32.5 C
Tirana
E diel, 15 Qershor, 2025

Cavani: Neymar? Gjëra që ndodhin!

Edinson Cavani shuan zjarrin. Pas atij episodi aq shumë të përfolur e mediatizuar mes uruguajanit dhe brazilianit Neymar, mbi momentin e gjuajtjes së penalltisë në sfidën me Lion, sulmuesi i Paris Saint Germain deklaron se, tashmë klima është e qetë dhe mes tyre nuk ka më tension. Nga grumbullimi me Kombëtaren e Uruguait dy ditë para sfidës me Venezuelën, e vlefshme për kualifikimin në Botërorin Rusi 2018, 30-vjeçari saktësoi:
“Janë gjëra që ndodhin në futboll. Bëhet fjalë për episode, që më pas marrin përmasa të tjera nga media, që i fryn e i zmadhon ato. Sidoqoftë e rëndësishme është që gjithçka të sqarohet në dhomat e zhveshjes”, u shpreh Kavani.
Situata të tilla kanë zgjidhje dhe e rëndësishme është që ish-bomberi i Napolit duket se i ka vënë kapak kësaj historie. Gjithçka, nisi në 17 shtator në sfidën përballë Lionit, e cila përfundoi me rezultatin 2-0 në vafor të PSG, ku Neymar dhe Cavani u panë duke debatuar se cili do të gjuante penalltinë. Tashmë duket se dy amerikanojugorët kanë një bashkëjetesë të qetë në klubin nënkampion të Francës.

Simeone: E ku më mirë se te Atletico?

“E ardhmja ime? E përsëris gjithmonë, e ku më mirë se te Atletico Madrid?! Kështu deklaroi trajneri argjentinas, Diego Simeone gjatë një prononcimi për shtypin spanjoll. Në këtë mënyrë El Cholo, hedh poshtë hipotezat e një rikthimi të tij të mundshëm në Itali. “Kritikat të bëjnë gjithnjë më të mirë. E dimë se çfarë na pret dhe që ky fillim sezoni mund të konsiderohet si ngadaltë për ne, por njerëzit harrojnë faktin se nga 7 takimet në kampionat kemi luajtur vetëm dy në shtëpi”, u shpreh Simeone.
Në fakt, Atletico renditet në vendin e katërt në tabelën e klasifikimit pas 7 ndeshjeve të para, ku kanë marrë katër fitore e tre barazime. Gjithsesi, grupit të Los Colchoneros nga janari do t’i shtohet edhe Diego Costa, për të cilin Simeone shprehet: “Vitin e shkuar pas një bisede me Gameiron i komunikova se Diego Costa ishte zjedhja e parë për mua. Nga lojtarët që kam pasur, Diego është ai që më ka impresionuar më shumë, dhe nëse nuk do të kishte qenë edhe dëshira e tij për të ardhur tek ne, nuk do t’ia kishim dalë dot të arrinim transferimin. Nuk është e vështirë të jesh numri 9 i kësaj skuadre. Të gjithë ata që kanë mbajtur veshur fanellën me këtë numër në shpinë kanë shënuar, kujtoj Falcaon, Costan apo Mandzukiç”.
Simeone gjithashtu ka një konsideratë shumë të lartë për Mesin, Barcelonën dhe Realin e Madridit, skuadra me të cilat ka rivalizuar fort përgjatë këtyre viteve të fundit. “Me Mesin në strukturë Barcelona do të jetë gjithmonë një skuadër e veçantë, e rrezikshme dhe do të ketë gjithmonë një as më shumë se të tjerët në dorë. Ndërsa, Reali i Madridit është skuadra më e mirë në Botë, ka një formacion të shkëlqyer”, tha ai.
Lidhur me një afrim të mundshëm të tij në stolin e Kombëtares së Argjentinës, Simeone shtoi: “Nuk jam ende në fazën që të mbyllem në shtëpi e të përgatis për katër muaj me radhë një ndeshje. Kam nevojë të jem përditë i angazhuar dhe mendoj se duhet ende të përmirësohem. Në fund të fundit, jam vetëm 47 vjeç!

Italisë i shtohen hallet

Pas mungesës së sigurt të Marko Verratit, lista e të dëmtuarve të Italisë po vazhdon të zgjerohet me kalimin e orëve. Pas Daniele De Rosit, do të kthehet në Romë edhe shoku i tij i skuadrës, Lorenco Pelegrini. Vendet e tyre do të zihen nga Galjardini dhe Kristante. Në një moment delikat si ky kur “Axurrët” presin Maqedoninë të premten dhe udhëtojnë të hënën për takimin e fundit eliminator ndaj Shqipërisë, shtohen problemet për trajnerin Xhan Piero Ventura. Në orët e mbrëmjes, të dëmtuarve u është shtuar Andrea Beloti.
Lojtari i Torinos, pas ndrydhjes së gjurit në ndeshjen ndaj Veronës, kishte një fije shprese për t’iu bashkuar kombëtares italiane. Vizita e hollësishme në Romë evidentoi një problem në gju, i cili kërkon të paktën një muaj pushim, me sulmuesin që është rikthyer në Torino dhe i jep përfundimisht lamtumirën kombëtares për sa u përket dy ndeshjeve të radhës.
Shqetësimi më i madh i të kaltërve lidhet me gjendjen e sulmuesit titullar, Andrea Belotti. Pak minuta përpara fundit të ndeshjes ku Torino barazoi me Veronën, lojtari u largua nga fusha me barrelë prej problemeve në gju. Belotti ishte dukshëm i shqetësuar, ndërsa trajneri Ventura dhe e gjithë Italia janë në ankth. Edhe pse pritet diagnoza e saktë e dëmtimit, sipas gjasave sulmuesi do të mungojë në ndeshjet me Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Problemi te Italia bëhet edhe më serioz nga problemet muskulore të Marco Verratti-t, i cili nuk i është bashkuar grumbullimit të skuadrës në Koverçano. Në këtë situatë, për të zëvendësuar Belottin dhe Verratin, trajneri Ventura grumbulloi në ekip sulmuesin e Kievos, Roberto Ingleze dhe mesfushorin e Kaljarit, Nikolo Barrela. Tjetër i dëmtuar për të kaltërit është edhe Antonio Candreva. Lojtari i Interit u largua nga fusha në minutën e 51-të në sfidën ndaj Beneventos për shkak të një lëndimi në dorë. Gjendja e 30-vjeçarit do të vlerësohet në orët në vijim, edhe pse situata e tij duket më pak serioze se ajo e shokëve të skuadrës.

Kosova U-19, humbje minimale përballë Austrisë

Kosova U-19 ka debutuar në një ndeshje zyrtare në futbollin ndërkombëtar. Përfaqësuesja e drejtuar nga Ramiz Krasniqi është mposhtur me rezultatin minimal 1-0 në takimin përballë Austrisë. Goli i vetëm u shënua nga Lema në minutën e 56. Kjo ndeshje ishte e vlefshme për Grupin 6 të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-19 “Finlanë 2018”.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Izraeli mposhti 1-0 Lituaninë. Ndeshja e radhës për Kosovën është pas tre ditësh përballë Izraelit. Ndeshjet e këtij grupi kualifikues po luhen në Austri.

Durmishaj i dëmtuar, grumbullohet Bardhi

Kombëtarja shpresa humbet shërbimet e Fiorin Durmishajt, përpara sfidës së 10 tetorit me Islandën në “Elbasan Arena”. Sulmuesi në pronësi të Panioniosit u paraqit i dëmtuar në grumbullim dhe pas vizitave të stafit mjekësor u vendos që 20-vjeçari të largohet nga ekipi, për të vazhduar fazën e rehabilitimit.
Një humbje e madhe kjo për trajnerin Alban Bushi, edhe sepse Durmishaj ishte një prej lojtarëve kryesorë në fazën ofensive, së bashku me Kristal Abazajn dhe sulmuesin Rubin Hebaj. Në vend të djaloshit të lindur në Vlorë, në ekipin shpresa u thirr lojtari i Partizanit, Jurgen Bardhi, i cili nisi menjëherë stërvitjet me pjesën tjetër të grupit.
Një tjetër futbollist që ka paraqitur probleme është edhe Valdrin Mustafa. Talenti i Kaiserslauternit është në dyshim prej problemeve në kavilje, ndërsa stafi mjekësor shpreson rikuperimi në kohë të sulmuesit.
Ndërkohë, në seancën e paradites së kësaj të mërkure, trajneri Bushi i ka përqendruar përgatitjet te aspekti teknik, ndërsa te enjten do të zhvillohet miqësorja me Tiranën në “Selman Stërmasi”. Një ndeshje që do të shërbejë si testi gjeneral i përfaqësueses shpresa përpara duelit me Islandën.

“Pakt” për Botërorin

Me kualifikimin direkt në Kupën e Botës që është në lojë, te Spanja kanë vendosur të sheshojnë kontradiktat rreth pavarësisë së Katalonjës. Gazeta “Marca” flet për “pakt për të mirën e Spanjës” përpara duelit të 6 tetorit në Alikante me Shqipërinë. Në dhomat e zhveshjes së “La Rojas” është zhvilluar një takim për të ulur tensionin rreth çështjes “Pike”. Edhe pse lojtarët katalanë, mes tyre edhe Sergi Busquets, besojnë se hendeku me tifozët është bërë i parikuperueshëm, lojtarët e përfaqësueses spanjolle kanë vendosur si prioritet sigurimin e vendit të parë në grup dhe kualifikimin në Botërorin 2018.
Gjithsesi, sipas mediave iberike, Gerard Pike nuk mendon të heqë dorë nga përfaqësuesja spanjolle përpara evenimentit që do të zhvillohet në Rusi. Për qëndrimet e tij pro referendumit në Katalonjë, mbrojtësi i Barcelonës u prit me vërshëllima nga tifozët në stërvitjen e ekipit që ka fituar një herë titullin botëror dhe është shpallur tre herë kampione e Europës.
Në situatën e krijuar, Pike kishte deklaruar se nëse federata apo trajneri mendonin se prezenca e tij përbënte problem, nuk do të hezitonte të largohej nga përfaqësuesja e Spanjës. Trajneri Lopetegui i doli në mbrojtje dhe e bëri të qartë se 30-vjeçari dhe të gjithë futbollistët katalanë do të vazhdojnë të mbrojnë ngjyrat e skuadrës, pasi nuk është e udhës që çështjet politike të përfshihen në sport. Vendimi lidhet me faktin se Pike është një prej elementëve kryesorë të “La Rojas”, por edhe për të mos tronditur skuadrën. Megjithatë, nuk përjashtohet që zhvillimet në Katalonjë të ndikojnë në ekuilibrat e brishtë që ekzistojnë te Spanja.
Çështja e referendumit të Katalonjës mbetet çështja e ditës te Spanja. Skuadra, mediat dhe tifozët e kanë të vështirë të përqendrohen të sfida e 6 tetorit në Alikante ndaj Shqipërisë. Kjo ka shkaktuar përshtjellim te një prej yjeve të ekipit, Thiago Alcantara, sipas të cilit “La Roja” duhet të flasë për futbollin në fushë dhe jo për kontestimet e tifozëve ndaj mbrojtësit Gerard Pike.
“Ndjejmë keqardhje që nuk mund të flasim për futboll, që nuk mund të diskutojmë për ndeshjen me Shqipërinë, por që përballemi me çështje politike. Ne jemi futbollistë, nuk merremi me politikë dhe mundohemi gjithmonë që debatet dhe pikëpamjet personale të mos i përfshijmë në përfaqësuese. Pike ka qenë gjithmonë i përkushtuar dhe i lumtur në kombëtaren e Spanjës. Përsa i takon kontestimeve, Gerard ka luajtur shumë herë në ‘Bernabeu’ dhe nuk i bën përshtypje asnjë ambient armiqësor apo vërshëllimat”, u shpreh Alcantara.
Sipas mesfushorit të Atletico Madrid, Koke, pavarësisht situatës jo të qetë politike në vend, atmosfera në përfaqësuesen iberike nuk ka ndryshuar. “Gjithmonë e kemi ndjerë mbështetjen e njerëzve. Atmosfera në skuadër nuk ka ndryshuar dhe jemi të përqendruar te ndeshja me Shqipërinë, për t’i mbyllur këto kualifikuese në vendin e parë. Situata politike është në vëmendjen e të gjithëve, megjithatë ne jemi profesionistë dhe jemi të përqendruar vetëm te futbolli. Synojmë t’i fitojmë dy ndeshjet me Shqipërinë dhe Izraelin edhe pse e kemi të qartë që nuk do të jetë e lehtë”, tha ai.

Ndoj: Kombëtarja, një mundësi e madhe

Pas paraqitjeve të shkëlqyera të sezonit të kaluar me Brescian në Serinë B, Emanuele Ndojit i mjaftuan vetëm dy ndeshje me ekipin shpresa për të treguar potencialin e tij. Mesfushori 20-vjeçar, i grumbulluar për herë të parë nga trajneri Panuçi tregoi emocionet e të qenit pjesë e kombëtares.
“Jam i gëzuar që më kanë grumbulluar, me lojtarët e tjerë ndihem mirë. Trajneri ka ardhur të më shohë ndaj Ternanës, ra shi dhe nuk mundi të më shikonte dhe më pas s’kemi pasur kontakte”.
Ndoj e pranon se përfshirja në skuadër është një mundësi e madhe, edhe pse është i vetëdijshëm se duhet të punojë shumë për të qenë pjesë e përhershme e grupit. Për mesfushorin e rritur në akademinë e Romës nuk ka rëndësi nëse luan në kombëtaren A apo me ekipin shpresa, mjafton që përfaqëson ngjyrat kuqezi.
“Nuk pretendoj asgjë. Jam i ri, është hera e parë që grumbullohem me kombëtaren, këtu do të bëj gjithçka thotë trajneri. Është një mundësi e madhe për mua këtu, por edhe nëse luaj me kombëtaren shpresa për mua nuk përbën asnjë problem. Nuk jam stërvitur sepse jam dëmtuar ndaj Perugias, por shoh që në skuadër punohet me intensitet dhe ka shumë kualitet”, përfundoi Ndoj.

Gavazaj rikthehet në nëntor

Enis Gavazaj i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dy ditë më parë, teksa gjithçka ka kaluar me sukses për mesfushorin e Skënderbeut. Pas atij dëmtimi të pësuar në ndeshjen e Ligës së Europës ndaj Jang Bojs, Gavazaj e ka pasur të domosdoshëm operacionin në mollëzën e faqes së djathtë, që kishte pësuar krisje.
Mësohet se operacioni shkoi mirë, por mesfushori nga Prizreni do të duhet të qëndrojë edhe për dy ditë të tjera nën kontrollin e mjekëve. Më pas, 12 deri në 14 ditë, Gavazaj do të jetë në regjim absolut, çka do të thotë se nuk do të zhvillojë asnjë seancë stërvitore deri më 20 tetor.
Prej kësaj date, kosovari do të fillojë vrapimet dhe stërvitjet e diferencuara, për të nisur gradualisht përgatitjet me pjesën tjetër të grupit. Duke u nisur nga këto të dhëna, Gavazaj pritet që vetëm në mesin e muajit nëntor të jetë në dispozicion të trajnerit Daja. Një periudhë mjaft e gjatë, pikërisht në momentin më të mirë të Gavazajt, i cili ishte kthyer në pikën më të fortë të skuadrës.
Ndërkohë, pas ndeshjes me Kukësin, bardhekuqtë kanë marrë dy ditë pushim. Ndërprerja e kampionatit, për shkak të impenjimit të kombëtareve, natyrisht që vjen në momentin e duhur për Skënderbeun, që ka mundësi të rifitojë forcat, por edhe të ketë një grup më të plotë në dispozicion. Lojtarë si Radas, Nimaga dhe Osmani do të jenë 100% gati javën e ardhshme.

Hysaj e Agolli kthehen me grupin

Nëse stërvitja e diferencuar e Ansi Agollit dhe Elseid Hysajt gjatë paradites së të martës krijoi një ndjenjë të vogël frike, alarmi ra në përgatitjet e pasdites. Kapiteni i kombëtares dhe mbrojtësi i Napolit u vendosën nën urdhrat e trajnerit Christian Panuçi, duke u stërvitur normalisht me pjesën tjetër të grupit. Problemet fizike për dy mbrojtësit titullarë të krahëve mund të cilësohen të kaluara dhe ata do të jenë gati, për të qenë dy prej shtyllave të ekipit në sfidën e 6 tetorit në Alikante përballë Spanjës.
Në stërvitje mungoi portieri titullar Etrit Berisha, i frenuar nga një virozë gripale e stinës. Sipas stafit mjekësor kuqezi, “gardiani” do të jetë normalisht në portë, për të realizuar të tjera pritje me peshë, si penalltia e neutralizuar përballë Dybalasë që i dhuroi Atalantës një pikë përballë Juventusit gjatë fundjavës së kaluar.
Në seancën e pasdites nuk ishte i pranishëm as Enea Koliçi, por kjo thjesht për një çështje burokratike. Aq surprizë ishte grumbullimi në kombëtare, ku zëvendësoi të dëmtuarin Thomas Strakosha, sa portieri duhet të udhëtonte në vendlindjen e tij në Pogradec për të nxjerrë pasaportën e re, pasi dokumentit të mëparshëm i kishte kaluar afati i përdorimit.
Mungesat e dy gardianëve e detyruan trajnerin e portierëve, Ilir Bozhiqi që të paktën për një pasdite t’i dhuronte Angelo Tafas së AEK-ut, që nga përfaqësuesja e 19-vjeçarëve të përgatitet me kombëtaren A përkrah Alban Hoxhës. Kuqeziu i vetëm që zhvilloi stërvitje të diferencuar ishte prurja më e re në skuadër, Emanuele Ndoj, me mesfushorin që ka pësuar një lëndim të vogël në ndeshjen e fundit me Brescian në Serinë B ndaj Perugias. Panuçi preferoi që sytë kuriozë të gazetarëve dhe mediave t’i mbante në distancë nga skuadra. Një mënyrë për të punuar më i qetë dhe për të përgatitur një surprizë të mundshme përballë Spanjës.

Deputeti Rakipi me rekorde kriminale në Itali, PD kërkon verfikim nga KQZ e Prokuroria

PD i ka kërkuar Prokurorisë dhe KQZ të bëjnë verifikim të plotë të kartelës së dekriminalizimit për deputetin Aqif Rakipi dhe Gjetan Gjetani. Të dy këto deputetë sipas provave kanë probleme me drejtësinë e vendeve të BE. Për deputetin Rakipi dyshihet për një sërë veperash kriminale në Itali. Deri tani, Prokuroria dhe KQZ kanë bërë vetëm një verfikim të përciptë të frustuar nga forca e krimit. Mbetet për tu parë reagimi i tanishëm i këtyre dy institucioneve.