25.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

Shefi i policisë terrorizon qytetarët dhe vetë lëviz me makina luksoze

Drejtori i Policisë Beratit, Dilaver Shimaj lëviz me një makinë luksoze që kushton 70 mijë euro, ndërsa u bllokon qytetarëve makinat që kushtojnë 5 milionë lekë të vjetra. Denoncimi është bërë nga një qytetar nga Berati, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Ai shkruan se shefi i policisë së këtij qyteti, po abuzon me detyrën, pasi po u konfiskon makinat qytetarëve me pretendimin se ato janë luksoze, ndërkohë që vetë lëviz me një mjet që kushton 70 mijë euro.
“Nga operacioni i konfiskimit të makinave luksoze! Qytetari dixhital denoncon bosin e Policisë së Beratit për makinën e tij luksoze që i kushton 70 mijë euro ndërkohë që i konfiskon qytetarit si luksoze makinën që e ka blerë 5 mijë euro!”, shkruan Berisha.
“Zoti Berisha po të dërgoj foto të makinës së drejtorit të policisë Beratit, Dilaver Shimaj, një hajdut ish-sigurims, ‘Mercedes’ i 2015, blerë me rrogën e tij të ‘ndershme’ 70 mijë euro. Plus edhe hoteli në Durrës. Anonim të lutem shumë. Targa AA 202 OY. Foto e bërë në ambientet e policisë Berat ditën që morën makinën time që kushton 5000 euro për gjoja luksoze”, shkruan qytetari nga Berati.

Dy shqiptarë kapen në Itali me 1 milion euro heroinë e kokainë

Policia italiane e qytetit të Bolonjës ka arrestuar dy shtetas shqiptarë me akuzën e trafikut të drogës të tipit heroinë e armëmbajtje pa leje. Shqiptarët e arrestuar janë Indrit Baldiu, 28 vjeç e Shkëlqim Xhafa, 25 vjeç.
Në banesën e tyre janë gjetur 25 kg heroinë e pastër me vlerë tregu 1 milion euro, rreth 100 mijë euro e një pistoletë gjysmë automatike e tipit “Smith & Wesson” e kalibrit 45 me numër serie të fshirë e dy karikatorë me 16 fishekë.
Arrestimi i tyre është bërë gjatë një kontrolli rutinë të forcave policore nëpër rrugët e qytetit.
Ka qenë sjellja e dyshimtë dhe nervoze e shqiptarit Shkëlqim Xhafa që ka detyruar policët italianë në ndalimin e kontrollin e tij. Në një qese plastike që mbante në duar i janë gjetur 18 mijë euro.
Më pas në kontrollin në banesë ku jetonte së bashku me Indrit Baldiun, 28 vjeç, forcat e policisë kanë gjetur të fshehura rreth 25 kg heroinë që në shitje tregu do të sillte një përfitim prej më shumë se 1 milion euro. Gjithashtu në banesën e shqiptarëve janë sekuestruar dhe 100 mijë euro para të thata dhe instrumente për konfeksionimin e dozimin e drogës.
Dy shqiptarët Indrit Baldiu, 28 vjeç e Shkëlqim Xhafa, 25 vjeç janë emigrantë klandestinë në Itali e të paskeduar më parë nga Policia italiane. Ndaj dy shtetasve shqiptarë është lëshuar urdhri i arrestimit me burg.

Si u fsheh kërkesa e Interpolit për shefin e policisë të dënuar me 10 vite burg

Shefi i policisë, Dritan Xhindoli i dënuar me 10 vite burg në Itali rezultonte i kërkuar nga Interpoli qysh prej vitit 2013, por ai vijonte punën në polici pa asnjë problem. Interpoli kishte dërguar një shkresë për arrestimin e tij, por ajo u mbajt e fshehtë nga zyrtarët shqiptarë. Pas arrestimit të komisarit të Policisë së Shtetit, Dritan Xhindoli Prokuroria ka nisur hetimet për fshehjen e kërkesë së Interpolit.
Sipas burimeve, Interpoli kërkonte zbulimin dhe arrestimin e shtetasit shqiptar, Dritan Arjan Xhindoli, i cili ishte punësuar në Policinë e Shtetit. Por për 4 vite nuk u bë e mundur, madje nga i kërkuar ndërkombëtarisht Xhindoli ia doli të bëjë karrierë në Policinë e Shtetit, duke arritur të marrë gradën e lartë “Komisar” dhe të ishte kandidat për t’u graduar “Kryekomisar” .
Prokuroria ka nisur hetimet për shqyrtimin e të gjitha procedurave të ndjekura nga Interpol Tiranë-Interpol Italia, por dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Pasi ka dyshime të arsyeshme se procedura e fshehjes së urdhërarrestit ndërkombëtar të jetë bërë në mënyrë të qëllimshme dhe po e njëjta dorë të ketë stimuluar emërimin e të dënuarit Xhindoli në funksione të rendësishme, ku më i fundit ishte ai i zëvendësdrejtorit të Kufirit në Vlorë.
Dritan Xhindoli u arrestua më 21 shtator, por lajmi u mbajt i fshehtë nga policia. “Më datë 21 shtator është bërë arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit D.XH., 39 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim nga zyra Qendrore e Interpol Tirana pasi Gjykata e Apelit në Bolonja, me vendimin Nr. 460/2013-R, dt.15.02.2013, e ka dënuar me 10 vite burg për veprat penale ‘Vjedhje’ dhe ‘Falsifikim i dokumenteve’”, shkruhet në komunikatën zyrtare të Policisë së Shtetit.

“Zyra 13/2” tre koncesionet e plehrave me vlerë 178 milionë euro

Artan RAMA

Në prill të 2009, Shqipëria kërkoi të anëtarësohej në Bashkimin Europian. Komisioni e pranoi kërkesën dhe dërgoi ekspertë për të mbështetur programet e zhvillimit. Mes tyre, edhe një grup që do të hartonin strategjinë e menaxhimit të mbetjeve. Ajo përfundoi në pak muaj.
Strategjia e re iu dorëzua qeverisë dhe u miratua në një kohë të shkurtër. Përpikmëria e treguar prej autoriteteve nxiti misionin e Bankës Botërore dhe miliona dollarë të tjerë u hodhën për të mbështetur këtë strategji. Entuziazmi përfshiu Italinë dhe Gjermaninë. Qeveritë përkatëse financuan programe të reja për menaxhimin e mbetjeve, duke rikthyer shpresat për një Shqipëri të pastër.
Por sot, qeveria ka porositur një strategji të re. Nga Evropa kanë mbërritur të tjerë ekspertë. Dhjetëra japonezë, gjermanë e italianë të JICA-s, GIZ-it, KfW-së, kanë përveshur mëngët për të hartuar master-plane, programe e strategji të reja kombëtare në fushën e menaxhimit të mbetjeve.
Por milionat dhe energjitë e shpenzuara nuk i kanë ulur problemet.
Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria e ka dyfishuar sasinë e mbetjeve. 7 për qind e tyre groposet. Ndarja në burim, pothuajse nuk ekziston dhe niveli i riciklimit është i ulët.
Nga dymbëdhjetë venddepozitime mbetjesh të premtuara, deri tani janë ndërtuar vetëm dy. Landfilli më i madh i vendit, Sharra, është i kontaminuar dhe jashtë afatit.
Nëse do të flisnim për suksese, vetëm dy mund të konsiderohen të tilla: paratë e shpenzuara dhe dështimi i autoriteteve për të menaxhuar mbetjet!
Kësisoj, në Shqipëri, gjithçka po nis nga e para…

T’i djegim!

Shqipëria e varfër ish-komuniste po nxiton të zhvillohet. Por krahas rritjes ekonomike, ajo po prodhon më shumë mbetje urbane.
“Rritja e mbetjeve bashkiake për banor në Tiranë është e krahasueshme, ose më e lartë, me qytetet e mëdha të botës”, thuhet në një raport të JICA-s, Agjencisë Ndërkombëtare Japoneze të Bashkëpunimit.
Raporti i hartuar prej 11 ekspertësh japonezë ka mbërritur në Bashkinë e Tiranës qysh në 2012, por deri tani, askush nuk e ka zënë me dorë. Miliona euro të shpenzuara janë arkivuar.
Në dhjetë vitet e fundit, sasia totale e mbetjeve në Europë, ka zbritur në 6 për qind, por në Shqipëri është dyfishuar. E kapur në panik, qeveria vendosi t’i djegë!
Për herë të parë, ajo aprovoi ndërtimin e tre inceneratorëve, fillimisht në qytetin e Elbasanit, më pas në Fier e, së fundi, muajin e shkuar, në Tiranë, natyrisht, sipas metodës së preferuar të saj: Partneritetit Publik Privat.
Por ajo që për zyrtarët publikë është një zgjidhje, për ekspertët dhe grupet e interesit është një vendimmarrje gabuar, problematike e madje, korruptive. Por le t’i marrim me radhë.
“Le të na thotë vendimmarrësi se ku është bazuar për këtë zgjedhje”, thotë ekspertja mjedisore, Marianthi Guri. “Të na tregojë se cilit studim i është referuar”.
Strategjia Kombëtare e Mbetjeve është miratuar në vitin 2011 dhe incenerimi, pra djegia e kontrolluar e mbetjeve, klasifikohet në fund të hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve, pas ripërdorimit, ripërtërimit dhe riciklimit.
“Këta po e kthejnë piramidën përmbys, duan të futin gjithçka në incenerator. Po hapen shumë inceneratorë!”, shprehet Vullnet Haka, një prej përfaqësuesve të industrisë së riciklimit në Shqipëri.
Sipas Strategjisë, radha e investimeve është në përputhje me hierarkinë e mbetjeve. Por në pamundësi për të respektuar hierarkinë zyrtarët po ndryshojnë strategjinë.
“Pamjaftueshmëria financiare e bëri të parealizueshme këtë strategji. Objektivat e mëparshme ishin tepër ambicioze për kushtet tona”, thotë një zyrtare e lartë në Ministrinë e Mjedisit.
Vështirë të vlerësosh objektivin, nëse nuk provon ta arrish.
Por ndonëse në pamjaftueshmëri financiare, qeveria sidoqoftë, shpenzoi miliona nga buxheti në favor të koncesioneve të incenerimit.
Për inceneratorin e Elbasanit u shpenzuan rreth 22 milionë euro. Pesë milionë euro më shumë u shpenzuan për inceneratorin e Fierit-rreth 50 milionë së bashku.
Paradoksalisht, qeveria po kërkon të hartojë një strategji të re, pasi vendimet janë marrë. Në zyrat e GIZ-it, një njësi zhvillimi dhe bashkëpunimi në shërbim të qeverisë gjermane kanë mbërritur ekspertë të rinj. Qeveria shqiptare ka porositur një platformë të re të menaxhimit të mbetjeve. Mbështetur me 33 mijë euro të financuara nga qeveria gjermane, një ekspert gjerman do të hartojë një plan të ri, që do të jetë gati në mars të 2018.
“Qeveria duhet të na thotë se çfarë kërkon të bëjë”, thotë Hermann J. Glumm, drejtues i projektit të menaxhimit të mbetjeve të GIZ-it.
Zoti Glumm është ekspert i mirinformuar.
“Direktiva evropiane është e qartë. Ajo mbështet ndarjen në burim dhe kryerjen e programeve të riciklimit”, vëren ai. “Incenerimi zbatohet prej shteteve të industrializuara, qeveritë e të cilave kanë kapacitete të larta kontrolluese dhe aftësi të trajtimit të mbetjeve”, përfundon.
Ajo çka zoti Glumm thotë, përputhet plotësisht me direktivat kryesore europiane. Por mungesa e një platforme zbatimi dhe neglizhenca në menaxhimin e mbetjeve solli dështimin e objektivave. Shqipëria e humbi betejën me riciklimin dhe qeveria i ra shkurt: vendosi t’i djegë.

Beteja për shishen

“Ne po humbasim lëndën e parë”, konstaton Vullnet Haka nga Shoqata e Ricikluesve dhe President i kompanisë Everest. “Ata po djegin gjithçka!
Sipas të dhënave të publikuara prej Forumit për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD), Gjermania ricikloi 65 për qind të mbetjeve në vitin 2013, përpara se t’i dërgonte ato nëpër inceneratorë.
Në Gjermani, për çdo material plastik apo shishe plastike të ricikluar ju mund të fitoni njëzet e pesë deri dhe shtatë cent respektivisht.
Shqipëria nuk ka asnjë program për zvogëlimin dhe riciklimin e mbetjeve.
“Shtimi i pakontrolluar i sasisë së mbetjeve do të rrisë, pashmangshmërisht, kostot e menaxhimit, -shprehet, jo pa dëshpërim, znj. Marianthi Guri, eksperte mjedisore.
Zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit kanë pohuar se, qytetarët e Tiranës “mund të paguajnë 29 euro (pa tvsh) për çdo ton mbetje të dërguar në incinerator”, pasi ai të ndërtohet.
Shumë pak njerëzve u shkon në mendje se në temperaturat e ulëta, brenda frigoriferit të shtëpisë strehohen materiale me fuqi të larta kalorifike. Nga djegia e shisheve plastike dhe e kanaçeve të aluminit sigurohet një nxehtësi e krahasueshme me nxehtësinë që përftohet prej djegies së naftës. Në këtë mënyrë, inceneratorët prodhojnë energji të madhe në një kohë më të shpejtë.
Sipas një studimi të Qendrës Kërkimore të Shërbimit të Shkencës dhe të Dijes të Komisionit Europian mbi Menaxhimin e Mbetjeve Bashkiake, “incenerimi mund të jetë me leverdi ekonomike për rryma të caktuara mbetjesh, të cilat kanë vlera të larta kalorifike, por nëse përfshihen kostot e jashtme (p.sh. nëse llogariten kostot e impaktit në mjedis), riciklimi rezulton me kosto më të ulët për shoqërinë”.
Në një tjetër studim të bërë prej Solvey S.A., një prej kompanive më të mëdha në botë për prodhimin e plastikës, u përdor një tjetër parametër thelbësor: energjia që kërkohet për prodhimin e një produkti përmes riciklimit e krahasuar me energjinë për prodhimin e tij nga e para (pas eliminimit të produktit të vjetër në incenerator).
Kështu, gjatë riciklimit të një produkti të vjetër për të ndërtuar një të ri, ne përdorim vetëm gjysmën e energjisë së nevojshme, nëse, pas djegies së produktit të vjetër në incenerator, do të prodhonim një të ri nga e para.
Studimi provon se falë riciklimit, emetohen në atmosferë vetëm 39 për qind të gazrave “serrë”, nëse nuk e prodhojmë produktin nga e para. Pra, riciklimi e ul ngrohjen globale me 39 për qind, pikërisht sepse, gjatë procesit, kërkohet më pak energji.
Por, sipas studimit, efektet pozitive të riciklimit në mjedis shtrihen më tej.
Vlera e ulët e energjisë së shpenzuar gjatë riciklimit, në krahasim me vlerën e lartë të energjisë së shpenzuar, kur produktin e prodhojmë nga e para, mbron shtresën e ozonit dhe ul përqendrimin e acideve në atmosferë, rreth dy herë më shumë.
Rezultati është i qartë: riciklimi siguron një mjedis më të pastër se sa incenerimi.
Por për zyrtarët në Shqipëri, kjo nuk përbën shqetësim!

Çfarë fsheh “Zyra 13/2”?

Në verën e vitit 2014, themeluesja e Albtek Energy sh.p.k., Stela Gugallja, u ngjit në katin e trembëdhjetë të godinës “Sky Tower” në Tiranë dhe regjistroi zyrën me numër 13/2 si adresë të kompanisë së sapoformuar. Pastaj u ul e shkruajti një letër në adresë të qeverisë. Ishte kërkesa e parë dhe kërkonte ngritjen e një inceneratori në qytetin më të ndotur të Shqipërisë, në Elbasan.
Pas pak javësh, Albtek Energy u shpall “fituese” e një gare pa konkurentë, me vlerë rreth 22 milionë euro dhe nënshkroi me qeverinë kontratën e bashkëpunimit për ndërtimin e inceneratorit në Elbasan.
Më pas, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve miratoi projektin dhe Ministria e Mjedisit nxitoi të lëshonte lejen mjedisore.
Banka Credins miratoi kredinë e kërkuar nga kompania dhe qeveria i dha asaj të drejtën për të ndërtuar dhe për të shfrytëzuar inceneratorin e Elbasanit.
Pas një viti të plotë, në 25 gusht 2015, kur çdo procedurë ligjore me qeverinë kishte përfunduar, Albtek Energy sh.p.k. doli nga Zyra 13/2 në godinën “Sky Tower”.
Por Zyra 13/2 strehonte njëkohësisht edhe një tjetër kompani, Integrated Technology Service sh.p.k., me administrator dhe pronar të vetëm Klodian Zoton.
Por Albtek Energy dhe Integrated Technology u ribashkuan në një vendndodhje të njëjtë zyrash disa javë më pas, në të njëjtën ditë. Në datën një tetor, ndonëse në seli të ndryshme, kompanitë njoftuan secila më vete çeljen e një adrese të dytë, që ndodhej çuditërisht në të njëjtin vend: “Kantieri i impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan”.
Ky ndryshim u bë vetëm një javë, pasi Banka Credins i kishte dhënë Albtekut kredinë për të ndërtuar inceneratorin. Dukej pra, që kompanitë, përveç zyrave po ndanin edhe bizneset.
Integrated Energy nuk ndaloi këtu. Ashtu si Albtek një vit më parë, kompania i dërgoi qeverisë një letër, ku i kërkoi të ndërtonte një incenerator në Fier.
Qeveria u vu menjëherë në lëvizje dhe në shtator të 2016, “Integrated Technology” konkuroi e vetme dhe u shpall fituese, duke siguruar të drejtën për të ndërtuar inceneratorin e Fierit, me vlerë 28 milionë euro. Adresa mbetej përsëri, e famshmja, “Sky Tower”, Zyra 13/2.
Më pas, së bashku me dy ortakë të tjerë, Integrated Technology i dërgon qeverisë një letër të dytë, ku i kërkon një incenerator tjetër, por këtë radhë në Tiranë dhe, natyrisht më të madh.
Qeveria vihet përsëri menjëherë në lëvizje dhe shpall tenderin për ndërtimin e inceneratorit. Qeveria e favorizon Integrated Technology, duke i dhënë paraprakisht disa pikë bonus.
Pak javë më parë, Agjencia e Prokurimeve e Publike njoftoi rezultatin e këtij tenderi për inceneratorin e Tiranës. Natyrisht, Zyra 13/2 u shpall përsëri fituese: Integrated Technology së bashku me dy ortakët e saj do të ndërtojë Inceneratorin e Tiranës. (Njoftimin për shpalljen e fituesit të koncesionit e bëri Ministria e Mjedisit, e cila është dhe autoriteti kontraktues. Sipas njoftimit, Integrated Energy B.V. ishte e vetmja kompani që mori pjesë në tender duke bërë një ofertë prej 128 milionë eurosh për koncesionin 30 vjeçar).
Brenda një periudhe dy vjeçare, një zyrë e vetme-Zyra 13/2 në katin e trembëdhjetë të godinës “Sky Tower” në Tiranë-siguroi një sërë kontrata prej dhjetëra milionë eurosh, siguroi të drejtën për incenerimin e mbetjeve në më shumë se gjysmën e vendit, siguroi të drejtën për të prodhuar dhe për të shitur energji elektrike dhe përfitoi falas mijëra hektarë tokë publike në favor të bizneseve të saj.
Ndonëse pa asnjë përvojë në menaxhimin e mbetjeve, përmes kompanive të saporegjistruara pa asnjë aktivitet tjetër, një grup i ngushtë personash shënuan “një histori suksesi”, qysh në muajt e parë të kësaj sipërmarjeje.
Ne i pyetëm këta biznesmenë se në ç’rrethana u përfshinë ata në menaxhimin e mbetjeve; se përse vendosën të rrezikojnë, duke investuar në incenerim, në një kohë që prioritetet sipas legjislacionit ishin të tjera; se cila ishte eksperienca e tyre dhe e stafit të tyre në këtë fushë dhe, a mos përmes kompanive me emra të ndryshme fshiheshin përfitues të njëjtë?
Nuk morëm asnjë përgjigje.
Në këto kushte zgjodhëm të hulumtojmë dokumentacionin.
Ministri i Mjedisit, zoti Lefter Koka, ka deklaruar se nuk e ka mbështetur Integrated Technology, duke pretenduar se qeveria përpara zhvillimit të procedurës përzgjedhëse për inceneratorin e Fierit, ka dhënë një bonus prej 10 për qind të pikëve në favor të një kompanie tjetër.
Bëhet fjalë për kompaninë Building Construction & Green Energy (BCGE). Por kjo kompani nuk u fut asnjëherë në garë-Integrated Technology konkuroi e vetme për inceneratorin e Fierit.
Por të dhënat e regjistrave tregtare zbulojnë arsyen pse BCGE nuk mori pjesë në garë: pak përpara garës, Integrated Technology bleu 50 për qind të kapitalit të BCGE-së.
Ndaj, pretendimi i ministrit është i pavlerë, pasi Integrated Technology, do të ishte shpallur sidoqoftë fituese.
Por le të qëndrojmë te Building Construction & Green Energy. Ajo u themelua në 29.10.2015 me një kapital të ndarë mes tre ortakësh, njëri prej të cilëve, ECOALB FR, me 50 për qind të kuotave, në pronësi të znj. Sevi Zani. Por në kohën e themelimit, znj. Sevi Zani ishte një juriste e punësuar e Integrated Technology Service, që kishte si administrator dhe pronar zotin Klodian Zoto.
Punonjësja Sevi Zani depozitoi 25 milionë lekë si kapital themeltar për shoqërinë BCGE që krijoi dhe tre muaj më vonë, ajo ia shiti gjithçka punëdhënësit të saj, pra Integrated Technology Service, të Klodian Zotos.
Pak muaj pas krjimit, Building Construction & Green Energy, e freskuar me ortakë të rinj, i kërkoi qeverisë ndërtimin e një inceneratori në Fier.
Tre muaj më pas, në maj 2016, qeveria Rama, vendosi të çelë tenderin për inceneratorin e Fierit dhe përmes një vendimi “bujar”, i dhuroi kompanisë BCGE-së 10 për qind të pikëve.
Por BCGE vendosi të tërhiqet! Integrated Technology Service garoi e vetme dhe u shpall fituese.
Natyrisht që thelbi mbetej i njëjtë, pasi ITS, do të shpallej fituese në të dyja rastet. Por megjithatë, një pyetje mbetet: si shpjegohet kjo tërheqje. A mos vallë vetëm për të rrëzuar hipotezat se kompania fituese nuk u favorizua prej bonusit?
Në të vërtetë, ministri i Mjedisit u justifikua pikërisht me këtë argument, se sipas tij, “kompania që kishte fituar bonus nuk u përfshi në garë”. Por një arsyetim i tillë është i panevojshëm dhe naiv. Ja sepse!
Për të kuptuar më shumë, le të kthehemi te ECOALB FR, kompania që zotërohej prej znj. Sevi Zani, e cila, pak përpara marrjes së bonusit, ia shiti aksionet zotit Klodian Zoto, zotëruesit të Integrated Technology Service.
ECOALB FR ishte themeluar në tetor të 2015 dhe si adresë kishte: Ap. 68, në hyrjen nr. 4, te Pallatet Agimi. Por në 26 mars 2016, këtu, në të njëjtën adresë, vetëm pak javë përpara se qeveria të çelte tenderin për inceneratorin e Fierit, mbërriti një tjetër kompani: C.G.C sh.p.k., pronarja e së cilës ishte… Stela Gugallja-pikërisht biznesmenia e cila një vit më parë kishte fituar inceneratorin e Elbasanit dhe tani po ribashkohej përsëri me ortakun e saj të vjetër Klodian Zoto, që disa muaj më pas u shpall fitues i inceneratorit të dytë, atij të Fierit.
Po përse vendosi C.G.C. të lëvizë? Nëse hulumtojmë dokumentacionin do të shikojmë se adresa e vjetër e CGC është zyra 13/2. Largimi i saj prej zyrës, tani që bashkëpunëtori Klodian Zoto ishte përfshirë në secilën prej kompanive që kishin treguar interes për inceneratorin e Fierit, a mos kishte për qëllim të dobësonte lidhjen me bashkëpunëtorin në sytë e publikut?
Disa muaj, pasi Integrated Technology Service kishte mbetur e vetme në zyrën 13/2, kompania konkuroi e vetme dhe fitoi të drejtën për ndërtimin e inceneratorit të Fierit. Përshtypja e dhënë, se në Fier kishte fituar një tjetër kompani, rezultoi e suksesshme.
Por thelbi ishte i qartë: në përpjekje për të zgjidhur keqmenaxhimin e mbetjeve, qeveria kishte mbështetur financiarisht vetëm një rreth të ngushtë njerëzish.
Sidoqoftë, le të shkojmë më tej!
Në shtator të 2016, Integrated Technology Service Sh.p.k. dhe Energy 2 srl (një kompani e regjistruar në Itali) fituan të drejtën për ndërtimin e inceneratorit të Fierit.
Më pas, ato ia transferuan këto të drejta një tjetër kompanie, të sapothemeluar: Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k., e cila kishte të njëjtën adresë, të famshmen, zyrën 13/2.
Më pas, Integrated Technology u bë zotërues i 70 për qind të kapitaleve të shoqërisë së re, duke “ia shitur” pjesën tjetër të kapitaleve (30 për qind) një kompanie tjetër, për 250 dollarë. Ortaku i ri ishte Ndërtim Montim Patos sh.p.k.”, i cili për “rastësi” ishte përfituesi, tetorin e shkuar, i rreth 700 milionë lekë fonde publike për zhvendosjen e mbetjeve të vjetra të Elbasanit në landfillin e ri, pikërisht në adresën e dytë që Albtek Energy dhe Integrated Technology kishin hapur: Kantieri i impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan.
Por suksesi i Integrated Technology Service sh.p.k. shtrihet më tej. Kompania fitoi të drejtën për transferimin e mbetjeve urbane të qytetit të Elbasanit, vetëm disa muaj përpara operimit të impiantit të ri. Kompania gjithashtu menaxhon një stacion transferimi të mbetjeve në Kavajë, qytet ndërmjet Tiranës dhe Elbasanit.
Ne hulumtuam të dhënat e publikuara nga Open Spending Albania mbi transaksionet e kryera nga Thesari i Shtetit për llogari të institucioneve buxhetore. Për vitin 2016, shuma totale e urdhëruar prej Thesarit për Ministrinë e Mjedisit, në favor të të tretëve ishte pak më shumë se dy miliardë lekë (saktësisht 2 128 364 299 lekë).
Nga këto, 1,7 miliardë lekë kishin shkuar në favor të vetëm katër kompanive të përfshira në biznesin e menaxhimit të mbetjeve: IIntegrated Technology, Ndërtim Montim Patos, Albtek Energy dhe Integrated Technology Waste Treatment Fier.
Pra, për çdo 100 milionë lekë që Ministria e Mjedisit kishte shpenzuar në vitin 2016, 80 milionë ishin shpenzuar në favor të kompanive të inceneratorëve.
Vlen për t’u theksuar se kompania që do të ndërtojë inceneratorin e Fierit, Integrated Technology Waste Treatment Fier, ka përfituar deri tani 11 pagesa në para prej Ministrisë së Mjedisit me vlerë mbi 650 milionë lekë, edhe pse ndërtimi në fjalë nuk ka filluar ende, për shkak se banorët përreth e refuzojnë ndërtimin e tij.
Natyrisht, fituesja e madhe ishte zyra 13/2. Dhe jo vetëm falë koncesioneve të inceneratorëve.
Integrated Technology Service sh.p.k u përzgjodh prej Ministrisë së Mjedisit edhe për zbatimin e dy veprave të tjera publike: ndërtimin e impiantit të pastrimit të Lumit Ishëm dhe ndërtimin e impiantit të pastrimit të Lumit Shkumbin.
Kështu në pak muaj, falë operacioneve financiare dhe marifeteve, herë ta hapura dhe herë të fshehura, duke luajtur me adresa kompanish dhe transferta kapitalesh, brenda një rrethi të ngushtë të besuarish, një grup i vogël njerëzish në zyrën 13/2 të “Sky Tower”, përfituan shuma të mëdha prej fondeve publike dhe arritën “qiejt” e vërtetë të suksesit.
Dështimi i politikave të menaxhimit të mbetjeve nga disa qeveri radhazi u shndërrua në një përfitim të papritur financiar për aksionerët dhe ortakët e zyrës 13/2.

Qershia mbi tortë

Inceneratori i Tiranës është inceneratori i tretë i aprovuar nga qeveria shqiptare dhe më i madhi. Zyra 13/2 është pjesë edhe e këtij suksesi.
Integrated Energy B.V., një kompani e themeluar vitin e shkuar në Amsterdam, u mbështet paraprakisht me një bonus prej 8 për qind të pikëve, dhe u shpall fituese, në një garë ku ajo konkuroi e vetme.
Por dhjetorin e shkuar, Vincent Van Gerven Oei, gazetar dhe publicist i Exit.al, zbuloi se Klodian Zoto, pronari i Integrated Technology Service sh.p.k, ishte një prej tre themeluesve të Integrated Energy B.V. Në një prej shkrimeve në Exit.al, ai shpjegoi se në bordin drejtues të Integrated Energy B.V., janë përfshirë ekspertë holandezë, të specializuar për krijimin e strukturave financiare që mund të përdoren për shmangien e taksave.
Ne i telefonuam kompanisë Integrated Energy B.V. në Amsterdam dhe biseduam me zotin Hans Wallage, një prej drejtorëve të emëruar të saj, i cili na shpjegoi se, ndonëse kompania nuk kishte përvojë në menaxhimin e mbetjeve, tenderi i Tiranës ishte parë si një mundësi e mirë biznesi prej aksionerëve të kompanisë.
Por ai nuk e shpjegoi dot se në ç’rrethana ishin njohur ata me këtë mundësi. Ai nuk iu përgjigjes pyetjes, se cili ishte pronari i vërtetë i kësaj kompanie. Por konfirmoi se e njihte Klodian Zoton.
Ligji holandez lejon fshehjen e pronarëve të kompanive, madje edhe kur ata zotërojnë vetëm 1 për qind të aksioneve.
Sidoqoftë, duhet të presim janarin e vitit 2018, kur qeveria holandeze, nën presionin e BE-së, ka premtuar të publikojë emrat e pronarëve të kompanive financiare të regjistruara në Holandë. Ndonëse jo plotësisht, por të paktën, të atyre që zotërojnë mbi 25 për qind të aksioneve. Le të presim!
Sidoqoftë hulumtimet tona tregojnë se rrethi pas Integrated Energy B.V. përfshin të njëjtët njerëz. Dhe Klodian Zoto nuk është i vetmi.
Ernesto Granelli, projektuesi i incenenatorit të Elbasanit është një prej themeluesve të tjerë të Integrated Energy B.V. Por zoti Ernesto Granelli dhe administratorja e Albtek Energy, Stela Gugallja, janë ortakë: ende pa u çelur proçedurat për inceneratorin e Tiranës, në 25.4.2016, ata themeluan një kompani të përbashkët, E.R. One Albania sh.p.k.
Ndërkohë që numri i inceneratorëve të projektuar rritet, lidhjet mes njerëzve të pakët që i menaxhojnë ato, shtohen!

Beteja për Sharrën

Diego Testi, një prej inspektorëve të suksesshëm të Bashkisë së Veronës në menaxhimin e mbetjeve, është personazhi pozitiv që Erion Veliaj, kryebashkiakua i Tiranës, ka zgjedhur për të përmirësuar imazhin e dëmtuar, qysh prej vdekjes dramatike, vitin e shkuar, të një të mituri, në venddepozitimin e mbetjeve në Sharrë.
I mbërritur këtu prej disa muajsh, italiani që drejton Eco Tiranën, një kompani publike shqiptare e themeluar nga Bashkia e Tiranës, po përpiqet të menaxhojë mbetjet e pamenaxhueshme të kryeqytetit.
Ndonëse Plani Kombëtar i Menaxhimit këshillonte grumbullimin e ndarë në katër rryma-letër, metal, plastik dhe qelq-administratori i ri u përshtat shpejt me “traditën” vendase, duke i bashkuar në një kazan të vetëm.
“Këtu mbetja është kthyer në një problem, por ajo duhet parë si një burim të ardhurash, thotë administratori italian në zyrën e tij modeste, në qendër të kryeqytetit.
Falë premtimeve të Eco Tiranës, për ndarjen e mbetjeve, shpresat e ricikluesve për lëndë të parë u shtuan.
“Së shpejti në Sharrë do të vendoset një impiant i ri për ndarjen e mbetjeve”, tregon Bardhyl Balza, President i Shoqatës së Ricikluesve Shqiptarë. “Ne kërkojmë të jemi pjesë e këtij procesi, ne kërkojmë të bashkëpunojmë me Eco Tiranën për të furnizuar bizneset tona”.
Por ricikluesit shqiptarë nuk janë në planet e bashkisë. Nuk kanë qenë asnjëherë!
“Në Shqipëri ka shumë inisiativa të vogla që menaxhojnë riciklimin, sqaron Diego Testi, por asnjë prej atyre që unë kam parë nuk e ka idenë e përpunimit modern të mbetjeve”.
“Eco Tirana” ka një tjetër plan.
Ne zbuluam se, pak javë më parë, në Tiranë u themelua Eco Recycling sh.p.k., një shoqëri biznesi me objekt të veprimtarisë, përpunimin dhe përzgjedhjen e mbetjeve urbane.
Por Eco Recycling është një bashkim i Eco Tirana dhe Meg Albania. Pavarësisht nga emri, Meg Albania është një kompani me kapitale italiane që, ndonëse administrohet prej një shqiptari, ajo është themeluar në Verona, në vitin 2005 dhe i përket një biznesi familjar e me një numër të vogël punonjësish.
Sidoqoftë, përmes një skeme të thjeshtë, duke i lejuar kontrollin e paketës, prej 51 për qind të kapitaleve të Eco Tiranës, Meg Albania po përfiton, pa garë, një treg të ri për biznesin e saj.
“Në Sharrë do të vendoset një impiant i ri për ndarjen e mbetjeve. Do të menaxhohet nga një kompani private, por do të jetë nën kontrollin publik”, shpjegon, pa e përmendur emrin e kompanisë, Diego Testi.
Është i pashpjegueshëm besimi që Eco Tirana ka ndaj një kompanie të vogël veroneze, kundrejt industrisë qindra milionë dollarëshe të riciklimit në Shqipëri.
Objekti i veprimtarisë së Eco Recycling është zgjeruar papritur dhe tani përfshin “analizimin e mbetjeve, kontrollin e shkarkesave të impianteve, si dhe bonifikimin dhe rehabilitimin e territoreve”.
Me projektin e inceneratorit të ri në horizont, e ardhmja është premtuese edhe për kompaninë e vogël veroneze Meg Albania.
Por modeli për shndërrimin e problematikave të mbetjeve në biznese favoresh, po shtrihet edhe në qeverisjen lokale, dëshpërimisht!
Ne po digjemi!
Ervin Goci, pedagogu i Fakultetit të Gazetarisë po udhëton drejt Elbasanit. Atje në Fushë-Mbret, pranë shtratit të ndotur të Shkumbinit, inceneratori po punon me kapacitet të plotë.
“Banorët po ankohen nga era e keqe. Po shkojmë t’i pyesim. As ne nuk po kuptojmë”, shprehet ai.
Së bashku me të, në një makinë të vogël, ndodhen edhe dy aktivistë të tjerë.
Në Tiranë aktivistët e AKIP, një inisiativë qytetare kundër importit të mbetjeve po nxitojnë të informojnë publikun.
Qeveria ka në plan të ndërtojë të tjerë inceneratorë.
Në Shijak, në një qytet të vogël pranë Tiranës, banorët u përleshën me administratorët e një kompanie private që kërkoi leje për të djegur mbetjet urbane në një impiant, shumë pranë qendrës së qytetit.
Në rrugët e kryeqytetit ne pyetëm me dhjetëra njerëz, se çfarë mendonin ata për pastrimin, për mbetjet nëpër kazane dhe djegien në inceneratorë. Përgjigjet ishin të qarta dhe rezultatet, lehtësisht të kuptueshme: shqiptarët kërkojnë një mjedis të pastër. Ata u shprehën kundër inceneratorëve dhe pro riciklimit.
Kështu, në çdo pesë persona të pyetur, katër u shprehën kundër incenerimit dhe po kaq kundër importit të mbetjeve.
Por sidoqoftë njëri prej rezultateve ishte, jo fort motivues. Mbetjet nuk ndaheshin dhe përfundonin në cilindo prej kazanëve të ngjyrosur nga bashkia, pavarësisht përmbajtjes së tyre.
“Por unë do ta bëja, tha një grua e re, nëse bashkia do të ofronte kazanë të mjaftueshëm, por e di se dy kazanë nuk mjaftojnë”.
“Ky numër në rritje inceneratorësh do të kërkojë lëndë të parë, të cilën qeveria mund t’ua sigurojë vetëm duke legalizuar importin e mbetjeve, thotë Goci. “Duhet reaguar, sa nuk është vonë”.
“Nuk e kuptojmë se çfarë po ndodh, thotë Balza”, Presidenti i Ricikluesve. De facto, ky është një falimentim. Më mirë të largohemi në Maqedoni apo Serbi. Mund t’i zhvendosim atje impiantet tona të riciklimit”.
Në Fier njerëzit u rebeluan. Autoritetet janë tërhequr dhe inceneratori nuk ka filluar ende të ndërtohet. Natyrisht, përkohësisht.
Në Elbasan, në Fushë-Mbret, atje ku furrat punojnë 24 orë në ditë, banorët kanë filluar të ngrejnë zërin për erën e keqe dhe tymin e bardhë.
Njerëzit duhet të dëgjohen.

Rama: Masa ndaj policëve që bllokuan makinën e bandës

Ndaj dy aëtarëve të bandës që goditën me makinë të blinduar makinën e nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit mbrëmjen e 18 shtatorit duket se nuk do të merret asnjë masë ligjore. Kryeministri Rama nuk ka bërë asnjë reagim për goditjen e makinës së nëdrejtorit të policisë, ndonëse kjo ngjarje ka tronditur opinion publik, ndërsa opozita dhe mediat kanë reaguar me forcë. Mirëpo kryeministri Rama në vend që të dënonte sulmin ndaj zyrtarit të lartë të policisë, deklaroi mesnatën e të enjtes në Parlament se, do të merren masa ndaj policëve që morën pjesë në operacion për bllokimin e makinës së blinduar që goditi makinën e nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit.
Para tre ditësh, Rama dërgoi avokatin e tij në Elbasan për të marrë në mbrojtje biznesmenin Petrit Çela. Avokati i Ramës, Eno Bushi kallëzoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 6 efektivë policie, ndër ta dhe nëndrejtorin e Policisë, Gjergj Oshafi, makina e të cilit u godit nga makina e blinduar e biznesmenit Çela. Avokati i Ramës ka paditur të gjithë zinxhirin e policisë që ndodheshin në operacion mbrëmjen e 18 shtatorit për dëshmi të rreme. Avokati i Ramës u pyet edhe për Suel Çelën, por ai deklaroi se ndaj tij nuk ka asnjë urdhër arresti.
Marrja në mbrojtje e bandës së Elbasanit nga avokati i Ramës dëshmon, se kjo bandë që bën ligjin atje ka mbështetjen e kryeministrit. Me këtë veprim, vërtetohet se autorët që sulmuan policinë dhe mbajnë nën terror të gjithë qytetin nuk do të arrestohen, pasi ata kanë mbrojtjen e vetë kryeministrit.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 shtator para Tregut Ushqimor në Elbasan, pronë e biznesmenit Petrit Çela, një mik i afërt i kreut të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe kryeministrit Rama. Ndonëse personi që drejtonte “Audin” që goditi makinën e nëndrejtorit të policisë është identifikuar, policia nuk e arreston. Të gjithë në Elbasan e dinë se autori është Suel Çela, djali i biznesmenit Petrit Çela, por policia nuk guxon as t’i përmendë emrin.
Ndërkohë, tre të arrestuarit e vetëm për të cilët pretendohet se janë bashkëpunëtorë në ngjarjen e rëndë tek Tregu Agro-Ushqimor në Elbasan i janë drejtuar Gjykatës së Apelit me kërkesën për të konsideruar të paligjshëm arrestimin e tyre, pasi siç pretendojnë nuk janë kapur në kushtet e flagrancës.
Më herët Shkalla e Parë për Krimet e Rënda vendosi arrest shtëpiak për Klemend Xhaferrin arrestuar në mjetin “Range Rover”. Për dy të tjerët, Ledio Zabelin, që ishte pasagjer në mjet dhe rojen e tregut, Valmir Dedja gjykata ka vendosur arrest me burg.
Zabeli akuzohet për posedimin e 9 gramëve hashash, ndërsa Dedja për kundërshtim të policisë, pasi siç thuhet ai kundërshtoi të hapë portën ku hyri mjeti “Audi” është larguar pasi goditi makinën e policisë. Ky pretendim i policisë po verifikohet përderisa videoja e sekuestruar shfaq policinë për disa çaste duke qëndruar para portës, e cila ishte e hapur.

Krimet e Rënda marrin në dorë “Elbasanin”

Prokuroria e Krimeve të Rënda duket se ka ndryshuar mendje për hetimin e ngjarjes së rëndë ku u godit makina e nëndrejtorit të policisë në Elbasan. Para katër ditësh Krimet e Rënda hoqën dorë nga hetimet për ngjarjen e rëndë në Elbasan me argumentin se ngjarja është lokale dhe duhet ta hetojë Prokuroria e rrethit, por pas reagimit të fortë të opozitës dhe medias, ka ndryshuar mendim dhe ka marrë në dorë hetimet. Kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj ka urdhëruar dje që të hetohet e plotë përplasja në Elbasan dhe jo vetëm ngjarja e 18 shtatorit.
Burimet thonë se ky vendim vjen pas ndihmës që ka kërkuar policia lokale, pasi sipas policisë bëhet fjalë për grupe kriminale që kanë veprimtari edhe në fushën e narkotrafikut dhe të gjobëvënies. “Ky vendim vjen pas ndihmës që ka kërkuar policia lokale, e cila këmbëngul që dosja e Elbasanit të qëndrojë tek Krimet e Rënda duke shmangur Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, pasi sipas policisë bëhet fjalë për grupe kriminale që kanë veprimtari edhe në fushën e narkotrafikut dhe të gjobëvënies”, ka argumentuar kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Burimet shpjegojnë se për të hetuar mbi “Elbasanin”, grupit të dy prokurorëve që po hetojnë ngjarjen e 18 shtatorit do t’i bashkëngjiten edhe prokurorë të tjerë të Krimeve të Rënda, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë.
Nga ana tjetër, prokurori i Krimeve të Rënda ka urdhëruar që të mbahen nën përgjim të gjithë elementët kriminalë të Elbasanit. Mes dosjeve të pezulluara që do të merren në dorë nga Krimet e Rënda janë edhe dy ngjarje plagosjesh dhe një dosje droge që ka qenë nën përgjim dhe është pezulluar.
Mbrëmjen e 18 shtatorit, gjatë një operacioni policor për bllokimin e një makine që dyshohej se drejtuesi i saj dhe një person tjetër i kishin zënë pritë një makine për ta gjobitur, policia u godit nga një “Audi” i blinduar. Nga pamjet që u transmetuan në televizion u pa qartë se policia ishte e pafuqishme për të ndaluar personin që goditi makinën e nëndrejtorit Gjergji Oshafi. Emri i personit që kreu krimin nuk është bërë publik nga policia, ndërsa në media është bërë e ditur se, në makinë kanë qenë dhëndri i Qazim Sejdinit, Sanxhaktari dhe djali i pronarit të Tregut Ushqimor në Elbasan, Suel Çela.

Publikohet videoja e plotë e sulmit ndaj policisë së Elbasanit

Publikohet videoja e plotë e sulmit ndaj policisë së Elbasanit natën e 18 shtatorit. Deri tani kishim parë si policët u zgjatën pak në hyrjen e Tregut Agro-ushqimor, ku u fsheh makina e blinduar pas sulmit. Ndërsa në videon e plotë shihet se si nuk u bë asnjë përpjekje për të hyrë brenda në vendstrehimin e të dyshuarit për ngjarjen, Suel Çela. Policët qëndruan në pritje të forcave speciale nga Tirana, të ndërgjegjshëm se kishin të bënin me një njeri të rrezikshëm.
Videoja e plotë është publikuar në Sosnews.al.
Në pamje duket që në orën 20:03 është ndaluar një mjet “Range Rover”.
Në orën 20:06 duket furgoni i forcave Shqiponja që pasi mbërrijnë në vendngjarje dhe parkohet në hyrje të Tregut Ushqimor, shoqërohen 2 personat e ndaluar në mjetin “Range Rover”. Në vendngjarje numërohen mbi 15 policë.
Ora 20:07 momenti kulminant kur mjeti “Audi” përplas makinën e zv\drejtorit të policisë dhe futet në brendësi të tregut. Të paktën dy punonjës policie, një me kallashnikov dhe një me pistoletë qëllojnë në drejtim të makinës së blinduar.
Ora 20:21, 14 minuta më vonë, në vendngjarje mbërrijnë përforcime nga policia kriminale pasi në sallën operative është dhënë informacioni për ngjarjen e rëndë dhe të shtënat.
Ora 20:28 nga brenda rrethimit të tregut afrohet një automjet tip “Volkswagen” që pas disa sekondash kthehet pas, në pamundësi për të dalë.
Në ngjarjen e 18 shtatorit, automjeti i zv/drejtorit të Policisë së Elbasanit, Gjergj Oshafi, u godit nga një makinë e blinduar në momentin që po shoqëroheshin 3 persona në komisariat. Emri i drejtuesit të mjetit nuk bëhet i ditur ende nga policia edhe pse e kanë identifikuar se kush ka qenë në drejtimin e tij. Prokuroria ka të arrestuar për këtë ngjarje tre persona. Ledio Zabeli dhe Valmir Dedja ndodhen në burg, ndërsa Kelmend Xhaferri në arrest shtëpie.

Basha me FMN: Droga dhe bandat po kriminalizojnë ekonominë

Shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Anita Thuludhar dhe përfaqësuesi i përhershëm i FMN në Tiranë, Jens Reinke kanë diskutuar me kryetarin e PD, Basha mbi problemet ekonomike që po kalon vendi dhe pasojat që po shkakton keqqeverisja Rama.
Në një takim të zhvilluar me krerët e lartë të FMN në selinë e PD, ata janë njohur nga kryetari Basha mbi fenomenet që kanë çuar në greminë ekonominë shqiptare. Basha u ka shprehur shqetësimin drejtuesve të FMN se si droga dhe bandat janë fuqizuar në vend dhe përbëjnë një kërcënim real për ekonominë, financat ashtu si edhe investimet në vend. Droga dhe krimi i organizuar janë kthyer në një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe po kriminalizojnë me shpejtësi segmente të caktuara të ekonomisë dhe financave të vendit.
Kryetari i opozitës theksoi se, Partia Demokratike do të vazhdojë të propozojë zgjidhje konkrete dhe mbetet e vendosur për të denoncuar aferat korruptive. Basha falënderoi FMN-në për bashkëpunimin dhe i informoi në lidhje me raportin e OSBE-ODIHR. Ai deklaroi se, “blerja e votës, përdorimi i burimeve publike, presioni mbi votuesit fatkeqësisht vazhdojnë dhe mbeten problemet kryesore që shoqëruan procesin zgjedhor”.
Inkriminimi i pushtetit, lidhjet me bandat dhe trafikun e drogës, korrupsioni me tenderat e koncesionet kanë bërë që ashtu si mijëra shqiptarë edhe sipërmarrës e investitorë të huaj të largohen nga Shqipëria. “Kjo krizë në këtë fillim të legjislaturës shoqërohet dhe nga shqetësimet për situatën ekonomike ku niveli i lartë i borxhit, në 71% të PBB së bashku me nivelet e ulëta të mbledhjes së të ardhurave, janë duke ndikuar në të gjithë treguesit e tjerë ekonomikë.
Papunësia ndër të rinjtë vazhdon të mbetet e lartë dhe biznesi ka tkurrur veprimtarinë e tij duke mos marrë vendime për zgjerim. Kjo, e shoqëruar me një nivel shumë të ulët të investimeve të huaja, bëjnë të mundur që sektori privat të mos jetë më punëdhënës me kërkesë të lartë. Numri i të larguarve nga Shqipëria prej rreth 270 000 vetësh është treguesi kryesor që ekonomia po lëngon dhe fatkeqësisht nuk ka asnjë perspektivë pozitive në horizont. Politikat e ngrirjes së pagave dhe rritjes së ulët të pensioneve kanë shkaktuar në rastin më të mirë mosngritje të fuqisë blerëse dhe një pjesë e madhe e personave me të ardhura të ulëta kanë vërejtur ulje të konsumit”, u shpreh kreu i PD gjatë takimit.
“Qeveria ka dështuar me investimet publike, ku akse kryesore sot janë akoma të papërfunduara dhe niveli i tyre është në minimumin historik të 10 viteve të fundit. Në këtë klimë vjen dhe fushata kundër informalitetit e qeverisë, e cila në të shkuarën ka sjellë shqetësime të mëdha tek bizneset. Kjo fushatë do të jetë e drejtuar ndaj tatimpaguesve biznese të vogla dhe do të vazhdojë të lejojë abuzuesit e mëdhenj që operojnë me mbështetjen e qeverisë”, u shpreh kreu i PD.
Thuludhar dhe Reinke kanë shprehur vlerësimet e tyre për rolin e opozitës në mbikëqyrjen dhe kontrollin e qeverisë gjatë katër viteve të shkuara, në takimin me kryetarin e Partisë Demokratike.

Në xhepat e kujt shkojnë paratë e koncesioneve?

Janë me qindra milionë euro koncesione të dhëna nga Rama në katër vitet e qeverisjes së parë. Ndërkohë kontrata të reja koncesionesh janë duke u nënshkruar aktualisht. Përmes këtyre kontratave abuzive të shpërndara për klientët një pjesë e të ardhurave duhet domosdoshmërisht t’i kalojë shtetit. Po ku janë këto të ardhura? Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit qeveria ka dështuar në arkëtimin e tarifave koncesionare. Konkretisht, KLSH konstaton se qeveria ka dështuar në orientimin e sektorëve ku duhet të firmosë kontrata koncesionare të formës partneritet publik privat. Konstatimin Kontrollit i Lartë i Shtetit e ka bërë përmes një raporti, ndërsa ka evidentuar se deri më sot askush nga Këshilli i Ministrave apo Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk ka hartuar një plan strategjik se në cilët sektorë nevojitet bashkëpunimi me kompanitë private. “Strukturat e shtetit”, shprehet KLSH, “nuk punojnë me njëra-tjetrën për të identifikuar, publikuar dhe monitoruar kontrata koncesionare, edhe pse kjo fushë deri më sot ka qenë mjaft e debatuar”. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se agjencia e trajtimit të koncesioneve nuk ka bërë arkëtimin e tarifës që i takon buxhetit për disa kontrata të fituara. Institucioni rekomandon që të bëhet pasqyrimi i të ardhurave të munguara dhe të fillojë vjelja e pagesave. Auditi që KLSH ka bërë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit ka gjetur disa shkelje, të cilat kanë shkaktuar dëme financiare për buxhetin, që nga programimi i biletave të udhëtimit mbi fondin e miratuar me ligjin e buxhetit e deri te pagesat që punonjësit e këtij institucioni duhet të derdhnin për tatim-fitimin dhe sigurimet shoqërore si anëtare bordesh në kompanitë publike. Kontrolli i KLSH ka konstatuar shkelje edhe në menaxhimin e fondeve të reklamave nga Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe ajo e investimeve të huaja. “Në ofertat e disa operatorëve televizivë (të huaj) mungon dita dhe ora e transmetimit të spotit, çka bën të pamundur evidentimin e kostos së transmetimit të saj”, konkludon KLSH.

Dështimi i arkëtimit të taksës portuale në Durrës

Në dy vitet e fundit, Porti i Durrësit ka arkëtuar vetëm 700 mijë lekë nga taksa portuale. Ky nivel kaq minimal është i papranueshëm për Kontrollin e Lartë të Shtetit, i cili ka rekomanduar ndryshimin menjëherë të nivelit të taksës që aplikojnë portet shqiptare. Në audimin e kryer në Portin e Durrësit gjatë këtij viti, KLSH vëren se niveli i kësaj takse është vetëm 1 euro që prej vitit 2008, megjithëse kanë ndryshuar raportet e njohjes së porteve detare të Republikës së Shqipërisë, në drejtim të transportit detar ndërkombëtar dhe është rritur ndjeshëm numri i anijeve që trajtohen në këto porte (kryesisht Durrës, Vlorë, Shëngjin). Referuar kësaj takse dhe tarifave të aplikuara në vende të tjera dhe të rajonit, mbështetur dhe në një studim të realizuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, ka rezultuar se përveç taksës kombëtare portale, aplikohen dhe shumë tarifa të tjera të shërbimit dhe pilotimit të anijeve, të ardhura këto të konsiderueshme për autoritetet që i arkëtojnë këto tarifa. KLSH tërheq vëmendjen se Drejtoria e Portit Detar Durrës nuk ka marrë asnjë nismë për të propozuar rritjen e kësaj takse, megjithëse ka një studim mbi mundësitë e vendosjes së arkëtimeve të tarifave të reja për shërbime portale, që mund t’u aplikohen anijeve të lundrimit që prekin ujërat e Republikës së Shqipërisë. Këto të ardhura do të mund të mbulonin shpenzimet e funksionimit të këtij institucioni buxhetor po të funksiononte me vetëfinancim ose të ardhura për buxhetin e shtetit, konkludon në raport KLSH.

Abuzimet me tenderat nga ish-ministrja Milva Ekonomi

Një katrahurë të vërtetë abuzive dhe korruptive ka lënë pas ish-ministrja e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Milva Ekonomi. Pas një kontrolli të hollësishëm auditi që KLSH ka bërë në institucionin që drejtohej nga Milva Ekonomi ka gjetur shkelje të rënda, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha financiare për buxhetin. Bëhet fjalë për një maskaradë financiare, që nga programimi i biletave të udhëtimit të zyrtarëve mbi fondin e miratuar me ligjin e buxhetit e deri te pagesat që punonjësit e këtij insititucioni duhet të derdhnin për tatim-fitimin dhe sigurimet shoqërore si anëtarë bordesh në kompanitë publike. Kontrolli i KLSH ka konstatuar shkelje të shumta, edhe në menaxhimin e fondeve të reklamave nga Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe ajo e investimeve të huaja. Sipas raportit, Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve nuk ka bërë arkëtimin e tarifës që i takon buxhetit për disa kontrata të fituara. Institucioni rekomandon që të bëhet pasqyrimi i të ardhurave të munguara dhe të fillojë vjelja e pagesave. Mangësi të mëdha janë vërejtur edhe në kontratat simbolike 1 euro që janë lidhur me kompani të ndryshme. Nga auditimi konstatohet se në 7 raste është shpallur fitues subjekti i vetëm konkurrues, të cilët kanë deklaruar se do të kryejnë investime tepër minimale që variojnë nga 2.8 deri 31% të vlerës duke mos justifikuar dhe argumentuar në këtë mënyrë edhe çeljen e vendeve të reja të punës. Po ashtu qeveria ka dështuar në orientimin e sektorëve ku duhet të firmosë kontrata koncesionare të formës partneritet publik privat. “Strukturat e shtetit”, nuk punojnë me njëra-tjetrën për të identifikuar, publikuar dhe monitoruar kontrata koncesionare, edhe pse kjo fushë deri më sot ka qenë mjaft e debatuar”, përfundon KLSH.

 

SHBA ndryshon kursin në Ballkan nga Kosova

Deri dje bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit ishin domen i Bashkimit Europian, por tani duket se rolet do të ndryshojnë. SHBA nuk do të jetë më spektatore në këto bisedime, por do të anagzhohet fort duke qenë bashkëdrejtues me Brukselin në këtë proces. Një zhvillom mjaft pozitiv për shqiptarët dhe një shenjë se Uashingtoni ka nisur ndryshimin e kursit politik në Ballkan.

Zoti Thaçi! A morët garanci nga Zëvendës Presidenti amerikan Majk Pence se SHBA do të përfshihen në dialogun Serbi – Kosovë?
Unë sapo përfundova takimin shumë të mirë, mund të them të mrekullueshëm me Zëvendës Presidentin Pence, një takim ky ku u diskutuan në veçanti dy gjëra shumë të rëndësishme për konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe afirmimin ndërkombëtar.
E para: Ne kemi kërkuar në këto momente, kur po hyjmë në fazën finale të arritjes së marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe të procesit të pajtimit, përfshirjen direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe posaçërisht të Zëvendës Presidentit Pence. Mund të konfirmoj se Zëvendës Presidenti Pence më tha qartë se SHBA do të involvohen, do të jenë të përfshira drejtpërdrejt dhe vet Zëvendës Presidenti Pence do të jetë i fokusuar dhe i përfshirë maksimalisht për arritjen e marrëveshjes përfundimtare në mes shtetit të Kosovës dhe të Serbisë.
Besoj se kjo gatishmëri e administratës së SHBA-ve dhe personalisht e Zëvendës Presidentit Pence është inkurajim edhe për mua si President i Kosovës, për institucionet e vendit, për popullin e Kosovës; është besim dhe garanci për një sukses të këtij procesi, që do ta çonte Kosovën në një marrëveshje finale të normalizimit dhe pajtimit të raporteve Kosovë – Serbi dhe do t’i hapte perspektivë Kosovës për integrim në OKB dhe të thyhet kjo gjendje e ngrirë apo një status quo shumë të rrezikshme që po kalojmë në Kosovë dhe në rajon.
Do të përpiqemi që të punojmë për arritjen e një marrëveshje, ku do të jenë fitues edhe Kosova edhe Serbia edhe bashkësia ndërkombëtare, sa i takon Ballkanit Perëndimor.

Për ta kuptuar më mirë, a do të jenë SHBA ashtu sikurse shohim Mogerinin, përfaqësuesen e Bashkimit Europian, në një tryezë bisedimesh mes Serbisë dhe Kosovës?
Tani për këtë çështje nuk mund të flas, por ajo që mund të them është se SHBA do të jenë të involvuara drejtpërdrejt, do të jenë të përfshira fuqishëm përmes zyrës së Zëvendës Presidentit Pence dhe do të jetë në fokus personal dhe një përfshirje e vet Zëvendës Presidentit Pence. Rolin udhëheqës do ta ketë Brukseli, pra, BE-ja përmes zonjës Mogerini, por do të jetë një proces i koordinuar dhe në bashkëpunim shumë të ngushtë, apo në rol bashkudhëheqës Bruksel – Uashington. Mendoj se tani neve na mbetet të konsolidohemi edhe më fuqishëm politikisht dhe institucionalisht të përgatitemi për këtë fazë të re dhe të arrijmë një konsensus sa më të gjerë të spektrit politik, shqërisë civile dhe të mediave edhe të qytetarëve, në mënyrë që të përmbyllim këtë fazë finale.

Sa të mundur e shikoni dhe sa shpejt mund të përmbyllet kjo fazë, për të arritur në atë marrëveshje, të cilën ju e keni konsideruar historike, për të cilën do të kërkoni më pas edhe një aprovim publik në Kosovë, tashmë që ndërhyrja amerikane me një tjetër qasje ju është ofruar?
Unë e theksova edhe sot në takimin me Zëvendës Presidentin që historia e Kosovës është një histori suksesi, por ende e papërmbyllur plotësisht. Prandaj jemi në fazën finale, kam besim të plotë se përfshirja amerikane do t’i japë dinamikë të re këtij procesi, do t’i japë gjallëri, do të jetë një proces edhe më i disiplinuar, më i kufizuar dhe më i kornizuar në kuptimin e arritjes së marrëveshjes, por edhe në kuptimin e mekanizmave obligativë, implementues të kësaj marrëveshje të fqinjësisë së mirë, të normalizimit dhe të pajtimit.
Jam i bindur se i gjithë spektri politik dhe opinioni publik qytetar, shoqëria civile, mediat të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë duan që kjo status quo të tejkalohet sa më shpejt, që kjo gjendje të tejkalohet dhe Kosova të jetë pjesë e OKB-së.
Marrëveshja Kosovë – Serbi për normalizim të plotë të marrëdhënieve hap një perspektivë të sigurtë edhe për anëtarësimin e Kosovës sa më shpejt në NATO dhe në BE, e në të njëjtën kohë një perspektivë europiane edhe për Serbinë. Prandaj gjithë spektri politik, opinioni qytetar dhe përgjegjësit e institucioneve të Kosovës janë zotuar që të punojnë bashkarisht për përmbylljen e kësaj faze, në mënyrë që të lëvizim më shpejt dhe të arrijmë në një gjendje të konsolidimit të brendshëm shtetëror dhe të një konsolidimi integrues të shtetit tonë një gjithë mekanizmin ndërkombëtar, pra, një konsolidim ndërkombëtar.

Pas kësaj, a shihni një qasje ndryshe nga ana e Serbisë? Ju kujtoj një koment më të fundit, që ka bërë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç gjatë një interviste televizive, se Kosova nuk mund të marrë vendime të rëndësishme pa aprovimin e Serbisë dhe kujton për këtë anëtarësimin në UNESCO, apo Interpol. Si e shihni ju qasjen e Serbisë dhe çfarë mund të ndryshojë pas këtij angazhimi më të fortë amerikan?
Kosova është vend i pavarur, vend sovran, vendimet i merr vet në përputhje me vullnetin e qytetarëve me përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore. Serbia është vend fqinj, por duhet të jemi edhe realistë: Me Kosovën Serbia ende ka çështje të hapura, të cilat duhet të përmbyllen dhe të zgjidhen përmes dialogut dhe veç dialogut nuk ka alternativë.
Por në të njëjtën kohë ajo që dua të theksoj është se në këto rrethana që jemi, në këtë fazë që po kalojmë, me këto zhvillime që po ndodhin, Kosova dhe Serbia jemi bërë pengesë për njëri-tjetrin në proceset integruese, prandaj arritja e këtij dialogu, arritja e marrëveshjes përfundimtare do të jetë një rrethanë lehtësuese për njëra-tjetrën që të integrohemi sa më shpejt për Kosovën në NATO dhe në BE edhe në OKB, e për Serbinë të lëvizë procesi integrues europian. Aktualisht jemi bërë pengesë e njëra-tjerës. Dialogu dhe marrëveshja do të jenë një rrethanë lehtësuese për të dy vendet në përpjekjet integruese.
Ne jemi vend sovran dhe vendimet i marrim vet, kështu që çdo angazhim destruktiv nuk do të ngadhënjejë mbi politikën e energjisë pozitive, diplomacisë aktive të BE-së dhe tash të SHBA-ve. Unë dua të besoj se edhe njerëzit politikëbërës në Beograd do ta kuptojnë qartë se pa normalizim të plotë të marrëdhënieve me shtetin e Kosovës as Serbia nuk ka të ardhme europiane.
Ne si shtet i Kosovës nuk jemi të interesuar të vazhdojmë këtë gjendje të bllokadës, të ngrirjes dhe status quo-së, por të lëvizjes përpara, të normalizimit, të fqinjësisë së mirë, të pajtimit dhe vendet tona të lëvizin drejt anëtarësimit në BE, Kosova edhe në OKB e gjithashtu edhe në NATO. Arritja e paqes mes Kosovës dhe Serbisë për mua nënkupton paqe për Ballkanin perëndimor.

Lidhur me termin “normalizim”. A do të jetë e negociueshme për ju fakti që Serbi të njohë pavarësinë e Kosovës, apo jo domosdoshmërisht?
Normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis shtetit të Kosovës dhe Serbisë nënkupton njohjen e realiteteve të dyanshme, respektimin e integritetit territorial të të dy vendeve, një bashkëpunim n fqinjësi të mirë si në rrafshin ekonomik, politik, diplomatik, social, kulturor apo të sigurisë. Kjo do të nënkuptonte edhe një ngadhënjim të vlerave europiane dhe euro-atlantike në rajonin tonë. Pra, do të nënkuptonte njohje të realiteteve të dyanshme.

Ju keni kërkuar nga SHBA edhe një mbështetje më të madhe ekonomike për Kosovën. Në ç’formë?
Eshtë një konfirmim i plotë edhe i Zëvendës Presidentit Pence se investimet amerikane do të vazhdojnë të vijnë në Kosovë. Ne jemi tani në prag të ardhjes së investitorëve për ndërtimin e termocentralit Kosova C, që do të jetë një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm. Mendoj që ky investim do të ketë rezultatet e veta inkurajuese edhe për ardhjen e investitorëve të tjerë. Në Kosovë po krijohet një klimë e përshtatshme dhe kreative për investitorët amerikanë dhe të vendeve të tjera. Partneriteti me SHBA është strategjik për ne dhe i përjetshëm, qoftë në rrafshin politik, diplomatik, ekonomik dhe ushtarak.

Një pyetje në lidhje me shenjimin e kufirit me Malin e Zi. Ai ka thënë se është për marrëveshjen e vitit 2014 dhe nuk kërkon negocim të ri. Ju çfarë i sugjeroni zotit Haradinaj për qëndrimet në lidhje me shenjimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi?
Institucionet e Republikës së Kosovës kanë përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe ligjore edhe në raport me fqinjët si edhe obilgimet në raport me bashkësinë ndërkombëtare.
Mali i Zi është në fakt partner strategjik i Kosovës. Kemi fqinjësi shumë të mirë. Nuk kemi çështje të hapur dhe do të vazhdojmë të jemi partnerë strategjikë tanimë që Mali i Zi është futur edhe në NATO. Ne e diskutuam sot edhe me Zëvendës Presidentin Pence këtë çështje dhe kërkohet nga administrata amerikane që Kosova të përmbyllë sa më shpejt këtë çështje, që po mban peng dhe është kriteri i vetëm për liberalizimin e vizave. Askush nuk të mbështet nëse ndërton raporte jo të mira me fqinjët. Ne mjaft probleme kemi me Serbinë. Nuk mund të hapim probleme edhe me fqinjë të tjerë, të cilat mund të na kushtojnë në perspektivën tonë integruese me dekada.
Marrëveshja e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi ka kaluar përmes komisionit shtetëror të Republikës së Kosovës dhe komisionit të Malit të Zi, si dhe është vlerësuar nga ekspertë ndërkombëtarë të angazhuar në atë kohë nga ish-presidentja Jahjaga. Kemi gjithashtu edhe vlerësimin e departamentit të shtetit për atë marrëveshje. Kemi edhe vlerësimin e NATO-s se gjithçka ka shkuar sipas Kushtetutës së vitit 1974 dhe sipas dokumentit të Presidentit Ahtisari, prandaj do t’i kryejë obligimet e veta kushtetuese e ligjore, të cilat do të përshpejtojnë procesin integrues.

Pra, ju mendoni të ecet me atë marrëveshje? Të mos negociohet një e re? Sepse sensibilitetet në Kosovë flasin për humbjen e 8200 hektarë tokë.
Ajo çka duhet të bëjmë të gjithë, është që të diskutohet shumë seriozisht kjo çështje, si të lëvizet përpara dhe tanimë gjithçka është në duart e parlamentit të Republikës së Kosovës. Parlamenti mund t’i japë përgjigje kësaj çështjeje, sepse studimet, analizat, të gjitha janë të përmbyllura; kemi 4 vlerësime nga dy komisionet e Kosovës dhe Malit të Zi dhe të ekspertëve ndërkombëtarë amerikanë, britanikë dhe gjermanë, si dhe vlerësimin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, edhe të NATO-s. Nuk besoj se SHBA dëshiron ta cënojë integritetin territorial, kur vetë e ka njohur me atë hapësirë territoriale Republikën e Kosovës dhe me këtë hapësirë Kosova është njohur edhe nga 114 shtete të botës. Të gjithë ne duhet të ngrihemi mbi angazhimet e politikës ditore në përmbylljen e këtij procesi, që do të hapë një perspektivë të sigurtë dhe të shpejtë për liberalizimin e vizave. Prandaj, gjithë spektri politik në Kosovë pa asnjë dallim, duhet të punojë maksimalisht dhe i ftoj të prodhojmë argumente edhe më pozitivë për miqtë dhe partnerët tanë të përjetshëm SHBA, të cilët na mbështesin me konsolidimin ndërkombëtar të shtetit tonë.

Zoti Thaçi, cilat janë planet tuaja lidhur formimin e ushtrisë së re të Kosovës, kur do të përfundojë periudha e tranzicionit e forcës së sigurisë së Kosovës dhe çfarë përgjigje mendoni t’i jepni sensibiliteteve ndërkombëtare lidhur me këtë çështje?
Në takimin me Nënpresidentin Pence ne diskutuam edhe për çështjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. SHBA dhe vetë Nënpresidenti Pence konfirmuan mbështetjen për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Administrata e Shteteve të Bashkuara dhe Nënpresidenti Pence konfrmuan vetë mbështetjen e plotë për Republikën e Kosovës dhe SHBA do të jenë përkrah nesh në këtë proces. Kanë mbetur të bëhen edhe pak çështje, si konsultimet e brendshme, të nevojshme për të themeluar Forcat e Sigurisë të Kosovë, sipas një modeli dhe standart të ri, në një ushtri moderne, multietnike, sipas standarteve të NATO-s; gjithshka do të jetë e koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me partenrët tanë në Bruksel, NATO-n, në mënyrë që ky proces të mbyllet suksesshëm; do të punojmë që përmes ndryshimeve kushtetuese të përmbyllet ky proces, por në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që askush të tjetër të verë veton mbi këtë të drejtë që lidhet me sovranitetin e shtetit të pavarur të Kosovës.

Keni ndojnjë afat për këtë dhe si mund të nisë procesi?
Ne kemi punuar maksimalisht në aspektin procedurial, por edhe përmbajtësor dhe subtancial që të përmbyllin disa obligime që kemi marrë për përfshirjen sa më të gjerë të komuniteteve; deri më tani janë përfshirë vetëm 10 për qind e komuniteteve në FSK, kështuqë edhe këtë kriter do ta realizojmë suksesshëm, por ajo që është me më shumë rëndësi, është që themelimin e forcave të armatosura do ta bëjmë në mënyrë të koordinuar me Uashingtonin dhe me NATO-n, dhe do të jetë një proces i suksesshëm, në një periudhë, siç e kemi theksuar, brenda vitit.

Zoti Thaçi, dua t’ju citoj: keni thënë me parë se disa ndikime anti-Perëndimore, si ndikimi rus apo fondamentalizmi islamik, po nxitojnë të mbushin vakumin e krijuar nëse Brukseli nuk sheh perspektivën europiane të rajonit. Çfarë roli mund të luanin SHBA-të për ta mbushur këtë vakuum?
Pikërisht, duke u nisur nga ngathtësia dhe jo vizioni i BE-së, kam sot këtu në Uashington, që të kërkoj qartë mbështetjen e SHBA-së në proceset e reja që po kalojmë. Sepse Kosova padrejtësisht është izoluar nga Bashkimi Europian; padrejtësisht qytetarëve të Kosovës u mungon e drejta e lëvizjes së lirë, ne jemi të vetmit njerëz në Europë që nuk e kemi këtë të drejtë, sepse është vënë kriteri i demarkacioniut në mënyrë arbitrare në momentet e fundit dhe për shkak të reformave politike; ne e dimë gjendjen që kemi në Kuvendin e Republakës së Kosovës, pra është edhe përgjegjësi e jona që e kemi patur për ta kryer; por ajo që mund të them, është se edhe sot Presidenti Pence e përshëndeti angazhimin e Kosovës në koalicionin global antiterrorist, gjithashtu edhe përpjekjet tona të vazhdueshme në luftë kundër terrorizmit dhe fondamentalizmit. Kosova ka patur suksese konkrete dhe të prekshme në luftën kundër fondamentalizmit dhe terrorizmit. Ne do të vazhdojmë të jemi pa kompromis në këtë drejtim. Kosova është edhe targeti i terroristëve dhe fondamentalistëve; por jemi të bindur se së bashku me partnerët tanë, do të kemi sukses dhe këtë betejë do ta fitojmë bashkarisht.

Nënpresidenti amerikan Mike Pence pret Thaçin në Shtëpinë e Bardhë

Nënpresidenti amerikan Mike Pence priti sot Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për një Kosovë sovrane, demokratike dhe të begatë.
Në një deklaratë të zyrës së Shtëpisë së Bardhë thuhet se nënpresidenti shprehu mirënjohjen për udhëheqjen e zotit Thaçit, së bashku me presidentin serb Vuçiç, për të avancuar dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Udhëheqësit ranë dakord, thuhet në deklaratë, për rëndësinë e avancimit të reformave për të forcuar sundimin e ligjit, për të luftuar korrupsionin dhe për të nxitur rritjen ekonomike.
Nënpresidenti shprehu mbështetje për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, nëpërmjet mjeteve kushtetuese dhe inkurajoi Kosovën që të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi për të zgjidhur këtë çështje të kahershme.

Çfarë shkoi keq me Korenë e Veriut?

Arthur Waldron

 

Tani Korea e Veriut është e armatosur me raketa të rrezes së gjatë dhe armë termobërthamore. Kjo është situata e re normale. Penjani nuk ka për t’i dorëzuar kurrë ato dhe askush nuk mund ta detyrojë. Pasojat e këtij zhvillimi do të tranformojnë politikën globale dhe atë të sigurisë. Pritet pa dyshim shpërthimi i një vale të re përhapjeje bërthamore dhe gare ushtarake. Kështu dikush mund të pyesë: Duke pasur parasysh njohuritë që kemi për Korenë e Veriut, e lamë këtë të ndodhë? Mbi të gjitha, çfarë mund të bëjmë për të reduktuar në minimum kërcënimin e luftës?
Në vitin 1994, presidenti Bill Clinton foli për krijimin e “kornizës së marrëveshjes” me Penjanin që pretendonte se mund të zgjidhte problemin. “Korea e Veriut do të ngrijë dhe më pas do të asgjësojë të gjithë programin e saj bërthamor. Korea e Jugut dhe aleatët tanë të tjerë do të jenë të mbrojtur. E gjithë bota do të jetë më e sigurtë teksa ne do të ngadalësojmë përhapjen e armëve bërthamore”, tha Bill Clinton.
Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se siguria do të ruhej dhe se Shtetet e Bashkuara ishin mëse të vendosura për ta penguar programin bërthamor. Këto në Amerikë i quajnë “kërcënime boshe” dhe koha tregoi se të tilla ishin. Brenda gjashtë viteve, CIA kishte mbledhur prova të mjaftueshme që vërtetonin vazhdimin e programit bërthamor të Koresë së Veriut.
Në vitin 2006, Penjani zhvilloi testin e parë bërthamor. “Ekspertët” theksuan se Korea e Veriut e kishte të pamundur që e vetme të zhvillonte sistemet e nevojshme për të rritur arsenalin në dispozicion. Atëherë u tha se vetëm në vitin 2020 mund të arrijë vërtet Korea e Veriut të përbëjë rrezik domethënës.
Çfarë shkoi keq? Natyrisht bëhet fjalë për dështime të njëpasnjëshme të inteligjencës. Kjo ishte paaftësia për të imagjinuar atë që mund të ndodhte, një dështim i politikës që pretendonte të përdorte negociata dhe inçentivat për të bindur Penjanin të luante sipas rregullave të lojës. Më e rëndëisishme ishte paaftësia për të marrë në konsideratë leksionet e historisë.
Në Luftën e Dytë Botërore, në kohën e Hitlerit, rangjet më të larta të ushtrisë dhe aparatit të sigurisë përmbanin shumë njerëz që e kundërshtonin luftën. Ata kishin në plan të zhvillonin një grusht nëse Hitleri pushtonte Çekosllovakinë. Kur planet e çekëve iu bënë të njohura ushtrisë, gjenerali Beck dhe delegatë të tjerë u dërguan në Londër dhe Paris. Nga ana e tij, kryeministri britanik, Neville Chamberlain dhe presidenti francez, Édouard Daladier arritën një marrëveshje me Hitlerin në Mynih në shtator 1938 duke sakrifikuar Çekosllovakinë dhe duke shkatërruar të gjithë planin. U bënë edhe plane të tjera, por ky ndoshta ishte rasti i vetëm.
Të arrije në Çekosllovaki do të thoshte të kaloje male të tëra dhe me municionet e famshme të Skoda Works, ushtria mjaft eficente çeke mund ta kishte thyer ushtrinë e Hitlerit. Me pak fjalë, ia vlente të provohej. Qeveritë britanike dhe franceze duhet të kishin reaguar me pozitivitet, por u frikësuan dhe u joshën nga ideja imagjinare e paqes përmes marrëveshjes me Hitlerin, me pak fjalë, duke e lënë atë të pushtojë shtete të tjera përveç tyre.
Leksioni historik në këtë rast është se zjarret e mëdhenj shpesh ndizen nga shkrepse të vjetra që duket se nuk bëjnë flakë. Në gjuhën gjeopolitike do të thotë se forca ose kërcënimi i përdorimit të forcës duhet të përdoren menjëherë sapo identifikohet kërcënimi. Njerëzit e civilizuar e vendosin forcën të fundit në listë pas bisedimeve, negociatave, inçentivave dhe embargove, të cilat nuk funksionojnë kur një shtet e ka vënë veten në rrugën e luftës. Ndoshta Lufta e Dytë Botërore mund të ishte parandaluar që në vitin 1938, por atë ditë Gjermania kuptoi se aleancat mund të prisheshin dhe se lufta mund të çohej deri në fundin më të përgjakur.
Po kështu, Korea e Veriut mund të ishte frenuar që vitin 1994 përmes kërcënimeve ushtarake apo operacioneve sulmuese kundër programit bërthamor, por administrata e atëhershme humbi kohë në mënyrën më naive. Askush nuk pati guximin të tregonte se sa serioze ishte situata dhe sa mund të përkeqësohej.
Në atë kohë, Shtetet e Bashkuara ruanin edhe iluzione të mëdha në lidhje me bashkëpunimin e Pekinit për këtë çështje. Në fakt, një vit pas fjalimit të Clintonit, qeveria e Kinës bëri tentativën e parë për të nisur ekspansionin e saj territorial më të madh edhe se Rajhu i Tretë, me aneksimin e barrierës Mischief të Filipineve. Kështu ka ndodhur edhe më parë, nëse aleatët do të ishin përgatitur për të luftuar për Çekosllovakinë, Hitleri nuk do të kishte fituar famën e të pamposhturit që e shfrytëzoi me aq zgjuarsi gjatë fushatave të tij.
Tani, bota përballet me një situatë po aq të rrezikshme. Korea e Jugut dhe Japonia do të bëhen së shpejti fuqi me kapacitet të plotë bërthamor. Lufta ekzistuese e armatimeve në Azinë Lindore do të kalojë përmes Indisë, drejt kufijve të Rusisë, duke kërcënuar kështu Europën. Nuk ekziston më asnjë zgjidhje përveç shfaqjes së forcës. Mirë se vini në epokën përpara luftës!

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI