Mbrëmja e së hënës është shoqëruar me protesta në qytetin e Himarës, kjo për shkak të projektit të hartuar nga qeveria vitin e kaluar, për riorganizimin e qytetit të Himarës. Të shqetësuar për këtë çështje, banorët e Himarës kanë protestuar për problemin e pronave, që sipas tyre po i marrin njerëzit e afërt të pushtetit. Këtë ka deklaruar edhe njëri prej organizatorëve të kësaj proteste, Nikollaq Neranxi.
“Mbase kishin parë projektet e Bashkisë së Himarës, të drejtuara kryesisht nga kryeministri Edi Rama, që shtëpitë tona do rrëzoheshin dhe nuk ishin një dy apo 5 shtëpi që talleshin bankat, po ishin lagjja e Varfajve, lagjja e Neranxajve dhe lagjja e Zotajve dhe disa shtëpi të tjera këtu mbrapa që janë shumë të mira për të bërë pallate. Shkuljen dhe çrrënjosjen e njerëzve nga një zonë, e cila ka një identitet, një histori dhe një kulturë të trashëguar e bëjnë vetëm komunistët. Dua t’i them Edi Ramës që ne jemi kundër Shqipërisë që do ti, ti do një Shqipëri që i ke vënë zjarrin, ti do një Shqipëri të mbjellur me drogë, ndërsa ne himarjotët duam një Shqipëri europiane”, është shprehur Neranxi.
Ndërkohë që edhe kreu i Partisë Demokratike për Himarën, Andrea Gjoni u shpreh në lidhje me problematikën e pronave të Himarës. Sipas tij të rinjtë e Himarës po ikin për të punuar jashtë, pasi nuk e kanë të zgjidhur problemin e pronave.
“Meqë jam këtu si kryetari i Partisë Demokratike, dua t’ju bëj të njohur qëndrimin e Partisë Demokratike lidhur me çështjen që jemi mbledhur këtu sot. Partia Demokratike pozicionohet kundër çdo veprimi arbitrar, të paligjshëm për të grabitur dhe për të tjetërsuar pronat e çdo qytetari të Himarës. Ky qëndrim i Partisë Demokratike do të pasqyrohet edhe në seancat e Parlamentit të ri, ashtu si është bërë edhe në Parlamentin e kaluar. Vëllezër dhe motra himarjotë, gëzohem shumë kur ju shoh që jeni këtu, por njëkohësisht trishtohem kur shoh që nuk janë këtu të gjithë himariotët. Kryesisht më vjen shumë keq që brezi i ri, mosha më produktive e Himarës janë të detyruar të derdhin djersë dhe energjitë e tyre në vende të ndryshme të botës. Nëse do të ishte zgjidhur problemi madhor i pronës, të gjithë këta njerëz do të ishin në Himarë”, tha Andrea Gjoni, kreu i Partisë Demokratike të Himarës.
Banorët e Himarës në protestë, Gjoni: PD do luftojë kundër grabitjes së pronës
Rritja e çmimit të ujit, ERU: Analizë performancës së UKT
Procesi i rritjes së tarifave të ujit në Bashkinë e Tiranës, mund të zgjasë deri në 3 muaj kohë. Këtë fakt e ka bërë të ditur anëtari i Komisionit Kombëtar Rregullator, pranë Entit Rregullator të Ujit, Riza Ajdini. Ai shpjegon se marrja në shqyrtim e kërkesave nis në shtator dhe para marrjes së vendimit, do të bëhet një analizë e hollësishme për performancën e Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime Tiranë.
“Shqyrtimi i kërkesës për rritjen e tarifave të ujit do të fillojë në muajin shtator. Ne do të bëjmë 3-4 mbledhje për të kryer një analizë të hollësishme për performancën. Sa i takon dokumentacionit, edhe në rast se nuk janë dorëzuar të gjitha, ne e kemi detyrim me ligj që të kërkojmë dokumente shtesë. Pas mbledhjes së parë dhe të dytë, ne bëjmë edhe pyetje shtesë, në këtë rast për Ujësjellës Kanalizime Tiranë, që të na pajis me të dhëna të ndryshme që mungojnë apo që plotësojnë të dhënat e mëparshme. Është një proces i gjatë, që mund të shkojë nga dy deri në tre muaj”, tha Ajdini.
Ndërkohë që Ajdini bën me dije se përsa i përket diferencimit të çmimit për kategori të ndryshme, ai shton se Enti Rregullator i Ujit nuk mund të përcaktojë tarifa të ndryshme, në bazë familjesh, por kjo mund të bëhet vetëm përmes kompensimeve nga bashkia apo qeveria.
“Ne kemi vetëm një çmim uji për të gjitha kategoritë e njerëzve. Çmimi i ujit është një për të gjithë zonën, ose mund të ndryshojë sipas komunave të ndryshme”, u shpreh ai.
Rreziku që i vjen liqenit të Ohrit nga Pogradeci
Liqeni i Ohrit cilësohet si më i vjetri në Europë dhe me një biodiversitet të rrallë që e klasifikon ndër më të veçantët dhe një pasuri për botën.
Ministria e Mjedisit, aktualisht ka nxjerrë për konsultim draftin që lidhet me Planin e Menaxhimit të qytetit të Pogradecit dhe peizazhit të tij për një afat 10-vjeçar 2017-2027.
Një ndër pikat ku vihet theksi janë pikërisht kërcënimet që i kanosen liqenit të Ohrit i klasifikuar si pjesë e Trashëgimisë Botërore. Konkretisht i pari në listë renditet risku i ndotjes së ujit të liqenit dhe burimeve të tij ujore.
Sot ujërat që hyjnë në këtë liqen nuk janë të trajtuara tërësisht, duke e lënë të hapur mundësinë e ndotjes kjo edhe për shkak të sistemeve septike që nuk funksionojnë siç duhet.
Kontaminimi nga aktivitetet përreth cilësohet si një risk tjetër potencial, i lidhur me digën e mbeturinave në Memlisht, rreth 30 mijë tonë mbetje nga aktiviteti minerar si dhe ujërat që rrjedhin nëpër minierat pa aktivitet të kësaj zone dhe që më pas i bashkohen liqenit.
Pogradeci nuk ka një sistem të menaxhimit të mbetjeve, që është edhe ky një risk i shtuar dhe ku një pjesë e mirë mund të përfundojnë në Liqenin e Ohrit.
Zhvillimi Urban
Në dokumentin zyrtar për menaxhimin pohohet se zhvillimi urban pa kriter, me ndërtime ku planifikimi ka munguar kërcënojnë realisht liqenin e Ohrit. Në shumë raste, ndërtimet në buzë të liqenit kanë shfytyruar vijën e tij natyrale. Hotelet sidomos në Tushemisht dhe Pogradec po e transformojnë zonën që po dominohet nga modernia. Ky modernizim po kërcënon formatin me të cilin Pogradeci është promovuar në aspektin turistik, duke e kthyer në diçka të zakonshme.
Degradimi i zonave historike
Risku i tretë që mund t’i kanoset kësaj zone lidhet me neglizhimin e natyrës, zonave turistike dhe siteve arkeologjike të saj. Por mbi të gjitha ekziston risku i menaxhimit të keq. Rasti tipik është fshati Lin, ku shumë nga shtëpitë karakteristike janë në gjendje shumë të dobët dhe kërkojnë restaurim. E njëjta situatë shfaqet edhe me shumë ndërtesa historike të qytetit të Pogradecit që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Një ndër rastet flagrante të grabitjes në Muzeun e Pogradecit ka bërë që të mungojë të paktën gjysma e pasurive që kishte.
Pas paraqitjes së risqeve, plani i menaxhimit jep disa nga ndërhyrjet e nevojshme që duhet të kryhen si dhe masat më emergjente për të ruajtur Pogradecin dhe Liqenin e Ohrit në hartën e Trashëgimisë Botërore.
Plani vendos afate të caktuara për secilën masë që nisin nga viti 2017 dhe mbyllen në 2027, duke synuar që menaxhimi të ruajë natyralitetin dhe traditën e kësaj zone turistike me vlera të rralla.
Shqipëria e keqpërgatitur për luftën me flakët
Lindita ÇELA
Mijëra hektarë pyje, shkurre dhe kullota janë shkrumbuar në mbarë vendin në muajin gusht dhe vetëm gjatë 72 orëve të fundit numëroheshin 19 vatra zjarri, ku më i rrezikshmi konsiderohej zjarri i rënë në afërsi të tunelit të Krrabës, në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan.
Flakët kanë përpirë sipërfaqe të konsiderueshme pyjesh edhe në zonat e mbrojtura, ndërkohë që punonjësit e Emergjencave Civile ankohen se punojnë me mjete të papërshtatshme dhe me një personel të pa trajnuar e të vogël në numër. Efektivë të zjarrfikësve i thanë BIRN se në të shumtën e rasteve ata janë të detyruar të shkojnë në operacione në zonat që nuk janë nën administrimin e tyre. Për shkak të terrenit malor dhe prodhimit të vjetër të makinave zjarrfikës, mjetet në shumë rasteve i lënë në rrugë, pa arritur destinacionin.
Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit i thanë BIRN se vetëm 17% e territorit pyjor administrohet prej tyre, ndërsa pjesa tjetër prej pushtetit vendor, ndërkohë që gjatë operacioneve për shuarjen e zjarreve kanë konstatuar që shumica e bashkive nuk kanë ngritur drejtoritë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi. Me reformën e re administrative, shërbimi i zjarrfikeses është në kompetencë të pushtetit vendor, ndërkohë që situata e rëndë ka bërë që të përfshihen forcat e ushtrisë dhe efektivë të Policisë së Shtetit.
Përgjatë 1 muaji në operacionet e shuarjes së zjarrit janë përfshirë mbi 2800 ushtarakë, helikopterë dhe avionë të posaçëm të ardhur nga Greqia.
Në mbarë vendin janë regjistruar 87 vatra zjarri, ndërkohë që Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, deklaron se të shumtën e rasteve zjarrvënia është e qëllimshme.
Policia e Shtetit ka arrestuar 17 persona si të dyshuar për zjarrvënës të qëllimshme, ndërkohë që ka proceduar në gjendje të lirë 8 të tjerë.
Mijëra hektarë të shkrumbuar
Sipërfaqe të konsiderueshme pyjesh, shkurresh, kullotash janë përpirë nga flakët, ndërkohë që institucionet shqiptare nuk deklarojnë shifra përmbledhëse mbi sipërfaqen totale të shkrumbuar. Rasti i parë i zjarrit gjatë këtij sezoni u konstatua 40 ditë më parë në Parkun Kombëtar të Lurës.
Raportimet e Ministrisë së Brendshme janë periodike sa i përket vatrave të zjarrit dhe pasojave të shkaktuara, ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes ka angazhuar në këtë betejë rreth 40% të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
BIRN mblodhi dhe analizoi të gjitha deklaratat periodike të Ministrisë së Brendshme, që nga 1 korriku deri më 11 gusht 2017.
Referuar këtyre të dhënave, rezulton se sipërfaqja e djegur është 1582.05 hektarë pyje-përfshirë pisha, ah, shkurre dhe kullota. Qarqet më të prekura janë Tirana, Shkodra, Gjirokastra dhe Vlora.
Ndërsa sipas sistemit të monitorimit të zjarrit ‘European Forest Fire Information System, i cili është pjesë e sistemit ‘Copernicus’ të Emergjencave Civile të krijuar nga Komisioni Europian, në Shqipëri gjatë vitit janë djegur 15,228 hektarë pyje dhe kullota dhe janë regjistruar 87 vatra zjarri – 10 herë më e madhe
Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi i tha BIRN se, gjendja e zjarreve në vend mund të konsiderohej kritike, por ai shtoi se situata është nën kontroll dhe efektivave të zjarrfikësve u kanë ardhur në ndihme dhe forcat e ushtrisë si dhe helikopter nga vendet fqinje.
Zjarret kanë prekur dhe zonat e mbrojtura dhe Parqet Kombëtare, ku për periudhën janar-korrik 2017, ka pasur 15 raste të rënies së zjarrit dhe mbi 500 hektarë pyje të djegur.
Zv/Ministri i Mjedisit, Kledi Xhaxhiu i tha BIRN se gjendja është kritike dhe se në të shumtën e rasteve zjarrvëniet janë të qëllimshme.
“Nuk duhen përjashtuar dhe rastet aksidentale, por na rezulton se të shumta janë rastet ku kemi të bëjmë me zjarrvënës të qëllimshëm”, tha Xhaxhiu.
“Janë barinjtë apo dhe njerëz që për arsye të ndryshme i vënë flakën hapësirave të gjelbëruara për të përfituar sipërfaqe toke të lirë”, shtoi ai.
Në mbarë vendin 17 persona janë arrestuar me akuzën e vendosjes së qëllimshme të zjarreve dhe 8 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Kodi Penal shqiptar parashikon masa të rënda dënimi për vendosjen e qëllimtë të zjarrit në pyje. Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me zjarr dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Kur nga vepra penale janë shkaktuar pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.
Sipas Xhaxhiut një zbatim më i mirë i ligjit dhe denoncimi i rasteve të qëllimshme të zjarrvënies do minimizojë pasojat shkatërruese të zjarreve në vend.
Megjithëse Ministria e Mjedisit menaxhon vetëm 17% të territorit pyjor në vend, ku për shkak të zbatimit të reformës administrative territoriale pyjet dhe kullotat i kaluan pushtetit vendor, Xhaxhiu thotë se gjatë inspektimeve ka konstatuar se një pjesë e mirë e bashkive nuk kanë marrë masa për ngritje strukturave të mbrojtjes nga zjarri.
“Konstatojmë se në të shumtën e rasteve bashkitë ende nuk kanë ngritur strukturat e tyre të menaxhimit të territorit apo siç janë edhe Drejtoritë e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit. Kjo ka qenë dhe një nga arsyet pse pasojat e shkaktuara nga vatrat zjarrit janë më të mëdha”, nënvizoi Xhaxhiu.
Qarqet ku zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha në sipërfaqe pyjore, sipas deklaratave zyrtare të Ministrisë së Brendshme janë Tirana ku janë djegur një sipërfaqe prej 202.9 hektarëve, Shkodra me 226.1 ha të djegura, Vlora me një sipërfaqe prej 454.6 hektarë të djegur dhe Gjirokastra me 111.55 hektarë.
Bashkia Tiranë dhe Shkodër nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi masat e marra nga ana e tyre për ndërtimin e strukurave të Mbrojtës së Zjarrit.
Ndërsa problematika e menaxhimit të strukturave vendore pranohet nga drejtuesit e zjarrfikësve në Gjirokastër dhe Vlorë.
Drejtori i kabinetit të Bashkisë Gjirokastër, Entela Bani, i tha BIRN se në këtë qark është ngritur Shtabi i Emergjencave ku është instruktuar personeli për vëzhgimin e zonave, kryesisht për zonat e mbrojtura, si Qendra Historike e Gjirokastrës. Nga agjencitë në varësi të Bashkisë, si Agjencia e Shërbimeve Publike dhe Agjencia e Shërbimeve Bujqësore, Mjedisore e Veterinare janë ngritur grupe vullnetarësh, të cilët janë trajnuar pranë MZSH Gjirokastër.
Beteja me flakët
Më 1 korrik, Policia e Shtetit lajmëroi se 2 hektarë pyje u dogjën në Lurë, në Qarkun e Dibrës. Komunikata tregonte se me mjete rrethanore u bë e mundur shuarja e vatrës së zjarrit dhe se Emergjencat Civile në bashkëpunim me struktura vendore të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit e kishin situatën nën kontroll.
“Shërbimi vendor i MZSH Dibër, ka shkuar në vendngjarje dhe ka punuar me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit për shkak të terrenit të thyer malor. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit kanë shkuar dhe punonjës nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura si dhe banorë të zonës. Pas një pune të gjatë zjarri është shuar”, thuhet në komunikatën zyrtare.
Në Lurë, zjarri u shua me mjete rrethanore, ndërsa në skajin tjetër të Shqipërisë, në Gjirokastër, makina e zjarrfikëses e nisur për ta shuar zjarrin mbeti e prishur rrugës.
Në të shumtën e rasteve flota shqiptare e zjarrfikëseve përbëhet nga makina të prodhuar para vitit ‘90-të dhe personeli nuk është i trajnuar mirë për ndërhyrjen në rastet e shuarjen e zjarrit apo dhe Emergjencave Civile.
“Ne si Bashki kemi në dispozicion 4 zjarrfikëse e ndodh shumë herë për shkak të terrenit dhe vitit të prodhimit të tyre që makina të na lë në rrugë. Përveç kushteve, si nxehtësia shumë e lartë dhe territorit tepër malorë, ne jemi të detyruar të shkojmë në operacione bashkive të tjera, Delvinë, Finiq apo edhe Përmet, për shkak se këto bashki ende nuk kanë ngritur strukturat e mbrojtjes dhe ndërhyrjeve të zjarrit”, tha drejtori i Policisë së Zjarrfikësve e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtim në Bashkinë Gjirokastrës, Kujtim Bizha.
Mungesën e personelit, teknologjisë dhe përfshirjen në operacione të bashkive fqinje e pranon dhe Fatmir Numani, i PMNZSH-së në Vlorë.
“Qendrat më të mëdha të zjarrit ne i kemi pasur në Bashkinë Selenicë apo dhe Himarë ku edhe kemi ndërhyrë, ndërkohë që personeli që kemi në dispozicion është shumë i vogël për të përballuar këto situata të rënda”, tha Naumi.
Me zbatimin e reformës së re territoriale, bashkitë duhet të marrin masa për sigurimin e mbulimit të territorit me shërbim të MZSH-së, duke organizuar dhe ngritur stacione dhe shërbim zjarrfikës, të kompletuar me personel, automjete dhe teknikë zjarrfikëse të gatishmërisë së përhershme.
Por sipas drejtuesve të MZSH-së, që BIRN foli në të shumtën e rasteve, këto drejtori kthehen në zyra punësimi për militantë dhe pak interes tregohet në investimet në teknologji, si zjarrfikëse apo dhe kostume mbrojtëse dhe trajnime të efektivave të zjarrfikëseve.
Sipas ligjit, stacionet MZSH-së duhet të jenë në gatishmëri të përhershme dhe çdonjëra prej tyre duhet të ketë jo më pak se 14 zjarrfikëse.
Ndërsa një vendim i Këshillit të Ministrave i prillit 2017, me objekt “Për miratimin e listës së bashkive, të cilat do të ngrenë stacione të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, kërkon që strukturat e këtij shërbimi të ngrihen pranë çdo bashkie në rang vendi brenda vitit 2018.
Vetingu, ILDKPKI dhe hipotekat po verifikojnë pasuritë
Miratimi nga Parlamenti i institucioneve të vettingut në qershor ishte vetëm hapi i parë i ngritjes së komisioneve që do të kontrollojnë pasuritë dhe figurën e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por, organet e reja të vettingut nuk mund të nisin shqyrtimin e dosjeve konkrete, pa u mbledhur më parë Parlamenti i ri.
Bërja efektive e Komisionit të Kualifikimit dhe e Kolegjit të Apelimit lidhet ngushtësisht me një vendim të Kuvendit të Shqipërisë, që pritet të mbajë seancën e parë të legjislaturës së re në fillim të shtatorit.
Ligji i Vettingut i jep Parlamentit kompetencën për të miratuar strukturën organizative për personelin që do të punojë në institucionet e rivlerësimit. Kjo do të thotë se, pa miratimin e kësaj strukture, që do t’i hapë rrugë rekrutimit, kryesisht të juristëve dhe ekonomistëve me mbi 7 vite përvojë pune në drejtësi ose administratë, organet e vettingut nuk mund të kryejnë veprime në marrëdhënien me palët e tjera.
Por kjo nuk do të thotë se puna për vettingun ka ngecur. Ligji u jep të drejtë disa insitucioneve, si Inspektoriati i Pasurisë dhe Drejtorisë së Kontrollit të Figurës të shqyrtojnë vërtetësinë e deklarimeve në formularët përkatës nga njerëzit e drejtësisë.
“Top Channel” mësoi se Inspektoriati i Pasurive po bashkëpunon ngushtë me Zyrën e Hipotekave për të zbuluar nëse gjyqtarët apo prokurorët kanë pasuri të paluajtshme të padeklaruar. Procedura do të kërkojë kohë, por besohet se informacionet e duhura do të jenë gati deri në fund të vitit, kur edhe godina e punës së institucioneve të vettingut të ketë mbaruar restaurimin.
Për t’u dhënë rëndësinë që kanë, institucionet që do të bëjnë rivlerësimin e pasurisë dhe figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve do të vendosen në qendër të Tiranës, në një godinë ikonë, që njihet si ish-Lidhja e Shkrimtarëve. Projektuesit e rikonstruksionit i kanë vendosur edhe një emër objektit, atë më popullorin, “Godina e vettingut”, restaurimi i së cilës do të kushtojë rreth një milion euro.
Tallja e Veliaj, stola për t’u çlodhur në vendin më të ndotur të Shqipërisë
Carloalberto Rossi
Ndërsa vendi digjet nga një sërë zjarresh dhe mjetet e pakta e primitive që ka qeveria nuk arrijnë t’i kontrollojnë dhe shuajnë dot; ndërsa në ujërat e deteve dhe lumenjve shqiptarë, në mungesë të mbikëqyrjes, mbytet pothuajse një njeri në ditë; ndërsa në spitalet e vendit paraqiten çdo ditë dhjetëra të helmuar nga ushqimi; ndërsa të shtënat me armë dhe pritat ndjekin njëra-tjetrën në shfaqjen tradicionale të larjes së hesapeve mes emigrantëve; ndërsa në rrugët e Shqipërisë ndodhin çdo ditë dhjetëra aksidente, më në fund erdhi lajmi që të përmirëson humorin. Bashkia e Tiranës, që sapo ka rritur me 44 për qind çmimin e ujit të pijshëm dhe që sapo ka miratuar procedurat e ndërtimit të shkollave me koncesion privat, ka filluar punimet për rikualifikimin e rrethrrotullimit të Zogut të Zi. Mos u shpërqendroni: “rikualifikimi i rrethrrotullimit” do të thotë saktësisht që punimet do të prekin vetëm platformën rrethore me diametër disa metra përreth të cilës rrjedh me vështirësi trafiku i thuajse të gjithë qytetit dhe që deri disa ditë më parë ishte një sistem shatërvanësh, ndoshta jo si ata të famshmit e Romës, por sidoqoftë të dobishëm për të kapur pak pluhur nga ai mal tymi që rri pezull në ajrin e Tiranës. Gjëja më ngazëlluese është që fotot rendera kompjuterike të ndërtimit të ri, të botuara me shpejtësi nga kryebashkiaku, tregojnë se në fund brenda rrethrrotullimit do të ketë sërish shatërvanë, por të një forme të ndryshme, por kësaj herë në krah të shatërvanëve do të ketë rrugica këmbësorësh në të cilët do të vendosen stola. Pra, kryebashkiaku ka vendosur t’i “dhurojë” qytetit një lulishte të mrekullueshme për fëmijët dhe të moshuarit e zonës. Në qendër të të tërës i lartë dhe hijerëndë do të qendrojë një obelisk, që nuk dihet nëse është dhuratë personale për Ramën nga ndonjë “rais” mediooriental, ose nëse do të jetë një derdhje betoni e thjeshtë dhe banale-njësoj si kryevepra e Velierës në Durrës. E sigurtë është që në mjediset e zakonshme të thashethemeve të Tiranës ka filluar të sugjerohet një lexim simbolik i ndërlikuar dhe evoluar të obeliskut: ai është një simbol fallik që përfaqëson fuqinë e ngritur të Tiranës nën efektin Rama-Veliaj, ndërkohë që ai i velierës ka një formë “pritëse”, pra femërore, që nënkupton nënshtrimin e Durrësit nga Tirana, pra ying dhe yang-un e Shqipërisë. Një domethënie e madhe simbolike, padyshim, që mund të tërheqë zgjedhësit e Shishtavecit, kur të hyjnë në kryeqytet për parakalimin ushtarak të 4 korrikut, me rastin e ditëlindjes së Udhëheqësit Global. Duke qenë se Zogu i Zi është pika më me shumë trafik në Shqipëri, me katër korsi paralele dhe katër rrugë hyrëse, ku trafiku rrjedh ngadalë, por dendur për pjesën më të madhe të ditës, natyrshëm lind pyetja se sa kohë do të presin në trafik të moshuarit dhe fëmijët, ndërsa kërkojnë të arrijnë rrethrrotullimin, me qëllimin e vetëm për t’u helmuar me vetëdije me tymin e motorëve të makinave, tymi më i dendur se në çdo vend tjetër të Shqipërisë dhe të Ballkanit. Nëse të drejtosh do të thotë të bësh zgjedhje, me siguri ky i joni bën zgjedhje edhe atje ku nuk ka nevojë, dhe me sa duket qëllimi i vetëm është gjithmonë dhe vetëm ai i shkatërrimit të asaj që ka bërë paraardhësi, duke i imponuar shoqërisë dhe vendit produktet të përshtjellimeve të tij të ngatërruara shpirtërore e mendore. Duhet pak durim, se tani po bëjmë lulishte, ndërsa shtetin do e bëjmë pak më vonë.
Shqiptarët zhyten në kredi për bukën e përditshme
Pamundësia ekonomike po gjunjëzon çdo familje shqiptare duke i detyruar kryefamiljarët t’i drejtohen huamarrjes apo kredimarrjes. Duke qenë se huamarrja tek njerëzit e afërm apo miqtë bëhet thuajse e pamundur për shkak të krizës ekonomike që ka prekur familjet shqiptare shpresa e vetme e qytetarëve tashmë ka mbetur që ata të kthejnë sytë drejt kredimarrjes. Konkretisht, kreditë për konsum rriten me 5.7% në tremujorin e dytë të 2017.
Qytetarët shqiptarë kanë marrë më shumë kredi për konsum gjatë tri muajve të fundit. Në raportin e Bankës së Shqipërisë, kredia për individë ka shfaqur rritje me 2.1 miliardë lekë më shumë në krahasim kjo me një vit më parë. Rritje ndër të tjera ka pësuar edhe kredia e dhënë për blerjen e një banese. Kredia për biznesin vijon të jetë e ngurtë e ndikuar më së shumti nga kreditë e këqija.
Shqiptarët po marrin gjithmonë e më shumë kredi për konsum të përditshëm. Vetëm në tre muajt e fundit bankat e nivelit të dytë kanë dhënë 2.1 miliardë lekë më shumë vetëm për individët ku peshën kryesore e mban konsumi dhe më pas vjen blerja e një banese. Zgjerimi i portofolit të kredisë për individë ka reflektuar njëkohësisht rritjen e kërkesës për financim nga individët dhe lehtësimin e kushteve të kreditimit të tyre nga bankat.
Rritja e konsumit e shoqëruar me lehtësimin e kushteve financiare në ekonomi dhe forcimin e besimit të individëve, kanë mbështetur kërkesën për kredi pranë bankave. Gjithashtu në këtë trend ka ndikuar edhe performanca më cilësore e kredisë për individë. Sipas Bankës së Shqipërisë qytetarët kanë preferuar që t’i marrin kreditë në monedhën vendase duke eliminuar në këtë mënyrë edhe rreziqet e kursit të këmbimit.
Bankat e nivelit të dytë presin që standardet e kreditimit dhe kërkesa për kredi nga individët për konsum do të mbeten thuajse të pandryshuar edhe në tremujorin e tretë. Por bankat janë treguar më dorështrënguar me bizneset, ku portofoli i kredisë është tkurrur me 6 miliardë lekë në tremujorin e dytë të vitit 2017. Ky reduktim ka ardhur i ndikuar nga niveli i kredive të këqija, si dhe luhatjet e kursit të këmbimit.
Më shumë 60% e bizneseve shqiptare janë me borxhe
Më shumë se gjysma e bizneseve kanë një borxh për të paguar, i cili mund të jetë në formën e një kredie të marrë, por ka dhe mjaft raste kur firmat kanë borxhe mes njëra–tjetrës apo edhe shembuj ekstremë siç është fenomeni i fajdeve. Në një vrojtim që ka bërë Banka e Shqipërisë para pak kohësh rezulton se, 60% e ndërmarrjeve deklarojnë që të kenë një hua për të paguar, ndërsa rritja e kërkesës për të marrë borxh ka ardhur gjithnjë e në rritje vitet e fundit.
Për shoqatat e bizneseve, më shumë se marrja e një kredie shqetësues është fakti i përdorimit të kleringut, pra shkëmbimi mall me mall dhe akoma më keq funksionimi i fajdeve. Por përse bizneset drejtohen që të marrin para me fajde, ku edhe interesat që paguajnë janë sa dyfishi i atyre që japin bankat? Për sektorin fason, fajdet tashmë po përdoren gjithnjë e më shumë.
Kjo nuk është një zgjedhje që bëjnë bizneset, por një mundësi e vetme. Kompanitë private kërkojnë që në një situatë të tillë shteti duhet të ndërhyjë në treg për të nxitur kreditimin dhe jo fajdet. Rasti i Maqedonisë apo Rumanisë ku u bë një ligj, i cili ndalon bankat të blenë bono thesari mund të ndihmonte që edhe në vendin tonë situata të kthehet në favor të konsumatorit dhe të rritet kreditimi. Sot që flasim një pjesë e konsiderueshme e parave të qytetarëve që janë në banka, përdoren nga ato për të blerë bono thesari të qeverisë.
Rikthimi i fajdeve, shqiptarët po marrin borxh edhe jashtë bankave
Në Shqipëri është duke u rishfaqur fenomeni i fajdeve. Në një vrojtim, i cili ka mbledhur të dhëna deri në fund të qershorit, Banka e Shqipërisë raporton se bizneset dhe individët kanë filluar gjithnjë e më shumë të përdorin burime të tjera të parasë në vend të marrjes së kredive nga bankat. Në raportin e fundit të Basnkës së Shqipërisë, theksohet se bizneset dhe individët janë të priur për të marrë hua jashtë tregut bankar, madje edhe me interesa më të larta. Kjo praktikë ka rikthyer edhe një herë fajdet në vendin tonë, por duke dhënë alarmin edhe për rritjen e informalitetit të parasë.
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, kërkesa më e ulët për kredi është perceptuar nga bankat si pasojë e përdorimit të burimeve alternative të financimit jashtë sistemit bankar. Më tej, theksohet se ka pasur një sërë faktorësh lehtësues nga bankat për standardet e kredisë për biznese në tremujorin e dytë, por pa rezultat. Lehtësimi i standardeve të kreditimit të bizneseve në tremujorin e dytë të vitit 2017 u realizua kryesisht nëpërmjet uljes së komisioneve dhe uljes së marzhit mesatar.
Ndërkohë, rritja e kërkesave për kolateral është faktor që ka vepruar në kahun shtrëngues. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për kreditë konsumatore, të cilat edhe për 2017-ën kanë vijuar të shënojnë rritje. Bankat raportojnë rritje të kërkesës së individëve për kredi në tremujorin e dytë të vitit 2017. Zgjerimi i kërkesës për kredi nga individët është mbështetur kryesisht nga kërkesa për kredi konsumatore, ndërsa kërkesa për kredi për blerje banese shfaqet pothuajse e pandryshuar. Ekspertët e bankave presin që kërkesa në total e individëve të vijojë me rritje edhe në tremujorin e ardhshëm. Lehtësimi i mëtejshëm i standardeve të kredisë së dhënë për individët rezulton të ketë ardhur kryesisht nga rritja e konkurrencës në sektorin bankar, niveli i likuiditetit dhe mjaftueshmëria e kapitalit të bankave. Nga ana tjetër, gjendja financiare e individëve, situata në tregun e pasurive të paluajtshme dhe kreditë me probleme janë faktorë me ndikim në kahun shtrëngues mbi standardet e kredisë për individët.
Berati, 2 dekadat problematike të drejtimit të qytetit nga e majta!
Nga Namir Lapardhaja
Po mbushen përafërsisht dy dekada që Berati drejtohet nga e majta dhe, kryesisht nga Partia Socialiste.
Ka qenë 1 tetori i vitit të largët 2000, ku si pasojë edhe e një inercie që vinte nga kriza e madhe e ’97-ës, beratasit u divorcuan me Partinë Demokratike, divorc që zgjati e po vazhdon nën ritmet e së njëjtës inerci, edhe përpos problemeve mjaft të mëdha që ka pasur marrëdhënia kontraktuale mes qytetarëve dhe drejtuesve të majtë të pushtetit lokal.
E fundit kryetare bashkie e PD-së, që beratasit kujtojnë nëpër jerm, ka qenë një zonjë e nderuar dhe fisnike, Milika Jaho (Vjeshta), lotët e së cilës gjatë dijegies së Bashkisë Berat nga revolucionarët e vonuar të ’97-ës janë ngulitur në memorien kolektive të atyre ditëve të zeza të qytetit të bardhë.
Brishtësia e një gruajeje, vitet e vështira dhe situata e përgjithshme politike e fundit të shekullit të 20-të në Shqipëri, nuk mund të çonin ndryshe vetëm se në një ndryshim të beftë dhe të gjatë të pushtetit lokal në Berat.
Beratasit edhe sot e kësaj dite kujtojnë se dëmi që i është shkaktuar qytetit në këto dy dekada, është i pakrahasueshëm dhe i pakonkurrueshëm me qeverisjen modeste dhe të shkurtër të zonjës Jaho, e cila, edhe pse vendi ishte duke kaluar momente dhe situata të ngjashme me ato të një lufte civile, ku shteti kishte rënë dhe, pothuajse nuk ekzistonte, arriti të frenonte babëzinë dhe, me ato mundësi modeste që kishte, arriti të mos binte pre e presioneve për shkatërrim dhe tjetërsim infrastrukturor dhe historik të qytetit.
Nëse kur vjen fjala për pushtetin qendror dhe për problemet aktuale të qeverisjes së majtë, ende një pjesë e konsiderueshme njerëzish, vijojnë e thonë shprehjen e njohur dhe të stërvjetëruar “Po në kohën e PD-së, mos ishte më mirë?!”, argument ky që çdo populli i kulturuar dhe i civilizuar as nuk do ta shkonte ndër mend (edhe nëse ka të vërteta brenda asaj shprehjeje vota ndaj ekziston, për të dënuar keqqeverisjen dhe për t’i dhënë besim një alternative më të mirë), për pushtetin lokal në Berat nuk ka as justifikim e as argument.
Në 20 vjet, Berati ka lënguar, ashtu siç vijon të lëngojë edhe në këto momente, ndërsa ne hedhim këto radhë në letër, si pasojë e një mentaliteti provincial dhe absurd i drejtuesve të tij gjatë dy dekadave.
Beratit i ka munguar, pikë së pari, dashuria e atyre që e kanë drejtuar. Asnjë nuk e ka trajtuar qytetin si pjesë të vetes dhe të afërt me të. E kanë parë atë si pronë, me të cilën mund të bësh çtë duash. Kuptohet, dëmi që i është shkaktuar është i pariparueshëm.
Përveç dashurisë, atyre i ka munguar përgjegjshmëria, që duhet të karakterizojë një drejtues lokal dhe, mbi të gjitha, vizioni për zhvillim infrastrukturor, kulturor, social, turistik etj.
Berati nga qyteti i qytetarëve është shndërruar në domenin e pushtetarëve, të cilët në 20 vjet nuk kanë bërë gjë tjetër vetëm se kanë stimuluar hemoragji kolektive të largimit të njerëzve, gjë që rrezikon shndërrimin e Beratit në një qytet fantazmë në 20 vitet e ardhshme.
Berati rrezikon të bëhet një qytet pa rini. Të rinjtë nuk kthehen më në Berat. Kjo është drama e madhe e qytetit. Ata nuk kanë të ardhme në Berat. Një rini pa të ardhme është një rini e destinuar të vdesë. Kështu që ata përballen me dy alternativa: të rrinë në qytet e të vdesin nga pak çdo ditë, ose të largohen prej tij në kërkim të mundësive dhe të alternativave.
Bardhësinë e “Mangalemit” dhe të “Goricës” e ka zvetënuar arroganca e udhëheqësve autokrat, të cilët kanë abuzuar me besimin e një pjese të popullit dhe e kanë kalëruar këtë besim nën moton e mos nxjerrjes së qimes nga qulli dhe, sido që të veprojmë ne, ky popull sërish do të na zgjedhë.
Në qytet ka munguar bashkëbisedimi i hapur dhe i sinqertë me qytetarët. Pushtetarët kanë qenë të vuvët, shurdhmemecë, duke mos dhënë llogari për asnjë gjë. Ata nuk kanë dhënë e nuk e çojnë nëpër mend të japin llogari për taksat e larta, për investimet problematike dhe të cunguara, për prioritetet e qytetit, ashtu siç nuk kanë dhënë llogari në këto ditë të nxehta vere për mungesën e ujit në rubinetat e çezmave të beratasve, ndërkohë që 2 vjet më parë u premtua ujë 24 orë. Dhe kur një zyrtar i lartë dhe përgjegjës për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit, deklaron publikisht se, “çështja e ujit të pijshëm në qytet është më shumë psikologjike”, kjo jo vetëm që nuk i bën kujt përshtypje, por një deklaratë e tillë do të mjaftonte në çdo vend për t’u shkarkuar drejtuesi në fjalë, i cili e di mjaft mirë se në 24 orë qyteti furnizohet me ujë të pijshëm vetëm 1 orë në mëngjes.
Beratit në këto 20 vjet i ka munguar respektimi i trurit dhe shërbimi ndaj qytetarit është kthyer në shërbim ndaj vetes, tarafit apo grupit të ngushtë.
Dhuntia e udhëheqjes së këtyre viteve ka kaluar nga surretërit e ngrysur përmes shfryrjes dhe babëzisë dhe jo nga koka drejt zemrës.
Berati në krye të këtyre 20 viteve drejtim nga e majta duhet të kthehet në një qytet që Dashuria e Brishtësia t’i afrohen të mirës që do të Mbizotërojë mbi të Keqen, e cila duhet të rrudhet dhe duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë.
Pakëz romantike dhe idealiste kjo qasje e fundit, mirëpo besimi dhe shpresa e një trupi të vdekur klinikisht, ashtu siç është sot në të vërtetë Berati, nuk mund të ripërtërihet dhe të kthehet në jetë me metoda të tjera.
Duhet një forcë që do të gjenerojë besim dhe shpresë tek qytetarët, të cilët edhe në mungesë të alternativave të besueshme për një kohë të gjatë, kanë bërë zgjedhje meskine dhe të vogla.
Por mos të harrojmë se një pjesë e madhe e votuesve në Berat, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, nuk dalin për të votuar. Akti i tyre është thellësisht moral dhe mjaft i qartë, për ata që kanë sy të lexojnë dhe vesh të dëgjojnë.
Ka një parim të pa shkruar jetësor, i cili buron nga e shenjta dhe mistikja, që thotë: “Çdo gjë kur plotësohet, fillon e pakësohet!” Kjo gjë, pikë së pari, ndodh me pushtetin. Pas plotësimit, vjen rënia. Ajo që duhet është alternativa, shpresa, besimi.
*Autori është anëtar i Këshillit Bashkiak të Beratit
Timonieri fluturak
Sokol GJONI
Pasi ia arriti të merrte i vetëm “timonin” qeverisës, përmes mekanizmave kriminalë të shitblerjes së votës dhe të deformimit masiv të vullnetit të zgjedhësve shqiptarë, kryeministri Rama në sintoni të plotë me degradencën e tij karakteriale, ka organizuar të ashtuquajturat “dëgjesa publike” si formën më të shëmtuar të cinizmit dhe butaforisë që ofron qeverisja e tij. Kjo platformë e komunikimit me qytetarët, përveçse produkt dhe stil i një deliranti që me populizma kërkon të ushqejë qytetarin e varfëruar skajshëm, është dhe këmbanë alarmi për premisat autoritariste që përpiqet t’i japë modelit qeverisës. Artifici i “dëgjesave”, në thelb është përpjekja për të fshehur krimin e shitblerjes së votave që përpiu standardin e zgjedhjeve, si dhe një lloj makijazhi që i bëhet fitores së 25 qershorit, e cila e damkos botërisht Ramën dhe shpurën e tij si zullumqarët e procesit zgjedhor. Paçavuret që publikohen si “raporte dhe konkluzione të nevojave të qytetarëve të dala nga dëgjesat me publikun…”, janë akoma më shumë një tregues i krimit zgjedhor të kryer, çka nënkupton fushatën e kryeministrit, i cili nuk i adresohej qytetarëve me bilance qeverisëse, apo me nevojat e investimeve, por insistonte në marrjen i vetëm të “timonit”, duke orientuar falangat e tij në shërbim të qëllimit. Kryeministri e ka kuptuar tashmë, se fitorja e tij me rezultat të paparashikueshëm, e ka dëmtuar në arenën botërore, duke zbehur ndjeshëm raportin e uij me kancelaritë e vendeve demokratike, të cilat gjithnjë kanë nënvizuar standardin zgjedhor si premisën e patjetërsueshme të çeljes së negociatave për në BE. Këtë definicion që sanksionohej në çdo tryezë, në takime bilaterale apo multilaterale, me qasje integruese për vendin, Rama e sfumoi në funksion të pushtetit të tij, duke rënduar pozitat e Shqipërisë në raport me kohën e çeljes së negociatave. Fitorja e zgjedhjeve të 25 qershorit, në kushtet e manipulimit dhe deformimit substancial të vullnetit të qytetarëve, nuk e vë aspak në pozita të rehatshme kryeministrin, i cili, tashmë duhet të rropatet qytet më qytet për t’u mbushur mendjen qytetarëve se kanë bërë zgjedhjen e duhur. I sforcuar dhe i kondicionuar nga delegjimiteti i garës së ndershme, Rama në turravrapin e tij prej kllouni, përmes “dëgjesave” me anëtarë dhe simpatizantë të PS-së, (të cilat për kozmetikë mediatike i emërton si publike), po jep një shfaqje kllouniade të mbështetur në filozofinë: “Çdo partia-e thotë populli, çdo populli-e bën partia”. Kësaj fraze reminishente, padyshim shqiptarët ia njohin konotacionet dhe nuk kanë pranuar të bëhen spektatorë të butaforisë së palaçomanëve, por në shpërfilljen e tyre lexohet pendesa e votës së dhënë në kushtet e joshjes financiare. Rama, i cili udhëhoqi operacionin e shitblerjes së votës dhe, që me bekimin e tij u përdorën paratë e pista të kanabisit që e shndërroi Shqipërinë në prodhuesin kryesor të Evropës, ka tashmë mbi supe peshën dhe përgjegjësinë e zhbërjes së proceseve integruese të vendit, si dhe të zbehjes së ndjeshme të rolit të Shqipërisë në organizmat ndërkombëtare dhe në paktet strategjike. Të mendosh se kryeministri i vendit, me fluturime orgazmike, me retorika patetike, me klishe pa sens e logjikë qeverisëse, me cirkuistikë takimesh e përrallisjesh mund të fshehë krimin e blerjes së votave, është më shumë se një naivitet sehirxhinjsh, por provokim i paqëmtuar ndaj inteligjencës dhe integritetit të qytetarëve shqiptarë.
Kryeministri i vendit duhet ta lexojë me përgjegjshmëri të lartë rrënimin që i bëri standardit të zgjedhjeve, duke ofruar në bashkëpunim me opozitën garancitë e duhura kushtetuese për moscënimin e institucioneve demokratike të vendit, si dhe të konsolidojë mjetet e dialogut politik si premisat e duhura për kapërcimin e kësaj fshikullime që do të marrë nga institucionet ndërkombëtare që monitoruan dhe asistuan në zgjedhjet e 25 qershorit.
Irritohet Zidane
Ndëshkimi me të kuq i Ronaldos, si pasojë e dy kartonëve të verdhë, si dhe shtyrja që i bëri arbitrit të ndeshjes së parë për Superkupën e Spanjës në “Camp Nou” kundër Barcelonës, duket se e shqetëson shumë trajnerin Zinedine Zidane. “Jam shumë i irrituar dhe jo vetëm unë, por të gjithë. Nuk dua të flas për arbitrat, por nëse shohim atë që ndodhi e më pas ndëshkimin me 5 ndeshje të Cristiano Ronaldos, atëherë mund të themi se diçka nuk po shkon siç duhet. Kjo është e tepërt”, tha francezi i Realit të Madridit. “Nuk e di nëse dikush e ka personale me të, shpresoj që të mos jetë kjo. Gjithkush duhet të bëjë detyrën e tij. Por në fund, jam unë që duhet të bëj llogaritë me mungesën e tij për 5 ndeshje”, deklaroi më tej Zidane.
Sa i përket ndeshjes së kthimit dhe përmbysjes së “mundshme” të Barcelonës pas rezultatit 1-3 në “Camp Nou”, tekniku francez shprehet: “Gjithçka është e mundshme kur ekziston përballje me dy takime. Duhet të bëjmë lojën tonë. Barcelona është një skuadër e mirë dhe mund të na vërë në vështirësi në çdo moment. Por ne duhet të mendojmë të zhvillojmë një ndeshje të mirë, deri në minutën e fundit dhe të përpiqemi ta fitojmë edhe ndeshjen e kthimit. Me siguri do të na pengojnë në këtë objektiv, ndaj na pret një ndeshje e vështirë, jo vetëm fizikisht”.
Ndërkohë, për merkaton, e cila ka edhe 15 ditë deri në mbylljen e saj, Zidane nuk ka ndonjë “peng”. “E kam thënë edhe më herët, jam i kënaqur me skuadrën që kam. Besoj se do të qëndrojnë që të gjithë, megjithatë, deri në datën 31 mund të ndodhin shumë gjëra”. Gjithsesi, irritimi për atë që ka ndodhur duket se nuk prek vetëm skuadrën “merengues”, por edhe tifozët e saj.
Fansat e “Los Blancos”-ve janë të indinjuar për faktin që kanë rënë viktima të gabimeve në gjykim. E për këtë arsye, në ndeshjen e kthimit të së mërkurës, në “Bernabeu” pritet të shohim një reagim vërtet të fuqishëm nga tifozët, që siç njoftojnë mediat spanjolle, është përgatitur për në minutën e 7 të ndeshjes.
Në këtë moment do të shpërthejë protesta e tifozëve të Realit për “gjykimet kundër” e mbi të gjitha për episodin e fundit në “Camp Nou”, që pati për protagonist Cristiano Ronaldon. Një protestë që do të prekë edhe gjyqtarin e atij takimi, Jose Maria Sanchez Martinez.
Krenar për skuadrën që ai drejton, por në të njëjtën kohë, Zidane kërkon përqendrim maksimal për sfidën e kthimit ndaj Barçës sepse pavarësisht fitores 3-1 në “Camp Nou” janë edhe 90 minuta të tjera për t’u luajtur dhe sipas trajnerit francez Superkupa e Spanjës nuk është ende pronë e Los Blancos.
“Jam krenar për të gjitha ato që kemi arritur gjatë kësaj periudhe. Nuk ka qenë e lehtë për ne për të arritur në këtë pikë ku jemi sot. Kemi një skuadër shumë të talentuar, por të gjithë kanë bërë një punë të madhe. Në futboll asgjë nuk është e sigurtë. Është edhe një ndeshje e kthimit, të cilën duhet ta luajmë mirë, sepse Barcelona është një skuadër e madhe dhe mund të na vendosë në vështirësi në çdo moment. Në ndeshjen e parë, ata krijuan shumë raste kështu që ne duhet ta luajmë këtë sfidë për ta fituar nëse duam të bëjmë tonin trofeun e Superkupës”.