26.5 C
Tirana
E hënë, 16 Qershor, 2025

CIA: Kim Jong Un nuk është i çmendur

Pavarësisht provokimeve të tij të vazhdueshme dhe gatishmërisë për t’u angazhuar në retorikë të nxehtë, zyrtarët e lartë të zbulimit amerikan thonë se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un nuk është i çmendur.
“Kim Jong Un është një aktor shumë racional”, tha të mërkurën zëvendësndihmës drejtorja e Qendrës së Misionit të Koresë në Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA.
“Me përjashtim të retorikës agresive, Kim Jong Un nuk ka dëshirë të përballet me forcat e komandës së përbashkët (të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut)”, tha Yong Suk Lee në një konferencë për zbulimin në Uashington, të organizuar nga CIA.
“Kim Jong Un dëshiron atë që të gjithë sundimtarët autoritarë duan, të qeverisë për një kohë të gjatë dhe të vdesë paqësisht në shtratin e tij”, tha zonja Lee.
Vlerësimi i agjencive të zbulimit duket se është në kundërshtim me retorikën që përdoret nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në një seri mesazhesh në Twitter, Presidenti Trump e ka quajtur udhëheqësin e Koresë së Veriut një “njeri të vogël raketash” dhe në një mesazh të postuar muajin e kaluar, ai tha se Kim është “padyshim një njeri i çmendur”.
Megjithatë, zonja Lee dhe zyrtarë të tjerë të CIA-s besojnë se ka pasur një “qëllim të caktuar” në mënyrën se si udhëheqësi i Koresë së Veriut po vepron në skenën botërore.

Macron ofron ndërmjetësim midis Irakut dhe kurdëve

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka ofruar të ndërmjetësojë ndërmjet qeverisë së Irakut dhe kurdëve, pas referendumit për pavarësi të mbajtur muajin e kaluar.
Këtë ofertë ai ia paraqiti sot në Paris kryeministrit të Irakut, Haidar al-Abadi, ku ata kanë biseduar për shumë çështje, përfshirë mbështetjen franceze për luftën kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, dhe për ripërtëritjen e ekonomisë së Irakut.
Iraku ka kërkuar anulimin e referendumit të mbajtur më 25 shtator në të cilin 92.7% e atyre që morën pjesë në votim, u shprehën për pavarësi.
Macron tha se, Franca e mbështet stabilitetin dhe integritetin territorial të Irakut dhe ka shprehur shqetësim për situatën me kurdët, pas referendumit.

Argjentina rrezikon të mbetet jashtë

 

Peruja dhe Ekuadori janë skuadrat që do të vendosin për fatin e Argjentinës në kualifikueset e Botërorit të vitit 2018, për zonën e Amerikës Latine. Skuadra nënkampione e botës nuk është në momentin më të mirë, pasi ndodhet në vendin e pestë në klasifikimin e këtij grupi, e rreziku që të mos kualifikohet për në fazën finale të Kupës së Botës është i madh.
Nëse kjo do të ndodhë, për Argjentinën do të jetë hera e parë që nga viti 1970, që do të mbetet jashtë kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik. Bardhekaltrit do të përballen ditën e enjte me Perunë, me të cilën ka një kuotë të barabartë pikësh, 24, por Argjentina ka një golavarazh më të dobët sesa kjo kombëtare. Ndaj, për të besuarit e Sampaolit fitorja në këtë sfidë është një detyrim.
Ndeshja me Ekuadorin do të jetë ajo që do të përmbyllë këtë fazë kualifikuese për Argjentinën, që nuk ka bërë paraqitjet më të mira gjatë kësaj fundjave. Në grupin e Amerikës Latine të kualifikueseve të Botërorit 2018, 4 skuadrat e para kualifikohen drejtpërdrejt për në fazën finale të aktivitetit, ndërsa skuadra e vendit të pestë do të luajë ndeshje “play off”-i me Zelandën e Re.
Peruja dhe Ekuadori janë skuadrat që do të vendosin për fatin e Argjentinës në kualifikueset e botërorit të 2018. Skuadra nënkampione e botës përballet këtë javë me rrezikun real që të mos jetë në fazën finale të Kupës së Botës. Nëse kjo do të ndodhë, për Argjentinën do të jetë hera e parë që nga viti 1970.
Bardhekaltrit do të përballen ditën e enjte me Perunë me të cilën ka një kuotë të barabartë pikësh, por Argjentina ka një golavarazh më të dobët se kjo skuadër, kështu që fitorja është një detyrim. Ndeshja me Ekuadorin do të jetë ajo që do të përmbyllë këtë fazë kualifikuese për Argjentinën në grupin ku kualifikohen direkt 4 ekipe.
Deri në këtë moment, 7 skuadra i janë bashkuar Rusisë në fazën finale të Botërorit, e këto janë Brazili, Belgjika, Meksika, Irani, Arabia Saudite, Koreja e Jugut dhe Japonia.

Bayerni ka zgjedhur

Bayerni ka zgjedhur Jupp Heynckes, trajneri që ka arritur fitoren e trefishtë në vitin 2013 është zgjedhja e përkohshme për stolin bavarez. 72-vjeçari do të marrë drejtimin e ekipit deri në fund të këtij sezoni, duke i dhënë kështu zgjidhje boshllëkut të krijuar nga shkarkimi në mes të sezonit të italianit Karlo Ançeloti. Lajmin e bën të ditur e përditshmja prestigjioze gjermane “Bild”, e cila vijon artikullin e saj duke theksuar se Thomas Tuchel, ish-trajner i Borussia Dortmund me të cilin klubi pati zhvilluar një bisedë paraprake, nuk u pa të ishte në lartësinë e duhur, ndërkohë që Julian Nagelsmann nuk e pati rrugën e lirë nga ‘Hoffenheim’.
Në janar të vitit 2013, ishte komunikuar lajmi se në vend të Heynckes do të mbërrinte Pep Guardiola dhe para se t’i jepte lamtumirën, në muajt që i kishin mbetur ai mori sadisfaksionin e fitoreve në Bundesligë, Kupën e Gjermanisë dhe Champions League. Pas fitores së trefishtë të parë në historinë e klubit gjerman, Heynckens lajmëroi se me këtë triumf i jepte fund edhe karrierës së tij si trajner. Më pas, miq e kolegë u munduan t’i ndryshonin mendjen.
Gjithsesi, duhet ktheksuar fakti se, Don Jupp flet shumë mirë spanjisht përkatësisht gjuhën e latinëve Vidal dhe Hames Rodriguez dhe do të jetë faktor plus për të risjellë harmoninë e munguar dhe shuarjen e konflikteve të krijuara në dhomat e zhveshjes. Githashtu, Heynkens ruan raporte shumë të mira edhe me Robben e Neuer. Ndërkohë, më i fituari duket Uli Hoeness, me Presidentin aktual që do të ketë një mundësi tjetër shumë të mirë për të qetësuar ndërgjegjen e tij pas vendimit të marrë në vitin e largët 1991, sezoni i parë për Heyncens në stolin e bavarëzevë, në të cilin ai e pati shkarkuar. Për këtë episod Uli Hënes gjithnjë është shprehur se është penduar dhe se ka qenë gabimi më i madh në vendimmarrjen e tij në karrierën si drejtues. Kjo është hera e katërt që Jup Heyncens rikthehet në stolin e Bayner Mynih, e sigurisht që para një figure si ai, trajnerët e rinj duhet të presin në radhë.
Drejtuesit e Bayern Munichut kanë bindur trajnerin gjerman, Jupp Heynckes, për t’u kthyer pas katër viteve nga pensionimi dhe për të drejtuar skuadrën deri në fund të këtij sezoni.
Bayern është pa trajner që nga java e kaluar, pas shkarkimit të trajnerit italian, Karlo Ançeloti.
Heynckes për herë të fundit kishte drejtuar Bayernin, ku në vitin e tij të fundit 2013, arriti të fitonte tripletën, Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve.
Lajm i mirë për Heynckes është se nga ajo skuadër që kishte fituar tripletën, ende në Bayern luajnë shtatë lojtarë.
Bëhet fjalë për Neuer, Boateng, Alaba, Martinez, Robben, Müller dhe Ribery, ndërsa nga skuadra janë larguar Lahm, Dante, Schweinsteiger, Kroos dhe Mandzukiç.

Rritja e taksave e biznesit të vogël, rrit me 20% çmimet, do falimentojnë 80% e tyre

Nëse skema e TVSH-së jetësohet, do të kemi një rritje masive të çmimeve. Rritja e çmimeve do të rritet 20 për qind automatikisht për shërbimet dhe më pak për produktet, të cilat në hallkën e fundit të zinxhirit do të paguajnë vetëm diferencën e çmimit. Por kostoja do të paguhet e gjitha nga konsumatorët
Teksa Kryeministri Edi Rama lajmëroi dje përfshirjen e bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së, ekonomistët bëjnë përllogaritjet se çfarë efektesh do të ketë ky proces tek çmimet për konsumatorët fundorë dhe bizneset e fushës.
Ekonomistët bashkëpunëtorë të “Monitor”, pohojnë se nëse skema e TVSH-së jetësohet, do të kemi një rritje masive të çmimeve. Rritja e çmimeve do të rritet 20 për qind automatikisht për shërbimet dhe më pak për produktet, të cilat në hallkën e fundit të zinxhirit do të paguajnë vetëm diferencën e çmimit. Por kostoja do të paguhet e gjitha nga konsumatorët, pasi faturimi në TVSH në pakicë do të transferohet në çmime.
Ja si do të funksionojë skema. Në se një produkt hyn në doganë me 100 lekë, menjëherë për këtë produkt do të paguhet TVSH 20 % dhe tarifë doganore nëse ka. Kur ky produkt magazinohet ndaj tij faturohet kosto transporti 10 lekë dhe vlera totale me TVSH shkon 130 lekë. Distributori nga ana e tij, në këtë çmim do të llogarisë 20 lekë kosto operacionale dhe 20 lekë fitim. Në total çmimi i produktit shkon në 170 lekë. Më pas, kur ky produkt nga distributori shkon tek pika e pakicës, çmimi i produktit do të llogaritet çmim final plus TVSH (17 lekë +TVSH 20% që në këtë rast është 34 lekë). Duke qenë se TVSH është paguar njëherë në doganë, distributori do t’i paguajë TVSH shtetit diferencën 34 lekë minus 20 lekë që ka paguar në doganë, pra 14 lekë. Në këtë mënyrë do të funksionojë edhe pakica. Deri më tani TVSH nuk aplikohej në shkallën e fundit.
Tani vlera e produktit nga distributori tek pika e pakicës shënon 210 lekë. Duke i shtuar koston dhe fitimin prej 30 lekësh që do të ketë ambulanti, i bie që çmimi ndaj konsumatorit të jetë 240 lekë plus TVSH. TVSH në këtë rast është 4.8 lekë. TVSH që i paguhet shtetit nga biznesi i vogël është 4.8 lekë minus 3.8 lekë, pra 10 lekë.
Ekspertët pohojnë se përfshirja në TVSH do të rrisë çmimet për të gjithë produktet dhe shërbimet deri në 20 për qind. Por kjo rrezikon të nxjerrë nga tregu gati 80 për qind të bizneseve të vogla, të cilat nuk do të mund të përballojnë konkurrencën nga qendrat tregtare dhe supermarketet që tashmë shesin me TVSH.
Përfshirja e tyre në TVSH do të bëjë që shumë nga këto biznese të kalojnë pragun e xhiros, dhe ky është një shkak tjetër që ata të paguajnë tatimin mbi fitimin.
Ekspertët pohojnë se, gjithashtu skema ka kosto shtesë në aktivitetin e bizneseve të vogla, pasi ato do të duhet të paguajnë ekonomistet më shumë për mbajtjen e llogarive të tyre. Një biznesi do t’i kushtojë së paku 10-15 mijë lekë në muaj për mbajtjen e llogarive, nga 5 mijë lekë që ishte aktualisht. Kjo reformë shpjegojnë ekonomistët rrezikon të nxjerrë nga tregu 80 për qind të bizneseve të vogla. Kjo hallkë e biznesit ka shumë rëndësi në vetëpunësim. Kjo kategori zë 36% në strukturën e punësimit në vend.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar do të shtrihet në të gjithë biznesin e vogël. Lajmin e dha sot Kryeministri i vendit Edi Rama gjatë një prononcimi live në ERTV në kudër të konsultimit publik për buxhetin dhe paketën fiskale 2018.
Kryeministri tha se, të gjitha subjektet e biznesit të vogël do të përfshihen në TVSH.
“Do t’i kërkojmë biznesit të vogël të bëhet pjesë e luftës kundër informalitetit. Të gjitha subjektet, edhe subjektet e biznesit të vogël do të përfshihen në TVSH. Nuk është e vërtetë që do të ketë rritje taksash për biznesin e vogël. Ne e kemi bërë zero dhe do të vazhdojë të mbetet zero. Ne do ta përfshijmë në regjimin e TVSH, por kjo nuk do të thotë se do të ketë rritje taksash. Çdo biznes i vogël do të sillet në mënyrë të strukturuar”, ka pohuar sot Rama në Fier, teksa ka nisur diskutimet për projektbuxhetin 2018.
Më herët bizneset e mëdha i kanë kërkuar kryeministrit të përfshirë bizneset e vogla në TVSH si mënyra më e mirë për të parandaluar evazionin që krijonte përshkallëzimi.
Aktualisht bizneset e vogla lëshojnë faturë të thjeshtë tatimore, për çdo blerës të tatueshëm që merr furnizimin. Ndërsa për çdo blerës individ konsumator final, është i detyruar të lëshojë kupon tatimor nga pajisja fiskale.
Çdo blerje të tyre janë të detyruar ta justifikojnë me faturë tatimore me TVSH, kur blerja është kryer te personat e regjistruar si tatimpagues të TVSH-së.
Por ky vendim i qeverisë do të krijojë një tranzicion të ri në mesin e bizneseve të vogla, të cilat kanë një nivel të pamjaftueshëm njohurish dhe burimesh njerëzorë për t’u përfshirë në TVSH.

Pse po falimenton bujqësia?

farmer on his tractor plowing the field, rural wyoming

Të gjithë flasin për bujqësinë: ata që merren me tokën, ata që konsumojnë prodhime toke, ata që kërkojnë votat në emër të tokës dhe ata që janë paguar dhe paguhen nga xhepat tanë për ta zhvilluar tokën.
Nga të gjitha qeveritë, pa përjashtim, bujqësia është konsideruar një sektor prioritar. Dhe jo pa qëllim. Në të është e punësuar mbi 41% e popullsisë dhe jep 22% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Por, a është zhvilluar në këto vite bujqësia dhe a ka pasur një vizion për të?
Për të dhënë një përgjigje, mjafton të analizosh shifrat e buxhetit. E thënë ndryshe, paratë që jepen nga arka e financave publike për këtë degë të ekonomisë, që konsiderohet prioritare. Në vitin 2017, nga buxheti janë dhënë për bujqësinë 10 miliardë e 171 milionë lekë. Në vitin 2016, shuma ishte 10 miliardë e 188 milionë lekë. Për investime, shkon vetëm gjysma e kësaj shifra. Më saktësisht këtë vit, vetëm 5.2 miliardë lekë.

Çfarë ndodh në terren me fermerët?

Në më pak se një orë udhëtim me makinë nga Tirana në drejtim të Lushnjës, syri të kap serat e para. Të vogla, pothuajse ngjitur afër njëra-tjetrës, ato dëshmojnë për një nga problemet më të mëdha të bujqësisë shqiptare: fragmentarizimin e tokës. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë flasin për rreth 300 mijë sera në të gjithë vendin. Janë me mijëra familje fermere, që përpiqen të jetojnë me atë ngastër toke. Një vit mbjellin domate, e vitin tjetër, nëse domatet nuk u shitën, mbjellin kastravecë e çdofarëlloj kulture tjetër bujqësore. E nesërmja nuk është e sigurtë, pasi nuk ka treg.
“Bëjmë prodhim me bollëk. Por nuk ka treg. Ne prodhojmë domate. Kosto e prodhimit me sera, pleh kimik, plastmasë shkon rreth 350 lekë. Ndërsa ne në shumicën e rasteve e shesim domaten me 200 lekë se nuk e blen njeri. Vetëm një ose dy herë arrijmë ta shesim me 400 lekë që mbulojmë edhe humbjet”, tregon një nga fermerët që takuam në Lushnjë.
Ajo punon çdo ditë në serë. Jeta e saj dhe e familjes janë të lidhura me tokën. Ndihma e vetme janë krahët dhe shpresa se e nesërmja do të jetë më e mirë ose të paktën, me pak më shumë fat, aq sa për të shitur prodhimin. “Nuk i njohim subvencionet e shtetit. Shteti ka para për të mëdhenjtë, për ne jo. Ne me forcat tona”, shprehet i indinjuar një tjetër fermer, që me tokën dhe serën ushqen familjen.
Muaj të tërë mundi e lodhje dhe kursime të investuara në tokë dhe sera, që për shumë prej tyre nuk sigurojnë asnjë fitim. Në mungesë të tregut, në Lushnjë, Korçë, Devoll, prodhimet e pashitura të domateve, mollëve dhe qepëve hidhen në lumë.
“I kam hedhur në kanal 40 kuintalë domate se nuk u shitën. Kokrra e madhe, e shëndoshë, prodhimi shumë i mirë, gjynah, iku dëm. Më shumë hedhim në kanal sesa shesim”, tregon fermerja.
Ndërkohë, në tregjet e Tiranës, vetëm një orë larg nga fshtarat e Lushnjës, aty ku domatja e pashitur hidhet dhe kur në rastin më të mirë shitet me 40 lekë për kilogram, prodhimi vendas mungon. Domatet që shiten rëndom në tezgat e tregtarëve janë ato të importit me çmime gati 3 fish më të shtrenjta. Një kilogram domate shitet sot nga 100-120 lekë për kilogram.

Mungesa e politikave për sektorin

Duke e konsideruar të vështirë gjendjen ku ndodhet sot bujqësia, ekspertët e shpjegojnë atë me mungesën e politikave të duhura nga ana e shtetit. Nuk ka rrugë për të afruar fermerin me tregun, nuk ka qendra grumbullimi për prodhimin, subvencionet janë me pikatore. Bujqësia si një sektor prioritar duket se është e tillë vetëm në letra.
“Fermeri shqiptar ndodhet në një situatë shumë të vështirë, ku nga njëra anë promovohet të kultivojë produktet bujqësore, pasi sektori do të jetë prioritar nga ana e qeverisë dhe më pas, ndodhet në paradigmën e pamundësisë të shitjes së produktit përfundimtar. Kjo për shkak të një mungese logjistike, ku duket se qendrat grumbulluese nuk kanë arritur funksionalitetin e plotë. Gjithashtu, mungesa e rrugëve e bën të pamundur që fermerët të transportojnë vetë produktet bujqësore drejt tregjeve me pakicë dhe shumicë. Ndërsa konsumatorët gjenden para faktit që të konsumojnë kryesisht produkte importi, ndërkohë që produktet e fermerëve shqiptarë hidhen poshtë, duke shtuar koston e një sektori që ende nuk po sheh dritën jeshile”, shprehet për Citizens Channel, Esmeralda Ballesha, eksperte për çështjet e bujqësisë.
Problemet me sektorin janë reflektuar tek ecuria e tij. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se në tremujorin e dytë të këtij viti, ndërsa Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar u rrit me 4.06%, Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me vetëm 0.13% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Në tremujorin e parë 2017, rritja vjetore e sektorit ishte 1.14%.
Bujqësia është një ndër ata sektorë që zhvillohet në terren, tek toka, prodhimi dhe jo në salla konferencash e dokumente strategjish. Më shumë se kushdo, këtë gjë e dinë fermerët. Ata të tregojnë si ta zhvillosh bujqësinë. Duhet vetëm t’i dëgjosh…

Aurora SULÇE

PSG dhe planet për largimin e Cavanit

PARIS, FRANCE - SEPTEMBER 13: Edinson Cavani of PSG looks on while Arsenal players celebrate their goal during the UEFA Champions League group phase match between Paris Saint-Germain and Arsenal FC at Parc des Princes on September 13, 2016 in Paris, France. (Photo by Jean Catuffe/Getty Images)

Zyrtarisht nuk do ta pranojnë kurrë, por PSG ka një plan sekret në merkato, mbi të cilin po punon prej kohësh. Do të largohet Cavani, që pavarësisht se u përqafua me Neymar në ndeshjen e fundit me Bordeaux, ku braziliani gjuajti dhe 11 metërshin, nuk është se shkon shumë mirë me blerjen 222 milionëshe. Në vend të El Matador do të afrohet Alexis Sanchez, me mediat franceze që e japin për të sigurt rrokadën në sulm verën e ardhshme. Një operacion që do të ishte pozitiv edhe në këndvështrimin e fair play-t financiar, duke qenë se kiliani do të vinte me parametra zero, pasi i skadon kontrata me Arsenalin. Ndërkohë, klubet e mëdha të Europës, janë gati të përfitojnë dhe duhet thënë se pretendentët për shërbimet e Cavanit nuk mungojnë.
Duke nisur nga Real Madrid, që nuk do të kishte problem të përballonte pagën e lartë të uruguajanit me Cavanin, që mund të joshet jo vetëm nga sharmi i padiskutueshëm i Realit, por edhe nga mundësia për të luajtur me Cristiano Ronaldon. Në Angli japin ndërkohë në pole position Chelsean, me blutë që janë madje të ndërhyjnë në merkato që në janar për tju parapirë konkurentëve. Në të ardhmen e Cavanit mund të jetë edhe Bajerni, dhe kjo për arsyen e thjeshtë se Reali i Madridit synon prej kohësh Lewandowskin që nuk duket aq i kënaqur te bavarezët dhe nëse bomberi polak shkon në “Bernabeu”, atëherë në Bavari do të hidhej menjëherë në sulm për Cavanin. Ëndërrojnë ndërkohë rikthimin e sulmuesit në Itali dhe Juventusi e Napoli, me bardhezinjtë që mund të bëjnë një tentativë për El Matador, ndërkohë që te Napoli mund të synojnë të përfitojnë dhe nga marrëdhënia e mirë me sulmuesin që me fanellën e kaltër ka realizuar 104 gola në 138 ndeshje.

Luhen dy ndeshjet e fundit

Europa do të japë verdiktet e saj për Botërorin Rusi 2018, ku 30 përfaqësuese garojnë për 11 vendet e këtij Botërori. Nga e enjtja e ardhshme deri të martën e 10 tetorit, dy ndeshjet e fundit të xhiros do t’i japin kualifikimin direkt 7 kombëtareve. Ndërkohë që për katër vendet që do të kualifkohen nga ndeshjet e Play Off luftojnë Kombëtaret që synojnë të renditen në pozicionin e dytë të grupit. Ndër ekipet që kanë ende shpresë për të zënë këtë pozicion është edhe Shqipëria, megjithëse duhet thënë se duke patur parasysh kalendarin, shanset janë minimale.
Në këtë mënyrë do të plotësohet edhe panorama e tablosë europiane, që tashmë njeh vetëm një pjesë të “puzzellit”, atë të Belgjikës, e vetmja që ka siguruar kualifikimin, duke marrë kryesimin e grupit të saj.
Për Republikën çeke, Hungarinë Norvegjinë dhe Rumaninë dyert tashmë janë mbyllur. Por nga 9 grupimet europiane janë 6 skuadrat që shpresojnë tek play-off-i Shqipëria Austria, Bosnja, Qipro, Estonia dhe Greqia. Holanda është pranë humnerës, ndërkohë që për kualifikimin direkt është në listë Gjermania favorite ndaj modestëve të Malit të Zi. Duke i analizuar grup për grup, situata paraqitet e tillë:
Në grupin A: Franca duhet të ruhet nga rikthimi i Suedisë. Francezët kanë shande nëse të shtunën do të fitojnë në Bullgari dhe sudezët rrëzohen në shtëpi përballë Luksemburgut, në të kundërt ditën e fundit të takimeve duhet ë fitojnë përballë Bjellorusisë e të mbështeten tek Holanda që e mbyll garën në Amserdam përballë Suedisë.
Në grupin B: Zvicra dhe Portugalia kanë blinduar vendin e parë dhe të dytë me zviceranët që qendrojnë 3 pikë ndaj ekipit të Cristiano Ronaldos. Portugezët do të duhet të përsëritin rezultatin e helvetëve për të siguruar vendin e parë në përballjen direkte në Lisbonë në datë 10 tetor.
Grupi C-Gjermania kampione e Botës ka shënuar 8 fitore dhe do të mjaftohej edhe me një barazim në Belfast për të marrë kualifikimin direkt, ndërkohë që Irlanda e Veriut matematikisht renditet e dyta.
Grupi D-Në këtë grup e para renditet Serbia, e cila duhet të fitojë në Austri ose të barazojë, duke shpresuar që Wellsi dhe Irlanda të mos marrin fitore. Duket se vendi i dytë luhet mes Wellsit dh Austrisë.
Grupi E-Në grupin E, Polonia renditet e para nëse fiton në Armeni dhe Danimarka e Mali i Zi do të barazonin dy pretendentët për vendin e dytë.
Grupi F-Anglia siguron direkte kualifikimin në Rusi, duke fituar ndaj Sllovenisë ose edhe nëse merr vetëm një barazim ndaj Sllovakisë: Kombëtarja e Hamsik, ndërkohë duhet të mund Skocinë dhe të shpresojë tek humbja e Sllovenisë për të shkuar në play off.
Grupi G-Spanja ndaj Italisë ka avantazhin e tre pikëve dhe vendi i parë duket i blinduar. Nga ana tjetër të kaltërve iu nevojitet vetëm një pikë ndaj Shqipërisë apo Maqedonisë.
Grupi H-Në këtë grup, Belgjika ka siguruar me kohë vendin e parë me 8 pikë avantazh, Bosnja dhe Greqia luajnë gjithçka, sepse qëndrojnë mes eliminimit dhe play off-it.
Grupi I-Ekuilibër në grupin I: Croazia dhe Islanda qendrojnë një hap para Turqisë dhe Ukrahinës dhe çdo gjë është ende e hapur.
Ndërkohë, Federata e Futbollit të Argjentinës, së bashku me atë të Uruguajit dhe të Paraguajit, i prezantuan presidentit të FIFA-s Gianni Infantino kandidaturën e tyre të përbashkët për të organizuar Botërorin e vitit 2030. Pas një takimi me numrin 1 të FIFA-s Presidenti i Argjentinës, Mauricio Macri, ai i Uruguajit, Tabare Vazquez dhe Presidenti i Paraguajit, Horacio Cartes thanë në një konferencë shtypi të përbashkët se do të fillojnë të punojnë në një komision që do të paraqesë edhe formalisht prezantimin zyrtar në të ardhmen.

Spanja ka lojtarë të një klasi tjetër

Armando Sadiku është një nga ata që nuk di t’ju bëjë bisht përgjegjësive, përkundrazi. Në ndeshjen e parë ndaj Spanjës nuk ishte dhe këtë të premte shpreson që të bëjë më të mirën, edhe pse i vetëdijshëm për shkallën e lartë të vështirësisë. “Spanja sa e vështirë për një sulmues? Janë lojtarë të një klasi tjetër, luajnë në ekipet më të mira në botë. Ne i respektojmë. Ndeshjen e parë nuk isha, e pashë nga televizori, por besoj që do të jetë e vështirë, si të prekësh topin, si në duele. Por, nëse ne e tregojmë veten si në Europian, si me Izraelin, ne gjithmonë ndaj ekipeve të mëdha luajmë mirë. Po të luajmë si grup mund t’ia dalim edhe këtë herë”, tha Sadiku.
Ambiciet e Sadikut nuk kufizohen kur pyetet nëse do të preferonte një gol kundër Spanjës apo ndaj Italisë. Gjithsesi kryesorja për të, pavarësisht aspektit personal mbetet suksesi i Shqipërisë. “Gol Spanjës apo Italisë? Do të më pëlqente t’i shënoja të dyja këtyre skuadrave. Por, nëse luajmë si grup ashtu si në ndeshje të tjera të rëndësishme si kjo do të arrijmë t’i krijojmë vështirësi kundërshtarëve dhe të marrim rezultat. Unë shpresoj të shënoj, do të ishte mjaft bukur për mua personalisht dhe nëse do të ndihmoja ekipin të merrte një pikë do të ishte perfekt”, tha ai.
Sadiku nuk i zë besë krizës në thonjëza të Spanjës, është nga ato skuadra që ka kualitetin për të zëvendësuar këdo, De Biasi nuk ka harruar t’i kujtojë se nëse mundin Spanjën do të jenë heronj në Itali duke ju bërë një nder të kaltërve, ndërsa për Panuçin, beson se ky do të jetë një projekt fitues. “Trajneri ka ardhur i ri, ne ishim mësuar me De Biasin. Ai na njihte shumë mirë. Ndërsa me trajnerin e ri edhe në stërvitje të gjithë lojtarët mundohen të japin 100 për qind. Trajneri ka futur edhe një frymë të re, na duhet pak kohë të ambientohemi, të na njohë të gjithëve mirë. E rëndësishme është të japim më të mirën, ndërsa trajneri do të provojë të eksperimentojë si për formacionin, si në grumbullime që t’i ketë idetë më të qarta. T’i japim pak kohë dhe të shpresojmë që gjërat të shkojnë në rrugën e duhur”, u shpreh Sadiku.
E fundit, por jo për nga rëndësia, për të mësuar se ku i gjeti forcat për të kaluar në krye të hierarkisë së sulmit dhe mos rreshtur së shënuari, kuptoni diçka mbi lidhjen e Sadikut me fanellën kuqezi. “Kur vij në ekipin kombëtar mendoj gjithmonë se do të vij dhe të lë gjurmë në çdo ndeshje. Në ndeshjet ku kam munguar për arsye dëmtimi, qaj përbrenda meje sepse nuk jam në fushë. Në çdo ndeshje kërkoj të lë gjurmë dhe të bëj diçka që askush nuk e ka bërë. Në kombëtare jap më të mirën time, edhe kur nuk jam në formën më të mirë mundohem të lë zemrën në fushë”, përfundoi Sadiku.

Pa frikë ndaj Spanjës

Ivan Balliu, mbrojtësi i kombëtares shqiptare lindur në Katalonjë, gjatë një interviste për një radio spanjolle është thumbuar nga gazetarët që duke qenë se nuk ka debutuar me kombëtaren shqiptare, të dezertojë kuqezinjtë për skuadrën e Lopetegui.
Balliu: Jo, jo, tashmë jam këtu. E vërteta është që i jam mirënjohës Federatës dhe njerëzve në Shqipëri për si më kanë pritur dhe trajtuar. Ndjehem shumë mirë.
Biseda tejet miqësore ka shkuar më tej. Duke qenë se në kombëtaret e moshave të Spanjës ai ka luajtur përkrah yjeve aktualë të kësaj skuadre, Balliu është pyetur se si do të reagojë nëse në ndeshjen e Alicante përballet me ta.
Gazetari: Ti je mbrojtës i djathtë, nëse luan të takon të markosh Iscon.
Balliu: Po, nëse luaj po. Do të flas me të, do t’i them që të relaksohet paksa dhe që të shmanget nga ana tjetër.
25-vjeçari ka shprehur besimin se skuadra përfaqësuese e Shqipërisë do të japë maksimumin në këtë takim.
Balliu: Duhet të jemi realistë, të luash kundër Spanjës, një prej ekipeve më të mira në botë, e dimë që do të jetë shumë e vështirë. Por gjithçka mund të ndodhë, do të mbrohemi. Shpresojmë të shënojmë një gol dhe të mbrohemi mirë të gjithë të bashkuar.
Futbollistët dhe stafi i kombëtares shqiptare janë nisur drejt Spanjës, për të zhvilluar ndeshjen e tyre të parafundit në këto kualifikime. “U nisëm për Spanjë për ndeshjen tonë. Shqipëria”, ka shkruar qendërmbrojtësi Arlind Ajeti, ku në foto shihet me Berat Gjimshitin dhe Mërgim Mavrajn. Kombëtarja zhvilloi stërvitjen e fundit në tokën shqiptare, përpara nisjes drejt Spanjës. Lajmi i keq për dëmtimin e sulmuesit Sokol Cikalleshi u shoqërua me zhvillimet pozitive rreth gjendjes së portierit Etrit Berisha. Gardiani titullar e ka kaluar plotësisht gjendjen gripale dhe do të jetë i gatshëm për të luajtur më 6 tetor në Alikante. E njëjta vlen edhe për Elseid Hysajn, pasi edhe mbrojtësi i Napolit ishte prekur nga virozat e stinës.
Berisha iu bashkua pjesës tjetër të grupit në stërvitje, aty ku është rikthyer edhe portieri Enea Koliçi, që mori leje për një pasdite për të kryer procedurat për pajisjen me pasaportën e re. Përgatitjet e skuadrës kuqezi kanë vazhduar nën masat strikte të vendosura nga trajneri Panuçi, që në 15 minutat kur seanca zhvillohet me dyer të hapura për mediat, e mban skuadrën shumë larg kamerave. Masat e forta nuk vlejnë vetëm për mediat, por edhe për skuadrën. Drejtuesi i stolit ia ka bërë të qartë ekipit që pretendon përqendrim maksimal në stërvitje dhe për aq kohë sa lojtarët janë në fushë nuk lejohen shakatë dhe të qeshurat.
Aktualisht për sa i përket repartit të sulmit, trajneri italian ka në dispozicion vetëm Armando Sadikun, Azdren Llullakun dhe të riun Valon Ahmedi.
Arlind RAMA