24.5 C
Tirana
E hënë, 16 Qershor, 2025

Rilindja urbane si tablo e Parlamentit rural

Sokol GJONI

E formësuar në formë dhe në përmbajtje si një trupë cirkuistike, qeveria Rama 2, përmes shfaqjeve burleske dhe butaforizmit komunikativ në funksion të zhvendosjes së vëmendjes qytetare nga problematikat e shumta, duket se nuk po heq dorë nga surrogati qeverisës i mandatit të parë. “Rilindja urbane” si projekti zhvillimor më i fuqishëm i vendit, i artikuluar delirantshëm nga kryeministri dhe i nënvizuar fuqishëm gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, si galopi i ecjes dhe prosperimit të Shqipërisë në ngjitjen e shkallëve të rritjes së saj ekonomike dhe i proklamuar çjerrazëshëm nga gavolet mediatike proqeveritare, tashmë me plot gojën mund të cilësohet i dështuar dhe i pakuptimtë për rëndësinë dhe tërësinë e nevojave imediate në fusha të tjera investimesh. E shpërfaqur si një telajo e shpëlarë ngjyrash dhe me deviacione të shumta funksionaliteti, “rilindja urbane” ky projekt “alla Rama”, është më shumë përmbushje kapriçiosh dhe shpërblim klientele për pagatorët e partisë, se sa një realitet i ri investimesh strategjike. Për të kuptuar më së miri thelbin dhe rëndësinë e këtij projekti, efikasitetin dhe perspektivën e tij, mjafton të hedhësh një sy në cilësinë e realizimit të këtyre investimeve. Për të mos folur pastaj, për “rastësinë” e faktit që të gjithë fituesit e tenderimeve të zhvilluara në kuadër të këtyre projekteve dhe të shpallura në faqen e Agjensisë së Prokurimeve Publike janë firma klienteliste apo individë me afera dhe raporte të njohura publikisht me pushtetin. Përtej kërshërisë së ngjyrave dhe ngacmimit viziv të shqisave, “rilindja urbane” është tipikisht dështimi i qeverisjes së vendit dhe metaforikisht degradimi në zullumnajë i një grushti oligarkësh që grabisin dhe zhvatin të ardhmen e këtij vendi. Nuk mund të ishte ndryshe, veçse të shpërblehej kështu shpura e klientëve të Ramës, ndaj të cilëve përmes këtij palo investimi, u krijohet mundësia për të marrë haraçin e tyre. Në vijimësinë e shfaqjeve burleske dhe kllonuadës qeverisëse, kundërthëniet dhe metaforat antonimike janë sensi i shterpësisë dhe mungesës së vizionit që ka Rama për qeverisjen e vendit. Sikur të mos mjaftonte grotesku i “rilindjes urbane”, Rama nxori nga sënduku i tij artificin e “Parlamentit rural” si mekanizmin e duhur në funksion të rropatjes së tij për të ikur sa të jetë e mundur nga dara e “halleve” që pritet ta ngërthejnë. Llogaritë për të marrë i vetëm timonin qeverisës, përkundrejt mekanizmave kriminal të përdorur, duket sikur ia kanë prishur rehatinë dhe nuk po i vlejnë më Ramës në përmbushjen e qëllimeve të tij. Fshikullima e ambasadorit amerikan Donald Lu, përveçse e damkos kryeministrin tonë në arenën ndërkombëtare si të lidhur me klanet mafioze, është dhe sinjali më i qartë i rrëshkitjes së vendit tonë në spiralen e interesave okulte të grupeve dhe klaneve të fuqishme, të cilat tashmë janë potente dhe dominante në hierarkinë e politikëbërjes dhe të institucioneve më të rëndësishme kushtetuese, duke paralajmëruar zhvillime aspak pozitive për ecurinë e demokracisë dhe të rendit kushtetues në Shqipëri. Parlamenti rural, i cili erdhi përmes zhurmnajës dhe pompozitetit të mediave çibane, prodhoi një dukuri tipike neokomuniste, duke risjellë protagonizmin e shoqeve të partisë, të cilat vijnë direkt nga fronti i punës dhe lëshojnë mesazhe të forta për masat revolucionare. Përtej këtyre artificeve, që burojnë nga vlugu psikologjik i klasës së neobllokmenëve, sërishmi Rama nuk do të mundet të shmang konfrontimin me qytetarët shqiptarë, të cilët presin shpjegime dhe veprime konkrete për zhytjen e Shqipërisë në dinamikën e interesave klanore të grupeve mafioze që uzurpojnë interesat e vendit. Sa më shumë vonohet kryeministri në dhënien e shpjegimeve të tilla, aq më shumë e kompromenton veten dhe qeverisjen e tij. Prej kohësh, Shqipëria ka marrë sinjale të forta nga vendet partnere, si dhe nga aleatë strategjikë për rrezikun evident të rrëshkitjes së saj nga proceset integruese. Fenomeni i kultivimit masiv të kanabisit, me bekimin e strukturave të qeverisë, të cilat ishin pjesë, jo vetëm e dijenisë, por edhe të përfshira, e sigloi Shqipërinë në hartën e vendeve prodhuese dhe transportuese të kanabisit, duke shembur të gjithë rezultatet e arritura nga qeverisja e mëparshme në drejtim të plotësimit të kushteve për përafrimin me BE-në. Me silurin që lëshoi ambasadori Lu, duke përcjellë jo thjeshtë shqetësimin e tij, se Shqipëria ndodhet praktikisht e sunduar nga klane dhe familje me veprimtari mafioze, atëherë shpëtimi i Ramës, mbetet dorëheqja e tij, dhe nëse nuk ndodh shpejt, atëherë shqiptarët duhet të shpëtojnë vendin e tyre me largimin sa më parë të këtij kryeministri dhe të lidhjeve të tij me klanet mafioze.

Pas hekurave përdoruesit, trafikantët lihen të lirë

Miso V. u ndalua nga Policia e Kakavijës në orën 6:30 të mëngjesit. Ai me 6 shokë po udhëtonin nga Podgorica në një festival tatuazhi në Greqi, por kur policia kufitare kontrolloi makinën në gomën rezervë u gjetën 34 gramë marijuanë.
Duke menduar me gjasë që sasia nuk ishte e madhe dhe se as dënimi nuk do ishte i tillë, Miso pranoi siç rezulton edhe në vendimin e Gjykatës së 12 shtatorit, para Policisë dhe më pas në Gjykatë se ishte ai që e kishte blerë kanabisin nga një shkodran për 20 euro dhe e kishte vendosur në gomën rezervë të makinës së marrë me qira. Por testet e tij të drogës dolën negative. Sipas të njëjtit vendim, ai nuk ishte përdorues ose të paktën jo përdorues i rregullt dhe fati i tij ishte tërësisht në dorë të trupës gjykuese, e cila kishte hapësirë ligjore ta dënonte 30-vjeçarin minimalisht me pesë vjet burg.
Për fatin e mirë, punonjësi i kompanisë së sigurimeve në Podgoricë, nuk iu duk i rrezikshëm trupit gjykues. Ata e dënuan sidoqoftë me 5 vjet burg, saç është edhe minimumi, që u ul në tre vjet e katër muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe vendosën ta pezullonin dënimin për 2 vjet për shkak të parrezikshmërisë, me kusht që Miso të paraqitet herë pas here në policinë lokale.
Për ironi, Miso dhe 6 të rinjtë u arrestuan në të njëjtën ditë, kur sipas gazetës malazaze “Vijesti” dy shqiptarë u arrestuan në Ulqin me 1.5 ton kanabis. Me gjasë prania kaq e madhe e kanabisit në Shqipëri ka krijuar iluzionin se sasitë e vogla mund të mos jenë problem ligjor. Por ligji shqiptar nuk bën diferencë të madhe mes atyre që kapen me disa dhjetëra gramë dhe atyre që ndalohen me kilogramë apo edhe me sasi më të mëdha. Madje shpesh policia dhe drejtësia shqiptare akuzohen se dënojnë më fort ata që kapen me sasi të vogla.
Vetëm tre ditë më parë, ambasadori i SHBA Donald Lu, përmendi gjatë një fjalimi të ashpër në Shkollën e Magjistraturës se ndonëse në 2016 u bënë 1349 arrestime për krime të trafikimit të drogës, vetëm 100 nga këto raste u pasuan me dënime në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe mes tyre nuk gjendej asnjë personazh i ashtuquajtur si “peshk i madh”.
Ndërkohë si Miso, të paktën 15 persona shumica e të cilëve të huaj janë arrestuar gjatë këtij viti në Kakavijë për posedim të sasive nga 1 deri në disa dhjetëra gramë. Një oficer i policisë i tha BIRN se, në një rast një shtetas francez e kishte vetëdeklaruar 3.5 gramë kanabis, i painformuar me gjasë se përtej famës si vendi me kultivimin më të madh të narkotikut në Europë, Shqipëria ka dënime të ashpra penale edhe për poseduesit. Ndërkohë që, sipas një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë edhe limiti i drogës me të cilin cilësohesh konsumator caktohet vetëm, pasi ke qëndruar disa kohë në qeli në pritje të ekspertizës që të nxjerr ose jo përdorues dhe që përcakton edhe se sa e fortë është droga.
Për Mison, kjo zgjati 1 muaj, ndërsa derisa Gjykata vendosi lirimin e tij të menjëhershëm në 12 shtator të këtij viti, malazezi kishte bërë 5 muaj në qelitë e paraburgimit të burgut të Sigurisë së Lartë në Bënçë të Tepelenës, bashkë me trafikantë të vërtetë të drogës.
Zëdhënësja e Policisë së Gjirokastrës, Oltiana Nano tha se edhe rreth 15 raste të tjera në nivel Qarku që janë evidentuar jo në kufi, por në grupe kryesisht të rinjsh në tre rrethet e Qarkut Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet. “Personat që janë kapur me 3 gramë apo 5 gramë marijuanë janë proceduar për mbajtje të lëndëve narkotike (posedim), ndërsa ka pasur raste kur persona me mbi 200 gramë janë proceduar për trafik narkotikësh”, tha zonja Nano.
Edhe në pikat e tjera kufitare shqiptare me vendet fqinje raportimet e policisë shqiptare flasin për raste të shumta të bllokimit të shtetasve, kryesisht të huaj, gjatë këtij viti me sasi të vogla narkotike. Sipas Policisë së Korçës nga muaji maj deri në shtator janë arrestuar dhe proceduar 38 shtetas të huaj që kanë tentuar të nxjerrin jashtë Shqipërisë marijuanë, në sasi të ndryshme, nga të cilat 21 raste përmes pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës, në kufi me Maqedoninë. Raportimet e Policisë së Korçës flasin se, në 21 rastet e zbulimit në kufi në Qafë-Thanë, kanë qenë të përfshirë shtetas polakë, çekë, gjermanë dhe rumunë.
Ndërkohë, Kodi Penal aktual shqiptar parashikon dënime të ashpra pavarësisht sasive të vogla të narkotikëve. Nëse një person kapet me disa gramë marijuanë dënohet me pesë deri në dhjetë vjet burgim. Dhe kjo është si kur i gjenden disa gramë edhe kur kapet me 1 kg marijuanë apo me 1 ton marijuanë. “Ne kemi në Kodin Penal vetëm një dispozitë, Nenin 283 që i përfshin këto vepra”, thotë Piro Boboli, një avokat në Gjirokastër, ndërkohë që sipas tij legjislacioni i vendeve të BE-së i ka të mirëspecifikuara dispozitat për drogën dhe vendi fqinj Greqia, madje ka një ligj të posaçëm. Zoti Boboli thotë se Kodi Penal shqiptar nuk e përcakton sasinë për përdorim vetiak të marijuanës, ndryshe nga shumë vende të tjera.
“Problematika e caktimit të masës së dënimit për trafikimin e lëndëve narkotike në bazë të sasisë dhe llojit të lëndës së trafikuar është e njohur prej vitesh në Shqipëri”, thotë zoti Boboli. Zoti Boboli thotë se, “në mungesë të përcaktimit të ligjvënësit se çfarë konsiderohet dozë e vogël, Gjykata e Lartë me vendimin unifikues nr.1/2008 ka interpretuar këtë parashikim në kuptimin që në aspektin sasior, lënda narkotike dhe psikotrope duhet të jetë në atë masë sa të konsiderohet realisht e vogël për përdorim vetiak nga ana e individit konkret.
Po ashtu, Gjykata e Lartë ka theksuar se përcaktimi i dozës së vogël duhet të bëhet me ndihmën e specialistëve të fushës dhe rast pas rasti. “Ka pasur reagime të shumta për këtë, por ende nuk janë bërë përmirësime në ligj”, thotë avokati.
Fakti që përveç të huajve një numër i konsiderueshëm i atyre që ndalohen me sasi të vogla janë të mitur që marrin dënime të ngjashme me trafikantët, ka bërë që Ministria e Drejtësisë të përgatisë një draft për përmirësimin e ligjit, duke sugjeruar që kjo vepër penale të dënohet sipas gramaturës me të cilën kapet personi.
Loreta Mamani, Pedagoge në Universitetin e Gjirokastrës, që ka asituar shumë të mitur në procese gjyqësore thotë se përfshirja e të miturve ishte mjaft e përhapur në këtë qark, sidomos kur marijuana kultivohej masivisht në Lazarat. “Të mitur me sasi të vogla kapeshin nga policia apo denoncoheshin nga vetë prindërit e tyre, duke rrezikuar nga pesë deri në 10 vite burgim”, thotë Mamani. Sipas saj, tani numri i çështjeve ka rënë dhe fillimin e vitit që vjen pritet të ndryshojnë edhe politikat penale ndaj të miturve.
Kështu, drafti i ri parashikon 23 masa dënimi, nga 7 që janë parashikuar në Kodin Penal në fuqi, duke diferencuar një sërë veprash nga prodhimi, shitja, mbajtja, ofrimin për shitje, dhënien ose marrjen në çdo formë, shpërndarjen, tregtimin, transportimin, dërgimin, dorëzimin e substancave narkotike, psikotrope, ose i farërave të bimëve narkotike.
Drafti i ri po ashtu e zbut dënimin për posedimin e sasive deri në 100 gramë me deri 5 vjet burg për kanabisin.

BIRN

Boçi: Gardiani i telave me gjemba nuk mund të jetë gardian i fjalës së lirë

Deputeti i PD, Luçiano Boçi tha se qëndrimet e opozitës në raport me Parlamentin do të varen nga qëndrimi që do të mbajë Gramoz Ruçi. Në studion e lajmeve të “Ora News”, Boçi paralajmëroi se raporti me të nuk do të ketë nuancë zbutëse.
Boçi: Pjesa me debatin me zotin Ruçi është instinkt politik që lind nga një rrethanë shumë e thjeshtë. Qëndrimi ynë ndaj tij nuk besoj se do të ketë nuancë zbutëse dhe tendenca e agravimit të debatit varet nga qëndrimet që shpreh dhe shfaq Ruçi janë ato qëndrime që ne kemi paralajmëruar. Ato qëndrime që shprehin arrogancën dhe revanshin e tij. Më vjen keq që zoti Ruçi kërkon të mbyllë karrierën e tij politike në një revansh të tillë politik.
Deputeti demokrat tha gjithashtu se, veprimi i Gramoz Ruçit sot duke përjashtuar kreun e PD ishte një veprim arbitrar.
Boçi: Situata e sotme ishte absurd, ajo përplasje që u krijua që u shoqërua me penalizimin e kreut të opozitë ishte një formë e shfaqjes së arbitraritetit të drejtimit të seancës nga një person siç është Gramoz Ruçi, i kontestuar nga PD pikërisht për këto cilësi që shfaqi sot. Kemi theksuar qëndrimet tona se gardiani i telave me gjemba nuk mund të jetë gardian i fjalës së lirë.
Akti më i pranueshëm tha Boçi, do ishte që Ruçi të largohet nga Kreu i Kuvendit.
Boçi: Akti më i pranueshëm për ambientin politik do ishte që zoti Ruçi të vetëlargohej, të vetëdorëzohej me një kërkesë. Dhe jo që në fund të karrierës të shprehësh mllefin e grumbulluar për kaq vite dhe duke pasur mbi supe edhe njollat e së kaluarës.

 

Alibeaj: Askush s’do mund t’ia mbyllë gojën opozitës

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj deklaroi dje se as presionet e mazhorancës dhe as kërcënimet e saj nuk do të mund të smbrapsin dot opozitën në betejën e saj e as do të mund t’i mbushin asaj gojën.
Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj e konsideron të paprecedent përjashtimin e kryetarit Basha nga Kuvendi. Ai shprehet se, mazhoranca kërkon të mbyllë gojën e PD-së, pasi nuk kanë argumente.
“Opozita do të qëndrojë këtu. Nuk mund të ndodhë më që t’i mbyllet goja opozitës. Lista e folësve tanë është depozituar që dje. Mazhoranca ka mungesë të argumenteve të tyre. Meqë janë të papërgatitur për t’u përballur me argumentin, bëjnë këtë zgjidhje, na mbyllin gojën ne”, u shpreh ndër të tjera Alibeaj.
Ndërkohë që Alibeaj theksoi se Parlamenti nuk është i Gramoz Ruçit ku snajperat mund të vendosin, e t’i mbyllin gojën opozitës.
“Ne do vazhdojmë të qëndrojmë se ky tempull nuk është i Gramoz Ruçit, ku snajperat mund të vendosin, e t’i mbyllin gojën opozitës. Ajo kohë ka mbaruar me vakt. Ne kërkojmë të drejtën tonë, se çfarë ka ndodhur me zgjedhjet dhe se çfarë ndodh aktualisht me krimin”, u shpreh deputeti.

Ora e takimit me prindër, Qifja pin kafe me mamin e Edit dhe Gaz Demin. Pa koment!

Ka kush mendon për hallin që e ka zënë “Qifen” me kërkesën e PD për hetim të thelluar për dekriminalzimin. Një kafe me Anetën, mamin e Edit është shumë shpresëdhënës.

Denoncimi, afera korruptive e Manastirliut me uniformat e spitaleve

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka postuar në Facebook mesazhin e një punonjësi, i cili denoncon aferat korruptive të ministres së Shëndetësisë, Manastirliu, me uniformat e spitaleve. Në mesazh thuhet se, pasi Manastirliu ua ndërroi katër herë uniformat, duke bërë tendera korruptivë stafit të QSUT shkon edhe bën megaskandalin tani me të gjitha spitalet, duke futur të njëjtën kompani. Postimi i Berishës: “Ja si i vesh ndrikull Manastirliu me detyrim punonjësit e shëndetësisë për të mbushur xhepat e vet! Lexoni mesazhin e punonjësit dixhital! Sb “Doktor uroj të jesh mirë dhe jetë të gjatë. Kjo ndrikulla e QSUT që e kanë bërë ministre të Shëndetësisë tani po vesh gjasme me të njëjtat uniforma të gjithë stafin në spitalet e rretheve të ngjashme me ato në QSUT.
Ky është një korrupsion i pastër i ndrikullës Manastirliu, pasi ua ndërroi katër herë uniformat, duke bërë tendera korruptivë stafit të QSUT shkon edhe bën megaskandalin tani me të gjitha spitalet, duke futur të njëjtën kompani.
Beqja me Ramën vodhën sa deshën në kurriz të mjekëve dhe infermierëve me lloj-lloj PPP-je, kurse kjo ndrikulla tall menderen me uniforma se këto kanë ngelur tani”.

Realizimi i buxhetit mbi dy miliardë euro për vitin 2018, vihet në pikëpyetje

Realizimi i buxhetit të Kosovës prej mbi dy miliardë euro për vitin 2018, vihet në pikëpyetje nga përfaqësues të bizneseve në vend. Sipas tyre, nuk janë bërë hapa të duhur nga autoritetet që t’i mundësonin shtetit një buxhet të tillë.
Përveç të tjerash, ata thonë se agjenda politike ka ngufatur edhe objektivat për një buxhet prej mbi dy miliardë euro.
Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, në një intervistë dhënë Radios “Evropa e Lirë” kishte paralajmëruar se Kosova do të ketë një buxhet prej mbi dy miliardë euro në vitin 2018.
“Vlera e buxhetit do të jetë mbi dy miliardë euro, bazuar në burime të qëndrueshme. Sa u përket projeksioneve ne do të jemi të kujdesshëm që të jenë në përputhje me nivelin e rritjes ekonomike dhe normalisht për ndonjë pikë të përqindjes do të jetë më i lartë”, pati deklaruar Hamza.
Megjithatë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë për Radion “Evropa e Lirë” se një buxhet i tillë mund të realizohet, por jo në këto rrethana kur Parlamenti është në formën teknike, kur është një qeveri e ri apo kur është cenuar, siç thotë ai, partneriteti me mekanizmat ndërkombëtarë.
“Dua të besoj që të arrihet një buxhet i tillë, por në këto rrethana e kam frikën se do të jetë shumë e vështirë dhe do të jetë prapë një barrë që do të godet drejtpërsëdrejti sektorin privat. Kur kësaj i shtohet edhe fakti i prolongimit të paargumentuar të fillimit të zbatimit të pakos fiskale 2, atëherë mbetet për t’u dëshiruar, por vështirë për t’u realizuar”, thotë Gërxhaliu.
Derisa, buxhetin prej dy miliardë euro institucionet e Kosovës e kanë bazuar në fuqinë e sektorit privat, sipas Gërxhaliut, ky sektor duhet të ketë mbështetje.
Për të mbështetur këtë sektor, Gërxhaliu thotë se është e nevojshme miratimi i Ligjit për tregti të brendshme, Ligji anti-damping dhe Ligji për mbrojtjen e produkteve vendore.
“Buxheti pritet të grumbullohet nga Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës, e që do të jetë një barrë për sektorin privat, por dua të besoj që nëse mendohet që të rritet buxheti, institucionet duhet të bëjnë më tepër të mbështetet sektori privat dhe ajo çka kërkon sektori privat është të këtë barazi si vendet e rajonit dhe mbi të gjitha të ketë mbrojtje”, thotë Gërxhaliu.
Buxhetin prej mbi dy miliardë euro, sipas drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka e pamundëson edhe niveli i lartë i ekonomisë jo formale.
Ai thotë se, autoritetet e Kosovës nuk janë treguar efektive në luftimin e ekonomisë në të zezë.
“Nëse institucionet përgjegjëse arrijnë të tregojnë veprime më konkrete në luftimin e ekonomisë joformale, e cila është në shifra alarmante për vendin, realizmi i një buxheti të tillë nuk do të duhej të ishte problematik. Megjithatë, me veprimet e treguar nga ana e institucioneve në të kaluarën në luftimin e ekonomisë joformale, që kanë qenë veprime të mangëta, kjo mund të na bëjë që të jemi pesimist në lidhje me realizmin e një buxheti prej dy miliardë euro”, thotë Zeka.
Sa i përket ekonomisë joformale, zyrtarë qeveritarë në vazhdimësi kishin paralajmëruar luftë të pakompromis kundër kësaj dukurie. Ata kishin deklaruar se si pasojë e ekonomisë joligjore janë miliona euro në vit, të cilat nuk arkëtohen në arkën e shtetit.
Ndërkohë, raportet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kishin vënë në pah se, evazioni fiskal në Kosovë arrin në mbi 30 për qind.
Buxheti i Kosovës edhe në vitin 2017, kishte shifrën e mbi dy miliardë eurove, i cili ishte më i larti që nga paslufta në Kosovë.

TAP, përfundon 75% e punës, investimet do bien me 500%

Konsorciumi i gazsjellësit Trans Adriatik njoftoi se, në Shqipëri dhe Greqi ka përfunduar më shumë se 75% e volumit të punës. Mesa duket, në dy vendet punimet po ecin me ritme të përshpejtuara, duke sinjalizuar se, projekti do të përfundojë brenda afateve të parashikuara, pra, brenda vitit 2020.
Ndër të tjera, në Shqipëri dhe Greqi shtrihet edhe pjesa dërrmuese e projektit, mbi 80%, ndërkohë që pa filluar mbetet vetëm pjesa nënujore në shtratin e Adriatikut, ku do të bëhet edhe lidhja me tubacione mes Shqipërisë dhe Italisë.
Por, fakti që TAP po përfundon, nuk është domosdoshmërisht një lajm i mirë, sidomos për kuadrin makroekonomik. Të dhënat e fundit sugjerojnë se, deri më tani gazsjellësi ka investuar rreth 1.2 miliardë euro në vendin tonë, çka do të thotë se, nga totali i investimit mbeten vetëm 300 milionë euro në tre vite.
Investimet e TAP prekën kulmin gjatë këtij viti me një total prej rreth 500 milionë euro, ose një e treta e totalit. Së fundmi, Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi për rënien e investimeve të huaja në vendin tonë gjatë viteve në vijim, kryesisht si pasojë e tkurrjes së investimeve në sektorin energjetik, rrjedhojë e drejtpërdrejtë e zbehjes së investimeve nga TAP.
Ky nuk ishte as paralajmërimi i parë e as i fundit. Gjatë vitit, edhe Banka Botërore si dhe Komisioni Europian, por edhe Fondi Monetar në raportet e kaluara kanë paralajmëruar qeverinë shqiptare se, stoku i investimeve të huaja do të bjerë.
Diçka e tillë do të reflektohet edhe në termat e rritjes ekonomike. Gjatë vitit të ardhshëm, rritja projektohet më e ulët se viti aktual.

Raporti: Shqipëria, vlerësimin më negativ në botë për investitorët

Shqipëria është tërësisht jokonkurruese në incentivat fiskale që ofron për investitorët. Raporti i Konkurrueshmërisë Globale, i publikuar së fundmi nga Forumi Ekonomik Botëror, e rendit Shqipërinë të 123-ën në mesin e 137 vendeve që janë marrë në studim.
Në një vlerësim nga 0 deri në 7 pikë (ku afër zeros është vlerësim negativ dhe afër 7-es pozitiv) Shqipëria ka marrë vlerësimin më të dobët në rang global me vetëm 2.2 pikë për nxitjen e investimeve nëpërmjet taksave. Shqipëria në këtë indeks lë pas vetëm 14 vende.
Edhe raportet e Bankës Botërore e rendisin Shqipërinë, së bashku me Serbinë, ndër vendet që kanë nivelin më të lartë të taksave ndaj fitimit. Shqipëria, së bashku me Serbinë, kanë nivelin më të lartë të taksave në rajon, në TVSH, kontributet e sigurimeve, që paguhen nga punëdhënësi dhe tatimin mbi korporatat. Jo më kot, të dy këto shtete kanë nivelin më të lartë të taksave në përqindje ndaj fitimit, përkatësisht 36.5% Shqipëria dhe 39.7% Serbia, sipas raportit “Të bësh biznes 2017”.
Por, ndryshe nga Serbia, Shqipëria nuk jep asnjë lehtësi fiskale ndaj investitorëve qoftë të huaj apo vendas.
Gjithashtu në vendin tonë nuk janë funksionale zonat e lira ekonomike, ku zhvillohet aktivitet ekonomik me regjim të lehtësuar taksash dhe nuk ka as parqe industriale me tarifa të favorshme.
Forumi Ekonomik Botëror ka vërejtur se, Shqipëria në indeksin 2017-2018 e ka përkeqësuar pozicionin e saj në renditjen për ofertën fiskale ndaj investitorëve.
Kjo mungesë konkurrueshmërie në drejtim të investitorëve e ka bërë vendin tonë më pak atraktiv, teksa shihet se Ballkani Perëndimor dhe kryesisht Maqedonia, kanë përfituar dukshëm nga diversifikimi i aktivitetit të kompanive globale.
Shqipëria ka aktualisht TVSH 20% dhe Tatimin mbi Fitimin 15%. Këto nivele janë më të lartat në rajon, por nga ana tjetër për investitorët e huaj nuk ka asnjë toleranca fiskale siç aplikohet në Serbi dhe Maqedoni.

“Monitor”

Diskretitimi i zgjedhjeve, Banka: U hapën shumë vende pune në shtet

Në një anketim të posaçëm për të vrojtuar gjendjen financiare të familjeve, Banka e Shqipërisë ka gjetur se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017 papunësia ra, kryesisht prej rritjes së punësimit në shtet.
Rënia e papunësisë më parë ishte konfirmuar nga INSTAT, i cili duke publikuar rezultatet e anketës së punës raportoi se papunësia ra në 13.9% në tremujorin e dytë të vitit nga 14,2 për qind që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
“Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, numri i të punësuarve në kampionin e vrojtuar ka shënuar rritje në terma vjetorë, mbështetur kryesisht nga punësimi në sektorin shtetëror”, raporton Banka në lidhje me rezultatet e vrojtimit.
Anketa e Bankës së Shqipërisë u bë në 1209 familje të përzgjedhura sipas një kampioni rastësor, ku rreth 55% e tyre jetojnë në zonat urbane dhe 45% në zonat rurale të vendit.
Punësimi në shtet në gjysmën e parë të vitit është nxitur më se shumti nga fushata e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Në Shqipëri, precedenti i punësimeve në prag zgjedhjesh për përfitime elektorale është një fenomen i njohur. Punësimet bëhen kryesisht në ndërmarrjet publike.
Sipas matjeve të INSTAT, ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i dytë i vitit 2016 në tremujorin e dytë të vitit 2017, është 3,4%. Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është: 9% në sektorin e shërbimeve dhe 2,5% në sektorin e industrisë, ndërsa në sektorin e bujqësisë pati një rënie të punësimit prej 1,7%.
Për shkak të zhvillimeve pozitive në tregun e punës, Banka e Shqipërisë pohoi se niveli i të ardhurave të familjeve dhe niveli i shpenzimeve kanë qenë në rritje gjatë periudhës, por rritja e shpenzimeve ka rezultuar më e madhe, duke sjellë ngushtim të balancës financiare (të ardhura-shpenzime) të familjeve.
Rreth 28% e familjeve deklarojnë se kanë hua për të paguar dhe kjo peshë ka rënë pak krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe krahasuar me një vit më parë.