31.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Forumi Ekonomik Botëror: Qeveria dështon në forcimin e rolit të grave

Shqipëria renditet në vendin e 97-të në botë (nga 137) dhe e parafundit në Ballkan për sa i përket pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në fuqinë punëtore. Kjo vjen në bazë të studimit të bërë në “Raportin e Konkurrueshëmrisë Globale 2017-2018” të “Forumit Ekonomik Botëror”. Raporti i pjesëmarrjes në fuqinë punëtore femra/meshkuj për Shqipërinë është 0.68.
E thënë ndryshe, ky studim tregon se gratë dhe vajzat në Shqipëri nuk janë të fuqizuara, pasi kanë pjesëmarrje më të ulët se meshkujt në fuqinë punëtore. Kjo tregon se gratë dhe vajzat kanë mundësi më të ulëta punësimi në tregun e punës se meshkujt. Dhe raporti është i atillë sa Shqipëria renditet ndër vendet më të këqija në botë për sa i përket pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në fuqinë punëtore.
Gjithashtu kjo situatë ka qenë pothuajse e njëjtë për 4 vitet e fundit, nëse do t’u referoheshin raporteve të “Forumit Ekonomik Botëror” për Shqipërinë.
Këto të dhëna ngrenë në pikëpyetje veprimtarinë e shumë organizatave joqeveritare (OJQ) në Shqipëri, të cilat pretendojnë se punojnë për fuqizimin e grave. Dhe lindin pyetjet për çfarë i marrin fondet dhe si i shpenzojnë? Nga ana tjetër të dhënat që tregojnë mosfuqizimin e grave dhe vajzave shqiptare vë në dyshim edhe qeverinë, që pretendon se ka bërë progres në përmirësimin e jetesës për ato.

Kaos me pensionet, në një javë 45 dosje tek Administrativja

Shtatori ka nisur aktiv për Gjykatën Administrative, e cila në më pak se një javë ka marrë të paktën 45 dosje që mbajnë brenda tyre problematika nga më të ndryshmet të lidhura me çështjen e pensioneve. Kryesisht të paditura janë Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore me një hartë që nis nga Tirana, Lezha, Durrësi, Elbasani dhe një seri qytetesh të tjera. Problematikat që hasen më shpesh duket se kanë të bëjnë me rillogaritjen.
Shumica e individëve që kanë çuar dosjen në derën e gjykatës kundërshtojnë masën e pensionit që u është caktuar sipas llogaritjes fillestare nga secila drejtori. Pretendimi i tyre është se kjo masë është caktuar më e ulët sesa duhet të ishte përfitimi real dhe për këtë duhet të bëhet rillogaritje. Mes të tjerave pensionistët kërkojnë edhe shlyerjen e diferencës që u është mbajtur në mënyrë të padrejtë gjatë periudhës që kanë marrë pensionin në masën e reduktuar, si dhe aplikimin mbi këtë vlerë të interesave.
Një tjetër problem që haset në dosje është ajo e mungesës së njohjes së vjetërsisë për periudha të gjata kjo më evidente për ata që kanë punuar në bujqësi dhe që në shumë raste kanë paguar kontributet në mënyrë kumulative për disa vite pas disa vendimeve nxitëse të qeverisë së asaj kohe. Në shumë raste pagesat edhe pse pretendohet se janë bërë nuk janë gjetur nga ana e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve duke sjellë kështu një ulje të dukshme të masës së pensionit. Kundërshtimi i daljes së parakohshme në pension apo pensione suplementare që lidhen me kategori të veçanta si ushtarakët sërish kanë shfaqur problemet e tyre dhe kjo ka bërë që listës së padive t’i shtohet edhe kjo kategori.

BMI: Qeveria Rama po rrezikon integrimin në BE

Shqipëria rrezikon të mos integrohet në BE as brenda dekadës tjetër dhe ekonomia do të ngadalësohet. Kështu shprehet në një raport BMI Reasearch, një kompani e grupit Fitch (një prej tre agjencive më të rëndësishme të vlerësimit të riskut të kreditit në botë) për riskun që paraqet Shqipëria. Duke u ndalur tek reforma në gjyqësor thuhet, “Mbeten interesa vetjakë të lidhura me reformën që e kundërshtojnë procesin e saj, por kjo (reforma) është një kërkesë kyçe për pranimin në Bashkimin Europian, dhe për këtë arsye ne mbetemi skeptikë që Shqipëria do t’i bashkohet BE brenda dekadës tjetër”, thuhet në të njëjtin raport. Në fakt, Shqipëria është në përpjekje për të hapur negociatat, të cilat deri më tani nuk kanë pasur dritë të gjelbër nga ana e BE-së. Gjithsesi, përpara hapjes vendi ynë duhet të plotësojë detyrat që i janë caktuar që nuk lidhen vetëm me hapat e zbatimit të Reformës në Drejtësi. “Një kontraktim i vazhdueshëm i sektorit privat dhe një parashikim për inflacion të dobët do të thotë se ne shohim Bankën e Shqipërisë të mbajë një politikë monetare lehtësuese në 18 muajt e ardhshëm edhe nëse rritja ekonomike mund të përshpejtohet”, vlerëson raporti. BMI parashikon që ekonomia shqiptare do të rritet me 3.6% në vitin 2017, por ai pret që zgjerimi të ngadalësohet në 3.3% vitin e ardhshëm. Kjo është në linjë të kundërt me pritshmëritë e qeverisë shqiptare dhe institucioneve ndërkombëtare që parashikojnë që rritja ekonomike t’i afrohet 4% në afatin e mesëm.

18 mijë kredi të këqija në Përmbarim

Ekonomia shqiptare është e mbërthyer në një zinxhir të madh borxhesh të këqija, nga i cili po lulëzon vetëm një biznes, ai i Përmbarimit. Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Privatë bëri të ditur se bankat private kanë çuar mbi 18 mijë kredi të këqija për ekzekutim kolaterali. Shifra e lartë pasqyron situatën e vështirë në sektorin financiar, si dhe pamundësinë e debitorëve për të shlyer borxhet, që kanë marrë në banka. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë aktualisht niveli i kredive të këqija në banka llogaritet rreth 90 miliardë lekë ose afro 690 milionë euro, ndërkohë që bankat kanë fshirë nga bilancet të paktën edhe 50 miliardë lekë të tjera kredi të humbura. Mijëra prona të sekuestruara për shkak të kredive të pashlyera i kanë shndërruar bankat private në pronaret më të mëdha të pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të parë të këtij viti vlera e pronave të sekuestruara në bilancet e bankave arriti në 23.3 miliardë lekë ose gati 175 milionë euro. Këtu bëjnë pjesë ndërtesa për qëllime tregtare, apartamente banimi apo toka, kryesisht në bregdet të sekuestruara nga individë dhe biznese, që nuk kanë kthyer kreditë e marra. Sipas shifrave krahasuar me fundin e vitit 2015, vlera e pasurive të patundshme që zotërohet nga bankat është rritur me 12 për qind, nga 20.8 miliardë lekë në 23.3 miliardë lekë. Por krahasuar me 5 vjet më parë, kjo vlerë është rritur me katër herë e gjysmë. Në total kreditë e këqija në banka vlerësohen rreth 690 milionë euro, rrjedhimisht vlera e pronave të sekuestruara është sa 25 për qind e totalit të kredive të këqija. Fillimisht, pasi e sekuestrojnë një pronë bankat e nxjerrin atë për shitje në ankand. Por sipas Bankës së Shqipërisë, një pjesë e madhe e tyre nuk arrijnë të shiten dhe bankat detyrohen që t’i marrin në pronësinë e tyre. Mbushja e bankave me pasuri të bllokuara i ekspozon ato para disa rreziqeve. Më kryesori është ai i rënies së çmimit të këtyre pasurive gjatë kohës që mbahen nga bankat, çka ul shumën e përfituar nga shitja. Por veç rrezikut të rënies së çmimit, mbajtja e pronave nga bankat është edhe një proces me kosto, pasi ato duhet të ruhen, por edhe mirëmbahen.

Shqiptarët paguan 130 milionë për shkarravinat e Ramës në Bienale

Javën e fundit u përcoll me bujë ekspozita personale/private e artistit Edi Rama në Bienalen e Venecias. Por një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon se qeveria e Kryeministrit Edi Rama e ka financuar me fonde publike këtë bienale.
Raporti i siguruar në rrugë zyrtare nga “Hashtag.al”, zbulon se në intervalin kohor mars-tetor 2016, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka kryer një sërë prokurimesh të paqarta dhe të dyshimta publicitare, me kompani të huaja dhe shqiptare. Pjesë e kapilarëve të financimit ka qenë dhe “Fondacioni Bienalja e Venecias”.
Historia nis në mars 2016, kur ish-ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, vendosi një fond prej afro 500 mijë dollarë në dispozicion të spoteve publicitare për promovimin e Shqipërisë. Ky ishte projekti i quajtur “Albania go on your ëay”.
Ministria e Ekonomisë lidhi kontratë me një kompani të huaj, e cila mori përsipër që të shfaqte spotin promovues gjatë kampionatit evropian të futbollit “Euro 2016”.
Shteti shqiptar pagoi 95 mijë euro për të drejtat e transmetimit të kësaj reklame, por siç zbulon raporti i KLSH-së, spoti nuk u transmetua në Francë për shkak të disa komplikimeve me afatet e kontratës.
Dhe çfarë bën ministria pas kësaj?
E sposton transmetimin e këtij spoti në tetor për llogari të “Bienales së Venecias”.
Lexoni me vëmendje çfarë konstaton raporti i KLSH-së:
“Spoti rezulton se është përdorur për promocion gjatë Festivalit të Venecias dhe jo gjatë kampionatit evropian”.
Më tej raporti zbulon:
Nga auditimi ekziston komunikimi elektronik me kompaninë”Outdoor Revolution” me seli në Londër, me AKT(Agjencia Kombëtare e Turizmit), përfaqësuar nga ish-drejtori i marketingut në AKT, ku është pranuar, “silver package 12×30” spote në ditë, për 11 ditë. Në këtë ofertë, del e paqartë që është spoti prej 10 sekondash, i cili u prodhua nga kompania fituese “Publicita shpk”, për t’u publikuar në Euro 2016 apo kemi të bëjmë me ndonjë spot tjetër. Në faturën e sjellë nga kompania e huaj, “Rapture Entertainment Limited” Londër, flitet për një spot 30 sekonda.
Nga auditimi i dosjes fizike kompania, e cila ka ekskluzivitetin për transmetimin e spotit është “Outdoor Revolution” me këto të dhëna: “Fondazione La Bienale di Venezia” dhe nuk jepet asnjë dokumentacion ligjor dhe asnjë argumentim faktesh për lidhjen që kanë këto kompani “të përzgjedhura nga AKT-ja”.
Thënë në mënyrë të përmbledhur, gjetjet e audituesve zbulojnë kryesisht se:
-Ministria e Ekonomisë ka bërë një “mish-mash” kontratash me disa kompani të huaja për transmetimin e spotit promovues në Euro 2016, me vlerë rreth 95 mijë euro.
– Ministria dështoi me realizimin e këtij spoti në Francë, por tre muaj më vonë, bëri transferimin e të drejtave të spotit promovues për në Bienalen e Venecias.
– Kontratat dhe procedura si e kreu këtë transferim duket e paqartë dhe për audituesit e KLSH-së, të cilët shprehin në mënyrë eksplicite mungesën e dokumenteve dhe faturave në ministri.
-Ato pak dokumente të siguruara nga KLSH-ja zbulojnë se kontrata e lidhur në tetor me kompaninë angleze “Outdoor Revolution” shkonte për llogari të “Fondacionit Bienalja e Venecias”.
-Ministria e Ekonomisë nuk ka ofruar dokumentacion të plotë për të treguar në mënyrë të detajuar se sa fonde publike ka përfituar “Fondacioni Bienalja e Venecias”, ndërsa KLSH-ja shprehet se projekti total i ministrisë për reklamat promovuese ishte rreth 500 mijë dollarë.
Ndonëse ka financuar një spot promovues për vendin, Ministria e Ekonomisë e ka mbajtur të fshehtë këtë fakt dhe nuk e ka deklaruar në asnjë zëdhënie publike.
Raporti i KLSH-së e vendos kryeministrin Edi Rama në një konflikt të pastër interesi, pasi audituesit kanë vërtetuar se ekspozitat private të Edi Ramës janë realizuar në një bienale, e cila merr financime nga fondet publike të qeverisë shqiptare.
Për më tepër, Ministria e Ekonomisë ka refuzuar të detajojë kontratat që ka lidhur me kompanitë private sa i takon këtij financimi.

“Hashtag.al”

Ku ka ngecur koncesioni 13 miliardë lekë i laboratorëve?

Ministria e Shëndetësisë nuk e ka nënshkruar ende marrëveshjen koncesionare për shërbimin e laboratorëve mjekësorë në 18 spitale të vendit, ndonëse fituesi u shpall pesë muaj më parë.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se, projekti është ende në fazën e negociatave, të cilat konsiderohen “të vështira dhe komplekse” nga palët e përfshira në to.
Në përgjigje të një kërkese për informacion të BIRN, Ministria e Shëndetësisë sqaroi se, marrëveshja nuk është nënshkruar ende pasi nuk kanë përfunduar negociatat mes saj dhe konsorciumit fitues të përbërë nga kompanitë “Labopharma shpk” dhe “AB Laboratory Solutions B.V”-të dyja në pronësi të biznesmenit Janis Karathano dhe kompanisë franceze EXALAB. Sipas dokumenteve shoqëruese të procedurës së tenderit, Ministria e Shëndetësisë pati planifikuar ta firmoste marrëveshjen në muajin maj.
“Projekti…është shumë kompleks dhe kërkon investime të rëndësishme në infrastrukturë, pajisje dhe burime njerëzore. Në këto kushte, duke patur parasysh edhe natyrën e këtij projekti, kërkohen negociata të detajuara për të finalizuar kushtet e kontratës”, deklaroi Ministria e Shëndetësisë për BIRN.
Negociatat u cilësuan të vështira edhe nga biznesmeni Karathano, i cili i tha BIRN në një bisedë telefonike se në proces janë përfshirë edhe ekspertët e Korporatës Financiare Ndërkombëtare, IFC. Megjithatë, Karathano tha se, shpresonte që marrëveshja të nënshkruhej brenda një kohe sa më të shkurtër.
Konsorciumi fitues-një bashkim i dy kompanive të zotëruara nga Karathano dhe kompanisë franceze EXALAB pritet të marrë në administrim për dhjetë vitet e ardhshme laboratorët e analizave të 18 spitaleve në vend. Pesë prej laboratorëve u përkasin spitaleve universitare në Tiranë, 11 spitaleve rajonale dhe 2 spitaleve të Sarandës dhe Lushnjës: të gjithë së bashku ato realizojnë rreth 5 milionë analiza në vit.
Sipas të dhënave të publikuara më parë nga Ministria, ky koncesion pritet t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë rreth 13 miliardë lekë ose 100 milionë dollarë në dhjetë vjet.
Koncesioni i laboratorëve është i katërti shërbim publik i shëndetësisë, që u kalon privatëve, pas atyre të Check Up-it, hemodializës dhe sterilizimit të sallave kirurgjikale. Kjo praktikë është përballur vazhdimisht me kritika në lidhje me kostot dhe procedurat përzgjedhëse të konkurrentëve në garë.
Kalimi i laboratorëve mjekësorë nën administrimin e Partneritetit Publik-Privat u shoqërua gjithashtu me kritika dhe protesta gjatë fazës së diskutimit. Një grup mjekësh, kimistësh dhe laborantësh protestuan për disa ditë me radhazi kundër projektit që pritet të shoqërohet edhe me shkurtime vendesh pune.
Kundër dhënies me koncesion u shprehën gjithashtu edhe shoqatat e Biokimisë Klinike dhe Mjekësisë Laboratorike, të cilët e shohin atë si një “model të paeksperimentuar në asnjë vend të botës më parë”. Sipas tyre, laboratorët mjekësorë janë një hallkë e rëndësishme e sistemit në diagnostifikimin e popullatës, funksion publik që sipas tyre nuk mund t’u delegohej kompanive private.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili inicioi këtë koncesion iu përgjigj akuzave se përmes partneritetit publik-privat do të bëheshin investime të rëndësishme në këtë shërbim, të cilat sipas tij do të rrisin cilësinë e analizave dhe do të mundësojnë çertifikimin ndërkombëtar të laboratorëve.

Aleksandra Bogdani

PD: Referendum për plehrat

Partia Demokratike është e vendosur për të mbajtur një referendum popullor për çështjen e importit të mbetjeve, pavarësisht se sot Konferenca e Kryetarëve e rrëzoi kërkesën e saj për ta futur në seancën e nesërme të Kuvendit.
Kryetari i Grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho, deklaroi pas mbledhjes se PD-ja do të ushtrojë presion për të mbajtur referendum për çështjen e importit të mbetjeve dhe do të fillojë, duke plotësuar mangësitë teknike që bënë që kërkesa e saj të refuzohej nga mazhoranca.
“Kjo kërkesë, tha Spaho, është zvarritur me qëllim nga mazhoranca, por ne insistojmë që kërkesa të futet në rendin e ditës së Kuvendit madje që në seancën e nesërme. Mazhoranca e rrëzoi duke u kapur pas disa elementëve teknikë, por ne do t’i plotësojmë mangësitë teknike dhe do të ushtrojmë presion që këtë referendum ta kryejmë, sepse është e drejtë që buron nga Kushtetuta, që forca jonë politike të kërkojë mbajtjen e tij, por edhe të drejtë e qytetarëve që të shprehen për të ardhmen e tyre”.
Konferenca e Kryetarëve diskutoi për ngritjen e Komisionit Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore, ku të gjitha palët politike kanë rënë dakord në parim për nisjen sa më parë nga puna të tij.
Kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, në një dalje për mediat pas mbledhjes tha se po punohet për të finalizuar objektin, përbërjen dhe kohën.
Nëse përmbyllet deri nesër, tha ai, do të kalojë në seancë, në të kundërt javën e ardhshme.
“Domosdoshmëria e realizimit të një reforme të tillë, është objektivi kryesor i PD në këtë legjislaturë bazuar në femomene shumë negative në zgjedhjet e 2013, 2015, 2017, veçanërisht blerja e votës. Në lidhje me këtë çështje dëshirojmë që Komisioni të ketë kohën e nevojshme. Të mos përsëritet eksperienca e viteve të shkuara, ku Komisioni është krijuar në periudha afër zgjedhjeve dhe për rrjedhojë nuk ka pasur mundësi të kryejë punën e planifikuar, përfshirë edhe rekomandimit e OSBE-ODIHR. Theksova që duhet të fillojë punë një orë e më parë në mënyrë që në zgjedhjet vendore të 2019 të mund të realizojmë objektivin më të rëndësishëm të kësaj pakete që është votimi dhe numërimi elektronik.
Ka dhe një premtim nga Kryeministri në maj të këtij viti, ku u shpreh se në zgjedhjet e ardhshme do të votohet dhe do të numërohen në mënyrë elektronike. Prandaj, insistuam që Komisioni të fillojë sa më parë nga puna dhe besoj se do fillojë shpejt pasi në parim u shprehën dakord edhe përfaqësuesit e mazhorancës, por edhe partia tjetër në opozitë, LSI. Po punohet nga palët për të finalizuar objektin, përbërjen dhe kohën. Nëse do arrijmë t’i mbyllim deri nesër do të kalojë në seancë, në të kundërt në seancën më të parë, që i bie javën e ardhshme.
Spaho tha se në Konferencë “diskutuam për organet e Vetingut dhe ne shprehëm mbështetjen për të gjithë procesin, mbështetjen e institucioneve me burime njerëzore dhe financiare, gjë që nuk ndodhi në Komisionin e Ligjeve, ku u bënë shkurtime. Por, ne do të paraqesim amendamentet tona në mënyrë që këto organe të kenë të gjithë mbështetjen e nevojshme, si është parashikuar që në hartimin e këtyre dokumentave. Kthimi pas i PS-së është i pajustifikueshëm”.
Pika e tretë e diskutuar, rrëfeu Spaho, ishte nisja e punës për Reformën Zgjedhore, votimin dhe numërimin elektronik, që në zgjedhjet e ardhshme, çështje për të cilën është rënë dakord në parim me mazhorancën dhe LSI-në”, tha Spaho.

Shndërrimi i Shqipërisë në pikë grumbullimi plehrash

Ndonëse parimisht duket se qeveria u tërhoq nga ligji i plehrave, duke miratuar dekretin e Presidentin Nishani që kërkonte ndryshimin e disa neneve të cilësuara si antikushtetuese, në të vërtetë ajo çka Rama po synon të bëjë është qetësimi i debateve dhe rigjetja e një tjetër mënyre për kalimin pa zhurmë të këtij ligji. Burime brenda PS bëjnë me dije se shumë shpejt diskutimet për një ligj të ri plehrash të amenduar do të nisin dhe ështw e sigurtë që ky ligj do të miratohet brenda një kohe relativisht jo shumë të shkurtër . Rama, në një intervistë për një media franceze pranoi se, ligji i mbetjeve do të miratohet. Përmes një rezolute të mbajtur të fshehur, Këshilli i Ministrave paralajmëron mbi rreziqet e tregut dhe thekson se industrisë së riciklimit nuk i duhet importi për të mbijetuar, pasi 83% e mbetjeve që prodhohen në vend rezultojnë të paricikluara. Rezoluta e përgatitur vitin e kaluar, në emër të Këshillit të Ministrave ka shprehur rezerva të forta përsa i përket rikthimit të importit të plehrave. Kjo rezulton nga një rezolutë e fillimgushtit të 2016 përmes së cilës, qeveria jep mendimin e saj për ligjin e propozuar nga 3 deputetë të majtë. Relacioni, i cili nuk është bërë publik nga 3 propozuesit e ligjit gjatë fazës së diskutimeve, thekson se një prej rreziqeve kryesore ka të bëjë me vetë tregun e riciklimit të mbetjeve dhe mundësinë që mosrespektimi i kontratave ta kthejnë Shqipërinë në vend grumbullimi të disa milionave mbetjesh shtesë. Partia Demokratike, qytetarët, Shoqëria Civile, Aleanca kundër Importit të Plehrave kanë shprehur rezervat lidhur me ndryshimet në ligj, ndërsa kanë paralajmëruar kundërshtimin e miratimit të këtij ligji me të gjitha forcat.

Montella: Moment i vështirë

Në vigjilje të sfidës që kuqezinjtë e Milanit presin të zhvillojnë me kroatët e Rijekës në Europa League, trajneri Vincenzo Montella ishte në dispozicion të gazetarëve në një konferencë për shtyp. Trajneri e nisi fjalën e tij me një falendrim për drejtuesit e shoqërisë kuqezi, si dhe një përshëndetje të ngrohtë për Emanuele Marran, ish-përgatitësi atletik i kuqezinjve, të cilin e etiketoi si një mik dhe bashkëpunëtor shumë të ngushtë.
Falenderoj Fassonne dhe Mirabellën që më qëndrojnë gjithnjë pranë dhe më kanë lënë të lirë në zgjedhjet e mia. Si në rastin e Marras. Personalisht e konsideroj si një vëlla, por fatkeqësisht në aspektin profesional nuk e kishim më sintoninë dhe nuk ndanim më të njëjtin vizion, çka na krijoi vështirësi. Vendimi që mora ishte i vështirë, por i domosdoshëm. Sa i takon pasardhësit, kam një preferencë dhe jam në pritje të përgjigjes së tij. Pas kritikave të forta që mori pas disfatës në Genoa përballë Sampdorias dhe faktit se gjithmonë në humbje qëndron i qetë Montella u shpreh: Kanë qenë të shumta kritikat që kam marrë ditët e fundit, por unë besoj se jam një njeri i ekuilibruar. Rruga në të cilën po eci besoj se është ajo e duhura dhe realisht nuk ndihem në vështirësi. Unë jam një luftëtar nga natyra dhe mendoj se në dy sfidat e rradhës me Romën dhe Interin mund të bëjmë mirë. Tani duhet të ecim përpara. Me Milanin që në kampionat nuk e kam luksin për të humbur pikë edhe koha që i ka mbetur Montellës për të bërë mirë duket se është më e kufizuar. Gjithsesi, trajneri e argumenton kështu rënien e rendimentit:
Shumë prej lojtarëve nuk janë mësuar të luajnë çdo tre ditë, faktor që duhet të marr në konsideratë kur bëj zgjedhjet e mia. Në Genoa u pa një skuadër e dobët në aspektin psikologjik, por ju siguroj se jemi të vendosur për ta superuar këtë moment negativ. Rijeka nuk është një skuadër e lehtë për t’u përballur, sepse ka lojtarë që fizikisht qëndrojnë shumë lart, ndaj do na duhet të djersijmë për të marrë fitoren. Edhe zhgënjimin e tifozëve e kuptoj, por në Europa League po ecim mirë. Në një farë mënyre i kishim parashikuar dhe këto vështirësi, por jam i bindur se do t’i superojmë të gjitha.
Pas merkatos mbresëlënëse që Milani ndërrmori këtë verë, përgjegjësia që iu ngarkua Montellës ishte e madhe ashtu sikundër edhe pritshmëritë ndaj teknikut, që ishte i vetëdijshëm për kohën e limituar që kishte në dispozicion për të organizuar gjithçka. Lidhur me grupin që tashmë ka në dispozicion, Montela shton: Për sa i takon merktos nuk kam as dyshimin më të vogël në punën e bërë dhe efektivitetin e saj. Kemi bërë disa lëvizje të rëndësishme, duke marrë lojtarë që shumë shpejt do të kthehen në kampionë. Kjo skuadër është e destinuar për t’u rritur gjatë 5 viteve të ardhshme, ndoshta edhe pa mua.

Manchester United shënjestron Dybalan

Një luftë milionash pritet të nisë mes Real Madridit dhe Manchester United për Paulo Dybala. Një ditë më parë shtypi spanjoll shpallte lajmin se argjentinasi ishte njeriu i përzgjedhur nga Florentino Perez, i cili para tij do të anashkalonte Lewandowskin dhe Edinson Cavanin. Ndërkohë që siç raportojnë të përditshmet britanike, Manceshter United ka ndërmend të cënojë planin e Florentino Perez për të shtuar listën e galaktikëve që veshin fanellën e Los Blancos. “Daily Mirror” dhe “Daily Star”, vijnë me argumentin se vetëm Antoine Griezmann mund të shpërqendrojë klubin mbretëror të Realit nga objektivi Dybala dhe mbi të gjitha shtojnë faktin se, ekipi i Mourinhos kërkon me ngulm shërbimet e sulmuesit të Juventusit.
Ed Woodward administratori i deleguar i Djajve të Kuq, ka njoftuar përfaqësuesit e Dybalas që në rast se do të vendosë të largohet nga Torino, Mancehster United është gati për ta çuar atë në Premier League, ku Mourinho është një nga ata që e vlerësojnë më së shumti argjentinasin. Siç kujtojnë shtypi britanik, Woodward ka një marrëdhënie mjaft të mirë me administratorin e bardhezinjve Beppe Marotta, pas marrëveshjes së mbyllur me sukses për Pogba. Vet mesfushori francez, Pogba do të ishte mjaft i lumtur që Djajve të Kuq t’i bashkohej ish-shoku i tij i skuadrës, për të cilin siguron se është një fenomen.

Vizioni i Macron për reformimin e BE-së

BE-ja është “shumë e ngadaltë, shumë e dobët, shumë jo efikase”, ankohet presidenti i Francës. Në një fjalim parimor, Emmanuel Macron shpalosi një gamë të gjerë me propozime për reforma.
Presidenti i Francës do ta forcojë Europën nga brenda dhe t’i japë një orientim të ri strategjik asaj në botën e globalizuar. Në një fjalim parimor në universitetin me traditë të Parisit Sorbonne, Emmanuel Macron katër muaj pas marrjes së postit shpalosi planin e tij të madh për të ardhmen e afërt të Bashkimit Europian. Me interes u prit kryesisht programatika franceze në çështjet e financave dhe të ekonomisë, si dhe zhvillimit të mëtejshëm të BE-së.

Buxhet eurozone dhe ministër Financash në eurozonë
Pavarësisht rezervave edhe nga Berlini, Macron po çon përpara planin e tij për një “revolucion buxhetor”. Ai theksoi në Paris, se në reformat e nevojshme ai nuk ka “asnjë vijë të kuqe”, por vetëm “horizonte”. Pavarësisht kritikave nga partia liberal-demokrate FDP dhe unioni konservator CDU, kreu i shtetit në Francë theksoi kërkesën e tij për një buxhet të mëvetësishëm për vendet me monedhën e përbashkët europiane, si dhe një ministër Financash për këtë zonë. Por nuk duhet që nga kjo arkë e përbashkët e BE-së të përgjithësohen borxhet e vjetra apo problemet financiare të vendeve të veçanta, nxitoi të nënvizojë Macron.

Taksat e ndërmarrjeve
Duhet menduar, që ky buxhet i përbashkët të financohet me një taksë. Ai përmendi si opsion për këtë taksën e ndërmarrjeve, që në Europë duhet të unifikohet në një normë minimale. “Ne kemi nevojë për një buxhet të fortë në zemër të Europës, në zemër të eurozonës”, apeloi politikani liberal i majtë.
Macron bëri thirrje gjithashtu për një etapë të re për një taksë të transaksioneve financiare për të gjitha vendet e BE-së. Të ardhurat prej kësaj takse mund të përdoren për shembull, për zhvillimin. Një taksë e tillë për transaksionet financiare ndaj bizneseve në bursë ka qenë fillimisht në mbarë botën dhe më 2013 ajo dështoi në nivelin mbarë europian.
Ndër kërkesat qendrore të Macronit bën pjesë edhe forcimi i përpjekjeve të përbashkëta në BE për mbrojtjen dhe armatimet. Krahas një buxheti ushtarak në nivel europian ai bëri thirrje edhe për një “trupë të përbashkët të ndërhyrjes” dhe “një doktrinë të përbashkët” në sektorin e mbrojtjes.
Në luftën kundër terrorizmit, Macron var shpresa të mëdha tek një “prokurori speciale europiane”. Macron kërkon gjithashtu një akademi të shërbimeve sekrete për BE-në. Po ashtu, ai preferon edhe një “autoritet europian për azilin”, në mënyrë që kërkesat e refugjatëve të mund të shqyrtohen më shpejt. Edhe një polici kufitare europiane është e nevojshme sipas tij.

Gabriel: Macron mund të llogarisë me mbështetjen e Gjermanisë
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel (SPD), i përshëndeti propozimet e presidentit francez. Macron, tha Gabriel në Berlin, ka “dhënë një apel të guximshëm, pasionant kundër nacionalizmit dhe për Europën. Gjermania dhe Franca duhet ta shfrytëzojnë shansin, për ta bërë BE-në më demokratike dhe më të mirë për të ardhmen.
Si tema qendrore për një reformë në BE, Gabriel përmendi politikën e migracionit, sigurimin e kufijve të jashtëm të BE-së, punësimin, forcimin e eurozonës dhe një politikë të përbashkët për klimën. Sipas tij i nevojshëm është në radhë të parë një “vullnet i përbashkët europian”, për t’i zgjidhur bashkërisht detyrat. “Emmanuel Macron tregoi sot, se ai e ka këtë vullnet. Ai mund të mbështetet tek ne”, theksoi Gabriel.

Përse pikërisht pas zgjedhjeve në Gjermani?
Në qarqet qeveritare të Parisit momenti i zgjedhur nga Macron për këto deklarata është i favorshëm. Nuk duhet pritur, derisa në Berlin të kenë përfunduar bisedimet e koalicionit, thuhet, se pastaj bëhet vonë për ta influencuar një debat mbi Europën. Pas zgjedhjeve në Gjermani për Europën hapet një kapitull i ri, e duhet nisur menjëherë me krijimin e opinionit, nuk duhet humbur më kohë, ky është lajtmotivi në pallatin Élysée.