Teksa në Trieste të Italisë, në një samit të posaçëm, u ra dakord për të zhvilluar tregun e përbashkët rajonal në Ballkan, të dhënat faktike për tregtinë të paktën në rastin e Shqipërisë, nuk tregojnë përparim në vitin 2016. Sipas të dhënave nga CEFTA, shihet se tregtia e Shqipërisë me këto vende nuk pësoi ndryshime të dukshme që kur u nënshkrua marrëveshja.
Përkundrazi në vitin 2016, Shqipëria importoi më pak mallra nga vendet e CEFTA-s. Nga 8% që ishte pesha e importeve në këto vende më 2015, në 2016 zbriti në 6%. Raporti për tregtinë i CEFTA-s tregon se, Shqipëria ka partnerin e saj më të fuqishëm tregtar për eksportin Italinë. Me këtë shtet, Shqipëria realizon 58% të eksporteve ndërsa me vendet e CEFTA-s realizoi vetëm 14% të eksporteve, një peshë e njëjtë me atë të vitit 2015. Shihet se gjatë vitit të kaluar Shqipëria ka rritur më tej (7%) përqendrimin e eksporteve me Italinë në raport me 2015.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) është një marrëveshje tregtare ndërmjet vendeve joanëtare të BE-së, anëtarët e të cilëve tani janë të vendosur kryesisht në Europën Juglindore. E themeluar nga përfaqësuesit e Polonisë, Hungarisë dhe Çekosllovakisë, CEFTA u zgjerua në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Çeki, Maqedoni, Moldavi, Mal të Zi, Rumani, Serbi, Sllovaki, Slloveni dhe Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Pasi një vend pjesëmarrës të bashkohet me Bashkimin Europian (BE), anëtarësia e CEFTA përfundon. Që nga 1 korriku 2013, palët e marrëveshjes CEFTA janë: Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Serbia dhe UNMIK-u në emër të Kosovës.
Tregu Rajonal, Shqipëria përkeqësoi tregtinë me vendet e CEFTA më 2016
Detyrimet e vendorëve në 6 muaj, 9.5 miliardë lekë të papaguara
Njësitë e qeverisjes vendore, edhe pse me ristrukturim pas reformës së re territoriale, përsëri kanë krijuar detyrime të prapambetura. Kështu sipas statistikave të Ministrisë së Financave, detyrimet e prapambetura të krijuara rishtazi për njësitë vendore deri në qershor 2017, arrijnë në vlerën 9.5 miliardë lekë, të cilat janë kryesisht investime, shpenzime për mallra dhe shërbime dhe vendime gjyqësore. Vetëm në tremujorin e dytë të vitit 2017, janë krijuar detyrime që kapin vlerën 3.2 miliardë lekë. Sipas informacionit të njësive të vetëqeverisjes vendore një pjesë e detyrimeve të krijuara deri në qershor 2017 janë likuiduar dhe ndërkohë pritet likuidimi i plotë i tyre në periudhën në vazhdim. Peshën më të madhe të detyrimeve të reja të krijuara rishtazi e ka Bashkia Tiranë me 3.7 miliardë lekë. Këto detyrime janë rezultat i procesit të ristrukturimit dhe shlyerjes të stokut të detyrimeve të prapambetura në tre vjet, duke i dhënë përparësi shlyerjes së detyrimeve më të vjetra, dhe pagesës së detyrimeve më të fundit në periudhat pasardhëse, por gjithmonë duke siguruar shlyerjen e plotë dhe qëndrimin korrent brenda 2 viteve të ardhshme. Po sipas këtyre statistikave, njësitë e qeverisjes vendore edhe kanë shlyer një pjesë të detyrimeve. Kështu deri në qershor të 2017, janë likuiduar 12.2 miliardë lekë, detyrime të krijuara gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, vitit 2016 dhe detyrimet e akumuluara në vite deri në dhjetor 2015. Në tremujorin e dytë të vitit 2017, janë likuiduar rreth 3.9 miliardë lekë. Vlera e mbetur e cila parashikohet të shlyhet në vitin në vazhdim, bazuar në planin e shlyerjes së dërguar nga të gjitha bashkitë në Ministrinë e Financave është 9.1 miliardë lekë.
Pëson rënie indeksi i çmimeve të bujqësisë
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi “për tremujorin e dytë të vitit 2017. Indeksi i tremujorit të dytë të inputeve në vitin 2017 ka rënie për (-1.2%) për Input 1, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016. Ndërsa, Indeksi për Input 2 ka rritje për 1.2%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016. Ndërkaq, Indeksi i inputit të përgjithshëm (Input 1 + Input 2) ka rënie për (- 0.2%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.
Publikimi bazohet në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, barnatoret veterinare, në kompani, në tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë në ASK, nga çmimet e konsumit (IHÇK), raporton zëri.info. Sipas ASK-së, produktet, që e përbëjnë bazën për Indeksin e Çmimit të Inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi. Brenda grupit të mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji, vajëra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve dhe shërbime të tjera.
Karabak, Ansi Agolli titullar në suksesin e Champions League
Karabaku i Ansi Agollit është pranë kualifikimit historik në fazën e grupeve të UEFA Champions League. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare u aktivizua titullar në sfidën e raundit të parë play off kundër FC Copenhagen, ku skuadra azere triumfoi me rezultatin 1-0. Agolli ishte një nga lojtarët më të mirë në fushën e lojës. Ai zbriti në parketin e gjelbër si pjesë e formacionit 4-3-3 në pjesën e djathtë të mbrojtjes.
Golin e vetëm të sfidës e shënoi Mahir Madatov në pjesën e parë dhe gjatë gjithë ndeshjes, kampionët e Azerbajxhanit arritën të ruanin të paprekur portën e tyre, duke hedhur një hap të madh drejt fazës tjetër edhe pse gjithçka do të vendoset pas 90 minutëshit që do të luhet në Danimarkë. Nëse Karabaku arrin të kualifikohet në fazën e grupeve, atëherë kjo do të ishte arritja më e madhe në karrierën e lojtarit kuqezi që prej shumë vitesh është një nga lojtarët më të mirë të skuadrës që po dominon futbollin azer në dekadën e fundit.
Meritë për këtë ka padyshim edhe futbollisti shqiptar, i cili prej vitesh është një nga titullarët e padiskutueshëm të Karabakut. Paraqitja e Agollit në ndeshjen e së martës u vlerësua me notën 6.5 nga portali italian “Tuttomercatoweb”. “Garanton shumë presion në krahun e majtë, sidomos në pjesën e dytë kur Karabaku hidhet në sulm për të dyfishuar shifrat”, shkruhet në përshkrimin e performancës së tij.
Jo vetëm taksë 10 euro por edhe 70 milionë euro të tjera
Aplikimi i pagesës në rrugën e “Kombit” si rezultat i dhënies së saj me koncesion do të vonohet më shumë se parashikimet në kushtet e tenderit, për shkak se një inventar që po kryhet për dorëzimin e objektit ka nxjerrë në pah se disa punime të kontraktuara nga qeveria shqiptare nuk kanë përfunduar, çka mund të rrisë më tej koston e koncesionit edhe me mbi 70 mln euro.
Burimet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar pohuan se, është ngritur një grup pune me përfaqësi të Ministrisë së Transportit dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar që po negocion kontratën me kompaninë koncesionare “Catalyst”, me asistimin edhe të një kompanie të huaj.
Burimet e “Monitor” në ARRSH pohuan se nga verifikimet në terren janë vërejtur disa dëmtime dhe investime të munguara. Mungojnë disa skarpata anës rrugëve dhe nga ana tjetër ka shumë dëmtime në hyrje daljet e autostradës të paautorizuara, të cilat i bëjnë të pamundur koncesionarit të fillojë zbatimin e kontratës.
Këto gjetje dhe punimet e tjera të kontraktuara, por të parealizuara duket se do të sjellin në terma të tjera financiare faturën e koncesionit.
Në ofertën ekzistuese të Catalyst 43,409,518 euro është investimi fillestar dhe në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 217,562,056 euro për 30 vitet në vijim.
Mirëpo të njëjtat burime pohojnë për monitor se kostoja e punimeve të munguara do të jetë mbi 70 milionë euro. Palët janë në negociata që shuma e punimeve të munguara me gjasë do të transferohet tek koncesionari, duke i akorduar fonde shtesë.
Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, Komisioni i Prokurimit Publik e shpalli përfundimisht bashkimin e kompanive shqiptare nën emrin “Catalyst” fituese të koncesionit, duke rrëzuar një vendim të mëparshëm të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Transportit që kishte shpallur fitues kompanive turke “Vendeka”.
Në fund të vitit 2016 në buletinin e radhës APP i kërkon konsorciumit Catalyst thuhet se brenda 60 ditëve duhet të ekzekutohet marrëveshja e koncesionit çka për qytetarët do të thotë se rruga do të bëhet me pagesë. Por afati i aplikimit të pagesës është shtyrë së paku me gjashtë muaj si rezultat i problematikës që është krijuar me inventarët e punimeve në rrugë.
Përveç taksave që do të paguajnë qytetarët (5 euro për makinë) buxheti i shtetit do të paguajë në 13 vitet e para të koncesionarit të paktën 65 milionë euro, shumë që është zbardhur në raportin e zgjeruar të Komisionit të Prokurimit Publik, ku ka shqyrtuar ankesën e grupimit “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech” & Viplap Ateve & Kastrati sha, për skualifikimin nga gara për koncesionin e mirëmbajtjes së autostradës Milot–Morinë.
Plani Rama për dhënien e të gjitha rrugëve me koncesion
Në muajt e ardhshëm të gjitha akset rrugore të vendit pritet të jepen me koncesion nga qeveria Rama dhe udhëtimi për në qytete të tjera do të tarifohet në bazë të kilometrave. Megjithëse nuk ka shtruar asnjë metër rrugë, Rama ka vendosur që ta dyfishojë koston e udhëtimit të shqiptarëve nëpër rrugët e vendit. Tiranë-Durrës, Tiranë-Kukës, Tiranë-Shkodër, Tiranë-Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Vlorë etj., s’do të jenë më falas. Qeveria e Ramës ka hartuar një projektplan, i cili pritet të marrë jetë menjëherë pas zgjedhjeve. Tarifimi do të jetë rreth 3.5 cent euro për kilometër, çka do të thotë se për të përshkuar 100 kilometra rrugë do të paguhen 3.5 euro ose 500 lekë të reja. Duke llogaritur dhe kthimin, atëherë kjo shifër shkon në 1 mijë lekë ose sa ¾ e konsumit që kërkon një makinë normale karburant për ta përshkuar këtë distancë. Por sa do të fitojë një klient i Edi Ramës nga këto koncesione, që kryeministri na i quan si sukses të madh? Kjo varet nga fluksi. Për shembull, në aksin Tiranë-Durrës ka një fluks me mesatare rreth 25 mijë automjete në ditë. Mendohet se fitimi vjetor vetëm në këtë aks të jetë mbi 20 milionë euro në vit ose rreth 1.8 milionë euro në muaj, sipas shifrave të përllogaritura. Një koncesionar 10-vjeçar mendohet të ketë marrë rreth 200 milionë euro ose gjashtë apo shtatëfish sa vlera e rrugës.
Kuqezinjtë protagonistë
Elseid Hysaj, Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Arlind Ajeti dhe Berat Gjimshiti janë këta 5 shqiptarët e Serisë A, të cilët pritet të kenë një rol protagonisti në sezonin e ri të futbollit italian. 4 të parët konsiderohen titullarë të padiskutueshëm në skuadrat e tyre respektive, ndërkohë që edhe Berat Gjimshiti do të ketë hapësirat e tij tek Benevento ku do të kërkojë të konfirmohet pas një sezoni shumë pozitiv te Avellino në Serinë B. Të shtunën ngre siparin edicioni futbollistik 2017-2018 i Serisë A italiane, ku të gjitha shqiptarët do të kenë mundësinë të shijojnë magjitë që dhurojnë mes shtyllave dy portierët e kombëtares kuqezi, Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha, klasin e Elseid Hysajt, forcën e Arlind Ajetit dhe dëshirën për të spikatur të Berat Gjimshitit.
I pari që do të zbresë në fushë do të jetë Hysaj me Napolin e tij që të shtunën në mbrëmje do të sfidojë Veronën në transfertë. Të kaltrit janë gati të sfidojnë Juventusin në garën për titullin dhe pse jo t’i zbresin bardhezinjtë nga froni ku mbretërojnë prej 6 vitesh. Për mbrojtësin e djathtë shqiptar ky do të jetë sezoni i tretë te skuadra e Sarrit. Në këto 2 vite 23-vjeçari nga Shkodra ka qenë një titullar i padiskutueshëm te Napoli aq sa në drejtim të klubit jugor kanë ardhur shumë oferta për Hysajn nga disa prej klubeve më të mëdha europiane. Megjithatë dëshira e madhe e kuqeziut është të fitojë një titull kampion me Napolin, siç e ka bërë shpeshherë të ditur dhe kjo është një nga arsyet që s’e ka menduar asnjëherë largimin. Sezoni i parë i Etrit Berishës me Atalantën ishte për t’u vendosur në vitrinë.
Vendi i 4-t në kampionat u arrit edhe falë pritjeve fantastike të portierit shqiptar, i cili zhvilloi një sezon perfekt dhe tashmë është gati të përsërisë vetveten dhe pse jo të bëjë paraqitje akoma edhe më të mira. Berisha tashmë është në çdo efekt një futbollist i skuadrës zikaltër, pasi gjatë kësaj vere Atalanta bleu përfundimisht kartonin e tij nga Lazio. Objektivi i 28-vjeçarit nga Prishtina është të bëjë sërish të lumtur tifozët bergamaskë, me Berishën që është gati të lërë sërish shenjën e tij duke filluar që nga ndeshja e javës së parë ndaj Romës. Atë që s’e bëri dot Etrit Berisha te Lazio e realizoi me sukses Thomas Strakosha. Talenti shqiptar me formën e treguar gjatë sezonit të kaluar arriti të ulte në stol një portier ekspert si Federico Marchetti. Në finalen e Superkupës së Italisë tregoi edhe një herë sesa vlen duke dhënë një sinjal të qartë se ky do të jetë sezoni i shpërthimit të tij. Tanimë kuqeziu është një titullar fiks i portës së Lazios me Marchettin që ka pranuar të jetë zëvendësi i tij.
Ndaj Spal-it të dielën në mbrëmje, Thomas Strakosha nis rrugëtimin e tij drejt një sezoni që pritet ta shohë si protagonist absolut te bardhekaltërit. Arlind Ajeti la Torinon gjatë kësaj vere pikërisht për t’u transferuar te Crotone, aty ku pritet ta ketë të sigurtë vendin në formacion dhe të hedhë pas shpatullave atë sezon të vështirë që kaloi te Torino. Te kalabrezët e Davide Nicolas, Ajeti do të ketë mundësi të tregojë potencialin e tij të vërtetë, pasi ka më pak presion se tek Torino dhe mund të spikasë ashtu siç bëri te Frosinone në sezonin e tij të parë në Serinë A. Të dielën ndaj Milanit mbrojtësi shqiptar pritet ta nisë si titullar. Ai ka debutuar në Serinë A me fanellën e Atalantës, por pas një sezoni te Avellino, Gjimshiti do të luajë sërish si i huazuar këtë herë te Benevento. Paraqitjet e tij të mira me Avellinon bënë që klubi nga Campania, të firmoste me mbrojtësin e kombëtares shqiptare, i cili edhe pse nuk pritet ta nisë sezonin si titullar te Benevento, konsiderohet një vlerë e shtuar për skuadrën që në këtë sezon debuton në Serinë A italiane.
Ministri për bordet: Ndryshimet në bazë të ligjit
Ministraj e Arsimit, Mirela Karabina, ka zbardhur të vërtetën e urdhrit të saj për ndryshimin e bordeve të universiteteve publike duke hedhur poshtë të gjitha spekulimet që janë duke u bërë mbi këtë çështje.
Karabina me anë të një deklarate, sqaron se çfarë e nxiti marrjen e këtij vendimi dhe se cila është baza ligjore mbi të cilën u mbështet.
Reagimi i Ministrisë
Duke marrë shkas nga lajme të publikuara mbi disa ndryshime të anëtarëve në përbërje të Bordeve të Administrimit të disa institucioneve të Arsimit të Lartë Publik, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron se:
Ministri i Arsimit dhe Sportit në përputhje me përcaktimet ligjore ka ndërmarrë të gjitha masat për kryerjen e veprimeve ligjore, duke mundësuar ndryshimet në Bordet e Administrimit për të garantuar përmbushjen e misionit të institucionit të Arsimit të Lartë, si dhe mbarëvajtjen financiare e administrative të tyre.
Këto ndryshime janë bërë në përgjigje të shqetësimeve të autoriteteve drejtuese të institucioneve të Arsimit të Lartë Publik për të siguruar mbarëvajtjen e institucioneve në përgatitjet e tyre për vitin akademik 2017-2018. Sipas përcaktimeve ligjore, emrat e anëtarëve rinj të Bordeve të Administrimit, “si përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin janë ekspertë të njohur nga fushat akademike, menaxheriale, ekonomike dhe juridike” dhe siç përcaktohet në nenin 48, pika 1, të Ligjit Nr. 80/2015,“Për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe emërohen nga ministri përgjegjës për arsimin.
Ministri i Arsimit dhe Sportit në zbatim të detyrimeve ligjore ka përgjegjësi institucionale të ndërmarrë të gjitha masat që shërbejnë për të krijuar mekanizma të qëndrueshëm të sigurimit të cilësisë dhe menaxhimit financiar, në institucionet e Arsimit të Lartë, të cilat gëzojnë liri akademike, autonomi financiare e organizative, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet europiane.
Të gjitha shkrimet dhe deklaratat e papërgjegjshme kanë keqinformuar opinionin dhe, për më tepër, janë në kundërshtim me misionet e institucioneve të Arsimit të Lartë dhe interesit publik.
Ministri i Arsimit dhe Sportit, distancohet nga burimet disinformuese të përdorura nga segmente të caktuara të lidhura me interesa personale korruptive dhe garanton bashkëpunim me të gjithë institucionet e Arsimit të Lartë, si dhe transparencë të plotë të të gjitha veprimeve në shërbim të monitorimit të standardeve të cilësisë së Arsimit të Lartë në vend.
Kemi numrin më të lartë të banesave për frymë
Për shkak të konservatorizmit apo dhe rrethanave të tjera specifike të kohëve të sotshme, Shqipëria është në mesin e vendeve europiane me numrin më të ulët të familjeve që nuk kanë banesë në pronësi.
Baza e të dhënave të BE-së në lidhje me strehimin tregon se vendet ish-komuniste ku përfshihet edhe Shqipëria, trashëguan banesa në pronësi për shkak të çmimeve të ulëta me të cilat i privatizuan ato gjatë rënies së sistemit.
Në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT, vetëm 5.5% e familjeve jetojnë me qira, referuar të dhënave nga anketa e familjes së vitit 2015 dhe pjesa tjetër e kanë në pronësi.
Në Bullgari, gjithashtu një pjesë e madhe familjeve kanë shtëpi në pronësi. Të dhënat e Eurostat tregojnë se atje 81.5% e banesave janë në pronësi nga familjet, por së fundmi ka një rritje të lënies së tyre peng. Në Hungari, rreth 73% e banesave janë në pronësi të familjeve.
Studimi i BE-së tregon se në përgjithësi, në të gjitha vendet ish-komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore, përqindja e pronarëve pa hipotekë është shumë e lartë.
Në të kundërt në vendet nordike, ka një normë shumë të ulët të pronësisë ndaj shtëpive. Në Norvegji vetëm 21.9% e familjeve kanë në pronësi shtëpi, në Danimarkë vetëm 15% e tyre, në Holandë vetëm 9.8% dhe në Suedi vetëm 9.2%.
Danimarka, Holanda dhe Suedia, në të njëjtën kohë futen në vendet që kanë edhe numrin më të madh të banesave me qira, me përqindjet më të larta të të gjitha vendeve të analizuara.
Në Itali, situata është ndryshe. Një vend ku, tradicionalisht, familjet kanë luajtur një rol të rëndësishëm, duke lënë trashëgimi shtëpi tek fëmijët. Në Itali, 57% e familjeve janë pronare të shtëpive, kjo përqindje arrin në 71% duke marrë në konsideratë shtëpitë e lëna peng në banka.
125 mijë vende të reja pune në Britani
Tregu i punës në Mbretërinë e Bashkuar është fuqizuar në tremujorin e dytë, ndërkohë që norma e papunësisë ra në nivelin më të ulët që prej vitit 1975. Të dhënat e Zyrës Kombëtare të Statistikave treguan se norma e papunësisë në tremujorin e dytë, ra në 4.4%, poshtë vlerësimeve të analistëve prej 4.5%.
125 mijë vende pune u krijuan në periudhën prill-qershor, duke e çuar treguesin e papunësisë poshtë normës së ekuilibrit të Bankës së Anglisë prej 4.5%.
Megjithatë, të dhënat për rritjen e pagave theksuan sfidat që paraqiten për Theresa May dhe qeverinë e saj, ndërkohë që ekonomitë familjare po ndjejnë vështirësitë nga rritja e çmimeve që prej daljes nga Bashkimi Europian.
Ndërsa inflacioni është ngadalësuar lehtë që prej muajit maj ku shënoi nivelin më të lartë në 4 vite prej 2.9%, çmimet po rriten ende më shpejtë se pagat.
Zyra e Statistikave, raportoi se të ardhurat totale përfshirë bonuset u rritën me një normë vjetore prej 2.1% në tremujorin e dytë, nga 1.9% që ishte rritja për të parin, duke marrë nxitje nga pagesat e bonuseve në sektorin financiar.
Pavarësisht se projeksionet qëndronin për një rritje më të ulët, të ardhurat reale ranë me 0.5% gjatë kësaj periudhe.
Banka e Anglisë po monitoron me detaje rritjen e pagave dhe projektoi një rritje me 2% për këtë vit, duke u përshpejtuar në dy vitet e ardhshme. Stërlina u rrit lehtë pas publikimit të të dhënave, duke arritur 1.29 kundër dollarit amerikan.
Kompania që fshihet pas ndotjes së ujërave në Sarandë
Në Sarandë tubacionet e ujërave të zeza u çanë duke shkaktuar ndotjen e detit pranë Kanalit të Çukës.
Sipas njoftimit të Bashkisë Sarandë, në faqen zyrtare në Facebook, “rrjeti i ujërave të zeza është investim i kryer në vitin 2013”.
Por e vërteta është krejt ndryshe. Punimet për Ujësjellës-Kanalizimet në Sarandë u inauguruan më 6 prill 2017, nga ministri i Infrastrukturës Sokol Dervishaj, ambasadorja gjermane Susanne Schutz dhe kryetarja e Bashkisë Sarandë, Floriana Koka.
Projekti i ujësjellësit
Projekti për shtrimin e 55 kilometrave tubacione uji, rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve, ndërhyrje në rezervuarin e ujit dhe ndërtimin e një godine të re ujësjellësi, pjesë e master-planit të zhvillimit të Bregdetit të Jugut ka kushtuar rreth 7,6 milionë euro. Fondet për këtë projekt janë miratuar në vitin 2010 si pjesë e programit IPA të BE-së me bashkëfinancim të Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW) për ndërtimin e rrjetit të ujesjellësit dhe të kanalizimeve të ujërave të zeza në Fier, Korçë, Berat, Lushnjë.
Sipas dokumentave të projektit IPA, tenderi për punimet duhet të niste 2 vite pas nënshkrimit të marrëveshjes financiare, ndërsa punimet duhet të përfundonin 4 vite pas nënshkrimit të kontratës. Dhe më pas, bashkisë i jepej një vit kohë si periudhë prove për të parë nëse rrjeti ka defekte.
Punimet u realizuan nga kompania shqiptare “Trema Engineering 2”, e njëjta kompani që ka rikonstruktuar edhe stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.
Defektet me tubacionet
Problemi me çarjen e tubacioneve pranë Kanalit të Çukës nuk është i vetmi i ndodhur gjatë muajve të fundit.
Në mes të korrikut, një tub që dërgon ujërat e zeza tek impianti i përpunimit, u ça dhe u derdh në liqenin e Butrintit, jo vetëm duke ndotur ujërat, por dhe duke shkaktuar dëme serioze në vaskat e midhjeve.
Specialistët e Ujësjellës–Kanalizimeve Sarandë dhe Inspektoriati i Mjedisit pranë Bashkisë, me synimin për të shmangur largimin e turistëve, nuk e bënë publik rastin.
Sipas Saranda News Capital, pas prishjes së këtij tubacioni, ujërat e zeza për të paktën 2 javë janë derdhur në lumin e Bistricës.
Po ashtu vetëm një javë më parë, banorët e Sarandës janë ankuar për mungesë të furnizimit me ujë prej disa ditësh, problem edhe më serioz po të kihet parasysh se qyteti është në pikun e sezonit turistik.
Gjithashtu, 2 muaj më parë, në maj 2017 KLSH paditi kryebashkiaken Floriana Koka për “shpërdorim detyre”. Sipas auditimit të KLSH, kryebashkiakja ka bërë likuidime pagesash për investime të pakryera, thënë ndryshe punë fiktive për “përmirësimin e rrjetit të ujërave të zeza në zonën e Hotel “Butrinit” deri tek Kanali i Çukës në vlerën 30 mln lekë”.
Exit.al