Partia kryesore opozitare turke, ajo Republikane Popullore, është shprehur e shqetësuar se udhëheqësi i saj Kemal Kiliçdaroglu mund të ndiqet penalisht dhe të burgoset. Kjo në kuadër të masave që qeveria turke po vazhdon të zbatojë, si pasojë e të cilave janë burgosur deri tani më shumë se 10 deputetë turq.
“Ka një komplot të madh kundër Partisë Popullore Republikane”, paralajmëroi të hënën një zyrtar i partisë, Bulent Tezcan në një intervistë për gazetën turke “Cumhuriyet”. Sipas tij “çdo hap i ndërmarrë kundër partisë kryesore të opozitës mund të hapë një epokë ku partia në pushtet nuk mund të qeverisë në paqe”.
Komentet e zotit Tezcan pasojnë një pohim të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan se Kemal Kiliçdaroglu mund të ishte subjekt i një një hetimi që po vazhdon, lidhur me një lajm botuar në një gazetë që lidhte qeverinë e Erdoganit me dërgesat e armëve për rebelët sirianë. “Mos u habisni nëse Kiliçdaroglu është i lidhur me këtë çështje”, tha zoti Erdogan në një fjalim që mbajti të dielën.
Lidhur me këtë shkrim, aleati i ngushtë i udhëheqësit të opozitës, njëkohësisht deputeti Enis Berberoglu u dënua në qershor me 25 vjet burg. Burgosja e tij shkaktoi atë që udhëheqësi i opozitës Kiliçdaroglu e cilësoi 25 ditët e “marshimit për drejtësi” që nisën nga kryeqyteti i vendit Ankaraja dhe përfunduan në Stamboll. Marshimi tërhoqi me dhjetëra mijëra mbështetës duke kulmuar me një tubim që tërhoqi një milion njerëz.
Duket se tashmë presidenti Erdogan ka vënë nën shënjestër udhëheqësin kryesor të opozitës. Në muajin korrik, në përkujtim të një vjetorit të dështimit të përpjekjes për grusht shteti, presidenti akuzoi udhëheqësin e opozitës për bashkëpunim me komplotuesit.
Frikë në Turqi për drejtuesin e opozitës
Planet e Londrës për Brexit
Deri më tani mes ministrit britanik të Financave, Philip Hammond dhe atij të Tregtisë, Liam Fox nuk kishte ujdi lidhur me negociatat e Brexit. Hammond, që konsiderohet si proeuropian është për rrugën e “butë” të daljes nga BE, Fox është një kundërshtar i pasionuar i BE-së dhe pro Brexit të “ashpër”.
Tani duket se mes dy ministrave të qeverisë së Theresa May-t grindja për rrugën se si duhet zhvilluar Brexit është platitur. “Jemi gati” –”jemi të përgatitur”, thuhet në Londër. Ata kanë dalë tani me një propozim të përbashkët për fazën e ndërmjetme të daljes nga BE.
Në një artikull për “Sunday Telegraph”, dy ministrat propozojnë një fazë të ndërmjetme për përmbushjen e procesit të Brexit të planifikuar në vitin 2019. Me këtë të dy ministrat Hammond dhe Fox duan t’i japin “më shumë siguri” ekonomisë. Kjo fazë e ndërmjetme, megjithatë nuk duhet të “jetë e pakufizuar”, shkruajnë ata dhe as të tentojë një anëtarësim të ri përmes derës së pasme. Në këtë fazë të ndërmjetme Britania e Madhe “do të jetë jashtë unionit doganor” dhe nuk do të jetë e lidhur më me marrëveshjet europiane.
Edhe Ministria e Brexit të David Davis ka bërë të ditur, se do të publikojë një radhë “dokumentesh të detajuara për pozicionet britanike” që do të jenë pjesë e negociatave në Bruksel. Aty bëhet fjalë si për ndarjen me BE ashtu edhe për formësimin e marrëdhënies së ardhshme. Britania e Madhe pret që negociatat të fillojnë në tetor.
E ardhmja e kufirit të gjelbër në ishullin e gjelbër
Një temë e rëndësishme në këto negociata do të jetë edhe kufiri i ardhshëm mes BE dhe Republikës së Irlandës e Irlandës Veriore britanike. Në ishullin e gjelbër njerëzit i tremben pasojave ekonomike dhe rihapjes së plagëve të vjetra në rajonin që ka vuajtur gjatë nga lufta qytetare.
Si kohë për fillimin e Brexit ishte parashikuar qershori. Por bisedimet e deritanishme nuk kanë pasur sukses. BE pret deri në fund të gushtit nga qeveria britanike që të sqarojë pozicionet për çështjet kryesore të procesit të ndarjes. Ndërsa ministri britanik i Brexit, Davis kërkoi që BE të lëvizë nga pozicionet e saj.
Më 28 gusht është planifikuar një raund i ri në Bruksel. Britania e Madhe kërkon të largohet nga BE deri në mars 2019. Temë qendrore në negociata është edhe e drejta e qëndrimit të 3,2 milionë banorëve të BE në Mbretërinë e Bashkuar dhe 1,2 milionë britanikëve në Bashkimin Europian.
Grindje sundon edhe lidhur me pretendimet financiare të Brukselit ndaj Britanisë së Madhe që kapin shifrën e 100 miliardë eurove. Sipas “Sunday Telegraph”, qeveria e Londrës është e gatshme të paguajë 40 miliardë euro, në rast se Brukseli është i gatshëm të hapë negociatat për një marrëveshje të re tregtie. Por BE nuk dëshiron të flasë për marrëdhëniet e ardhshme me BE, para se të sqarohen mirë çështjet kryesore të divorcit të Britanisë së Madhe nga unioni.
Kosova nuk mundet të konstituojë Kuvendin
Nuk ka pasur efekt asnjë thirrje e ambasadorëve të vendeve më të industrializuara drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të marrin pjesë në seancë dhe të themelojnë institucionet e reja pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Për të katërtën herë sërish ka dështuar konstituimi i Kuvendit për shkak të mospjesëmarrjes në seancë të deputetëve të koalicionit fitues PAN, të cilëve u takon posti i kryetarit të Kuvendit.
Përfaqësuesit në Kosovë të shteteve anëtare të QUINT-it, ku bëjnë pjesë SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe, me një deklaratë të përbashkët për mediat thonë se, “është përgjegjësi e liderëve kosovarë t’i krijojnë institucionet, por edhe të ndërmarrin reformat e nevojshme që të parandalojnë bllokada të tilla në të ardhmen. Shpresojmë që liderët kosovarë, si në politikë ashtu edhe në shoqërinë civile, do të prijnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke ofruar propozime konkrete. Një parim primar dhe i rëndësishëm është se deputetët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës duhet të marrin pjesë në seancat plenare dhe të lejojnë fillimin e punës së saj”, thuhet në deklaratën e QUINT-it. Më tej, shprehet brenga e tyre që mosfunksionalizimi i institucioneve ka stopuar shumë procese në Kosovë.
“Jemi të brengosur me situatën politike në Kosovë. Kosova është duke u ballafaquar me shumë sfida, ato të tanishme dhe ato afatgjata, duke përfshirë këtu programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, situatën energjetike, por edhe nevojën për zhvillim ekonomik, fuqizimin e sundimit të ligjit, perspektivën europiane të Kosovës dhe marrëdhëniet e saj me Serbinë. Qytetarët e Kosovës meritojnë një Kuvend dhe qeveri për t’u ballafaquar me këto sfida”, thuhet në deklaratën e QUINT-it.
Në përpjekjen e djeshme për të katërtën herë me radhë që të konstituohet Kuvendi, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të koalicionit LAA, akuzuan drejtpërdrejt koalicionin PAN, si bllokues të konstituimit të Kuvendit. Kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, thirri një takim konsultativ për ditën e mërkurë (16.08) në mënyrë që të dakordohen për vazhdimin e seancës, takim ky, siç tha, për të fundit herë që ftohen subjektet politike për këtë çështje.
“Takimi i së mërkurës do të ketë vetëm një pikë të rendit të ditës, kur duhet të jenë të gatshëm të vijnë në seancat e Kuvendit dhe të dalin me emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit. Vazhdimisht ka zhagitje të punës. Kjo është hera e fundit që thirret ky takim”, tha Adem Mikullovci.
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosja, Glauk Konjufca, adresoi akuza ndaj koalicionit PAN, duke thënë se “ata me çdo kusht po dëshirojnë të qëndrojnë në pushtet” dhe kjo është arsyeja pse nuk po marrin pjesë në seanca. “PAN-i deri tash është udhëhequr nga një logjikë totalitare dhe monopolizuese, që sipas tyre do të thotë ose duhet të jemi ne në pushtet ose nuk themelohen fare institucionet e Republikës”, tha Glauk Konjufca.
Ndërkohë, përfaqësuesit e partisë që u rendit e treta në zgjedhje, LDK-së, propozuan që çështja e bllokadës që po ndodh me mosvotimin e kryeparlamentarit të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese dhe të dihet interpretimi. Këtë e tha Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të koalicionit LAA, ku bën pjesë LDK-ja. “Ne si koalicion jemi duke shqyrtuar modalitete kushtetuese për të themeluar institucionet e vendit. Unë në emër të grupit tonë parlamentar, do të ftoj në një tryezë, ku do të ketë ftesa zyrtare për të gjitha subjektet politike për t’u ulur dhe draftuar pyetjet për Gjykatën Kushtetuese. Kjo situatë kërkon hapa kushtetues për të sqaruar bazën juridike”, tha Avdullah Hoti.
PAN kundër drejtimit të seancave nga Mikullovci
Janë deputetët e koalicionit PAN, ata që nuk po pajtohen sesi kryesuesi i seancës, deputeti nga Vetëvendosja Adem Mikullovci, po i thërret seancat, pa miratimin e koalicionit fitues që i takon me Kushtetutë edhe pozita e kryetarit të Kuvendit.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Besim Beqaj, tha pas një mbledhjeje të kryesisë së kësaj partie se, “në seancën konstituive nuk mund të procedohet pa prezencën e koalicionit fitues të zgjedhjeve dhe pa prezencën e numrit të duhur të deputetëve”.
“Koalicioni PAN nuk është bllokues, mandatari ka nevojë për konsulta shtesë, ne do t’i themelojmë institucionet shumë shpejt. Dhe të gjithë ata që po përforcojnë një jokushtetutshmëri, po përforcojnë një abuzim dhe po krijojnë veprime pa precedent”, tha Beqaj.
Në seancën e së hënës deputetët e Lëvizjes Vetëvendosja akuzuan rëndë koalicionin PAN, duke përdorur edhe emra të përveçëm, duke i lidhur me siç thanë “krimin dhe korrupsionin e deri te bashkëpunimi me kriminelë”. Kjo gjuhë e përdorur dje në Parlamentin e Kosovës bëri që të reagojë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, (KMDLNJ), i cili monitoron punën e Kuvendit.
“KMDLNJ konsideron se ishte një situatë krejtësisht tensionuese në debate që nuk duhej të lejoheshin. KMDLNJ i bën ftesë publike koalicionit PAN të marrë pjesë në seancat konstituive të Kuvendit, kurse ka një kërkesë për kryesuesin e seancës z. Mikullovci t’i përmbahet rregullores së Kuvendit dhe të pengojë tensionimin e situatës së Kuvendit. KMDLNJ kërkon nga Prokuroria e Shtetit që t’i trajtojë me seriozitet akuzat që po bëhen në seancën e Kuvendit dhe në përputhje me faktet të veprojë sipas ligjit”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Talebanët, letër të hapur Presidentit Trump
Grupi militant i talebanëve i ka nisur një letër të hapur Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke i bërë thirrje që SHBA-ja të heqë dorë nga Afganistani, në vend që të rrisë numrin e trupave, pas konfliktit 16-vjeçar.
“Përvojat e mëparshme kanë treguar se shtimi i trupave në Afganistan nuk do të ketë rezultat tjetër, përveç shkatërrimit të mëtejmë të ushtrisë amerikane dhe ekonomisë së saj”, është thënë në letrën që u është dërguar gazetarëve në gjuhën angleze.
Në këtë letër, që mban autorësinë e zëdhënësit të talebanëve, Zabihullah Mujahid, po ashtu thuhet se tërheqja e trupave amerikane, “do t’i largonte trupat amerikane nga rruga e dëmshme” dhe do të sillte “fundin e një lufte të trashëguar”.
Mujahid ka thënë se Trump njeh ato që zëdhënësi i talebanëve i ka quajtur të metat e paraardhësve të tij, duke kërkuar rishikimin e strategjisë amerikane në Afganistan.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Jim Mattis, ka thënë se administrata e Presidentit Trump, është shumë afër prezantimit të strategjisë ushtarake në këtë vend.
Aktualisht në Afganistan gjenden rreth 8,400 trupa amerikane, pasi shumica e trupave të NATO-s janë larguar në vitin 2014.
Sipas raportimeve të mediave, Mattis ka rekomanduar, shtimin e trupave edhe për 4,000 në Afganistan, mirëpo ende asgjë nuk është miratuar nga Presidenti Trump.
Kush do të marshonte me Trump në luftë?
Dr. Matthias Dembinski
Bota po mban frymën për shkak të skenarit kërcënues të luftës – Koreja e Veriut synon të sulmojë me raketa ishullin e Paqësorit, Guam, ku SHBA ka bazën e saj ushtarake. Sipas toneve luftarake nga Pheniani raketa megjithatë do të fundoset në det, 30-40 kilometra para Guamit, që do të thotë ajo bie në det pak para ujërave të kontrolluara nga amerikanët. Kështu, SHBA-të politikisht nuk do të ishin të detyruara të reagonin me kundërsulm.
Por frika nga shkallëzimi i situatës mbetet: Edhe nëse Koreja e Veriut godet në afërsi, Presidenti amerikan mund të ndjehet i provokuar e të reagojë, si edhe u shpreh me “zjarr e zemërim”. Por mund të ndodhë që raketa koreanoveriore pa dashur të godasë ujërat territoriale amerikane. Ajo që dihet është, nëse fillon një luftë në Gadishullin Korean, kjo do të prekë të gjithë bashkësinë ndërkombëtare.
1. Janë të detyruara shtetet e NATO-s për të ofruar ndihmë në kuadër të aleancës?
Për anëtarët e aleancës vlen parimi: Nëse kryhet një sulm i armatosur ndaj një aleati, ky shihet si sulm ndaj të gjithëve. Këtë e kërkon neni 5 i Marrëveshjes së Aleancës së Atlantikut Verior. Por neni 6 e kufizon këtë, vetëm për sulme ndaj territorit shtetëror të një shteti europian, atlantikoverior të NATO-s apo “ndaj një ishulli ku njëra palë ka të drejtat territoriale në zonën atlantikoveriore e në veri të tropikut të gaforres (Tropiku i Veriut, shën.red.).
Kjo klauzolë e përjashton ishullin Guam që ndodhet shumë më tepër në jug. Megjithatë nga qarqet e NATO-s bëhet e ditur, se aleatët nuk ndjehen të kufizuar nga kjo klauzolë dhe se do të mbështesin SHBA-të.
2. Si do të ofrohej mbështetja?
Mbështetje në kuadër të NATO-s nuk do të thotë, se aleatët do të dërgojnë të gjithë anije luftarake në drejtim të Paqësorit Jugor, në rast se Guami sulmohet. Politologu Matthias Dembinski nga Fondacioni i Hesenit për Studimet e Paqes dhe Konflikteve, thotë se megjithatë “ato e peshojnë vetë, se si do ta ofrojnë këtë mbështetje”. Me vështrim nga Gjermania, politologu thotë, se “ne do të ofronim ndihmë diplomatike, solidaritet, por jo ndihmë ushtarake”.
3. Po Britania e Madhe?
Qeveria në Londër prej kohësh zhvillon me SHBA një “marrëdhënie speciale”, një partneritet të veçantë, që ka bërë që trupat britanike të nisen bashkë për luftë me trupat amerikane, si në vitin 2001 në krah të Presidentit Bush, kur nisi lufta e Irakut. Megjithatë Dembinski nuk beson se Britania e Madhe do t’i dilte krah SHBA-së nëse sulmohet Guami. Ky vend nuk është më në këtë rajon prezent si më parë nga ana e politikës së sigurisë, thotë eksperti.
4. Kush mund ta mbështeste SHBA ushtarakisht?
Megjithëse sulmi koreanoverior ndaj Guamit është hipotetik, Australia siguroi ndërkohë Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e saj. Kryeministri Malcolm Turnbull u shpreh se këtë e parasheh si të detyrueshëm Pakti i Sigurisë së Paqësorit, ANZUS. Në të vërtetë në marrëveshje nuk shënohet ndonjë detyrim, por konsultim. Megjithatë Australia i ka mbështetur SHBA-të, si në luftën e Koresë ashtu edhe të Vietnamit me një numër të madh trupash.
Po ashtu, ushtarakisht do të merrte pjesë edhe Koreja e Jugut, që në rast sulmi nga ana e Koresë së Veriut do të ishte më e prekura. Në rajon edhe Japonia qëndron krah Shteteve të Bashkuara. Por pritet që japonezët të mos angazhohen shumë ushtarakisht, sepse Kushtetuta pacifiste është mjaft e kufizuar për sulmet ushtarake. Edhe popullsia japoneze është mjaft skeptike ndaj opsionit ushtarak.
5. Sa realist është skenari i luftës mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së?
Politologu Dembinski pret që të mos shtrohet çështja e opsionit ushtarak. Vetëm numri i viktimave të luftës në Gadishullin Korean do të ishte aq i madh, saqë të dyja palët kanë një interes themeltar që ta mënjanojnë përplasjen ushtarake. Sipas tij, ky konflikt “po ngre flluska më shumë se duhet”.
Barça e pavendosur për Sergi Roberton
Te Barcelona janë të pavendosur për Sergi Roberton. Me afrimin në skuadër të Nelson Semedos dhe Paulinhos, për spanjollin që luan si mbrojtës i djathtë dhe si mesfushor parashikohet të ketë më pak hapësira në formacion dhe vetë Sergi Roberto dëshiron largimin nga katalanasit. Për shërbimet e lojtarit Manchester United dhe Chelsea i kanë shpallur luftë njëra-tjetrës dhe janë gati t’i ofrojnë Barcelonës shumë e 40 milionë eurove, ndërkohë 25-vjeçari për faktin se nuk konsiderohet titullar nga trajneri i ri Ernesto Valverde, po reflekton për të vendosur se cila mund të jetë zgjedhja më e mirë për karrierën e tij.
Mesfushori francez i Interit, Geoffrey Kondogbia është dëshira e madhe e trajnerit të Valencias Marcelino Garcia Torral në këtë merkato. Futbollisti, i cili nuk është paraqitur në seancat e fundit stërvitore të Interit, ka prishur çdo raport me klubin zikaltër duke kërkuar largimin, madje për këtë fakt pritet të marrë një gjobë të majme dhe të pezullohet për një periudhë pa afat. Kondogbia po i shtyn drejtuesit e Interit për ta shituar te Valencia, por për momentin kalimi i tij në “Mestalla” duket i pamundur për vetë faktin se oferta e Valencias është e ulët krahasuar me kërkesat e Interit. Mes palëve ka shumë distancë, pasi zikaltërit kërkojnë 30 milionë euro për kartonin e francezit, ndërsa spanjollët ofrojnë vetëm 15 milionë euro.
Gati për Milanin, Shkëndija “gjunjëzon” kampionët e Vardarit
Cila do të ishte përgatitja më e mirë për një ndeshje vendimtare në Europa League, sesa një fitore ndaj kampionëve? Shkëndija e Tetovës dominoi dhe regjistroi suksesin e pastër 2-0 ndaj Vardarit, në javën e parë të kampionatit maqedonas, duke ligjëruar entuziazmin e tifozëve dhe koreografinë unike në stadium.
Shkëndija ishte taktikisht në supremaci gjatë të gjithë lojës ndaj miqve nga Shkupi, duke neutralizuar thuajse të gjithë sulmet e rrezikshme të Vardarit. Pas një pjese të parë pa gola, tetovarët morën epërsinë me një goditje të bukur të Armend Alimit, që përfundoi në kuadratin e portierit Gërnçarov.
Vetëm 5 minuta më vonë, Vardari pësoi edhe golin e dytë, kur Zhunior tundi rrjetën e kryeqytetasve. Këto 3 pikë të para ndaj Vardarit e ndezën edhe më shumë atmosferën për “play off”-in e Europa League, pasi më 17 gusht Shkëndija luan në “San Siro” ndaj Milanit, skuadër favorite, por një 90-minutësh ku tetovarët nuk kanë asgjë për të humbur.
“Shqiponja” nis fluturimin
Protagonist i padiskutueshëm në një sukses të jashtëzakonshëm. Nëse Lazio, që mund Juventusin, përbën një sensacion në Itali dhe kudo në botë, për ne shqiptarët padyshim motivi i krenarisë është Thomas Strakosha. Vetëm 22 vjeç e nis këtë sezon si portieri i parë i Lazio-s dhe Thomasi është nga ata që nuk di të zhgënjejnë, hyrje me personalitet e karakter në fushë, menjëherë deçiziv në një ndërhyrje kryevepër ndaj Cuadrados, që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e lojës që në minutën e katërt. Thomas është vërtet i denjë për mbiemrin që mban mbi shpinë, gjithmonë gati për t’iu përgjigjur çdo sfide, gjithmonë në lartësinë e duhur.
Nga mediat italiane sot vlerësohet si një ndër më të mirët në fushë, por mos kujtoni se ka qenë e lehtë. 5 vjet më parë bardhekaltërit e blinin për më pak se 100 mijë euro, ishte thjesht një i ri premtues si shumë të tjerë, sot vlera e tij është të paktën 50-fish më e lartë dhe jemi ende në hapat e para të një karriere të ndritur. Një vit më parë kur Berisha linte Lazion i bezdisur nga hija e Marchetit, Thomasi pranonte me kënaqësi sfidën si portier i dytë. I mjaftonte një debutim ndaj Milanit për t’i dhënë të gjithëve të kuptonte se kush ishte dhe që atëherë duke shfrytëzuar çdo shans që i jepej grumbulloi prezencat në Serinë A derisa te Lazio ta blindonin me një kontratë deri më 2019 duke i dhënë dhe statusin e portierit të parë. Sot Marcheti ka pranuar të bëjë zëvendësuesin e tij dhe kjo është një nga ato fitore personale të denja për skenar.
Ka ditur t’i ngjisë shkallët një e nga një, kur të gjithë binin në dashuri me të, Strakoshës nuk i lejohej të binte në dashuri me veten, padyshim që i ati Foto i madh ia përsërit shpesh diçka të tillë, e ndërsa ka parë të birin të ngrinte Superkupën e Italisë me Lazion ndoshta do të ketë kujtuar kur vetë luante me Panionions kundër të njëjtës skuadër dhe as mund ta imagjinonte këtë moment. Nuancat që lidhin Shqipërinë me Lazion në fakt nuk mungojnë, Igli Tare është projektuesi i gjithçkaje aty, ndërsa Lorik Cana më 2013 fitonte me të njëjtën fanellë Kupën e Italisë, në një finale kundër Romës, ndoshta është një ekip që si stema që mban në fanellë i përshtatet shqiponjave. Strakosha në të parën e tij me statusin e titullarit tregoi se është nga ato shqipe që sapo e ka nisur fluturimin.
Guardiola s’heq dorë nga Sanchez
Pep Guardiola është i vendosur që ta transferojë Alexis Sanchezin nga Arsenali. E ardhmja e Alexis Sanchez vazhdon të mbetet e paqartë. Lojtari ka edhe një vit kontratë me Arsenalin, derisa po kërkohet me ngulm nga Manchester City. Sipas “The Telegraph”, Pep Guardiola është i vendosur që ta transferojë yllin e Kilit nga Arsenali gjatë kësaj vere.
Thuhet se ekipi nga “Etihad” do të bëjë një ofertë prej 60 milionë (66 milionë euro) funteve për ish-sulmuesin e Barcelonës. Mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë Arsenali. Duhet theksuar se Arsen Wenger më herët ka thënë se Arsenali nuk do t’i shesë yjet te rivalët e saj.
Chelsea ka gati goditjen e radhës në merkato. Pas Rudiger, Bakayokos dhe Moratës, presidenti rus Roman Abramovich do të vendosë në dispozicion të trajnerit Antonio Conte edhe një sulmues krahu. Bëhet fjalë për Alex Oxlade Chamberlain. Blutë e Londrës kanë arritur marrëveshjen me Arsenalin për transferimin në “Stamford Bridge” të mesfushorit të përfaqësueses angleze për shumën e 39 milionë eurove dhe në orët e ardhshme Chamberlain do të jetë zyrtarisht një futbollist i Chelsea-t.
Rikthim te Swansea për Wilfried Bony. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë ka marrë ok-in nga Manchester City për të biseduar me drejtuesit e klubit uellsian dhe për të arritur akordin për të bërë të mundur rikthimin e tij te Swansea. Bony nuk bën pjesë në planet e trajnerit të Citiziens, Pep Guardiola dhe pasi u aktivizua për një sezon në formë huazimi te Stoke City, do të largohet sërish nga “Etihad Stadium”.
Oliver Giroud pak ditë më parë konfirmoi qëndrimin e tij te Arsenali edhe për këtë sezon, por e ardhmja e sulmuesit francez pavarësisht deklaratave të lojtarit vazhdon të mbetet në dyshim. Pasi ka refuzuar disa oferta nga Anglia, Giroud mund të transferohet te Borussia e Dortmundit. Ish-lojtarin e Montpellier e tërheq projekti i verdhezinjve, por kalimi i tij në Gjermani mund të ndodhë vetëm nëse nga Borussia largohet Pierre Emerick.
Goditja e madhe
Interi është i interesuar për Julian Draxler, pavarësisht se agjenti i lojtarit insiston se do të qëndrojë te Paris Saint-Germain. Pas transferimit të Neymar për 222 milionë euro dhe spekulimeve se janë afër arritjes së marrëveshjes për 180 milionë euro me Monacon për Kylian Mbappe, PSG-ja duhet patjetër të shesë lojtarë.
Anësori gjerman, Julian Draxler, është ai që do të sakrifikohet i pari, ndërsa flitet se do të largohen edhe Matuidi e Aurier. Agjenti i gjermanit, Roger Wttmann, ditë më parë insistoi se Draxler do të qëndrojë në PSG, por gjermani u la jashtë skuadrës për sfidën e fundit dhe gjithçka flet për një largim të mundshëm nga “Parc des Princes”.
Tani është “Bild” që insiston se Interi ka hyrë seriozisht në garë për Draxlerin për të cilin janë të gatshëm të ofrojnë një shifër të kënaqshme për PSG-në, që duhet patjetër të shesë lojtarë për t’i respektuar rregullat e “fair play” financiar.
Inter ka shfaqur interesim për mbrojtësin e Bayer Leverkusenit, Aleksandar Dragoviç. Gazeta sportive italiane, “Tuttosport”, shkruan se Interi ka shprehur interesim për qendërmbrojtësin austriak, Aleksandar Dragoviç.
Ky i fundit është pjesë e skuadrës gjermane, Bayer Leverkusen, me të cilin ekip ka kontratë deri në vitin 2021. Dragoviç, i cili ka prejardhje nga Serbia, më herët ka luajtur te skuadrat si Austria Wien, Basel dhe Dynamo Kyiv.
Interi është në kërkim të një qendërmbrojtësi. Sipas “Corriere dello Sport” në radarin e nerazurrëve është qendërmbrojtësi i Manchester City-t, Eliaquim Mangala. Ky i fundit nuk është në planet e Pep Guardiolës për sezonin e ri dhe gjatë kësaj vere duhet të gjejë një klub të ri. Mangala, i cili ishte transferuar në City në vitin 2014 nga Porto, sezonin e kaluar ishte i huazuar te Valencia. Thuhet se Interi tashmë ka filluar bisedat me klubin anglez për francezin.
E ardhmja e Ivan Perisiçit është në Inter. Sipas “Sky Sports”, reprezentuesi i Kroacisë ka rënë dakord me Interin që ta vazhdojë kontratën. “Sky Sport” shkruan se gjatë kësaj jave mund të zyrtarizohet marrëveshje e re mes nerazzurrëve dhe Perisiçit. Perisiç, i cili aktualisht ka kontratë me Interin deri në vitin 2020, është kërkuar me ngulm nga Manchester United. Por, Interi i ka rezistuar ofertës së klubit nga Premier Liga, e cila ka shkuar deri në 50 milionë euro.