31.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Letra e Kadaresë dhe roli i ri i Sigurimit

A ka një rol të ri Sigurimi famëkeq i Shtetit në manipulimin e dosjeve të diktaturës? Kjo është pyetja që ngrihet pas letrës së hedhur në tregun mediatik të Kadaresë drejtuar diktatorit. Shpërndarësi i letrës rezulton të jetë një individ, i cili prej vitesh është jashtë vendit. Ai për asnjë moment nuk tregon se si i ra në dorë kjo letër dhe kush ia bëri dhuratë për ta postuar në media. Demaliaj rreket të shfaqet si një individ antikomunist dhe bash për këtë bëhet akoma më e dyshimtë mënyra se si ai është bërë shpërndarësi i kësaj letre pa treguar se si e ka shtënë në dorë atë. Ka një rol të ri të Sigurimit të Shtetit duke përdorur individë të tillë, rrënjët e të cilëve të çojnë tek organizmi famëkeq i diktaturës.
Publikimi në media nga ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi të një dosjeje mbi motrën e Ismail Kadaresë ka ngjallur reagime të shumta. I fundit ishte një reagim i Ilir Demaliajt që akuzonte Dervishin se ka shpërndarë materiale seleksionuese dhe i ka dhënë aty ku i duheshin atyre që i shërbente për shpërblimin e postit të drejtorit të emëruar partiak. Nga ana e tij Dervishi thotë se, Demaliaj i njohur gjatë kohës së hapjes së ambasadave është bir i një oficeri të ish-Sigurimit të Shtetit dhe anëtari të PPSH-së.

Reagimi i Demaliajt
Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë.
Në përgjigje të shkrimit tim në gazetën tuaj, ish-drejtori i Arkivës së Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, ndërmjet të tjerave shkruan, “Demalia është vetëm një shpërndarës dokumentesh. Unë (Dervishi) i dal zot vetë çdo materiali dhe askush në botë nuk mund të më përdorë si shpërndarës. Kësisoj Demaliaj le t’i linte “furnitorët” t’i dilnin për zot letrës, të debatonin si të donin e sa të donin.
Demalia nuk është as studiues e as historian”.
Po mundohem t’i përgjigjem sa më shkurt Dervishit, pasi nuk është qëllimi i kësaj përgjigjeje replikimi me Dervishin, që as e njoh e as i kam lexuar ndonjë gjë si studiues dhe historian. Si drejtor i Arkivës së MPB më rezulton se ka shpërndarë materiale seleksionuese dhe i ka dhënë aty ku i duheshin atyre që i shërbente për shpërblimin e postit të drejtorit të emëruar partiak apo dhe gazetës ku ka qenë redaktor, ku dhe mund të ketë pasur pagë suplement në ndihmë të Gazetës 55 me materialet e Arkivës të MPB si drejtor.
Nuk jam i qartë se si e përmban ligji i arkivave këtë shfrytëzim që na i bën nëpunësi i saj, duke na bërë historinë me materialet arkivore që disponon si nëpunës dhe çfarë quhen sekret dhe çfarë janë të deklasifikuara. Sa i lejohet një drejtori t’i shfrytëzojë ato si studime dhe sa nuk i lejohet një studiuesi jashtë arkivave që ka interes të kërkojë për një kohë apo një çështje në arkiva.
Unë di këtë, që shteti dhe administrata shtetërore, ka funksionuar dhe është administruar si pronë private gjatë këtij tranzicioni në shërbim të grupeve të caktuara nga ata që emëroheshin nga partia në shërbim të grupit. Nuk mendoj se Dervishi bën përjashtim në këtë katrahurë shpërdoruese, abuzuese korruptive të sistemit që është ngritur dhe kanë ngritur Dervishin.
Pra shkurt e qartë, unë ndryshe nga Dervishi nuk jam as shpërndarës dhe as kam blerë dhe as kam shitur dokumente apo kam përfituar nga publikimi i tyre.
Nuk kam pretenduar që jam historian apo studiues.
Unë jam një njeri i lirë.
Botoj një letër, pa e interpretuar, pa e falsifikuar. Një letër që, sipas vetë shkrimtarit I.K., ishte letra më rëndësishme e jetës tij. Sipas Dervishit, dokumenti më i parëndësishëm, të cilin e kishte parë përpara 15 vjetësh.
Pas kësaj organizohet një ushtri e tërë duke u munduar të më intimidojë dhe më quajtur si njeri që po sulmoj shkrimtarin I.K.
Letra është publikuar siç është shkruar, pa interpretim. A mund të quhet ky sulm kundër shkrimtarit dhe më tej Perëndimit dhe interesave kombëtare apo sulme kundër kulturës shqiptare?!!
Nuk do të merrem në këtë shkrim as me anën teknike, kur një letër është e deklasifikuar apo jo. Kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka letra që është mbajtur e fshehur nga shkrimtari I.K., si letra më e rëndësishme e jetës tij prej 37 vjetësh dhe e parëndësishme për Dervishin që e dinte prej 15 vjetësh dhe e kishte parë disa herë, por mendonte se nuk ishte me rëndësi për ta publikuar?!!
Pyetja që lind, përse gjithë ky tërbim i madh për një letër, më të rëndësishmen e jetës për shkrimtarin I.K., sipas vetë pohimit të tij kur del letra që nuk e kishte përmendur kurrë? Përse e parëndësishme për ish-drejtorin e Arkivës së MPB Dervishi që e kishte parë disa herë gjatë 15 vjetëve në një kohë që botohen librat e Sinanit, Kaloçit, që bëjnë fjalë për “Kadarenë e denoncuar” dhe raportet e tij me regjimin?
Nuk pres përgjigje dhe nuk i përgjigjem më as Dervishit askujt tjetër, të cilët, duan të zhvendosin çështjen në fraza boshte teknike dhe nuk merren me atë që është substanciale, letrën e shkrimtarit si marrëdhënie me regjimin diktatorial dhe diktatorin.
Garantoj Dervishin, që duhet t’i dijë si ish-drejtor i Arkivës së MPB, por i ka parë dhe i shikon si të “parëndësishme” këto letra, se ka dhe të tjera dhe jo vetëm për shkrimtarin I.K., por edhe për emëruesit e Dervishit në postin e drejtorit të AMPB për të fshehur dosje të emëruesve apo për të hapur dosje të kundërshtarëve për të shantazhuar. A thua Dervishi të jetë kaq naiv dhe kaq i pandriçuar sa mos t’i dijë këto si ish-drejtor i Arkivës? Si naiv, si shërbëtor i emëruesve të tij në postin e drejtorit si shpërndarës-eliminim dokumentesh është i pabesueshëm si studiues në opinionin tim.
Le të merremi me thelbin e problemit.
Kjo letër është e rëndësishme dhe jo vetëm kjo, por edhe shumë të tjera, për të kuptuar raportin e shkrimtarit me regjimin dhe operacionin plastik që duam t’i bëjmë sot shkrimtarit si njeri që ka qenë kundër regjimit apo vendosjen në një rrafsh me ata që u persekutuan dhe u torturuan me dhunë fizike dhe psikike. Një gjë të tillë mundohet ta bëjë edhe Dume po në të njëjtën ditë në “Panorama”. E cila vendos në një rrafsh deponimin e Lubonjës në hetuesi, sikur babai e Todi i ka folur për Kadarenë si shkrimtar kundër regjimit, (gjë që nuk është e vërtetë nga dosja hetimore dhe shpjegimet që jep Lubonja, por e stisur nga vetë Kadareja dhe historianët në fjalë) me letrën që Ismaili i dërgon Enver Hoxhës për të motrën.
Manipulimi dhe gënjeshtrat sot për raportin e intelektualëve, shkrimtarëve, artistëve me regjimin diktatorial dje dhe regjimin demo(n)kratik sot si vazhdim i kulturës së djeshme, jo vetëm të letrave, jo vetëm të historisë, jo vetëm të politikës, por edhe shoqërisë, ka bërë, që gënjeshtra, mashtrimi, vjedhja, abuzimi me pushtetin që shfaqet në të gjitha nivelet e administratës dhe shoqërisë, manipulimi për të simuluar konformizmin dhe shërbimin ndaj pushteteve të së keqes për përfitime personale dhe jo në shërbim të së vërtetës dhe një morali të shëndoshë duke u përplasur dhe luftuar me të keqen, e ka sjellë shoqërinë shqiptare në këtë gjendje ku gënjeshtra dhe të gjitha ato që përmenda nuk janë kthyer vetëm në një normë morale, por janë themel i shtetit të gënjeshtrës, -siç shkruan diku Solzhenicien.
Meqë jemi në rastin e Ismail Kadaresë, shqiptarët si shoqëri dhe as Ismail Kadare si shkrimtar dhe intelektual nuk e kanë ballafaquar ende sot raportin me të vërtetën me diktaturën. Është kjo arsyeja që Ismail Kadare, jo vetëm dje, por edhe sot, vazhdon konformizmin dhe shërbimin me pushtetin duke përfituar dhe manipuluar me operacionin plastik të portretit të tij sipas situatave dhe jo principeve dhe parimeve morale që i takojnë një intelektuali dhe shkrimtari të kalibrit të tij.
Të vendosësh njerëzit që kanë dhënë deklarata bashkëpunimi në kushte dhune fizike psikike, fizike apo gjatë gjyqit ose përpara dënimit me vite burg apo pushkatimit, në një rrafsh me letrat e Ismail Kadaresë drejtuar diktatorit, gruas së tij, Komitetit Qendror, për një rrugë jashtë shtetit apo privilegje të tjera me pushtetin, me shërbimet ndaj pushtetit ashtu si dje dhe sot, siç bën Dervishi në shkrimin e tij, kjo është jo vetëm absurde, por edhe e pamoralshme dhe e neveritshme.
Ismail Kadare për raportet e tij me pushtetin diktatorial nuk ka nevojë t’i hapen arkivat apo dokumentet. Ai ka veprën e tij letrare, publicistike, poezitë, kritikat dhe përbetimet publike për besnikërinë ndaj partisë dhe diktatorit. Urrejtjen kundër klasave të pëmbysura, klerit katolik, shkrimtarëve të ndaluar të paraluftës, kundër miqve të tij që e kishin ndihmuar dhe pas i ngulte thikën publikisht kur këta shpalleshin armiq.
Kadare vazhdon edhe në liri prej 27 vjetësh si konformist i pushtetit, i pushtetit të së keqes që kanë ngritur gjatë këtij tranzicioni regjimet e socialistëve dhe demokratëve me korrupsionin, shkatërrimin e natyrës, emërimet nepotike dhe të njerëzve që i shërbejnë kësaj të keqeje që quhet qeveri, shpërdorimit të parasë publike dhe shtetërore për interesa shërbëtorësh dhe konformistësh për ndërtime muze-shtëpish dhe shtëpish-muze apo falje të tokës publike për shtëpi verimi. Për dhënie fondesh financiare shtetërore, për publikime dhe reklama të veprave të socrealizmit. Për emërime t’vajzës ambasadore sa në UNESKO e sa në UN….
A është ky model moral i një letërsie, intelektuali, shkrimtari?
Po e mbyll fundin e këtij shkrimi, me një thënie të martirit polak të Kishës Katolike që u vra nga komunistët më 1984 Poloni, Jerzy Poieluzesko, “Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”.

Për Demaliajn dhe “furnitorët” e tij

Kastriot Dervishi

Lexova në median online një tekst kundër meje me nënshkrues Ilir Demaliajn. Pasi debatin për çështjen e letrës së Ismail Kadaresë nuk ka se ku ta çojë më, Demaliaj e ka devijuar përmbajtjen e këtij teksti në çështje personale, duke dalë shumë herë jashtë thelbit të asaj që ka shkaktuar diskutime. Unë nuk jam marrë me Demaliajn, pavarësisht se e kisha fare kollaj këtë gjë, por me thelbin e problemit, me letrën që porositësit ia dhanë për të bërë shpërndarësin, duke i shpjeguar publikut se nuk është asgjë e veçantë, por vijim i një praktike të viteve 1978-1980 me të cilën janë goditur një grup intelektualësh në Tiranë, ndër të cilët edhe motra e Ismail Kadaresë. Letra e reklamuar nuk është e veçuar nga këto ngjarje. Nëse shihet si e shkëputur nga mosdija, përligjet, por kur këmbëngulet edhe pas marrjes së dijes, veprimi nuk është veçse tjetërsim i të vërtetës. Synimi i Demaliajt ishte manipulimi i opinionit publik në mënyrë që ky ta shihte Ismail Kadarenë si keqbërës të motrës së vet, për të ndërtuar perceptimin se kur është kaq i keq me të motrën, imagjino si duhet të ketë qenë me të tjerët.
Publikut (si në qershor 2011) i bëra të ditur praktikën e çështjes, që besoj se as Demaliaj nuk kishte si ta njihte. Konkretisht, i kam rrëzuar Demaliajt dy tezat kryesore që i paraqiste publikut:
1- Letra e Ismail Kadaresë nuk është denoncim, por kërkesë për mosdënim.
2- Dosja në ngarkim të motrës nuk është mbyllur në vitin 1978, por në kohën kur u shkua letra, në vitin 1980.
Demaliaj që as më njohka si studiues e historian, (e si përfundim nuk ka lexuar asnjë libër timin apo të vlerësojë çfarë është studimi historik dhe çfarë është përmbledhja e dokumenteve), më “njohka” në largësi dhe nga mërgimi, si “shpërndarës të materialeve seleksionuese” që i paskam dhënë “atje ku duhej” si shpërblim “për postin partiak të drejtorit” (!). Të gjitha fjalitë dhe përcaktimet, në të gjitha formulimet janë shpifje të Demaliajt e asgjë tjetër. Asgjë e thënë prej tij nuk përputhet me karakterin dhe as me krenarinë time. Krijimtaria ime është publike. Mjafton një çukitje (elektronike) në adresën www.bksh.al, ku do të gjesh artikujt nga viti 1999 e deri sot si dhe librat nga viti 2003 e deri sot. Studiues bëhesh, nuk emërohesh. E si të tillë nuk më zhbën as Demaliaj e kushedi kush tjetër pas tij. Çdo përballje e kanë betejë të humbur.
Artikulimi i Demaliajt është i barabartë me qindra letra kundra meje të shkruara nga ish-oficerë të Sigurimit (e përsëris, më kanë nderuar se nuk pres lëvdata nga kjo kategori persekutorësh), që ia drejtonin ministrit Saimir Tahiri gjatë vitit 2014, gjë që tregon se është e njëjta prerje dhe teknologji. Për oficerët e Sigurimit, krimet e komunizmit (gjenocidi kundër njerëzimit) që unë kam denoncuar dhe që do t’i denoncoj pa kurrfarë stepje e droje, përbënin “sekret shtetëror”.
Funksioni i drejtorit (meqë u përmend) është fituar me konkurs e jo me emërim si të kohës së Kadri Hazbiut. Unë nuk kam lindur drejtor. Kam vite që studioj në arkiva në mënyrë të pandërprerë. Arkivat janë jeta ime. Për shembull, në sallën e AQSH-së do të jem të mërkurën. Sigurisht dihet nuk do ta shoh Demaliajn aty.
E dyta, legjislacioni i arkivave (që Demaliaj thotë se nuk e njeh) e ndalon anëtarësinë partiake të punonjësve të rrjetit arkivor. Në rastet kur vërehet se një punonjës i rrjetit arkivor është anëtar partie apo përzihet në aktivitete partiake, kjo është shkelje ligji. Unë nuk do t’i jap leksion falas Demalisë për legjislacionin për arkivat, por mund t’i them se në këtë fushë, jam ndër njohësit më të mirë në vend. Shfrytëzimi i dokumentacionit nuk lidhet me funksionin, por me qëllimin e studimit. Shumica e dokumentacionit është lirisht e shfrytëzueshme.
Meqë më ka bërë “partiak”, do të ishte mirë të më gjente edhe partinë. Ndoshta këtë punën e partisë e ka traditë familjare nga Partia e Punës dhe i sheh gjithmonë gjërat te ajo parti. E unë nuk jam as bir oficeri Sigurimi apo anëtari të Partisë së Punës, siç më rezulton Demaliaj. Nuk kam as të afërm që të kenë punuar në Sigurim e as në burgjet e diktaturës. Për “fat të keq” më ka munguar tradita familjare e anëtarësimit në Partinë e Punës e në Sigurim e si pasojë, nuk jam anëtarësuar kurrë në ndonjë parti.
Këshilltarët e Demaliajt ose thënë ndryshe “porositësit” po e keqdrejtojnë edhe në tekstet e fundit. Unë nuk i kam thënë në asnjë rast që është “paguar” apo jo (sepse nuk kam si ta di këtë). Por i kam thënë qartë se këtë rast është vetëm një shpërndarës dokumenti. Në të gjitha postimet e tij, Demaliaj, ndërsa nuk i dinte as referencën arkivore dokumentit, nuk shpjegon asnjëherë mënyrën sesi u njoh me letrën, sepse nga pozita e shpërndarësit, e njeriut që mori përsipër veprimin, nuk ka çfarë të thotë. Ne studiuesit i njohim të gjithë personat që konsultojnë arkivat. I kuptojmë fare lehtë shpërndarësit apo plagjiatorët sepse nuk dinë as ta referojnë atë që u jepet e gatshme. Dallimi midis shpërndarësit dhe studiuesit është shumë i madh. Studiuesi është njeri që konsulton dokumentet me dhjetëra vite, ndërsa shpërndarësi është kalimtar, kureshtar, person i rastësishëm, që vihet në dispozicion të të tjerëve kur ata kanë frikë të përballen drejtpërdrejt me një dukuri apo person të caktuar.
Teknika e shkrimit të librave është e drejtë e kujtdo autori. Ajo i përmbahet karakterit që ka libri. Sigurisht nuk mund të bëjë analizën e librave të autorëve të tjerë. Por i sugjeroj Demaliajt, meqë tani ka një letër dhe disa të tjera që ia kanë dhënë, të përgatisë një libër me ndonjë titull të egër.
Demaliaj shprehet se është për një ballafaqim të vërtetë me të kaluarën komuniste. Shumë mirë. Edhe unë jam i këtij mendimi dhe bie plotësisht dakord me të. Një gjë e tillë do të thotë një përballje e plotë (jo vetëm shkresërisht) dhe e gjithanshme me makinën shtetërore e partiake diktatoriale, duke filluar me punëtorët operativë të Sigurimit, hetuesit, prokurorët, sekretarët e parë, komandantët e komisarët e kampeve dhe burgjeve, e çfarë të duash tjetër. Nuk është ballafaqim me të kaluarën paraqitja si “prova” e kërkesave njerëzore për të mos u dënuar motra apo të vesh në radhën e parë të krimit shkrimtarët e në bisht të lësh operativët e Sigurimit.
Së fundi, po e mbyll këtë postim, me një fakt tjetër në lidhje me problemin e centralizuar “Shtrigat”. Demaliaj ka thënë disa herë se dosja e Kadrie Kadaresë është mbyllur pasi ajo është këshilluar. Mirëpo, pas këshillimit, ndjekja ka vazhduar. Ja cili është vlerësimi i organeve të punëve të brendshme për të: “Është për t’u theksuar se Kadria ia ka treguar (Asamble Hatibit- shënim) me imtësi faktin që është këshilluar nga ana jonë. Për Kadrien ka materiale edhe nga burime të tjera”.
Kjo do të thotë se pas këshillimit e deri në vitin 1980, Kadrie Kadare ka vijuar në mënyrën e saj agjitacionin e propagandën kundër regjimit, e si e tillë ka qenë sërish në përpunim. Logjikisht letra e Ismail Kadaresë është shkruar në kohën e duhur teksa arrestimi i saj ka qenë i sigurt.

Debat në Këshillin e OKB-së për Kosovën

Në një takim të zakonshëm të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, përfaqësues të Beogradit dhe Prishtinës sërish paraqitën pikëpamje tërësisht të kundërta për situatën në Kosovë, të ardhmen e saj dhe të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Të dyja palët paraqitën qëndrimet krejt të ndryshme dhe rreth mbledhjeve të tilla dhe pranisë së Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Derisa ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, nguli këmbë sërish në vazhdimin e këtij misioni, që sipas tij është i domosdoshëm për të mbrojtur të drejtat e serbëve dhe të pakicave tjera jo shqiptare, ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, tha se UNMIK-u duhet të përmbyllë misionin meqë nuk është më i rëndësishëm tash kur Kosova është vend i pavarur. Ajo tha se Serbia kërkon vazhdimin e takimeve të tilla të panevojshme në të cilat ajo provon të paraqesë një pamje që nuk përkon me realitetin. Ministri i Jashtëm serb tha se sulmet etnike po pengojnë kthimin e serbëve të zhvendosur, ndërsa u ankua për gjenden e trashëgimisë kulturore e fetare. Ai kritikoi edhe UNMIK-un që nuk po u kushton vëmendje në raporte të zhvendosurve dhe përmendi numrin e tyre si dëshmi se serbët kanë pësuar pastrim etnik nga Kosova duke kundërshtuar siç tha, pohimet se Serbia ka kryer gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë. Ai tha se në Kosovë janë kthyer vetëm 1.9 për qind e të zhvendosurve dhe sipas tij në Prishtinë jetojnë 100 herë më pak serbë sesa 30 vjet më parë. Ai e kritikoi për mossukses bashkësinë ndërkombëtare për të vendosur sundimin e ligjit në Kosovë, ndërsa shfaqi shpresën se, siç tha, Gjykata e Posaçme për Krime Lufte në Kosovë do të jetë në gjendje të vendosë drejtësinë në Kosovë dhe Serbia sipas tij, është e gatshme të ofrojë të gjitha dëshmitë për krimet në Kosovë. Ministri serb u bëri thirrje vendeve që e kanë njohur Kosovën që të mos bëjnë thirrje që këtë ta bëjnë të gjitha vendet e botës, ndërsa theksoi se zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të marrë parasysh interesat e të dyja palëve. Duke ritheksuar qëndrimin se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ai e cilësoi shpalljen e saj të njëanshme dhe të panevojshme. Ai u angazhua kundër anëtarësimit të Kosovës në policinë ndërkombëtare INTERPOL, ndërsa theksoi siç u shpreh, gatishmërinë e Beogradit për të vazhduar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ai akuzoi Prishtinën për moszbatim të marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa u zotua se Beogradi do të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ai tha se bisedimet nuk kanë alternativë, por duhet udhëheqje e fortë e ndërmjetësuesit për të siguruar zbatimin e marrëveshjeve, ndërsa vuri theksin tek nisma e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç për të hapur debatin brendaserb lidhur me Kosovën. Ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku tha se Kosova ishte deri tash “konsumuese e sigurisë”, ndërsa tash duhet të ndihmojë infrastrukturën rajonale e botërore të sigurisë. Kosova nuk mund të rrijë si vëzhguese, por të jetë pjesëmarrëse, tha ajo duke theksuar përpjekjet e saj për ngritjen e ushtrisë së Kosovës në partneritet me NATO-n. Ajo tha se ushtria e Kosovës do të jetë e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe vetëm një muaj më herët 58 pjesëtarë të komunitetit serb iu bashkuan Forcës së Sigurisë. Por nuk do të lejohet askush që të vëre veto mbi këtë proces, tha ajo. Ambasadorja Çitaku akuzoi Serbinë për qasje të papranueshme ndaj Kosovës duke iu kundërvënë anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare dhe duke bllokuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedime. Ajo tha se qeveria serbe ka penguar në vazhdimësi proceset në Kosovë, madje ajo pengoi serbët që të marrin pjesë në regjistrimet e popullsisë. Ajo tha se Kosova do t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet përfshirë edhe ngritjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Normalizimi nuk mund të jetë i njëanshëm sikurse as pajtimi, por ai duhet të mbështetet mbi të vërtetën dhe drejtësinë”, tha ajo duke përmendur faktin se autoritetet serbe nuk lejuan ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga që të marrë pjesë në një ngjarje në Beograd ku ajo do të fliste për një libër me dëshmi të grave mbi përdhunimet gjatë luftës në Kosovë. Libri, tha ajo, përmbante dëshmitë se përdhunimet janë përdorur si mjet lufte. Viktimat nuk mund të kenë paqe derisa autorët e këtyre krimeve të mos vihen para drejtësisë, tha ajo. Ambasadorja Çitaku tha se çdo përpjekje për të rishkruar historinë do të dështojë, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është organizatë terroriste, por lëvizja më e suksesshme çlirimtare në historinë bashkëkohore. Ambasadorja Çitaku tha se “Serbia duhet të merret me të kaluarën jo vetëm për shkak të Kosovës, sepse Kosova është e lirë dhe e pavarur dhe kjo nuk do të ndryshojë, por, ajo duhet ta bëjë këtë për hir të fëmijëve dhe të ardhmes së saj”. Duke komentuar debatin e nxitur nga presidenti serb për një kompromis mbi Kosovën, ajo theksoi se “pavarësia e Kosovës, siç është deklaruar më 2008 është kompromisi”. “Ripërtëritja e ideve për ndarje në vija etnike është me rrezik për tërë rajonin. Nëse mohojmë diversitetin në vendet tona atëherë si do të jetojmë dhe bashkëjetojmë në Bashkimin Evropian dhe në një botë të ndërlidhur”, tha ajo duke iu referuar idesë së ministrit serb Daçiç për ndarjen e Kosovës.

Diego Costa do largohet nga Chelsi

Shtohet lista e skuadrave të La Ligas që janë të gatshme t’i vijnë në ndihmë Atleticos së Madridit për Diego Costën. Sulmuesi i përfaqësueses spanjolle, i cili është nxjerrë jashtë skuadre i ka shpallur luftë Chelsit dhe dëshiron vetëm rikthimin te Los Colochoneros. Por për faktin se Atletico nuk mund të firmosë me asnjë futbollist në këtë merkato, bardhekuqtë janë gati ta blejnë sulmuesin e kombëtares spanjolle dhe të huazojnë deri në janar në një ekip tjetër të Primeras. Deportivo la Coruna është një nga skuadrat e interesuara për të patur shërbimet e Diego Costës në pjesën e parë të sezonit dhe me sulmuesin Atletico mund të bëjë të njëjtën gjë siç bëri me Vitolon që e huazoi te Las Palmas.
Carlos Bacca është zyrtarisht sulmuesi më i ri i Villarealit. Nëndetësja e verdhë i uroi mirëseradhjen bomberit kolumbian, i cili te Villareali do të marrë vendin e lënë bosh nga Roberto Soldado dhe do të mbajë veshur fanellën me numër 9. Pas 2 sezoneve Bacca la Milanin, ndërsa në Spanjë ai është transferuar në formë huazimi me të drejtë blerjeje nga ana Villarealit në përfundim të sezonit për një shifër të përafërt me 15 milionë euro.
Kevin Prince Boateng largohet zyrtarisht nga Las Palmas. Mesfushori ganez ka prishur me konsensus kontratën që e lidhte me klubin nga Ishujt Kanarie edhe për tre vitet e ardhshme. Për motive personale Boateng ka vendosur të mbyllë përpara kohe aventurën e tij me Las Palmas-in. Ai do të rikthehet në Bundesligë dhe destinacioni i ri i Kevin Prince Boateng pritet të jetë Eintracht Frankfurt.
Tjetër huazim për Jese Rodriguez-in. Pasi luajti në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar te Las Palmasi në Spanjë, Paris Saint Germain e ka huazuar sërish sulmuesin spanjoll. Jese Rodriguez është transferuar për një sezon te Stoke City në Premier Leaugue. Lojtari pëlqehej edhe nga Fiorentina, por në fund ka zgjedhur të kalojë në ishull.
West Ham nuk dëshiron të ndalet në këtë merkato. Pasi firmosi me dy lojtarë shumë të njohur si Marko Arnautoviç dhe Javier Hernandez skuadra londineze kërkon të bëjë goditjen e madhe në këtë merkato. West Hami po bën gati një ofertë prej 45 milionë eurosh për mesfushorin e Sportingut të Lisbonës, William Carvalho, i cili pëlqehet shumë nga trajneri Slaven Biliç.

Frikë nga Shkëndija

Grupet e Europa Leagues kalojnë nga Shkëndija e Tetovës për Milanin. Këtë të enjte 7 herë kampionët e Europës do të sfidojnë kuqezinjtë tetovarë në sfidën e parë play off që do të luhet në stadiumin “San Siro”. Trajneri i Milanit, Vincenzo Montella nuk i zë aspak besë Shkëndijës, duke e vlerësuar maksimalisht skuadrën shqiptare që luan në kampionatin maqedonas.
“Çfarë vështirësish do të hasim ndaj Shkëndijës? Ata kanë luajtur më shumë ndeshje zyrtare se ne dhe kanë kaluar tri raunde për të mbërritur deri këtu. Në ndeshjen e fundit kanë mundur kampionët në fuqi të Maqedonisë dhe janë në një formë të shkëlqyer. Kanë futbollistë me talent në repartin e avancuar dhe janë të paparashikueshëm. Shkëndija është një skuadër europiane shumë e përgatitur taktikisht. Megjithatë gjithçka varet vetëm nga ne. Ata janë të përgatitur, por ne duhet të mendojmë vetëm për paraqitjen tonë. Nuk jam dakord që çështja e kualifikimit duhet të zgjidhet që në ndeshjen e parë. Se cila skuadër do të avancojë më tej do të vendoset në sfidën e kthimit, në Europë duhet të luash me shumë kujdes”, u shpreh Montella.
Përsa i përket formacionit Montella zbuloi se më shumë gjasa në sulm do të luajë Andre Silva, ndërkohë që foli me superlativa edhe për të riun Cutrone. Trajneri i hapi dyert e kuqezinjve bomberit kroat Nikola Kaliniç, i cili mund të jetë goditja e Milanit në sulm. “Andre Silva kërkon të vihet menjëherë në evidencë, por ja kam bërë të qartë se duhet t’i marrë gjërat me qetësi, ka cilësi të jashtëzakonshme dhe jam i sigurtë se do të ketë një të ardhme të ndritur te Milani. Cutrone është në një formë të jashtëzakonshme dhe duhet të dijë t’i menaxhojë siç duhet forcat. Kush do të luajë në sulm? Dua që Andre Silva të luajë sepse kështu mund të përshtatet dhe të fitojë besimin e publikut, por mund të luajnë edhe të dy pra, Silva dhe Cutrone. Kaliniç? Nuk e di nëse do të vijë, por është një futbollist funksional për lojën e Milanit”, tha ai. Ndaj Shkëndijës Milani do të ketë dy mungesa të rëndësishme, mesfushorin Lucas Biglia dhe mbrojtësin Alesio Romagnoli.
Ky sezon ka nisur në mënyrë fantastike për Shkëndijën e Tetovës që pasi kaloi tri ture në Europa League për të dytin vit radhazi, i bëri edhe një fillim të shkëlqyer kampionatit maqedonas duke mposhtur në javën e parë me shifrat 2-0 rivalët për titull të Vardarit të Shkupit. Edhe pse bëhet fjalë për një emër shumë të madh, Armend Alimi dhe Ardian Cuculi përcjellin qetësi përpara sfidës së parë të play off-it të Europa League.
Milani në letër të tremb, por sipas 30-vjeçarit edhe futbollistët e Shkëndijës kanë eksperiencën e nevojshme për të përballuar me sukses sfida të tilla. Ndaj Milanit në “San Siro” Armend Alimi ëndërron një tjetër gol si ai ndaj Vardarit edhe pse mesfushori 29-vjeçar vë në plan të parë paraqitjen e skuadrës. Edhe pse është shumë inferiore krahasuar me Milanin, Shkëndija nuk ka shkuar për turizëm në Milano dhe për Armend Alimin dhe Ardian Cuculin, kuqezinjtë shpresojnë të largohen me një rezultat të mirë nga “San Siro”.

Asnjë skonto, Ronaldo do mungojë 5 ndeshje

Apeli lë në fuqi dënimin me pesë ndeshje për Cristiano Ronaldon. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, Komisioni i Disiplinës, organ pranë Federatës spanjolle të Futbollit, ka rrëzuar poshtë kërkesën e Realit të Madridit, për të ndryshuar vendimin për pezullim me pesë ndeshje të yllit portugez. Pas dhënies së këtij vendimi katër herë fituesit të “Topit të Artë” nuk i ngelet gjë tjetër, veçse të presë përfundimin e periudhës së pezullimit, duke konfirmuar mungesën e tij në katër javët e para të kampionatit, si dhe në takimin e kthimit kundër Barcelonës, në finalen e Supekupës së Spanjës.
Konkretisht, krahas takimit ndaj katalanasve, sulmuesi do të mungojë edhe ndaj Deportivo la Coruna, Valencia, Levante dhe Real Sociedad. Ndaj Ronaldos është marrë ky vendim, pas shtytjes që ai i dha gjyqtarit, në momentin kur i nxori kartonin e kuq, për simulim në zonë, ndërkohë që më herët ndaj portugezit ishte dhënë një karton i verdhë. Revolta në radhët e Los Blancos për këtë vendim të gjyqtarit nuk kanë munguar, duke nisur që nga tekniku i tyre, Zinedine Zidane, i cili u shpreh se ndihet i nervozuar në lidhje kartonin e gjyqtarit, por edhe me vendimin e dhënë nga ana e Komisionit të Disiplinës.

Seria A

Fiorentina nuk përmbahet në merkato. Me Nikola Kaliniç drejt Milanit, klubi vjollcë bën dy goditje në merkato. Ekip i Stefano Piolit ka siguruar shërbimet e Giovanni Simeone, sulmuesit të Genoa-s, i cili përmes një statusi u përshëndet me ish-klubin e tij, duke u shprehur se ambienti atje do t’i mungojë shumë. Afrimi i dytë është ai i German Pezzella, nga Real Betis, që do të vijë në formë huazimi me të drejtë blerjeje për 10 mln euro.
Tashmë është zyrtare, Fiorentina ka siguruar shërbimet e Gil Bastiao Dias. Lajmin e bëri të ditur vetë klubi vjollcë përmes një postimi në faqen zyrtare. 20-vjeçari vjen nga skuadra e Monacos, por sezonin e kaluar ka luajtur me fanellën e Rio Ave, klub me të cilin koleksionoi 39 paraqitje, duke shënuar 8 gola dhe dhënë 7 asisit. Mesfushori është transferuar në formë huazimi për 2 vjet, me të drejtë blerjeje të kartonit.
Përmes një statusi në Twitter, agjenti i Keita Balde, Roberto Calenda “shfryn” ndaj Lazio-s. Menaxheri i sulmuesit, fillimisht hodhi poshtë çdo lajm se lojtari vuan nga një dëmtim muskulor, duke theksuar se 22-vjeçari është stërvitur gjithmonë duke dhënë maksimumin. Më tej Calenda sulmoi klubin bardhekaltër duke theksuar se shoqëria nuk dëshiron të investojë te Keita. Marrëdhënie të tensionuara këto mes palëve me lojtarin që duket i destinuar të largohet nga italianët.
Pritet të jetë në Turqi e ardhmja e Kwadwo Asamoah. Raportohet se Galatasaray ka shfaqur interes për të blerë mbrojtësin e Juventusit, edhe pse bardhezinjtë nuk dëshirojnë ta shesin. Gjithsesi sipas mediave turke, lojtari do të zbarkojë në Stamboll të premten për të kryer vizitat mjekësore. Palët janë drejt gjetjes së akordit për 7 milionë euro.

Juve kërkon Fellainin

25 milionë euro për kartonin e Marouane Fellaini, mesfushorin 29-vjeçar të Manchester United. Është kjo oferta, që sipas “The Sun”, Juventusi është gati t’i paguajë “Djajve të Kuq” për belgun. Objektivi parësor i bardhezinjve ishte Matuidi i PSG, por lojtari mund të mos i mjaftojë Allegri-t dhe për këtë “Zonja e Vjetër” synon edhe Fellaini. Megjithatë bisedimet mes palëve nuk priten të jenë të lehta, me Jose Mourinho që nuk dëshiron ta humbasë 29-vjeçarin.
Duke parë vështirësitë për të arritur te Riyad Mahrez i Leicester City, Roma mendon për planin B në merkato. Sipas lajmeve më të fundit, klubi verdhekuq është hedhur në sulm për lojtarin e Villarreal, Nicola Sansone. Me zbarkimin e Carlos Bacca në “Estadio de la Ceramica”, 25-vjeçari nuk do të ketë hapësirën e dëshiruar në formacion. Nga kjo situatë kërkon të përfitojë Roma, që është gati t’i paraqesë ofertën spanjollëve për lojtarin.

Matuidi zbarkon në Torino

Blaise Matuidi zbarkon në Torino. Më në fund është arritur zyrtarisht marrëveshja mes Juventus dhe PSG, për transferimin e mesfushorit në radhët e bardhezinjve. Parisienët kishin kërkuar 25 milionë euro për ta lënë të lirë lojtarin, ndërkohë që falë edhe ndërhyrjes së menaxherit të Matuidi, Mino Raiola, gjithçka është mbyllur për shumën e 20 milionë eurove plus bonuse. Thelbësore që gjërat të mbylleshin me sukses ka qenë dhe vendimi i mesfushorit, i cili vendosi të braktiste PSG, duke parë minutat e pakta që atij i viheshin në dispozicion, kërkon të ketë një sezon protagonisti, pasi nuk dëshiron që të mbetet dhe jashtë kombëtares franceze për Botërorin Rusi 2018. Blaise do të zhvillojë vizitat mjekësore, si dhe do të firmosë një kontratë 3-vjeçare. Mediat italiane bëjnë me dije se ai do të jetë i gatshëm në sfidën ndaj Cagliarit. Përsa i përket çështjes së një qendërmbrojtësi, Ezequeil Garay është dëshira e drejtuesve të klubit bardhezi. Në garë për të është edhe Spartaku i Moskës, por dëshira e lojtarit është transferimi tek kampionët e Italisë. Me shumë gjasa në ditët e ardhshme, Juventus do të zyrtarizojë dhe afrimin e Garay.

Arsenali mban Sanchezin

Arsene Wenger këmbënguli se komplikimet financiare nuk janë aspak të rëndësishme kur diskutohet çështja e Alexis Sanchez te skuadra e Arsenalit. Trajneri francez tha se sulmuesi problematik, që ende nuk ka firmosur rinovimin, me të gjitha gjasat nuk do të shitet, edhe nëse kjo nënkupton që londinezët të humbasin miliona paund nga largimi i tij falas, verën e ardhshme.
Sulmuesi kilian ka vetëm 12 muaj të mbetur në kontratë dhe do të ishte i lirë të largohej nga “Emirates Stadium”, nëse nuk pranon kontratë të re. I pyetur mbi një përditësim në çështjen e kontratës së futbollistit latin, trajneri i Arsenalit ishte i qartë.
“Nuk kemi bërë aspak progres në këtë fushë. Për momentin, Alexis Sanchez është një futbollist që po konsumon vitin e fundit të kontratës, por duhet të bëjmë një zgjedhje mes eficencës në fushë dhe interesit financiar. Në këtë dilemë, unë favorizoj anën sportive”, tha Wenger.
Sanchez është objektiv i gjigantëve të Premier League, si Manchester City dhe Chelsea, por la të kuptohet se nuk do të lëvizë në merkaton verore. Ai shmangu gjithashtu paralelet krahasuese me sulmues të tjerë. “Nuk mendoj se ka një situatë të njëjtë dhe krahasim me Diego Costën te Chelsea. Ne e duam Sanchezin në fushë dhe jo jashtë”, tha Wenger.
Liverpuli ka dalë triumfues nga transferta gjermane ndaj Hoffenheim, e vlefshme për turin e tretë kualifikues të Champions League. “The Reds” kanë fituar me rezultatin 1-2, duke shënuar nga një gol për çdo pjesë loje, ndërsa vendasit ngushtuan diferencën në minutën e 87 me anë të Uth. Kështu ekipi i Klopp, hodhi një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit për në fazën e grupeve të Champions League.
Fitore me rëndësi arriti edhe Karabagu i Ansi Agollit, 1-0 ndaj danezëve të Copenhagen, ndërsa kapiteni i kombëtares kuqezi luajti për 90 minuta. Në ndeshjet e tjera të zhvilluara, ra në sy barazimi 0-0 i Sportingut të Lisbonës, ndaj rumunëve të Steaua Bukuresht, ndërsa qipriotët e Apoel dhe rusët e CSKA hodhën hap të rëndësishëm drejt kualifikimit. Ditën e mërkurë zbritën në fushë edhe ekipet e futbollistëve të kombëtares shqiptare si Napoli i Hysajt, Basaksehir i Cikalleshit, por edhe Olympiakos i drejtuar nga Besnik Hasi.

Kutinjo ka vendosur

Nuk ka kthim pas për Phillipe Kutinjon. Braziliani e ka bërë tashmë zgjedhjen, dëshiron të transferohet me çdo kusht te Barcelona dhe për këtë arsye ka vendosur të mos luajë më për Liverpulin, vetëm e vetëm për të arritur objektivin e tij që është kalimi te katalanasit. Drejtuesit e The Reds nuk duan të privohen nga shërbimet e Kutinjos për të kënaqur trajnerin Jurgen Klopp, por me këtë vendim të tyrin kanë dalë kundër dëshirës së lojtarit, i cili tashmë është i gatshëm të mos zbresë më në fushë me Liverpulin. Nëse kjo ndodh 25-vjeçari do të rrezikonte grumbullimin në Botërorin e Rusisë me kombëtaren braziliane, por as diçka e tillë nuk e tremb Koutinjon, i cili nuk dëshiron t’i hiqet mundësia për të mbajtur veshur fanellën e Barcelonës, diçka që e ka ëndërruar gjithmonë.
Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, ish-lojtari i Interit madje i ka bërë të ditur trajnerit gjerman të Liverpulit, Jurgen Klopp se nuk dëshiron të luajë më me të kuqtë. Pak ditë më parë Liverpuli doli me një komunikatë zyrtare ku bënte të ditur, se nuk do të lejonte largimin e Kutinjos te Barça, por gjasat janë që drejtuesit e The Reds të bëjnë prapakthehu. Kutinjo mungoi në ndeshjen e parë të Premier Leagues ndaj Watfordit dhe në sfidën e play off-it të Championsit ndaj Hoffenheim-it, për shkak të problemeve në shpatull, një sinjal mëse i qartë ky se lojtari dëshiron largimin nga “Anfield Road”. Pas kësaj lëvizjeje që po bën lojtari në lidhje me të ardhmen e tij, pritet një ofertë e re nga ana e Barcelonës në drejtim të Liverpoolit për Kutinjon që pritet të jetë më e lartë se 100 milionë euro.
Philippe Kuntinjo është i gatshëm të bëjë gjithçka për të luajtur për Barcelonën. “Mundo Deportivo” raporton se ylli brazilian i Liverpul është i gatshëm ta kalojë sezonin në tribunë në tentim për ta detyruar klubin ta shesë te Barça. Liverpul është duke refuzuar ta shesë sulmuesin dhe braziliani është i gatshëm t’i vejë në rrezik shanset e tij për Kupën e Botës vetëm e vetëm të luajë për Barcelonën.
Barcelona duket disi e humbur me largimin e Neymarit dhe disfata 3:1 nga Real Madridi në “Camp Nou”, ka nxitur drejtuesit e klubit katalanas që të jenë aktivë në merkato, raporton “Marca”. Pas transferimit të mesfushorit brazilian, Paulinho, radhën e kanë Philipp Kutinjo i Liverpulit, si dhe Ousmane Dembele i Borussia Dortmundit.
Sipas mediave spanjolle, Barcelona i dëshiron që të dy në “Camp Nou” për të rikthyer entuziazmin te katalanasit, që duket se kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm. Dy lojtarët nuk janë duke luajtur me klubet e tyre aktuale dhe transferimi i tyre në “Camp Nou” tashmë quhet punë e kryer nga “Mundo Deportivo”, të Barcelonës. Dembele sezonin e parë bëri 49 paraqitje për Dortmundin, duke shënuar 10 gola, derisa Kutinjo ishte shtylla kryesore e Liverpulit, i cili në 31 paraqitje në Premierligë shënoi 13 gola.