15.5 C
Tirana
E diel, 15 Qershor, 2025

Dyndje kërkesash për Lotarinë Amerikane, të gjithë duan të ikin

Të pashpresë në mundësitë që qeveria shqiptare ofron për të ardhmen, të rinjtë shqiptarë kanë kthyer sytë nga Lotaria Amerikane me besimin se fati do t’iu japë mundësinë që të largohen nga vendi drejt një jete më të mirë. Të lidhur nga premtimet, pritjet dhe pamundësitë për të ndërtuar ëndrrat e tyre, sot të rinjtë shqiptarë krahas kërkesave për azil shohin Lotarinë Amerikane si një oportunitet ku mund të nisin dhe të ndërtojnë jetën e tyre. Data 3 tetor, e cila ka qenë dhe nisja e aplikimeve për Lotarinë Amerikane ka regjistruar një fluks jashtëzakonisht të lartë aplikuesish, ndërkohë që mjafton të kujtojmë se vetëm vitin e kaluar mbi 200 mijë shqiptarë aplikuan për Lotarinë Amerikane. Lotaria Amerikane ka rikthyer shpresat për të rinjtë që duan ta ndërtojnë të ardhmen jashtë Shqipërisë. 24-vjeçari, Aldo Sula, është njëri prej tyre. Ai kërkon ta lërë Shqipërinë për një punë me të ardhura më të larta dhe të ardhme të sigurt. Vitin e kaluar, Aldo Sula, nuk rezultoi në listën e fituesve të Lotarisë Amerikane. Ky tetor ia rikthen sërish shpresat për të jetuar e punuar përtej oqeanit. E ka pritur gjatë ditën e tretë të këtij muaji, dhe me nisjen e aplikimeve u paraqit në qendrën më të afërt për të tentuar edhe një herë ëndrrën amerikane. Aldo, 7 vite më parë la Bulqizën për Tiranën, është 24 vjeç dhe profesioni i tij është kuzhinier. Arsyet që e nxitin në dëshirën për t`u larguar jashtë Shqipërisë janë të panumërta. Edhe pse ende herët, ai mendon për familjet e tij të ardhshme, për fëmijët për të cilët kërkon një të ardhme më të sigurt. “Në Shqipëri nuk mund të kesh absolutisht të ardhura, nuk ka të ardhme të sigurt, mungojnë shumë gjëra. As familjes që nesër do të krijosh nuk ia plotëson dot kushtet. Jashtë shtetit do të punojmë shumë, por do të vlerësohemi. Besoj se në Amerikë do të jenë gjërat shumë më ndryshe, fëmijët mund të kenë një të ardhme të sigurt”, thotë Sula. Sfidat në një vend të ri, nuk e frikësojnë. Përpjekjet për ta ndërtuar të ardhmen jashtë Shqipërisë i ka nisur më herët, duke tentuar rrugët ilegale drejt Britanisë së Madhe. “Unë jam shumë optimist që t’ia nis nga zero, por në Amerikë sesa në Shqipëri që çdo ndryshim pune ia nis nga zero dhe nuk vlerësohesh fare”, thotë Sula. Aldo, nuk është një rast i izoluar. Në dëshirën për të jetuar në Amerikë, apo kudo tjetër përveç Shqipërisë, ai ndiqet nga qindra e mijëra të rinj, të cilët çdo vit shprehin interes të lartë për të plotësuar Lotarinë Amerikane. I pyetur se cilat janë kushtet që ai do donte që të rrinte në Shquipëri, Aldo i pa shpresë përgjigjet: “Asgjë, sepse Shqipëria nuk të ofron asgjë”.

Aplikimet

Tashmë, në faqen zyrtare të Ambasadës është publikuar edhe udhëzimi me rregullat që duhet të ndjekin aplikantët. Këshilla kryesore e zyrtarëve: “Aplikoni herët, por ama vetëm një herë”. Programi i Vizave Emigruese të Shumëllojshmërisë, i autorizuar nga Kongresi, administrohet nga Departamenti i Shtetit në bazë vjetore. “Seksioni 203(c) i Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë (INA) mundëson viza për një grup “emigrantësh të shumëllojshmërisë”, prej vendeve me shkallë historikisht të ulët emigrimi në Shtetet e Bashkuara. Pёr vitin fiskal 2019, do të jenë në dispozicion 50,000 viza emigrantësh të shumëllojshmërisë (DV). Regjistrimi për në programin e Lotarisë është falas. Aplikantët që janë përzgjedhur nga programi i lotarisë (“të përzgjedhurit”) duhet të plotësojnë kërkesa të thjeshta, por të rrepta, të pranueshmёrisё në mënyrë që të kualifikohen për një vizë shumëllojshmërie”, thuhet në njoftim. Sakaq, Emily Enright dhe Lorenc Mansaku, përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Shqipëri kanë qenë në studion e emisionit “Rudina” në Tv “Klan” ku kanë dhënë disa të dhëna të rëndësishme. Si për shembull: Fotoja duhet të jetë e re. Aplikimi bëhet herët dhe saktë në gjuhën angleze, etj. Sipas Mansakut, këtë vit do të ketë edhe një ndryshim, i cili do të vihet re gjatë përfundimit të procesit të aplikimit, kur bëhet verifikimi i të dhënave do të keni mundësinë të shikoni foton. “Interes ka, ne e shikojmë këtë edhe në “Facebook”, ku na pyesin shumë për kushtet. Për të marrë pjesë ka dy kritere kryesore, ose duhet të kesh shkollën e mesme me kohë të plotë, ose eksperienca e punës, por arsimi është kryesisht ai që i kualifikon shqiptarët. Ka një ndryshim këtë vit, që kur bëhet verifikimi i të dhënave do të keni mundësinë të shikoni foton. Këtë vit kjo është e mundur dhe ne sugjerojmë që të shikoni me saktësi informacionin që keni hedhur për të aplikuar. Ka vetëm një faqe ku mund të aplikoni: dvlotterystategov.us. Çdokush ka të drejtë të aplikojë. Duhet të keni parasysh gjithashtu që të aplikoni me statusin aktual, nëse jeni në proces divorci, ju duhet të përfshini bashkëshortin tuaj dhe fëmijët nëse keni”, tha Enright dhe Mansaku.

Korea e Veriut dhe strategjia e “njeriut të çmendur”

Qasja e “teorisë së njeriut të çmendur” që duket se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka zgjedhur për të trajtuar kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut është duke u përshëndetur nga përkrahësit e tij, të cilët thonë se ajo është me rrezikshmëri të lartë, por një strategji e efektshme negociuese. Ndërkohë, kritikët thonë se ajo tregon për një ekip të paorganizuar të politikës së jashtme.
E ashtuquajtura teori e “njeriut të çmendur” iu atribua politikës së jashtme të Presidentit amerikan Richard Nixon. Për të negociuar fundin e Luftës së Vietnamit me kushte të favorshme, Nixon u përpoq ta portretizonte veten si një udhëheqës të çmendur dhe të paqendrueshëm. Ai madje e ngriti nivelin e gatishmërisë së Komandës Ajrore Strategjike në vitin 1969 për t’u paraqitur sikur po përgatitej për një sulm bërthamor, në një përpjekje për të ushtruar presion mbi Bashkimin Sovjetik, në mënyrë që ky vend të ndërhynte për t’i dhënë fund luftës.
Efektshmëria e strategjisë së ish-Presidentit Nixon mbetet një pikë e debatueshme, pasi marrëveshja e armëpushimit nuk u arrit deri në vitin 1973 dhe forcat komuniste përfundimisht morën nën kontroll të gjithë Vietnamin më 1975.

Mesazhet e paramenduara në Twitter
Presidenti Trump thonë disa analistë, po përdor qasjen e “njeriut të çmendur” për të parandaluar Korenë e Veriut që të prodhojë një raketë balistike ndërkontinentale bërthamore, që mund të godasë Shtetet e Bashkuara.
Mesazhet e fundit të Presidentit Trump në Twitter, ku ai thotë se dialogu me Korenë e Veriut është një “humbje kohe”, në të cilat duket se qorton Sekretarin e tij të Shtetit, Rex Tillerson për komentet se bisedimet me Phenianin po ndodhnin, mund të jenë pjesë e një përpjekjeje të paramenduar për të vënë kundërshtarët e Amerikës në pozicion mbrojtës.
“Mesazhet e zotit Trump në Twitter, gjërat që ai thotë, krijojnë një mungesë paparashikimi për qasjen amerikane, me sa duket tek koreanoveriorët, tek kinezët dhe rusët”, thotë analisti i sigurisë, Grant Neësham nga Forumi për Studime Strategjike në Tokio.
Retorika konfrontuese e Presidentit Trump mbi Korenë e Veriut, duke paralajmëruar për një përgjigje ushtarake me “zjarr dhe furi” kundër një sulmi të mundshëm dhe duke e quajtur udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, “një njeri të vogël raketash”, është shumë e ndryshme nga politikat e presidentëve të mëparshëm, të cilët u përpoqën të ulnin tensionet përmes diplomacisë tradicionale.
Kritikët thonë se, mesazhet agresive të Presidentit në Twitter, të cilat shpesh janë në kundërshtim me anëtarët e ekipit të tij të sigurisë, që e kanë minimizuar mundësinë e konfliktit ushtarak, pasqyrojnë mosmarrëveshjet në rritje rreth politikës ndaj Koresë së Veriut brenda administratës Trump.
“Ka shumë biseda të pakujdesshme dhe mua më duket se mungon një stratgji koherente nga Uashingtoni; Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në një krizë lidershipi”, thotë Daniel Pinkston, analist i çështjeve të sigurisë në Azinë Qendrore në Universitetin Troy të Seulit.

“Rrugët pa krye”
Administrata Trump ka dhënë sinjale se ka preferencë për sanksionet ekonomike dhe diplomacinë për të detyruar regjimin e Kim Jung-Un-it të zgjedhë mes çarmatimit bërthamor dhe mbijetesës. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk kanë ofruar kompromise të rëndësishme, ose nuk kanë pranuar të bëjnë lëshime në këmbim të një marrëveshjeje; ato tashmë e kanë hedhur poshtë propozimin e Pekinit që Koreja e Veriut të ngrijë programet e saj bërthamore dhe të raketave, në këmbim të ndalimit të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të Shteteve të Bashkuara me Korenë e Jugut.
Uashingtoni ka nevojë për bashkëpunim ndërkombëtar për të vendosur sanksione të ashpra ndaj Phenianit, veçanërisht nga Kina, e cila zhvillon 90 për qind të të gjithë tregtisë me vendin e izoluar.
Por David Straub, analist i Koresë së Veriut në Institutin Sejong, thotë se theksi i përsëritur i Presidentit për veprime të mundshme ushtarake mund të dështojë, nëse Kina dhe Rusia arrijnë në përfundimin se, “Shtetet e Bashkuara gënjejnë kur thonë se politika e tyre është të kërkojë një zgjidhje të negociuar”. Pekini dhe Moska, thotë ai, mund të përgjigjen duke lehtësuar sanksionet dhe duke rritur mbështetjen për aleatin e tyre në Phenian.
Koreja e Veriut gjithashtu ka një histori të gjatë të shkeljes së marrëveshjeve për ngrirjen e programeve bërthamore; ajo ka zhvilluar një program të fshehtë të armëve bërthamore, në kundërshtim me një marrëveshje të vitit 1994, duke refuzuar që të pajtohet me një marrëveshje të vitit 2007 për lejimin e inspektorëve ndërkombëtarë në zonat e dyshuara bërthamore dhe duke kryer një provë bërthamore në vitin 2009, pak pasi Shtetet e Bashkura e hoqën Korenë e Veriut nga lista e shteteve që sponsorizojnë terrorizmin.
Analisti Straub thotë se nuk ka gjasa që Pheniani të heqë dorë nga përpjekja për të prodhuar armë bërthamore nën kërcënimin e forcës, ose vetëm për shkak të presionit ekonomik.
“Unë jam shumë skeptik në lidhje me mundësinë për negociata, sepse besoj se objektivi i vërtetë i Koresë së Veriut është që të përdorë aftësitë bërthamore për t’i larguar Shtetet e Bashkuara nga Gadishulli Korean”, thotë analisti Staub, i cili gjithashtu ka marrë pjesë në bisedimet për çarmatosjen bërthamore të Koresë së Veriut në cilësinë e diplomatit amerikan gjatë administratës së Presidentit George W. Bush.

Rreziku i lartë
Nëse Koreja e Veriut nuk dorëzohet nga presioni, e ashtuquajtura qasje e “njeriut të çmendur” mund t’i detyrojnë Shtetet e Bashkaura të përdorin forcën ushtarake për ta ndalur Phenianin të prodhojë armë bërthamore, të cilat mund të vendosen tek një raketë ndërkontinentale. Llogaritë e gabuara, ose ngjarjet e paparashikuara gjithashtu mund të shkaktojnë një konflikt ushtarak mes të dy vendeve.
“Ne jemi duke shkuar në këtë drejtim gjithsesi. Dhe ky rrezik po vjen dhe mund të shmanget, vetëm nëse në një farë mënyre mund të ndërpritet kjo prirje e Koresë së Veriut”, thotë analisti Newsham.
Koreja e Jugut ka deklaruar se do të kundërshtonte çdo veprim ushtarak të Shteteve të Bashkuara në rajon, sepse miliona qyetetarë të saj jetojnë brenda zonave që mund të goditen nga artileria e Koresë së Veriut, e pozicionuar përgjatë kufirit mes dy vendeve.
Alternativat paqësore, shpesh të mbështetura nga zyrtarët dhe analistët, janë vazhdimi i presionit mbi Phenianin, përmes përmbajtjes ushtarake dhe të sanksioneve ose duke e transformuar shoqërinë koreane nga brenda përmes ndihmave, angazhimit ekonomik dhe futjes së informacionit nga jashtë.

Mattis, zgjidhje diplomatike me Korenë e Veriut

Pentagoni “mbështet plotësisht” përpjekjet e Departamentit të Shtetit për të gjetur një zgjidhje diplomatike me Korenë e Veriut, tha të martën Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis.
Zoti Mattis shtoi megjithatë se veprimet e Departamentit të Shtetit nuk janë domosdo në kundërshtim me komentet e Presidentit Donald Trump se bisedimet diplomatike me Phenianin do të ishin një humbje kohe.
“Ne thjesht po eksplorojmë, nuk po bisedojmë me ta dhe kjo përputhet me shqetësimin e presidentit për mos folur me ta para se të vijë koha e duhur”, tha zoti Mattis, përpara Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura. “Pra, unë nuk shoh ndonjë dallim aq të madh sa është interpretuar nga disa”.
Të shtunën, Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson pohoi se Shtetet e Bashkuara kanë kanale të drejtpërdrejta diplomatike përmes të cilave do të përpiqen të negociojnë me Phenianin lidhur me provat e vazhdueshme bërthamore dhe balistike të Koresë së Veriut.
Një ditë më vonë, Presidenti Trump duket se i doli kundër diplomatit të tij të lartë, duke thënë se zoti Tillerson “po humbet kohën kot” në përpjekje për të negociuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut.
Në një seri komentesh në Twitter, presidenti tha: “Kurseji energjitë Rex, ne do të bëjmë atë që duhet bërë!”
Të hënën, Shtëpia e Bardhë tha se është e interesuar të bisedojë me Korenë e Veriut vetëm nëse bëhet fjalë për lirimin e tre amerikanëve që mbahen nga Pheniani.
Zëdhënësja Sarah Huckabee Sanders afirmoi, ndërkohë mbështetjen e Presidentit Trump për Sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson dhe tha se bisedimet e vetme me Korenë e Veriut janë për të liruar amerikanët e ndaluar.
Deklarata vjen ndërsa Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson zbuloi se Shtetet e Bashkuara janë ende duke shfrytëzuar kanale të drejtpërdrejta komunikimi me autoritetet koreano-veriore dhe se zyrtarët amerikanë po kërkojnë një dialog.
Por deklaratat e zotit Tillerson u minimizuan nga Presidenti Trump. Ja përgjigja e Shtëpisë së Bardhë ndaj deklaratave të zotit Tillerson:
“Bisedat e vetme që janë zhvilluar apo do të zhvillohen do të kenë të bëjnë me kthimin e amerikanëve që po mbahen, si studenti i ndjerë Otto Warmbier. Këto janë bisedat që kjo administratë është e gatshme të zhvillojë. Përtej kësaj, nuk do të ketë biseda me Korenë e Veriut në këtë kohë”.
Megjithë deklaratat e zotit Trump, Shtëpia e Bardhë tha të hënën se presidenti ka ende besim tek Sekretari Tillerson.

Las Vegasi, republikanët bëjnë thirrje për unitet

Udhëheqësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve bënë thirrje për unitet dhe lutje pas vrasjeve masive në Las Vegas, por nuk ofruan ndonjë legjislacion të ri për të shtrënguar ligjet mbi armët e zjarrit.
Ata thanë se një projekt-ligj për të zbutur rregulloret mbi blerjen e silenciatorëve do të shtyhet për një kohë të pacaktuar.
“Ne të gjithë jemi të tronditur nga ky tmerr në Las Vegas”, tha kryetari i Dhomës, Paul Ryan në një konferencë shtypi. “Është thjesht e tmerrshme”, tha ai.
Ryan tha se nuk ka ndonjë plan që Dhoma e Përfaqësuesve të veprojë së shpejti rreth projektligjit të mbështetur nga Shoqata Kombëtare e Armëve për të zbutur rregulloret mbi silenciatorët.
Projektligji nuk është planifikuar për tani. Nuk e di se kur do të planifikohet”, tha zoti Ryan.
Ryan dhe udhëheqësit e tjerë republikanë bënë thirrje për unitet dhe shtuan se një mënyrë pozitive për t’iu përgjigjur tragjedisë është dhurimi i gjakut.
Komentet e zotit Ryan erdhën pas thirrjeve të përsëritura të demokratëve rreth një ligji për sigurinë e armëve.

Çfarë kërkon Presidenti Steinmeier nga Gjermania

Në vend që të mbajë fjalimin numër X për ribashkimin e Gjermanisë, Presidenti Steinmeier u kujton gjermanëve detyrimet për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. Dhe flet atë që duhet të flasë, mendon Rupert Wiederwald.
Është një fjalim i jashtëzakonshëm, ai që mbajti Frank-Walter Steinmeier në Mainz. Si President i Gjermanisë, detyrë e tij është që të mbetet mbipartiak dhe megjithatë të përcjellë pozicionim. Më e mira është sikur ai të nxisë debate, pa përcaktuar rezultatin. Shpesh kjo bën që presidentët federalë të mbajnë fjalime shumë të barazpeshuara, që janë miqësore, nuk sulmojnë askënd hapur dhe prandaj shpesh janë pak të mërzitshme. Kështu që në ditën e ribashkimit gjerman do të kishte qenë normale, sikur Presidenti të kishte theksuar sukseset pas 27 vjetëve bashkim të Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore dhe të kishte skicuar problemet ekzistuese.
Në Mainz, Presidenti Steinmeier nuk bëri pikërisht këtë. Në vend të kësaj, si kryetar shteti ai komentoi zgjedhjet për Bundestagun të pak ditëve më parë – dhe e mori si shkas rezultatin, për të folur për mure të rinj, që nuk ndajnë vendin, por popullin. Dhe kërkoi me ngulm që dallimet të mos lejohet të kthehen në armiqësi të hapura. Këtë e kanë detyrim të gjithë, qytetarë dhe politikanë, tha Steinmeier-i. Ishte e rëndësishme që një gjë të tillë ta dëgjoje nga Presidenti.

Steinmeieri kërkon ligj imigrimi
Steinmeieri i kujtoi gjermanët që ata duhet të flasin sërish më tepër me njëri-tjetrin, në vend që të tundin kokën me mosbesim për njëri-tjetrin,në thelb një e vërtetë e thjeshtë kjo. Por, ajo për të cilën e ka fjalën Steinmeiri është: debatoni me njëri-tjetrin, i nxirrni në pah diferencat, guxoni. Kjo nuk është gjë tjetër veçse kërkesa për debate, të cilat në Gjermani shumë shpesh nuk zhvillohen. Dhe Steinmeieri përmend vetë temën më të rëndësishme të debatit: imigrimin. Gjermania thjesht nuk mund të shprehë dëshirën që migrimi të rrijë larg saj, tha Steinmeieri, por përkundrazi duhet të krijojë më në fund rregulla, të cilat të mundësojnë një qasje legale për imigrantët. Shkurt: Steinmeieri kërkon një ligj për migrimin. Këtë mund ta kuptosh edhe si kritikë ndaj kancelares – partitë unioniste deri tani e kanë bllokuar me sukses një ligj të tillë imigrimi.
Dhe Steinmeieri nis në këtë kuadër një debat tjetër, të cilët shumë e kanë zhvilluar nën konceptin e përgjithshëm të “kulturës dominuese”. Çfarë do të thotë të jesh gjerman, çfarë do të thotë atdhe? Në fakt, ky është bazamenti më i pasigurtë, mbi të cilin mund të ecë një politikan gjerman, por Steinmeieri arrin një akt balance: gjermane është pranimi i historisë gjermane dhe i vlerave demokratike – dhe kjo duhet të vlejë edhe për ata që kanë imigruar. Njëkohësisht, ai e përkufizon në mënyrë individuale atdheun, secili ka një përfytyrim tjetër për atdheun, thotë Steinmeier. Shuma e këtyre atdheve individualë e bën Gjermaninë këtë vend që është.

Kufij për AfD
Pranimin e historisë gjermane të kohës së nacionalsocializmit, kryetari i shtetit gjerman e deklaron të panegociueshëm – aq më tepër për deputetët – dhe në këtë mënyrë, ai i tregon qartë kufijtë partisë së re populiste të djathtë në Bundestag. Pa e përmendur me asnjë fjalë AfD.
Kaq shumë mendim ka qenë rrallë te një President i Gjermanisë – dhe rrallë ka qenë ai kaq i nevojshëm. Në kohë të vështira nevojitet një busull, një qendrim. Dhe kur tjetër, nëse jo tani duhet të fliste Presidenti i Gjermanisë për pasojat, që duhet të ketë rezultati i zgjedhjeve të 24 shtatorit? Ishte fjalimi i duhur në momentin e duhur. Kancelarja Angela Merkel foli në fjalën e saj për ditën e ribashkimit gjerman për shumë gjëra që janë arritur me sukses në vitet e kaluara. Kjo mund t’i japë forcë njeriut, për të zgjidhur problemet që kanë mbetur, tha ajo.

 

BE e rezervuar në çështjen e Katalonjës

Zyrtarisht, Komisioni i BE nuk është pozicionuar për referendumin e pavarësisë në Katalonjë. Deputetë evropianë kërkojnë ndërmjetësim.
Disa politikanë katalonas, por jo qeveria e Katalanjës, si dhe Grupi parlamentar i Gjelbër në Parlamentin Evropian kërkojnë nga Komisioni Evropian në Bruksel që të ndërmjetësojë në grindjen midis Madridit dhe Barcelonës. Vetë BE, pas përleshjeve në Katalonjë nuk pozicionohet. “Bëhet fjalë për procese dhe për ndërtimin e shtetit në shtetin anëtar të Spanjës, në të cilin BE nuk ndërhyn”, kanë bërë të ditur javët e fundit herë pas herë zëdhënës të BE. Krahas kësaj pikëpamjeje juridike duhet pasur parasysh edhe që “dhuna nuk mund të jetë asnjëherë mjet i zgjidhjes së konflikteve politike”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas. “Të dyja palët duhet ta kalojnë tani nga konfrontimi në dialog”. Komisioni i BE ka besim në aftësinë e kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy, për ta menaxhuar situatën. Votimin e së dielës, Komisioni Evropian e konsideron të kundraligjshëm.
Të Gjelbrit në Parlamentin Evropian e shohin në rrezik sundimin e ligjit në Spanjë dhe kërkojnë nga Komisari përgjegjës i BE, Frans Timmermans, që të ndërmjetësojë midis qeverisë qendrore dhe lëvizjes katalanase të pavarësisë. Megjithatë, BE nuk mund të ndërmjetësojë kundër vullnetit të shtetit anëtar Spanjë, gjykatat më të larta të të cilit e shpallën të paligjshëm referendumin e së dielës. Një ndërmjetësues duhet të ftohet nga të dyja palët, thanë diplomatë të BE në Bruksel. Nga pikëpamja juridike, çdo shtet anëtar është vetë përgjegjës për ndërtimin e brendshëm të shtetit të tij.

Një shtet “Katalonjë” do të ndodhej jashtë BE
Votimi në Skoci për një pavarësi të mundshme në vitin 2014 u krye sipas BE në kushte krejt të tjera, meqenëse qeveria qendrore në Londër ishte shprehur dakord me mbajtjen e një referendumi. Katalonja: Adiós Spanien! Adéu BE? Komisioni i BE bëri të qartë edhe njëherë para referendumit në Katalonjë, që një shtet i pavarur Katalonjë nuk do të ishte më pjesë e BE dhe duhet të kandidonte për t’u pranuar në BE. E njëjta procedurë do të kishte vlejtur edhe për Skocinë, po të kishin votuar pro pavarësisë skocezët.

Europarlamentarët kërkojnë ndërmjetësim
Të dyja grupet e mëdha parlamentare të Parlamentit Evropian, konservatorët dhe socialistët deri tani janë shprehur kundër që tema Katalonjë të vihet në rend të ditës. Në të dyja grupet parlamentare, deputetët spanjollë e kundërshtuan një plan përkatës të Grupit parlamentar të vogël Të Gjelbër. Kryetari i Grupit parlamentar në Parlamentin Evropian, Guy Verhofstadt, nuk dëshiron të përzihet në punët e brendshme, por e dënoi në Bruksel përdorimin e dhunës nga të dyja palët si “absolutisht të papranueshëm”. Është koha më e përshtatshme për deeskalim. “Vetëm një zgjidhje politike, në të cilën të përfshihen të gjitha palët, edhe opozita në Parlamentin katalanas, me respekt për Kushtetutën dhe rendin juridik do të na çojë përpara”, tha Verhofstadt.

Mbreti i Spanjës dënon organizatorët e referendumit

Mbreti i Spanjës, Felipe i VI-të, i ka dënuar organizatorët e referendumit për pavarësi në Katalonjë, duke thënë se ata e kanë vënë vetveten “jashtë ligjit” dhe ka kërkuar nga autoritetet shtetërore për ta mbrojtur “rendin kushtetues” në këtë rajon veriperëndimor të Spanjës.
Në fjalimin e mbrëmshëm televiziv, Mbreti i Spanjës ka kërkuar unitet, duke thënë se situata në vend po ballafaqohet me krizë “shumë serioze”.
Njëherësh, qindra mijëra njerëz kanë dalur në rrugët e Barcelonës, që është kryeqytet i Katalonjës, për të protestuar kundër dhunës policore gjatë referendumit të mbajtur para tri ditësh, me ç’rast ishin lënduar qindra vetë.
Protestuesit i bllokuan rrugët në Barcelonë, ndërsa shërbyesit civilë e ndalën punën pas ftesës së grupeve për pavarësi në rajon, pasi policia e Spanjës me forcë ishte përpjekur për t’i mbyllur vendvotimet gjatë referendumit.
Me këtë grevë janë prekur sektori publik, ai i transportit dhe shërbimet themelore në Barcelonë.
Në shenjë të mbështetjes për grevë, klubi i njohur i futbollit, Barcelona, e ka pezulluar stërvitjen.
Autoritetet e Katalonjës thonë se 2.2 milionë njerëz votuan në referendum, ndërsa 90% prej tyre e kanë mbështetur pavarësinë.
Gjykata Kushtetuese e Spanjës e kishte ndaluar mbajtjen e referendumit.

 

Siri: Sulmi rus vret 12 militantë dhe plagos një lider

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar sot se nga një sulm ajror i forcave të veta në Siri, janë vrarë 12 komandantë lokalë të Frontit Al-Nusra dhe është plagosur seriozisht një lider i këtij grupi.
Fronti Al-Nusra është një grup militant, i cili aktualisht është i njohur si Jabhat Fateh al-Sham dhe vlerësohet se është degë e Al-Kaidës në Siri.
“Si rezultat i sulmit lideri i Fronit Al-Nusra, Abu Muhammad al-Golani, ka pësuar plagosje të shumta dhe e ka humbur një gjymturë, sipas infomacioneve nga disa burime të pavarura”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov.
Sipas tij, janë vrarë, po ashtu, 12 komandantë lokalë të Frontit Al-Nusra dhe afro 50 rojtarë.
Këto shifra nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

 

Ramadani: Rezultat ndaj Islandës

Pas fitores së parë në kualifikueset e Europianit për 21-vjeçarë, Kombëtarja Shpresa kthehet në fushë. Sërish përballë Islandës, përsëri për një fitore, me Ylber Ramadanin, që thekson se objektivi kryesor i skuadrës së Bushit është vendi i dytë në grup. “Prej fillimit të Europianit objektivi ishte vendi i dytë, ose vendi i parë. Kemi një ekip të mirë me një grup cilësor. Jemi paraqitur mjaft mirë, edhe pse në dy ndeshjet e para na ka munguar fati. Kemi lojtarë shumë të mirë në ekip që mund t’i shërbejnë edhe Kombëtares A, por është trajneri që i merr vendimet. Ne do të mendojmë të hyjmë në çdo ndeshje për të fituar dhe për të arritur objektivat tonë”, u shpreh Ramadani.
Pavarësisht fitores 3-2 të përpara një muaji në Islandë, mesfushori nuk e fsheh faktin që kundërshtarët mbeten favoritë, ndërsa ka edhe një thirrje për tifozët”. Islanda është favorite përpara nesh, por ne do të hyjmë në fushë që të japim maksimumin dhe të marrim rezultat. Gjithashtu i ftoj të gjithë tifozët të vijnë në stadium se janë forca jonë”, tha ai.
Ramadani foli edhe për aventurën e re te Velje në Kategorinë e Dytë daneze, me skuadrën që kryeson kampionatin edhe është në rrugën e ngjitjes në elitë. “Te skuadra ime Velje ndihem shumë mirë, sepse kam gjetur trajnerin Sormani me të cilin kam punuar te Partizani. Më ka ndihmuar shumë të përshtatem me stilin e futbollit danez. Ëndrra ime është Kombëtarja A. Kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe kemi pësuar vetëm një humbje. Objektivi ynë këtë vit është Superliga, sepse klubi ka bërë blerje të mëdha, ka investuar shumë dhe besoj se pas këtij sezoni do të ngjitemi mes më të mirëve”, Ramadani.
21-vjeçari mbetet tejet i lidhur me kampionatin shqiptar dhe Partizanin, dhe shfaq besim se të kuqtë do ta kalojnë momentin e vështirë. “I kam ndjekur të gjitha ndeshjet e kampionatit shqiptar. Më vjen keq që Partizani është në këtë gjendje dhe besoj se do të kthehet shumë shpejt aty ku e ka vendin. Te Partizani kam kaluar një pjesë shumë të bukur të karrierës, kam luajtur në Champions dhe Europa League. Me djemtë, kam kaluar gjithashtu mjaft mirë, dhe nuk mund të harroj vlerat e presidentit”, përfundoi Ylber Ramadani.

Nuk do të humbim

Shqipëria nuk e pranon kapitullimin pa kushte ndaj Spanjës dhe Italisë. Grinta e trajnerit Panuçi është transmetuar edhe në skuadër dhe këtë e konfirmon mbrojtësi Frederik Veseli, që deklaron se kuqezinjtë nuk e mendojnë humbjen. “Ne do të provojmë të fitojmë, është e vështirë, por ne do të japim maksimumin. Nuk shkojmë me idenë se do të humbasim. Të dy ndeshjet janë të bukura, nuk ka ndryshim nëse është Spanja apo Italia, duhet të bëjmë më të mirën tonë. Jam shumë optimist. Nuk dua të mendoj për humbjen. Më vjen inat kur thonë Spanja dhe Italia më të fortë se ne. Ditën e ndeshjes do të vërtetohet”, u shpreh Veseli.
Në duelin e parë në Loro Boriçi, Kombëtarja u mposht 2-0 nga Spanja, pa i krijuar asnjëherë vështirësi serioze iberikëve, por këtë herë mbrojtësi beson se skuadra do të paraqitet ndryshe. “Kemi shanset tona. Kemi kualitet në skuadër. Ndaj Spanjës golat erdhën për shkak të disa gabimeve tona, më shumë presion ka Spanja se sa ne. Sigurisht që do te jemi një skuadër ndryshe kemi një trajner të ri. Ai na kërkon disa gjëra ndryshe nga De Biasi”, tha ai.
Veseli nuk është aktivizuar në dy sfidat e fundit ndaj Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë, ndërsa mungesat e të pezulluarve Mavraj e Kukeli mund të jenë shansi i tij. 24-vjeçari nuk ngutet dhe ia lë zgjedhjen trajnerit. “Trajneri vendos. Nuk do të thotë gjë se kush luan më shumë në Itali do të jetë në fushë ndaj Italisë. Unë jam gati për Kombëtaren, se kush luan është detyra e trajnerit, ai vendos. Nëse ka nevojë për mua në rregull, nëse jo, nuk ka problem, pasi jam në dispozicion të skuadrës”, tha Veseli.
Gjatë merkatos së verës, Veseli zgjodhi të qëndronte te Empoli edhe pse skuadra ra nga kategoria. Mbrojtësi zbulon arsyet e vendimit dhe objektivat sezonalë. “Kam pasur oferta për t’u larguar nga Empoli. Presidenti bëri gjithçka që unë të qëndroja. Me plotësoi të gjitha kushtet. Objektivi ynë është të ngjitemi në Serinë A. Me pune dhe vullnet do ta arrijmë”, përfundoi Veseli.
Interesimi mbi Shqipërinë dhe trajnerin e saj shtohen, kur përballë janë Spanja dhe Italia. Tekniku i përfaqësueses kuqezi është intervistuar nga “FIFA.com” në lidhje me përballjen e radhës kundër Spanjës, por edhe për shanset e Italisë për kualifikim.
“Është një moment delikat për Venturën, pasi kombëtarja po kalon një fazë tranzicioni, por trajneri duhet lënë i lirë që të bëjë punën e tij. A do kualifikohet? Nuk e di. Italia është e mësuar që të jetë në Botëror dhe ka ende shanse për t’ia dalë. Unë shpresoj që ata t’i arrijnë finalet e Botërorit. Në fakt, jam i sigurt që do t’ia dalin dhe do kualifikohen. Dhe kur Italia shkon, ata e dinë si ta bëjnë të mundur mbërritjen deri në finale”, ka deklaruar ndër të tjera trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, në një intervistë të dhënë për “FIFA.com”.
Arlind RAMA