16.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

Qendrimi i Ramës për transmetimin e Kuvendit bie ndesh me Gjykatën e Strasburgut

Televizioni Shqiptar, i cili paguhet me paratë publike të marra direkt nga qytetarët-ndërpreu sot furnizimin e sinjalit të drejtpërdrejtë tek televizionet e tjera, gjatë punimeve të Kuvendit. Arsyeja e ndërprerjes ishte kërkesa e TVSH-së që televizionet e tjera të paguajnë për sinjalin që marrin prej tij, sepse TVSH nuk do e ofrojë atë më falas. Në momentin e parë u duk thjesht një veprim absurd që TVSH të sillet në këtë mënyrë arbitrare dhe të mos e ndjekë këtë çështje në mënyrë formale e dinjitoze si institucion publik. Por, duke ditur varësinë e thellë politike të këtij televizioni u dyshua që në fillim se ky veprim ishte koordinuar politikisht me qeverinë. Kjo gjë u konfirmua, pa kaluar shumë kohë. Kryeministri Rama, i cili jo vetëm mbështeti qëndrimin e TVSH-së, por njoftoi se në të ardhmen nuk do lejohen kamerat e asnjë televizioni, por Kuvendi duhet të investojë në teknologjinë e regjistrimit, dirigjimit dhe furnizimit me sinjal televiziv të punimeve. Për ta justifikuar këtë gjë, Kryeministri solli shqetësimin e tij që televizionet private harxhojnë burime financiare për gazetarë, kamera dhe makina për të ndjekur punimet e Kuvendit, kur sinjali i punimeve mund t’u vejë direkt në regji nga ana e vetë Kuvendit. Përtej absurdit që në emër të Kuvendit flet Kryeministri, apo të absurdit që qeveria do të harxhojë para publike për të kursyer privatët, qëndrimi i Kryeministrit duket se bie ndesh me vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Në çështjen Selmani dhe të tjerët kundër ish-Republikës Jugosllave të Maqedonsië, në maj të këtij viti Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka mbajtur një qendrim për rastet kur gazetarët nuk lejohen që të ndjekin dhe transmetojnë direkt nga salla e Parlamentit. Ajo vendosi se largimi i gazetarëve nga galeria e Kuvendit nga forcat e sigurisë ishte shkelje e të drejtave të tyrë të shprehjes, duke theksuar se media ka një rol të rëndësishëm mbikëqyrës, sidomos në situata të veçanta të debatit parlamentar. Mbi të gjitha, Gjykata e Strasburgut u shpreh se, gazetarët kanë të drejtën të përjetojnë direkt ngjarjet që raportojnë, duke qenë të pranishëm. Ndjekja e ngjarjeve përmes transmetimit të kontrolluar të ngjarjeve-si për shembull transmetimi i sinjalit nga vetë Parlamenti-i privon gazetarët nga ky element i rëndësishëm. Gjashtë gazetarë maqedonas-Naser Selmani, Toni Angelovski, Biljana Dameska, Frosina Fakova, Snežana Lupevska, and Nataša Stojanovska-së bashku me gazetarë të tjerë të akredituar, po raportonin nga galeria e Parlamentit të Maqedonisë, ndërsa në sallë zhvillohej debati mbi buxhetin e vitit 2013. Debati midis shumicës dhe opozitës qe i tensionar dhe jashtë godinës së Parlamentit kishte grumbullime protestuesish. Një grup deputetësh të opozitës krijuan problem në sallë, ndërsa rrethuan kryetarin e Parlamentit dhe godisnin me grushta tavolinën para tij, ndërsa të tjerë bllokuan podiumin, duke mos lejuar vazhdimin e diskutimeve. Forcat e sigurisë filluan largimin me forcë të deputetëve nga podiumi për të rikthyer normalitetin, ndërsa disa oficerë u kërkuan gazetarëve të dilnin jashtë nga godina. Disa gazetarë refuzuan të largoheshin, duke theksuar se ishte detyra e tyre të informonin publikun për çfarë po ndodhte në Parlament. Për këtë arsye, ata u larguan me forcë nga salla. Forcat e sigurisë më vonë deklaruan se largimi i tyre u bë për arsye sigurie, për të mbrojtur jetën e tyre, por gazetarët mohuan që t’u ishte bërë e ditur arsyeja për largimin e tyre. Gazetarët u ankuan në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se ishte shkelur e drejta e lirisë së shprehjes gjatë debatit parlamentar për një çështje me interes publik. Ata i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që të zhvillonte dëgjesë publike për këtë çështje. Gjykata Kushtetuese bëri një këshillim me dyer të mbyllura, pa pjesëmarrjen e palëve, dhe vendosi që largimi i gazetarëve ishte në përputhje me Ligjin e Parlamentin dhe Rregulloren e Parlamentit dhe se largimi i gazetarëve ishte pjesë e largimit të të gjithë pjesëmarrësve nga salla, përfshi të gjithë deputetët. Dhe ishte bërë për një arsye të ligjshme, sigurinë e të gjithë të pranishmëve, në prani të akteve të dhunshme përfshi hedhjen e objekteve në sallë dhe në drejtim të galerisë ku ishin gazetarët. Më pas gazetarëve u ishte dhënë e drejta të ndiqnin direkt punimet përmes transmetimit të sinjalit të ofruar nga kamerat e vetë Parlamentit, duke mos penguar kështu detyrën e tyre të raportimit dhe informimit të publikut. Gazetarët apeluan në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila vendosi në favor të tyre dhe kundër Maqedonisë. Gjykata u shpreh se gjykimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë pa dëgjuar palët ishte shkelje e Nenit 6 të Konventës Europiane e të Drejtave të Njeriut, që garanton “të drejtën për një proces të rregullt” si dhe e Nenit 10 që garanton “lirinë e shprehjes”. Një nga vërejtjet kryesore të Gjykatës në arsyetimin e vendimit të saj ishte: Largimi i ankimuesve [gazetarëve] nga galeria e Parlamentit i kishte privuar ata nga e drejta të merrnin informacion bazuar mbi përjetimet e tyre vetiake të ngjarjeve që po ndodhnin në sallë. Kjo do të thotë se, transmetimi i punimeve nga kamerat dhe regjia e Parlamentit shkel të drejtën e gazetarëve për t’u njohur direkt me ngjarjen përmes vëzhgimit të tyre vetiak.

Raporti: Shqiptarët jetojnë 0.23 vite jetë më pak nga ajri i ndotur

Ndotja e ajrit është rreziku më i madh për shëndetin mjedisor për njerëzit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por si përkthehet ky rrezik? Hulumtuesit kanë përpiluar një hartë të bazuar në gjetjet e reja që tregojnë, varësisht se ku jetoni, sa vite jetë po ju merr ajri i ndotur.
Sipas këtyre të dhënave, shqiptarët do të jetonin 0.23 vite jetë/person më shumë në qoftë se vendi ynë do të reduktonte ndotjen e ajrit në përputhje me standardin e OBSH-së. Nga vendet e tjera të rajonit, duket se Shqipëria po i rrezikon më pak jetën banorëve sa i përket ndotjes, ndërsa në Kosovë do të kishim 0.37 jetë/person, Serbi 0.73 jetë/person, Maqedoni 0.59 jetë/person dhe Mali i Zi 0.26 jetë/person.
Shkencëtarët konkluduan se jetëgjatësia e jetës zvogëlohet për rreth shtatë muaj me çdo 10μg/m³ shtesë të PM10 në ajër. “Rezultatet tregojnë rastet kur ekspozimi afatgjatë ndaj ajrit të ndotur shkakton një reduktim të konsiderueshëm të jetëgjatësisë”, tha Michael Greenstone, autor i publikimit dhe drejtor i Institutit të Politikave të Energjisë (EPIC) në Universitetin e Çikagos.
Nga një raport i bërë publik një vit më parë, vendi ynë rezultonte në një zonë ku ndotja ishte e konsiderueshme, duke marrë në konsideratë matjet e bëra për përpilimin e indeksit të OBSH.

Evazioni tek bizneset VIP arrin në 60%

Më 1 tetor qeveria shqiptare ka lajmëruar një aksion masiv kundër informalitetit në ekonomi, teksa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë gati një analizë për riskun në pagesën e detyrimeve tatimore në sektorët VIP të biznesit.
Sipas analizës së tatimeve në bizneset e mëdha, botuar në raportin vjetor 2016, sektori i tregtisë me shumicë është evidentuar si evazori më i madh. Në këtë linjë biznesi risku në mospagesën e TVSH-së vlerësohet 54.07%, ndërsa risku në mospagimin e tatimit mbi fitimin 44%. Detyrimet që kishin të bënin me tatimet e pagave dhe të tjerat kanë përqindje më të ulët rreziku për mospagesë.
Ndërtimi është sektori i dytë që krijon më së shumti evazion fiskal në sektorin VIP. Sipas analizës, bizneset VIP të ndërtimit janë riskoze me 62.08% të detyrimeve të TVSH-së dhe 35 për qind në pagesën e tatimit mbi fitimin. Risku është më i ulët në tatimet e tjera.
Tregtia e karburantit është evidentuar si sektori i tretë me evazionin më të lartë në bizneset VIP. Bizneset në këtë fushë paraqesin 53 për qind rrezik për mospagesën e TVSH dhe 44.28% risk në mospagesën e tatimit mbi fitimin.
Industria e plastikës, qelqit dhe tullave është konsideruar sektori i katërt me evazionin më të lartë në biznesin VIP. Për TVSH rreziku i mospagesës është 73.19% dhe në Tatimin mbi fitimin 23.80%.
Në shërbimet financiarë rreziku është më i ulët në pagesën e TVSH me 28% sipas përllogaritjeve të tatimeve dhe më i lartë në pagesën e tatimit mbi fitimin me mbi 70%.
Edhe pse qeveria shqiptare i ka kushtuar mjaft vëmendje luftës ndaj informalitetit, vendi vijon të ketë rendimentin më të ulët fiskal në rajon. Në fund të vitit 2016, të ardhurat në raport me PBB arritën në 26 për qind, ndërsa Rajoni mbledh së paku 35% të PBB të ardhura nga taksat dhe tatimet.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj lajmëroi më herët këtë javë se aksioni antiinformalitet do të nisë në fillim të muajit të ardhshëm do të përfshijë të gjitha linjat e biznesit.
Në një letër të hapur drejtuar sipërmarrjes ai lajmëroi se strukturat në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe inspektorati i Punës, do të organizohen në grupe të përbashkëta, të orientuara nga analiza e profileve të riskut të sektorëve dhe bizneseve brenda tyre, duke pasur në fokus të gjithë zinxhirin e transaksioneve nga biznesi i madh deri tek konsumatori final. Punësimi e siguria në punë, do të kenë një vëmendje të posaçme brenda aksionit.

Si ndryshon ligji për përmbaruesit

Në kuadër të paketës që rishikon gjithë kuadrin ligjor të lidhur me sistemin e drejtësisë janë bërë edhe përmirësime tek ligjet specifike që kanë shfaqur ngërçe në zbatim. Një prej tyre duket se është ai “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”. Sipas relacionit që shoqëron ndryshimet janë disa arsyet që kanë çuar në këtë hap.
“Analiza e Sistemit të Drejtësisë evidenton se ka mangësi në shërbimin përmbarimor shtetëror dhe privat, zgjatje të pajustifikuara në ekzekutimin e titujve ekzekutivë, mungesë transparencë dhe përkushtimi në ushtrimin e detyrave, si dhe vonesa të mëdha në ekzekutim. Veprimtaria e përmbaruesve gjyqësorë nuk karakterizohet më së shumti nga profesionalizmi dhe paanshmëria në procesin e ekzekutimit të titujve të detyrueshëm”, thuhet në relacion.

Projektligji i ri

Një nga nenet me të rëndësishme që ndryshon në ligj lidhet me llogarinë e veçantë të përmbaruesit, duke i shërbyer transparencës, por edhe rritjes së eficencës përgjatë procesit të ekzekutimit të vendimeve të gjyqësorit. Në draft parashikohet se paratë nga debitori tek kreditori duhet të kalojnë brenda 10 ditëve. Pjesa që lidhet me llogarinë e veçantë sanksionohet në 9 pika, por më poshtë po rendisim katër më të rëndësishmet.
Llogaria bankare e veçantë për procedurat e ekzekutimit, shënohet në çdo akt të veprimit procedural dhe deklarohet në fillim të aktivitetit sipas kërkesave të parashikuara.
Nëse një ose disa përmbarues gjyqësorë privatë të organizuar në shoqëri tregtare, përdorin një ose disa llogari të rregullta për aktivitetin e shoqërisë përmbaruese private, llogaria e veçantë për procedurat e ekzekutimit deklarohet dhe mban emrat e përbashkët të të gjithë përmbaruesve gjyqësorë privatë të punësuar, ortak, aksionar apo administrator i shoqërisë.
Përmbaruesi gjyqësor transferon shumat nga llogaria bankare e veçantë, për në llogarinë e kreditorit, brenda ditës së dhjetë të vijimit të punës, pas kryerjes së ekzekutimit përmbarues, kur janë përftuar shuma prej procesit përmbarimor dhe/ose prej sekuestrimit të llogarisë së debitorit apo palëve të lidhura me të.
Nëse detyrimi në të holla është paguar në një llogari tjetër të rregullt dhe/ose është paguar direkt te përmbaruesi gjyqësor privat apo në llogarinë e veçantë kanë kaluar gabimisht të holla që nuk lidhen me veprimin përmbarues, përmbaruesi gjyqësor privat do të transferojë këtë shumë brenda dhjetë ditëve të marrjes dijeni.

Kontrolli ndaj përmbaruesve

Drafti duket se parashikon edhe zgjerimin e mundësive të kontrollit të institucioneve shtetërore si Ministria e Drejtësisë ndaj përmbaruesve. Në nenin 49 sanksionohet se çdo përmbarues duhet të raportojë në bazë tremujore. Por vetë ministria mund të nisë një kontroll nëse ka dyshime ose me kërkesë të palëve të interesuara. Në çdo rast, Ministria e Drejtësisë ka si detyrim të kalojë në “sitë” një herë në tre vjet çdo përmbarues gjyqësor.

 

Banda, policia refuzoi urdhrin e Prokurorisë

Dua ta nis këtë fjalë me një histori të ditës:
Dhëndri i një kryebashkiaku bashkë me disa banditë ushtron dhunë mbi policinë dhe rrezikon jetën e disa policëve. Prokuroria nis hetimet dhe urdhëron policinë të përgjojë anëtarët e bandës. Policia refuzon të zbatojë urdhërin e Prokurorisë. Pas disa ditësh, policia e mohon fare se është ushtruar dhunë dhe rrezikuar jeta e policëve. Gjithçka mbyllet si incident i rëndomtë pa asnjë rrezik e pa asnjë pasojë, normalitet.
Qyteti i kësaj historie, është Elbasani. Banditi i kësaj historie është dhëndri i kryebashkiakut të Elbasanit. Ndërkohë që kompania e gruas së kryebashkiakut të Elbasanit është duke u hetuar për trafik droge.
Po e përmbledh dhe një herë me pak fjalë. Një bandë kriminelësh ushtron dhunë të hapur ndaj policisë. Policia refuzon t’i hetojë e t’i përgjojë. Pastaj policia mohon fare të ketë ndodhur dhunë.
Pyetja që ngre është: Ku e gjen kurajon një grup banditësh të sulmojë policinë? Çfarë i bën policët që megjithëse u është rrezikuar jeta nuk guxojnë të hetojnë banditin, por ulin kokën dhe heshtin?
Përgjigjen e kësaj pyetje e dini të gjithë.
Dy mijë kilometra larg Elbasanit, në Londër, para disa ditësh Agjencia Kombëtare e Krimit e Mbretërisë së Bashkuar botoi Raportin 2016 të Vlerësimit Strategjik të Rrezikut të Krimit në Britani. Një nga konkluzionet kryesore të raportit është:
Grupet kriminale shqiptare kanë arritur një profil me ndikim të lartë brenda krimit të Mbretërisë së Bashkuar dhe kanë kontroll të konsiderueshëm mbi të gjithë tregun e trafikut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar. Rreziku me të cilin përballemi nga grupet shqiptare të krimit është rritur ndjeshëm.
Këto janë dy histori të shkëputura nga dhjetëra e qindra të tilla këto ditë.
Pyetja ime është: Si shpjegohet që brenda katër vjetësh, katër vite jo më shumë, krimi u kthye në problemin kryesor të Shqipërisë dhe një kërcënim serioz për shumë vende të Europës perëndimore, nga Spanja në Holandë, nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar, në Itali, Greqi, e kudo tjetër?

Në 4 vite nga vend i sigurtë në vend të krimit

Si shpjegohet që brenda katër viteve, 4 vite jo më shumë Shqipëria u kthye nga vendi i sigurtë, qytetarët e të cilit fituan të drejtën të udhëtonin lirshëm pa viza, e shumë europianë gjenin mundësi dhe siguri për të investuar këtu, në vendin që prodhon rrezik për ta?
Sot ne po diskutojmë marrëveshjen e ekstradimit me Mbretërinë e Bashkuar. Eshtë një kërkesë shumë domethënëse e qeverisë britanike, e cila e konsideron atë një hap të rëndësishëm për të sjellë para drejtësisë kriminelët me shtetësi shqiptare.
Por dua të paralajmëroj sot këtu: kjo marrëveshje do mbetet një copë letër, për aq kohë sa Edi Rama do jetë kryeministër.
Sepse Edi Rama nuk ka asnjë problem me krimin dhe kriminelët. Prandaj i futi në politikë. Edi Rama nuk ka asnjë problem me drogën, ndaj e ktheu Shqipërinë në parajsë të drogës.
Në katër vjet, vetëm në 4 vjet jo më shumë, ekonomia e Shqipërisë u kthye në një ekonomi të drogës. Asnjë investim i ri i huaj, asnjë investim prodhues, asnjë vend i ri pune. Prodhimi kryesor i Shqipërisë u bë droga. Eksporti kryesor i Shqipërisë u bë droga dhe krimi. Funksioni kryesor i sistemit financiar u bë pastrimi dhe riciklimi i parave të pista të drogës.
Kështu, Shqipëria kapi në katër vjet të gjitha rekordet e zeza të krimit: Interpoli e shpalli prodhuesin dhe furnizuesin kryesor të marijuanës në Europë. Interpoli dhe Departamenti Amerikan i Shtetit e përcaktuan si korridor kryesor të heroinës për në Europë. Departamenti i Shtetit e futi zyrtarisht në listën e vendeve kryesore të pastrimit të parave në botë. Po Departamenti i Shtetit e cilësoi Shqipërinë bazë operacionale të krimit të organizuar në të gjithë Ballkanin.
Ndërsa libri më i rëndësishëm i referencave në botë: Libri i Fakteve i Angjensisë Qëndrore të Inteligjencës, CIA-s, e quan Shqipërinë zyrtarisht vend të drogës.
Tani që e gjithë Shqipëria dhe Europa janë alarmuar dhe po reagojnë ndaj përhapjes së krimit, kryeministri, po përpiqet të ndezë ndjesi dhe ndjeshmëri anti-europiane mes shqiptarëve, duke u thënë atyre se europianët janë racistë dhe nuk i duan shqiptarët.
Streha e fundit e maskarallëkut është pseudo-patriotizmi, dhe kjo është streha e re ku është vendosur Edi Rama dhe nga ku sulmon këdo që e akuzon për favoret që ai i bën krimit.

Dy arsye pse krimi po lulëzon

Ka dy arsye pse krimi shqiptar ka lulëzuar në Shqipëri dhe kudo në Europë këto katër vite.
Arsyeja e parë është lejimi i qëllimshëm i kultivimit të drogës në Shqipëri.
Inkurajimi i drogës krijoi një burim të ri, të lehtë dhe të sigurt, të të ardhurave marramendëse për krimin. Lehtësia e kultivimit të drogës dhe trafikimit të drogës nga Shqipëria radar-fikur, bëri që trafiku i drogës të tërheqë gjithnjë e më shumë njerëz, shqiptarë por edhe të huaj, në Shqipëri, në rajon dhe në Europë.
Arsyeja e dytë, është kthimi i Shqipërisë në një strehë të sigurtë për kriminelët shqiptarë të kërkuar në Europë. Shqipëria, u bë vendi ku kriminelët vijnë, ku ndiqen, investigohen apo kur rrezikohen nga policitë e vendeve të tjera.
Kriminelët e dinë se mund të trafikojnë drogë, të kryejnë lloj-lloj krimesh, madje edhe të vrasin në Holandë, Gjermani, Greqi apo në Britani, në Amerikë, por gjithmonë e ke një rrugëdalje: kthehu në Shqipëri dhe të jetosh i qetë.
Po qe nevoja mund të ndërrosh kollaj identitetin dhe të rilindësh. Mund të rilindësh si biznesmen, mund të rilindësh si deputet, mund të rilindësh si kryebashkiak.
Mund të të kërkojë policia e gjithë botës, Europa dhe Interpol bashkë, por në Shqipëri t’i mund të shijosh hapur në publik, mund të shijosh jetë luksi, vila luksi, makina të shtrenjta, restorante luksi dhe të gjitha qejfet e mundshme të kësaj dynjaje. Madje mund t’i ndash këto qejfe dhe ndonjë vizë të bardhë edhe me politikanë, që janë shoqëria dhe klientela më besnike e krimit.
Mjaftojnë këto dy arsye që krimi të lulëzojë, të dalë e të teprojë. Por Edi Rama e përfshiu me vetëdije krimin në politikë dhe në qeverisje.
Në Shqipërinë e Edi Ramës kryetar Kuvendi është dikush që partnerët strategjikë e cilësojnë të zezë mbi të bardhë, si lidhje të bandave dhe trafikut të drogës. Ministër i Brendshëm është dikush tjetër, vëllai i të cilit kërkohet nga Interpoli si trafikant ndërkombëtar droge. Në Shqipërinë e Edi Ramës ministrat inaugurojnë hotelet e trafikantëve ndërkombëtarë të ndërtuara me paratë e drogës.
Në Shqipërinë e Edi Ramës, përdhunuesit janë kryetarë bashkie. Në Shqipërinë e Edi Ramës, ministri i Brendshëm koordinon direkt trafikantët, ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë përgjon paligjshmërisht kundërshtarët politikë të kryeministrit dhe diplomatët e huaj dhe sipas informacionit, gjyhnaqarin që mbante kufjet e ke nisur sot me urgjencë për në Amerikë para se t’i vinin prangat.
Në Shqipërinë e Edi Ramës, ata që kërkon Interpoli i mbron policia edhe kur shpallen nga mediat botërore si eskobarë.
Në Shqipërinë e Edi Ramës paratë shkojnë për ekspozita pikturash dhe udhëtime qejfi, por jo për makina policie dhe pajisje për ta. Në Shqipërinë e Edi Ramës paratë shkojnë për propagandë dhe jo për laboratorë të kriminalistikës, të cilat zënë flakë dhe marrin zjarr sa herë hetimet u afrohen politikanëve të bërë njësh me krimin.
Në Shqipërinë e Edi Ramës paratë shkojnë për sharës me pagesë dhe lobistë dhe jo për punonjësit e sistemit të drejtësisë dhe organeve të Vettingut.
Kjo lloj Shqipërie nuk ka asnjë mundësi të integrohet në Europë. Ajo është tashmë e izoluar ekonomikisht dhe politikisht dhe procesi i integrimit europian është tërësisht i bllokuar.

Krimi, katër kërkesat e Bashës për Ramën

Shqipëria nuk do të marrë ftesë për hapjen e negociatave në fund të këtij viti. Dhe nuk do ta marrë as më vonë, nëse nuk zgjidh pengesën kryesore të integrimit: krimin dhe drogën, dhe sidomos lidhjet qeveritare të krimit dhe drogës.
Ndaj le ta miratojmë këtë marrëveshje, por të mos mbyllim sytë për gjendjen ku ndodhet vendi.
Partia Demokratike luftoi 4 vjet rresht, duke denoncuar dhe ngritur zërin për të vetëdijësuar të gjithë, për drogën, krimin dhe rrezikun e tyre. Partia Demokratike ndërmori veprime ekstreme politike për ta bërë drogën dhe krimin çështje parësore të debatit politik dhe publik. Ne do të vazhdojmë të luftojmë pa kompromis kundër drogës dhe krimit, por kërkojmë mbështetjen e të gjithë shqiptarëve të ndershëm në këtë mision.
Sot nga kjo sallë të kërkoj ty Edi Rama që ta nisësh luftën kundër krimit, duke ndërmarrë disa masa të thjeshta, por që kanë domethënie të madhe:
Largo Gramoz Ruçin dhe Fatmir Xhafën nga drejtimi i Kuvendit dhe i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Kërko menjëherë shkarkimin e Qazim Sejdinit.
Bëj publike listën e të gjithë personave në administratë shtetërore që kërkohen nga Interpoli dhe fillo menjëherë aksion për arrestimin e tyre.
Spastro rradhët e drejtuesve të korruptuar të policisë nga bashkëpunëtorët e drejtpërdrejt të trafikut të drogës.
Por këto ti nuk do t’i bësh dhe as nuk ke ndërmend t’i bësh.

Replika e Bashës me Xhafajn

Çfarë kuptuam nga zoti ministër i Brendshëm?! “Problemi është opozita. Opozita po nxin vendin”. Kjo më kujton thënien e famshme popullore: “Kur gishti tregon Hënën, budallai tregon gishtin!”
Problemi nuk është opozita. Problemi nuk është shpallja botërisht e të vërtetës: që sot keni frikë ta thoni ju, grupi juaj parlamentar, këtë e denoncon vetëm opozita me zë të lartë.
Problemi është kjo e vërtetë e dhimbshme, që sot rëndon mbi qytetin e tretë më të madh të Shqipërisë, që ka kyçur banorët dhe banoret e Elbasanit, tash dy vjet nën terrorin e bandave të bëra njësh me politikën lokale të Qazim Sejdinit me mbështetjen e hapur të Edi Ramës dhe të segmenteve të tij në Elbasan.
Elbasani nuk është përjashtimi. E njëjta situatë është në Lezhë, në Shkodër, në Fier, në Lushnjë, Vlorë. Krimi sundon Shqipërinë. Bandat sundojnë Shqipërinë.
Kjo nuk është propagandë. Nuk ka Partia Demokratike dhe opozita fuqinë të manipulojë raportet e EUROPOL-it, INTERPOL dhe agjencive ligj zbatuese të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Por ka vetëm fuqinë të tregojë të vërtetën këtu, para këtij Parlamenti.
Fjalimi që lexove këtu ishte fjalimi i vjetër i Saimir Tahirit: analiza, ndjekja me vëmendje, ndjeshmëria. Jo! Vetëm përballja. Por këtë ti nuk e bën dot. Dhe për këtë nuk ke ti faj! Fajin e ka ai që të ka vënë aty. Ti je në konflikt interesi! Dhe natyrisht, ai që të vuri.

Magazina në Elbasan, kështjellë e krimit të Ramës

Ju të gjithë e keni parë videon, dhe me siguri, ata që s’kanë lidhje me krimin dhe me qeverinë e kapur nga krimi, shumica e shqiptarëve të ndershëm, janë ndjerë keq kur kanë parë se si policia u dhunua, u spraps, u poshtërua, u shpartallua në mes të qytetit nga një bandë.
Dhe të gjithë pyesin, pse nuk hyri policia brenda magazinës ku u strehuan banditët, pse nuk e kaloi portën?
Eshtë shumë e thjeshtë. Policia nuk e kaloi atë rrethim, jo se nuk i ka mjetet, jo se nuk ka oficerë të përgatitur e kurajozë.
Por sepse ajo magazinë, është kështjella e Edi Ramës. Eshtë kështjella e krimit, e bandës. Ka imunitet, gëzon mbështetje dhe mbrojtje qeveritare.
Dhe këtë nuk e bën dot policia, nuk e çan dot atë rrethim. Ndaj, mos t’ia kërkojmë këtë oficerëve, burrave e grave në uniformë.
Duhet t’ia kërkojmë Edi Ramës të dalë nga magazina e krimit. E nëse nuk del, duhet ta nxjerrim nga aty bashkë me qytetarët.

Në celularin e Ramës sms nga serial killer e trafikantë

Duke denoncuar lidhjet e forta të Ramës me krimin Berisha tha se, në telefonin e Ramës ndodhen me qindra mesazhe telefonike nga krerët e bandave kriminale dhe trafikantë. “Edi Rama je koka e krimit. Në celularin tënd ke me qindra mesazhe nga vrasës, serialë killer, trafikantë droge. Në kabinetin tënd ke ministra që mbajnë në eskortë serial killerë të dalë nga burgu, sepse e dinë që për ty kriminelët janë njerëz të mirë, janë ata që na japin vota. Edi Rama ti je koka e krimit, sepse ti ja rrëmbeve Shullazin atij tjetrit (Tahirit) dhe e bëre pjesë të qenies tënde, e përdore për t’i çuar mesazhe vrasëse kryetarit të opozitës, e përdore dhe për të nxjerrë fituese atë zonjën rektore, deri sa në një rast unik e arrestoi opozita me denoncimin që bëri. Ti je koka e krimit, sepse ti, për të mbrojtur lidhjet e tua me krimin, emërojnnë krye të Rendit, Xhafën, vëllain e njërit prej kriminelëve më të rrezikshëm të Shqipërisë, i cili del e thotë “ç’më duhet mua se ç’bën im vëlla”. Po ti mor zotëri e di shumë mirë që, më së paku je në konflikt flagrant interesi, ti nuk mundesh të bësh të paditurin. Yt vëlla ka një dënim nga Gjykata italianë të formës së prerë për drogë e për kokainë. Ti je atje vetëm si përfaqësues i klaneve më kriminale të Shqipërisë, për t’i garantuar ata se sa të jemi ne në pushtet, nuk ju prek njeri”.

Droga e sekuestruar nuk shkatërrohet por fshihet në tunelet e ushtrisë

Berisha zbardhi të tjera të dhëna tronditëse mbi mënyrën se si bandat e drogës dhe krerët e trafikut kanë në dispozicionin e tyre gjithë strukturat e policisë dhe ushtrisë për mbarëvajtjen e trafikut.
“Edi Rama je nëna e krimit, je mater matrix e krimit të organizuar. E mbushe Shqipërinë nga Jugu në Veri me kanabis. Deklarove se keni prerë 2 milionë e 400 mijë rrënjë, afërsisht pra 10 mijë ton. Që të gjitha këto ndodhen nëpër tunelet e ushtrisë, në magazinat shtetërore, në bunkerë dhe ndërtesat e militantëve siçilistë të tu. Ku janë, ku janë të shkatërruara? Ka një ligj qeveria, por i mbroni ju, i mbron ti si një pasuri e madhe që more për zgjedhjet.
Me gjithë këto që bërë, Shqipërisë i ke vënë damkat më të zeza që nga koha e Enver Hoxhës. Kjo Shqipëri ka patur shumë halle, ka patur tronditje të mëdha, po kurrë ndonjëherë kjo Shqipëri nuk është bërë qendër operacionale e krimit të organizuar, kurrë ndonjëherë më parë s’është quajtur Kolumbi e Europës, nuk është bërë kurrë fjalë për narko-shtet. Kurse në doktrinën e krimit, të etërve të tij, krimi që ndihmon për pushtetin është krim i dobishëm, atij duhet t’i heqim kapelen, atë duhet ta mbrojmë, atë duhet t’a mbështesim”.

Rama e mban të fshehtë, borxhi publik në stratosferë 85%

Ndërsa zbardhi të gjitha aferat kriminale me asetet publike të vendit, Berisha theksoi se për shkak të vjedhjeve e zhvatjeve pa kriter, sot Rama e ka rritur borxhin publik me 85%, një nivel alarmant, të cilin Rama po e mban të fshehtë në mënyrë fanatike.
“Edi Rama je koka e krimit, sepse me kriminelë përcakton të gjitha tenderat. A e dini ju se çfarë ndodh me By Pass-in e Fierit? Kompania që iku ishte kompani që kishte mëkate shumë të rënda dhe do të futet me komaninë e plehrave të Lal Plehut për Tiranën. A e dini që pas 4 vitesh By Pass-i i Fierit dhe ai i Vlorës po ritenderohet edhe një herë.
A e dini ju se, By Pass-i i Fierit u kushton taksapaguesve dhjetëra milionë më shumë, sepse janë bërë punime që s’janë paguar nga miku i Edi Ramës. A e dini ju, se kompania e Elbasanit po i merr 40 milionë euro Edi Ramës.
A e dini ju ça është lista 1 miliard? Ajo është krim, krim dhe vetëm krim. Pse nuk ja u thua ti këto shqiptarëve? Pse nuk u thua shqiptarëve se qeveritë, të cilat e kanë borxhin në qiell për të mashtruar borxhin kalojnë në partneritete masive dhe thellojnë borxhin shumë më tepër?
Pse nuk ja u thua që borxhi është 85%. Pse nuk u thua, se në përputhje me kriteret ndërkombëtare, çdo partnership publik-privat është borxh për shqiptarët? Se çdo garanci e një qeveri është borxh për shqiptarët. Krimi përdori sufiçitin. Ai sufiçit shkoi tek krimi. Je koka e krimit dhe Shqipëria asnjë të ardhme nuk ka nëse nuk del nga kthetrat e krimit. Ajo që ndodhi në Elbasan është vetëm ajo që ndodh në një qytet.
Mendoni se kemi situatë tjetër në Shkodër? E njëjtë është. Mendoni se ka situatë tjetër në Berat? A e dini kush janë senior kumbarët e Beratit? Të gjithë kryebanditët e ‘97-ës që janë tepër afër me këtë shokun mbrapa. Koha do t’i nxjerri. Po në Vlorë? Habilajt janë lule. Morën përpjetë një kohë, por tani ligjin e bëjnë Xhafajt me Ramën.
Edi Rama është koka e krimit dhe me këtë ai po gjeneron çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë e ditë dëshpërim, pasiguri dhe vrarje shprese tek shqiptarët. Shqiptarët po ikin sot pothuaj si në ‘90-ën. Por jo se janë në atë gjendje, sot të ardhurat për frymë janë dhjetëra herë më të larta se në ‘90-ën. Në ‘90 ikën se dolën nga tirania komuniste, por nuk dolën nga tirania e nderimit, kurse sot po ikin, sepse duan të dalin nga tirania e krimit. Duan që fëmijët e tyre të jenë të sigurt, duan që vetë të jenë të sigurtë, nuk shohin asnjë perspektivë”.

Kriza e thellë e së majtës në Europë

“Il Giornale”

Edhe zotat (e vetëshpallur) rrëzohen. Nuk flasim vetëm për udhëheqës politikë, por edhe për partitë e tyre.
Progresiste, natyrisht. Një katastrofë e vërtetë në vitin 2017. Është e vërtetë se ka një valë populiste në dhe rritje tani në çdo vend evropian, nga partitë e ekstremit të djathtë, por është po aq e vërtetë se ajo që del nga zgjedhjet me kocka të thyera, është gjithmonë e majta.
Rezultati i zgjedhjeve në Gjermani ishte vetëm konfirmimi më i fundit. Social Demokratët (SPD) kanë rënë në 20.5 për qind, rezultati më i keq i historisë së tyre (që deri tani ishte 23 për qindëshi i vitit 2009). “Një disfatë e rëndë”, siç u pranua nga udhëheqësi Martin Schulz. “Do të shkojmë në opozitë. Votuesit kanë folur qartë, nuk duan një koalicion të ri të madh”.
Ai ka të drejtë, por mbi të gjitha ata nuk duan të majtën në qeveri. Angela Merkel mbetet Kancelare, e ngarkuar me krijimin e një qeverie të re koalicioni, por Unioni i saj CDU-CSU ka marrë rezultatin më të keq që nga viti 1949. Ajo që është shpërblyer, është e djathta ekstreme, e cila në Gjermani, si kudo në Europë, e ka shumë të kollajtë të luajë kundër qeverive që përpiqen të hapin dyert për imigracionin.
Edhe Britania e Madhe, e cila shkoi në votime qershorin e kaluar, nuk e ka shpërblyer të majtën, duke konfirmuar qeverinë e Partisë Konservatore të Theresa Mayt. Laburistët e Jeremy Corbyn mbetën me gisht në gojë: shpresonin që duke vënë bast gjithçka, për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Evropian, do të ktheheshin në rrugën e duhur.
Një diskutim më vete meriton Franca, ku për herë të parë në Republikën e Pestë, një president i larguar (socialisti François Hollande) ka hequr dorë nga mandati i dytë. Jo për shkak se ishte lodhur nga politika, por për të shanseve të ulëta (disa sondazhe i dhanë vendin e katërt prapa Marine Le Pen, Emmanuel Macron dhe François Fillon). Për më tepër, qeveria e tij ishte e mbushur me kriza, që nga menaxhimi i emergjencës terroriste tek politika e taksave, e deri te reforma e punës, e cila ka shkaktuar protesta të dhunshme. Rezultati? Një rënie e pashembullt e popullaritetit, që gjithashtu ka prekur rezultatin e zgjedhjeve për Eliseun. Partia Socialiste u mori një goditje të rëndë, me një rekord negativ historik: 6.3 për qind. Në vetëm pesë vite, socialistët kaluan nga Presidenca, tek pothuaj zhdukja totale (ata morën pak më shumë se 2 milionë vota).
Por ky ka qenë një vit i zi pak a shumë kudo, për të majtën. Edhe në Holandë, ku votuesit shprehën vullnetin e tyre në mars, në zgjedhjet e fituara nga Mark Rutte i qendrës së djathtë (liberal konservator, i cili kreu një fushatë për të shkëputur vota nga Partia e Lirisë e Geert Vilders, i cili kishte zgjuar politikën me luftën e tij kundër imigrimit, sidomos islamik). Por ajo që pagoi faturën, edhe këtu, ishte e majta. Partia e Punës (socialdemokratë) ka rënë nga 24.8 në 5.7 për qind, duke humbur 29 vende në Parlament.
Për ta mbyllur me Spanjën, e cila votoi në vitin 2016, por në të vërtetë shtroi rrugën për humbjet e krahut të majtë evropian. Partia Socialiste është gozhduar në pak më shumë se 22 për qind, e mposhtur nga Partia Popullore e Mariano Rajoy. Morën fund kështu kohët e lavdishme të Zapateros.
Shkurt, në të gjithë Evropën fryn një erë e qendrës së djathtë, por nuk mund të thuhet se ajo është triumfuese. Partitë nacionaliste dhe ekstremiste të së djathtës, në fakt po rriten. Por lajmi i vërtetë është se partitë tradicionale të majtës po shemben përdhe.

10-vjet pa klerikun, filozofin dhe shkrimtarin At Zef Pllumi

Nga Martin DEDAJ

Përmes kujtimeve nga personalitete të dheut të tij të lindjes, miq dhe të afërm, në një aktivitet të zhvilluar më 23 shtator 2017, Bashkia Lezhë në ambientet e Bibliotekës Publike të qytetit, ka përkujtuar klerikun, filozofin dhe shkrimtarin At Zef Pllumbi, në 10-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, ku kanë marrë pjesë shkrimtarë, studiues, historianë, poetë, gazetarë, artistë, nxënës dhe gjimnazistë si dhe miq, bashkëpunëtorë dhe të afërm të françeskanit At Zef Pllumi. Takimi i moderuar nga Suela Bala, përgjegjëse e Bibliotekës ishte konceptuar në formë bashkëbisedimi ku secili që merrte fjalën evokonte kujtime me At Zef Pllumin, si dhe nga disa të tjerë u lexuan disa fragmenteve nga krijimtaria e tij.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, teksa ka marrë fjalën në këtë takim ka thënë ndër të tjera se: “At Zef Pllumbi me krijimtarinë e tij dhe qëndresën antikomuniste ka lënë gjurmë tek çdo shqiptar. E kam lexuar kolanën e krijimtarisë së tij, dhe i rikthehem disa herë asaj, pasi aty është e gdhendur me mjeshtri artistike dhe me një realitet të pa shoq, kalvari i gjatë i vuajtjeve të klerit katolik në veçanti dhe gjithë popullit shqiptar në periudhën e diktaturës komuniste. Ndër veprat e tij padyshim që veçohet: “Rrno vetëm për me tregue”, që është një vepër monumentale, e ardhur për lexuesit përmes një letërsie dokumentare rrëfimtare mjaft të arrirë dhe që është në vetvehte një vlerë kombëtare e pashoqe. Ai do të mbesë gjatë në memorien e të gjithëve për veprimtarinë e tij të shkëlqyer si klerik dhe shkrimtar, gjithashtu edhe për kalvarin e vuajtjeve për 26 vjet në burgjet e komunizmit, por dhe si një përfaqësues dinjitoz i pasurisë kulturore, shpirtërore dhe njerëzore, thënë ndryshe ai ka qenë, është dhe do të jëtë një pjesë e rëndësishme e historisë së kombit shqiptar, e cila nuk duhet harruar asnjëherë”.
Nga ana e tij piktori i mirënjohur, përmasat e të cilit prej kohësh kanë kaluar kufijtë rajonal dhe kombëtar, “Mjeshtri i Madh”, Pashk Përvathi, diskutimin e tij e mbështeti në bazë të një kujtimi që ruante nga takimet me At Zef Pllumin dhe sidomos kur kishte marrë përsipër të realizonte një portret të tij. “Çdo vepër arti ka një histori, ndaj unë po rrëfej historinë e portretit që ju po shihni. E kam njohur në tre vjetët e fundit të jetës së tij At Zef Pllumin, përmes Agron Gjekmarkajt, i cili më kërkoi me doemos që unë t’i bëja një portret. Në fillimt ngurova, pasi unë nuk jam piktor i portreteve, pasi preferoj peizazhet. Por ai këmbënguli dhe mora përsipër që ta realizoja. Kemi shkuar dhe e kemi takuar në shtëpi disa herë, të cilin e gjeja vazhdimisht shtrirë, pasi kishte filluar të dobësohej nga ana shëndetësore. Në vitin 2006, Padri ftoj në shtëpinë e tij Ismail Kadarenë. Atë ditë, ai ishte pothuajse rinuar, dhe ishte veshur e drejtuar shumë mirë. Aty At Zef Pllumi na ka rrëfyer një detaj shumë interesant me Gjergj Fishtën, dhe filloi të na rrëfente… Një radhë kur kishte qenë në kolegjin françeskan At Gjergj Fishta, i thonë se kemi një djalë të ri këtu në kolegj, që e din lahutën përmendësh. Dhe Fishta u kishte thënë që; -Ma bini atë djalin këtu. Dhe unë shkova dhe fillova ta them lahutën përmendësh shpejt e shpejt. Në një moment, Fishta më tha; -boll se e dinke sakt përmendësh dhe mori një libër dhe ma dhuroi me autogarf, (libër i cili ruhet në familjen e At Zef Pllumit). Teksa i rikthehet realizimit të portretit, Përvathi vijon se; -Atë ditë që erdhi Kadareja në Lezhë, e ula Padër Zefin në karrike dhe i bëra një fotografi, mbi të cilën e ndërtova këtë portret, të cilin e mbaj në shtëpi dhe nuk e shes.
Studiuesi Altin Meçja, në fjalën e tij tha ndër të tjera se: “At Zef Pllumi ka lënë pas një dëshmi të gjallë dhe mjaft të vlefshme. Secili prej nesh në çdo event duhet të dhurojmë nga një kopje të librit monumental të At Zef Pllumbit “Rrno vetëm për me tregue”, sepse kjo është dhurata më e mirë që mund të bëjmë. Pasi ai i tha jo komunizmit, që në fillesat e tij, me besimin në zot dhe tolerancën fetare që kishte. Ne asnjëherë nuk duhet të harrojmë se në kohën e sotme kanë filluar të rishfaqen reminishenca të nostalgjisë komuniste, në mënyra moderne dhe më të sofistikuara, por që janë më të rrezikshme. Ndaj shoqëria shqiptare duhet të ngrihet e t’i thotë jo këtyre tendencave.
Publicisti Frano Kulli tha se; “Ruaj impresione dhe kujtime për këtë njeri shumë dimensional si At Zef Pllumbi, që i përkiste plejadës së franceskanëve themelues të kulturës moderne shqiptare. I fundmi, i cili doli i gjallë nga kalvari i burgjeve komuniste. Libri 10 vjet liri, është libri i fundit i botuar nga krijimtaria e tij, të tjerë janë në radhë. Dhe ka sjellë mbresa nga promovimi i librit të tij të parë “Rrno vetëm për me tregue”, i cili është promovuar në Shëngjin. (Ku kam patur fatin të jem edhe unë). At Zef Pllumi ka qenë dhe mbetet ndër mjeshtrat e mëdhenj të letërsisë dokumentare shqiptare”.
Bardhok Pulaj, drejtor i DAR Lezhë, ndër të tjera tha se: “Kemi qenë dhe jemi me fat për plejadën e françeskanëve, ndër ta edhe At Zef Pllumi, i cili ndër të tjera ka qenë dhe mbetet një mendimtar dhe filozof, që e ka parë botën në mënyrë të veçantë, çka na detyron edhe neve, që të shohim veten. Është simbolikë e françeskanëve, por edhe e jona, pasi vepra letrare e Atë Zef Pllumit është ridimensionimi shpirtëror i çdo shqiptari, dhe në të ardhmen do të lexohet si një relike”.
Politikani dhe shkrimtari i njohur Preç Zogaj teksa mori fjalën u shpreh se: “E kam patur mik dhe udhërrefyes. Ai ka qenë dhe do të mbetet një figurë komplekse, saqë ne nuk e dimë se kush është, pavarësisht se ne kemi mundur të nuhasim diçka rreth tij. Kur u botua në vitin 2004, përmbledhja e At Zef Pllumit, ai më ftoj për ta prezantuar librin. Promovimi u bë në Tiranë. Kadareja kishte ardhur posaçërisht nga Franca për këtë promovim. Kisha punuar gati një javë për të përgatitur një tekst për këtë libër, dhe isha përpjekur për të gjetur sekretin e këtij libri. Kur më takoi para promovimit më tha: -Pashë Zotin mos u lodh se ta them unë sekretin i cili është: “E kam shkruar pa inat”. Memorialistikës nuk i ka hije të ketë inatçor, është mesazhi që përcjell ky postulat i mrekullueshëm. Ka vite që po punoj për të shkruar një roman për At Zef Pllumin, pasi ai është shumë më i madh sesa ne e njohim. Kultura gjithashtu e personifikon Lezhën, ashtu si dhe deti, historia dhe turizmi”.
Ndërsa pjesën e leximit nga krijimtaria e At Zef Pllumit e ka nisur Angjelina Gjeka, mbesa e tij, e cila ka falenderuar organizatorët për zhvillimin e këtij takimi, dhe më pas kanë vijuar, Lulzime Celami, Salvador Gjeçi, Lula Lleshi, Nikoleta Prendi, gjimnazisti Alban Nikolli, nxënëset Esteri Ndreka dhe Gossiko Ndreu.
At Zef Gjeto Pllumi u lind më 28 gusht 1924 në Malin e Rencit në Shëngjin të Lezhës. Kur ishte 7 vjeç hyri në Kolegjin Françeskan të Shkodrës, ku jepnin mësim personalitete të shquara të kulturës kombëtare si At Gjergj Fishta, Padër Anton Harapi, kompozitori Martin Gjoka, Gjon Shllaku etj. Aty mori formim klasik në filozofi, teologji, letërsi dhe përvetëson mjaft mirë gjuhët e huaja; latinisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, si dhe greqishten e vjetër. Kreu maturën në liceun “Illyricum” në vitin 1943. Më 14 dhjetor 1946, kur ishte vetëm 22 vjeç u arrestua dhe dënohet me tre vjet burg (15.10.1946-15.10.1949). Dënimin e vuajti pranë Burgut të Madh të Shkodrës dhe në kampet famëkeqe të Bedenit në Myzeqe, dhe Orman-Pojanit në Maliq. Pasi u lirua nga burgu shkon herë në Shkodër e herë në Shëngjin, tek familja e tij, në vartësi të situatës. Nga viti 1949-1951 merret me numizmatikë si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1958 shugurohet meshtar dhe caktohet në fillim si i besuar për t’u dërguar ndihmat priftërinjve nëpër kampet e ndryshme. Më tej, për 12 vjet rrjesht shërbeu si meshtar i Dukagjinit, në zonën më të thellë-Shosh. Në vitin 1967, pas prishjes dhe shkatërrimit të kishave, pasi atij revolucioni të çmendur dhe shkatërrues të kulturës kombëtare arrestohet dhe për 23 vjet të tjera (27.9.1967-11.4.1989) dhe vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme në Spaç, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë. Gjithsejt kryen plot 25 vjet burg.
Në vitin 1990 u kthye në Tiranë, si klerik ku përveç aktivitetit, përpiqet të kontribuojë në lëmin e kulturës dhe edukimit shqiptar aq të dëmtuar gjatë pesëdhjetë vjetëve të diktaturës. Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën “Hylli i Dritës”. Ai shkruan dhe boton trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”, “Frati i pashallarëve Bushatli”, “Erazmo Balneo”, “Saga e Fëmijnisë”, “Ut heri diçebamus-siç i thonim dje” etj. Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave, si dhe përpjekja për gjetjen e eshtrave të Át Gjergj Fishtës, fillimet e gërmimeve për varrin e të cilit filluan më, 13.11.1995. Fatmirësisht u gjetën një pakicë eshtnash shpëtuar prej dhunimit masiv që i është bërë varrit të Fishtës gjatë kohës së komunizmit, pasi lakenjtë e kuq edhe eshtrat e të madhit At Gjergj Fishta i trishtonin edhe nga toka. At Zef Pllumi është dekoruar me çmimin “Nderi i Kombit” në vitin 2006 nga Presidenti Alfred Moisiu. Po në vitin 2006, Át Zef Pllumi merr çmimin letrar “Penda e Artë” për trilogjinë e tij me kujtime “Rrno vetëm për me tregue” të akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë…. -“Juria paska pranuar edhe mendimin ndryshe, edhe mendimin e kundërt, këtu besoj âsht vlera që ka demokracia. Kjo âsht vlefta mâ e madhe që i bâhet librit tim. Të tjerat janë për mue kunora që çohen në funerale që i vdekuni s’i sheh”, pat deklaruar At Zef Pllumi me rastin e pranimit të çmimit. Ai vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në Spitalin “Gemelli”, Romë të Italisë, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër, ku pushon në jetën e pasosur.

Çensura e Ramës mbërrin në Parlament, si u tërhoq ai?

Hapja e seancës plenare ditën e sotme, u shoqërua me debate të forta lidhur me një bllokim që Televizioni Publik Shqiptar i bëri të gjitha televizioneve private në vend.
Me arsyetimin se këto televizione duhet të paguajnë për të marrë sinjal, TVSH-ja nuk lejoi shpërndarjen e pamjeve.
Menjëherë pas kësaj, kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho kërkoi ndërprerjen e seancës dhe rikthimin e sinjalit në çdo televizion.
Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, tha se mediat ishin në sallë, duke iu referuar transmetimin në TVSH.
“Media është prezente nuk ndërpritet seanca”,tha Ruçi.
Ruçi tha se seanca duhet të vijonte normalisht, duke mos u shqetësuar për terrin informativ që për 60 minuta përfshiu të gjitha televizionet në vend.
PD dhe LSI braktisën për disa minuta sallën e Kuvendit, deri në normalizimin e situatës.
Ish-Kryeministri Sali Berisha foli për një atentat ndaj fjalës së lirë. Berisha tha se kjo është vepër e Ramës, pasi ky i fundit ka frikë nga qytetarët dhe gjykimi i tyre.
“Ndërprerja e sinjalit për mediat të cilat në vite kanë përcjellë ditë e natë punimet e Parlamentit, përbën një atentat prej xhelati, të Ramës së zi. Ky vendim është kryekëput vepër e Edi Ramës, i cili u del shqiptarëve nga mëngjesi në darkë. I bëj thirrje të mblidhet Kryesia e Parlamentit për këtë veprim të pashembullt. Akt prej xhelati për fjalën e lirë. Dhunim i madh për të drejtën e informacionit. Ato vendime që merr opozita i ka grupi parlamentar. Vetëm ai që ka frikë të tmerrshme nga 2.4 milionë vota kundër, që ndjen neveri për përçmimin qytetar, mund të bëjë këtë gjë”, tha Berisha.
Kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili gjithashtu e quajti të papranueshëm faktin që publiku duhet të informohet vetëm nëpërmjet TVSH-së për zhvillimet në Kuvend.
“Mbyllja e fjalës së Parlamentit, mbyllja e fjalës së lirë. Po shkohet drejt asfiksimit të Parlamentit. Rama kërkon të mbajë nën kontroll mediat, duke shkëputur kontaktin e të zgjedhurve me popullin. Dhe i vetmi informim do jetë nga dritarja e zgjedhur nga Rama. Po kthehemi në vitet 1996-1997”, tha Vasili.
Gazetarja e “News 24”, raportoi se presioni i opozitës dhe disa telefonata të Kryeministrit Edi Rama bënë të mundur zgjidhjen e këtij incidenti.
Me rifillimin e seancës fjalën e mori Kryeministri Rama.
Rama tha se opozita u mbyt me një pikë ujë, dhe se askush nuk kishte për qëllim për të censuruar askënd.
Rama foli për krijimin e një televizioni të ri, ekskluziv për punimet e Kuvendit.
Rama tha se nuk është e nevojshme që në Kuvend të qëndrojnë stafe mediatike aq të zgjeruara, pasi një regji qendrore është e mjaftueshme.
“Sapo u mbyt opozita me një pikë ujë. Është koha që mënyra sesi funksionon shërbimi i Parlamentit për dhënien e hapësirës televizive për punimet e tij, të ndryshojë. Deri më sot jemi në kushtet e një shërbimi komunist në kushtet e demokracisë. TVSH nuk mund të ketë asnjë ekskluzivitet për transmetimet e punimeve. Si çdo vend i botës, Kuvendi duhet të ketë televizionin e vet, ky shërbim jepet nga Kuvendi. Është koha të bëhet dhe kjo në Shqipëri. Nuk ka pse të ketë 25 kamera, mjafton një regji televizive e Kuvendit. Ligji që i imponon TV publik dhënien falas të sinjalit është adaptim në kushtet e demokracisë i një situate komuniste, këtu nis e mbaron gjithçka dhe kërkesa e TV publik për tua shitur apo për t’iu imponuar TV private një faturë, dhënien e sinjalit me logon e TVSH është diçka që i takon të shkuarës, sepse asnjë TV qoftë publik e privat nuk mund të ketë këtë ekskluzivitet”, tha Rama.
Kryeministri ironizoi akuzat për censurim dhe kontroll të informacionit në një dorë, kur tha se kushdo që ka dëshirë të dëgjojë ‘oratorët e opozitës’ do e ketë këtë mundësi sa herë të dëgjojë në televizionin që do krijohet.
Kjo ide për një televizion të dedikuar për Kuvendin, ishte një nga pikat e programit të qeverisë Rama 1, por që nuk u realizua.
Opozita ka folur sot për një përpjekje për të kontrolluar komunikimin e deputetëve me qytetarët, ndërsa Rama e ka mohuar një gjë të tillë.

Rama-Ruçi duan t’i heqin fjalën Berishës, ai siguron 110 minuta

Në rendin e ditës së seancës së sotme maratonë, Panorama vëren se Sali Berisha e ka kërkuar fjalën në 6 pika të rendit të ditës përballë dy pikave që e ka kërkuar fjalën Lulzim Basha.
Ndërsa përsa i përket minutave të këtyre diskutimeve, kreu i PD-së, Basha do të flasë në 30 minuta, kurse Sali Berisha plot 90 minuta.
Koha që do marrin në Kuvend Basha dhe Berisha
Akti Normativ nr. 2, datë 16.8.2017 “Për disa ndryshime në Ligjin nr. 130/2016 “Për buxhetin e vitit 2017”
Lulzim Basha 10 minuta
Sali Berisha 10 minuta
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut, që plotëson Konventën Evropiane për Ekstradimin, të vitit 1957”
Lulzim Basha 20 minuta
Sali Berisha 20 minuta
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2016, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në Kampusin Universitar të Tiranës sipas parimit të efiçencës energjetike, faza II
Sali Berisha 20 minuta
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë, për programin “Forcimi i Policimit të Komunitetit në Shqipëri” (2017-2020)
Sali Berisha 20 minuta
Projektvendimet e Vettingut
Sali Berisha 10 minuta
Dekret nr. 7969, datë 18.10.2016, “Për kthimin e Ligjit nr. 93/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 9640, datë 9.11.2006, “Për dhomat e tregtisë dhe industrisë”, të ndryshuar”
Sali Berisha 10 minuta