Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar gjendjen e rëndë katastrofike, mjedisore në Elbasan. Berisha ka publikuar në Facebook mesazhin e një qytetari nga Elbasani dhe videon ku duket tymi që shpërthen nga Uzina e Ferrokrimit. “Katastrofë mjedisore në Elbasan! Lexoni mesazhin dhe shikoni videon e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha.
“Prsh doktor shihe pak ferrokromim e ri të Taulant Ballës në Elbasan në fshatin Balldren. Tani në këto çaste që po të dërgoj ty, dola jashtë shtëpisë dhe është një katastrofë e papame është mbushur vendi si mjergull plus që problem është edhe rafineria e naftës që ndizet në mëngjes edhe në darkë që nuk durohet era e qelbët që ka. Nuk mbushemi me frymë nuk dimë ku të shkojmë të jetojmë, sepse nuk shiten as shtëpitë, duhet të ikim sa më shpejt. Ta braktisim vendin nuk jetohet me pak fjalë që ishalla kanceri i rëntë atyre plehrave që e kanë bërë fëmijët mos ja gëzofshin jetën”.
Denoncimi: Katastrofë mjedisore në Elbasan
Bllokohen 400 kg drogë nga Shqipëria në Greqi
Rreth 133 kg kanabis sativa u kapën nga policia greke në Neraida, afër Igumenicës, në një makinë që drejtohej nga një shqiptar. Operacioni u nis në bazë të informacioneve mbi një mjet që po lëvizte me drogën në territorin grek dhe gjatë kontrollit, 36-vjeçari shqiptar nuk iu përgjigj thirrjes së efektivëve për të ndaluar, raportojnë mediat helene.
Kjo e rriti më shumë dyshimin dhe efektivët u vunë në ndjekje të makinës, në bagazhin e të cilës u gjet edhe sasia e drogës. Drejtuesi i saj përfundoi në pranga dhe do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve nga Gjykata e Igumenicës.
Po ashtu, policia greke ka goditur një bandë të trafikut të drogës nga Shqipëria dhe ka sekuestruar 370 kg marijuanë. Operacioni është zhvilluar në zona të ndryshme dhe janë arrestuar dy shetas grekë të moshës 26 dhe 55 vjeç dhe një shqiptar 46 vjeç. Në një furgon në Nea Erithrea, Athinë, janë gjetur dhe sekuestruar 370 kg marijuanë.
Operacioni vijoi në Rodho, Ko dhe në dy lagje të tjera të Athines, ku u arrestuan pjesëtarë të grupit. Gjatë kontrolleve u sekuestruan dhe 97.5 gram vaj hashashi, 0.3 gram kokainë, 191 mijë e 545 euro, 1400 dollarë, 1 furgon, 1 taxi, 1 automjet, 1 motor, 1 pistolete, 5 fishekë, 3 peshore dhe 2 celularë.
Operacioni vijoi mbrëmjen e të mërkurës në doganën e Kakavijës ku një pjesetar i bandës, shqiptari 46 vjeçar u kap në tentativë për t’u arratisur në Shqipëri. Fitimet e grupit llogariten në mbi 700 mijë euro.
280 mijë vende pune mbyllen me taksën e biznesit të vogël
Sistemi financiar në duart e krimit
– Vini në një moment kur është zyrtarizuar Lëvizja për Ringritjen e PD që ju kundërshton ju, linjën tuaj, mënyrën sesi jeni zgjedhur si kryetar. Ridvan Bode tha se Lulzim Basha tashmë duhet të japë dorëheqjen. A keni një koment për këtë institucionalizim të kësaj lëvizjeje brenda partisë tuaj?
Partia Demokratike ka normat dhe institucionet e saj. Për mua si kryetar i saj në raport me detyrat që kam para anëtarësisë dhe në raport me moralin dhe vlerat është e rëndësishme që zëri kritik të dëgjohet dhe të ketë hapësirë në veprimtarinë e PD. Në këtë kuptim, krijimi i kësaj hapësire është detyra kryesore. I kam dëgjuar dhe do t’i dëgjoj vazhdimisht kritikët. PD është futur në një proces analize dhe konsultimi, nga e cila do të dalë me vendime sa i përket organizimit dhe ndryshimeve statutore, por ndërkohë PD ka një detyrë shumë të rëndësishme para gjithë shqiptarëve si opozita e vendit dhe kjo detyrë është përballja me keqqeverisjen dhe tregimi i një shtegu të ri për Shqipërinë, që sot është në prag gremine. Pra, çështja e forcimit të PD-së për t’iu përgjigjur sa më mirë qytetarëve në këtë kohë kaq kritike për vendin janë shqetësimi im kryesor. Në këtë kuadër, çdokush që ka mendime dhe propozime do të vazhdojë të ketë hapësirën për t’u dëgjuar dhe së bashku me anëtarësinë e PD të kontribuojë që këto ndryshime ta bëjnë PD më të fortë dhe më të gatshme për t’u përballur me këtë sfidë të madhe të Shqipërisë.
– Çfarë doni të thoni që do të ketë hapësira, pasi realiteti ka gjithmonë dy anë. E para, që në momentin që Berisha nuk është më kryetar i PD “mori fund periudha e drejtimit me autoritet” të PD. Që nga dita e parë që ju u zgjodhët në krye të PD në 2013, debatet brenda partisë kanë qenë të pranishme pothuajse çdo ditë. Ju nuk jeni shquar se i keni shuar, shtuar apo keni marrë masa që mund të jenë marrë në të shkuarën në PD. Por ama, ju keni deklaruar se nuk do të ketë fraksione përsa kohë ju do të jeni kryetar i PD. Atëherë, nga kjo platformë sa do të jeni të gatshëm të pranoni që të aplikohet?
Është gabim që të shikohet si një proces negociatash mes meje dhe një grupi anëtarësh të PD.
– Kështu e kanë paraqitur ata. Kanë hedhur…gati pothuajse për negociim, prandaj po ju pyes.
Unë gjykoj që është një gabim i madh për publikun dhe në veçanti për anëtarët e PD ta vendosim këtë si një proces negociatash mes meje dhe një grupi anëtar të PD që kanë qëllimet e tyre, dëshirat e tyre për të kontribuar në forcimin e PD. Ky është një proces që është përfshirë e gjithë partia. Para 10 ditësh Kryesia ka marrë një vendim unanim, që hap siparin e një procesi konsultimi me të gjithë anëtarët e PD. Vullneti im, por edhe këmbëngulja ime është dhe do të jetë gjithmonë që çdokush të gjejë hapësirën për t’u dëgjuar dhe konkuruar dhe për të garantuar konkurencën më të ndershme në forumet e PD. Kjo më karakterizon dhe në këto katër vite synimi im nuk ka qenë të shuaj, por të nxis debatin brenda PD. Si përfaqësues i një gjenerate shqiptarësh që u është dhënë mundësia të prekin kulturën dhe normat e perëndimit që në rini, që debati i argumentuar e shëndosh dhe e forcon bashkëpunimin mes njerëzve që ndajnë vlera dhe vizion për të nesërmen e vendit. PD është një grupim njerëzish që bashkohen në vlera, në kontribute dhe vizione sesi Shqipëria duhet të dalë nga kjo gjendje dhe të plotësojë dëshirat e qytetarëve që kanë probleme të jashtëzakonshme. Papunësia, emigracioni, mirëqenia e mbi të gjitha siguria. Qytetarët ndjehen të kërcënuar, të trembur, rrugët e qyteteve tona bëhen përditë skena të ngjarjeve makabre, ku fëmijët e shqiptarëve po kërcënohen përditë. Misioni është t’u tregojmë shqiptarëve rrugëdaljet nga kjo situatë, që tejkalon çdo axhendë personale, ndaj PD i përvishet misionit për të dalë nga ky proces më e fortë, pa përjashtuar askënd që me të vërtetë dëshiron të japë kontributin për një opozitë të fortë dhe alternativë të besueshme për qytetarët shqiptarë.
– Ju përmendet disa gjëra, ku ka disa pika të përbashkëta me të ashtuquajturën platformë për ringritjen e PD. Edhe ata flasin për një proces 9-mujor konsultimi, debati. Flasin për garë, pra që ky grupim kërkon që të marrë pjesë në garë me një komision elektoral të brendshëm, me një komision garancish ku ata të kenë drejtimin dhe një pikë tjetër, dorëheqjen e kryetarit nëse humbet zgjedhjet. Në këtë fushatë konsultimesh që ka nisur PD, që përkon me fushatën e zgjedhjeve të brendshme…
Është një fushatë konsultimi me anëtarësinë për të vendosur për hapat që do të hedhim edhe në raport me organizimin e brendshëm të PD dhe ndryshimet e statutit.
– Mund të ketë një përputhje me këtë axhendën që ata e kanë hedhur për negociatë tek ju?
Unë që prej zgjedhjes sipas parimit “një anëtar, një votë” kam qenë në kontakt me anëtarësinë e PD dhe vazhdoj të jem në kontakt me të. Kjo është një çështje, e cila sot diskutohet nga e gjithë baza. Cilat janë rrugët që duhet të ndjekim që PD të dalë më e fortë për t’u përballur me sfidat. Këtu çdokush pa asnjë përjashtim duhet dhe do të kenë hapësirën e garantuar për të dhënë idetë e tyre dhe për këdo që do të ketë dëshirën për të konkuruar.
– Por ama jo si grupim i organizuar siç ata janë paraqitur?
Sesi paraqiten anëtarët e PD, u takon atyre. Anëtarët janë të organizuar në nivel territorial në bazë të seksioneve dhe degëve. Janë të organizuar sipas fushave të jetës që ndjekin. Pra, anëtarët e PD e kanë një organizim në bazë të rregullave të PD dhe zbatimi i këtyre rregullave dhe ndryshimi për ta bërë vendimmarrjen më demokratike, më transparente është një nga qëllimet kryesore të procesit që ne i hymë.
– Po në rast se ju sugjerojnë se ndoshta në PD për t’u lënë vend të gjithëve dhe për të shmangur një çarje të re, është mirë që të lejohen fraksionet?
Është spekuluar shumë me çështjet e fraksioneve.
– Ata si fraksion kanë dalë, sepse janë të organizuar tashmë.
Fraksionet janë risi e partive ideologjike për një grup njerëzish që nuk ndajnë pikëpamjet e partisë të qëndrojnë dhe të ruajnë pikëpamjet e tyre.
– Pra ju thoni që ky grup nuk ndan mendime të ndryshme nga ju?
Unë nuk marr përsipër të komentoj asnjë bashkim anëtarësh të PD që mund të kenë një mendim për aksionin politik, një mendim për platformën e PD, që duhet të ketë rrjedhën e vet për t’u zyrtarizuar në parti, ose për t’u hedhur poshtë përmes rregullave që ka partia. Nuk ka dhe nuk mund të ketë fraksion kur vjen me propozime për ndryshimet statutore, apo që kanë të bëjnë me mirëqeverisjen e Partisë Demokratike.
– U duk sikur ky grupim u motivua shumë pas daljes së Sali Berishës që ju kritikoi direkt për mënyrën sesi bëtë listat, duke shmangur forumet, duke futur ndoshta njerëz për interes, duke kritikuar platformën tuaj elektorale dhe këshilltarët tuaj elektoral dhe duket sikur ata u motivuan pas kësaj dalje të ish-kryetarit?
Mua nuk më rezulton kështu. Ka një grup kritikësh ndaj meje dhe kritika kryesore e anëtarësisë ka qenë për kohën kur është bërë, para zgjedhjeve. Pra, nuk është diçka e re, por kanë qenë që kur u shpallën listat për kandidatët për deputetë të PD-së. Por, unë i mbetem asaj që thashë; jam i hapur për të dëgjuar të gjitha kritikat konstruktive apo jo. Detyra ime si kryetar i PD është të tregoj gjerësinë maksimale që çdokush ta ndjejë veten si përfaqësues në debatin e nisur tashmë brenda anëtarësisë dhe është anëtarësia ajo që do të vendosë.
– Në këtë studio Eduard Selami u distancua nga kjo lëvizje dhe tashmë u rreshtua pas jush, megjithëse hyn tek kritikët, në përpjekje për të ringritur PD dhe duke e quajtur legjitimitetin tuaj fakt të kryer, një gjë që e konteston grupi tjetër. Megjithatë, edhe zoti Selami edhe grupi i kritikëve që kërkojnë këtë garë, thonë se përse Basha nuk distancohet nga faktet që u treguan me zë dhe figurë që vota e 22 korrikut u manipulua? Pra i referohet rasteve që janë publikuar në mediat për mënyrën sesi është votuar më 22 korrik?
Në radhë të parë duhet të konstatohen faktet. Procesi i votimit për kryetarin e PD ka qenë procesi më masiv i një partie politike në Shqipëri. Edhe unë kam parë raste në Youtube, por nuk ka patur asnjë rast institucional që do të ngrihej dhe ndiqej nga Komisioni i Zgjedhjeve. Nuk ka patur asnjë rast të tillë. A do të thotë kjo që nuk ka pas asnjë shkelje? Jo dhe nëse ka pasur shkelje distancohem dhe i dënoj në mënyrën më të fuqishme. Ata që kanë pasur me të vërtetë këtë shqetësim, gjëja e parë që duhet të kishin bërë duhet t’i kishin dorëzuar tek institucionet e partisë dhe të mos i përdorin për të baltosur një proces që përfshiu afro 60 mijë demokratë.
– Në daljen e tij publike, zoti Berisha dukej i shqetësuar për atë që mund t’i ndodhte PD nëse kjo çarje nuk mbyllej shpejt. Mendoni që kjo lëvizje mund ta çojë PD drejt një çarje të re?
Absolutisht jo! Kushdo që ka interesin e PD në mendje e di këtë. Anëtarësia e PD është e zgjuar dhe di të ndajë shapin nga sheqeri dhe interesat publike nga ato personale. Aty ku ka propozime të vlefshme, që vërtetë shërbejnë për të bërë PD më të fortë jam i sigurtë që anëtarësia do të dijë t’i vlerësojë, t’i përqafojë dhe t’i mbështesë.
– Por cili do të jetë mekanizmi? Këta ofrojnë mekanizmin e votës, pra thonë na testoni!
Sigurisht që përmes mekanizmit të votës. Në këtë aspekt, nëse një nga propozimet është që PD të demokratizojë akoma më tepër vendimmarrjen, s’është asgjë tjetër vetëm sekondim dhe mbështetje i asaj që unë mbështes gjatë këtij procesi, pra që të decentralizojmë më shumë vendimmarrjen dhe që këto vendime të përfshijnë sa më shumë anëtarë të PD. Nëse ka pika ku kemi propozime të njëjta dhe të përafërtam kjo kontribuon në forcimin e vendimmarrjes së partisë. Efektivisht tek një pjesë e tyre nuk ka ndodhur asgjë përveçse nuk janë deputetë. Kjo nuk duhet të shërbejë as për të ulur dhe shkëputur vendimmarrjen e Partisë Demokratike. Procesi sapo ka nisur dhe ai përfshin gjithë anëtarësinë.
– Megjithatë, zoti Berisha ju bëri një kritikë të fortë që besoj se qëndron, që e bëtë këtë pa respektuar institucionet. Pra, morët një vendim personal. Mendoni që keni bërë gabim kur bëtë një listë të tillë?
Gjithçka ka ndodhur në një kontekst të veçantë dhe një afat kohor të kufizuar. U detyrova të marr një vendim personal dhe këtë nuk e kam fshehur. Ditën kur kam marrë këtë vendim kam thënë që kjo është hera e fundit kur kryetari i PD bën listën e deputetëve. Besoj që kjo që këtej e tutje do të jetë e drejta e anëtarësisë. Ka qenë një kthesë e fortë 90 gradë nga një protestë tek një marrëveshje politike që kaluam nga gjendja e protestës në fushatë. Unë nuk e kam fshehur asnjëherë këtë. Absolutisht që janë përgjegjësitë e mia dhe përgjegjësitë e mia janë kryesore si kryetar i PD. Ajo që dua të them sot, është që në nivelin taktik ka gjëra që duhet të ishin bërë ndryshe. Në nivelin politik, nuk ka patur asnjë kompromis në kurriz të shqiptaëve.
– Mendoni që do të ishte kjo lista nëse do të ishin pyetur forumet dhe mendoni që do të kishim të njëjtin rezultat nëse lista do të ishte ndryshe?
Nuk mendoj se ka ndonjë dobi që të futemi në skenarë hipotetikë. Rrjedha e ngjarjeve imponoi këtë skenar. Më vuri para përgjegjësisë për të marrë vendime të vështira. Unë nuk iu shmanga kësaj përgjegjësie dhe mora këtë vendim të vështirë, sikundër m’u desh të merrja edhe para edhe pas. Përmes procesit që sapo ka nisur me anëtarësinë, të garantohet jo thjeshtë një ndryshim statutor, por një normë e re e vendimmarrjes ku roli i anëtarësisë të jetë përcaktues, jo thjeshtë konsultues.
– A ka një përgjegjësi Lulzim Basha për humbjen më 25 qershor?
Përgjegjësia kryesore e humbjes në zgjedhje më takon mua dhe e kam bërë këtë proces analize, sepse nuk mund t’i ikja edhe gjatë procesit të zgjedhjeve për kryetar të partisë. Për pjesën brenda nesh…. Mos harroni se ne dolëm nga një “luftë”, ishim në zgjedhje në një “luftë” me krimin e organizuar, jo me kundërshtarët politikë, por me krimin e organizuar në aleancë me kundërshtarin politik. Sa i përket faktorit të brendshëm, përgjegjësia kryesore është e kryetarit, është e imja.
-Jeni dakord me sugjerimin e OSBE/ODIHR për komisione apartiake?
Në parim po. Në praktikë çfarë do të thotë kjo? Kush janë apartiakët në Shqipëri? Administrata është në presion të tmerrshëm, mësuesit nën presion të tmerrshëm.
-S’e di! Ndoshta bankierët, si në Angli.
Mos flasim për efektet financiare që ka droga se edhe për ato ka raporte që tregojnë që sistemi financiar në Shqipëri ka rënë pre e pastrimit të parave të drogës, që është sot një sektor më i madh se punët publike.
-Ju thoni që niveli i dytë i bankave, që quhet një sukses i Shqipërisë të viteve 2000, ka rënë pre e pastrimit të parave të krimit?
Ne disponojmë informacione si opozitë që kanë nisur fajdet e baronëve të drogës dhe bizneset në gjendje katastrofike që janë, e kanë më kollaj të shkojnë tek peshkaqenët sesa të shkojnë tek sistemi bankar. Këtë e kam deklaruar më parë që paratë e drogës do të depërtojnë në ekonomi dhe në financat e shtetit. Sot me bankat shqiptare rivalizojnë peshkaqenët e fajdeve me paratë e drogës. Reformën Zgjedhore e kemi shtruar për një arsye sot, që sa më shpejt të nisë puna për ngritjen e sistemit elektronik. Por kjo nuk mjafton. E para, ndërgjegjësimi i çdo shqiptari, në veçanti i atyre që kanë qenë në presion të votojnë përkundrejt parave dhe kërcënimeve apo atyre që u kanë thënë rrini në shtëpi dhe mos votoni për t’iu bashkuar atyre mbi 450 mijë vetëve që nuk iu përkulën krimit për t’u bërë bashkë. Nuk ka rrugë tjetër për ta ndalur këtë të keqe. Kjo është një e keqe që e ka burim tek politika. Është qeveria, është Edi Rama që u hapi derën këtyre. Krim të organizuar në Shqipëri ka patur gjithmonë. Ndryshimi sot është që kemi një shkëmbim favoresh mes politikës dhe krimit.
-Dini diçka më shumë për këto 20 familje dhe 4 klane të përmendura nga ambasadori Lu?
Ambasadori nuk ka thënë diçka të re. Ai ka përsëritur ato që ka thënë Departamenti i Shtetit dhe vetë ka cituar raportin e DASH, të cilin edhe në seancat e kaluara parlamentare e kam cituar për të hedhur poshtë një përpjekje të mjerë të Kryeministrit që këto janë shpifje të opozitës. DASH e ka thënë qartë, që Shqipëria është sot bazë e krimit të organizuar. Ambasadori ka lexuar këtë raport dhe ka përsëritur thirrjen që qeveria t’i shpallë luftë krimit. Kjo nuk është çështje policësh të korruptuar, por politikanësh të lidhur me krimin, ndaj t’i kërkosh Edi Ramës të luftojë krimin është njësoj si t’i kërkosh të luftojë vetveten.
-Keni thënë që do të nisni një aksion të ri politik sa i përket luftës kundër krimit. Dorëzuar në Prokurori një kërkesë për hetime të mëtejshme për dy deputetë, një të PDIU dhe një të PS. Keni të dhëna konkrete që për zotin Gjetani dhe zotin Rakipi kanë lidhje apo të shkuar kriminale?
Krimi dhe problematika që shkakton tek njerëzit, burimi kryesor nuk janë mediat apo analizat tona, është kontakti me njerëzit. Njerëzit janë të trembur nga krimi, prek jetën e tyre. Kanë frikë nga krimi. Krimi goditi me makinë të blinduar policinë, e vuri përpara. Të gjitha këto ndodhin, sepse peshku është qelbur nga koka, sepse politika është bërë njësh me krimin. Ne vazhdojmë misionin tonë dhe misioni ynë është zbatimi i plotë i ligjit të dekriminalizimit. Në këtë kuadër ne mbledhim informacione. Për këta dy deputetë kemi informacione të besueshme dhe i jemi drejtuar Prokurorisë të bëjë detyrën e saj. Jemi në shqyrtim të informacionit edhe për deputetë të tjerë të mazhorancës. Jemi në verifikim dhe u bëj thirrje qytetarëve që të denoncojnë.
-Si mund të ndodhë kjo kur FMN thotë se ekonomia është në rritje me mbi 4 për qind?
Jo! Edhe po ta marrim për të mirëqenë shifrën e INSTAT-it. FMN i referohet gjithmonë INSTAT dhe INSTAT sot është totalisht nën kontrollin qeveritar. Po le ta marrim edhe këtë shifër për të vërtetë dhe kjo rritje vjen nga dy investime të huaja të planifikuara gjatë qeverisjes së PD; TAP dhe investimi në hidrocentralet në Banjë dhe të Moglicës. Këto janë investime të mëdha, por të kufizuara në gjeografi dhe në impaktin që japin. Nuk kanë impakt në rritjen e punësimit, pra është një lojë me shifrat. Shqipëria është në krizë të thellë ekonomike dhe këtë nuk e ka kompensuar fakti që paratë e drogës konkurojnë me investimet publike të qeverisë. Pra, investimi më i madh i qeverisë Rama është droga dhe jo investimet publike.
-Keni një qëndrim tek ekonomia?
Marrëzia e fundit është ideja që tani TVSH të paguhet nga biznesi i vogël. Pra, zhdukja e biznesit të voglë. Është sharlatanizëm ekonomik që vjen nga dyshja që ka një rekord dështimesh në ekonomi, që është Rama-Ahmetaj, por është më shumë se sharlatanizëm ekonomik. U tregon qartë shqiptarëve se kujt u shërbejnë këta njerëz. Prej kohësh, manjatët kërkojnë që t’u transferohet TVSH-ja tek biznesi i vogël dhe këta nuk bëjnë gjë tjetër, por janë bërë shërbëtorët e manjatëve. Kjo është shkatërruese për biznesin e vogël. Do të kërcënojë mbi 280 mijë vende pune që janë të lidhura drejtpërdrejtë me biznesin e vogël. I shkatërron dhe i çon në faliment total, sepse biznesi i vogël nuk ka kapacitete që të angazhohet në pagesën e TVSH-së dhe rimbursimin e saj, sepse vetëm kontabilistët për t’u përfshirë në këtë veprim, do të thotë që të gjithë fitimin e vet të paguajë llogaritarin. Nuk mund të ndodhë kjo. Zgjidhja është rritja e kufirit të biznesit të vogël tek 12 milionë lekë dhe kjo do të mundësojë nga njëra anë të zgjidhet një problem i drejtë në raport me biznesin e madh për këto fatura dhe e dyta, do të çlirojë biznesin e vogël, që është shtylla e ekonomisë shqiptare që në këto ditë kaq të vështira të mos ketë një çekan tjetër mbi kokë. Prandaj është një sharlatanizëm që rrezikon edhe më shumë gjendjen ekonomike në të cilën gjendet vendi.
-Sa i përket propozimeve që ju do të bëni. Si mendoni do të jetë aksioni opozita këto katër vjet përballë arrogancës së numrave dhe të një mandati të dytë?
Nuk ka asnjë shpresë që të ketë një funksionim normal mazhorancë-opozitë, ku mazhoranca do të përballet me alternativat e saj, opozita të ketë propozimet e saj. Gjithçka është fiktive, sepse nis me shtrembërimin e votës. Nuk mund t’u thuash shqiptarëve që ju meritoni librat me çmime tregu, sepse këtë qeveri votuat, sepse kjo nuk është e vërtetë, sepse mes votës për libra me çmime tregu dhe votës për libra të subvencionuar nga buxheti i shtetit, natyrisht që shqiptarët do të zgjidhnin këtë të dytën.
-Kjo mazhorancë do të jetë për katër vite, nëse gjërat shkojnë në një rrjedhë normale demokratike?
Nëse gjërat shkojnë në një rrjedhë demokratike, kjo qeveri bie që nesër. Zgjidhja është kjo, si të kthejmë rrethanat për një demokraci funksionale? Hapi i parë është të nisim Reformën Zgjedhore, votimin dhe numërimin elektronik. Ky hap është i pamjaftueshëm sa kohë qeveria është e lidhur me krimin, ndaj lufta ndaj krimit të organizuar dhe lidhjeve qeveritare me të është prioritet absolut. Kjo nuk zgjidhet as duke i bërë thirrje ndërgjegjes së Xhafës, as duke i bërë lajka Edi Ramës. Edi Rama nuk e lufton dot krimin.
Intervistoi Sokol BALLA
Si u armatos anëtari i bandës së Lul Berishës nga Haki Çako
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, ka pajisur me armë një nga anëtarët e bandës së Lul Berishës në Durrës. Dy ditë pas arrestimit të Mariel Fierzës dhe Genti Ndërjaku në Durrës, të cilët kanë lidhje me bandën e Lul Berishës, “Ora News” publikoi një dokument që vërteton se njëri prej të ndaluarve, Genti Ndërjaku ishte i pajisur me një armë pistoletë me leje nga policia. Në dokument thuhet se leja është dhënë në muajin prill të këtij viti dhe kjo leje është firmosur nga drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Po ashtu, dokumenti i siguruar nga “Ora News” tregon Genti Ndërjakut përveç pistoletës i jepet leje edhe për 50 fishekë.
Pajisja me armë e anëtarëve të bandave nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë, vetëm dy muaj para zgjedhjeve dëshmon qartë se bandat u përdorën në zgjedhjet e qershorit për blerjen e votave, duke kërcënuar qytetarët. Tashmë është mëse e qartë se bandat kanë mbështetjen e Policisë dhe të Partisë Socialiste.
Para tre ditësh, Policia njoftoi arrestimin e dy personave në Durrës, Marjel Fierza dhe Genti Ndërjaku, të dy të armatosur me pistoleta. Në media menjëherë Marjel Fierza u etiketua si një prej anëtarëve të bandës së Lul Berishës. Pas arrestimit të dy shtetasve, Marjel Fierza dhe Genti Ndërjaku, Policia deklaroi se bëhej fjalë për persona të rrezikshëm. Nëse vërtet janë të tillë, atëherë pse drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako firmosi lejen e armatosjes së Genti Ndërjakut?
Natën e arrestimit, Policia e Durrësit bëri me dije se, Marjel Fierza, konsiderohej si pjesë e një prej grupeve kriminale të qytetit. Policia tha gjithashtu se 30-vjeçari u ndalua, pasi në makinën e tij tip “Porche” u gjetën dy pistoleta pa leje, njëra prej të cilave ishte e Genti Ndërjakut dhe që më pas rezultoi me leje.
I arrestuari tjetër, Mariel Fierza, person me precedentë të mëparshëm kriminalë, dyshohet se është pjesë e grupit që drejtohej nga Lul Berisha dhe Emiljano Shullazi. Emri i tij u përmend një vit më parë në një dokument sekret të Ministrisë së Brendshme ku flitej për bashkëpunimin mes Shullazit dhe Lulzim Berishës, i cili nga burgu drejtonte grupin e tij në Durrës dhe në terren delegonte urdhrat te personat e tjerë si Julian Meçaj, Marjel Fierza, Mond Çekiçi etj.
Marjel Fierza njihet si pjesëtar i vjetër i bandës së Durrësit, që kur ka qenë në moshë të mitur dhe së fundmi, si një nga njerëzit më të besuar të Lul Berishës, pasi doli nga burgu. Njëkohësisht sipas burimeve policore, Fierza konsiderohet edhe si krahu i djathtë i kunatit të Berishës, Plarent Dervishaj, një nga njerëzit më të kërkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe person në kërkim ndërkombëtar.
Historia “zyrtare” kriminale e Marjel Fierzës nis në vitin 2005, kur ishte ende i mitur dhe u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg. Vetëm 3 vite më vonë në vitin 2008, ai u dënua nga Gjykata e Faktit të Durrësit me 15 vjet burg, për një vrasje në tentativë ndaj shtetasit Aldo Avdyli në vitin 2007. Por vetëm një vit më pas, Apeli e shpalli të pafajshëm “për mungesë provash”.
Kjo ngjarje që ishte pjesë e përplasjeve të përgjakshme të dy bandave të fuqishme të qytetit bregdetar u pasua nga të tjera akte kriminale, me motiv hakmarrjen. Fierza u ka shpëtuar për mrekulli të paktën dy atentateve. Pas pafajësisë, në vitin 2010 në automjetin e Fierzës shpërtheu një sasi eksplozivi, ndërsa 2 vjet më pas iu organizua një tjetër atentat në hyrje të Durrësit me armë zjarri. Burime policore bëjnë të ditur se, ai dyshohet si person i përfshirë dhe në gjobëvënie në emër të bandës ndaj biznesmenëve.
R.POLISI
Nis procesi për ekstradimin e baronit të drogës Alket Hatija në Itali
Gjykata e Durrësit pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi të zhvillojë gjykimin për ekstradimin e trafikantit të drogës, Alket Hatija drejt Italisë. Në seancën e parë, avokati i Hatijas kishte kërkuar që shqyrtimi gjyqësor të mos nisë, me pretendimin se Hatija ka vuajtur në Shqipëri dënimin për veprat penale, për të cilat kërkohet nga autoritetet italiane. Gjykata nuk e pranoi këtë kërkesë dhe vendosi që të zhvillohet procesi gjyqësor, në të cilin do të shqyrtohen faktet penale në ngarkim të Hatijas.
Por tani që Gjykata shqiptare ka vendosur të marrë në konsideratë kërkesën e italianëve për ekstradim, Alket Hatija është në arrati. Ai u arrestua verën e këtij viti nga Policia në Berat. Por kush është Alket Hatija, i dyshuar nga autoritetet italiane si një nga bosët më të mëdhenj të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë?
Sipas mediave italiane, hetimet e policisë italiane kanë vërtetuar se nga janari i vitit 2003 deri në mars të 2004, Alket Hatija kishte trafikuar në qytetin e Milanos rreth 350 kg heroinë e 190 kg kokainë me vlerë 35-40 milionë euro.
Në prill të këtij viti, Gjykata e Milanos kishte marrë ndaj tij vendimin përfundimtar, duke e dënuar me 20 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge. Sipas investigimeve, bashkëpunimi i Interpolit me Policinë shqiptare kishte mundur të identifikonte se Alket Hatija jetonte në një vilë luksoze me bunker në zonën e Beratit i rrethuar nga rojet personale të armatosura. Sipas mediave italiane, shqiptari Alket Hatija ishte një trafikant i madh droge që vetëm me anë të celularit ishte i aftë të trafikonte drejt Italisë qindra kg lëndë narkotike.
Droga hynte në Itali përmes kamionëve e automjeteve me targa europiane që kapërcenin kufirin në Veri të Italisë e portet italiane. Alket Hatija u arrestua në qytetin e Durrësit, ndërsa po takohej me një mikun e tij. Por më 12 shtator, Gjykata e Durrësit e la të lirë. Mësohet se gjykatësi Petraq Curi, ka rrëzuar kërkesën e prokurorit për të mbajtur në qeli, Hatijan deri në vendimin për ekstradimin në shtetin fqinj. Lënia në liri është dhënë me argumentin se i ndaluari ka vuajtur dënimin në Itali.
Maskat lidhin rojen e një objekti dhe grabisin
5 persona të armatosur dhe me maska lidhën rojen e një objekti në Bulqizë dhe grabitën një sasi të madhe hekuri. Maskat e kanë ngarkuar hekurin në kamionçinë dhe janë larguar në drejtim të padiur për policinë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Bulqizë. Roja i objektit ka njoftuar policinë. Policia ka shkuar në vendngjarje, por nuk ka arritur të zbulojë autorët.
Policia bëri të ditur se, roja i ish-parkut të minierës në Qytet të ri Bulqizë, ka denoncuar se dy persona të paidentifikuar e kanë lidhur me vendin e tij të punës dhe kanë vjedhur materiale që i kishte në ngarkim. Ngjarja raportohet se ka ndodhur gjatë mesnatës.
“Rreth orës 03:25 të datës 05.10.2017, në Komisariatin e Policisë Bulqizë, është paraqitur shtetasi A.D, 58 vjeç banues në Fushë-Bulqizë, roje tek ish-Parku i Minierës në Qytet të ri Bulqizë, ku ka deklauar se rreth orës 01:15, dy persona të paidentifikuar kanë prerë rrjetën rrethuese dhe janë futur brenda rrethimit të ish-Parkut, ku me anë të një fashete kanë lidhur shtetasin e lartpërmendur dhe me anë të një automjeti me karroceri dyshohet të kenë vjedhur rreth 24 copë shina galerie (që shërbejnë për transport brenda galerive të kromit) me gjatësi nga 6 metër secila”, thotë Policia. Shtetasi A.D ka deklaruar se ndaj tij nuk është ushtruar dhunë.
Kërcënohet me armë një familje në sy të fëmijëve
Një familje është kërcënuar me armë nga dy persona mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:10 tek “Kristali” afër shtëpisë së ish-ministrit Saimir Tahiri. Dy persona që udhëtonin me një mjet kanë ndaluar një makinë familjare dhe nën kërcënimin e armëve u kanë bërë presion dy prindërve në sy të fëmijëve, “pse na parakaluat”?
Më pas, njëri nga personat që i drejtoi armën familjarëve në makinë është ndaluar nga dhjetëra banorë të lagjes. Më pas është njoftuar policia që ka shkuar në vendngjarje. Një nga banorët e zonës bëri të ditur se, fëmijët që ndodheshin me prindërit në makinë janë tmerruar nga arma që iu drejtoi i riu dy prindërve.
Greqia nis fshesën ndaj emigrantëve shqiptarë
Greqia ka nisur fshesën ndaj emigrantëve shqiptarë. Gjatë muajit të kaluar, autoritetet greke kanë kthyer në atdhe më shumë se 1000 shtetas shqiptarë që ndodheshin në Greqi pa dokumenta të rregullta qëndrimi. Në njoftimin e policisë greke thuhet se, numri i shqiptarëve të kthyer gjatë muajit shtator është saktësisht 1.088. Pastaj vijojnë shtetasit nga Pakistani (185), nga Iraku (90) e me radhë, nga Algjeria, Maroku dhe Irani.
Vetëm për shqiptarët, arsyeja e largimit është mungesa e dokumenteve të rregullta, ndërsa shtetasit e vendeve të tjera kanë marrë përgjigje negative ndaj kërkesës për azil. Në radhët e shtetasve shqiptarë ka dhe nga ata që nuk kanë mundur të rinovojnë sërish lejen e qëndrimit. Policia thotë se, ndaj këtyre personave janë marrë vendime largimi dhe deportimi. Kthimi i emigrantëve në vendet e tyre, është një praktikë e filluar para dy vjetësh, që financohet nga Zyra Ndërkombëtare e Migracionit (IOM). IOM mbështet ata emigrantë që kthehen vullnetarisht, në bazë të një programi që synon riintegrimin e tyre në atdhe.
Gjatë këtyre dy viteve ka qenë i pakët numri i shtetasve shqiptarë që kanë përfituar nga ky program. Në zyrën e IOM për Greqinë thonë se, ka patur disa raste njerëzish në nevojë, si një fëmijë, një grua e keqtrajtuar, një invalid, një i sëmurë, një i moshuar, që kanë pasur nevojë për ndihmë. Por theksojnë se, që të përfshihet dikush në këtë program, duhet më së pari, të mos ketë dokumente të rregullta qëndrimi. Sipas njoftimit të policisë greke, gjatë shtatorit u larguan 1.598 persona. Ndërsa që nga fillimi i vitit janë rikthyer në vendet e origjinës 13.980 persona dhe 80% e tyre vlerësohet se kanë qenë shqiptarë.
Drejtori dënohet me 3 mijë lekë për një USB, i falet abuzimi me 5 mijë litra naftë
Gjykata e Gjirokastrës përfshihet në një tjetër skandal, për shkak të një vendimi ndaj Kristaq Thimios, kreu i Inspektoriatit Shtetëtor të Mjedisit dhe Pyjeve në Gjirokastër. Po çfarë ka ndodhur konkretisht me Kristaq Thimion? Emisioni investigativ ‘Stop’ risolli në vëmendje sonte në mbrëmje një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, që e dënonte Thimion me gjobë 30 mijë lekë të vjetra, për shkak të një USB-je që i përkiste institucionit që ai drejtonte.
Ndërkohë përveç USB-së, Kristaq Thimio akuzohej edhe për abuzimin me 5 mijë litra naftë, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 6 milionë lekësh. Por Gjykata e ka dënuar vetëm për humbjen e USB-së së institucionit që drejtonte Thimio, jo për abuzimin me naftën. Aktualisht çështja është në Gjykatën e Apelit.
Skandali i dytë i lidhur me Kristaq Thimion, ka të bëjë me ish-eprorin e tij në Ministrinë e Mjedisit, Ergys Agasin, i cili drejtonte Inspektoriatin Shtetëtor të Mjedisit dhe Pyjeve. Agasi u shkarkua nga ministri Blendi Klosi më datë 13 shtator 2017. Çuditërisht një ditë më vonë, ndonëse i shkarkuar nga ministri, Ergys Agasi rikthen në detyrë Kristaq Thimion si kreu i Inspektoriatit Shtetëtor të Mjedisit dhe Pyjeve në Gjirokastër.
Pse Shqipëria u përjashtua nga Samiti i Varnës?!
Enver Bytyçi
Kryeministrat e katër vendeve ballkanike, Greqisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Serbisë, janë mbledhur sot në Varna të Bullgarisë, në një takim, të cilin Tcipras nuk e konsideron si politik, por që “Huffington Post” e konsideron si praktik dhe të rëndësishëm për gjeopolitikën e rajonit. Nga takimi ka dalë një kërkesë e përbashkët për Presidentin e Komisionit Europian, Junker, që ky komision të financojë ndërtimin e një linje hekurudhore që lidh Selanikun me qytetin bregdetar të Bullgarisë, Varna.
Ndonëse takimi në fjalë është motivuar me axhendën e Samitit të Selanikut të vitit 2003 për integrimin e vendeve të rajonit në BE, Shqipëria dhe Maqedonia nuk janë ftuar të bëhen pjesë e tij, edhe pse këto dy vende ishin asokohe pjesë e kësaj axhende. Ndërsa me shpalljen e pavarësisë së tij edhe Mali i Zi që prej vitit 2006 konsiderohet pjesë e asaj axhende. Pa folur për Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Në fakt axhenda e tri prej këtyre katër vendeve është kundër integrimit të Kosovës në BE, sepse këto tri vende, përkatësisht Greqia, Rumania dhe Serbia nuk duan ende ta njohin shtetësinë e saj. Pra, deklarata e kryeministrit grek se takimi na qenka në vazhdën e përpjekjeve që prej Selanikut të 2003 për integrimin europian bie poshtë. Në atë samit nuk ishte vendosur thjesht për Serbinë, por për të gjitha vendet e rajonit.
Ky samit i tri vendeve të BE-së plus Serbia do të rimblidhet herën tjetër në Beograd. Duket kështu se është themeluar një aleancë midis këtyre katër vendeve. Po t’i referohemi historisë, atëherë me samite të tilla asocohet Aleanca Ballkanike e vitit 1912, kur katër vende ballkanike, përkatësisht Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi u bënë bashkë politikisht e ushtarakisht dhe në emër të luftës kundër Perandorisë Osmane kërcënuan ekzistencën fizike të shqiptarëve si dhe ekzistencën politike të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Pikërisht këto dy vende janë përjashtuar nga Samiti i Varnës. Eshtë përjashtuar dhe Mali i Zi, i cili tashmë ka ndërruar lokomotivën e lëvizjes nga Lindja në Perëndim. Por vendin e Podgoricës e ka zënë Bukureshti, ndonëse Aleanca Ballkanike në fazën e dytë të ekzistencës së saj para 104 vitesh u drejtua kundër Rumanisë.
A do të thotë kjo se këto katër vende po komplotojnë edhe sot kundër Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë?! Vështirë të bëhet një paralele me situatën e zhvilluar para një shekulli, megjithatë në rend të ditës ishin të njëjtat aspirata, kërkesa dhe probleme për gjeopolitikën ballkanike si edhe sot. Por sot është shtuar në rajon një aktor i ri dhe i rëndësishëm gjeopolitik, NATO dhe SHBA. Ndikimi amerikan dhe prezenca e BE-së në rajon është e fuqishme dhe tri nga këto vende janë anëtare të BE-së dhe NATO-s. Pra, politikisht janë në të njëjtin tren si dhe Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi. Por ka një lidhje që shkon përtej politikës, ajo është lidhja sentimentale lindore ortodokse si dhe interesi i përbashkët për një infrastrukturë që kontrollohet prej këtyre vendeve, duke përjashtuar vendet e tjera të rajonit. Nëse dikujt në Ballkan do t’i duhet të dominojë, ai detyrimisht do të duhet të kishte përparësi në ngritjen e vendit të tij si fuqi ekonomike dhe si nyje lidhëse e urave të komunikimit mes kontinentit Europian me pjesët e tjera të botës, madje të bëhej urë lidhëse në këtë komunikim të Fuqive të Mëdha ekonomikë të botës. Serbia e Greqia e preferojnë këtë status, për pasojë është në interesin e tyre që Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja po e po, të injorohen dhe të mbeten në bisht të iniciativave rajonale. Bullgaria dhe Rumania gjithashtu nuk kanë arsye të imponojnë qëndrimet e tyre. Për pasojë më shumë se gjysma e kryeministrave të rajonit munguan në Samitin e Varnës dhe me shumë gjasa do të mungojnë në samitet e ardhshme.
Ajo që bie në sy ka të bëjë me atë se Samiti i katër vendeve të mësipërme duket se përballet dhe konkuron Axhendën e Berlinit për rajonin. Kjo arsyetohet me faktin se tri vendet anëtare të BE-së, përkatësisht Greqia, Rumania dhe Bullgaria, duken të pakënaqura për zbehjen e rolit që kishin si “kujdestare” e për integrimet europiane të Ballkanit Perendimor. Selaniku ishte qendra e projekteve europiane për “përgatitjen e vendeve të Ballkanit për në BE”. Axhenda e Berlinit ka mbyllur rubinetin e parave që Brukseli i destinoi për xhepat e Athinës. Prandaj mund të duket si organizim inatçor e si një lëvizje politike me qëllim imponimin e rolit të këtyre tri vendeve për procesin e integrimeve europiane.
Megjithatë, fakti që vetëm një nga 6 vendet e rajonit të interesuara për integrime euro-atlantike merr pjesë në këtë samit e bën gjithçka të dyshimtë dhe çon në hamendësime gjeopolitike më të thelluara. Rumania dhe Bullgaria janë vende që kanë pakte ushtarake me NATO-n dhe SHBA-të. Megjithatë në të dy këto vende ka një opozitë të fuqishme proruse. Greqia e Tciprasit dhe vetë kryeministri grek kanë shfaqur hapur prirjen për një lidhje të qëndrueshme në boshtin Moskë-Athinë. Ndërsa Beogradi sapo pranoi dhuratën ruse të avionëve luftarakë, ndërkohë që oficerët e të dy vendeve punojnë me instruksione për përdorimin e tyre. Në Moskë para pak javësh u promovua edhe njëherë iniciativa e Lidhjes Ortodokse, një aleancë e themeluar që në fillimin e shekullit XIX, e cila ka për qëllim grupimin gjeopolitik të ortodoksisë kundër civilizimeve të tjera.
Retorika e këtyre ditëve katalanase në Beograd është e fuqishme kundër mëvehtësisë së Kosovës, që shkoi deri te një precedent i panjohur më parë, letra që Vuçiç u ka dërguar 22 vendeve të BE-së që ato të tërheqin njohjen e shtetit të Kosovës. Orekset e Beogradit, por deri-diku edhe të Athinës, janë shtuar në raportet me Moskën. Athina mund të kërkojë ndryshimin e kursit të saj në vijën e vjetër tradicionale ortodokse edhe për shkak të Turqisë, me qëllim që të mbështetet te ndikimi i Moskës për të neutralizuar qëndrimet e veprimet antigreke të Ankarasë. Të gjitha janë në tavolinë dhe asgjë nuk është më si më parë. Secili bën llogaritë e tij dhe në këto llogari kërkon të përfitojë sa më shumë.
Tirana zyrtare nuk ka reaguar ende dhe nuk pres që ajo të reagojë për këtë përjashtim që i bëjnë vendet e tjera të rajonit. Krerët e shtetit e dijnë tashmë se ky përjashtim nuk ka ndodhur nga frika e prishjes së protokollit të atleteve të kryeministrit tonë, por nga shkaqe madhore gjeopolitike. Megjithatë urojmë që kjo ngjarje të kthjellojë Tiranën zyrtare se është e pamundur të mbështetesh në “sinqeritetin” e politikave serbe për bashkëpunim gjithëpërfshirës me Beogradin. Edhe partizanët shqiptarë më 1944-1948 betoheshin në vëllazërim-bashkimin shqiptaro-serb, por dardha e pati bishtin prapa. Nga vëllezër, shqiptarët e serbët u shndërruan brenda natës në armiqtë më të mëdhenj të rajonit. Natyrisht armiq ideologjikë, derisa Kosovën e lanë në mëshirën e fatit nën siglën e bashkim-vëllazërimit!