31.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

Timonieri fluturak

Sokol GJONI

Pasi ia arriti të merrte i vetëm “timonin” qeverisës, përmes mekanizmave kriminalë të shitblerjes së votës dhe të deformimit masiv të vullnetit të zgjedhësve shqiptarë, kryeministri Rama në sintoni të plotë me degradencën e tij karakteriale, ka organizuar të ashtuquajturat “dëgjesa publike” si formën më të shëmtuar të cinizmit dhe butaforisë që ofron qeverisja e tij. Kjo platformë e komunikimit me qytetarët, përveçse produkt dhe stil i një deliranti që me populizma kërkon të ushqejë qytetarin e varfëruar skajshëm, është dhe këmbanë alarmi për premisat autoritariste që përpiqet t’i japë modelit qeverisës. Artifici i “dëgjesave”, në thelb është përpjekja për të fshehur krimin e shitblerjes së votave që përpiu standardin e zgjedhjeve, si dhe një lloj makijazhi që i bëhet fitores së 25 qershorit, e cila e damkos botërisht Ramën dhe shpurën e tij si zullumqarët e procesit zgjedhor. Paçavuret që publikohen si “raporte dhe konkluzione të nevojave të qytetarëve të dala nga dëgjesat me publikun…”, janë akoma më shumë një tregues i krimit zgjedhor të kryer, çka nënkupton fushatën e kryeministrit, i cili nuk i adresohej qytetarëve me bilance qeverisëse, apo me nevojat e investimeve, por insistonte në marrjen i vetëm të “timonit”, duke orientuar falangat e tij në shërbim të qëllimit. Kryeministri e ka kuptuar tashmë, se fitorja e tij me rezultat të paparashikueshëm, e ka dëmtuar në arenën botërore, duke zbehur ndjeshëm raportin e uij me kancelaritë e vendeve demokratike, të cilat gjithnjë kanë nënvizuar standardin zgjedhor si premisën e patjetërsueshme të çeljes së negociatave për në BE. Këtë definicion që sanksionohej në çdo tryezë, në takime bilaterale apo multilaterale, me qasje integruese për vendin, Rama e sfumoi në funksion të pushtetit të tij, duke rënduar pozitat e Shqipërisë në raport me kohën e çeljes së negociatave. Fitorja e zgjedhjeve të 25 qershorit, në kushtet e manipulimit dhe deformimit substancial të vullnetit të qytetarëve, nuk e vë aspak në pozita të rehatshme kryeministrin, i cili, tashmë duhet të rropatet qytet më qytet për t’u mbushur mendjen qytetarëve se kanë bërë zgjedhjen e duhur. I sforcuar dhe i kondicionuar nga delegjimiteti i garës së ndershme, Rama në turravrapin e tij prej kllouni, përmes “dëgjesave” me anëtarë dhe simpatizantë të PS-së, (të cilat për kozmetikë mediatike i emërton si publike), po jep një shfaqje kllouniade të mbështetur në filozofinë: “Çdo partia-e thotë populli, çdo populli-e bën partia”. Kësaj fraze reminishente, padyshim shqiptarët ia njohin konotacionet dhe nuk kanë pranuar të bëhen spektatorë të butaforisë së palaçomanëve, por në shpërfilljen e tyre lexohet pendesa e votës së dhënë në kushtet e joshjes financiare. Rama, i cili udhëhoqi operacionin e shitblerjes së votës dhe, që me bekimin e tij u përdorën paratë e pista të kanabisit që e shndërroi Shqipërinë në prodhuesin kryesor të Evropës, ka tashmë mbi supe peshën dhe përgjegjësinë e zhbërjes së proceseve integruese të vendit, si dhe të zbehjes së ndjeshme të rolit të Shqipërisë në organizmat ndërkombëtare dhe në paktet strategjike. Të mendosh se kryeministri i vendit, me fluturime orgazmike, me retorika patetike, me klishe pa sens e logjikë qeverisëse, me cirkuistikë takimesh e përrallisjesh mund të fshehë krimin e blerjes së votave, është më shumë se një naivitet sehirxhinjsh, por provokim i paqëmtuar ndaj inteligjencës dhe integritetit të qytetarëve shqiptarë.
Kryeministri i vendit duhet ta lexojë me përgjegjshmëri të lartë rrënimin që i bëri standardit të zgjedhjeve, duke ofruar në bashkëpunim me opozitën garancitë e duhura kushtetuese për moscënimin e institucioneve demokratike të vendit, si dhe të konsolidojë mjetet e dialogut politik si premisat e duhura për kapërcimin e kësaj fshikullime që do të marrë nga institucionet ndërkombëtare që monitoruan dhe asistuan në zgjedhjet e 25 qershorit.

Irritohet Zidane

Ndëshkimi me të kuq i Ronaldos, si pasojë e dy kartonëve të verdhë, si dhe shtyrja që i bëri arbitrit të ndeshjes së parë për Superkupën e Spanjës në “Camp Nou” kundër Barcelonës, duket se e shqetëson shumë trajnerin Zinedine Zidane. “Jam shumë i irrituar dhe jo vetëm unë, por të gjithë. Nuk dua të flas për arbitrat, por nëse shohim atë që ndodhi e më pas ndëshkimin me 5 ndeshje të Cristiano Ronaldos, atëherë mund të themi se diçka nuk po shkon siç duhet. Kjo është e tepërt”, tha francezi i Realit të Madridit. “Nuk e di nëse dikush e ka personale me të, shpresoj që të mos jetë kjo. Gjithkush duhet të bëjë detyrën e tij. Por në fund, jam unë që duhet të bëj llogaritë me mungesën e tij për 5 ndeshje”, deklaroi më tej Zidane.
Sa i përket ndeshjes së kthimit dhe përmbysjes së “mundshme” të Barcelonës pas rezultatit 1-3 në “Camp Nou”, tekniku francez shprehet: “Gjithçka është e mundshme kur ekziston përballje me dy takime. Duhet të bëjmë lojën tonë. Barcelona është një skuadër e mirë dhe mund të na vërë në vështirësi në çdo moment. Por ne duhet të mendojmë të zhvillojmë një ndeshje të mirë, deri në minutën e fundit dhe të përpiqemi ta fitojmë edhe ndeshjen e kthimit. Me siguri do të na pengojnë në këtë objektiv, ndaj na pret një ndeshje e vështirë, jo vetëm fizikisht”.
Ndërkohë, për merkaton, e cila ka edhe 15 ditë deri në mbylljen e saj, Zidane nuk ka ndonjë “peng”. “E kam thënë edhe më herët, jam i kënaqur me skuadrën që kam. Besoj se do të qëndrojnë që të gjithë, megjithatë, deri në datën 31 mund të ndodhin shumë gjëra”. Gjithsesi, irritimi për atë që ka ndodhur duket se nuk prek vetëm skuadrën “merengues”, por edhe tifozët e saj.
Fansat e “Los Blancos”-ve janë të indinjuar për faktin që kanë rënë viktima të gabimeve në gjykim. E për këtë arsye, në ndeshjen e kthimit të së mërkurës, në “Bernabeu” pritet të shohim një reagim vërtet të fuqishëm nga tifozët, që siç njoftojnë mediat spanjolle, është përgatitur për në minutën e 7 të ndeshjes.
Në këtë moment do të shpërthejë protesta e tifozëve të Realit për “gjykimet kundër” e mbi të gjitha për episodin e fundit në “Camp Nou”, që pati për protagonist Cristiano Ronaldon. Një protestë që do të prekë edhe gjyqtarin e atij takimi, Jose Maria Sanchez Martinez.
Krenar për skuadrën që ai drejton, por në të njëjtën kohë, Zidane kërkon përqendrim maksimal për sfidën e kthimit ndaj Barçës sepse pavarësisht fitores 3-1 në “Camp Nou” janë edhe 90 minuta të tjera për t’u luajtur dhe sipas trajnerit francez Superkupa e Spanjës nuk është ende pronë e Los Blancos.
“Jam krenar për të gjitha ato që kemi arritur gjatë kësaj periudhe. Nuk ka qenë e lehtë për ne për të arritur në këtë pikë ku jemi sot. Kemi një skuadër shumë të talentuar, por të gjithë kanë bërë një punë të madhe. Në futboll asgjë nuk është e sigurtë. Është edhe një ndeshje e kthimit, të cilën duhet ta luajmë mirë, sepse Barcelona është një skuadër e madhe dhe mund të na vendosë në vështirësi në çdo moment. Në ndeshjen e parë, ata krijuan shumë raste kështu që ne duhet ta luajmë këtë sfidë për ta fituar nëse duam të bëjmë tonin trofeun e Superkupës”.

Ibra qëndron te Manchester United

Do të fitojë të njëjtën shifër që i garantonte kontrata para dëmtimit të rëndë dhe falë vullnetit të hekurt dhe rekuperimit rekord, Zlatan Ibrahimoviç do të mbetet sërish në “Old Trafford”. Nga dita në ditë po zhduken dyshimet mbi të ardhmen e gjigantit suedez, që edhe pse i shkëputur ligjërisht nga Manchester United, u stërvit këto kohë në qendrën e Keringtonit, duke bindur edhe skeptikët.
Familja amerikane Glejzër nuk kishte dyshime mbi qëndrimin e Zlatan. Ai garanton bileta të shitura, fanella, tifozë dhe publicitet brenda dhe jashtë fushës. Trajneri Jose Mourinho kishte fjalën e fundit, të cilën e tha përgjysmë para pak ditësh, duke konfirmuar dhe qëndrimin e suedezit.
35-vjeçari po lë pas në kohë rekord dëmtimin në gju në Europa League dhe të gjithë statistikat tregojnë se është në gjendje të bëjë diferencën në çdo kampionat. “Akordi është arritur dhe brenda 24 orësh do të zyrtarizohet”, shkruan “The Sun”, duke cituar një burim pranë klubit të “Old Trafford”. Manchester United i besoi numrin 9 Romelu Lukakut me bekimin e Ibrahimoviç, por pikërisht suedezi mund të ofrojë konkurrencën për një rol titullar në formacion, qoftë ky në Premier League apo në Championsin e rigjetur.
Në kohërat e arta të Arsenalit, tifozët mbajnë mend sesi lojtarë të tillë si Tieri Henri abuzonin me mbrojtjet kundërshtare me veprime teknike dhe gola të bukur, por garantonin gjithashtu edhe trofe. Vite distancë nga largimi i sulmuesit francez, te londinezët ndikon gjithmonë mendimi i ish-numrit legjendar 14.
Henri ka kritikuar mënyrën e lojës së Arsenalit, duke lënë të kuptohet se duhen rezultate dhe gola e jo qarkullim topi. Pasiguria për të ardhmen e Aleksis Sançez, është larguar disi me blerjen e Lacazette. “Arsenali ka nevojë për t’u larguar nga futbolli i bukur dhe duhet të bëhet më i drejtpërdrejtë. Granit Xhaka për shembull, ka këtë stil loje direkt dhe ka një të majtë fantastike, që duhet ta shfrytëzojë dhe të mos humbasë kohën të qarkullojë topin në mesfushë. Pse duhet të qarkullosh topin kur mund ta dërgosh atë në rrjetë? Xhaka duhet ta bëjë këtë dhe të mësohet me rolin e Lacazette”, tha Tieri Henri.
Arsenal fitoi përmes spektaklit përballjen e parë të Premier Ligës kur u imponua 4-3 ndaj Leicester City, por mbrojtja ka treguar sërish oshilacione, edhe pse jemi vetëm në startin e sezonit.

Çmimet e biletave të avionëve ulen në tetor

“Arratia” e shqiptarëve drejt destinacioneve jashtë kufijve është një tendencë në rritje vit pas viti. Disa udhëtojnë për punë, disa tek të afërmit dhe një pjesë e konsiderueshme për turizëm. Por akoma dëshirën për të udhëtuar jashtë po e mbajnë të ndrydhur në një pjesë të mirë çmimet e kripura të biletave. Viteve të fundit ka pasur një tentativë për futjen në treg të linjave low cost në disa destinacione, por që duket as këto të fundit nuk i kanë shpëtuar dot sjelljes së simotrave normale të tyre me çmime që nuk reflektojnë aspak një pagesë low-cost, përkundrazi ato luhaten mes çmimeve mestarë dhe në disa raste të larta. Monitor kreu një vëzhgim së fundmi për tre destinacione ku operojnë linja low cost, dhe çmimet e biletave që aplikohen nga secila. Konkretisht destinacionet janë Tiranë-Budapest-Tiranë, Tiranë-Amsterdam-Tiranë, Tiranë-Paris-Tiranë.

Çmimet
Destinacioni i parë është Tiranë-Budapest-Tiranë.
Kompania që operon në këtë destinacion është Wizz Air, një kompani hungareze e njohur për kostot e lira të fluturimit. Në gusht, çmimi më i ulët që ofrohet vetëm vajtje për këtë destinacion është në datë 31 gusht, me një vlerë prej 109.99 euro.
Menjëherë pas mbylljes së gushtit, me ardhjen zyrtare të vjeshtës, duket se kemi edhe një ulje të çmimeve që më 5 shtator prekin nivelin e 89.99 euro për të vijuar me një rënie të mëtejshme në tetor kur në datë 10 shtator arrijnë deri në 29.99 euro.
Për kahun e kundërt të udhëtimit, pra nga Budapesti drejt Tiranës, çmimet duket se janë më ekonomike. Në gusht ato mund të arrihen minimalisht me një çmim 24.99 euro në 29 gusht, ndërsa në shtator ato prekin një nivel tjetër minimal prej 19.99 euro për person.
Tiranë-Amsterdam-Tiranë është linja e dytë që operohet nga kompania Transavia. Nga Tirana një biletë përgjatë gjithë gushtit është në limitet e 319 euro vetëm vajtje, ndërkohë që në fillim të shtatorit dhe konkretisht në datë 4, çmimi ulet në 196 euro.
Në fund të shtatorit çmimi më i ulët arrin në 62 euro. Edhe në këtë rast, kthimi është më ekonomik, pasi nga Amsterdami në Tiranë mund të udhëtosh me një biletë që kushton maksimalisht 54 euro në ditët e mbetura të gushtit, por që në data të caktuara mund ta rezervosh edhe me 34 euro. I njëjti trend çmimesh ruhet edhe gjatë shtatorit dhe tetorit.
Transavia është e njëjta linjë që operon edhe në destinacionin Tiranë-Paris-Tiranë, ku nisja bëhet nga Tirana International, ndërkohë që në Paris avioni ulet në Aeroportin e Orlit. Në gusht që të udhëtosh drejt Parisit të duhen të paktën 350 euro në vajtje ndërkohe që ka dhe opsione më të lira si me 220 euro në 22 gusht.
Në shtator, çmimet fillojnë të ulen në kufijtë e 220 eurove dhe 180 eurove për të njëjtin fluturim për të kapur një nivel minimal prej 56 eurosh në 3 tetor 2017. Nga ana tjetër, kthimi nga Parisi në Tiranë gjatë këtyre ditëve kushton nga 212 euro në 57 euro në 24 gusht. Në shtator dhe tetor çmimet luhaten maksimalisht në 57-66 euro.

Një tenor që foli si armik

Carloalberto Rossi

Para pak ditësh, tenori Agim Hushi, i cili ka arritur sukses artistik nëpër botë, në një postim të tijin në Facebook shkroi për të metat e Shqipërisë, duke shpjeguar në mënyrë mjaftueshëm të bindshme se pse po largohej për gjithmonë nga vendi për të jetuar në Sidni të Australisë “ku emrin e kryetarit të bashkisë së një qyteti 5 milionësh nuk e di askush dhe ku kryetari i shtetit mban përgjegjësi edhe për menynë e pensionistëve”.
Ai e përshkruan Shqipërinë si “atdheu i dështuar, që është kapur për fyti dhe po jep shpirt në duart e një kaste kriminele, ku vlerë kanë vetëm hajdutët, maskarenjtë, injorantët, baballarët tanë të kombit me hundët zbardhur nga kokaina” dhe e mbyll duke thënë se është turp të jesh bashkëkombës i këtyre.
Hapu qiell! Në mediat sociale dhe në blogje të ndryshme erdhi vërshuan lumenj të rrëmbyeshëm komentesh-dikush u solidarizua dhe komentoi duke theksuar se ky është gjykimi i një shqiptari të suksesshëm dhe qytetar të botës, por pjesa më e madhe u hodhën në kundrathënie, dënime dhe linçime, duke auzuar tenorin për çdo lloj tradhëtie të mundshme.
Ky lloj reagimi ka ndodhur më parë e do të ndodhë përsëri, sepse ai është një lloj refleks i kushtëzuar, ndoshta mbetje e sistemit komunist, ose ndoshta thjesht trashëgimi e një shekulli izolimi: tek ne ekziston krimi shoqëror i “sharjes së Shqipërisë”. Pavarësisht argumentave që mund të jenë të vërteta ose të dokumentuara, ai që flet keq për vendin, ai që flet keq për partinë, është armik dhe pikë.
Dhe duhet të përjashtohet, eliminohet, dëbohet, duhet të iki dhe të na lërë të shijojmë parajsën tonë-nga e cila sidoqoftë rreth 55 për qind e jona dëshiron të largohet për t’ju bashkuar atyre një milion e gjysëm që tashmë e kanë braktisur me kohë atdheun e shtrenjtë.
Menjëherë mbetjet e vjetra komuniste, shpura e tyre dhe shumë injorantë të tjerë të tërhequr nga këto të fundit, shpërthejnë me zë të lartë, duke akuzuar fajtorin për sharje, duke kërkuar me ulërimën e tyre të mbysin argumentat e bezdisshëm edhe pse ato ja bëjnë mu me vërtetësinë e tyre. “Etika” jonë e kulluar parashikon që mund të thuhen vetëm gjërat e mira, e vërteta nuk ka rëndësi.
Nuk ka rëndësi që të gjithë e dinë se, Agim Hushi ka të drejtë që nuk është mirë që një vend të ketë një klasë politike e drejtuese si kjo, nuk ka rëndësi që vendi është i sakatuar nga korrupsioni e keqqeverisja dhe abuzimet dhe shkeljet e të drejtave po i rrënojnë më të dobtit dhe nuk po kursejnë më askënd, nuk ka rëndësi nëse ai që shprehet është qytetar i mirë, nuk ka rëndësi nëse është i huaj apo shqiptar-kur fillon reagimi të gjithë vrapojnë të lëshojnë akuzat e tyre, ndoshta duke patur ende frikë se një sekretar partie mund të dyshojë për sjellje indiferente apo antishoqërore të tyre.
Kjo ishte çimentoja me të cilin ishte ndërtuar konsensusi në kohën e diktaturës, dhe ky është edhe motivi për të cilin vazhdojmë të humbim çdo rast për të reflektuar mbi gjendjen tonë të vërtetë, si vend, si popull, si Atdhe. Pa reflektim nuk do të këtë përmirësim.
Dhe kush nuk është dakord duhet të largohet, sepse këto janë rregullat këtu.
Në fund do të mbetet vetëm njeri.

275 milionë dollarë kredi shtetërore për banesat sociale

Në pesë vite, qeveria ka shpenzuar 275 milionë dollarë për politikat e strehimit. Nga këto vetëm 81 milionë i përkasin kontributit të dhënë nga pushteti vendor, pjesën tjetër të peshës e kanë mbajtur taksapaguesit shqiptarë.
Janë këto disa nga shifrat që zbardh një dokument i fundit i Ministrisë së Zhvillimit Urban, i cili fokusohet në detaj tek politikat e strehimit social. Të dhënat janë nxjerrë nga shkëmbimi i shifrave me njësitë vendore, por edhe institucionet qendrore.
Një ndër problemet që haset lidhur me strehimin social duket se është baza e dobët e të dhënave. Nga pyetësorët që janë zhvilluar me njësitë vendore ka rezultuar që një pjesë e mirë të tyre nuk kanë të dhëna të sakta për numrin e të pastrehëve.
“Bie në sy mungesa e të dhënave për qytetet e mëdha si Tirana, Elbasani, Lushnja, Fieri. Nga bashkitë që kanë plotësuar informacionin, me numër më të madh aplikantësh kemi Durrësin me 4224 aplikime, Korçën me 3735 dhe Sarandën 1082”, thuhet në dokumentin e ministrisë.
Pyetësorët kanë reflektuar edhe kërkesën e grupeve vulnerabël për t’u përfshirë tek programet e strehimit, por sigurisht më i preferuari mbetet ai i banesës me kosto të ulët që të ofronte një kredi me interes të butë.
Programi me numrin më të madh të aplikantëve është Banesa me kosto të ulët (kredi e lehtësuar) me 8769 kërkesa kurse programi me numrin më të vogël të aplikantëve është programi grante të vogla me vetëm 101 kërkesa.
Nga totali i atyre që kanë aplikuar vetëm 5336 kanë arritur të përfitojnë nga programet e bashkive.
Përtej dëshirës që kanë njësitë vendore për ta parë me prioritet pjesën e strehimit kufizues mbetet elementi financim dhe kjo është listuar nga 50 prej tyre si problemi kyç.
Ministria e Zhvillimit Urban rendit në dokumentin e saj edhe elementët frenues të politikave të strehimit që lidhen me mospasjen në pronësi nga ana e bashkisë të truallit ose objekteve në pronësi të saj për të ofruar strehim social, problemet me pronësinë e truallit (zaptimin) dhe proceset e zgjatura të legalizimit nga familjet që jetojnë në to.

Receta e Kisingerit për Korenë e Veriut

Henry A. Kissinger

Për më shumë se 30 vjet, përgjigjja e botës ndaj programit bërthamor të Koresë së Veriut ka kombinuar dënimin me zvarritjen. Sjellja kokëkrisur e Phenianit është qortuar. Janë lëshuar paralajmërime se evolucioni i tij drejt armatimit, do të jetë i papranueshëm. Megjithatë, programi i tij bërthamor vetëm sa është përshpejtuar.
Rezoluta e sanksioneve e 5 gushtit, miratuar njëzëri nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shënoi një hap të madh përpara. Megjithatë, një objektiv i miratuar nga të gjithë mbetet të vendoset. Por suksesi i Koresë së Veriut në testimin e një prototipi rakete balistike interkontinentale, eliminon hapësirën për ekuivok të mëtejshëm. Nëse Kim Jong Un e vazhdon programin bërthamor, edhe përkundër kundërshtimit të Kinës dhe SHBA, si dhe një rezolute unanime të Këshillit të Sigurimit, ai do të ndryshojë marrëdhënien gjeostrategjike midis aktorëve kryesorë. Nëse Pheniani zhvillon një kapacitet të plotë bërthamor, ndërkohë që bota dridhet, ai do të zvogëlojë seriozisht kredibilitetin e ombrellës bërthamore amerikane në Azi, veçanërisht për aleatët tanë në Tokio dhe Seul.
Sfida afatgjatë shkon përtej kërcënimit ndaj territorit amerikan, deri në perspektivën e kaosit bërthamor. Një arsenal operacional raketash interkontinentale i Koresë së Veriut është ende larg në kohë, po të kemi parasysh nevojën për të miniaturizuar kokat me mbushje, montimin e tyre tek raketat dhe prodhimin e tyre në numra të mëdhenj. Por vendet e Azisë janë tashmë të kërcënuara nga raketat ekzistuese të Koresë së Veriut, me rreze të shkurtër dhe të mesme. Ndërsa këto kërcënime akumulohen, nxitja për vende si Vietnami, Koreja e Jugut dhe Japonia për t’u mbrojtur me armët e tyre bërthamore do të rritet në mënyrë dramatike – një kthesë ogurzezë për rajonin dhe botën. Zhbërja e progresit që Pheniani ka bërë tashmë, është po aq e rëndësishme sa parandalimi i avancimit të mëtejshëm të tij.
Diplomacia amerikane, ashtu si edhe ajo multilaterale në Korenë e Veriut ka qenë e pasuksesshme, për shkak të pamundësisë për të bashkuar objektivat kryesore të aktorëve kyçë – veçanërisht ato të Kinës dhe SHBA – në një konsensus operacional. Kërkesat amerikane për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut kanë rezultuar të pavlefshme. Udhëheqësit e SHBA duke përfshirë edhe ushtrinë, kanë ngurruar të përdorin forcën; sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis e ka përshkruar perspektivën e një lufte me Korenë si “katastrofike”. Mijëra tuba të artilerisë të vendosura brenda zonës së kryeqytetit të Koresë së Jugut, tregojnë strategjinë e Phenianit për të mbajtur peng popullsinë 30-milionëshe të Seulit.
Veprimi ushtarak parandalues i njëanshëm nga SHBA, do të përfshinte një rrezik konflikti me Kinën. Pekini, edhe pse përkohësisht pranoi, nuk do t’i qëndronte gjatë një strategjie amerikane për të përcaktuar vetë atë që do të ndodhë, në skajin e tokës kineze, siç e tregoi ndërhyrja amerikane luftën koreane të viteve 1950. Përdorimi i forcës ushtarake duhet të analizohet me kujdes dhe fjalori duhet të përmbahet. Por ajo nuk mund të përjashtohet.
Konsiderata si këto kanë sjellë përpjekjet e administratës për të futur edhe Kinën, në një përpjekje diplomatike për të shtyrë Korenë drejt denuklearizimit. Këto përpjekje deri më tani kanë pasur vetëm sukses të pjesshëm. Kina ndan shqetësimin amerikan lidhur me përhapjen bërthamore. Në fakt është vendi më i prekur menjëherë prej saj. Por, ndërsa Amerika ka qenë e qartë për qëllimin, ajo ka qenë më pak e gatshme të përballet me pasojat politike. Duke pasur parasysh shpërndarjen e madhe dhe joproporcionale të burimeve kombëtare të Koresë së Veriut në programin e saj të armëve bërthamore, braktisja ose zvogëlimi thelbësor i saj do të prodhonte një përmbysje politike, ndoshta edhe ndryshim të regjimit.
Kina me siguri e kupton këtë. Prandaj, një nga ngjarjet më të spikatura të diplomacisë aktuale është mbështetja e Pekinit në parim, për denuklearizimin e Koresë së Veriut. Në të njëjtën kohë, perspektiva e shpërbërjes ose kaosit në Korenë e Veriut ngjall të paktën dy shqetësime të mëdha në Kinë. I pari ka të bëjë me efektet politike dhe sociale të një krize të brendshme të Koresë së Veriut brenda vetë Kinës, duke risjellë në skenë ngjarje të njohura nga mijëvjeçarë të tërë të historisë kineze. I dyti përfshin sigurinë në Azinë Verilindore. Nxitja e Kinës për të ndihmuar zbatimin e denuklearizimit, do të jetë që të imponojë kufizime të krahasueshme në të gjithë Korenë. Sigurisht, Koreja e Jugut nuk ka ndonjë program bërthamor të dukshëm ose plane të shpallura për të, por një përplasje ndërkombëtare është çështje tjetër.
Kina do të ketë gjithashtu një rol në evolucionin politik të Koresë së Veriut pas denuklearizimit, qoftë një zgjidhje me dy shtete apo një ribashkim, si dhe në kufizimet për vendosjen e trupave ushtarake në Korenë e Veriut. Deri më tani, administrata i ka kërkuar Kinës që të bëjë presion mbi Korenë e Veriut, si një lloj nënkontraktori, për të arritur objektivat amerikane. Qasja më e mirë – ndoshta e vetja e mundshme – është të bashkojë të dy përpjekjet dhe të zhvillojë një qëndrim të përbashkët, të ndjekur bashkërisht me vendet e tjera të përfshira.
Deklaratat që e përcaktojnë objektivin e SHBA, si atë të afrimit të Koresë së Veriut në tryezën e negociatave reflektojnë supozimin se negociatat janë objektivi i tyre, duke vepruar pra, sipas vrullit të tyre, të ndara nga presionet që i bënë të mundura ato dhe që nevojiten për t’i vazhduar. Por diplomacia amerikane, në fund do të gjykohet nga rezultati dhe jo nga procesi. Garancitë e përsëritura se SHBA nuk kërkon avantazh të njëanshëm nuk janë të mjaftueshme për vendet që mendojnë se struktura e sigurisë aziatike është në rrezik.
Atëherë cilat palë duhet të negociojnë dhe për çfarë? Një kuptim mes Uashingtonit dhe Pekinit është parakusht thelbësor për denuklearizimin e Koresë. Për shkak të një evoluimi ironik, në këtë fazë Kina mund të ketë një interes më të madh se sa SHBA, në pengimin e nuklearizimit të Azisë. Pekini ka riskun e përkeqësimit të marrëdhënieve me Amerikën, nëse fajësohet se nuk ka ushtruar presion të mjaftueshëm ndaj Phenianit. Duke qenë se denuklearizimi kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm, ai nuk mund të arrihet me presion ekonomik. Ai kërkon një mirëkuptim themelor Kinë-SHBA për atë që do të ndodhë më pas, sidomos për evolucionin politik të Koresë së Veriut dhe kufizimet për dërgime trupash në territorin e saj. Një mirëkuptim i tillë nuk duhet të ndryshojë marrëdhëniet aktuale të aleancave.
Sado paradoksale mund të duket në dritën e një historie gjysmëshekullore, një mirëkuptim i tillë është ndoshta mënyra më e mirë për të dalë nga qorrsokaku korean. Një deklaratë e përbashkët e objektivave dhe veprimeve që do të kryhen, do të sjellë izolimin e Phenianit dhe ofrojë një bazë për garancinë ndërkombëtare, që është thelbësore për të ruajtur rezultatin.
Seuli dhe Tokio duhet të luajnë një rol kyç në këtë proces. Asnjë vend nuk është më i përfshirë në mënyrë organike, sesa Koreja e Jugut. Duhet të ketë, prej gjeografisë dhe marrëdhënies së aleancave, një zë vendimtar në rezultatin politik. Do të ishte më drejtpërdrejt e prekur nga një zgjidhje diplomatike dhe më e rrezikuar nga kontigjencat ushtarake. Është një gjë që udhëheqësit amerikanë dhe të tjerë të shpallin se nuk do të përfitonin nga denuklearizimi i Koresë së Veriut. Seuli duhet të këmbëngulë në një koncept më gjithëpërfshirës dhe formal.
Ngjashëm, historia e Japonisë ka qenë e lidhur me Korenë për mijëvjeçarë të tërë. Koncepti i sigurisë së Tokios nuk do të tolerojë për një kohë të pacaktuar, një Kore bërthamore, pa ngritur një aftësi bërthamore të vetën. Vlerësimi prej Japonisë i aleancës me amerikanët, do të ndikohet më së shumti nga shkalla në të cilën administrata e SHBA merr në konsideratë shqetësimet japoneze për krizën.
Rruga alternative e një negociimi të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara me Phenianin, i tundon disa. Por kjo do të na linte një partner, që mund të ketë vetëm një interes minimal për zbatimin dhe një interes maksimal për të vënë Kinën dhe SHBA kundër njëra-tjetrës. Një mirëkuptim me Kinën është i nevojshëm për presion maksimal dhe garanci të realizueshme. Në vend të kësaj, Pheniani mund të përfaqësohet më së miri, në një konferencë ndërkombëtare kulmore.
Ka pasur sugjerime se një ngrirje e testimeve, mund të sigurojë një zgjidhje të përkohshme që çon me kalimin e kohës drejt një denuklearizimi. Kjo do të përsëriste gabimin e marrëveshjes iraniane: kërkimin e zgjidhjes së një problemi gjeostrategjik, duke u kufizuar vetëm në anën teknike. Do të ofronte pretekste të pafundme për zvarritje, ndërsa do të përcaktohej ç’do me thënë “ngrirje” dhe zhvilloheshin mekanizmat e inspektimit.
Pheniani nuk duhet të lihet me përshtypjen se mund të shkëmbejë kohë me procedura dhe të fshehë qëllimin mes taktikave, si një mënyrë për të ngecur, e si pasojë, përmbushur aspiratat e veta të kahershme. Një proces negociatash mund t’ia vlejë të konsiderohet, por vetëm nëse redukton në mënyrë thelbësore kapacitetet bërthamore të Koresë së Veriut, si dhe programin e saj kërkimor, në një të ardhme të afërt.
Një Kore e Veriut që ruan një kapacitet të përkohshëm armësh, do të institucionalizonte rreziqe të përhershme:
* që Pheniani i varfër të shesë teknologji bërthamore;
* që përpjekjet amerikane mund të perceptohen si të përqendruara në mbrojtjen e territorit të vet, ndërkohë që lë pjesën tjetër të Azisë të ekspozuar ndaj shantazhit bërthamor;
* që vende të tjera mund të ndjekin programe bërthamore kundër Phenianit, njëri-tjetrit apo me kalimin e kohës, SHBA;
* që irritimi me rezultatin të marrë formën e konfliktit me Kinën;
* që përhapja bërthamore të përshpejtohet në rajone të tjera;
* që debati i brendshëm në SHBA të bëhet më përçarës.
Progresi thelbësor drejt denuklearizimit – dhe arritja e tij në një periudhë të shkurtër – është kursi më i matur.
“The Wall Street Journal”

Lufta finale nuk do të jetë në Kore

“Il Giornale”

Koreja e Veriut është tashmë në qendër të vëmendjes botërore dhe debatit të diplomacisë ndërkombëtare. Testet e raketave nga Pheniani përbëjnë, për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe për stabilitetin botëror dhe kancelaritë e Azisë, Evropës dhe Amerikës së Veriut janë duke punuar pa u lodhur, për të shmangur konfliktin. Një konflikt që, në rastin e Koresë së Veriut, mund të bëhet konflikti i parë me përdorim armësh bërthamore, që nga Hiroshima dhe Nagasaki. Tani për tani, e vetmja gjë e sigurtë është se Kim Jong-un, me të gjithë kufizimet e tij, është një personazh i pakuptueshëm, por jo i çmendur. Lideri i Koresë e di se një luftë me Shtetet e Bashkuara nuk do të ketë pasoja pozitive për të, përveç asgjësimit të qeverisë së tij, ndryshimit të regjimit dhe vdekjes së miliona njerëzve. Koreja e Veriut nuk mund të angazhohet në një konflikt, sepse ajo e di se, duke shkaktuar viktima të panumërta, nuk do të marrë asgjë. Dhe po për këtë arsye, nga Pentagoni frenojnë mbi hipotezën e një të ashtuquajture “luftë parandaluese”: nuk ka sulm parandalues që do të eliminonte të gjitha raketat brenda disa sekondave dhe madje edhe në rastin më të mirë, do të kishte kohë për Phenianin që të lëshonte qoftë edhe një raketë të vetme, në gjendje të shkatërronte një qytet në territorin e Koresë së Jugut. Në këtë kuptim, është interesante të theksohet se si, është pikërisht kjo situatë e rrezikut të vazhdueshëm që duket se garanton përjashtimin e një lufte të hapur, sepse askush nuk dëshiron të vërë në lojë ekzistencën e vet.
Por ndërsa e gjithë bota flet për Korenë e Veriut si një element të aftë që të zhysë botën përsëri në kaos atomik, po zbulohet gjithashtu hipokrizia, si një kuti Pandore, e sistemit politik ndërkombëtar. Sepse në qoftë se testet e raketave nga Pheniani janë konsideruar si një kërcënim për botën, ka një tjetër skenar, mes dy vendesh të tjera, ku situata është dukshëm më komplekse dhe me ngjyra më të ndezura, se ajo koreane. Duke shkuar më poshtë, në fakt, në jug, në drejtim të Oqeanit Indian, dy shtete në luftë me njëri-tjetrin vazhdojnë të zhvillojnë programe të avancuara bërthamore dhe testime të raketave balistike të vendosura kundër njëra-tjetrës: bëhet fjalë për Indinë dhe Pakistanin. Të dy vendet aziatike jetojnë në një gjendje lufte të vazhdueshme dhe nuk e kanë firmosur traktatin për mospërhapjen bërthamore. Në muajt e fundit, testet balistike janë rritur dhe kanë manifestuar, përballë indiferencës së botës, faktin se paqja mes këtyre dy kombeve është shumë larg.
India, në dhjetor të vitit të kaluar, kreu testin e fundit për lëshimin e raketës Agni-V. I rëndë 50 tonë dhe 17 metra e gjatë, transportuesi është në gjendje të transportojë mbushje bërthamore deri në 2.500 kilometra larg. Një test që i jep Indisë çelësat e futjes në klubin e vendeve të aftë për të kryer një luftë bërthamore ndërkontinentale. Një test me rëndësi kyçe për stabilitetin e Azisë, por që asnjë në forumin ndërkombëtar nuk ka vendosur ta dënojë. E megjithatë, duhet kujtuar, India aktualisht është në luftë me Pakistanin mbi Kashmirin dhe vazhdon të shtojë fërkimet me superfuqinë rivale të Kinës. Pra, nuk duhet nënvlerësuar se në Nju Delhi kryhen teste të kësaj shkalle, sidomos kur mendohet që është një vend, i cili zotëron të paktën 120 mbushje bërthamore.
Pakistani, në të njëjtën kohë, ka një fuqi bërthamore më të madhe se ajo e Indisë dhe gjithashtu vazhdon të kryejë teste balistike, jo veçanërisht të dobishme për stabilitetin e rajonit dhe për paqen me Indinë fqinje. Arsenali i tij përbëhet nga rreth 140 mbushje bërthamore dhe ashtu si India, edhe nga anët e Islamabadit janë duke punuar për të zgjeruar numrin e mbushjeve. Testet e fundit të raketave nga Pakistani kanë treguar gjithashtu një rritje në kapacitetet balistike: në janar të vitit 2017 u testua me “sukses” lëshimi i një rakete Babur-3 që mund të transportojë një kokë rakete rreth 450 kilometra larg. Dallimi në krahasim me testet indiane, është se ky test është bërë nga një nëndetëse, kështu që kjo e bën 450 km një rreze shumë më të rrezikshme.
Për ta bërë edhe më shqetësuese skenën bërthamore mes Indisë dhe Pakistanit, erdhi deklarata e fundit e ish-udhëheqësit pakistanez Musharraf, që zbuloi se në vitin 2002, pas sulmit në Parlamentin indian nga grupet terroriste islamike, ne mbërritëm në një pikë tensioni, ku për ditë të tëra u mendua të sulmonim me raketa bërthamore Indinë.
Dhe, edhe India, nga ana e saj, kurrë nuk ka mohuar se kishte dërguar në mënyrë specifike një ultimatum për qeverinë në Islamabad me kërcënimin e raketave bërthamore në tokën pakistaneze. Një skenar i luftës, i cili më vonë u rizgjua në vitin 2008, kur grupi islamik Lashkar-e-Taiba vrau qindra njerëz në Bombei dhe qeveria indiane kishte vendosur tashmë që të mobilizonte ushtrinë për të pushtuar Pakistanin. Dhe janë skenarë që mund të përsëriten në vitet e ardhshme, sidomos për shkak të forcimit të aleancës midis Pakistanit dhe Kinës dhe marrëdhënieve gjithnjë e më të ngushta mes Indisë dhe Shteteve të Bashkuara. Armiqësia mes Indisë dhe Kinës është bërë gjithnjë e më e rëndësishme në gjeopolitikën aziatike dhe konflikti midis Nju Delhit dhe Islamabadit do të jetë vetëm preludi i një lufte me spektër të gjerë, ku po, me të vërtetë, që mund të përdoren armët bërthamore. Një rrezik që transformon kërcënimet e Kim Jong-un në diçka shumë më pak shqetësuese, por që zbulon të gjitha hipokrizitë e perceptimit të problemit të armëve bërthamore në botë.

“Il Giornale”

Mattis: Do ta asgjësojmë Korenë e Veriut nëse guxon

Marine Gen. James Mattis, commander, U.S. Central Command, testifies on Capitol Hill in Washington, Tuesday, March 5, 2013, before the Senate Armed Services Committee hearing to review of the Defense Authorization Request for Fiscal Year 2014 and the Future Years Defense Program. (AP Photo/Evan Vucci)

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis ka paralajmëruar Korenë e Veriut të mos nisë një luftë kundër vendit të tij. “Nëse ata do të godasin Shtetet e Bashkuara, kjo mund të kulminojë shumë shpejt drejt luftës”, tha Mattis para gazetarëve.
Uashingtoni dhe Pheniani i kanë ashpërsuar gjithnjë e më shumë tonet së fundmi. Presidenti amerikan kishte paralajmëruar se SHBA do të reagojnë me “zjarr dhe zemërim” ndaj testeve të tjera me raketa. Koreja e Veriut kërcënoi pas kësaj me sulm ndaj ishullit Guam, ku SHBA mban një bazë ushtarake. Mattis u shpreh, se nëse raketa do të marrë drejtimin e Guamit, “ne do ta asgjësojmë atë”.

SHBA nuk duan të dëmtojnë popullin koreanoverior

Kreu i Pentagonit, Mattis bashkë me kreun e Departamentit të Shtetit, Rex Tillerson, të ftuar në një artikull për “Wall Stret Journal”, kishin përdorur një gjuhë tjetër. Tillerson ishte treguar i përmbajtur ndaj zgjidhjes ushtarake. Në artikull theksohet se qeveria amerikane nuk ka ndonjë interes të rrëzojë pushtetmbajtësin Kim Jong Un. Uashingtoni nuk ndjek as ndonjë strategji për bashkim të shpejtë të dy Koreve. “Nuk kemi asnjë nevojë që të dëmtojmë popullin koreanoverior që vuan prej kohësh e që dallon nga regjimi i tij”.
Edhe ditët e ardhshme përmbajnë potencial konflikti mes Uashingtonit e Phenianit. Të martën të dy shtetet koreane përkujtuan fitoren kundër trupave japoneze në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Qeveria e Phenianit mund ta përdorë këtë për një demonstrim të ri force. Kreu i shtetit koreanoverior, Kim Jong Un i është drejtuar SHBA-së me thirrjen që të lenë “provokimet arrogante” dhe “kërkesat e njëanshme”. Gjatë vizitës në një shtab ushtarak ai e theksoi edhe një herë gatishmërinë për të sulmuar ishullin Guam.
Kina, që konsiderohet si fuqia mbrojtëse e Koresë së Veriut, rriti së fundmi presionin ndaj Phenianit. Ajo reagoi me ndalimin e importit të hekurit, qymyrit dhe frutave të detit nga shteti i izoluar ndërkombëtarisht.

Kim Jong Un po zbythet

Agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, “KCNA” tha se udhëheqësi i vendit, Kim Jong Un, mori raportet e ushtrisë së tij për planet e një sulmi përreth Guamit, një territor amerikan në perëndim të Oqeanit Paqësor. Kim tha se do të ndjekë për një kohë më të gjatë veprimet e Shteteve të Bashkuara para se të marrë një vendim.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut urdhëroi ushtrinë që të jetë në gjendje gatishmërie nëse ai merr një vendim për të vepruar, thuhet në raportin e “KCNA”-së.
“Shtetet e Bashkuara, që ishin të parat që kanë nisur një numër të pajisjeve bërthamore afër nesh, duhet të marrin vendimin e duhur dhe të dëshmojnë përmes veprimeve se kanë vullnet për uljen e tensioneve në gadishullin korean, në mënyrë që të shmanget ndonjë përplasje ushtarake e rrezikshme”, citohet të ketë thënë Kim.
Njoftimet pasuan paralajmërimin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Jim Mattis ndaj Koresë së Veriut, i cili tha se çdo përpjekje për të hedhur raketa në tokën amerikane “mund të përshkallëzohet shumë shpejt në luftë”.
Duke folur me gazetarët në Pentagon, Jim Mattis tha se, “ju nuk i qëlloni njerëzit përderisa nuk jeni të gatshëm të merrni përsipër pasojat”.
Mattis kërkoi të zbuste shqetësimet pas kërcënimeve të mëhershme të Koresë së Veriut për të nisur raketat në drejtim të Guamit.
Ai tha se sistemet e vëzhgimit të raketave në SHBA, mund të përcaktojnë nëse ndonjë e tillë është nisur nga Koreja Veriore drejt tokës amerikane.
Sekretari Mattis tha se Washingtoni preferon zgjidhje diplomatike të dallimeve me Pheninanin.
“Shtetet e Bashkuara nuk kanë interes për të ndryshuar regjimin apo për të përshpejtuar ribashkimin e Koresë”, shkroi ai “Wall Street Journal” bashkë me sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson. “Nuk po kërkojmë një arsyetim për të vendosur trupat amerikane në veri të zonës së çmilitarizuar”, thuhet në shkrimin e botuar të hënën.

Kërcënimi që vjen nga Irani

Irani mund ta braktisë marrëveshjen bërthamore me fuqitë botërore, brenda orëve, në rast se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë me politikat e tyre “të sanksioneve dhe shtrëngimit”, ka thënë presidenti iranian, Hassan Rohani.
Rohani u ka thënë ligjvënësve gjatë një fjalimi në Parlament, që është transmetuar në televizion se, “përvoja e dështuar e sanksioneve dhe shtrëngimeve e ka sjellë në tavolinën e bisedimeve regjimin e kaluar”.
“Në rast se ata dëshirojnë të kthehen prapë tek ajo përvojë, ne mund të kthehemi më të fuqishëm në situatën e mëparshme, jo brenda javëve apo muajve, por brenda orëve”.
Rohani ka thënë se administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka treguar botës se ajo nuk ka qenë “partnere e mirë”, duke kërcënuar prishjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
“Gjatë muajve të fundit, bota ka qenë dëshmitare se si SHBA-ja, duke thyer vazhdimisht premtimet e marrëveshjes bërthamore, ka injoruar edhe disa marrëveshje të tjera globale duke iu treguar aleatëve të saj se nuk është partnere e mirë dhe e besueshme”, ka thënë Rohani para Parlamentit.
Trump e ka përsëritur edhe një herë gjatë këtij muaji se Irani nuk është duke “jetësuar shpirtin” e marrëveshjes bërthamore, të cilën e ka cilësuar si “të tmerrshme”.
Sipas këtij pakti, fuqitë botërore i premtuan Iranit, lehtësimin e sanksioneve ndërkombëtare në këmbim të zvogëlimit të aktivitetit bërthamor.
SHBA-ja dhe Kombet e Bashkuara, që vëzhgojnë paktin, kanë thënë se Irani është duke iu përmbajtur marrëveshjes.
SHBA-ja i ka vënë Iranit sanksione të ndryshme për shkak të lansimit të raketave.
Irani ka thënë se lansimi i tyre është bërë për qëllime të vetëmbrojtjes dhe ato nuk e rrezikojnë aspak marrëveshjen.