22.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Koncesioni i ri me barnat dhe ryshfeti 32.6 milionë dollarë

Koncesioni i pullave të ilaçeve merr përmasat e një skandali të rëndë korruptiv, teksa qeveria shqiptare po bën biznes me një kompani të përfshirë në afera të mëdha korrupsioni në disa shtete të botës. SYRI.net zbardh dokumente që faktojnë se SICPA është dënuar për korrupsion dhe kërcënim të sigurisë kombëtare në Brazil dhe Kenia, ku ka paguar dhjetëra miliona dollarë ryshfete tek qeveritarët për të fituar koncesionin e pullave fiskale. Skandali shpërtheu në 1 korrik të vitit 2015, kur policia braziliane mësyu në zyrat e kompanisë zvicerane. Sipas agjencisë prestigjioze “Reuters”, SICPA kishte paguar 32.6 milionë dollarë ryshfete për zyrtarët e Ministrisë së Financave të Brazilit, për të fituar koncesionin e pullave fiskale të birrës dhe pijeve alkoolike.
Pas hetimit, Marcelo Fisch, njëri prej zyrtarëve të lartë të Ministrisë braziliane të Financave që kishte përfituar ryshfet u dënua me burg, ndërsa kontrata e koncesionit me SICPO u prish. Por Brazili nuk është rasti i vetëm, ku kompania zviceriane është përfshirë në korrupsion. Në Kenia, ku kompania ka marrë menaxhimin e gjurmimit të mallrave të akcizës, ajo është akuzuar për kërcënim të sigurisë kombëtare dhe vjedhje në shuma të mëdha.

Koncesioni i ilaçeve

Qeveria shqiptare ka dërguar një projektligj në Parlament, i cili i jep kompanisë SICPA koncesionin monopol të vendosjes së pullave fiskale mbi ilaçet. Por çfarë parashikon ky koncesion. Sipas projektit, kompania do të vendosë pullat mbi çdo ilaç që qarkullon në territorin e Shqipërisë. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, aktualisht në Shqipëri konsumohen 40 milionë copë barna në vit. Çmimi aktual që paguhet për pullën fiskale është 0.3 lekë për copë dhe këto të ardhura i shkojnë buxhetit të shtetit. Por me miratimin e koncesionit, çmimi do të rritet me mbi 30 herë, duke arritur 70 euro për 1 mijë copë, ose 9.3 lekë për copë.
Projeksionet e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se, konsumi i pritshëm i barnave pritet të arrijë shumë shpejt në 60 milionë copë në vit. Kjo do të thotë se, përmes koncesionit qeveria po i jep kompanisë SICPA një biznes prej 560 milionë lekë ose mbi 5 milionë dollarë në vit. Por përveç tarifës së pullës, kompania do të arkëtojë miliona lekë të tjera edhe nga shitja e lexuesve të bar-kodeve. Tre mijë farmacitë që ekzistojnë aktualisht në Shqipëri do të jenë të detyruara me ligj të blejnë nga kompania aparatet e posaçme, të cilët do të lexojnë bar-kodet e pullave fiskale të vendosura mbi ilaçet.
Bëhet fjalë për një koncesion me vlerë qindra milionë euro, para që do të paguhen nga qytetarët e sëmurë shqiptarë, të cilat qeveria po ja jep me ligj një kompanie të përfshirë në afera të rënda korruptive gjithandej nëpër botë.
Aktualisht çmimi i pullës fiskale është 6 lekë për pullë, qeveria ka vendosur ta ndryshojë çmimin në 2,4 për qind të çmimit. Kjo do të thotë se do të rritet çmimi i pullës fiskale për çdo bar më të shtrenjtë se 240 lekë. Për barnat e shtrenjta, çmimi i pullës do të rritet në mënyrë të ndjeshme deri në dhjetëra herë. Kjo rritje do të çojë patjetër në rritjen e çmimit të barnave dhe nëse kemi parasysh përvojën e mëparshme, rritja do të jetë më e madhe se rritja e çmimit të pullës, raporton “Exit”.
Ndikimi më i madh do të jetë për pensionistët, të cilët jo vetëm harxhojnë më shumë barna se të tjerët, por janë gjithashtu shtresa me të ardhura më të pakta. Qeveria e justifikon ndryshimin e çmimit me ndryshimin e llojit të pullës që do të përdoret-pullës do t’i rritet sistemi i sigurisë. Por, pas këtij justifikimi, fshihen shkelje flagrante të ligjit që përbëjnë një skandal të pastër.
Tani qeveria po ndërmerr një hap krejtësisht të paligjshëm, duke ndryshuar një kontratë koncesionare në mënyrë të paligjshme. Ndryshimi i çmimit të pullës cënon krejtësisht konkurrencën, legjitimitetin dhe ligjshmërinë e konkurrimit për dhënien e koncesionit: është skandal që fituesi të përzgjidhet në bazë të çmimit më të ulët dhe pas përzgjedhjes, fituesit të lejohet të aplikojë një çmim më të lartë.
Skandali është më i vjetër sesa ndryshimet e fundit: në vitin 2011 koncesionari e fitoi konçesionin, duke ofruar çmimin 2,4 lekë për pullë; por në vitin 2013 qeveria, në mënyrë të pashpjegueshme dhe me gjasa korruptive, e rriti çmimin në 6 lekë, gati tre herë më të lartë. Kjo është një rritje skandaloze në më pak se dy vjet, pasi konçesionari kishte marrë përsipër ta ofronte pullën me çmimin prej 2,4 lekë.

Nga 200 mijë euro në vit, me formulën e re koncesionari do përfitojë 5.3 milionë euro

Nëse qeveria justifikohet se do të ndryshojë llojin e pullës fiskale të barnave që do përdoret ç’ka është e paqartë dhe shumë e dyshimtë, nëse është e vërtetë–ajo duhet të zhvillojë një procedurë të re koncesionare, pasi bëhet fjalë për një produkt tjetër nga ai i koncesionit fillestar dhe jo të ndryshojë kontratën ekzistuese.
Por skandali më i madh është vendosja e çmimit të pullës si përqindje dhe jo me vlerë fikse. Edhe pse kostoja e pullës dhe e shërbimit të monitorimit të saj është fikse, çmimi i pullës do të ndryshojë në varësi të çmimit të barit. Aktualisht të ardhurat e kompanisë nga pulla fiskale për barnat janë rreth 200 mijë euro në vit. Ndërsa me formulën e re koncesionari do të marrë rreth 5, 3 milionë euro.
Skandali thellohet, pasi me ndryshimet e reja të bëra nga qeveria, koncesionarit i garantohet kjo shumë edhe nëse vlera e tregut farmaceutik në vend bie nën vlerën aktuale prej 128 milionë euro në vit. Ndryshe nga më parë, kur pagesën e pullës fiskale e bënin vetë importuesit apo prodhuesit e barnave, kontrata e re e propozuar nga qeveria parashikon që pagesa e koncesionarit do t’i bëhet nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Kontrollit të Pajisjeve. Koncesionarit kontrata e re i jep të drejtën të ndërpresë furnizimin me pulla fiskale për barnat, nëse Agjencia Kombëtare e Barnave nuk i paguan atij të gjitha faturat. Koncesionari nuk mban asnjë përgjegjësi për pasojat e këtij bllokimi. Kontrata, madje nuk i njeh koncesionarit asnjë përgjegjësi për vonesa apo probleme të shkaktuara prej vetë tij në përmbushjen e detyrimeve të kontratës, të cilat, në fakt, ndikojnë në ecurinë e tregut të barnave në vend.
Çfarëdo që të ndodhë, sido që të punojë, koncesionari ka të garantuar pagesën e tij dhe nuk ka asnjë detyrim tjetër. Në të vërtetë, të gjitha të dhënat të bëjnë të besosh se ndryshimi i kontratës, i lënë qëllimisht për ditën e fundit të sesionit të Kuvendit për vitin 2016, është bërë për përfitime klienteliste dhe korruptive.

Të karikuar për eliminatoret

19-vjeçarët kuqezi janë gati për eliminatoret e Euro 2018 që do të zhvillohen në Finlandë. Skuadra e drejtuar nga Erjon Bogdani ka nisur përgatitjet në Durrës për tri ndeshje të rëndësishme, fillimisht me Ukrainën dhe më pas me Norvegjinë dhe Malin e Zi. Rama dhe Berisha zbresin në fushë, sigurisht jo ata të politikës, por të futbollit sepse në konferencën e shtypit, Bogdani preferoi të përzgjidhte dy nga lojtarët simbol të kësaj skuadre.
Kapiteni Rezart Rama shprehet i gatshëm për të përballuar me sukses këto tri sfida. Ai është optimist dhe shton se miqësoret me Gjeorgjinë e kanë ndihmuar skuadrën të konsolidohet edhe më shumë. Shqipëria sfidon Ukrainën në “Selman Stermasi” dhe kapiteni kërkon mbështetjen e tifozëve. “Duhet të vijnë të gjithë tifozët të na mbështesin sepse janë lojtari i 12 në fushën e lojës”, tha Rezart Rama.
Në vijim të konferencës së shtypit, mbrojtësi përqendrohet te aventura e tij te Olympiacos, duke e pranuar se ish-trajneri i bardhekuqve, Besnik Hasi i ka dhënë një ndihmë të madhe. “Firmosa me Olympiacos, jam shumë i gëzuar dhe duhet ta tregoj në fushën e lojës sepse kontrata nuk do të thotë shumë nëse nuk shprehem në fushë. Hasi na ka ndihmuar, ishte trajner shumë i mirë”.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe mesfushori Elvi Berisha, sipas të cilit, grupi i bashkuar kuqezi mund t’ia dalë mbanë në këto tri ndeshje.
Berisha: “Mendoj se janë tri ndeshje shumë të vështira, por kjo nuk do të thotë se kundërshtarët janë më të mirë. Kemi një grup të mirë lojtarësh dhe do të japim maksimumin. Nuk na intereson cila skuadër është në fushë, për ne janë të gjithë të barabartë dhe duhet të marrim maksimumin nga çdo ndeshje”.
Gjatë merkatos së verës, ish-lojtari i Tiranës ka nisur një aventurë të re në Spanjë me Leganes dhe ai e pranon se kjo është një sfidë personale që duhet fituar për t’u rritur si lojtar. “Leganes është një aventurë e fortë, atje ndjehem mirë sepse është ekip i madh dhe shpresoj të jem sa më shpejt pjesë e ekipit të parë. Kur luan në Spanjë është shumë pozitive”, tha ai.

Lamtumirë Montela!

Humbja në transfertën e Gjenovës kundër Sampdorias mesa duket ka shkaktuar një krisje të pariparueshme mes trajnerit Vincenzo Montela dhe drejtuesve të klubit të Milanit. Administratori i deleguar, Marco Fassone ka drejtuar gishtin e akuzës ndaj trajnerit toskan dhe skuadrës që ai ka ndërtuar, duke theksuar se me këto rezultate zhgënjyese, skuadra nuk do ta arrijë kurrë zonën e Champions League. Merkatoja e paprecedentë tashmë është një kujtim i shkuar sepse lojtarët duhet të tregojnë në fushën e lojës se sa vlejnë dhe mesa duket, Montela nuk ka arritur të marrë më të mirën prej tyre. Kjo ka bërë që të qarkullojnë edhe zërat e parë për emrat e mundshëm që mund të zëvendësojnë trajnerin aktual. Njëri prej tyre është një njohje e vjetër e Milanit, Karlo Ançeloti.
Trajneri aktual i Bayernit të Mynihut nuk po kalon një periudhë pozitive në Bavari dhe nuk do të ishte kundër një rikthimi të mundshëm te skuadra që dashuron. Emri tjetër është Antonio Konte. Timonieri i Chelsea-t në një intervistë dhënë ditët e fundit ka theksuar se futbolli italian dhe vendi i tij i mungojnë shumë. Kaq ka mjaftuar që emri i ish-trajnerit të Juventusit të lakohet në Milanello edhe pse aktualisht është ende herët. Dy ndeshjet kundër Romës dhe Interit do të jenë testet e vërteta të Montelës, i cili duhet të marrë maksimumin nëse dëshiron të vazhdojë projektin e nisur një vit më parë.
Deklaratat e Marco Fassones, menjëherë pas humbjes ndaj Sampdorias mund të lexohen fare qartë. Nuk ishin një shuplakë e mirëfilltë ndaj skuadrës, së cilës i mungoi dëshira dhe dukej e dembelosur, por mund të konsiderohen një paralajmërim i qartë ndaj të gjithëve, me Montelën në krye: nuk mund të tolerohen më gabime të tjera.
Objektivi i deklaruar dhe i detyrueshëm për Milanin, siç është theksuar prej fillimit, është kualifikimi në edicionin e ardhshëm të Champions League. Një objektiv që duket i largët në këto 6 javë kampionati, jo më shumë për sasinë e pikëve, sesa për cilësinë e lojës së shfaqur nga skuadra, por që është drejtpërdrejt i lidhur me rezultatet e sfidave ndaj rivalëve direktë. Kjo sepse merret si i mirëqenë fakti që, në ndeshjet ndaj skuadrave teknikisht dhe teorikisht inferiore, Milani të mos humbasë më pikë.
Pikërisht duke nisur nga Roma, Montela do të luajë një pjesë të rëndësishme të së ardhmes së tij. Deri më tani, askush në radhët e shoqërisë kuqezi nuk e ka përmendur konkretisht zëvendësimin e trajnerit, edhe pse ka disa zëra që flasin për një tentativë ndaj Mazzarrit. Por, nëse humben të tjera pikë ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë për 4 vendet e para, do të shkonte drejt dështimit edhe projekti për rilindjen e Milanit dhe do të bëheshin të pavlera sforcot ekonomike të bëra gjatë merkatos së verës nga pronarët kinezë.

Strakosha ka fituar besimin e Inzaghit

“Ndërhyrja e Strakoshës ishte vendimtare, njëlloj sikur të kishte shënuar një gol sepse Verona do të kishte rihapur ndeshjen. E falënderoj, duhet të vazhdojë me të njëjtin shpirt gare. Kam dashur ta mbaja kur drejtoja të rinjtë e Lazios sepse ka qenë përherë i gatshëm”. Ky është komenti që bëri Simone Inzaghi pas ndeshjes Verona-Lazio ku numri 1 i portës bardhekaltër bëri një pritje të pabesueshme kur rezultati ishte fiksuar në shifrat 2-0. Verona tentoi të rihapte ndeshjen me Fossatin dhe topi dukej i destinuar për të përfunduar në rrjetë, por dora e djathtë e portierit shqiptar rezultoi vendimtare. Një superpritje, por me të tilla ndërhyrje gardiani i Lazios i ka mësuar tifozët bardhekaltër. Në finalen e Superkupës Strakosha nuk lejoi që të prekej porta e tij pas finalizimit të Cuadrados në fillim të ndeshjes, ndërsa kundër Milanit, i mohoi golin sulmuesit kuqezi Kaliniç.
Nuk përfundojnë këtu mrekullitë e 22-vjeçarit shqiptar që shpëtoi portën e Lazios nga goli i tretë në Gjenovë kundër Genoas kur rezultati ishte fiksuar në shifrat 2-2. Strakosha e ka përligjur besimin e trajnerit Inzaghi që tashmë beson verbërisht tek aftësitë e të riut shqiptar që si për ironi të fatit, përfitoi nga largimi i një tjetër shqiptari, Etrit Berisha, për të treguar aftësitë e tij. Strakosha është i vetmi nga skuadra bardhekaltër që është aktivizuar 720 minuta duke kaluar në këtë klasifikim edhe sulmuesin Luis Alberto. Rezultatet dhe paraqitjet e numrit 1 i japin të drejtë klubit dhe trajnerit, 22-vjeçari kuqezi do të mbetet për shumë kohë në katërkëndëshin e futbollit të rëndësishëm europian.

Çekiçi shënon për Dinamo Zagreb B

Endri Çekiçi shënon golin e dytë personal këtë sezon me skuadrën e Dinamo Zagreb B që militon në kategorinë e dytë të futbollit kroat. Mesfushori i lindur në Pogradec realizoi një gol spektakolar nga rreth 25 metra duke e ndalur topin në rrjetë. Ky ishte goli i tretë për skuadrën kryeqytetase në këtë takim ku triumfoi me rezultatin 3-1 ndaj Sibenik. Çekiçi e ndali topin në rrjetë në minutën e 60 duke mbyllur përfundimisht llogaritë e sfidës ku Dinamo Zagreb B doli me 3 pikë për të konsoliduar pozitat në krye të klasifikimit me 16 pikë, 1 më shumë se skuadra e dytë e Hajdukut të Splitit.

Ajeti sërish në formacionin e javës

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti, vazhdon të mahnitë me performancat e tij në Serinë A. Këtë javë Krotone arriti fitoren e parë në kampionat duke mposhtur Beneventon me rezultatin 2-0 dhe futbollisti shqiptar ishte i pakalueshëm për sulmuesit kundërshtarë.
Për herë të 3-të në 6 javët e para të Serisë A, ai është vlerësuar maksimalisht nga mediat italiane për paraqitjen e tij duke u përfshirë në formacionin më të mirë të javës krahas futbollistëve si Pjaniç, Dibala, Xheko dhe Imobile.

Januzaj: Zgjodha Belgjikën sepse ndihem belg!

 

Tabloidi britanik “Daily Mail” i kushton faqen e parë sulmuesit me origjinë shqiptare, Adnan Januzaj, karriera e të cilit vazhdon të jetë në dishezë pas eksperiencave të dështuara te Man. United dhe Borussia Dortmund. Tashmë, Januzaj i lënë jashtë edhe nga kombëtarja e Belgjikës, ka nisur një rrugë të re në Spanjë me Real Sociedad, aty ku kërkon të ringrihet pasi vitet kalojnë dhe ish-talenti i “Djajve të Kuq” nuk ka më kohë për të humbur. Një hapësirë të madhe, “Daily Mail” i kushton edhe çështjes së kombëtares pasi Januzaj edhe pse me gjak shqiptar, zgjodhi të përfaqësonte Belgjikën duke refuzuar fanellën kuqezi.
Tabloidi britanik thekson se, Januzaj kishte në tryezë 5 alternativa, por zgjodhi Belgjikën dhe për këtë vendim e ka një përgjigje. “Kam lindur në Belgjikë, jam rritur atje dhe kjo është arsyeja pse zgjodha atë kombëtare. Unë jam pjesë e komunitetit belg. Me kombëtaren shkoi gjithçka mirë vitin e parë, por me kalimin e muajve gjithçka u bë më e vështirë”, thekson 22-vjeçari i lindur në Bruksel që e nisi karrierën me të rinjtë e Anderlechtit. Në vijim të intervistës, ai thekson se një nga periudhat më të errëta të karrierës së tij ishte edhe ajo kur Man. United e drejtonte Van Gaal. Sipas sulmuesit, trajneri holandez kishte metoda të pazakonta trajnimi dhe ky fakt e pengoi shumë në rritjen e tij profesionale.

Bekim Balaj kthehet në fushë

Merr fund odiseja e gjatë e problemeve fizike për sulmuesin e kombëtares shqiptare, Bekim Balaj. Bomberi shqiptar u rikthye në fushën e blertë pas një mungese të gjatë. Ai u aktivizua rreth 10 minuta në sfidën Akhmat Grozny-Rubin Kazan ku skuadra nga Çeçenia triumfoi me rezultatin 1-0. 26-vjeçari i lindur në Shkodër qëndronte jashtë fushave të lojës që prej muajit gusht duke humbur edhe dy ndeshjet e kombëtares shqiptare kundër Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë.
Pas rikuperimit të plotë, Balaj u rikthye të luajë në kampionatin rus duke zëvendësuar në minutën e 80 një tjetër shqiptar, sulmuesin Bernard Berisha. Vetëm pak minuta pas hyrjes së tij në fushë, Akhmat shënoi edhe golin e fitores duke u ngjitur në vendin e pestë të klasifikimit. Ndërkohë, sulmuesi tjetër shqiptar i skuadrës çeçene, Odise Roshi e ndoqi këtë 90 minutësh nga stoli. Rikthimi i Bekim Balajt është një lajm pozitiv edhe për trajnerin e kombëtares, Christian Panucci, i cili do të ketë më shumë mundësi zgjedhjeje në repartin e sulmit për dy sfidat e fundit eliminatore kundër Italisë dhe Spanjës.

 

Anjeli mbetet President i Juves

Dënimi me 12 muaj i Andrea Anjelit për raportet me disa grupe ultras, do ta privojë biznesmenin italian në disa çështje dhe pjesëmarrje të rëndësishme te kampionët e Italisë, por ai sërish do të mbetet President. Sanksionet ndaj numrit 1 juventin do t’i imponojnë Anjelit mungesën në të gjitha aktivitetet e Federatës italiane të Futbollit, nuk do t’i lejojnë takime me agjentë të FIFA-s dhe nuk do të mund të përfshihet në diskutimet gjatë ndeshjeve para apo gjatë tyre.
Por Andrea Anjeli do të ruajë poltronën e tij në Shoqatën europiane të Klubeve të Futbollit, si dhe në ekzekutivin e qeverisë së futbollit botëror, kjo përmes hapësirave të ngushta ligjore. Juventus ka njoftuar zyrtarisht se do të apelojë dënimin e Presidentit në çështjen e shumëdiskutueshme me tifozët ultras duke e cilësuar inkurajuese lehtësimin e akuzave, por jo të mjaftueshme në këtë padrejtësi. Si për ironi të fatit edhe organi i akuzës do të kërkojë apelimin e çështjes, duke e quajtur të pamjaftueshëm dënimin e Andrea Anjelit. Prokuroria kishte kërkuar dy vjet e gjysmë dënim për numrin 1 të kampionëve, si dhe dy ndeshje pa tifozë, diçka që u hodh poshtë.
Veç Andrea Anjelit, që personalisht është gjobitur edhe me 20 mijë euro, të dënuar nga gjykata janë edhe Francesco Calvo dhe Stefano Merulla me të njëjtin verdikt si presidenti, por edhe Alessandro Nicola D’Angelo me 3 muaj më shumë pezullim dhe 20 mijë euro gjobë.
Në procesin e zhvilluar me dyer të mbyllura, i nisur nga hetimi penal “Alto Piemonte”, kreu i Prokurorisë së FIGC-së, Giuseppe Pecoraro kishte kërkuar në gjykatë dënimin e presidentit të Juventusit me 2 vite e gjysmë pezullim, si dhe një gjobë prej 50 mijë eurosh.
Prokuroria kishte kërkuar në pretencën e saj edhe dënimin e Juventusit me zhvillimin e dy ndeshjeve me dyer të mbyllura, një tjetër ndeshje me mbylljen vetëm të sektorit “Curva Sud” të ultrasve, si dhe 300 mijë euro gjobë për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të klubit bardhezi sa i përket procesit së shitjes së biletave për ultrasit bardhezi.

Suso rinovon me Milanin

Pas një fundjave dëshpëruese që solli humbja ndaj Sampdorias, e hëna ka nisur me një lajm të mirë për klubin dhe tifozët e Milanit. Talenti spanjoll Suso ka vendosur të rinovojë kontratën që e mban të lidhur me kuqezinjtë, duke e zgjatur atë deri në vitin 2022. Me kontratën e re që lidh spanjollin me Milanin, Suso do të përfitojë rreth 3 milionë euro në sezon, ndërsa konfirmohet se kuqezinjtë kanë vendosur edhe një klauzolë të majme, për klubet e interesuara për shërbimet e tij.
Suso u bë pjesë e Milanit, në vitin 2015, pasi erdhi nga Liverpool, ndërsa më 2016-ën kaloi një aventurë fantastike te Genoa, në huazim. Ai ka luajtur 46 ndeshje për kuqezinjtë, ka shënuar 9 gola dhe shikohet si një nga futbollistët më të rëndësishëm për të çuar para projektin e Milanit. “Jam shumë i lumtur. Gjithmonë kam thënë se dua të qëndroj këtu”, deklaroi Suso, pasi firmosi kontratën e re me kuqezinjtë.