disa qindra milionë euro më shumë në xhepat e ndërtuesve, por dhe një fatkeqësi shumë e madhe tek ata që duan të strehohen dhe që nuk përballojnë dot çmimet e reja. Një tregues tronditës doli këtë vit. Shqipëria ishte vendi i katërt në botë sipas OXFAM për thellimin e llahtarshëm të pabarazisë në shoqërinë shqiptare. Droga do ta çojë këtë në stratosferë. Faktikisht do ta bëj këtë vend të pajetueshëm po të vazhdohet në këtë mënyrë”, theksoi Berisha.

Intervistoi: Merita HAKLAJ

Basha: Rama të tregojë sa taksa paguajnë oligarkët, po zhvat njerëzit e thjeshtë

Në vend që të kërcënojë sipërmarrësit e vegjël që punojnë sa për të mbajtur gjallë familjet e tyre, Edi Rama duhet t’u bëjë të ditur shqiptarëve sa para u ka dhënë nga buxheti i shtetit oligarkëve këto katër vite: oligarkët e shëndetësisë e të ilaçeve, oligarkët e ndërtimit, oligarkët e koncesioneve, oligarkët e naftës dhe të telekomunikacionit.
Pastaj t’u tregojë shqiptarëve edhe sa taksa kanë paguar këta oligarkë në buxhetin e shtetit.
Por ai nuk i tregon dot këto fakte, sepse ato zbulojnë një të vërtetë kriminale: zhvatjen e pamëshirshme të njerëzve të thjeshtë për pasurimin e Edi Ramës dhe klientëve të tij.

Ambasadori italian Cutillo: Luftoni krimin e organizuar, dënoni autorët

Pas reagimit të fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe Italia ashpërson tonet ndaj qeverisë shqiptare, ndërsa kërkon luftë konkrete me rezultate kundër krimit të organizuar dhe vënien para drejtësisë të krerëve të bandave kriminale dhe trafikantët e drogës.
Lufta kundër krimit, drejtësia dhe rëndësia e arrestimit të autorëve ka qenë në fokus të fjalës së ambasadorit italian Alberto Cutillo, i cili sikurse ambasadori amerikan Lu ishte i ashpër në fjalën e tij, duke kërkuar më shumë veprim në luftën kundër krimit të organizuar.
Në një kohë kur Shqipëria është shndërruar në një ndër vendet më të pasigurtë të Europës për shkak të rritjes së nivelit të krimit, pushtetit të tij si dhe trafikut të drogës, vëmendja e ndërkombëtarëve dhe shqetësimi i tyre ndaj Shqipërisë është rritur ndjeshëm.
Ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo, gjatë një takimi në Korçë u shpreh se, Shqipëria duhet të bëjë më tepër për të luftuar grupet e mëdha kriminale. Më tej, Cutillo shtoi se është e rëndësishme që të gjithë përgjegjësit, pasi të kapen të dënohen çka në fakt sipas tij ende nuk ka ndodhur.
“Italia dhe Shqipëria po bashkëpunojnë prej vitesh në luftën kundër krimit të organizuar. Krimi nuk është fenomen shqiptar, por botëror. Kemi pasur rezultate në luftën kundër kanabisit. Por Shqipëria duhet të bëjë më tepër, sidomos për të luftuar grupet e mëdha kriminale. E rëndësishme është, që kur të kapen përgjegjësit, të dënohen, gjë që në fakt, deri tani nuk ka ndodhur”, u shpreh ambasadori.
Diplomati vlerësoi se, Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër krimit të organizuar, por sipas tij disa vende kërkojnë që të bëhet më tepër. Ai theksoi se, askush nuk duhet të mbetet pa u ndëshkuar dhe se kushdo që bën krim duhet të shkojë para drejtësisë.
Edhe njëherë Cutillo vlerësoi se, Shqipëria e di mjaft mirë që për të hapur negociatat duhet të plotësojë 5 kushte, një prej të cilëve është lufta kundër krimit të organizuar. Sa i përket ecurisë së vetingut, diplomati italian u shpreh besimplotë se do të sjellë rezultate.
Deklaratat e forta të diplomatit italian vijnë vetëm pak ditë, pasi ndihmës/Sekretari Amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Wess Mitchell lëshoi një paralajmërim të fortë ndaj të gjithë krerëve të qeverive të Ballkanit përfshirë edhe Shqipërinë, ndërsa i ka akuzuar drejtpërdrejtë ato për korrupsion dhe autoritarizëm.
Ky mesazh i fortë i Mitchell dëshmoi për rëndësinë që Presidenti Donald Trump i jep situatës në Ballkanin Perëndimor si dhe në Shqipëri gjithashtu.
Por nga ana tjetër, në të njëjtën kohë në Shqipëri ambasadori Lu, i kërkoi publikisht nga qeveria aktuale të reagojë ndaj 4 klaneve dhe 20 familjeve që kontrollojnë trafikun e drogës dhe të dënohen peshqit e mëdhenj që po pengojnë vettingun.
Por krahas kësaj, një deklaratë tjetër të fortë Lu e përcolli pak ditë më parë edhe ndaj të rinjve shqiptarë, ku i ftoi ata të ngrihen në rrëzimin e qeverisë, në rast se kjo e fundit nuk përmbush kërkesat e tyre legjitime për të jetuar si çdo qytetar europian.
Është hera e parë që faktorët ndërkombëtarë po flasin me tone të tilla në lidhje ndaj nevojës për luftën kundër krimit të organizuar. Shqetësimi i tyre dëshmon se sot krimi i organizuar është i veshur me pushtet dhe është i imunizuar nga ligji apo forcat policore që duhet ta luftojnë.

Dhëndri i Sejdinit nuk pranon të flasë pa avokatin e Ramës!

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në pyetje ditën e djeshme dhëndrin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Sokol Sanxhaktari. Sipas burimeve, dhëndri i kreut të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, është marrë në pyetje nga prokurori që po heton ngjarjen e ndodhur në Elbasan më 18 shtator, ku makina e nëndrejtorit të Policisë së këtij Qarku u godit me një makinë të blinduar. Siç bëhet e ditur, Sanxhaktari nuk ka pranuar të flasë, pasi ka kërkuar më parë që i pranishëm të jetë edhe avokati i tij, Eno Bushi, i cili njëkohësisht është edhe avokati i Ramës.
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, Rama dërgoi avokatin e tij në Elbasan për të marrë në mbrojtje bandën që sulmoi policinë. Avokati i Ramës, Eno Bushi kallëzoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 6 efektivë policie, ndër ta dhe nëndrejtorin e Policisë, Gjergj Oshafi, makina e të cilit u godit nga makina e blinduar e biznesmenit Çela. Avokati i Ramës u pyet edhe për Suel Çelën, djalin e biznesmenit Petrit Çela, por ai deklaroi se ndaj tij nuk ka asnjë urdhër arresti.
Marrja në pyetje e Sanxhaktarit është bërë edhe në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 6 gusht, nga ku u qëllua me antitank nga një automjet i vjedhur në Durrës mbi një makinë në pronësi të familjes Çapja në Elbasan. Pas kësaj ngjarje, Prokuroria kishte kërkuar që nga data 11 deri më 26 gusht të mbaheshin nën përgjim, ambiental, fotografik, filmik dhe me audio Enea Bekteshi, Sokol Sanxhaktari dhe Kelmend Xhaferri. Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë së Elbasanit për të mbajtur nën mbikëqyrje personat e lartpërmendur, Policia e Shtetit ka kthyer përgjigje negative në organin e akuzës, duke mos pranuar të bëjë përgjimet me pretekstin se, “nuk ka punonjës Policia. pasi janë me leje të zakonshme”.
Mbërmjen e të mërkurës u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda 31-vjeçari Enea Bekteshi. Burime nga grupi hetimor kanë bërë me dije se kanë qenë gjurmët të gishtave të tij ato që e kanë tradhtuar 31-vjeçarin. Mësohet se këto gjurmë kishin ngelur në mjetin tip “Audi” të blinduar, i cili u përplas me mjetin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Qarkut. Gjithashtu edhe qelizat telefonike kanë treguar se 31-vjeçari ka qenë në ato momente pranë Tregut Agroushqimor.
Bekteshi dyshohet se ka qenë drejtuesi i mjetit “Audi” që goditi 3 javë më parë makinën. Ndalimi i 31-vjeçarit Enea Bekteshi u bë në Cërrik në banesën kunatit të tij dhe gjatë kontrollit të ushtruar nga efektivët e policisë, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e dyshuar “kanabis sativa” dhe një mjet të mprehtë (bajonetë). Në vijim të veprimeve nga efektivët e policisë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Aleks Pupuleku, 40 vjeç banues në Cërrik.
Veprimet janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë. Ndaj shtetasit Enea Bekteshi, materialet i kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë”, “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa ndaj shtetasit Aleks Pupuleku materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Ndërkohë Suel Çela, djali i biznesmenit Petrit Çela, në pronësi të të cilit është “Audi” i blinduar, u arratis nga Rinasi me ndihmën e policisë.

Lihen në burg 2 të ndaluarit, i treti arrest shtëpie

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda la të pandryshuara masat e sigurisë për tre të arrestuarit pas ngjarjes së Elbasanit, ku u godit me një mjet tjetër makina e nëndrejtorit të Policisë, Gjergji Oshafi. Pas vendimit të Apelit, Ledio Zabeli, drejtuesi i mjetit të bllokuar “Range Rover” dhe Valmir Dedja, roja i Tregut Ushqimor do të hetohen nën masat e sigurisë “arrest me burg”. Ndërsa për personin e tretë, Kelmend Xhaferri, që ishte pasagjer në mjetin “Range Rover”, u la në fuqi masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Ndërkohë, mbrëmjen e të mërkurës, u arrestua në Cërrik me urdhër të Prokurorisë 31-vjeçari Enea Bekteshi, i cili akuzohet se është personi që drejtonte mjetin e blinduar “Audi” që goditi tre javë më parë mjetin e nëndrejtorit të Policisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte lëshuar një urdhër-arresti në fund të muajit të kaluar.
Përveç ngjarjes tek Tregu Ushqimor të Elbasanit, 31-vjeçari është i dyshuar edhe për ngjarje të tjera që kanë mbetur të pazbardhura në këtë qytet. Së bashku me Bekteshin, Policia arrestoi edhe kunatin e tij Aleks Pupuleku, i cili kishte strehuar në banesën e tij të kërkuarin. Pupuleku akuzohet për armëmbajtje pa leje, pasi në banesën e tij u gjet një bajonetë.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të kërkojë ditën e premte vendosjen e masës së sigurisë ndaj Bekteshit, i cili akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë”, “shkatërrim prone” dhe “prodhim dhe mbajtje narkotikësh”.