Pas Granadës dhe një tjetër skuadër spanjolle interesohet për Rey Manajn. Sipas asaj që raportohet nga mediat ndërkombëtare, klubi i La Ligas po kërkon shërbimet e sulmuesit shqiptar, pas refuzimit që mori nga zikaltërit për Gabigol. Las Palmas kërkon të përforcojë repartin e sulmit dhe Manaj shihet si një alternativë e mirë për të qenë më produktive në fazën e avancuar.
Aktualisht mësohet se klubi nga Ishujt Kanarie ka kontaktuar dhe me Interin, që mban kartonin e Rey Manajt, me të cilët sulmuesi ka një kontratë deri në vitin 2020 dhe po shihet mundësia e një kalimi të mundshëm të lojtarit në Primera. Pak ditë më parë një tjetër skuadër spanjolle, Granada shfaqi gjithashtu interes për Manajn, që në karrierën e tij ka veshur përveç fanellës së Interit dhe atë të Cremoneses, Pisës dhe Pescarës. Primera Divizion mund të jetë një mundësi e mirë për Manajn për të vazhduar karrierën e tij, pasi te Las Palmas mund të ketë një fanellë titullari të garantuar.
Pas Granadës, Las Palmas do Manajn
Osmani: “Synojmë titullin kampion”
Një nga futbollistët më cilësorë të skuadrës të Skënderbeut është optimist se skuadra e tij do të synojë jo vetëm grupet e Europa League, por dhe titullin kampion të Shqipërisë. Një objektiv të tillë e bazon jo vetëm te grupi që ka aktualisht skuadra e tij, por dhe klima që ekziston në skuadër. Në intervistën e mëposhtme, ai jo vetëm bën analizën e ndeshjeve të zhvilluara në Europa League, por shpalos dhe objektivat për këtë sezon.
– Osmani, aktualisht jeni në turin e katërt kualifikues të Europa League, e prisnit këtë start mjaft të mirë të skuadrës tuaj?
Absolutisht që po. Tashmë skuadra jonë është mësuar me këto starte. Duke përjashtuar edicionin e kaluar që vetëm dënim nuk mund të ishte vitet e tjera kanë qenë mjaft të suksesshme. Mjaftojmë të kujtojmë edicionin e para dy viteve ku skuadra jonë u rreshtua me skuadrat e grupeve të Europa League. Shpresojmë që dhe këtë vit të jemi në të tilla nivele dhe pse kundërshtari i radhës (Dinamo Zagreb) është për t’u respektuar.
– Në gjashtë ndeshje që keni zhvilluar deri më tani për Europa League, cilën ndeshje vlerësoni më të bukurën?
Ndeshjen e parë me Kairat Alamtyn të zhvilluar në Kazakistan. Morëm goditjen qysh në minutat e para të ndeshjes. Dikush mendoi se me golin e pësuar skuadra nuk do të kishte forcën e duhur për të reaguar, por ja që ndodhi e kundërta. Jo vetëm që zhvilluam një ndeshje perfekte në të gjitha drejtimet, por dhe mundëm të shënonim duke hedhur një hap të sigurtë për kualifikim. Mos harroni që skuadra kundërshtare në gjirin e saj kishte futbollistë të një niveli të lartë. Mjafton të përmendim Arshavin (përfaqësuese të Rusisë), për të kuptuar forcën e kësaj skuadreje.
– Ku është mbështetur loja e skuadrës tuaj?
Grupi dhe besimi te vetja janë pikat ku është mbështetur loja e skuadrës tonë. Nëse analizojmë me radhë ndeshjet e them me bindje se skuadra nga ndeshja në ndeshje ka shpalosur një futboll të kënaqshëm dhe cilësor. Kjo vërtohet jo vetëm te niveli i ndeshjeve që kemi zhvilluar, por dhe te rezultatet që kemi arritur. Dhe pak ditë na ndajnë nga ndeshja e parë e turit të katërt kualifikues ndaj Dinamos në Zagreb.
– Si duket atmosfera në skuadrën tuaj?
Është mjaft e mirë. Këtë e bazoj jo vetëm te harmonia që ekziston në skuadër, por dhe te sportdashësit tanë që janë të shumtë në shkallët e stadiumit. Prezenca e tyre në shkallët e stadiumit është një burim frymëzimi për ne. Sa për skuadrën kundërshtare kemi nisur të mendojmë qysh në ditën e hedhjes të shortit.
– Disa analistë, por dhe drejtues, pohojnë që skuadra kundërshtare, Dinamo e Zagrebit nuk është në nivelin e dy viteve më parë. E ndani dhe ju këtë mendim?
Kemi informata që nga skuadra kundërshtare janë larguar disa futbollistë me peshë, por kjo nuk do të thotë që kjo skuadër duhet nënvlerësuar, por përkundrazi duhet vlerësuar në maksimum. Dinamo e Zagrebit është një kundërshtar që i ka nxjerrë problem edhe skuadrave me emër në futbollin evropian. Ndaj dhe vlerësimi ynë duhet të jetë në shkallën maksimale.
– Sa mundësi ka skuadra juaj për kualifikim?
Nëse nisemi me këto llogari, kam mendimin se 50 me 50 janë shanset për kualifikim. Nuk ka më skuadra të mëdha apo të vogla. Pavarësisht kualiteteve që ka skuadra kundërshtare dhe skuadra jonë ka futbollistë cilësorë. Tashmë ne mund të konsiderohemi skuadër që ka eksperiencë në ndeshjet ndërkombëtare.
– A përbën avantazh zhvillimi i ndeshjes së parë jashtë fushës tuaj?
Normale që po. Ardhja me një rezultat pozitiv nga ndeshja e parë është pozitive për çdo skuadër. Ne do ia bëjmë hyzmetin që nga ndeshja e parë të kthehemi me një rezultat të favorshëm.
– Kë konsideroni rezultat të favorshëm?
Barazim apo një rezultat të ngushtë do të ishte një avantazh i madh për ne. Çdo gjë mund të ndodhë. Shanset janë të barabarta.
– Si e parashikoni Skënderbeun e sivjetëm?
Për momentin jemi të fokusuar te ndeshja e radhës, ajo ndaj Dinamos së Zagrebit që do të zhvillohet këtë të enjte. Sigurisht dhe opinioni sportiv këtu është mësuar me objektivat e skuadrës sonë, që është fitimi i të gjithë trofeve.
Intervistoi:
Nderim Goci
Pse policia fshehu largimin e Qifes nga vendi i aksidentit
Në dosjen e dorëzuar në Prokurori nga policia nuk figuron asnjë material për ikjen e Qifes nga vendi i krimit. Përse është bërë kjo? Është e qartë për të shpëtuar deputetin mik të Ramës dhe kapur në trafiqe
Mund të jetë një bast unikal kur policia me urdhër të shefit në qeveri bëhet pjesë në një krim si në rastin e aksidentit të dy ditëve më parë
Policia e kapur dhe në shërbim të plotë të Ramës nuk ka referuar në Prokurori krimin tjetër të deputetit Aqif Rakipi, atë të ikjes nga vendi ku kreu aksidentin tragjik që i mori jetën qytetarit. Në dosjen e dorëzuar në Prokurori nga policia nuk figuron asnjë material për ikjen e Qifes nga vendi i krimit. Përse është bërë kjo? Është e qartë për të shpëtuar deputetin mik të Ramës dhe kapur në trafiqe. Mund të jetë një bast unikal kur policia me urdhër të shefit në qeveri bëhet pjesë në një krim si në rastin e aksidentit të dy ditëve më parë.
Prokuroria ka ngritur dy akuza ndaj deputetit të PDIU, Aqif Rakipi, në lidhje me aksidentin e ndodhur tri ditë më parë, ku humbi jetën një 54-vjeçar. Akuzat e ngritura ndaj deputetit që po hetohet në gjendje të lirë, janë “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largim nga vendi i aksidentit”.
Kjo akuzë e fundit mësohet se është shtuar e formuluar nga Prokuroria pas analizimit të provave e rrethanave të ngjarjes, edhe pse rezulton se policia nuk e ka referuar çështjen për një vepër të tillë.
“Më datë 12.08.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Tiranë për shtetasin Aqif Rakipi, 53 vjeç, banues në Tiranë, pasi në autostradën Tiranë-Durrës, duke drejtuar mjetin tip ‘Benz’, ka aksidentuar për vdekje këmbësorin Sait Sorra, 54 vjeç, banues në fshatin Kashar. Neni 290 i Kodit Penal”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë, publikuar ditën e djeshme.
Siç duket nga kjo komunikatë, policia e ka referuar në Prokurori çështjen e deputetit vetëm për një vepër penale, që është ajo e parashikuar nga neni 290. Ky nen në Kodin Penal parashikon veprën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Sipas paragrafit të dytë të këtij neni, “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar vdekjen e një personi, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet”.
Nga ana tjetër, deputeti i PDIU, po hetohet nga Prokuroria edhe për akuzën e largimit nga vendi i aksidentit. Kjo vepër penale parashikohet nga neni 273 i Kodit Penal ku thuhet: Largimi nga vendi i aksidentit, i drejtuesit të automjetit apo të çdo mjeti të motorizuar, për t’u shmangur nga përgjegjësia penale, civile apo administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Reagimi i PD
Neni 273 i Kodit Penal, i cili është në fuqi edhe për miqtë e Edi Ramës, dikton se Aqif Rakipi mban përgjegjësi edhe për largim nga vendi i aksidentit, përgjegjësi që në vetvete dënohet deri në 1 vit burgim.
Mbarë opinioni publik është i revoltuar se si gjithë shteti është vënë deri tani në shërbim të deputetit mik të Ramës, dhe në kurriz të viktimës. Gjithçka për ta paraqitur viktimën fajtor të aksidentit dhe fajtorin viktimë.
Largimi nga vendngjarja pas përplasjes për vdekje të Seit Sorrës, përveçse akt burracak i deputetit Rakipi, është edhe vepër e pastër penale që e rëndon pozitën e tij para ligjit.
Por miku i kryeministrit po përfiton nga Edi Rama, i cili është në vijim të qendrimeve të tij të njohura, pranë krimit e larg qytetarëve. Për më tepër, që deputeti Rakipi njihet si pikë kyçe e ndërlidhjes së Edi Ramës me trafiqet.
Partia Demokratike i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm dhe Kreut të Parlamentit të nisin urgjent procedurat e heqjes së imunitetit të deputetit Rakipi, dhe një hetim të plotë dhe të pandikuar të ngjarjes, në mënyrë që të ketë drejtësi për viktimën.
Kushërinjtë e viktimës, dëshmitarë okularë, rrëfejnë se deputeti, mik i Ramës, Aqif Rakipi, sapo ka përplasur për vdekje Seitin, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Ata thonë se deputeti Rakipi, iku pa u ndalur fare, sikur donte të fshihte diçka. Largimi i tillë nga vendi i ngjarjes është kriminal dhe i thellon përmasat kriminale të ngjarjes.
Çfarë po fshihte deputeti mik i Ramës? A ishte ai në gjendje të intoksikuar nga alkooli apo substanca të tjera?
Çfarë kishte në makinë miku i Ramës, i cili nuk donte që policia ta gjente makinën në vendngjarje e ta kontrollonte?
Dhe më e pakta, pse një i zgjedhur, një deputet, nuk kujdeset për viktimën, nuk i ofron ndihmën e parë, por ikën me shpejtësi pa u ndalur menjëhere, pasi ka përplasur për vdekje një njeri?
Nxitimi i policisë dhe organeve ligjzbatuese për të shpallur fajtor viktimën e për të nxjerrë viktimë fajtorin vetëm pse është mik i Edi Ramës, është skandaloz, është revoltues, është poshtërues.
Partia Demokratike paralajmëron këdo person që po favorizon mikun e Ramës në kurriz të viktimës, se çdokush që shkel ligjin do të mbajë përgjegjësi.
Vendimi qesharak i Prokurorisë
Pokuroria ka urdhëruar lirimin e deputetit Aqif Rakipi, i cili aksidentoi për vdekje një 54-vjeçar gjatë orëve të para të së shtunës. Vendimi u mor pas kryerjes së ekspertizës në vendngjarje dhe analizimit të dinamikës së aksidentit, nga e cila rezulton se fajtor është viktima.
Sipas Prokurorisë, deputetit i’u pre rruga menjëherë nga viktima dhe nuk kishte mundësi të reagonte për të frenuar. Sipas urdhrit të Prokurorisë, deputeti do të hetohet në gjendje të lirë për largim nga vendi i aksidentit dhe shkelje të rregullave të qarkullimit.
Deputeti shtoi shpejtësinë pas aksidentit
Shoferi deputet që përplasi të afërmin e tyre, në vend që të ndalonte e t’i jepte ndihmën e parë personit që aksidentoi, e shtoi edhe më shumë shpejtësinë e u largua nga vendi i ngjarjes.
Dëshmitarë të aksidentit tragjik të orëve të para të mëngjesit të djeshëm, që u shkaktua nga deputeti Aqif Rakipi, kanë qenë edhe dy kushërinjtë e viktimës, të cilët punonin bashkë me të në Tregun Agroushqimor në autostradë.
Ata kanë parë të gjithë skenën e ngjarjes, edhe pse nuk pranojnë të japin shumë detaje, pasi siç shprehen ata, po presin që të japë një version zyrtar Policia e Prokuroria.
Megjithatë, ata konfirmojnë se shoferi që përplasi të afërmin e tyre, në vend që të ndalonte e t’i jepte ndihmën e parë personit që aksidentoi, e shtoi edhe më shumë shpejtësinë e u largua nga vendi i ngjarjes.
“Ne pamë gjithçka sepse aty ishim, po shkonim te tregu. Nuk e aksidentoi Saitin, por e masakroi me makinë. E megjithatë as nuk e mori mundimin të ndalonte. Madje e shtoi edhe më shumë shpejtësinë, duke u larguar nga vendi i ngjarjes”, shprehen dëshmitarët.
Ndërsa një familjar i viktimës shkon edhe më tej, duke hedhur dyshime se deputeti mund të jetë larguar edhe për të fshehur diçka, shkruan ‘Panorama’ sot.
“Policia thotë që nuk ishte i pirë, megjithëse jam i bindur që ka qenë i dehur. Por largimi i tij në atë mënyrë nga vendi i ngjarjes nuk lidhet vetëm me këtë.
Me siguri ai ka dashur të fshehë diçka. Nuk më bindin fare justifikimet e tij që iku për t’u dorëzuar në Polici. Këto janë justifikime”, shprehet ai.
Harta e BE për rrugët përjashton Shqipërinë
Departamenti i Fqinjësisë dhe Zgjerimit të Bashkimit Europian ka prezantuar ditët e fundit në faqen e vet në Facebook linkun për projektin për përmirësimin e lidhjeve të transportit dhe energjisë me dhe ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, për vitin 2017. “Rrjetet e lidhura mirë të transportit dhe energjisë nxisin rritjen ekonomike dhe kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës. BE është e angazhuar të përmirësojë ndërlidhjen me dhe midis vendeve të Ballkanit për të lidhur më mirë njerëzit, ekonomitë dhe infrastrukturën”, thotë departamenti i zgjerimit, teksa promovon broshurën, që është një material i zgjeruar i projekteve që u paraqitën dhe në Samitin e Triestes.
Teksa në këtë dokument dhe në hartën kryesore mungojnë projektet për Shqipërinë për vitin 2017, komentuesit shqiptarë kanë pyetur për këtë. “Do të doja që të kishte fonde për Shqipërinë”, thotë një komentues. Interesimit të tij i është përgjigjur departamenti, që e ka orientuar në faqet e departamentit të Komisionit për Shqipërinë dhe në atë të delegacionit të BE-së dhe instrumentet e paraasistencës.
Në broshurën për axhendën e ndërlidhjes 2017 jepet informacion për bashkëfinancimet dhe projektet e investimeve në Ballkanin Perëndimor për vitin 2017.
Në Samitin e Triestes, zhvilluar në fillim të muajit korrik u prezantuan shtatë projekte të reja me bashkëfinancim, vlera e të cilëve përllogaritet të jetë 538.5 milionë euro. Nga të shtatë projektet, 6 prej tyre janë në transport dhe vetëm një në sektorin e energjetikës. Për këtë vit, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë paraqitur asnjë projekt.
Të shtatë projektet parashikohen se do të hapin 2150 vende të reja pune. Për 2017-n, sipas Axhendës së Lidhshmërisë, Serbia do të jetë përfituese e dy granteve që do t’i jepen për realizimin e një projekti në sektorin e energjetikës dhe një projekti në sektorin e transportit.
Numrin më të lartë të projekteve e ka Bosnje dhe Hercegovina, e cila do të mbështetet me grante për katër projekte në transport.
Ndërsa Maqedonia do të mbështetet në financimin e vetëm një projekti, por që ka vlerën më të lartë.
Projekti i energjetikës për ndërtimin e gazsjellësit nga Nishi (Serbi) deri në kufijtë me Bullgarinë, përllogaritet që do të ketë një kosto prej 85.5 milionë eurosh, nga të cilat rreth 49.5 milionë do të financohet me grantet e BE-së apo rreth 59%. Në përmbushje të këtij projekti do të hapen 250 vende të reja pune. Projekti parashikon shtrimin e 108 kilometrave tuba.
Në projektet infrastrukturore të transportit, Bashkimi Europian do të financojë 30% të kostove të projektit.
Bosnja, e cila ka katër projekte në transport, kryesisht për ndërtimin e korridoreve lidhës, do të përfitojë katër grante me vlerë 46.1 milionë euro për projekte me vlerë totale investimi 241 milionë euro.
Të katërt projektet parashikohen se do të hapin në Bosnje 1600 vende të reja pune.
Nga të gjashtë projektet në transport, vlerën më të lartë e ka ndërtimi i interkonjeksionit hekurudhor midis Maqedonisë dhe Bullgarisë, korridori që lidh Lindjen me Mesdheun. Investimi do të kapë vlerën e 152 milionë eurove, prej të cilave 45% (70 milionë euro) do të financohet prej granteve të BE-së. Projekti parashikon rehabilitimin e 34 kilometrave hekurudhë me standardet moderne, 2 stacione, 5 kilometra urë dhe 5.5 kilometra tunel. Për realizimin e këtij projekti do të hapen 300 vende të reja pune gjatë ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes.
Projektet që do të mbështeten me grante e kredi më 2017
Projekti i energjisë, interkonjeksioni i gazit: Serbi-Bullgari– Ky projekt lidhet me ndërtimin e rreth 108 km gazsjellës në të dy anët midis Nis dhe Dimitrovgrad, si dhe nga Dimitrovgrad në kufi me Bullgarinë. Investimi është 85.5 milionë euro, nga të cilat kontribut i BE-së janë 49.6 milionë euro dhe kontribute të tjera 35.9 milionë euro.
Korridori i Mesdheut: Segmenti Ponirak–Vraca/Zenica Korridori I– Ky projekt investimi ka të bëjë me ndërtimin e një autostrade prej 2.8 km në seksionin veri-jug të Zenicës, midis Ponirak dhe Vraca (dalja e tunelit Zenica), përgjatë Korridorit Vc në Bosnje dhe Hercegovinë. Zhvillimi i ri përfshin tunelin Zenica prej 2.4 km, një rrugëdalje 0.1 km dhe struktura ndihmëse. Investimi është 83.9 milionë euro, nga të cilat kontribut i BE-së janë 15.9 milionë euro dhe një hua e Bankës Europiane të Investimeve rreth 45 mln euro.
Korridori i Mesdheut: Bosnje dhe Hercegovina – Kroacia CVc, Korridori II- Ky projekt investimi ka të bëjë me ndërtimin e një rruge moderne prej 4.1 km në pjesën veriore të Zenicës, në mes të tunelit Zenica dhe hyrjes në Donja në tunelin e Pecuj. Zhvillimi i ri përfshin dy tunele (350 m dhe 422 m), katër rrugë dalje (93 m, 78 m, 380 m dhe 76 m), një rrugë për hyrje në Zenicë (140 m urë) dhe një ndërlidhje në Zenica Veri, me sistemet e tarifimit.
Investimi është 66.9 milionë euro, nga të cilat kontribut i BE-së janë 11.5 milionë euro dhe hua e BERZH rreth 50 milionë euro.
Korridori i Mesdheut: Bosnje dhe Hercegovina – Kroacia CVc Korridori III –Ky projekt investimi ka të bëjë me ndërtimin e një autostrade 6 km nga Svilaj në Doboj si pjesë e Korridorit Vc. Zhvillimi i propozuar përfshin ndërlidhjet edhe me një rrugë me dy korsi 1 km të gjatë në Kostajnica, mbi lumin Bosna, i cili siguron aksesin e autostradës në rrjetin ekzistues të transportit lokal. Investimi është 80.7 milionë euro, nga të cilat kontribut i BE-së janë 15.3 milionë euro dhe një hua e BERZH prej 59.6 mln euro.
Korridori i Danubit: Bosnje dhe Hercegovina – Serbi–Kroaci- Ky projekt investimi ka të bëjë me fazën e parë të një rehabilitimi kompleks në portin Briko në Sava. Investimi është 10.1 milionë euro, nga të cilat kontribut i BE-së janë 3.1 milionë euro dhe një hua e BERZH prej rreth 7 mln euro.
Korridori Lindje-Mesdhe: Interkonjeksioni hekurudhor Maqedoni-Bullgari- Ky projekt investimi ka të bëjë me rehabilitimin e përafërsisht 34 km të hekurudhës CVIII me standardet moderne në pjesën Beljakovce–Kriva Pallankë në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Investimi është 152.3 milionë euro, nga të cilat kontribut i BE-së janë 70 milionë euro dhe një hua e BERZH prej rreth 75 mln euro.
Korridori Lindje-Mesdhe: Interkonjeksioni hekurudhor Serbi–Bullgari- Ky projekt investimi ka të bëjë me elektrifizimin e të gjithë vijës hekurudhore në kufirin me Nis-Dimitrovgrad me Bullgarinë përgjatë rrugës së Korridorit Lindor Med në Serbi. Investimi është 56.4 milionë euro, nga të cilat kontribut i BE-së janë 28.4 milionë euro dhe një hua e BEI prej rreth 24 mln euro dhe 4 mln euro kontribute të tjera.
“Monitor”
BE stopon investimet e mëdha kineze në Europë
Aksionet e kompanisë italo-amerikane të makinave, Fiat Chrysler Automobiles u rritën dje në bursa me 4%, duke i kaluar 10 euro për aksion, pas lajmeve se kompani kineze kanë interes ta blejnë atë.
Sipas lajmit të publikuar në “Automotive News”, “të paktën një ofertë është prezantuar këtë muaj nga një sipërmarrje kineze, që gjithsesi është refuzuar nga Fca, pasi nuk është vlerësuar e mjaftueshme. Ndërkohë, shkruan “ilsole24”, grupe të tjera të rëndësishme kineze në sektorin e automjeteve po shqyrtojnë raportet e kompanisë, me objektiv blerjen e mundshme të Fca. “Automotive News” nuk identifikon grupet e interesuara, por lë të nënkuptohet se disa nga kandidatët janë Dong Feng Motor, Zhejiang Geely e Guangzhou, partneri aktual i Fca në një sipërmarrje të përbashkët në Kinë. Një shitje e mundshme do të përfshinte Jeep e Ram, Dodge, Chrysler e Fiat, duke lënë jashtë Maserati dhe Alfa Romeo.
Ndërkohë, në lajme të tjera referohet se Brukseli do të shtrëngojë kushtet për blerjen e kompanive europiane nga të huaj, pasi kërkon të adresojë shqetësimet e shtuara rreth vërshimit të investimeve kineze në sektorët e infrastrukturës, energjisë dhe përpunimit me teknologji të lartë.
“Financial Times” shkruan se Jean-Claude Juncker, presidenti i Komisionit Europian do të njoftojë këto masa gjatë një fjale që do të adresojë në shtator, duke vijuar me të njëjtën linjë, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas burimeve nga njerëz që janë të afërt me këtë çështje. Kjo çështje është ngritur në axhendën politike të BE-së, për shkak të frikës gjithnjë e në rritje se Kina mund të përfitojë një avantazh teknologjik, duke blerë njohuri europiane, duke kufizuar nga ana tjetër rolin e BE-në në tregun e brendshëm.
SHBA-të kanë filluar ndërkohë një hetim për të drejtat e pronësisë intelektuale, veprimi i parë kundër Kinës nën administratën e Trump, pikërisht për shkak të shqetësimeve të ngjashme.
Aktualisht, vetëm 13 e 28 vendeve të BE-së kanë sisteme formale për të skanuar blerjet dhe investimet e tjera, në mënyrë që të vlerësojë nëse ato përbëjnë një kërcënim ndaj sigurisë kombëtare ose politikave publike.
Sipas një raporti nga Mercator Institute for China Studies dhe Rhodium Group, investimet e huaja kineze drejt BE-së arritën në rreth 35 miliardë euro më 2016, një rritje me më shumë se dy të tretat në krahasim me vitin e mëparshëm.
Ujërat e zeza pushtojnë detin e Sarandës, tmerrohen pushuesit
Pas Ksamilit, edhe Saranda pushtohet nga shpërthimi i ujërave të zeza, çka ka sjellë largimin e pushuesve të tmerruar nga ndotja masive e detit. Dëmtimi i një tubacioni në një nga zonat më të populluara të plazheve të Sarandës, pranë Hotel Butrinit ka bërë që brenda fare pak minutash deti të ndryshonte tërësisht ngjyrë duke u ndotur nga vërshimi i ujërave të zeza. Kjo situatë ka tmerruar pushuesit, të cilët në mënyrë urgjente janë larguar nga plazhi duke e braktisur atë. Përhapja e ujërave të zeza në ujin e detit ka ndodhur me shpejtësi, duke bërë që e gjithë pamja të marrë ngjyrën e ujit të turbullt e të ndotur. Gjatë paradites së djeshme, plazhi i Sarandës, në afërsi të Kanalit të Çukës është ndotur nga ujërat e zeza. Shkak është bërë dëmtimi i një tubacioni, megjithëse ende nuk ka të dhëna ekzakte se çfarë ka ndodhur. Për pasojë plazhi është braktisur nga pushuesit, ndërsa ndërhyrja e Bashkisë për riparimin e tubacionit ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Pushuesit në Sarandë kanë braktisur këtë të hënë plazhin si pasojë e ndotjes nga ujërat e zeza. Shkak është bërë dëmtimi i një tubacioni në afërsi të Kanalit të Çukës rreth mesditës së të hënës. Rezulton se shkak për shpërthimin e ujërave të zeza është bërë cilësia e dobët e tubacioneve, ndërsa në zonën e ndotur të plazhit aktualisht nuk janë paraqitur përfaqësues të institucioneve të shëndetësisë apo mjedisit për të monitoruar situatën nga afër. Kjo është hera e dytë brenda pak javësh që bregdeti i Sarandës ndotet nga ujërat e zeza. E njëjta situatë tmerroi dhe largoi nga plazhi pushuesit e Ksamilit. Edhe atje, shpërthimi i ujërave të zeza vërshoi me shpejtësi mbi shezlongët e pushuesve duke përfunduar në det. Asnjë përgjegjësi nuk u mbajt për situatën në fjalë e madje asnjë ndjesë publike ndaj pushuesve që kishin zgjedhur këtë plazh për të kaluar pushimet e tyre.
Vlerësimi për bregdetin shqiptar shënon rënie
Sondazhi i Qendrës së Kërkimeve Monitor (QKM) me 110 hotele bregdetare në vend zbulon tendencën. Si ka qenë ecuria e prenotimeve në korrik dhe si pritet gjatë muajit gusht. Si po ndryshon turizmi nga prenotimet rastësore drejt të punuarit me agjenci. Shumë hotele në Durrës raportojnë se janë të rezervuara nga polakët, ndërsa Vlora dhe Saranda janë më dobët këtë verë. Problem mbetet kapaciteti i ulët, teksa 93% e hoteleve raportojnë se kanë më pak se 50 dhoma. Bregdeti i Durrësit është kthyer këtë vit në “Hirushen” e turizmit. Pasi u zbulua nga “Princi” (agjencitë polake dhe çeke), që parablenë një pjesë të madhe të dhomave të hoteleve, që në dhjetor të vitit të kaluar, sipërmarrësit u nxitën të investonin.
Nëse bën një xhiro sot në bregdetin e Durrësit dhe sidomos atë të Golemit, është shumë më ndryshe se disa vite më parë. Hotelet janë modernizuar, kanë përmirësuar shërbimet, kanë futur ofertat të gjitha të përfshira. Po ashtu, edhe ambientet para tyre janë të pastra, çadrat janë të reja prej kashte të vëna në rregull dhe me distancë të pranueshme nga njëra-tjetra, janë vendosur kabinat e dushit, shumë hotele kanë përcaktuar zonat për notim dhe disa prej tyre kanë edhe kullat e vrojtimit të rojeve të plazhit. Pasditet janë të mbushura me pushues vendas e të huaj, që shëtisin në bregdet, duke shijuar perëndimin e diellit apo ulen në lokalet e shumta aty rrotull.
Durrësi, pavarësisht problemeve të trashëguara të infrastrukturës e ndërtimeve intensive dhe cilësisë së shërbimit, po bëhet gradualisht modeli i ardhshëm i zhvillimit të turizmit, atë të orientuar drejt të huajve, që punon me agjencitë dhe i ka të garantuara prenotimet që në fillim të vitit. Në një sondazh që zhvilloi në gjysmën e dytë të korrikut Qendra e Kërkimeve Monitor (QKM) me 110 hotele në vend, të përzgjedhura në mënyrë përfaqësuese përgjatë bregdetit nga Saranda në Velipojë, 42% e 34 hoteleve në Durrës raportuan se në muajin korrik, ato ishin 80-100% të prenotuar. “Sunborn Rezidence”, “Mali i Robit”, “Dyrrah”, “Leonardo”, “Bonita”, “Grand Hotel Pameba”, “Adriatik 2”, “Dollari”, “Belavista”, “Akropoli”, të gjitha deklaruan se në muajin korrik e kishin shfrytëzuar 100% kapacitetin e dhomave.
“Hotel Leonardo” në Golem, këtë vit është i gjithi i rezervuar, si për muajin korrik dhe si për gushtin, sipas drejtuesve të saj. “Leonardo” është një nga më të mëdhenjtë në zonën e Durrësit e Golemit, me një kapacitet prej 105 dhomash dhe 210 shtretër. Në gusht të një viti më parë, ky hotel ishte i prenotuar vetëm 50%. Hotel “Adriatik 2”, me 22 dhoma, kishte bërë kontratë me agjencitë polake dhe ishte tërësisht i rezervuar për korrikun dhe gushtin. Menaxheri i hotel “Marika” në Golem tha se punonin me agjenci dhe për gushtin i kishte të 24 dhomat e zëna. Drejtuesit e “Klajdi Resort” në Golem, që ka 40 dhoma, pohuan se ata punonin me agjenci dhe i kishin pothuajse të gjitha dhomat e zëna. Nga 80% që ishte zënë në korrik, në gusht do të arrinte 100%.
Menaxheri i hotel “Brumar” në Durrës, me 17 dhoma, ndonëse për gushtin kishte arritur të kishte një zënie prej 100%, u ankua se ka shumë konkurrencë informale.
Ky është viti i tretë radhazi që QKM kryen sondazhe me hotelet bregdetare gjatë korrikut, ku menaxherët pyeten për prenotimet në korrik dhe gusht, krahasimin me një vit më parë dhe problematikën që ata mund të kenë. Në krahasim me sondazhet e vitit 2015 dhe 2016, kur ishin të varur nga kërkesa e turistëve nga Kosova, hotelet në Durrës e Golem raportuan një situatë shumë më optimiste. Në verë të vitit 2015, ata kishin vuajtur nga fakti që periudha e pushimeve përkoi me muajin e Ramazanit dhe vetëm në gjysmën e dytë të korrikut kishin pasur më shumë punë.
Korrik-gusht, rënie e ndjeshme e numrit të turistëve
Në përgjithësi, sipërmarrësit e hoteleve ishin më optimistë për korrikun, në krahasim me dy vitet e mëparshme. Vetëm 30% e të anketuarve pohuan se korriku i këtij viti ishte më keq se vjet, nga një rekord prej 55% që kishte qenë kjo përgjigje vitin e mëparshëm. Është rritur ndjeshëm numri i atyre që pohuan se ishin njësoj me vjet, në gati 34% dhe vetëm 14.5% raportuan se ishin më mirë sesa vitin e kaluar. 37% e hoteleve raportuan se zënia e dhomave ishte nga 80-100% në gusht, duke qenë shumë më e lartë sesa një vit më parë. Nivelin më të lartë të zënies e deklaruan hotelet nga bregdeti i Durrësit-Golemit. Megjithatë, hotelet nuk janë aq optimiste për gushtin. 39% e tyre thanë se e prisnin të ishte më keq se vjet, nga 24% që ishte kjo përgjigje në sondazhin e vitit të kaluar. Megjithatë janë shtuar edhe ata që presin një gusht të mbarë, me 19%, nga 5.6% në verën e 2016-s. Menaxherët e hoteleve kishin dhe frikë se gushti mund të sillte anulime, si për shembull, “Vela e Bardhë” në Vlorë.
Në fakt, Vlora dhe Saranda duket se po vuajnë këtë vit. 67% të atyre që u përgjigjën se prisnin që gushti të ishte më keq se një vit më parë i kishin hotelet pikërisht në këto dy qytete. “Vila Rapa Nui”, me 13 dhoma dhe 65 shtretër në Vlorë, priste që në gusht të rezervonin vetëm miqtë e tij. Hotel “Nertili” në Sarandë, me 20 dhoma, nuk kishte pasur shumë punë në korrik dhe po shpresonte që prenotimet të rriteshin për muajin gusht. Edhe menaxherët e “Two mermaids”, me 20 dhoma, po në Sarandë, raportuan se këtë vit ishin më keq se vitin e kaluar. Nga 33 hotele të anketuara në Vlorë, 50% pohuan se gushti i këtij viti do të ishte më negativ se ai i një viti më parë. Përfaqësuesi i hotel “Argeli” me 35 dhoma dhe 140 shtretër, tha se vitin e kaluar kanë qenë më mirë, ndërsa këtë vit nuk kishin prenotime për gushtin. Menaxher i hotel “Lepenica” në Vlorë u ankua për infrastrukturën dhe pohoi se kishte punë përgjithësisht në fundjavë. Në të njëjtin nivel me vitin e kaluar ishin rezervimet në Himarë, Borsh e Dhërmi, sipas “Potami Beach”, Alfa-Delta”, “Alkre”, “Vila Borsh”, “Take”, “L’Doro”, “Fiori”, “Vila Altini”. Hotel “President” në Shëngjin, me kapacitet 50 dhoma dhe 150 shtretër, ishte shumë më keq me prenotime në gusht, në krahasim me vitet e tjera. Edhe hotel “Bologna” po në Shëngjin, kishte 6 dhoma të zëna, nga 16 në dispozicion, në momentin që u krye anketimi.
Mungesa e kapaciteteve, turizmi shqiptar në vështirësi akute
Mungesa e kapaciteteve është një nga problemet kryesore që kanë hotelet shqiptare, që pengon dhe tërheqjen e grupeve të mëdha të turistëve. Durrësi këtë vit përfitoi pikërisht, pasi në bregdetin e tij ishin ndërtuar hotele relativisht të mëdha, por edhe bashkëpunuese mes tyre. Sipas burimeve nga Shoqata shqiptare e Turizmit, për herë të parë, një grup hotelesh me rreth 1000 shtretër te Shkëmbi i Kavajës arritën të animojnë një zonë me të gjithë shërbimet për paketa FB (të gjitha të përfshira) dhe funksionon 365 ditë. Kjo performancë siguroi për 2017-n kontratat për 140 ditë me partnerët çekë e polakë, duke afirmuar një vazhdimësi për vitet në vazhdim. “Shqipëria ka një numër të kufizuar të kapaciteteve akomoduese, në rreth 67.000 shtretër. Është një shifër e ulët krahasuar me resurset që ofron dhe tregun rajonal. I mungojnë shërbimet për target grupin që shpenzon për turizmin e rërës e detit ose janë të kufizuara në disa hotele, kryesisht me më pak se 100 dhoma, të cilët nuk punojnë me paketa të plota shërbimesh”, pohon Zak Topuzi, sipërmarrës i Hotel Mondial dhe kryetar i Shoqatës shqiptare të Turizmit (ATA). Nga sondazhi i QKM-së, vetëm 7.3% e hoteleve deklaruan se kanë më shumë se 50 dhoma, ndërsa pjesa më e madhe (64%), raportuan më pak se 20 dhoma. Nisur nga kërkesa e lartë, hotelet në zonat bregdetare të vendit po shtojnë kapacitetet akomoduese për t’i bërë ballë fluksit të madh të turistëve nga Çekia dhe Polonia. Por zgjerimi pa plan, mungesa e standardeve, cilësia e dobët e shërbimeve, plehrat dhe kaosi përreth i kanë përcjellë me përshtypje negative shumicën e tyre.
Çmimi u rrit, por edhe për dy vite Tirana do jetë pa ujë 24 orë
Një tender prej 75 milionë lekësh është hapur nga UKT me qëllim shërbimin e konsulencës për realizimin e një masterplani strategjik. Pas hyrjes në fuqi të rritjes së çmimit të ujit, faturë që do t’u kushtojë shumëfish qytetarëve të Tiranës aq ta shohin edhe pirjen e ujit të pijshëm si luks, UKT ka nisur menjëherë nisjen e tenderave për të ashtuquajturin “përmirësim” të sistemit të furnizimit me ujë për kryeqytetasit.
Ndonëse UKT vetëm me fondet ekzituese që kishte mund të investonte në një numër të lartë zërash që do të çonin në përmirësimin e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm. Konkretisht, Shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Tiranës do të kontraktojë një kompani konsulente, e cila do të përcaktojë qartë hapat që duhen ndjekur për të arritur objektivat e UKT: Ofrimin e shërbimit të vazhdueshëm 24 orë ujë në ditë për mbi 1 milion banorë; Reduktimin e ujit pa të ardhura si dhe Zhvillimin i performancës së drenazhimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura.
Qesharak është fakti se UKT i vë në dispozicion kompanisë konsulente 2 vite kohë për hartimin e masterplanit që do të përcaktojë hapat e garantimit me 24 orë të ujë të pijshëm për banorët e Tiranës. Pra, për këto dy vite, qytetarët e Tiranës do të paguajnë dyfish çmimin e ujit të pijshëm, megjithëse nuk do ta kenë këtë shërbim ende 24 orë non stop.
Konkretisht, Kompania fituese do të hartojë atë që quhet “Masterplani” i zhvillimit teknik dhe strategjik të furnizimit me ujë dhe rrjetit të kanalizimeve për qytetin e Tiranës. UKT ka caktuar një fond maksimal prej 75 milionë lekësh për këtë shërbim, ndërsa ofertat do të mund të dorëzohen deri më 23 gusht 2017.
Kriteret për përzgjedhjen e fituesit do të bëhen në bazë të çmimit dhe propozimit teknik, ku vlerësohen sipas rëndësisë: metodologjia e propozuar, kualifikimet e stafit kryesor të propozuar, përvoja për punë të ngjashme dhe transferimi i njohurive. Masterplani do të realizohet në 2 faza, ku faza e parë do të zgjasë tre muaj dhe përmban hartimin e masterplanit afatmesëm të zhvillimit teknik; ndërsa faza e dytë që do të shtrihet në një periudhë dy-vjeçare ka të bëjë me azhurnimin, monitorimin dhe kontrollin e këtij masterplani.
Plani do të përfshijë, përveç arkitekturës e IT e nevojshme, edhe transformimet e organizimit të punës. Pak kohë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftoi kryerjen e investimeve me vlerë 220 milionë euro në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes së UKT. Pak ditë më parë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim vendosi t’i japë Shqipërisë një kredi prej 30 milionë eurosh për këto projekte, me kushtin që 15 milionë euro të jepen pasi UKT të përfundonte studimin për Burimet Strategjike të Ujit.
Ndërkohë nga rritja e çmimit të ujit, Bashkia do të fitojë 38 milionë euro në vit. Në rast se do të bëhet një llogari vjetore, për rreth 84 milionë metra kub ujë në vit që prodhon Bovilla, atëherë rezulton që fitimi neto të jetë rreth 20 milionë euro në vit, ose 2,5 miliardë lekë.
Dhe këtu nuk po futet çmimi i ujërave të përdorura, të cilët kanë një kosto të papërfillshme, por që merret 11 lekë për metër kub. Vetë Veliaj deklaroi se në vitin 2016, Ujësjellësi kish kapur një normë fitimi prej 5 milionë euro.
Ndërkohë me çmimin e ri, i bie që kjo shumë pra fitimi i UKT të shkojë në rreth 38 milionë euro në rast se do mblidhej, pra gati një dyfishim të shumës që do duhej të mblidhte UKT, por që do dalë nga xhepat e qytetarëve.
Rritja e çmimit të ujit me qëllimin e shpallur nga Veliaj për të investuar në furnizimin me ujë vjen në një kohë që Ujësjellës Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rekuperimit të detyrimeve të prapambetura. Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat e Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime, në vitin 2016 ishin 2.95 miliardë lekë (21.5 milionë euro). Konsumatorët familjarë sjellin gati gjysmën e të ardhurave të ujësjellësit. Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë, apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015. Tre vitet e fundit, sipas bilancit, aktiviteti i Ujësjellës Kanalizimeve ka qenë i qëndrueshëm me një rritje të lehtë të të ardhurave, ndërsa norma e fitimit është përmirësuar.
Në vitin 2016, norma e fitimit ishte 23%, çka nënkupton se për çdo 100 lekë të ardhura, 23 ishin fitime (para taksave). Në vitin 2014, norma e fitimit ishte 18%. Sipas bilancit të detajuar të vitit 2015, shpenzimet e personelit ishin rreth 860 milionë lekë (37% të totalit të shpenzimeve), ndërsa shpenzimet e përgjithshme të prodhimit ishin 924 milionë lekë, rreth 40% të totalit. Në vitin 2015, Ujësjellësi kishte llogari të arkëtueshme, si rrjedhojë e mosarkëtimit të faturave nga konsumatorët familjarë, privatë, shtetërorë, etj., prej 2.7 miliardë lekësh (gati 20 milionë euro), me një rritje të ndjeshme prej 70%, në krahasim me 1.9 miliardë lekë që ishin detyrimet e paarkëtuara në 2014-ën. 75% e këtij detyrimi i përket konsumatorëve familjarë.
Karabina: Prokuroria të hetojë shpifjet e sponsorizuara të punonjësve të MAS
Një fushatë e shëmtuar denigrimi dhe e urdhëruar nga njerëzit e Ramës po vijon ndaj ministrave teknikë. Dje, një grup prej shtatë punonjësisht të MAS, të organizuar në tufë depozituan një kallëzim penal ndaj ministres teknike të Arsimit, Mirela Karabina me preteksin qesharak të ushtrimit të presionit dhe stresit gjoja në ministri. Mjafton leximi i objektit të këtij kallëzimi penal për të kuptuar se ky kallëzim është tërësisht i sponsorizuar dhe aspak një shqetësim ireal i punonjësve. Fill pas kallëzimit penal që u depozitua sot në Prokurori nga 7 drejtorë të MAS, ka reaguar ministrja Mirela Karabina. Me anë të një deklarate publike, MAS bënë me dije se veprime të tilla si ky tregojnë domosdoshmërinë urgjente të reformimit rrënjësor të administratës publike. “Nisur nga prononcimi publik i ditës së sotme i disa punonjësve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS), sqarojmë se: Parregullsitë dhe situata antiligjore në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të deklaruara nga ministrja Mirela Karabina, që në javën e dytë në drejtim të këtij institucioni, po vërtetohen nga akti i prononcimit publik, këtë herë edhe nga disa punonjës së institucionit të MAS. Veprime të tilla dëshmojnë domosdoshmërinë urgjente të reformimit rrënjësor të administratës publike. Ftojmë institucionin e Prokurorisë të hetojë me seriozitetin më të madh këtë situatë absurde të krijuar në MAS”, thuhet në reagimin e ministres Karabina.